Nga Fadil LUSHI/
Duke e shkarravitur këtë shkrim, në mbrëmje, më mori motra në telefon, ajo heroina fatkeqe e gjeneratës së saj, ajo që u çatdhesua për t’u degdisur në Dardanele, gjegjësisht në pjesën e Trakisë turke. Biseda ishte përplot nota nostalgjike e emocionale. Qortimet e saj, ishin me vend…, sepse ka kohë që nuk jam dukur atypari, në Stamboll. Ajo, pos të tjerash, si me një urdhëresë më tha: ti im vëllaçko, më dëgjo me vëmendje, shko e gjeje atë gocën e bukur, atë çapkënen e mëhallës sime, ajo që ndoshta vazhdon të quhet me emrin Shqipe, atë lazdraken që besoj se, hallet dhe vuajtjet e saj nuk e kanë plakur. Dhe, në do e takosh, të lus puthe në ballë…, sepse ka shumë kohë që nuk e kam parë, që s’ia kam dëgjuar zërin, që nuk ia kam nuhatur erën… U solla poshtë e lart, në kërkim të “Shqipes” dhe, për fat, e “gjeta” diku në një cep të mëhallës së vjetër të kasabasë sonë. Nuk e kisha ditur se jetonte vetëm. Nuk ishte, as çapkëne e as lazdrake, ndërkaq prej bukurisë së saj, s’kishte mbetur dot gjë! Pas ca ditësh, iu paraqita motrës duke e pyetur: ti, moj motër, pa më thuaj se për cilën “Shqipe”e kishe fjalën. Ma ktheu, si me inat, se nëna jonë, Nazë, dikur kishte plot të drejtë kur më thoshte se këtë djalë e kemi paksa “mendjetrashë”(!?)… Andaj këtij “sugari të nënës”, gjatë rrugëtimit, do t’i duhet një përcjellës…, por njashtu edhe gjatë meditimit gjithsesi i duhet një njeri me mendje femër. Eh, le t’i lutet Zotit, se e kam motër dhe është njëmijë e një herë më e mençur se unë, se do t’ia ktheja atë “hazërxhevap”: Po pse nuk më the që në fillim se e ke mendjen te flamuri i Ismail Qemal Bej Vlorës e jo tek ajo “Shqipja” që, kur unë ashtu fshehurazi dua t’i përcjell një “gjysmë përshëndetje”, ma mban kokën dhe shikimin mënjanë e me inat!? Pikërisht kjo telefonatë ma ndryshoi kryekëput subjektin e shkrimit në fjalë e në vijim.
Ç’është e vërteta, subjekti i kësaj shkarravinës do të jetë historia e flamurit si dhe manifestimet e fundit që u organizuan gjithandej trevave shqiptare dhe që iu dedikuan 104-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 100-vjetorit të mëvetësimit të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlorës, po, në do të kem të drejtë, do të them edhe 99-vjetorit të Shqipërisë londineze. Sot ia vlen ta shkruajmë këtë vështrim gazete, kur më nuk na udhëheqin emocionet, patetizmat dhe kur uji ka rënë në vend të vet. Nuk do të gabojmë nëse do të themi se në këtë 100-vjetor, shqiptarët “pollën” gjithfarë datash të “paqena, gjithfarë figurash patriotike nga mëhallët provinciale”.
Se këto manifestime ishin thjeshtë një “hallakamë”, këtë më së miri i filozofoi, Edmond Tupja (autori i fjalorit erotik shqip), i cili në një shkrim të tij të fundit, pos të tjerash, thotë: “A do t’ia arrijmë asaj dite kur të vizitojmë më në fund panairin e pavarësisë pa u trembur se mos (larg qoftë!) i vetmi panair festiv që do të na mbetet të vizitojmë do të jetë ai i kotësisë”!? Unë, do të vazhdoj të them e të pyes se: a mos vallë këto manifestime, kështu siç u organizuan, nuk “prodhuan” një mal euforish e patetizmash…, a mos vallë nuk “ndërtuam një zabel” ngazëllimesh të pakontrolluara, jo natyrale dhe jo karakteristike për një komb të vjetër…, a mos vallë ky 100-vjetor të gjithë shqiptarëve u dha mundësi të eksponohen pavarësisht se dikur ishin kolaboracionistë, pavarësisht se ishin fukarenj, pasanikë, katundarë, shehërlinj, sherxhinjë e tjerë…, a mos vallë, këtë 100-vjetor e ngarkuam me folkpatriotizëm të skajshëm dhe me kiç (shund)…, a mos vallë nga këto manifestime, me a pa hiri, përjashtuam atdhetarët, gjegjësisht, njerëzit të cilët kishin kryer misionin e tyre patriotik.
Disa prej këtyre manifestimeve iu kushtuan edhe vetvetes, por ama me lekët e popullit, ca u bënë sa për të treguar se edhe ata ishin pjesë e këtij shekulli që na iku…, ca të tjerë i bënë sepse e kishin detyrim moral, ca pse e kishin “detyrim të rremë patriotik” e tjerë.
Të nderuar lexues, më lejoni të shpjegohem edhe pak (me kusht të mos ju bezdis). A mos vallë, manifestimet (të ndara), karshi 100-vjetorit të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlorës, (sa herë dhe sa më shumë i referohem historisë së Flamurit të Ismail Qemal Bej Vlorës, aq më shumë ndihem i vockël) (nuk) ishin, toptan manifestime që padyshim (edhe kësaj radhe)…, “shprehën atë fytyrën e absurdit” të shqiptarëve të përçarë, gjithandej Kosovës, Maqedonisë, Republikës politike të Shqipërisë, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi…, të atyre shqiptarëve, me inteligjencë qytetare, oksidentale, orientale e rurale…, a mos vallë, edhe në këtë 100-vjetor, gjithfarë “protagonistë patriotë shqiptarë” mëtuan ta (ri) shpalosin e ta (ri) ngritin flamurin kombëtar, vend e pa vend, në rrugë, në stadiume, në sheshe qytetesh, në tezga pazaresh, në ura autostradash e jo ku tjetër, dhe kështu duke u mundësuar “personave të panjohur” ta djegin atë. Lëre që nuk i dolën zot flamurit, por edhe as që i vunë vetes (pa) përgjegjësinë foshnjarake e qesharake!
A mos vallë, njerëzit që ishin trashëgimtarë të rrugëtimit të flamurit të Ismail Qemal Bej Vlorës, nuk i privuam nga e drejta e tyre (Rexhep Qosja, e shumë të tjerë) për të qenë të pranishëm në manifestimin qendror në Sheshin Skenderbej!??.., a mos vallë, kështu siç e festuam NDARAS këtë 100-vjetor (që ditë më parë na “iku ashtu kokulur”), meritoi një “kostumografi dhe skenografi politike tejet të ngarkuar”…, a mos vallë, skenës së Sheshit Skenderbej në Tiranë, i munguan akademikët dhe studiuesit e mirëfilltë të historisë së Flamurit dhe shtetit të plakut vlonjat…, a mos vallë nuk kishte një vend, së paku për Kristo Frashërin, në jo për diçka tjetër, atëherë së paku për moshën e tij…, në jo për diçka tjetër, atëherë së paku për pendën e tij. Ndoshta, profesori i nderuar Frashëri, nuk deshi të duket atypari, ndoshta ishte i frikësuar se Historinë do t’ia përflisnin e do t’ia lexonin bythaprapthi, njashtu siç nuk u duk atypari edhe i madhi ynë, Ismail Kadare!??
Ti, i nderuar lexues, “vërtet beson” se vallë, në Sheshin Skenderbej, nuk u gjet një cep për njerëz, të cilët një pjesë të kësaj historie e shkruan me gjakun e bijve dhe bijave të tyre…, a mos vallë, këtij manifestimi, i nevojitej një gjuhë popullore dhe një filozofi krejt tjetër, pse vallë i duhej e gjithë kjo arrogancë, ky egoizëm, ky duf patologjik, që i duhej e gjithë kjo paradë nihilizmi, bajraktarizmi…, gjithë ky folklor i stërngarkuar a kjo çmirësi e NDASI, qoftë ajo të ishte gjeografike, politike, urbane, rurale e të tjera ndasish! A mos vallë, edhe pas 100 vjet mëvetësie të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlorës, shqiptarët anembanë trevave të tyre autoktone, nuk e mësuan leksionin që llafos urtësinë e rilindësve shqiptarë si dhe atë leksionin që shpjegon bashkimin e mendimit politik ndërshqiptar…, një bashkim që s’ka hiç takat të lëvizë nga udhëkryqi!??…, apo në do të vrasësh flamurin, gjunjëzoja memorien a mbamendjen.
Kështu, siç shqiptarët i organizuan dhe i festuan këto data të shenjta (ndaras), atyre u mbetej vetëm ta “NGRITNIN E TA SHPALOSNIN FLAMURIN KOMBËTAR NË GJYSMËSHTIZË”, siç do të thotë, Mesila Doda, në një shkrim të saj të paradokohshëm.
At Gjergj Fishta, dikur tha: FLAMURI KOMBËTAR S’KA ÇKA LYP NDËR NE, PO QE SE DASHNI S’KEMI PËR ATDHE”!.., dhe për njëri-tjetrin.
E shtrenjta ime Motër, të fala nga vatani dhe urime Ditëlindja e Shqipes sate.