• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Anarkia e pronës është krijuar nga pushtetarët, për të përvetësuar zonat turistike

January 23, 2014 by dgreca

Edhe Legjislacioni ekzistues e rregullon problemin e pronave në zonën e bregdetit shqiptar/

Nga Ledja SALIU/

Raporti prej 26 faqesh i Nils Muižnieks, Komisioner i Komitetit të Ministrave të KE 2013, në analizën e kushteve që duhet të plotësojë Shteti Shqiptar, ndër të tjera, shpreh shqetësimin e thellë për mos ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ (pika 45) si dhe të vendimeve të gjykatave të brendshme dhe të vendimeve administrative. Raporti thekson se mosekzekutimi i vendimeve të gjykatave të brendshme dhe i vendimeve administrative është një problem shumë më i gjerë, që nuk kufizohet vetëm tek çështjet e kompensimit të pronave të shtetëzuara (pika 55). Raporti evidenton dhe zvarritjet e proceseve civile mbi çështjen e pronave. Për mangësitë e thella në sistemin e drejtësisë gazeta “Telegraf”  ka sensibilizuar me kohë. Së fundi, me 07/01/2014, “Telegraf” në shkrimin “A e toleron Strasburgu mungesën e shtetit ligjor dhe korrupsionin në drejtësi?” përmes dokumenteve publikon se Shteti nuk ka ekzekutuar vendimin e GJEDNJ, aplikimi nr. 10508/02, vendim datë 23.10.2007, final me datë 31.03.2008, se Avokatja e Shtetit dhe kryetari i AKKP-së kanë raportuar me shkrim se vendimi GJEDNJ është ekzekutuar, kur në fakt thelbi konstatues (pika 11) dhe ai urdhërues pika nr. 101 i atij vendimi, nuk janë marrë në konsideratë dhe ky Vendim i GJEDNJ nuk është ekzekutuar. Mangësitë ose papërgjegjshmëria në këtë rast kapërcen kufijtë e asaj që mund të quhet gabim pasi ka arritur deri në mohim të shtetit ligjor. Janë edhe shumë vendime të GJEDNJ të pa ekzekutuara. Ndonëse për ato nuk është raportuar se janë ekzekutuar, ato të gjitha duhen ekzekutuar sa më parë, përfshi dhe vendimet e shumta të formës së prerë të gjykatave të vendit akoma të paekzekutuara.

Çfarë thonë ligjet për pronat e zonave turistike të Qarkut Vlorë

Praktikisht legjislacioni ekzistues e rregullon problemin në zonën e Qarkut Vlorë, por moszbatimi ose zbatimi i keq i ligjeve në fuqi, në periudhën 1991-2013, grykësia dhe korrupsioni i pushtetarëve ka qenë më i lartë, duke krijuar amulli të rëndë dhe anarki institucionale. Pronat e ish NB-së, praktikisht, janë përvetësuar nga politikanët, ndonëse nuk ka asnjë ligj që të justifikojë kalimin e tokave të zonave turistike në pronësi të personave të tretë. Nëse verifikohen dokumentacionet në ZRPP të Qarkut Vlorë. zbulohen menjëherë makinacionet e këtij korrupsioni të organizuar nga politikanët dhe pushtetarët e lartë. Nëse do ishin zbatuar ligjet në fuqi, pronat turistike duhet t’u ishin kthyer totalisht subjektit të shpronësuar.
-Konkretisht, për tokat e ish NB-së pika 5 e Nenit 2 të Ligjit 8053/1995 thotë: “Tokat bujqësore që: a. Janë pushtuar ose fituar në mënyrë të paligjshme. b. Kanë qenë në përdorim, por që nga përdoruesit janë bërë kalime pronësie të paligjshme ose çdo lloj veprimi tjetër të pabazuar në ligj. Veprimet për kalimin e pronësisë për rastet e përmendura në pikat “a” dhe “b”, si dhe regjistrimet e këtyre kalimeve janë të pavlefshme.”
-Ligji nr. 57/2012 në Nenin 3 ka përcaktuar qartë se përfitues me kthim fizik nga Ligji nr 57/2012 dhe Neni 2 pika 5 e Ligjit 8053 janë vetëm kategoria e bashkëthemeluesve.
-Ligji 9235/2004 i ndryshuar Neni 6, në pikë 1/b që praktikisht e kthen tek subjekti i shpronësuar token, thotë: “U njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen subjekteve të shpronësuara, sipas kritereve të këtij ligji, edhe pasuritë e paluajtshme, toka me vendndodhje brenda territoreve turistike, sipas Ligjit nr.7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar”.
Këto tre ligje janë shkelur dhe zbatimi i tyre nga ana e Shtetit, praktisht, zgjidh shpejt problemin dhe lehtëson gjykatat nga një mbingarkesë e provokuar nga moszbatimi i ligjeve në fuqi.
Që prona të futet në rrugën e zgjidhjes duhen veprime te shpejta, sepse Qershori 2014 i përcaktuar në vendimin pilot, datë 31 Korrik 2012 prej Gjykatës së Strasburgut është afër.
S’ka turizëm, pa kthim të pronës te i zoti!
Gazeta prestigjioze “NevvYork Times” e renditi  Bregdetin e Shqipërisë së Jugut të katërtin nga 52 vendet më të mira për t’u vizituar nga turistët. Kjo është e vërtetë, por kjo është zona me problematike për faktin se pronat në këtë zonë turistike akoma nuk u janë kthyer pronarit të ligjshëm dhe trojet turistike janë përvetësuar nga klanet e politikanëve nëpërmjet personave të tretë. Kjo gjë pengon zhvillimin e industrisë turistike, prish qetësinë dhe stabilitetin social, kultivon korrupsionin dhe mohon shtetin ligjor. Qeveria po vepron për prishjen e ndërtimeve të paligjshme dhe pavarësisht nga kundërshtimi në Facebook i ish -Kryeministrit Berisha që në një farë mënyre kërkon të justifikohet për gabimet e tij, kjo është gjë e mire, pasi rivendos zbatimin e ligjit, por duhet treguar kujdes që aksioni të mos degradojë në një veprim klientelist, ku subjekti që paguan nuk preket, edhe pse ka pushtuar tokën e tjetrit apo edhe atë që quhet publike apo e shtetit. Ndërtimet pa leje që me konsensus nuk duhet të prishen mendoj se janë vetëm ato, që pronari origjinal i truallit, i ka bërë në tokën e të parëve të tij. Këto ndërtime nuk duhet të legalizohen në mënyrë që në rast të një plani zhvillimi të mëvonshëm dhe shpronësimi apo për nevoja publike, konform ligjeve, shteti paguan vetëm truallin, por jo ndërtimin pa leje. Gazeta “Telegraf” ka trajtuar shume here problematikën e pronës në zonën e bregdetit të jugut Vlorë-Sarandë. Qeveria e re në pikën nr. 14 të Projekt -Programit të saj, e veçon zgjidhjen e problemit të pronave në bregdetin e jugut, zonë ku padrejtësitë dhe korrupsioni me pronat është shumë i dukshëm.

Anarkia e pronës

Si media e lirë, ne përsëri sensibilizojmë për faktin se, Strategjia për Zhvillim dhe Integrim 2012-2020 duhet rishikuar sa më parë, sepse s’ka për ta realizuar misionin, pasi e anashkalon anarkinë e pronës dhe detyrimin e shtetit për zbatimin e Kushtetutës. Si argument citojmë shoqatën “Bregdeti”, që i kanë drejtuar njërit prej drejtuesve të Agjencisë Pronave, disa pyetje publike në një nga mediat e shkruara. Bregdetasit thonë: “Prona tek i zoti përbën themelin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, zbatimin e Nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës, që vazhdon të shkelet”. Në vazhdim ata argumentojnë: “Këtë fakt që e ka deklaruar në shtator 2010 në Kuvendin e Shqipërisë edhe vetë Kryeministri Sali Berisha duke thënë se: Beteja për pronën përcakton sistemin dhe lidhet me fatet e demokracisë dhe zbatimin e kushteve që BE kërkon të zbatohen prej Qeverisë Shqiptare. Edhe deputeti Fatmir Mediu, ka deklaruar në Parlament se prona është grabitur me ligj, por në këto 20 vjet, kush i ka votuar këto ligje?” Më tej bregdetasit deklarojnë: “Nga askush nuk mund të kundërshtohet deklarimi i zotit Rrapo Hajredin Danushi, se nuk ka demokraci pa pronën tek i zoti se pas vitit 1991 kemi pluripartitizëm dhe sistem kleptokracie, se nuk mund të jemi pjesë e NATO-s, e BE-së dhe demokracisë pa kthyer fizikisht pronën tek i zoti. Në kompleksin e tyre Kuvendi ka miratuar ligje anti-pronar, duke filluar nga Neni 8 i ligjit 7501, por edhe nene në ligje të tjera që bien ndesh me të drejtën tonë për pronën e trashëguar. Faji bie mbi politikanët tanë, por edhe mbi përfaqësitë e institucioneve ndërkombëtare që megjithse prej shumë vjetësh kanë monitoruar problemin e denacionalizimit të pronave, duke shpenzuar fondet të mëdha, praktikisht e konstatojnë shkeljen e të drejtës së pronës, por heshtin, duke u bërë kështu mbështetës të korrupsionit. Po ashtu nenet antipronar që shkruhen në aneksin e Ligjit të pronave nr 9235 të vitit 2004, u miratua nën kujdesin e OSBE-së. Ligjet e këqija të miratuara në Parlament dhe zbatimi i keq i tyre ka bërë të mundur banditizmin me pronat në zonat turistike dhe po imponon zgjidhjen e të drejtës së pronës nëpërmjet korrupsionit, ose nëpërmjet vetëgjyqësisë që nënkupton dhe gjakderdhjen. Veprimtaria e Agjencisë dhe e institucioneve të tjera përfshi Prokurorinë, Prefektin, Inspektoratin ose Policinë Ndërtimore konstatojnë shkeljen flagrante të ligjit me qëllim vjedhjen e pronës, por kryejnë veprime shumë të ngadalshme. Jo vetëm në Dukat, por në të gjithë zonën e mbrojtur turistike situata është tensionuar nga veprimtaria antipronar e Agjencisë së Kthimit të Pronave që në fakt vepron për të bllokuar pronarët dhe favorizon shkelësit e ligjeve. Drejtori i AKKP-së, që është një prej institucioneve që ta kthen pronën tënde ose të mban peng shumë vjet pa ta kthyer pronën tënde dhe krijon hapësirë kohe që pronën tënde ta legalizojnë ose ta pushtojnë persona të tjerë, del shpesh në TV dhe gjithmonë përdor termin ish- pronar për ne që jemi pronarët, flet për kompensimin duke anashkaluar faktin se nuk ka përfunduar kthimin fizik. Gazetat pasqyrojnë rregullisht veprimtarinë e Agjencisë dhe të ALUIZNI-t dhe çdo ditë njoftojnë për legalizimet dhe kompensimet”.

Zgjidhja e pronës në zonat turistike, detyrim i shtetit ligjor

Kjo është vetëm një nga ankesat e shumta të pronarëve që kanë rënë në veshin e shurdhër, çka është bazuar dhe në deklarimet në Kuvend të ish- Kryeministrit Sali Berisha, ku rezulton se anarkia e pronës është krijuar nga pushtetarët për të përvetësuar zonat turistike. Për sa më sipër, shoqata “Bregdeti” së bashku me shoqatën Dukati kanë përgatitur projektligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave në Qarkun e Vlorës, zbatimi, i të cilit e kthen pronën e konfiskuar tek i zoti, shkarkon Qeverinë nga faturat financiare dhe e zgjidh më së miri problemin e pronës. Ky draft e përcakton kthim-kompensimin e pronës, detyrim të shtetit dhe praktikisht korrekton aktet zyrtare të periudhës para 2014, për pjesët që nuk janë në përputhje ligjet në fuqi. Drafti përcakton që zgjidhja e problemit të pronës në zonat turistike, është detyrim i shtetit ligjor. Zgjidhja e shpejtë është plotësisht e mundur nëse opozita do të tregohet konstruktive pasi situata e anarkisë së pronës është kryesisht produkt i qëndrimit të saj të papërgjegjshëm. Gjithsesi, mbetet vetëm vullneti politik i Kryeministrit Edi Rama, faktori që përcakton zgjidhjen e shpejtë, duke plotësuar pikën 14 të programit aktual të Qeverisë për pronat.

Ledjana SALIU

Filed Under: Opinion Tagged With: anarkia e prones, Ledia Saliu

KUSH PO E THANË DIBRËN ?

January 23, 2014 by dgreca

Nga Ibrahim Kolari/

Sot po zhvillohet një debat, për vendimarrjen e Qeverise së R. Të Maqedonisë për devijimin e lumit Radika me destinacion për përfitime ekonomike. Mirëpo në vendet me demokraci të mirëfilltë vendimarrjet e tilla gjithmonë vendosen me referendum mbarë popullor ose me një debat të gjerë publik ku fjalën kryesore e kanë ekspertet të cilët e vlerësojnë dhe e bëjnë të ditur rëndësinë e projekteve të tilla afatgjate. Në rastin e marrjes-devijimit të lumit Radika që ndodhet në rajonin e Dibrës së Madhe, jo vetëm që skemi debate me specialistët e fushës përkatëse, por nga ana e qeverisë së Maqedonisë kemi edhe injorim dhe indiferentizëm ndaj dëgjimit të zërit të popullatës vendase.

Qeveria e Maqedonisë në formë arbitrare po vepron në këtë rast dhe unë si qytetar i Dibrës dëshiroj që përfaqësuesit tanë shqiptar në qeveri të prononcohen drejtë dhe hapët rreth këtij projekti qëllimdashës për bashkëkombësit e mi. Përse qeveritarët dhe politikanët po sillen ka ashpër me Dibrën? Nuk mjafton plaga e mërgimit ekonomik prej 50 vitesh që e ka zbrazur këtë qytet të lashtë me tradita dhe histori kombëtare, por tani duan edhe ta kthejnë në një shkretëtirë në zemër të Ballkanit. Prandaj ne si dibran, por edhe të tjerët duhet ta mbrojmë sot pronën tonë të përbashkët, ujin e Radikës i cili është vetë jeta jonë. Ne, duhet bashkë, pa dallim kombësie dhe feje të protestojmë për këtë projekt që do zhduki Florën dhe Faunën, do shkatërrojë turizmit në këto anët, do të largojë njerëzit që vijnë për shërim në Banjat e Dibrës, shkurt do vdesin të gjitha ato pak biznese që funksionojnë sot.

Nuk mundet një lum të devijohet pa marrë miratimin edhe të shteteve fqinje, në këtë rast Shqipëria sepse uji është pronë e natyrës, pronë kolektive të njerëzimit jo vetëm të një kombi, por të disa kombësive, me këtë projekt qeveria po nxit edhe një urrejtje etnike duke prishur marrëdhëniet midis fqinjëve, midis shokëve dhe bizneseve.

Të gjithë qeveritarët shqiptar si në Tiranë ashtu edhe në Shkup rrahin gjoksin se marrëveshje nuk ka për devijimin e lumit Radika, se projekti është i parealizueshëm, por ka vite që kane nisur punimet në heshtje dhe fshehtësi. Duket sikur jemi të përgjumër këtë periudhë, duket sikur jemi indiferentë ndaj vetvetes, më duket sikur i thërrasim vdekjes kolektive klinike.

Prandaj si qytetar dibran, si biznesmen, si ish-kandidat i pavarur për komunën e Dibrës së Madhe e pash të arsyeshme të shkruaj këto rreshta për çështjen e lumit të Radikës me qëllimin e mirë që të gjithë se bashku të reagojmë si vëllezër  sepse uji është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetë ne bote.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ibrahim Kolari, kush po e thane Dibren, lumi Radika

VRANËSIRAT SHPËRTHYESE MBI ILIRIKUM

January 22, 2014 by dgreca

Pandalur asnjëherë, intelektuali ynë Fahri Xharra, vë në “shënjestër” gjithë të ligat e kohës, për ta kuptuar frymën negative të kohës – zërin e daullës së magjupit dhe lojën e arushanit të përjargur në hapësirat tona, duke mos u pajtuar asnjëherë me shëmtitë dhe të ligat e kohës…/

Nga Remzi Limani/

Në kuptimin e drejtë, shoqëria civile karshi pushtetit, patjetër duhet kuptuar si mbikëqyrëse e proceve demokratike në të gjitha sferat, e në veçanti të atyre me interes kombëtar. Tani, në mugëtirën e krijuar në gjithë proceset politike, shumë individë; si njohës dhe proklamues të së vërtetës shqiptare, me gjithë fuqinë e tyre intelektuale mundohen të ndikojnë në lidershipin kosovar, që rrjedhat politike të mos dalin nga shtrati i lumit, ngase, mund të vërshohemi nga të ligat e kohës…, të cilat na sjellin vërshimet si pasojë e injorancës mos mosndërhyrjes sonë në kohën e duhur, për t`i bërë drenazhën e duhur kohës dhe hapësirës sonë në zhvillimet e gjithmbarshme politike dhe shoqërore!

Së këndejmi, një intelektual, katërçipërisht i kushtuar rrjedhave politike, historike, shoqërore, dhe kritikues i shumë dukurive tjera negative të kohës, me gjithë fuqinë e tij të edukuar prej intelektuali, bëhet “kambanë” e ngjarjeve nëpër kohë, për t`i rrah gjithë rrumbat e kushtrimit, për ta kuptuar rrezikun permanent nga vranësirat shpërthyese mbi Ilirkum! Ky pra, një prej intelektualëve të mirëfilltë, quhet, FAHRI XHARRA, i cili, pa e ndalur frymën, dhe pa e kyrsyer kohën e tij, atë e gjejmë gati në të gjitha gazetat e shkruara, e në veçanti në ato elektronike, me shkrimet e tij të shumta, duke u munduar ta zgjoj trurin e kohës nga letargjia politike, për ta ndaluar mynxyrën e cila nusëlon para syve tanë, e bëhemi se nuk e shohim!!! Prandaj, zoti, Fahri Xharra, na del një korife, i cili, s`lë gjë pa e kuptuar dhe pa e shenjuar në mendjen e kohës, sepse. koha jonë akoma frymon e malcuar dhe, si e tillë, ajo duhet të dalë sa më shpejt nga konvaleshenca e kohës, për ta rimarrë veten nga plagët e kohës së vrarë… Andaj, z, Xharra, pandalur asnjëherë, vë në “shënjestër” gjithë të ligat e kohës, për ta kuptuar frymën negative të kohës – zërin e daullës së magjupit dhe lojën e arushanit të përjargur në hapësirat tona! Pra, intelektuali i kohës siç është z. Fahri Xharra, i cili, me reagimet e shumta, në vazhdimësi jep kontributin e tij, për të mos e gjykuar koha në të cilën jeton.  Ai, asnjëherë nuk ndaloi të vë në pah të shëmtuarën, duke mos u pajtua me të ligat e kohës sonë…! Andaj, është obligim i gjithë intelektualëve, ta japin kontributin e tyre në kohën e duhur, si çështje dhe e drejtë demokratike për të menduar ndryshe për gjithë tërësinë e interesave shoqërore të cilat identifikohen me kauzën kombëtare, ngase, gjithë ne jemi pjesë e saj dhe duhet të luftojmë të keqen, për ta nxjerrë frymën e kohës, të munguar shekuj me radhë, për të frymuar shëndetshëm të veshur me petkun e merituar kombëtar.(marre nga Zemer Shqiptare)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, vransirat shperthyse mbi ilirikum

Koncepti i demokracisë!

January 22, 2014 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/
Për t’i dhënë përgjigjen kësaj pyetjeje, marrë për temë debati, është e nevojshme, sipas meje, të nisemi prej konceptit  ‘’kulturë’’. Prej nivelit të saj dhe dallimit të saj me konceptin tjetër  ‘’shoqëria’’. Në fakt përbën një vështirësi jo të vogël ky termi’’kulturë’’,  për shkak të gjerësisë së tij, vështirësisë për ta përkufizuar, për ta dalluar atë, bie llafi, prej termit ‘’shoqëria’. Pse vallë? Sepse kultura, sipas Markushit, është një koncept dyshtresor:Ai përmban një qasje antropologjike dhe qasje sektoriale(pra me ngarkesën vlerësuese), ndaj fenomenit.
Sipas të parës, përdorur më së shumti nga antropologët dhe sociologët,(e cila, gjithsesi, ndikon edhe në leksikun e gjuhës së përditshme të komunikimit, siç po bëhet në …mbledhjet e qeverisë së qeverive tona) mund të vimë tek definicioni:’’Kultura’’ është tërësia e të gjitha veprimtarive njerëzore të cilat nuk i kryejmë ‘’instinktivisht’’, por që i mësojmë, i atyre aftësive që i Kultivojmë…dhe që në tërësinë e tyre – i japin – i japin kuptim jetesës, vetë jetës njerëzore.
Ky koncept është aq i gjerë, duke përfshirë gjithçka që quajmë njerëzore, sa që…duket si tautologji. Por nuk është hiç i tillë. Është ‘’paderman ‘’përshkrues, por jo drejtpërsëdrejti vlerësues;sepse sidoqoftë, në të fshihet një element –‘’kuptimi’’(dhe vlerë shtesë):Një ndarje ashtu e qëllimtë e botës njerëzore prej……Mbretërisë Natyrë.
Në këtë konceptim tipik ‘’modernist’’(që sa kuptohet ndjek tendencën e Hegelit, në lidhje me statusin e ulët të natyrës), elementi njerëzor bëhet i dallueshëm nëpërmjet veçimit të TIJ hap pas hapi nga lënda e parë natyrore, si e brendshme po ashtu edhe e jashtme.
Prej këtij koncepti lehtësohemi për të kuptuar dhe pastaj për të debatuar mbi ATË, si qenie njerëzore, që mëson dhe vepron gjithnjë e më shumë(gjer sa të mos i punojë më goja, se mendja ka kohë që e ka lënë), të mos e sundojë më natyrën e vet shpellore , të brendësuar, me një dëshirë kukudhi për të pushtuar gjithë botën e jashtme, për ta shndërruar…Në ‘’Mbretëri’’ individuale të TIJ!
Kultura dhe Demokracia, niveli i saj në një shoqëri të caktuar janë të ndërvarura e dyta prej të parës. Perceptimi i këtij raporti që në këtë vend është e lehtë fare, duke parë vetëm të parin, për ta qarë me llahinke gjendjen e të dytës-……Demokracisë!
Duke analizuar nivelin e ‘’Kulturës’’ duhet të na shpërthejë……Një lumnajë vajtimesh, mbase elokuente si e atij hatërit me shokë, por që gjithsesi, e kemi për ta qarë me ligje. Mjafton njeriu të lexoje fare pak rreshta prej ideve te Tukevilit, për t’u bindur se në cilat ujëra ecën kjo ‘’Trata’’ jonë e prishur e që pa qëruar kjo vemje e vemjet si ky, nuk mund të gatitet …MË!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, koncepti i demokracise

Zërat e korbave të zinj

January 21, 2014 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

 Kur isha në moshën e fëminisë historinë e Shqipërisë e njihja siç ma kishte mësuar historiografia totalitare që studiohej në shkollat tona. Sipas saj, çdo luftëtar nacionalist më shfaqej si Sali Protopapa i filmit “I teti në Bronx” apo si ballistët e filmit “Kur zbardhte një ditë”. Por pata fatin, e theksoj pata fatin, që Zoti i Madh dhe i Madhërueshëm më mori mendjen dhe u ngrita kundër atij sistemi duke shpërndarë trakte në rrugët e qytetit tim. U arrestova dhe u dënova. Në burg pata fatin të takoja ata burra të rrallë që , në ato kondita kur karakteri im nuk ishte formuar ende, të më tregonin të vërtetën e këtij vëndi dhe rrugën nëpër të cilën duhej të ecja. Ndaj them se pata fatin, pasi atje mësova të vërtetën historike dhe këtë të vërtetë e regjistrova në memorien dhe ndërgjegjen time për të mos e harruar kurrë.

Më falni për këtë hyrje pak të gjatë, pasi ndonjërit mund të mos i interesojë. Por u detyrova pasi dëgjova për disa inisiativa të shfaqura nga një personalitet i klanit në pushtet.Më është bërë zakon të hap faqen e internetit dhe të lexoj lajme të ndryshme. Midis tyre lexoj një lajm të publikuar  ku shkruhet:

Propozime për 70-vjetorin e Çlirimit

Dërguar më 12/01/2014-09:03

 Duke marrë indicie nga prononcimi i (këtu përmendet emri i një personaliteti, që mua më vjen rëndë ta përmend, pasi për moshën që ka, nuk e besoja se do të ishte kaq i indoktrinuar nga e kaluara e përmbysur) lidhur me kremtimin e  70 vjetorit të çlirimit të atdheut nga okupatorët nazi-fashistë dhe bashkëpuntorët e tyre, si qytetar i këtij vendi me ndjesi liridashëse dhe njëkohësisht si pasardhës i një luftëtari antifashist, parashtroj propozimet e mia konkrete për çka duhet bërë për këtë jubile, në nderim të kontributit të dhënë dhe gjakut të derdhur gjatë Luftës Antifashiste, nga e cila populli ynë u rradhit përkrah fitimtarëve të koalicionit anglo-sovjeto amerikan

  Dhe më poshte vijojnë propozimet e tij. Nuk dua t’i përmend pikat e këtij propozimi, pasi më neverisin. Ato janë gjithsej 17, por mua më duket se edhe vetë diktatori Enver Hoxha nuk do të guxonte të publikonte propozime të tilla, po të ishte gjallë. Nuk do t’i publikonte pasi ishte ai vetë që i eliminoi ish shokët e tij më të ngushtë. Një miku im i vjetër më thotë:   Ne kot e dënojmë Enver Hoxhën, pasi ishte ai që na i mori hakën. Ai i vrau të gjithë ata që na vranë ne.Para syve të mi dalin shumë figura të shquara të lëvizjes antifashiste të zhdukura nga skena politike ende pa u restauruar pushteti totalitar dhe më vonë, pas vendosjes së tij. Më dalin parasysh figurat e Hysni Xhindit, Fejzo Gjomemës, Mustafa Gjinishit, Ramize Gjebresë, Shefqet Bejës, Liri Gegës, Dali Ndreut, Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut. A nuk ishin këta që vranë njerëzit tanë? Shoh këto figura dhe i jap të drejtë mikut tim. Kuçedra pasi u ngop me gjakun e nacionalistëve filloi të hante edhe bijtë e vetë.

Gjithmonë në faqet e internetit lexoj një deklaratë të një personaliteti tjetër të majtë, një ish ministër i qeverisë së djathtë, të rrëzuar më 23 qershor, tani një funksionar i së majtës, (me falni por, me padijeninë time,  nuk e kuptoj se si një individ me bindje të djathë apo të majte, papritur dhe pakujtuar të kthehet në kahun e kundërt. Një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm një sharlatan). Ky individ, pjesmarrës në kremtimin e përvjetorit të një prej brigadave partizane, deklaron se Lufta Nacionalçlirimtare na paska qenë farkëtimi i miqësisë me demokracitë perëndimore. Nuk e kuptoj se për cilën miqësi e ka fjalën zotëria. Mos vallë për atë “miqësi” që, pas marrjes në pushtet u kthye në armiqësi? A nuk ishte imperializmi anglo-amerikan armiku më i egër i “pushtetit popullor” të vendosur në Shqipëri? Kjo nuk është një shprehje e imja, është e paraardhësve të tij si dhe atyre vetë, që iu zunë duart kallo nga duartrokitjet frenetike në mbrojtje të atij sistemi.

Ndaj dua t’ju them: Heshtni! Çlirohuni nga indoktrinimi i një ideologjie të përmbysur, në rast se doni të mbeteni në historinë e këtij vendi. Sot jeni në pushtet dhe marrëzia e këtij populli ju dha shumicën absolute. Mos e shfrytëzoni këtë fakt për të hymnizuar një periudhë të cilën po ky popull e rrëzoi në fundin e vitit 1990. Shpesh herë dëgjojmë udhëheqësit tuaj të thonë se këtë të drejtë jua paska dhënë populli me votën e tij. Dëgjoni anekdotën e mëposhtme dhe gjykoni:

Diktatori Neron dogji Romën. Populli u ngrit në revoltë dhe rrethoi pallatin perandorak. Perandori, i trembur, thirri këshilltarin e tij Senekën dhe e pyeti:

–          Si do t’ia bëjmë?

Seneka iu përgjigj:

–          Hidhua fajin të krishterëve

Në atë kohë krishterimi kishte fare pak kohë  që kishte lindur.

–          Por, a do të më besojnë?- pyeti Neroni.

Dhe Seneka i ktheu përgjigjen lapidar:

–          Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret!

Mos  e  harroni   këtë   përgjigje,   të   nderuar   zotërinj!   Populli   vërtet   sot   u   dha  këtë përgjigje por nuk e di nëse do ta keni nesër apo jo. Unë kam bindjen se, pas largimit nga kjo jetë të brezit tonë dhe bijve tanë, nipërit dhe mbesat tona do të kenë në ndërgjegjen e tyre një botëkuptim tjetër të historisë, një botëkuptim në përputhje me të vërtetën historike të vendit. Por do të ishte në nderin tonë që ky botëkuptim të mbizotëronte sot, pas njëzetetre vjetësh nga rivendosja e sistemit demokratik. Ndaj mjaft më me përralla për ditën e çlirimit dhe përkujtimin e saj. Ajo nuk është dita e çlirimit. Ajo është dita e skllavërimit të këtij populli.  Është dita e mbi 6.000 të vrarëve pa faj, mbi 17.000 të burgosurve politikë, mbi 30.000 familjeve të internuara politikisht, mbi 400.000 të përndjekurve politikë. Atëherë, për çfarë çlirimi bëni fjalë? Për atë “çlirim që vrau, burgosi, internoi dhe përndoqi mijra qytetarë shqiptarë? Për atë “çlirim” që e ndau Kosovën dhe trojet e vjetra shqiptare, nga toka mëmë? Për atë “çlirim” që na ndau nga bota demokratike? Për atë “çlirim” që hëngri edhe bijtë e vetë? Për atë “çlirim” që varfëroi deri në palcë një popull të tërë? Kjo është ajo dita e “çlirimit” që ju kërkoni ta ngrini në qiell.

Në mbyllje, më lejoni të citoj disa vargje lapidar të të pavdekshmit Ali Asllani, shkruar mbi 70 vjet më parë:

Koha dridhet e përdridhet,do vij’dita që do zgjidhet/

   Dhe nga trasta pem’e kalbur, doemos që jasht’do hidhet!/

                        Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë

                        Nuk do mbetet gjë në dorë veçse vul’e zez’në ballë!

  Po mundët, këtë mos e harroni!

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: reshat kripa, zerat e korbave

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 772
  • 773
  • 774
  • 775
  • 776
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT