Dy gjëra mund të rrezikojnë Amerikën për të rënë në unilateralizëm: Shpëndarja e NATO-s dhe injorimi i botës muslimane./
NGA ALFONS GRISHAJ/Pas fitores së Donald Trump, analiza e sfumuar “kritike” është shpërndarë si retë pa shi… Le Pen?! Brexit?! (British exit). “Extremizmi” Donald Trump?! Stilistika e gazetarisë tonë nuk njeh “Journal Entry!”, por vetëm modelin e negativit me bojë të kuqe (duke mos hyrë në vlerat e gazetarëve tanë, Mini-Me, të cilët kopjojnë gazetarët e huaj si, Bill O’ Reilli, Sean Hannity ose një tjetër si Anderson Cooper… ). Në këtë batak ranë si gjatë zgjedhjeve edhe pas zgjedhjeve Presidenciale të 2016 shumë gazeta dhe media në perëndim, ku humbën fuqinë e njohjes së informimit, duke e zëvendësuar profesionalizmin me militantizmin grotesk. Urrejtja dhe pasioni e mundën arsyen kritike reale të gazetarisë… Forca e gazetarisë qëndron tek analiza e faktit që dokumenton të vërtetën. Nëse lajmi degradon dhe deformohet në qëllim në vetvete, aty nuk flitet më për profesionalizëm, por për influenca karekteristike të momentit që komandohen nga qëllimi dhe jo nga lajmi… Këtu nuk ka më gazetari, sepse ajo vdes.
Format e informimit janë njohur që në kohën e Romës, kur Senati komunikonte me anën e një pllakate druri të shkruar që vendosej në sheshet qëndrore, në të cilën, qytetarët lexonin me një frymë informacionin e servirur… Kjo mund të quhet sot, “Gazetë Muri”, ashtu si ne, në fillimet e para të demokracisë, të gjitha shkrimet e njerëzve i varnim në një stendë ose i afishonim në xhamat e Selisë së PD-së, ku qindra lexues vërshonin për t’i lexuar. Në shekullin XVI, në Itali, Venecia filloi të paraqiste informacion mujor të shkruar me shkrim dore ku fliste për problemet e ndryshme të kohës. Dekadat e para të shekullit XVII në Francë, Angli, Gjermani dhe Spanjë njihen dhe si fillimi i erës së gazetarisë së shtypur që shpërndahej me rregull.
Janë shkruar me dhjetra volume për gazetarinë që shpjegojnë historinë e saj dhe specifikat ndër rajone të ndryshme. Në Shqipëri kemi pasur gazetari të centralizuar në dorën e PP-së, e cila njihte vetëm një rregull: Gënje, gënje dhe mos thuaj kurrë të vërtetën! Sistemi komunist, duke ndaluar të vërtetën krijoi formatin monstër, e cila besonte në manipulim, duke u bërë vetë një tregues manipulimi. Kjo shkatërroi jo vetëm shtypin, por dhe historinë që u shkrua gjatë 47 viteve, që pothuajse nuk ka prodhuar aspak vlera shkencore, por vetëm mjegull dhe pluhur propagandistik Gebelsian…(Sepse komunizmi dhe nazizmi janë moter e vëlla). Këtë lloj historie do ta quaja me plot gojë: “Histori e Porositur!”
Fatkeqësisht, në kohën e qoftëlargut jemi njohur në botë për dy gjëra:
1.Vendi i parë ateist në botë.
2.Kampion i izolacionizmit në planet.
Pra, kemi pse “krenohemi”, kemi pasur dy vende te para në botë, për medalje anti-njerëzore. Faleminderit prej Shenjëtores Nënë Tereza, që rikuperoi imazhin nga ateizmi në humanizëm. Dhe prej George W. Bush, që na bëri faktor me pranimin në NATO, duke na shkëputur përfundimisht nga izolacionizmi.
Ndjej dhimbje, kur ende shoh “inteligjencën” tonë të kushtëzuar dhe të lodhur si nga ana intelektuale dhe nga pavarësia e ndërgjegjes.
Shikova një emision të drejtuar nga Ylli Rakipi. Të ftuar ishin katër“burra zakoni” (njëri nga ata, produkt i Sorosi-t), që me zërat e tyre “kritikë” bënin politikë të madhe, për Amerikën dhe presidentin e sapo zgjedhur Trump. Ata nuk e kuptojnë se u ka ikur koha analizave që shoqërohen më tepër me grimasa e gjestikulacione se sa me sens logjik… Për të bërë analizën e një shteti, një subjekti, një dukurie apo një personaliteti, duhet njohje e plotë e të dhënave për të gjykuar dhe nxjerrë konkluzion. Në të kundërtën, paraqitja e varfër intelektuale nuk justifikon programin. Opinioni mund të jetë i lirë, por kur cektësia e gjykimit moleps ambientin nuk e vlen të bëhet publike. Sigurisht, të ftuarit e Rakipit, kanë hapur libra aty-këtu dhe kanë botuar nganjëherë dhe ndonjë gjë të mirë, por nuk disponojnë as të dhënat e duhura as thellësinë e gjykimit, të cilat duhen për të kuptuar ndryshimin mes filozofisë perëndimore dhe hamendësimeve ideologjike të lindjes. Si kopiacë defraktarë, dijet e tyre të cunguara nuk i lejojnë të kuptojnë se izolacionizmi (që e përdorën aq shpesh atë natë) nuk njihet në superfuqitë botërore. Presidenti Theodor Rusvelt, e bëri Amerikën imperialiste e deri më sot, Amerika u fuqizua dhe u bë faktor numër një në botë.
Kontributi ekonomik dhe ushtarak nuk i lejon Amerikës tkurrje, por rishikim dhe reflektim. Muri i Trump, mbase nuk realizohet dhe mbetet metaforë, ashtu siç shprehen disa gazetarë, por dhe nëse bëhet do t’i shërbejë sigurisë nacionale dhe jo izolacionizmit.
Proteksionizmi i paralajmëruar i Presidentit të ri, nuk i prish punë Amerikës, përkundrazi i krijon atmosferën e kthimit të fabrikave që kanë lënë vendin për një përfitim më të madh brenda dhe jashtë kontinentit.Ashtu si në kohën e Theodor Rusvelt dhe Ronald Regan, Amerika kërkon riciklimin e vlerave, të qytetarisë dhe kapitalit. Nëse, Trump, me zgjuarsi e largëpamësi do rindërtojë dhe rifitojë terrenin e humbur nga tregtia e “lirë”, Amerika do jetë në gjendje të rimëkëmbë jo vetëm ekonominë e saj dhe të shlyejë borxhet, por dhe të ndihmojë vendet partnere europiane, ku patentat dhe teknologjitë moderne që u krijuan nga vetë ata, u kopjuan, ose u vollën nga vende komuniste si Kina, Rusia etj. Kina ka kohë që mundohet të lozë rolin e padronit. Shikoni Presidentin e Kines, Xi Jinping. Në çdo takim me presidentë, ai nuk lëvizë nga vendi, presidentët e tjerë ecin per të shkuar tek ai, përfshi Barak Obama, Vladimir Putin etj. kurse ai nuk lëviz, sikur të ishte Perandor planeti. Dikur, Perandori i Kinës, kishte një ushqim që nuk guxonte askush t’a hante përveç atij. Ky ushqim quhej “forbidden food“. Ushqimi i ndaluar nuk kishte lidhje me Biblën e Shenjtë, por me “orizin e zi” që prodhohej enkas për Perandorin e Kinës. Nëse dikush do guxonte ta hante, ai ose ajo do vdiste nga ndënshkimi. Ne, tani e konsumojmë “orizin e zi”. Por, kosumojmë dhe veshim shumë prodhime që bëhen në Kinë. Shpesh ato kanë një shije aspak origjinale, ose prodhimet e tyre shkërmoqen para kohe.
Tani, Dragoni i Verdhë, tallet, kërcënon, biles guxon ta quaj Presidentin Trump: “si fëmi injorant ”. Ata e dinë mirë se ai nuk është i tillë, por i tërbon filozofia proteksioniste e Trump. Ka gjasa që Panda të mbesë pa biberon. Rreziku i “Forbidden Food” do ta zgjojë ekspanisionizmin e Kinës, dhe bota do pendohet për çiliminllëkun e treguar gjatë gjithë këtyre viteve. Rreziku i botës mund të jetë dhe ekstremizmi Islam (Jo Muslimanizmi), dhe rrymat e tjera ekstremiste, por vëmendja duhet me qenë tek Dragoni i Verdhë, i cili një ditë do kafshojë… Gazetaria e botës së qytetëruar duhet t’i kushtojë më vëmendje Kinës, se sa budallallëqeve empirike.
Dy gjëra mund të rrezikojnë Amerikën, për të rënë në unilateralizëm: Shpëndarja e NATO-s dhe injorimi i botës muslimane.
Robert Art, dhe disa të tjerë thonë se, Amerika ka pasur një histori izolacionizmi, nuk qëndron! Babai i Amerikës, Washington, ishte skeptik në marrëdhëniet ndërkombëtare, për arsye se mendonte se Anglia dhe aleatet e saj ishin të interesuar në mënyrë të një anshëme dhe jo në sensin bilateral e multilateral. Në atë kohë Amerika ishte unilaterale. Duke hequr vetë mbi shpinë vujatjet koloniale, porositë e Washingtonit, për të bërë kujdes në mos ndërhyrje në punët e të tjerëve ishin të drejta dhe pragmatiste. Ky nuk ishte Izolacionizëm siç predikojnë disa vogëlushë, por unilateralizëm.
Ka pasur disa vende izolacioniste. Japonia ka qenë një vend i tillë. Gjatë historisë së komunizmit, Shqipëria ka qenë numër një botë. Tani është Koreja e Veriut. Duke bërë paralelizëm midis Enver Hoxhës dhe Kim Jong-ut, shpresoj se intelektualët shqiptarë, mos të ngatërrojnë më izolacionizmin me unilateralizmin, ose izolaconizmin me kapitalizmin dhe globalizmin!