• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fjalët e mbrame të Kol Bib Mirakaj

December 14, 2015 by dgreca

VIKTOR MARK DARAGJATI: Fjalët e mbrame të Gjyshit tim të paharrueshëm Kol Bib Mirakaj, janë këto:

“PSE?

– Pse, kur isha zyrtar në Tiranë, në kohën e okupacionit italian, mora në dorë pushken si vullnetarë, dhe i dola para kërcnimit pushtues Anglo – Serb në Malësinë e Shkodres, tue rrezikue jetën sëbashku me trimat bujarë të atyne Maleve.

-Pse, kur pata mundësinë me shpëtue Shqiptarët dhe Izraelitët të dënuem me vdekje prej autoriteteve ushtarake, nuk pranova asnji shpërblim prej tyne, as në Shqipni, as në mergim, por e çmova “shpërblim” ma të madh, kryemjen e detyrës sime humanitare!

-Pse, gjatë kohës në të cillën ishe në detyra të ndryshme politike dhe qeveritare, nuk mbajta asnji rrogë per vedi, po ua dhurova të hollat nji konviktit jetimor!”

New York, 17 Maji 1968.

(Ne foto: Viktor M. Daragjati duke u intervistuar nga Adem Belliu i TV Kultura Shqiptare-Nju Jork?

Filed Under: Opinion Tagged With: Fjalët e mbrame, të Kol Bib Mirakaj, Viktor Daragjati

POPULLI SHQIPTAR A KA HISTORI TË SHKRUEME ?!

December 14, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVAN*/Melbourne-Australi/

Prej vitit 2014 e këndej, Populli Shqiptar ka histori të shkrueme dhe të bazueme mbi të vertetat historike, prej Burrit Pukës Kolë Bibë Mirakaj (1899 – 1968). Asht kenë fat i madh që Kolë Mirakaj, kur mori penën me shkrue per Shqipninë e Gjergj Kastriotit, Ai nuk e tjetersoi kenjen e Saj të Vertetë as me Shqipninë e Toptanëve, as me ate të zogistave, as me të fashistave apo nazistave…E per Shqipninë “komuniste” as nuk bahet fjalë! Madje, këte të fundit e quen: “VETVRASJA E NJË KOMBI”…

            Gjatë kohës që e kishe në dorë librin e Tij, si asht e mujtun që asnjëherë nuk më shkoi mendja me dyshue per të vertetat që unë ishe tue lexue per të paren herë në jeten time, e nga kush, nga vetë Ministri i Mbrendshem i Fashizmit në Shqipni?!

            Kolë Mirakaj asht e vertetë se ka kenë Miku i të Parëve të mijë, dhe kryesisht i Babës sim Kolë Radovanit, po kur Baba vdiq, unë me vështirsi i kujtova portretin e Tij se ishe vetem 3 vjeç, kur Ai më la në doren e gjaksorëve ma të pamëshirshem të historisë…

            Kur ishim nder bankat e shkollave mbas viteve 1945, fillueme me mësue se per me njoh “historinë”, ma parë duhet të dijmë kush ishte “druzhe Tito, baba ynë Stalini math dhe, ay që na lidhi me to, gjeneral kolonel Enver Hoxha!”… Dhe, pa dalë drita mirë në mengjes, rreth orës 5, me hapë sytë e veshtë per me ndigjue krismat e mitralozave që po shprazeshin në Zallin e Kirit në Shkoder, mbi gjokset e “tradhëtarëve” të lidhun dhe të pranguem edhe persëvdekuni, pranë murit Varrezave të Rrëmajit…

            Pra, “pa marrë mend” mësuem fjalët tradhëtarë, armik i popullit dhe partizan…

            Pa ma të voglin dyshim, po t’ ishte në Shqipni edhe Kolë Biba, një ditë heret në mengjes edhe Ky do t’ ishte i shtrimë me “tradhëtarët” mbi grumbujt e plehut… Atë fat të zi e patne jo pak vetë edhe nga Familja e Nderueme e Tij Mirakaj…

            Dëshmitë e veprave të Kol Mirakaj, nuk janë shenime udhtimi apo kujtime nga “mbramjet e bukra” nder pallatet e Romës apo të Musolinit, nuk janë as “përrallat me mbret” të majorëve anglez apo amerikan, mbas Konferencës së Jaltës, nuk janë asnjëherë as “barceletat” e partizanëve tanë “trima”, që robnisë sllavokomuniste i thonin “çlirim”!

Po, ma kryesore asht se Kol Mirakaj ka shumë të kjartë jo vetem, vizionin e vet, po edhe të “atyne” Shqiptarëve, me të cilët ka marrë rrugët e pafund të Botës së Lirë, me të vetmin objektiv: “Liria e Atdheut, asht detyra e parë e jona!”…

            Po kush, ua vuni veshin fjalëve të Tij? Edhe ate e keni të shkrueme!

            Po kush, mësoi nga fjalët e veprat e Tij? Edhe ate e gjeni tek libri i Tij!

            Po Librin e Tij “Vetvrasja e një Kombi”, a e kanë të gjithë Shqiptarët?

            Edhe po nuk e patën të gjithë, do të bajnë çmos me pasë Ata që janë Shqiptarë!

            Fallsifikatorët e Historisë dhe trashigimtarët e atyne që kanë krye Vetvrasjen e Kombit Shqiptar, nuk besoj se e kanë dhe as nuk do ta kenë, se shumë shpejtë kalamajt e vegjel do t’i pyesin: “Babë, po gjyshi ynë.., paska qenë tradhëtar i Atdheut?!”

            Një fakt sot dihet i sigurt: Historia e vertetë do të shkruhet!

            Në kjoftë se numuri i t’ arratisunve jashta Atdheut nuk dihet i saktë, një fakt sot dihet nga të gjithë Shqiptarët: Se, Kolë Bibë Mirakaj, bash Ai Puknjani “fashist” i 1942,

Asht i rrallë, e ndoshta, i vetmi, që jo vetem i la faqen e bardhë trashigimtarëve të Vet, po i zbardhi faqen Pukës, Puknjanëve, Malësorëve të Shqipnisë së Veriut, dhe i la siper Fletëve të Panjollosuna të Historisë Popullit Shqiptar, Rrëfimin e Fundit të së Vertetes, që Trashigimtari i Trojeve të Gjergj Kastriotit shkruen me Gjakun e vet dhe të Fisit, mbi testamentin që nder shekuj do të mbesin i Pandryshueshem!

            Ai testament asht “VETVRASJA E NJË KOMBI” me Autor Kol Bib Mirakaj!

Melbourne Dhjetor 2015.

* Përshendetje e përcjellë nga Viktor M Daragjati në promovimin e Librit”Vetvrasja e një Kombi”, organizuar me 13 Dhjetor nga Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”

           

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz RADOVAN, POPULLI SHQIPTAR A KA HISTORI, TË SHKRUEME !

RRETH LIBRIT TE KOL BIB MIRAKES “ VETVRASJA E NJE KOMBI’

December 14, 2015 by dgreca

Tashmë dihet, por duhet të fort theksohet se manipulatori më i madh i historisë së Kombit Tonë, është Enver Haxha . Ai deshi që edhe figura e Skënderbeut të mos vlerësohet në përmasat e saj historike, sepse mendonte(me mendësitë e diktatorit), se përmasat reale të figurës së heroit kombëtar i bënte hije figurës së tij, duke e vetëquajtur vehten si heroi më i madh shqiptar i të gjitha kohrave. Ky mentalitet primitive, u përcoll në të gjitha librat e shkollave dhe vecanërisht në tekstet e Historisë së Shqipërisë.

Ne që u shkolluam në Shqipëri në vitet e diktatutës totalitare, me përjashtim të të dhënave gojore nga prinërit, nuk mundëm të njiheshim me dokumentat dhe mendimet e aktorëve të tjerë politik , të pas vitit 1912, vit kur u kriju Shtetit Shqiptar e më pas. Ishin vetëm njerëzit tepër te besuar të regjimit, që mund t’i shihnin dokumentat dhe të shkruanin jo të vërtetën,por sic i pëlqente diktatorit, kurse për të tjerët ishte herezi. Pra, për masën e madhe të intelektualëve, kishte një errësirë të plotë informative për figurat e së kaluarës,qeveritë, vendimet, qëndrimet zyrtare, dekretet etj. Cdo gjë ishte bardh e zi, ku E.Hoxha dhe partia e tij, ishin patriot, kishin bërë cdo gjë të mirë për kombin, kurse të tjerët ishin kolaboracionist e tradhëtar. Pra historia jonë niste e mbaronte vetëm me diktatorin dhe partinë e tij.

Kur sistemi totalitar në Shqipëri u shemb, unë si shumë intelektualë të tjerë, pata mundësinë të njehem me shumë fjalime, artikuj, dekrete, vendime, rregullore, dokumenta e plane te mbrojtjes kombëtar, libra e biografi etj , të Mbretit Zog . Aty pashë se kishim të bënim me një figurë politike, udhëheqës, burrë shteti, me përmasa krej ndryshe nga ato që na kishte servirur hisoriografia komuniste. Po keshtu më ndodhi dhe me figurën e Abaz Kupit të cilen E.Hoxha me duart e tij dhe regjimi e kishte baltosur në përmasa të pa para, duke e paraqitur atë si injorant i pa gëdhendur, gënjeshtar e i pa besë etj. Kurse kur mu mundësua të shoh cfarë thonin britanikët për të, cfarë thonin dokumentat e kohës dhe njerëz që e kanë njohur atë personalisht, kur u shkruajtën biografi për të, pashë përmasat e heroit popullor, njeriun trim e atdhetar i madh.

Për Mustafa Krujën (Merlika) dhe figurën e tij, cdo gjë e zezë dhe cdo përcaktim negative ishte thënë kudo e kurdoherë për të, nga regjimi i diktatorit E.Hoxha. Por, kur kam lexuar disa shkrime të tij për atdheun,analiza politike të kohës, shkrime për albanologjinë dhe vecanërisht fjalorin e gjuhës shqipe, kam thënë me vehte, dhe e kam shkruajtur edhe në shtyp, se ai është një figurë me rëndësi e kohës së tij. E njëjta gjë më ka ndodhur edhe me figurën e Kol Bib Mirakës, por kur lexova librin e tij “Vetvrasja e një kombi”, më mundësoi të kemë një kënd të ri shikimi për atë si figurë politike, por edhe për shumë bashkëkohës të tij. Ata krahas vijimsisë së mbrojtjes hebrejve ( që kishte filluar që në kohen e Mbretit Zog, e me të cilën krenohemi të gjithë, përfshi dhe komunistët), i bënë vendit edhe dy vepra të mëdha sic ishte bashkimi i trojeve shqiptare nën një qeveri të vetme, (të cilën ne s’po e ribëjmë dot sot),dhe hapja e shkollave shqipe në cdo cep të trojeve shqiptare për të zhdukur analfabetizin që ekzistonte. Brezi im dhe brezat që do të vijnë, këtyre figurave (dhe shumë të tjerave), le t’ju bënë vrejtjet për punët që nuk i kanë bërë mirë, por edhe meritat jo vetëm nuk duhet t’ju a mohojnë, por duhet t’ju a vënë në dukje thjeshtë ashtu sic janë pa zbukurime e stërhollime.

Këto ditë dhjetori të 2015-tës, ne festuam edhe 25 vjetorin e përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri. Në vetëdijen time, kjo është një nga ditët më të të rëndësishme të popullit shqiptar. Mendoj se na bën nder të evokuojmë respect për studentët që u ballafaquan me diktaturën dhe Sali Berishën që na priu në këto vite të tranzicionit. Ata na mundësuar lirinë, të drejtat e njeriut, lëvizjen e lirë, afrimin me kontinentin mëmë, pranimin në Nato dhe perspektivën në BE etj. Unë personalisht nuk kam asnjë kompleks të deklaroj , madje ndjehem krenar, që në këtë udhëtim kam qenë përkrah Sali Berishës në mendim e veprim.

Po ashtu mendoj se Vatra me veprimtaritë ,deklaratat, aktivitetet dhe promovimet që ka bërë e po bën, jep një ndihmesë të vyer per komunitetin shqiptar në SHBA dhe për kombin në tërësi. Këto lypset të shtohen, në të ardhmen dhe mundësisht të ngrihen në nivele më të larata që t’i përgjigjen më mirë kërkesave dhe kohës.

Nënkryetari i Vatrës

ASLLAN BUSHATI

 

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, RRETH LIBRIT TE KOL BIB MIRAKES, Vetvrasja e nje Kombi

Prova në Gjykatë dhe jo letra pa-vlerë nga Kodheli& Co

December 14, 2015 by dgreca

Nga Gjen. Piro Ahmetaj/

Në datën 03.12.15, u zhvillua seanca e tretë gjyqësore për “shpifje dhe denigrim”, ndaj të paditurve z. Spartak dhe z. Arben, njeri Kryetar dhe tjetri Anëtar, i Komisionit të (pa) Sigurisë Kombëtare (KpSK!). Në seancën e I-rë, të paditurit “nuk u dukën”; në të II-ën Braho u përfaqësua me avokat, ndërsa Çuko, “dërsinte si mbi-mina” me “ligjërata populiste”. Në këtë seancë (të III-ën), në vend  të provave, “kishin dërguar me avokatin”, plotë “63 letra me “dosjen e hetimit disiplinor dhe shpalljen fajtor” nga MM, – pa asnjë lidhje me akuzën/objektin e çështjes në shqyrtim. Në respekt të familjareve, miqve, kolegeve brenda&jashtë vendit dhe të vëmendjes së opinionit publik që me ka shoqëruar, më duhet të informoj sa vijon:

  1. Për akuzën e rendë, rikonfirmoj se i kam siguruar gjykatës prova të plota zyrtare se “nuk kam pasur as dosje, as pseudonim, dhe kurrfarë lidhje tjetër me ish-sigurimin kriminal të shtetit”. Ashtu si Presidentit, Kryeministrit edhe gjykatës, i kam kërkuar të hetojë pastërtinë e figurës time zyrtare në lidhje me këtë akuzë, dhe ri-konfirmoj edhe publikisht, se: “nëse institucionet përgjegjëse, qoftë edhe një individ i vetëm në RSH, provojnë zyrtarisht të kundërtën, konfirmoj se jam i gatshëm të përballem me të gjitha pasojat, për të gjitha funksionet që kam mbajtur, për 32 vjet në FA brenda dhe jashtë vendit”! Ky konfirmim është edhe mesazh për lukuninë e ordinereve të uriturve për të konsumuar shpifjen/diarrenë e radhës, mjerave të që në vend të letrave anonime dhe fletë-rrufeve bolshevike “janë punesuar si blogiere” !
  2. Për devijimin nga akuza, me duhet të bëj kujtoj se: (a) Lirimi nga detyra e Këshilltarit Ushtarak të Presidentit dhe (b) nxjerrja para kohe në rezerve, janë bërë mbështetura në kërkesën Time; janë të provuara në kërkesën për Presidentin, letrën për Kryeministrin, si dhe të administruara në dosjen e provave. Konkretisht, në (a) Vendimi nr 331, date 17.09.2015, është shkruar ekskluzivisht me “kërkesën e Tij”; si dhe, (b) Dekretin me nr. 9293 “për nxjerrjen para kohë në rezervë”, në referencë ligji 59/2015 neni 25/d, “për karrierën ushtarake” është kërkuar me “kërkesën e (time), drejtuar eprorit të drejtpërdrejte”, në këtë rast Presidentit si Komandant i Përgjithshëm! Kështu, pretendimi i të paditurve se “gjenerali nuk është liruar me kërkesën e Tij?”, por është “shpallur fajtor dhe është shkarkuar”, edhe pse s’ka asnjë lidhje me objektin e padisë = është i pavërtete, i paprovuara, dhe i pa-mbështetur në kushtetutë dhe ligj.

= Në respekt të interesuarve, për këtë “devijim të djallëzuar nga akuza, sqaroj se, Këshilltari Ushtarak i Presidentit, është në vartësi ligjore&administrative të drejtpërdrejtë të Presidentit dhe nën Autoritetin e Komandantit të Përgjithshëm të FA! Ligjet ushtarake janë ndërtuar mbi parimin e piramidës në gjithë zinxhirin e komandimit: Eprori ka të drejtë të jap (ose propozojë) masa disiplinore për personelin që ka në vartësi të drejtpërdrejtë. Përveçse Prokurorisë që “heton”, gjykatës që “shpall fajtor”, asnjë Autoritet tjetër nuk mundet të jap masa për personelin që nuk ka në vartësi? Konkretisht, në VKM-në Nr. 194 dt. 04.03.2015, që u prodhua nën arrogancën karakteristike znj. Kodheli, funksioni i Këshilltarit Ushtarak të Presidentit nuk është në Tabelën e Organizimit dhe Pajisjeve të MM! Kështu, urdhrat e MM, pra urdhri nr 5 datë 22.4.2015 “për procedurën disiplinore”, që është referencë e “dosjes hetimore dhe shpalljes fajtor?”, nuk mundet ta ushtrojë Autoritetin/veprimtarinë, jashtë strukturave dhe personelit të vartësisë së drejtpërdrejtë. Është, si të thuash Ministri Bujqësisë tu jap masa disiplinore Këshilltareve të Kryeministrit, kjo do ngjante si në kohën e kontrolleve punëtore-fshatare të Kryetares Lenka! Këtë, shpresoj ta kuptoj edhe ish-ifCeri Cuko, dhe në vijim të trimërohet dhe paraqes në gjykatë prova për kauzën, jo letra pa-kurrfarë lidhje, si kërkesa/praktika me nr 9283 dt. 02.12.15 kërkuar një ditë para seancës MM (!), pasi çfarëdolloj procesi i zhvilluar për kohën e ushtrimit të detyrës si Këshilltar i Presidentit, jo vetëm nuk ka asnjë lidhje me akuzën, është në kundërshtim me kushtetutën, me ligjin, me VKM-në, por tregon përdhunimin politik të MM dhe është një “kontribut shtesë” për thelbin e padisë: “konsumimin e shpërdorimit të detyrës, shpifje dhe denigrimit të figurës publike”!

  1. Nënvizoj fortë se akuza e rëndë publike, nuk ka të bëjë me thashethemnajat midis qytetareve të zakonshëm por marrëdhëniet midis funksionarëve të lartë të Sistemit të Sigurisë Kombëtare, konkretisht: Kryetarit&një anëtari të KSK dhe Këshilltarit Ushtarak të Presidentit. Në dosjen e provave në gjykate është administruar, shkrimi i dt. 14.09.15, “E vërteta e “Gjyqit te Popullit”, të statusit në FB”. Aty, kam konfirmuar se shkak, ka qenë revolta qytetare me fakte “ulëritëse”, si: KpSK vijon drejtohet nga një ish-hetues/enverist “me përvojë” dhe sekretar, ish-drejtues dege i sigurimit kriminal të shtetit (“mostrës më të madhe që ka pjellë kombi ynë” – thotë Kadareja) deri në 92; ka në përbërje deputet të akuzuar për prostitucion; vrasës, trafikant; “bandit” që egërsisht godet kolegun; deputetin-referencë, i cili me armën e shtetit; në një rajon të policisë së shtetit qëllon si “terrorist” mbi bashkë-qytetarët, dhe disa deputete mediokër, që kanë të përbashkët “devotshmërisë partiake”, dhe nga vizioni njësoj mediokër-ordinerë. Thënë këtë, në dijeninë time: “KSK mbetet më i turpshmi, më i diskredituari dhe më i frikshmi në historinë e parlamentarizmit të RSH, në NATO, dhe jo vetëm, përjashto Korenë e Veriut”. Në shtesë, një mesazh publik për këtë listë të vetë-demaskuarish: kjo mostër-politikanësh, si-këta që na garantoi me krenari kryerilindasi-Rama “do se i zgjedh prapë”, do bëjnë reforma në drejtësi, de-kriminalizim, do e nxjerrin Shqipërinë nga kthetrat e mafies, korrupsionit, pasojat e “qeverisjes së dështuar” – mos u tallni me veten, se shqiptarëve u jeni neveritur!
  2. Disa mesazhe publike për të paditurit: Së pari: sa më shpejt më mirë për ta, ti kërkojnë shpifësit-mostër (që tund certifikata ir-relevante dhe grushtin bolshevik në Kuvend; që për tu harruar nga “damka e Sigurimsit famëkeq” dhe për tu shitur intelektual i ndritur – “blen diplomë-Juridiks”, falsifikon “doktorë shkencash”, dhe ua fut krahun viktimave/të shpërdoruarve të radhës ..!) dhe të paraqesin provat për akuzën publike, për të cilën dhashë dorëheqjen, dhe po përballem me pasojat e “rrëgjimit të rilindësve”. Së dyti, e garantoj “Kryetarin e madh-Braho”, se shpejt do të përballet, në gjykatën e Strasburgut, pasi besoj fort se kjo kontribuon në De-kriminalizimin nga padrinot dhe shpifësit me pushtet. Së treti, për sa derivateve të keq-shpërdorimit (si letrat=pavlerë të MM) – “bash njësoj ashtu” siç udhëheqësi paranojak, shpërdoronte si-motrën e dekoruar Kapo, për të “shpallur fajtor”, dhe prerë kokat e ushtarakeve në vitin 1974 (Durrës), i garantoj se nuk do harroj/vonojë dhe do të turpëroheni jo vetëm për ketë rast, por: për 10-ra shkeljet kushtetuese; imitimin e Prokurorëve fuqiplotë të regjimit mostër; dalldisjen&arrogancën ekstreme ndaj ushtarakëve dhe civilëve me mendim alternativ; korrupsionin; dekorimin e xhelatëve/ish-sigurimsave në festimet e 70 vjetorit të çlirimit, dhe për turpërimin e protokollit të shtetit duke mos respektuar (ftuar&pritur në këmbë) Presidentin, si gjithë pjesëmarrësit, përfshi ambasadorë të huaj në stërvitje të përbashkët me UK (!).
  3. Me këtë rast, u kujtoj te “verbuarve nga arroganca dhe nënshtrimi politik” se në çdo rast, kam vetë-marrë të gjitha përgjegjësitë! Nga ana tjetër, kujtoj se me përulësi u kam bere thirrje ushtarakeve “jo luftë brenda llojit”; kam bërë gjithë sa kam mundur për të mbrojtur profesionistët dhe profesionalizmin; riciklimin e konfliktualeve diabolik, të përkëdhelurve nga partia e radhës dhe në të gjitha rastet u kam kërkuar me përgjegjshmëri Autoriteteve “që paragjykimet dhe ngarkesat politike ndaj oponencës profesionale, të mos transferohet te ushtarakët, sepse kjo do të përbente një precedent në dëm të imazhit, kohezionit dhe solidaritetit në FA”. Kështu s’ka pasur nevojë për “dosje hetimore”, pasi në të gjitha rastet, qëndrimet janë publike: stop projektit të dështuar të reformës Rama–Kodheli në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes: stop modelit bolshevik të balancave drejtimit në FA (komandant&komisar); stop politizimit të FA; stop plagjiaturës dhe hartimit të dokumenteve strategjik, (SSK, SU, PAZH 2025) si “letra-pavlerë”; stop shpërdorimin propagandistik të burimeve (100-ra pronave/infrastrukturave) dhe burimeve/kapaciteteve të mbrojtjes; stop uljes drastike të buxhetit dhe kështu jam përpjekur me vetëdije të kontribuoj për të ndalur rrëshqitjen e Shqipërisë, “nga në 5 top në fundin e listës së vendeve të NATO-s! Këto qëndrime, i kam ndarë në vijimësi, me personalitete&kolegë të njohur të fushës jashtë&brenda vendit, të cilët po ashtu mbeten të shqetësuar dhe të zhgënjyer për këtë keq-katandisje të sistemit kombëtar të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit!

= Me këtë rast, për sa “63 – simotra të fletëve të pa vlefshme … ” – konfirmoj se: nuk kam si të kem pasur kurrë dijeni për urdhrin e MM dt 22.04.2015 (!); nuk kam diskriminuar askënd përveçse fakte dhe replika publike me Kryetarin dhe anëtarë të KSK (!); nuk kam marrë asnjë dijeni dhe jo më të kem “rezistuar” të marr në rrugë zyrtare dhe as e kam parë kurrë më parë “praktikën disiplinore të MM me shkresë nr. 7249 datë 14.09.15” (!); në çdo opinion të botuar kam insistuar të pasqyrohet se “mendimet janë tërësisht personale dhe jo të funksionit dhe gradës” (!); nuk kam pasur kurrë dijeni për “hetimin, dhe shpalljen fajtor (!!)”; nga kjo përballje nuk kam përfituar asnjë interes personale (!), përveçse kostos (personale&familjare!) dhe përgjegjësisë për të kontribuar si Gjeneral për modernizimin e sistemit të sigurisë jo për përfitime të partisë së ditës, por në shërbim të qytetarëve, prosperitetit të shoqërisë dhe interesave strategjike mbarëkombëtare! E gjithë praktika është një dalldisje shërbëtoresh të nënshtruar ndaj padrinove dhe shpifësve ordinere të pushtetshëm.

= Në shtesë, për 63 fletët e MM: integriteti procesit, referencat, terminologjia (rezistencë, hetim, radhët e shtrënguara/vendimi unanim për ta shpallur fajtor), mungesa e komunikimit, transparencës, arroganca; zelli për të konsumuar me shpejtësi diarrenë e arrogancës-politike; përkujdesja që asgjë pozitive të mos evidentohet në dosjen e armikut dhe “partishmëria e lartë për të gërmuar/shtuar edhe të tjera fajësi të armikut”,– jam shumë i bindur se do të “skaliten” në memorien e turpit të reformave të mbrojtjes, të mbas përmbysjes së regjimit-mostër, jo vetëm në Shqipëri. S’ka më keq, është turp dhe marre. Përgjegjësia nuk bie vetëm mbi ata që “të helmatisur nga hakmarrja primitive” investohen në marrëzi të tilla, por në memorien e turpit do hyjnë ata që e kanë inspiruar, ata që e kanë gatuar dhe ata që kanë heshtur, përfshi ata që fërkojnë duart dhe ata që ngrenë supet për këtë qasje që konkurron me metodat-perverse të Sigurimit Kriminal të Shtetit. Për te shpërdorurit – edhe pse përpiqem shumë ti mirëkuptoj, përtej zhgënjimit, lutem mëshirë për ta!

  1. Për pjesën personale, u bej thirrje “derivateve/deviacioneve më të diskredituarat në historinë 103 vjeçare të FA”, që të ndalin luftën politike; shpirt-ligësinë; shpërdorimin e pamëshirshëm të kolegëve në çështje politike; hipokrizinë, dhe meskinitetin për të denigruar profilin, përgjegjshmërinë dhe kontributet zyrtare në 32 vjet në FA. Kështu, u kërkoj të lexojnë jo si mostra të verbuara nga pushteti dhe urrejtja klasore, por “me qetësi” karrierën e një ushtaraku 32 vjet në shërbim të atdheut: “e cila nuk është vetëm statusi në FB; nuk është vetëm një ngjarje e zgjidhur me integritet&gjyq në 1996, por te ky udhëtim janë të skalitur: 10 vjet në strukturat e MM/SHP; Akademinë e Mbrojtjes (pa-shkëputje); Kolegjin e Lartë të NATO-s; Shef i Përfaqësisë Kombëtare në Komandën Supreme të Aleancës (negociator dhe nënshkrues i 10-ra marrëveshje mirëkuptimi&teknike; kontribuues për të “ngritur lartë stekën” e vendit (siç më cilësonte jo Partia, por nga Autoritetet më të Larta të NATO-s) – “Shqipëria është nder 5 vendet model në përmbushjen e standardeve dhe angazhimeve ushtarake”; si Zëvendës i SHP; Këshilltar i Presidentit, dhe si një zë me ekspertizë cilësore, kurajë dhe kontribute publike për sistemin e sigurisë kombëtare. Kam marrë pjesë në më shume se 100 takime, konferenca, në 28 vendet e NATO-s, 20 vendet partnere, dhe realizuar vizita pune kam Qëndra Studimesh Strategjike në SHBA, UK, Francë, Greqi, Kanada, Kroaci, Slloveni, Serbi, Norvegji, Finlande, Itali, Francë, Gjermani, Moske. Kam po ashtu, jo thashethemnaja dhe plagjiaturë, një aktivitet shumë të pasur me tituj, analiza, tema studimore, botime në organet e shtypit ushtarak dhe civil, brenda dhe jashtë vendit, për çështje që lidhen me Sigurinë Kombëtare, Rajonale dhe Globale, Strategjinë Ushtarake, Sistemin Kombëtar të Sigurisë, Integrimin në NATO, Profesionalizmin e FA, Çështjet integrimit, etj. Për përkushtimin, profesionalizmin, përgjegjshmërinë dhe kontribute të spikatura, jam vlerësuar (jo-vetë-ngjitura si pervers-ordiner) me 10-ra Dekorata dhe Medalje, nga Autoritetet e Larta, brenda vendit, dhe të NATO-s”. Kjo është e biografia e vërtetë zyrtare e Gjeneral (r) Piro AHMETAJ dhe nuk e çbëni dotë, sikur të mblidhni tërë helmin e mostrave, që u buron nga paranoja e inferioritetit dhe perversitetit i të qenit të madhërishëm !.

Mesazh përmbyllës: Përtej realizimit deri gjeneral, funksionet e larta brenda dhe jashtë vendit, etj, investimit për 2 fëmijët/familjen, problemeve, gabimeve (i pagabueshëm është vetëm i dërguari i zotit/perëndisë), ngarkesave, zhgënjimeve, keqardhjes nga përballja/përbaltja me “mafien e sofistikuar dhe shpifës-ordinere” dhe përtej modestisë, nga ky udhëtim 32 vjeçar ndihem shumë  i realizuar dhe krenar! Nga ana tjetër, siç kam premtuar, kam vijuar dhe do vazhdoj të kontribuoj edhe më fortë me përulësi, profesionalizëm dhe përgjegjshmëri për vendin tim!

 

Ish Këshilltar i Presidentit, Zëvendës Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe Përfaqësues Ushtarak Kombëtar në Komandën Supreme të NATO-s

Filed Under: Opinion Tagged With: jo letra pa vlere, Kodheli & Co, Piro Ahmetaj, Prova ne gjykate

Kryeministër : Viu viu fryn Veriu !

December 14, 2015 by dgreca

Nga Aurenc Bebja – Francë/

Kolltuku i kryeministrit, pavarësisht përkatësisë partiake (politike) apo vendlindjes të personit që ulet në të, ka një rol gjithëpërfshirës dhe në një pozicion të tillë nuk është e këshillueshme që të bëhen dallime mes popullsisë (jug/veri apo lindje/perëndim), sepse mund të krijohen përçarje të panevojshme në shoqëri.

Nëpër mediat shqiptare u tha që kryeministri, qëllimisht ose jo, përdori tone anti-veriore gjatë një mbledhje në qytetin bregdetar të Sarandës. Nga gjuha, fjalori apo tonet që përdoren, populli ose ajo pjesë e popullit që preket, në mënyrë llogjike reagon.

Duke qenë se jam nga veriu dhe pavarësisht faktit se nuk jetoj në vendlindje, e ndiej për detyrë të reagoj (si person i shoqërisë civile), ashtu si edhe të tjerë reaguan ndaj kryetarit të qeverisë, ndaj një zyrtari të lartë, që të paktën në teori në mos gabohem përfaqëson gjithë popullin e Republikës së Shqipërisë.

Po të kishte qenë në rolin e piktorit (aktivitet të cilin e ka mediatizuar goxha kohët e fundit), nuk do kisha reagur, sepse fundja fundit si individ dhe pjesë e shoqërisë civile, ç’do njeri ka të drejtë të mendojë apo të thotë çfarë të dojë për Veriun apo për zonat e tjera shqiptare.

Përkundrazi, në këtë rast, ndryshon situata në detyrën aktuale që kryetari i « përjetshëm » i PS-së ushtron, sepse gjuha e përdorur është provokuese dhe sidomos tregon shenja mosmirnjohje ndaj Veriut. Sulmoj nga Saranda (qytet bregdetar i mrekullueshëm) ish-kryeministrin dhe ata që ai paska importuar, por se kush janë « ATA », ne nuk e dimë. Dhe kështu i bie që i gjithë Veriu të krahasohet me « ATA », dhe bashkë me « ATA » edhe unë.

Pra, unë, katunar (fshatar) prej rrethit Mat, malok prej Qarkut të Dibrës, dëshiroj ti rifreskoj memorjen zotit Kryeministër, se andej nga malet apo alpet tona, në zgjedhjet e fundit vendore të qershor 2015, mbi 36 mijë individë kanë votuar për ASE-n. Në qarkun e Lezhës 36 mijë, në atë të Shkodrës mbi 53 mijë dhe në atë të Kukësit mbi 21 mijë. Po ashtu, kam besimin e plotë se një pjesë e atyre të « importuarëve të Alpeve » kanë votuar për koalicionin e Kryeministrit edhe në qarkun e Tiranës dhe atë të Durrësit.

Dhe në këtë rast, Zoti Kryeministër, po lëmë mënjanë veriorët që nuk ju kanë votuar, që me padiskutim i keni zemëruar me fjalimin tuaj, dhe po bazohemi vetëm tek mbështetësit veriorë të koalicionit ASE. Si mund të jenë ndjerë ata/ato pas gjuhës tuaj anti-veriore ?

Kur erdhët në pushtet në 2013, përdornit shpesh termin një milion shuplaka, një pjesë e të cilave ishin veriore. Në këtë rast, nevojitet pak kujdes dhe mbi të gjitha respekt, se votat e veriorëve që keni marrë në 2013 dhe ato që morët në 2015 mund të kthehen në një « uragan » kundra jush në zgjedhjet parlamentare të 2017, dhe andej nga alpet tona do ju këndojnë : Viu viu fryn Veriu !

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurenc Bebja, kryeminsiter, Viu viu fryn veriu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 613
  • 614
  • 615
  • 616
  • 617
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT