• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Roli i Shqipërisë për sigurinë dhe stabilitetin në rajon

December 17, 2016 by dgreca

1-enver-bytyciNga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi/Shqipëria në të kaluarën është konsideruar si “shesh beteje” i përplasjeve Lindje-Perendim. Dhe nëse shohim mbrapa në historinë tonë, ky përcaktim është afërsisht i saktë. Pozicioni gjeografik yni ka bërë që të jemi një territor i përplasjeve të mëdha e të vogla gjeopolitike të Fuqive të Mëdha, ose më saktë i shteteve të rajonit, pas të cilave kanë qëndruar e qëndrojnë gjithnjë Fuqitë e Mëdha.

Por bombardimet e NATO-s kundër Serbisë më 1999, vizita e Presidentit Anerikan, George Bush, në Shqipëri në qershor 2007, shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe anëtarësimi në NATO i Shqipërisë në vitin 2009 krijuan kushtet themelore që vendi ynë, si dhe Kosova, të ndjehen të sigurt dhe të konturojnë interesat e tyre në raport me interesat e Perendimit, duke u shndërruar për herë të parë në histori në një rajon gjeografik pa ndeshjen e demave të mëdhenj në territorin tonë. Praktikisht ka ndodhur një përmbysje, krahasuar me shekujt e kaluar të historisë, sidomos me dy shekujt e fundit XIX e XX. Në kuptimin klasik të fjalës, Shqipëria nuk konsiderohet më si vend “As Lindje, as Perendim”, pozicion ky aq i lakmuar nga diktatura komuniste para vitit 1991. Ka vite që nuk përballemi gjithashtu me një koncept tjetër të dëmshëm dhe të rrezikshëm për kombin shqiptar. Eshtë fjala për slloganin “Ballani ballkanasve”, koncept, të cilit i ishte bashkëngjitur jo vetëm një pjesë e opinionit politik, por edhe qeverisja gjatë një periudhe të gjatë kohe.

Përdorimi i këtij termi ishte shpikje e fqinjëve tanë, serbëve dhe grekëve, dhe shkonte në rezonancë me mashtrimin e madh që iu bë shqiptarëve në periudhën e rënies së Perandorisë Osmane, kur territoret shqiptare u pushtuan dhunshëm në Luftrat Ballkanike nga ana e Serbisë dhe e Greqisë, duke shkaktuar mbi 25 mijë viktima të masakruar e të pushkatuar. Që aso kohe funksionoi ky lloj mashtrimi, që shqiptarët të besonin në fabulën e “Ballkanit, ballkanasve” e të mos shihnin qëllimin e fqinjëve për asgjësimin e tyre. Më e pakta pas Luftës së Dytë Botërore nocioni “Ballkani ballkanasve” synoi që të ruante statukuonë në gadishullin tonë dhe Shqipëria e territoret shqiptare të vijonin të mbeteshin peng dhe viktimë e politikës së përplasjes së vazhdueshme midis Rusisë dhe Fuqive të Mëdha Europiane.

Në kushtet e sotme, sa i përket rrezikut të cënimit të territorit, vetëm një çeshtje mbetet ende pezull, çeshtja e Mitrovicës së Veriut, territor në të cilin këto kohët e fundit ka nisur të ndërtohet nga ana e serbëve një mur ndarës. Veriu i Mitrovicës është pjesë integrale e territorit të shtetit të Kosovës, por që kur NATO vendosi trupat e KFOR-it në qershor 1999 ka ekzistuar një ndarje faktike e kësaj pjese midis serbëve dhe shqiptarëve. Sa kohë që nuk do të zgjidhet politikisht çeshtja e ushtrimit të sovranitetit shtetëror të Institucioneve të Kosovës edhe në Mitrovicën e Veriut, aq kohë Serbia dhe serbët e Kosovës do të kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Pas saj ka qëndruar e qëndron Rusia, e cila shfrytëzon çdo mundësi për të intervenuar në rajonin tonë.

Por le të kthehemi te Shqipëria. Nga pikëpamja e sigurisë territoriale për shkak të qenit anëtar i NATO-s ne ndjehemi të sigurt. Megjithatë diskursi politik dhe grindjet e vazhdueshme me vendin tonë fqinjë, Greqinë, si dhe moszgjidhja e konfliktit midis Kosovës e Serbisë krijojnë një lloj përceptimi se territori ynë në Jug të vendit, si dhe ai në very të Mitrovicës janë ende i rrezikuara. Teorikisht duhet marrë në konsideratë një kërcënim i tillë, sa kohë që Athina mban në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë, ligj të cilin e ka abroguar ndaj Italisë, si vend agresor dhe e ruan ende ndaj Shqipërisë, nga territori i së cilës Italia sulmoi Greqinë në vitin 1941 dhe sa kohë që Serbia nuk do të njohë shtetin e Kosovës. Ligji grek i luftës, edhe pse me Greqinë Shqipëria ka nënshkruar një Traktat Miqësie, Paqeje dhe Bashkëpunimi, mund të rikthehet si kazus në rrethana të caktuara për ndonjë aventurë kundër territorit të vendit tonë në Jug të Shqipërisë. Kjo mundësi bëhet më e rrezikshme po të kemi parasysh përpjekjet e Athinës për të imponuar një hartë të minoritetit grek të zgjeruar e të pasaktë, në funksion të ambicjeve të saj territoriale nën formulën e njohur tashmë të “Vorioepirit”, por edhe flirtet e saj me Moskën.

Por mund të theksojmë dy aspekte të çeshtjeve të sigurisë sonë shtetërore e nacionale:

Së pari, rrezik aktual në vendin tonë dhe në hapësirën shqiptare ballkanike është ekstremizmi dhe terrorizmi, para së gjithash ekstremizmi fetar islamik dhe bashkëpunimi me organizatat terroriste të ISIS e të tjera si kjo. Përhapja e këtij rreziku nga Siria dhe rajoni i Lindjes së Mesme në vendet europiane është një sinjal domethënës për vendin tonë dhe rajonin. Kjo luftë është një sfidë, një sfidë për shtetin dhe për shoqërinë shqiptare, përballimi i së cilës na bën të ndjehemi të sigurt ose në të kundërtën të ndjehemi të kërcënuar. Ndjeshmëritë në përgjithësi përkojnë me realitetin.

Eshtë fakt se qindra shqiptarë, nga Shqipëria, Kosova, e Maqedonia janë bërë pjesë e organizatës terroriste të ISIS. Nga Shqipëria rreth 200 persona dhe nga Kosova mbi 300, pa përmendur dhjetra shqiptarë të Maqedonisë. Jemi dëshmitarë të faktit se në disa xhami si në Shqipëri, por në në Kosovë e Maqedoni predikohet islami radikal, i cili nuk ka lidhje me islamin real të përshkruar e të dhënë në librin e shenjtë të Kuranit. Islami radikal është një fenomen i ri për shqiptarët i importuar tri çerekshekkullin e fundit pas rënies së totalitarizmit komunist dhe shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Përvoja na mëson se islami radikal në trojet shqiptare nxitet nga vendet e besimit musliman si Arabia Saudite apo Egjypti, ku gjallojnë shkollat radikale të tij. Por ky lloj ekstremizmi është gjithashtu interes I Serbisë deh Rusisë, të cilat investojnë në krijimin e një klime destabiliteti në rajon e tek ne. Një shqiptar i implikuar në organizatën ISIS dhe i ndaluar nga policia rezultoi të kishte pasaportë ruse. Por ne e dijmë tashmë nga e kaluara e hidhur e marrëdhënieve tona me Serbinë, se shteti serb investon shumë që shqiptarët të angazhohen në grupet terroriste, sidomos në ato që kanë karakter fetar islamik, me qëllim që të provojë para opinionit publik perendimor se “Shqiptarët janë ekstremistët e Ballkanit”, ndërkohë serbët qenkan “aleatët e Perendimit”. Kjo praktikë e nxitjes dhe investimit të jashtëzakonshëm për damkosjen e shqiptarëve është aplikuar që në shekullin e 19-të dhe kush mendon se Beogradi ka hequr sot dorë nga të tilla praktike dhe aventura, besoj se është naiv.

Pra, mobilizimi i dhjetra shqiptarëve për pjesmarrje në grupet islamike terroriste është pasojë e një ndikimit të qarqeve islamike si dhe përpjekjeve antishqiptare të shpallura publikisht në dokumente e memorandum, si ai I Çubrilloviçit I marsit të vitit 1927. Por ndikim të madh këto vitet e fundit po ushtron politika islamike e presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili kujdeset me shumë zell për përhapjen e modelit të tij islamik, të përshtatshëm për një qeverisje autoritare. Megjithatë duhet thënë se përgjegjësia kryesore për ruajtjen e stabilitetit është e institucioneve të shtetit shqiptar e atij të Kosovës. Ato janë përgjegjëse për gjithçka që ndodh në dëm ose në të mirë të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në vendet tona.

Shqiptarët kanë për obligim të rrisin përpjekjet për prosperitetin ekonomik e rritjen e të ardhurave, për luftën kundër papunësisë dhe varfërisë, kundër korrupsionit dhe trafiqeve, kundër kriminaliteti dhe krimit të organizuar, kundër tregëtisë së lëndëve narkotike si dhe për rritjen e cilësisë së jetës së njerëzve. Sa kohë që ne renditemi të fundit në rajon për shumicën e këtyre treguesve, aq kohë njerëzit do të joshen nga paratë e pista të organizatave terroriste dhe shërbimeve të vendeve fqinjë për t’u angazhuar në akte terroriste. Nëse shteti dhe shoqëria jonë nuk e vlerësojnë seriozisht rrezikun real të shtetit islamik, atëherë mund të shohim që të ketë viktima të terrorit edhe në Shqipëri, ashtu si në Francë dhe vende të tjera. Në Shqipëri dhe në Kosovë janë hartuar ligje që dënojnë bashkëpunimin me organizatat terroriste, janë arrestuar dhe dënuar grupe të caktuara që bashkëpunojnë me terrozmin ndërkombëtar. Por kjo është e pamjaftueshme. Një pjesë e madhe e të angazhuarve në këto organizata janë mashtruar e me siguri do të donin kthimin e riintegrimin në vendin e tyre. Eshtë detyrë e shtetit dhe e shoqërisë që të krijojë kushtet e mundësitë për këtë.

Së dyti, në kushtet e sotme po shfaqet në horizont ankthi i ndikimit gjeopolitik të Rusisë kryesisht në rajon, por edhe në Shqipëri, në Maqedoni, pse jo edhe në Kosovë, sidomos tek serbët e Kosovës. Rusia po rikthehet në rajonin tonë përmes një veprimtarie hibrid, duke nxitur aplikimin e modelit autoritar rus në zgjedhjet elektorale dhe duke ndërhyrë direkt në këto zgjedhje. Duke nxitur e shfrytëzuar krimin, lidhjet e politikës me krimin dhe shtimin e korrupsionit, si faktorë që ndikojnë në destabilizimin e vendeve të rajonit. Duke ushtruar presion për pjesmarrje në investimet e shumta në energjitikë në rajon, për të kontrolluar territorin tonë. Dukë ushtruar presion dhe duke i korruptuar politikanët me qëllim që të mbajë ndezur vatrat e tensionit në Bosnjë-Hercegovinë përmes Republikës Srpska dhe në Kosovë, përmes serbëve që jetojnë aty. Duke nxit konfliktin politik dhe mbajtur peng reformat demokratizuese në vendet tona.

Ajo që ndodhi kohët e fundit në veri të Ibrit në Mitrovicë, pra ngritja e murit midis shqiptarëve e serbëve, me qëllim ndarjen e territorit, ka në prapavijë ndikimin e Moskës. Ndërkaq në fillim të nëntorit, kur në Mal të Zi u bënë zgjedhjet parlamentare, autoritetet malazeze arrestuan një numër të madh njerëzish të implikuar për akte terroriste, me qëllim që të vinte në pushtet opozita proserbe e proruse e Malit të Zi dhe vendi të mos pranohej në NATO. Grupi terrorist që besohet se kishte qëllim likuidimin e ish-kryeministrit properendimor, Milo Gjukanoviç, përbëhej kryesisht nga pjestarë të etnisë serbe dhe kishte qendrën e stërvitjes në Serbi me instruktorë rusë.

Rusia po përdor disa mundësi për të rritur ndikimin, influencën dhe për të diktuar politikat e saj në Ballkan. Përpjekjet e saj kryesore lidhen me evitimin e mundësisë së pranimit në NATO të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës. Në Serbi ka ngritur kampe të stërvitjes së elitave proruse. Ndërkaq ka studime dhe informacione të besueshme se Moska përdor financimin në kanale të zeza të fushatave elektorale, me qëllim që të sjellë në pushtet partitë politike dhe politikanët prorusë në rajon. Akoma më të komplikuar e bën situatën fakti që qeveria greke e ekstremit të majtë të kryesuar nga Tcipras ka një orientim të hapur prorus. Eshtë lajmëruar se në pranverën e ardhshme do të nënshkruhet një marrëveshje për ngritjen e një baze ushtarake detare ruse në detin Egje, nga e cila Greqia do të përfitojë 30 miliard dollarë amerikanë. Greqia dhe Serbia kanë sfiduar sanksionet e Bashkimit Europian ndaj Rusisë, të vendosura për shkak të agresionit të Kremlinit në Ukrainë dhe aneksimit të gadishullit të Krimesë. Por edhe Turqia, në kontrast me interesat e saj strategjike, kohët e fundit është orientuar në një aleancë të ngushtë me Moskën.

Një Rusi e angazhuar fort në Europën Lindore dhe Juglindore kërcënon paqen dhe sigurinë europiane. Por kërcënon gjithashtu stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë dhe të shqiptarëve në rajon. Rikthimi i Rusisë në rajonin tonë është një goditje e rëndë e sistemit të sigurisë, të cilin ne kemi mundur ta implementojmë përmes pranimit në NATO. Ndërhyrja ruse në rajon dhe në Shqipëri e bën akoma më të vështirë rrugën e transformimit demokratik të vendit tonë. Nga pikëpamja e modelit qeverisës shumë politikanë në vendin tonë e në vende të tjera të rajonit do të preferonin modelin e Vladimir Putin, ose të Rexhep Erdogan, sepse kështu do të mund të ruanin pozitën e tyre në pushtet dhe privilegjet që kanë sajuar për veten e tyre gjatë qeverisjes së dy dekadave të fundit. Prandaj dhe rrezikshmëria e fuqizimit të Rusisë dhe shtrirjes së ndikimit të saj në rajonin tonë është e lartë. Rreziku rus në Ballkan, në Shqipëri dhe te shqiptarët është rrezik më i madh sesa ekstremizmi fetar, i cili mund të identifikohet më lehtë e për pasojë të luftohet gjithashtu më lehtë. Ndërsa interferencat ruse në politikat e qeverisjes e të zhvillimit është vështirë të identifikohen e të luftohen. Ato kamuflohen me sa e sa steriotipe, të cilat fshehin gatishmërinë për t’iu kundërvënë këtij rreziku.

Interesi jetik i Shqipërisë dhe shqiptarëve është orientimi euro-atlantik dhe inegrimi në Bashkimin Europian. Ky interes reflektohet edhe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi ku shqiptarët kanë mundësi të bëjnë presion për realizimin e këtyre interesave. Shqipëria dhe shqiptarët në Ballkan janë aleatët më të besueshëm të Perendimit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s. Kjo i jep mundësinë dy shteteve shqiptareqë të promovojnë një qeverisje demokratike liberale, me qëllim që krahas me qeverisjen e mirë të shtohet bashkëpunimi me strukturat euroatlantike si dhe të forcohet pozicioni ynë në rajon.

Në kushtet kur vendet e tjera të rajonit po devijojnë ku më shumë e ku më pak nga orientimi perendimor e po bien gjithnjë e më shumë në ndikimin rus, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët kanë mundësi që të pozicionohen më mirë dhe të rritin kredencialet në aleancë perendimore. Më së pari do të ishte e domosdoshme përmirësimi i imazhit përmes një qeverisjeje liberale e funksionale demokratike. Por ka dhe mundësi të tjera. Shqipëria mund t’i ofrojë NATO-s një bazë ushtarake psh Gjadrin në Lezhë. Prej këtu avionët e NATO-s mund të operojnë në misione paqeje deri në Lindjen e Mesme. Një bazë ushtarake e NATO-s në Shqipëri do të rritë garancitë për sigurinë e vendit dhe do të bëjë që vendi ynë të shkëputet përfundimisht jo vetëm nga ndikimi, por edhe nga provokimet ruse.

Kampi Bondsteel është baza kryesore e ushtrisë amerikane në Kosovë. I shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 40 hektarë, kampi Bondsteel është mikpritës i Grupit Shumkombësh të Betejave nga vendet e NATO-s. Bondsteel mund të shndërrohet në një qendër tranziti për trupa dhe pajisje. Ai gjithashtu mund të jetë një bartës i forcës së reagimit të shpejtë për emergjencat në Baltik dhe Detin e Zi, thotë David Philips, ish-këshilltar për çeshtjet europiane në departamentin e Shtetit Amerikan. Sipas Philips, “në qoftë se SHBA-ja është në kërkim të partnerëve në një botë gjithnjë e më komplekse, ajo mund të mbështetet te shqiptarët. Presidenti i zgjedhur, Donald J. Trump, e di vlerën e një portofoli të larmishëm. Shqipëria dhe Kosova janë asete të domosdoshme. Shqiptarët janë miq të besueshëm”.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe stabilitetin, NË RAJON, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, Roli i Shqipërisë për sigurinë

2016- Viti i kanabisit: Varfëria josh shqiptarët për drogën

December 17, 2016 by dgreca

Viti 2016 u përmbyt me lajme për shkatërrrim të parcelave të kanabisit apo gjetjen e drogës. Sa më shumë shkatërrohej, aq më shumë mbillej. Disa e shohin madje si mundësi punësimi.Po e humb Shqipëria luftën me drogën?

1-droga-shqipNe Foto: Rreshen, ish pularia kthehet ne magazine droge/

Një rrugë e pashtruar, ende e mbushur me pellgje nga shiu i fundit të çon drejt ca barakave në afërsi të qytetit Rrëshen. Po bie muzgu. Errësira është mbuloja e duhur që ish-punëtoret e kanabisit të flasin. Ato duket se ende kanë frikë, pas aksionit të fundit policor të para pak javëve, kur policia me një aksion të befasishëm e paralizoi të ashtuquajturin laboratorin e drogës në afërsi të qytetit Rrëshen. 4,2 tonë drogë pastrohej, thahej dhe paketohej në pularinë e dikurshme, fare pak kilometra larg qendrës së qytetit Rrëshen.

Mira und Rita (emrat e ndryshuar) ishin të papuna, para se të fillonin punën tek kjo magazinë për pak më shumë se 10 euro në ditë. „Më besoni ose jo, ne e bëmë për bukën e gojës për fëmijët”, ankohet Mira, një grua rreth të 50-ve me flokë të prera shumë shkurt. Ajo është e zemëruar: Për ata atje lart, që nuk e çajnë kokën për të varfrit, për policët, „që fitojnë më shumë se ne”, për bosët e drogës. „Na u tha që ishte sherebelë”, betohet ajo, duke shtuar se nuk e dinte, që po thante kanabis.

Të punësohesh në industrinë e kanabisit?

Ndërsa Rita një bjonde e re, rrëfen se ishte gëzuar shumë fillimisht që kishte gjetur më në fund punë. Ajo përkëdhel vajzën 5-vjeçare. „Nuk dija gjë, të betohem, deri sa pashë policinë brenda”, shton ajo. Mund të kesh ndoshta dyshime për atë, se këto dy gra nuk dinin gjë se punonin në një magazinë kanabisi, por jo për gëzimin për punën e gjetur. Mjafton një vështrim në shtëpinë e tyre për ta kuptuar këtë: Brenda çatia pikon, ngrohje nuk ka, jashtë radhiten kapulët me plehra.

Albanien Cannabisanbau (DW/L. Arapi)Varfëria nxit të papunët të punojnë në magazina kanabisi/

Megjithë premtimet patetike, qeveria shqiptare nuk i ka dalë të zbusë varfërinë e shtresave të thjeshta në Shqipëri në këto vite. Papunësia është e lartë, ndërsa ndihma ekonomike për familjet në nevojë shumë e ulët: 75 Euro për familje në muaj. A është kjo një ndër arsyet pse fermerë në vështirësi dhe të papunë vendosin të kthehen në kultivues të kanabisit?

Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha shikon tek përhapja e mbjelljes së kanabisit ndër të tjera edhe një problem social. „E vërteta është se mijëra shqiptarë nuk kanë alternativë tjetër, sepse mungojnë masat ekonomike dhe sociale të qeverisë, sidomos për zonat rurale. Njerëzit janë para alternativës, bukë për fëmijët ose drogën. Për fat të keq, shumë kanë zgjedhur alternativën e dytë.”

Më shumë se 2,5 milionë rrënjë të shkatërruara në 2016-n

Duket një pazar i lehtë për bosët e drogës të gjejnë punëtorë për tharje, paketim apo për mbjelljen e kanabisit. Në magazinën e drogës pranë Rrëshenit punonin të ardhur edhe nga qytete të tjera. Sipas burimeve të Deutsche Welles, nëse një kultivues kanabisi arrin ta shpëtojë parcelën nga kontrollet e policisë, e shet kilogramin për rreth 200 Euro. Në Europë pastaj çmimet rriten. Shpesh droga mbillet në zona malore, disa kultivues madje kanë zhvilluar sisteme ujitjeje, e i ruajnë parcelat me armë.

Berlin, Bundestag Lulzim Basha (DW/Auron Dodi)Kreu i PD-së, Lulzim Basha

Droga nuk është një fenomen i ri. Edhe më parë, Shqipëria njihte Lazaratin, apo zonën e Malësisë së Shkodrës si zona ku mbillej drogë, por viti 2016 mund të quhet viti i kanabisit në Shqipëri për shkak të masivizimit në të gjithë vendin. Sipas Policisë së Shtetit janë shkatërruar më shumë se 2,5 milionë rrënjë, 5204 parcela janë identifikuar me ndihmën e palës italiane. Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Altin Qato, e kundërshton perceptimin se situata ka dalë jashtë kontrollit. „Ky është një numër më i madh se viti i kaluar, kjo ka krijuar një kontekst, sikur situata mund të ketë dalë jashtë kontrollit. Ne e argumentojmë këtë me një organizim më të mirë të policisë për kontrollin e territorit, duke rritur numrin e forcave të policisë, të aktivizuar për të goditur këtë aktivitet, kemi rritur bashkëpunimin me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, sidomos me qeverinë italiane.”

Albanien | Generaldirektor für die öffentliche Sicherheit Altin Qato (Policia e Shtetit)Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Altin Qato

Por opozita e akuzon qeverinë se kanabisi lulëzoi këtë vit edhe për një arsye tjetër. Sipas saj ekziston një aleancë e disa segmenteve shtetërorë me kriminalitetin e organizuar. „Nuk ka shqiptar që të besojë se kjo mund të ndodhte pa implikimin e segmentëve të politikës, policisë. Ka pasur investigime të medias, që tregojnë se si segmente të policisë janë të domosdoshëm për të garantuar kultivimin, e trafikimin e kanabisit e se kjo ndodh me mbështetje e mbrojtje politike nga lart”, thotë kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Hije mbi segmentë të policisë

Gazetari Elvis Nabolli, kryeredaktor i televizonit „Rozafa” në Shkodër, i saponderuar me Çmimin e Ekcelencës për Gazetari Investigative nga platforma BIRN ka hulumtuar gjatë mbi fenomenin e kanabisit në Shëipëri. Sipas të dhënave të tij, mbjellja e kanabisit është një lojë e rrezikshme për fermerët e thjeshtë, por jo për bosët e saj.”Kam pasur biseda me persona të lidhur me këtë industri, duhet të theksohet se kjo industri kontrollohet nga njerëz të fuqishëm, me lidhje të konsiderueshme me përfaqësues të shtetit, duke nisur nga policë të thjeshtë, deri tek shefa që kanë lidhje me hallka në shtet.”

Por drejtori në Policinë e Shtetit, Altin Qato nuk i pranon hijet që hidhen mbi policinë, që sipas tij ka punuar këtë vit më shumë se kurdoherë tjetër. „Kemi hasur edhe raste, kur elementë të veçantë kanë bashkëpunim, por ky nuk është fenomen. Ne nuk e shmangim përgjegjësinë e punonjësve të policisë, ka punonjës të veçantë, të implikuar në këtë aktivitet por ne kundërshtojmë se nuk është si fenomen.”

Elvis Nabolli Journalist (privat)Gazetari investigativ, Elvis Nabolli

Sa raste të identifikuara ka për implikim të policëve? Drejtori Altin Qato thotë për Deutsche Wellen se „për momentin që flasim kemi rreth 40 procedime penale të punonjësve të policisë, 8 prej tyre janë të arrestuar, janë rreth 43 procedime displinore që sipas informacioneve tona, ata nuk kanë vepruar.”

Ndërkohë dimri ka mbërritur edhe në Shqipëri. Kjo do të thotë, se nuk raportohet më për shkatërrim të parcelave të kanabisit, por më shumë për konfiskimin e drogës. „Të vjelat” kërkojnë rrugëdaljen përmes Adriatikut drejt Italisë, e shtigjeve tokësore drejt Malit të Zi e Serbisë për të kaluar pastaj në Europë. Shqipëria po kthehet në një „Kolumbi” të Europës, akuzon opozita. Por lajme të tilla nuk u interesojnë edhe aq shumë dy punëtoreve të kanabisit, Ritës dhe Mirës. Ato duan të sigurojnë bukën e fëmijëve. „Po qe se do të kishim prapë një shans të tillë, ne prapë do të shkonim”, thonë  ato. Në Shqipëri luftohet për mbijetesë.(DW)

Filed Under: Opinion Tagged With: Droga, shqiperia, Varfëria, Viti 2016

Presidenti Obama premton masa ndaj Rusisë për sulmet kibernitike

December 16, 2016 by dgreca

1-obamaPresidenti amerikan Barack Obama është zotuar të marrë masa kundër Rusisë për ndërhyrjen e kësaj të fundit në fushatën e zgjedhjeve presidenciale amerikane. Moska i mohon akuzat për sulme kibernetike kundër Partisë Demokratike dhe një aleati kyç të Hillary Clintonit, e gjithashtu presidenti i zgjedhur Donald Trump i ka cilësuar si qesharake e të motivuara politikisht pretendimet. Por agjencitë e inteligjencës thonë se kanë në duar prova bindëse që vërtetojnë lidhjen e hakerave me Kremlinin. Për herë të parë një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë e përmendi Vladimir Putinin si të përfshirë drejtepërdrejtë në sulme.  Pak orë më vonë presidenti në largim tha: “Mendoj se nuk ka dyshime se kur një qeveri e huaj përpiqet të ndikojë në integritetin e zgjedhjeve tona ne duhet të veprojme, dhe do ta bëjmë”. Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi se, disa nga veprimet që do të ndërmarrin do publikohen, të tjera ndoshta jo. Ende nuk është e qartë se çfarë masash ka ndërmend SHBA, ndërsa Obama pritet të largohet nga detyra në 20 janar, duke ja lënë vendin një udhëheqësi pro Putinit.  Zbulimi i e-maileve vuri në një situtatë aspak të rehatshme Partinë Demokratike në një pikë vendimtare të fushatës elektorale. CIA arriti në përfundimin se motivacioni i Rusisë ishte të devijonte zgjedhjet në favor të republikanit Trump, por deri më tani nuk i ka bërë publike provat. Për manjatin e pasurive të paluajtshme akuzat ishin thjesht përpjekje për të fshehur turpërimin pas humbjeve në zgjedhje. Trump nuk e ka fshehur adhurimin e tij për Putinin dhe emërimi i mikut të vjetër të presidentit rus, Rex Tillerson si sekretar shteti, ka ngritur shqetësime të mëdha.

Filed Under: Opinion Tagged With: Presidenti Obama, Rusia, Sulmet kibernetike

Izolacionizmi dhe kritika e sfumuar gazetareske …

December 14, 2016 by dgreca

Dy gjëra mund të rrezikojnë Amerikën për të rënë në unilateralizëm: Shpëndarja e NATO-s dhe injorimi i botës muslimane./

Alfons-Grishaj1-250x300

NGA ALFONS GRISHAJ/Pas fitores së Donald Trump, analiza e sfumuar “kritike” është shpërndarë si retë pa shi… Le Pen?! Brexit?! (British exit). “Extremizmi” Donald Trump?! Stilistika e gazetarisë tonë nuk njeh “Journal Entry!”, por vetëm modelin e negativit me bojë të kuqe (duke mos hyrë në vlerat e gazetarëve tanë, Mini-Me, të cilët kopjojnë gazetarët e huaj si, Bill O’ Reilli, Sean Hannity ose një tjetër si Anderson Cooper… ). Në këtë batak ranë si gjatë zgjedhjeve edhe pas zgjedhjeve Presidenciale të 2016 shumë gazeta dhe media në perëndim, ku humbën fuqinë e njohjes së informimit, duke e zëvendësuar profesionalizmin me militantizmin grotesk. Urrejtja dhe pasioni e mundën arsyen kritike reale të gazetarisë… Forca e gazetarisë qëndron tek analiza e faktit që dokumenton të vërtetën. Nëse lajmi degradon dhe deformohet në qëllim në vetvete, aty nuk flitet më për profesionalizëm, por për influenca karekteristike të momentit që komandohen nga qëllimi dhe jo nga lajmi… Këtu nuk ka më gazetari, sepse ajo vdes.

Format e informimit janë njohur që në kohën e Romës, kur Senati komunikonte me anën e një pllakate druri të shkruar që vendosej në sheshet qëndrore, në të cilën, qytetarët lexonin me një frymë informacionin e servirur… Kjo mund të quhet sot, “Gazetë Muri”, ashtu si ne, në fillimet e para të demokracisë, të gjitha shkrimet e njerëzve i varnim në një stendë ose i afishonim në xhamat e Selisë së PD-së, ku qindra lexues vërshonin për t’i lexuar. Në shekullin XVI, në Itali, Venecia filloi të paraqiste informacion mujor të shkruar me shkrim dore ku fliste për problemet e ndryshme të kohës. Dekadat e para të shekullit XVII në Francë, Angli, Gjermani dhe Spanjë njihen dhe si fillimi i erës së gazetarisë së shtypur që shpërndahej me rregull.

Janë shkruar me dhjetra volume për gazetarinë që shpjegojnë historinë e saj dhe specifikat ndër rajone të ndryshme. Në Shqipëri kemi pasur gazetari të centralizuar në dorën e PP-së, e cila njihte vetëm një rregull: Gënje, gënje dhe mos thuaj kurrë të vërtetën! Sistemi komunist, duke ndaluar të vërtetën krijoi formatin monstër, e cila besonte në manipulim, duke u bërë vetë një tregues manipulimi. Kjo shkatërroi jo vetëm shtypin, por dhe historinë që u shkrua gjatë 47 viteve, që pothuajse nuk ka prodhuar aspak vlera shkencore, por vetëm mjegull dhe pluhur propagandistik Gebelsian…(Sepse komunizmi dhe nazizmi janë moter e vëlla). Këtë lloj historie do ta quaja me plot gojë: “Histori e Porositur!”

Fatkeqësisht, në kohën e qoftëlargut jemi njohur në botë për dy gjëra:

1.Vendi i parë ateist në botë.

2.Kampion i izolacionizmit në planet.

Pra, kemi pse “krenohemi”, kemi pasur dy vende te para në botë, për medalje anti-njerëzore.
Faleminderit prej Shenjëtores Nënë Tereza, që rikuperoi imazhin nga ateizmi në humanizëm. Dhe prej George W. Bush, që na bëri faktor me pranimin në NATO, duke na shkëputur përfundimisht nga izolacionizmi.

Ndjej dhimbje, kur ende shoh “inteligjencën” tonë të kushtëzuar dhe të lodhur si nga ana intelektuale dhe nga pavarësia e ndërgjegjes.

Shikova një emision të drejtuar nga Ylli Rakipi. Të ftuar ishin katër“burra zakoni” (njëri nga ata, produkt i Sorosi-t), që me zërat e tyre “kritikë” bënin politikë të madhe, për Amerikën dhe presidentin e sapo zgjedhur Trump. Ata nuk e kuptojnë se u ka ikur koha analizave që shoqërohen më tepër me grimasa e gjestikulacione se sa me sens logjik… Për të bërë analizën e një shteti, një subjekti, një dukurie apo një personaliteti, duhet njohje e plotë e të dhënave për të gjykuar dhe nxjerrë konkluzion. Në të kundërtën, paraqitja e varfër intelektuale nuk justifikon programin. Opinioni mund të jetë i lirë, por kur cektësia e gjykimit moleps ambientin nuk e vlen të bëhet publike. Sigurisht, të ftuarit e Rakipit, kanë hapur libra aty-këtu dhe kanë botuar nganjëherë dhe ndonjë gjë të mirë, por nuk disponojnë as të dhënat e duhura as thellësinë e gjykimit, të cilat duhen për të kuptuar ndryshimin mes filozofisë perëndimore dhe hamendësimeve ideologjike të lindjes. Si kopiacë defraktarë, dijet e tyre të cunguara nuk i lejojnë të kuptojnë se izolacionizmi (që e përdorën aq shpesh atë natë) nuk njihet në superfuqitë botërore. Presidenti Theodor Rusvelt, e bëri Amerikën imperialiste e deri më sot, Amerika u fuqizua dhe u bë faktor numër një në botë.

Kontributi ekonomik dhe ushtarak nuk i lejon Amerikës tkurrje, por rishikim dhe reflektim. Muri i Trump, mbase nuk realizohet dhe mbetet metaforë, ashtu siç shprehen disa gazetarë, por dhe nëse bëhet do t’i shërbejë sigurisë nacionale dhe jo izolacionizmit.

Proteksionizmi i paralajmëruar i Presidentit të ri, nuk i prish punë Amerikës, përkundrazi i krijon atmosferën e kthimit të fabrikave që kanë lënë vendin për një përfitim më të madh brenda dhe jashtë kontinentit.Ashtu si në kohën e Theodor Rusvelt dhe Ronald Regan, Amerika kërkon riciklimin e vlerave, të qytetarisë dhe kapitalit. Nëse, Trump, me zgjuarsi e largëpamësi do rindërtojë dhe rifitojë terrenin e humbur nga tregtia e “lirë”, Amerika do jetë në gjendje të rimëkëmbë jo vetëm ekonominë e saj dhe të shlyejë borxhet, por dhe të ndihmojë vendet partnere europiane, ku patentat dhe teknologjitë moderne që u krijuan nga vetë ata, u kopjuan, ose u vollën nga vende komuniste si Kina, Rusia etj. Kina ka kohë që mundohet të lozë rolin e padronit. Shikoni Presidentin e Kines, Xi Jinping. Në çdo takim me presidentë, ai nuk lëvizë nga vendi, presidentët e tjerë ecin per të shkuar tek ai, përfshi Barak Obama, Vladimir Putin etj. kurse ai nuk lëviz, sikur të ishte Perandor planeti. Dikur, Perandori i Kinës, kishte një ushqim që nuk guxonte askush t’a hante përveç atij. Ky ushqim quhej “forbidden food“. Ushqimi i ndaluar nuk kishte lidhje me Biblën e Shenjtë, por me “orizin e zi” që prodhohej enkas për Perandorin e Kinës. Nëse dikush do guxonte ta hante, ai ose ajo do vdiste nga ndënshkimi. Ne, tani e konsumojmë “orizin e zi”. Por, kosumojmë dhe veshim shumë prodhime që bëhen në Kinë. Shpesh ato kanë një shije aspak origjinale, ose prodhimet e tyre shkërmoqen para kohe.

Tani, Dragoni i Verdhë, tallet, kërcënon, biles guxon ta quaj Presidentin Trump: “si fëmi injorant ”. Ata e dinë mirë se ai nuk është i tillë, por i tërbon filozofia proteksioniste e Trump. Ka gjasa që Panda të mbesë pa biberon. Rreziku i “Forbidden Food” do ta zgjojë ekspanisionizmin e Kinës, dhe bota do pendohet për çiliminllëkun e treguar gjatë gjithë këtyre viteve. Rreziku i botës mund të jetë dhe ekstremizmi Islam (Jo Muslimanizmi), dhe rrymat e tjera ekstremiste, por vëmendja duhet me qenë tek Dragoni i Verdhë, i cili një ditë do kafshojë… Gazetaria e botës së qytetëruar duhet t’i kushtojë më vëmendje Kinës, se sa budallallëqeve empirike.

Dy gjëra mund të rrezikojnë Amerikën, për të rënë në unilateralizëm: Shpëndarja e NATO-s dhe injorimi i botës muslimane.

Robert Art, dhe disa të tjerë thonë se, Amerika ka pasur një histori izolacionizmi, nuk qëndron! Babai i Amerikës, Washington, ishte skeptik në marrëdhëniet ndërkombëtare, për arsye se mendonte se Anglia dhe aleatet e saj ishin të interesuar në mënyrë të një anshëme dhe jo në sensin bilateral e multilateral. Në atë kohë Amerika ishte unilaterale. Duke hequr vetë mbi shpinë vujatjet koloniale, porositë e Washingtonit, për të bërë kujdes në mos ndërhyrje në punët e të tjerëve ishin të drejta dhe pragmatiste. Ky nuk ishte Izolacionizëm siç predikojnë disa vogëlushë, por unilateralizëm.

Ka pasur disa vende izolacioniste. Japonia ka qenë një vend i tillë. Gjatë historisë së komunizmit, Shqipëria ka qenë numër një botë. Tani është Koreja e Veriut.
Duke bërë paralelizëm midis Enver Hoxhës dhe Kim Jong-ut, shpresoj se intelektualët shqiptarë, mos të ngatërrojnë më izolacionizmin me unilateralizmin, ose izolaconizmin me kapitalizmin dhe globalizmin!

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, dhe kritika e sfumuar, gazetareske ..., Izolacionizmi

Ambasadori Lu: Balilin e mbron Shteti!

December 14, 2016 by dgreca

Ambasadori Lu:Kanë kaluar 7 muaj që kur policia greke ka arreastuar trafikantët e lidhur me Balilin. Tani janë 10 000 faqe dokumentacion…Agjencitë e SHBA-së i kanë thënë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm ta arrestojnë Balilin. Nëse nuk kapet Balili, si mund të shkojë pas peshqve të tjerë të mëdhenj drejtësia shqiptare?/

2-lu

Ambasadori i SHBA, zoti Donald Lu, deklaroi sot se, mosarrestimi i Klement Balilit është një “dështim i policisë dhe sistemit të drejtësisë” në Shqipëri.“Politikanët i kanë kushtuar vëmendje interesave të kriminelëve dhe biznesmenëve të korruptuar. Ndryshe, si mund të shpjegohet që Klement Balili është ende i lirë? Ky është dështim i policisë dhe sistemit të drejtësisë”, u shpreh Lu, gjatë analizës vjetore të Avokatit të Popullit. 
“Kanë kaluar 7 muaj që kur policia greke ka arreastuar trafikantët e lidhur me Balilin. Tani janë 10 000 faqe dokumentacion. Agjencitë e SHBA-së i kanë thënë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm ta arrestojnë Balilin. Nëse nuk kapet Balili, si mund të shkojë pas peshqve të tjerë të mëdhenj drejtësia shqiptare? Kush do e besonte se ky është vend serioz në luftën kundër trafikut nëse nuk procedohen peshqit e mëdhenj”, shtoi Donald Lu.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasadori Lu, Balilin e mbron shteti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 522
  • 523
  • 524
  • 525
  • 526
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT