• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQETESIMI: Mbi 50 % e katolikëve janë shpërngulur nga Kosova

February 3, 2016 by dgreca

*Pas lufte mbi 50% të popullatës së besimit katolik për shkaqe të ndryshme janë shpërngulur nga Kosova për në SHBA, Australi, Evropën perëndimore etj. Këtë shqetësim alarmues mori guximin këto ditë dhe e ngriti anëtari i KK-së në Klinë Z. Pjetër Coli./
 Opinion nga Pjetër Coli/
 “Fjala është për një jo rregullsi në Komunën e Klinës, e cila daton që nga viti 1999 e deri në ditët e sotme. Bëhet një dallim i madh në investime, në punësime, në dhënien e tenderëve etj.
Këto tema janë tema të cilat fliten në çdo ndeje, edhe unë kam marrë guximin që t’i prezantoj në mënyrë transparente, që t’i dëgjoni edhe ju në këtë Asamble së bashku me argumentet. Jo, nuk ka tendencë, nuk ka ndonjë prapavijë, nuk ka ndonjë shkak tjetër çfarëdo qoftë ai, por është një realitet. Kush më njeh personalisht, kush e di biografinë time e dinë që nuk i takoj rrethit të njerëzve që flasin me tendenca, por u takoj njerëzve që kanë guximin për ta thënë të vërtetën.
Nëse fillojmë prej 1999, kur pushtetin komunal e ka pasur LDK-ja, në Lugun e Drinit përpos një participimi prej 7 mijë markave, apo eurove, këtu mund të gaboj, për një ujësjellës në fshatin Radulloc, edhe ndihmën e elektrifikimit në Krushevë të Madhe, pushteti i LDK-së asnjë investim kapital nga buxheti i Komunës nuk e ka bërë.
Edhe kjo dukuri vazhdon në kontinuitet me një ndryshim të vogël. E keni Radullocin të paasfaltuar, e keni Pataqanin të paasfaltuar, e keni Zllakuqanin të paasfaltuar, Berkovën, Ranocin pjesërisht, Stupa, krejtësisht, Budisalci, Krusheva e Madhe, Jagoda, Videja, pjesërisht, Deiqi, pjesërisht, Drenskiku. Domethënë është komplet kjo anë, e cila nuk është e asfaltuar.
Kurse jashtë Lugut të Drinit, në anën tjetër, përpos Grapcit, nuk është asnjë fshat që nuk është i asfaltuar. Investimet në infrastrukturën rrugore që janë bërë kohëve të fundit këtu në Lug të Drinit janë vetëm 7670 metra. Në Deiq janë 1700 metra, Polca 620 metra, Krusheva e Vogël 1850 metra, Leskoci, 2700 metra, Ranoci 800 metra. Edhe për këto 7.7 km asfalt janë dhënë participime 66 900 euro. Domethënë një participim i lartë që nuk e njohin fshatrat tjera.
Në kohën e LDK-së, është asfaltuar rruga e Ranocit, por Komuna asnjë cent nuk e ka dhënë. Është asfaltuar rruga e Jagodës, ku Komuna ka participuar me vetëm 50 mijë euro. Mjetet tjera për këtë projekt rrugor 7 km të gjatë janë dhënë, 440 mijë përafërsisht nga Ministria, 130 mijë nga komuniteti, 50 mijë nga UFORK-u, që ka qenë fond i trepërqindshit, i cili ka funksionuar pas lufte edhe në Kosovë.
Për objektet shkollore, ju jeni dëshmitarë që 5 shkolla janë ndërtuar ose janë duke u ndërtuar në fshatrat e Komunës sonë dhe asnjë në Lugun e Drinit! Shkolla e Leskocit, është financuar nga UFORK-u, në kuadër të një financimi që e ka ndarë ai fond për 3 shkolla të atëhershme në Komunën e Klinës, me ato të holla 220 mijë marka është ndërtuar një shkollë në Poterq, një në Leskoc, edhe një në Sferkë. Sferka një herë nuk kanë dashur t’i marrin ato të holla, atëherë prapë i kanë marrë, por është ndërtuar edhe shkolla e Sferkës, pra ka qenë një participim i UFORK-ut edhe për këtë shkolle me 110 mijë euro.
Ky është një segment, kurse tjetri ka të bëjë me punësimet në komunën tonë: I kemi, aq sa kam mundur unë t’i numëroj, 14 institucione edhe ndërmarrje publike në Klinë dhe asnjë drejtor apo udhëheqës nuk është nga Lugut i Drinit, asnjë i vetëm! Në te gjitha këto institucione edhe ndërmarrje publike punojnë 735 veta, ndërsa nga Lugut i Drinit janë vetëm 135. Ne polici janë nga 84 vetëm 10; në postë nga 31 janë 7; në gjimnaz nga 60, janë vetëm 8; në shkollën profesionale nga 75, janë vetëm 10; në shkollën “Ismet Rraci” nga 66, janë 13; Qendra sociale nga 12, është vetëm 1, bile edhe ky përmes gjykatës ka arritur ta ruajë vendin e punës; në Shtëpinë e Shëndetit nga 137, janë 41; gjykata 34 me 3; te letërnjoftimet, 17 me 0; KEK-u 34 – 2; në Komunë 87 -16; Ambienti 23-3; Hidrodrini 22-4; “Motrat Qiriazi” 34 me 17. Domethënë, totali është nga 715 vetëm 135! Nëse dikujt këta numra i duken të dyshimtë secili ka të drejtë t’i verifikon. Mua më janë dashur 6 vjet, prej se jam në Asamblenë Komunale për të ardhur deri të një konstatim të cilin po e foli shumë sinqerisht dhe vëllazërisht sot këtu.
Në anën tjetër, Komuna i ka ndare 81 banese për nevoja të njerëzve tanë. Kriteret qysh janë ndarë, sa janë ndarë, nuk po hy andej, nuk më interesojnë, por prej 81 banesave vetëm 4 banesa.
Edhe diçka te asfaltimet: Ka fshat jashtë Lugut Drinit, i cili ka më shumë kilometra të asfaltuara se sa të gjitha rrugët në Lug te Drinit në 6 vitet e fundit. Tenderët:
Unë nuk e di që dikush i Lugut të Drinit ndonjëherë në këtë Komunë e ka marrë një tender, nëse gabojë të më korrigjoni dhe do të kisha qenë i lumtur nëse është e kundërta. Tregomëni, nëse ka.
Të gjitha këto janë çështje ekzistenciale. Ky është një komunitet autokton i cili jeton këtu me shekuj, është pjesë e proceseve, pjesë e ndryshimeve, pjesë e reformave; ka dhënë kontributin e vet me siguri aq sa e kanë dhënë edhe të tjerët, edhe nuk është në rregull që ne si institucion të veprojmë në këtë mënyrë.
Njerëzit po shpërngulen, njerëzit po ikin dhe kjo gjendje po i detyron për të shkuar në Gjermani, Zvicër, Amerikë, apo gjetiu. Unë po apeloj që si Komunë atë buxhet që kemi ta ndajmë vëllazërisht, proporcionalisht në secilën anë barabar. Aq sa del le të del. Kur nuk del s’kemi çfarë të bëjmë. Edhe në familjet tona është buxheti i kufizuar.
Edhe njëherë për asfaltimin e rrugëve, po që se e marrim komplet rrugën e Jagodës edhe Zllakuqan – Ranoc, dua ta ceku se kam qenë kryetar i Fondit te 3%-shit në Gjermani i cili ka tubuar 270 milionë marka për Kosovën dhe pas lufte 2 vite kryetar i UFORK-ut ne Prishtine. Nga kjo pozite kam arritur t’i kanalizoj do mjete për komunën tonë. Sado absurde që ndokujt i duket, prej lufte deri me sot nga ky UFORK Komuna e Klinës i ka marrë 771 mijë euro ndihme. 3 shkolla dhe rrugë te asfaltuara. Dua ta ceku se për rrugën e Jagodës – 130 mijë i ka dhënë komuniteti, nuk ka tjetër kund që është pjesëmarrja aq e madhe për një projekt sa rruga e Jagodës.
Nëse ndokush mendon se unë e kam motiv fanatizmin, gabohet shumë. Unë nuk jam fanatik, nuk jam fetar dhe besoni që feja nuk është shkak për të dalë sot këtu, nuk më është dukur lehtë të flas para jush për këtë teme, njerëz te vendit, që e kam pasur mall gjithë jetën dhe që kam bërë përpjekje për ta ndihmuar gjithë jetën nga atje ku kam jetuar, pa kurrfarë interesi në personal.
Unë e njoh historinë e popullit tim, mjaft mirë, i di ndarjet fetare, raportet etj. Shikoni veprat, shikoni qëndrimet, shikoni sjelljet e mia në raport me rrethin deri me sot, atëherë mund të konstatoni se këto fjalë janë vetëm të vërteta. Ka ndodhur që në shtëpinë time të çohet bashkëshortja ime natën t’i përgatis syfyr mysafirit tim shqiptar i besimit islam. Ose të tillë njerëz që janë falur në shtëpinë time. Edhe nëse veprohet kështu, atëherë…desha ta përmendi fjalën tolerance, që fare nuk e pëlqej dhe ne vend të saj unë i them: respekt i ndërsjellë fetar, që është praktikuar nga unë dhe familja ime.
Pra, unë sot apeloj te ndërgjegjja juaj, që ta bëni një monolog me vetveten dhe të thoni se ky njeri ose qenka çmendur ose e tha një realitet të hidhur.
Ju faleminderit për vëmendjen!”- ka konstatuar në diskutimin e tij anëtari i Asamblesë komunale në Klinë Z. Pjetër Coli.Kortezi: shqiptari.eu
E dergoi per Diellin: Idriz Morina

Filed Under: Opinion Tagged With: janë shpërngulur nga Kosova, SHQETESIMI: Mbi 50 %, të katolikëve

Plasi peshku në Gjirokastër

February 2, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja
Djemtë e Gjirokastrës kanë qënë këtë muaj, bumi i publicitetit. Suksesi i bujshëm i drejtësisë. E filluan me Gaten, tani me Kserën. Ndërkohë mbytën televizionet me koferenca, analiza, deklarata për korrupsionin. Të merr malli të shikosh në tv-t tona një program, nga jeta e njeriut shqiptar. Të gjithë janë o kështu, o ashtu…, të gjithë me t’ja futur të gjithëve. Aq sa ne këtej që blejmë ca paketa televizive me stacionet tona, pyesim me naivitet shoqi-shoqin. Ore a rrojnë më ata gazetarët e bujqësisë përshembull?. Seç kanë qënë ca me emrin Marash. Që bëjnë ca rubrika mbi zanatelinjtë, traditat, vëndet. Apo kulturën tonë. E kërkojmë internetit përshëmbull një me emër Alma Çupi. Se që ta themi hapur, janë bërë këto të pakta rubrika, si faqet e fundit të gazetave një herë e një kohë. Na mbyti bumi i zhurmshëm i scoopeve. O nga politika, o nga Prokuroria. Na mbytën edhe studiot me debatet shterpe.
Disa e quajnë fillimi i reformës. Disa pragnisja e spastrimit të admistratës. Lufta e ashtuquajtur, me zero tolerancë ndaj krimit, korrupsionit etj. Dhe i ra për pjesë Gjirokastrës. Qytetit me heronjë dhe antiheronjë. Vendit të gurit dhe i një burri të bukur që vërtet ëndërronte një Shqipëri shtet sovran. Ndaj shkoi e u vra në fushën e Shtojit. Mirëpo i pshurrën në kokë për vite me radhë antiheronjtë aq sa edhe një qivur nuk kanë ujë t’ia lajnë. Edhe pse Gjirokastra shquhet për shi. Shquhet për steret e gurta.
Kanë tre ditë me Spiro Kserën. Standarti i tenderave. Paska vjedhur ca harixhinjë. A e dini se nëntëdhjetë e nëntë përqind e shqiptarëve drejtues. E kanë edukatë normale fitimin e tenderimit.
E fillojnë nga byrekët me gjizë, silla e mëngjesit. Dhe përfundojnë tek moda e frutave të detit. Nuk ka nënpunës shqiptar që mos ta ketë ndyer dorën në atë t’lyn. Nuk e shkruajti kot ai plaku nga Vlora, që e kishte për zor të shkruante vjersha. Ali Asllani, atë verdiktin e Kohës së maskarenjëve. Përpara se të bërtisni që Ksera është vetëm fillimi. I thoni njerëzimit që Ksera e dinte prej kohësh që do e arrestonin. Dhe nuk u largua nga vendi. Mund të kishte përfituar pension admirimi. Dhe mund ta kishin bërë kolonel në Greqi. Por nuk iku. Gjykojeni me urtësinë e ligjit, jo të koferencave për shtyp. Me suksesin imagjinar të reformës në drejtësi. Me fillimi imagjinar të luftës ndaj krimit, korrupsionit. Jemi në atë pikë, ku vendi para së gjithash ka nevojë për një reformë të tipit duart e pastra. Kush i ka të pastra në shtëpinë e drejtësisë shqiptare. Kush i ka të pastrat në administratën shqiptare. Reforma fillon nga vetja. Kush e ka kurajon nga koferencaxhinjtë të deklarojë pasurinë. I kanë të gjitha nga gratë. Asgjë nga vetja. Nga paga. Kush e ka kurajon të fillojë nga vetja. Pastaj nga qoshet.
Peshku i madh nuk në Gjirokastër, në atë fshat ku priste ekzekutimin një ishministër minoritar. Peshku i madh është në Tiranë.
_______
Dy fjalë edhe këtyre minoratarëve që heshtin. Me që veproni edhe nën sloganin si Parti e të Drejtave të Njeriut. Dhe që jeni bërë katërsh. Ju ka kapur sëmundja e politikës pragmatiste. Për një pozitë, për një aleancë. Për mëri personale se keni për gjë të flirtoni gjithçka. Edhe vetë ekzistencën tuaj. Edhe pse çirreni për të drejtat tuaja. Të etnisë tuaj. Diktaturat kanë për t’ju tetëfishuar dhe përdorur. Pasi e dini…, ata që ju përdorin janë diktatorë. Nuk është turp të jesh minoratir. Të ndihesh grek, e të jetosh si shqiptar. Turp është kur ju përdorin. Ashtu sikur po përdoren edhe çamët. Dhe kurrë ai Jug i bukur. Nuk e gjeti paqen mes vedit. Po u them edhe juve. Peshku i madh është në Tiranë. Jo në Derviçan…

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, në Gjirokastër, Plasi peshku

PEZULLIMI PER 10 VJET I PARTIVE DO TE SHENDOSHTE GJENDJEN

January 31, 2016 by dgreca

nga Lekë Tasi/
Kënaqësia e daljes nga diktatura në 1991 u pajis herët me pakënaqësira të llojit ekonomik për diferencimin që sjell kapitalizmi, ndërsa të përndjekurit dhe pronarët janë luhatur mes shpresës dhe zhgënjimit por me grafik konstant për teposhtë; vetëm muajt e fundit po fiton shpresa bile kënaqësia tek kategoria e moshuar. . Kriza ësht fryt jo vetëm i shanseve të pabarabarta që i bien secilit prej ekonomis së tregut, por edhe rezultat i largët por real i një përfaqësimi jo të plotë të interesave të popullit në këto 25 vjet. Provë e oligarkisë ësht moszgidhja e zgjatur e problemeve me dialog të hapur. Në vend të hapjes palët priren drejt një ortakërie të mbuluar për të fiksuar çdo herë një akomodimin të ri, që të mos ia nxjerrin në shesh njera-tjetrës fajet.Ky ësht një mendim shumë i përhapur, dhe vërtetohet nga shifrat e enteve ndërkombëtare mbi korrupsionin. Po si shpjegohet grindja kaq e lartë? Ajo ka në qendër të saj luftën për pushtet pa tjetër, dhe zhurma për vjedhje e krime e mbulon shkakun e vërtetë: rivalitetin . Po të kishte grindja për objekt drejtësinë, do të kishim në burg një numur fajtorësh të rangut të lartë të rreshtimit kundërshtar sa herë të merrte fuqinë njera palë. Jo vetëm s`kemi asnjë të dënuar, por as të denoncuar rregullisht në Prokurori. Denoncimet e deritashme janë me gropa që i lejojn Gjyqësorit (edhe ai i ortakërizuar) të japë pafajsi njerzve shumë të përfolur dhe bile me prova si drita e diellit. Argumenti më qesharak në pengim të zgjidhjes ësht, se referendumi dhunon sovranitetin (!) Kjo barierë gjoja konstitucionale e mbajtur në këmbë qëllimisht, nuk na ka penguar të pranojm ndërhyrje më të rënda, siç ka qënë Misioni Pelikan, kur sovraniteti u shkel mirfilli e jo virtualisht.
Te kjo gjendje kemi përfunduar nëpërmejt pabarazis së përfaqësimit qysh në vitin 1991. Ish të përndjekurit dhe pronarët, dy kategori që i jepnin kuptim rënies së Perdes së Hekurt, nuk patën zë absolutisht në parlament dhe aq më pak në pushtetet e tjera, gjyqsor dhe ekzekutiv. Një saktësim: ato nuk patën zë real . Organizimi i imponuar me fundin e Luftës së Ftohtë, i jepte grupit në fuqi dhe rrethit të tyre tagrin e ngritjes së sistemit parlamentarist dhe të ekonomis së tregut, pra autorizoheshin njerëstë besuae të ish regjimit të dispononin mënyrat dhe kuadrin edhe në epokën demokratike. Këtë mund ta quash edhe të natyrshme në raste kalimi paqësor të fuqisë, dhe ndodhi edhe në disa satelitë lindorë, madje me pëlqimin e Perëndimit. U sakrifikuan pra të vuajturit që e donin me shpirt Botën e Lirë, për të garantuar Rusinë se nuk do të përfitohej nga dobësia momentale e saj. E dimë mirë ç`ndodhi në këto 25 vjet. NATO ka hyrë deri në kufi të Rusis me pëlqim e ngazëllimin të popujve aty, kurse në satelitët qeverisja pati një variabilitet që tregoi shkallën e zhvillimit të secilit shtet; në Çeki dhe Hungari u zgjodhën presidentë dy ish të burgosur, në Rumani e kapi kariken ngutazi një ish komunist, në Bullgari një ish mbret mjaft pozitiv dështoi, e me rradhë. Një tipar i përbashkët zhvillimi i vendeve juglindore ësht që megjithse ballkanas, disa figura rangu të lartë u dënuan për korrupsion, dhe udhëheqësit ndërrohen. Në Shqipëri kemi të kundërtën; burgimet mungojn tërësisht, madje ka lirime, kurse në vend të qarkullimit të krerëve kemi pasur shtangie të gjatë në krahun e quajtur të djathtë. Më e habitshmja ësht që ankesa e ish të përndjekurve ndaj qeverisë së quajtur të djathtë për mospërmbushjen e detyrimemeve të ligjshme ndaj tyre, po e digjon dhe zbaton gradualisht qeveria e quajtur e majtë; kurse për pronarët, tërësisht të pakënaqur nga puna e krahut të djathtë, që e kishte edhe kohën edhe angazhimin për t`ua kënaqur kërkesat, e majta trashëgon një lëmsh, të cilin mbasi u mundua ta ftilojë, ka nxjerrë një ligj që nuk i kënaq përsëri.
Pse kategoritë e përmbysura-përndjekura u mbajtën larg politikbërërjes? Pse ligji për shpërblime të burgosurve dhe ai i pronave me një marzh rikthimi për pronarët , u miratuan dhe nuk u zbatuan ? Mos ndofta që dy kategoritë në fillim të shprehnin kënaqësinë, dhe pastaj të dëshpëroheshin ? Nuk e kuptuam arsyen, por duke e parë të gjithën me syt e sotëm, shpjegimet janë dy: Ose kreut të djathtë iu ngarkua detyra që të premtonte dhe të zhgënjente ithtarët e tij në dobi të një të majte që nuk do ta pengonte në krijimin e pakënaqsis (ajo ortakëri që thamë por që ay nuk e respektoi) , ose ai ka qënë koscient dhe autor i këtij plani, që me anën e stërzgjatjes, duke lëshuar nga pak, të siguronte tre-katër mandate. Ky project ambicioz dështoi madje tragjikisht për arsye të tjera, kryesorja mosqartësi e shprehur në improvizime gjithfarësh, të nisura dhe të lëna në mes, gjë që na çoi edhe herën e parë edhe në të dytën në pakënaqësi të theksuara.
Taktika e të fituarit kohë është veti e të dy krahëve të ish establishmentit. Prandaj dhe parlamenti u nda mes tyre, duke e “kripur” krahun e djathtë të karikeve me ndonjë ish të vojtur nga sistemi, por me kusht që mos të ngrinte pretendime. Ish të dënuarit u quajtën të gjithë të pafajshëm, me vendim por pa rihapje të proceseve, që konsistonin në një fletë të daktilografuar secili. Pra punë pa themel siç ësht zakoni i amatorizmit tonë politik. Akademia qe përherë e gatshme të mbështeste fajsinë e tyre, pa përfillur literaturën e dalë ndërkohë. Fryma diskriminuese u duk hapur në rastin e Kalakullës, që pati kurajën të shprehte në seancë plenare një gjykim krahasues komunizëm-fashizëm, dhe u fulminua në çast nga kryetari i tij, për tu nxjerrur më pas jasht grupit nën heshtjen e gjithë të ngjashmëve të tij. Kjo tregon se disiplina e vjetër, e tipit Leninist mbetej në fuqi, por e mbështetur edhe nga tipari vendës shih-e-bëj i zatetur prej praktikës së gjatë. (Deri kur do ta quajm të natyrshme që mbledhjet, asambletë, parlamentet të përbëhen prej karrikesh që mbajn sipër njerëz? Ku vajtën nervat shqiptare që marrin zjarr shpejt?) Klima autoritare në partinë ku kërkuesit e reformave i kishin mbështetur shpresat, i ndau ish të përndjekurit, në të bindur të urtë dhe të indinjuar të pafuqishëm. Të parët nuk do prishnin më qef, kurse të dytët do pengoheshin me mënyra të ndryshme për tu organizuar. Dhuna u përdor edhe më e egër (siç e nxjerr me foto shtypi këtyre ditëve me plagë në fytyrë) ndaj një ish pjesëmarrsi të hershëm dhe të përjashtuar se kishte prishur qef, i cili me suksesin e tij të bujshëm në atë moment mund të përbënte rrezik për këtë monizëm manierë e dytë. Modeli i demokraci-parlamentarizmit nën kontroll u mbështet me zëra dhe filma të vjetër sikur kategoria e të ardhurve nga burgjet e kampet kishte synime hakmarrëse, megjithse nuk ishte ndier i gjallë asnjeri prej tyre, për efekt zbutjeje të habitshme të shpirtrave ndërkohë. (I vetmi rast i tillë qe vrasja e një sigurimsi shkodran që kishte thyer arra me gur në kokën e një të arratisuri të vrarë prej tij). Natyrisht maturia e ish reaksionarëvet nuk u çmua si bazë mbi të cilën mund të ndërtohej një përfaqësim i plotë i spektrit socialpolitik ekzistues, sepse ai përfaqësim do të komportonte debat , dhe ishte debati që kreu në fuqi druante. Vendin e atij debati thelbsor e me argumenta si në çdo parlament serioz, e zuri debati tjetër, me klithma, sharje, e akuza fare pa vend, përderisa nuk pasoheshin nga denoncime me pliko,ose gjyqe për fyerje, gjëra të perënduara prej kohësh ndër ne.
Dështoi pra demokracia e tipit perëndimor. Reagimi i Perëndimit qe i dobët dhe i zbarët, gjë që përpikëson strategjinë e përhershme të tij për ne, si popull i paarrirë për demokraci, kurse në Ballkanin tjetër ai ushtronte presion sepse gjente digjues.. Ky konsiderim ësht fyes, megjithatë klasa politike nuk u prek në sedër për ta korrigjuar, jo vetëm nga lëkurtrashësia por edhe nga një miopi fenomenale. Kolegët e Kalakullës, por edhe gjithkush, duhet të reagonin jo vetëm të indinjuar por edhe për vetmbrojtje. Heshtja i çoi në eliminim me efekt domino. Edhe vetë kreu përjashtues, duke gjakuar me të tepërt sundimin absolut, hoqi dorë nga simpatia e madhe që gëzonte në popull, një favor që rrallë të bie në dorë,dhe me atë zgjerim të praktikës përjashtuese, ngushtoi bazën e vet,me pasoja tragjike siç erdhën më pas.
Kështu rritja demokratike e shoqërisë, në një moment historik të shumëpritur, doli një flluskë. Me veprimet tona ne u japim të drejtë skeptikëve perëndimorë, jo simpatizantëve. Qe një kthim mbrapa i hatashëm dhe i pamerituar. ; vetëm ndërtesat, rrugët, turizmi, moda kanë ecur, por janë tregues jo i rëndësishëm, krahasimisht me konsolidimin e një klase të mesme në vend e jo ikanake,dhe të shtetit. Emigracioni masiv mund të krahasohet me migrimet mesjetare që kanë lënë një popull energjik në bisht të Ballkanit. Shkaku kësaj rradhe ësht krejt i qartë : kolektivizmi deri te pulat që pësuam, s`mund të linte pas tij veçse individualizmin më të harbuar që ësht indiferencë për gjënë e bashkët dhe pandjeshmëri ndaj vlerave, të cilat nuk na mungonin në stad embrional dikur, por u zbehën skajshëm nga rrënimi shumëplanësh i hartuar nga komunizmi. Kështu , hallkat e një jete demokratike në ndërtim u tjetërsuan qysh ditët e para: sindikatat u kthyen në servile ose/dhe hajdute, mediat pak më të gjalla në fillim, me të dalë në shesh paraja e madhe morën dhe ato po atë rrugë, një pjesë e madhe e biznesit u lidh me dyshen pushtet-paligjësi, dhe vetë populli në masë të madhe, për mbijetesë ose në kërkim të suksesit , imitoi ato modele dhe nuk pyeti më për të bërë hapa drejt përmirësimit të përgjithshëm, siç janë sinqeriteti me taksat, ruajtja e ambjentit, respekti për pronën e tjetrit, dalja në mbrojtje të një kauze etj. Populli vetë u ra me top pyjeve, u vra me fqinjin për hiçgjë, ndoti lumenjt, dhe po vret veten me marrëzinë e shtëpive mu buzë tyre. Lakmia për pushtet, i lë mënjanë detyrat e ditës. Intelektualët e vërtetë – një ishull i vogël që thërret në shkretëtirë për mbrojtje të vlerave, për veprim pro tyre mbeten të izoluar. Fryma e kohës ësht e keqe, egoizmi më banal ka zënë tejetej vendin e bashkëpunimit, infekton gjindjen në momentin më kritik, kur kemi përballë rreziqe invaduese .Në fakt, pa ripërtritje me rrënjë të shoqërisë, pa abrogim ligjor të Kushtetutës dhe ligjeve të diktaturës, pa dënim të krimeve të Komunizmit , s`mund të pritej tjetër gjë veç çoroditjes.
Edhe ish të burgosurit politikë nuk mund ta loznin si duhet rolin e tyre në 1991. Si të përzier me ordinerë prej vendimeve gjyqsore të mbas 1960, që u shtonin kriminelëve edhe një nen politik, ata u kapën keq nga pushteti i ri, u trajtuan njëlloj me hajdutët, bile u përdor ndaj tyre një lojë e ultë, duke i ndeshur me njerëz të padenjë, të cilët përdornin gango nëpër mbledhje që tu rrëmbenin shoqatat, dhe ta diskreditonin krejt kategorinë me fitimet që ata nxirrnin në kurriz të nevojtarëve. Kjo qe një goditje plus ish armiqve edhe në jetën civile,mbasi i kishin sakatuar në qelira me tortura. Një qeveri, cilado qoftë, bart obligimet e së mëparshmes, aq më shumë kur ësht edhe e të njejtit lloj. Asnjë ndjeshmëri të tillë nuk tregoi e jona. Dhe nuk mjaftoi; pati dhe ka ende një vëmendje të ligë për të njollosur ose lënë në hije meritat historike të tyre, vlerat kulurore që u përkasin, personat e asaj origjine që u shquan në fusha të ndryshme. Nderimet që u bëheshin ishin vetëm një fasadë dhe vetëm dredhi për të bërë për vete naivët mes tyre.
Ky rrënimi i demokracisë — s`mund të quhet ndryshe mungesa e debatit serioz, fyerjet, grindjet dhe plagosjet, vrasjet, në parlament, afër tij e kudo, mënjanimi i klasës së kulturuar ose të fisme, e me kohë zhdukja misterioze e njerzve dhe tulatja e drejtsis për të mos i zgjidhur rastet, dalja në shesh e armëve dhe shkrirja e ushtrisë, ndërhyrja me forca ushtarake e ndërkombëtarëve , përbuzja e mezifshehur e të dërguarve të tyre kur nuk gjenin asnjerën palë të gatshme për pajtim, fyerja e pushteteve të tjera nga ekzekutivi me gjuhë rruge — janë jo vetëm dështim i bashkekzistencës civile për të cilën ish -armiqt e vuajtur dhanë prova qytetëruese qysh në fillim, por edhe degradim që i bëhet popullit tonë në syt e botës. Ish të përndjekurit kanë pjesën e tyre të fajit duke i besuar premtimeve fillestare, duke arritur madje edhe në veprime dhune.Sepse vuajtja e gjatë çon në gabime ata që s`kanë për busull kulturën.
Kanë kaluar 25 vjet. Megjithatë, besën që i patën dhënë kësaj të djathte të gjithë të vuajturit, disa prej tyre ia mbajnë akoma aq sa të dalin edhe kundër bashkëvuajtësve që dogjën veten prej marazit që gabuan. Esht krejt pa vend të japësh besën dikuj për gjëra ku hyn diskutimi, dhe për simetri të papërligjur nga faktet, t`i mbash një armiqësi të padiferencuar atij tjetrit, duke hequr dorë ng arma më e vlefshme e diplomacis. Forcat duhen parë nga punët jo nga fjalët o nga ngjyrat. Emblemat s`janë asgjë kur ai që quhej i yti për nga emblema, të peshoi sa rëndësi i dhe vetes , dhe të la mënjanë. Një pjesë nga ne e kuptuan këtë mospërfillje , dhe nga inati , kanë shkuar me krahun tjetër, që ndërkohë po i plotson disa premtime të premtuesit që nuk i mbajti për dekada sepse e kuptoi besën që i dhe si pamundësi për ta braktisur… (Të moshuarit tanë kanë marrë deri edhe këstin e pestë, ndërkohë që në 8 vjet që premtonte ligji, më fatlumët kishin marrë prej premtuesit “mik” vetëm 2, ose 1 dhe disa asnjë nga këstet. Plot të tjerë edhe kanë vdekur pa aplikuar dot, kur e meritonin në fakt njerzisht tu vinte në shtëpi premi i vuajtjeve). Prandaj ka rëndësi pesha që të të digjohet zëri. Kështu që edhe pala që sot i jep këto këste duhet vënë në provë, sepse, sado të rëndësishme ato shuma për ata që jetojn muzgun e ekzistencës, janë pak gjë në raport me reabilitimin tonë mbas kaq poshtërimesh në diktaturë dhe pas saj..
Ky arsyetim i ndryshëm që po zë vend brënda nesh shtron këtë pyetje : jemi kategori politike, apo grup interesi? Përderisa thashë më lart që duhej të përfaqsoheshim në parlament ( se përveç rivendikimit material, janë edhe vlera historike e botëkuptimore që duhen mbrojtur ) del që jemi kategori politike, aq më shumë kur tutorët e deridjeshëm dolën tërësisht të pa besueshëm, dhe përkundrazi armiqt, që s`na peshonin dhe thonin “shkoni tek ata përballë që janë zotuar për ju”,sot për kalkul apo nga ndjenja s`dihet , po i plotsojnë ca kërkesa. Por meqë kërkesat tona janë krejt të veçanta, formimi i një partie duhet , veçse jo si kaptere brënda një tjetre që premton sërish dhe pa tituj të besueshëm. E jona të dalë si protagoniste që pranon kontribute mbasi i shqyrton dhe i gjykon të vlefshme. Në politikë besa dhe besimi mes zotnijsh të lë gojëthatë, dhe ësht gjë e padenjë t`a investosh në gjëra interesi. Interesi ka tjetër specifikë, ai ka avantazhin e njohur diplomatik, të negociosh me dy palët dhe t`i nxitësh paralelisht, pra të ngresh piacën tënde, kurse besa jepet dhe mbahet pa kushte, prandaj në politikë s`punon, se të kthen ty vetë në faktor pa rëndësi..
Duhet vepruar vetëm si të pavarur. Pronarët e kanë dhënë një shembull sadoqë pa rezultate të dukshme, përveç padive në Gjyqin e Strasburgut, që sëpaku i kanë hapur telashe qeveris. Edhe ne kemi elementë të aftë posi pronarët , që kanë kontakte me personalitete ndërkombtare me emër. Le t`i lëmë mënjanë grindjet, sepse dy dekadat janë mjaft për të evidentuar aktivët e aftë. Liri veprimi mund tu jepet njerzve që e kanë provuar integritetin e tyre. Liri që Shkodra dhe Kavaja e kanë përdorur ; e para duke e cikur suksesin, e dyta e arriti. Janë shembuj heterogjenë, por tregojnë se pavarësia duhet kuptuar vetëm në koherencë të plotë me interesat e asaj kategorie që të mandaton. Prandaj si përfundim, mendoj që modeli politik që na duhet është një tjetër nga ai i sotmi, dhe ai shtjellohet këtu më poshtë.
MORATORIUM PARTIVE – DEPUTETET TE JENE TE PAVARUR
Më lart shpalosëm shkurt dështimin e parlamentarizmit post-komunist në një periudhë mbi dy dekadash. Faji nuk ësht aq i parlamentit si institucion por i partive, që si të ardhura nga një kohë përqëndrimi të pushtetit në një dorë, trashëguan kreun autoritar, me pasojë zbehjen dhe vdekjen e debatit të brëndshëm. Esht e mira të suprimohen për një periudhë 10 vjeçare. Në kushtetutën që diskutohet , ose në ligjin zgjedhor, të parashikohet që kandidatët ,edhe pse të ndihmuar reciprokisht me kolegët e tyre të një ideje, kandidatët të jenë shprehimisht dhe praktikisht me status të pavarur, pra të kërkojn vota vetëm si refleks të personalitetit, aftësis dhe integritetit të tyre. Vetëm ashtu do të realizohet lustracion-ndëshkim i korrupsionit. Lista e atyre që do të kenë mbetur në këmbë mbas pastrimit, do jetë një kolegjium politikanësh seriozë me ide të afërta por jasht-partiakë, grup i cili do të zgjedhë dhe propozojë për udhëheqsa persona me kompetencë të njohur edhe në botë (tituj në universitetet e saj e dijetarë në ekonomi politike) dhe sigurisht me kredi në popull. Kështu partitë, strofkat ku thureshin nisma të kalbura bashkëpunimi të paligjshëm ose mendjemykur, do të zëvendësohen nga një grup për koordinim votimi të ligjeve, grup që nuk do të përçohet nga disiplina partiake por nga ndërgjegjja e secilit. Kjo do të thotë teknokracia të zërë vendin e partitokracisë. Deputeti me kompetencë të sprovuar, nuk do t`i druhej as bashkëpunimit transversal me deputetë të orientimeve të tjera për çështje të veçanta, por përher në transparence të plotë , kështu që edhe koncesionet, tenderat etj, do të duhet të debatohen me pjesëmarrje të gjerë të publikut dhe të shtypit, dhe me evidencat në ekran të madh. Zgjerimi gjithashtu i të drejtës së votës në diasporë, dhe vendosja e referendumit për ligje të rëndësishme që ndajnë opinonin përfshi dhe diasporën, janë dy masa që do të bënin të mundshme frymën e demokracisë përsëri, me një aport të pasur nga shqiptarë të shquar përtej kufive. Kandidati do të bënte për vete elektoratin nëpërmjet kontaktesh direkte me popullin,ndofta në gjithë vendin ,po të miratohet i tillë ligji zgjedhor ( pra punë e forte bindëse, dhe jo rehati prej garancis së përkatësisë në listën e një partie, aq më keq të një koalicioni, procedura këto që i kanë zënë frymën demokracis deri sot, dhe e dënojn elektoratin të zgjedhë më pak të keqen ndërmjet dy të këqiave). Kandidati i pavarur ësht shpëtimi nga pasinqeriteti që fshihej prapa mitingjeve me thirrje të çjerra prej bote të tretë . Ka qënë demokracia e llojit tribal që na çoi te ky dështim prej të cilit nuk dalim dot (: legjislacion i ngatërruar që fsheh marrëveshjet si të mbeten në fuqi ortakërira që druajnë dritën e diellit). Abrogimi ligjor i trashgimit të kaluar, kandidatët e pavarur, demokracia sa më direkte, e siguruar me mjetet e sotme, referendumet, do të rritin personalitetin e popullit, dhe do të na shpëtojnë nga diskreditimet e shumta që po përsëriten me sistemet e vjetëruara që po përdorim.

Filed Under: Opinion Tagged With: I PARTIVE, Lekë Tasi, PER 10 VJET, PEZULLIMI

BANDA FRYMORE E TITANIKUT DHE MARRËVESHJA E PËRZHINOS!

January 30, 2016 by dgreca

Nga Fadil Lushi/
Që kur më lindi ideja për ta shkruar vështrimin e radhës, më mbërtheu për fyti ajo dilema e vështirë se ç’kryetitull t’i vë këtij artikulli. Që në fillim gjykova dhe thash se këtij vështrimi gjithsesi i duhet një emërtim paksa më “serioz” dhe, për këtë arsye, u detyrova ta “gjezdis rradaken” në kërkim të një të tilli. Thash se këtë mund ta gjej vetëm në mëhallën e “thashethemexhinjve”, atje ku njerëz të fiseve të ndryshme flasin ca toskërisht, ca të tjerë gegërisht, disa “otomanisht”, disa “shkinisht”, disa serbisht, bullgarisht, “kosovarisht” e greqisht…; mendova se këtë do ta gjej atje ku njerëz të kombeve dhe feve të ndryshme flasin me hundë, përçart, kot, shtruar…, atje ku njerëzit flasin në hava, atje ku “insanët” flasin me shaka, atje ku njerëzit flasin me zemërim, atje ku flasin me veten a jerm, andej ku njerëzit flasin nëpër dhëmbë…, atje ku njerëzit flasin me këmbë e me duar, disa me thumba, mbarë e prapë e tjera të folme…, ashtu pa e respektuar standardin. Në fund, pa pyetur njeri, vendosa për këtë të lartpërmendurin, pavarësisht se redaktorët mund të mos pajtohen me renditjen logjike të “llafeve” në fjalë.
Po e fillojmë me deklaratën e zëvendëspresidentit të White Star Line, Philip Franklin, kompania që kishte në pronësi anijen e luksit gjegjësisht Titanikun, e cila tingëllon kështu: “Nuk ka asnjë rrezik që Titaniku të mbytet. Kjo anije nuk mund të mbytet”. Këto fjali euforike kanë mbetur në histori, jo për vërtetësinë e tyre, por për faktin tragjik se treguan se sa të pabaza ishin. Anija e nisi udhëtimin e saj të parë më 10 prill të vitit 1912 nga porti i Southamptonit në Angli dhe ishte drejtuar për në Nju Jork. Çuditërisht, Titaniku pikërisht në 14 prill të motit 1912, do të përplaset me një ajsberg dhe do të përmbyset, por para se të mbytet Titaniku, banda frymore me tetë anëtarë vazhdoi t’u binte veglave pavarësisht kaosit të krijuar në anije. Sipas shumë dëshmive, mendohet se “Nearer, My God, to Thee” ishte muzika e fundit e interpretuar prej tyre… Bandë frymore e Titanikut as që e kishte ndërmend të merrej me “sëkëlldinë” e pasagjerëve që ballafaqoheshin me trishtimin se po përfundonin në ujërat e ngrira e të ftohta të Atlantikut”. Besojmë se do të na lejohet të vazhdojmë me (mos)Marrëveshjen e Përzhinos si dhe me “dirigjentin” Johanes Han, përndryshe Komisari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i Bashkimit Evropian, i cili kur ditë më parë “zbarkoi” në Shkup, me vete “kishte pasur dy palë brekë, një kollare të kuqe, dy palë çorape bojë jeshile, një brushë dhëmbësh dhe çka jo tjetër”. Gojëkëqijtë, thonë se “pizhamet e holla verore prej mëndafshi me pika të kuqe, gjoja z. Han i paskësh harruar në Bruksel!”. (Këtejpari në Tetovë, thonë se sipas fesë dhe Kanunit, burrit a mashkullit i ndalohet të veshë gjëra nga mëndafshi?). Hajde tani ti, lexues im i nderuar, a mos vallë këta gojëkëqijtë dhe thashethemexhinjtë nuk meritojnë t’u thuash: “He, mor debilë, a nuk merrni vesh çfarë thuhet apo ju duhet dajaku!?…, po me ç’të drejtë këtij njeriu i shtoni gjëra të paqena…, po pse fusni turinjtë në strajcën e tij”.
Prania e (pa)nevojshme e Hanit në Shkup, sipas disa opinionbërësve opozitarë, të krijon përshtypjen se është vetëm një “idiotësi e bukur” për shqiptarët në hall e në nevojë…, sikur Hani shqiptarëve do t’u thotë: hiqni dorë nga ideja për Shqipëri natyrale, sikur maqedonasve do t’u thotë: harrojeni shtetin tuaj biblik, sikur të gjithëve do t’u thotë: hiqni dorë nga shpresa evropiane, sepse ajo ka një furgon probleme dhe telashe me “hordhitë me ngjyrë”, që çdo ditë ia mbysin a zaptojnë hapësirat e saj. Komisari Han, sikur shqiptarëve po edhe maqedonasve, do t’u thotë se “ju jeni shumë të dashur, ju jeni shumë të bukur, ju vërtet jeni shumë mikpritës, ju keni vuajtur shumë, ju jeni bërë telef karshi zaptimit të pushtetit me forcë a me hile…, por ama jeni: të papërmirësueshëm dhe së fundi jeni dembelë anekdotikë!?”. Ky zotëri Hani, politikanëve maqedonas sikur do t’u thotë se Marrëveshjes së Përzhinos i mungon ajo banda frymore e Titanikut, sikur do t’u thotë se edhe këtë që e keni nuk është as për “dynja e as për ahiret”, sikur kjo bandë frymore bën muzikë a politikë tallava, allaturka a orientale, sikur kësaj bande i mungojnë instrumentet frymore “allafrënga” (oksidentale), sikur kësaj bande i mungon “qemania e Paganinit” e të tjera instrumente. Ky komisari Han sikur thotë se “anijes së Përzhinos i mungon parimi detar që thotë se kapiteni mbytet së bashku me anijen, ashtu siç ishte kapiteni i Titanikut, Edward Smith, i cili qëndroi deri në fund në bord”…, sikur politikës së Maqedonisë i mungon një kapiten i tillë si Smith-i, sikur ky komisar Hani kishte ardhur në Përzhino të këndojë psalme për shpirtin e…, sikur kishte harruar se nuk mund edhe të këndosh po edhe të dirigjosh njëkohësisht… dhe, si duket, ky Hani pret të shohë se kush kujt do t’ia fusë…, duke harruar se këta ballkanas ,në veçanti shqiptarët, do t’ia fusin këtij “hilexhi komisari”.
Ky komisar Hani sikur kishte ardhur në Shkup për t’u shpallur “luftë kanibale” shqiptarëve të padëgjueshëm, sikur kishte ardhur në Shkup që bandës frymore të Përzhinos t’i tregojë se tenxherja me presion, të cilën e përdorin për të zier gjellë a tavë-turli, ka gjymtime serioze…, gjegjësisht e ka të dëmtuar valvulin, respektivisht vrimën nga del avulli. Kishte thënë: kini kujdes se ajo mund të shpërthejë…, sikur kishte ardhur në Shkup për të “ndërtuar një azil për politikanët e rrjedhur nga mendja”…, sikur kishte ardhur në Shkup që të konsultohet me njeriun i cili “merret me studimin e anatomisë së bythës së pleshtit me hemoroide”…, sikur kishte ardhur në Shkup ta pyesë leshaxhiun nga… se leshi maqedonas a mund ta mbrojë trupin e njeriut nga i ftohti dhe a mund të lahet leshi në legen në mungesë të banjës a dushit…, sikur kishte ardhur në Përzhino për ta bindur atë bostanxhiun nga…, që ta pranojë dhe të pajtohet me vendimet e marrëveshjes së Përzhinos…, sikur bostanxhiut i kishte treguar se minjtë e kopshtit zoologjik të Brukselit nuk i fusin kollaj hundët a turinjtë në çdo vrimë… Kjo ardhja e Hanit në Maqedoni më përngjan njësoj si puna e atij dhëndrit që i kishin rënë flokët, po i cili, për qejf dhe për hatër të nuses së re, dikur kishte mëtuar të bënte kaçurrelat midis ballit të tij. Sikur ky Hani kishte ardhur në Shkup që shkupjanëve t’ua mësojë ato urdhrat ushtarakë, siç janë: gatitu!, prapa kthehu!, majtas kthehu!, djathtas kthehu!, shtrihu!, ngjitu lart!…, e të tjera urdhëresa ushtarake…, se këto politikanët do t’i mësojnë nga shteti i Maqedonisë, Hanit hiç nuk i ha palla…, aq më tepër kur ai e di se hapësira e të bërit politikë konstruktive këtejpari, dita-ditës po ngushtohet dhe po zbehet, ndaj Komisar Hani për këtë është i ndërgjegjshëm këmbë e krye.
I gjithë ky ndërmjetësim i Brukselit me në krye Komisar Hanin bëhet për hir të faktit që në të ardhmen të mos përsëritet nëpërkëmbja e votës së sovranit, të mos përsëriten inatet a edhe qejfet e politikanëve, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk kanë kuptim për mëhallët e tyre!? Të mos përsëritet anashkalimi i votës së sovranit, që vota e gjithsecilit të mos konceptohet si e porositur, e kurdisur, e vulgarizuar, e denigruar, të mos nëpërkëmbet, të mos konceptohet si e kornizuar a edhe si e mohuar. Dhe që kjo votë e sovranit të jetë popullore, qytetare, personale, racionale dhe demokratike, në asnjë mënyrë nuk duhet të ngacmohet! Se nuk do të ngacmohet e drejta e votës së sovranit, unë dyshoj. Se unë nuk besoj, u betohem në kokë të sorrës…, dhëntë Zoti që kleri të mos ma dëgjojë këtë gënjeshtër se ndryshe do më shkruajë gjynahe!
Kur doganierët turq hidhërohen dhe ngatërrohen me turistët rusë, thonë: “Sikter Boris!”.

Filed Under: Opinion Tagged With: banda frymore, Fadil Lushi, Titaniku

LIRIA E PENES

January 30, 2016 by dgreca

Nga Skënder S.KAPITI*/
Vetëm mediat kritike dhe shkrimtarët, intelektualët dhe filozofët e guximshëm dhe kritikë nuk mbrojnë të këqijat dhe nuk ndoten nga pisllëku i politikës së pamoralshme dhe nuk shiten nga interesi.Askush nuk mundet sot t’i shpëtojë monitorimit dhe kontrollit kritik, e sidomos personat dhe institucionet publike që financohen nga taksat e popullit dhe sidomos sidomos ata që abuzojnë, vjedhin e grabisin paranë publike dhe që bënjë tradhëtinë e interesave kombëtare.
E ndjek median, sigurisht më shumë atë të shkruar ku aty gjen vend ajo të cilën filozofi më i madh i modernitetit Immanuel KANT e quan “Liria e penës”, pasi media vizive më shumë reklamon veten dhe jep informacione te interesit të vet si bashkëpunëtore e politikës dhe pazareve me bizneset, është videopushteti që manipulon dhe selekton informacione sipas deshires se politikës dhe pushtetit. Te mediat e lira e të pavarura qe janë shumë pak, 2-3 gazeta në Shqiperi dhe shumica e tyre jasht saj, dhe fatmiresisht që ka të tilla ku më shembullorja është gazeta më e vjetër shqiptare “Dielli”, 107 vjecare e themeluar nga shqiptarët e mëdhenj Noli e Konica, dhe që ka luajtur rolin kryesor në zgjimin dhe ndërgjegjsimin për atdhedashurinë, lartësimin e krenarisë kombëtare shqiptare në perëndim, për lirinë dhe demokracinë shqiptare . Media të tilla kritike dhe edukative na mundesojne ta shohim realitetin më realisht dhe sipas këndvështrimeve të ndryshme dhe të lira, si gjykim dhe vleresim që vjen nga intelektualë të ndryshëm të cilët ashtu si dhe keto media i përshendes dhe i respektoj shumë. Por kritika e vërtetë intelektuale që i mundësohet mundësia që të paraqitet në media, moralisht si e tillë, kundërshtarin më të madh sot ka politikën, së cilës nuk i pëlqen kritika e të tjerëve por vetëkritika mashtruese e djallëzore e saj për gjëra të vockla e të parëndësishme.
Sot pothuajse politika ka pëvetësuar gjithçka, pasi merret me gjithçka dhe pretendon se zgjidh gjithçka, madje pretendon që edhe të shkuarën mund ta ndreqë politikisht ajo. Ky është banaliteti dhe mashtrimi më i madh i politikës. Prandaj është e domosdoshme kritika intelektuale e guximshme dhe e moralshme, mendimi kritik i pakorruptuar i saj për t’ju kundërvënë fuqisë së pushtetit të politikës e cila e fsheh të vërtetën , të drejtën dhe realitetin duke hipokrizuar me djallëzi se gjoja po ndjek modën demokratike. Kritika, kuptohet jo kritika negative, dhe jodashakeqëse, dhe jodjallëzore i shërben emancipimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe lirisë, dhe që askush nuk mund të jetë i përjashtuar dhe i pakritikueshëm, pasi askush dhe asnjë njeri nuk është i pagabueshëm, i paanshëm dhe i pandikueshëm nga jeta, shoqëria dhe nga interesi i vet. Edhe ai që filozofon dhe që është i dijshëm dhe që kritikon, edhe ai, edhe veprimtaria e kritika e tij do të gjykohet dhe do të kritikohet. Kritika është rruga filozofiko-intelektuale që ka bërë dhe i hap rrugën lirisë së vërtetë dhe çmitizimin, çdogmatizimin dhe rënien e prestigjit dhe kulteve të rrejshme, të pamerituara dhe të mashtrimeve.

Edhe heronjtë sado të mëdhenj që të jenë ata nuk janë shenjt dhe të pagabueshën, sepse gabimi është i pashmangshëm për natyrën njerëzore, dhe po nuk njohëm gabimet, si ato personale po dhe ato të të tjerëve do të binim lehtë pre e fanatizmit, servilizmit dhe nënshtrimit që janë vese shumë të ulta sidomos për intelektualizmin. Jo shumë kohë na ndan kur intelektualizmi shqiptar ishte pronë dhe në shërbim krejtësisht të politikës dhe indoktrinimit ideologjik komunist, duke përfshirë mediat, po se po, po edhe artistët, shkrimtarët dhe akademikët e Realizmit Socialist dhe të lartësimit të kultit të Diktatorit E.Hoxha. Një prej tyre dhe më kryesori ishte dhe I.Kadare, të cilit nuk mundet askush t’ja pastrojë dhe fshijë biografinë letrare meritore të realizmit socialist, as këta politikanët, artistët , shkrimtarët e bashkëkohësit e vet, ashtu sikurse edhe nuk mundet t’i mohohet veprimtaria letrare e paskomunizmit. E mora si shëmbull Kadarenë se ashtu është pothuajse tërë moria intelektuale e Epokës së Regjimit Komunist se kushdo qoftë ai që i ka shërbyer me zell shpirtëror dhe intelektual atij regjimi nuk mund t’i shmanget kritikës së kohës sepse rrjedha e saj të bën gjykimin, dhe kushdo që i ka shërbyer politikës dhe regjimit të keq, të paktën edhe ai është njollosur bashkë me regjimin, dhe askush nuk mund t’ja fshijë njollosjen intelektuale të veprës së tij, por shoqëria mund t’ja falë mëkatin këtij intelektuali dhe bashkëkohësve të tij nën “Justifikimin” e kushteve që ja kane imponuar të shërbejë shërbëtori dhe shërbëtorët e tjerë intelektual të ish-Regjimit. Të tillë intelektualë servilë e puthadorë të pushtetit dhe media të tilla ka edhe sot në Demokraci, që i bëjnë fresk çdo ndërrimi të pushtetit qoftë edhe për një interes të vogël personal, gjë që konstatohet me shumë lehtësi sot në Shqipëri, ku një shumicë mjaft e konsiderueshme e intelektualëve sidomos e ata me formësim nga ishkomunizmi dhe trashëgimtarët e tyre, tërë media vizive dhe e shkruar pothuajse, me pak pëjashtime janë blerë dhe janë zgjatime e zëdhënës të politikës. Nuk janë media të lira, të pavarura, kritike e opozitare kundër të këqijave ato media të cilat i mbyllin ekranin dhe botimin e analizave dhe opinioneve qoftë nga egoizmi dhe xhelozia intelektuale po edhe pse ato kane ndonjë paragraf apo ndonjë rrjesht që nuk i pëlqen pronarit, redaktorit apo që i ka prekur politikanin apo politikën e “zëmrës” së tyre. Pasi unë njoh individe prej mediave të shkruara e të pavarura të pakta në Shqipëri dhe të shumta jashtë saj: profesorë, shkrimtarë, poetë , akademikë dhe intelektualë e profesionistë të talentuar që politika i ka privuar ata nga aktiviteti politik, por që po nga ndërhyrja e politikës ju ka pamundësuar edhe promovimi i tyre dhe i veprave të tyre letrare dhe akademike, shkencore dhe politike edhe nga media shtetërore po se po , por edhe nga ato media që me demek e mbajnë veten private dhe të pavarura nga politika dhe pushteti.
Por, çdo epokë, sistem e regjim dhe personalitet e personazh historik, politik, akademik, letrar, publik të çdo kohe gjithnjë do t’i nënshtrohen gjykimit dhe kritikës sidomos gjatë kohes në të ardhmen dhe askush nuk është jasht vëzhgimit, hetimit madje as edhe paragjykimit. Në fund të këtij shkrimi të shkurtër them se media kritike, kritika dhe kritika e kritikës pozitive intelektuale duke përjashtuar egoizmin negativ dhe xhelozinë intelektuale, që mundësohen dhe këto të publikohen në median e lirë dhe të pavarur janë shërbëtorët dhe rojtarët e së mirës, progresit, demokracisë dhe të patriotizmit. Askush nuk ka në pronësi kritikën e pakritikueshme, dhe çdo kritikë do të përballet me kritikën kundër saj. A nuk ishte komunizmi një ideologji që nuk lejonte dhe nuk pranonte ndryshimin dhe kritikën, dhe si i tillë premtoi parajsën tokësore dhe kokëfortësia, dhe fanatizmi ideologjik i “pagabueshmerisë” dhe genjeshtra e tij solli sketerrën, dhe sot koha e pas tij është dhe vazhdon t’i bëjë ish-komunizmit gjykimin dhe kritikën më të madhe në histori për pasojat rrënimtare që i ka sjellë ai njerëzimit dhe sidomos shoqerise shqiptare.
*Durres, autor i librit “Triumfi i Kombit”

Filed Under: Opinion Tagged With: Nuk ka Demokraci, pa kritikë mediatike, Skender S. Kapiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 595
  • 596
  • 597
  • 598
  • 599
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT