• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A EKZISTON APO JO, ÇËSHTJA ÇAME ?!!!

December 5, 2016 by dgreca

*Nuk mund të thuhet që një parti sot, është një parti që shpreh aspiratat kombëtare të shqipëtarëve dhe nuk e ka në program të saj këtë çështje./1-masakra-ndaj-cameve

*Nuk mund të thuhet që një parti sot, është një parti që shpreh aspiratat kombëtare të shqipëtarëve dhe nuk e ka në program të saj Bashkimin e Kombit Shqipëtar, e cila është edhe në preambulën e Kushtetutës./

Nga Petro DANGELLIA/

Sot në politikën shqiptare, por edhe në atë të fqinjëve, po diskutohet, në se ekziton çështja çame, apo jo. Ka që thonë, ekziston. Ka që thonë nuk ekziston. Por me të vërtetë, a ka një çështje çame?!!!

Edhe unë me plot gojën them, se nuk ka një çështje çame. Edhe ti, do të thoni ju, je një nga ata, të shiturit, sahanlëpirësit. Jo, nuk jam, u them unë. Po pse e thua këtë, apo qe t’u mbash iso zogorisë, që në kor nga mëngjezi në darkë, e thonë këtë gjë? Jo u them unë. Po çish ke atëhere? Pse e thua kët? E them, pasi duke e trajtuar në këtë mënyrë, ne e trajtojmë problemin të copezuar, të veçuar, jo në mënyrë të plotë dhe të parë nga të gjitha anët. Pse po e pamë vetëm nga një anë dhe  të lidhur vetëm me çamët, do të përfundojmë që problemin ta lidhim edhe me partitë. Domethënë, që një parti e ka në program çështjen çame, një tjetër nuk e ka. Psh PDIU e ka, se është një parti e çamëve!!!! Ne të tjerët nuk e kemi se nuk jemi parti e çamëve, por e gjithë shqiptarëve. Dhe keshtu jemi në rregull. Pra, del se kjo është një çështje dëshire dhe partitë, duan e vënë në program; duan nuk e vënë. Çështja Çame duhet të jetë në programin e çdo partie shqipëtare, pasi është një çështje shqipëtare dhe jo vetem e çamëve.

Nuk mund të thuhet që një parti sot, është një parti që shpreh aspiratat kombëtare të shqipëtarëve dhe nuk e ka në program të saj këtë çështje.

Nuk mund të thuhet që një parti sot, është një parti që shpreh aspiratat kombëtare të shqipëtarëve dhe nuk e ka në program të saj Bashkimin e Kombit Shqipëtar, e cila është edhe në preambulën e Kushtetutës. Një program partie që nuk reflekton atë që kërkon kushtetuta, çfarë programi mund të jetë, pasi me bashkimin kombëtar vjen prosperiteti, mirëqënia, arësimi dhe zhvillimi i gjithë kombit.

Përjashto këtu partitë e minoritetit grek, që kuptohet nuk duan ta kenë. Por që edhe ato, sikur ta kenë nuk ka gjë të keqe, se i kthen ato në parti progresive dhe demokratike. PBDNJ eshte një parti që deklaron se është për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Po ata që u vranë nga bashkëkombasit e saj para 70 vjetëve, a ishin njerez?!!!

Komuniteti grek në Shqipëri, në pjesën dërmuese të tij nuk ishte pronar në tokën që punonte, në vitin 1940, pasi ajo ishte pronë e shqipëtarëve. Ligji i Reformës Agrare në Shqipëri i bëri ata pronarë në pronat e shqipëtarëve. Ashtu si Ligji i reformës agrare në Greqi beri pronarë grekët në pronat e shqipetarëve te Çamërise. Shiko çfarë përfitimi në të dy anët e kufirit.

Por edhe Ligji famëkeq 7501 i vitit 1991, i bëri ata pronarë të perjetshëm të tokave të shqipëtarëve. Bërtasin politikanët grekë në kupë të qiellit dhe salloneve të Europës për të drejtat e munguara të minoritetit grek në Shqiperi. Ndërkohë që kanë perfituar në mënyrë të padrejtë të drejtën më të madhe dhe më të shenjtë, atë të pronës.

Po u them këtyre grekëve, u ktheni pronat e tyre shqipëtarëve në Greqi dhe në Shqipëri; dhe ne do tua japim me bollëk të gjitha ato që kerkoni ju.

Dhe kur bërtasin grekët andej dhe këndej kufirit, politikanët shqipëtare, të gjithë pa përjashtim, edhe ata që e mbajnë veten për gjela trima, rrinë sklluf dhe nuk ndihen, por nënshtrohen dhe rrinë si pula të lagura para grekëve.

Grekët kërkojnë drejtësi. Siurdhëron zoti grek. Por drejtësia nuk është e njëanëshme, është e dyanëshme. Drejtësia nuk është për njërën palë dhe për tjetrën të jetë padrejtesia. Nëqoftëse shqipëtarët do të vendosnin drejtësi shekullin e kaluar, gjënë më minimale që duhet të bënin, duhet të përzinin në Greqi të ashtuquajturin minoritet grek në Shqipëri; ashtu siç përzunë grekët shqipëtarët e Çamërisë. Atëhere mund të krijohej një balancë; gjithësesi një balancë e keqe. Por i ligu nuk e kupton ligësinë kur ajo bëhet në trupin e tjetrit, duhet t’ia kthesh në trupin e vet, që ta kuptojë.

Kush e mohon çështjen çame? Pergjigja është e qartë, ata që përfituan nga krijimi i saj. Ata që zunë shtepitë dhe pronat e çamëve në Çamëri. Kush janë këta që i zunë këto prona? Çamët i njohin mirë ata dhe avoketerit e tyre andej dhe këndej kufirit, në politiken greke dhe atë shqipëtare, në klerin ortodoks në Greqi dhe në klerin ortodoks në Shqipëri. Ata janë të një soji.

Prandaj unë them, se nuk ka një çështje çame. Por ka një Çështje Shqipëtare të Çamërisë. Ka një çështje mbarëkombëtare. Ka një çështje që lidhet me interesat e të gjithë shqipëtarëve. Pse me interesat e të gjithë shqiptarëve, do të thoni ju? Me të gjithë ju them unë, pasi kjo çështje lidhet eksluzivisht me Ligjin e Luftës që grekët kanë ndaj të gjithë shqipëtarëve. Me këtë ligj, në çdo kohë dhe në çdo moment Greqia mund ta sulmojë Shqiperinë, pa pasur nevojë që t’i shpallë luftë, apo të ketë ndonjë arësye, apo kauzë tjetër. Ligjërisht në bazë të normave ndërkombëtare ne kemi 76 vjet që jemi në luftë me Greqinë.

Shprehjet, jo jemi në NATO bashkë, jo aspirojmë Europën, ku grekët janë futur të parët, etj etj. Janë përralla për budallenjtë dhe hyjnë tek sofizmat greke që përgatiten si gjellë për shqipëtarët e leshtë.

Ironia e këtij problemi qëndron në atë, që çështjen çame nuk e krijuam ne shqiptarët. Atë e krijuan grekët me këtë ligj lufte. Atëhere pse na kërkohet ne shqipëtarëve që ta heqim këtë çështje nga axhenda?!!! Ky problem hiqet vetëm nga ata që e krijuan para 70 vjetësh dhe vetëm nga ata. Le ta heqin. Ne po presim. Si ta heqim ne, do të thonë ata? Shume thjesht, u themi ne.

Këtë çështje e ka prodhuar ky ligj makabër. Mbi bazën e këtij ligji popullsia shqipëtare e Çamërise u shpërngul me dhunë si një pastrim i pastër etnik nëpërmjet një genocidi të egër dhe barbar nga trojet kombëtare.

Po e përsëris zotërinj politikanë, apo çfarë lloji tjetër jeni ju, që e mohoni këtë çështje madhore. Nga trojet kombëtare të të gjithë shqipëtarëve. Mbi bazën e këtij ligji u therrën gra, femijë, burra e pleq si delet në kasaphanë. Ai gjak që u derdh sokakëve të Çamërise ishte gjak shqiptarësh zotërinj. Dhe nuk ka shqipëtar apo grek, që mund ta mohojë këtë gjë, që do të dojë ta mohojë këtë, qoftë ky edhe ndonjë politikan kolltukofag. Kokat e prera dhe zorrët e nxjerra jashtë të shqipëtarëve sokakëve të Çamërise kërkojnë respect dhe nderim si viktima të një barbarije të kohëve moderne. Ato kërkojnë drejtesi.

Na del një ministër i jashtëm grek dhe na tregon se Europa e pas Luftës së Dytë Botërore ka vendosur, që nuk do të ketë ndryshim kufijsh, se probleme të tilla, si ai i Çamërisë ka e gjithë Europa.

Fol mirë zotëri dhe mos bëj lojra fjalësh. Shqipëtarët nuk kanë kërkuar ndryshim kufijsh me Greqinë. Por ajo që është më e rëndësishmja, është se europianët nuk kanë therrur gra dhe fëmijë si në therrtore; siç kanë therrur bashkëkombasit e tu para 70 vjetësh, zoti ministër!!! Këto përralla shitjua  të tjerëve dhe jo ne shqipëtarëve.

Shqipëtarët kërkojnë vetëm drejtësi. Klithmat e fëmijvë dhe grave të therrur barbarisht si  në  kasaphanë, ku sokakët e fshatrave të Çamërisë u mbushën me gjak, sikur të ishte një therrtore; ushtojnë në veshët e çdo shqipëtari si një thirrje për drejtësi. Cinizmi, megalomania dhe harbutëria juaj zotëri nuk kanë asnjë ndryshim nga cinizmi, harbutëria dhe kanibalizmi i bashkëkombasit tënd, drakulës me fytyrë njëriu, Zerva.

Ne, këtu në Shqipëri, nuk mund të flasim pa përgjegjësi dhe të themi, në refren atë që na citojnë suflerët grekë; “… se ne tani shikojmë përpara, shikojmë tek e ardhmja. Nuk shikojmë tek e kaluara e kësaj popullsije, por tek e ardhmja e femijëve dhe e nipërve të atyre, nuk do të shikojmë me pas, 70 vjetë e kusur…”. Jo zotëri gabohesh rëndë. Gjella që ke ngrënë ta ka rënduar stomakun dhe t’i ka çoroditur mendimet. Nuk ka të ardhme pa të kaluar. E ardhmja vjen pasi ka një të kaluar, por pasi ka edhe një të sotme. Ne po flasim për sot zotëri. E ardhmja nuk rregullohet, po nuk u rregullua e sotmja dhe për më tepër, po nuk u rregulluan gabimet e historisë në të kaluarën.

Çibani që nuk nxirret nga trupi, e vdes atë. Plaga e mahisur dhe e mbuluar është e keqja e të zot. Brezat e rinj të shqipëtarëve, që do të jenë në të ardhmen, asnjëherë nuk do të na e falin tradhëtinë e sotme.

Të hedhësh pas krahëve, dhe si pa të keq, genocidin që i është bërë popullsisë shqipëtare të Çamërise. Në rradhë të parë nuk është njerëzore, është mungesë e theksuar humanizmi, është një errësim i arësyes dhe ndërgjegjes njerëzore. Edhe shqiptar sikur të mos ishit, nuk mund ta thoshit këtë. Gjithë brezat njerëzorë sot ndiejnë pikëllim për viktimat e popullsisë hebreje të Europës dhe asaj japoneze të Hiroshimës dhe Nagasakit. Sekretari i shtetit i Amerikës u përkul me nderim tek memoriali i tyre, kur këtë vit shkoi në Japoni. Kreu i shtetit japonez, pas 70 vjetësh kërkoi falje për të vrarët nga Japonia në Luftën e Dytë Botërore në popullsitë aziatike të vëndeve të Lindjes. Ai kërkoi falje për atë që kishin bërë paraardhësit e tij në pushtet në Japoni, ndërkohe që ai vet, nuk kishte vrarë as një mizë. Kjo e nderon atë. Por në të njëjtën kohë është edhe një katarthis për vetë kombin japonez. Është një angazhim që veprime të tilla nuk do të përsëriten më.

Shteti gjerman pas 70 vjetësh, kërkoi një falje të përsërtur ndaj hebrejve të vrarë nga nazizmi, ndërkohë  që shtetin e sotëm gjerman, nuk e lidh asgjë me nazizmin.

Djali i një gjermani, që kishte marrë pjesë në masakrën e Borovës; pas 70 vjetësh erdhi në Shqipëri dhe kërkoi ndjesë për veprën e babait të tij dhe u përkul me nderim tek varret e viktimave që ishin gra, fëmijë, pleq dhe burra të vrarë barbarisht. Por, e theksoj, që u vranë, nuk u therrën.

Por kjo është ndërgjegja njerëzore. Ky është humanizmi europian zoti ministër i jashtëm i Greqisë dhe ju gjithë të tjerët, që i mbani ison. Pra, që të kërkosh falje edhe për atë që nuk e ke bërë vet, por që e ka bërë kombi yt. Ky është një katarthis per vete kombin grek. Është një angazhim që veprime të tilla nuk do të përsëriten më.

Si mund ta heqin grekët nga axhenda Çështjen Çame? Përsëris, shumë thjesht.

-Në rradhë të parë të mbledhin parlamentin dhe ta abrogojnë Ligjin e Luftës me Shqipërinë.

-Në rradhë të dytë të kërkojnë falje dhe ndjesë për barbaritë e paraardhësve të tyre tek popullsia shqiptare e Çamërisë.

-Në rradhë të tretë të njohin genocidin e bandave zerviste kundrejt popullsisë së pafajshme të Çamërisë dhe që nuk ishte pjesëmarrëse në luftë.

-Në rradhë të katërt, të rivendosin statukunë ligjore, politike, pronësore, administrative, përfshirë edhe atë te religjionit dhe t’i kthejnë popullsisë çame dhe pasardhësve të tyre në Shqipëri statusin që kanë patur në Greqi para tetorit të vitit 1940.

-Në rradhë të pestë, perveç kthimit të pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme, që i grabitën popullsisë shqiptare në Çamëri; duhet t’u kthejnë të gjitha përfitimet dhe interesat e rrjedhura dhe të përfituara nga kjo grabitje për 70 vjet shfrytëzim të saj.

E thënë shqip, çamët duhet të kthehen në pronat e tyre, në banesat e tyre, në fshatrat e tyre dhe të jetojnë atje si qytetarë të shtetit grek me të gjitha të drejtat e humbura të rikthyera një per një.

Kështu zoti ministër i jashtëm i shtetit grek zgjidhet kjo çështje. Jo duke bërtitur nëpër Europë, që nuk e njohim dhe nuk ekziston Çështja Çame. Ju mund të mbyllni sytë dhe veshët dhe mund të thoni, që as shikoni dhe as dëgjoni. Por nuk është faji i shqipëtarëve edhe për këtë mungesë Tuajën.

Çështja Çame ekziston dhe duhet të njihet si Genocid i bandave zerviste ndaj popullsisë së pafajshme të Çamerisë, nën hundën e shtetit grek. Genocid, që për më se 70 vjet është fshehur dhe mohuar nga shteti grek. Por ka ardhur koha që ky genocid do të njihet. Ashtu siç duhet të njihet edhe genocidi sërb ndaj popullsisë shqipëtare të Kosovës dhe Luginës së Preshevës. Ashtu siç duhet të njihet genocidi sërb dhe maqedonas ndaj popullsisë shqipëtare nën Maqedoni.

Njohja e tij duhet të futet në axhendën e strukturave të Ministrisë së Jashtëme të Shqipërisë dhe gjithë shtetit shqipëtar, nga presidenti, kryeministri dhe gjithë shtetarët e tjerë.  Për atë duhet trokitur fort në portat e Europës nga të gjithë. Njohja e tij duhet të futet ne axhendën e eurodeputetëve shqipëtare në parlamentin europian. Njohja e tij duhet të futet në axhenden e të gjitha partive politike shqipëtare në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare.

Njohja e genocidit sllav dhe grek ndaj shqipëtareve duhet të njihet nga vete Europa, ashtu siç u njoh genocidi turk ndaj armenëve. Kjo do ta nderonte Europën, por edhe shtete të veçanta të saj si Gjermania, e cila ashtu siç njohu genocidin ndaj armenëve të njohë edhe genocidin ndaj shqipëtarëve.

 

Petro Dangëllia. 15 tetor 2016.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: A egzisto, ceshtja came, Petro Dangellia

ENVER HOXHA SI FIGURE ARTISTIKE NE VEPRA TE REALIZMIT SOCIALIST

December 4, 2016 by dgreca

1-thanas-gjikaNga Thanas L. Gjika/
Në vitet e diktaturës, partia shtet bënte presion të vijueshëm për të popullarizuar e hymnizuar Enver Hoxhën si një burrë të shquar shteti, politikan të madh, luftëtar e strateg të pashok, etj. Këtë presion ajo e bënte përmes artikuj gazetash, këngësh, librash me kujtime veteranësh, filmash dokumentarë, pllakatash, etj. Me porosi ose jo të udhëheqjes së partisë, Enver Hoxha u kthye në figurë artistike për të trumbetuar këto ide edhe në vepra letrare, në piktura, vepra monumentale skulpturore, etj. Të gjitha këto vepra i shërbenin diktaturës për të mashtruar popullin se gjoja udhëheqësi legjendar po e drejtonte vendin dhe popullin nga fitorja në fitore, kur në të vërtetë po ecej drejt një fundi të palavdishëm e të turpshëm. Këtë e dëshmoi kapitullimi i sistemit diktatorial njëpartiak me ekonomi të përqendruar dhe zëvendësimi tij me sistemin pluralidt me ekonomi të tregut të lirë.
Të tilla vepra artistike kishin kryesisht vlera propagandistike dhe shumë pak vlera artistike. Themi se kishin pak ose shumë pak vlera artistike, sepse ato ishin vepra të hartuara sipas metodës së realizmit socialist. Si të tilla autorët e tyre për t’i realizuar ato ishin udhëhequr nga parimi i partishmërisë komuniste, parim i cili kërkonte që pa tjetër vepra t’i shërbente politikës së partisë. Dhe si të tilla ato i shërbenin propagandës politike të partisë shtet, por jo artit të vërtetë. Veshja e tyre me art i bënte ato shumë më të dëmshme se veprat thjesht propagandistike, si ishin artikujt e gazetave, fjalimet e politikanëve, pllakatat, apo filmat dokumentarë.
Veprat me vlera të vërteta edukative artistike i përkasin artit të realizmit, art i cili e pasqyron jetën jo sipas parimeve /interesave të imponuara të kësaj ose asaj parti politike, por sipas parimit të tipizimit duke e pasqyruar jetën në përputhje me të vërtetën historike.
Ta hymnizoje Enver Hoxhën si një burrë të shquar shteti në një potret, si bëri piktori Zef Shoshi më 1974, pa pasur porosi nga familja Hoxha, madje pa e parë asnjëherë nga afër dhe pa e pasur as personin si model, ishte shprehje e frikës që kishte ngjallur ky diktator dhe partia e tij në mendjen e këtij artisti të talentuar. Themi ishte shprehje, ose më mirë pjellë e frikës, sepse në atë vit Zef Shoshi dhe gjithë intelektualët kishin dëgjuar për krimet që kishte urdhëruar Enver Hoxha dhe ishin kryer gjatë viteve 1943-1960 ndaj intelektualëve shqiptarë të formuar në botën Perëndimore, kundër klerit e sidomos atij katolik në vitet 1945-1967, kundër artistëve pjesëmarrës në festivalin e këngës së vitit 1973 dhe kundër disa komunistëve disi liberalë si Fadil Paçrami e Todi Lubonja, etj. Pra portreti i Enver Hoxhës krijuar prej piktorit Shoshi në vitin 1974, ndonëse duket si portret i realizuar bukur, është një vepër me vlera artistike negative propagandistike. Ai portret është krijuar nga halli, nga frika që vlonte në ndërgjegjen e autorit të saj se mos dënohej dhe ai si shumë artistë të tjerë. Vetë Zef Shoshi ka thënë në një intervistë se “ajo vepër është pjellë e kohës…, se ai dhe gjithë vepra e tij i përket kohës kur e ka krijuar”. E pikërisht kjo thënie duhet shpënë deri në fund me sinqeritet e guxim, pra duhet pranuar se në atë kohë klima krijuese ishte një klimë nënshtrimi ndaj rregullave të realizmit socialist e partishmërisë komuniste. Se po të doje në atë kohë të hartoje një portret të Enver Hoxhës nuk mund të bëje ndryshe vetëm se ta hymnizoje atë, pra shkurt duhej të bëheshe vegël e propagandës së partisë. Dhe të pranosh se ke shërbyer si vegël e asaj partie është një akt qytetar i guximshëm, por që nuk mjafton të ndalesh deri aty, por ta shpiesh deri në fund, deri tek dënimi i vetes për dëmin që i ke shkaktuar popullit tënd. 
Sot, kur metoda e realizmit socialist nuk përbën më një metodë krijuese, dhe kur kanë dalë në shesh edhe shumë krime të tjerë të Enver Hoxhës, piktori Zef Shoshi po t’i kthehet hartimit të portretit të Enver Hoxhës nuk mund të hartojë një portret të njëjtë hymnizues për atë person historik. Ai patjetër ka për të hartuar një portret shumë të ndryshëm nga portreti i vitit 1974, sepse tani piktori do të punojë i çliruar prej frikës dhe do të përdorë një kombinim tjetër ngjyrash përmes të cilave do të shprehë jo hymnizim, por kritikë ndaj figurës së këtij diktatori të egër e gjakatar. Portreti i vitit 1974 u krijua me qëllim që të shprehte idenë e gabuar: “ Enver Hoxha është një burrë shteti largpamës, që mendohet thellë para se të marrë vendimet e tij”. Kjo ide binte dhe bie ndesh me të vërtetën historike, sepse e vërteta historike tregoi se me luftën e tejskajshme të klasave, me izolimin e tepruar të Shqipërisë, me varfërimin e jetës së popullit, Enver Hoxha nuk ishte aspak një burrë shteti largpamës, që mendonte thellë para se të merrte vendimet. Pikërisht kjo na bën që portretin e Enver Hoxhës të vitit 1974, që u vlerësua me çmime në atë kohë si portret i bukur, do të mbetet thjesht si një vepër me vlera edukative negative si vepër e propagandës komuniste. Ajo u realizuar në kohën e mungesës së lirisë krijuese, e nxitur prej frikës dhe autocensurës së autorit dhe jo prej kërkesave të brendshme të një artisti të lirë. Në atë kohë ajo u pëlqye prej ish komunistëve dhe masave të gjera të droguara nga propaganda e partisë, kurse sot ajo mund të pëlqehet vetëm prej disa ish komunistëve që nuk u ka dalë ende droga komuniste, si dhe prej atyre personave të cilët i patën lyer duart me gjak dhe nuk duan të pranojnë krimet e tyre, duke u justifikuar se ai rregjim ishte përparimtar dhe ata kryenin detyrën ndaj partisë e komandantit. Ai portret dhe simotrat e tij e kanë vendin në skutat e studiove të autorëve të tyre, ose në bodrumet e Galerisë së Arteve. Ato nuk duhet të riprodhohen dhe nuk duhet të ribotohen në organe shtypi a në media. Riprodhimi e ribotimi i tyre në ditët tona ka pa tjetër një qëllim keqdashës ndaj ecurisë së mendësisë së popullit tonë drej Europës demokratike. Kurse mosdënimi i tyre prej vetë autorëve tregon se autorët nuk janë ndërgjegjësuar për krimin që kanë kryer dhe nuk duan të kuptojnë rëndësinë e katarsës që duhet të kryejnë si artistë shërbëtorë të propagandës vrastare të diktaturës komuniste. 
Të njëjtët vlerësime mund të shprehim edhe për veprat monumentale që krijuan skulptorët Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami, Sali Shijaku e Shaban Hadëri për figurën e Enver Hoxhës si udhëheqës i shquar i partisë, pas vdekjes së tij. Këto vepra kanë pasur kryesisht vlera propagandistike dhe pak vlera artistike të mirëfillta, sepse duke u krijuar me porosi nga lart në kushte të mungesës së lirisë, ato, ashtu si dhe potretet e diktatorit, shprehën ide të gabuara në kundërshtim me të vërtetën historike për vlerat e vërteta të Enver Hoxhës si shtetar e politikan. Po të rikrijonin po ata piktorë e skulptorë portrete e monumente të rinj për të njëjtin person historik pasi u shkërmoq diktatura, kur u njohën më mirë krimet e atij sundimtari, asnjëri prej tyre nuk do të krijonte më portrete ose monumente të ngjashëm me ato që kishin krijuar në vitet e diktaturës. Enver Hoxha do të jepej dhe me të metat e karakterit të tij si person dhe si shtetar, sepse të krijosh sot në kushte lirie një portret ose një monument hymnizues për një diktator si ai, do të thotë të jesh një artist qesharak e regresiv.
Ndryshe qëndron puna me vepra të tjera të këtyre piktorëve dhe skulptorëve, ku janë vënë në qendër njerëz të thjeshtë, malësorë, bujq të fushës, luftëtarë të së kaluarës, personalitete si Ismail Qemali, Kostandin Kristoforidhi, etj. Në këto vepra figurat njerëzore janë krijuar në përputhje me vërtetësinë historike të kohës së cilës i përkasin heronjtë që janë vënë në qendër të tyre, pra ato vepra i përkasin artit realist. Trajtimi i temës së jetës shqiptare nga e kaluara ndihmonte krijuesit për të qenë më të shpenguar ndaj kërkesave të realizmit socialist, prandaj shkrimtarë, piktorë, skulptorë, kineastë etj shpesh herë iu drejtuan të tilla temave në vitet e vështira të diktaturës.
Përsa i pëket romanit “Dimri i vetmisë së Madhe” të Ismail Kadaresë, ku është vënë në qendër figura e Enver Hoxhës si udhëheqës i PPSh-së, kemi të bëjmë me një rast më të veçantë dhe kompleks . Kjo vepër ndonëse u hartua në kohën e mungesës së lirisë krijuese, madje si kemi dëgjuar, dhe me kërkesë të Nexhmie Hoxhës, përsëri aty ka nota kritike ndaj personalitetit historik të Enver Hoxhës. Vepra ka në qendër mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë, në nëntorin e vitit 1960, ku Enver Hoxha u ngrit kundër vijës politike të Nikita Hrushovit, drejtuesit të kampit socialist. Pavarësisht se ky guxim i Hoxhës e kishte burimin tek interesi i tij për të mbrojtur karrigen e vet, përsëri ishte një guxim i pajetuar midis drejtuesve të partive komuniste. Ky akt në fakt ngjallte shpresa për ardhmërinë e Shqipërisë, për ndaljen e procesit të rusifikimit të kulturës shqiptare, pra ishte një akt që duhej vlerësuar prej shqiptarëve për guximin. Dhe këtë vlerësim autori e bën me ndërgjegje. Më tej në skalitjen e Enver Hoxhës si burrë shteti, si udhëheqës i PPSh-së autori krahas notave hymnizuese ka dhe nota kritike. Kritikat e shprehura kundër punonjësve të Sigurimit të shtetit me në krye Ministrin e Brendshëm Koçi Xoxe duhen kuptuar dhe si nota kritike ndaj vetë drejtuesit të partisë, i cili në fakt drejtonte dhe komandonte dhe Ministrinë e Brendshme dhe Sigurimin e shtetit. Pikërisht kritikat e ashpra ndaj Sigurimit të shtetit dhe Koçi Xoxes, tregojnë se notat hymnizuese me të cilat përshkruhet Enver Hoxha në këtë vepër mund të merren dhe si një dëshirë e autorit për të shprehur idenë sesi duhej të ishte udhëheqësi i PPSh-së pas kësaj ngjarjeje të madhe. Në mbështetje të mendimit tonë janë dhe dy thënie që hasen në roman: “Në Socializëm konkurojnë të aftët me të paaftët, ku të aftët lodhen të parët” dhe “Ashtu si borgjezia prodhon proletariatin – varrmihësin e saj – diktatura e proletariatit prodhon inteligjencën, varrmihësen e saj”. Këto shprehje pavarrësisht se në gojën e kujt janë vënë, shprehnin mendime të subkoshiencës së autorit për karakterin e socializmit dhe ardhmërinë e tij të pasigurt si sistem shoqëror, mendime që lidhen përmes nëntekstit me të vërtetën historike ndaj sistemit socialist. Jo rastësisht autori u urdhërua që ta ripunonte këtë roman. Pra kjo vepër letrare edhe pse u krijua në kohën e mungesës së lirisë dhe me porosi nga lart, për shkak të talentit të fuqishëm dhe guximit qytetar të autorit, është larg së qeni një vepër propagandistike e kohës kushtuar diktatorit Enver Hoxha. Ajo renditet midis veprave të artit realist. Aty heroi qendror është krijuar jo thjesht sipas kërkesave të realizmit socialist, jo thjesht i himnizuar, por ndërthurrur dhe me kritika ndaj sistemit shoqëror dhe vetë heroit që kishte përgjegjësi për krijimin e atij sistemi.
Deri sot shkrimtarë të talentuar nga radhët e të dënuarve të ndërgjegjes si Visar Zhiti dhe disa studiues u kanë bërë thirrje krijuesve të ndryshëm që të njohin dëmin që i kanë shkaktuar shoqërisë me veprat e tyre propagandistike artistike dhe të dalin hapur me kritika ndaj atyre veprave, por këto thirrje nuk janë marrë si akte dashamirëse dhe janë lënë pa përgjigje e kanë kaluar pa u vlerësuar. 
Tani mendojmë se është radha e shkrimtarit Ismail Kadare, i cili më 1992 e hodhi i pari hapin drejt katarsës me skicën “Prometeu i pajtuar” ku pranoi me guxim qytetar se e meritonte epitetin “poet i oborrit”. Ai mund të ndihmojë e mund të dëgjohet më mirë prej kolegëve shkrimtarë e artistë për të kuptuar se është e pamjaftueshme të thuhet “vepra ime ishte pjellë e asaj kohe”, por të pranohet se veprat e tyre artistike propagandistike të realizmit socialist kryen një krim shoqëror që duhet dënuar. Duke qenë shkrimtari më i talentuar i kohës dhe me guxim qytetar më solid fjalët e tij mendojmë se do të zenë vend dhe ecuria drejt qytetërimit europian do të marrë formë të qartë. Ismail Kadareja me një vepër analitike mund të zbulojë procesin e dyzimit të krijuesve gjatë diktaturës. Ai mund të tregojë me kurajë se si frika, presioni për të jetuar e dëshira për të krijuar sajonin në ndërgjegjen e tyre një autocensurë që i pengonte të krijonin jashtë kërkesave propagandistike të partisë shtet. Një vepër e tillë analitike mbi laboratorin krijues të shkrimtarëve e artistëve të asaj kohe, do të jetë një ndihmë e pallogaritshme për të nxitur e ndihmuar krijuesit e tjerë të ecin me kurajë në rrugën e katarsës, akt që ka 25 vjet që pritet të kryhet për çlirimin e mendësisë së mjaft krijuesve nga vargojtë e ndryshkur të asaj partie mëkatare. 
Kjo vepër do t’i ndërgjegjësojë ish krijuesit e kohës së diktaturës dhe ata që kanë filluar të krijojnë mbas diktaturës sesa madhështor dhe hyjnor ka qenë akti i kundërshtimit të së keqes që kryen me pasoja flijimi poetë si Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nelaj dhe ata që pësuan burgjet si Visar Zhiti me shokë e sot lihen mënjanë, kur meritojnë të kthehen në ikona të kombit tonë, sepse ata dëshmuan ashtu si thotë Franc Kafka “NUK KA ART TE MADH PA MORALIN DHE TE VERTETEN BRENDA”… 

Filed Under: Opinion Tagged With: figura e Enver Hoxhes, si figure artistike, Thanas L Gjika

Arshi Pipa për standarditetin e gjuhës Shqipe

December 2, 2016 by dgreca

arshi_pipa 2(1)

Një sqarim për z. Thanas Gjika lidhur me qëndrimin e Arshi Pipës ndaj standarditetit të gjuhës/

anton-cefa

Nga Anton Çefa/Në nr. festiv të “Diellit”, lexova shkrimin “Të çlirohemi nga mendësitë osmaniste e komuniste” të Thanas Gjikës, ku vërejta me dhimbje mendësinë e kohës së diktaturës. Nuk kam ndër mend këtu të diskutoj për këtë, por do të them dy fjalë për qëndrimin e Arshi Pipës ndaj çështjes madhore të standarditetit të gjuhës sonë, për të cilin në atë shkrim thuhet: “Personalitete të kulturës dhe shkencës shqiptare si prof. Arshi Pipa etj. , mbas kapitullimit të diktaturës komuniste erdhën më 1992 – 1993 prej emigracionit dhe u shprehen për braktisjen e gjuhës letrare shqipe, gjuhës standard të përbashkët të krijuar mbi bazën e toskërishtes, si një krijesë me dhunë e kohës së diktaturës. Ata kërkuan krijimin e një gjuhe të re letrare me bazë gegërishten, meqenëse dialektet gegë i flet shumica e popullit shqiptar, etj.”

Së pari, kemi vetëm një dialekt gegë dhe disa nëndialekte e të folme.

Së dyti, askush nuk ka kërkuar të vendosë gegërishten si gjuhë standard të shqipes.

Së treti, i pari që e ngriti këtë çështje madhore të gjuhës mbas rënies së diktaturës qe At Zef Pllumi, i cili doli me kërkesën që mbasi mund të diskutohet lirisht, dhe jo si  në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 , ku ka munguar liria e fjalës si në çdo forum tjetër të kohës së diktaturës, të organizohet një Kongres për të diskutuar këtë problem madhor kombëtar. Akademikët kuqalosha që ishin pushtetarë të Akedemive, as që e përfillen Fratin e Nderuar e të ditur.Nuk kam ndërmend të merrem tani me këtë problem. Ajo që më bëri përshtypje e për të cilën do të sqaroj këtu është se akuza që i bën në këtë shkrim Gjika Arshi Pipës nuk qëndron, është e gabuar, tendencioze. Pra cili është qëndrimi i Arshiut ndaj çështjes së gjuhës. Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, Arshiu merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosur në një forum ku liria e fjalës përbënte sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin që “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; një përfundim të cilit nuk mund t’i heqësh asnjë presë, (siç thotë një shprehje popullore), dhe që më në fund është pranuar prej të gjithëve.

Me interes është të parashtrojmë ndonjë mendim të tijin për gjuhën tonë, të cilën e njohu dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qëndrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije, kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 1). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 2). Ai e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskërisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”; kurse Virgjilin në toskërisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 3). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukurie, ndërgjegjja e disa intelektualëve, kryesisht atyre që ushqejnë mendësinë e kohës së diktaturës, për këtë çështje madhore, është ajo që është: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.

Më vjen mbarë të shtoj edhe dy fjalë rreth personalitetit të tij. Arshiu qe atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindur, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhur, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ua kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruante në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhur në Bronx qëndron, që prej vitiit 1999, në mjediset e Muzeut Historik të Qytetit. Kultura shqiptare, ku ende e përcaktojnë tonin akademikët e Diktaturës ose nostalgjikët e tyre, e kanë të zorshme të pranojnë një personalitet të tillë si Pipa, që i ka demaskuar një jetë të tërë.

Referenca

1). Shpend Topallaj, “Dy jetë paralele – Rreth librit të Uran Kalakullës me titull “Arshi Pipa njeriu dhe vepra”.

2). Idem

3). Ibidem

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, Arshi Pipa, e gjuhës Shqipe, per standarditetin, Thanas Gjika

Miti i Katastrofës

December 1, 2016 by dgreca

kadare11-300x200NGA ISMAIL KADARE*/

Popujt,  ashtu si qeniet njerëzore, kanë dëshirë të kujtojnë fatkeqësitë e kaluara. Me kalimin e viteve,  shpesh qëllon që këto fatkeqësi të skajuara në ndërgjegjen e tyre,  ndryshojnë trajtë,  rrallë herë zbehen ose harrohen,  së shumti zmadhohen ose nxihen më fort. Në ndryshim me qenien njerëzore,  që e ka jetën të shkurtër,  jetëgjatësia e kombeve krijon kushte për tjetërsimin e fatkeqësive,  të cilat disa herë shndërrohen në mite të vërteta. Në këto mite mbështetet shpesh kujtesa historike,  prej tyre ushqehen letërsia dhe artet ose krijohen psikoza fataliste që ngjyrojnë për një kohë të gjatë atë që quhet shpirtësi e një populli. Ndërkaq,  kaq raste që prej këtyre miteve ushqehen propagandat shoviniste e doktrinat hakmarrëse kundër popujve të tjerë.Një nga mitet tipike që gjendet në historinë e shumë popujve është ai i katastrofës së dikurshme. Është një thyerje ose një humbje e dhembshme ose disa gjëma të njëpasnjëshme,  kujtimi i të cilave nuk ka asgjë të keqe,  përkundrazi,  shërben për fisnikërimin e një populli,  kur selitet në një kah të mbarë.  Për fat të keq,  koha ka treguar se mund të shërbejë edhe për të kundërtën: për ta egërsuar një popull kundër të tjerëve.

1-kadare-kombi

Fatkeqësitë e kaluara të popullit shqiptar,  pushtimi osman në shekullin XV,  copëtimi i Shqipërisë në fillim të shekullit XX dhe izolimi e saj nga bota,  për faj të diktaturës komuniste në gjysmën e dytë të këtij shekulli,  nuk krijuan të shqiptarët as doktrina shfarosëse,  as urrejtje kundër të tjerëve dhe kjo është një cilësi e admirueshme e tij. Nderimi dhe mbrojtja e tjetrit,  e atij që është i ardhur,  i huaj,  mik ose bujtës,  një mendësi që vjen qysh nga kohërat antike,  ka qenë një nga gurët  themelore  të qytetërimit shqiptar.

Që ky nderim nuk është një shpikje poetësh  e as një cilësi e elitës shqiptare,  u rivërtetua  gjatë Luftës së Dytë Botërorë. Dhjetëra – mijëra ushtarë italianë të mbetur në Shqipëri nën mëshirën e popullsisë së armatosur  shqiptare,  pas kapitullimit të Italisë,  nuk u prekën aspak prej kësaj popullsie,  përkundrazi u morën në mbrojtje prej saj. Nga ana tjetër,  është një fakt i njohur tashmë se  Shqipëria ishte një nga vendet e rralla në botë,  në mos i vetmi,  ku  asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.

Diktatura komuniste me politikën e saj veçuese u përpoq ta armiqësonte popullin  shqiptar me të gjithë botën,  kryesisht me Evropën Perëndimore,  por nuk ia doli dot.  Pas rënies së komunizmit,  populli shqiptar dëshmoi ndaj të huajve evropianë dhe amerikanë po atë ndjenjë miqësore të dikurshme.

Kjo tolerancë e gjerë e këtij populli,  e shoqëruar me tolerancën fetare,  gjithashtu të vërtetuar gjatë shekujve,  nuk u vu në dukje e nuk u çmua asnjëherë sa duhet. E ishte e nevojshme,  për të mos thënë e detyrueshme,  të çmohej,  sepse kishim të bënim me një shembull të shkëlqyer ballkanik,  në kohën që gadishulli i madh u përfshi tej e mbanë nga furtunat shoviniste,  nga intoleranca e urrejtja etnike e nga krimet e rënda të ushqyera prej saj.

Për t’u kthyer të miti i katastrofës,  ky mit te shqiptarët,  ndërsa nuk shkaktoi acarimin kundër të tjerëve,  mori,  për fat të keq,  një zhvillim të papritur: revoltim kundër vetvetes. (f9-11)

Psikoza mohuese

Rilindësit duhen lexuar e rilexuar gjithmonë,  sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani,  shikojmë se,  përveç shqetësimit të tyre themelor: çlirimit të Shqipërisë e pavarësisë së saj,  ishte një ankth tjetër,  i vazhdueshëm,  i lidhur ngushtë me të parin: Rizgjimi i atdhedashurisë.

Këmbëngulja e tyre për këtë rizgjim,  kambanat e tyre,  thirrjet e zjarrta,  shpeshherë të dëshpëruara  «Ti Shqipëri më jep nder,  më jep emrin shqiptar ! » dëshmojnë një të vërtetë tepër dëshpëruese: një pjesë e shqiptarëve ishte ftohur prej atdheut të tyre . Turqizimi i qindra-mijëra shqiptarëve,  greqizimi i një pjese tjetër,  ngatërimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare,  dëshmonin se ndjenja patriotike te një pjesë e shqiptarëve ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej. Një pjesë e tyre me lehtësi ishin gati ta këmbenin atdheun e tyre me një tjetër atdhe.

Injoranca e thellë ku u zhyt për shumë shekuj populli shqiptar,  mungesa e shkollave,  e universiteteve,  e akademive,  e institucioneve kulturore e,  natyrisht, mungesa e strukturave shtetërore,  e zbehu fort shqiptarizmin  ose,  në rastin më të mirë,  e la atë në një nivel parak (primitiv),  që me vështirësi e kapërcente folklorizmin. Në kushte të tilla,  takimi me një kulturë të huaj  ishte tronditëse për shqiptarët.

Ajo krijonte dy rrjedhime: ose i shtynte ata,  që në shembullin e kësaj kulture të ringjallnin kulturën e vendit të vet,  ose e kundërta, i largonte përfundimisht prej atdheut. Kështu,  në agimin e çlirimit të Shqipërisë,  i kemi pasur të dyja prirjet: atdhedashurinë e disave dhe anti shqiptarizmin e,  disa herë,  kundër shqiptarizmin  e të tjerëve. Rilindësit u përpoqën si titanët t’i bindin  shqiptarët se nuk duhej të turpëroheshin nga vendi i tyre,   se ata kishin një atdhe të bukur,  se kishin një gjuhë madhështore,  një nga 5-6 gjuhët themelore të botës,  së ishin një racë e bukur trupërisht dhe tepër e aftë mendërisht,  së kishin një histori të shkëlqyer,  se gjëmat kombëtare nuk ishin arsye për t’u ftohur me atdheun,  por përkundrazi,  për t’u afruar më fort me të.

Aksioni i rilindësve për zgjimin e Shqipërisë ishte më i madhi e më i gjëri aksion kulturor e patriotik në krejt historinë shqiptare. Rrallëherë emërtimi i një lëvizjeje përkonte me qëllimin e saj,  ashtu si në rastin e Rilindjes shqiptare.  Në të vërtetë,  ishte ajo që e rilindi Shqipërinë,  ose për të qenë më të saktë,  ishte ajo që e lindi Shqipërinë moderne.

Që kjo lëvizje e ky vrull të ishin të suksesshëm,  rilindësit e himnizuan dhe e sublimuan historinë e shqiptarëve. Ata qëmtuan në të kryesisht kulmet e ndritura,  duke mos u ndalur në njollat e saj.  Po me këmbëngulje ata vunë në pah vlerat morale e fizike të shqiptarëve,  kryesisht virtytet,  pa dashur të ndalen në cenet e tyre,  që nuk ishin më të pakta se virtytet.  Kjo ishte rrjedhojë logjike e qëllimit të lëvizjes: rifitimin e besimit të humbur.

Një arsye tjetër që e përligjte plotësisht optikën e tyre pozitive ishte propaganda  kundër shqiptare,  që kishte nisur ndërkaq të kultivohej nga fqinjët e Shqipërisë: kryesisht nga rrethet shoviniste serbe e greke.  Ishte një propagandë e egër dhe shtazarake që rrallëherë ishte parë në faqe të dheut.  Përballë kësaj furtune të sëmurë,  rilindësit shqiptarë mbajtën një qëndrim fisnik e të admirueshëm .

Në vend që të binin në nivelin e saj,  duke u përdhosur edhe vetë nga balta  e kundërshtarëve,  ata zgjodhën përgjigjen e tërthortë: lartësimin e vlerave shqiptare.

Ky vizion optimist i rilindësve, i përfaqësuar në radhë të parë prej Naim Frashërit e më vonë prej Gjergj Fishtës,  u bë objekt vërejtjesh e kritikash më pas e vazhdon ende sot,  në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.  Në ngjarjet e fundit tragjike të Shqipërisë ishte pikërisht ky vizion  rilindës që u sulmua në mënyrën më barbare.  Një grusht intelektualësh renegatë e një grusht politikanësh të papërgjegjshëm,  të bashkuar me turmat e vulgut (llumit) shqiptar,  u përpoqën dhe arritën t’ia vinin zjarrin Shqipërisë. Qëllimi i tyre ishte zhbërja e Shqipërisë,  çka ata e treguan me shkatërrimet e vlerave kombëtare,  të atyre që nuk ishin prekur as nga pushtuesi otoman e as nga ai nazist.

Nga këto ngjarje Shqipëria,  e ndoshta jo vetëm Shqipëria,  por Evropa e tërë,  nxori një mësim që asnjëherë nuk ka qenë kaq i qartë: në kushtet e demokracisë,  turmat vulgare të fshehura prapa fjalës « popull » mund të kthehen në varrmihës të demokracisë,  po aq sa tiranët,  në mos më keq.  Kjo është edhe arsyeja që grekët e vjetër, kur diskutonin për demokracinë,  për të mirat e të këqijat e saj,  ishin tepër gjakftohtë,  pa paragjykime,  rrjedhimisht pa entuziazëm. Nën trysninë e populizmit të  majtë,  bota e sotme,  ashtu siç ka harruar mjaft mësime të historisë,  e ka harruar,  me sa duket,  edhe këtë mençuri antike.  Shqipëria,  që e provoi në mish të saj ç’do të thotë kjo karikaturë e demokracisë shpresojmë të mos e harrojë.

Mësimi,  pra,  është i qartë: demokracia e pashoqëruar nga një strukturë ligjesh e një strukturë e fortë shtetërore që të sigurojë funksionimin e saj,  mund të kthehet lehtë në të kundërtën e vet.

Për sa i përket kritikës ndaj vizionit të rilindësve shqiptarë,  ajo,  gjithashtu,  duhet parë në rrethanat kur është bërë e në zhvillimin e dramës shqiptare. Ai këndvështrim inkurajues lindi në kushte të caktuara,  për një qëllim të caktuar. Në kushte të mëvonshme, kur kombi shqiptar,  ose së paku një pjesë ë tij që e kishte shtetin e vet të pavarur,  ndeshej me probleme të tjera,   me probleme të së drejtës,  të demokracisë,  të emancipimit shoqëror etj. ai këndvështrim  optimist nuk ishte i mjaftueshëm .  Ndaj edhe bota shqiptare kërkoi dhe gjeti shtigje të reja të mendimit e të veprimit.

Ndërkaq duhet thënë se,  sipas një tradite të keqe ballkanase e sidomos shqiptare,  tradita e të hedhurit nga një skaj në tjetrin,  shumë shqiptarë u treguan të paaftë të pranonin zhvillimin e mendimit e të kulturës politike.

Duke mos e kuptuar pasurimin e traditës ata nuk njihnin veç shkëputje të dhembshme,  shkëputje të pasuara me rrënim,  paroksizmi i të cilave arriti kulmin në mars të vitit 1997.

Në botën e egër ku jetojmë,  në kushtet kur Shqipëria është ende e brishtë,  kur ajo është realisht e jo mitikisht e kërcënuar,  në  kushtet  sidomos kur kombi shqiptar vazhdon të jetë i prerë më dysh,  vizioni rilindës mbetet vizioni bazë për botën shqiptare. Kritika kundër veseve e ceneve tona,  ashtu siç bën gjithë bota për vetveten,  nuk është veçse një plotësim i këtij vizioni e jo një përmbysje e tij.

Për të parë më  qartësisht si funksionon një bashkëjetesë këndvështrimesh,  që në shikimin e parë,  duket e pamundur,  le të kujtojmë Faik Konicën dhe qëndrimin e tij ndaj Naim Frashërit.  Konica,  personalitet brilant  i botës dhe kulturës shqiptare,  ishte i pari që u përpoq të hidhte një dush të ftohtë mbi zjarrminë rilindëse.  Me të drejtë,  ai u përpoq t’u kujtonte shqiptarëve jo vetëm cenet e tyre,  por edhe mbrapshtitë dhe marrëzitë e tyre të herë pas hershme.

Ndërkaq,  e parë nga largësia e kohës,  këndvështrimi i tij është kundërthënës. Ai është vetë rilindës e po vetë kthehet kundër rilindësve. Punon e digjet për Shqipërinë  e,  aty për aty,   i pëlqen të tallet me të tjerët që bëjnë të njëjtën gjë. E adhuron dhe e lavdëron Naim Frashërin e më pas kthehet e  s’i lë gjë pa thënë.  Përgjërohet për atdheun që e ka larg,  e mbron ku mundet,  i del për zot kundër shpifësve e racistëve,  pastaj kthehet e shan,  e quan Zululand ai vetë,  më keq se racist. Mund të thuhet kështu se është ai,  vetë Konica,  që ngrihet kundër Konicës.

Nuk do të ishte me vend t’i kujtoheshin këto këtij kolosi të kulturës shqiptare ( në fund të fundit kolosëve u çmohen kryesisht lartësitë),  sikur kjo anë e tij kundërthënëse të mos shfrytëzohej me qëllime të mbrapshta ende sot. Vitet e fundit,  kur në prag të hyrjes së Shqipërisë në familjen evropiane,  kundër saj e kundër kombit shqiptar shpërtheu një fushatë e tërbuar raciste,  me emrin e Konicës dhe me veprën e tij u bënë spekulime nga më monstruozet.

Një zhgan intelektualësh antishqiptar,  së bashku me një pjesë të medias botërore,  që iu sulën me një urrejtje shtazarake popullit të vogël shqiptar,  për të përbaltur,  për ta mallkuar,  për ta ndarë përjetë nga familja e popujve evropianë,  u rrekën ta bënin Konicën flamur të tyre. Ky do të ishte gabimi më i lemerishëm për Konicën e madh. Ndaj,  për ta mbrojtur jo vetëm kombin shqiptar,  por atë vetë,  birin e tij të madh,  jemi të detyruar të kujtojmë kundërthëniet ë tij.  Në fund të fundit,  përçmimi dhe balta që do t’i hidhej këtij kombi do të përbalte,  në radhë të parë,  fytyrën e kolosit (f 13-21)

Antishqiptarizmi  si  profesion  fitimprurës

Rasti i Konicës,  më mirë ndoshta së çdo tjetër,  na kujton cilësitë e shqiptarit: edhe kur ngjitet në lartësitë sublime,  herë pas here,  që nga thellësitë e racës,  i vijnë vrullet zemërake. Por më shumë se kjo,  rasti i Konicës shtron një pyetje madhore në këtë fund mijëvjeçari: ç’imazh kanë për vetveten shqiptarët ?

Është një çështje themelore që kapërcen dukshëm anën kulturore e etikë. Ky çmim i vetvetes lidhet me vlerësimin  që ata i bëjnë kombit të tyre në përgjithësi,  ai lidhet me  vlerësimin e atdheut,  së fundi ai lidhet me çështjen themelore se sa janë ata të vendosur të mbrojnë ekzistencën e tyre si komb në rruzullin  e shqetësuar botëror.

Nuk është as shpikje poetesh,  as propaganda nacionaliste,  e aq më pak komuniste,  të thuhet se vendi ynë,  Shqipëria,  ka qenë disa herë në buzë të humnerës. Traktatet për ta ndarë atë midis fqinjëve,  programet e doktrinat për ta shpërbërë kombin shqiptar janë aty,  në arkivat e shumë shteteve,  me data,  me vula,   me emra.  Dhe shumë prej tyre nuk janë aspak të vjetra. Ato kanë në fund vitet 1913,  1918,  1938,  e disa janë fare të reja.

Në këto kushte,  në kushtet kur tërbimi nacionalist antishqiptar merr përmasa të tilla,  saqë në mars të vitit 1997,  në demonstratat e Shkupit njerëzit kanë guxim të ulërijnë « shqiptarët në krematorium !» kuptohet që të jesh antishqiptar është fare e lehtë,  madje është shpesh fitimprurëse.  Kështu,  dhe kurrsesi ndryshe,  mund të kuptohet vala antishqiptare që shpërtheu rrotull Shqipërisë  dhe brenda në Shqipëri kohët e fundit. Kështu shpjegohet përse një grusht intelektualësh renegatë shqiptarë u bënë befas të përkëdhelurit e disa forumeve ndërkombëtare dhe,  ç’është më e keqja,  zëdhënësit për problemet shqiptare.

Shkurt,  antishqiptarizmi u kthye në profesion. Është kjo frymë e sëmurë që ndihmoi për rrëzimin e strukturave të shtetit shqiptar brenda dy-tri javësh,  e cila bëri që gjeneralë dhe oficerë shqiptarë,  në mënyrë të turpshme,  të braktisin postet e tyre,  për të përfituar një azil politik në Itali,  që vulgu shqiptar t’u vërë zjarrin tempujve të kulturës shqiptare.

Në kushte të tilla,  të ulërish ende se në Shqipëri ka patriotizëm të tepruar,  se letërsia shqipe është nacionaliste etj. është me të vërtetë thirrje e hapur për tradhti të hapur tashmë ndaj atdheut.

E gjithë kjo lidhet me një sërë pyetjesh themelore: a janë shqiptarët patriotë më shumë se ç’duhet,  apo përkundrazi,  janë ftohur me vendin e vet ?  A mos po e mbiçmojmë pa të drejtë veten dhe vendin e tyre,  a mos përkundrazi e përçmojnë pa të drejtë veten dhe atdheun,  me fjalë të tjera: a e duan këtë vend që u ka dhënë emrin qysh prej dy mijë vjetësh,  apo ëndërrojnë ta këmbejnë me një tjetër vend,  ëndërr e mbrapsht kjo që ka ngritur krye aty-këtu në kohën tonë ? Në prag të mijëvjeçarit të tretë,  shqiptarët janë të detyruar të nxjerrin ende mësime nga drama e tyre,  që ndodhet ende në zhvillim.

Në kushtet e një klime të ashpër ndërkombëtare,  kur ata,  i vetmi komb i ndarë tragjikisht në Evropë janë të detyruar të durojnë mospërfilljen botërore për gjëmën që u ka rënë në kokë, në kushtet e vetmisë së tyre,  të trysnisë së një propagande dashakeqe që e ka përbaltur imazhin e tyre në botë,  duke e paraqitur herë si popull të dhunshëm,  herë fondamentalist,  herë barbar e herë të lajthitur,  shqiptarët janë të detyruar,  midis të tjerash,  të bëjnë një zgjidhje e sqarim themelor në ndërgjegjen e tyre lidhur me patriotizmin.

Mendimit të mbrapshtë që e ngatërron patriotizmin me nacionalizmin,  që e paraqet antipatriotizmin si balsam kundër nacionalizmit,  ata duhet t’i përgjigjen me një JO të prerë.  Patriotizmi nuk është nacionalizëm dhe antipatriotizmi është po aq i rrezikshëm sa shovinizmi.

Ata që i japin shpesh këshillat kundër patriotizmit,  e kanë siguruar ndërkaq patriotizmin në vendet e tyre,  dhe si gjithë të velurit i lejojnë vetes luksin të nazetohen më të. Ndërkaq,  sovranitetin për vendin e tyre e kanë siguruar gjatë shekujve,  pa kursyer asgjë,  madje as forcën e armëve. Askush nuk shqetësohet në Francë kur presidenti e mbaron çdo fjalim me fjalët  « Rroftë Franca !»,  dhe askush nuk acarohet në ShBA kur në të gjitha meshat bekohen shteti amerikan,  presidenti i vendit dhe ushtria amerikane.

Le të pranojmë me trishtim se në krejt Gadishullin Ballkanik,  në kohën kur shumica e vendeve u përfshinë nga valët e egra nacionaliste,  te shqiptarët ndodhi e kundërta. Kjo ishte një rënie në kurth nga më të turpshmet për një komb. Ishte thënë që,  pasi u përpoqën t’i japin botës shembullin grotesk të popullit të parë pa fe në botë,  majmunët e vendit tonë u joshën nga mbrapshtia tjetër: të japin shembullin e popullit PA ATDHE.

Thyerja morale e popullsisë shqiptarë në këtë fund shekulli ishte një nga humbjet më të rënda të tij. Ajo ishte,  me sa duket,  rrjedhoja më tragjike e diktaturës cfilitëse komuniste në Shqipëri dhe e terrorit shtazarak serb në Kosovë e vise të tjera të Jugosllavisë.

Thyerjet morale janë të njohura në jetën e popujve. Ashtu siç janë të njohura ringritjet. Për t’u ringritur,  kombit shqiptar i duhet të tendoset e të nxjerrë nga thellësitë gjithë rezervat që ka skajuar aty,  ato rezerva,  që popujt,  sipas një teknologjie të lashtë,  i ruajnë për ditë të zeza e i nxjerrin në stinë fatkeqësish.

Raportet me atdheun zënë në këtë rast vendin kryesor. Shqipëria s’ka nevojë për ekzaltimë vulgare,  por aq më pak ka nevojë për përçmim. Mendimi se Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë tepër të himnizuar nga kultura shqiptare,  ndaj tani duhet t’i rrëzojmë në baltë për t’i sjellë në vete,  është doktrinë e antishqiptarizmit.

Kultura dhe mendimi i një populli qëndron gjithmonë në një lashtësi të shquar për ku përpiqet të tërheqë e ta ngrejë gjithë kombin. Dy shekuj më parë,  Gjermania e Gëtes dhe e Shilerit ishte shumë larg Gjermanisë së prapambetur e fshatarake e,  megjithatë,  askush nuk e cilëson mendimin gjerman si elitist ose ekzaltues.

Nisur nga kjo,  mund të thuhet pa droje se mendimi rilindës shqiptar,  ndonëse tepër i lartë në krahasim me gjendjen reale të popullsisë shqiptare,  ishte plotësisht i përligjur. Nga ana tjetër,  duke e pranuar nevojën e plotësimit të këtij mendimi me një vizion kritik e qortues (korrigjues),  duke e pranuar,  pra,  si të drejtë në thelb prirjen kritike të Konicës,  megjithatë në emër të një të vërtete madhore,  duhet thënë se kritika e tij kundërthënëse ishte në përgjithësi  e tepruar dhe e parakohshme.

Vetë ai e dëshmon këtë,  jo vetëm me atë pjesë të veprës së tij që është mbrujtur plot dashuri e përgjërim për Shqipërinë,  por edhe me veprimtarinë si ambasador i vendit të vet në ShBA,  detyrë që ai e kreu shkëlqyeshëm për një kohë të gjatë. Ambasadori me i kulturuar e më brilant i kohës në Uashington,  ai bëri çmos të paraqiste Shqipërinë e qytetërimin shqiptar në dritën më të mirë të tij,  duke e mbrojtur nga keqkuptimet e nga përçmimi,  që ajmé,  ishte ngritur disa herë vetë t’ia shprehte vendit e popullit që e kishte lindur. (f23-28)

Mbi  drejtpeshimin

Kombi shqiptar në këtë fund shekulli vazhdon  të përjetojë orën e ligë të tij. Ai është i goditur rëndë në trupin e vet,  ngaqë është i ndarë e i shpërndarë në tri shtete. Por ai ka marrë goditje psikike po aq të rënda,  në mos më tepër: ai është i thyer moralisht .

Ri ngritia morale e popullit shqiptar është aksioni më i ngutshëm në këtë kohë të rëndë. Ai është çelësi,  pa të cilin nuk mund të ndërmerret asnjë veprim tjetër shpëtues. Në qoftë se populli shqiptar do të vazhdojë ta përçmojë e ta përbaltë vetveten,  në qoftë se ai,  në mënyrë iracionale,  do të synojë drejt shpërnguljes,  qoftë nga trojet e tij në Kosovë,  qoftë nga trojet e shtetit shqiptar,  në qoftë së ai do të vazhdojë të ngrejë dorën kundër strukturave shtetërore të tij,  të çfarëdolloj ngjyre politike të jenë ato,  ai do të ecë drejt greminës.

Kahu i mbarë i një kombi nis nga ai vetë,  ashtu siç nis zezona e tij. Mendimi që kombi shqiptar do të ketë për vetveten,  në një mënyrë ose një tjetër do të rrezatojë e do të kthehet në një realitet. Imazhin e mirë ose të keq për një popull nuk mund ta krijojnë për një kohë të gjatë as zyrtarët e tij,  por as renegatët e tij;  atë s’mund ta krijojnë as nacionalistët e ekzaltuar,  por as vulgu i egër e i verbër. Aq më pak mund ta krijojnë atë diplomatët mëndje lehtë,  gazetarët e pabesë,  denoncuesit,  psikopatët dhe paranojakët e dehur për lavdi.

Njeriu shqiptar,  i lodhur nga kalimet e befta prej vetëmbrojtjes drejt vetë përbaltjes,  dhe e kundërta,  ka nevojë më tepër se kurrë për rifitimin e drejtpeshimit shpirtëror. Drejtpeshimi nuk ri gjendet duke përdorur përndezjen nacionaliste si kundërhelm ndaj vet përçmimin,  e aq më pak duke e përdorur këtë të fundit si balsam kundër kapardisjes. Për të shmangur kalimin  nga një dush i nxehtë në një dush të ftohtë,  njeriu shqiptar ka nevojë sot për orientim të saktë. Disa pyetje të thjeshta,  por themelore e bazë,  çohen sot përpara tij: ç’popull jemi ? Domethënë,  a jemi si të tjerët ?

  • A kemi mëkate për të larë, a kemi borxhe për të  paguar ?
  • A jemi vërtetë fatkeq apo ashtu na duket, apo ashtu na pëlqen të shfaqemi përpara vetes dhe botës ?
  • Të gjitha këto pyetje mund të formulohen në një motërzim edhe më të thjeshtë: ne shqiptarët, pas dymijë vjetësh ekzistencë,  tani në prag të mijëvjeçarit të tretë a i kemi ende aftësitë trupore e shpirtërore për të vazhduar të jetojmë si komb,  apo koha jonë ka kaluar ?

Pa rënë në kurrfarë optimizmi të kotë,  mund të thuhet pa droje se,  pikërisht sot,  shqiptarët,  pavarësisht nga lëngata që u ka rënë e përpiqet t’i vërë poshtë,  kanë shanset më të mëdha për të zënë përfundimisht vendin që prej kohësh e kanë merituar në familjen e popujve. Madje,  kjo lëngatë e kjo krusmë e tmerrshme është ndoshta shenja më e sigurt për një të ardhme plot shpresë. Në jetën e shumë popujve janë të njohura këto gremina,  pas të cilave kanë ardhur ngritjet,  disa herë marra mëndëse. 

Le të kthehemi te pyetjet e thjeshta themelore. Fati,  ndonëse na është bërë zakon ta mallkojmë,  na ka caktuar ne shqiptarëve të jetojmë në një nga zonat më të bukura të Evropës. Evropa vetë,   ndërkaq së bashku me ShBA-në,  është tani për tani lagja më luksoze e botës. Ne harrojmë shpesh këtë,  harrojmë që ky vend,  sharjet ndaj të cilit i kemi në maj të gjuhës,  ky vend  pra,  i vendosur midis Venedikut,  Romës e Athinës ka një përbërje  gjeografike të mrekullueshme,  se ai ka një klimë të admirueshme,  se ka pasuri natyrore të shumta,  se ka ndoshta plazhet më të bukura të kontinentit. Ne harrojmë ç’do të thotë ankthi shekullor i vendeve që nuk kanë dalje në det,  pa përmëndur vendet e izoluara në thellësi të kontinenteve,  pa përmëndur trojet e gjëra të kësaj bote të mbushura me shkurre,  shkretëtirat e trishtim,  e që mbulojnë tri të katërtat e rruzullit tokësor. Në i harrojmë këto dhe,  me qënëse jemi midis një kopshti plot me shtete pasanike,  na pëlqen të qahemi që nuk jemi si ata.

Ne vuajmë nga kompleksi i vogëlsisë dhe harrojmë se shtati i popullit shqiptar,  pavarësisht nga prerja e trojeve të tij,  nuk është aspak i vogël në këtë gadishull,  se ai është përafërsisht i barabartë me shtatin e grekëve,  të serbëve e të bullgarëve. Përsëritja gjer në lodhje e shprehjes « Shqipëri e vockël »,  « popull i vogël »,  s’është veçse shprehje e një dëshire për të fshehur për tkurrjen e më tejshme të këtij populli.

Ndërkaq,  porsa diku del në pah ndonjë mendim,  ndonjë program ose ndonjë pyetje:  përse shqiptarët,  ndryshe nga popujt e tjerë,  duhet të jetojnë të ndarë,  aty për aty harrohet përçmimi për vogëlsinë dhe kumbon shprehja « Shqipëria e madhe » . Kjo shprehje përsëritet më një farë tmerri,  si diçka e rrezikshme,  thua se në këtë botë vetëm 8 osë 9 milionë shqiptarët po të jetojnë bashkë bëhen të rrezikshëm për botën !

E ndërkaq,  askush nuk thotë,  sipas kësaj logjike,  se 90 milion gjermanët e bashkuar janë të rrezikshëm,  e aq më pak askush nuk thotë se 250 milion rusët,  bashkë me bombat e tyre bërthamore janë kërcënim për të tjerët.

Në qoftë se s’duhet të vuajnë as nga kompleks i «vendit të mallkuar »,  as nga ai i vogëlsisë numerike,  shqiptarët aq më pak kanë njohur kompleksin e racës.  Jo vetëm që në botën e sotme të çliruar nga paragjykimet raciste ata paraqiten një popull i shëndetshëm,  si gjithë të tjerët,  por edhe në kushtet e dallimeve e doktrinave raciste,  duke qenë ndër të rrallët popuj të Evropës që nuk u prekën,  përkundrazi u lajkatuan prej këtyre doktrinave,  shqiptarët,  vetvetiu mbetën  jashtë këtij trazimi.

Merita e tyre është se ndërkaq ata nuk u dehen nga lajkat raciste dhe përveç theksimit ndoshta të kapardisjes,  teoria e racave s’pati pasoje në Shqipëri. Në sferën shpirtërore,  në zotërimin apo krijimin e vlerave,  shqiptarët s’kanë pasur kurrë arsye t’i kenë lakmi apo smirë të tjerët,  aq më pak kanë arsye sot për një gjë të tillë.

Shqiptarët janë krijuesit e bartësit e një prej gjuhëve themelore të njerëzimit,  një gjuhë që ka vendin e saj të paluajtshëm midis dhjetë-dymbëdhjetë gjuhëve kryesore të botës. Një nga vendet e para të krishtera të Evropës,  Shqipëria ka qenë rrjedhimisht truall fillestar i qytetërimit perëndimor evropian. Nga himni i madh i krishtërimit « Te Deum »,  i shkruar nga një peshkop shqiptar mbi një mijë e pesëqind vjet më parë,  të mbrojtësit te qytetërimit perëndimor,  Gjergj Kastrioti,  personazhi më sublim e më i njohur në botë,  jo vetëm i shqiptarëve,  por i krejt popujve të Ballkanit,  i cilësuar si « atlet i Krishtit »,  e gjer te murgesha shqiptare Nënë Tereza,  gruaja shqiptare më e famshme e botës së sotme,  kalon si një fill i ndritur dëshmia e këtij qytetërimi,  kaq shumë e kaq me këmbëngulje të mohuar nga dashakeqët e kombit shqiptar.

Dhe kjo është e kuptueshme: duhej fshirë kjo dëshmi për t’iu hapur rruga shpifjeve e shtrembërimeve të përbindshme,  për të ardhur gjer të teza e mbrapshtë se shqiptarët,  jo vetëm s’kanë të bëjnë me qytetërimin evropian,  por janë varrmihës të tij. Gjithashtu në këtë logjikë të mbrapshtë shpjegohen sulmet që iu bëhen vitet e fundit,  prej vetë renegatëve shqiptarë tashmë,  pikërisht gjuhës shqipe,  figurës sublime të Gjergj Kastriotit,  i cili u quajt « hajdut kuajsh dhe agjent i italianëve »,  si dhe krejt traditës kulturore shqiptare të djeshme e të sotme.

Paroksizmi i këtyre sulmeve ishte  pranvera e vitit 1997,  kur turmat e vulgut shqipetar,  të nxitura,  veç të tjerash edhe nga këta intelektualë renegatë,  u vunë  kazmën dëshmive të çmuara të qytetërimit shqiptar,  arkivave,  teatrove antike,  muzeut Gjergj Kastriotit !

Për të vazhduar me vlerat shpirtërore të krijuara nga ky popull,  le të kujtojmë poezinë orale shumëshekullore,  kodet zakonore,  ritet antike,  muzikën,  koreografinë,  kostumet e mahnitshme,  për të ardhur gjer të letërsia shqipe.  Kjo e fundit,  duke u futur në klubin e zgjedhur të letrave të mëdha të botës,  u bë veçanërisht e bezdisshme për ithtarët e tezës së shqiptarët janë të paaftë për kulturë. Ndaj,  ashtu si krejt qytetërimi shqiptar,  ajo do të pësonte sulmet e dëshpëruara e vulgare të anti shqiptarizmit. Në këtë rast do të ndodhin veprime të turpshme,  që asnjë vend,  sadopak dinjitoz,  nuk do t’i lejonte kurë sesi. Endacakë të huaj,  ata që s’i njeh kush e nuk i pyet kush në vend të vet,  mësues fshati nga Kalabria apo nga Gjermania e jugut ftohen në Shqipëri për të hedhur baltë mbi letërsinë shqipe e kulturën shqiptare.

Ky racizëm kulturor antishqipetar,  i pa shembullt  në botën e sotme,  u bë i mundur për shkak të kundër patriotizmit shqiptar. Të dy ishin ndër faktorët themelor që mundësuan rrënimin në mënyrë të turpshme të shtetit shqiptar,  të ushtrisë,  të policisë e të krejt ngrehinës shtetërore.

Racizmi kulturor antishqipetar merr pamje edhe më të shëmtuar e të papranueshme,  kur kujtojmë se vetë shqiptarët s’kanë kurrfarë përçmimi ndaj kulturës së të tjerëve. Mungesa e racizmit dhe e shovinizmit të shqiptarët,  pjellë e natyrshme e mendësisë së tyre të hapur e miqësore ndaj të huajve,  ndaj mikut,  bashkë me tolerancën fetare,  tolerancë e thellë,  e vërtetë,  e pa pudrosur nga kurrfarë  konformizmi,  janë,  ashtu siç u tha më lart,  cilësi të tjera themelore,  që dëshmojnë për një nivel qytetërimi të këtij populli  kaq të sulmuar për të kundërtën.

Për fat të keq,  ashtu si të gjithë popujt,  shqiptarët kanë cenet dhe veset e tyre,  po aq të forta,  ndoshta sa virtytet,  po ajmé,  me spektakolare se ato.

Ndryshe nga hebrejtë e disa popuj të tjerë,  që janë solidarë e të lidhur me njeri-tjetrin,  shqiptarët mezi ç’presin rastin për t’u përçarë. Natyra e tyre tejet individualiste është  xehë e pafundme për të pjellë egoizmin,  ambicien,  smirën dhe etjen për karrierë. Këndej rrjedh vaniteti,  kapardisja e neveritshme e sedra e sëmurë.

Këto cilësi të natyrës njerëzore që ndeshen kudo,  bëhen veçanërisht të rrezikshme  të shqiptarët,  për shkak të traditës së shkurtër të jetës nën një shtet shqiptar.  Prej tyre rrjedh  një keqkuptim tragjik për lirinë dhe për shtetin . Pa u pajtuar dot me atë ligj themelor që lirinë e njeriut të veçuar e vë detyrimisht në raport me lirinë e të tjerëve,  shqiptari shpesh  e ka të vështirë të kuptojë se liria njerëzore,  ndryshe nga liria absolute e kafshëve,  është madhështore pikërisht ngaqë është e vështirë,  domethënë e kufizuar nga ligji.  Këtej vijnë keq kuptimet  për demokracinë,  për vetë shtetin dhe ngrehinat e tij.

Koncepti  i gjymtë për shtetin,  zbehja e tij përpara tërheqjes fisnore apo klanore e çon disa herë në konceptin po aq të gjymtë për kombin,  kur krahinorizmi kthehet në rival të kombit.  Kjo është kushtëzuar,  me sa duket,  nga jetesa shumëshekullore nën Perandorinë Osmane,  pra,  nën një shtet që nuk ishte i tyre,  rrjedhimisht ndaj të cilit s’mund të kishin as nderim e as dhembshuri,  Periudha e Pavarësisë,  ajo e Republikës në fillim e pastaj ajo e Mbretërisë,  ishte relativisht e shkurtër,  kurse gjatë sundimit të egër komunist,  koncepti i shtetit  u zbeh përsëri nën peshën e diçkaje të parrokshme,  të huaj e,  në fund të fundit,  të shpëlarë prej çdo ngjyrimi kombëtar,  që  ishte Partia Komuniste. (f38)

Shqipëria drejt ri ngritjes

Poetika shqiptare,  qoftë ajo e lashta,  popullorja,  qoftë ajo e poetëve të mëvonshëm,  ka krijuar dy klishe bazë për cilësimin e Shqipërisë. Në poezinë gojore,  Shqipëria quhet zakonisht « nuse ». Për poetët shqiptare ajo është më tepër « zonjë ».

Është me interes të hetohet se ç’fshihet prapa këtij emërtimi të ndryshëm. Me sa duket,  për këndvështrimin popullor Shqipëria është ende e re,  pra « nuse » dhe si e tillë ajo e ka jetën kryesisht përpara. Për poetët,  duke qenë « zonjë e rëndë »,  ajo e ka jetuar shkëlqimin e saj. Madje Fan Noli shkon edhe më larg kur e quan « vejushë »,  « e ve,  e gjorë mbretëreshë pa kurorë ».

Kemi të bëjmë me dy trajtime,  njeri drejt së ardhmes,  tjetri drejt së shkuarës. Naimi në vjershën « Shpreh » u përpoq t’i bashkonte të dyja në vargjet:

« Lum kush të rrojë,  ta shohë zonjë ».

Ndërkaq,  duhet thënë se të gjithë poetët që e përfytyruan Shqipërinë si zonjë,  e bënë këtë me qëllim fare të hapur: t’i nxisin shqiptarët t’i kthejnë dinjitetin e nderin e humbur,  pra ta ribëjnë « zonjë »,  siç ka qenë dikur.

Po a ka qenë ndonjëherë Shqipëria «zonjë ? E bërë ndryshe,  pyetja do të tingëllonte kështu: Kush ka të drejtë,  populli apo poetët ?

Me fjalë të tjera,  ka qenë nuse apo zonjë Shqipëria ? Apo,  edhe nuse edhe zonjë ? Me sa duket,  është kjo e fundit që do të mbetet. Edhe nëse nuk ka qenë zonjë në realitet,  ajo ka qenë e tillë në trurin e poetëve të saj. Pra,  në një realitet po aq të fortë,  sa edhe ai që shpaloset trupërisht përpara nesh .

Poetët shqiptarë,  në të vërtetë,  duke e quajtur Shqipërinë zonje,  u nisën nga një shestim,  nga një projekt i së ardhmes. Ata krijuan imazhin e saj,  atë që duhej të vinte dhe,  për ta bërë sa më të besueshëm atë imazh,  për t’u dhënë shpresë bashkëkombësve të vet,  ngulnin këmbë që kjo nuk është një shajni,  një fantazmë,  por përsëritje e një të kaluare.  Me imazhin e « zonjës » ata luftuan një portretizim të tretë të Shqipërisë,  një pamje të përbaltur,  të pjellë nga vulgu shqiptar: atë të « Shqipërisë së mallkuar »,  të « Shqipërisë kuçkë »,  të Shqipërisë së sëmurë. Ishte ky imazh që u shfaq si një ethe e keqe vitet e fundit,  sidomos në marsin e zi të vitit 1997.

Poetët shqiptarë,  sidomos rilindësit,  e njihnin mirë këtë cen të njeriut shqiptar: kalimi nga përndezja e entuziazmi në ligështim shpirtëror.  Ndaj ata,  me të gjitha kambanat,  donin të mbanin lart moralin shqiptar.

Thyerja e këtij morali në vitet 90,  ishte kambana e zezë që paralajmëroi rrezikun e thyerjes në mes të krejt kombit shqiptar. Ri ngritja e Shqipërisë nuk mund të fillojë veçse nga ngritja e moralit,  pra nga shëndoshja shpirtërore e saj. Populli shqiptar duhet të bëjë që të heshtin qyqet,  që tash ca kohë po i para ndjellin veç fatkeqësi dhe vdekje. Ato qyqe duhet të heshtin,  në radhë të parë,  brenda tij e pastaj,  natyrisht,  rreth e rrotull. Shëndoshja shpirtërore do ta qetësojë nervozizmin e tij të skajshëm,  që nuk është veçse një shenjë lodhjeje. Kjo do të bëjë që mendësia e tij të kthjellohet e të jetë e aftë të shestojë strategjinë e tij themelore: Jetën e përbashkët në atdhe.

Ky qëllim madhor është aspirata më e ligjshme për një popull. Asnjë,  asnjë manipulim apo tregti politike,  asnjë trysni shtetesh,  lobesh,  apo organizmash ndërkombëtarë nuk mund ta pengojë kombin shqiptar të kryejë atë që të gjitha kombet e tjera të Evropës,  plotësisht apo gati plotësisht,  e kanë kryer: bashkimin e tyre.

Me këtë akt,  populli shqiptar nuk synon asgjë të pazakontë e nuk kërkon asgjë të veçantë: ai kërkon veç normalitetin e vet. Ky normalitet është dhunuar pa mëshirë e ai duhet të qortohet.

Në familjen e popujve evropian kombi shqiptar është i vetmi sot që është shënjuar për të keq. Ndërsa të gjithë ecin në një mënyrë normale,  ai,  i prerë mizorisht,  është i detyruar të bëjë rrugën si një i gjymtuar. Një njeri i vetëm,  që lëçitet (ndahet) kështu nga të tjerët,  egërsohet,  e jo,  madje,  një popull i tërë. Populli shqiptar as ka kryer krime e as ka faje për të larë përpara botës. Ndonëse ka dymijë vjet që ekziston në këtë botë,  ai as ka sulmuar kënd,  as ka pjellë doktrina për zhdukjen e të tjerëve.

Shprehje të tilla si “Shqipëria e madhe” janë një tallje e një cinizëm i pashembullt në botën e sotme. Shqipëria e tkurur në 28 000 kilometrat e saj,  është e kërcënuar të fajësohet si « e madhe »,  në qoftë se do të arrijë 45000 ose 50000 kilometra,  e shteteve të tjera,  me shtrirje të përbindshme prej miliona kilometrash katrorë,  shtete që kanë bërë krime të frikshme ndaj botës,  që kanë pjellë teori të zeza si murtaja,  që kërcënojnë njerëzimin më  armë bërthamore,  nuk quhen « të mëdha ».

Si organizmi që kërkon jetën e vet natyrale,  kombi shqiptar kërkon normalizimin e vet trupor e shpirtëror. Pengimi i tij është thjesht një krim. Ndihma që mund t’i jepet është detyrë humane dhe historike.

Kombi shqiptar,  pavarësisht nga imazhi i shfytyruar që jep,  ka shumë rezerva dashurie e sinqeriteti në brendësinë e vet. Evropa e sotme,  sado e kompletuar të duket,  ka gjithmonë nevojë për dashurinë e popujve të vegjël,  shpesh të harruar.

Mijëvjeçari i dytë ka qenë për shqiptarët tepër i rëndë. Në këtë mijëvjeçar dy shekuj kanë qenë vazhdimisht tronditës për të: i pesëmbëdhjeti dhe i njëzeti. Në të pesëmbëdhjetin ata humbën lirinë,  e rifituan,  për ta humbur përsëri. E megjithatë,  ata dolën nga ky shekull me një ngarkesë shpirtërore heroike që do t’i ushqente gjatë pesë shekujve pushtimi të Perandorisë Osmane. Në shekullin e njëzetë,  historia e tyre ishte edhe më e trazuar dhe aspak fatlume. Janë të gjitha gjasat që mijëvjeçari i tretë,  pavarësisht nga tronditja e sotme e Shqipërisë,  të fillojë mbarë. I mbarë për ata që,  ndonëse e kanë quajtur vetën « bij të shqipes »,  gjer më sot nuk janë ngjitur dot kurrë në lartësinë e dëshiruar,  veç në ëndrrat e tyre. E megjithatë,  ndonëse krahët disa herë u janë thyer,  ata ende vazhdojnë ta quajnë veten njëlloj si më parë. Kjo këmbëngulje dëshmon,  në fund të fundit,  besnikëri ndaj kodit të moçëm dhe dëshirë për t’iu bindur urdhrit të tij.  (f 41- 46)

*Kombi Shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë- Onufri 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: Ismail Kadare, Miti i katastrofës

29 Nëntori gjithmonë i ka hyrë në hak Ditës së Flamurit

November 30, 2016 by dgreca

Nga Sadik Bejko/  Sivjet, në këtë 29 Nëntor, dua të kujtoj edhe ballistët. Nuk kam pasur ballistë në familje. Dua t’i kujtoj se ballistët ishin antifashistë, ishin republikanë, jomonarkistë, ishin antikomunistë për më tepër. Komunistët e përvetësuan luftën. E bëri partia, thoshin. Por pati dhe forca jokomuniste që luftuan. Luftën e bëri Shqipëria. Shqiptarët i deshën a nuk i deshën partizanët, dhanë bijtë për luftën, dhanë bukë, strehë, veshje. Shqipëria për 4-5 vjet ka qenë realisht/zyrtarisht shtet fashist. (Ne nuk e themi që kemi qenë shtet fashist, veç kur del me dokumente që edhe N. Xhunglini aplikonte për punë si fashiste. Nga halli, kështu thotë). Fashizmin shqiptari nuk e deshi. Po kush e pyeti? Nga shtet fashist më 1945 u bëmë shtet komunist. Si në asnjë rast tjetër në botë. Morëm një kthesë 380 gradë. Shqiptari nuk e deshi komunizmin. Të dyja (fashizëm e komunizëm) na i imponuan kohërat. Popujt e vegjël janë zare në lojën e historisë. Që nuk e deshi Shqipëria komunizmin e dëshmon një fakt. Asnjë nga elita intelektuale e viteve ’30 (shkrimtarë, profesorë, nëpunës karriere, ish-luftëtarë) nuk shkoi me komunistët e malit. Elita shqiptare nëpërmjet Branko Merxhanit “Pse nuk jam marksist” e kish thënë që ishte antikomuniste. Më 1939 disa përfituan nga të mirat e Shqipërisë fashiste. Me këmishën e zezë Nexhmija u bë mesuese. Enveri bënte kontrabandë duhani te “Flora” me ndihmën e biçakçinjve të Elbasanit. Qemal Stafa shkoi të studionte në Firence. Bukën e fashizmit hëngrën Kahreman Ylli, Bedri Spahiu e shumë krerë komunistë. Ndryshe ndodhte me nacionalistët, më pas Ballistët. U gjakosën që më 7 prill. Pas 7 prillit M. Frashëri, Ermenji, Butka etj u internuan në Ventotene. Çetat e Ballit dhe partizanët e luftuan bashkë fashizmin më 1942- 43. Si u përmbysën fatet në fund të vitit 19443? Pse u masakruan nacionalistët në Dunicë të Mokrës (35 ballistë), në Myzeqe (67 ballistë)? Pse ballistët, këta antifashistë të orëve të para, u shtynë të bashkëpunojnë me nazistët? Kjo është një pyetje për historinë. Lufta mbaroi pa fitimtarë. Më 1939 vendosi pushka e zezë e të huajit. Më 1944 vendosi pushka e kuqe e partisë. Popullin nuk e pyeti njeri. As referendum, as zgjedhje të lira. Ky nuk ishte çlirim. Të vij te fillimi. Sot dua të kujtoj Ballistët. Këto ditë një mik më pyeti: Ka ballistë antifashistë? Po. Ata ishin patriotë. Ata dinin të luftonin. Kanë qenë ballistë antifashistë (dhe antikomunistë njëherësh). Po. Kanë qenë shumë, shumë të tillë. Njeri prej tyre ishte vlonjati Hysni Lepenica, dëshmor i atdheut, që ra theror si antifashist në Gjirokastër më 1943.

Filed Under: Opinion Tagged With: 29 Nëntori gjithmonë, Ditës së Flamurit, i ka hyrë në hak, Sadik Bejko

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 525
  • 526
  • 527
  • 528
  • 529
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT