• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PO ME SHTATOREN E NËNË TEREZËS Ç’PATËN?

August 23, 2013 by dgreca

Kryesia e PSHDK-së  i ka dhënë mbështetje të plotë deklaratës së Bashkësisë së Degëve të PSHDK-së në Klinë, lidhur me tendencën e rrezikshme për zhvendosjen e shtatores së Nënë Terezës në Klinë. Ajo shfaq  shqetësimin e thellë me tendencat e kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, që pa ndonjë motiv të qartë të zhvendosë shtatoren e Nënë Terezës nga vendi ku është, në një vend që nuk dihet as në pronësi të kujt është.

Përmes një kumtese për opinion PSHDK-ja deklaron shqetësimin me frymën anti Tereze të disa segmenteve të kësaj qeverie, që filluan me Ministrin e Kulturës, Memli Krasniqi, i cili që në ditën e parë në postin e ministrit  e hoqi figurën e Nënë Terezës nga Ministria e Kulturës. Po ashtu, gjatë këtyre viteve janë dëgjuar shumë zëra ogurzi, që hedhin baltë mbi figurën më të madhe të shqiptarëve dhe të botës, mbi Nënë Terezën, ndërkaq na shqetëson tej mase fakti se institucionet tona, Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi heshtin përballë këtyre përbaltjeve, që ndonjëherë vijnë edhe nga segmente brenda qeveritare.

Kosova nuk duhet të harrojë që ishte pikërisht Shoqata “Nënë Tereza” e cila gjatë viteve të rënda të okupimit u bë burim i ekzistencës për shqiptarët. Kjo shoqatë, nën emrin e nobelistes shqiptare, nuk e la asnjë shqiptar të përkulet para regjimit të Millosheviqit, vazhdon komunikata.

Loja me shtatoren e Nënë Terezës në Klinë, pikërisht në kohën para fushatës zgjedhore, është një gjunjëzim i institucioneve tona para rrymave dhe elementeve radikale në vend, që nuk e duan Nënë Terezën në atë vend dhe që kultivojnë një frymë anti Tereze brenda kombit shqiptar. Pikërisht për këtë, PSHDK-ja kundërshton ashpër zhvendosjen e shtatores së Nënë Terezës në këtë kohë fushate dhe pa asnjë sqarim të pranueshëm për qytetarët e Klinës.

Zhvendosja e shtatores së Nënë Terezës nga ai vend nuk bëhet me asnjë motiv tjetër, përpos për të plotësuar aspiratat e ndonjë grupi ekstremist që s’e do atë në atë vend.

Kryesia e PSHDK rikujton se Nënë Tereza gjatë jetës dhe veprimtarisë së saj ishte dhe mbetet shembull i mirësisë dhe bashkimit në gjithë botën. Ajo ka bashkuar popuj, kultura e fe dhe ka shuar dallime të shumta, nën flamurin e mirësisë dhe bashkimit. Ajo duhet të jetë edhe simboli i bashkimit dhe unitetit të shqiptarëve dhe jo i dallimeve, thuhet në kumtesë.

PSHDK-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve qendrore dhe lokale, që të kenë kujdes me këto segmente të cilat po kultivojnë një frymë kundër Nënë Terezës në vend. Këto segmente, kështu siç po veprojnë, po i bëjnë një shërbim të keq vendit tonë dhe të ardhmes së tij, përfundon kumtesa(Deklarate e PSHDK)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: c'paten, e Nene Terezes, Po me shtatoren

Seminari albanologjik-kështjellë pa dritare

August 22, 2013 by dgreca

Nga Behar Gjoka/

Fundgushti sërish e gjen Prishtinën nën ethet e seminarit albanologjik. Shumicën e seminaristëve, që do të kryejnë ritin e leximit të kumtesave, e përbëjnë filologjikasit e dy anëve të kufirit. Shkëlqimi, ka gjasa vetë ekzistenca si mësimdhënës, në një farë mase, mëvaret nga mbajtja në këmbë e seminarit. Një mënyrë, që së paku, njëherë në vit të duken në krye të listës së njerëzve, që zyrtarisht bëjnë sikur merren me albanologjinë. Shkas për të hedhur një vështrim mbi bëmat e seminarit albanologjik të radhës u bë një shprehje e lëshuar në median e Tiranës nga Bardh Rugova, bashkryetari (me gjasë kjo detyrë është dëshmi unike e lidhjes së tij me albanologjinë), se kësaj here paskëshim pasur kritere të rrepta. Rrëmuan në adresën e seminarit, asgjëkundi ato nuk duken. Të kërkosh kriteret është si kërkosh qiqrrat në hell. Shpallja e mungesë së tyre, si kritere të rrepta, një mendësi e rrokshme burokratike, më solli në mend “rreptësinë” po kaq burokratike, të filologjikasve të Tiranës, veçmas të departamentit të letërsisë, e ushtruar me disiplinë të hekurtë, për të përjashtuar alternativat që nuk bëjnë fresk, sa herë i janë qasur letërsisë. Kështu vepruan edhe në vitin 2011, në 100 vjetorin e Migjenit, kur e rrëshiqtën trajtimin e figurës në binarët e vrakaçorizimit, pra të rrëmimit në gjurmim të shpalljes së poetit si serbo-malazes, madje duke e shitur para studentëve si arritje shkencore. Ky model i prezantimit të kritereve pa kritere, por edhe si kofini pas të vjeli, është marrë i gatshëm nga Shqipëria dhe vijon zbatimin e pikëpërpikshëm në trojet etnike. Model komunikimi, me psikologji pushtetare, me një vetëbesim licensuesish dhe censorësh, sikur kanë në dorë fatin e letërsisë, studimit dhe kritikës letrare. Kjo ndjesi vetëbesimi, buron nga fryma e klanit, që i kapërcen kufijtë, dijen dhe padijen, seksin dhe moshën, pushtetin dhe partitë, dhe po punon që në një të afërme të mos ketë fare mendim shkencor, por vetëm tituj dhe grada me shumocë. Përqark albanologjisë, as duhet ta shpiesh në mend që të avitesh, kur nuk ke lidhje me rrethakun e filologjikasve të përbetuar për të shkatërruar praninë e mendimit ndryshe, e mendimit të lirë, që nuk ka lidhje me çirakët e motshëm dhe eunukët e rinjë të studimtarisë së rrumpallës albanologjike. Emri i krijuar ndër vite, për seminarin e albanologjisë së Prishtinës, nuk pengon aspak që të vësh re, mjerimin ku ka rënë tash sa mote. Rrezbitja e lexueshme, në mënyrën se si grupohen e llafiten, po ato mësimdhënës të dy anëve të kufirit, nuk shpetohet nga shkëlqimi i dikurshëm i këtij seminari, që nuk është krijuar për të sunduar një klan, që e ka kthyer seminarin në një kështjellë pa dritare, pa hapësira komunikimi. Kujt i duhet një kështjellë e tillë, e cila vetëmsa mbledh mjeranët që i rren mendja se kumtesat e gushtit janë kulm shkencor. Mjerimi i seminarit, ka ardhur vit pa viti, por organizatorët e sivjetëm, në mënyrë të veçantë, kanë meritën e sojme që po i vënë kapakun, fundit të pashmangshëm, të një veprimtarie ku më shumë se sa kërkim shkencor, të fanitet me një peligrinazh djemkash, varzash dhe çfitesh të lumtura, që fundin e gushtit e kanë të garantuar me paratë e taksapaguesve të Kosovës, të qeverisë dhe donatorëve të ndryshëm. Me ato para mundet të bëhej ndonjë vepër më humane, se sa të paguash për të konsoliduar mediokritetin e mësimdhënëseve, pavarësisht anës së kufirit. Gjithçka përsëritet, nën një ritëm monoton, po ato mendime, po ato fytyra të lodhura nga mësimdhënia e shterpëzuar, që lidhjen me shkencën e kanë administrative, parësisht, qoftë në mënyrën se si janë vetgraduar me tituj, me detyra shefash, me çmime dhe dokorata. Po ato kumtestarë që gjithnjë e më shumë, si filologjikas të betuar, seç me bie në mend fjala debatikas, që ka lidhje me përbetimin e hershëm, e kanë kthyer seminarin në një kështjellë prej rëre, ku shkundin puplat titujmbajtësit e lodhur nga bordet, shërbesa për pushtetin e radhës. Me shkencërimin, pa grimën e shkencës, që nuk habit më as ata vetë, seminari është shpërndërruar në një ngrehinë amorfe, burokratike dhe penguese e zhvillimit të shkencës, mbase do t’i shkonte me mirë, në një peligrinazh të dështuar në vapën e gushtit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Behar Gjoka, keshtjelli pa dritare, seminari albanologjik

SEÇ NA U “NGATËRRUA” PROVINCIALISTI ME ARISTOKRATEN!

August 20, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Disa ditë më parë rastisi të jem “dëshmitar i paftuar dhe i heshtur” i një zënke, gjegjësisht i një “rebelimi” mes dy shqiptarëve. Njëra ishte femër a motër shqiptare, mësuese në detyrë, ndërkaq tjetri ishte me gjini asnjanëse-as mashkull as femër, as mish as peshk, as shehërli e as fshatar? Asnjëri prej protagonistëve të kësaj “grindjeje” nuk i kishte hallet, sikletet, qasjet, shijet e as sjelljet e njëjta. Karakteret e tyre ishin diametralisht të kundërta. Se ç’m’u desh të dëgjoja llafet e tyre, sot e kësaj dite s’ma pret fiqiri. Megjithëkëtë, kjo më provokoi që këtë “sherr” ta marr për kryefjalë të shkrimit në vijim. Nëse neve do na lejohej ta qëndisim këtë vështrim, atëherë do të bëjmë çmos për të mos marrë taraf, respektivisht nuk do ta avancojmë, nuk do ta kritikojmë e as nuk do ta lavdërojmë asnjërën palë, ndaj shpresojmë se këtu nuk do të ketë vend për ndonjë karakterizim diskriminues a diskreditues.

Shkëmbimi i mendimeve ndërmjet tyre u duk që në fillim se ishte jomiqësor, për faktin se këmbë e krye ishte e përmbytur me “qytetari, provincializëm, me inate, me xhelozi dhe me ca shaka me thepa që sjellin më shumë “zarar se qar”. Kjo motra a zonja e nderuar sikur donte në atë “komunikim linguistik” të zbulojë a të sheshojë pezmin e saj ndaj gjithë asaj që nuk bënte në profesionin e saj, përkatësisht në arsimin shqip, këtu e gjetiu; sikur donte ta shprehte gjithë atë nostalgjinë e saj të trishtë sa u përket mësuesve të dikurshëm që sot nuk duken më këtejpari. Sikur donte që bashkëbiseduesit t’i sugjeronte se dikur moti gjyshi i saj, që kur kishte zbarkuar në kasabanë e Tetovës (në vitet e gjashtëdhjeta), kishte hapur librarinë e parë popullore (shqipe). Sikur donte t’i thoshte: Ti, zotërote, të lus më kurse dhe mos më fol për kulturë, për arsim dhe  për aristokraci, më lër të qetë, sepse këto virtyte të larta morale, i kam trashëguar  nga gjyshi dhe prindërit e mi, në vaktin kur soji e sorollopi yt i shkonin pas cjapit të egër! Të lus, mos ma ngacmo kureshtjen a dëshirën time për të mësuar diç më tepër për ty…, më lër rehat që këtë trashëgimi ta ruaj me xhelozi dhe me atë fanatizëm të rrallë, një trashëgimi të ngarkuar me plot humanizëm, mirësi si dhe me altruizëm.

Kjo motra jonë e nderuar, sikur donte ta qortonte edhe më tej bashkëbiseduesin e saj të kompleksuar fund e majë, sikur donte t’i bërtiste e t’i thoshte: pse ti, vëllaçko, për “qytetari të rreme” hoqe dorë me aq lehtësi nga të qenët fshatar, pse hoqe nga mendja fisnikërinë e saj, pse nga higjiena e mendjes aq fare kollaj hoqe burrërinë, mikpritjen bujare, të ngrohtë, të përzemërt, vëllazërore dhe të thjeshtë të saj. Po ti, vëllaçko, ç’të duhet që për hir të një “qytetarie dhe aristokracie të shtirur”, ashtu për qejf, të shkelësh a të përbuzësh vendin ku ke lindur…, bukuritë e jetës në fshat!? Kjo motra jonë, mësuese në detyrë, sikur donte t’i thoshte bashkëbiseduesit të saj se aristokracia po dhe qytetaria e tij virtuale është një element i rrezikshëm, nëse me të do të mëtosh të ushtrosh  pushtetin dhe ta zaptosh kryeminderin e saj, është edhe më i rrezikshëm, nëse gjithë këtë imagjinatë do ta “shndërrosh në besim dhe në bindje të verbër”!?

Motrës sonë si duket i doli pushka huq, sepse me gjithë përpjekjet për ta bindur vëllaçkon e saj, nuk ia doli dot…, nga fakti se bashkëbiseduesi mezi i shqiptonte fjalët, mezi ia ndiqte mendimet,  jo pse i mungonte kjo dhunti e të shprehurit e të dëgjuarit, por pse “gojën e kishte plot me kikirikë”, se ashtu dhunshëm e detyronte motrën a zonjën e nderuar ta duronte arrogancën e dërdëllitjeve të tij të pafund. Dhe, në vend që t’i saktësonte mendimet, ai përkundrazi i ngatërronte ashtu njësoj si leshi i arapit…, në vend që të “kuronte kompleksin e të qenit provincial” ai, përkundrazi e ushqente atë të paqenë…, sikur turpërohej nga identiteti i tij, nga prejardhja a nga origjina e fisit, nga vendlindja etj. E gjithë kjo të krijon përshtypjen se puna e këtij “provincialisti” është si ajo batuta gjirokastrite: “…, e dini ç’e gjeti gomarin kur u mundua të pjerdh sa kali? Iu shqye b…”! (Besoj se lexuesit do më ndjejnë për këtë batutë)

Nëse do më lejohet, këtë shkrim do ta mbyll duke iu referuar një shpjegimi që e kishte bërë një mik yni (Salih Kabashi) në lidhje me një mesele nga vakti i ish-Jugosllavisë: “Një gazetar me nam i kishte kërkuar një intervistë Branko Mikuliqit, kryetarit të atëhershëm të Këshillit Ekzekutiv Federativ dhe ky ia kishte dhënë pa  hezitim. Duke dashur që ta nderonte gazetarin, ai e gostit me një drekë dhe pas dreke e fton gazetarin që bashkërisht të “çlodhen” në një pishinë qeveritare. Dreka u hëngër, kafet u pinë…, u lanë dhe u kënaqën. Pastaj u shtrinë krah njëri-tjetrit. Ashtu duke ndenjur e duke bërë llaf, Brankoja po i shikonte vjedhurazi herë shputat e veta dhe herë shputat e gazetarit. Këmbët e veta  i shihte të shtrembëruara dhe gishtat të gjithë çatall, me thonj të deformuar e keqas të çakorduar. Këmbët dhe shputat, lëkura dhe gishtat e gazetarit përbri i shihte me xhelozi, sepse ishin në rregull, të pathyer e të hijshëm. Nuk u durua Brankoja, nga katundi Pogragjë i Bugojnos, dhe e pyet mysafirin e tij: – Shoku…, po shikoj këmbët e tua dhe po shikoj këmbët e mia, po shikoj shputat tona. Shiko si janë të miat dhe shih si janë tuat. Pse është kështu?- Nuk e di, thotë gazetari zagrebas. Ndoshta pse në familjen tonë ka më shumë se një shekull që mbathen këpucë. Maloku, kryetar qeverie, nuk e kishte zgjatur muhabetin më tutje. I pikëlluar për mungesë të sadopak aristokracie për biografinë dhe veten e tij, çartaqejfas dhe jo pa siklet duke e parë veten fare thundrakë, i tha rrugë të mbarë zagrebasit!”

Mendjendriturit a ata me mendjen femër mbase mund të thonë se nuk duhet të heqësh mendjen nga prejardhja a origjina, pavarësisht se ky shpjegim i lartpërmendur mëton të diskreditojë a të diskriminojë bashkëbiseduesin e motrës a mësueses sonë në detyrë. Nga ana tjetër, ata që e njohin këtë shpjegim do të thonë se shumë kohë më vonë regjimi titist aristokracinë e familjes së gazetarit nga Zagrebi, ashtu pamëshirshëm, e kishte masakruar dhe denigruar dhe njëkohësisht ia kishte zaptuar të drejtën e shpalosjes së gjenealogjisë së familjes së tij! (Ashtu siç komunistët dhe harresa e turmës provinciale e shuan dhe e ekzekutuan me përpikëri, njëherë e përgjithmonë, aristokracinë e familjes prej mësuesi të motrës sonë!)

Se si kishte përfunduar ai “shkëmbim i lirë mendimesh ndërmjet protagonistëve në fjalë”, unë sot e kësaj dite nuk gjeta ndonjë provë. Një gjë e di, aristokracia e saj prej mësueseje është e vërtetë në krahasim me atë të bashkëbiseduesit që ishte i sajuar a i imagjinuar!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: aristokratja, Fadil Lushi, ngaterrim, provincialisti

Një thirrje për qeverinë e re…

August 19, 2013 by dgreca

Nga Zyba Hysen Hysa/

“Shqipërisë po i ndodh si kalasë së Rozafatit, që ndërtohej ditën dhe prishej natën, ndaj edhe sikur të kem fatin e gruas që u muros për të qëndruar kështjella, do ta pranoj, vetëm dua të ngre zërin tim që të mos i dëgjoj e të mos e shoh më ndërtimin pa leje dhe prishjen me leje, se në vendin tonë kanë ardhur e kanë ikur pushtues pas pushtuesi, por asnjë nga pushtuesit, nuk prishi ato që ndërtonte ai që ikte, ndërsa në kohën e sotme, që jemi pa pushtues, pa armik në vatra, po bëhem mynxyra të papara e të padëgjuara…”

Shpesh dëgjoj nëpër biseda që thuhet: “Edi Rama(nuk thonë as Kryeministri) do i prishë të gjitha ndërtimet pa leje në Vlorë… Edi Rama do heqë të gjithë drejtorët e shkollave… Edi Rama…” I dëgjoj dhe nuk hyj në biseda e aq më shumë të debatoj, nëse bën mirë, apo bën keq, por pse ta fsheh, më zë një dridhmë që as vetë nuk e ndaloj dot, një dridhmë që pak nga pak më shndërrohet në makth, se këto deklarime i kam dëgjuar sa herë ndërrohen qeveritë këtu në Shqipërinë tonë të dashur. “Ëh… rënkonte vendi,/ Sa herë vinin mizoritë,/ Ëëëëëh rënkon edhe qielli,/ Kur hipin, zbresin qeveritë…”

Shqipërisë po i ndodh si kalasë së Rozafatit, që ndërtohej ditën dhe prishej natën, ndaj edhe sikur të kem fatin e gruas që u muros për të qëndruar kështjella, do ta pranoj, vetëm dua të ngre zërin tim që të mos i dëgjoj e të mos e shoh më ndërtimin pa leje dhe prishjen me leje, se në vendin tonë kanë ardhur e kanë ikur pushtues pas pushtuesi, por asnjë nga pushtuesit, nuk prishi ato që ndërtonte ai që ikte, ndërsa në kohën e sotme, që jemi pa pushtues, pa armik në vatra, po bëhem mynxyra të papara e të padëgjuara…

Ka vite që nuk më shkitet nga mendja një skenë e parë në një pyll buzë rrugës, kur një burrë po priste një pemë të lartë dhe pema u rrëzua me një oshtimë, që ngjante si rënkim e një të riu të rrëzuar nga një plumb i pabesë. Shtanga dhe lotova, se ai vazhdonte të priste më radhë… Po kjo vazhdoi në gjithë vendin, vazhdon edhe sot, priten e digjen pyje pafund… kjo gjë u bë edhe në 97, ku u shkatërruan fabrika, uzina, kombinate… vreshta, ullishte, kanale ujitëse… se kështu po “dënonin” sistemin diktatorial, vramë dhe njëri – tjetri me një egërsi më të egër se diktatura e diktatorit, në emër të “demokracisë” dhe ku ishim… në diktaturë, ku shkuam… në një formë më të egër diktature dhe ne sa koha shkon ndalojmë frymën dhe dëgjojmë të na çilet një dritëz demokracie, një dritëz shprese për paqe, për vëllazëri mes shqiptarësh, po si do ta kemi këtë, ku pa zënë kolltukët, dëgjohen kërcënime?? Cilët janë demokratët? Po socialistët? Po …? A nuk janë të gjithë shqiptarë? A nuk flasim të gjithë shqip? Nuk jemi të një gjaku? Pse do të “përshëndetej” populli me masa ndëshkimore pa i përshëndetur me dëshirën e mirë për të gjetur një gjuhë të përbashkët që edhe ato që janë ndërtuar pa leje të mos prishen, por të shpallen pasuri shtetërore, se një që vjen e ndërton në pronën time pa më pyetur, ai ka dy rrugë: Ose brenda një afati ta prishë vetë, ose ajo të më kalojë mua, kështu edhe këto ndërtime, se është mund, djersë dhe investim, që është bërë, mbase pa dokumente, por patjetër me leje, se nuk u ngrit një kështjellë me rërë të njomë, ashtu siç bëjnë fëmijët buzë detit dhe ta fshijë dallga, por është dashur punë e kur paskan qenë pa leje, ku ishte pushteti vendor që i ka lejuar? A nuk ishte kjo socialiste, apo në ato rrethe ku ka qenë i partisë demokratike e kur erdhën në pushtet bënë të njëjtën gjë??

O zot i madh! Kur do mbarojë kjo Odise?! Nuk e ka fajin ujku që ha tufën, por bariu që nuk e ruan, ndaj unë doja të dëgjoja nga kjo qeveri që të thoshte: “Nuk do të lejohen më ndërtime pa leje, ato që janë bërë në prona publike, i kalojnë shtetit për t’i menaxhuar për të mirën e popullit…” e cila do kishte më shumë vlerë, sesa të shkojnë me ceremoni për t’i prishur, ajo gjë krijon makthe, jo ndërgjegjësim, se po të veprohej kështu, asnjë nuk do të guxonte të ndërtonte pa leje, se do t’i konfiskohej… apo me drejtuesit e shkollave. Ç’faj kanë drejtuesit që i vinin mësuesit në rresht, kur ata urdhëroheshin nga lart? Po, jam dakord, të shikohen të paaftët, që edhe mund të ketë, por të aftët të trajtohen nga shteti si drejtorë dhe jo si komisarë të partisë. Ata janë si të gjithë, mësues, por kanë qenë të detyruar, janë shqiptarë e kanë të drejtë të punojnë, nëse duam arsim (jam e bindur) ata bëjnë arsim, nëse duam politikë, ato nuk kanë rrugë tjetër, bëjnë politikë. E keqja nuk është tek drejtorët, por tek qeveria. Nëse qeveria e re, do dijë të drejtojë, edhe ata do i përgjigjen detyrës, ashtu siç kërkohet. Fshesë e këtyre do ishte një përsëritje e gabimeve, duhet të mësojmë të drejtojmë, jo të shkatërrojmë…

Që në fushatë dëgjoja biseda mes kolegësh: “Po fitoi PS, unë do bëhem drejtor se jam i LSI – së, – thoshte njëri, ndërsa unë, – thoshte një tjetër, do të bëhem nëndrejtor, se jam e PS- së…” dhe këto bëheshin në sy të drejtorëve aktualë e krijohej një gjendje, si të ishin armiq. Unë besoj, se më “fshesën” e qeverisë së re, do të bëhet i njëjti gabim i qeverisë që iku dhe kjo më çon të mendoj, se në Shqipëri nuk ka ndryshuar asgjë e nuk ndryshon asgjë nga kushdo që ta marrë pushtetin, se politikanët tanë nuk udhëhiqen nga ideja: “Ç’mund të bëjmë për popullin”, kjo mbaron me mbarimin e fushatës dhe populli nuk ekziston më si nocion e jo më si qëllim.

Unë i uroj qeverisë së re një rrugëtim paqësor dhe bashkëpunues me gjithë shqiptarët, sidomos, me intelektualët dhe mendjet e ndritura të vendit tonë. Le të merret ky shkrim si një shqetësim që vjen nga populli, se krijuesit kanë veti që pëshpërimat dhe psherëtimat e popullit t’i kthejnë në thirrje që shteti t’i dëgjojë dhe të reflektojë…

Filed Under: Opinion Tagged With: qeverise se re, thirrje, Zyba Hysa

Përtej ndotjes së një qyteti

August 18, 2013 by dgreca

nga Namik Selmani/

Kur vendosa të isha pjesë të një opinon për këtë problem, që është sa i rëndësishëm, sa edukativ, sa i dobishëm, sa i domosdoshëm, sa emocional po edhe po kaq monoton në shumë raste përballë një mungesë vazhdimësie në të nesërme që na prêt, do të doja që të kujtoja një episod shumë emocionues që e përjetova në një ditë prilli saktësisht para 20 viteve. Diku para Prefekturës së Qarkut të Beratit në atë tokë që atje ishte dhe është ende e asfaltizuar, një klerik i fesë bektashiane i veshur me rrobën e klerikut kishte marrë një karrocë fshesari një fshesë të gjatë dhe shumë i qetë fshinte sheshin. Të gjithë kalimtarët kalonin të heshtur, indiferentë, të çuditur me këtë njeri që shumë nuk e kishin pare edhe pse ishte një beratas. Guxova dhe e pyeta. Ishte një ish mërgimtar politk që kishte jetuar për 20 vjet në Paris dhe në ditët e para që kishte ardhur në këtë qytet kishte marrë me qera karrocën fshesën dhe fshinte -Vij nga Franca e më dhemb jo vetëm varfëria e qytetit tim por edhe papastërtia. Jemi të varfës po nuk kemi se të jemi ta papastër për tokën që e kemi në këmbë. Unë nuk jam prefekt nuk jam kryetar, po dua që atë copë tokë që më tani në këtë vend ta fshij pa droje se dikush mund të më shikojë me sy tallës. Të gjithë po goditeshim me mesazhin e tij. Tokës sonë në gjithë kohërat i kanë kënduar me shumë pasion. Toka është bërë simbol i atdheut të secilit po shumë herë është parë si simbol i jetës që prekim të asaj toke që dikur edhe na vë në gjirin e saj. Kam droje se toka aq engjëllore dhe aq bukurore është shumë intaçore me te gjithë ne. Në këtë atmosferë shumë moralizuese që shpesh e ngërthen shoqërinë shqiptare e sidomos edhe ata që merren me rininë do të bëhesha edhe unë paska mëkatar me idetë e mia. Le të ecim së pari me hapat e të rinjve të shkollave.

Nëse në një ditë të caktuar do të bëhesha aleat i këtyre të rinjve që gati me këngë në gojë e në buzë pastrojnë këtë pjesëz të qytetit do të doja që kjo fymë të jepej që në shkollë E them këtë se bëhen me dhjetra biseda e jo gjithmonë e shohim edhe te fëmija. Do të doja që të shikoja përballë brezit të ri përballë vajzave e djemve disa të mësuar me një kovë gëlqere, me një fshesë në duar e gjithmonë si VULLNETARË bëjnë detyrën që pastrojnë rrugën ku kalojnë se ajo është toka e të gjithëve që nuk ka ligj të na detyrojë që ta pastrojmë Do të ishte ende një diskutim i hapur aq solial aq edhe juridikk ai i vullnetarizmit po gjithsesi kjo dukuri duhet të jetë edhe pjesa jonë e edukimit she e stimulimit moptivues e na takon ne, mësueseve, drejtorëve të shkollave, medias dhe shumë forumeve të tjerë që të bindim njerëzit sidomos të rinjtë se vullnetarizmi ka rolin e vet. Na vjen keq që në Berat në Tiranë të shohim pemë që mbillen nga vetëm nga bankat e ndryshme shqiptare e të huaja. Mirë. Edhe bankat kanë të drejtë të mbjellin themi ne. Po mungon ajo dora jonë, e bërë me dhe toke që të bëjë punën e vet.

Themi këtë se ende nuk kemi MODELE në këtë fushë. Diku në familje edhe mund të ketë disa portrete të këtyre modeleve po jasht në mjediset tona publike, në rrugën që hedhim, në lopatë ku tymosin vazhdimisht, në disa lokale të llotove ku boshësia shpirtërore garon dhimbshëm edhe me papastërtië që shpesh na mbyt, na zjarrmon, na ligështon na shkel një psikologji gati demoralizuese. Ne ende jemi në një fushatizëm në këtë drejtim. Gati duke korizuar me vete atë fjalë “Shtyje!” që na kapluar të gjithëve. Ende nuk kemi një ndëshkim-shërim që për atë që s’duhet të bëjmë për tokën tonë. Nuk kemi dëgjuar që në një qytet dikush gjobit për plehrat e hedhur nga ballkoni ose në një vend të papërshatshëm. Ne kemi turp që t’i themi botës për njerëz që djegin pyjet, që dëmtojnë që në shkollë dëmtojnë mjediset e lulishteve. Pa folur që të bëjmë edhe një gjyq publik për dëmtues të këtyre mjediseve. Ne kemi pak shembuj gati Robinsonësh shohim në jetën tonë edhe pse diku dhe dikur nuk është vështirë që të gjenden. Të njerëzve që duan tokën e që ne nuk i njohim mirë ku janë si e mendojnë për të. Në një kohë që na futen në sy seminare të pafund shoqatash në televizione ku ka shumë moral. Me shumë emocion drithërues kujtoj këtu se në një rrugë Boston–Njy Jork që bëra para disa vitesh miku im që kisha në makinë më thoshte disa herë radhaz që të mos e hidhja nga xhami i makinës në tokë atë kuti që mbeste pas rrufitjes së pirjes në atë vapë amerikane të korrikut. Në se ndodhte një gjë e tillë, fare mirë mund të gjobitesh rreth 5000 dollarë!!!!!! Pa koment për këtë gjë!

Me këtë rast për të zbutur pak natyrën polemizuese, do të kujtoja një të moshuar nga krahina që i përkas që edhe pse nuk kishte aspak nevojë për të shitur zarzavatet që mbillte në kopësht, ai çdo pranverë punonte deri vonë që në vjeshtë të mbushej plot bahçja e tij. Në vjeshtë ai dërgonte djalin (jo pa qëllim) tek fqinjët e i dërgonte atyre domate, kunguj, qepë, sallata. Të gjitha falas, falas, po e them së dyti. -Miku ynë,- i thonin fqinjët,- pse je kaq bujar e na i jep falas? -Ju faleminderit që me respektoni duke i marrë këto. Unë nuk e shoh dot tokën ashtu djerrë, të dëmtuar në brazdat e saj. Më dhemb. Dua që toka të jetë e bukur e ajo është kështu kur e vë të prodhojë gjëra të mira, të dobishme. Që për atë, tokën tonë të dashur, të mos kujtohemi një ditë të vitit në një ditë që është vetëm një ditë larg festës së librit që është 23 Prilli, po në të gjithë ditë ne të kemi brenda vetes festën e madhe se jemi miq të Tokës dhe ajo është mikesha jonë më e mirë që na i di të gjithë numrat e celularit ëndrrat tona shpirtin tonë të trazuar. Nuk është fjala për t’u bërë të gjithë skënderbejane në këtë marrëdhënie me tokën kur themi se ai, Skënderbeu ka kërkuar që çdo çift të mbillte 25 rrënjë ullinj para se të martoheshin. Po a ka mundësi që ne të bëjmë inventarin e të gjithë pemëve të sheshit tonë. Ndoshta edhe një prej nesh ta kemi në jetë si pemën tonë si lulen tonë të shtëpisë për ta ruajtur e për ta përkëdhelur sa më shumë. A nuk është mirë që ta nisim kujdesin ndaj tokës që te varrezat ku toka bëhet bujare të na futë një ditë në gjirin e saj. A ka atje një rregullsi një pastërti, një trajtim human për të nga ne? Një pyetje që shpesh na klithmon me përgjigjen e saj. Ne jetojmë brenda vetes edhe djallin edhe një lloj engjëllizimi kur bëjmë moral aq shumë. Ndryshe veprojmë në mjediset ku toka na mban në supet, në rrugë në shkollë, në pyll. Oh, mos më kujtoni pyllin se vështirë që t’i tregojmë botës se kemi shumë fshatarë, shumë njerëz që djegin me qëllim vetë me duar e me çakmakun e tyre masa të tërë pyjesh. O, zot! Kur flet për Tokën mund të jesh shumë emocional, shumë më obligues ndaj saj. Shumë më vizionarë me projektet që hartojmë e që nuk duhet të mbeten vetëm në letrat e fletoreve apo në ekranet internetikë. Në detyrimin që që kemi për të duhet të kujtojmë se jemi vetë si toka që kemi nevojë që të gjithë të na duan, të na respektojnë e jo të na trishtojnë në atë moskujdesje të papërfillshme. Përballë mesazhit universal po edhe lokal në këtë ditë motivimi për dashurinë për tokën, më vjen në mend do të citoja këtë thënie: “Këtu në Berat nuk ka bukuri që vret, po bukuri që vritet” Një mesazh që shpesh thuhet edhe për qytete të tjerë. Dialogu Tokë–Njeri- Tokë do na shoqërojë edhe në vite. Ne dhe brezat. E pra, asnjëherë nuk duhet të ndihemi të lodhur Në këto vite të paprekura ne, fëmijët e fëmijëve tanë kemi dhe duhet të kemi një Thes detyrimesh për atë që ajo na kërkon. Sot e në jetë të jetëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: namik Selmani, pertej ndotjes, se nje qyteti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 792
  • 793
  • 794
  • 795
  • 796
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT