• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POROSI E PROF. ARSHI PIPËS…

February 20, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/

Ne Foto:20 Shkurt 1991… Rrëzohet shtatoria e diktatorit në Tiranë…/

 Nga Fritz RADOVANI/

Shumë pak Shtete të vogla si Shqipnia kanë nxjerrë Personalitete të Mëdha sa né!

Mund të jetë kenë muej korrik ose gusht i vitit 1990, kur e kam degjue në radio “Zëri i Amerikës” tue porositë Popullin Shqiptar, pra plot 24 vjet maparë Prof. Arshi Pipa tha: “Pa u hjekë nga Sheshi Skënderbe shtatoria e diktatorit Enver Hoxha, kurrë Populli Shqiptar nuk mund të vendosin demokracinë…” E degjova, po mu duk e pamujtun! Prof. Petro Fundo shpesh persëriste mbas vitit 1985: “Diktator si ay, vazhdojnë per të sunduar edhe persëvdekuri.” Edhe këte kur e kishe degjue më dukej e pamujtun!

Me thanë të vertetën, mbas muejt janar 1990, kur u pat ba protesta e heshtun në Shkoder per heqjen e bustit Stalinit, dhe revolta e Burrave të Malësisë në korrik, me arkivolin e Djalit të rij Pllumb Pllumbaj, para komitetit partisë me thirrjet “poshtë Ramiz Alia!”, “Poshtë Nexhmije kurva!” etj… thirrje plot duf e urrejtje per vrasësit diktatorë, na dukej vetja se jemi tue jetue “dikund”…por, gënjejmë me dashtë me percaktue se ku?

Data 11 Nandor 1990 në Rrëmaji, vazhdonte me na u dukë një “anderr”… Edhe pse Don Simon Jubani, i këputi njëherë e pergjithmonë prangat e robnisë komuniste.

Na dukej një “vegim” ardhja e Tij nga burgu i shfarosjes së Burrelit, dhe ecja e Tij Burrnore drejtë Fitores per Ringjalljen e Fesë, kur shpresat tona ishin vyshkë…

Kush mund të besonte se pasuesi i diktatorit Enver Hoxha, anadollaku Ramiz Alia, strukej si qen i zgjebosun nga frika e një Don Simon Jubani, që e kishte mbajtë të pranguem mbi 26 vjet nder birucat e akullta e të pashpresë me pa me sy Lirinë?!

Popullit Shqiptar i kishte ikë frika, Ai po shihte Driten e Lirisë së dishrueme!

U zgjuen studentët…U zgjue Kavaja…U zgjue Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shqipnisë…Shkodra edhe njëherë bastjon i Demokracisë…13 Dhjetori 1990 shembi perjetsisht diktaturen ma barbare që kanë kalue Shkodranët e Rozafes Heroike…Ata të parët e shkrryen perdhé surratin e pasardhësit të sulltan Mehmetit II, që zbatoi porosinë se: “Nuk duhet të mbesin i gjallë asnjë Shkodranë!” A ju kujtohet çka ngjau mbi bust?

Edhe pse këto ngjarje sollën Demokracinë në Shqipni…Po mundohen me u “harrue” dhe me kenë e mujtun me u “fshi” nga Historia e Lavdishme Shqiptare.

E nuk zgjati…U zgjuen minatorët e Valiasit…U zgjuen puntorët e fshatarët e të gjitha krahinave të Shqipnisë… E ky ishte fundi i diktaturës komuniste edhe në Shqipni!

E fundi i diktaturës komuniste kerkonte shpagimin nga vetë diktatori…

20 Shkurti 1991, ishte dhe mbetet në Historinë e Popullit Shqiptar “Dita e Fitores” mbi rrenojat 47 vjeçare të komunizmit gjakatarë e shperftyrues, Dita e Fitores mbi diktaturen komuniste që sundoi në Shqipninë Martire të Gjergj Kastriotit!

Asht Dita e Fitores kur as armët e diktatorëve nuk mujtën me ndalue hovin dhe guximin e minatorëve të Valiasit, që e terhoqen zvarrë bishen e ngordhun e të qelbun per të gjatë të Kryeqytetit të fundit…që shembi komunizmin, Tiranës Heroike.

Ndoshta, them ndoshta, se shpesh kujtoj humnerat neper të cilat kemi kalue tash 70 vjet, e në fund çoj mendjen tek të Parët tanë që më thonin: “Ju jeni të rijë e me siguri, një ditë keni me pa Ditët e Lirisë!..” Ishte Besimi i Tyne i vendosun tek permbysja e asaj ideologjije shkatrruese marksiste – leniniste që kishte plandosë miljona njerëz në Botë!

Po edhe né u plakem…dhe po ua trashigojmë disa kujtime Brezave ma të rij, mbasi me kohen po fshihen shumë fakte e ngjarje nga Historia e Shqipnisë.

***

Një Mik i nderuem nga ShBA, (VD, të cilit i mora leje per publikim), më shkruen:

          “Jeta e Shqiptarve nuk vlen aqsa jeta e Jahudijve! Pse? Asnji Jahudi nuk e levdon Hitlerin? Gjysa e Shqiptarëve (e ndoshta ma shumë) vazhdon edhe sot me e levdue dhe me e vajtue “shokun” Enver. Sikurse Enver Hoxha, do t’u konsideronte nji agjent serbo-rus, (ashtu si ishte) i vumë në pushtet per me shkatrrue elementin Etnik Shqiptar në Ballkan, atëherë, ndoshta, të gjithë Shqiptarët do ta urrejshin. Pra, duhet të identifikohet “figura” e Enverit me ata të Rankoviçit e Stalinit, me Çausheskun e Rumanisë, per me krijue në gjeneratat e reja urrejtjen që meriton. Gjeneratat e vjetra janë pertej mundësisë së shpetimit. Nuk e kuptojnë endè se të gjithë Shqiptarët janë persekutue prej Enverit. Pushkatimet dhe dënimet që janë ba prej tij, kishin per qellim me i shtij friken në palcin e çdo Shqiptari. Kooperativat e bunkerat kishin per qellim me e vorfnue gjithë popullin. Shkollat kishin per qellim me e mashtrue popullin që në fëmini. Interrnimi nder kampe ishte nji institucion skllavizimi që furnizonte krahë pune per me ushqye dhe me pasunue Bllokun e Tiranës dhe kryesisht familjen e Enverit. Fushat e Tepelenës e Lushnjës, Myzeqeja dhe minjerat e qymyrit, kromit dhe bakrit janë shfrytzue me skllavët që janë plakë në kampe pune per me i sherbye Enverit falas, por zyrtarisht, gjoja pse ishin “anmiqë të popullit”. Familja e Enverit asht pasune aq sa Shqipnia ka kenë e vorfën, pse Enveri, ka shitë edhe gjakun e Popullit Shqiptar.

          Duhet të përmblidhen statistika mbi sa vetë janë vra e pushkatue, sa u burgosën dhe ia shtetizuen shtëpijat e pasuninë e tyne dhe kush e çfrytzoi até, tue fillue nga Blloku i “udhëheqsave”? Sa kjenë interrnue, si dhe ku punojshin, në çfarë konditash dhe sa e çka prodhojshin, sa u paguejshin ata?

          Bota interesohet per fakte të dokumentueme me statistika, me pershkrime të kjarta e të sakta. Edhe pa u hapë dosjet mund të krijohet nji pershkrim i hatashem në kjoftëse çdo kush prej nesh, bahet dishmitar tue dokumentue informatat që ka.

          Jo Shqiptarët, po, edhe mbarë bota do të kerkonin hapjen e dosjeve, po kje se vehet në dritë në formë masive barbarizmi i diktatorit Enver.

          Me respekt, VD…” (Botohet pa asnjë ndryshim prej origjinalit. FR. 2014).

***

E perballë opiumit që po i jepet perditë Popullit Shqiptar, asht e domosdoshme që në çdo shtëpi Shqiptarët sot, duhet të mbajnë një Liber!

E ky Liber asht Libri i “Kujtesës së Historisë”!

Titulli i Librit asht: “TYRANTS” nga NIGEL CAWTHORNE.

Në librin “TIRANËT”, Historitë e 100 Despotëve dhe Diktatorëve, botue në vitin 2004, for Lifetime Distributors Pty Ltd Building G, 2 Hudson Avenue Castle Hill, 2154 Australia, kam gjetë në faqe 172 të shkrueme me shkronja të mëdha: “Enver Hoxha”.

Aty autori i Nderuem, ka paraqitë të vërtetën e pashkrueme deri tashti për Shqipninë dhe Shqiptarët. Bota e njeh E. Hoxhen, po Shqiptarët, vazhdojnë gjumin…

          Melbourne, 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Porosia e Arshi pipes

“Edi Rama hiq duart nga xhepat e mi”!

February 19, 2014 by dgreca

Berisha: 20 Shkurt, protesta më e madhe e historisë!/

Ish-kryeministri Sali Berisha me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka bërë përsëri thirrje për pjesëmarrje nën protestën e ditën së nesërme, që siç e ka quajtur ai vetë do të jetë protesta më e madhe e historisë!Berisha shprehet se të gjithë duhet të dalin nesër dhe të protestojnë në Tiranë nën moton “Edi Rama hiq duart nga xhepat e mi”!

“Protestojmë për dinjitetin tonë dhe kundër mashtrimeve të Edvin Kristaq Ramës. Për rritjen e rrogave, pensioneve dhe kundër ngrirjes së tyre trevjeçare, kundër rritjes së taksave dhe heqjes së shpërblimit të fundvitit nga Edi Rama.Protestojmë për punësimin, për legalizimet dhe shëndetësinë falas dhe kundër shkatërrimit të vendeve të punës dhe kundër tritolit në shtëpitë tuaja nga qeveria Rama – Meta. Për uljen me 20% të çmimit të ushqimeve dhe energjise elektrike dhe kunder fatures afrofe. Për lëvizjen e lirë të furgonave dhe kundër monopoleve të qeveritarëve në transportin e pasagjerëve. Për ligjin, transprencën dhe kundër qeveritarëve kleptokrat. Për rendin, qetësinë, sigurinë tonë, kundër tritolit, maskave dhe kundër gjobave dhe trafiqeve të qeverisë”, shkruan Berisha.

Në fund ish-kryeministri e cilëson protestën e ditës së nesërme si protestën e djemve, vajzave, burrave dhe grave që do shkruajnë nesër me guximin e tyre një faqe të re në historinë e demokracisë sonë!

Postimi i plotë

Nesër nën moton “Edi Rama hiq duart nga xhepat e mi” protesta më e madhe e historisë!Të dashur miq, nesër të gjithë protestojmë në Tiranë nën moton “Edi Rama hiq duart nga xhepat e mi”!

Protestojmë për dinjitetin tonë dhe kundër mashtrimeve të Edvin Kristaq Ramës.

Për rritjen e rrogave, pensioneve dhe kundër ngrirjes së tyre trevjeçare, kundër rritjes së taksave dhe heqjes së shpërblimit të fundvitit nga Edi Rama.

Protestojmë për punësimin, për legalizimet dhe shëndetësinë falas dhe kundër shkatërrimit të vendeve të punës dhe kundër tritolit në shtëpitë tuaja nga qeveria Rama – Meta.

Për uljen me 20% të çmimit të ushqimeve dhe energjise elektrike dhe kunder fatures afrofe.

Për lëvizjen e lirë të furgonave dhe kundër monopoleve të qeveritarëve në transportin e pasagjerëve.

Për ligjin, transprencën dhe kundër qeveritarëve kleptokrat.Për rendin, qetësinë, sigurinë tonë, kundër tritolit, maskave dhe kundër gjobave dhe trafiqeve të qeverisë.

Protesta e 20 shkurtit është protesta e djemve, vajzave, burrave dhe grave që do shkruajnë nesër me guximin e tyre një faqe të re në historinë e demokracisë sonë! Sb

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Berisha, Edi Rama, hiq duart, nga xhepat e mi

Nuk vendoset qerrja para kalit

February 19, 2014 by dgreca

Në përgjigje të replikë së zotit Alban Daci/

Nga Eshref Ymeri/

Pas botimit në internet më 16 shkurt 2014 të shkrimit tim me titull:”Të gjitha këngët i thamë,Por më të mirën e lamë,”

në të cilën bëhej fjalë për intervistën e zotit Alban Daci për formimin e Forumit Demokristian Shqiptar, të botuar në internet më 15 shkurt 2014, vjen reagimi i tij me titull:“Replikë në lidhje me shkrimin e Eshref Ymeri me titull “Ribashkimi i trojeve shqiptare! 17-02-2014- (Nëntë pyetje dhe nëntë përgjigje)”  Në replikën me mua, zoti Alban Daci deklaron për veten e vet:

“…unë jam pjesë e Lëvizjes Federaliste Europiane, e cila kërkonte e kërkon të krijoi një federatë europiane që do të kishte për qëllim të krijonte Shtetet e Bashkuara të Europës. Ajo që kam shkruar unë se edhe nëse nuk do të ekzistonte Bashkimi Europian, do të kishim krijuar një të ngjashëm. Kjo është një ndër filozofitë e Lëvizjes Federliste Europiane dhe nuk e kam shpikur unë”.

Me këtë deklaratë, zoti Alban Daci e ka sqaruar bukur mirë se cili qenka qëllimi i krijimit të Frontit Demokristian Shqiptar. Ndërkohë unë mendoj se Fronti Demokristian Shqiptar, në programin e vet, duhej të kishte si detyrë parësore organizimin e mbarë Diasporës Shqiptare që ajo të bëhet pjesë e pandarë e problemeve të brendshme që ka kombi shqiptar brenda trojeve etnike. Dhe si detyrë parësore, për mendimin tim, duhej të ishte pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e Diasporës në proceset zgjedhore që zhvillohen në mbarë trojet tona etnike. Në këtë mënyrë, Diaspora e organizuar do të ndiqte shembullin e Zvicrës, në zgjedhjet parlamentare të së cilës marrin pjesë edhe rreth 700 mijë votues të Diaporës Zvicerane pëmes votimit elektronik. Kësisoj, Diaspora Shqiptare do të ushtronte ndikimin e vet të drejtpërdrejtë edhe në jetën politike në mbarë trojet tona etnike.

Së dyti, unë përsëri këmbëngul se pa bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët, çdo pjesëmarrje në lëvizjen federaliste evropiane është në dëm të interesave tona mbarëkombëtare. Sepse, me trojet shqiptare të ndarë pikë e pesë, Evropa Federaliste do të sillet si agai me shërbëtorin.

Nga faqet e shtypit është bërë i njohur ky informacion:

“Hungaria është kundërpërgjigjur ndaj penalizimeve të bëra nga Bashkimi Europian. Kryeministri i këtij vendi Viktor Orban akuzoi BE-në se po përpiqet të kolonizojë vendin. Gjatë një takimi me mbështetës të tij Orban deklaroi në Budapest se vendi nuk kishte ndër mend të jetonte në bazë të urdhrave dhe dëshirave që ka Brukseli” (Citohet sipas: “Orbani i përgjigjet BE: Hungaria nuk është koloni”. Gazeta “Start”. 16 mars 2012).

Kur Brukseli e trajton si koloni një shtet me autoritet, si Hungaria, merret me mend se si do të sillet ai me Shqipërinë Londineze dhe me Kosovën në Evropën Federaliste.

Prandaj, të merresh me lëvizje federaliste evropiane pa zgjidhur çështjen kombëtare – shkrirjen e trojeve tona etnike në një shtet të bashkuar – do të thotë të veprosh si puna e atij që gjë në shtëpi nuk ka dhe kërkon të japë sadaka, ose të vendosësh qerren para kalit.

Në artikullin tim unë nuk përdorja asnjë fjalë fyese në adresë të zotit Alban Daci, për të cilin shprehja respekt për formimin e tij si intelektual. Kurse ai, në replikën e vet, ka përdorur një sërë fjalësh dhe shprehjesh fyese në adresën time. Unë po rezervohem këtë herë të përdor fjalë fyese në adresë të tij. Ai është i ri dhe në turrin e vërtikshëm që ka marrë drejt federalizmit evropian dhe krijimit të Shteteve të Bashkuara të Evropës, të kujton dhëndrin e ri, të cilit nuk i dilet përpara.

Ftoj lexuesit e nderuar të shprehen se kush ka të drejtë.

Santa Barbara, Kaliforni

18 shkurt 2014

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Alban Daci, EshrefmYmeri, Replike

Nuk durohet më!

February 18, 2014 by dgreca

Ç’po ndodh kështu? Si feja ashtu dhe partitë në vend që t’i afrojnë njerëzit, po i përçajnë deri në fund./

Opinion nga Faik KRASNIQI/ 

Asnjë fe nuk e ka kryer rolin e sajë në shenjtërimin e njerëzve. Asnjë popull nuk ka krijuar një edukatë të mirëfilltë.  Asnjë shtet ne qeverisjen e tij nuk ka realizuar drejtësinë e mirëqenien e plotë midis njerëzve.Asnjë politikë botërore nuk ka harmonizuar dijen me shkencën, edukatën me edukimin, zhvillimin me mirëqenien e njerëzve.

Kur ke në dorë gazetat e shumta me lloj-lloj maskarallëku të shkruara në të, kur dëgjon polemikat e lloj-lloj ‘’analisti’’ në emisione, kur dëgjon debate deri në grushte në kafene midis njerëzve të papunë, kur dëgjon debatet në parlament , kur ballafaqohesh me kontrastet e jetës sociale të jetës njerëzore e shumë e shumë të tjera, nuk gjen më motive për jetën dhe të zë turpi pse jam unë njeri dhe aq më tepër pse më ka falë Zoti mend më shumë se disa…..

E logjika e njeriut të urtë e të mençur të çon atje larg shumë larg se kjo botë mizore e ndërtuar nga këta njerëz duhet ndryshuar, nuk durohet më tutje.

Pra duhet gjetur njerëzit që i kërkonte Diogjeni, me qiri në dorë në mes të qytetit dhe në mes të ditës.

Çdo njeri duhet të gjykojë dhe të arsyetojë se çdo fenomen që shohim është një mesazh për të. Të gjitha fetë kanë misionin e tyre që t’i japin njeriut hapësirë shpirtërore, tolerancë njerëzorë, t’i zbusin e t’i afrojnë njërin me tjetrin, të shtojnë dashurinë dhe respektin reciprok midis tyre. Partitë përfaqësojnë e përkrahin shtresat e tyre. Atë e realizojnë nëpërmjet propagandës e programeve të tyre.

Ç’po ndodh sot me fetë e partitë?

Si feja ashtu dhe partitë në vend që t’i afrojnë njerëzit, po i përçajnë deri në fund. Në vend që të krijojnë mirëqenie për të gjithë, po krijojnë ekstreme varfërie e pasurie.

Në vend që të krijojnë kulturë njerëzore të komunikimit, po kultivojnë dhe edukojnë një dialog anti-njerëzorë.

Në vend që tek tjetri te kërkosh të gjesh pozitiven, kërkohet vetëm të zbulosh negative dhe atë ta errësosh deri në maksimum. Në vend që njerëzimi të jetojë një jetë të qetë, të sigurt, e të lumtur, po jeton trazira,pasiguri, terror e papunësi. Në vend që njerëzit të përqafojnë shkencën e punën, artin e kulturën,miqësi e argëtim, po përjetojnë strese, grindje,urrejtje,vrasje, varfëri e mjerim të tejskajshëm.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, nuk durohet me

A kemi nevojë për një filozofi të drejtë politike?

February 17, 2014 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Nëse do t’i referohemi një kënge të këngëtarit italian Çelentano mbi situatën sot që nuk është e mirë, do ta kuptojmë që tashmë të gjitha fushat kanë adoptuar sistemin e krizave, me dashje ose padashje. Pra pak filozofi politike e bën edhe një këngëtar që me këngët e tij ka tjetër mision. Politika është shndërruar në një gangrenë që po ia merr frymën gjithë shoqërisë. A mund të çlirohen fushat e tjera nga politika? Është një pyetje që nuk është e vështirë t’i japësh një përgjigje të plotë, duke e analizuar se politika tashmë është në një krizë filozofike mbijetese. Kjo kuptohet sepse me të u detyruan të lidhen shumë aspekte të jetës që jo detyrimisht duhet të jenë të varura prej saj. Ky është edhe gabimi ose gracka në të cilën mendjet djallëzore e futën të gjithë rrjedhën e shoqërisë, duke krijuar bindjen se pa politikën nuk mund të bëhet asgjë. Pra jemi përsëri në të njëjtat nivele si dikur me Princin, ku gjithçka varej prej tij, ai ishte gjykatësi dhe zbatuesi i ligjit. Nëse i referohemi përcaktimit të filozofisë politike do të thoshim se është studimi i veprimtarive të lidhura me gjithçka që ka të bëjë me punët e shtetit që e thënë më shkoqur me të gjitha aspektet e shtetit në një shoqëri. Këtu del qartë këndvështrimi i një politike dominuese mbi gjithçka, por që Aristoteli e sheh politikën si një tërësi mjetesh që lejojnë të arrihen efektet e dëshiruara. Gjendemi në një kontradiktë midis mendimit të filozofit të lashtësisë dhe aktualitetit politik sot ku politika është larg misionit të saj të përcaktuar nga Aristoteli. Duhet pranuar se vetë filozofia politike ka hyrë në një rreth vicioz që e ka të vështirë yë dalë dhe kjo i jep dorë mendimit të hedhur tashmë në tregun e dijeve se filozofia nuk jeton më, nuk ka se çfarë të bëjë më. E thënë kështu nuk mbetet gjë tjetër që ta ekzekutojmë përfundimisht shkencën dhe disiplinës që teorikisht duhet t’i japë paraprakisht zgjidhje mendimit të politikës. Studiuesja italiane Mikol Bruni në një artikull të saj qëndron tek koncepti i filozofisë politike dhe së pari me shumë të drejtë niset nga koncepti i krizës, si shkakëtari kryesor i kësaj situate.

Në një vend ku dominon koncepti i krizës së politikës – shkruan studiuesja Bruni – sistemi i politikës kthehet saktësisht në një dobësi. Por duhet ta pranojmë se kriza e politikës i detyrohet boshllëkut të një poltike që nuk arsyeton më.  Shkaqet janë të shumta: ekonomike, antropologjike dhe breznore. Në çdo kontekst ka patur periudha që e kanë shtruar këtë problem. Nuk besoj se kriza e poltikës i detyrohet vetë politikës, sesa magësisë filozofike të një politike të menduar jo vetëm përmes arsyetimeve, por si shthurrje të rendit të identitetit.

A hyn politika në identitetin kombëtar? Po politika shqiptare sot si do të përcaktohej në këtë zallamahi postkomuniste? Unë mendoj se nuk duhet të tregohemi kaq të gjerë saqë politikën ta futim në identitet, të paktën shqiptare, sepse karakteri konfliktual i saj në gjithë këto vite, do ta shihte si karakteristikë kryesore e të vetë shqiptarëve, pra do të na duhej ta pranonim se është në natyrën e shqiptarëve, për më tepër e pandryshueshme përderisa do ta quanim pjesë e identitetit të tij. Më duket absurde një ide e tillë, por një politikë e mirë kombëtare me synim përparimin e të gjithëve, me plot gojë do ta quanim identitet. Por edhe vetë bota nuk mund të krehohet me një politikë që sado të ndryshojnë kohët, mbetet në të njëjtat pozita. Largimi i politikës nga filozofia ka sjellë këto pasoja që politika nuk e meriton të quhet identiteti ynë kombëtar. Megjithatë Bruni mendon se politika është shprehje e një identiteti të një kombi, por edhe shprehje e një klase drejtuese. Është politika e krijon një komb me karakteristikat e veta të sakta të identitetit. Klasa drejtuese politike i ka të gjitha meritat dhe dështimet mbi shpatullat e veta dhe këtu jemi plotësisht dakord. Nëse klasa e sotme politike shqiptare krijoi njeriun apo steriotipin e njeriut që kemi sot, atëherë duhet të pranojmë se në epoka të ndryshme kemi identitete të ndryshme dhe kjo nuk do të ishte e drejtë. Identiteti politik do të ishte një etiketë që do të ndryshonte sapo shoqëria të riniste një rrugë të re dhe në këtë pikë identiteti politik e humbte karakterin e tij të pandryshueshëm kombëtar, duke mohuar vetë metafizikën e historisë. Tashmë Europa po flet nëj gjuhë, atë që me shumë bujë po e quan demokracia e modelit perëndimor në të gjitha vendet. Me të drejtë studjuesja Bruni thekson se me rënien e ideologjive apo me kapërcimin e kufijve të ideologjive në një vizion kryesisht ekonomik, munguan disa premisat filozofike. Binomi filozofi-politikë është i pandashëm. Kjo konstatohet si në shtetet demokratike dhe ato autoritare. Perëndimi i ideologjive nuk solli një revolucion konservator, as një konfromizëm të llojit socialist modern, aq më pak një liberalizëm ku tregjet mund të kontrolloheshin. U vërtetua një kolaps i vërtetë mes politikës dhe ekonomisë. Duhej ta prisnim. Epokat udhëtojnë në valët e lëkundjeve të financave. Rilindja ishte paralajmëruar nga Makiaveli që na shpjegon se me Princin hyjmë në një epokë që jo vetëm dikton zërat e modernitetit, por vendos një raport të ri mes pohimit të proceseve ekonomike që duhen drejtuar nga politika. Nga Makiaveli e këtej politika nuk është më e njëjta. Kapërcehet qendërzimi i konceptit të personit dhe vendoset një lidhje mes subjektit politik dhe politikës si mjet qeverisës. Një politikë që e ka humbur mendimin filozofik, sepse ka marrë përparësi ekonomia e politikës dhe Makiaveli gjen një stehë në një qoshe të historisë.

Në një artikull më rastin e 500 vjetorit të Princit theksova se ideja e Makiavelit u keqinterpretua qëllimisht, duke e larguar nga vizioni i vërtetë – në këtë pikë jemi të dy besnikë me Brunin ndaj ideve të Makiavelit – që mund të përmblidhet kështu: objektiva, mjetet, arritja e tyre. Nëse rimarrim konceptin e mësipërm për identitete të ndryshme në epoka të ndryshme, atëherë do të ishim shumë dakord me Alexis de Tocqueville që thoshte se çdo brez që formohet në gjirin e vet, është si një popull i ri. A e kemi vërtet ne shqiptarët këtë popull të ri? Nëse po, a është në lartësinë e detyrave të veta? Është gati të marrë përsipër barrën e rëndë të historisë që sipas interpretimeve të të dy kampeve të dikurshëm nuk e kryen në njërën anë? Realiteti shqiptar për fat të keq na e mohon këtë detyrë madhore të popullit të ri, me identitet të ri politik kombëtar,  të mbrujtur me parimin e lirisë së vërtetë, me virtytet më të larta të demokracisë, të respektit dhe bashkëjetesës në të njëjtën hapësirë që është po ajo, shqiptare, por në kohë të ndryshme. Politika e ka formësuar tashmë karakterin e vet dhe me këtë natyrë po përpiqet të imponohet edhe tek populli. Nuk ka alternativa të qarta të zhvillimit dhe progresit për të gjithë, pra të një filozofie të drejtë politike, ekonomike dhe shoqërore. Klasës politike i duhen njerëz me vizione të qarta filozofike që të bëjnë zgjedhjen e duhur në kohën e duhur. Shpërbërja e ndërgjegjes është faktori kryesor i prishjes së ekuilibrave të mësipërm filozofikë së pari e më pas politikë, qytetarë e kombëtarë nëse duam t’i shkojmë deri në fund. Po e mbyll me mendimin e Brunit kur thotë se në demokracitë perëndimore politika duhet të jetë garante e raportit mes strukturës së institucioneve dhe ekonomive të reja të zhvillimit.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjan Th Kallco, filozofia e drejte politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 763
  • 764
  • 765
  • 766
  • 767
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT