Nga Ilir Levonja/Florida/
Në shkurt të këtij viti, shorti na vuri përballë Serbinë. Midis të tjerave mbaj mend ekzaltimin në lidhje me frymën nacionaliste. Përtëritjen e urrejtjes, apo dhe deklaratat e tipit të Kreshnik Spahiut. (Ashtu si sot, kur që herët në mëngjes i bën thirrje Kryeministrit të mos shkojë në Beograd.?.) Atë kohë 14 tetori dukej larg. Ndofta nga kjo u ndez edhe fushata e strategjive të mbrapshta. Vrulli bosh, etj. Bëra edhe unë një shkrim (statut) në lidhje me këtë realitet. Ideja ishte tek intriga e deklaratave me frymë nacionale, nga koha e shkuar, përballë një realiteti krejt ndryshe. Theksova se fitimtarët jemi ne, jo serbët. Kjo e gjitha nëse do ta shohim në kushtet e realitetit të sotshmën. Ndaj na takon të sillemi si të tillë.
Më poshtë po e risjell, edhe një here, për koiçedenca të tepërta, në lidhje me rritjen e tonit nacional. që po has në faqet e shtypit tone. Pikërisht para nisjes për në Beograd.
……..
Thjesht, Futboll
Më 14 tetor 2014 Shqipëria do të ndeshet në futboll me Serbinë. Kjo në kuadrin e eliminatoreve të Europianit 2016, në Francë. Qysh prej shortit, të dielën më 23/2/2014, kjo ndeshje futbolli është bërë temë e ditës. Ka shumë ethe, shumë strategji, shumë paraimagjinata, aq sa nuk shfleton dot një web këtej dhe andej Ballkanit. Megjithëse, e thënë thjesht, është një ndeshje futbolli. Të paktën nga njëra anë ka sfumuar finesën sharlatane të politikanëve. Edhe pse është pikërisht kjo e fundit që ka çuar në një lloj imazhi të frikshëm midis qytetarit shqiptar dhe atij serb. Pra, politika. Sidomos që nga shpërbërja e Perandorisë Otomane, u forcua me ngritjen e blloqeve, kultin e individit, deri sa na shkatërroi, dogji, vrau, shfarosi, zhvendosi nën dritën e rënies së murit të Berlinit. Në të njëjtën kohë është e çuditshme se si deri dje shorti na shmangte. Sikur diçka misterioze i largonte këto dy vende, sikur i ruante. Ndofta ka patur ndeshje klubesh, them ndofta nga që nuk kam informacionin e duhur në lidhje me takimet sportive. Mbaj mend vetëm edicionin ’87-1988 kur Flamurtari i Vlorës eleminoi Partizanin e Beogradit nga kupat e Europës. Edhe sot e kam të gjallë atë gol të Sokol Kushtës, por edhe mbylljen e trishtë të regjisë televizive me një buqetë lulesh hedhur në barin e fushës. Atëhere, dukej sikur ndesheshin dy botë amorfe alienësh. Jetonim atmosferën me dritë të pakët të yjeve, jo të lirisë. Tani shorti i një kohe tjetër. Na vuri përball. Një sprovë e madhe. Sepse deri pikërisht kësaj dite, trajta e ajrit midis shqiptarëve dhe serbëve ka qënë me përmbajtje jashtëzakonisht të lartë inkadeshente. Duket se tani është ujëzuar disi, në kuptimin kohor. Në një prove të re shqiptarët dhe serbët. Short inatçor, ku në fund të fundit u thotë njerëzve se, jepini kuptimin jetës, tregojini se sa e vlerë dhe e vërtetë është të jetuarit në liri. Qytetaria, bashkëjetesa, etj. Mirëpo jashtë të gjitha këtyre, në kuadrin jetësor ka një tjetër panoramë. Shqiptarët dhe serbët vërejnë se kanë kaq shumë të përbashkëta midis tyre aq sa habiten me historinë. Flasim për qytetarin e thjeshtë, atë që përbën shumicën. Kemi të përbashkët nervin, gjaknxehtësinë, tundimin nga fjala e dhënë, konceptin për mikun, ruajtjen e shpatullave etj. Por sidomos rakinë. Unë përshembull kam vite që punoj me serbë, këtu ku jetoj. E kam trajtuar edhe më përpara raportin e marrëdhënieve ballkanike në dheun e huaj. Me serbët kemi një afrimitet dhe kujdes gati kontraversal me atë realin në Ballkanin tonë perëndimor. Nuk e di përsenë, përpiqem, ose më saktë kam kohë që dua ta kuptojë pse. Ndofta janë pikërisht tiparet e përmendura më sipër. Kam këtu Gordanën nga Beogradi. Më tha një ditë se byrekun e kemi mësuar nga ju, nuk e njihnim. Një nuse e kushëririt, nga Prishtina, ajo na e mësoi. Pastaj flasim për gatimet e tjera, sarmën, apo lakramen me mish të grirë e oriz, shlivovicën e tyre, (nuk bën vaki të mos më sjelli një shishe të tillë sa herë që shkon në Beograd) dhe rakinë e rrushit tone. Mallin e saj për konjakun Skëndërbeu, të Korçës. Ndihmojmë njeri-tjetrin, e presim e përcjellim në aeroport. Dhe nuk na vjen mire kur na shenjojnë me gisht të habitur, serbë e shqiptarë?! Flasim edhe për historinë, politikën ndër vite të Ballkanit tone. Eshtë thjesht një ndeshje futbolli, e tillë duhet trajtuar. Më shumë se serbëve u ka dhënë shqiptarëve një shans historik. Fitimtarëve! Një komb, një kombëtare.
Presidentja Jahjaga ka dy opsione!
Nga Faik Krasniqi/Tani kur ngërçi politik është betonizuar, dhe kur gjithçka ka filluar të paralizohet në jetën institucionale, politike, ekonomike e shoqërore, mundësia e fundit për zgjidhjen e këtij ngërçi si duket i ka mbetur presidentës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Pavarësisht se ajo i ka ftuar në disa takime liderët e partive politike, rezultati ka mbetur ende i njëjtë, pa patur ndonjë lëvizje nga të dy krahët politik. PDK-ja vazhdon të këmbëngulë në të drejtën e saj absolute, pasiqë këtë të drejt ja ka dhënë Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj, por që PDK-ja vazhdon të mos i ketë numrat. Po njëjtë nuk kanë lëvizur nga qëndrimet as blloku LVAN, të cilët e kanë armën kryesore, numrat në kuvendin e Kosovës.
E për rrjedhoj, publicisti Faik Krasniqi vlerëson se presidentja e Kosovës për momentin është përballë dy opsioneve, opsione që do të mund të ndihmojnë në zgjidhjen e ngërçit politik, si më të gjatin në kohë në politikën kosovare që nga paskufta.
“Presidentja Jahjaga mundet lehtësisht ta zgjedh bllokadën institucionale. Opsioni i parë, t’i bëj me dije PDK-së se janë pakicë në Kuvendin e Kosovës. Opsioni i dytë, t’i thërras dy koalicionet, koalicionin LVAN ka shumicën në Kuvend dhe koalicionin e PDK-së- t’ju kërkoj emrat e kandidatëve për kryetar Kuvendi dhe kandidatëve për kryeministër. Cilido kandidat nga këto dy koalicione merrë shumicën në Kuvend, zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe formon Qeverinë”, ka theksuar publicisti Krasniqi.
E madje Krasniqi vlerëson se gjithçka është në dorën e presidentes, sepse është obligim i saj kushtetues.
“Është në dorën e Presidentes se- a do të veprojë me arsye për ta zgjidhur këtë bllokadë institucionale, të shkaktuar nga PDK-ja, Gjykata Kushtetuese, por edhe nga vetë ajo, apo do të vazhdojë të jetë akoma një vegël e PDK-së. Tek e fundit edhe është obligim i saj Kushtetues, që ajo ta zgjidh këtë bllokadë institucionale dhe sa më shpejt t’i krijojmë institucionet e reja”, ka theksuar në mes tjerash Publicisti dhe anëtari i Këshillit të Ekspertëve të LDK-së, Faik Krasniqi.
Të mjerët ne kujt i kemi besuar!
Shitja e identitetit shqiptar nga Rexhep Qosja/
Opinion Nga Fahri Xharra/
“Qeveritë shkojnë e vijnë dhe fusin në ekuacionet e tyre të politizuara për efekt mbajtjesh interesash kujtesën historike kombëtare, duke e deformuar si plastelinë në përshtatje të modeleve politike. Qeveritë, me naivitet politik, bëjnë identifikimin e fenomeneve historike, me ndonjë figurë, pas së cilës mendojnë se do të ishte më e sigurt qëndresa në pushtet. Pra sot kemi një komercializim të historisë dhe fenomeneve apo ngjarjeve historike. Si çdo gjë, edhe historia e vendit është shitur dhe është blerë në të gjitha format e komunikimit dhe të transmetimit, prej duarve të tregtarëve-historianë, apo historianëve-politikanë.(Robert Q.)” Po pse baci Rexhep edhe ti u fute në ekuacionet e vështira matematikore te politikës?
Derisa shkruaja dhe të zgjedhja fjalët për të përshkruar ashtu si na dole , u trondita nga ky lajm : “ Edhe një i ri kosovar i moshës 22 vjeçare është vrarë në orët e mbrëmjes të ditës së hënë në Siri.Familjarë të të vrarit bëjnë të ditur për, se djali tyre 22 vjeç, Arbnor Uksmajli, u vra mbrëmë në orën e vona në Siri. Familja e të vrarit nga fshati Jezerc i Ferizajt, ishin vendosur me vendbanim në Nerodime (vend periferik i Ferizajit)”(lajm i shtypit 7,10.14 i ores 15.00). Po pse Baci Rexhep nuk e ngrite zërin dhe të dilje në mbrojtje të këtyre të rinjve që mos të shkojnë si mercenarë në luftërat e huaja , luftëra që neve na kompromitojnë ?
At ditë kur u takove dhe u duarshtëngove me Shefqet Krasniqin , pse nuk ia tha një fjalë në vesh që edhe ai të hjekë dorë nga propaganda e tij antishqiptare?
Baci Rexhep Qosja , me kujtohet , ishte viti 1978 kur e kam lëxuar librin tënd : “Dialogje me shkrimtarët” dhe sa e ndjeja në krenari në vete që jam shqipëtar ! , se ishin vitët e një drite që e kishte filluar ta ndiqon Kosovën por nuk e dija që në ty mëshifet një mohues i kombit, një mohues i identitetit kombëtar. Mos më thuaj , jo; kemi shumë prova që e vërtetojnë këte që po e them.
Baci Rexhep ,po kush mbeti mik me ty ? , një popull e demoralizove dhe i bëre që të humbin besimin në të “mëdhenjt” e kombit .
Miku im i shkrimit Robert Qafzezi na shkruan se : “ në Shqipërinë e sotme kemi një situatë të turbullt, kaotike në lidhje me kujtesën kolektive, dhe kjo nuk është e paqëllimshme. Po të vërejmë me kujdes, do ta kuptojmë absurdin e historisë së Shqipërisë, ku ngrihen në piedestal qeleshet e zeza të pelushit otoman, si shpëtimtarë të vendit. “. Po , pse vallë edhe ti futesh në këtë absurditet?
A edhe ti je në këtë grup tenorësh e sopran-es “Më e tmerrshmja është se sot po dëgjojmë “tenorë” të reaksionit më të errët të kombit tonë, të hedhin parulla që thonë se nën pushtimin e huaj Shqipëria ishte më mirë dhe se rezistencat kundër pushtimeve e kanë lënë vendin prapa. Akoma më e tmerrshme është kur e di se këta “tenorë” kanë ose kanë patur edhe funksione të larta shtetërore, ose ishin në hiearkin akademike të kombit
Ata që u shërbyen me vetëmohim osmanëve, duke marrë ofiqe dhe përfitime materiale, sot po dalin heronj të pavarësisë së Shqipërisë. Po kështu, edhe ata që bashkëpunuan me me serbin , grekun e turkun e sotëm, sot janë bërë heronj të nderuar, dhe patriotë e çlirimtarë..
Sikur ti Baci Rexhep , si qytetar i ndershëm të na obligoje të gjithëve me shkrimet e tua që ta dijmë që e kemi detyrë kombëtare ruajtjen e historisë dhe kujtesës historike të vendit dhe nuk duhet të bjere viktimë e këtyre shtrembëruesve, që për arsye politike mundohen të deformojnë historinë tonë dhe ngjarjet e saj,sa kishte me qenë mire!
Pra , te lutemi publikish tërhiquni se Boll mo! edhe ty të doli boja.
“U çjerr maska e akademik Rexhep Qosjës! ( nga Dibran Idriz Gashi)
Vërtet më nuk ka dilemë se cili eshte roli R.Qosjes, pasi ai tashmë doli i demaskuar me maskë të çjerrë tërësisht!
Rexhep Qosja mbron veprimtarinë e hoxhallarëve vehabist dhe vajton arrestimin e tyre tue e krahasuar me arrestimet dhe burgosjet e atyre shqiptarëve që burgoseshin nga sistemi komunist, e të cilët kërkon liri dhe të drejta kombëtare.
Një personalitet që mbron e mbështet fundrrinat fundamentaliste islamike në dëm të kombit të vet është gdhendësi i trungut shqiptar dhe turpi i kombit shqiptar. Ç’absurd i llojit të vet, ç’hipokrizi e tmerrshme të bësh një krahasim të tillë!…
Me këtë, ky personalitet po dëshmon shumë qartë rolin e tij kobçar ndaj kombit shqiptar tash dhe në të gjitha periudhat dhe kështu na dëshmon se ishte mashtruesi më i madh, të cilit i kemi besuar kaq shumë dhe me emrin e të cilit jemi krenuar.
Ky personalitet iluzionist antikombëtar i veshur (maskuar) me petka të babait te kombit (superpatriotit) u paska sherbyer dhe po u shërben qarqeve më të ndyra antishqiptare.
Sa e padenjë dhe frustruese t’i kemi besuar këtij njeriu në pozitën akademike, i cili paskesh qenë i përkdheluri i sistemit titist dhe tash i përkdheluri i pushtetarëve si dhe adhuruesi e përkrahësi i neootomanizmit dhe vehabistëve islamik, luftëtar të kauzës neootomaniste.”
Të mjerët ne kujt i kemi besuar!
Veprime pa ndonjë formë të legjitimitetit
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Cirku i liderëve politik të ënjtën e shkruar nuk pati ndonjë formë të legjitimitetit, por të gjitha ato lojëra absurde kanë një ndikim të fort mbi ngjarjet që ato po i shkaktojnë në bllokimin e krijimit të institucioneve konform rezultatit zgjedhor të arritur me tetë qershor të këtij viti.I gjithë ky proces i udhëhequr nga VLAN-i është një farsë “ tragjike” në të cilin vendi ynë është gati për për t’u “ shqyer” nga lakmitarët për pushtet, të cilët të sëmur nga xhelozia, urrejtja, hakmarrja dhe synimi për të realizuar qëllimet e tyre nuk kuptojnë apo nuk dëshirojnë të kuptojnë se cili është vendimi i Kushtetutës, që vetëm koalicionit parazgjedhor i jep të drejtën për të propozuar dhe për të zgjedhur Kryekuvendarin nga radhët e tij.
Si mund të këtë urrejtje kaq të padurueshme/
I ashtuquajturi bllok paszgjedhor, sepse këtë nuk e njeh Rregullorja e Kuvendit dhe akti më i lartë juridik Kushtetuta, u parapri nga njerëz të etur shumë për pushtet, rasti i Haradinajt, nga njerëz që e urrejnë skajmerisht Thaçin, këtë e ka në shpirt Albin Kurti, nga njerëz hakmarrës, Fatmir Limaj dhe nga një komunist që nuk mërzitet fort për shtetin e aq më pak se sa dëm po i shkakton partisë së tij, Isa Mustafa. Fitohet përshtypja se ky cirk politik po shoqërohet me një mbajtje rekorde takimesh të liderëve inatçorë që po mundohen të gjejnë një zgjidhje e cila kahdo që ta marrësh është në kundërshtim të plotë me aktet juridike, për të cilat kanë votuar dhe janë miratuar edhe me pëlqimin e partive të tyre. Ndaj, duke marrë parasysh situatën aktuale në vendin tonë është fare e dyshimtë nëse këta grykës për pushtet mund të zbatojnë në mënyrë të pranueshme ambiciet e tyre. Është për të ardhur keq se si një njeri, me këtë rast politikanët tanë, mund të kenë një urrejtje kaq të padurueshme, një mosbesim kaq të madh pothuajse ndaj çdo njeriu, ndërkaq nga ana tjetër ata nuk dinë kah t’ia fillojnë e si të mbarojnë punën pos që kanë bllokuar çdo tentativë për ta bërë se pari funksional organin më të lartë legjislativ të vendit.
Kërcënime të “çoroditura” të bllokut opozitar
Dhe duke mos patur asnjë mbështetje ligjore për të ardhur në pushtet, blloku opozitar po zhvillon një luftë “ speciale” dhe lojë nervash në drejtim të fituesit të zgjedhjeve duke e kërcënuar se ai do të marrë një serë veprimesh për të marrë pushtetin që sipas Kushtetutës nuk po i takon. Herë e kërcënojnë Flora Brovinën se do ta ndërrojnë nga Kryesuesja e mbledhjes inauguruese, e herë së do të thërrasin vetë këtë mbledhje, duke e ditur se ato aktivitete janë në kundërshtim të plotë me rregulloren e Kuvendit, por edhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i jep të drejt vetëm koalicionit parazgjedhor që të propozon Kryeparlamentarin. 62 delegatë kanë nënshkruar një kërkesë të cilën e kanë dërguar në sekretarinë e Kuvendit të Kosovës me kërkesë që Mbledhja Inauguruese të mbahet me nëntë tetor. Mirëpo, nuk është sekretaria kompetente që të caktojë farë mbledhjeje dhe as grupi i delegatëve që ta bëjë këtë punë. Këtë veprim mund të ndërmarrë vetëm Kryesuesja, Flora Brovina. Ndërkaq, PDK duke qenë në pat pozicion ka shprehur gatishmëri që të bëj kompromise, por jo edhe të shkoj në opozitë, të cilën gjë partitë e tjera të shqiptarëve nuk po e pranojnë në asnjë mënyrë. Po ashtu, kjo parti ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në atë mbledhje ilegale siç e quan ajo këtë tentativ të VLAN-it. Nëse nuk ndryshojnë për të mirë këto pozicione të ngurta të të dyja palëve, atëherë domosdo shtrohet pyetja se çka janë duke menduar këta liderë aq më shumë kur dihet se po afrohet fundi i vitit kur duhet të aprovohet buxheti i shtetit, pa të cilin do të mbetën shumë punë të rëndësishme pa u kryer.
Pse po i frikohet zgjedhjeve të jashtëzakonshme blloku opozitar?
Kjo lojë rreth formimit të Parlamentit nuk mund të zgjas pafundësisht dhe e vetmja zgjidhje mbetët shpallja e zgjedhjeve nga Presidentja e vendit Atifete Jahjaga. Edhe pse ende nuk po preferohet inkuadrimi e BE-së në këtë proces tejet të rëndësishëm , megjithatë, sipas situatës që aktualisht mbretëron , është më së e domosdoshme veprimi konkret e bile edhe i shpejt i këtij faktori për të zbutur sado pak pozicionet e të dyja blloqeve dhe kështu do të mund të evitohej organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Për më shumë, do të evitohej edhe një konfrontim fizik qytetar, të cilin, për fat të keq, po mendojnë ta organizojnë humbësit me përkrahjen edhe të disa “ analistëve”, duke organizuar protesta vetëm e vetëm që mos t’iu humbët ky rast i fundit për të ardhur në pushtet.
Shtrohet pyetja se përse blloku opozitar po i frikohet zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat, siç po duket, janë të pashmangshme. Përgjigja në këtë rast është negative për liderët e bllokut inatçor sepse nëse në këto zgjedhje shkon me këtë përbërje humbjen e kanë të sigurt, në rend të parë, se anëtarët dhe simpatizuesit e LDK-së në asnjë mënyrë nuk do të votojnë për Kryeminister Ramush Haradinajn. Po ashtu, nga 360 deputet të trija partive të bllokut, në zgjedhjet e ardhshme ato do të duhej t’i propozonin vetëm 120 sish, të cilën gjë, posaçërisht, anëtarësia e LDK-së nuk do ta përkrahte e aq më tepër kandidatët që do të ishin jashtë listës për deputet. Kjo gjë do ta komplikon aq shumë situatën brenda subjektit politik të LDK-së sa që do të ndodh një “ rebelim” i anëtarësisë, e cila nëse asgjë nuk do të marrë hapur, votën do t’ia jap më shumë PDK-së, por edhe VV-së. Këtu është ai thelbi i frikës që iu ka hy në palcë këtyre liderëve të pangopur për të ardhur në pushtet.
Juristi i pasluftës nuk e kupton nenin 127
Të vetmen shpresë për të ardhur në “ pushtet” inatçorët e kanë në nenin 127 të Kushtetutës. Më së shumti shpresë ka juristi i pasluftës, Ramush Haradinaj, i cili siç duket ashiqare ose nuk po e lexon në tërësi këtë nën ose nuk po e kupton fare se çfarë thotë e udhëzon ai. Në fakt, neni 127 thekson qartë thekson se zgjidhjen duhet ta gjejnë deputetët e Kuvendit, vetëm deri këtu e lexon këtë nen Haradinaj, për të vazhduar më pastaj duke u mbështetur në Rregulloren e Kuvendit dhe në Kushtetutë. Më shumë me habit fakti se si është e mundur që në këtë “ kurth” janë futur edhe disa “ doktor” shkencash juridike të bllokut inatçorë, të cilët për t’ua bërë qejfin liderëve të tyre e keqinterpretojnë këtë nen shumë të qartë që duhet të respektohet nga të gjithë.
Dhe krejt në fund. Shkuarja së bashku e liderëve inatçorë tek Presidentja e vendit mund të kuptohet se sa “unik” janë ata, apo ma mirë më thënë se sa i zënë besë njeri- tjetrit. Po ashtu, turpi iu ka ikur nga shpirti e mendja liderëve tanë politik, të cilët janë shkëputur fare nga realiteti i jetës qytetare.
Lufta e shqiptarëve në Siri e Irak dhe e serbëve në Ukrainë
Opinion Nga Dionis Xhafa/
Në botë nisën konflikte të ashpra, e disa nga vatrat më të nxehta të luftës më 2014-tën u bë situata në Ukrainë, ku përplaset ushtria ukrainase me separatistë pro-rusë dhe situatë tjetër edhe më e rëndë ajo në Lindjen e Mesme, në Irak dhe Siri. Këto luftëra nuk lanë pa prekur edhe ballkanasit. Shqiptarët ishin të parët që u bashkangjitën në luftën e Sirisë kundër Bashar Al Asadit. Në mënyrë krejt të papritur, tek shqiptarët u shfaq një shenjë internacionalizmi, luftë në kampe të huaja dhe jo luftë për shqiptari. Pak vite nga lufta, shqiptarët tashmë kishin vendosur të luftojnë për fe apo për mbrojtje të vlerave njerëzore globale. Megjithatë, këtu ka një dallim, është për tu përshëndetur pikërisht ai luftëtar i ndershëm i cili ka luftuar në mënyrë të pastër Bashar Al Asadin. Por, në këtë histori u përfshinë edhe fytyra të tilla si Lavdrim Muhaxheri me shokë të tij, të cilët iu bashkangjitën organizatës terroriste ISIS, e cila duke përdorur fenë islame vriste njerëz, gjë që vetëm myslimanizmi nuk e thotë të bësh krime, as edhe ndonjë fe tjetër. I dyshimtë është fakti se në Kosovë me siguri që kanë hyrë persona që kanë ndihmuar financiarisht krahun radikal islamik dhe kjo gjë është për tu dënuar. Ama, ka një keqkuptim tepër të madh. Mendoj se prokuroria kur i heton këta raste të mos gjykojë si “radikal islamik” thjesht me fjalë, por të gjykojë parimisht. Nëse dënon, të mund të dënojë me fakte. Personi që ka kryer krime dhe ka fakte për një gjë të tillë sigurisht që duhet dënuar. Vende si Kosova janë shtete që shpesh “gjunjëzohen” përballë perëndimit dhe përballë Amerikës, e ndaj edhe islami shpesh shihet si një “kulturë që vjen nga Lindja dhe që nuk është e duhura”. Në fakt, si lindja, ashtu edhe perëndimi ka mangësitë dhe të mirat e saja. Kriminel nuk është një person që ka mjekër, e të thirret si “mjekrosh” e të paragjykohet vetëm një gjë të tillë. Shteti nuk duhet të paragjykojë, por të dënojë me fakte. Ndërsa, e njëjta gjë paralelisht ndodh edhe me serbët. Ata janë të lidhur më së shumti me botën ruse, e ndaj kanë zgjedhur të luftojnë në Ukrainë. Po njëlloj, ndaj mendimin, se një serb duhet dënuar në rast se ka kryer krime gjatë kohës që ka qëndruar në Ukrainë. Nuk ka përsë të ketë aspak paragjykim lidhur me faktin se përse një serb i zakonshëm zgjedh të luftojë në Ukrainë. Pjesa tjetër, kur imamët në Kosovë kapen e futen në burg thjesht e vetëm se shprehin solidaritet me sirianët, është po ashtu për tu dënuar, në këtë rast shteti. Një deklaratë e tillë është njerëzore. Edhe në gjykim, para së gjithash duhet të jemi njerëzor dhe gjëja që duhet dënuar nga të gjithë është krimi dhe krimineli që e kryen atë krim. Nuk duhet parë çështja as se ne jemi shqiptarë dhe ata janë serbë, por në një standard të vetëm dhe ky standard është pikëpamja njerëzore, krimi i personit si gjënë më të nënçmuar që njeh bota e civilizuar.
- « Previous Page
- 1
- …
- 710
- 711
- 712
- 713
- 714
- …
- 865
- Next Page »