• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ç’KUPTIM KISHIN ZGJEDHJET VENDORE NË KOSOVË!

January 17, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe jepet ky shpjegim për votën:1. E drejta e secilit për të shfaqur mendimin në kohën e zgjedhjeve ose kur vendoset një çështje bashkërisht në një organizatë politike, shtetërore a shoqërore; shprehja e mendimit a e vullnetit nga secili për të zgjedhur dikë në një organ etj. ose për të vendosur për një çështje; mendimi që shpreh dikush në raste të tilla dhe fleta a diçka tjetër që përdoret për këtë qëllim. Votë vendimore (deliberative). Votë këshillimore (konsultative). E drejta e votës. Me shumicë votash. Jap votën për dikë a për diçka e pranoj a e përkrah, e miratoj. Numëruan votat. 2. Votim. Votë e lirë (e fshehtë, e përgjithshme). Mekanizmi i votës. Vë (hedh) në votë; e tjerë.

Ky nocion që shpjegon filozofinë e votës zakonisht gjen shprehje në shoqëritë me demokraci të zhvilluar, ku secili qytetar me drejtë vote  gjithmonë sundon vullnetin e tij ekskluzive sa i përket votës, pavarësisht se cilit individ a partie politike ia dedikon atë. Ajo votë gjithmonë mbetet ose konceptohet si deliberative, e pavarur, humane, emancipuese, autonome dhe, në instancë të fundit, edhe e paprekshme. Ajo në vete përfshin edhe filozofinë e mesazhit që përcjell, ajo ka për detyrë të “shpërblejë dhe të nderojë”, por në raste të veçanta, madje-madje ashtu papritur, “di dhe të të ndëshkojë pamëshirshëm edhe  të të turpërojë dhe të të dëshpërojë keqas”. Shprehja e mendimit të lirë gjegjësisht e votës nuk duron arrogancë, nuk pëlqen makiavelizëm, qoftë të jetë individual a kolektiv, ajo nuk lejon që të jetë pjesë a “hisedare” e keqqeverisjes vendore a qendrore, ajo nuk lejon që të jetë pjesë e korrupsionit, premtimeve fëmijërore dhe të zbrazëta të politikanëve me moral të dyfishtë…, ajo në asnjë mënyrë nuk lejon a nuk dëshiron të skandalizohet, të kontrabandohet e të keqpërdoret. Ajo nuk lejon çfarëdo qoftë ndërhyrje të brendshme a të jashtme, ajo nuk lejon që pranë saj të ketë çfarëdo sekserësh, sejmenësh a edhe “tyxharë dhe kumarxhinj politikë provincialë, të veshur me kostum të zi dhe çorape të bardha”!?

Në kuadër të zgjedhjeve të paradokohshme vendore që u organizuan në Kosovë (që nga “mëvetësimi” i asaj vote), padyshim se u karakterizuan me një psikologji dhe filozofi të  re dhe gjithsesi më të avancuar të votës deliberative, u ndërtua a edhe u hetua  një mentalitet krejt tjetërfare në kontekst të humanizimit dhe emancipimit të saj, dhe njëkohësisht u ndërtuan fillet e para të rrënimit të asaj “kështjellës” së votës së vjedhur…, të blerë, të kontrabanduar duke i thënë njëherë e përgjithmonë stop nepotizmit dhe shpërdorimit të standardeve dhe kritereve të saj. Dhe kur u përjashtuan të gjitha këto abuzime, atëherë këto zgjedhje vendore fituan të drejtën që të karakterizohen si zgjedhje sa demokratike (të lira, të drejtpërdrejta dhe të fshehta) e “rebeluese”, po aq edhe ndëshkuese. Në historikun e zgjedhjeve vendore, po edhe parlamentare, të Kosovës, për herë të parë vota deliberative e qytetarit kosovar kishte guximin politik që ta ndëshkojë keq e më keq qeverisjen dhe keqmenaxhimin e institucioneve nga ana e teknokratëve, burokratëve dhe të atyre që mendojnë se institucionet politike na qenkan pronë e gjyshërve të tyre me opinga!? Pos gjithë kësaj që u tha më lart, nuk e ka vështirë sot gjithsecili të parashtrojë pyetjen, ç’imazh dhe ç’kuptim kishin zgjedhjet në fjalë, ç’porosi ata përcollën dhe kujt ia dedikuan? Tekefundit, nuk është me rëndësi se kush fitoi dhe si fitoi, kush ishte humbës dhe pse humbi, me rëndësi është fryma e re kundrejt një politikëbërjeje të moderuar, të hapur, të çiltër, parimore, të urtë, largpamëse, të drejtë, paqësore dhe të pavarur, përkundër asaj fryme politike grabitqare, politikës së grushtit të hekurt, politikës së kulaçit e kërbaçit prej lëkure…, politikës që mbijeton “herë me të mirë e me premtime të bukura, herë me kërcënime, me shtrëngim e me dhunë”… dhe herë më herë me kallashë të “ndryshkur”, të blerë dikur moti me lekët e popullit!?

Nëse vota e çdo qytetari në Kosovë dikur “frenohej” të reflektonte mungesën e ndryshimit të filozofisë së mbrapshtë, ajo këtë mot në ikje e sipër u detyrua të rebelohet për të ndëshkuar politikanët e fjetur! Kjo votë (vendore) e qytetarit kosovar, padyshim se është produkt i një mendësie të re evropiane, një votë që ka takatin të vlerësojë, po njëkohësisht edhe di të ndëshkojë “teknokracinë, burokracinë politike, agallëkun, recidivistët e rrezikshëm si dhe njerëzit që kanë rënë në rehati”! Këto zgjedhje vendore që u organizuan në Kosovë, u karakterizuan edhe me ca emra me tipare dhe veçori dalluese që kryekëput dallohen nga disa politikanë aktualë, në veçanti ata që i takojnë krahut të luftës. Ky ndëshkim më së miri u vërejt në kryeqendrën e Kosovës respektivisht në lëkurën e Isa Mustafës, i cili u mposht nga ana e Shpend Ahmetit, kandidatit që paraprakisht kishte përfunduar studimet master për politikë publike në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse pastaj gjatë viteve 2002-2004 të specializonte në fushë të zhvillimit politik dhe ekonomik. S’duhet harruar se po i njëjti i ka kryer studimet universitare në Fakultetin e Ekonomisë dhe Administrim-Biznesit në Universitetin Amerikan në Bullgari gjatë viteve 1996-2000. (Së fundi, mund të thuash se Shpend Ahmeti nuk “është produkt autokton” i VETËVENDOSJE-s, ai vjen nga partia e dikurshme politike “FRYMA e RE” dhe, rrjedhimisht, e folmja e tij politike, kryekëput dallon nga ajo e Albin Kurtit,  sidomos në aspekt të “nacionalizmit dhe filozofisë së tij izolacioniste”! (Mero Baze).

Fitorja e Shpend Ahmetit nuk ishte vetëm një ngadhënjim, ajo ishte edhe një goditje e fortë për keqqeverisjen së Isa Mustafës, si dhe një leksion për stafin e tij se si duhet bërë “detyrat (politike) shtëpiake në Prishtinë dhe gjetiu në hapësirat e vetadministrimit vendor, politik, ekonomik, social, kulturor e tjerë”!?  Fitorja e LDK-së në nivel shtetëror u zbeh me humbjen e Prishtinës, një humbje që mbase kërkon a i duhet një shpjegim, po edhe një analizë më e detajuar politike. Një të tillë shpjegim kërkon edhe disfata e thellë e AAK-së, në veçanti e lidershipit të saj, Ramush Haradinajt, mungesa (e gjatë) e të cilit në skenën politike gjithsesi u vërejt “ashiqare”! Se kush duhet të largohet nga kjo parti, është një pyetje hipotetike. Një gjë është e vërtetë, në kryeminderin e kësaj partie politike nuk ka vend për dy taborë, o do shkojë Ramushi, o do ikë stafi i tij i përgjumur. Sipas logjikës formale, udhë tjetër s’ka.

Edhe ish-kryebashkiaku i Mitrovicës u mposht nga Agim Bahtiri, përndryshe biznesmen kërpudhash. Fitorja e tij është pjellë e një filozofie evropiane, po edhe e retorikës së tij…, ajo fitore ishte edhe një “sikterisje” a një shpullë imazhit të sajuar, krekosjes dhe arrogancës së padurueshme të komandantëve të dalë nga lufta.

Mimoza Kusari-Lila (e magjistruar për administrim biznesi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që gjatë asaj kohe vijoi studimet në Institutin Ekonomik në Universitetin e Kolorados dhe në Universitetin e Duquesne në Pittsburg, ku përfundoi magjistraturën në e-biznes) kishte diç më tepër, respektivisht kjo fitore e saj tronditi themelet e kalasë së shovinizmit mashkullor në Kosovë dhe gjetiu. Për listën Srpska-Daçiq nuk do llafos gjë, sepse prej dhjetë komunave, i fitoi bindshëm nëntë.

Koalicionet mes partive politike nuk mund të thuash se ishin kryekëput parimore, ato ishin pjellë e një makiavelizmi të moderuar ballkanik dhe, t’i shtosh diç më tepër këtij fenomeni, kjo do të thotë ta “prishësh këtë muhabet paszgjedhor”. Pavarësisht nga “rezultatet” e dala të (pa)pritshme nga këto gara, mbetet të themi se këto zgjedhje vendore duhet të jenë përfundimisht një test për ato parlamentare, pa marrë parasysh se do jenë ndëshkuese ose ndryshuese…, edhe pse këto dy nocione janë me kuptime diametralisht të kundërta.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ckuptim, Fadil Lushi, kishin, zgjedhjet e Kosoves

MOS HESHT!

January 17, 2014 by dgreca

Faik KRASNIQI/Prishtine/

Kisha shumë gjëra për të thënë, por në këtë moment është heshtja që mbizotëron, heshtje e çuditshme, një heshtje që bërtet me gjithë shpirt.

Shpesh herë kam heshtur, ndoshta për mos të lënduar, ndoshta për mos t’u grindur, ndoshta s’e kam thënë me veten nuk ja vlen. Por, duke ruajtur heshtjen me ambientin jashtë vetes, hapa luftën brenda vetes. Mijëra zëra mendimesh rebeloheshin dhe bërtisnin. “Ti duhej të flisje të na lije deshifrimin, në komunikim, sepse në trurin tënd ne lindëm, tani zgjidh dhe merr, sepse ne nuk do të heshtim deri sa ti të reagosh dhe të na lirosh nga heshtja jote”. Kështu, nga ajo mori, zhurmë që nuk heshtë në trurin tim, mësova të mos heshtë…

Heshtja vetëm heshtë, tjetri nuk mund të kuptojë heshtjen tënde, formën dhe mesazhin e saj. Ndaj heshtja heshtë, nuk flet, dhe si rrjedhojë nuk mund të thuash që heshtja ka kuptim. Për mua nuk ka…

Heshtja mbi të gjitha është një ndrydhje e shpirtit brenda një trupi të ligështuar. Në disa raste shfrytëzim i një lirie mendimi të brendshëm në masa të kufizuara.

Dëshira për t’i mbijetuar ndërgjegjes së thellë në saje së cilës vetëm shpirti mund t’i përshkojë hallet, problemet e një monotonie të vazhdueshme, si rrjedhim i këshillojnë vetëdijes të qëndrojë brenda këtij kufiri të limituar. Një favor relativ që i bëjmë koshiencës sonë duke mos pasur guxim të përballemi me gjendjen e jashtme reale (pra heshtja), duhet pasur kujdes sepse në epërsi e sipër ai zhvillohet dhe kthehet në një makth – një makth i cili e çon njeriun në ndrydhje të plotë ku çdo gjë që i rrethon e bën atë skllavin e errësirës së thellë!

Nga brendia më pëshpëriti diç, heshtja nuk është zgjidhje, vetëm tejkalim i problemeve pa zgjidhje!

Të heshtur do të jemi vetëm atëherë kur të vdesim. Sa të jesh njeri i gjallë, në lëvizje, në kontakt me shoqëri e gjithçka tjetër që na rrethon, nuk kemi pse heshtim! Ne duhet të flasim në kohën e duhur dhe të mbrojmë interesat tona nëpër mes fjalës. Nuk jam dhe shumë dakord me thënien ‘’heshtja është flori’’, sepse në këto kohë që po jetojmë duhet të jesh shumë dinamik e më potencial. Aty ku është e drejta të flasësh nuk ke pse hesht jo.

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, Mos hesht, Prishtime

HIPOKRIZIA ULËRITËSE SERBE

January 14, 2014 by dgreca

Reference: Dy vaki dhe nje barcolete…/

Nga Fadil LUSHI/

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për nocionin Hipokrizi e jep këtë shpjegim: Ves i njeriut të keq që hiqet sikur është i mirë, i virtytshëm e i dashur me qëllim që të gënjejë të tjerët; qëndrim me dy faqe, sjellja e njeriut që nuk është i çiltër me të tjerët, që nuk zbulon fytyrën e vërtetë dhe që shtiret, të qenët hipokrit; fjalë, sjellje a diçka tjetër e rreme, që nuk i përgjigjet së vërtetës dhe që synon të mashtrojë të tjerët. Sillej me hipokrizi etj.

Para se ta vazhdoj këtë shkrim, do t’u referohem dy “vakive” si dhe një barsolete. Miqtë e mi me plotë gojë dhe me të drejtë do parashtrojnë pyetjen se ç’lidhje kanë këto “vaki dhe kjo barsoletë” me titullin e këtij shkrimi në veçanti me fjalën hipokrizi! Unë besoj se përgjigjja do të shfaqet më poshtë.

VAKIA 1

Mbaj mend kur dikur shkonim, unë dhe miqtë mi,  në Selanik për të bërë pazare me tregtarët grekë. Meqenëse nuk e njihnim atë gjuhën e tyre, ne ia krisnim e flisnim maqedonisht duke menduar kinse kjo gjuhë (maqedonishtja) ishte më e avancuar se ajo jona, gjegjësisht gjuha standarde shqipe.

VAKIA 2

Disa ditë më parë ca senatorë amerikanë hodhën idenë për të nominuar me Çmimin Nobel për Paqe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi,  dhe atë të Serbisë, Ivica Daçiç, si dhe baroneshën Ketrin Eshton (përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian që po ndërmjetëson bisedimet në nivel të kryeministrave të lartpërmendur). Pasi ky lajm mori “havanë”, në Kosovë dhe Serbi shkaktoi a ngjalli reagime nga më të ndryshmet…, disa e përshëndetën këtë, ca e “miratuan pjesërisht”, ca të tjerë që merren me analiza politike e kundërshtuan duke e konceptuar si një “shaka të trashë, pa kripë, shaka me zarar dhe së fundi si një shaka me thepa”!? Kundërshtarët politikë të kryeministrit të Kosovës me plotë gojën thanë se “ky çmim për paqe” Hashim Thaçit ndoshta do t’ia vazhdonte qeverisjen edhe për katër vjet, ose tërësisht do ta shpëtonte këtë qeveri nga korrupsioni dhe krimi i organizuar? Ca të tjerë thanë se Thaçi nuk e meriton këtë çmim nga fakti se gjatë bisedimeve të deritanishme (falë qëndrimit të butë të baroneshës Eshton) i kishte bërë lëshime të mëdha palës serbe (Si duket, serbët më pak humbën në luftë dhe më shumë fituan në paqe). Këto bisedime joparimore në vazhdimësi “shkelnin mbi rregullat a protokollin, duke e detyruar z. Thaçi të heqë dorë nga qëndrimi i tij parimor dhe i prerë… rreth organizimit territorial të Republikës së Kosovës së pasluftës”!?

Se a ka a s’ka hipokrizi në këto dy “vaki”, për ne ka pak rëndësi. Me rëndësi është pyetja se pse shqiptarët gjithandej ndihen inferior në raport me popujt e tjerë, pse shqiptarët duhet të karakterizohen me kompleksin e inferioritetit kolektiv (sidomos ata që jetojnë jashtë kufijve administrativë të shtetit amë), për ne me rëndësi është fakti se në ç’rrethana u ndërtua ky inferioritet yni, a mos vallë u krijua në rrethana tashmë të njohura, në rrethana të pabarazisë ekonomike, asaj sociale, kulturore, politike, arsimore e tjerë, rrethana rënduese (për ne) historikisht të njohura, pothuaj edhe të panjohura…, a mos vallë shqiptarët edhe më tej duhet të ndihen të nënvlerësuar, a mos vallë duhet ta vlerësojmë dikë a diçka më shumë sesa është në të vërtetë, a mos vallë edhe në të ardhmen kur “do të shkojmë në Selanik do të detyrohemi ta flasim gjuhën e shtetit biblik”, apo do të veprojmë ndryshe. Unë nuk e kam ndërmend që ta pllakos punën e deritanishme të Hashim Thaçit, po as ta kontestoj personalitetin e kryeministrit…, përkundrazi do të parashtroj pyetjen se pse atij nuk duhet t’i jepet Çmimi Nobel. Nëse këtë do ta kundërshtojmë, atëherë vetvetiu do ta vërtetojmë po edhe do ta ushqejmë atë teorinë që shkencërisht e shpjegon nocionin e kompleksit të inferioritetit a vartësisë te shqiptarët.

BARSOLETA

“Dikur moti, e kishin pyetur një fshatar serb nga Shumadija se çka dëshiron më së shumti në jetë, kurse ai kishte thënë – t’i ngordhë lopa fqinjit- komshiut! Po ti çka fiton me këtë, e kishin pyetur fshatarin? Ndërkaq ai ishte përgjigjur se asgjë nuk fiton vetë, por ama, fqinji humb!”

Para ca javësh, në prag të festës së Krishtlindjeve ortodokse, ministri serb, Aleksandar Vulin, kishte parapëlqyer ta vizitojë Gjakovën (me leje të zyrtarit të Zyrës Evropiane në Prishtinë, sllovenit Samuel Zhbogar. Mirëpo kjo vizitë “qe anuluar” me një vendim të nënshkruar nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, z. Bajram Rexhepi, si dhe me kujtesën dhe fjalët të vëna në rabush nga ana nënave gjakovare). Që kur “u fut” në territorin e Kosovës u vu re se në krahët e tij kishte dy strajca. Njëra ishte e mbushur me hipokrizi ulëritëse, me histori të ngatërruar, me ndjenjën e superioritetit-epërsisë intelektuale, ndërkaq e dyta ishte e mbushur me kompleksin e inferioritetit kulturor, me racizmin, me urrejtjen, me shovinizëm, megalomani, me atë kompleksin tejet të zhvilluar e të qenit katundar.., me filozofinë politike arkaike, krahinore dhe shoviniste…, me “ato  sikletet dhe bezditë” e tij ndaj të vërtetës se Kosovën njëherë e përgjithmonë e ka të humbur. Ky farë politikani kishte menduar se do të shkojë në Gjakovë të hajë përshesh me kalamajtë…, por ja që nuk i dolën hesapet.

Kjo barsoletë ma rikujton atë përshkrimin që jepet për Ali Pashë Tepelenën – “koka në Stamboll, trupi në Janinë”. Ky përcaktim kushedi sa herë është lakuar, interpretuar, analizuar e shpjeguar nga ana gjuhëtarëve, sociologëve, psikologëve dhe mbase edhe nga politikanët dhe kundërshtarët e pashait famëmadh. Ndoshta këtij shkrimi në veçanti Vulinit, i shkon thënia “trupi në Serbi, bishti në Moskë e mendja në Kosovë”!? Ata që e njohin teorinë e psikanalizës së Zigmund Frojdit mund të thonë se kompleksi i inferioritetit dhe ai i superioritetit nuk kanë ilaç.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, Hipokrizia uleritese, Serbe

PËR PRIZRENIN, RAMËN, THAÇIN, PAKICAT NË KOSOVË E SERBI DHE INTEGRIMET SHQIPTARE NË BE

January 14, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Qeveria Rama i dha shumë rëndësi takimit të Prizrenit, i cili u bë gjatë fundjavës, pra jo gjatë ditëve të punës, më tepër si një takim informal – larg ngjyrimit zyrtar. Megjithatë përshkohej nga rregulli dhe disiplina shtetërore, orari i nisjes, përfshirja. Autobuzi jo me ngjyrë të purpurt, por në okrën e preferuar të Van Gogh-ut, priste përpara dyerve të kryeministrisë, ku i fundit hypi Endri Fuga, i cili në distance ngjante me një Harry Potter. Televizionet treguan live kur autobusi u nis e pastaj u ndal në semafor. Ndofta aty Rama është krenuar përpara vartësve se si qeveria e tij i respekton rregullat e qarkullimit rrugor. Nuk dihet nëse gjatë udhëtimit për në Prizren e ka marrë në gojë për të mirë pararendësin e tij, por kjo pak rëndësi ka.
Edi Rama është në fillim të mandatit të tij,ende i krekosur prej premtimeve – Hashim Thaçi në fund të dy mandateve të tij i konsumuar prej mosmbajtjes së premtimeve dhe sidomos i gërryer si udhëheqës i palës shqiptare në bashkëbisedimet Kosovë-Serbi, sepse ndërsa Kosova plotëson kushtet ndaj pakicës serbe, pakica shqiptare në Serbi nuk gëzon as të drejtat elementare të njeriut. Thaçi po ashtu është i gërryer edhe nga brenda partisë, pas largimit të Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit. Papunësia në Kosovë kalon 60% dhe Kosova është i vetmi vend në Ballkan që diskriminohet dhe ka mbetur i papërfshirë në liberalizimin e vizave, ndërsa pakicat që jetojnë këtu përfitojnë nga marrëveshja Shengen, sepse gëzojnë dyshtetësinë. Pra Hashim Thaçi e ka të pamundur të fitojë një mandat të tretë.
Sa për Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin këtu gjendja e shqiptarëve është e dëshpëruar. Ka dy vjet që premtohet se do të ndërtojnë një maternitet pasi grave shqiptare u duhet të udhëtojnë 200 kilometra rrugë për të lindur dhe premtimet kanë mbetur në hava.
Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të funksionojë në bazë të reciprocitetit bilateral, ashtu si funksionojnë të tilla marrëveshje në të gjithë Europën dhe rajonin. Kosova plotëson kushtet ndaj pakicës serbe, dhe Serbia duhet të plotësojë kushtet ndaj pakicës shqiptare. Por ndërsa Kosova dhe Serbia kujdesen për pakicën serbe në Kosovë, për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk kujdeset as Serbia, as Kosova, as Shqipëria dhe askush.
Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc kërkojnë punësim, shkolla, maternitet, zhvillim si dhe përfshirje në politikë, në mënyrë të tillë që zëri i tyre të dëgjohet përmes përfaqësimit në Beograd. Ashtu si dëgjohet edhe zëri i pakicës serbe në Parlamentin e Kosovës.
Por politika shqiptare këndej dhe andej kufirit ka synime të tjera. Megjithëse Rama në fjalimin e tij në Prizren përsëriti disa here si gjetje filozofike fjalën “përbashkim”, duke evokuar hymnin e flamurit, kjo gjë duket pa sens, sepse shqiptarët rezultojnë të jenë më të varfërit e rajonit, më të paintegruarit e rajonit dhe më të mbeturit në mëshirë të fatit e rajonit.
Edhe 100 mijë Eurot që Rama dhe Thaçi i dhuruan Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishin një fyerje. Berisha kur ishte kryeministër i dhuroi 400 mirë Euro pakicës serbe në Graçanicë! Prandaj ishte i drejtë reagimi i shoqatës Medvegja në Zvicër, e cila ka vendosur pas kësaj që t’iu dhurojë 200 mijë Euro qeverive përkatëse të Tiranës e Prishtinës, shtetarët e të cilës bëjnë jetë komode dhe me prosperitet, ndërsa qytetarët jetojnë në varfëri e mjerim.
Të të ketë lindur Zoti nën qiellin e Europës dhe të mbetesh i ekskomunikuar prej Europës si po ndodh me shqiptarët, këtu qendron drama. Nëse sot Shqipëria do të ishte e integruar në BE ajo do të kishte një zë tjetër, nëse nuk është e integruar në BE, ky hendikep i adresohet klasës politike, sepse nuk ka plotësuar as detyrimin minimalist ndaj popullit.
Takimi i Prizrenit s’ka asgjë të keqe, mirë që e bënë, por në fund të fundit shqiptarët e bëjnë për çdo ditë rrugën Kosovë-Shqipëri e anasjelltas, vinë e shkojnë,shkojnë e vinë e takohen midis tyre. Atë që duhet të bëjë Rama dhe Thaçi e të gjithë liderët shqiptarë, është të përmbushin detyrimin që kanë ndaj qytetarëve të tyre, të krijojnë kushte zhvillimi, të fuqizojnë shtetin e së drejtës dhe tregun e lirë për një jetese normale, duke i integruar në BE.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, pakicat, Prizreni, Rama, Thaci

10 Keshilla nga “Sovrani”!

January 14, 2014 by dgreca

Nevrus P. Nazarko/

Fraza e mesiperme nuk eshte iluzion optik, e kam shkruar i vetedijshem per efektin paksa “euforik” qe krijon perdorimi i fjales sovran. Deshira per t’u shprehur si i tille teksa perpiqem te formuloj disa keshilla per qeverine e re me erdhi nga tre burime:

Se pari, gjate gjithe fushates elektorale te gjitha partite konkurrente i drejtoheshin popullit si “sovran” dhe rendom degjoje shprehje te tilla si: “e di sovrani”, “vendos sovrani” “i bindemi sovranit” dhe une si pjese e atij grupimi statistikor-gjeografik po marr kurajon ta quaj veten te tille anipse nje pjese e tij.

Se dyti, pas zgjedhjeve, kryeministri i ri ka deklaruar me se njehere se: “Pushteti eshte i popullit (nenkupto sovranin) ne kemi detyrat..” pra perseri sovrani e prej ketej detyrat.

Se treti, dhe me kryesorja, ne fjalor dy nga sinonimet e shumta te fjales sovran jane “indipendent” dhe “autonom” dhe une pasi kam 23 vjet qe jetoj larg Shqiperise e ndjej veten mjaft te pavarur dhe pa perfituar ndonje gje nga atje, po te mos llogaris 2 shishe me raki rrushi qe marr gjate pelegrinazhit tim vjetor ne Shqiperi me nje kosto prej rreth 2500 dollaresh secila..

Atehere, pa u zgjatur me tej, ja disa keshilla e kerkesa per qeveritaret e rinj si me poshte:

1-Filloni qeverisni

Tani qe periudha e “mjaltit” dhe e nervozizmit qe natyrshem shoqeron ardhjen ne pushtet, a mund te filloni te qeverisni? Dhe me kete nenkuptohet te filloni te zbatoni dalengadale programin e partise suaj te prezantuar para zgjedhjeve. Mundesisht mos e perdorni me ate legjenden e 1 milion shuplakave, pasi as vete nuk e besoni. Ato “1 milion” shuplaka po t’ju heqesh LSI-ne dhe ca pazare te tjera, si dhe mosmbajtjen e premtimeve per punesim te rreth 300,000 votuesve socialiste do te katandiset kokoshi ne thele. Une si sovran (apo perfaqesues i tij) e kuptoj se do t’ju duhet pak pune ne kete drejtim per dy arsye: a- Duhet te bashkerendoni me LSI-ne dhe kjo nuk eshte aq e lehte, dhe b-Duhet te gjeni programin me 1000 e ca faqe qe trumbetuat gjate fushates (po pra ate dosjen e Shkelqim Canit ne kongresin elektoral te PS-se) gje qe me sjell natyrshem ne keshillen e dyte:

2-Mos Kopjoni “Temë-n”

Ne se vëren me kujdes ngjarjet dhe aksionet e qeverise tuaj keto 4 muaj, veren nje ngjashmeri te frikshme me linjen editoriale te gazetes ‘Tema”. Kjo linje ka disa vite qe predikon se cfare do te ndodhe me persona dhe objekte te qeverisjes se Sali Berishes: Shembuj ka plot, qe nga  prishja e pallatit te “vjehhrit te Bashes”, tek baltosja dhe predikimi i arrestimit te kryetarit te bashkise Kamez, z. Mziu, paditja e ish-ministrit Imami, arrestimet e femijeve te Berishes lojerat e fatit etj. Te gjitha keto jane ezauruar per 4 vitet e fundit nga gazeta ne fjale, gje e cila te ben te dyshosh se kush kopjoi cilin, ishte PS qe kushtezonte editorialistet e Temes apo kjo e fundit qe ju eshte imponuar qeveritarreve te rinj? Ne se keni objeksione se programi i juaj nuk eshte ai i “Temes”, ju lutem publikojeni ne faqen zyrtare te PS-se t’i jepni fund hamendesimeve.

3-Tregoni Borxhin Real ndaj Biznesit

Tani qe u qetesuat pak dhe e shikoni se si funksionon shteti, sidomos pas mbledhjes me homologet tuaj ne Prizren dhe pas udhetimit me autobus ne rrugen e Kombit, eshte vendi te qartesoni publikun se cili eshte borxhi i vertete i biznesit. Ne fillim shifrat luhateshin nga 400-700 milione dollare dhe pas auditimit te “Deloitte” kjo shume zbriti ne 240 milione dollare. Njoftimi i fundit i ministrise se transportit (nepermjet ministrit Haxhinasto)me te drejte kerkon verifikimin e punimeve te kryera nga bizneset para se te filloje pagimi i borxhit!? Kjo nga njera ane eshte per t’u pershendetur pasi nenkupton nje proces serioz dhe normal dhe se dyti do te coje ne limite me te uleta kete borxh fantazme qe menyra se si u paraqit na la te kuptonim se ishte Armagedoni qe do te fundoste vendin. Mos harroni se kater vjet ikin shpejt dhe pasardhesit tuaj qe sipas gjasave do te vijne ne pushtet me ca “shpullare” (ate qe gjuajne me shpulle) te tjere do bejne krahasime ndaj mpreheni lapsin…Ne nje ekonomi me buxhet rreth 5 miliarde dollare, te kesh pagesa te palikuiduara per pune te pambaruara ne fund te vitit rreth 200 milione nuk eshte ndonje blasfemi, sidoqofte….

4- Boll me Histori me Police dhe Lojera Fati

Tani qe fiaskoja me shterrethime te lojrave te fatit dhe me 6000 police te angazhuar ne kete raprezalje eshte ne pasqyren e prapme eshte ne nderin tuaj te pastroni shpirtin dhe te pranoni qe u nxituat. Themi i nxituat pasi fakti eshte qe pothuaj te gjitha keto biznese jane rikthyer ne normalitet me te vetmin ndryshim se ndoshta ndryshuan “xhepat” ku derdhej fitimi. Ne qeverisjen tjeter, nje kurs normal per te pastruar kete gangrene do te ishte nxjerrja e kuadrit lifjor qe i paraprinte veprimit administrativ. Nje tjeter rruge e arsyeshme do te ishte nje njoftim publik i ministrive respektive (financave, ekonomise etj) ku u lihej nje afat kohor prej nje muaji ketyre bizneseve te rakordonim me ligjin. Kjo do te sillte efekte me pozitive se mesymja e bluve dhe rripat e verdhe. Per ta mbyllur, meqe jemi per transparence, sa kushtoi ai aksioni tre ditor i bluve? Jo per gje, por pas 4 vjetesh mund te kemi padi per shkelje te ligjit dhe abuzime me parate e taksapaguesve per kete aksion.

5-Më Shtruar me Tatimet dhe Doganat

Shume eshte folur dhe shkruar per keto institucione, per te qene realiste, qysh ne gjenezen e tyre keto kane pasur probleme dhe jane objekt anekdotash, sidoqofte ne keto muaj kemi amplifikim te ketij fenomeni. Me sakte, kur te qeverisni vertet dhe te rregulloni ca anomalira, mos keshillloni drejtuesit e ketyre insitucioneve te bejne sherr publik me vartesit a ish-vartesit ne faqe gazetash. Mos i lejoni keta drejtues te institucioneve te rendesishme te publikojne ne Facebook-e personale shifra zyrtare dhe evente te institucioneve qe ato drejtojne. Shteti eshte shtet si ne kohen e FB apo ne kohen e papiruseve, pak me shume respekt per informacionin zyrtar.

6- Denoncime dhe Arrestime

Kam ca lajme te mira ne kete nen-teme po mos i permendni me ze te larte. Do jeni ne pushtet per 4 vjet, pra mos u shqetesoni akoma. Megjithese menyra se si po qeversini keto 4 muaj i ka bere edhe me te zjarrtet e “1 milion shuplakave” pak skeptike mbi aftesine tuaj shtetberese, po ju them nje sekret. Opozita e sotme nuk i ka kellqet t’a mbaje pushtetin po e late ju. Them po e leshuat pasi ata nuk jane ne gjendje as ta marrin tani per tani, pa le ta mbajne. Kane njerez te lodhur akoma mes vedi dhe ne instanca me te uleta kane shume paaftesi. Keto s’ua them t’ju rritet mendja, pasi emerimet qe keni bere deri tani me disa perjashtime te vogla duket sikur kane doren e atyre qe sapo iken. Kur te vendosni qe te qeverrisni vertet do te ishte e udhes te zbatonit ligjin si ne rrastin e bashkiakut te Vlores. Pra nje i zgjedhur legjitim i cili nuk perben rrezik arratisjeje mund ta leni procesin te rrjedhe normal neper aortat e sistemit. Le qe ju me kapjen spektakolare te burgosurve te Drenoves treguat se eshte kot te mendoje ndonje kriminel te arratiset, le me nje kryetar bashkie…Ose kur denonconi ndonje ish minister, beheni konferencen e shtypit nga prokuroria se tingellon me korrekte, them tingellon pasi ashiqare duket se nuk eshte aspak e tille. Meqe keni dhe ekonomiste te mire ne stafet tuaja, i koston me shume shtetit nje i arrestuar kot se sa nje i dyshuar ne gjykim te lire. Kjo llogari ne se ju dhembin parate e marra borxh…

7-“Quo Vadis” me Emerimet ne Qeverisje?

Ne kete pike shumekush mendonte se do te ishte e veshtire te konkurronit me pushtetin e Berishes. Shembuj te ministrave pa kualifikimin perkates dhe administratoreve te pa-arsimuar kishte me bollek ne ate administrate. Por edhe ju nuk mbeteni mbrapa ne kete fushe. Eshte i admirueshem entuziazmi dhe opozitarizmi i Erion Braces, por kur ai drejton komisionin e ekonomise ne organin me te larte legjislativ, kjo ve ne pikepyetje disa gjera. Si ka mundesi qe nje gazetar te “vere ne zap” disa ish ministra dhe autoritete ne kete fushe? Apo eshte thjesht per snobizem, per t’ju treguar deputeteve se nuk ka rendesi se cfare miratojne, e rendesishme eshte si dhe kush i zbaton? Shembuj te tille ka pafund ne emerimet e 4 muajve te fundit, si psh ministrja e Mbrojtjes, minstri i Mjedisit, i Shendetesise etj., per te mos permendur drejtoret e institucioneve te rendesishme si doganat dhe tatimet. Ka egzistuar nje thenie ne diktature pak a shume “T’i gjejme punes njeriun dhe jo njeriun punes”, kjo eshte dhe kerkesa ime ne kete pike.

8- Mbajini per Vete Kartolinat e Urimit

Ne vitet e para sapo dolem nga diktatura, si provinciale te pangrëne dhe te panxënë, na falej qe te dokumentonim dhe propogandonim cdo buzeqeshje te te huajve, cdo telegram ngushellimi a urimi, por pas 23 vjeteve, kreyeministri i nje vendi te publikoje gjthe madheshti nje kartoline te zakonshme urimi nga nje president i nje shteti tjeter, kartoline e cila u shkon nja 2-3 milione kontribuesve te tij ne fushaten elektorale, kjo vertet eshte injorance per te mos thene me teper. Shembuj te ketij lloji veshtire se gjen ne boten ku po perpiqemi te integrohemi. Shpresoj qe komisioni i antaresimit ne BE te mos e shohe kete detaj se do na duhen edhe nja 6 vjet te nisim procedurat. P.S. Mbajini kartolinat ne studion tuaj te punes ne se doni, mos na fyeni intelektin me te tilla veprime, ose qe te marr borxh nje kuote nga Erjon Velia: “Mjaft”.

9-Prishni Ndertimet “Pa Leje”

Ky koncepti i ndertimeve pa leje eshte pak i veshtire per t’u pertypur. Si mundet qe nje sipermarres te investoje miliona dollare pa marre parasysh ligjin dhe pa lejet perkatese? Me tej, cili eshte perkufizimi i qarte i nje ndertimi pa leje? A quhet pa leje nje ndertim qe ka te gjitha dokumentat e duhura po eshte zgjeruar 2 pellembe me tej ne sinorin e tjetrit? Apo nje ndertim qe ka marre lejen dhe te gjitha letrat pasi ka paguar 20 perqindeshin ne sekseret bashkiake. A mos duhen te prishen te dy rastet? Mjafton nje ulje me avion ne aerportin Nene Tereza dhe e kupton se gjithe ato ndertime nga Lezha ne Tirane e me tej vetem me leje s’mund te jene. Me cfare lejesh jane gjithe ato ndertime ne Tirane, Durres, Vlore e gjetke kur eshte i pamundur kalimi i ambulaces apo zjarrfikeses. Ne se ato quhen me leje se zyrtare te korruptuar kane mbyllur nje sy dhe vesh kur i kane firmosur, atehere kemi te bejme jo vetem me nje problem perkufizimi dhe teknikaliteti. Te gjitha keto ndertime duhen prishur ne emer te shpetimit te jeteve te njerezve qe do vdesin pa pasur mundesi te marrin ndihmen e nevojshme. Ne se pallatin e Vlores e prishet per arsye estetike, 30 kateshin mbrapa Sky Tower duhet ta prishni per arsye sigurie dhe estetike bashke. Dhe nje pyetje per komisionin e ekonomise, Bracen dhe Canin: Ku i gjetet 5 milione dollare per shpronesimin e pallatit te “vjehrrit te Bashes” dhe ndonja 500 mije per ta prishur kur nuk kishit pare per pensionet dhe rrogat? Kur do fillojne te prishen ca ndertime pa leje qe kane per pronare njerez te lidhur me pushtetin e sotem? Pergjigjen e presim ne qeverisjen e re…

10-Permiresoni Kuadrin Zgjedhor

Me ne fund, edhe pse 3 vjet e ca larg eshte koha te flasim per zgjedhjet e tjera. Tani qe dime si te bejme dhe te blejme zgjedhje demokratikisht, ka ardhur koha per nja dy ndryshime te vogla ne ligjin e zgjedhjeve. Listat e mbyllura dhe te diktuara nga kryetaret e partive duhet te jene nje ngjarje e se kaluares. Fakti qe parlamenti i sotem eshte ne kuotat me te uleta te 100 viteve te fundit e diskretiton kete model qe kemi, pavaresisht nga emri qe ka, si “modeli spanjoll” etj. Po ashtu, duhet nje model qe le jashte ne shumicen e tyre te pashkolluarit, te inkriminuarit dhe te pasuruarit ne menyre te paligjshme.  E veshtire te arrihet kjo, por juve prandaj ju ka veshur populli me Versace dhe ora nga 50 mije dollare (edhe pse keni qene gjysme rrogetarre dhe gjysme opozitare ne keto 20 vjet) qe ta vrisni mendjen.

Po ashtu, do te ishte shume qetesues fakti qe nderrimi aktual i pushtetit pas zgjedhjeve te mos priste 3-4 muaj por te ndodhte ne dy tre jave. Vende shume me te medha se Shqiperia dhe me me shume peshe i bejne kete pa shume mundim. Boll me periudha te zgjatura dhe te kontestuara tranzicioni pushtetesh. Jane shume te kostueshme dhe do t’ju ndihmojne ne veprime me racionale pasi nuk do keni kohe te mendoheni per hakmarrje aq gjate.

Kjo liste modeste, nuk merr parasysh te ezauroje te gjitha deshirat e “sovranit” megjithate eshte nje liste me deshira te sinqerta te cilat do ndihmonin sadopak ne mbarevajtjen e puneve te premtuara dhe nje hap ne kahun e duhur pas kaq viteve tranzicion dhe lufte klasash,… me falni, partish.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 10 keshilla nga sovrani, Nevrus Nazarko

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 768
  • 769
  • 770
  • 771
  • 772
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT