• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERI DHE NDERSHMËRIA

May 19, 2018 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Këtu në Shtetet e Bashkuara është traditë që në këtë stinë të vitit, universitetet amerikane të organizojnë ceremoni për të diplomuarit, ndërkohë që zakonisht ftojnë personalitete të njohura nga jeta publike, përfshirë politikanë, biznismenë, por edhe individë të dalluar në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore, për të këshilluar studentët e sapo diplomuar nga kolegjet dhe universitetet, për jetën që i pret në botën reale.

Universiteti Rajs në qytetin Hjuston të shtetit Texas organizoi një ceremoni të tillë të shtunën që kaloi ku i ftuar si folësi kryesor ishte biznesmeni, filantropisti dhe ish-kryetari i Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Michael Blumberg.  Z. Blumberg, i cili njihet, përveçse si biznismen dhe politikan edhe si njëri prej filantropistëve më të njohur të kohës tonë, jo vetëm në Amerikë por edhe në botë, u foli studentëve të universitetit Rajs në Teksas mbi nderin dhe ndershmërinë, si cilësi tepër të rëndësishme njerëzore për çdo person dhe shoqëri.  Natyrisht, se ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, i cili vite më parë flirtoi me idenë për të kandiduar për president si kandidat i Partisë Republikane, u foli studentëve amerikanë, por që këshillat e tija për rëndësinë e nderit dhe të ndershmërisë, për të jetuar dhe për të vepruar me nder, me drejtësi dhe me ndërgjegje, janë të rëndësishme për çdo person dhe për cilindo shoqëri kudo në botë. Po të kishte nder dhe po të veprohej ndershmërisht, shoqëria ku jetojmë dhe kjo botë në përgjithsi do të ishte një vend më i mirë për të jetuar, për të gjithë ne.

“Nuk e di se ç’do të sjellë e ardhmja e juaj”, e filloi fjalën e tij Z. Blumberg duke iu drejtuar të diplomuarve, por dua tu flas, theksoi, ai për domethënjen e fjalëve: “nderi dhe nderëshmëria”.  Ai tha se fjalët “nderi” dhe “ndershmëria” kanë pothuaj të njëjtin kuptim. “Të jesh i ndershëm duhet të kesh nder, e kjo do të thotë të thuash të vërtetën me nder dhe të veprosh nderëshmërisht – madje edhe kur të kërkohet që të pranosh gabimet dhe të pësosh edhe pasojat.”  Zoti Blumberg shtoi se angazhimi ndaj ndershmërisë është një përgjegjësi personale dhe njëherazi edhe një “përgjegjësi patriotike”, siç e quajti ai.  Nderi dhe ndershmëria, janë cilësi të cilat i kërkojmë në udhëheqsit tanë – pra duam udhëheqës të pastër, të moralshëm dhe të panjollosur, vlera këto që janë tepër të rëndësishme dhe që vlerësohen kur një udhëheqës i posedon ato, ishte mesazhi i tij.

Ai përmendi si shembuj të udhëheqsve të ndershëm ish-presidentët amerikanë, Xhorxh Uashingtonin dhe Abraham Linkolnin, të cilëve nënvijoi ai, jo vetëm që me të drejtë u thuren lavde për arritjet e tyre në përgjithësi, por që historia i njeh tanimë edhe për nderin e tyre personal dhe për qëndrimet e tyre të ndershme dhe të moralshme, në zhvillimet politike të vendit në kohën që ata kanë udhëhequr Amerikën. “Ne shikojmë integritetin dhe moralin e tyre si një pasqyrim i nderit dhe ndershmërisë tonë, si komb”, u tha Z. Blumberg të diplomuarve në unversitetin Rice të Hjustonit.  Duke iu referuar atmosferës aktuale politike në kryeqytein amerikan, Z. Blumberg u shpreh duke thënë se “Ç’ka dreqin ka ndodhur?  Ai citoi ish-senatorin amerikan të ndjerin Patrik Mojnihan, se “Njerzit kanë të drejtë të kenë opinionet e tyre, por jo faktet e veta”, faktet duhet të jenë fakte, për të gjithë.   “Për brezin tim, e vërteta rreth Amerikës – liria, mundësitë për të shkuar përpara dhe begatia që gëzonim – ishin avantazhet tona më të forta në periudhën e luftës së ftohtë. Sa më shumë që komunistët kishin lajme të vërteta, aq më shumë liri kërkonin. Ne e besonim këtë dhe për këtë kishim pasë të drejtë”, duke shtuar se sot fatkeqsisht, shumë prej udhëheqësve në nivele të larta të pushtetit e “shikojnë të vërtetën si një kërcënim” dhe refuzojnë të përballen me të.   Zoti Blumberg tha se, këta udhëheqës, “E kanë frikë të vërtetën. Ata e përgnjeshtrojnë dhe e sulmojnë atë, pikërisht, ashtu siç bënin dikur komunistët.”

“Shoqëritë e lira varen nga qytetarët të cilët janë të vetëdijshëm se gënjeshtrat në radhët e përfaqsuesve të qeverisë, nuk duhet të injorohen.  Kur zyrtarët e zgjedhur me votën e popullit flasin sikur ata janë mbi të vërtetën, ata do të veprojnë edhe sikur janë mbi ligjin. Dhe kur ne si qytetarë tolerojmë mos-ndershmërinë në radhët e pushtetarëve, atëherë pasoja është kriminalizimi i shoqërisë.  Herë të tjera paraqitet si abuzim i pushtetit, e shpeshë herë si kombinim i të dyja këtyre fenomeneve.  Nëqoftse këto dukuri nuk kontrollohen, ato abuzime mund të çojnë në përkeqësimin e institucioneve të cilat mbrojnë dhe mbështesin të drejtat dhe liritë tona dhe njëherazi mund t’u hapin derën tiranisë dhe fashizmit”, këshilloi Majkël Blumberg të diplomuarit e rinjë amerikanë në Teksas.

Por Z. Blumberg tha se “ekziston diçka shumë më e rrezikshme se politikanët e pa ndershëm të cilët nuk respektojnë ligjin – e ata janë grupe të tëra njerzish në një shoqëri, përkrahës të tyre, të cilët mbrojnë dhe justifikojnë çdo gënjeshtër të politikanëve”.

Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, biznismeni dhe filantropisti i njohur botërisht , Z. Majkël Blumberg përfundoi fjalimin e tij duke i paralajmëruar studentët  kundër shfaqjeve të besnikërisë qorre ndaj partive politike, pasi tha, “Kur njerzit e shikojnë botën si një betejë midis të majtës dhe të djathtës, ata nga natyra bëhen më besnikë ndaj fisit ose partisë se sa ndaj atdheut, ndërkohë që ruajtja e pushtetit dhe jo përparimi, bëhet objekti kryesor i luftës, ndërkohë që e vërteta dhe ndershmëria janë viktimat e para të kësaj lufte”, nenvijoi ai.  Ai u kujtoi studentëve fjalët e Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Uashingtonit, i cili qyshë atëherë kishte paralajmëruar mbi rrezikun, duke e cilësuar pasionin që njerëzit kanë për partitë politike, “si armikun më të rrezikshëm të demokracisë” dhe si para-ardhës të tiranisë.

Nderi dhe ndershmëria janë me rëndësi për çdo shoqëri, sidomos në radhët e politikanëve.  Majkël Blumberg i foli një brezi të ri amerikanësh dhe i porositi për rëndësinë që bartin për një shoqëri moderne si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nderi dhe nderëshmëria, sidomos në radhët e politikanëve dhe të pushtetarëve të këtij vendi.Por edhe për botën shqiptare kishte shumë rëndësi dikur cilësia e njeriut të ndershëm. Urimi, “qofsh me nder” ishte pjesë e përshëndetjes në vatrat tona, aty ku stërgjyshërit tanë na mësuan me ruajtë nderin, burrëninë, besën dhe dashurinë për atdhe, si cilësi dalluese të racës sonë. I takon kësaj breznie politikanësh që të angazhohet ndaj nderit dhe ndaj nderëshmërisë, si virtyte të vjetra të kombit, pikëspari në marrëdhëniet me njëri tjetrin, por mbi të gjitha në marrëdhëniet e tyre me popullin shqiptar. Betohuni se, nepërmjet të vërtetës — me nder dhe nderëshmëri—mbi të gjitha do ti shërbeni interesave të Kombit Shqiptar dhe jo interesave personale dhe të partive politike.  E përsa u përket votuesve shqiptarë, këtë betim dhe përgjegjësi ndaj nderit personal dhe kombëtar të pushtetarëve që keni zgjedhur për tu udhëhequr, duhet tua kërkoni çdo ditë dhe pa kompromis! Këtë e kërkon nderi i shqiptarit!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE NDERSHMËRIA, Frank shkreli, nderi

Çadra/Ombrella e turpit

May 18, 2018 by dgreca

Nga Andon Dede, Nju York/

Prej kohësh më kishte bërë përshtypje një fakt apo dukuri fare e rëndomtë: shihja kryqeveritarët shqiptarë, apo dhe politikanë të tjerë të rangjeve të larta, në ceremonira të ndryshme, apo edhe thjesht kur dilnin nga zyrat apo Kuvendi dhe, po të ishte duke rënë shi, dikush ua mbante çadrën/ombrellën.( i përdor të dy sinonimet që të mos ngatërrohet me çadrat e protestës). Më dukej një ritual shumë i shëmtuar, si diçka që nuk shkonte e më linte një shije të keqe: tamam anadollakë, thosha me vete, edhe një veprim kaq të thjeshtë, personal, e duan nga të tjerët?! Po kur ndryshuan kaq shpejt këta zotërinj apo shokë, kur vetëm pak kohë më parë, ishin njerëz fare të zakonshëm, si ne të gjithë?! Unë, edhe më parë, e kisha vënë re tjetërsimin që pësojnë njerëzit kur bëhen me pushtet: atyre iu dukej se, me që po i ngrejnë në pozitë, nuk janë më si më parë, por iu ka ndryshuar edhe truri, janë bërë më të mënçur e, për pasojë, nuk janë më ata që ishin por të tjerë, të një rangu më të lartë. Dhe e shihja këtë ndryshim në çdo veprim të tyre. Kush nuk e ka përjetuar një dukuri të tillë mund të mos më besojë kur t’iu them se ata dhe një “Mirëmëngjez!”, nuk ta jepnin më si më parë. Por, të kthehemi tek tema e çadrës.

Edhe pse e vlerësoja si një gjë që stononte, madje të shëmtuar, nguroja të shkruaja diçka, nga droja se dikush mund të më thoshte: “Ama dhe ti me se po merresh?! Punë çadre…A e vlen, kur ka kaq shumë gjëra më të rëndësishme…”. M’u kujtua, me këtë rast, thënia e një burri të mënçur se “në gjërat/veprimet e vogla të njerëzve mund të zbulosh tipare të rëndësishme të karakterit të tyre”.

Fati e desh që të vija me banim në Amerikë. Dashje apo pa dashje, në kronikat televizive, pata rastin të shihja shpesh edhe presidentët e poltikanë të tjerë të rëndësishëm, që në kohë me shi, hapnin çadrat për të mos u lagur. Disa herë kam parë Klintonin, Obamën e së fundi dhe presidentin miliarder, Trumpin. Përsëri mu ngacmua tema e vjetër, por siç na ndodh shpesh, prapë e lashë.

Pak ditë më parë, ndoqa në Televizion tek emisioni provokativ i K. Myftarit: “Ju flet Moska”, pikërisht këtë temë. Më në fund mu mbush mendja që të shkruaj dhe unë këto rreshta. Autori i emisionit nuk ndalej vetëm tek kjo dukuri por e ngulte bisturinë edhe më tej: se në ceremonira të tilla përkujtimore, si ajo që paraqiti ai tek Varrezat e Dëshmorëve, as nuk vihet fare me çadër, siç na e ilustroi dhe me një ceremoni të tillë në Francë. Për më tepër që ne kemi dhe vetë një “traditë” të tillë: më kujtohet që në manifëstimet apo parakalimet e 1 Majit, kur binte shi dhe i afroheshin tribunës, nuk na lejonin të mbanim çadra. Lageshim e shpesh, uji na hynte deri në palcë, por kjo mbase nuk lidhet me temën që nisëm. Mirëpo, ja që kujtesa nuk më lë rehat se, siç thashë, autori Myftaraj ndalej dhe në detaje të tjera domethënëse: se çadër-mbajtësi qe një goxha intelektual dhe i biri i një prej përkthyesve më të spikatur, sidomos nga Gjermanishtja. Kjo bëri që të më vërshojnë në mendje tërë ato përjetime nga Diktatura dhe konkretisht nga Lufta e Klasave, dukuria më e tmerrshme e atyre viteve. Shumë nga të ashtuquajturit reaksionarë, edhe pse njerëz të ndershëm e me kulturë, shumë syresh me universitete perëndimore e zotërues të disa gjuhëve të huaja, detyroheshin të bënin punë krahu. Shefat apo bosat e tyre, po të shprehemi me teriminologjinë e kohës, as që mund të krahasoheshin me ata, për nga formimi intelektual e kulturor. Por ja që atyre duhet t’iu shërbenin intektualë me formim perëndimor e shpesh herë, siç kam qënë vetë dëshmitar, edhe njohës e ushtrues të muzikës apo arteve të tjera. Më dhimbseshin mu në shpirt, por as që guxoja të shprehesha publikisht. Me ndryshimin e sistemit, menduam se dukuri të tilla, që stonojnë e të kujtojnë të kaluarën e largët anadollake, do të merrnin fund, por ja që nuk ndodhi kështu. Dhe kush i manifeston këto “spektakle”, duke u krekosur? Të ashtuquajturit “intelektualë” apo dhe “modernë”, siç përpiqen ta shesin veten, paçka se si zor t’ua pranojë njeri një status të tillë.

Edhe nga ky shembull i vogël del mesazhi aktual: se sa larg jemi Europës ku po përpiqemi të shkojmë, sa haraç të madh na duhet të paguajmë në çdo drejtim.

Nju York, 17 maj 2018

 

Filed Under: Opinion Tagged With: And on Dede, Cadra, Ombrella e turpit

IL PIZZA D’ORO ËSHTË NË SHITJE

May 16, 2018 by dgreca

IL PIZZA D’ORO ËSHTË NË SHITJE/

1 Pizza anton

Il PIZZA D’ORO, që ndodhet në 216 OLD RD, OLD TAPPAN, NJ, është në shitje. Të interesuarit për  më shumë informata mund të telefonojnë:

Lek RAJA-Tel 845-325-0600

Luigj KAPITI – Tel: 845-821-4750

Filed Under: Opinion Tagged With: ËSHTË NË SHITJE, IL PIZZA D'ORO

Kapidani Nikollë Gjomarku-Një jetë e perkushtuar për Mirditën dhe atdhedashurinë

May 16, 2018 by dgreca

1 Gjomarkaj

Kapidani Nikollë Gjomarku (1927-2018) –

2 Gjomarkaj 1

Një jetë e perkushtuar për Mirditën dhe atdhedashurinë

 tom-mrijaj

Nga Tomë Mrijaj/

 Pema gjenealogjike e parë e familjes së madhe dhe e mirënjohur shumë shekullore e Gjormakajve, sipas burimeve të saktë arkivore historike vjen nga Pal Dukagjini. Maria Greco, një gazetare italiane do të magjepsej nga historia e familjes së Gjomarkajve. Në një nga artikujt e saj më të spikatur është dhe historia e familjes ndër më të njohurat në Shqipëri.

“Gjomarkajt deri në 7 prill 1939, me ardhjen e komunizmit kanë qenë udheheqësit e Mirditës”, e fillon ajo artikullin e saj. Fillimi i sovranitetit të Gjomarkut, i përket shekujve të mëparshëm, sepse ato janë pasardhësit e Lekë Dukagjinit. Princërit e Dukagjinit ishin një nga familjet më të vjetra dhe fisnike shqiptare.

Principata e tyre u konfigurua veçanërisht në fundin e shekullit XII, sepse ato kishin një origjinë më të lashtë. Trashëgimia më e madhe, që i ka lënë Dukagjini popullit të tij është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Nga shumë këndvështrime kanuni, që është një e drejtë zakonore e vjetër ruhet si një vlerë e pallogaritshme.

Armiq të mëdhenj ndaj turqve, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit këto të fundit pushtuan Shqipërinë dhe një pjesë të territorit të Dukagjinit ndaj ato u shtrënguan në Mirditë, që për sa i përket relievit mund të konfigurohet si një vend i ashpër me male.

Në Mirditë, Gjomarkajt vazhduan luftën e tyre antiosmane, krenar për fenë e tyre katolike derisa e detyruan Perandorinë Otomane (turke) të merret vesh me këtë krahinë krejt ndryshe nga krahinat e tjera të Shqiperisë.

Në shekullin XV dhe XVI, feja e krishterë u ruajt e paprekur vetëm në Mirditë, me të gjitha vlerat e dashurisë dhe humanizmit.

Për të mbrojtur katoliçizmin dhe pavarësinë, mirditorët jetuan gjithmonë mes luftrash dhe gjakut, ku Gjomarkajt ishin të gatshëm gjithmonë të mbronin Atdheun e tyre ndaj armiqve të kombit. Kur kërkohej ndihma e tyre, në bashkimin e trojeve shqiptare ato vraponin të jepnin ndihmën e tyre si në vitet 1444, 1878-1912, 1920, 1944-1990.

Gjatë gjithë shekujve ata duruan burgun, sfiduan vdekjen në mijëra luftëra, etj., duke lënë përjetësisht në histori emrin e tyre heroik.

Të tillë Kapidan mund të përmendim disa, si: Gjon Marku I, Lleshi i Zi, Bib Doda, Preng Bib Doda, Marka Gjoni,  Gjoni i Markagjonit, Dr. Mark Gjomarku (Ministër i Brendshëm i Shqipërisë), juristi Ndue Gjomarku kryetar i Blokut Indipend, oficer Llesh Gjomarku, i perskutuari politik Dedë Gjomarku (1944-1990), i cili, provoi të gjithë burgjet dhe kampet e internimit në kohën e komunizmit në Shqipëri, Nikollë Gjomarku, i arratisur nga Shqipëria në kohën e komunizmit të zi, i cili, ndërroi jetë sot, i rrethuar nga familja në shtëpinë e tij në New York.

Në Orosh të Mirditës, para 91 vjetëve, do të lind në vitin 1927 Nikollë Gjonmarku, që i shton gëzimin prindërve të vet, sepse ishte djali më i vogël mbas 4 djemëve të tjerë. Kjo familje e madhe oroshase, do të ketë 10 fëmijë, pesë djem dhe pesë vajza.

Aty lindën fëmijët njëri mbas tjetrit, duke filluar me Markun, që është fëmija i parë dhe më pas u lind Ndoja, Lleshi (Aleksandri), Deda, Nikolla dhe motrat: Dava, Gjela, Marta, Dila dhe Bardha.

Kapidani Nikollë Gjon Marku, nga nëna ishte nipi i Bajraktarit të Kurbinit i Gjok Pjetër Pervizi, një përsonalitet i njohur asokohe për besë, burrëri, zakone e tradita të hershme dhe bashkëkohore shqiptare.

Nikolla, mësimet e para i mbaroj në Orosh të Mirditës. Kur komunizmi pushton Shqipërinë Nikolla ishte në moshën 17-vjeçare. Ai në këtë moshë fillon të provoi mbi kurriz vuajtjet e rregjimit komunist.

Nikolla, së bashku me me antarë të tjerë të familjes me gratëdhe fëmijë internohet në kampin e punës së deyrueshme në Berat.

Ai më vonë transferohet në kampet e tjera të punës, si: Uznovë, Kuçovë, Shijak, Valias. Sikur të mos mjaftonin këto vuajtje, Nikolla provon sërisht vuajte të reja në kampet famkeqe të internimit në Tepelenë dhe Turan, në rrethin e Gramshit në Elbasan.

Atje puna ishe shumë e rëndë, sikurse më thoshte shpesh Nikolla, gjatë takimeve që kemi pasur sëbashku në New York.

Ai ndër të tjera tregonte edhe detaje vuajtjesh, ku midis të cilave ishte ushqimi dhe përbuzja e madhe, që komunizmi kishte për të gjithë kundërshtarët politik antikomunist.

Ai thoshte se çdo ditë kampi i punës së detyrueshme na jepte 800 gram bukë në ditë, s’do të dilte as për të ushqyer zogun e shkretë… Kushtet e banimit ishin shumë të tmerrshme, me lagështi, baltë, dërrasa të kalbura etj.

Nikolla tregonte, se në prill të vitit 1945, të gjithë familjen tonë na mbyllën në shtëpinë e Guljem Lukës, përballë shtëpisë sonë (Gjonit të Markgjonit), në të cilin ishte vendosur komanda e Sigurimit të Shtetit, ndërsa shtëpia e shkodranit Guljem Lukës ishte një burg i vërtetë, me mure të larta rrethuese dhe roje të shumta policie.

Në qershor të vitit 1945, të gjithë familjen e Kapidanit, sëbashku me familje të tjera të grumbulluara nga katundet e thella të Veriut të Shqipërisë, i internojnë në Kampin famkeq të Beratit.

Nikolla, tek më tregonte për vuajtjet në kampet e internimit, ai thotë një detaj shumë delikat, për gjyshen e vet në moshën 85-vjeçare. Nikolla tregon, se: “As pushtuesit e huej nuk janë sjell me ne sikurse komunizmi. Gjyshja e jonë ka kalue nji kalvar të papërshkruem në komunizëm… Ma në fund ajo ndërroi jetë në kampin e internimit në vitin 1947…”

Vdekjet vijnë njera mbas tjetrës. Kështu në kampin e Savër të Luhnjës, vdes nëna e Nikollës, gruaja e Gjon Marka Gjonit. Sërisht aty vdes edhe kunata Martja, gruaja e vëllait Dr. Mark Gjon Markut ish Ministrit të Brendshëm… Ky kamp famkeq, ka ekzistuar deri në rrëzimin e komunizmit.

Në pranverë të vitit 1949, ose më saktë në maj të atij viti, Nikolla së bashku me nëntë shokë dibranë then perden e hekurt dhe arratisen nga kampi i Turanit.

Largimi nga vendi nuk ishte i lehtë. Në ato çaste ata u përlasën direkt me forcat e ndjekjes së Sigurimit, ku fatkeqsisht kapen tre prej tyre, ndërsa Nikolla me gjashtë shokë bashkëvuajtës të tjerë kalon kufirin dhe hyn në territorin e ish Jugosllavisë, në pjesën e Maqedonisë.

Në atë kohë kujtonte Nikolla, shefi i UDB-së së ish Jugollavisë për zonën e Dibrës së Madhe ishte Mustafa Lleshi, një i afërm i kupolës komuniste Haxhi Lleshit Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë Komuniste, i cili, urdhëron menjëherë policinë jugosllave për t’i rikthyer në Shqipëri.

Për të fat mirë asokohe Nikollën dhe gjashtë vetë të tjerë nuk i dorëzuan tek forcat e Sigurimit shqipar të Enver Hoxhës, por i kanë futur brenda territorit të Shqipërisë në Dibër, ku aty ata janë strehuar në famijet bujare dibrane. Pas disa kohe të qëndrimit nëpër miq e dashmirë ata u arratisën sërisht në ish Jugosllavi.

Kësaj here ata kishin fat, sepse shefi i UDB-së ishte një qytetar maqedonas, i cili, i mori në dorëzim. Nikolla ato ditë u arratis sërisht së bashku me Abdullah Kaloshin, Jonuz Ndreun dhe Xhelal Dinen, të cilët mbas shumë peripecish u vendosën në New York të SHBA-së.

Nikolla, qëndroi për shtatë vjet në ish Jugosllavi. Ai gëzoi respekt nga të gjithë nacionalistët e njohur shqiparë, të cilët ishin në dijeni për sakrificat e shumta të Derës së Gjomarkut kundër komunizmit të zi.

Në nëntor të vitit 1956, ai u lejua të kalonte në Itali, ku u bashkua me babain Gjonin dhe vëllain Ndue Gjomarkun.

Nikolla u martua në vitin 1963 dhe ka dy djem dhe një vajzë: Mark Gjomarkaj, Aleksander Gjomarkaj dhe Anna Maria Gjomarkaj.

Me ardhjen në New York, sëbashku me vëllain e tij Ndue Gjon Markun, që ishte kryetar i Bllokut Indipendent, Nikolla zhvilloi një veprimtari të dendur atdhetare në media dhe më së shumti dejtoi revistën nacionaliste: “Lajmtari i të Merguemit”.

Pushoft në lumnin e pasosun!

Filed Under: Opinion Tagged With: Kapidani Nikolle Gjomarku, nje jete per Mirditen, Tom mrijaj

AUTOCENSURA SI FORMA MË E PËRSOSUR E CENSURIMIT TË SHTYPIT

May 15, 2018 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli  /

Muajin që kaloi, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi të drejtat e njeriut anë e mbanë botës, përfshirë dy shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën.  Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, në një përmbledhje të raportit mbi Shqipërinë, njoftoi se problemet më të konsiderueshme të të drejtave të njeriut në vitin 2017 në Shqipëri, ishin “Kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, përfshirë autocensurën dhe frikësimin e gazetarëve shkaktuar nga interesat financiare dhe politike, dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë”.   Përsa i takon lirisë së shprehjes dhe të medias, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi më 20 prill se në raportin e DASH mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri, thuhet se qeveria shqiptare në përgjithësi i respektoi këto të drejta, por shton se pati njoftime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ushtrojnë ndikimin e tyre tek media në mënyrë të papërshtatshme, duke cituar drejtë për drejtë raporin e DASH, në të cilin nënvijohet se,“Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një larmi të gjerë pikëpamjesh, megjithëse pati disa përpjekje për të ushtruar presion direkt dhe indirekt politik dhe ekonomik ndaj medias, përfshirë kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve që punonin për histori investigative për krimin dhe korrupsionin”, theksohet në raport.  Po ashtu, nënvijon VOA shqip, “presioni politik, korrupsioni, mungesa e fondeve e ndrydhën median e pavarur të shkruar”, dhe problem mbeti autocensura.

Shembulli më i fundit i autocensurës nga një numër i konsiderueshëm gazetash me rëndësi dhe portalesh në Republikën e Shqipërisë, ndodhi dy ditë më parë.  Kishte të bënte me lajmin mbi deklaratën e Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili ndërkohë që po fliste për Shqipërinë – para studentëve të huaj që studiojnë në Turqi – udhëheqsi turk u shpreh se është duke bërë përpjekje gjithnjë e më të avancuara, për të ndërhyrë në sistemin arsimor të Shqipërisë.  Deklaratën e Z. Erdogan, se “Do marrim kontrollin edhe në Shqipëri”, shumë media shqiptare me të drejtë e cilësuan, fillimisht, si një deklaratë “bombë”, sepse e tillë ishte deklarata e tij, drejtuar një vendi të pavarur e sovran, siç është Shqipëria. “Sigurisht, ne vazhdojmë bisedimet. Heret a vonë ne do ta shkatërrojmë këtë lëvizje”, duke iu referuar lëvizjes “gylen”, që mban emrin e kundërshtarit të tij. “Çdo ditë ne avancojmë. Fondacioni ynë Maarif në Shqipëri vazhdon procesin e marrjes së kontrollit ndaj institucioneve të atjeshme arsimore’, shtoi ai.

Se pse dy kundërshtarët politikë të Turqisë po zhvillojnë betejën e tyre, për jetë a vdekje dhe për influence, pikërisht në trojet shqiptare dhe pse lejohen të bëjnë një gjë e tillë, është përgjegjësi politike dhe kombëtare e udhëheqësve aktualë në Tiranë dhe në Prishtinë.  Pasi kishte deklaruar se Kosova është Turqi, tani Erdogani i është këthyer Shqipërisë, ku siç u shpreh ai, “Do marrim kontrollin”.

Ky është një subjekt tjetër, por ajo që desha të theksoj kësaj rradhe është mënyra se si fillimisht u njoftua lajmi që shumë media shqiptare e cilësuan si “bombë”, “tronditës” e të tjera. E lexova me shqetësim këtë lajm ashtu si edhe shumë lexues të tjerë, me disa prej të cilëve edhe komunikova.  Por, pas nja 2-3 orësh vura re se shumë gazeta dhe portale të rëndësishme shqiptare e kishin shlyer këtë lajm “bombë”, siç duket nën presion nga ente që veprojnë në interes të Turqisë dhe Z. Erdogan – ndoshta përfshirë edhe Ambasadën e Turqisë në Tiranë.  Thashë me vete, ja shembulli flagrant i autocensurës nga gazetat dhe gazetarët shqiptarë, ndaj ushtrimit të “presionit direkt dhe indirekt politik dhe ekonomik ndaj medias”, në Shqipëri, siç thuhet në raportin vjetor të DASH mbi të drejtat e njeriut në botë.

Me përjashtim të gazetës Telegraf në Tiranë e cila e botoi të hënën njoftimin si lajm kryesor në faqen e parë, asnjë prej gazetave më të mëdha në Shqipëri nuk e kishte njoftuar këtë lajm në edicionet e të hënës, ndërkohë që mediat turke e kishin njoftuar lajmin, siç duket pa asnjë problem.  Veprimi i disa prej mediave shqiptare do të quhej në anglisht, si “selfcensorship in action”.  Shembull më të mirë dhe më aktual se ky, të autocensurës në veprim, nuk ka.

Thuhet se disa mediave të caktuara shqiptare iu bë presion ta shlyenin lajmin nga portalet e tyre duke u premtuar atyre fonde për reklama, nëqoftse do e tërhiqnin lajmin “bombë”, mbi deklaratën e Presidentit Erdogan para studentëve të huaj në Stamboll, se do “merrte kontrollin edhe në Shqipëri”.

Nuk e di nëse gazetat dhe gazetarët shqiptarë — që me këtë rast u dorëzuan para presioneve politike ose ekonomike – por të cilët jetojnë në një shoqëri që pretendon të jetë demokratike dhe e lirë, nëse janë të vetdijshëm se një shoqëri nuk mund të ekzistojë gjatë si e tillë, pa një shtyp të lirë dhe pa ndërhyrje të influencave të mbrendëshme dhe të jashtëme.   Liria e shtypit është një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lirë ose gjysëm të lirë, siç kategorizohet Shqipëria nga orgnaizata ndërkombëtare të drejtave të njeriut.   Liria e shtypit pra, edhe për shqiptarët është një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet dhe të mbështetet, sidomos nga ndërhyrjet e influencave të huaja, siç është rasti i ditëve të fundit me lajmin mbi deklaratën e Erdoganit.  Mbrojtja e lirisë së shtypit nuk është vetëm e drejtë dhe obligim i autoriteteve qeveritare, por është njëkohsisht edhe përgjegjësi morale e gazetarëve individë dhe detyrim kombëtar dhe profesional i gazetarisë së lirë në përgjithësi.

Por, nëqoftse roli i shtypit të lirë mbrohet ndërkombtarisht, ndër të tjera, me qëllim për të ekspozuar pa drejtësitë, krimin dhe abuzimet nga ana e qeverive dhe zyrtarëve të tyre, atëherë gazetarëve kudo – përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën — duhet tu sigurohet një mjedis pune ku të mund të veprojnë në gjëndje sigurie, në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje, pa kërcënime dhe pa fyerje nga ata që — në të vërtetë — duhet të jenë mbrojtësit më të fortë të tyre dhe të lirisë së shtypit në përgjithësi e që është alfa dhe omega e të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut.Autocensura e ushtruar nga disa gazeta dhe gazetarë, duke shlyer lajmin “bombë”, bazuar në deklaratën e fortë të Presidentit turk Erdogan se do “marrë kontrollin mbi Shqipërinë” — nga disa portale dhe gazeta më të njohura në vend, me disa përjashtime aty këtu — është një pikë e zezë mbi gazetarinë shqiptare dhe mbi ushtrimin e fjalës së lirë në atë vend.  Autocensura është forma më e keqe por edhe më e përsosur e censurimit të fjalës së lirë, sidomos kur ajo zbatohet nen presione politike dhe ekonomike, me urdhër të një fuqie ose autokrati të huaj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Autocensura, FrankShkreli, shtypi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 430
  • 431
  • 432
  • 433
  • 434
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT