• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

21 VJET NGA PETICIONI SHQIPTARO-AMERIKAN DREJTUAR PRESIDENTIT KLINTON

August 1, 2018 by dgreca

1-Bill-Klinton-300x184KORRESPONDENCE.- “ Peticioni Shqiptaro-Amerikan për Gjendjen e Shqiptarëve në Ballkan” drejtue Presidentit William J.Clinton- Shtëpia e Bardhë, Washington,D.C../

1-Sami-Repishti1-240x300

 Ridgefield, CT.- “Presidenti William J. Clinton Thekson Prioritetin Amerikan Ndaj Shqipërisë dhe Kosovës” ashtë titulli i gazetës ILLYRIAtë New York-ut me datën 20 gusht 1997. Ky shkrim i gazetës shqiptaro-amerikane u botue mbasi u ba publike korrespondenca me Shtëpinë e Bardhë për “problemin shqiptar, kryesisht Kosovën”…

Në muejin maj 1997, u themelue Këshilli Kombëtar Shqiptar-Amerikan (KKSHA) i motivuem nga keqësimi i gjendjes në hapësinen shqiptare të Ballkanit. Detyra kryesore e Këshillit (KKSHA) ka qenë ngritja e zanit të bashkësisë shqiptaro-amerikane në mbrojtje të interesave gjithëshqiptare në Ballkan. E rrezikueme nga dy fqinjtë, serbët në Veri dhe grekët në Jug, Republika e Shqipërisë mori tatëpjetën dhe ra në nji gjendje kaosi politik të rrezikshëm që shkatërroi strukturën shtetnore të vendit dhe rrezikoj nji luftë civile përfundimet e së cilës ishte e vështirë me u parapa. Flitej për nji “revoltë leniniste” në bashkëpunim me bandat e paligjëshme, nji kombinacion eksploziv….

Në Kosovë, urrejtja psikopatike serbe shkaktonte vrasje e shkatërrime të përditëshme me qellim dëbimin e popullsisë shqiptare nga ajo Krahinë dhe përvetësimin e Kosovës si tokë serbe njiherë e përgjithmonë.

Në Maqedoni, autoritetet qendrore maqedonase zbatojshin politikën e tyne raciste anti-shqiptare tue mohue edhe të drejtat ma fillestare të popullsisë shqiptare në atë republikë, nji grup kombëtar që përban ma shumë se 30 përqind të popullsisë së përgjithëshme të republikës. Ishte viti i mbrapshtë 1997 në vendin tonë! Shqipëria kishte nevojë për ndihmë!

Në Greqi, mohimi total i të drejtave të elementit autokton shqiptar në atë vend, banorë kryesorë të krahinës së Çamërisë, kryhej me paturpësinë ma të madhe. Edhe vizitat familjare të popullsisë çame në trojet stërgjyshore mbas dëbimit të dhunëshëm të viteve 1944-45 u këputën pa asnji spjegim. Vaji dhe lotët e viktimave çame  as ndigjohej as shihej nga bota e shurdher dhe e verbët. Çamët kishin nevojë për dritë! Në SHBA u ndez nji dritë!

Për këte qellim, KKSHA vendosi të dergojë nji Peticion dhe të kerkojë nji audiencë me Presidentin W.J.Clinton me shprehë qartas gjendjen kritike të krijueme për të gjithë shqiptarët në Ballkan; mënjifjalë versionin shqiptar të së vertetës! Nevoja për nji veprimtari të organizueme në sherbim të atdheut shqiptar u paraqit si nji domosdoshmëni kategorike.   Për këte qellim, dhe vetëm për këte qellim –e jo për rivalizim!- u themelue Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan-The Albanian American National Council (KKSHA/NAAC) me qendër në Washington,D.C.

Me inisiativën e KKSHA, me datën 11 qershor 1997, Koalicioni i Shoqatave Shqiptaro Amerikane Fetare. Kulturale dhe Civike, i formuem për këte qellim, i drejtoi nji Peticion Presidentit të SHBA-s, W.J.Clinton, tue kerkue përkrahjen e Qeverisë Amerikane në zgjidhjen e drejtë dhe të shpejtë të problemit shqiptar, dhe veçanërisht atij kosovar, me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga zgjedha shekullore serbe. Ma poshtë do të lexoni tekstin e plotë të Peticionit anglisht (përkthye shqip) dhe të firmuem nga “personi i autorizuem” nga të gjitha shoqatat, Dr. Sami Repishti, presidenti i parë i i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA). Me datën 8 gusht 1997, Dr.Repishti mori këte përgjegje me spjegimet e Presidentit Clinton (lexo ma poshtë).

Njikohësisht, nji Peticion i dytë i u drejtue Zonjës Madeleine K. Albright, Sekretare e Shtetit e SHBA-së, me tri kërkesa për Administratën Amerikane lidhun me Kosovën, të botueme në gazetën ILLYRIA (N.Y.) të datës 20 gusht 1997.

************

Teksti i përkthyem shqip i “Peticionit Repishti” drejtue Presidentit W.J.Clinton :

Nr. 1

“ Koalicioni i Shoqatave Shqiptaro-Amerikane Fetare, Kulturale dhe Civike

               1825 I Street N.W. Suite 400   Washington, D.C. 20006 *

                                               P E T I C I O N

I nderuemi William Jefferson Clinton

President i Shteteve të Bashkueme të Amerikës

Shtëpia e Bardhë

1600  Pennsylvania Avenue

Washington, D.C. 20500                        11 qershor 1997

  

    I nderuemi Z. President:

    Na, të nënshkruemët, qytetarë të Shteteve të Bashkueme të Amerikës me prejardhje shqiptare, dhe pjestarë të shoqatave fetare, kulturale dhe civike  shqiptaro-amerikane,i lutemi Qeverisë së Shteteve të Bashkueme të Amerikës të luaj nji rol ma aktiv në Shqipëri me qellim që të sjellin paqën, stabilitetin, dhe prosperitetin në atdheun e të parëve tonë.

     Koalicioni i jonë paraqet të gjithë seksionet e kombit shqiptar prej shtatë miljonë në Ballkan, nji rajon ku vetëm shqiptarët mbeten akoma nji popullsi etnike e ndame në republika të ndryshme;Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Greqia.

     Dy javë ma parë, në Holandë, ju deklaruet se asnji komb demokratik nuk do të përjashtohet nga bashkësia atlantike. Ky ashtë nji vision i madh për nji të ardhme të ndritun! Shqiptarët janë njeni nga popujt ma të vjetër të Europës. Megjithate, fryma e ndryshimeve që vjen sot mbi të gjithë kontinentin nuk e ka prekë këte vend. 

    Lutemi  na ndihmoni!

     Në Shqipëri, kaosi i fundit dhe mosstabilizimi i shkaktuem nga vështirësitë ekonomike dhe mungesa e eksperiencës në ndërtimin e institucioneve demokratike rrezikon jetën e 3- 4 milionë qytetarëve shqiptarë që jetojnë me frikë të vazhdueshme. Ata sot kërkojnë ndihmën tuej, dhe na nuk duhet të ju a mohojmë!

     Na jemi plotësisht të bindun se ashtë në interesin edhe të Shteteve të Bashkueme me luejtë nji rol ma aktiv për nji rregullim politik ma të qetë në Shqipëri, tue eliminue kështu nji element madhor të mosstabilitetit në atë vend.

     Në Kosovë, shumica e popullsisë prej afër dy miljonë shqiptarë vazhdon të jetë objekt sulmi për abuzim dhe mohim të të drejtave të tyne dhe lirive fillestare, siç janë e drejta e arsimit, sherbimet shëndetsore, siguria personale dhe punësimi objekte sulmi nga rregjimi diktatorial serb i S.Miloseviqit. Megjithëse vendi i jonë ka qenë në front të bashkësisë ndërkombëtare të kundërshtimit të rregjimit të shtypjes së Milosheviqit në Kosovë, nji rol ma vendimtar nga ana e Shteteve të Bashkueme ashtë pa dyshim i nevojshëm. Gjendja në Kosovë po keqësohet me shpejtësi, dhe mundësitë e nji shpërthimi rriten çdo ditë.

     Na jemi plotësisht të bindun se ashtë në interesin e Shteteve të Bashkueme me luejtë nji rol ma aktiv për rregullimin paqësor e politik në afrimin e shqiptarëve – pala e damtueme,- dhe rregjimit shtypës të Beogradit. Emnimi i nji ndermjetësi amerikan –si në Qipro- do të ishte shumë i efektshëm në eliminimin e mundësive që krijojnë mos-stabilizimin në atë zonë.

Në RFJ të Maqedonisë, numri i madh i shqiptarëve që jetojnë atje vuen nga mohimi i të drejtës për trajtim të barabartë, përfaqësim të barabartë dhe pjesëmarrje të barabartë në Administratën vendëse dhe qendrore. Megjithëse shqiptarët përbajnë ma shumë se nji të tretën e popullsisë së përgjithëshme, pjesëmarrja  e tyne në Administratë  ashtë minimale. Këto dy vitet e fundit, masa drastike qeveritare janë marrë me pengue zhvillimin e arsimit shqip për studentë shqiptarë; shembull: rasti  Universitetit privat i Tetovës.

      Na jemi plotësisht të bindun se ashtë në interesin e Shteteve të Bashkueme me ushtrue presionin e duhun pranë Qeverisë Maqedone të respektojë të drejtat e popullsisë shqiptare, ose të humbasë mbështetjen e Shteteve të Bashkueme.

Pakica shqiptare banojnë sot edhe në Serbi, Mal të Zi dhe Greqi, fati i të cilave ashtë lanë në duert e tri autoriteteve respektive. Në Serbi dhe në Mal te Zi, forcat politike lokale shqiptare përpiqen me vështirësi me veprue mbrenda sistemit politik të tanishëm, por ata gjinden para qendrimit mohues të shumicës, qellimi final i të cilëve ashtë asimilimi i tyne.

Në Greqi, pakica shqiptare gjindet përballë asgjasimit të plotë. Asnji libër shqip, mësues ose shkollë ashtë e lejueshme për arsimimin e fëmijve të pakicës së shtypun shqiptarë (të njohun si Çamë). Të gjitha përpjekjet e bame me thye këte shtypje asfiksuese kanë dështue, për arsyen e thjeshtë se autoritetet greke refuzojnë të njohin edhe prezencën fizike të kësaj pakice fatkeqe.

      Na jemi plotësisht të bindun se ashtë në interesin e Shteteve të Bashkueme me përdorë influencën e saj pranë Qeverisë Greke, tue theksue faktin se nji padrejtësi e këtill ashtë e papranueshme për bashkësinë ndërkombëtare, dhe nuk ashtë në interesin e marrëdhanjeve të mira në mes të dy vendeve fqinje.

Në këte angazhim të shtatë miljonë shqiptarëve në Ballkan dhe përpjekjesh me ba nji histori te re në vendet që ata banojnë, ata kërkojnë me marrë pjesë në ndertimin e nji bote të re, “nji rrjet global qellimesh, dhe ligjor”; ata kanë nevojë për ndihmën e Amerikës me gjetë rrugën ma të mirë me arrijtë këte pikësynim. Na shpresojmë se ky Komb i Madh Amerikan që jemi na sot, nuk do të shgënjej popujt që vuejnë.

Shqiptarët janë të lodhun nga tirania, paligjëshmënia dhe udhëheqsit që qellimisht anashkalojnë interesat e popullsisë. Megjithëse nuk ka nji hartë që tregon suksesin, ata shpresojnë në ndërtimin e nji shoqënie të re ku e drejta e jetës, lirisë dhe prosperitetit kuptohen si të verteta që nuk mund të mohohen. Ata duen të jenë “…pjesë e nji sistemi ndërkombëtar i bazuem në parimet demokratike që përfshijnë të gjithë”, ashu si e theksoi Sekretarja e Shtetit Madeleine K. Albright.

      Në këte përpjekje të tyne, shqiptarët meritojnë përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkueme dhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Me respektin ma të plotë,

    Sami Repishti, Ph.D.   

    (firmë e autorizueme)

 Shoqatat pjesëmarrëse:

Albanian American Bektashi Monastery

Albanian American Roman Catholic Communities

Albanian American Islamic Center

Albanian Orthodox Archdiocese in America

Democratic League of Kosova in the United States

Foundation “Ded Gjo Luli”

Foundation “Plave –Gusinje”

National Albanian American Council (NAAC)

PanAlbanian Federation of America “VATRA”

Patriotic Association “Dibra”

*Adresa e “Koalicionit” ashtë ajo e Sekretarisë së Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Ëashigton, D.C.

————————————–

Nr. 2

Përgjigjja e Presidentit W.J.Cliton:

 Shtëpia e Bardhë

                                            Washington

8 gusht 1997

Sami Repishti, Ph.D.

President

National Albanian American Council

Suite 400

1825  I Street, N.Ë.

Washington, D.C. 20006

I nderuemi Sami:

Ju falënderoj për letrën tuej të datës 11 qershor në lidhje me situatën e Shqiptarëve etnikë në Ballkan. Shqipëria ka arrijtë në nji pikë kritike gjatë rrugës saj drejt demokracisë, dhe qetësimi i kaosit që mbizotënon atje që nga mueji i marsit ashtë nji përparësi e politikës sonë të jashtëme.

Na mendojmë që ashtë me randësi me veprue së bashku si nji bashkësi ndërkombëtare; prandej, Administrata e ime po punon ngushtësisht me partnerët tonë Europianë, tue përfshi edhe Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, me ndihmue ringritjen e institucioneve demokratike dhe me përmirësue situatën e të gjithë Shqiptarëve. Shtetet e Bashkueme po përkrahin me ndihma  humanitare dhe kanë marrë vendim me kontribue menjiherë $1 miljon për organizatën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, si dhe $2.5 miljonë për Programin Ushqim për Botën të OKB-së.

Administrata e ime ashtë njikohësisht e shqetësueme edhe për abuzimet e të  drejtave të njeriut, veçanërisht në lidhje me Kosovën. Shtetet e Bashkueme përkrahin përpjekjet e popullit të Kosovës me sigurue për vete respektin e të drejtave të njeriut me mjete paqësore dhe demokratike. Për këte qellim, këto kohët e fundit na kemi hapë Zyrën e Agjensisë së Informatave të Shteteve të Bashkueme, në Prishtinë. Pa ndërpremje na kemi kërkue nga Qeveria e Serbisë të pushojë politikën e saj shtypse, dhe kemi përsëritë shqetësimin tonë me autoritetet e Beogradit në nivelin ma të naltë. Respekti për të drejtat e njeriut në Kosovë ashtë nji element kyç i sanksioneve tona kundër Serbisë, dhe do të vazhdojë, deri sa të bahet nji përparim thelbësor Shtetet e Bashkueme nuk do të normalizojnë marrëdhanjet diplomatike me Beogradin. Për ma tepër, na do të vazhdojmë me kundërshtue anëtarsinë e Beogradit në institucionet ndërkombëtare.

Unë due të ju siguroj se Administrata e ime ashtë e angazhueme me punue për promovimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Ballkanit, si dhe me vazhdue përpjekjet tona drejt nji zhvillimi të demokracisë, dhe rivendosjes së rendit publik në Shqipëri.

Edhe nji herë, ju falënderoj për interesimin tuej aktiv në këte problem me randësi.

Sinqerisht

Bill Clinton (firma)

——————————————————–

(Fotokopje  e origjinalit anglisht)

 

———————————————————–

Nr. 3

New York.- E merkurë, 20 Gusht 1997

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, prof. Sami Repishti, në një letër që i dergon Sekretares së Shtetit, Madeleine K. Albright, në prak të takimit të saj me presidentin e Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, parashtron tri kerkesa-opsione që do të duhej t’i shqyrtonte Administrata amerikane me qellim të gjetjes së mënyrës për zgjidhjen e çeshtjes së Kosovës:

  • Qeveria e Shteteve të Bashkuara të emërojë një të derguar të posaçëm që do të mundësonte një takim midis përfaqësuesve shqiptarë dhe serbë, me qellim të ndërmjetësimit për një zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Në gjetjen e këtij ekuilibri, prestigji i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara është i pazevendsueshëm
  • Qeveria e Shteteve të Bashkuara të marrë inisiativën për mbajtjen e një Konference Ndërkombëtare mbi Kosovën, në të cilën problemi i Kosovës do të kishte një trajtim të drejtë si parakusht për një zgjidhje të pranueshme përtë dy palët.
  • Po qe se “taktikat” e bashkëpunimit vazhdojnë nga ana e Serbisë, atëherë kërkojmë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe nga bashkësia ndërkombëtare që të njohin Republikën e Kosovës si një Shtet Sovran, kufinjtë e të cilit do të jenë të pacenueshëm, dhe se kjo Republikë do të pranohej si anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Politika paqësore e Dr. Ibrahim Rugovës është nji garanci e qellimit paqësor të shqiptarëve, se do të jenë loajalë ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan është formuar një vit më parë me qellim të avancimit të çeshtjes shqiptare në Washington,D.C. dhe të informimit të Administratës, anëtarëve të Kongresit dhe politikanëve amerikanë për problemet gjithëshqiptare. (Gazeta Illyria, New York)

—————————————————————————————————-

(Botohet për herë të parë)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Peticioni shqiptar0-amerikan, Presidenti Clinton, Prof. Sami Repishti

«JA PSE NUK PRANOVA TË BËHESHA PROFESOR !»

July 31, 2018 by dgreca

1 Luan HajdarjagaSipas bisedës me Z. Luan Hajdaraga, psikolog e politikan/

Nga XHEVAIR LLESHI/*

Mua më dukej se Luan Hajdaraga po bënte kohë që fliste me një njeri të padukshëm. Me shëndetin e vet (ashtu sindozot edhe unë!) të paskrupullt. Nuk ishte punë fantazie kjo, po një fakt i padryshueshëm që ia dinim mirë njëri-tjetrit, që kur, në një leksion psikologjie në vitin e largët 1982 e pyeta për raportin e interesave shpirtërore dhe ato materiale, dhe ai, si më pa thellë, bëri thjesht një përgjigje të nënkuptuar, por amá në vitet kur ishte ministër mbrojtjeje mbajti makinën në mes të rrugës dhe më tha: «A e more vesh se interesat shpirtërore dhe ato materiale shkojnë mjaft mirë me njëra-tjetrën?» Dhe po ashtu shtoi: «Unë jo e jo, po edhe ti besoj, nuk do të pranojmë kurrë të bëhemi profesorë! Dhe qeshi me një ngrohtësi të hatashme. Në hotel «Kontinental» ku rrinte zakonisht mëngjeseve të gjata merrej me shtypin si një diplomat i vërtetë, më tha se kjo puna e të shpallurit profesorderisa blihet e shitet dhe është kthyer në mall, më duket si vallëzim folklorik dhe balet modern i mbështetur në mo­tive popullore ku… malli shndërrohet në karakter. Atij malli ia kishin ngulur sytë gjithë ç’mbaheshin të ditur, madje duke u rrotulluar edhe me lëvizje të epshta, ndonëse të plogëta e ngashënjyese, duke ndjellë pjesët e bryllëta të femrës, që shkaktonin pse jo edhe një tundim mun­dues. Kjo është pamja e plotë e kësaj katastrofe intelektuale dhe po se po edhe kombëtare. Sepse, i dashur mik, ajka intelektuale e vendit na kish ardhur gjithnjë nga jashtë (në të gjithë shekujt, madje edhe sot!) dhe nuk i mbetej kohë të fëlliqej, të bëhej pis me tituj të blerë. Një turp i pakrahasueshëm! M’u bë se në shpirtin që i vlonte rrëqethej e fërgëllonte, duke rrënjuar fort dhe dukej që s’donte të shkulej, me gjithë ngulmin e hatashëm që i dukej sheshit…

Nuk di pse por atyre mëngjeseve kisha dëshirë të papërmbajtur për të qenë me të. Kryesisht ngaqë e ngacmoja fort për raportin midis politikës dhe psikologjisë, sepse, i thosha, ti je një psikolog i madh, që ato vite, kur, i lirë dhe krenar, bëheshenjëme motocikletën tënde rrugëve të Tiranës. Dhe ai ia shkrepte të qeshurës me vrull përplot rrufe e vetëtima finoshe, që ktheheshin në shkreptima tundëse të cilat i zbrazte dhe i shndërronte sërish aahtu si i pëlqente, në diçka fluturuese që sikur shtegtonte në erën e vet psikologjike, kur këtyre anëve gjallonin amazonat e shpirtit.

Në skenë (nuk e shikon?) rrokulliset malli i turpit, diploma, provime anglishteje, master, doktoratura dhe tema e CV profesoriale të blera dhe TUNDEN para hundës sime me zjarr dhe forcë dhe unë tëbëhemnjëme ta? Tmerr! Ç’katandije fenomenale, që të duket thjesht një lavdi e mjerë. Kurse unë do të jem i lumtur që ditën kur të lexohet në radio, televizione, gazeta e portale, CV ime e fundit, nuk do të thuhet kurrë që ai qenka «profesor», por amá s’mund të mos thonëqë ai ishte një psikolog i njohur, që ka shkruar këtë e këto vepra dhe sigurisht që ka qenë edhe politikan! Po, po, një njeri që nuk e bën pis veten me biografinë e punës, në profesion, nuk mund të fëliqet as në politikë. Mund të stërpikesh nga vetëtimat e saj, mund të jesh nën shiun e saj, mund të hash edhe drurët e saj frushullues, mund të ndodhesh edhe përballë shkallëve të saj të boshatisura, si edhe mund të mbetesh atje në mes të skenës, i vetmuar, ku duket se përvëlohesh nga zjarri i vetvetes dhe kjo dihet se bën përshtypje të skajshme te njerëzit, ndonëse mund të strukeshe diku dhe të lakmoje hiret e plota të natyrshme që të gjithë i dëshirojmë. M’u bë se atë çast u dëgjua një klithmë, një vuajtje që zbulonte një intimitet të ndrydhur, një flagrancë të turpshme! Ai sërish po qeshte me një ngrohtësi të rrallë…

Luan Hajdaraga më duket se po bënte kohë që fliste me një njeri të padukshëm. Me shëndetin e vet të papërfytyrueshëm në tepri, ashtu si edhe imi. Por ne ndoshta na bashkonte kjo fatkeqësi, veç ama brenda në shpirt përvëlonim nga idetë dhe zotërimet e pafundme. Kjo që po ndodhte me hatarat e vendit tonë, kësaj kështjelle të pamposhtur që nga socializmi komunist po kridhej keq e më keq në socializmin kapitalist, me të njëjtët njerëz veç me flamuj e ngjyra të tjera, s’mund të thoshe se kishe të bëje me pjellë fantazie, po me tmerre që përpinin njeriun dhe shndërroheshin papritur në karaktere. Shikoje mirë atë deputet, ai s’ka shkollë dhe tund diplomën, ai tjetri ka nxjerrë në tryezë emrin duke shtuar para «Prof. Dr.» kur s’ka bërë gjësendi, asnjë rresht të shkruar, dhe e tundin këtë, përfitojnë prej saj, vdesin pas efektit ngashënjyes të saj. Dhe për më keq u është mbushur mendja se janë njerëz të ditur! S’ke ç’thua më tepër! Qepe gojën dhe hesht! Është koha e… maskarenjve! Po perifrazoj njӕvarg të njohur. Pa t’i shohësh kur hidhen e shkunden me lëvizje të epshta, kur bë bëjnë isharete të plogëta dhe ngashënjyese…

Kam parë aq shumë prej tyre sa jam velur! Zoti më ndjeftë! Nuk ua heq të drejtën të marrin frymë. Edhe ti kështu mendon, të njoh, të lexoj, ta përpij ironinë, ndonëse në politikë kemi qëndrime të ndryshme. Ne, mik, kërkojmë pronën dheligjin! Kaq vetëm! Ka burra (edhe gra; në mos sot do të ketë nesër!) që t’i mbrojnë ato? Duket se ka, por heshtin. Burrat e vërtetë këtu duken. Shikoji, po, po, shikoji si kalamenden dhe rrëzohen në skenën e politikës (që është nga skenat më të bukura në botë!), si vijnë vërdallë këmbadoras dhe zvarriten drejt pushtetin, si kapen, jargaviten, luten symbyllur e syhapur, si ulen shesh, si këqyrin përplot buzëqeshje të bujshme, si ngrejnë sytë lart drejt shkreptimave, si fshihen brenda hijes së tyre para vetëtimave, rrufeve të tmerrshme, si puthin veten pa pasqyrë, si thërrasin nëpër atë batërdi, si vazhdojnë të duken (ç’lojë e fëlliqur!) të dashuruar, pastaj t’i shohësh (ç’komedi bajate!) si ngatërrohen keq me veten e tyre, pa lëre fare kur lëshohen me hare e babëzi deri në marrosje drejt coftinave që po t’i shihte Aleksandri i Madh do t’i lyente vetëm me zift e katran për t’i nxjerrë lakuriq rrugëve…

Shí këto çaste ndahesha me Të. E në këto kulme të krijimtarisë së tij ai u nda pren nesh të gjithëve. Por na la edhe duke medituar me fjalët e Tij, me qëndrimet kundër rrymӕs, nën qiellin e mrekullueshme të buzëqeshjes së Tij të bukur e të hijshme…

*Tiranë, më 31 korrik 2018, një ditë pas ikjes së Tij.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Luan Hajdaraga, pse nuk pranova, te behesh profesor

NË FESTA KRISHTLINDJESH ME LAZËR RADIN

July 29, 2018 by dgreca

1 Lazer_Radi

(Në vend të portretit për kosovarin e pamposhtshëm Lazër Prend Radi)

4Lazri

 Nga Thanas L. Gjika/

1-Thanas

    Në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare në vitin 1992-’93 më ra në sy një fytyrë e re. Ishte një burrë trupmadh me kokë si të skalitur në lis. Kishte tipare të një njeriu me karakter të fortë që të ngjallte respekt. Ai ulej te tavolina e qoshes së majtë në rreshtin e fundit, pra kur hyje në sallë mund ta shikoje po të ktheje kokën nga e majta. Lexonte dhe shkruante me një përqendrim që binte në sy. Ndonëse e kishte sallën të gjithë përpara, ai nuk e ngrinte kokën për të parë kush punonte, kush hynte e delte e as për t’ua tërhequr vëmendjen atyre që ndalonin e bisedonin në këmbë gjatë hyrjeve e daljeve. Nuk i afrohej askujt. Asnjëherë nuk e pashë të pinte kafe me dikë. Kuptohej se kishte shumë mendime dhe vepra për të hedhur në letër…

         Një ditë, kur po delja nga salla për të bërë pushim me shokun tim Iliaz Gogaj, i sugjerova ta ftonim burrin e qoshes për kafe, por Iliazi më bëri me shenjë se mund ta takonim një herë tjetër. Pastaj gjatë bisedës kur po pinim kafen, më sqaroi se ai burri i qoshes quhej Lazër Radi, një ish i burgosur që kishte kaluar shumë vite nëpër burgje dhe internime. Dinte disa gjuhë, ishte diplomuar në Itali për Jurisprudencë. Gjatë viteve të burgut e kishin futur në grupin e punës për përkthimin e veprave të ndryshme për të ndihmuar kuadrot e Partisë e të Sigurimit. Dikush i kishte thënë Iliazit, se gjatë viteve të burgut këtë zotëri mund ta kishin rekrutuar si informator të Sigurimit, prandaj afrimi me të mund të na sillte ngatërresa.

         Një thashethem të tillë për një intelektual si Lazër Radi, që ishte burgosur në nëntor të vitit 1944 me akuzën armik i popullit, dhe pastaj humbur nëpër internime larg Tiranës, nuk mund ta kuptonim atëhere as unë as Iliazi. Mungonte informacioni dhe kuzhina komuniste e mbiquajtur socialiste vijonte të sajonte shpifje për të gjithë demokratët e vërtetë si Lazër Radi me shokë. Por sot, pasi është zbuluar ecuria e zbatimit të Planit Katovicanë shoqërinë shqiptare, e kuptoj fare mirë. E kuptoj sepse tashmë kam njohur biografinë dhe jetën e tij, si do ta tregoj më poshtë. E si të mos e kuptoj sot, pasi kam lexuar mjaft shpifje të çuditshme të pushtetarëve tanë për intelektualë e krijues të dënuar prej partisë shtet, sikur ata kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit. Po përmend për ilustrim rastin e z. Bujar Nishani, me detyrën e Presidentit të R. SH., që hodhi poshtë propozimin e zotit Edi Rama, Kryeministrit, për emërimin e shkrimtarit të shquar Visar Zhiti Ambasador pranë selisë së Vatikanit. Zoti Nishani dha si sqarim se kishte marrë një mesazh në facebook nga një person i panjohur me incialet P. V., ku shkruhej se z. Visar Zhiti, paskej qenë informator i Sigurimit të Shtetit gjatë viteve kur vuante dënimin si i burgosur i ndërgjegjes në burgun e Spaçit…!! (Gazeta Dita, Tiranë 22 mars 2017).

         Pas ndërrimit të rgjimit, Lazër Radi filloi të botonte shkrimet e para te gazeta Rilindja Demokratike, por shumë shpejt iu tha se nuk ishte mirë që kjo gazetë të botonte shkrime të një të dënuari si ai, sepse njollosej Partia Demokratike si parti që po mbështetej tek ish armiqtë e popullit. Me të njëjtin pretekst u organizua më vonë dhe një farë fushate për mënjanimin e atyre deputetëve të PD-së që i përkisnin shtresës së të përndjekurve. Nga 26 deputetë të tillë që pati kjo parti në vitet 1992-’96, pas disa vjetësh mbajti vetëm nja dy prej tyre, kurse të tjerët i zëvendësoi me disa shërbëtorë besnikë të Sali Berishës, ose ish komunistë e ish sigurimsa.

         Thënë shkurt, Lazër Radi me përgatitjen, talentin dhe të kaluarën e tij, i bënte hije çdo pushtetari demokrat, madje dhe vetë kryetarit të Partisë Demokratike. Po të shkruante shpesh në atë gazetë, ai do të fitonte popullaritet dhe nesër mund të zgjidhej deputet dhe mund të arrinte në poste të larta të qeverisë pluraliste.

         Lazri, ashtu si Iliazi dhe unë, gjetëm një përkrahje të ngrohtë për botimin e shkrimeve tona te gazetën Rilindjae Prishtinës, që asokohe publikohej në Tiranë për shkak të përndjekjes që i bëri Millosheviçi. Vështrimet tona ishin të njëjta ndaj historisë dhe kulturës sonë. Ishim demokratë të ndershëm, por thashethemet e përhapura jo pa qëllim nga shtabi i planit Katovica, na penguan të afroheshim e të bëheshim miq.

         Pas largimit tim në SHBA, më 1996, disa vjet u shkëputa nga shtypi i Tiranës dhe nuk munda të lexoja gjë nga shkrimet e Lazër Radit. Vite më vonë, kur Lazri ishte larguar nga jeta, u njoha përmes internetit me një mikun e tij, me ish të përndjekurin Lek Pervizi, piktorin dhe rapsodin e burgjeve të kohës së diktaturës, i cili publikonte në Bruksel revistën internetike Kuq e Zi. Ky më sugjeroi të publikoja shkrime të mia edhe në revistën simotër  Radiandradi.comqë publikonte në Itali Jozef Radi, djali i Lazrit. Në këtë fletore lexova artikuj e pjesë nga veprat e Lazrit, si dhe studimin kronologjik në dy pjesë Krejt Jeta si një filmparaqitur në këtë revistë prej Jozefit me rastin e 100-vjetorit të lindjes së të atit 29 janar 1916 – 29 janar 2016, ku u njoha me bëmat kryesore të Lazër Radit, shoqëruarme shumë fotografi e kopertina ilustruese.  Sot, më vjen keq që e njoha jetën e veprën e këtij prizrenasi madhështor mbas vdekjes. Lufta e tij këmbëngulëse për t’u shkolluar e për të fituar kulturë e dije, fitorja ndaj përndjekjeve që i bëri diktatura komuniste, pasioni atdhetar e demokrat për të shkruar artikuj e vepra, bashkë me krijimin dhe gëzimin e një familjeje të shëndoshë në kushte çnjerëzore, janë frymëzuese për çdo shqiptar të ndershëm.

         Këtë shkrim e hartova mbasi e ndjej për detyrë t’i kërkoj të falur këtij intelektuali e demokrati të vërtetë, këtij krijuesi të përndjekur për faktin se nuk iu afrova për ta njohur nga afër në vitet 1992-1995, kur mund të kisha përfituar nga bisedat e drejtpërdrejta me të…

* * *

         Prizren, 24 dhjetor 1924

         Më 24 dhjetor 1924 afër mesnatës, nënë Gonxhja i zgjoi nga gjumi tre djemtë Antonin, Balton e Lazrin dhe vajzën Gjyliana. Pasi u veshën të gjithë me rrobat më të mira dolën jashtë shtëpisë. Me babain përpara u drejtuan drejt Kishës së Madhe në qendër të Prizrenit. Aty do të festohej lindja e Zotit Krisht. Bora kishte mbuluar anë e kënd mbi një metër. Rruga në mes të borës dukej si kanal i thellë, si transhe lufte, këpucët kërcisnin krap-krup, duke shkelur bardhësinë e mielltë. Baca Prend mbante përdore më të voglin, Lazrin gati 9-vjeçar, të cilin po e merrte në një ceremoni të tillë për të parën herë…

         Kishte disa ditë që ushtarë të shumtë serbë me bajonetat ngritur përpjetë ecnin andej këtej, sidomos drejt kufirit me Shqipërinë. Shkuan të rrëzonin Qeverinë e Fan Nolit atje, për të nënshtruar pastaj në Kosovë çetën e Azem e Shote Galicës. Këta me luftimet e tyre e kishin kthyer Drenicën në një zonë jashtë kontrollit. Drenica po quhej Shqipni e Vogël.

         Besimtarët katolikë po ecnin drejt kishës nga shumë drejtime në grupe familjare. Kumbimi i kambanave ndihmonte ecjen e tyre. Brenda në kishë sundonte paqja. Dritat e shandanëve e të qirinjve i jepnin ambjentit një shkëlqim që fëmija nuk e kishte parë asnjëherë në atë kishë gjatë ceremonive të meshës të djelave paradite. Këngët për Jezusin e për të shenjtën Mari tingëllonin ëmbël. Të gjithë besimtarët e ndjenin praninë e Zotit Krisht në ajrin e katedrales. Një ngushëllim i madh, një optimizëm e siguri ndjehej në zemrën e të gjithëve, sidomos te fëmijët. Sytë e tyre shkëlqenin me një dritë më të fortë se në orët e mësimit.

         Lazri do t’i kujtonte emocionet e asaj nate gjatë gjithë jetës. Ato këngë, ata qirinj e shandanë të ndezur, ato këngë e psalme të ëmbla, ajo fryma hyjnore që zotëronte sallën e mbushën me ndjenja mirësie e dashurie. Kujtimi i emocioneve të asaj nate do ta ndihmonin në të ardhmen të bëhej më i sjellshëm, më i dashur me familjarët, shokët e me këdo që do të njihte. Ndikimi moral e shpirtëror i asaj ceremonie do të ishte ndoshta po aq i madh sa ndikimi i gjithë orëve mësimore që do të merrte gjatë shkollimit të tij dhe leximi i qindra librave që do të thithte gjatë jetës së ardhshme.

         Nga shpirti i tij i dlirë lindi atë natë lutja: T’ falem nders’ o Zot, që m’ linde katolik e ma ndriçon rrugn me msimet e Jezu Krishtit! – lutje, të cilën ai do ta rithoshte më vonë sa herë do të ndodhej në situata të gëzuara ose të vështira.

         Në vitin 1929, si shumë familje të tjera shqiptare të Kosovës edhe familja e Prend Radit u shpërngul e u vendos në Shqipëri, në qytetin e Durrësit. Në fund të tetorit Lazri u regjistrua në shkollë në klasën e tretë. Deri në atë kohë shkollimi i tij ishte kryer në Prizren, në sërbisht. Kishte mësuar pak shkrim e lexim shqip në kishën shqiptare. Vitin tjetër shkollor shkoi e vijoi në Tiranë, kurse në vitet 1931-38 ai ndoqi mësimet në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, ku për disa vite jetoi në konviktin “Malet Tona”. Aty pati fatin të ishte nxënës i disa mësuesve atdhetarë e intelektualë të përkushtuar si Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Simon Rrota, Paul Guzhoni, Filip Llupi, Kolë Kamsi, etj. intelektualë të përkushtuar, të cilët ndikuan në formimin e tij. Përpiqej të ishte ndër nxënësit më të dalluar. Filloi të shkruante në shtypin e kohës me inicialet L.R., ose me pseudonimet Lara, Lapredi, Ladi, etj.

         Në vitin 1936, motra e tij Gjuliana, shërbente si mësuese bashkë me Migjenin në shkollën e Pukës. Për shkak të dimrit të ashpër, shkolla e asaj qyteze ishte verore. Gjyliana, e ftoi vëllain në verë të atij viti, të shkonte në Pukë e të njihej me poetin. Pasi shkoi dhe jetoi në ambjentet e asaj shkolle gjatë muajve qershor-gusht, ai e njohu nga afër poetin e tij të adhuruar, përjetoi momente të rëndësishme nga procesi i tij krijues. Për këto ai do të shkruante në të ardhmen artikuj të shumtë po edhe librin me kujtime Një verë me Migjenin.

         Në Shkodër, gjimnazisti Radi në vitet 1934-‘37 zuri miqësi me Arshi Pipën, Kolë Ashtën, Pashko Gjeçin, Qemal Draçinin, Gaspër Palin, si dhe me Qemal Stafën, Vasil Llazarin, Xhemal Brojën, Elez Brahën etj, të cilët, nën ndikimin e Zef Malës, filluan të merrnin pjesë në lëvizjen komuniste të atij qyteti. Si njohës i serbishtes, ai u ngarkua me përkthimin në shqip të broshurave propagandistike që vinin nga Partia Komuniste Jugosllave, dega e Malit të Zi. Djaloshit i pëlqente fryma revolucionare, ideja e çlirimit, e vllazërisë dhe e barazisë midis popujve, ruajtja e konspiracionit të grupit, disa aksione për të ndihmuar qytetarët e Shkodrës nga përmbytjet e Kirit, etj. Mirëpo si prizrenas i ra në sy fakti se agjitatorët malazezë flisnin me shumë pasion për nevojën e sabotimeve, për vrasjet politike që duhej të kryenin anëtarët e grupit komunist të Shkodrës dhe mbi të gjitha i tingëlluan shumë keq vargjet e këngës sërbe O car Llazar, kurorë e artë e Sërbisë…që komunistët malazezë ia këndonin serbisht për t’ia lëvduar punën, kur ai u përkthente broshurat, ose fjalimet e tyre.

         I lindur e i rritur në Kosovë, ai i kishte përjetuar nga afër mizoritë e ushtrisë mbretërore të shtetit Sërbo-Kroato-Sllovene ndaj popullit shqiptar të atjeshëm. Kënga e këtyre komunistëve për mbretin Llazar dhe shkëlqimi i syve kur flisnin për nevojën e sabotimeve e të vrasjeve që duhej të kryenin komunistët shqiptarë, shkëndijuan në mendjen e idenëqë nuk thuhej hapur: Komunistët serbë e malazesë mbas propagandës për çlirimin e popujve nga shtypja, mbas internacionalizmit proletar, fshihnin synimet e lashta për ekspansion. Ai pati kurajon dhe ua tha shokëve hapur në mbledhje, se e ndjente veten të huaj në atë grup dhe u largua, pa i bërë keq askujt dhe duke e ruajtur konspiracionin e celulave. Përvoja e tij e fëmijërisë e ndihmoi të shkëputej prej Grupit Komunist të Shkodrës.

         Në Romë te Katedralja e Shën Pjetrit

         Në vitin 1938, mbasi mbaroi gjimnazin, Lazri mundi të fitonte, jo prej shtetit shqiptar e as prej Mbretit, por me përpjekjet e veta, një gjysëmbursë për të ndjekur studimet për Jurisprudencë në Univeritetin famozLa Sapienza të Romës. Mbas gëzimit të shpërnguljes nga Kosova në Shqipëri, kjo ishte shpërngulja e dytë edhe më e gëzueshme se e para. Vizitat në qytetin madhështor të Romës, ku gati në çdo rrugë ai sodiste monumente të ndryshëm nga Antikiteti, Mesjeta, ose Rilindja, vizitat në kopshtin zoologjik të qytetit, frekuentimi i pallatit të Operas, ku takonte dhe të rinj të tjerë shqiptarë, e mbushnin Lazrin e ri me gëzim, por dhe me një trishtim për Shqipërinë e përgjysmuar e të ndarë në dysh, për Shqipërinë e varfër e të shkatërruar, ku pushtuesit osmanë nuk kishin lënë në këmbë asnjë monument të lashtë a mesjetar dhe më e keqja kishin lënë një mendësi turkoshake.

         Në Romë, krahas miqësive të shumta, u afrua e u miqësua me disa vajza të bukura italiane si Lili Bandini, Claudia Carnavali, etj. I shtoi marrëdhëniet me me njërën prej tyre, me zonjushën Lidia Barberini, dhe më 1941, Lazri u bë për të parën herë baba, me djalin Alfredo.

         Në gusht të vitit 1941, ndodhi një ngjarje tjetër e gëzueshme: Gjermania, pasi e mposhti shtetin Sërbo-Kroato-Slloven e ndau në disa shtete të pavarur, kurse pjesën jugore të Sërbisë e ndau midis Bullgarisë dhe Shqipërisë. Shqipërisë iu bashkua një territor prej gati 12.000 km katrore me popullsi mbi 820.000 banorë. Shumë shqiptarë, ndonëse atdheu ishte i pushtuar prej ushtrisë fashiste italiane, filluan të ndjeheshin optimistë për të ardhmen. Ata arsyetonin se atdheu duke pasur tani edhe pjesën më të madhe të Kosovës, disa pjesë shqiptare të Malit të Zi dhe Strugën, Kërçovën, Tetovën, Gostivarin e Dibrën, mund të realizonte në të ardhmen e afërt çlirimin e tij prej pushtuesit italian. Lufta e Vlorës e 1920-ës, ishte shembull konkret që e frymëzonte këtë ëndërr për mundësinë e lirisë së ardhshme.

         Në një situatë të tillë, studenti Lazër Radi, nuk mund të mos ngazëllehej! Ishte realizuar ëndrra e bashkimit kombëtar, të cilën populli shqiptar nuk mund ta realizonte dot vetë. Ishin ndërprerë masakrat e popullsisë shqiptare prej pushtuesve gjakatarë serbë. Ai fluturoi nga gëzimi kur mësoi se ish mësuesi i tij Ernest Koliqi, në funksionin e Ministrit të Arsimit, vendosi të hapte shkolla shqipe në trevat e bashkuara ku pushtuesit serbë nuk kishin lejuar popullin shqiptar të hapte shkolla në gjuhën amëtare. Ishte gati të shkonte dhe vetë mësues në Prizrenin e dashur, por shumë shpejt mësoi se qeveria shqiptare kishte dërguar shumë mësues anë e mbanë trojeve të bashkuara, prandaj vijoi i qetë studimet…

         Shqiptarët e rinj që ndodheshin në Romë për të kryer shërbimin ushtarak, ose për studime, e kishin bërë zakon që ditën e Pashkëve të Mëdha, që festoheshin në pranverë, kur celebrohej ringjallja e Jezu Krishtit dhe në mbrëmjen e 24 dhjetorit, kur celebrohej lindja e Jezu Krishtit (Krishtlindjet), shkonin në Katedren madhështore të Shën Pjetrit. Këta shqiptarë nuk kishin përjetuar festa më të bukura se këto në ambjentet aq të këndshëm dhe madhështore. Ndonëse shumica e tyre ishin nga familje myslimane e orthodkse, ata shkonin te katedralja më shumë për kuriozitet dhe respekt të qeverisë italiane, e cila po sillej edhe më mirë me shqiptarët pas disfatës që pësoi në luftën Italo-Greke, në tetor-nëntorin e 1940.

         Brenda sallës së madhe të katedrales së mbushur plot e për plot, ndihej vetëm kënga e korit. Llampadarët dhe qirinjtë ishin të panumërt. Në fund secili kryente lutjen e tij në heshtje.

         Lazri mërmëriste me vete: “T’ falem nderit o Zot për bashkimn e popullit shqiptar. T’ lutem o Zot ndihmom ta kryj shkollën sa ma mir e t’ shkoj n’ Shqipni me ndihmu shqiptart!”

         Në Tiranën e pasluftës, 24 dhjetor 1944 dhe 24 dhjetor 1953

         Pas diplomimit Doctor Juris,  Lazrit iu propozua punë në Universitetin La Sapienzasi asistent i Profesorit Vidar Casarini – Sforza, në Katedrën e Filozofisë e së Drejtës, por ai vendosi të kthehej në atdhe për t’i shërbyer popullit të tij. Në verë të vitit 1942, Lazri u vendos pranë famijes në Durrës. Aty filloi punën si stazhier në studion e Avokat Golgothas. Dëshira për të ndihmuar në emancipimin e shoqërisë shqiptare e shtyu të rifillonte bashkëpunimin me shtypin shqiptar të kohës me pseudonimet e hershëm dhe me pseudonimet e rinj Ushtima e Sharrit dhe Gjergj Komneni. Në dhjetor 1942, nis bashkëpunimi me Dr. Gulielm Dedën për botimin e gazetës Balli i Rinisë, organ i grupit Bashkimi i Rinisë Universitare Fashiste Shqiptare(BRUFSh). Në verën e vitit 1943, pasi kishte kryer divorcin me zonjën italiane, Lazri solli në Shqipëri djalin 3-vjeçar, Alfredin. Kurse më 21 tetor 1943, u martua me zonjushën Vitore Vushmaqi, me origjinë nga Vermoshi, e cila jetonte në Tiranë. Ajo ndiqte studimet në shkollën e mesme Nana Mbretneshë. Në fillim të majit 1944, mori titullin avokat, ndërkohë që punonte si drejtor i zyrës së Strehimit në Tiranë. Në këtë kohë bashkëpunoi dhe për rregullimin e disa kodeve e ligjeve shqiptare. Në verë të vitit 1944, familjes së tij iu shtua dhe vajza, Veronika.

         Pasi forcat partizane çliruan Tiranën, ende pa u larguar ushtria gjermane, udhëheqja e forcave partizane filloi në kryeqytet një proces arrestimesh të atyre që mendohej se ishin kundërshtarë të Partisë Komuniste Shqiptare edhe pse ata nuk kishin asnjë aktivitet kundër kësaj partie. Midis tyre, më 23 nëntor 1944, Lazër Radi u ftua prej disa partizanëve të armatosur për një punë në komandë…!, ashtu si u ftuan dhe Bahri Omari, Xhevat Korça, Kol Tromara, Mahmud Përmeti e 60 intelektualë e nacionalistë të tjerë. Këta, pasi u mblodhën në komandë, nuk u lëshuan më. Nga data 1 mars deri 13 prill 1945, për dënimin e tyre u organizua Gjyqi Special, me kryetar Koçi Xoxen dhe prokuror Bedri Spahiun, si dhe disa gjyqtarë ish partizanë, shumica të pashkolluar. Pa fakte konkrete për ndonjë punë armiqësore ose kriminale, disa u dënuan me vdekje, disa me burgim të përjetshëm, disa si Lazri me burgim të rëndë: 30 vjet, kurse të tjerë me 25 vjet burg e disa me më pak…

         Për të krijuar idenë se Partia Komuniste respektonte të drejtat e njeriut, më 24 dhjetor 1944, në burgun e ri të Tiranës u dërgua Dom Shtjefën Kurti për të kryer shërbimin e meshës së Krishtlindjeve. Të burgosurit i mblodhën në sallën e ngrënies të gjithë bashkë: katolikë, orthodoksë e myslimanë.

         Komanda e burgut dëshironte që burgosurit myslimanët të mos pranonin, kurse të krishterët othodoksë të kërkonin priftin e tyre, ose të krijohej zhurmë e rrëmujë nga mosnjohja e ritit katolik. Me një fjalë komanda dëshironte që mesha të mos mbahej, ose të dështonte duke u kthyer në një farsë komike. Mirëpo të burgosurit, pavarësisht nga bindjet e ndryshme fetare, u treguan solidarë. Solidariteti i tyre buroi prej urrejtjes që ndjenin ndaj regjimit të ri komunist që i mblodhi me djallëzi gjoja për një punë në komandë dhe po i mbante për t’i dënuar pa pasur asnjë faj.

         Pavarësisht nga qirinjtë e pakët dhe mungesa e korit, serioziteti me të cilin e organizoi ceremoninë Dom Shtjefni, heshtja e të pranishmëve, kënga Lavdi Zotit ndër qiej! Paqe në tokë për njerzit me vullnet të mirë, që nisi të këndohej prej disa zërave të paktë e pastaj u forcua me pjesëmarrjen e shumicës, i dhanë ambientit një frymë shenjtërimi. Zemrat e të pranishmëve u mbushën me dashuri për njeri-tjetrin. Lotë ngazëllimi rrodhën deri poshtë mjekrave dhe pikuan në dysheme. Kur mbaroi mesha e të burgosurit u larguan, në dysheme dukeshin njolla lotësh.

         Dom Shtjefën Kurtin, disa vjet më vonë, diktatura komuniste e burgosi dhe ekzekutoi, por mesha e Krishtlindjeve nuk u përsërit më prej tij sepse ishte e ndaluar dhe Dom Kurtin e ruanin fort. Gjatë një pushimi, në intimitet ai i tha Lazrit: Vlla Lazr, nuk kam mbajt mesh’ ma emocionale e ma t’ devotshme se mesha e 24 dhjetorit ’44.

         Lazri iu afrua dhe me zë të ulët, i tregoi se që nga ajo natë, kur shkon te shtrati, i drejtohet Zotit me lutjen: T’ falem nderit o Zot qi dhe n’ burg po je me na t’ përvujtnit e na ngushllon. T’ lutem o Zot, mbroji njerzit tanë nga tundimet e dreqit! T’ lutem o Zot, zbuti zemrat e komunistve!

         Dom Shtjefni psherëtiu: Kto zemnat e komunistëve veç po egërsohen. Zoti na ndimoftë!

         Vite më vonë, më 24 dhjetor 1953, kur Lazri punonte në kampin e të burgosurve për ndërtimin e aeroportit të Rinasit, pati rast të merrte pjesë në meshën që organizoi në fshehtësi i burgosuri Padër Pjetër Mëshkalla, në kapanonin e ushqimit. Edhe pse u organizua në fshehtësi e me shumë drojtje, populli u mbush gjatë asaj meshe po ashtu me ngushëllim, shenjtërim e shpresë. Lazri e përsëriti lutjen e tij: T’falem nderit o Zot qi dhe n’ burg po je me na t’ përvujtnit e na ngushllon. T’ lutem o Zot, mbroji njerzit tanë nga tundimet e dreqit! T’ lutem o Zot, zbuti zemrat e komunistve!

         Besimi tek Zoti dhe bashkë me të edhe shpresa për shëmbjen e atij regjimi nuk vdiqën. Vërtet shumë të burgosur dhanë shpirt gjatë torturave nëpër qelitë e hetuesisë, nëpër burgjet e Burelit, Spaçit, etj; nëpër kampet e punës në Tepelenë, Maliq, Vloçisht, Turan, etj dhe nëpër fshatra internimi. Mirëpo të përndjekurit e ndërgjegjes nuk u mbaruan kurrë, sepse ishin të ndërgjegjshëm se një ditë diktatura komuniste do të kapitullonte ashtu si diktaturat fashiste e ajo naziste. Madje të përndjekurit e ndërgjegjes, jo që nuk u mbaruan, por u shtuan dhe dolën fitimtarë mbi diktaturën komuniste.

         Ashtu si pasardhësit e Gjon Marka Gjonit, Abas Kupit, Mustafa Merlika Kruja, Preng Pervizit, etj edhe familja e Lazër Radit nuk u shua gjatë përndjekjes komuniste. Kur Lazri u lirua prej burgu më 1954, gruan ia kishin burgosur dhe vajza, Veronika, i kishte vdekur, ndërsa djalin Alfredo e kishte marrë për ta rritur vëllai i madh. E internuan në fshatin Kuç, më vonë edhe nëpër kampe të tjera si Gradishtë, Çermë e Savër të Lushnjës. Në 12 mars 1956, ia liruan gruan dhe jetuan së bashku në internim, ku rifilluan jetën familjare plot mungesa, por me një bekim prej Zotit. Vitorja para se të shkonte për t’u bashkuar me Lazrin, bëri një vizitë tek Vendi i Shenjtë i Shën Ndoit në Laç. Manastiri i lashtëishte shembur e kthyer në gërmadha, por besimi i popullit në mbrekullitë që mund të bënte shenjti nuk ishte shuar. Vitorja e ngjiti të përpjetën duke ecur gjunjazi e duke u lutur Zotit dhe shenjt Ndoit (Shën Andonit) që mbas bashkimit me Lazrin t’i falnin një djalë që të mos shuhej familja Radi.

         Zoti dhe Shen Ndoi ia dëgjuan lutjen që kjo grua e përvuajtur ua drejtoi me gjithë shpirt. Ia plotësuan kërkesën, ashtu si dijnë ata me më shumë sesa u kërkon besimtari i devotshëm…

         Kapitullimi i diktaturës komuniste i gjeti Lazër e Vitore Radin me familje të përtërirë me dy djem e një vajzë të martuar dhe me fëmijë, pra me familje të bekuar e të shtuar. Familja Radi u kthye dalngadal e gjitha në Tiranë me dy djemtë Jozefin dhe Luçianin dhe vajzën Adriana, si dhe me shtatë nipër e mbesa. Të gjithë të pashëm, vulnetmirë dhe të moralshëm. Nënë Vitorja shumë shpejt shkoi te gërmadhat e Shën Noit e vetme për shkak të vështirësive të transportit dhe ngushticës ekonomike. Atje ajo dhuroi disa sende dhe bëri lutjen e falenderimit për bekimin që i dha Zoti dhe Shën Ndoi.

         Bekimi i Lazër Radit ishte me dy krahë: nga njëra anë familja si koshere e plotë dhe nga ana tjetër krijimtaria e bollshme letrare e studimore. Ky adhurues dhe pasues i Migjenit shkruan në një gegnishte të ëmbël, si vetë Migjeni, me fjali të shkurtra, me gjuhë të pasur plot figura letrare, gjithmonë i qartë e pa ekuivoke. Veprat e tij të shkruara gjatë viteve të internimit i plotësoi e i botoi në Tiranë në vitet 1993-1998, kur dhe shkroi shumë artikuj e vepra të reja.

         Nga ana zyrtare, si për shumicën e krijuesve që bëjnë pjesë në radhët e të përndjekurve të ndërgjegjes, nuk është treguar asnjë interes dhe vlerësim i rëndësishëm. Por disa intelektualë, miq të tij dhe familjarët e tij, në tetor 1996 mbajtën një simpozium shkencor te Muzeu Historik Kombëtar, ku u vunë në dukje vlerat e tij intelektuale, shkencore e morale të këtij Njeriu që nuk u mposht prej diktaturës komuniste. Për të si shkrimtar kanë dhënë vlerësime dhe njerëz të shquar e të talentuar si poeti Visar Zhiti, etj. Studiuesi Robert Elsie në veprën dinjitoze Histori e Letërsisë Shqiptare DUKAGJINI 1997, f. 414-415 është i pari që ka dhënë vlerësime për jetën dhe veprën e tij.

         Qeveritë shqiptare të tranzicionit nuk i krijuan kushte jetese as Lazër Radit e as pasardhësve të tij, prandaj ata i gjen sot të shpërndarë nëpër botë, sepse Ramiz Alia me klanin e tij punuan që Shqipërinë dhe pasuritë e saj t’i trashëgojnë të bijtë dhe pasardhësit e kupolës komuniste, sipas planit Katovicatë formuluar para se të shpallej kapitullimi i diktaturës komuniste.

         Sot djali i madh Alfredi (nga martesa e parë) dhe dy djemtë e tjerë, Jozefi e Luçiani, jetojnë në Itali me gjithë familjet e tyre, kurse vajza Adriana jeton në SHBA me bashkëshortin dhe vajzat.

         Jozefi i ngjan babait për nga talenti e përkushtimi atdhetar, politik e shoqëror. Ai ka pesë vjet që publikon në Itali revistën internetike Radiandradi. Aty ai boton përveç shkrimeve të bashkëpunëtorëve dhe krijime të babait e të veta. Jeta dhe krijimtaria letrare dhe ajo shkencore e Jozefit meritojnë një shkrim analitik, të cilin mund ta bej unë ose dikush tjetër më vonë. Përkushtimi i tij për ta mbledhur, redaktuar e botuar veprën e plotë të babait, është i ngjashëm me përkushtimin e Eugjen Merlikës për mbledhjen, redaktimin dhe botimin e veprës së gjyshërve të tij Mustafa Merlika dhe Sotir Gjika. Kjo punë shkencore filologjike meriton vlerësim si prej shoqërisë dhe prej institucioneve shtetërore të  Shqipërisë dhe Kosovës…  

         Sivjet Jozefi arriti t’i grumbullojë gjithë shkrimet e babait në një korpus me 17 vëllime, prej të cilëve këto javë arriti të botojë dy vëllime Mjegullnaja e nji kohe të largët -I- Prizrenidhe Ministri i hekurt – Mirash Ivanaj. Këto dy vëllime të Lazër Radit u paraqitën në panairin e librit në Prizren, ku intelektualët e atij qyteti e pritën me dashuri e vlerësime të ngrohta rikthimin e bashkëqytetarit të tyre.

         Nga ana e saj vajza Adriana i ngjan nënës për nga përkushtimi familjar e fetar. Ashtu si Alfredi, Luçiani dhe Jozefi edhe Adriana kanë ndihmuar dhe ndihmojnë financiarisht për përgatitjen dhe botimin e korpusit të veprave të babait të tyre të talentuar.

         Jeta dhe vepra e Lazër Radit do të studiohet e vlerësohet si meritonpasi të realizohen Vetingu dhe Reforma në Drejtësi, kur shoqëria jonë të ketë shporrur nga pushteti pushtetarët pseudodemokratë e pseudosocialistë. Në jetën e veprën e tij të mbledhur në këto 17 vëllime shqiptarët do të gjejnë burrin e qëndresës, shkrimtarin dhe intelektualin e përkushtuar ndaj çështjes kombëtare dhe shoqërore, që ia kushtoi gjithë energjitë dhe njohuritë e veta luftës për emancipimin e popullit shqiptar pa u stepur nga pengesat dhe vuajtjet çnjerëzore të panumërta…

Filed Under: Opinion Tagged With: Me Lazer Radin, ne Krishtlindje, Thanas Gjika

Protesta për Teatrin dhe Dy të papritura

July 28, 2018 by dgreca

2 Lindita-KomaniNGA LINDITA KOMANI/

Të papriturat e mrekullueshme janë ato që e bëjnë një protestë të vërtetë. Kaq kemi parë në këtë Shqipëri në gjithë këto vite protestash që përpiqen të manipulohen. Vetëm kur ato dalin nga duart e atyre që duan të fitojnë kapital politik prej tyre, ato janë realisht të mrekullueshme.

Dje ndodhën dy të papritura lidhur me protestën te Teatri. E para ndodhi pikërisht aty, në sheshin e Teatrit. Errësira kishte zbritur dhe edhe toni i fjalimeve kishte zbritur bashkë me të, një rutinë që po çohej deri në fund duke qenë se disa nga emrat që i kanë dhënë shpirt asaj në këto javë nuk po e merrnin ende fjalën. Nga larg u dëgjuan tringëllima e britma e muzikë. Ngjante si një protestë alternativë që po afrohej e po afrohej. Befas shihet në vrap e sipër aktori Alert Çeloaliaj që shkon drejt artistëve organizatorë të protestës për të lajmëruar se ç’po ndodhte. Kur pa u dhënë mirë lajmi me mikrofon, u panë ata, çiklistët e Critical Mass Tirana, protestuesit e palodhur të nismës që kërkon më shumë hapësirë për biçikletat në Tiranë dhe që e bëjnë këtë që prej 10 vitesh. Ata kanë qenë për kryetarin e bashkisë një justifikim i mjaftueshëm për të bërë ndërhyrje të rëndësishme në rrugët kryesore të Tiranës për të shtuar korsi biçikletash. Dhe ja pikërisht ata, me vrull e nën tingujt e grupit Troja, duke tringëllirë zilet e biçikletave, u bënë e papritura e parë e mrekullueshme e mbrëmjes. Ashtu siç i ka pas qejf kryetari i bashkisë njëherë vaktit që t’i bënte protestat, trendy, cool, të paharrueshme. Por ndryshe nga të tijat që ishin me laps e letër të programuara e të financuara me para të huaja, kjo ndodhi nga indinjata e qytetarëve që u bashkuan me qytetarë të tjerë në sheshin e Teatrit. Pa i paguar njeri.

E dyta e papritur ndodhi më vonë në një lokal shumë të frekuentuar në zonën e pedonales, ai që pikërisht sheh për nga rrënojat e Tiranës antike, ato që mund të ishin flijuar që në kohën kur u zbuluan, teksa u hap toka ku ato flinin, për të ngritur kullë mbi të. Me një shoqe, pjesë e nismës Critical Mass Tirana, u ulëm për një birrë për të pothuajse festuar arritjen e parë për Teatrin. Pikërisht në këtë lokal, duke parë përqark e duke sjellë në mend e në bisedë edhe sesa e stërmbushur me njerëz ishte Pedonalja ndërkohë që në anën tjetër te Teatrit Eksperimental zhvillohej protesta, ndodhi e papritura. Një djalë i ri kamarier, duke dëgjuar fjalët tona të indinjatës ndaj të rinjve që e marrin për të mirëqenë lirinë duke e keqkuptuar më së pari atë dhe duke e lidhur me lirinë e seksit dhe përgjithësisht të të bërit qejf e të shijuarit te jetës pa kufizime, ndërhyri e tha: Po ju dëgjoja. Nuk është tamam ashtu. Unë kam ardhur në protestë sa herë kam qenë turni i parë por sot jam turni i dytë. Nuk vija dot. Të rinjtë janë të manipuluar. Ti sheh 17-18 vjeçarë që përfshihen në parti politike dhe as nuk e dijnë se çfarë bëjnë. Pastaj të tjerë që rrijnë kot. Unë dua vetëm të iki. Studioj për inxhinjeri mekanike. I kërkova ndjesë menjëherë dhe e falenderova që na foli. Dhe po reflektoja me veten për si është ndarë aktualisht rinia, në rininë indiferente që mbush në mënyrë të turpshme lokalet pa iu bërë vonë që po digjet e nuk po piqet e nuk e kupton këtë, në rininë e angazhuar dhe të keqshfrytëzuar nga politika në mënyra të gjithfarësojshme deri edhe si kamikaze për aksione të shëmtuara, në rininë e angazhuar por njëkohësisht të zhgënjyer që vepron por nuk duket sepse është në qoshe, e paemër, e pashpresë dhe me sytë për nga jashtë.

Meqë në këtë kohë edhe po shkruaj për këtë temë në formë letrare, të dy keto të papritura përbënë deri më sot shenjat më të rëndësishme për mua që kjo protestë ka gjallërinë, spontanitetin e mrekullueshëm dhe vërtetësinë me vete që mund ta japë vetëm rinia e angazhuar dhe njëkohësisht e zhgënjyer dhe e indinjuar, përtej pjekurisë së fjalës e mendimit që mund ta japë intelekti i atyre që janë më të rritur e të arrirë në profesionet që bëjnë, përfshi këtu edhe artistët regjizorë e aktorë që nën presion por pa u përkulur e kanë vazhduar protestën dhe kjo jo vetëm në 2018 por që prej 20 vitesh. Aktorët e keqpërdorur, kryetari i bashkisë zgjodhi t’i vdiste dje. Fotot e tyre në paraqitjen që bëri në faqen e vet në Facebook, i vijëzoi me të bardha si bëhen kufomat e të vdekurve në skenat e krimit. Policët afrohen, nxjerrin mjetet e punës, shënojnë kufomat për të fiksuar formën e rrëzimit dhe prehjes së tyre përdhe dhe vazhdojnë me punën për të identifikuar vrasësit dhe për të çuar para gjyqit fajtorët. Kryetari i bashkisë edhe i vrau, edhe i shënoi kufomat dhe tani po i ekspozon si trofe fitoreje të vrarët nga pushteti. Kjo arrogancë, pandjeshmëri, tërbim prej pushtetari ndaj popullit të cilin refuzon ta dëgjojë e jo më t’ia respektojë vullnetin, e nxorri atë krejtësisht në skenë se si është në të vërtetë. Asnjë pemë që do të mbjellë nuk do të mbulojë dot vrasjen e Ardit Gjoklajt të mirë në landfill teksa përpiqej për vete e për motrën për të siguruar lekët për shkollë, tashmë qindra lejet e ndërtimit që ka lëshuar dhe përpjekjen e tij pa ndalim për ta shkatërruar teatrin. Para 15 vitesh ai ishte një djalë i ri që i thoshte”Mjaft” korrupsionit e paturpësive të mundshme të pushtetit me aspirata të qarta për të hyrë në politike dhe sot, vetëm 15 vite më vonë, ç’ka mbetur nga ai dhe shkëlqimi me të cilin u vesh e u paraqit para njerëzve? Të rinjtë me biçikleta i këndojnë këngën e grupit “Troja” jo larg nga ndërtesa e bashkisë:

-Demokraci! Demokraci! Demokraci! Demokraci! …

Qysh thirret sistemi ku njerzt s’guxojnë me thanë atë që po menojnë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku gazetartë s’guxojnë me kallxu ç’ka po ndodhë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku ligji vlen veç për ty?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku nuk ka hic Demokraci?

Qysh thirret sistemi ku kriminelet e udhëheqin një shoqni?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku n’modë janë xhipat me xhama t’zi?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku ta vjedhin votën e s’tlanë me kajtë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku Demokracinë e kanë cu “te dajtë”?

REF.
O na shkoj jeta tu u ankue.
E shumë larg janë andrrat që jem tu i pa.
O na ka hase keq “Sharra ne Gozhde”.
E ketë here fajin kujt me ia lanë?

-Demokraci thirret sistemi ku njerëzit guxojnë me fole.
-Demokraci thirret sistemi ku ligji vlen për krejt njësoj.
-Demokraci thirret sistemi ku votën kërkush s’ ta vjedh.
-Demokraci thirret sistemi ku njerëzit ma k’si kangë nuk knojnë.

REF.
O na shkoj jeta tu u ankue.
E shumë larg janë andrrat që jem tu i pa.
O na ka hasë keq “Sharra në Gozhdë”.
E këtë herë fajin kujt me ia lanë?

Filed Under: Opinion Tagged With: Linda Komani, Protesta, te papriturat

Kadare: Demaçi,i domosdoshëm si rrallëkush për ne dhe për kombin

July 27, 2018 by dgreca

Kadare: Ngushëllimet tona për humbjen e Ademit të shtrenjtë/

auto_20081028PHT40770_original1532635262

Shkrimtari shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare dhe bashkëshortja e tij Helena, i kanë shprehur ngushëllime familjes Demaçi për vdekjen e veprimtarit dhe shkrimtarit Adem Demaçit.

Ngushëllimi i dërguar familjes Demaçi:

Të tronditur si rrallë herë në jetë, ju dërgojmë ngushëllimet tona për humbjen e Ademit të shtrenjtë, mikut të pazëvendësueshëm, të domosdoshëm si rrallëkush për ne dhe për kombin.

Ismail dhe Helena Kadare

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Familjes Demaci, Ismail Kadare, ngushellime

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 417
  • 418
  • 419
  • 420
  • 421
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT