• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VETEM NDERHYRJA MGA NDERKOMBETARET LARGON KEPUSHAT DHE VENDOS SHTETIN LIGJOR NE SHQIPERI

November 15, 2015 by dgreca

Reagim ndaj shkrimeve ne DIELLI/
Lexova me vemendje publikimin e Av. Axhem Ymeri me titull Rrobotët folen pas mesnate, ku kritikonte Kryeministrin dhe politikanët për projektligjin për kompensimin e pronave. Zoti Ymeri që e njoh dhe nga shkrime të tjera për pronën, ka shumë të drejtë, ai ka thënë të vërtetën ashtu siç është dhe i ka hequr maskën e demagogjisë kryeministrit . Me këtë shkrim publik ai, ka vënë para përgjegjësisë morale edhe deputetët e majtë qe përbëjnë shumicën në Kuvendin e Shqipërisë. Lavdi ZOTIT pasi vendimi i fundit i marrë në 10 Nëndor 2015 prej Gjykatës së Strasburgut praktikisht është anullim i projektit të Qeverisë Edi Rama, që paska planifikuar për ta mbyllur grabitjen e pronave me mashtrimet me kompensim. Rruga e drejtë dhe e vetme është kthimi i pronës tek pronari dhe kompensimi vetëm siç parashikon Kushtetuta dhe siç ndodh ne të gjithë vendet demokratike ku prona tjetersohet dhe kompensohet vetëm kur kjo bëhet për nevoja publike. Per të gjitha rastet e tjera në një vend demokratik , prona private fitohet me blerje me dhurim dhe me trashëgimi. Çdo formë tjetër nuk është gje tjetër veç grabitje me ligj dhe mohim i demokracisë. Këto I di mirë jo vetëm politikani por edhe çdo fshatar dhe I pa shkolluar por mjafton që të jetë I ndershëm. Por problemi i prones në Shqipëri nuk zgjidhet sepse Kryeministri, Ministri i Drejtësisë, Gjykata dhe Prokuroria, nga njera anë dhe Deputetët ne anën tjetër, në një marrëveshje të heshtur midis tyre, mbyllin rrethin e djallit të hajnisë. Ky djall në Shqipëri pas vitit 1991, nëpërmjet korrupsionit zëvendësoi komunizmin që propagandohej si demokracia e proletaritit . Duket qartë se në kushtet kur tek politikanët shqiptarë vendin e patriotizmit e ka zëvendësuar egocentrizmi, pragmatizmi pangopësia për të akumuluar para dhe pasuri, të presish të mira nga këta politikanë që për 25 vjet akoma nuk kanë kthyer pronat e lira dhe shkelin kushtetutën, është iluzion. Dekriminalizimi i vendit do të jetë i suksesëshëm vetëm nëse fillon nga prona. Në mungesë të vullnetit nga kryeministri dhe politikanët, zgjidhja kërkon kushtëzimin nga ambasadorja e BE zonja Romana Vlahutin që transmeton parimet e politikës së BE dhe kushtëzimin nga ambasadori i SHBA zoti Donald Lu që përcjell parimet e politikës demokratike të Shtëpisë së Bardhë, Nga eksperienca ime 24 vjeçare 1991-2015 që akoma nuk po mundem të marr pronën time në Shirokë, që pas arratisjes time në SHBA më grabiti diktatura, i sugjeroj zotit Axhem Ymeri dhe të gjithë pronarëve shqiptarë që të drejtojnë vëmendjen tek kushtëzimi nga ndërkombëtarët. Mjaftojnë dy-tri fjali e tyre që populli të shpëtojë nga politikanët tip këpushe, ose rriqnash, përndryshe këto tip politikanësh siç po e tregojnë faktet ne keto 25 vjet tranzicion do vazhdojnë t’ja pijnë gjakun popullit dhe nuk e ndalojë veprimtarinë keqbërëse edhe kur ngordhin.
Loro STAJKA/ SHBA

Filed Under: Opinion Tagged With: Loro Stajka, nderkombetaret, shteti ligjor

Cfarë po ndodh me daljet publike të qeveritarëve shqiptarë?

November 13, 2015 by dgreca

Opinion Nga Aurenc Bebja/Francë, 13 Nëntor 2015/
Kohët e fundit, daljet publike të disa qeveritarëve (politikanëve – zyrtarëve të lartë), që do shohim në vazhdim, na bëjnë të reflektojmë mbi sjelljen tonë publike, dhe mbase do të na ndihmojnë në të ardhmen të përmirësojmë edhe stilin e komunikimit. Fjalët tona nuk analizohen dhe interpretohen një lloj kur flasim si një person i shoqërisë civile apo si një qeveritar – politikan. Natyrshëm, lind pyetja nëse disa qeveritarë nxitohen disi në mënyrën e tyre të të shprehurit në publik ? A po këshillohen si duhet ? A janë të ndërgjegjshëm për gafat që bëjnë apo është një metode komunikimi e tyre ?
Tre shembuj konkretë, të marrë në aktualitetin shqiptar (median televizive dhe të shkruar) dëshmojnë që daljet publike të zyrtarëve të lartë, mbase dhe të pa përgatitura, nuk janë gjithmonë profesionale :
Së pari, Ministri i Shëndetësisë deklaronte [1] para disa ditësh në emisionin Opinion se nëse sëmuresh nga zemra përgjatë fundjavës vdes. Për fat të mirë gjatë javës në vazhdim, ky problem do zgjidhej dhe nuk do të vdisnim më përsa i përket zemrës. Domethënë gjatë qeverisjes dy vjeçare të koalicionit « ASE » jo vetëm që shëndetësia nuk u bë falas, ashtu si u premtua gjatë fushatës elektorale, por zbulojmë se situata ishte më kritike. Mund të vdisnim gjatë ç’do fundjave në rastin e sëmundjeve të zemrës, sepse nuk kemi patur shërbim mjekësor (urgjencë) për të. Dhe diçka e vërtetuar nga vetë ministri rëndon akoma më shumë çështjen e shëndetësisë dhe ngre dyshime mbi nivelin mjekësor (njerëzor dhe logjistik) në Shqipëri.
Së dyti, Ministri aktual i Drejtësisë, po në emisionin Opinion (ende jo ministër), fyente [2] në mënyrën më banale kancelaren gjermane, Angela Merkel, gruan më të pushtetshme në botë, duke paragjykuar fizikun e saj : « Për fund s’është ajo. Ajo s’është e mirë për grua…duhet të pyesim burrin e saj…noj hallexhi duhet të jetë…nana e dreqit ». Në nivelin e tij politik dhe drejtues nuk është e këshillueshme të përdoret një fjalor i tillë në daljet publike, sidomos për një shtet si Shqipëria, kur pretendojmë të futemi në Bashkimin Europian, dhe ku influencën e Merkelit e njeh e gjithë Europa dhe Bota, ashtu si dhe Kryeministri i këtij ministri. Eshtë Merkeli, ajo që të kalon ose të ngel në klasën europiane, prandaj nevojitet kujdes kur e sulmojmë atë. Dhe le të imagjinojmë pak sikur Zonja Merkel të kishte thënë një gjë të tillë ndaj ministrit të sotëm të drejtësisë apo ndonjë politikani tjetër shqiptar, çfarë reagimi do kishim ?
Së treti dhe së fundmi, Kryeministri i Shqipërisë, qëllimisht ose jo, « sulmoj » publikisht [3] median shqiptare : « Media këtu ka të gjithë lirinë të thotë çfarë të dojë, ka lirinë të shpifë sa të dojë, ka të drejtën të akuzojë kë të dojë, ashtu sikundër unë besoj se media nuk mund të sillet si lulja mos më prek ». Mbase pas reagimëve të Kryetarit të Parlamentit [4] dhe të OSBE-së [5], ai u detyrua të tërhiqet [6] : « Asnjë lidhje me shtypin kriminalizimi i shpifjes! Jo, shpifja duhet te jetë vepër penale për çdo politikan që paguhet me taksat e popullit ! ». Të shpifësh, nuk është aspak profesionale dhe është e nevojshme të përmirësohemi në këtë fushë, por të shtypësh lirinë e fjalës, është diçka anti -demokratike dhe e pa tolerueshme për një vend si ne që aspirojmë të futemi në BE.
Si përfundim, ç’do dalje publike kërkon me siguri të plotë një përgatitje serioze në prapaskenë, sidomos në nivelin e zyrtarit të lartë, sepse fjalët që thuhen ose shkruhen, analizohen dhe interpretohen, dhe kanë efekt të shpejtë (pozitiv ose negativ) në opinionin publik.
Burimi : © DARS (KLOS), MAT – ALBANIA – OPINION
http://www.darsiani.com/mendim-opinion/
REFERENCAT :
[1] Lapsi.al, 28 Tetor 2015 : « Gafa e Beqajt: Nëse sëmuresh nga zemra në fundjavë, vdes sepse nuk ka mjek në spital. »
[2] Opinion – TV Klan, 26 Tetor 2015 : « Gra të bukura dhe të pushtetshme ! »
[3] Syri.net, 11 Nëntor 2015 : « Pas kërcënimit që i bëri medias dje, Rama rikthen shpifjen vepër penale. »
[4] Panorama, 12Nëntor 2015 : « Shpifja, Meta : Ka një keqkuptim, besoj se do të ketë reflektim. »
[5] Tema, 12 Nëntor 2015 : « OSBE : Parlamenti ta refuzojë nismën e qeverisë për shpifjen.»
[6] Shqiptarja.com, 12 Nëntor 2015 : « Shpifja, Rama : Ndjesë ! Dënimi për gazetarët ishte keqkuptim. »

Filed Under: Opinion Tagged With: bebja Aurenc, daljet publike, qeveritaret

Shtypi i Kosovës-Çka pas pezullimit të “Zajednicës”?

November 12, 2015 by dgreca

-Kryetitujt e shtypit të sotëm në Prishtinë: Marrëveshja për Asociacionin, të rinegociohet.- Presidentja “merr anë” në kontestin rreth Asociacionit. -Analistët: Pezullimi i Asociacionit nuk e zgjidh krizën politike/
PRISHTINË, 12 Nëntor 2015/ Çka pritet pas pezullimit të Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që opozita e quan me fjalën serbe “Zajednica”, është pyetja në kërkim të përgjigjes dhe në pritje të zhvillimeve në Kosovë.
“Marrëveshja për Asociacionin, të rinegociohet”, është sot një nga kryetitujt e shtypit të Prishtinës.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar përkohësisht Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka ngjallur idenë, që kjo Marrëveshje “problematike” të ringociohet edhe një here. Derisa opozita kërkon zhbërjen komplet të saj, janë shtuar zërat, madje dhe ndërkombëtarët, që kësaj Marrëveshjeje t’i bëhet një “redaktim” në disa pika. Madje, nëse Gjykata e hedh poshtë si antikushtetuese, kjo marrëveshje të kthehet në pikën zero, pavarësisht implikimeve zinxhirë në proceset tjera, përfshirë edhe Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim me BE-në. Sipas ekspertëve juridikë, cilido që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese ai do të shikohet si i anshëm politikisht nga njëra apo tjetra palë. Prandaj, derisa Bashkimi Evropian po bën presion që Marrëveshja të implementohet, ekspertët juridikë kërkojnë nga Kushtetuesja që të kërkojë ndihmën e Komisionit të Venedikut. Kjo do t’i hapte rrugë anulimit të marrëveshjes në formën aktuale dhe të niste rinegocimi mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së për një marrëveshje të re. E pikërisht këtë nuk e ka përjashtuar as raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Ulrike Lunacek gjatë vizitës së saj në Kosovë, shkruan Zëri. Gazeta raporton edhe se, ndërkohë, serbët i kanë bërë thirrje BE-së që t’i bëjë presion Kosovës.

“Presidentja ‘merr anë’ në kontestin rreth Asociacionit”, është një kryetitull tjetër ballinash.

Juristët kanë vërejtur se presidentja Atifete Jahjaga ka marrë anë në debatin për Marrëveshjen e Parimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, shkruan Koha Ditore.

Ajo shihet në anën e opozitës dhe ekspertëve, të cilët e kualifikojnë antikushtetuese marrëveshjen.

Një ditë më parë, Kushtetuesja ka aprovuar kërkesën e kreut të shtetit për të suspenduar implementimin e çfarëdo veprimi që rrjedh nga marrëveshja. Deri të martën e kishte mbajtur të fshehtë përmbajtjen e kërkesës.

Por, Gjykata ka cituar pjesë të saj, duke e përfshirë termin “entitet juridik” me të cilin i është referuar Asociacionit, dhe gjykimin se marrëveshja e fundit me Serbinë prodhon efekte juridike në rendin Kushtetues të Kosovës.

Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka rikujtuar se kreu i shtetit referon çështje në Kushtetuese vetëm kur ato në vlerësimin e saj janë kundërkushtetuese – dhe për të cilat ajo nuk gëzon instrumente për anulimin e tyre – ose kur ngrenë dilema serioze mbi karakterin kushtetues të tyre.

Referimi i Parimeve të Asociacionit në Gjykatë, sipas tij, përbën fakt në vetvete që dëshmon se Presidentja i ka vlerësuar Parimet e tilla në kufijtë e shkeljes së Kushtetutës ose të tilla që ngrenë dilema serioze mbi kushtetutshmërinë e tyre.

Ndërsa, me kryetitullin “Analistët: Pezullimi i Asociacionit nuk e zgjidh krizën politike” gazeta Epoka e Re, shkruan: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shqiptimin e masës së përkohshme, me të cilën suspendohet zbatimi i parimeve të përgjithshme të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, nga analistët konsiderohet si vendim i pranueshëm, por jo që mund ta zgjidhë krizën politike.

Analisti politik Belul Beqaj ka vlerësuar të mërkurën se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë vendimi më i pranueshëm për të gjithë. Megjithatë, ai ka thënë për Epokën e Re se ky vendim nuk është i pavarur dhe profesional por, sipas Beqajt, është modus “vivendi” për ta shpëtuar gjykata veten duke mos i ngacmuar shumë palët. “Gjykata Kushtetuese është në sandviç mes presionit të opozitës dhe ruajtjes së autonomisë profesionale, përkatësisht kërkesës së heshtur të pushtetit për ta mbështetur ‘Zajednicën’. Prandaj, pezullimi ka qenë vendimi më i pranueshëm për të gjithë. Këtij vendimi i ka shkuar për shtati edhe mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO. Paramendojeni situatën sikur gjykata të kishte vendosur ‘pro’ kërkesës së kryetares çfarë reagime do të kishte në shoqëri. Prandaj, definitivisht pezullimi nuk është vendim i pavarur dhe profesional i Gjykatës, por modus ‘vivendi’ për ta shpëtuar veten duke mos i ngacmuar shumë palët”, ka deklaruar Beqaj, duke shtuar se presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka bërë gabim që e ka dërguar çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. “Personalisht mendoj se presidentja ka bërë gabim që e ka dërguar, ngaqë Gjykata Kushtetuese nuk duhet t’i gjykojë parimet, por efektet e sanksionuara ligjore se a është ndonjë zgjidhje juridike konform Kushtetutës apo jo. Gjykata duhet ta ketë objekt të shqyrtimit vetëm dekretin e Qeverisë nëse Qeveria do ta ketë guximin për ta dekretuar pas kësaj çfarë ka ndodhur me dështimet zinxhirore”, është shprehur Beqaj.

I pyetur nëse ftesa për dialog e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do t’i kontribuojë zgjidhjes së krizës politike, Beqaj ka thënë se çdo zgjidhje jashtë kuvendit do të shkaktojë pasoja të cilat vështirë se mund të riparohen. “Ndërkohë mund të ndodhin gjëra edhe më të pahijshme në Kuvendin e Kosovës. Por, definitivisht tejkalimi i kësaj gjendje do të jetë në Kuvendin e Kosovës, prandaj mendoj se palët më mirë është ta bëjnë sot atë që do të detyrohen ta bëjnë me pasoja shumë më të mëdha për to dhe shoqërinë nesër. Në këtë kuptim besoj se çdo zgjidhje jashtë kuvendit shkakton pasoja të cilat vështirë se mund të riparohen derisa e kemi nënshkruar MSA-në. ‘Timeauti’ që është krijuar duhet të shfrytëzohet për t’i korrigjuar veprimet taktike nga ana e opozitës dhe pozitës, përndryshe politikëbërja e këtillë do ta humbet kuptimin”, ka theksuar ai.
Ndërsa analisti tjetër politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të shihet edhe në nivelin juridik dhe atë politik. Ai ka thënë për Epokën e Re se opozita nuk do ta ndryshojë qasjen si pasojë e këtij zhvillimi të ri, por as Qeveria nuk guxon të fshehët prapa këtij akti. “Mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të shihet në dy nivele, në nivelin juridik dhe atë politik. Sa i përket nivelit juridik, duket se çdo gjë është në përputhje me kompetencat që i ka presidentja dhe Gjykata Kushtetuese dhe është një proces i cili bëhet duke respektuar kornizën ligjore në Kosovë. Kurse sa i përket nivelit politik nuk është e pritshme që ky akt do të ndikojë në përafrimin e palëve. Nuk besoj se opozita do ta ndryshojë qasjen si pasojë e këtij zhvillimi të ri, mirëpo as Qeveria nuk bën të fshehët prapa këtij akti dhe të bëhet kinse nuk po ndodh asgjë, pra ta injorojë krizën”, ka theksuar Muhaxhiri. Sipas tij, pavarësisht vendimit të Kushtetueses, pa vullnet politik dhe pa ulje në tryezë të pesë liderëve partiakë nuk mund të pritet asgjë pozitive. “Kriza ekziston dhe ajo nuk mund të zgjidhet me këtë vendim. Përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë krizë politike mund të jetë një nga elementet e mozaikut të krizës, por assesi nuk duhet të pritet që vetëm Kushtetuesja ta zgjidhë këtë krizë. Pra, pa vullnet politik dhe pa ulje në tryezë të pesë liderëve partiakë nuk mund të pritet asgjë pozitive”, ka deklaruar Muhaxhiri.
Kurse sa i përket ftesës për dialog në mes të palëve, Muhaxhiri ka thënë se një gjë të tillë është dashur ta bëjnë lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i PDK-së, Hashim Thaçi, e jo kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. “Nuk besoj se i takon z. Kadri Veseli ta bëjë një akt të tillë sepse këtë letër do të duhej ta dërgonte Isa Mustafa në bashkëpunim me Hashim Thaçin sepse ata janë udhëheqësit e koalicionit dhe pakënaqësia e opozitës është me koalicionin qeveritar, e jo me kuvendin. Është një akt formal nga ana e z. Veseli, por edhe ai vetë e ka ditur se nuk do të ketë asnjë efekt ftesa e tij, sepse marrëveshjet në Bruksel i ka nënshkruar Isa Mustafa, e jo Kadri Veseli”, është shprehur Muhaxhiri. /b.j/

Filed Under: Opinion Tagged With: Kosovë-Çka, pas pezullimit, të “Zajednicës”?

Burg për shpifjen- Mediat kundër Ramës

November 11, 2015 by dgreca

*Ylli Rakipi: S’ma lejon etika të them që Rama është kryeministri më budalla/
Mediat sot janë vënë përballë Kryeministrit dhe Qeverisë për ashpërsimin e toneve të shefit të Qeverisë, i cili përkrah Ambasadores së BE-së një ditë më parë foli për media gjobëvënëse dhe për komente që siç tha i vijnë nga këneta. Kjo shkaktoi sot një valë zemërimi në rradhët e përfaqësuesve më në zë të shtypit shqiptar që guxuan ta konsiderojnë Kryeministrin të pafat që mban qëndrime skandaloze.
Drejtues të rëndësishëm të medias në vend dhe përfaqëues të Organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve e konsiderojnë si të paralajmëruar progresin e ulët të lirisë së medias në Shqipëri.
Çipa kritikon Kryeministrin, i kujton RTSH-në
Aleksandër Çipa: Kjo është një nga stanjacionet më të tmerrshme të realitetit mediatik shqiptar që nuk po ndryshon asgjë. Ka një frustrim të gjithkujt, të gjithë aktorët që janë brenda kësaj skene mediatike janë të frustruar.
Armand Shkullaku: Progresraporti ishte i pritshëm. Ne kemi vënë re një lloj sjellje me dy standarte të Qeverisë. Kanë gjuhë dhe një formë që mundohet ta paraqesë situatën rozë, sikur Qeveria nuk ndërhyn. Dhe nga ana tjetër nxitet një lloj frymë denigruese për median.
Ylli Rakipi: Duhej një vlerësim akoma dhe më i ulët. Nëse progresi përcakton sjelljen jo të mirë të disa prej politikanëve, duhet të themi që në krye të kësaj liste është kryeministri Rama, i cili është Kryeministri më arrogant që nga viti 1912 besoj deri sot me median.
Por përtej progresraportit, ajo çka shqetësoi median në Shqipëri përveç të tjerash ishte dhe kjo deklaratë e Kryeministrit.
Edi Rama: Kemi ndërmarrë reforma të tella edhe pse rëndom të anatemuara nga “kënetat mediatike”. E përdorin median për të bërë shantazh, e përdorin median për të vënë gjoba.
Këtë qëndrim të shefit të Qeverisë, drejtuesit e medias e kritikojnë ashpër, duke e konsideruar deri edhe skandaloz.
Aleksandër Çipa: Unë do të reagoja shumë kritikshëm ndaj cilësimit dhe pohimit të Kryeministrit. Kryeministri Rama është ai politikan që erdhi në qeverisjen e vendit me misionin e zhbërjes së një media klienteliste, e reformimit të medias publike. Në këtë pikë ai është po aq i vonuar sa pararendësit e vet. Madje ka krijuar modelin më poshtërues të një media publike që mbetet në një gjendje të nderë.
Armand Shkullaku: Deklarata e Kryeministrit është skandaloze. Do të ishte e barasvlefshme sikur ne të gjithë këtu bashkë të themi atë që Edi Ramës nuk i pëlqen, që të gjithë politikanët janë hajdutë.Po ne çfarë duhet të themi? Që punojmë çdo ditë, mundohemi ta bëjmë punën tonë me ndershmëri dhe përkushtim dhe del Kryeministri pa iu dridhur qerpiku dhe na thotë që jemi të gjithë kënetë. Mendoj që ai e bën këtë për të zhvlerësuar rolin e medias në Shqipëri.
Ylli Rakipi: Vendin ku ne jetojmë zoti.Edi Rama po e kthen në një kënetë të madhe. Dhe po të hedhësh rrjetat në këtë kënetë, peshku i madh që kapet është Edi Rama, përfaqësuesi i kësaj kënete.Etika nuk ma lejon të them që Edi Rama është Kryeministri më budalla i shqiptarëve që nga viti 1912. Por them që është deri tani me performancën e vet, me punën e vet, është Kryeministri më i paaftë që nga viti 1912. Të merresh median në një kohë kur ti je personi që nga pika e mëngjesit deri dhe pas orës 24:00, tremb edhe foshnjet e sapolindura, që del në të gjitha mediat, në mënyrë sistematike. Del në media edhe kur shkon në banjo. Është e turpshme.
Por a ka media që po i bëjnë presion Kryeministrit, apo është media që po vihet nën trysni nga Qeveria?
Ylli Rakipi: Ka segmente të medias që i bëjnë presioin Qeverisë. Ditët e fundit ju keni parë në median e shkruar, ka akuza të drejtëpërdrejta edhe nga pjesë të medias që Edi Rama është në raporte me trafik influencash në pjesë të medias.U jep atyre benefite, që hapin tokën dhe u del uji poshtë. Një njeri që ka thënë gjëra krejt të tjera dy vjet më parë dhe bën gjëra të tjera sot. Duhet të vendosë gishtin, kush është media që ka shantazhuar Edi Ramën.Njerëzit e medias janë njerëz që kanë emrin e vet, kanë mediat e tyre. Edi Rama duhet t’u adresohet konkretisht. Nuk ka Kryeministër në botë që të hedhë fjalë të tilla në erë.
Armand Shkullaku: Dhe Kryeministri ka raste ku ndaj tij është ushtruar shantazh, presion apo gjobëvënie, siç i pëlqen atij ta thotë, mendoj se i ka të gjitha mundësitë që rastin ta denoncojë në Prokurori./ Ora News/

Filed Under: Opinion Tagged With: Burg për shpifjen- Mediat, kundër Ramës/

LIRIA E SHTYPIT: KJO FERRË NË SY TË POLITIKANËVE SHQIPTARË

November 11, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Duke lexuar gazetën Illyria të komunitetit shqiptaro-amerikan në New York të martën, lexova një shkrim nga korrespondenti i saj në Tiranë në lidhje me një konferencë të përbashkët me shtypin që Kryeministrit shqiptar Edi Rama zhvilloi me përfaqsuesen e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vllahutin, e cila i dorëzoi udhëheqsit shqiptar, Raportin e Përparimit (“Progress-Report”) të Komisionit Europian për vitin 2015. Ajo që më tërhoqi vëmendjen me këtë rast ishin komentet e Kryeministrit Rama mbi median, pjesë të cilës, sipas Illyrisë, ai iu referua disa herë si, “kënetë”. “Çfarë të komentoj?! Këto lajme nga këneta! S’kam çfarë të komentoj!” – ishte përgjigja e kryeministrit Edi Rama kur u pyet mbi zërat se është nën presion nga aleati Ilir Meta për ndryshime në qeveri, shkruan korrespondenti i gazetës Illyria në Tiranë, Denion Ndrenika. “Unë kur flas për “këneta mediatike”, nuk flas për median në tërësi, por flas për kënetat medatike në hapësirën ku operon media shqiptare”, citohet të ketë thënë Kryeministri Rama, duke u mbështetur, shkruan Illyria, në ato që kryetari i qeverisë shqiptare i cilësoi si “shpifje” dhe “akuza”, por pa dhënë ndonjë shëmbull konkret se kush dhe kujt i drejtohen këto shpifje dhe akuza.
Gazeta Illyriashkruan se as Zonja Vllahutin, nuk qartësoi qëndrimin e saj kur u pyet se si ndihej si ambasadore e Bashkimit Europian kur dëgjonte kryeministrin shqiptar t’i thoshte medias disa herë “kënetë”, gjatë konferencës me përfaqsues të medias shqiptare, por ajothjeshtë e shkurtimisht u shprehvetëm se, “Siç e dini edhe ju, liria e fjalës është një ndër vlerat thelbësore të BE-së dhe ne e ndjekim nga afër.”
Është e vërtetë se liria e fjalës është ndër vlerat thelbësore të Bashkimit Europian dhe në këtu në Shtetet e Bashkuara, liria e shtypit mbrohet nga artikulli i parë i kushtetutës, ndonëse mund të ketë edhe kufizime si në Europë ashtu edhe në Amerikë, siç është për shëmbull ligji kundër shpifjeve. Për më tepër,historikisht, edhe në këto vende ka patur raste abuzimi me të drejtën dhe lirinë e medias dhe trysni ndaj medias nga politikanët. Por fatkeqsisht, politikanët shqiptarë, tani dhe në të kaluarën, kudo dhe në përgjithësi — ndryshe nga kolegët e tyre në vendet Përendimore të cilave ata pretendojnë se duan tu bashkohen –shpeshherë në marrëdhënjet midis tyre dhe në takime me përfaqsues të medias — kanë venë në dukje të zëmëruar, se përsa u përket pikëpamjeve të tyre mbi fjalën e lirë dhe lirinë e medias, ata fatkeqsisht janë më afër qëndrimeve të “putinëve”, “erdoganëve” dhe “ajatollahëve” të kësaj bote, se sa vlerave perëndimore mbi lirinë e fjalës dhe të medias, për të cilat u shpreh ambasadorja e BE-së në Tiranë.
Është e vërtetë se media ka përgjegjësi gjithashtu, që ndër të tjera, të mbikqyrë veprimtaritë e qeverisë dhe të zyrtarëve të saj, duke raportuar faktet përgjithësisht dhe objektivisht, përfshirë edhe përspektiva të ndryshme por pa munguar edhe pikpamjet që mund të mos jenë në përputhje me politikën zyrtare qeveritare. Detyra e medias është që të mundësojë qytetarët të jenë të informuar më mirë, me qëllim që ata të jenë më në gjëndje për të influencuar pozitivisht veprimtaritë qeveritare në përgjithësi dhe zyrtarëve të lartë individual në veçanti. Për ndryshe, siç ka thënë Xhorxh Washingtoni, “Nëqoftse na mohohet liria e fjalës, atëherë si memecë në heshtje, do na çojnë si delet në kasaphane.”
Ndërkaq, sipas Zërit të Amerikës, dokumenti i Komisionit Europian, që iu dorëzua Kryeministrit Rama të martën, vëren se “një numër rastesh të profilit të lartë, përfshirë disa, ku faktet për dyshime për veprime të paligjshme nga ana e zyrtarëve të lartë, gjykatësve, kryebashkiakëve dhe ish ministrave, ishin publikuar nga mediat, nuk u hetuan asnjëherë seriozisht”. Ndërsa raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për Të Drejtat e Njeriut ka vërejtur më heret se një numër fushash që kanë nevojë për përmirësim, përfshirë lirinë e medias në Shqipëri, duke nenvijuar se: “Media ishte aktive dhe në masë të gjerë e pakufizuar; megjithatë, pati raste presioni politik të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi median, përfshirë kërcënime ndaj gazetarëve. Në disa raste presioni politik dhe mungesa e fondeve kufizuan median e shkruar të pavarur, dhe gazetarët raportuan se kishin ushtruar gjerësisht vetëcensurë…”.
Por të martën në Tiranë, sipas gazetës Illyria të New York-t, Kryeministri i Shqipërisë u shpreh se ndonëse media në Shqipëri, “Ka të gjithë lirinë të thotë çfarë të dojë, ka lirinë të shpifë sa të dojë, ka të drejtën të akuzojë kë të dojë, ka luksin që të mos bëjë asnjë përpjekje për të provuar asgjë nga ato që thotë, unë besoj se media “nuk mund të sillet si ‘lulja mos më prek’, në kuptimin e fjalëve, sepse në kuptimin e veprave unë nuk di asnjë rast të një presioni, kërcënimi apo sulmi të mbështetur nga qeveria ndaj mediave”- komentoi zoti Rama gjatë konferencës me gazetarët.Pyes veten, si u larguan gazetarët shqiptarë nga kjo konferencë shtypi të martën: të sfiduar, të frikësuar, a po të kërcënuar — se të ofenduar po se po.
Këtu në Amerikë thonë se nëqoftse i futesh politikës, “You need to develop a thick skin”, që pak a shumë do të thotë se nuk duhet të preokupohesh shumë nga kritikat e medias ose të kundërshtarëve politikë, por të keshë durimin e nevojshëm dhe tolerancën e duhur edhe atëherë kur akuzat mund të duken të pa baza. Fatkeqsisht, në diskursin politik shqiptar të këtyre 25-viteve të fundit, midis kundërshtarëve politikë, midis politikanëve e medias dhe anasjelltas, për ditë e më shumë pohumb toleranca, po humb durimi dhe ç’është më keq dhe mbi të gjitha, po humbë njerzia.
Kjo vihet re kudo, duke filluar nga debatet, të cilat më shumë janë akuza dhe shpifje të ndërsjellta midis parlamentarëve se sa debate të mirëfillta politike që kanë të bëjnë me legjislacionin në Kuvendin e Tiranës dhe të Prishtinës, e deri tek konferencat që politikanët kanë, nga hera në herë, me shtypin. Nga diskursi politik me akuza dhe shpifje çnjerzore midis përfaqsuesve të ndryshëm politikë shqiptarë, kjo atmosferë mos tolerance ndaj njëri tjetrit –është transferuar fatkeqsisht edhe në ente të tjera të shoqërisë dhe medias, përfshirë edheprogramet televizive midis analistëve, tëcilat ngjajnë më shumë në duele me fjalë se sa diskutime intelektualësh për të frymëzuar dhe për t’i dhënë rrugë zgjidhjes së shumë problemeve që kanë pllakosur shoqërinë — një dukuri e keqe kjo që vihet re anë e mbanë trojeve shqiptare.Me ndonjë përjashtim të vogël aty këtu, fatkeqsisht askund nuk ka vend për një çkëmbim normal ideshë e mendimesh pa u konfliktuar, as në nivelin politik e madje as në nivelet akademike dhe gazetareske. Të gjithë janë ngujuar në mbrojtje të ideve të tyre dhe interesave politike dhe partiake duke moslëshuar pe dhe pa u shqetësuar fare për mendimet dhe të drejtatlegjitime të tjerëve.
Liria e shtypit është baza e vlerave universale të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe e rëndësishme për të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ka thënë Presidenti amerikan Barak Obama me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit majin që kaloi.Duke lavdëruar profesionin e gazetarit, ai tha se gazetarët, “ekspozojnë padrejtësitë dhe mbajnë përgjegjës udhëheqsit si unë”, theksoi Obamaduke shtuar se:“Ajo që është gjithashtu me rëndësi është fakti se duhet folur haptazi dhe shpesh në mbështetje të këtyre vlerave të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta jonë dhe nga të drejtat themelore që ajo përmban, por që ne besojmë se këto vlera nuk janë thjeshtë vlera amerikane. Ne besojmë se disa vlera themelore, siç është liria e fjalës dhe e ndërgjegjes, është një e drejtë njerzore, por njëkohsisht është edhe e drejtë universale — një liri –zbatimi i së cilës më në fund e bën këtë botë më të mirë dhe më të fortë” për të gjithë ne, ka thënë udhëheqsi amerikan.

Për lirinë e shytpit duhet folur haptazi dhe shpesh si një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lire ose gjysëm të lirë. Liria e shtypit pra,edhe për shqiptarët është një vlerëdhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet me qëllim për të bërë Shqipërinë dhe shqiptarët ndër më të mirët dhe më të fortit në botë.Si i tillë, zbatimi i plotë i lirisë së shtypit, në përputhje me vlerat shqiptare dhe universale, është edhe në interesin kombëtar të shqiptarëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Liria e shtypit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 622
  • 623
  • 624
  • 625
  • 626
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT