• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BE-ja midis vetvetes, Shqipërisë dhe Holandës

December 16, 2013 by dgreca

Nga ZENO JAHAJ/

Bashkimi Europian është përpara provave jo të vogla brenda vetes për të mbijetuar. Të tilla janë edhe zgjedhjet Parlamentare Europiane që do të mbahen në maj 2014, të cilat mund të bëhen një lloj arene, ku forcat ultra të djathta pritet të sfidojnë për të marrë më shumë inisiativë. Një pritshmëri e tillë, sipas shumë vëzhguesve, mund të çojë në rritjen dhe forcimin e nacionalizmave të ringjallura europiane, si dhe në krisjen e madhe të vetë Bashkimit Europian. Kësisoj, Bashkimi Europian është përpara një dileme më të madhe sesa t’i humbë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, apo t’i japë Holandës, më saktë gjysmës së djathtë të saj, fitoren e parë.

Holanda–dikur promotori i integrimit Europian dhe themeluesi i Bashkimit Europian, sot duket se kërkon të nisë një proces në kahje të kundërt. Udhëheqësia e djathtë e Holandës, saktësisht udhëheqja e Partisë së Lirisë, pasi ka lidhur aleancë me Frontin Kombëtar të Marine Le Pen në Francë dhe në kërkim të aleatëve të tjerë, ëndërrojnë që votuesit europianë të përmbysin raportet në këto zgjedhje me qëllim që të vihet në pikëpyetje vetë ekzistenca e Bashkimit Europian. Geert Wilders, udhëheqës kryesor i kësaj Partie, është deklaruar se Europa nuk është një shtet-komb, e si e tillë nuk mund të ndërtojë institucione të përbashkëta demokratike, sepse demokracia mund të ekzistojë vetëm në shtete- kombe. Ai nuk kërkon thjesht reformimin e Bashkimit Europian–një proces i natyrshëm për këtë organizatë, por një zgjidhje më radikale: zëvendësimin e tij me shtete kombe të lira nga zinxhirët e Brukselit.

Për të djathtën Holandeze, nëse Europa ka kuptim, ajo duhet të mos përzihet me myslimanët. Geert Wilders vlerësohet të jetë poltikani me fobinë më të pakontrollueshme antimyslimane në Europë. Me ç`ka vendosi qeveria e kryeministrit Mark Rutte-udhëheqës i Partisë Popullore për Liri dhe Demokraci, për të mos i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, tej standardeve që normalisht kërkohen e që drejtësisht justifikohen për rastin e Shqipërisë, duket se është në të njëjtat pozita me Partinë e Lirisë të Geert Wilders. Ky i fundit mendon se nuk ka vend për Islamin në kontinentin Europian, por nuk dihet se për cilin Islam e ka fjalën. Për mungesë informacioni, për paragjykim, por më shumë për shkaqe akoma më të thella, duket se renditet edhe Shqipëria si vend mysliman, duke rikrijuar kështu mure të rinj, pikërisht brenda Europës.

Plot njëqint vite më parë, pikërisht në 1913, Europa negocionte Shqipërinë për të ruajtur vetveten. Më 19 Dhjetor 2013, Bashkimi Europian nuk negocion më Shqipërinë, as Holandën, por vetveten. Në ato kohë, Europa kishte bindjen se pavarësimi i Shqipërisë do të mënjanonte burimin e trazirave në Ballkan. Prandaj Europa kërkoi me çdo kusht zgjidhjen: krijimin e një shteti shqiptar, sido që të ishte, në fakt një gjysmëzgjidhje, duke i mbetur borxh, sidoqoftë, kombit shqiptar për gjysmëzgjidhjen tjetër, ç`ka e detyroi t’i rikthehej gjysmëzgjidhjes tjetër plot pas 100 vjetësh. Europa, duket se e kishte një brengë për vendin dhe kombin me identifikimin më europian të gadishullit Ballkanik, që kishte kishte shkruar historinë e qëndresës në mbrojtje të kontinentit.

Shqiptarët janë pjesë e organizmit europian, e fatit të Europës, e gjeografisë, kulturës, civilizimit dhe vlerave të saj. Identiteti shqiptar është identitet europian. Ruajta e identitetit kombëtar ka qenë arma kryesore jo vetëm e mbijetesës shqiptare, por shumë më tepër sesa kaq. Identiteti kombëtar shqiptar ka shërbyer, njëherësh, për të mbajtur gjallë rrënjët e Europës, pikërisht aty ku Europën kanë synuar ta ç`rrënjosin. Shqiptarët janë ndjerë europianë jo vetëm me identitetin e tyre, por në radhë të parë me shpirtin, qëndresën dhe besimin e tyre në vlerat europiane, me historinë, gjuhën dhe me të gjithë panteonin e tyre. Europianët mund të konstatojnë fare lehtë se në ç’masë e aplikojnë Islamin shqiptarët apo emigrantët shqiptarë në Holandë ose në çdo vend tjetër të Europës. Me siguri do të gjejnë se shqiptarët në Shqipëri e në Europë identifikohen krejt natyrshëm si qytetarë, si shqiptarë e si europianë, madje edhe në besimin e hershëm të të parëve të tyre.

Bashkimi Europian ka të drejtë të kërkojë nga shqiptarët standarde europiane të sjelljes, shtet ligjor, ç`rrënjosje të korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve, drogës, etj. Por Bashkimi Europian e ka për detyrë gjithashtu të mos fshihet pas gishtit, për të pranuar se droga, trafiku, krimi i organizuar, etj, as nuk fillojnë e as nuk përfundojnë në Shqipëri.

Europa e di se një Shqipëri e lënë mënjanë nuk është në të mirën as të Shqipërisë, as të vetë Europës. Përkundrazi. Duke pranuar Shqipërinë me statusin e vendit kandidat, Europa ve në provë vetveten për të kryer jo vetëm një akt civilizimi, por edhe një vepër të madhe shpëtimi: shëmbjen e mureve artificiale brenda saj. Europa nuk është Europë pa Shqipërinë, Kosovën apo Bosnjë-Herzegovinën.

Më 19 Dhjetor Europa mund të japë ndoshta edhe një gjysmëstatus për Shqipërinë. Por gjysmëstatusi nuk është zgjidhje. Është thjesht një gjysmëzgjidhje. Shqipëria dhe vetë Europa kanë vuajtur më shumë pikërisht nga gjysmëzgjidhjet. Europa, Holanda posaçërisht, duhet ta kujtojë sot këtë faj të saj të kryer në kohët moderne, pikërisht ndaj një populli europian si bosnjakët e Srebenicës, ku gjysmëzgjidhja kushtoi aq shtrenjtë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: BE-ja midis vetes, Shqiperise dhe Holandes, Zeno jahaj

NJË REBELIM YNI I RADHËS (I PËRKOHSHËM)!?

December 14, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Para disa vitesh unë dhe “toptan” shqiptarë të tjerë u provokuam nga “rishfaqja” e Enciklopedisë (kontestuese) maqedonase dhe aq shumë u “sikletosëm”, sa që prej saj krijuam një faktor opinioni. Për këtë “mesele” u shkruan mbi njëqind  opinione, vështrime, kolumna, analiza a reagime. Se e meritoi a jo vëmendjen tonë “rishfaqja” e kësaj Enciklopedie të sajuar, unë nuk e di, por di vetëm një gjë, reagimi a edhe “rebelimi” ynë kolektiv mbase ishte i përkohshëm, i zbehtë dhe jo maratonik, “karshi” kësaj arrogance të radhës, “karshi” një provokacioni jashtëzakonisht të ulët, provokacion i hapur, i kurdisur, shovinist, diletant, hamam e lesh provokacion provincial dhe fare pak a aspak intelektual a akademik. Të gjitha këto reagime të këtij karakteri që atëherë u absolvuan njëherë e përgjithmonë nga analistët, historianët, intelektualët dhe politikanët shqiptarë, pa dallim se ishin në opozitë a pushtetarë. Më kujtohet se në atë kohë ne, shqiptarët, lehtësisht ramë në grackë të maqedonasve të cilët sapunin na e shitën për djathë të prishur a edhe të mykur!?

Dhe sot, pas sa vjetësh, shtrohet pyetja  se  ç’ishte e gjithë kjo vëmendje jona paksa e tepruar ndaj Enciklopedisë maqedonase, a mos vallë kjo (nuk) e meritoi këtë, ose vallë ishte  një rebelim yni kolektiv (i përkohshëm) ndaj asaj fletushke, që nuk shfletohet e nuk lexohet përtej Tabanovcës. Megjithatë, mua nuk më duhet që kësaj “meseleje” t’ia bashkëngjit paragrafin që trajton segmentin e shtrembërimit  dhe klandestimit të së vërtetës që llafos gjenealogjinë shqiptare. Aq shpejt u provokuam nga Enciklopedia maqedonase, sa që “aty për aty” propaganduam idenë e hartimit të një Enciklopedie tonë shqiptare!?…, një enciklopedi që fatkeqësisht as që filloi të hartohet nga historianët tanë!? Shih, ti lexues i nderuar, po të mos kishte qenë ky provokim djallëzor i akademikëve maqedonas, a thua vallë do shkruanim një të tillë shqiptare, a thua vallë po të mos ishte Enciklopedia, ne shqiptarët (nuk) do ta kujtonim Nënën e përbotshme Terezë, Abdyl  Frashrin dhe vëllezërit e tij, nuk do ta kujtonim Ismail Bej Qemalin, Faik Bej Konicën apo edhe ndonjë figurë tjetër të ndritur shqiptare. Në këtë kontekst të gjithë shqiptarët me plot të drejtë u inatosën pavarësisht se ajo inatosje e tyre “ishte paksa e zbehtë dhe e përkohshme”!

Provokacioni i radhës u hetua disa ditë më parë, kur në “Urën e syrit” në mënyrë “klandestine u vendos” busti a përmendorja e Car Dushanit. Edhe kësaj radhe shqiptarët me të drejtë reaguan, po edhe u rebeluan. Dikush për këtë vaki e dha këtë lajm:.., “një grup qytetarësh nga Shkupi…,  mbrëmë u zbarkuan në sheshin e qytetit për ta “parë” bustin e Car Dushanit. Në internet qarkulluan disa foto që tregojnë një grup shqiptarësh me shkopinj dhe mjete të tjera të forta në duar duke dëmtuar përmendoren e mbretit serb të shekullit të 14-të. Përmendorja, pjesë e projektit “Shkupi 2014”, u kritikua ashpër nga shqiptarët e Maqedonisë që e konsiderojnë atë një provokim të maqedonasve apo edhe të ca të tjerëve, që sot kësaj dite ngelën të paidentifikuar. Sipas historianëve, në trojet shqiptare ai ka kryer krime të mëdha kundër popullsisë vendase.  Sipas autoriteteve vendore dhe qendrore, përmendorja e Car Dushanit nuk është pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska është distancuar nga ngritja e kësaj përmendoreje. E pyetur nëse përmendorja është ilegale, ajo ka thënë se kjo çështje duhet të hulumtohet nga mediet. Vendimi nuk është marrë nga Ministria e Kulturës dhe e shfrytëzoj këtë rast që t’i përgënjeshtroj zërat se ne kemi kërkuar ngritjen e kësaj përmendoreje. Pra, nisma për ngritjen e këtyre përmendoreve në ‘Urën e Syrit’ nuk është nga Ministria e Kulturës. Ju duhet të drejtoheni tek ata që e kanë realizuar projektin pasi Ministria e Kulturës nuk ka kompenteca për ngritjen e përmendoreve”, deklaroi ashtu “ndër dhëmbë”, Kançevska. Një deklaratë përafërsisht të ngjashme e dha edhe ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska. Se a duhet t’u besojmë këtyre deklaratave të ministreve në fjalë, unë nuk mund të them gjë.

Në kontekst të kësaj duhet të parashtrohet pyetja se pse ne shqiptarët  nuk provokohemi nga gjymtimet tona, gjymtime këto që në vijimësi  hetohen në përditshmërinë tonë, sidomos në atë politike, kulturore, gjuhësore e në sfera të tjera shoqërore. Dhe, nëse nuk shqetësohemi, atëherë pse shtiremi kinse nuk kemi asnjë “dert”, sikur punët i kemi “krejt në terezi”, ose mos vallë ndoshta kemi shumë kohë që të merremi me identifikimin  apo përcaktimin e lloj-lloj ngjyrash të kopertinave të enciklopedive të ashtuquajtura anonime maqedonase apo edhe me buste pa identitete.

Pse busti i Car Dushanit dhe të tjerë të tillë detyrimisht duhet të “na shqetësojnë” e nuk na “sikletosin bustet tona” që i kemi vendosur anë e mbanë trojeve tona (hiq mënjanë lapidarët dedikuar figurave të ndritura dhe dëshmorëve të lirisë së munguar të vatanit), pse nuk i dëmtojmë dhe nuk i rrënojmë ”bustet që reflektojnë inatet tona homerike”, pse nuk i shkatërrojmë që nga themelet “bustet që nëpërkëmbin” gjuhën tonë të shkruar e të folur (standarde), pse nuk provokohemi nga mbishkrimet tona të denigruara e të ngjitura në hapësirat e bizneseve…, pse nuk parashtrojmë pyetjen se si komunikojmë, si i ndërtojmë vlerat tona arsimore, ato kulturore…, pse nuk na provokon “axhamillëku ynë akademik”, pse nuk na shqetëson “agallëku dhe përgjumja e jonë”, e na provokon busti i carit serb…, pse mua nuk më provokojnë llafet e Mondit nga Poradeci (ai, që bën muzikë të mirëfilltë korçare këtu në Tetovë), ai që sa herë që më takon nuk heziton të më thotë: “Ti Fadil, dhe ca të tjerë tetovarë, e flisni gjuhën e nënës, si në Kapali Çarshi të Stambollit”!??…, përkundër faktit që lehtësisht provokohem me bustin e mbretit nga Shumadija.., pse një jabanxhi kur vjen në Tetovë nuk e koncepton atë si një qytet universitar, por e gjykon si një kasaba a si një katund të madh!??…, pse na mungon vetëkritika kolektive. Pse nuk e qortojmë atë “mësuesin mediokër të Qafë Thanës”, të cilit moti i ka ikur lavdia, mësuesi që më parë kishte thënë:.., unë nuk jam gjuhëtar dhe s’më intereson drejtshkrimi  dhe drejtshqiptimi i nxënësve të mi… dhe për këtë mua nuk më duhet Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe”!? “Mësuesi” këto llafe i kishte përnjëmend, sepse vërtet kishte një kod mendimor me nismë bythëpraps. Ndërkaq, ne tani aq  shumë  jemi dalldisur me bustin e Car Dushanit, saqë harrojmë të konstatojmë se “punët në arsim e në kulturë nuk na bëjnë”. Nuk “dalldisemi me alamet mësuesin” që ka…, gradë shkencore, edhe pse tetëvjeçaren e ka mbaruar me brekë nëpër këmbë, të mesmen me fener në dorë, kurse të lartën e ka mbaruar para tetëvjeçares”!.., e dalldisemi me shtatoren e carit!? Shi për  këtë, Enciklopedia po edhe busti i carit serb, për “disa pseudopatriotë mëhallash provinciale” është brenda perceptimeve “pozitive” të tyre.., dhe të ca të tjerëve të tillë si ata. Aq shumë jemi “kuturisur” me padrejtësitë që na vijnë nga pala tjetër, sa që shpesh harrojmë të parashtrojmë pyetjen se pse na janë pakësuar intelektualët, pse heshtin ata dhe kush na i paska frikësuar!? Të nderuar lexues të paanshëm të kësaj “shkarravine”, unë nuk do të shkruaj më për bustin e Car Dushanit, kurse sa për të tjerët s’e di…

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, rebelim i perkohshem

Titaniku pa timonier!

December 12, 2013 by dgreca

Shkruan: Faik KRASNIQI/

Duket sikur jemi, disa ‘’të shpëtuar’’, nga varja kokëposhtë, të cilët shohin pas shpëtimit të tyre, çfarë ka ndodhur përreth…, ndoshta e pagjetur, kjo……! Më mirë do të besonit krahasimin, me ‘’Titanikun’’. Ju kujtohet, kur në atë proces të pashmangshëm zhytjeje, jeta do t’i dhurohej vetëm disave, mbi varka shpëtimi, më së shumti femra, apo dhe ndonjë mashkulli të travestituar përkohësisht, sikundër ‘’disave’’, që ligjet fizike dhe shoqërore nuk mund t’i përfshinin brenda rregullit universal. Pasi doli në tokë, e shpëtuara, na tregoi historinë emocionuese të katastrofës së ftohtë…! Të gjithë u mallëngjyem përlotshim me tregimin e saj, e besuam dhimbjen e saj, ndjemë të ftohtin e asaj nate, ku uji dhe tmerri ishin të programuar për gjithë të tjerët, e në fund krijuam bindshëm përshtypjen – se ‘’ fati njerëzor shkon gjithnjë kundër dëshirave të zjarrta të tij’’!

Megjithëse, ne gjetëm apo na u dhuruan mundësitë për të hipur në ‘’varkat’’ e shpëtimit të gjeneratës sonë, na mungon Titaniku, të cilin megjithëse të mbytur, s’kemi as fuqinë ekonomike ta ‘’ngremë’’ në breg, as moralin për ta rigjallëruar (reinkarnacioni), qoftë edhe psike-virtualisht! Çfarë të bëjmë, përveç garës së dëshpëruar intelektuale, në konstatimin e antivlerave ?! Po sikur të mos ishin femrat e shpëtuara nga varkat, apo ca meshkuj fatlumë, ku do të prehej vallë ndërgjegjja apo vetëndërgjegjja jonë, sot ?!

Ndoshta, ka një rrugë ‘’shpëtimi’’. Vjen natyrisht nga brenda ‘’vijës së verdhë’’, ku ka Kinostudio dhe 1- Kinema. Sikur, të përpiqemi ta rikrijojmë filmin, rrugëtimin e ‘’Titanikut’’ të pamposhtur, që në ndërtim e deri tek ‘’ajsbergu’’ i mallkuar. Ta mbushim atë me varka të mjaftueshme shpëtimi, për të gjithë. Të lemë gjithmonë, sidomos natën një Timonier të Zotin, i cili do të urdhërohej nga një kapiten, po ashtu, i tillë. Të mos harrojmë në rikrijimin tonë ‘’frikën’’ matematike të shkencëtarit, shqiptar. Pastaj, ta hedhim në ekran (ujë) Titanikun e ri, i cili do të lundrojë, i sigurt në pasiguritë e nënujshme, për të dalë në bregun tjetër me të gjithë ‘’të shpëtuarit’’, bashkë me dashuritë dhe brengat e tyre. Ndoshta do të jetë një shërim fiktiv prej dy orësh…, por rikrijimi i versionit tonë të ‘’Titanikut’’, mund të ndihmojë dhe ngushëllojë pafuqinë tonë për ringritjen e Tij. Pse jo, edhe të mundësojë aktivizimin e dëshirës, shpresës dhe vullnetit të të gjithë ‘’shikuesve’’, për ndërtimin e një Tjetri……!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, titaniku pa timonier

RITAKIM ME HUMBJEN

December 12, 2013 by dgreca

Një reminishencë bajate e Luftës së ftohtë/

Shkruan : Rexhep Kasumaj/Berlin/

1.

Një ish-spiun nga koha e Luftës së ftohtë fërkon duart ngazëllyeshëm. Tash sa vjet shef i Kremlinit (edhe kur nuk ishte banor i tij), Wladimir Putini, shpreson të ketë ngritur një Perde të re mes tij dhe botës së lirë. Premieri ukrajinas, Mykola Asarow, dekretoi ndalimin e nënshkrimit (pritej javën e ardhme në Vilnusin baltik) të Marrëveshjes së asociiimit me Bashkimin europian. Kijevi përplasej moti në vorbën djegëse se ç’anë duhej të zgjedhte: Rusinë apo Perëndimin! Zgjedhja nuk kje e lehtë. Dhe as vetëm politike. Ndarja përgjatë lumit Dnjepër i jepte asaj përmasën e vështirë identitare. Çorientimi etnik i gjysmës popullore dhe shantazhi ekonomik rus, do të vulosnin vendimmarrjen e gjunjëzuar për aderim në Unionin doganor me fuqimadhin e vogël verior.

Europa do të indinjohej keq, kurse Putini (që thuase ishte kthyer prapa në vitin 1939 të Hitlerit a Stalinit të tij, si e përshkruan SZ e Mynihut) ekzaltohej nga fitorja e ligë: arriti të mblidhte mbetje të pluhnosura nga rudimenti i Murit të rrëzuar. Ukrajina, së paku ajo, duhet të kompensonte atë. Të ishte tamponi mbrojtës përreth rrezatimit të vlerave të qytetnisë europiane. Ai i trëmbet, si mortit, afrisë së tyre. Fine e, njëkohësisht, përflakëse, ato lëkundin themelet e despotisë së tij: si frymë dhe praktikë e vjetër lindore.

2.

Po a s’është ky një moment reflektimi dhe për Europën vetë? E para, meqë duket pakëz e rënduar për integrimin flatrues të Rumanisë e Bullgarisë, të parritura ende për vrujimet e saj, a duhej të ngarendte sërish drejt dështakut të radhës: pa një profil unik kulturor, pa caksynim të definuar strategjik dhe pa demokraci të absolvuar parlamentare?!

Pastaj, e dyta, deri ku venë kufijtë e saj? Deri aty ku mësojnë lektyrat shkollore apo deri aty ku ajo refuzohet si hemisferë e huaj?

Europa nuk mund të ngryset në Bosfor dhe të gdhijë një ditë të bukur në malet e Hindukushit, duke përvetësuar problemet që nuk janë të saj. Kështu e ka zakon të thotë shpesh Helmut Schmidt, ylli akoma i pashuar i socilademokracisë, krahut politik gjerman, e kontinental përgjithsisht, që shprehet përherë më i hapur për vende e popuj që rrojnë larg, shumë larg gjeografisë së saj. Më të rreptë akoma janë eurocentristët që mbahen tëpër të rezervuar dhe nuk entusiazmohen fare me teoritë përshtrirëse dhe multikulturale. Ata janë të gatshëm ti ofrojnë, Turqisë fjala vjen, statusin e partneritetit të privilegjuar dhe asgjë më shumë. Mirëpo dhe nga ithtari ngulmëtar për integrim komunitar, i ftohur a reislamizuar, vjen një mesazh tjetër lehtësues: tani vetëm 30 përqind e më pak të banorësisë turke mbështesin idenë e përbashkimit me Europën.

Ndaj, ç’do dhe ç’shenjon ajo, njëmend, në horizonte të tillë? Është rezoni i gjeopolitikës që mbipeshon kulturën e demokracisë – apo kjo e fundmja është ai shpirti mijëvjeçar që gjakon të zbardhë hapsirat e errta? Janë, mbase, të dyjat bashkë. Ajo, si përherë, ka mision planetar, ndërkohë që, në anën tjetër, vajtja andej ngjan të jetë krejt e natyrshme. Fundja, ukrajinasit gjenden pranë, në oborrin e saj, kurse pishtarin përndritës e mban poaq dhe Lindja e vjetër. “Konfederata ose Paqja e Varshavës”  e vitit 1573 (Pax dissidentium) që fabrikoi termin nismor të disidencës (aherë kishtare) bënte një gur të fortë në ngrehën e historisë dhe kulturës së mendimit të lirë (Freidenkerei) në Europë.

3.

E prandaj, tundimi a përulja e fqinijit të poshtëm të Moskës që i thërret lojës së moçme të konfrontimit, ndoshta nuk është veçse një ndërmjetëz e brishtë në midisaktin e dramës. Shfaqja nuk ka mbaruar ende dhe gjithçka do rizhvillohet mbi ligjërinë e historisë. Flamuri i triumfit në Kremlin valëvitet dridhshëm nga era e së Drejtës dhe Lirisë që fryn nga Europa dhe Perëndimi i rinosjes së paprerë. Edhe “vëllezëria myslimane” vodhi tinëzisht e mashtrueshëm (J.Kerry) produktin e përgjakur të revolucioneve pranverore arabike, por jo jetëgjatësisht. Gjaku nuk shkon dëm kurrë dhe tiranët e çdo fytyre s’ndjehen të sigurtë askund.

As Putini me “Perden” e re poashtu. Humbja tashmë i ka lënë takim në një kohë të dytë.

Berlin, vjeshtë 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Berlin, Rexhep Kasumaj, ritakim me humbjen

Kërkohet “nivel monetar”… jo artistik…

December 9, 2013 by dgreca

“Shkrimtari kur shkruan tradhton veten”, -ka thënë Gëtja/

.Esse-nga-Raimonda MOISIU/

Shkrimtarin e vërtetë e shohim në reflektimin dhe mishërimin midis ndjeshmërisë së vetvetes dhe ndjeshmërisë kolektive, në unitetin e shpirtit të tyre të trazuar, me madhështinë dhe egoisten njerëzore, mes marrëzisë e të bukurës në jetën e përditshme. Në kuptimin se; shkrimtari gjatë procesit të të shkruarit nuk është vetvetja, por është dikush tjetër. Shkrimtari ngjyen penën në thellësitë e shpirtit, kujtesës, mendimit dhe përvojave jetësore të tij, çlirimin nga ngërçet e shoqërisë dhe ngre kasollen e shpirtit në kufijtë e filozofikes e artistikes. Pjesa më e vështira në artin e të shkruarit për një shkrimtar është kur dhimbjen dhe dashurinë, harenë e gëzimin ta kthejë në fenomen shoqëror apo historik, me eksperiencat e veta në katrahurën e jetës. Është ura lidhëse midis kulturës popullore dhe artit, konceptit intelektual, qytetar dhe mençurisë për të bërë grintën e fuqishme shpirtërore. Sigurisht gjetjet inteligjente dhe idetë origjinale, në përafrimin e tematikës, e bëjnë më të lehtë për të qenë më pranë botës shpirtërore, mes përjetimeve konkrete, mes realistes e pragmatistes.Por ajo ç’ka shqetëson sot letërsinë shqiptare është mungesa e theksuar e shkrimeve të kritikës letrare, për të njohur vlerat e vërteta të shkrimtarëve të vjetër e të rinj, të përfshira në gamën e gjerë në të treja gjinitë; prozë, poezi dhe publicistikë. Ka një masivitet të madh të njerëzve që shkruajnë, sepse janë shtuar edhe njerëzit me strese. Disa shkruajnë fjali e paragrafë “të mrekullueshëm”, por nuk kanë asnjë ide si t’i renditin ato së bashku në një rrëfim apo si t’i bëjnë personazhet e veprës të vijnë realë e jetësorë. Të shkruara mjaft cekët nën nivelin e mesatares letrare e artistike, jepen më shumë pas sasisë së faqeve se sa pas cilësisë artistike e letrare, vetëm e vetëm për të fituar imagjinaren-“shpërblime letrare”.Shumica vuajnë nga sindroma e përfitimit të parasë dhe nëpërmjet saj blejnë reputacionin dhe karrierën si shkrimtarë. Kjo racë shkrimtarësh që janë fenomene groteske paralajmërojnë vulgaritetin dhe mediokritetin në letërsi, injorancën dhe paditurinë, vetëgjymtimin dhe vetëvrasjen intelektuale të shoqërisë, skllavërinë e talenteve që bindin për të ripërcaktuar karakterin e dyfishtë të udhës së artit dhe letërsisë artificiale, realitetin mjeran të kësaj lloj letërsie. Shkrimtarë, – që nuk kanë asgjë të freskët apo të reja për të rrëfyer.

Disa prej tyre mund ta argumentojnë vetveten ”gjeni” dhe nuk janë të qartë e të sigurtë se vepra që ata shkruajnë është komerciale apo thjesht një trillim letrar se është shumë i lexueshëm për një shumëllojshmëri të gjerë të lexuesve. Apo mos ndoshta ata janë të vetëdijshëm në mediokritetin e tyre që mund të përfaqësohen si dy dimensionale: shkrimtarë amatorë apo profesionistë!? Unë mendoj se janë nga ata shkrimtarë që kanë bërë para me shkrime dhe kjo mendojnë se i ka bërë profesionistë! Por “niveli monetar” nuk do të thotë asgjë në lidhje me nivelin letrar, artistik dhe standardin e krijimtarisë së tyre, por që gjithsesi për të fituar “shpërblime letrare” dhe “monetare”, që unë do i konsideroja të një niveli poshtë mesatares, libra absolutisht mediokër. Pra jemi në një antitezë të freskët në këtë periudhë të antitezave dhe absurditetit më të madh, në planin e vlerësimit dhe kritikës letrare të kohës, në evidentimin e vlerave të vërteta letraro-artistike për mrekullitë, letërsinë, artin e të shkruarit dhe atë në përgjithësi.

Po kërkohet më shumë “nivel monetar”..dhe jo artistik! Kemi parë gjithë dukurinë e një libri duke u bërë edhe “best-seller” apo fituar edhe cmim të madh. Shumë pak prej tyre kanë pika të vërteta artistike dhe vlera letrare, por kjo nuk ka rëndësi për ta sepse kenaqin oreksin e tyre vulgar “shpërblim letrar”, dhe ushqejnë krijimin në nivel monetar.Si gjithmonë krijime gjen mjaft-por kokëboshësinë, –justifikimet përpiqen ta bëjnë atë që nuk është asgjë më shumë se një koncept intelektual, se nuk gjenin mënyra më delikate e të mëncura për ta bërë atë një krijim të vërtetë në nivel cilësor, letrar e artistik. Para do kohësh në një intervistën time shpreha një mendimin tim të lirë në lidhje me jetën letrare në Shqipëri. Mes të tjerave u shpreha edhe për të ashtuquajturin “Kongres Ndërkombëtar “Muza Poetike Pegasi- 2012”, me objekt “Universaliteti i Vlerave në Letërsi dhe në artin Bashkëkohor”, tekstualisht: “Kongresi pati një shtrirje të gjerë në Shqipëri, në trojet shqiptare deri në Kosovë. Pjesëmarrja në të ishte shumë e madhe, kishte krijimtari të mirëfilltë letraro-artistike, por kishte dhe binte në sy ajo- jo cilësorja e jo artistike, mediokre, biles pa e arritur nivelin mesatar. Gjithsesi kjo iniciativë duhet përshëndetur, është guximi për të sjellë në vëmendjen e shoqërisë alternativa në jetën letrare”. Kaq!

Mendimi im nuk ishte aspak tendencioz për të lënduar ndjenjat krijuese të pjesëmarrësve të atij Kongresi, të anëtarëve të LNPSHA “PEGASI” ALBANIA, megjithëse edhe për këtë kam rezervat e mija. Por ishte një mendim pozitiv që kishte brenda kritikën letrare dhe kërkesën për një nivel të mirëfilltë letraro-artistik. Sot për sot është majft e lehtë për të shkruar vepra, poezi d.m.th të krijosh me kushtin që kërkohet “shpërblim letrar” me çmime në nivel monetar- e aspak cilësor e artistik! Por fakti më tronditës është se former president i kësaj Lidhjeje z. Kristaq Shabani filloi një fushatë stigmatizuese dhe terror psikologjik ndaj meje duke më kërcënuar, fyer e persekutuar jo vetëm privatisht por edhe në rrjetin social Faceboook, kërkonte me insistim që unë t’i kërkoja të falur për”shpifjen”, të tërhiqja mendimin nga gazetat, që unë sipas tij kisha bërë për Pegasin, etj, etj. Të falur?! Për çfarë? Shpifje??!Kush ishte shpifja e faji im?! Kam duruar shumë vetëm për hir se nuk dëshiroja të bija në nivelin e tij, nuk dëshiroja të infektohesha nga egoja e tij e sëmurë me delirin e madhështisë, krekosjen dhe pompozitetin se kishte shumë grada shkencore –që nuk e kuptoja ç’kanë të bëjnë gradat shkencore me letërsinë?! –a thua se bota letrare, letërsia, Nobeli rrotullohen vetëm rreth z.Kristaq Shabani –a thua se ky është për Nobel, a thua se ky është shpëtimtari i letërsisë shqiptare!

Shkon edhe më tej komenton te gazeta “ime” TIRANA OBSERVER, gjë që mua vërtet më gëzoi, sepse jo vetëm ngriti vlerat e mija, por më saktë tregoi profilin e tij të vërtetë. Në lidhje me krijimtarinë, nivelin cilësor e artistik të tyre është popullarizimi dhe tendenca që z. Shabani përpiqet të bëjë se; të gjithë besojnë se veprat e tij, të tyre janë kryevepra dhe se ato kanë vlerë të thella krijuese e cilësore në nivel artistik e letrar. Unë nuk nguroj ta përsëris mendimin tim, se në atë Kongres kishte e ka krijimtari të mirëfilltë letraro-artistike, por ka e bie në sy ajo jo cilësorja, jo artistikja, mediokre. I pëlqejnë apo nuk i pëlqejnë z. Shabani kjo është mëse e vërtetë, dhe po qe se ai e argumenton veten “gjeni” në fushën e letërsisë, duhet të bëhet më konciz, koshient e konfident të pranojë kritikën letrare dashamirëse aspak tendencioze. Në fakt disa shembuj të tij janë mjaft të habitshëm! Vlerësoj shumë realitetin e jetës kur shikoj shembuj të tillë dritëshkurtër duke trumbetuar krijimet e tyre dhe arrijnë deri aty sa të rrëmbejnë edhe çmime. Me duken të neveritshëm dhe ndjej keqardhje se sa poshtë kanë rënë dhe dyshoj shumë në ndershmërinë e tyre. Vëmë re se prurjet në letërsi janë të shumta, shtëpitë botuese të shumta, të cilat tashmë janë bërë në modë, duke e trajtuar literaturën, sikur të jenë mallra me shumicë, në një mjet përfitimi material,financiar dhe më shumë gjasa për përfitim moral e intelektual. Mendimi im është për një lloj të caktuar të botimit të veprave, pra ngritja e një bordi letrar, ku kritika letrare të jetë parësore apo ngritjen e shtëpive botuese të organizuara. Po “vdesin” poetët!!

Asnjë librari nuk pranon libra me poezi. Shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm, sepse praktika i bën të përsosur. Nuk duhet të mendojnë se gjithçka që shkruajnë është mjaft e mirë për botim. Botuesit janë biznesmenë njëlloj si bizneset në profesione të tjera. Nga ata kërkohet “nivel monetar,…”jo artistik, sepse ata nuk janë filantropistë, ata janë aty për të fituar para. Pra, kur them se shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm, nënkuptoj që ata të botojnë veprat e tyre kur ato të vlerësohen nga një bord letrar apo kritika e kohës për cilësinë dhe nivelin letrar e artistik, dhe botuesit do të konkurrojnë pas tyre. Nëse shkrimtarët e rinj kanë pasionin dhe talentin e lindur në to, nuk ka rëndësi sa kohë merr, libri do ta shohë dritën e botimit, fundi e justifikon mjetin. Shkrimtari, poeti e artisti i shërben një periudhe të caktuar historike, një populli e një kombi të caktuar. Vërej që ka tre kategori opinionesh për njerëzit që shkruajnë e bëjnë art. Një kategori përbëhet nga lajkatarë,një tjetër nga smirëzinj e njerëz të rënë në dashuri me krijimet e veta, të dyja janë ego vetëgjymtuese e vetëvrasje intelektuale. Kategoria e tretë është ajo e njerëzve të ndershëm, të pakët në numër e që sa vjen e po pakësohen. Asnjë shoqëri nuk është statike. Krijimtaria letrare, artistike dhe arti nuk duhen paragjykuar. Duhet kuptuar në kohën e kushtet kur është shkruar, ajo ka një emër të shenjtë; arti i të shkruarit. Ndërsa shkrimtarët e vjetër shpalosën ide të mëdha që bota duhet të ndryshonte, për një kohë të re e me koncepte të reja, do t’ia kalojnë të rinjve stafetën, të marrin përsipër luftën për ndryshim që është një luftë e vazhdueshme. Dhe shpresoj se kjo do të vijë. Ndonjëherë ajo merr gjenerata, por ndryshimi vërehet.

Shkrimtari Stefan King i ndante shkrimtarët në katër kategori biles shkoi e më tej, ai vuri fotot e tyre në një piramidë: ku binte në sy që shumica e tyre ishin në kategorinë e fundit. Ai thoshte se askush nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i keq në një shkrimtar i aftë dhe nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i mirë në një gjeni! Por vetëm me përpjekje dhe përkushtim, bëhet nga një shkrimtar i zoti në një i mirë. Shkrimtari kurrë nuk duhet të jetë i kënaqur me atë që shkruan, por ai duhet ta respektojë atë si ai fetari që respekton fenë e tij. Të jesh krijues sot i çfarë do lloj gjinie nuk është luks, është mëse njerëzore. Edhe diçka tjetër; shkrimtari i vërtetë bën kompromis vetëm me artin e për artin, përpiqet të qëndrojë sa më shumë larg politikës. Shkrimtari, artisti, poeti nuk është partizan i politikës dhe synimi i letërsisë nuk është kritikë apo reformim shoqëror. Një shkrimtar,artist apo poet mund të ketë pikëpamjet e tij politike, por këto pikëpamje kurrsesi domosdomërisht nuk duhet t’i manifestojë në krijimin e tij letrar e artistik. Shkrimtari, artisti e poeti duhet të jetë vetvetja, brenda brishtësisë së individualitetit të tij.

Gjithkush prej tyre përballet me kufizime të shumta në shoqëri dhe është zhytur ose në kakofoninë e turmës ose mbizotërohet nga ligjërimi i pushtetit. Kjo është sfidë e frikshme për të shprehur pikëpamjet e dikujt në rrethana të tilla, një individ konfirmon ekzistencën e tij nëpërmjet një sfide të tillë nga mjedisi i tij. Duke e shikuar nga ky këndvështrim shkrimtari,artisti e poeti e dinë se letërsia nuk është armë për kritikë, por një dëshmi për ekzistencën. Një shkrimtar apo artist është dëshmitar për kohën e tij, dhe letërsia përbën një dëshmi të gjallë për njerëzimin. Shkrimtari, artisti e poeti e di se letërsia, vargjet poetike, peneli i piktorit janë më reale se historia, e cila është shkruar e shkruhet nën ndikimin e pushtetit politik.Dhe pena e peneli i botës së artit bën kompromis vetëm me idealin e lirisë, patriotizmit e dashurisë njerëzore. Dhe po e mbyll me një mesazh shumë domethënës e simbolik të publicistit Vasil Qesari, i cili shprehet: “Artistët, janë kalorës të lirisë, “marothonomakë” vizionesh humaniste, pararendës të emancipimit dhe progresit njerëzor, rrëfyes të shpirtit njerëzor që lufton të Keqen. Shkrimtarët dhe artistët, në çdo kohë, kanë luftuar kundër tiranisë, mashtrimit, shfrytëzimit të njeriut, padrejtësisë, gënjeshtrës, dhunës dhe shkatërrimit. Ky është edhe një apel, për krijuesit dhe artistët e vërtetë të vendit tonë, të cilët kanë ç’të flasin e të mos heshtin rreth dramës shqiptare, duke u shkundur nga gjumi nën “kurorat e lavdisë”

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: esse, jo artistik, nivel monetar, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 778
  • 779
  • 780
  • 781
  • 782
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT