• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AUTOCENSURA SI FORMA MË E PËRSOSUR E CENSURIMIT TË SHTYPIT

May 15, 2018 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli  /

Muajin që kaloi, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi të drejtat e njeriut anë e mbanë botës, përfshirë dy shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën.  Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, në një përmbledhje të raportit mbi Shqipërinë, njoftoi se problemet më të konsiderueshme të të drejtave të njeriut në vitin 2017 në Shqipëri, ishin “Kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, përfshirë autocensurën dhe frikësimin e gazetarëve shkaktuar nga interesat financiare dhe politike, dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë”.   Përsa i takon lirisë së shprehjes dhe të medias, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi më 20 prill se në raportin e DASH mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri, thuhet se qeveria shqiptare në përgjithësi i respektoi këto të drejta, por shton se pati njoftime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ushtrojnë ndikimin e tyre tek media në mënyrë të papërshtatshme, duke cituar drejtë për drejtë raporin e DASH, në të cilin nënvijohet se,“Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një larmi të gjerë pikëpamjesh, megjithëse pati disa përpjekje për të ushtruar presion direkt dhe indirekt politik dhe ekonomik ndaj medias, përfshirë kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve që punonin për histori investigative për krimin dhe korrupsionin”, theksohet në raport.  Po ashtu, nënvijon VOA shqip, “presioni politik, korrupsioni, mungesa e fondeve e ndrydhën median e pavarur të shkruar”, dhe problem mbeti autocensura.

Shembulli më i fundit i autocensurës nga një numër i konsiderueshëm gazetash me rëndësi dhe portalesh në Republikën e Shqipërisë, ndodhi dy ditë më parë.  Kishte të bënte me lajmin mbi deklaratën e Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili ndërkohë që po fliste për Shqipërinë – para studentëve të huaj që studiojnë në Turqi – udhëheqsi turk u shpreh se është duke bërë përpjekje gjithnjë e më të avancuara, për të ndërhyrë në sistemin arsimor të Shqipërisë.  Deklaratën e Z. Erdogan, se “Do marrim kontrollin edhe në Shqipëri”, shumë media shqiptare me të drejtë e cilësuan, fillimisht, si një deklaratë “bombë”, sepse e tillë ishte deklarata e tij, drejtuar një vendi të pavarur e sovran, siç është Shqipëria. “Sigurisht, ne vazhdojmë bisedimet. Heret a vonë ne do ta shkatërrojmë këtë lëvizje”, duke iu referuar lëvizjes “gylen”, që mban emrin e kundërshtarit të tij. “Çdo ditë ne avancojmë. Fondacioni ynë Maarif në Shqipëri vazhdon procesin e marrjes së kontrollit ndaj institucioneve të atjeshme arsimore’, shtoi ai.

Se pse dy kundërshtarët politikë të Turqisë po zhvillojnë betejën e tyre, për jetë a vdekje dhe për influence, pikërisht në trojet shqiptare dhe pse lejohen të bëjnë një gjë e tillë, është përgjegjësi politike dhe kombëtare e udhëheqësve aktualë në Tiranë dhe në Prishtinë.  Pasi kishte deklaruar se Kosova është Turqi, tani Erdogani i është këthyer Shqipërisë, ku siç u shpreh ai, “Do marrim kontrollin”.

Ky është një subjekt tjetër, por ajo që desha të theksoj kësaj rradhe është mënyra se si fillimisht u njoftua lajmi që shumë media shqiptare e cilësuan si “bombë”, “tronditës” e të tjera. E lexova me shqetësim këtë lajm ashtu si edhe shumë lexues të tjerë, me disa prej të cilëve edhe komunikova.  Por, pas nja 2-3 orësh vura re se shumë gazeta dhe portale të rëndësishme shqiptare e kishin shlyer këtë lajm “bombë”, siç duket nën presion nga ente që veprojnë në interes të Turqisë dhe Z. Erdogan – ndoshta përfshirë edhe Ambasadën e Turqisë në Tiranë.  Thashë me vete, ja shembulli flagrant i autocensurës nga gazetat dhe gazetarët shqiptarë, ndaj ushtrimit të “presionit direkt dhe indirekt politik dhe ekonomik ndaj medias”, në Shqipëri, siç thuhet në raportin vjetor të DASH mbi të drejtat e njeriut në botë.

Me përjashtim të gazetës Telegraf në Tiranë e cila e botoi të hënën njoftimin si lajm kryesor në faqen e parë, asnjë prej gazetave më të mëdha në Shqipëri nuk e kishte njoftuar këtë lajm në edicionet e të hënës, ndërkohë që mediat turke e kishin njoftuar lajmin, siç duket pa asnjë problem.  Veprimi i disa prej mediave shqiptare do të quhej në anglisht, si “selfcensorship in action”.  Shembull më të mirë dhe më aktual se ky, të autocensurës në veprim, nuk ka.

Thuhet se disa mediave të caktuara shqiptare iu bë presion ta shlyenin lajmin nga portalet e tyre duke u premtuar atyre fonde për reklama, nëqoftse do e tërhiqnin lajmin “bombë”, mbi deklaratën e Presidentit Erdogan para studentëve të huaj në Stamboll, se do “merrte kontrollin edhe në Shqipëri”.

Nuk e di nëse gazetat dhe gazetarët shqiptarë — që me këtë rast u dorëzuan para presioneve politike ose ekonomike – por të cilët jetojnë në një shoqëri që pretendon të jetë demokratike dhe e lirë, nëse janë të vetdijshëm se një shoqëri nuk mund të ekzistojë gjatë si e tillë, pa një shtyp të lirë dhe pa ndërhyrje të influencave të mbrendëshme dhe të jashtëme.   Liria e shtypit është një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lirë ose gjysëm të lirë, siç kategorizohet Shqipëria nga orgnaizata ndërkombëtare të drejtave të njeriut.   Liria e shtypit pra, edhe për shqiptarët është një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet dhe të mbështetet, sidomos nga ndërhyrjet e influencave të huaja, siç është rasti i ditëve të fundit me lajmin mbi deklaratën e Erdoganit.  Mbrojtja e lirisë së shtypit nuk është vetëm e drejtë dhe obligim i autoriteteve qeveritare, por është njëkohsisht edhe përgjegjësi morale e gazetarëve individë dhe detyrim kombëtar dhe profesional i gazetarisë së lirë në përgjithësi.

Por, nëqoftse roli i shtypit të lirë mbrohet ndërkombtarisht, ndër të tjera, me qëllim për të ekspozuar pa drejtësitë, krimin dhe abuzimet nga ana e qeverive dhe zyrtarëve të tyre, atëherë gazetarëve kudo – përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën — duhet tu sigurohet një mjedis pune ku të mund të veprojnë në gjëndje sigurie, në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje, pa kërcënime dhe pa fyerje nga ata që — në të vërtetë — duhet të jenë mbrojtësit më të fortë të tyre dhe të lirisë së shtypit në përgjithësi e që është alfa dhe omega e të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut.Autocensura e ushtruar nga disa gazeta dhe gazetarë, duke shlyer lajmin “bombë”, bazuar në deklaratën e fortë të Presidentit turk Erdogan se do “marrë kontrollin mbi Shqipërinë” — nga disa portale dhe gazeta më të njohura në vend, me disa përjashtime aty këtu — është një pikë e zezë mbi gazetarinë shqiptare dhe mbi ushtrimin e fjalës së lirë në atë vend.  Autocensura është forma më e keqe por edhe më e përsosur e censurimit të fjalës së lirë, sidomos kur ajo zbatohet nen presione politike dhe ekonomike, me urdhër të një fuqie ose autokrati të huaj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Autocensura, FrankShkreli, shtypi

Pas mospranimit në Bruksel, Pëllumb Xhufi vjen në Zvicër

May 14, 2018 by dgreca

  • Instrumentalizmi i diasporës nga politika e Tiranës dhe e Prishtinës nuk duhet të lejohet. Ky instrumentalizmi  bie ndesh me unitetin dhe sigurinë. Aq më tepër kur bie erë enverizëm!Diaspora shqiptare në Belgjikë me të drejtë e sfidoi Tiranën zyrtare dhe takimi me kryereferuesin Pëllumb Xhufi anullohet./

1 elida Bucpapaj

Nga Elida Buçpapaj/

Pas dështimit të takimit të tij në Bruksel, Prof.Pëllumb Xhufi vjen në Zvicër. Gjithmonë në gjoja kuadrin e Vitit të Skënderbeut, Tirana zyrtare me paratë e taksapaguesave sjell nëpër diasporë njerëzit e vet. Diaspora ka identitetin e vet dhe është e drejta e saj që të ftojë figurat që do ajo, jo të imponuara nga Tirana apo Prishtina zyrtare.

Siç dihet, Ambasada e Shqipërisë në Belgjikë organizoi një konferencë me panelistë që i përzgjodhi sipas shijes të Ditmir Bushatit, që do të ishin zotërinjtë Pëllumb Xhufi, Lek Pervizi e Safet Kryemadhi.

Por Ditmir Bushati nuk mund të bënte ligjin në disaporën shqiptare të Begjikës, që u anullua për shkak të reagimit të diasporës shqiptare aty, e cila nuk pranoi që zoti Xhufi mbante kryereferatin pas deklarimeve të tij rreth Kampit famëkeq të Tepelenës.

Sulejman Gjana, një nga figurat kryesore të diasporës shqiptare në Bruksel në një shkrim të tij e sqaroi qëndrimin e diasporës shqiptare atje duke nënvizuar shkakun se “përse në Bruksel nuk ka vend për historianin Pëllumb Xhufi.”

Në këtë shkrim zoti Gjana vuri në pah se e çmon veprën shkencore të Prof.Xhufit, “por assesi jo pozicionimin e tij si mbrojtës fanatik i historiografisë komuniste”. Pëllumb Xhufi shkoi në Bruksel pikërisht “kur në Shqipëri kishte plasur debati lidhur me kampin famëkeq të Tepelenës dhe krimet e konsumuara aty nga xhelatët komunistë dhe Xhufi ishte pozicionuar rishtas si “apologjet i krimeve monstruoze dhe i gjakatarëve në fjalë, duke komprometuar rëndë figurën e tij morale si historian dhe intelektual me profil të lartë, që guxon të injorojë, të shtrembërojë e të flakë deri edhe parimet e të vërtetat faktologjike”, vuri në spikamë në shkrimin e tij zoti Gjana.

“Pikërisht në këtë kontekst dhe në kulmin e emocioneve që kanë shkaktuar qëndrimet dhe deklaratat e tij, ishte tejet sfiduese dhe arrogante përzgjedhja nga Tirana zyrtare e Xhufit si panelisti kryesor i konferencës së lartpërmendur, ku ky apologjet profesionist dhe pasionant do të referonte bash para ish viktimave të mbijetuar të krimeve e torturave të diktaturës dhe bijve të mërgatës antikomuniste të Brukselit, nënvizoi zoti Gjana.

Është e qartë se Tirana zyrtare kërkon të bëjë ligjin në diasporë sipas stilit të Sulejman Bushatit, ish-anëtarit të KQPPSH dhe babait të kryediplomatit Ditmir Bushatit. Por diaspora do t’i thotë “Jo”!

Instrumentalizmi i diasporës nga politika e Tiranës dhe e Prishtinës nuk duhet të lejohet. Ky instrumentalizmi  bie ndesh me unitetin dhe sigurinë. Aq më tepër kur bie erë enverizëm!

Diaspora shqiptare në Belgjikë me të drejtë e sfidoi Tiranën zyrtare dhe takimi me kryereferuesin Pëllumb Xhufi anullohet.

Pas kësaj Prof.Xhufi do të reagonte duke thënë se ai do të ketë takimet të tjera nëpër Europë, duke përmendur Zvicrën.

Zvicra është një bastion i njohur i enveristëve dhe krahut ekstremist shqiptar. Prof.Xhufi vjen në Zvicër.  Nuk merret vesh se kush e ka ftuar Prof.Xhufin. Ka disa shoqata që ambasadat shqiptare i përdorin si zara. Nga ana tjetër, Prof.Xhufi mikpritet nga ambasadori Ilir Gjoni.

Prania e Xhufit në Gjenevë në krahë të Ambasadorit Ilir Gjoni duket si sfidë që i bëhet diasporës shqiptare në Bruksel:

Edi Rama, përmes ambasadave, ku janë të emëruar elita me prejardhje nga ish-nomenklatura diktatoriale, ka vendosur që të merret me organizimin e diasporës shqiptare, sipas stilit të kohës të Mërgatës të Qyqeve.

Por gabon kohë. Sot problemi i sigurisë në vendet europiane, përfshi Zvicrën, ka marrë një rëndësi të dorës të parë dhe kjo nuk toleron politikat subversive të Edi Ramës! Edi Rama e provoi vetë se si e pritën gazetarët zviceranë gjatë vizitës së tij zyrtare në Zvicër, një vit më parë, sa që ata gazetarë të Shqipërisë që ai i quan kazan iu dukën lule.

Edi Rama nuk mund të bëjë ligjin në Zvicër! Edi Rama nuk ka legjitimitet të bëjë ligjin as në Shqipëri! Në Shqipëri është shpërdorues i pushtetit, në Zvicër është vetëm një vizitor!

Ambasada e Shqipërisë në Zvicër prej vitit 1997 është vënë në funksion të çorganizimit të diasporës shqiptare, sikur ka qenë gjatë diktaturës, duke bërë organizime për të faktorizuar njerëz në shërbimin e vet klientelist dhe më gjërë.

Në vitin 1997, Ambasadori i asaj kohe në Bernë do të thërriste përkthyesit shqiptarë, duke iu dhënë direktiva për të dëmtuar dhe penguar shqiptarët që kishin kërkuar azil politik në Konfederatën Helvetike dhe duke vënë në përdorim të gjitha mjetet e propagandës staliniste kundër njerëzve që i cilësonte si armiqtë e regjimit që u instalua më 1997. Kjo politikë e mbrapshtë vijon edhe sot. Diplomacia shqiptare kërkon të faktorizojë rrjetin e vet në dëm të identitetit dhe unitetit të diasporës.

Vdekja e Rugovës dhe ardhja në pushtet e Hashim Thaçit prej 2007, krijoi kushte për çoroditjen e diasporës në Zvicër, ku shqiptarët nga Kosova përbëjnë shumicën dërrmuese. Thaçi ka mbështetur organizma që marrin fonde dhe shërbejnë si marioneta të politikës së Prishtinës dhe Tiranës. Kështu, për shembull, drejtoresha e e shoqatës OJQ që njihet me emrin e Universitetit Popullor të Gjenevës, Albana Krasniqi, gruaja e ish-Ambasadorit të Kosovës, është kunata e Armela Krasniqit, ish zëdhënëses së Edi Ramës, tani emëruar prej tij drejtoreshë e ATSH-së.

Po kujtoj një fakt. Babai im Vehbi Skënderi u masakrua nga regjimi komunist. Prej 1996 deri sa vdiq më 13 qershor 2011, ai jetoi dhe krijoi në Zvicër, ndërsa Ambasada e Shqipërisë ka mbajtur qëndrim kriminal dhe poshtërues përmes indiferencës dhe injorimit.

Politika e injorimit është burgu, persekutimi, arma e ftohtë dhe kallashnikovi i Tiranës zyrtare në diasporë!

T’i themi të gjithë “ndal” kësaj politike të helmatisur me urrejtje ndërshqiptare!

Nëse Edi Rama do të kishte ndjekur politika shtetformuese në shtetin amë këta pesë vjet, le të vinte edhe në Zvicër, por ai Shqipërinë e ka kthyer në republikë droge, ndërsa diplomacia e tij është diplomacia e demagogjisë së hashashit!

Enverizmi duhet të ndalet me ligj, që kësisoj të ndalin aktivitetin e tyre në Zvicër edhe shoqatat enveriste. Në Zvicër këto shoqata promovojnë librat e diktatorit dhe të Nexhmije Hoxhës, këtu vijnë dhe promovojnë të njëjtat libra njerëz me lidhje me politikën, ndërsa Tirana zyrtare bën politikë ekskomunikuese kundër figurave të diasporës.

Në Zvicër jeton një komunitet shumë i madh i shqiptarëve, rreth gjysmë milioni, por është tërësisht i përçarë nga politika. Ky komunitet ka fuqi të mjaftueshme për t’i thënë ndal instrumentalizmit politik të diasporës, duke u marrë si shembull diaspora e Belgjikës. Ambasadat e Shqipërisë nuk i përkasin një “tufëze” apo “arëze”, ato i takojnë gjithë diasporës! Përfaqësuesit e vendit janë shërbyes të shtetit jo të pushtetit politik, sepse paret e tyre i marrin nga taksapaguesit! Nëse Prof.Xhufi do të denonconte krimet e komunizmit, ai do të ishte e mirëpritur në Bruksel e kudo! Diplomacia e Tiranës nuk mund të bëjë politika trushplarjeje në diasporë! Nuk do ta lemë! Diaspora është jona, jo e Edi Ramës, as pushtetarëve të tij!

Tirana zyrtare po shpenzon paret e taksapaguesave për të instrumentalizuar diasporën në një vegël të politikave të tyre të pista. Aty ku mundin. Dhe Zvicrën e shohin si një mundësi. Se në Belgjikë apo në SHBA nuk mund ta bëjë dot në dritë të diellit. Natyrisht, në SHBA apo në Belgjikë enveristët nuk gjejnë shesh të hapur veprimi, ndërsa në Zvicër po. Vizita e Prof.Xhufit në Zvicër ishte në këtë kuadër, si sfidë e diasporës së Belgjikës.

Edhe turi politik i Pandali Majkos, që ka premtuar para për celulat e partisë në diasporë, është një veprim i hapur mafioz për të paguar marioneta me paratë e taksapaguesave. Pandeli Majko ka premtuar hapjen e 36 qendrave kulturore të përbashkëta me Kosovën nëpër Europë për celulat partiake, çka duhet të ndalohet me çdo kusht si keppërdorim i fondeve publike për interesa të pushtetit politik jo të shtetit demokratik. Edi Rama dhe Hashim Thaçi shpërndajnë dekorata dhe para për grupacione në shërbimin e tyre politik dhe të enverizmit! Ky është korrupsion i hapur!

Diaspora shqiptare duhet të ndalë me të gjitha mënyrat demokratike organizmin politik të diasporës me stilin e Edi Ramës, Hashim Thaçit, enveristëve apo të tjerëve!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Ilir Gjoni, Kampi i Tepelenes, Pëllum Xhufi, Rama, Sulejman Gjana

NË RESPEKT PËR VETEN: VENDOSI!

May 13, 2018 by dgreca

1 shefqet-dobra

…Të dënuarit pritnin ta përcillnin deri te porta, kur ta nisnin për te varrezat, por edhe kjo nuk ndodhi, Shega nuk do kishte as varr të përkohshëm se, të përhershëm, nuk kishte asnjë prej të dënuarve të atij burgu se, pas një viti, kishin dënimin e dytë që u jepte i pabesi, i pa burri,  toger Haki Brahimaj-  i plugonte varret./

NGA SHEFQET DOBRA*/

Njerëz të mbledhur si bagëtitë, nga të gjitha trevat e Shqipërisë,, i grumbulluan në  katër kazerma të mëdha, me nga dy dyer dy kanatshe, me katër radhe krevatesh me dy kate- -krevate ushtarësh pa shkëputje- poshtë qytetit të Tepelenës, për brinjë kalasë të Ali pashës, ndarjet dy lumejve: Vjosës dhe lumit të Bençës. Aty kishte: pleq e plaka, gra me fëmijë edhe për gjini, të sëmurë dhe të çmendur nga e keqja që kishin kaluar-psh Habibja nga Mirdita, ishte kështu se i kishin vrarë dy vëllezërit dhe burrin, par syve, nuk besoj ta harrojë njeri- dhe, për të mos u ditur se ky ishte një burg, adresën e kishim të ish repartit ushtarak: reparti nr… –  Ky vend i rrethuar me tela me gjemba, ruhej me roje të armatosur, si bagëtitë i merrnin tufë i çonin në punë, për bari, kishin policë të armatosur.

Ky ishte eksperimenti i tufëzimit, që shteti fillimisht praktikoi me njerëzit. Darkë e mëngjes, “Bariu” do i numëronte, kapter Selfua, sapo futej në kazermë, si egërsirë  ulërinte, sa i trembte fëmijët kur thërriste: -para krevatit, për një, në apel, Nue Derri, dil të daltë syri i djathë!- i thoshte një plaku. Akom nuk e marr me end, çkishte mëe atë plak. Apeli nuk kishte dallim moshe, i ngrinin fëmijët nga gjumi, ata për gjiri, kur të kalonte para policit, nëna do e zbulonte që të bindej polici se fëmija ishte aty. Këtyre njerëzve, vetëm këmborë, nuk u kishin vënë, atë e kishte bariu- polici. Kur i frynte bilbilit polici, të gjithë do shkonin te ai.

Këtë njerëz që vuanin këtu, të përçmuar,  të uritur e të rraskapitur, ishin shembull i qëndresës, me shpirt  ndër dhëmbë, mundoheshin të ruanin krenarinë e tyre.  Në këto kushte, nuk mund të bëhen heroizma. Këtë, e  provuam ne: kundërshtarët e regjimit,  edhe ata që luftuan dhe bënë këtë lloj shteti, pavarësisht trimërisë e gradave që patën, jo më ne.

Në kazermën nr, dy, një vajzë, nga Korça apo Kolonja, Shega Frashëri,  ishte përgjegjëse kazermën. Ishte vajzë pak e kaluar në moshë,  Ishte shumë e respektuar nga të internuarit, atë edhe të vegjlit e donin. Nuk kishte njeri të vetin Shega, aty.  Një ditë Shegën  e kërkuan  në komandë, po ajo nuk u kthye më, thanë se e kishin marrë me një makinë, të cilën që prej dy a tre orësh, e kishin parë pran zyrave.

Shega nuk u kthye as në mbrëmjë dhe, kurr më.  Të gjithë ishin të shqetësuar për Shegën, secili jepte hamendjen e tij.

Disa thoshin, mund ta kenë liruar, disa mendonin se edhe mund ta kenë  transferuar më ndonjë kamp tjetër, kishte  që mendonin më të keqen,  ta kenë arrestuar- kjo gjë ndodhte shpesh- por, nuk gjenin arsye që të ndodhte kjo me Shegën. Të gjithë aty, ishin të dënuar pa u gjykuar. Dënimi pa u gjykuar, nuk kishte fund të caktuar. Me këta njerëz, mund të vepronin si të donin, ndoshta, për ne nuk kishte as lista shteti.  Mjafton që togerit t’ja thoshte mendja.

Shega ishte tepër e sjellshme dhe e dashur me të gjithë, ishte po aq e kujdesshme edhe me rregullat.  Është vajzë me shkollë- thoshin plakat. Shega po u mungonte të gjithëve.

Ndoshta pas një a dy javësh, disa fëmijë, polici i dënoi me birucë, se nuk ishte kënaqur me punën e tyre, që bënin në ekonominë ndihmëse për rreth kampit, sapo hapi derën e asja dhome të errët- u tha: futuni! Në dhe flinim, kur na dënoheshin, pavarësisht moshës. Sapo polici mbylli derën, fëmijët bërtitën duke qarë: zoti komandat, zoti komandant!

Polici hapi derën dhe u bërtiti: -ç’keni more, duke futur kokën brenda, fëmijët, nuk mund të flitnin nga të qarit, i treguan me dorë:  Shega ishte varur në kaperjatat e dhomës. Nuk dihet kur kishte varë vetën, deri sa polici nuk dinte gjë, do të thotë se: për të, nuk ishte interesuar njeri. Polici, përzuri fëmijët dhe mbylli derën. të internuarit u shtangën nga ça thoshin fëmijët. Shega edhe se nuk kishte njeri te vetin, atë e qanë të gjitha nënat në kamp si ta kishin cupen e tyre. Ishte vdekje e llahtarshme e një vajze aq të mirë e të pafajshme. Shega, që e donin të gjithë, kishte zgjedhur vdekjen më të vështirë, sepse, nuk kishte mundësi të vdiste ndryshe.

Sigurisht, hall të madh do ketë  pas, do jetë përballur me egërsinë e bishës sa në pa mundësi për tu mbrojtur, preferoj më mirë një vdekje të  vështirë, por me dinjitet në respekt për veten, duke lëne respekt e dhimbje në bashkë vuajtësit e sajë, të cilët, i kishte konsideruar të gjithë si vëllezër e motra,  se sa  një jetë të pa vlerë.

Komanda e kampit, me toger Haki Brahimaj komandant, ata nuk njihnin nderë e familje, ata mendonin një jetë kolektive, si atë që kishin bërë në mal gjatë luftës; por këta të munduar e të përçmua, në këtë burg, ishin ndryshe, këtë e tregoj Shega me veprimin e sajë. Kjo qe prova ku shteti,  do dukej nëse ishte vërtet shtet i popullit- si thoshin. Nëse do ishte kështu, brenda njëzet e katër orëve,  e gjithë komanda, do merrnin atë që meritonin ligjërisht, por shteti tregoi veten ashtu si ishte.

Të dënuarit pritnin ta përcillnin deri te porta, kur ta nisnin për te varrezat, por edhe kjo nuk ndodhi, Shega nuk do kishte as varr të përkohshëm se, të përhershëm, nuk kishte asnjë prej të dënuarve të atij burgu se, pas një viti, kishin dënimin e dytë që u jepte i pabesi, i pa burri,  toger Haki Brahimaj-  i plugonte varret.

Në vend të ndëshkimit, qoftë edhe sa për sy e faqe- të paktën të justifikonte veten sgteti, por,  si duket shteti e vlerësoi atë veprim se togeri, dukej se ishte edhe më i plotfuqishëm.

Për këta të dënuar pa u gjykuar, nuk kërkonte njeri llogari.

Po ç’pati Shega që i dha vetes këtë lloj dënimi kaq të vështirë?- pyetnin njëri tjetrin njerëzit. Kjo pyetje nuk mori kurrë përgjigje. Të vërtetën, Shega e mori me vete., ata që e dinin, që e detyruan,  ndërgjegjja nuk i vriste, ligji nuk i ndëshkonte por; mallkimi edhe mund t’i zërë. Mallkimi më i rëndë ishte ashtu si mallkonin nënat tona: – “hëngshin njëri- tjetrin’- kjo vërtetë  ndodhi mes tyre, se egërsirat, kur nuk kanë c’të hanë, hanë njëri tjetrin- por Shega nuk pa gjë.

Shega, për arsye që i di vetëm ajo, i dha fund jetës, për t’i thënë toger Hakiut: mos na barazoni me veten!

Shega mbeti shembull i veçantë, dhe e pa harruar,sa edhe në që ishim të vegjël,  për mirësinë që kishte nuk e kemi harruar Shegën.

Hakiu, pastë dhënë llogari të paktën para Zotit, meqë për ne nuk kishte shtet e drejtësi.

* Dergesa e ish te perndjekurt Politik Shefqet Dobra, shoqerohet me kete Leter per Gazeten”DIELLI”:

FALËNDERIM.

Falënderoj me shpirt e zemër, prej së largu,  gjithë stafin e gazetës DIELL

Është gazetë që na bënë të mos harrojmë njëri-tjetrin, me që jemi TV shpërndarë në vende të ndryshme, edhe mund të mos takohemi por, nëpërmjet  kësaj gazete, ne jemi në dijeni për çdo gjë dhe na duket sikur jemi akoma bashkë.

Falënderim të veçantë i bëj unë gazetës, që shkrimet e mija modeste, ndoshta jo shumë të arrira, por të shkruara me ndjenjën e pastërtisë dhe me ndershmëri, vetëm të vërtetën, për fat të mirë që akoma ka bashkë udhëtarë të mi, që jetojnë dhe më bëhet qejfi që prej larg, kudo që janë, më përgëzojnë. Kjo tregon sa shumë e lexojnë gazetën DIELLI.

I shkruaj këto vetëm për të mos  harruar të shkuarën tonë dhe fëmijët tanë të dinë, jeta, nuk ka qenë si kjo që ata jetojnë sot.

Kur u botua tregimi im: – “Prangat që më çmendën djalin”- ndemjet shumë tjerëve,  mora një koment prej një njeriu që nuk e prisja.

Kur u lirova nga burgu, e gjeta në Çermë, ai ishte me funksion shumë të lartë, kurse unë…  i përçuar, për biografin, nuk më kishte lidhur puna fare të.  Tani edhe ai jetonte në Itali, shumë larg prej nesh, unë mendoja se nuk më njihte fare. Komenti ishte i gjatë, po jap vetëm pak nga fundi:-… u befasova! Sa vuajtje çnjerëzore që nuk i kemi ditur…! urime të sinqerta dhe, qofshin të harruara ato kohë.

-Ishte gazeta –DIELLI- prej se cilës, pas kaq vitesh,  me ndershmëri pranoi që, nuk e kishte njohur jetën ndryshe që bënin disa tjerë.

Një falënderim të veçantë për Zotin Dalip Grecën. Dhe gazetës i uroj të ketë sa më shumë lexues.

Filed Under: Opinion Tagged With: NË RESPEKT, PËR VETEN: VENDOSI, Sheqet Dobra

GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU DHE DITA E SHËNGJERGJIT

May 11, 2018 by dgreca

46 Asllan ne Kembe

Nga Asllan Bushati/*

Në kuadër 550 vjetorit të largimit nga jeta të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe të kremtimeve që bëhen në të gjithë trojet shqiptare në kujtim të kësaj dite të shënuar, më lejoni të paraqes fare shkurt, disa mendime thjeshtë të karakterit ushtarak për figurën e Skënderbeut dhe disa “thërrime popullore” për Ditën e Shëngjergjit si festë e të trija besimeve. Trajtesa nuk bëhet me pretendime akademike, por për një audiencë të gjërë, që dëshiron të ketë disa njohuri më të gjëra për Heroin tonë Kombëtar dhe 6 majin Ditën e Shëngjergjit.

Historia e luftrave dhe ajo e artit ushtarak,i kanë analizuar me shumë hollësi të gjitha betejat e Skënderbeut kundër turqëve. Ata janë një thesar i madh përvoje dhe për nga veçantitë kanë specifika krahasur me betejat e mesjetës të vendeve të tjera. Medoemos që në të ardhmen duke u studiuar arkivat e kësaj periudhe ,do të dalin në dritë më shumë se deri tani edhe më mirë vlerat e Skënderbeut si strateg e mjeshtër i madh i artit ushtarak, si gjeneral i madh i kohës me famë europiane e botërore. Por, në këtë prezantim të shkurtër, do të ndalemi shumë shkurt vetëm në tri beteja që sollën tri sinteza të reja në artin e të luftuarit.

Fillimisht për Betejën e Torviollit. Ajo nisi si betejë e zakonshme ku u vunë përballë kuadrate të mëdha ushtarake turke e shqiptare. Turqit kishin epërsi të madhe në numër. Kurse forcat shqiptare të komanduara nga Skënderbeu, ishin më të pakta dhe ishin rreshtuar si më poshtë: në vijën e parë kishte (tre-katër rrjeshta), shpatarët të paisur me shpata e parzmore. Pas tyre vinin tre-katër rrjeshta të tjerë me ushta e thika të mëdha (kama), që alteroheshin me shpatarët dhe pas tyre disa rrjeshta harktarësh të paisur me shigjeta dhe shpata ose sopata me bisht të gjatë. Ushtria ishte rreshtuar në tre skalione dhe pas tyre kishte edhe forca rezervë për të përballuar të papriturat e betejës. Në anën e djathtë rreth një kilometër nga fushbeteja ishte përqëndruar grupimi i parë i kalorsisë. Në anën e majtë, pak më larg se i pari (plotësisht në fshehtësi), ishte vendosur grupimi i dytë i kalorësve.

Beteja filloi e ashpër dhe pas katër-pesë orë luftimesh, Skënderbeu tërhoqi skalionet e qendrës pak prapa, për ta mashtruar armikun sikur kishte pësuar humbje të rënda dhe se po jepte shenja tërheqje nga fushëbeteja. Në fakt ky ishte një kurth taktik për t’i futur turqit në një “xhep në formë patkoi”. Ashtu u bë, turqit u mashtruan dhe ai fillimisht i goditi në krah me kalorsinë e grupimit të parë, dhe më pas nga shpina me grupimin e dytë kalorsiak. Pas këtyre dy lëvizjeve taktike, turqit ranë në rrethim të plotë dhe pas tetë-nëntë orë luftimesh, humbën katastrofisht betejën e parë me Skënderbeun dhe u detyruan të tërhiqen drejt Stambollit.

Mësimi i madh që doli nga kjo betejë për artin ushtarak ishte se tërheqja e zgjuar taktike e shoqëruar me sulm në krah dhe më pas edhe në shpinë, rezultoi vdekjeprurëse për turqit. Kështu betejën mund ta fitojë edhe një ushtri më e vogël në numër nëse ajo komandohet nga një mjeshtër i taktikës, siç ishte i madhi Skënderbe.

Një betejë tjetër, shumë simbolike, ishte ajo kundër Ballaban Pashës, të cilin Skënderbeu e njihte mirë që në fëmijëri, në karakter dhe në mendësi, si epror i lartë ushtarak turk. Nisur nga këto, e lejoi atë të ecte i pashqetësuar me një ushtri të stërmadhe gati njëqindmijëshe nga Manastiri, Kërçova, Dibra, Gryka e Radikës, Bulqizë, Klos, Suc, Perlat, Rrubik dhe kur arriti në Skuraj (aty ku takohet lumi i Matit me Fanin), e sulmoi dy orë para agimit në katër pika të kolonës me tetë grupime forcash. Konkretisht: Gallatë-Skuraj dhe Rrubik-Skuraj, pastaj Rrëshen-Ulëz dhe Baz, Bushkash-Ulëz. Në qendër e sulmoi nga Burgajet-Suc dhe Burrel-Suc dhe në pjesën fundore Gurrat-Klos dhe Guri i Bardhë-Klos. Agimi e gjeti ushtrinë e Ballaban Pashës të coptuar në katër pjesë dhe në prag të muzgut Ballabanin të zënë rob, betejën të humbur dhe ushtrinë të shkatërruar.

Mësimi që doli nga kjo betejë për historinë e artit ushtarak është se kush kryen sulmin natën, të kombinuar me atë në pritë, ka përparësi edhe kur raporti i forcave është me diferencë të madhe në disfavor, siç ndodhi me Ballaban Pashën 10 me 1.

Një dimension tjetër të veçantë në fushën e mendimit ushtarak përbën beteja e Albulenës (Uji i bardhë-Llixhat).

Hamza Kastrioti (nipi Skënderbeut), u emruar nga Sulltani në krye të një ushtrie tetëdhjetëmijëshe, me qëllim për të shkatërruar përfundimisht rrezistencën shqiptare të organizuar nga Skënderbeu. Ai, i pa shqetesuar, ndoqi rrugën Egnatia dhe u vendos në kushte fushore midis lumejve Mat dhe Ishëm dhe në thellësi rrëzë kodrave të vijës Milot, Fush-Krujë. Duke mos ndeshur në asnjë rezistencë, ai mendoi se ushtria e Skënderbeut ishte shkatrruar dhe urdhëroi t’i jepej një ditë pushim ushtrisë për të larë rrobat dhe kryer shërbime të tjera vetiake. Por Skënderbeu, në fshehtësi të plotë, kishte përgatitur që më parë, një ushtri dhjetëmijë vetash (tetë mijë këmbësor dhe dy mijë kalorës) dhe e grupoi të gjithë në faqen perëndimore të Malit Skënderbeg në vijen: Skuraj-Gallatë-Vinjollë-Gardhnoc-Cudhi. Pikërisht këtë ditë pushimi, në mes të ditës ai i sulmoi forcat turke nga drejtimet: Skuraj-Milot-derdhja e Matit; Daul-Laç-Fushë Kuqe;Gardhnoc-Livadhe-Mamurras-Gjiu Patokut dhe Shkretë-Fushë Krujë-Derdhja e Ishmit. Midis Laçit e Mamurrasit është një kodër përballë fshatit Sanxhak. Aty ishte shtabi dhe haremi i Hamzajit i cili u zu rob i pari dhe pastaj gjithë ushtria brenda disa orësh u shpartallua dhe u largua në panik drejt këthimit në Stamboll. Skënderbeu në këtë betejë zuri një sasi shumë të madhe robërish, mjete luftarake, rezerva ushqimore e mjetesh monetare, krahasuar me gjithë betejat e tjera.

E reja që solli beteja e Albulenës në artin ushtarak, ishte befasia, e cila e realizuar mirë dhe në kohë të përshtatshme e shpërfillë dhe ndryshimin e madh në raportitin e forcave. Në këtë rast, ai ishte 8 me 1 në favor të turqëve, por që betejën e fitoi Skënderbeu.

Parë, jo vetëm nga këto tri beteja që përmenda shkurt më lart, por në tërësi të gjitha luftimet e Skënderbeut, në gjykimet e shumë historianëve dhe studiuesve të artit ushtarak, ai çfaqet si një strateg dhe mendimtar i madh i fushës së luftës. Kjo na bën nder të madh ne si komb, por edhe na obligon që në frymën e veprës së tij, të ecim, të mendojmë, veprojmë e, po të jetë nevoja, edhe të luftojmë me mendimin ushtarak të kohës.

Por, Skënderbeu përveçse luftëtar dhe strateg, ishte edhe një burrë i madh shteti. Ai me shumë urtësi e mendjemprehtësi i organizoi gjithë princat shqiptarë nën një lidhje të vetme (Lidhja e Lezhës) e cila ishte forumi politik vendim-marrës për kohë paqe dhe kohë lufte. Poashtu, me shumë mençuri, organizoi sistemin e vet diplomatik, duke realizuar mbeshtetjen e pothuaj gjithë vendeve të Europës së asaj kohe, veçanërisht të Venedikut, Mbretërisë së Napolit, Austrisë, Hungarisë, Raguzës, princa të rëndësishëm të vendeve fqinjë si ata të Malit Zi dhe Serbisë etj.

Për të ilustruar përmasat e burrshtetit, po citoj tre paragrafe nga fjalimi i fundit i Skënderbeut para prijësave, gjeneralëve dhe diplomatëve. marrë nga Le Grand Castriotto d’Albanie, Historie faqe 70 të Stephan Zannovich, ku thuhet: “Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar.

Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e arniqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni…

Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike. por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin …

Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me giysëm veshi … Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhe të jetë bujar.”

Siç dihet, më 17 janar 1468, Gjergj Kastriot-Skënderbeu u largua nga kjo jetë. Por ai na la një pasuri shumë të madhe se: fitoi 25 beteja me perandorinë osmane, fuqia më e madhe ushtarake e kohës, mbrojti trojet shqiptare e europiane, mbrojti krishtërimin, por mbi të gjitha na la faqebardhë para kombeve të tjera europiane, me epopenë që ai organizoi e drejtoi. Vdekja e tij ishte një humbje e pa zëvëndësueshme për gjithë shqiptarët pa dallim feje, katolikë, ortodoks dhe një pjesë fare të vogël që ishin konvertuar në muslimanë. Në këtë dëshprim të madh popullor u ngriten shumë versione se si figura e tij të mbetej përgjithmonë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, por në së është e mundur edhe të botës krishterë. Kështu hapi i parë u bë nga besimtarët katolikë në pothuaj të gjitha kishat shqiptare, që kërkonin prej klerit udhëheqës të kishave që t’i propozohej Papës, që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu të shpallej “Shejt”, dhe 6 maji ditëlindja e tij të pagzohej si “Shëngjergji”. Që nga viti 1468 deri në vitin 1478, udhëheqësia katolike shqiptare bëri gjithë perpjekjet e duhura që ta realizonte një gjë të tillë, por qe e pa mundur. Papa, pas dhjetë vitesh, shprehu qendrimin zyrtar të Papatit se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është “Kalorësi i Krishtit” dhe ai meriton gjithë nderimet nga Kisha katolike, por duke qenë se në tehun e shpatës së tij kanë përfunduar shumë jetë njerëzish, ai nuk mund të shpallet “shejt”. Me këtë qendrim të Papatit u pajtua edhe Patriarkana e Stambollit, duke mbyllur përfundimisht mundësinë e të shpallurit “shejt” për Gjergj Kastriot-Skënderbeun,

Kleri shqiptar, i shtyrë nga trysnia popullore, por edhe duke mos patur zgjidhje tjetër, vendosi me besimtarët e vet që datën 6 maji (ditëlindjen e Gjergj Kastriot-Skënderbeut), ta shpall festë popullore mbarë shqiptare, për të gjtha besimet, dhe kjo ditë feste të emërtohet “Dita e Shëngjergjit”. Poashtu, një krahinë të tërë në jug të Kështjellës së Stelushit (vendlindja e Skënderbeut), ju dha emri krahina e Shëngjergjit (emër të cilin e mban edhe sot). Për këtë ditë të shënuar u vendos që ritet nuk do të mbaheshin në kisha (në atë kohë nuk kishte xhami në trojet shqiptare), por në çdo shtëpi, lagje, fshat a qënder e banuar, me rregulla të mirëpranuara nga të gjitha palët.

Disa nga rregullat që vazhdojnë të jenë edhe në ditët e sotme janë: pavarsisht nga besimi, sejcili do ta përshëndes tjetrin me urimin”Gëzuar Shëngjergjin”. Në derën e shtëpisë dhe të stallave (vathës) së bagëtisë do të vendoset një degë arre e njomë në shenjë urimi për shëndet, prodhimtari të bollshme dhe bageti e bulmet të begatë. Me degën e arrës njerëzit mund të prekin njëri-tjetrin duke thënë: “ta lashë” që nënkupton të preka me degën e arrës duke ta uruar Shëngjergjin. Që nga kjo ditë, qingjat dhe kecat ndahen veças gjatë natës (pushimit të drekës) që të mblidhet qumëshi duke filluar bulmetin e ri.

Djemt mblidhen sëbashku, me veshjet më të mira, dhe fillojnë me tokitjen e vezëve me ngjyra (marrë nga riti i Pashkëve), pastaj urojnë njëri tjetrin duke shkëmbyer arra, fiq të thatë, bukë fiku, mana të thatë etj. Pas urimit, me lagje ose grup moshash luajnë “kala dibranshe” dhe në fund, mundje belas (sipas moshës dhe peshës) dhe më i forti shpallet fituesi i ditës Shëngjergjit dhe gjithë vitit.

Vajzat vishen me veshjet më të bukura dhe shpalosin para njëra-tjetrës qendisjet, punëdoret e punimet me vegjë, që kanë bërë gjatë perudhës dimrore. Poashtu “konkurojnë” njëra-tjetrën për shamitë, grykëzat e këmishave, jelekët, përparëset, çorapet etj.

Edhe ushqimi i Ditës Shëngjergjit ka dy veçanti të dallueshme nga ditët e tjera, ku, si për drekë dhe për darkë serviret tavë me mish të pjekur me qumësht, si dhe laknur (laknor) i bërë me djathë të njomë, miell misri dhe gjalp.

Këto rregulla (rite popullore), fillimisht u përhapën në gjithë trojet shqiptare. Por me kalimin e kohës, nga trysnia e pushtuesit për të zhdukur çdo gjë që kishte të bënte me Skënderbeun, nga ndasitë ndërfetare për çeshtje të veçanta, disnivelet kulturore, shumimi i festave fetare e shtetrore, urbanizimi etj, solli atë që, në disa treva, kjo festë filloi të zbehej sa në disa u harrua fare. Por ka zona që edhe sot vazhdojnë ta festojnë po me aq dashuri si para 520-530 vitesh. Kjo është më e theksuar veçanërisht në brezin e tokave që kanë qenë nën zotërimin e Kastriotëve.Duke përkujtuar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, këtë burrë të madh të Kombit tonë, këtë strateg e mendimtar brilant të mendimit ushtarak dhe ditëlindjen e tij (6 majin), të cilën e njohim me emrin : “Dita e Shëngjergjit”, i bëjmë nder se shkuarës, të sotmes dhe vemë gurë në themelet e së ardhmes së Kombit tonë.

* Kumtesa e përgatitur nga Asllan Bushati per Akademinë përkujtimore me rastin e 613 vjetorit te Lindjes së Heroit Gjergj kastrioti Skënderbeu Organizuar nga Kisha Katolike”Zoja e Shokdrës” në bashkëpunim me Vatrën. Kumtesa u lexua nga anëtari i kryesisë së Vatrës Zef Balaj.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, DITA E SHËNGJERGJIT, GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU DHE

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në 613-vjetorin e Lindjes

May 11, 2018 by dgreca

Nga Prof. Gjon Frani Ivezaj/*

Arbëria, ishte e ndarë midis shumë familjeve fisnike apo principatave të pavarura, të cilat ndodheshin vazhdimisht në gjendje lufte mes tyre, me qëllim për të mbizotëruar Arbërinë.

Gjatë kohës që u shfaq familja e Kastriotëve nga krahina e Matit në Shqipërinë e Mesme, bëri që të ndryshojnë ngjarjet dhe situatat historike të kohës si në Arbëri dhe Europë, gjatë gjysmës së dytë të shek. XV.

 Ai është i vetmi në të gjithë historinë e popullit tonë, që mban titullin Hero Kombëtar, që nga viti 1965, titulli më i lartë dhe i vetëm që mban një shqiptar për vlerat e larta të figurës së tij.Kryetrimi Gjergj, konsiderohet nga historianët dhe ekspertët ushtarakë si një udhëheqës i përsosur betejash ushtarake, mjeshtër taktikash dhe ushtarak i lartë i shquar në beteja të vogla në terren të thyer malorë, sikurse është Shqipëria, në një pjesë të mirë të saj.Në këtë mënyrë Gjergji shfrytëzoi natyrën malore të vendit dhe njohu me hollësi terrenin fushor të betejës. Ai diti gjithnjë t’i impononte armikut planet e tij luftarake, të cilat i kryente me shpejtësi ose i ndryshonte sipas rrethanave që i krijoheshin, duke pasur kështu gjithnjë sukses në çdo betejë.

Gjergj Kastrioti i përkiste fesë së krishterë.U konvertua nga osmanët në mysliman, pasi e morën peng në ushtrinë turke dhe më pas u rikthye përsëri në fenë e të parëve të tij të krishterë.  

Gjergji lindi rreth vitit 1405. Ishte djali më i vogël, dhe fëmia i parafundit i familjes me shumë fëmijë të Gjonit dhe të Vojsavës, familja e së cilës banonte në krahinën e Pollogut. Ata kishin katër djem (Stanishin, Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vllajkën e Mamicën).

Gjergji lindi në një kohë kur Principata e Kastriotëve ishte e fuqizuar. Osmanët barbarë morën Krujën (1414-1415), që ishte në kufi me Principatën e Kastriotëve. Gjoni, i cili më 1410 u kishte dhënë një djalë peng osmanëve (Stanishin), u detyrua edhe tani t’u jepte atyre peng djalin e vogël, Gjergjin.

Për një periudhë rreth 10-vjeçare, Gjergji vazhdoi shkollën e içogllanëve të Edrenesë, ku përgjithësisht futeshin djemtë e sundimtarëve të porsa të nënshtruar e vasalë (të cilët vareshin direkt nga Perandoria Osmane), për t’i përgatitur e edukuar me frymën osmane dhe islame, si komandantë të zotë, islamik të përkushtuar dhe pushtetarë apo feudalë të bindur.

 Natyra e kishte pajisur Gjergj Kastriotin më dhunti të veçanta, shumë të çmuara. Ai ishte shtatlartë e shumë i fuqishem, mendjemprehtë dhe mësoi disa gjuhë të huaja. Gjatë viteve të shkollimit Gjergji u dallua nga të tjerët. Atij iu vu emri mysliman Skënder dhe mori pjesë në fushata të ndryshme ushtarake në Ballkan dhe në Azinë e vogël.

Burimi kryesor dhe më i rëndësishëm, për Gjergj Kastriotin, është vepra e Marin Barletit, ku të dhënat kanë ardhur duke u vërtetuar, plotësuar dhe korigjuar në një varg rastesh edhe nga shumë burime të tjera osmane.

Më 1430, pas një deshtimi shkatërrimtar në luftë me otomanët pushtues, Kastriotët humbën thuajse gjithë zotërimet, dhe iu nënshtruan tani regjimit të timarëve, kurse edhe Gjoni vetë u detyrua me dhunë të konvertohej në islam.

Situata në ish zotërimet e tyre mbeti e turbullt.  Perandoria Osmane menjëherë ia hoqi të drejtën e trashëgimisë së të atit dhe si masë ndeshkuese osmanët e larguan më 1438 nga posti i qeveritarit të vilajetit të Krujës, të cilën e gëzonte më parë.  Kësaj situate jo të mirë Kastriotët u përpoqën t’i përgjigjen me revolt, duke kërkuar mbështetje tek Venediku e Raguza dhe menjëherë fillojnë kontaktet e para të lidhjes me mbretërinë e Napolit.  

Në tetor të vitit 1443 trupat e bashkuara polake e hungareze, të komanduara nga kryetrimi hungarez Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin iu drejtuan viseve verilindore shqiptare, dhe, siç shkruante ai, ushtria e tij “…rritej nga dita në ditë me shumë bullgarë, shqiptarë, serbë e boshnjakë.” Beteja u zhvillua më 3 nëntor 1443, në afërsi të Nishit, ku ishte i pranishëm edhe heroi kombëtar shqiptar Gjergj Gjon Kastrioti.  

Shpartallimin e forcave osmane në këtë betejë, Gjergj Kastrioti e gjykoi si çastin më të përshtatshëm për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth vetes disa qindra bashkëluftëtarë, pjesmarrës në betejën e Nishit dhe i shoqëruar nga i nipi, Hamza Kastrioti, Gjergji u nis në drejtim të Principatës së Kastrioteve.  Aksioni i tij për tu rikthyer në vendlindje ishte paramenduar shumë mirë, qysh herët.

Në Dibër filloi grumbullimi i forcave antiosmane shqiptare e cila erdhi duke u zgjeruar dora dorës në gjithë vendin. Kjo ishte prova se shqiptarët ishin gati për një kryengritje të përgjithshme.  

Në kështjellën e Krujës së çliruar, më 28 nëntor 1443, u ngrit krenar përsëri flamuri i Kastriotëve me shqiponjën e zezë dykrenore me fushë të kuqe, që u bë tani e tutje flamuri historik i luftëtarëve për liri të popullit shqipëtar.  Pas fitoreve të para të viteve 1443-1444, filluan gjithnjë e më të forta kundërgoditjet e ushtrive osmane, në të cilat niseshin nga bazat e tyre të mëdha në portat e trojeve shqiptare, në Ohër, Manastir, Kostur e Shkup me forca gjithnjë e më të mëdha, me ekspedita të organizuara vit për vit me një rregullsi të paramenduar.  

Vetëm në Shqipëri dështoi politika osmane islame e frikësimit, e mbështetur në epërsinë numerike dhe armatimit. Duke shfrytëzuar veçoritë e terrenit shqiptar, luftën tradicionale popullore dhe duke e kombinuar si mjeshtër i artit luftarak me operacione të mëdha strategjike-taktike dhe ndeshje frontale, Gjergj Kastrioti kundërshtarin otoman të lodhur me pusi e kurthe, alarme e shqetësime të vazhdueshme, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme dhe e shkatërronte përfundimisht.

Gjergji e kuptoi se për zhvillimin e luftës antiosmane në Shqipëri ishte i shumë nevojshëm edhe bashkëpunimi me forcat e jashtme europiane, të interesuara për t’iu kundërvënë vërshimit barbar islam osman.

Që më 1443-1444 e më tej 1448-1456 Gjergj Kastrioti krijoi lidhje me udhëheqësin hungarez Janosh Huniadin, për të arritur një front të përbashkët në Kosovë, dhe për t’i ndihmuar forcat hungareze që luftonin në Belgrad.  

Ai e zgjeroi bashkëpunimin me sundimtarët e fundit ballkanas, mbretin e Bosnjës, despotët e Sërbisë dhe të Artës, me kryepeshkopin e Ohrit, të cilët qenë në fakt më të interesuar të përfitonin nga lufta që zhvillohej në Shqipëri.  

E rëndësishme gjatë kësaj kohe ishte edhe zgjerimi i bashkëpunimit me shtetet perëndimore më të afërta Republikën e Venedikut, Mbretërinë e Napolit, papatin e Romës, duke llogaritur se ishte vetë interesi i këtyre shteteve që të ndihmonin aktivisht, materialisht e ushtarakisht luftën në Shqipëri për të siguruar krahët nga sulmet osmane prej Ballkanit.  

Titulli Atleti i Krishtërimit, që iu dha udhëheqësit shqiptar prej papa Nikollës V, u konfirmua më vonë nga pasardhësit e tij Kalisti III, Pius II dhe Pali II.   Kështu papa Kalisti III, e vlerëson shumë figurën e heroit tonë, kur shkruan: “Gjergj Kastrioti ishte si një digë e patundur. Ai ndaloi vërshimet e furishme të baticës islame otomane dhe i vuri fre shpërthimit të saj mbi Europën kristiane.”  Sot, në botë emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e mbajnë sheshe të shumta në kryeqytetet më të rëndësishëm të botës, duke filluar në Tiranë, Shkodër, Prishtinë, Zyrihu, Paris, Romë, Chicago, Shkup, etj. Buste dhe shtatore të Gjergj Kastriotit ndodhen në Londër, Spanjë, Buones Aires, Detroit, New York, Milano, Kalabri, Kanada, Kosovë, Tiranë.  

Varri i tij, që ndodhej në kishën e shën Nikollës në Lezhë, u dhunua nga pushtuesit dhe eshtrat u morën si hajmali nga ushtarët turq.  Dy herë, papa Piu II, kërkoi të vinte në Shqipëri, me qëllim kurorëzimin si mbret të Gjergj Kastriotit.

Figura e Skënderbeut bëhet një nga temat qendrore të arteve figurative shqiptare, qysh nga epoka e Rilindjes Kombëtare. Nga plejada e piktorëve që punuan mbi bazë modelesh, më tej shkoi Spiro Xega, autor i një cikli romantik-heroik prej më se tetë veprash. Edhe ikonografi V. Zengo e ka pikturuar Skënderbeun në një kompozim (1937) sipas një gravure evropiane.

Për figurën e Gjergj Kastriotit në Letërsinë botërore

Krijimet e para kushtuar Skënderbeut janë dy vjersha latinisht prej autorësh italianë, miq të M. Barletit, i cili i vuri në krye të botimit të parë të veprës së tij për heroin.

Këto u pasuan në shek. XVI nga një radhë krijimesh poetike, ndër të cilat më të njohura janë sonetat e poetëve të Rilindjes, si francezi P. Ronsar (1576), që ngre lart bëmat e Skënderbeut dhe anglezi E. Spenser (1596), i cili e krahason Skënderbeun me njerëzit e mëdhenj të lashtësisë. Në prozën artistike të kësaj kohe Skënderbeu u shfaq në romanin -Tmerri i turqve – (1548) i italianit Antonio Posenti.

Kujtimi i luftërave heroike të Skënderbeut vijoi të gjente jehonë në veprat letrare edhe të shek. XVII. E kësaj kohe është poema – Skënderbeida (botuar në Romë më 1623) e poeteshës së njohur ilaliane Margerita Sarroki, që e vizatoi Skënderbeun si hero të vërtetë dhe kalorës fisnik.

Cilësitë morale të Skënderbeut si luftëtar i pamposhtur i lartësuan në veprat e tyre edhe: gjermani Jakob Kokert (Kengë mburrëse, 1643) dhe francezi Zhan Bysier (poema – Skënderbeu – 1658).   Autori i njohur anglez K. Marlou shkroi veprën – Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit. Rrugën e tij e ndoqën edhe dramaturgë të shumtë nga disa vende të Evropës, si Spanja, Italia, Franca, Suedia, Polonia, Greqia etj.

U hartuan një varg dramash, tragjedish dhe librete për opera dhe balete. Shkrimtari i madh spanjoll Lopes de Vega shkroi veprën Princi Skënderbeg, që i takon llojit të komedive të famshme. Për personazhin e tij janë shkruar në të gjithë botën mbi 600 libra, mes tyre romane, libra historikë dhe tregime, madje edhe legjenda, duke e ngritur në piedestal figurën e Heroit Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit. 

Të huajt për Gjergj Kastriotin

Shumë autorë e kanë parë figurën e Gjergj Kastriotit si një hero, strateg dhe vizionar të madh dhe të papërsëritshëm.

“Heroi ma i madh i të gjitha kohërave, për veprat faktike që ka bërë.” – Julius Pisko, 1894.

Napoleoni I, në kujtimet e tij të treguara në Sh. Helenë, heroin tonë e vë në radhën e katër gjeneralëve më të mëdhenj të botës (Memoiren Napoleons, herausgegeben von F.M. Kircheisen).

“Gjergj Kastrioti… ua kalon të gjithë strategëve të vjetër e modernë, në udhëheqjen e një ushtrie të vogël mbrojtëse.“ – J. Wolfe.

“Gjergj Kastrioti ishte një ndër gjeneralët më të mëdhenj, që kishte jetuar ndonjëherë.“ – Ludwig Holberg, 1739.  

“Gjergj Kastrioti kishte aftësi të rralla, i shpejtë dhe i qartë me intelekt të rrallë, i fuqishëm dhe me një guxim të pathyeshëm, prandaj ai me forcat e tij prej trimi ndali furinë e Perandorisë Osmane.” – Alberto Guglielmotti, 1871.

James Wolfe, heroi i Quebekut, në një letër të tij thotë midis tjerash se “Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të vjetër dhe modernë, në prija ushtrishtë të vogla.

Ndërsa filosofi i madh freng, Voltaire, shpreh mendimin se sikur Perandorët bizantinë të kishin qenë si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes mund të kishte shpëtuar.

*Mbajte me 6 Maj 2018 ne Akademine Perkujtimore organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare Zoja e Shkodres dhe Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA me rastin e 613 vetorit te Lindjes se Heroit Kombetar Gjergj Kastrioti Skenderbeu.

Filed Under: Opinion Tagged With: 613 vjetori i Lindjes, Gjergj Kastrioti, Prof. Gjon Frani Ivezaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 431
  • 432
  • 433
  • 434
  • 435
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT