• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jeta dhe trashëgimia e Margaret Thatcher-it

April 9, 2013 by dgreca

Gazetari britanik, John O’Sullivan, ka punuar për ish-kryeministren Maragaret Thatcher nga vitit 1986 deri më 1988 si këshilltar i saj special dhe jozyrtarisht si fjalimshkrues. Pasi Thatcher ka lënë zyrën, O’Sullivan ka qenë njëri nga dy shkrimtarët që ka punuar me të në meomarët e saj: “The Downing Street Years” më 1993 dhe “The Path to Power” më 1995. /

Nga Heather Maher/

Kryeministri britanik David Cameron i ka thënë BBC-së se Margaret Thatcher “jo vetëm që ka udhëhequr vendin tonë, por edhe e ka shpëtuar”. Si e ka shpëtuar ajo Britaninë?
JOHN O’SULLIVAN- Ajo ka shpëtuar Britaninë ekonomikisht. Koha kur ka marrë postin e kryeministres, ka qenë menjëherë pas “dimrit të pakënaqësisë”, më 1979. Nëse kujtoni atë kohë, ka pasur shumë greva në Britani.
Të vdekurit mbeteshin të pavarrosur në Liverpool, mbeturinat mbeteshin nëpër rrugët e Londrës, veçanërisht në Leicester Square, kurse pacientë të sëmurë nga zemra ktheheshin prapa nga spitalet që gjendeshin në grevë.
Këta janë tre shembuj, por në përgjithësi, shumica e njerëzve ndjenin se Britania po rrëshqiste në një kënetë të dëshpërimit dhe për ta shpërtuar atë, kërkohej një veprim i fuqishëm. Ajo ka bërë tre gjëra. Para së gjithash, ka ndryshuar ligjin në mënyrë që sindikatat tregtare të silleshin nën kontroll. Së dyti, ka vendosur detyrime të mprehta në zgjerimin monetar; ka stabiluzuar monedhën dhe ka krijuar një lloj stabiliteti të nevojshëm financiar për bizneset.
Dhe, së treti, ajo ka nisur një revolucion të privatizimit dhe lirisë ekonomike, i cili është imituar në mbarë botën. Kur njerëzit flasin për privatizimin, ata nganjëherë harrojnë se ka qenë zonja Thatcher në Britani ajo që i ka hapur rrugë atij.
Dhe, duke bërë një gjë të tillë, ka krijuar edhe një klasë të re të aksionarëve në mesin e njerëzve që kurrë nuk kanë pasur prona të tilla. Pra, mbi të gjitha, ishte një ndryshim i shquar në shoqëri dhe ka bërë që, gjatë 10 vjetëve të saj në fuqi, Britania të bëhet ekonomia e katërt më e madhe në botë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ajo ka qenë tejet e sigurt në veten dhe bindjet e saj. Shpesh ka thënë: “Unë nuk jam politikane e konsensusit. Jam politikane e bindjeve”. Çfarë vlerash personale kanë përçuar këto?

JOHN O’SULLIVAN
Ajo është rritur në Anglinë provinciale. Ka qenë vajza e një shitësi ushqimesh dhe gjithmonë ka thënë se kjo ka ndikuar në pikëpamjet e saj ekonomike. Nëse keni punuar në një dyqan ushqimesh, keni ditur se mallrat vijnë nga e gjithë bota dhe jeni bërë kurreshtare të mësoni se si ndodh kjo.
Ajo do të thoshte se ka qenë puna prapa banakut në dyqanin e babait të saj që i ka dhënë aluzionet e para ekonomike. Natyrisht se më vonë i ka zhvilluar teoritë e saj në një mënyrë më akademike.
Së dyti, ajo ka qenë metodiste. Në rininë e saj në Angli, kjo ka qenë një formë pak më e ashpër e krishterimit, i cili theksonte veprat e mira. Ajo ka praktikuar këtë formë të krishterimit dhe ishte metodiste mjaft e fortë. Ka qenë fetare gjithë jetën dhe një nga thëniet e saj të preferuara ka qenë ajo e John Ëesley-t: “Fito gjithçka që mundesh, ruaj gjithçka që mundesh, dhuro gjithçka që mundesh”. Mendoj se ka jetuar me këtë lloj urdhri të krishterë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ajo është admiruar nga shumë, por edhe urryer nga shumë. Ka qenë një figurë tepër e polarizuar. A keni menduar ndonjëherë se duke qenë aq e papëlqyer, madje edhe nga disa në partinë e saj, është dëmtuar?

JOHN O’SULLIVAN
Kishte të luftonte shumë beteja. E dinte dhe i luftonte ato. Nuk e ka shkatërruar personalitetin e saj; ka qenë e drejtë në sipërfaqe dhe shumë luftarake; ka përlqyer debatin e mirë dhe argumentin e mirë dhe ka qenë e bindur se ka të drejtë.
Dhe, ndonëse ka paguar çmimin, ai nuk ka qenë një çmim i thellë psikologjik; ka qenë më shumë një çmim i jetës së përditshme, që vërtet e ka përfaqësuar dhe ajo ishte e mirë në këtë drejtim.

Margaret Thatcher dhe Ronald Reagan, 1984

RADIO EVROPA E LIRË

Ajo ka qenë mike e mirë me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan. Njëherë e ka quajtur: “Burri i dytë më i rëndësishëm në jetën time”, pas bashkëshortit Dennis. A ju kujtohet si ka nisur miqësia?

JOHN O’SULLIVAN
Miqësia ka nisur më 1975, praktikisht një javë ose dy pasi është bërë udhëheqëse e partisë konservatore. Ronald Reagan ka qenë në Londër dhe ka shkuar ta vizitojë. Ka qenë e planifikuar të kalojnë gjysmë ore së bashku, por kanë kaluar një orë e gjysmë ose dy. Pra, kështu ka nisur.
Por, vërtet është bërë formë e lidhjes politike më 1981, kur ka qenë nën presion të madh në vend dhe në vizitën e saj të parë në Uashington, pjesa më e madhe e stafit të Reaganit ka dashur që ai të distancohet nga ajo.
Megjithatë, ai nuk e ka bërë. I ka bërë një bujë të madhe. Jo vetëm që i ka ofruar drekën shtetërore, por ka pranuar ftesën kthyese – që presidentët zakonisht nuk e bëjnë. Kjo ka qenë kundër protokolit. Ai ka vënë dorën në krahun e saj për t’i treguar se “jemi duke bërë të njëjtën gjë dhe kemi të drejtë”.
Kjo, për të ka qenë fillimi i një miqësie të bukur, por edhe për Reaganin po ashtu. Ata shpesh edhe nuk janë pajtuar. Kanë ardhur edhe të mosmarrëveshje reale dhe, për aq sa ka qenë e mundur, i kanë mbajtur jashtë vështrimit publik.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni kaluar vitet e fundit duke punuar në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku shumë njerëz, në vitet 1980, Thatcherin e kanë parë si mbështetëse të tyre për lirinë. A është kjo ende e vërtetë?

JOHN O’SULLIVAN
Ajo ka qenë kampione e lirive të tyre dhe shumë njerëz, me të cilët kam folur, janë të lumtur teksa pranojnë këtë fakt – faktin se ajo ka qenë dikush që u ka dhënë mbështetje të fuqishme për solidaritet.
Ajo ka mbështetur disidentët kudo që është shfaqur mundësia. Ka qenë udhëzimi i saj që ministri i Jashtëm britanik – i pari që bën një gjë të tillë – të marrë aeroplanin për në Poloni dhe të vizitojë varrin e Atit Jerzy Popieluszko, i cili ka qenë martir i regjimit.
Pra PO, këto gjëra kanë ndodhur. Ajo po ashtu ka qenë forca lëvizëse brena Qeverisë britanike, për kritika të forta ndaj Bashkimit Sovjetik dhe natyrisht për deklarata të fuqishme anti-komuniste.

Përgatiti: Valona Tela

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: jeta dhe trashegimia, Margaret Thacher

FTESE PER DISKUTIM: JO VENDNUMËRO PËR BASHKIMIN E DIASPORËS SHQIPTARE TË AMERIKËS

April 8, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ WORCESTER, MA/

Për Bashkimin e Diasporës Shqiptare të Amerikës si domosdoshmëri sot për sot flitet më shumë rrjeteve sociale se shkruhet a thuhet në publik, në komunitetet shqiptare. Pothuajse, s’do ta zërë ndonjë gazetar i Diasporës me gojë. Është i sikletshëm? Nuk ka përse! Edhe pse s’e merr kush mundimin të shkruajë një editorial! Apo dhe një çerek faqe gazete, apo ndonjë hyrje programi televiziv në shqip të flasë për Bashkimin e Diasporës Shqiptare të Amerikës.

Dhe kjo heshtje vrasëse duket sikur s’i bën dëm askujt. Po çfarë po ndodh? Shqiptarët e Amerikës po përjetojnë rrëshqitjen në folklorizëm. Ka disa veprimtari të mirëfillta letrare e kulturore, por duket që këto i bëjnë të bukura njerëzit e artit që i kanë pasion dhe krijojnë në vayhdimësi ose edhe veprimtarë aktivë të ardhur më shumë pas 1990-ës në SHBA apo Kanada.

Kush mund ta shpëtojë këtë Diasporë nga vendnumëroja e darkave të kripura më shumë dhe e festivaleve parambledhëse? Kush tjetër, veçse zgjimi i vetëdijes kombëtare në Amerikë për një Diasporë aktive, të përbashkuar dhe me një zë! Dhe pastaj të mendojmë më shumë se si e qysh ta ndihmojmë komunitetin shqiptar të bëhet faktor përfaqësues për të mirën e tij pse jo dhe për Çështjen Kombëtare që ende lëngon trojeve shqiptare në Ballkan nga presioni në rritje i shteteve fqinje për asimilimin e Identitetit Kombëtar, të shkeljeve të dhunshme të të drejtave të shqiptarëve, të insistimit me dhunë të mospërdorimit të simboleve kombëtare në  trojet shqiptare.

I vetmi dokument kushtrues për bashkim për periudhën e këtij mijëvjeçari është libri i autorit Ismail Ahmeti “Bashkimi kombëtar i diasporës sonë në Amerikë” botuar në vitin 2006 nga shtëpia botuese Marin Barleti i sponsorizuar financiarisht nga 28 atdhetarë dhe Fondacioni Plavë-Guci.

E para përçapje për Bashkimin Programor të organizatave shqiptare me anëtarësi aktive u bë nga Shoqata Atdhetare Kulturore KOMBI e Worcester, shteti i Massachusetts në Boston, në Nëntor 2010 bashkë me shoqatat KOSOVA dhe MASSBESA që veprojnë po në Boston atje ku dhe u bë 101 vjet më parë Bashkimi i Parë nga shoqatat e shqiptarëve të udhëhequr nga Noli, Konica, Kirka e shumë të tjerë që formuan Federatën Panshqiptare VATRA.

Sot për sot në Amerikë veprojnë si organizata komunitare disa shoqata shqiptare njëherësh në New York, Boston, Detroit, Toronto (Kanada), Cleveland, Filadelfia, Worcester, MA, Florida, Washington, Dallas e gjetkë.

Përjashtuar të vetmen organizatë lobiste LQSHA e DioGuardit, 24 vjeçare, e sukseshme tashmë në lëvizjen për Liri e Pavarësi të Kosovës asnjë organizim tjetër shqiptaro-amerikan sot për sot nuk e ka statusin e përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve të Amerikës në Kongresin Amerikan apo Senatin Amerikan apo edhe në Shqipëri dhe Kosovë.

Pse? Sepse asnjë organizatë nuk është e shtrirë në të gjitha komunitetet shqiptare të qyteteve amerikane ose edhe atje ku është riorganizuar VATRA apo u riorganizua së fundmi veprojnë edhe organizata të tjera sipas krahinave nga kanë ardhur shqiptarët apo edhe prej territoreve të banuara me shqiptarë në Ballkan.

Sepse ka organizata të shqiptarëve së bashku apo dhe nga krahinat e trojeve shqiptare të Maqedonisë, të Ana e Malit, Mali i Zi  apo edhe shoqata të tjera të mirëfillta kulturore që më së shumti janë në New York.

Pra, kemi një situatë me profile të ndryshme organizatash, me anëtarësi aktive apo dhe organizata me vetëm Borde apo dhe me degë me dy vetë si dhe organizata me një njeri në drejtim… Pra, ka dhe amulli. Moskordinim më shumë. Disa angazhohen për patriotizëm të vërtetë, disa për protagonizëm individual. Puna e gjallë e disa organizatave i ka lënë hije shumë të tjera dhe tashmë mund të dallosh qartë në qytetet e mëdha si New York, Boston, Detroit, Worcester, MA, Filadelfia, Dallas, Cleveland se kush organizatë shqiptare vërtet organizon veprimtari cilësore me program atdhetar por edhe në bashkëpunim me organizata të tjera  simotra.

Kështu, 101 vjet më Bashkimi ishte i plotë pa diskutim organizativisht si dhe nga ana programore. Por kishte shqiptarë kryesisht në Boston dhe Worcester, në shtetin Massachusetts SHBA ( që ishin pothuaj nga Jugu i Shqipërisë, shumica dërrmuese nga Korça) ku edhe u përqëndrua veprimtaria kombëtare. Në qytetet e tjera amerikane kishte shqiptarë, por siç shkruaj më lart aktiviteti mediatik, politik, diplomatik dhe atdhetar i VATRË-s u përqëndrua në Boston.

Sot, 101 vjet më pas:

Ka një vendnumëro lidhur me reflektimin për situatën që është sot Diaspora Shqiptare në Amerikë. Pa një strategji Bashkimi. E parcelizuar. Larg e larg me qytetet. Pa një Program të Përbashkët Kombëtar. Vetëm  përmëndet për çfarë u bë për Pavarësinë e Shqipërisë, për shtetin, për kombin shqiptar 100 (1912) apo 80 vjet (1918-1924) më parë kur edhe ishte më i gjallë Bashkimi. Akoma vazhdon organizimi i shqiptarëve në qytete a lagje qytetesh, sepse organizimi është në proces e sipër apo ripërtërihet vit për vit sepse kështu janë edhe anëtarësimet – vullnetare. Asgjë konkrete. Sikur edhe idealizmi nuk pëlqehet. Sepse të gjithë “e dimë se bashkimi do ta përmirësonte situatën”. Nuk është e lehtë sot në Amerikë të punosh me komunitetet, por edhe e pamundur të bashkohemi nuk është. Sepse ka veprimtarë me shpirt kombëtar edhe pse nuk u pëlqen disave nëpër Këshilla Drejtuese organizatash kjo nismë. Ca sepse kanë lindur këtu në Amerikë, ca sepse u duket i pamundur, ca mbase u duket dhe i tejkaluar njëherë apo i provuar disa herë që nuk funksionon. Cave u duket sikur u kanë marrë nismën e Bashkimit. Sikur u prishen dhe interesat po ta zgjojnë Bashkimin e Dytë të Diasporës.

Ca presin sikur do tua falin Bashkimin …..Po Diaspora nuk është pronë! Është mision organizativ i të gjithave organizatave pa dallim. Po këtu duhen ftuar të gjitha edhe organizimet fetare të shqiptarëve, sepse ato kanë kontributin e tyre në Diasporën e Amerikës. Pra, nuk duket kaq e thjeshtë. Por me vullnet një grup organizatash bazuar në misionin e tyre bashkues do të mund ta marrin këtë nismë Bashkuese me program të qartë për një Kuvend të Parë të Diasporës në Amerikë, me përfaqësues të organizatave atdhetare, kulturore dhe fetare. E kërkon koha. E kërkojnë zhvillimet kombëtare në Ballkan por më shumë edhe ne shqiptarët e Amerikës për të parandaluar asimilimin sa më të shpejtë.

Në një farë mënyre duket edhe sikur punohet në ilegalitet qoftë edhe për riorganizimin e shqiptarëve në ato zona apo qytete sipas njohjeve që kanë veprimtarët edhe pse Amerika është vendi i demokracisë dhe ka hapësirë për çdo organizim sipas modelit apo veprimtarisë që organizon.

Mos ta presim as nga shteti amë, Shqipëria dhe as nga Kosova një përbashkim të ri. U ngopëm me premtime për kongrese apo komitete të diasporës  që janë ende në letrat e Tiranës zyrtare. Kush organizatë apo anëtar organizate ka flirtuar apo flirton me politikën shqiptare në Ballkan nuk i bën mirë Diasporës së Amerikës. Kjo duket sheshit. Dhe ne jemi të qartë se politika e keqe e Shqipërisë i ka prishur punë edhe shqiptarëve të Amerikës në shekullin e kaluar. Sot është jashtë mode.

Ndaj të bëhemi aktiv për veten tonë si komunitet i tërë, si faktor integrues e bashkues, përfaqësues e promovues të Shqiptarëve në Amerikë e Europë. Po këtë e bën një KUVEND i përvitshëm me Program të Përbashkët për ardhmërinë vetëm duke e bërë realitet, duke qënë aktiv kudo ku jetojmë por edhe së bashku.

Sepse nuk ta jep vjetërsia e emrit organizativ statusin aktiv apo përfaqësues në Diasporë, ta jep puna  e gjallë, e hapur, kordinative me organizata të tjera. E shohim këtë në shtetin Massachusetts ku ka më shumë gjallëri ndër shqiptarët për modelet që afrojnë shoqatat MASSBESA, KOSOVA në Boston dhe shoqata KOMBI në Worcester, MA.

Edhe në Shqipëri dhe Kosovë së fundi ka informacion se si e sa janë të organizuar shqiptarët e Amerikës. Dhe kjo padyshim i ngroh shtetet në të mirë të kombit tonë. Po jo kështu siç jemi ne në Amerikë, të parcelizuar. Me krahina apo sipas vendeve nga vijmë . S’do shumë studim.

Ne duhet të përdorim emisionet radiofonike apo televizive për ndërgjegjësimin gjithnjë e më shumë të shqiptarëve, sepse ne duhet të punojmë për bashkimin si në komunitetet  e qyteteve ashtu edhe diasporën në tërësi. Edhe veprimtaritë atdhetare për këtë flasin kur i kordinojmë me shqiptarët e gjashtë shteteve të New England dhe New York.

Dhe Bashkimi i Diasporës është duke marrë udhë. Po duhet të flasim më shumë për të. Sepse brezat shkojnë me kohën. Ndaj dhe asimilimi ngre krye hera-herës. Kur nuk themi asgjë për bashkimin.

Prandaj, kemi nevojë për një zgjim të ri. Që të jemi sa më të organizuar dhe më të besueshëm se dimë të ruajmë Identitetin Kombëtar jo vetëm lokalisht si sot por edhe tërësisht.  Të shpresojmë më shumë nga të qënit aktiv. Për ta trëmbur vendnumëron-ë!

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: artur vrekaj, bashkimi i diaspores, ftese per debat, ne Amerike

Vuçiq: Nuk do ta nënshkruajmë marrëveshjen

April 8, 2013 by dgreca

Partia Përparimtare Serbe [SNS] do t’i rekomandojë Qeverisë së Serbisë që të mos nënshkuajë marrëveshjen me Prishtinën të cilën e ofroi Brukseli, bëri të ditur kryetari i partisë, Aleksandar Vuçiq.
Kundërshtimin, ky subjekt e publikoi të hënën në mëngjes pas mbledhjes së kryesisë e cila i sugjeroi qeverisë që urgjentisht të thirr Brukselin për vazhdim të negociatave, me synimin e sigurimit të më shumë të drejtave për serbët në Kosovë.
“Duam të gjejmë zgjidhjen e problemit sa më parë të jetë e mundur, sepse nuk kemi kohë për taktizime. Datën do të na japin në qershor ose shtator, por [ajo që dihet është se] do të na e japin datën”, mediet në Beograd citojnë Vuciq të ketë thënë pas takimit të kryesisë së partisë.
Vuçiq, i cil i është edhe zëvendëskryeministër i Serbisë, tha se 2 nga 8 pikat e parashtruara nga Brukseli në marrëveshje janë të papranueshme, e që nënkuptojnë se katër komunat veriore nuk do të jenë autonome por në kuadër të rregullimit kushtetues të Kosovësë, dhe që forcat e armatosura të Kosovës do të dislokohen në atë zonë.
Ai ka shprehur zhgënjimin e tij, lidhur me ofertën e BE-së, por ka theksuar se kjo nuk do të thotë se duhet mbyllur dyert me Brukselin, pasi sipas tij, SNS-ja “nuk dëshiron ta kthejë Serbinë kah e kaluara, e as ta çojë në humnerë”.
“Nuk duam të shesim trimëri dhe të mbledhim poena politikë, por që të paraqesim qëndrime racionale, të arsyeshme dhe të Serbisë normale, e cila nuk e dëshiron të nëncmohet, por të bisedojë se si të gjejmë zgjidhjen për problemin e Kosovës”, tha Vuçiq.
Mbledhja e qeverisë serbe për të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje pritet të mbahet në orën 17:00. (f.aliu)

Filed Under: Opinion Tagged With: marrëveshjen, nënshkruajmë, Vuçiq: Nuk do ta

KOSOVA TJETËR

April 6, 2013 by dgreca

KOSOVA ËSHTË NJË KOSOVË TJETËR NGA KJO QË E KEMI NJOHUR/

Nga Brahim Avdyli/

Për t`a njohur më mirë Kosovën, nga pikëpamja ime, si idhëtar dhe anëtar i LNçKVSHJ-së, duhet të dimë se si është konceptuar më parë termi Kosovë, në përgjithësi. Në bazë të shpjegimeve të LNçKVSHJ-së dhe atij shqiptar të asaj kohe, përveç se nën administrimin osman, në të cilën i kishte pesë vilajete, duke e përfshirë edhe vilajetin e Selanikut, ku kombi shqiptar ishte komb i mirëfilltë, termi “Kosovë” shprehte të gjitha territoret shqiptare nën Jugosllavinë[1], e jo në përgjithësi vetëm territorin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

Kur kam folur për Kosovën dhe kur kam shkruar një poezi që e kam titulluar kështu, e kam nënkuptuar tërë territorin shqiptar nën Jugosllavinë. Termi im i Kosovës dhe termi për “Mbretërinë e Dardanisë” ka përfshirë të gjitha tokat veri-lindore të Shqipërisë. Nuk i ka përfshirë tokat jugore dhe jug-lindore të Shqipërisë, që janë të banuara pjesërisht me shqiptarë, pas gjenocidit të madh “grek” mbi shqiptarët, sado që nacinalizmi grekomadh bën një “zhurmë” kot, sikur pretendon “Epirin Verior”. Nuk ka diskutim se Greqia “Epirin Jugor” e ka shpopulluar pothuajse tërësisht dhe ka mbetur vetëm çameria shqiptare, duke përdorur lajthitjet më të përkryera “greke”, sikur ka patur punë me “turqit” e jo shqiptarët, sado që i dalin duçat për ledinë.

Për t`u krijuar “Kosova” me të gjitha tokat autoktone në Jugosllavi, do të duhej të prekeshin dhe të mos ekzistojnë këto shete: Serbia, Maqedonia dhe Mali i zi, duke e përfshirë edhe Greqinë. Dhe një gjë të tillë nuk do t`a pranonte bota përëndimore, në të cilin ishin të involvuara në radhë të parë Greqia, Rusia, Anglia, Franca, Italia, etj. nga të cilat janë pjesërisht Franca dhe Italia, ndërsa tërësisht, Greqia, Anglia dhe Rusia.

Këto shtete ishin dhe mbetën të përkushtuara për “ringjalljen” e besimit dhe sistemit fetar ortodoks, që është një besim iliro-shqiptar në pjesën e saj të parë, por që në pjesën dominuese është spekulluar dhe identifikuar me kulturën fetare sllave, të shpikur nga Cirili dhe Metodi, dy murgër grek dhe evrej, ku janë përfishirë edhe ata popuj dhe pakica popujsh ilir që besonin ortodoksizmin, dhe sot quhen me të padrejtë “grek”, “serb”, “malazez” dhe “makedon”.

A e shihni ju prej ku është krijuar “kombi” artificial i grekëve, serbëve, malaziasve dhe makedonëve? Rrymat fetare na kanë përçarë dhe kthyer kundër njëri tjetrit, respektivisht, na kanë bërë plojë të luftërave të tyre.

Greqia, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi nuk pushojnë të bëjnë çdo dredhi në kurriz të popullit shqiptar, i cili është i pavetëdijshëm sa duhet të jetë për këte dhe e ka përfshirë fuqimisht “rryma” islame, veçanërisht në Maqedoni dhe pjesërisht në Shqipëri dhe Kosovë, i cili po kamuflohet në baza fetare, veçanërisht në Maqedoni.

Para dhe pas pavarësisë nuk është bërë asgjë e rëndësishme, pos atyre gjërave që ka “lejuar” forca ndërkombëtare dhe indirekt UDB-ja, krahas luftës së pashkëputur për shkatërrimin e vërtetë të shqiptarëve përmes milicisë federale të Serbo-jugosllavisë, përmes ushtrisë serbo-jugosllave te drejtuar nga Serbia, përmes popullit shovinist serbo-madh, përmes pakicës serbe në Kosovë të militarizuar tërësisht brenda politikës serbo-madhe dhe paraprakisht përmes të afërmive shqipfolëse apo të shqiptarëve të lidhjeve të UDB-së në ish Krahinën Automome Socialiste të Kosovës, që ishin ndër të parët ata të cilët “u kyqen” në UçK.

Kosova e vogël mbeti “boshti” kryesor i “luftës” së UçK. Ndryshimet në Platformën dhe Statutin, sikurse krijimi i Shtabeve të Zonave Operative (SHZO) të UçK, e kishte po këtë qëllim. Unë mbeta kryesisht jashta konturave të saj, bashkë me disa shokë. Por, për të kuptuar më drejtë këtë çështje, po sjellim një shkëputje nga artikulli shkencor i Fatbardha Demit, “Ideologjia politike e historiografisë Europiane”, të dhënë tekstualisht në www.pashtriku.org:

>>Me synimin për të krijuar në shk. 21 një “komb” të ri (një praktikë e ndjekur edhe më parë në Ballkanin e shk. 19 me “kombin” malazez, bullgar dhe më ’45 atë maqedon), disa “intelektualë” shqiptarë (analfabetë të historisë), dolën me propozimin donkishotesk, për të krijuar një «komb kosovar». Mbrapa këtyre ideve, të hedhura në masmedia, fshihej në fakt, synimi politik për të tjetërsuar kombin shqiptar, në “popull kostitucional” kosovar, të pagëzuar me simbolet e BE’së (flamurin blu me yje të verdhë) dhe momentin “historik” të Marrëveshjes së Ahtisarit. Historia e këtij “populli kostitucional” e shkruar sipas modelit “biblik” dhe “romak”, do të pëlqehej dhe do bëhej e pranueshme nga Politika dhe Historiografia Europiane.<<

Për fat të keq, para, gjatë dhe menjëherë pas përfundimit të luftës së UçK-së, kam bërë disa reagime të fuqishme për këtë temë mjaft aktuale dhe relevante të Kosovës, një ish-“Krahinë Socialiste Autonome”, të lënë me dhunë në Serbi, që u bë Republikë e Pavarur e Kosovës, po me ata kufinj që ka pasur më parë. Për atë periudhë kohore kam kuptuar me “Kosovë” të gjitha tokat tona brenda ish-Jugoslavisë. Duhet të krijohej një ushtri, e jo të krijoheshin tri ushtri: UçK-ja e Kosovës; UçK-ja e Maqedonisë dhe UçBMP-ja, të cilat nuk i kanë patur gjasat themelore të “ngriteshin” në “ushtri” të vërteta për këto territore që i prezentonin, rrespektivisht UçPMB-ja dhe UçK-ja e Maqedonisë.

Kosova nuk ka ndërruar asnjë gjë në kufirin e jashtëm, pos disa zonave që i ka “populluar” Serbia me serbët problematik, dhe të atyre tokave të vlerëshme që ajo ia ka “vjedhur” Kosovës brenda territorit të saj. Nuk ka gjuhë të përbashkët për “kosovarët”; nuk flitet askund “kosovarishtja” dhe nuk ka mundësi të “nxirret” “gjuha kosovare”, sado që “shtetësia e Kosovës” bëhet e njëta gjë me “përkatësinë kombëtare”, dhe kjo vendohet për të gjithë qytetarët e Kosovës në pasaportën e tyre. Kosova me atë “kombësi” e ka “kombësinë kosovare”, pa marrë parasysh se kush janë. Kosova teorikisht është shtet multinacional, por në praktikë, me mbi 80% shqiptarë, është shtet shqiptar, gjë që nuk thuhet.

Duhet të themi se “ekspertët” e “analistëve” të shumtë “jugosllavë” në Kosovë, kanë mbetur poashtu të “mëdhenj”, si psh. Azem Vllasi. “Ekspertët” e rij përpiqen të japin një “gjuhë gegërishte”, vetëm që “gjuha e kosovarëve” të ulej poshtë se sa gjuha e vërtetë shqipe dhe kjo “gjuhë” të “barazohej” me “shpikjet” e grekëve dhe serbëve, të cilët janë të njohur kështu, nëpër tërë territorin Euro-Atlantik, me veprime antishqiptare.

Thuhet gabimisht se “kombi është akt besimi”, siç thotë z. Ndue Ukaj. Besimi ka të bëjë me të drejtën shpirtërore të njeriut të besojë fenë, por jo kombin. Kombi është mbi të gjitha fetë. E besoj apo nuk e besoj, kombi do të jetë ideali i ynë madh. Një komb mund të ketë disa fe, por kjo nuk ia “nxjerr” jashta qenies kombin e tij. Kombi nuk është “çështje besimi”, por ideal, përkatësi e ndërgjegje e lartë. Ajo është ndërgjegje e vetëdijshme e njerëzve të caktuar, të mbledhur brenda një shtrirje gjeografike të caktuar, që i mbledhë shoqëria e tyre në qendrat e vendosjes dhe që kanë bazën e tyre historike të ngjashme, që kanë kulturë të ngjashme, gjuhën me të cilën komunkojnë dhe zakonet dhe stilet e veshjes e të sjelljes…

Meqë tani ne po merremi vetëm me “Kosovën”, dhe nuk kemi kohë të lëshohemi në “çështjen e besimit”, do të themi se në planin e jashtëm e kufitar të Republikës së Kosovës janë bërë edhe lëshime fatale mbrenda kufirit të jashtëm të saj, si “krahinë autonome” e Kosovës, ndërsa në planin global e të brendshën të Kosovës, në planin politik aktual të Kosovës, do t`a them, ndër të tjera, një gjë:

-Kosova kishte pak kuadra të caktuara, si p.sh. në udhëheqje të vendit; në disa drejtime deficitare; në marrëdhënie ndërkombëtare; integrime dhe diplomaci, etj. të cilat, me shpejtësi i ka kompletuar. As për ekomominë e vendit, sidomos për prodhim, nuk ka pasur kuadra, të cilat sot po i përmbush. Borgjet janë shtuar nga jashtë, por një pjesë e madhe e tyre u takojnë të jashtmive, në përgjithësi. Sepse, mungesa e kuadrave u ka lënë hapësirë veprimi kuadrave të korruptuara nga jashtë të “sulmojnë” Kosovën me veprimtariinë e tyre dhe të korruptojnë tërësisht klasën e re politike kosovare. Kosova duhet të pastrohet nga kjo sëmundje, sepse po ia zë frymën! Madje, fare mirë! I ka bërë asaj vese të liga, sa nuk thuhet!…

Por, si e sheh qytetari i këtij vendi Kosovën, pa marrë parasysh se cili mund të jetë ai?

-Qytetari i Kosovës e sheh parasegjithash Kosovën shtet të lirë, një shtet që është “multinacional”; është shqiptar, turk, serb, malazias, boshnjak, goran, jevgjit, “egiptian” apo i ardhur si asylant nga “bota e tretë”, Kina apo tjetër, sepse të drejtat e barabarta në mes tyre janë garantuar në radhë të parë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Shtetasit turk janë të shpallur si “turk” dhe mësojnë gjuhën turke, edhe pse nga mbiemrat dihet se janë shqiptarë të turqizuar; ndërsa populli “egjiptas” fare nuk ekziston dhe kështu janë “shpallur” të tillë, sepse kanë qenë ashkali, njëra pjesë e formuar nga shqiptarët e tjera “gabel”, pra jevgjit. Edhe goranët janë shqiptar që jetojnë nëpër bjeshkë dhe që e flasin serbishten. Të gjithë këta janë pakica nacionale (kombëtare), të cilët, së bashku mund të përbëjnë maksimalisht 20% të popullsisë së tij dhe para ligjit barazohen me minimalisht 80% të popullit autoktonë shqiptar.

Republika e Kosovës është një “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”– thuhet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Dispozitat themelore, Neni Nr. 1. Ai është shtet i shtetasve të tij dhe rrespekton të drejtat dhe liritë e tij, brenda kufijve të saj.

Pra, Republika e Kosovës është një shtet shumetnike (multinacionale) që përbëhet nga komunitetet e tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike.

Shetet fqinjë, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, që janë krijuar me copat e tokave tona dhe popullatën shqiptare (ilire) nëpër to, që kanë pranuar fenë ortodokse, krahas Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjës, që e kanë edhe fenë islame, por edhe Serbia, që ka popullatë autoktone shqiptare me fenë islame, dhe neve na shohin si “të ardhur” në këtë pjesë të gjeografisë nga kushedi cili vend, por më parë thonë se “kemi ardhur nga Shqipëria”, dhe “harrojnë” se ato e kanë popullin autokton shqiptar në Maqedoni, në Kosovën Veri-Lindore (në Serbi), dhe Mal të Zi, të “shpëtuar” nga gjenocidi shumëvjeçar serbo-maqedono-malazias.

Pa tokat tona dhe pa popullin tonë, të dënuar kryesisht nga fuqitë e mëdha, deri në gjenocid, këto shtete artificiale nuk kanë pasur gjasa të mbijetojnë, të eksistojnë dhe të njihen ndërkombëtarisht.

Populli shqiptar mbetet në fërkim më të fortë e më të pashembullt, deri në vrasje, sepse e përbëjnë kështu “një rrezik për lirinë dhe sovranitetitin shtetëror” të sheteve fqinjë, me të vetmen arësye të qartë: frymojnë shqip, mendojnë shqip e flasin shqip…

Larg asaj që pretendon papushim Prof. Dr. Mehdi Hyseni, në Barometrin e tij diplomatik, kryesisht ribashkimit të shqiptarëve në tokat e veta, strategjia më efektivisht që do të përdorej në Kosovë për të arritur stabilitet, do të ishte synimi kryesor i kësaj pjese të bëhej e të jetë plotësisht pjesë e pavarur, pa ndikimin e politikës, kapitalit, e ndihmës së huaj. Ajo duhet të jetë në gjendje të mbajë vetveten me ato kapitale të rralla që ka, si p.sh.: ar, argjend, nikel, hekur, zink, krom, uran, boksit, etj. dhe të mos na i synojnë të tjerët, veçanërisht grekët e serbët, që po na bëjnë edhe më shumë se përpara të varur prej tregëtisë së imponuar nga shtetet e tyre. Vazhimisht jemi bërë vegël, eksperiment dhe teren i lojës së armiqve tanë të organizuar maksimalisht. Po bëhemi praktikisht si blerës të verbër e të shtrenjtë të prodhimeve të tyre…

Ne duhet të jemi në gjendje të vetqeverisemi, të synojmë të vetqeverisemi në pikëpamje të administrmit të Kosovës; të jetojmë mundësisht me pak të holla, e shumë më pak të kemi borgje te Evropa dhe të kemi më shumë të holla vetiake; të jemi më të pavarur prej kapitalit, ndihmës e mallit të huaj; të shkollohemi shumë, e më shumë të prodhojmë; të shesim diçka nga mallrat, në vend se të jemi blerës të shtrenjtë, që nuk prodhon e kërkonë të holla nga bota;… me një fjalë, të fillojmë t`a sjellim rrotën e fatit nga minus në zero dhe plus; të jemi edhe njëherë, siç ishim dikur. Të jemi një shtet prodhues; një shtet për stabilitet, në radhë të parë për vetveten e mandej për Evropën; një rehabilitues i denjë për Shqipërinë, Ballkanin dhe Evropën…

Ne, nuk i kemi bërë askujt dëm; kemi qenë më poshtë dhe i kemi provuar në kurriz të gjitha format e dhunës. Ne, jemi mësuar me dhunën, e kemi duruar deri në pafundësi dhe kemi qenë për lirinë e madhe vetiake, por edhe për të tjerët. Ne e kemi ditur vlerën e madhe të lirisë dhe për atë vlerë jemi mësuar të vdesim, duke mos kursyer asgjë nga jeta…

Nuk kemi pasur dhunë midis komuniteteve etnike, madje asnjëherë, pos ndonjëri që i thotë vetvetes “minoritet”, si psh. serbët, që është gjatë i mobilizuar në skenën politike me armatim e dhunë të përkryer të autoriteteve serbe. Ky “minoritet” serbo-sllav ka zhvilluar dhunë të pa skaj mbi popullatën shumicë shqiptare në Kosovë dhe ka 12 vite që nuk pushon t`i jap zjarr kur thotë Serbia zjarrit shekullor serb mbi Kosovën.

Ne bëjmë çmos që ky “zjarr” mundësisht të ulet dhe të shuhet; të mos ketë më gjakderdhje të panevojshme; të jetojmë si vëllezër në dheun tonë; të pajtohemi, të falim mëkatarët e djeshëm dhe të ndërtojmë të ardhmen e përbashët, në Kosovën që po i thonë “Kosova multietnike”.

Sa më të përmbajtur dhe më të gatshëm që të jenë ata për punë më të vlerëshme e të përbashkët, dyfish më në gjendje do të jemi ne në ruajtjen dhe sigurimin e pavarësisë, tërësisë dhe demokracisë për tërë Kosovën. Pavarësia, sovraniteti, demokracia, uniteti dhe pacenueshmëria e këtij vendi, janë vlera të pandalshme të Kosovës…

Kur synimet grabitëse të fqinjëve tanë më të urryer lihen mënjanë dhe bëhen “të zhdukura” apo “të konsumuara”, mendoj se prezenca e forcave ushtarake të huaja duhet të largohet prej Kosovës. Në ndërkohë, FSK do të ketë hapësirë të nevojshme për të shprehur qëndrueshmërinë, vitalitetin, dinjitetin, vigjilencën, arsyeshmërisë, doemosdoshmërinë dhe prezencën e vet në shoqërinë multidimensionale të Evropës.

Atëherë, prezenca ushtarake “e huaj” në Kosovë nuk do të jetë aq e nevojshme, sa që është tani.

Kur përputhet diametrialisht interesi i FSK me politikën dhe politika me FSK dhe Policinë e Kosovës; ndërsa qytetari nuk ka më tjetër për çka të jetë i siguruar në lirinë, drejtësinë dhe sigurinë e tij në Kosovë, atëherë, prezenca e huaj e mëtutjeshme në Kosovë nuk është më i nevojshëm…

Pra, duhet t`a ndijë qytetari sigurinë e mirëfilltë të Kosovës dhe të mos e ndiej nevojën që forcat e huaja të jenë aq prezente në këtë territor…

Po çka bënë Beogradi zyrtar me serbët e saj në Kosovë?

Edhe kësaj dite Beogradi po mban nën direktiva një pjesë të mirëfilltë të serbëve të grumbulluar në Mitrovicë, duke dashur që ate t`a përdorë vazhdimisht kundër Kosovës; të mos e lë të kyqur në jetën e brendshme të Kosovës, por t`a përdorë rregullisht si tagmente të saj në të gjitha përpjekjet e veta kundër Kosovës; t`a uzurpojë përmes saj ekonominë e pavarur të Kosovës; t`a ketë në duar të veta xehtarinë e pasur të Kosovës dhe të Mitrovicës; t`a bëjë edhe një të ashtuquajtur “krahinë” breda Kosovës, që ta ketë kurdoherë nën kontroll e nën komandë të veten…

Në Kosovën e pasluftës janë mbledhur të gjithë serbët dhe “jugosllavët” e vjetër, nëpër disa vise, të cilët e kanë sabotuar jetën e re nëpër Kosovë, veçanërisht në Mitrovicë. Këto forca kanë qenë kurdoherë të militarizuara dhe të organizuara nga Serbia dhe përpiqen në njëfarë forme të jenë me Serbinë, sado që Bashkësia Ndërkombëtare u tregon se nuk ka prishje të kufirit të jashtëm të Kosovës.

Ndonjë forcë ndërkombëtare, si p.sh. EULEX-i, i ndihmon dhe i merr në mbrojtje…

Beogradi kërkon edhe më tutje që minoriteti i tyre i serbëve të ketë njëfarë “autonomie më të gjërë” dhe t`i ketë nën mbikqyrje, sado që ata nuk japin asnjë përgjigje për mbi 3000 njerëz të zhdukur shqiptarësh, për krimet e tyre të njohura në Kosovë; për dëmshpërblimet që duhet të jepnin gjatë bisedimeve dhe as të drejtat minimale të minoritetit shqiptar në Bujanovc, Preshevë e Medvegjë…

Bashkësia Ndërkombëtare dhe politika e re e Kosovës përpiqet t`i ulë në tryezë të punës; t`i formojë komunat e reja; t`u ndajë të holla; t`ua japë edhe televizionin e dytë të RTK, në serbisht; t`ua rezervojë vendet e punës në Prishtinë, ndonëse ka mbi 80% shqiptar; të harrojë tërësisht luftën e tyre të bërë dhe përpiqet t`i inkuadrojë në shoqërinë re…

Ajo nuk ka gjasa të njerrë një automomi në ish-Krahinën që është bërë sot Republikë e Kosovës. Ka gjasa të rehabilitohet e të sistemohet, por nuk ka gjasa të “pavarësohet”, edhe pse i ka zënë trevat e dikurshme me plot xeherore, krejtësisht shqiptare…

Republika e Kosovës është e vogël për të bërë një “autonomi” për serbët. Serbia, më parë i ka në dosje të gjitha kërkesat dhe rekomandimet e Kosovës Lindore, jashtë Kosovës, që ajo e zhvlerëson me “cilësimet” e saj si “lugina e Preshevës”, së bashku me “pajtimet” njëzëri të “politikajve” të Republikës së Kosovës. Sebia është e prirur të “shpikë” brenda Kosovës një “çështje” të re, “Kosovës veriore”, sado që ajo e ka ende të pazgjidhur çështjen e Kosovës Lindore, brenda Serbisë.

Më parë se ta shtron për “zgjidhje” këtë çështje të serbëve të grumbulluar aty, ajo duhet t`ua japë automominë e zgjeruar Kosovës Lindore, apo siç e quajnë tani “lugina e Preshevës”, me të tri komunat: Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Kur t`ua japë këtyre komunave dhe rajoneve të tjera të Kosovës Veriore me Tregun e Ri (Novi Pazarin), atëherë, ndoshta vie në shprehje të flasë për “për autonomi të serbëve” brenda Kosovës.

Ndryshe, nuk ka mundësi absolute që të bëjë ndonjë gjë breda Kosovës! Ajo le të bëjë përpjekje, qoftë me hipnozën dhe magjitë ordodokse, edhe të na i vë sikur në “gjumë” shtresat e mëdha të popullit, por nuk ka gjasa të bëjë diçka! Populli shqiptar i ka kaluar nëpër trup të gjitha magjitë ordodokse, të cilat, kanë qenë më parë shqiptare, por jo tani! Prandaj, ngritet rrugëve të qiellit. Ngadalë, shumë ngadalë!…

Është vit i gjarpërit ky vit dhe periudhë e gjatë e përtërirjes së tij…

Dhashtë fati dhe u bëftë mirë!…


[1] Fakeqësisht, nga duart e Redaktorit në Shqipëri, Akad. Prof. Dr. Bedri Dedja, është plaçkitur dorëshkrimi im prej 1000 faqesh A4 shkrime politike dhe analiza, me titullin “çështja shqiptare dhe zgjidhja e drejtë e saj” I e II, dhe i është dërguar direkt në duar, Shtatmadhërisë së atëhershme më të lartë të Jugosllavisë, ku krimineli i famshëm i Jugosllavsë, Sllobodan Millosheviqi, ishte kryetar. Këtë libër, nuk kam patur fat të nxjerr përsëri nga kompjuteri i përmbytur, pos versionit paraprak, që është shumë më pak i papërgaditur…

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Brahim Avdyli, kosova tjeter

NJE TEATER I PADENJE…

April 6, 2013 by dgreca

Në Komisionin e jashtëm të Parlamentit shqiptar pamë një teatër në lidhje me rezolutën e paraqitur nga PDIU mbi zgjidhjen e çështjes çame.Një teatër i padenjë, për një tekst që mori vlerësimet më të larta nga juristë të shquar të së drejtës ndërkombëtare , intelektualë të shquar , shoqata mbarëkombetare dhe opinioni publik.Ne dje nuk dëgjuam sugjerime apo kritika profesionale, por vetëm justifikime për zvarritje , apo gjykime foshnjërake a thua se 70 vjet histori e përpjekje të një komuniteti të tërë nuk egzistoninPamë përpjekje të paturpshme për joshje të PBDNJ-së nga të gjitha partitë e pranishme në atë sallë të Komisionit dhe asnjë fjalë të tyre, për tragjedinë çame.Pse vallë, kur të gjitha partitë e kanë futur në programin e tyre çështjen çame ?Për fat të mirë shfaqja e djeshme pati dhe nota pozitive. Ishin 2 deputetët e PDIU-së, të cilët mbrojtën dhe argumentuan drejtësinë e rezolutës Came .

Kjo rezolutë është kontribut për një fqinjësi të mirë .Ajo është kontribut i drejtpërdrejtë në politikën shqiptare për të hequr ligjin e Luftës, për të Riaktivizuar Traktatin e miqësise që ka 18 vjet që mbetet në letër .Rezoluta është një kontribut i drejtpërdrejtë në ndihmë të shtetit shqiptar për tu sjellë me dinjitete dhe reciprocitet në mardhëniet me fqinjët .Mbështesim djemtë tanë që na bënë krenarë për origjinën dhe forcën e komunitetit tonë në të gjithë brezat, që nuk e shitën rezolutën për një vend ministri në qeveri.Ne i bëjmë thirrje ndërgjegjies kombëtare të seicilit deputet, që ta miratojë javën që vjen, një akt historik si Rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame.I bëjme thirrje dy forcave politike PD dhe PS që të mos hezitojnë të votojnë këtë rezolutë, duke mos u bërë pjesë e nje historie turpi të përsëritur.Nëse nuk miratojnë Rezolutën të mos guxojnë t’i afrohen për vota komunitetit tonë.Nëse do shohim të përsëritet skenari i viteve të tjera, komuniteti çam paralajmëron shkallëzimin e protestave në Kuvend dhe kudo.Rezoluta është aksioni më i madh politik i komunitetit tonë dhe i forcës politike që na përfaqëson.

Të bashkohemi rreth deputetëve tanë ; pa lojëra, pa hile dhe me përkushtim.

Çdo sjellje tjetër është shërbim i turpshëm ndaj hesapeve elektorale të partive të tjera, që ashtu si dje, mund edhe ta sakrifikojnë çështjen çame për këto hesape.(Ky eshte teksti i plote i PDIU per diskutimin në Komisionin e jashtëm të Parlamentit shqiptar e Rezolutes Came)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Deklarate e PDIU, rezoluta came, teater

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 801
  • 802
  • 803
  • 804
  • 805
  • …
  • 856
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT