• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bisedimet me Serbinë “Shou marketing i marrëveshjeve”,viktimë edhe emigrantët!

August 11, 2014 by dgreca

Shqiptarë, koha po punon për neve, prandaj ta gjunjëzojmë Serbinë e ngordhur akoma me pretendime cariste . Kjo është një skandal për mërgimtarët kosovar nga një pushim tri javor të mbesim 8 ditë vetëm rrugëve vajtje ardhje është breng për vitet në vijim të shkojmë në Kosovë apo të shkojmë në pushime luksoze për të përfituar në kosto kohën dhe paranë.
Ku je zonja Edita Tahiri si përfaqësuese e bisedimeve me Serbinë edhe zoti Hashim Thaqi që vini pas çdo takimi proklamoheni pran popullit me këtë e atë marrëveshje!!!/
Shkruan Asllan Dibrani/
Bisedimet me Serbinë dhe marrëveshjet e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka disa vite që zhvillohen si procese të veçanta dhe në disa pika.
Të dy palët konfirmojnë përkushtimin për bashkëpunimin efektiv dhe normalizim të marrëdhënieve. Organizatat rajonale të cilave u referohen konkluzionet janë organizatat e tashme dhe të ardhshme ndërqeveritare ose marrëveshjet ,qëllimi i të cilave është të promovojnë bashkëpunimin dhe integrimin në rajonin e Ballkanit. Ato duhet të zbatohen në praktikën e organizimit të takimeve rajonale duke linçuar të drejtat e qytetarëve në të anët . BE duhet të mbikëqyrë implementimin e këtyre marrëveshjeve sipas zhvillimit dhe pikat konkluduiese që janë zhvilluar në shumë takime. Siç duket këto takime dhe bisedime janë vetëm sa për sy e faqe, kur shihen që këto konkluzione dhe marrëveshje me nënshkrimet nga të dy përfaqësitë qeveritare të Kosovës dhe Serbisë, po edhe organeve kompetente evropiane. Kjo ma shumë është një ” Shou marketing marrëveshje” në mes Serbisë dhe Kosovës derisa këto marrëveshje shkelen nga pala serbe!!!???…
Këto marrëveshje janë në kundërshtim praktik që po e përjetojnë qytetarët e Kosovës çdo ditë. Kjo ngecje, po ndihet kudo në popullin e Kosovës , rasti konkret i Mitrovicës që bëhet një politikë e njëanshme .Vapa e këtyre ditëve dhe rreshtat e gjatë të emigranteve deri ne 30 km në pritje për në Kosovë e tregoj ma se miri emigracioni si viktimë e “Shou marketing marrëveshjeve me Serbinë” duke pritur me ditë të tëra të kalohet kufiri në mes Kosovës dhe Serbisë !!!???…

Derisa në Ministrinë e Diasporës thonë kenë arritur një numër i madh i ankesave të emigrantëve të Kosovës të cilët kanë potencuar se janë krijuar kolona të gjata dhe se ata po presin deri në 30 orë për të kaluar procedurat kufitare nuk flasin asgjë ma tepër, pos një informate që atje qenka krijuar një rend i gjatë i pritjes ?.
Politika zyrtare e Qeverisë së Kosovës në duart e zëdhënësve të policisë ?
Është për tu habitur me zyrtarët e Kosovës me Zonjën Edita Tqahirin qe është përcaktuar si përfaqësuese e bisedimeve me Serbinë edhe zotin Hashim Thaqin, që këto kompetenca të tyre dhe këto skandal të torturimit dhe pritjeve të jashtëzakonshme i kalojnë të zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani i cili thekson se:” Këto pritje të gjata janë si rezultat i fluksit të madh të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë shtetit, e që pushimet vinë t’i kalojnë në vendlindje”.Këto thënie nuk janë as bindëse as të logjikshme, as qe kane ndonjë senës mirëkuptimi , aq ma pak nga segmenti politik. As zëdhënësit, as policia e Kosovës nuk është kompetente të flas ma shumë edhe se kanë mundur të shprehen pak ma ndryshe .Për këto gjera janë kompetent qeveritarët e Kosovës që nuk kanë ngritur edhe një ankesë në strukturat e larta evropiane .Qeveria e Kosovës duhet te ngrehin zërin edhe në politiken serbe edhe në strukturat evropiane , ata që janë zotuar në ndërmjetësimin e këtyre bisedimeve .
Shtypi kosovar merret me vajtime siç merret ndonjë politikan i opozitës në Kosovë. Maltretimi , pritja dhe zvarritja siç duket qeverisë së Kosovës nuk ja prish tymin e duhanit. Po ju shkon për shtati edhe Serbisë që me ditë të tëra i lenë mërgimtarët në dy anët e kufirit!?. Kjo është një skandal për mërgimtarët kosovar nga një pushim tri javor të mbesin 8 ditë rrugëve vajtje ardhje, është breng për vitet në vijim të shkojmë në Kosovë apo të shkojmë në pushime luksoze për të përfituar në kosto kohën dhe paranë .Një matematike e thjesht nxjerr rezultatin me shumë humbje . Kjo rrëmujë nuk e besoj qe ka kaluar ma larg se ne tek mediat e Kosovës pa e vrarë ndërgjegjejen e qeveritarëve.
Numri i qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është mbi 700 mijë persona . Më së shumti kanë emigruar kosovarët, është Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind. Këto shifra nuk përputhen me realitetin që asnjë organ nuk mundet me dalë me një shifër të saktë për numrin e emigrantëve. Kur kemi para sysh se një qift i ikur para 20 vitesh ,sot mund të ketë edhe 3-4 fëmije, që as kund nuk janë në evidencë. Mërgata gjithmonë ka qenë promotor i ngjarjeve në Kosovë, andaj nuk e meritojmë një injorancë aq brutale edhe në administratën e Kosovës për dokumente dhe shërbimeve tjera. Zotëritë qeveritarë , le t’i vrajë ndërgjegjja e një politike boshe qe jeni duke e bërë ndaj Kosovës , qytetareve të saj dhe emigracionit kosovar.Po tu kishte ndodh serbëve kjo qe po ju ndodhë kosovarëve , me një diskriminim kishin me dëgjuar edhe kombet e bashkuara e lëre me këtu në Evropë. Qeveritarët tanë qofshin të mallkuar s’qet të zotë me quar një protestë kundër Serbisë për asnjë shkelje që po i bënë Serbia në dëmin e Kosovës. Shqiptar koha po punon për neve prandaj ta gjunjëzojmë Serbinë e ngordhur akoma me pretendime cariste .Le tu vret zëri i popullit qe ju besuam te zhvilloni biseda te mirëfillta si shteti me shtet e jo të” lozet si macja me miun”

Filed Under: Opinion Tagged With: "Shou marketing, asllan dibrani, bisedimet me Serbine, edhe emigrantët!, i marrëveshjeve", viktimë

OKTAPODI PO IA MERR FRYMËN VENDIT, SE SISTEMIN E KA GLLABËRUAR

August 8, 2014 by dgreca

KUSH GËNJEN ERMELINDA MEKSI APO KËSHILLI MBIKQYRËS?/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Sot në mëngjes gazetat e Tiranës botonin në faqen e parë lajmin se zonja Ermelinda Meksi, njëra prej anëtareve të Këshillit Mbikqyrës dhe ish-deputete e PS kishte propozuar shkarkimin e Guvernatorit. Por propozimi i saj kishte shkuar kot, pasi ishte mundur nga shumica me rezultatin 1:6. Ja disa tituj gazetash: „Këshilli Mbikqyrës i Bankës rrëzon propozimin e Ermelinda Meksit. Dështon shkarkimi i Fullanit“; „Përplasja në Këshillin Mbikqyrës: Ermelinda Meksi kundër Fullanit“;”Këshilli Mbikqyrës shpëton Fullanin. Rrëzohet kërkesa e Ermelinda Meksit, për të vënë përpara përgjegjësisë drejtuesit e BSH”.
Këtë temë e kishte marrë po sot në mëngjes, me të drejtë, edhe gazetari Artur Nura në programin e Televizionit A1 REPORT „Shtypi dhe Ju“, në sondazhin se me kë ishte publiku shqiptar – me Meksin apo me ata të gjashtë që kishin votuar kundër. Dhe publiku shqiptar, ishte me Meksin, natyrisht, që kishte kërkuar largimin e Fullanit.
Është e ditur që opinioni shqiptar është kundër Guvernatorit të Bankës Shtetërore. Këto arrestimet që bëhen tani, opinioni shqiptar nuk i ha. Sepse janë “koka turku“. Që dalin menjëherë të pafajshëm. Si dolën ata dy personat që u akuzuan për vrasjen e Artan Santos.
Që shqiptarët janë kundër mogulit Fullani, mjafton të shihni Facebook-un si zjen nga të gjitha anët. Kush e fiton bukën me djersën e ballit është për largimin e guvernatorit Tycoon. Kush e ka krijuar pasurinë me djersën e ballit është kundër kastave të privilegjuara me pasuritë kombëtare. Që do të thotë shumica e shqiptarëve. Jo vetëm ata 1 milionë shqiptarët që votuan kundër qeverisjes së korruptuar të Sali Berishës. Kundër kapjes të shtetit janë 3 milionë shqiptarët brenda Shqipërisë Londineze; 3 milionë shqiptarët e dëbuar nga Shqipëria Londineze gjatë regjimit kriminal çerek shekullor të trazicionit. Plus edhe të gjithë bashkëkombasit nga trojet shqiptare dhe nga diaspora. Si gazetare nuk kam parë askënd që të mbrojë Guvernatorin. Vetëm kasta e mbron. Dhe njerëzit pranë kastës. Kasta është e rrezikshme. Shpëtojini shqiptarët nga kasta. Qeveria e Edi Ramës ta mbajë premtimin ose të japë dorëheqjen.
Prandaj edhe sondazhi i Artur Nurës doli në favor të Meksit. Se Meksi na dilte si – thuhet në Testamentin e Ri – Gruaja Samaritane tek pusi – Samaritan woman at the well – që u takua me Jeziun. Sepse drejtësia nuk është fiksion, por obliguese.
Por puna na del më vonë. Ermelinda Meksi nuk paska qenë Samaritania. Sepse Këshilli Mbikqyrës nuk vonoi dhe i përgënjeshtroi mediat e Tiranës në të ashtuquajturën mbledhjen e apostrofuar nga gazetat, ku është propozuar shkarkimi i Fullanit. Se, në fakt, nuk qenka propozuar. Dhe mediat kanë rrejtur. Për ta mashtruar opinionin publik se këta të PS janë ata që duhen, meqë Ermelinda Meksi ka qenë ish-deputete e PS. Ose kanë dashur që të jetë ashtu, në fund të fundit. Që të dalë dikush me flamurin e drejtësisë, kundër klientelizmit, nepotizmit, kastës që si oktapodus po ia merr shpirtin vendit, sepse sistemit ia ka marrë frymën.
Ja çfarë deklaron Këshilli Mbikqyrës: “Në vijim të lajmit të publikuar sot, “Fullani, propozohet shkarkimi”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë informon publikun se ky lajm nuk është i vërtetë. Në diskutimet e zhvilluara gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Mbikëqyrës ju bëjmë me dije se nuk ka pasur asnjë propozim nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.”
Me këtë deklaratë edhe Këshilli Mbikqyrës tallet me opinionin publik, sepse shtiret sikur ka integritet. Ky njoftim për mediat është një trushplarje për opinionin publik, sepse duket sikur i thuhet se fajin e paska patur Meksi që nuk paska bërë propozimin se ata na paskan qenë gati për të votuar. Rrenë e gjitha. Sepse, nëse Këshilli Mbikqyrës do të kishte integritet vërtetë, përfshi edhe zonjën Ermelinda Meksi, që nuk ka bërë kurrëfarë propozimi për shkarkimin e tycoonit Adrian, ata do të kërkonin takim të jashtëzakonshëm dhe do të kërkonin dorëheqjen e Fullanit në kor. Jo dje. Por ditën ku u lajmërua vjedhja e 7 milionë $. Ta japnin edhe ata dorëheqjen. Ky është integriteti.
Por s’mund ta bëjnë se janë në funksion të tentakulave të oktapodit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, FRYMËN VENDIT, OKTAPODI, PO IA MERR, SE SISTEMIN

“2 Gushti –Dita e Mërgimtarëve”, Prekaz 2014

August 7, 2014 by dgreca

Nga Hazir Mehmeti/
Fjalё pёrshёndetёse në emër të mërgimtarëve/
I nderuari Ministër për Diasporë, z. Lbrahim Makolli,
I respektuari bacë Rifat Jashari, familja Jashari dhe familje të dëshmorëve,
Të nderuar ish ushtarë, invalidё e veteranё të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar udhёheqёs e qeveritarё të Skenderajt,
Të nderuar mërgimtarë, mysafirё e pjesëmarrës,
Kam nderin dhe jam i priveligjuar qё në emër të tё gjithё mërgimtarëve gjithandej globit t’ju përshëndesë dhe t’ju dёshiroj mirё se ardhje e pushime tё kёndshme nё vendlindje.
Është krenari e nder i veҫantё t’ju drejtohem nga këtu, nga vendi i shqipeve, nga Prekazi heroik, djep i legjendave me Kryelegjendën, Komandantin Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari në emër të mërgimtarëve, me dëshirën për prosperitetin e vendit tonë të shenjtë, Kosovës dhe gjithë Shqipërisë Natyrale..
Mërgata jonë jetoj dje e jeton sot me shqetësimet e sfidat e shumta që ka Kosova, si shtet i ri. Ne jemi pjesë e saj dhe do tё përpiqemi për ta ndihmuar pa reshtur në të gjitha format e mundshme ekonomike, politike e kulturore.
Ne do përpiqemi të jemi krahu i fortë në hapat e zhvillimit dhe integrimit të Kosovës krahas vendeve të tjera të Europës.
Prekazi, këtu ku jemi tubuar sot, është vendi i frymëzimit tonë, vend i ndërgjegjësimit tonë se, ku jemi dhe ku shkojmë me veprimet tona, që herë-herë janë të luhatshme e të dëmshme për vendin për të cilin u derdh aq shumë gjak e u bënë aq shumë sakrifica shekujve.
Këtu, më shumë se askund tjetër, duhet kujtuar e rikujtuar vuajtjet tona shekullore, duhet kujtuar Ushtrinë Çlirimtare e Kosovës, e cila lindi nga gjiri i popullit liridashës dhe me luftë e sakrifica solli Lirinë, duhet kujtuar i gjithë populli ynё i shumvuajtur, por kurrё i nёnshtruar, i cili mbijetoi dhe sot e gёzojmё LIRINË.
Vendit tonë i detyrohemi për të gjitha, ashtu siç qeveria e Kosovës i detyrohet mërgatës për të gjitha nevojat e saj.
Ministria e Diasporës ka bërë hapa fillestar drejt njohjes së nevojave që ka mërgata e mërgimtari dhe hapjes së rrugëve të kthimit të kapitalit dhe investimeve të tyre në vendlindje. Kjo u shpreh me përkrahjen nga mërgimtarët të rrjetëzimit të bizneseve shqiptare gjithandej botës.
Aktiviteti i Ministrisë së Diasporës dhe Arsimit, u shpreh në ngritjen e interesimit për mësimin e gjuhës amtare nga sa më shumë nxënës në shtete ku jeton e vepron mërgata jonë. Këtu duhet një punë këmbëngulëse dhe e vazhdueshme e përbashkët dhe kemi arsye të mos jemi të kënaqur.
Si mësues që jam, bëjë thirrje nga këtu, nga Prekazi Legjendar, të të gjithë prindërit mërgimtarë që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në mësimin e gjuhës amtare. Ky tani është patriotizmi që kërkohet në ruajtja e gjuhës së shenjtë shqipe dhe identitetit tonë kombëtar.
Ajo u shpreh në hapjen e Qendrave Kulturore në disa kryeqytete me peshë ku jeton mërgata shqiptare. Ne do i përkrahim pa rezervë aktivitetet e tyre kulturore të cilat do rrisin afirmimin tonë para kulturave të kombeve tё tjera si formë e integrimit gjithëkulturor gjithandej botës.
Sot këtu, Prekazi flet për arsye në veprimet tona karshi vendit. Interesi i vendit sot kërkon dorën tonë të sinqertë në rrugën e ndërtimit drejtë progresit.
Faleminderit Familja Jashari!
Faleminderit Prekazi historik!
Faleminderit Ju tё pranishëm për vëmendje!

Prekaz, 2 gusht 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: “2 Gushti –Dita e Mërgimtarëve”, Hazir Mehmeti, Prekaz 2014

SHEJTNIA E TIJ, PAPA FRANÇESKU VJEN NË TIRANË…

August 7, 2014 by dgreca

Shtrohet një “sofer” pa sofrabez dhe mësalla shkodrane…/
Nga Fritz RADOVANI/
■Qellimi i vizitës së Shejtnisë së Tij Papa Françeskut në Shqipni…
Papa Françesku ka thanë se Shqipnia asht vendi i parë europian që ai ka në plan të vizitojë në shtator, me qëllim që me nderue të gjithë Ata që vuajtën nën komunizëm.
■Programi i shpallun per viziten… Botue në gazeten “Dielli” me 31 Korrik 2014:
Është përmbyllur programi i plotë i vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri më 21 shtator 2014 në të gjitha detajet e tij. Koordinatori i përgjithshëm i vizitës së Papës, Doktor Albert Nikolla, ka lexuar sot programin dhe logon e vizitës në një konferencë shtypi në katedralin e “Shën Palit” në Tiranë.
Më 21 shtator 2014, ditë e dielë, Papa do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 9.00 ku do të pritet me një ceremoni të veçantë nga Kryeministri shqiptar Edi Rama.
Në orën 9:30, Papa do të mirëpritet nga Presidenti i Republikës.
Në orën 10:00 do të takohet me autoritetet në sallën e pritjes së Presidencës dhe do të ketë një fjalim të Atit të Shenjtë.
Në orën 11:00 do të kremtohet një meshë në sheshin “Shën Tereza”, shoqëruan nga fjala e Papa Françeskut në fund të saj.
Në orën 13:30, Papa do të takohet në një drekë me Ipeshkvinë shqiptare dhe shpurën papnore.
Në orën 16:00, Papa do të takohet me krerët e komuniteteve të tjera dhe komuniteteve të krishtera në Universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” e aty do të mbajë një fjalim.
Në orën 17:00 do të ketë një kremtim të lutjes mbrëmësore në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm.
Në orën 18:30 do të ketë një takim me fëmijët e qendrës “Betania” dhe një përfaqësi të qendrave bamirëse të kishës katolike në Shqipëri.
Në orën 19:45, Papa do të largohet me një ceremoni nga aeroporti “Nënë Tereza”.
***
■Çka pritet nga ky program?! Hartuesit e tij a i pergjegjen qellimit të vizitës?!
E tham me bindje të plotë se jo!
Në program mungon “vizita e qendres së Gjenocidit komunist në Europë” ku, u ushtrue në mënyren ma barbara Gjenocidi komunist kundrejt Klerit Katolik Shqiptar, i mungon SHKODRA MARTIRE e masakrueme nga viti 1944 – 1991…
“Besa, Bujaria dhe Burrnia” janë të daltueme në Gurët e Kështjellës Rozafat!
Atje asht edhe “Burgu i Kishës së Fretenve”… Ma i tmershmi n’ Europen komuniste, ku, krimet dhe torturat ishin ma mizoret… Kleri i sotëm a e di këte?!..
Po lumi Kir e Drinaz ku, barbarët e Shek. XX, tretën Trupat e Bekuem të Vorrezava të Kishës Katedrale, të Jezuitëve, Kishës së Zojës tek Kalaja, Kishës së Fretenve dhe disa mija kufoma të vramish e të dhunuemish nder Male e burgjet komuniste… ku janë?!
Vizitës i mungon Bekimi i Vorrezave të Martirëve t’ Atdheut dhe të Fesë…nder zallishta e prroje pa asnjë Kryq tek koka… I mungon ndezja e një qirit pranë Pendës së Kirit, dhe ajo e palejueshmja, i mungon Bekimi i një “Monumenti” të dishruem tash sa kohë!..
***
Në Tiranë Papa Françesku, do të takojë disa nga persekutorët dhe shumë trashigimtarë e atyne që kanë krye Gjenocid kunder Popullsisë dhe Klerit Katolik Shqiptar, pikrisht, vrasësit ma barbar t’ Europës, dhe jo, të persekutuemit nga Gjenocidi.
Mbas 70 vjetësh masakra dhe shfarosje, Vorrezat e Martirëve të Atdheut dhe të Fesë Katolike presin Bekimin e Papës… Presin Shejtnimin e të gjithë të zhdukunve nga lufta e pamëshirshme antikatolike dhe antishqiptare… dhe jo, perjashtimin e Atyne që nuk kanë kursye as jeten, as vepren per “Fé e Atdhé”! Presin Shejtnimin nga Papa, të gjithë Ata Klerikë Katolik Shqiptar e Atdhetarë, që nuk u perkulën nga tortura dhe masakrat kur U asht kerkue “shkëputja nga Papa dhe Vatikani”, po dhane jeten e Tyne tue thirrë: “Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Papa, Rrnoftë Feja Katolike, Rrnoftë Shqipnia!”

Melbourne, Gusht 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Papa francesku, SHEJTNIA E TIJ, VJEN NË TIRANË

KU HUMBI REVISTA “MËSUESI” ?

August 6, 2014 by dgreca

Nga Kadri Tarelli/
U bë kohë që në dorën e mësuesit e më pak të lexuesit shqiptar, nuk duket gjëkundi gazeta apo revista “Mësuesi”. Më pëlqen ta quaj gazeta “Mësuesi”, pasi u mësuam me të për rreth 60 vjet me radhë. Vallë ç`ka ngjarë, që humbi ky zë i shtypit tonë, sepse për disa dekada, aty janw pasqyruar përpjekjet dhe mundimet e jashtzakonshme të punonjësve të arsimit, për mësimin dhe edukimin e brezave. Kjo fletore e mësuesisë dhe diturisë, ka shpalosur e pasuruar ndër vite mendimin teorik e praktik të pedagogjisë Shqiptare, pa kursyer këtu edhe shpirtin idealist të atyre mijëra mësuesve që shërbyen si “Misionarë të dijes” në të katër anët e vendit. Me keqardhje e shtrova pyetjen: Ç`ka ngjarë? Pasi më duket e pabesueshme, që drejtuesit e rinj në Ministrinë e Arsimit e hoqën nga lista e detyrave dhe punëve që i përkasin këtij sektori kaq të rëndësishëm e delikat të shtetit, për të thënë më shumë, të kombit. Pyetja mund të përsëritet shpesh, pasi askush nuk di shkaqet pse heshti, për të mos shtuar, pse dhe kush e mbylli zërin e mësuesit, si një gjë të tepërt e të pa dobishme.
Para pesë-gjashtë vitesh gazeta, dilte një herë në javë. U bënë përpjekje të mira për ta përmirësuar si paraqitje e më së shumti si përmbajtje, duke i paraprirë kërkesave në rritje të lexuesit mësues, njëkohësisht në ndihmë të zhvillimit të arsimit dhe shkollës shqiptare. Nuk vazhdoi gjatë. U ndëruan drejtuesit ndëruan edhe huqet. Kështu, sa hap e mbyll sytë, dolën me një ide të re: Nga gazetë e shndëruan në revistë, që do të botohej një herë në muaj. Sa për të bindur veten dhe të tjerët, u kërkuan edhe disa opinione mbi dobinë e kësaj pune. Pavarësisht mosdashjes dhe sorollatjeve burokratike, revista doli. Cilësia e letrës dhe e paraqitjes ishte mbi atë që mund të kërkohet dhe pretendohet. Me hapsirën kohore të një muaji, revista e humbi rolin operativ dhe lajmin e shpejtë. Megjithatë pavarësisht vërrejtjeve, revista ishte, si i thonë fjalës, “gjysma e të mirës”. Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave kishin një dritare ku mund të shprehnin mendimet, njëkohësisht mes kolegësh të mund të shkëmbenin përvojë në veprimtarinë praktike të zgjidhjeve të problemeve të shumta që ka shkolla. Kjo punë, në mos gaboj, vazhdoi deri në muajin shtator – tetor të vitit të shkuar 2013. Që nga ajo kohë revista humbi “pa nam e nishan”, me një fjalë pushoi së qëni pjesë e shtypit profesional të mësuesve.
Kur ndodhin ngjarje të tilla të papritura e të pajustifikuara, që lenë gjurmë e pasoja, hapet gryka e thesit të hamendjeve. Pyetjes “Pse”, i shtohen edhe shumë të tjera, ku mund të veçohen dy të tilla:
Më e para që vjen në mendje është: Ç`të keqe ka shkolla dhe arsimi ynë nga gazeta, apo revista “Mësuesi”? Të thuash se është e padobishme, s`besoj se ka mendje mësuesi e drejtuesi që e pranon një gjë të tillë. Të thuash se ka shumë shpenzime dhe nuk mund të përballohet, edhe kjo nuk ze vend as tek mësuesi më i ri, madje as edhe te mësuesi më indiferent. Le ta gjykojmë me një llogjikë të thjeshtë ekonomike. Në të gjithë sistemin arsimor punojnë më shumë se 40.000 mësues, (po përdor shifra të rrumbullakosura, hollësitë le t`i mbeten statistikave). Kështu, sikur gjysma, në rastin më të keq çereku i tyre ta blenë apo të abonohen, del që Revista “Mësuesi” të ketë tirazhin më të madh në titujt e mediave të shkruara. Shifër të tillë do ta kishte lakmi çdo botues dhe pronar gazete. Vetiu detyrohesh të kthehesh në kohë e ta shtysh më tej mendimin, sepse është i njohur fakti se edhe në çastet më të vështira që ka kaluar vendi në këtë çerek shekulli demokraci, gazeta ka dalë e ka shkuar në çdo shkollë e mësues. Atëherë mbeten në buzë pyetjet që s`kanë fund. Dikush mund të shtyjë fjalën e të thotë se, kjo gazetë nuk ka lajme. Unë me aq sa njohje kam për arsimin dhe shtypin e shkruar, përfshi këtu edhe gazetën “Mësuesi”, nuk ndaj të njëtin mendim. Nëqoftëse bëhet fjalë për lajmet jo të mira, ato le t`i mbeten “monopol” shtypit të ditës, që mezi pret të ndodhë diçka jo e këndshme e ta publikojnë me gërma të mëdha në faqe të parë. Sa për gazetën “Mësuesi”, lajmi ka tjetër natyrë dhe mision. A nuk përbën lajm edhe një foto e një shkolle në skajet e largëta të vendit? Po portreti i një mësuesi, nxënësit e të cilit janë fitues të olimpiadave, konkurseve shkencore, letrare, muzikore, pikture apo sportive. A nuk ankohemi se nuk ka botime për mësuesinë, kur në fakt ka plot të tilla dhe mësuesit nuk e marrin vesh, pasi s`ka kush t`i bëjë njohje e publicistikë, sepse autorët nuk ka mundësi e fuqi. A nuk janë lajme veprimtaritë që kryhen nga nxënësit, si brenda dhe jashtë shkollës, shpesh herë për t`u admiruar për nga organizimi, bukuria dhe vlerat edukative. Janë pikërisht këto lloj lajmesh, që shërbejnë si modele dhe nxitje për përmirësim nga kolegët mësues e drejtues shkollash. Po të vazhdohet më tej, fjala e shkruar nuk gjen fund, ashtu si e gjithë jeta dhe veprimtaria nëpër shkollat tona. Duke gjykuar kështu, dalim në përfundimin se, duke mbyllur gazetën “Mësuesi”, nuk fitojmë asgj. Përkundrazi!
Pyetja e dytë që pason të parën, është: Çfarë humbasim? Më duket e tepërt kjo pyetje, mjafton të bisedojmë me mësuesit e rinj. Vallë ku do ta aftësojnë veten për t`u bërë vërtet mësues të mirë, kur nuk ballafaqohen me përvojën e kolegëve të tyre në shkolla të tjera, të cilët nuk përtojnë dhe me vetëdije qytetare marrin mundimin të hedhin në shtyp, atë çka ndjejnë e bëjnë në dobi të nxënësit dhe shkollës. Po pse vallë, vetëm të rinjtë kanë nevojë të kualifikohen e të shkëmbejnë përvojë? Po të thinjurit ku do të ushqehen me të rejat e pedagogjisë bashkëkohore? Vërtet arsimi në koncept është i njëjtë kudo, duke përfshirë edhe kërkesat. Edhe problemet e ngjarjet mund të jenë të përafërta, por zgjidhjet dallojnë shumë nga njëra-tjetra. Pikërisht këtu qendron dhe dobia e gazetës dhe shkrimeve që ajo pasqyron. Ka zëra që përshpërisin se për arsimin shkruajnë edhe gazeta të tjera. Po është e vërtetë. Shkruajnë veç për njoftime të dikasterit të Ministrisë, edhe ndonjë shkrim që ka shigjeta goditwse. Po jetën e shkollës, klasës, metodat, disiplinën, detyrën dhe demokracinë, marrëdhëniet e ndërsjellta me nxënësit, prindërit, bashkësinë e qytetit dhe të fshatit, ku do ta gjejë mësuesi, kur dihet se çfarë pëlqejnë e publikojnë gazetarët dhe gazetat, të cilat çdo shkrim e mbështesin mbi parimin e tregut dhe parasë. Nuk më vjen mirë ta them, po s`më rrihet pa përmendur një histori gazmore që e tregoi një kolegu ynë drejtue shkolle: “S`marrim vesh se ç`bëhet, sepse na mungon Revista jonë “Mësuesi”. Njiheshim me çka bëjnë të tjerët dhe krahasonim veten tone, ku jemi. Po unë e kam gjetur një zgjidhje. Meqw dal herët nga shtëpia, e kam porositur vjehrrin, (edhe ai ka qënë mësues dhe tani është në pension), që të dëgjojë çdo mëngjez leximin e shtypit të ditës. Të mbajë shënim gazetën që ka shkrime për arsimin. Kështu lexoj diçka sa për të thënë. Natyrisht ne nuk mund të rrinim pa qeshur me këtë zgjidhje origjinale shqiptare.
Për titullarët dhe drejtuesit e arsimit, ca më shumë për mësuesit, s`ka nevojë për shumë shembuj që të binden se çfarë humbasim. Mjafton të vlerësojmë atë çka mbetur e shkruar nëpër vite, që përbën pjesën më të plotë të historisë së arsimit dhe pedagogjisë Shqiptare. Një pasuri e madhe, me të mirat dhe mangësitë e kohës. Mbase ka vështirësi, por cilado qofshin ato, nuk e përligjin heshtjen dhe aq më tepër mosveprimin.
Dikush mund të shprehet: Pse kaq vonë po ngrihet e rrihet ky problem? Pwr gjwrat qw duhen nuk është vonë, megjithse u prit gjatë. Me sa jam në dije, një kërkesë për gazetën “Mësuesi”, është shtruar para disa muajsh nga Shoqata kombëtare e arsimtarëve shqiptar, në mos gaboj në Mars të këtij viti 2014, por përgjigjes i`u pre gjuha dhe gazeta nuk e pa dritën e diellit. Ndoshta pritet shtatori i vitit të ri mësimor. Them ndoshta, duke u kujtuar drejtuesve të Ministrisë së Arsimit, atë thënien e mençur të popullit: “Kasollen e vjetër mos e prish, nëse s`je i zoti të bësh tjetër më të mirë”.

Kadri Tarelli
Durrës

Filed Under: Opinion Tagged With: Kadri Tarelli, KU HUMBI, REVISTA “MËSUESI” ?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 729
  • 730
  • 731
  • 732
  • 733
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT