• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Te nderojme deshmoret: Besim Ndrecaj flijoi jetën për çështjen e madhe kombëtare

August 16, 2014 by dgreca

BESIM ADEM NDRECAJ ( 10.10.1956 – 03.05.1995)/
Shkruan: Avdi Ibrahimi/
2. Besim Adem Nddrecaj, dëshmor i kombit shqiptar u lind më 10.10.1956 në fshatin Maqitevë të komunës së Therandës (Suharekës), në shërbim të Njësit Gueril ka qenë nga data 30. 12. 1991 në Lëvizjen Guerile “Shqipet e Lirisë”; bie heroikisht në altarin e lirisë më datë 03. 05. 1995 në Malsi të Re. Komandanti i njësitit gueril “Zjarri 002” Besim Nddrecaj duke mos pranuar dorëzimin e armës, në vendin e tij të punës në Shirok, komandantit të milicisë serbe famëkeqit Dragan Shoshkiq, Besimi i bie plumbë ballit duke i thënë se vetëm kështu shqiptari e dorëzon armën o biri shkinës, mëpastaj epilogu i kësaj ngjarje rezulton me vrasjen e dy oficereve e disa ushtarëve ushtarako-policor në Malësi të Re, kështu duke paguar veten shumfish me armë në dorë bie heroikisht Besimi, luftëtari i lirisë që ka fituar lavdinë me çmimin e të ndërruarit jetë!
Besimi u lind në fshatin Maqitevë të komunës së Suharekës (Therandës). Ai u lind në kohën e akcionit të armëve, ku me dhjetra patriotë që donin lirin për atdheun e tyre gjeten vdekjen nën turturat nga më mizorët nga xhelatët me shpirt djalli Tito-Rankoviç dhe sahanlëpirësit shqipfolës të tyre.në vitin 1956 lindi Besim Ndrecaj, fëmija i tretë më radhë nga të shtatë fëmijët e babë Ademit dhe nënë Meleqes, e cila vdiç duke lënë jetim pesë djem e dy vajza. Qysh se i ri Besimi kishte dëgjuar rrëfimet për të kaluarën historike pellazgo-ilire-shqiptare që nga koha e mbretit Bardhyl, Mbretëreshës Teutë, Mbi heroizmat e Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, mbi rilindasit trima të pushkës e të penës, Vëllezërit Frashëri, Naum Veqilharxhin, Jeronim De Raden, Dora D.Istrian, Pashko Vasa, Qerqiz Topullin, Mihail Gramenon, mbi shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë nga ana e plakut Ismail Qemali me 1912 në Vlorë, për kaçakun Sali Shabanin që shtriu përdhe Spirrë e Filë Dobrosavljeviqin, dy gjakpirës të popullit shqiptar që ishin nën urdhërat e Nikolla Pashiqit, pastaj kishte lexuar e dëgjuar për bëmat e heroizmat e Mic Sokolit, Bajram Currit, Isa Boletinit, Avni Rrustemit, Qemal Stafës, Ali Kelmendit, Emin Durakut, Rifat Berishës, e përplot trima të tjerë që kanë dhënë gjithçka edhe jetën e tyre për lirin e atdheut shqiptar. Ka dëgjuar e ka lexuar pastaj për të kaluarën e popullit shqiptar që ishte përplot vuajtje nga mizoritë e pushtuesve më të egër e më barbar të jugosllavo-serbo-malazezo-maqedone njëkohësisht kishte dëgjuar edhe për qëndresën heroike të trimave Tahir e Nebih Meha, Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe së fundit për bashkëveprimtarin e tij Alush Kryeziun etj.
Besimi kishte një dashuri të madhe për arsimin, në vitin 1971 mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm shkollën fillore ”Vladimir I. Lenini” në fshatin Mushtisht të Therandës, pra ai për 8 vite me radhë kishte udhëtuar nga fshati i tij i lindjes Maqitevë për në shkollën e Mushtishtit.
Shtypi medial aso kohe Muhametin dhe Besimin këta dy nxënës të Shkollës Fillore të Mushtishtit i quante “Pasagjeret e Dritës.” Dhe Besimi këtë dritë diturie e përdori edhe me armë në dorë kundër pushtuesit Jugosllavo-serb.
Qysh në vitin 1970 shtypi aso kohe shkruante për dy nxënës shembullor në shkollën e Mushtishtit ishin Muhameti nga fshati Grykoc dhe Besimi nga fshati Maçitevë.
Dokument:Dëftesa mbi kryerjen e Shkollës Fillore në Mushtisht.
Ndërsa shkollën e mesme të gjeodezisë në Gjakovë e mbaroi po me sukses të shkëlqyeshëm në vitin 1975, andaj ai edhe shkruante poezi e prozë.Më të mabaruar shkollën e mesme punësohet në Drejtorin e Gjeodezisë të Suharekës-Therandës, ku me ndërgjegje të lartë kombëtare mbronte të drejtat e klasës punëtore shqiptare në atë organizatë punuese. Nga këto ide të tij përparimtare drejtori serb kërkon që Besimi ta lëshoj vendin e punës, pas një konflikti verbal me këtë drejtor serb Besimi nxjerr thikën dhe e sulmon drejtorin duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Për këtë në vitin 1978 Besimi është dënuar nga Gjykata Komunale për kundërvajtje e Suharekës.
Në vitin 1979 familja e Besimit shpërngulet nga fshati malor i Maqitevës në fshatin Malësi e Re komuna e Prizrenit. Në ndërkohë po atë vit Ai merr ftesën për të shkuar në shërbim ushtarak në armatën shoveniste jugosllave në Divule të Splitit në Republikën e Kroacisë. Qysh në fillim të shërbimit në atë burg kolektiv Besimi bie ndesh me oficerët neoçetnik të cilët i bëjnë presion psikologjik rekrutit të ri shqiptar, me qëllim që ta thyenin shpirtin e tij tejet atdhetar. Oficeri serb me bindje çetnike i fut ne konflikt me Besimin dy ushtar serb, por me guximin dhe forcën fizike që kishte ky shqiptar sy patrembur me një shufër hekuri është përleshur me oficerin dhe dy ushtarë të tjerë serb, ku oficerin e lëndon rëndë dhe ushtarët kanë pasur lëndime paksa më të lehta. Për këtë Ai është dënuar me 21 muaj burg të rëndë në qelit e burgut të Lepogllavës në Kroaci. Gjatë qëndrimit në burgë ai kalitët edhe më shumë dhe krijon bindjen e tij se në krijesën artificiale të federates jugosllave, shqiptarët nuk kanë vendin dhe sa më pare shqiptarët duhet të dalin nga Jugosllavia e kalbur.
Në vitin 1982 Besimi është liruar nga burgu i Lepogllavës së Kroacis arrin në burgun e madh të quajtur Kosovë ku populli shqiptar i Kosovës ishte ngritur kundër Federates Jugosllave dhe haptas po kërkonin Shtetin e tyre Shqiptar Kosovën Republikë! Po këtë vit Besim arrin të punësohet në Organizatën Bujqësore Industriale në Shirokë në sektorin e gjeodezisë, bishat çetnike jugosllavo-serbe dhe tradhtarët shqipfolës, po e mbanin nën vëzhgim të përhershëm, ishte viti 1982 ku forca të shumta të milicisë Federative Jugosllave nën masa të jashtëzakonshme dhune e terrori mbanin nën çizmën pushtuese shqiptarët e Kosovës. Një ditë si ato ditet pararendese që mbretëronin nën dhunë e terror, milicia serbe në Suharekë kishte planifikuar arrestimin e Besimit në Stacionin e autobusëve, akcionin për arrestimin e tij e kishte marrë një epror i milicisë së Stacionit të Suharekës me dy milic të tjerë. Përpara i del eprori dhe e urdhëron të ndalet, pas tij veprojnë edhe dy milicët tjerë të cilët tentojnë t`ia vëjnë prangat, por sa hap e mbyll sytë, Besimi me zhdërvjelltësin e tij arrin ti largon dhe për pak sekonda arrin ti dorëzon milicët që ndodhëshin përpara tij, ishte ajo revolja e Besimit që i kishte dorzuar këto bisha të mjera. Ai e kishte tani tërësisht në dorë situatën ku urdhëroi milicët e çarmatosur ti dërgoj në drejtim të Stacionit të milicisë së Suharekës dhe kështu ai po i thoshte eprorit të dorëzuar se nuk është lehtë me ja marrë shqiptarit armën nga brezi. Më pas kur ka arritur te Stacioni i milicisë ka kërkuar të takohet me komandantin edhe pse asnjiher më parë se ka njohur, komandanti i milicisë i habitur nga kjo situate, ku Besimi i është drejtuar me fjalët :”… Merri këta këlyshët e tu dhe kurrë më të mos më dalin përpara, kësaj radhe t`i dorëzova të gjallë, por po tentuan të më dalin në një rast tjetër përpara s`ke për t`i pare kurrë më të gjallë… ”Kjo ngjarje ishte akti më sfidues për pushtuesin, pas ngjarjes heroike të 13 majit të vitit 1981 ku nga pushkët e Tahir e Nebih Mehes u dridh pushtuesja Jugosllavi.
Kjo ngjarje e Besim Nrecës u perhap shpejt në mbarë trojet shqiptare, tashmë ai më bëmat e tij patriotike ishte bërë hero i gjallë, në mesin e popullit shqiptar. Lëvizja ilegale, Komiteti Kombëtar Shqiptar për Bashkimin e Trojeve aso kohe kishte shfaqur interesim të jashtëzakonshëm për ta antarësuar në radhët e veta këtë trim të madh të kauzës kombëtare shqiptare.kështu një ditë shtatori i vitit 1987, nëpërmjet luftëtarit të lirisë Rexhë Mema, së bashku me autorin e këtij shkrimi, në odën e atdhetarit dhe të burgosurit politik Ali Mema, në kushte ilegaliteti, Besimi kontakton me Ruzhdi Saramatin kryetrin e Lëvizjes së lartë cekur. Nga 28 nëndori i vitit 1987, Lëvizja ndërron formën e veprimtarisë organizative në Lëvizje Guerile: ”Shqipet e Lirisë” formohet brigada 28-128, ku Besim Nrecaj emërohet komandant i Njësitit Gueril për Suharekë, ”Zjarri 002” dhe merr pseudonimin “Forca” ku maturia, trimëria, dhe konspiracioni ishin vyrtyte të larta për Besimin.

Viti 1989 Kosovës iu supirmua nga Serbia edhe ajo pak autonomi që kishte. Këtë supirmim të autonomis udhëheqja titiste e Prishtinës ishte nënshtruar tërësisht para udheheqjës millosheviçiane të Beogradit. Populli po kundërshtonte në të gjitha mënyrat këtë padrejtësi që edhe ashtu ishte e paktë kjo autonomi për aspiratat e poullit shqiptar. Besimi me shokë ishte hedhur në aktivitet, kudo nëpër tubime po e shprehte hapur kundërshtimin e tij, duke hedhur idenë se të gjitha tokat shqiptare të mbetura nën federatën jugosllave duhet sa më pare ti bashkoheshin Shqipërisë, sepse edhe ashtu ato ishin pjesë të ndara padrejtësisht nga trungu i Shqipërisë në konferencat e paqës së përgjakur të Shën Stefanit, Londrës e Berlinit qysh në vitet 1877-78.
Viti 1990 situata në Kosovë sa vjen e rëndohet, ngjarja e nxënësve të helmuar nëpër shkolla fillore e të mesme, nga ana e aparatit represiv të çetnikëve serb, i ka tronditur mbarshqiptarët, dhe situata gjithnji e më tepër po dilte jasht kontrollit. Besim Ndreca me bashkëveprimtarët e tij të lëvizjes çlirimtare kishin deklaruar në shumë vende se do të hakmirreshin dhe se ky do të jetë edhe fundi i Serbisë.
Në vjeshtë të vitit 1991 komandanti i njësitëve guerile “Shqipet e Lirisë” Ruzhdi Saramati pas një përleshjeje me forcat e milicisë serbe në lagjen Kurilla të Prizrenit, detyrohet të arratiset për në Shqipëri.kjo ngjarje dhe arratisje e Ruzhdiut goditi rëndë shokët e lëvizjes dhe në këtë rast edhe Besim Ndrecën. Po këtë vit një ditë gushti të nxehtë vere, ai ishte në një dasmë shqiptare, ku kishte një numër të madh dasmorësh, flamuri kombëtar shqiptar valvitej në krye të dasmorëve. Forca të mëdha të milicisë në rrugën magjistrale Suharekë – Prizren afër fshatit Gjinoc i ndalojnë dasmorët dhe më dhunë ua marrin flamurin, Besimi shkon në drejtim të milicëve dhe pas një kacafytjeje me ta, ua merr flamurin dhe ua kthen dasmorëve, dhe Besimi për ta u bë hero. Kështu vitet kalonin njëri-tjetrin Besimi u gjendej në ndihmë gjith atyre njerëzve që kishin nevoj për të.
Viti 1995 këtë vit kishte marrë hov akcioni ushtarako-policor për grumbullimin e armëve, një dhunë dhe terror i tmerrshëm po ndodhte si në kohën e satrapit Tito-Rankovq të viteve 1955-56 soldateska fashiste e diktatorit Millosheviq po i keqtrajtonte çdo ditë me dhjetra shqiptar. Po thuaja se të gjitha fshatrat e komunës së Suharekës dhe një pjesë të fshatrave të Prizrenit ishin për çdo ditë në shënjestër të këtyre bandave neoçetnike të Millosheviqit dhe Sheshelit.Njëri ndër më të egrit dhe më mizorët ishte krimineli dhe komandanti i postokomandës së milicisë në Lubizhd të Prizrenit Dragan Shoshkiq një malazez i ardhur me detyrë në Prizren nga qyteti i Pejës, ky kishte çerdhen çetnike në Sredskë të Reçanit, ai me vartesit e tij e mjerisht me ta ishin edhe disa shqipfolës që ishin shitur tek serbi e malazezi, po ushtronin në popullatën shqiptare tortura nga më mizoret, ku përdorej elektroshoku dhe dajaku i bejzbollit dhe turtura tjera më çnjerëzore po përdornin këta neoçetnik gjakpirës, e tërë kjo mizori përkrahej haptas nga dy kriminel edhe më famëkeq të komandave policore të Prtizrenit komandant Petroviqi me bashkëpunëtor të tij dhe ai i Suharekës komandanti Millan Shipka, kuptohet me urdhër të aparatit shteror të Serbisë po bëhej ky terror tejet i egër ndaj shqiptarëve të cilët kërkonin të drejta dhe liri kombëtare.

Ruzhdiu ndodhej në Shqipëri kurse lidhjet që mbaheshin me Besimin në kuadër të lëvizjes u shkëputën përshkak se Regjë Mema, po nga fshati Legjend ngase edhe atij i kishin kërkuar armë vendos te arratiset për në Gjermani, ai e kishte lënë villain e tij Halitin për të kontaktuar autorin e këtij shkrimi, për të treguar situatën që ndodhej në fshat. Haliti në Stacionin e milicisë në Lubizhdë ishte torturuar mizorisht dhe mezi mbahej në këmbë, pastaj mbahej i izoluar në qelit e burgut të Prizrenit dhe nuk arrin ta informoj me situatën e krijuar në fshatin e tij ndonjë nga anëtarët e lëvizjës për të cilët kishte Haliti njohuri.
Edhe Besimi kishte njohuri se forcat e milicisë serbe do ta bastisnin shtëpin e tij, por ai në asnjë mënyrë nuk kishte pranuar të arratisej dhe as që i shkonte në mendje për ti dorëzuar armët e lirisë. Më 3 Maj të vitit 1995, në orën 9 të mëngjesit një togë milicësh me në krye Dragan Shoshkiqin ia mësyjnë për ta bastisur edhe shtëpinë e Besim Ndrecës në fshatin Malësi e Re të Prizrenit. Lidhur më këtë rast rrëfen bashkëshortja e Besimit, Sheride Daka – Ndrecaj, me të cilën Besimi u martua në vitin 1983 dhe i la amanet asaj gjashtë fëmijë. Albanin,i cili edhe pse i ri mori pjes në luftën çlirimtare në UÇPMB, Albanën, Hekuranin, Arbnorën, Granitin, dhe Malësorin. Ajo rrëfen ngjarjen: ”Një togë milicësh të armatosur deri në dhëmbë dhe të veshur me jelek antiplumb erdhën në shtëpinë tone në orën 9 të mëngjesit të 3 majit të vitit 1995 dhe kërkuan Besimin. Unë i thashë Hekuranit shko tregoju se ai është në punë në Shirokë.
Dragan Shoshkiqi, ka marrë për detyrë të shkoj tek personi i shumë kërkuar Besim Ndrecaj, në pretekstin e konfiskimit të armës, të cilën e barte pa autorizim dhe nuk e hiqte asnjiherë nga brezi më pas Shoshkiqi dhe milic tjerë, shkojnë në OBI ,në Shirok në vendin e tij të punës, duke njoftuar edhe njësitet tjera të stacionit policor të Suharekës e në veçanti komandantin e milicisë kriminelin dhe çetnikun Millan Shipka i cili ishte edhe antar i “Crna Rukës”së Beogradit. Sapo kanë arritur në Shirok në vendin e tij të punës milicia i ka njoftuar rojet për akcionin policesk ngase janë në dijeni se Besimi bart armë pa leje me vete. Ai është gjetur me kolegë të tjerë në vendin e punës. Shoshkiqi ka kërkuar me emër Besimin dhe ai është përgjigjur, më pas është kërkuar nga punëtorët të lëshojnë zyrën e Besimit, ata të gjithë kanë dale, në mënyrë të befasishme vepron Besimi.nxjerr revolën e tij dhe e vret komandantin Dragan Shoshkiq,duke i thënë:”… se atë që ke kërkuar e gjete tani eh, biri i shkinës… ”dhe plagos rëndë zv.kom. e Millan Shipkës, Dragan Dobrosavleviqin.Besimi ua merr armët të dyve dhe më shpejtësi rrufeje si të ishte kaçaku Sali Shabani, largohet nga vendi i tij i punës.
Kjo tregonte se pushtetit represiv jugosllavo-serb u kishte dalur situata nga dora, anipse kjo makineri vrastare këmbëngulte se sistemi i tyre gjenocidist kontrollonte gjithçka. Kështu atyre më propaganda nuk po u shitej në Kosovë, këtë rrenë propagandistike ua kishte prishur Tahir e Nebih Meha, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Alush Kryeziu dhe së fundmi Besim Ndrecaj, i cili u kishte krijuar një situate rrëmuje në radhët e pushtuesit jugosllavo-serb, edhe pse atë ditë të 3 majit ende nuk e kishin shpallur gjendje të jashtëzakonshme, por shtet-rrethimi dukej hapur në hapsirat e mbarë Kosovës. S`ishte më një pamje e zakonshmë kjo për komandnatin kriminel Petroviq dhe Shipka, ishte kjo një situate ku ata dhe zagarët e tyre ndjeheshin tërësisht të frikësuar, kjo frikë shihej tek surratet e tyre. Kjo situate e papritur kishte shthurrur mitin e federates jugosllavo-serbe e cila ishte bërë si një kull prej letre. Më të dëgjuar se Besimi e kishte vrarë komandantin e stacionit të malicise së Lubizhdës, Shoshkiqin, ky lajm i papritur e ngriti në këmbë gjithë aparatin shtetëror terrorist serbo-malazez, kudo nëpër rrugët e Kosovës dëgjohej zhurma e makinerisë së rëndë ushtarako policore. Realiteti ndërroi formën e vetë, ata pushtuesit terrorist jugosllavo-serb, që mburreshin se nuk kanë frikë nga shqiptarët, tani i kishte kapluar frika dhe paniku,u vra komandanti që kishte krijuar fame në ndëshkimin e shqiptarëve. Tani po vajtonin djalin e vetëm cërnagori dhe cërnagorka, ata tani po e shanin dhe mallkonin Jugosllavinë e Titos-Rankoviqit e Millosheviqit.
Po këtë ditë të 3 majit, vëllai i Besimit Xhemajliu rrëfen: ”…Aty kah ora 12 me tu kthyer nga puna në shtëpi më vërsulën afërsisht 300 milicë, më torturuan mizorisht duke më kërcënuar se nëse nuk dorëzohet Besimi të gjithë Ndrecajt do ti vrasim… ” Besimi kishte arritur ti takonte bashkëshortën e tij dhe fëmijët duke i sugjeruar ata që të shkonin në Grykoc te tezja Sabrie, duke ia lënë amanet fëmijët bashkëshortës së tij dhe niset për të shkuar në shtëpi me i marr armët që kishte. Por aty ishte vë një rrëthim i hekurt dhe ai pozicionohet në disa llagema të Fusha e Thatë mbi fshatin Legjendë dhe priste që ti afroheshin ato dhjetra forca të cilat kishin bërë një shtet rrethim të hekurt në të dy zonat Suharekë e Prizren. Për dy orë rresht Besimi kishte bërë një luftë të hapur dhe të ashpër me dhjetra e qindra forca ushtarko-policore të armikut, tre helikopter ushtarak ishin afruar istikamit të Besimit për ta zënë të gjallë, por trimit i punon fati dhe arrin ta plagos pilotin e njërit nga të tre helikopterët dhe ata mezi arrijnë të shpëtojnë, por nga dy helikopter të tjerë mitralohet nga lartë istikami i Besimit, zbrazin breshëri plumbash, por ama edhe Besimi zbraz plumbat nga armët e tij dhe qëllon pa mëshirë mbi gjakatarët pushtues dhe më në fund aty kah ora 15,00 Besimi bie heroikisht në fushën e nderit, duke luftuar si hero i vërtetë i legjendave tona shqiptare, luftoi një zemër heroi kunder qindra ushtarësh e milicësh serbo malazez e me hafijet shqipfolës, vendi ku luftoi dhe qëndroi heroikisht Besimi nuk ishte i përshtatshëm, por trimi që në fillim kishte zgjedhur rrugën e përballjes fyta-fyt me armikun shekullor të shqiptarëve, e jo arratisjen, për të cilën ai kishte patur mbase mundësi. Ai qëndroi deri në fishekun e fundit në këtë betejë. Edhe pse i vetëm Besimi, mes të tjerash shkruan Prof.Bajram Kurti në librin e tij “Gjaku i Lirisë” në nr 7-8 në faqën 66 të librit: ”…Armiku nga turpi nuk e dha numrin e milicëve dhe ushtarëve të vrarë, por pas tre-katër ditësh lansoi një gënjeshtër se gjoja u vrane mes vete dy komandantët e policise Zoran Nikoliq nga Krusha e Vogël me detyr në posbllokun e milicisë në Lubizhdë, dhe Millorad Vuqiniq në postkomandën e milicisë në Prizren… gjithashtu u vranë edhe dhjetra milic e ushtar të tjerë të njësive elite…”.
Në trupin e Besimit numëronin nëntë plagë, ishin po aq plag sa kishte edhe Gjergj Elez Aliu, ato plagë ishin, plagët e lirisë dhe njëkohësisht të pavdekësisë së tij, që po përsëriste lavdin e heronjëve shqiptar Oso Kuka i Vraninës që kushedi sa here Besimi e kishte lexuar e rilexuar në ”Lahutën e Malcisë” të Gjergj Fishtës, Mic Sokoli që ia kishtë vënë gjoksin topit të Sulltanit turk, Sali Shabani që kishte qenë një nga kaqakët më në zë në kohen e Azem Bejtë Galicës, Tahir e Nebih Mehës që shembën federatën jugosllave.
Më 5 Maj 1995 vargu i gjat i mijëra pjesmarrësve në kortezhin funeral, me dhjetra kurora e buqeta lulesh ishin tubuar në fshatin Legjendë për ti dhënë lamtumirën e përjetësisë Besim Ndrecës. Trupi i tij mbështjellur me flamurin kombëtar shqiptar, po kalonte rrugës për në varrezat e Malsisë së Re, pranë tytave të shumta të forcave armike.
Në shtratin e tokës Shqipëri që aq shumë e deshi Besimi, u lëshua trupi i heroit, i mbuluar me buqeta lulesh që mbuluan me dheun e tokës mëmë heroin e pavdekësisë Besim Ndrecën.
Gjatë cermonisë së varrimit foli prof.Bajram Kurti i cili mbajti një fjalim të zjarrtë ku u thuhej qartë se fundi i jugosllavo-serbisë është afër dhe shokët bashkëveprimtar të Besimit do të hakmerrën dhe shpejtë do ta dëbojnë Serbinë nga tokat shqiptare.
Populli shqiptar kurrë në jetë të jetëve nuk do ta harroj shembullin e sakrifices së këtij heroi që ia ktheu dinjitetin shqiptarëve të nëpërkëmbur nga pushtuesi e sa nga pacifizmi mjeran, në kohën kur ishte më së vështiri ai u qfaq si meteor lirie.
Besimi ishte frymëzuesi dhe motivuesi i sejcilit nga shqiptarët që po përgaditeshin me ja dhënë grushtin e fundt Serbisë terroriste, për ti sjell popullit lirin e munguar dhe bashkimin e trojeve shqiptare me Shtetin amë Shqipërinë rreze ndritur. Me emrin dhe shembullin e Besimit shumë nga shokët e idealit të tij, luftuan pa kompromisë pushtuesin gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare çka ishte vetë ëndrra e Besimit që shokët ëndrrën e tij e bënë realitet me luftën çlirimtare.
Përvjetori i 14 i rënies heroike të heroit kombëtar shqiptar Besim Nrecaj,përvjetor i mbajtur në Shkollën Fillore”Besim Nrecaj” në fshatin Legjendë komuna e Prizrenit.
Ideali i Besimit nuk ishte vetëm liria kombëtare, por edhe njeriu i lire, i çliruar nga egoizmi, nga dogmatizmi, nga lakmia për pushtet e para, për lavdi vetëm për vetën e tij, për një njeri që ka vizion të qartë dhe shikon me besim në ardhmëri. Ai përbuzte, përçmonte pushtuesin, sepse kishte bindje të paluhatshme se armiku është i përkohshëm në mbar trojet shqiptare. Se populli shqiptar do të triumfoj, Shqipëria dhe shqiptarët janë të pazhdukshme, janë si Feniksi. Edhe pse të munduar të vuajtur, të viktimizuar, të përbuzur, të nëpërkëmbur nga të huajt, por edhe nga vetvetja e sidomos nga shqipfolës të mjerë, që bashkëpunonin me armikun dhe bashkë me ta shtypnin popullin shqiptar, këto janë dëshmi të pamohueshme me vepra konkrete, me kërkesa të qarta prej atdhedashësish të vërtetë shqiptar, treguan se bindjet e tyre janë rrënjë thella në token shqiptare, për përkatësinë e kësaj toke pellazgo-iliro-shqiptare, ky djep i vërtet i shqiptarizmës, dhe sa fallso dhe të paqëndrueshme duken shprehjet e kishës ortodokse Serbe, dhe e politikanëve e akademikëve serb, për kinse Kosova është ”djep i serbizmit” kur dihen viktimat vuajtjet, mundimet, qëndresa heroike e përpjekjet e parreshtura të shqiptarëve për liri e të drejta kombëtare, sakrificat dhe gjaku i derdhur shqiptar i këtij trolli autokton mijëravjeçar, prandaj te Besimi vuajtja, mjerimi robëria por edhe krenaria ishin një shpërthim revolte e akumuluar të këtij atdhetari që ishte plotësisht i vetëdijëshëm dhe i prekur nga dhimbja e përditshme që po përjetonte populli shqiptar nga shovenistët serbo-malazezo-maqedonomadh dhe ata të Çamërisë që janë dëbuar dhunshëm nga terroristët e shtetit grek. Andaj është ky gjaku i derdhur i bijëve dhe bijave më të mire të gjakut shqiptar, për një bashkim mbarëshqiptar që qon kah qëllimet e larta.
Dokument:REGJISTRI I DËSHMORËVE TË UÇK-së TË BRIGADËS 28 – 128 TË ZONËS OPERATIVE PASHTRIKUT NËN NUMRIN RENDOR 26 ËSHTË EDHE HEROI YNË KOMBËTAR BESIM NDRECAJ.
Liria do të thoshte Besimi! Është dhurta më e çmuar mbarënjerëzore, që i përket pambarimisht cilitdo njeri! Unë lirinë dita dhe arrita ta marr nga armiku i Atdheut tim, ta ruaj si sytë e ballit nga gjitha pretendimet për kohën e ardhme, që sot e gjer në natën e varrit ajo do të jetë edhe shorti im njëkohësisht dhe shpërblimi im për ta larë borxhin ndaj Atdheut Shqiptar! Unë kapërceva vdekjen? Kështu zotërova nderin e Atdheut! Kush parashikon jo arsyeshëm dhe me frikë rrjedhojat e çlirimit të Atdheut, nuk mund ta krijon madhështorën. Unë nuk u hamenda për asnjë çast, dhe nuk u bëra pytjen shokëve të mi bashkë luftëtarë të lirisë, se a duhet ti bie plumb armikut shkja! Kur mu dha rasti Unë me vetëdije të lartë luftova kundër okupatorit jugosllavo-serb, dhe zbraza plumbat në trupat armikut të shqiptarëve. Mos akuzoni, dhe mos e fajsoni askënd për veprimet që bëra me 3 maj të 1995 ajo ditë qe ditë dasme për mua, atë ditë përmbusha misionin e jetës time, për çka kisha jetuar 39 vitet. Me çmimin e jetës time Unë fitova nderin dhe lavdin! Kjo filozofi heroike në rrugën e historisë, na bënë të kujtojmë apologji të panumërta te heronjëve shqiptar. E në këtë rast, Besimi e flijoi jetën për çështjen e madhe kombëtare, ishte një sakrific madheshtore, që e bëri hero.
Lavdi jetës dhe veprës së heroit kombëtar shqiptar Besim Ndrecaj!

Filed Under: Opinion Tagged With: : Besim Ndrecaj, Avdi Ibrahimi, e madhe kombëtare, flijoi jetën, për çështjen, Te nderojme deshmoret

RRETH LIBRIT “ISUF LUZAJ – NJË SHTIZË DIELL MBI ATDHENË”

August 16, 2014 by dgreca

Kisha ditë që prisja telefonatën e zotit Shaban Xhyheri (studiuesi, historiani, autor i disa librave, ish anëtar i Ballit Kombëtar, i dënuar politik, personit që i dhurova të parit librin “Isuf Luzaj – Një Shtizë Diell mbi Atdhenë” për të më dhënë një opinion rreth tij, por heshtja më tmerroi…
Ashtu si çdo shkrimtar, edhe unë dëshiroj një opinion të sinqertë për çdo libër, sidomos për këtë libër që kishte një specifikë të veçantë, se zakonisht në Vlorë e japin opinionin pa e lexuar librin dhe për t’u çuditur trillojnë e trillojnë opinione, saqë po të jenë të kujdesshëm ata që i flasin e t’i shkruajnë, do të kishin fabrikuar një gjini të re të letërsisë poskomuniste, që mund të quhej “Rrëfime imagjinare për të diskredituar autorin”, art, të cilin e praktikonte komunizmi ndaj një vepre për të shkatërruar autorin, por sot as tek vepra nuk shkojnë, por merren me autorin, pra thjesh kanë ndërruar taktikat, strategjia është po ajo.
Përveç një gruaje, që e mori librin në panairin “Vlora 2014” e fill pas dy orësh, erdhi dhe më tha: “Faleminderit zonjë, më bërë të lexoj libra të autorëve shqiptarë… për dy orë lexova 50 faqe…Urime! Erdha vetëm për të uruar dhe për të falënderuar për dhuratën e çmuar që më dhatë! Faleminderit! Mbase do shihemi herë tjetër dhe do të flasim më gjerë…” Iku dhe as emrin nuk ia mora, vetëm më tha “Jam me origjinë nga Kanina”, nuk më ka folur njeri, mbase ishte fati për të mbetur anonim ajo grua që të merrja opinionet e para nga lexuesi im i parë, ndaj, sa herë që më binte rruga andej, doja të shkoja ta takoja, por kisha frikë…
Krijuesit e dinë sa të priten duart kur ta hedhin poshtë veprën që ke ndenjur muaj e vite duke e shkruar me një synim të vetëm: të pëlqehet nga lexuesi për të përcjellë ato mesazhe që ne i kemi menduar si të drejta e të vyera.
As sot nuk e kisha vendosur që do të shkoja ta takoja, por as vetë nuk e di, këmbët më dërguan tek lokali ku ai rri zakonisht. Ishte ulur në lulishte me një burrë tjetër dhe sa më pa, thirri me të madhe sikur kishte kohë që më priste.
– Shyqyr që erdhe, 100 herë i kemi ranë telefonit dhe përgjigjja ishte “Numuri nuk është i saktë”, mos ma keni dhënë gabim?
– Jo, por mbase keni ngatërruar ndonjë numur… – thashë duke e përqafuar.
Burri që ishte aty, nuk priti gjatë, u ngrit, na përshëndeti dhe u largua, ndërsa zotin Shaban nuk e mbante vendi nga gëzimi. E mora opinionin për librin, se asnjëherë nuk më kishte pritur kështu. Provuam numurin dhe ishte në rregull, si duket ishte shkruar gabim…
– Të thashë që do të jap i pari opinionet mbi librin dhe e kam mbajtur fjalën, por nuk jam lidhur dot me ju…
– I pari je, vetëm një zonjë më ka folur pak…
– Dua të jem i pari për një arësye, sepse të them, se je e para që merreni me këtë temë
dhe ata që do e lexojnë do pëlcasin nga inati, se nuk e bënë dot para tya. Sa e mora librin, kisha parasyshë që ti pret nga lexuesi vërejtjet, ndaj nxitova, se kam atje tek koka gjithë ato libra, kisha një libër tjetër të Eqerem Bardhit dhe kisha lexuar deri 50 faqe, kur më dhatë librin, e lashë atë dhe lexova librin tënd. Stili yt nuk të lodh, absolutisht nuk të lodh dhe keni një gjuhë të pastër. Ke disa gabime në shkrimin e disa emrave, apo mbiemrave, por nuk janë gabimet tua, por të burimeve nga janë marrë, por këto nuk e prishin bukurinë e librit, nuk e mërzisin lexuesin, por të tregoj një gjë, të jesh më e kujdesshme në gjetjen e emrave që plotësojnë figurën e Isufit dhe e dyta; ti je një intelektuale, po të mos ishe intelektuale, nuk do t’i hyje këtij studimi.
Puna ta do, kërkuesi futet kudo, por bazën ta kesh tek intelektualët, se intelektualët janë ata që çdo gjë që të jep, ta jep saktë, por një e keqe shumë e madhe është tek ne, egoizmi. Unë nuk quaj intelektual atë që mbaron universitetin, por atë që pasuron dijen e tij vazhdimisht, universiteti të çel rrugët, mund të mbarosh 10 universitete, po s’mund të jesh intelektual, se bën gjumë. Sa më shumë të lexosh, sikur dhe një çerek fjale të përfitosh i fituar je. Kur të thashë, se je intelektuale, nuk u bazova se çfarë shkolle ke bërë, shkolla të hap rrugën e thamë një herë atë, nuk të bën njeri, po se çfarë ke arritur të bëhesh, se po nuk pate talent, nuk mund ta fitosh atë, po nuk linde poet, nuk bëhesh poet.
Unë të përgëzoj e po të them me sinqeritetin më të madh, kam mbetur jo vetëm i kënaqur, por të them dhe i befasuar, se nuk ma merrte mendja, se dy takime kishim bërë me ju; në takimin e parë kur nise të shkruash librin “Sharrajt në Jetën e Kombit” dhe herën e dytë, në përurimin e tij, i kënaqur mbeta, por që të merresh me këtë temë, shumë më ndryshe nga ajo dhe që të trajtosh këtë temë, kërkon të kesh një bagazh të mirë intelektual, të kesh këmbëngulje, vullnet e të studiosh, prandaj nuk ma mori mendja, troç po ta them, por kur hyra brenda në libër pashë gjithë ato përpjekjet e tua këmbëngulëse për të rrëmuar sa më shumë në adresë të kësaj figure, për t’ua paraqitur lexuesve jo vetëm çfarë ka thënë i Madhi Isuf Luzaj, por bën edhe komentet e tua, ku përfundojnë me thirrjen brezave për ta lexuar e të mësojnë shumë nga Isufi.
Unë jam lexues, i rregullt kam qenë, s’jam studiues, s’kam pse them ato që nuk i kam (foli me modesti), kur lexova librin tuaj, mbeta shumë i kënaqur, mbeta i kënaqur unë, jo se u kënaqa unë, por kuptoj se duhet të kënaqen këta brezat që janë, se jemi shumë pas në analizë me njohjen e figurave Shqiptare dhe kombëtare. Më shumë se sa e ke përshkruar ti figurën e Isufit, nuk mund ta bëj unë, por përderisa mu mbush mbush mendja edhe mua që me të vërtetë është një ndër 7 filozofët e shekullit të kaluar, për këtë të përgëzoj shumë.
Thirrja jote është e hapët dhe e çiltër dhe kërkon opinionit, organet kupetente e shkon deri tek ministrat që të tunden e të shkunden e të merren sa më parë me botimin e veprave të Isufit, se kemi në Shqipëri, mbase nuk më lejot, por e kam nga mërzia, ca pseudointelektualë, pseudoshkrimtarë, pseudohistorianë, pseudostudiues, pseudoakademistë e nuk e kuptoj me çfarë merren këta, kur lënë në harresë një figurë të tillë, me çfarë mburren këta, moj motër, me çfarë mburren këta?
Ti shumë vetave ua preve rrugën, ua more inisiativën, që të merren me veprën e Isufit. Unë kam dëgjuar që flasin, por që të merret njeri me studimin e figurës së Isufit, nga sot të themi, nuk kam dëgjuar, mbase janë duke punuar, ajo është një punë tjetër, por tashi për tashi, stafetën e ke marrë ti.
Dua të shprehem edhe më shumë, kam shumë gjëra për të folur, se është një temë që më pëlqen, se kam një moshë të madhe dhe s’do të arrij të lexoj veprat e Isufit. Do ta rilexoj librin tënd dhe do të mbaj shënime. Pardje mora një nga librat e Isufit “Lamtumira e Yjeve” dhe fillon me një thënie shumë të madhe: “Nga të pesë artet, letërsia dhe nga të pesë degët e saj, poezia, nuk e pranojnë mediokritetin.” Që janë shumë domethënëse. Që të lexosh Isufin, e them me sinqeritetin më të madh, duhet të jesh dhe shpirtërisht i qetë dhe jo çdo njeri e kupton, pa pasur një intelek, pa qenë intelektual i mirë, nuk bisedon dot me Isufin, nuk mund ta kuptosh atë. Ai ka qenë intelektual i mirë, nuk bisedon dot me Isufin, unë kështu e shikoj, nuk bisedon dot me Isufin. Kam shumë gjëra nga ato që kam lexuar dhe nga ato që ke venë theksin ti, ndjej një lehtësi dhe kënaqësi shumë të madhe se kam dhe një moshë të tillë që e kam peng që nuk i shoh veprat e Isufit.
Përgëzoj Xhevat Beqaraj, megjithëse në një moshë të thyer për punën që ka bërë, ka një meritë të veçantë, siç ke thënë edhe ti, intelektualët e vërtetë duhet të skunden dhe duhet të merren me këtë figurë madhore.
Më bëhet qejfi shumë se doli një fëmër që të merret me studimin e ta paraqesë këtë figurë, se ti ke rrëmuar shumë, jo vetëm tek njerëzit e familjes së tij që ke këmbëngulur disa herë e ke marrë të dhëna, por unë lexova përshëndetjet që kanë bërë disa shkrimtarë mund të them nga Vlora, pse jo dhe studiues, se nuk dua të ofendoj njeri, jo të një shkalle kështu, mbeta e kënaqur që edhe ata kanë dhënë mendime dhe ti ke bërë shumë mirë që i ke paraqitur në libër.
Ti ke harxhuar kohë, lodhje mendore… takon personazhe me kulturë e pa kulturë të gjerë për ta bërë të plotë figurën e Isufit dhe ti ke nxjerrë disa të vërteta që edhe unë nuk i kisha ditur, siç ishte lidhja me familjen Ulqinaku, e cila paska jetuar në familjen e Isufit dhe të njëjtën qëndresë bëri dhe Isuifi në Vlorë, por asnjëherë nuk u përmend. Ti e nxjerr shkakun që pse nuk botohet vepra e Isuf Luzajt dhe shkaku është komunizmi. Për ta bërë më të besueshme, ju keni përsëritur fjalë të shumë personeve dhe keni bërë edhe refleksionet tua. Një gjë më ka mbetur në mendje që nuk e kam dëgjuar deri më sot, kur e cilëson luftën e klasave “mulliri i luftës së klasave”, është e para herë që e dëgjoj këtë shprehje kaq të goditur. Ka shumë gjëra me vlera në këtë libër, se ke një të mirë që bën edhe analizën.
Zonja Zyba, me sinqeritetin me të madh të përgëzoj dhe njëkohësisht të falënderoj që u more me këtë vepër dhe të jesh e bindur e do të ndëgjoç me kalimin e kohës edhe shumë falënderime, do marrësh dhe vërejtje, por për mua, ti je e para dhe duke qenë e para, u hape sytë të tjerëve. Besoj se do dalin edhe tjerë më vonë dhe sado që të shkruajnë e mund të bëjnë, tashti për tashti, vendin tënd nuk e zë njeri.
E falënderova dhe u ndamë për t’u takuar sërish, për të marrë kritikën e detajuar të tij, pasi ta rilexojë librin.(Z .H)

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: – NJË SHTIZË DIELL, Isuf Luzaj, MBI ATDHENË”, rreth librit, Shaban Xhyheri, Zyba Hysa

SKANDAL! GREQISHTJA GJUHA ZYRTARE NË KOMUNËN E ALIKOS

August 16, 2014 by dgreca

Historiani dhe publicisti Arben Llalla denoncon publikisht Titullin Qytetar Nderi të Anastas Janullatos dhënë nga Komuna e Alikos. Ai thotë se ky titull nuk vlen juridikisht, por është një tallje e madhe që i bëhet në rradhë të parë Hirësisë Anastasit, sepse i është dhënë atij në gjuhën greke, kur dihet se shqipja është gjuha zyrtare e Republikës së Shqipërisë. Në bazë të nenit 14, pika 1 thotë se Gjuha Zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja. Prandaj mendoj se organet kompetente duhet të ngrenë procedurë gjyqësore ndaj kryetarit në ikje të Komunës Aliko, Kristo Kaishit i cili zyrtarisht në dokumentet zyrtare të kësaj komune përdor vetëm gjuhën greke. Bile ai para disa ditësh për mediat e Athinës pati deklaruar se ska burrë nëne që e arreston dhe ia ndali përdorimin e gjuhës greke të shkruar në dokumentat e komunës Aliko sepse ajo i përket Greqisë. Më vjen keq të them se si Anastas Janullatos si Kryepeshkop i Shqipërisë ka pranuar një Titull të tillë që bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë, ky është një Titull Ilegal. Është tragjike të shikosh se dëshmitar i këtij skandali janë edhe diplomatët grek të cilët që në vend ti hedhin ujë zjarrit, ata i hedhin beznis, u shpreh historian Arben Llalla.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, SKANDAL! GREQISHTJA GJUHA ZYRTARE NË KOMUNËN E ALIKOS

Hajdutet me “duar te pastra”

August 15, 2014 by dgreca

Nga Mimoza Dajci/
Shqiperia ky vend i varfer per fakirin popull, por i pasur per hajdutet e tij, dhunohet perseri me vjedhjen e thesarit ne Banken Shteterore. 10 persona te arrestuar deri me tani, per shumen mbi 7 milion dollare. Pas hetimeve ndosha kjo shifer do te rritet si nga numri i te arrestuarve ashtu edhe nga shuma e parave te vjedhura. Thone se hajduti eshte edhe vrases, pasi nuk ka menyre tjeter per te mbrojtur vjedhjen e tij e cila eshte baraz me krimin. E ky krim i rende ndodh sot ne mes te dites me diell ne vendin tone per vite me rradhe e askush nuk “di asgje”. Eshte koha kur ish te persekutuarit politik akoma nuk jane likujduar per vuajtjet e tyre nga burgjet e kalbura te diktatures komuniste, ndersa keta zoterinj, zonja apo zonjusha hajdute mbushin prapanicat e tyre me parate e djersen e popullit. Si nuk menduan pak per popullin e varfer e ne vecanti per ate kategori njerezish qe presin prej vitesh te marin demshperblimet e tyre te burgut politik, te asaj gjenerate qe vuajti padrejtesisht neper birucat e lageshta te atij rregjimi makaber. Pra duket qarte se keta individe hajdute “moderne”qe vodhen Banken Shteterore Shqiptare vinin nga ajo kategori familjesh qe nuk kishin pesuar asgje nga komunizmi shqiptar, perkundrazi ishin te perkedhelurit e tij. Turp per ata e familjet e tyre, e mjere per popullin tone se te kush i ka besuar te ardhurat e veta. Krimi duhet ndeshkuar me te njejten monedhe, hajdutet te denohen para popullit ashtu si i denonte enver hoxha njerezit e pafajshem ne mes te qytetit gjate atij rregjimi te mallkuar qe mbolli vetem urrejtje e lufte klasash per kedo qe kishte nje anetar te familjes te denuar per motive politike.
Propaganda ishte e tille ne Shqiperi ku per 50 vite nese dikush denohej per vjedhje, nuk shikohej me urrejtje si krim i rende ndaj shtetit apo popullit te tij, ndersa ai qe deklaronte hapur te verteten e hidhur te jetes se shqiptareve ose nese fliste qofte edhe per nje vjedhje ordinere te kryer nga dikush denohej per agjitacion e propagande, ndersa ne boten e qyteteruar ndodh e kunderta, hajduti mer denimin maksimal te fajit te kryer.
Ne nje familje po te veresh se, hallet e punet nuk shkojne mire, pergjegjesia sigurisht bie mbi te zotin e shtepise, keshtu edhe me Banken Shteterore Shqiptare nga kjo vjedhje galopante sigurisht faji bie edhe mbi kreun e saj. Kush i mbron e perpiqet ti shfajesoje hajdutet e popullit tone, ne rastin konkret te Bankes Shteterore tregon se akoma kerkohet te manipulohet mbi kete krim mafioz ne Shqiperi. Emigrantet shqiptare enden neper bote, per te fituar para me djersen e ballit, disa dergojne nje pjese te fitimeve te tyre ne atdhe, nuk e dinin te gjoret se valuta e tyre shijohej per qefet e shfrenuara te bankireve aventuriere shqiptare. Nje pjese jo e vogel e emigracionit tone kane lene prindet e te afermit e tyre ne Shqiperi e rropaten rrugeve te botes duke punuar qofte edhe per nje cope buke, per mbijetese, apo per nje jete me te mire, kurse mafja shqiptare “fiton” mundin e tyre pa asnje lodhje.
Populli shqiptar e shtresa e persekutuar politike shqiptare priste me shume nga keto vite ne vazhdim qe permbysen diktaturen komuniste, por ne vend te paqes e mireqenies sociale jane shtuar akoma me shume krimet, vrasjet, korrupsioni, dhuna e jeta e shfrenuar e luksoze e individeve te vecante. Mjere ku po shkon vendi yne, e cfare drejtimi do te mare e ardhmja e brezave tane?
New York, gusht 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Hajdutet me "duar te pastra", Mimoza Dajci

POLICI SI NË KOHË TË GJYMRYKUT….

August 15, 2014 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI/
Po ju sjell dy ngjarje në një përqasje që japin lajmet për sonte datë 14 gusht 2014 dhe ju e nxirrni përfundimin vetë se çfarë është thelbi i policisë sonë që një vegël qorre a thënë ndryshe me gjuhën e popullit vepron si në kohën e gjymrykut. Po e themi që në fillim se gjymryk është emri doganë në turqisht e që përdorej rëndom në Shqipëri në fillimin e viteve 1900.
1- Ka ca ditë që ka humbur një djalë me të meta mendore. Familja në alarm lajmëron kudo sepse djali merrte dhe ilaçe e po bëhen 10 ditë i humbur. Një ditë policët e Vorës e gjejnë këtë djalë dhe si e pyesin nuk e zgjasin po e lënë aty në Vorë pa e vrarë mëndjen së fëmijë e të rinjë të kësaj kategorie mbahen afër, dërgohen në qëndra policore dhe bëhet njofimi nëpërmjet medias për një njeri të sëmure e të humbur qe nuk i dihet as emri. Pjestarët e familjes të skandalizuar për këtë akt te papërgjegjshëm të policisë ankohen në kanalin televiziv News 24 dhe thonë si është e mundur të ndodh kjo. Pse është Policia? Kësisoj edhe pas braktisjes nga Policia djali me të meta mendore vazhdon të jetë i humbur e në rrezik për jetën.
Në fakt kësaj pyetje nuk është në gjendje ti përgjigjet as drejtori i përgjithshëm i policisë së Shtetit. Pse do thoni ju. Shumë thjeshtë se Policia ( që konsiderohet e PS dhe LSI pra e politikës e jo e popullit) është për të bërë luftë nervash me PD. Ja se si:
2- Policia e Tiranës pikërisht sot në të njëjtën ditë shkon e merret me puntorët e ndërtimin të Bashkisë së Tiranës duke ndaluar( arrestuar) 5 prej tyre dhe duke pezulluar punimet në një rrugë pranë shkollës “Harry Fulz” ku me të drejtë Bashkia po ngre një semafor. Kjo ndalesë policore e konflikt pushtet lokal me pushtet qëndro është krejt e pakuptimtë e tregon se këta merren me beteja mullitë e erës, sepse atë semafor nuk e do një kuadër i PS që ka ndonjë dyqan apo kafene aty ku mendohet të vihet semafori në ndihmë të qytetarëve. E shihni pra se përse duhet policia?
Është po kjo polici që ndërsa braktis në rrugë një njeri të sëmurë në Vorë, vrapon të prish punët e Bashkisë për ngritjen e një semafori që në fund të fundit do ti shërbente qytetarëve të Tiranës pa dallim feje, krahine apo ideje. Po na del goja prapa duke vënë në dukje marrëzitë shqiptare, nënpunës budallenj e honxho bonxho por tani këta i kanë veshët e trutë shollë e nuk dëgjojnë. Sa shpejt u trulloska njeriu prej diellit të pushtetit i i bëfsha tëmën kolltukut.
Më falni po çfarë Reformë opinge është kjo?! A doni të bëni shtet apo do vazhdoni të kruheni me njëri-tjetrin sikur keni zënë morra të dy palët, ca morra demokratë e ca morra soc-lsist. Turp të keni. Jeni institucione buxhetore, jetoni me parat e popullit e tallni bythën, jo e dua unë semaforin jo nuk e dua unë semaforin. Pyesni qytetarët e Tiranës a e duan semaforin apo të vriten prej shoferave injorantë që nuk të lënë të kalosh as në qëndër të Tiranës. Jo më shumë se dje kur kisha shkuar të firmos peticionin për shkarkimin e Don Full Hajnit një taksixhi erdhi si i xhindosur, e të mos nxitoja isha sot në atë botë. Dhe Policia rri e vështron dhe aq me keq nuk do semaforë kur unë si qytetar i dua se më mbrojnë jetën. Po pse moj Policia e Shtetit që ha bukë në trastën e popullit. Ta dish se qeveria nuk prodhon asnjë qindarkë, qeveria vetëm konsumon. Lekun e nxjerr populli. I miri e i urti popull që po duron aq shumë. A e dini çfarë është populli të nderuar policë të politikës, apo jetoni ende kohën e kërbaçit, me medimin se populli është një mushk që do ngarkuar rëndë e do tërhequr e do mbajtur prej kapistalli. Po ruajuni shkelmave ama se mushkat e kanë goditjen e rëndë.
Unë nuk e kuptoj kështu policinë. Ka të drejtë Tom Doshi që thotë se Saimir Tahiri i e ka mbushur policinë me tepelenas të vet dhe këta policët të targës TP i kanë shpatullat e ngrohta dhe e lënë vetën lehtësisht të përdoren si shasma në çiftet e partive politike në ca beteja e luftra donkishoteske me njëra-tjetrën
Po ç’ kusure ka populli që ju mban me bukë, o Faqja e zezë!

Filed Under: Opinion Tagged With: POLICI SI NË KOHË TË GJYMRYKUT....Kolec Traboini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 725
  • 726
  • 727
  • 728
  • 729
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT