• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HILLËRI KLINTON PËRPLASET ME SENATORËT

January 24, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Pas një mungese prej dy javësh në Uashington për arsye shëndetsore, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillëri Klinton, u paraqit dje para dy komisioneve të Kongresit amerikan që merren me punët e jashtme, për të dhënë dëshmi dhe për t’ju përgjigjur pyetjeve në lidhje me mënyrën se si administrata e Presidentit  Barak Obama kishte trajtuar sulmin më 11 shtator të vitit të kaluar kundër konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë, ku mbetën të vrarë katër shtetas amerikanë, përfshirë edhe ambasadorin, Kristofër Stivens.  Ligjvensit republikanë kishin kërkuar për disa muaj tani që Sekretarja e Shtetit të paraqitej para Kongresit për të shpjeguar mënyrën se si Departmenti Shtetit që ajo drejton, u mor me sulmin në Bengazi.  Në paraqitjen e saj, Sekretarja Klinton mori përgjegjësinë dhe siguroi Kongresin dhe popullin amerikan  se administrata e Presidentit Obama ka filluar një rishqyrtim të gjithanshëm për të parandaluar sulme  të tilla ndaj ambasadave dhe konsullatave amerikane, sidomos në zona krize, duke deklaruar para kamerave të shumëta ’’live’’: “Siç e kam thënë  edhe më përpara, unë marr përgjegjësinë.  Jam e bindur se pas largimit tim po lë Departamentin e Shtetit dhe vendin tonë, më të sigurt e më të fortë.’’   Ajo shtoi duke thënë se …“Kemi ndërmarë një rishqyrtim të plotë e të gjithanshëm, mbi mënyrat se si i marrim vendimet se kur, ku dhe si, njerëzit tanë veprojnë në zonat me kërcënim të lartë në këtë rajon dhe anë e mbanë botës, dhe se si do t’u përgjigjemi krizave dhe kërcënimeve”, në të ardhmen.
Megjithëse Zonja Klinton i tha komisionit të punëve të jashtëme të Senatit amerikan se ajo mbante përgjëgjësi të plotë në lidhje me dështimet dhe mangësitë e masave të sigurimit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, ajo mohoi akuzat se administrata e Presidentit Obama ishte përpjekur, që për arsye politike, para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit që kaloi, të keq informonte popullin amerikan për tragjedinë në Bengazi, ku humbi jetën ambasadori Stivens, njëri prej specialistëve më të mirë të çështjeve arabe që kishte Departmenti i shtetit amerikan.

Duke mbrojtur politikën e administratës të cilës ajo i shërben, Zonja Klinton shpesh me një ton agresiv, u përplas me senatorët republikanë, të cilët akuzuan administratën Obama për mënyrën se si  sulmi kundër konsullatës amerikane  iu shpjegua fillimisht popullit amerikan: nëse ishte sulm i planifikuar terrorist apo një demonstratë spontane,  që çoi në vrasjen e katër shtetasve amerikanë në Bengazi, siç pretenduan fillimisht zëdhënsit e administratës.

Senatori nga shteti Arizona dhe ish-kandidati i Partisë Republikane për president Xhon Mëkejn së bashku me senatorin republikan nga shteti Uiskonsin, Ron Xhonson, dhe Senatorin Rand Paul nga Kentaki ishin ndër kritikët më të ashpër të Zonjës Klinton dhe ndaj mënyrës se si administrata është marrë me këtë sulm.  Senatori Mekejn, pasi i tha Sekretares Klinton se ishte ”krenar me te”, dhe se  ”anë e mbanë botës admirohesh dhe respektohesh”,  ajo duhej të ishte ”më e hapur dhe më e sinqertë për atë që në fakt ndodhi në Libi’’.   Ai iu drejtua Sekretares së Shtetit duke i thënë se ”ka shumë pyetje të cilat nevojitin përgjigje, dhe me të thënë sinqerisht  dhe drejtë, përgjigjet që ju keni dhënë sot në mëngjes për ne, nuk janë aspak të kënaqshme për mua”, duke shtuar se, ”populli amerikan dhe familjet e këtyre katër amerikanëve trima ende nuk kanë marrë përgjigjet që ata meritojnë”.

Duke iu përgjigjur akuzave të Senatorit Ron Xhonson nga shteti Uiskonsin, Sekretarja e shtetit tha se nuk ishin të vërteta akuzat e tija dhe me zemërim iu drejtua Senatorit Xhonson duke i thënë se nuk ka rëndësi se cila ishte origjina ose cilat ishin motivet e atyre që ndërmorën sulmin, ajo që është e rëndësishme tani, tha Zonja Klinton, ”është që të zbulojmë se çka ndodhi dhe njëkohësisht të bëjmë çdo gjë që është e mundur që të parandalojmë sulme të tilla në të ardhmen.”

Kritika të ashpëra Zonjës Klinton i drejtoi edhe Senatori Rand Paul nga shteti  Kentaki, i cili i tha Sekretares së Shtetit se ”Jam i kënaqur që ju merrni përsipër përgjegjësinë….por të kisha qenë unë president në atë kohë….unë do t’u kisha shkarkuar nga detyra”. Senatori Paul sshtoi duke thënë se këjo që ndodhi në Libi ishte një dështim në udhëheqje, e cila shkaktoi vdekjen e katër amerikanëve në Bengazi, dhe se më në fund, ”është një gjë e mirë që ju merrni përgjegjësinë për këtë, pasi askush tjetër nuk po bën një gjë të tillë.”

Senatorët demokratë nga ana e tyre iu kundër përgjigjen kolegëve  republikanë duke u kujtuar këmbënguljen e administratës së Presidentit Bush në lidhje me praninë e armëve kimike në Irakun e Sadam Huseinit – armë që më në fund u provua se nuk ekzistonin, por që ky shpjegim në atë kohë u përdor nga administrataa republikane si një arsye për të hyrë në luftë kundër regjimit të Sadam Huseinit.

Sekretarja e Shtetit i tha Komisionit të Punëve të Jashtëme të Senatit amerikan se anë e mbanë Afrikës veriore ekziston një lëvizje xhihadiste në rritje e sipër, duke i paralajmëruar senatorët se, ”Ne duhet të jemi të vetdijshëm se këjo lëvizje është një lëvizje globale.  Ne mund të eliminojmë udhëheqsit e saj, por përderisa të mos ndihmojmë në themelimin e institucioneve demokratike, për derisa nuk komunikojmë më mirë vlerat tona dhe të vendosim lidhje dhe marrëdhënje me atë rajon, ne do të ndeshemi me një nivel të tillë mos-stabiliteti.’’  Sulmi në Bengazi, tha ajo, ishte pjesë e një plani më të gjërë terrorist në pjesën veriore të kontinentit afrikan, siç po shihet  nga ngjarjet e fundit në Algjeri dhe Mali.

Muajin që kaloi, një raport i komisionit të pavarur të hetimit për sulmin në Bengazi,  të emëruar nga vet Zonja Klinton, ngarkoi me faj zyrtarë të lartë të Departmentit të Shtetit, për ato që në raport u cilësuan si, ”dështime sistemike dhe  mangësi në udhëheqje dhe menaxhim, si dhe për masat që nuk ishin aspak të mjaftueshme për tu përballuar me sulmin që ndodhi në Bengazi.”

Zonja Klinton i siguroi ligjvënsit se ajo ka pranuar të gjitha rekomandimet e komisionit të hetimeve dhe se së shpejti përfundon zbatimi i atyre rekomandimeve të komisionit të pavarur hetimor.

Megjithë debatin e tensionuar dje para Kongresit, disa senatorë republikanë njohën meritat e Sekretares Klinton dhe shprehën falenderimet e tyre për shërbimin e saj – pasi këjo sipas gjasës ishte dëshmia e fundit para ligjvensëve si Sekretare e Shtetit.  Ajo do të zëvendësohet nga Senatori Xhon Kerri, pasi emërimi i tij të jetë miratuar nga Kongresi.  Ndërkohë,  media dhe analistët kanë filluar spekullimet e tyre në lidhje me të ardhmen e saj politike – dhe nëse dëshmia e djeshme para dy komisioneve të Kongresit amerikan do ta ndihmojë  apo do ta dëmtojë atë, nëqoftse ajo vendosë të jetë kandidate për president në vitin 2016.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fran Shkreli, Hillary Klinton

SERBIA DHE “LOJA”PER NDARJEN E KOSOVES

January 24, 2013 by dgreca

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, u tha diplomatëve në Prishtinë se, veprimet serbe në Preshevë synonin nxitje reaksionesh në Kosovë./

 Nga Xhelal Zejneli/

 Ideja e ndarjes së Kosovës ka qenë e ngulitur në mendjet e nacionalistëve serbë, në të gjitha konferencat dhe takimet për Kosovën, që nga Rambujea e deri në ditët tona.

            Mirëpo serbët, kurrë nuk kanë dashur ta bëjnë publike një ide të tillë. Përse? Për arsye se pala që del me idenë e ndarjes së Kosovës, vetvetiu dëshmon se ajo (Kosova) nuk është e saj.

            Pas largimit të forcave kolonialiste serbe nga Kosova më 1999 dhe pas shpalljes së pavarësisë së saj, Beogradi e kuptoi përfundimisht se Kosovën e ka humbur përgjithmonë. Rrjedhimisht, idetë për ndarjen e saj nisën t’i afirmojnë gjithnjë më shpesh dhe gjithnjë më hapur.

            Ish-kryetari i Serbisë Boris Tadiqi shpesh e përsëriste refrenin e vet: 

“S’është mirë që njëra palë t’i realizojë të gjitha kërkesat, e tjetra asgjë. Nuk është mirë që njëra palë t’i marrë të gjitha, e tjetra të mbetet me duar zbrazët”. 

Kjo fjali e B. Tadiqit ishte propozim i drejtpërdrejtë për ndarjen e Kosovës. Më në fund, njëri prej ministrave të qeverisë serbe – Ivica Daçiqi (tani kryeministër), disa herë e shtroi publikisht kërkesën e Beogradit për ndarjen e Kosovës. Fjalia: 

Edhe ne serbët duhet të nxjerrim diçka nga Kosova 

është bërë refren i T. Nikoliqit dhe i I. Daçiqit. Këta pandehin se territoret historike, të banuara nga popuj etnikë dhe rrënjës, janë mall që nxirren në treg.   

            Duhet shtuar se serbët shfaqën edhe një ide tjetër: 

Bisedimet për ndarjen e Kosovës, të zhvillohen ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.

            Duke qenë se serbët kërkojnë ndarjen e Kosovës, vetvetiu kjo dëshmon se Kosova s’është e tyre. Mund ta nxjerrësh në ankand vetëm një mall që s’është i yti.

Deri më sot, kur bëhej fjalë për Kosovën, autoritetet serbe i referoheshinKushtetutës së Serbisë, sipas së cilës Kosova na qenkësh pjesë e saj.

            Meqë sot, edhe ministrat serbë, përfshi dhe kryetarin e qeverisë, dalin botërisht me idenë e ndarjes së Kosovës, shtrohet pyetja: 

Ç’u bë vallë me kushtetutën serbe, sipas së cilës Kosova është pjesë e Serbisë?!

            Me fjalë të tjera, serbët, kur duhet t’i mbajnë nën sundim territoret joserbe, i referohen kushtetutës së tyre, dhe vice versa: Kur u shkon në favor diç tjetër, atëherë aspak nuk ngurojnë ta shkelin kushtetutën e vet.

                              *     *     *

BE-ja duhet të ketë parasysh faktin se Kosova, si çdo shtet tjetër i kontinentit, përpos popullit shumicë shtetformues, ka edhe disa pakica etnike. Nga kjo del se, trajtimi i veçantë i minoritetit serb në Kosovë, do të ishte në kundërshti me parimet perëndimore mbi minoritetet. Shkëputja e një pjese të Kosovës, do të krijonte një Kosovë pothuajse etnikisht të pastër, gjë që do të ishte në kundërshti me standardet evropiane mbi pakicat.

BE-ja duhet të ketë parasysh faktin se minoritetet serbe në disa nga ish-republikat e Jugosllavisë, s’janë të vetmit që jetojnë jashtë vendit amë – Serbisë.

            Shqiptarët jetojnë në gjashtë shtete të rajonit: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Greqi.

            Po qe se serbët e veriut të Kosovës kërkojnë të shkëputen nga Kosova për t’iu bashkëngjitur Serbisë, atëherë të njëjtën do ta kërkonin:

– shqiptarët e Kosovës lindore; 

– shqiptarët në Maqedoni;

– shqiptarët në Mal të Zi;

– shqiptarët në Greqi.

Ndarja e Kosovës do të determinonte edhe ndarjen e Maqedonisë midis Shqipërisë dhe Bullgarisë. Me fjalë të tjera, ajo do të tretej si flluskë sapuni dhe do të zhdukej nga harta gjeografike dhe politike e Ballkanit.

Mirëpo, Serbia nuk çan fort kokën për pasojat e mundshme të amputimit të një pjese të Kosovës. Beogradi dëshiron trazira dhe rrëmujë. Ideologjitë johistorike ushqehen me të keqen.

Sikundër shihet, me ndarjen e Kosovës do të çelej Kutia e Pandorës dhe do të shkaktohej edhe efekti i dominos. Efekti i dominos do t’i përfshinte të gjitha shtetet e rajonit, ngase kudo ka minoritete, grupe etnike dhe pakica.

            Pakica kombëtare ka në çdo shtet të gadishullit: turq – në Bullgari;hungarezë – në Rumani, në Vojvodinë (Serbi), në Sllovaki, në Kroaci; myslimanëboshnjakë – në Sanxhak të Serbisë dhe të Malit të Zi; grupi etnik sllavofon – në Greqi; kroatë – në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Vojvodinë; serbë – në Kroaci dhe në Republikën Serbe të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Në vitin 1920, Hungaria i humbi dy të tretat e territorit të vet, ndërsa sot, një e treta e kombit hungarez jeton jashtë vendit amë – Hungarisë.

Në çdo vend të rajonit ka edhe: romë, vllehë (aromunë, cincarë), hebrenj,egjiptas, grupi etnik me fe islame, e që flet në gjuhët sllave (në vende të ndryshme figurojnë me emra të ndryshëm).

Sipas të dhënave britanike, në Turqi ka mbi katërmbëdhjetë milionë kurdë.  

Serbët duan që privilegji i bashkëngjitjes vendit amë t’u takojë vetëm atyre dhe askujt tjetër në rajon. Në këtë pikëpamje, BE-ja nuk duhet ta ledhatojë Serbinë.

            Atë që e kërkon për vete, Serbia ua ndalon bashkësive etnike që jetojnë nën sundimin e saj. Për shembull, ua ndalon shkëputjen:

– shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë);

– myslimanëve të Sanxhakut;

– hungarezëve të Vojvodinës;

– bullgarëve, në juglindje të Serbisë.

Sanxhaku është një rajon i administruar nga Serbia. Sipas regjistrimit të vitit 2003, të zbatuar nga Beogradi, aty banojnë rreth 235.000 banorë. Prej tyre, 134.000boshnjakë (myslimanë), të cilët përbëjnë 56% të popullsisë së përgjithshme; 8000myslimanë, të cilët përbëjnë 4% të popullsisë dhe 89.000 serbë, të cilët përbëjnë 37% të popullsisë. Numri i përgjithshëm i boshnjakëve (myslimanë) dhe i atyre që janë deklaruar myslimanë (si kombësi) është 142.000, që përbën 60% të rajonit të Sanxhakut.

Këto të dhëna serbe mbi strukturën e popullsisë së Sanxhakut nuk përputhen me realitetin. Me fjalë të tjera, përqindja e popullsisë joserbe në këtë rajon, është më e madhe.

Vojvodina është një rajon nën dominimin e Serbisë. Në të jetojnë 26 minoritete, duke përfshirë edhe hungarezët. Sipas regjistrimit të popullsisë të kryer nga Beogradi në vitin 2011, në Vojvodinë jetojnë mbi 251 mijë hungarezë, që përbëjnë 13% të popullsisë së përgjithshme të kësaj krahine.

Që nga viti 1945 e deri më sot, Serbia ndaj hungarezëve të Vojvodinës ka ndjekur politikën e shkombëtarizimit. Ka tentuar që nëpërmjet kolonëve serbë dhe malazezë, ta ndryshojë strukturën etnike të popullsisë së krahinës. Rrjedhimisht, numri i hungarezëve në Vojvodinë është shumë më i madh se ajo që rezulton nga regjistrimi zyrtar i Beogradit.

Në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945, shumë hungarezë të Vojvodinës, nën trysninë serbe, u detyruan të largohen nga vatrat e tyre, ndërsa shumë të tjerë, nën akuzën se kanë qenë kolaboracionistë të ushtrisë gjermane – u ekzekutuan.

Dëbimi i gjermanëve të Danubit nga Vojvodina –

Para Luftës së Dytë Botërore në Vojvodinë ka pasur 350.000 gjermanë, të quajtur gjermanë të Danubit. Numri real i tyre ka qenë shumë më i madh. Në periudhën tetor 1944 – maj 1945, që njihet sivjeshta e përgjakshme, nën akuzën se  kanë qenë kolaboracionistë të ushtrisë gjermane, Serbia zbatoi spastrimin etnik të Vojvodinës, duke dëbuar nga kjo krahinë mbi 250 mijë gjermanë civilë. Këta u detyruan të largohen bashkë me tërheqejn e ushtrisë gjermane.

Ndaj gjermanëve etnikë të Vojvodinës, serbët ushtruan reprezalje, ua morën shtetësinë, ua konfiskuan pronat. Në shtëpitë e tyre vendosën kolonë serbë, malazezë dhe maqedonas.  Të dhënat tregojnë se në vitet 1944-1945, në Jugodllavi, kryesisht në Vojvodinë, serbët kanë vrarë 56.000 gjermanë civilë. Nëpër burgjet serbe, në periudhën e sipërthënë kanë vdekur nga uria, nga sëmundjet edhe nga të ftohtit 48.447 gjermanë civilë.

Shumë gjermanë të Vojvodinës, serbët ia kanë dorëzuar Armatës së Kuqe sovjetike, të cilët menjëherë janë deportuar në Siberi, ku sirobër lufte kanë punuar në fushat e minuara. Asnjë prej tyre nuk është kthyer i gjallë.

Të njëjtën dramë e kanë përjetuar edhe mijëra hungarezë të Vojvodinës.

      Duke i dëbuar gjermanët e Danubit, duke i ekzekutuar, duke ua shkaktuar vdekjen nëpër burgjet famëkeqe dhe duke ua dorëzuar sovjetikëve (rusëve) për t’i deportuar në Siberi, serbët arritën ta ndryshojnë përbërjen etnike të Vojvodinës. 

Asnjëra nga bashkësitë etnike joserbe që jetojnë nën pushtetin serb, sishqiptarët e Kosovës lindore, myslimanët e Sanxhakut dhe hungarezët e Vojvodinës, nuk e ndjejnë Serbinë si shtet të vetin. Përkundrazi, e ndjejnë veten nën pushtim.

Kosova lindore (tri komunat shqiptare) si dhe rajoni i Sanxhakut, që qeverisen nga Beogradi, janë rajonet më të pazhvilluara dhe më të prapambetura të Serbisë. Serbia, në këto dy rajone, kurrë s’ka investuar gjë. Si pasojë, në këto dy rajone mbizotëron një shkallë e lartë e papunësisë. Ndaj tyre, Beogradi zbaton një politikë të heshtur të spastrimit etnik dhe ushtron gjenocid.

Si rrjedhojë e prapambeturisë ekonomike të skajshme, banorët e këtyre dy rajoneve fare nuk janë të integruar në proceset ekonomike, shoqërore dhe kulturore të Serbisë. Këto dy rajone, Serbia i ka shndërruar në geto. Banorët e këtyre dy rajoneve, perspektivën e tyre e shohin në shpërngulje: shqiptarët – drejt Perëndimit, ndërsa myslimanët e Sanxhakut – për në Turqi.

 Getoizimi i Kosovës lindore dhe i Sanxhakut është pasqyrë e qartë e politikës serbe mbi barazinë kombëtare.

Kur thotë BE-ja se azilkërkuesit vijnë nga Serbia dhe nga Maqedonia, me këtë nënkuptohet se ata vijnë, jo nga Serbia dhe Maqedonia, por nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja si dhe nga viset shqiptare në Maqedoni. Nëpërmjet papunësisë së skajshme, Beogradi dhe Shkupi e bëjnë pastrimin etnik të Luginës së Preshevës si dhe të pjesëve veriperëndimore të Maqedonisë.

Përveç kësaj, për të ngulfatur çfarëdo kërkese të shqiptarëve të Kosovës lindore, Serbia në atë rajon ka përqendruar forca ushtarake të mëdha.

BE-ja duhet t’i imponojë Serbisë një Plan të Ahtisarit, që do t’u garantonte të drejta ekskluzive shqiptarëve në Kosovën lindore (tri komunat shqiptare), si dhemyslimanëve të Sanxhakut.

Mbi çfarë baze Serbia e kërkon për vete atë që s’ua njeh të tjerëve?! Në bazë të politikës së forcës?!  Dhe shih hipokrizinë, dhelpërinë dhe dredhinë! Në një anë Beogradi, pa reshtur deklaron se “çështjes” së veriut të Kosovës do t’i qaset në rrugën paqësore, e në anën tjetër, qasjen paqësore e mbështet kryekëput në forcë. Çfarë paradoksi! A duhet ta lejojë vallë BE-ja një kundërthënie dredharake të këtillë?

Beogradi synon t’ia shkëpusë Kosovës pjesët e banuara me 5% serbë. Atëherë shtrohet pyetja: Si do ta kompensojë dhe në ç‘mënyrë do ta arsyetojë shfrytëzimin  serb të Kosovës – të viseve të banuara me shqiptarë – që nga  pushtimi më 1912 e deri më 1999?

Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli, duhet t’ia bëjnë me dije Beogradit se, më parë se ndarja e Kosovës, duhet të bëhet ndarja, dekompozimi dhe fragmentarizimi i Serbisë. BE-ja pra, nuk duhet ta mbajë gjallëSerbinë e Madhe, por duhet t’ia bëjë me dije Beogradit se procesi i dekompozimitdhe i fragmentarizmit të Serbisë garashaniniste, mund të fillojë në çdo çast.

Prej Serbisë duhet të ndahen: Kosova lindore (tri komunat shqiptare),Vojvodina dhe Sanxhaku (i banuar me myslimanë).

Politika serbe e dy kritereve – Serbia është ndër shtetet e rralla në botë, në mos i vetmi, që për vete e kërkon atë që nuk ua njeh të tjerëve. Serbia është i vetmi shtet  i rruzullit, i cili për minoritetin e vet jashtë Serbisë e kërkon atë që nuk ua njeh shqiptarëve të Kosovës lindore, myslimanëve të Sanxhakut dhe hungarezëve të Vojvodinës. Beogradi, për një grusht serbësh të Kosovës, kërkon autonomi, d.m.th.shtet brenda shtetit, ndërkaq ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore, ndaj myslimanëve të Sanxhakut dhe ndaj hungarezëve të Vojvodinës, ndjek politikë të shkombëtarizimit, të margjinalizimit dhe të getoizimit, duke nxitur edhe shpërnguljen e tyre nga trojet e veta historike.

            Serbia e Madhe e radikalëve dhe e socialistëve serbomëdhenj synon të instalojë më Kosovë një Serbi të vogël. Beogradi kërkon autonomi për serbët e Kosovës, si fazë kalimtare që një ditë, pjesët autonome t’i shkëpusë dhe t’ia bashkëngjitë Serbisë. Në thelb, me këtë nënkuptohet ndarja e Kosovës, e kryer në mënyrë të tërthortë.

Kosova lindore (tri komunat shqiptare) është zonë strategjike, për arsye se nëpër të kalon  korridori 10, që e lidh Serbinë me Greqinë, me Egjeun dhe me Mesdheun.

Lidhur me tërësinë e tokave të Kosovës, për dallim nga vende të caktuara të Evropës që janë të pavendosur, SHBA–ja dhe Gjermania kanë qëndrim të prerë:Tërësia tokësore e Kosovës është e pacenueshme.  

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Loja e Serbise, per ndarjen e Kosoves, Xhelal Zejneli

Kodi i etikës – rregullatori i munguar i mediave shqiptare

January 23, 2013 by dgreca

Nga Lutfi Dervishi*/

Në ndihmë edhe të atyre që kopjojnë dhe bëjnë sikur nuk e kuptojnë se kanë kopjuar …dhe pasojat që mund të vinjë/

“Kodi etikës ka aq efekt te gazetarët sa edhe urdhri i oficerit te ushtarët një ditë para lirimit të tyre nga shërbimi ushtarak.” – Kjo thënie cinike të vjen ndërmend sa herë që flitet për kodin e etikës dhe efektet e tij në punën e gazetarëve.

Kodi i etikës në Shqipëri ka një histori 15-vjeçare. Në vitet e para pas ’90-s, lektorë dhe trajnerë perëndimorë vinin në Tiranë dhe flisnin për etikën e Nju Jork Times, dhe të gazetave të tjera perëndimore. Në disa seminare dhe work shop-e, gazetarët kishin mundësi të lexonin në shqip, kodin e etikës, nevojën e ndarjes së lajmit nga opinioni, ndarjen e sektorit të reklamës nga sektori lajmeve, objektivitetin, paanësinë etj. etj.
Por seminaret shkonin e vinin dhe kodi i etikës nuk gjeti vend në tryezat e gazetarëve dhe redaktorëve.
Në fund të vitit 1996 nis përpjekja e parë për të pasur një kod “made in Albania”! Me ndihmën e Institutit të Medias, kryeredaktorë dhe botues gazetash hartuan dhe miratuan kodin etik të gazetarëve shqiptarë. Neni 1 i të cilit nënvizonte nevojën e respektimit të rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe shmangien sa më shumë të ishte e mundur e përdorimit të fjalëve në gjuhë të huaj

Më 1996, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon ku gazetarët kishin një kod etike. Por “zbatimi” praktik i kodit të etikës u pa një vit më pas me ngjarjet e vitit 1997! Vendi në prag të anarkisë dhe gazetat kryesore të ndara më dysh në përkrahje të qeverisë dhe opozitës! Kodi i parë etik nuk kishte parasysh televizionet, sepse në atë kohë “violinë e parë” ishin gazetat dhe ekrani përfaqësohej vetëm nga Televizioni Publik Shqiptar.
10 vite më pas, sërish Instituti i Medias, pas një procesi të gjatë konsultimi me aktorët e medias, harton Kodin e Etikës, këtë radhë duke marrë parasysh edhe zhvillimet e vrullshme në median elektronike! (për t’u shënuar është se gazeta ‘Shekulli’, që në themelimin e saj [1998] kishte hartuar kodin e brendshëm etik dhe për disa vite funksiononte edhe zyra e etikës).
Projekt-kodi u hartua duke pasur për bazë 46 kodet etike të gazetarëve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Gjatë diskutimeve me gazetarë, redaktorë, drejtues mediash dhe publikun kodi mori formën përfundimtare – atë që kemi sot. Kodi etik i gjithëpranuar në fazën e konsultimit dhe miratimit, nuk ka mundur të zërë vend në punën e përditshme të reporterëve.
Me zhvillimin e platformave on line, problemet dhe debatet për etikën janë shtuar. Kufiri mes “prodhuesve” të lajmit dhe konsumatorëve të tij është shuar. Fenomeni i osmozës mes gazetarëve dhe konsumatorëve është gjithnjë e më i pranishëm dhe pyetja “kush është gazetar sot?” – nuk merr dot përgjigje të shpejtë dhe të lehtë.
Pse nuk mundi të zërë rrënjë kodi i etikës në truallin e medias shqiptare?
Përgjigjen (jo shteruese) do të përpiqem ta jap me tri histori nga diskutimet në redaksitë e gazetave për kodin etik (botim i vitit 2006).
Në përfundim të seminarit treditor me një nga gazetat më të mëdha në vend, – duke menduar se gjithçka kishte shkuar më së miri gjatë debateve për kodin e ri, në momentin e daljes nga dera e redaksisë, një reporter i ri mërmëriti: “mirë shumë me kodin, por si i bëhet që u bënë tre muaj pa marrë rrogat…”. Kushtet e punës dhe niveli i pagës është një prej faktorëve që ndikon në zbatimin e kodit të etikës. Sigurisht që nuk ka asnjë garanci se një pagë shumë e lartë do ta bëjë reporterin/redaktorin shumë më etik – por gjithsesi është një faktor që nuk mund të neglizhohet. Kur gazetari punon në kushtet e pasigurisë ekonomike, kur gazetarët punojnë pa kontrata pune – gjëja e fundit që u shkon në mendje është kodi etikës! Madje druaj se u tingëllon si tallje.
Koha e diskutimit të kodit të etikës nëpër disa redaksi televizionesh përkoi me një ngjarje të rëndë në Tiranë, ku 17 persona humbën jetën në liqenin e Lundrës, përfshi gra dhe fëmijë. Shumica e stacioneve televizive (sidomos kanalet me 24 orë lajme) u vunë në garë për të qenë “live” gjatë gjithë kohës me gjithfarë lloj detajesh. Atë ditë dukej sikur kryeqyteti ishte me neurozë.
A duhet që televizioni të ishte “live” gjatë gjithë kohës me këtë ngjarje? A kishte vërtet lëndë për të raportuar “live” gjithë ditën? – Përgjigjja e redaktorëve në të tre televizionet ishte: jo. Por vendimi ishte marrë për po… për shkak se “televizioni tjetër” (konkurrenti) ishte live dhe do të dukej sikur ne nuk i kishim mundësitë për të qenë “live”.
Konkurrenca mes operatorëve mediatikë është një tjetër faktor i rëndësishëm që ndikon në zbatimin e kodit të etikës. Me një skenë mediatike të “mbipopulluar”, ku ka mbi 20 gazeta të përditshme, mbi 60 stacione televizive dhe po aq stacione radio, – thepi i etikës gjithmonë do të jetë i ulur. Një kryeredaktor gazete është nën presionin e shitjes së gazetës. Në momentin e faqosjes së faqes së parë, gjëja e fundit që do t’i bjerë ndërmend është “kodi etikës”! Presioni i tregut sa vjen dhe rritet. A ka logjikë tregu që të jenë kaq shumë të përditshme në treg sot, aq më tepër kur e ardhmja e gazetës nuk shihet më në letër, por në platforma të tjera? Pyetja është retorike. Përgjigjja është jo! Nga numri i lartë i të përditshmeve që në fillim të viteve 2000 pritej që “vdekshmëria foshnjore” mes gazetave të ishte shumë e lartë. Nuk ndodhi kështu. Pak gazeta falimentuan, por si për të sfiduar shenjat ogurzeza të së ardhmes së gazetës, gazetat e falimentuara u zëvendësuan me tituj të rinj. Nëse sot revista e njohur Newsweek nuk shtypet më në letër, por është vetëm në formatin dixhital, nëse Financial Times në Gjermani mbyllet sepse është me humbje… si është e mundur që gjunjët e gazetave shqiptare rezultojnë më të forta, për më tepër dalin gazeta të reja?! Përgjigjja shteruese merr kohë dhe vend, por nëse shikohet sa gazetarë punojnë në gazetë kupton se më shumë se reporterë për të mbledhur, përpunuar informacion, gazetarët i ngjajnë punonjësve të ngarkim shkarkimit që duhet të mbushin faqe çdo ditë. Pyetja është: sa faqe ke për të bërë sot? Është luks i pashijuar për shumicën e reporterëve, të kenë dy apo tri ditë kohë për të bërë një artikull të mirë.
Ka një lidhje të fortë mes profesionalizmit dhe etikës. Sa më profesional gazetari/redaktori aq më etik është. Por stafi i gazetave është shumë i vogël dhe nën efektin e presionit ekonomik, prirja është që gazetat të përfundojnë me 4-5 njerëz! Gazetarët nuk kanë kohë për të bërë gazetari, nuk kanë kushte dhe është shumë e vështirë të flasësh për etikën e profesionit në një terren që nuk nxit zhvillimin e profesionit. Tek e fundit reporterët e rinj do të kërkojnë aq etikë sa është tradita etike që do të gjejnë në redaksi.
Kodi i etikës i botuar më 2006-ën nuk ka marrë parasysh median on line, ku problemet etike janë edhe më të mprehta se në median tradicionale.
Një komentator i njohur politik vendosi të mos bashkëpunojë më me një të përditshme për shkak të gjuhës denigruese (pa lidhje me artikullin), fyerjeve, sharjeve e shpifjeve të komentuesve anonimë në faqen on line të gazetës!
Pse duhen lejuar komente fyese? A nuk është më mirë të mos botohen fare komentet që nuk kanë lidhje me temën e shkruar? – Po, – ishte përgjigjja e një redaktori të njohur, por nuk i fshijmë se u tregojmë atyre që janë të interesuar për reklamë se gazeta lexohet dhe komentohet shumë on line. Pak më vonë e njëjta gazetë nisi të fshijë komentet, por për të mos humbur numrin e komentuesve në çdo koment të fshirë vinte rreshtin: koment i fshirë për arsye etike.
“Një gazetari e keqe shkon me këmbët e veta në dyert e gjykatës”- ky postulat është gjithmonë i vlefshëm, por ende në Shqipëri nuk ka të regjistruar një rast në gjykatë ndaj një mediaje për “fyerjet, shpifjet, denigrimet on line”. Duket se redaktorët e gazetave nuk e konsiderojnë veten përgjegjës për produktin e tyre on line. Etika on line është një terren i pashkelur, por më shumë problematik sesa etika në media tradicionale.
Si është e ardhmja e kodit të etikës? Po kaq e pasigurt sa vetë e ardhmja e medias tradicionale. Etika nuk është një detyrim ligjor, as detyrë shtëpie për t’u kryer, është një “detyrë” e brendshme e medias.
Përvoja e mediave më të mira ka treguar se në biznesin e medias, “besueshmëria” është monedha kryesore. Për ta pasur këtë “monedhë”, rruga kalon nga kodi etikës. E vetmja rrugë që të rrit besueshmërinë te lexuesi, shikuesi, përdoruesi!

*Botuar fillimisht në revistën on line Medi@Link të Institutit Shqiptar të Medias.

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Kodi i etikes, Lutfi Dervishi, rregullatori i munguar

Hetime për dëmtimin e varrezave serbe

January 23, 2013 by dgreca

Nga Bekim Bislimi/

Në zonat e përgjegjësive të drejtorive rajonale të Policisë së Kosovës, tashmë janë iniciuar procedurat hetimore lidhur me dëmtimin e varrezave ortodokse serbe, të cilat, ditë më parë ishin cak i sulmeve vandale në disa pjesë të Kosovës, njoftojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i kësaj policie, Arbër Beka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në drejtorinë rajonale të Prishtinës janë iniciuar dy raste, ashtu sikurse edhe në drejtorinë rajonale të Gjilanit.
“Njëra bën fjalë për një lapidar të luftës së dytë botore, që është demoluar dhe me këtë rast policia ka arrestuar tre persona të dyshuar. Pas konsultimeve me prokurorin, janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti tjetër është regjistruar në Kllokot. Është raportuar në drejtorinë rajonale të Gjilanit rasti për dëmtimin e varrezave, ku në total janë dëmtuar 27 varreza. Në Prizren është regjistruar po ashtu një rast ku janë dëmtuar 38 pllaka përkujtimore të varrezave”, u shpreh Beka.
Ai shtoi se edhe në rajonin e Mitrovicës, përkatësisht në Vushtri është shënuar një rast i dëmtimit të një varreze.
Pas incidenteve, sipas Bekës, Policia e Kosovës ka ngritur masat e sigurisë për ruajtjen e sigurisë së përgjithshme në vend, me fokus në ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare.
“Duke pasur parasysh që gjatë ditëve të fundit kanë qenë disa raste për dëmtimin e varrezave të komunitetit, në të gjitha drejtoritë rajonale dhe stacionet policore janë ngritur masat e sigurisë për ruajtjen e tyre”.
“Sa u përket rasteve që tashmë janë iniciuar, zyrtarët policorë, qofshin nga njësia e hetimeve ose sektor të tjerë, janë në koordinim të plotë për të gjitha aktivitetet hetimore me prokuroritë kompetente në kuadër të Republikës së Kosovës dhe do të presim zhvillimet në detaje të kësaj procedure hetimore”, tha ai.
Në anën tjetër, Ministria për Komunitete dhe Kthim e Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve qendrore dhe lokale, por edhe atyre ndërkombëtare, që të angazhohen për sanimin e dëmeve në varrezat e dëmtuara.
Ivica Tanasijeviq nga kabineti i ministrit për Komunitete dhe Kthim, Radojica Tomiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo ministri ka paralajmëruar gatishmërinë për ndarjen e mjeteve për sanimin e varrezave të dëmtuara ortodokse serbe në disa pjesë të Kosovës.
“Sa i përket Ministrisë së Komuniteteve dhe Kthimit, ministri tashmë është në bisedime me partnerët në pushtetin qendror, por edhe me ata ndërkombëtarë, u ka thënë se në rastin e ngjashëm që kishte ndodhur në Fushë Kosovë, mjetet ishin miratuar me kërkesën e zëvendës-kryeministrit, për sanimin e dëmeve në varreza”.
“Pra, ministri ka shprehur gatishmërinë që të marrë pjesë në ndarjen e mjeteve për sanimin e përkujtimoreve të varrezave, por ai gjithashtu ka thënë se këtë do ta kërkoj në qeveri”, tha Tanasijeviq.
Ai ka theksuar gjithashtu, se kjo ministri ka kërkuar që riparimi i varrezave të dëmtuara të nisë urgjentisht.
“Qëndrimi i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim është që dëmet të sanohen sa më parë që është e mundur, do të thotë në në afatin më të shkurtë të mundur. Kjo do të kërkohet edhe nga vet Qeveria”, ka theksuar Tanasijeviq.
Ndryshe, aktet vandale të dëmtimit të varrezave ortodokse serbe në rajonet e ndryshme të Kosovës, kanë pasuar pas heqjes së lapidarit që u ishte kushtuar luftëtarëve të rënë të UÇPMB-së në Preshevë nga ana e xhandarmërisë serbe.
Krerët e institucioneve më të larta të Kosovës, të mekanizmave ndërkombëtarë në vend, si dhe institucioneve fetare, i kanë dënuar aktet vandale mbi varrezat ortodokse serbe, duke i quajtur si veprime të papranueshme dhe u kanë bërë thirrje organeve të rendit që t’i kapin autorët e këtyre akteve vandale dhe t’i vënë ata përpara drejtësisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: e varrezave serbe, Hetime, ne Kosove, per demitimin

Shpirti i Isuf Luzajt, endur mes rreshtave …

January 23, 2013 by dgreca

Në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së tij (1913 – 2013)/

Nga Zyba Hysen Hysa/

Gjatë bisedave të ndryshme që kam bërë në lidhje me shkrimin e librit “Sharrajt në jetën e kombit”, ka dalë në pah edhe emri i Isuf Luzajt, si një ndër patriotët e devotshëm që veprimtarinë e tij në shërbim të çështjes kombëtare e ka nisur që në bangat e shkollës së mesme në Shkodër e më pastaj deri sa dha frymën e fundit.

Që kur më ra në dorë libri “Filozofia e bukurisë”, më pas “Përtej të mirës e të ligës”, “ Glorja e çmendjes”… të gjitha ato libra që kanë pasur fatin të botohen, nuk ka bisedë mes miqsh dhe krijuesish që të mos shpalos adhurimin tim për veprën e tij dhe me mundësitë e mia shpirtërore jam përpjekur që të ndikoj sado pak në institucionet shqiptare për të financuar në botimin e plotë të veprës (rreth 120 vepra) së të veçantit, që siç tha Z. Elaham Sharra në një bisedë se: “Isuf Luzaj, duke lëmë mënjanë politikën e të flasim të drejtën, nuk pati fatin e shumicës së shqiptarëve që ikin jashtë shtetit dhe ‘humbën’, ai bëri emër dhe këtë emër e bëri në Amerikë”

Shpesh në debate, shpalosen mendime të ndryshme për Isuf Luzajn. Më trondit ky fakt, ndaj mendoj se këto kanë qenë dhe janë qëllime dashakeqe të njerëzve antikombëtarë, që familjet patriote në Vlorë t’i vendosin përballë njëra – tjetrës, pra të krijojnë përçarje për të sunduar më lehtë. Unë nuk kam pse zgjatem për madhështinë e familjes Sharraj në kontributin për çështjen kombëtare, se diçka kam thënë (nuk kam arritur të them shumëçka, aq sa e meritojnë, kurrë nuk do të ketë penë ta përshkruajë), por një gjë shihet qartë, se në këtë familje, Isuf Luzaj hynte e dilte si në shtëpinë e kombit e ndaj dhe goditet kjo figurë me një “gur” që vret këtë bashkëpunim patriotik në Vlorë. Unë kurrë nuk do nxirrja nga goja ime, aq më pak nga mendja ime ndonjë fjalë ndryshe për shenjtërinë e veprimtarisë patriotike të Sharrajve, por nëse do hesht për Isuf Luzajn, do të thotë që unë jam shumë fytyrëshe, këtë nuk e pranoj kurrën e kurrës, ndaj duke folur hapur, duhet që të zbardhim hijet e së kaluarës, ato hije që na çuan në keqkuptime, mëri, vëllavrasje, përçarje deri në thelb.  Unë mendoj, që e kaluara jonë nuk ka qenë bardhë e zi, por nuk ka qenë edhe vetëm e bardhë, apo vetëm e zezë, se siç tha një ditë z. Shemsi Rrapaj se “Isufi, këtu në Vlorë, për fat të keq, interpretohet bardhë e zi, por nuk ka argumente për ato që fliten, Isufi është intelektual brilant i shkallës së lartë nga më të rrallët”

Të kesh ide ndryshe nga tjerët është më se normale e të kesh kundërshti për to nga të tjerët, përsëri është më se normale, por e rëndësishme është që këto ide të nxisin iniciativën individuale për t’i vënë në jetë, se siç thekson Isuf Luzaj në librin “Rindërtimi i tipareve shpirtërore” në faqen 52 “Janë burra vetëm ata që e lëvrojnë vetë vijën e ugarit të tyre” dhe më poshtë shton: “Poet ose filozof, apostul ose artist, ki besim në veten tënde dhe mos ndiq rrugë të huaja, mos e var vullnetin tënd prej vullnetesh të tjera, mos e lidh dhe mos u ngatërro me hije që errësojnë, as mos kërko mbrojtje nga të tjerët, sepse ajo mbrojtje të përul. Nga ata që dinë më shumë, mëso pa i imituar, nga ata që japin më shumë, largohu, mos kërko kurrë. Në qofsh i aftë të realizosh idealin tënd, nuk të nevojitet asnjë diçka potente; asgjë, askush nuk të bën të zotin për të realizuar ëndrrën tënde, duaj, duaj, me këmbëngulje, me të gjithë mendjen tënde e me të gjithë zemrën tënde…”

Të mendosh se Isuf Luzaj shkonte deri në antagonizëm me personat që e kundërshtonin në idetë që shpaloste ai, është absurde, por gjithashtu nuk e mendoj Isuf Luzajn të mos kishte kurajë të shpaloste idetë e tij dhe të luftonte për t’i vënë ato në jetë, por unë dal në përfundim se: Isuf Luzin pak e kuptuan e shumë pak e mbështetën, ai nuk ishte vetëm nacionalist që i përkiste vetëm organizatës së Ballit Kombëtar, se në fillim kjo organizatë u krijua mbarëkombëtare, më pas denigroi në parti politike e unë sikur kam qënë aty, e mendoj Isuf Luzajn, për kushtet në të cilat ishte vendi ynë, të ishte prijësi i popullit tonë, se idealet e tij i kapërcenin bindjet politike, ai ishte patriot dhe kërkonte bashkimin kombëtar. Një veteran, Serri Petanaj në opinionin e tij për Isuf Luzajn tha: “Unë e kam parë dhe dëgjuar vetë Isuf Luzaj, kur erdhi një herë në Llakatund, mblodhi popullin dhe u foli: “Të bashkohemi rreth  organizatës së Ballit Kombëtar, si e vetmja organizatë që do na çojë në marrjen e Kosovës dhe trojeve tjera etnike, se komunistet kanë rrugën ruso – serbe dhe kurrë nuk do na lejojnë të bashkojmë kombin tonë’. Unë isha rreth 12 – 13 vjeç, por nuk kisha dëgjuar njeri orator si ai, ai fliste pa letër dhe të bënte për vete me fjalët që thoshte”. Pra Ai është i gjithë shqiptarëve, ndaj atë nuk e përmendin as të majtët, as të djathtët e sotëm, se si të majtët, si të djathtët e pse e kanë të shkruar në kushtetutë që do të luftojnë për bashkimin tonë kombëtar, nuk kanë as më të voglën ide dhe nuk kanë asnjë projekt për këtë bashkim,nuk kanë trokitur në asnjë organizatë apo shtet në botë qw t’i paraqesin me shkrim platformën e Bashkimit tonë kombëtar, përveç se shfrytëzojnë ndjenjat kombëtare të popullit për të siguruar një kolltuk për vete. Ai ishte një njeri iluminist dhe si i tillë kurrë nuk mund të ishte tiran, diktator, ndaj e pse mund të ketë pasur mospërputhje idesh për realizimin e idealit të lartë që i vuri vetes për çështjen kombëtare, e pse mund të ketë pasur mospërputhje idesh, për të realizuar idealin e madh të Bashkimit tonë kombëtar, (kjo është normale), është absurde për mua,të besoj akuzave që dashakeqët i zhveshin nga vetja dhe kërkojnë t’ia veshin Isuf Luzajt, por sa ditët kalojnë, sa vitet rendin, Ishuf Luzaj po del më në dritë dhe lum ai që di të përfitojë nga veprat e tij dritë pa fikura, se kam lexuar disa libra tij dhe unë që shkruaj, di të njoh fisnikun nga krimineli, hajduti… se kriminelët shkruajnë vetëm për ato prapësi, ndërsa Ai flet për Kombin, për  te bukuren, te pastrën, për dritën, te mirën, për fisniken dhe nuk e bën njeriun absolut të keq, por me te mirat e te ligat e tij. Meritë është e atyre që mendojnë veprojnë dhe jetojnë përtej të mirës dhe të ligës.  Unë kurrë nuk do ta besoja se Isuf Luzajt do t’i shkonin për shtat epitetet e pabaza që i kanë vënë ndër vite. Mendoj se ka ardhur koha, që të mos merremi më me fjalët “e lopçarëve”, apo me të atyre që kurrë nuk e arritën dot lartësinë e tij për ta parë në sy, por i ka bezdisur hija e tij prej drite, prej një drite që sa vinte e shkëlqente më shumë, prej një drite që sa vite shkojnë, aq me shumë ndrit.

Isuf Luzaj dallohet edhe pas kaq vjetësh që ka ndërruar jetë e njihet përmes shkrimeve të tij, po kush mund ta shikojë e ta dallojë shpirtin e tij? Sigurisht ata që kanë sy të shohin përmes të vërtetës dhe të lexojnë edhe përmes rreshtave të krijimtarisë së tij, se në bardhësinë mes rreshtave shtrihet shpirti i tij prej një mendimtari, luftëtari, poeti dhe filozofi nga më të rrallët që ka pasur Shqipëria.

Të përmendësh Isuf Luzajn, është nder, është privilegj, është vlerë për atë që e përmend, se ai nuk ka nevojë për fjalët tona për t’u ndriçuar, se ai ndriçoi në një shtet aq të madh sa është Amerika, ne na duhet ta shfletomë e të mësojmë prej tij, se vepra e tij janë drita e së ardhmes sonë, janë udha e bashkimit tonë si komb.

Gjetja e së drejtës përherë dhemb, por nuk ka dhimbje më të bukur se ajo që shkakton zbulimi dhe thënia e së vërtetës, ajo ngjan me dhembjet e lindjes, që më pas nëna provon kënaqësinë më të bukur të jetës, kur merr foshnjën në prehër dhe e vendos për herë të parë në gji. Ndaj është e vështirë të kërkosh të vërtetën, ajo është një perlë që për fat të keq gjendet në thellësi, sa më shumë mundim, aq më shumë shkëlqim i falim jetës, kohës, shoqërisë, së ardhmes…

Shumë kanë shkruar për Isuf Luzajn, shumë më shumë do të shkruajnë, por të kërkosh deri fijet e rrënjëve të tij, do të thotë, se ke bërë pjesë të shpirtit dhe mendjes kauzën e tij, atë kauzë që e ushqeu me dritë shpirti dhe mendjeje, me luftë, sakrificë, vetmi, dhembje malli për familjen, plisat, gurët dhe drurët e këtij vendi që e rriti dhe që e ushqeu me një dashuri sublime, deri në antagonizëm të thellë mendimesh dhe veprimesh me antikombëtarët e sot duket si në dritë të diellit se cili kishte pasur të drejtë dhe se idealet e Isuf Luzajt për bashkimin e Kombit tonë, janë dhe sot e kësaj dite më se të ndritura, ndaj t’i njohim dhe të luftojmë për t’i vënë në jetë, ato që ai nuk mundi t’i realizonte prej përndjekjes nga diktatura komuniste.

Në një studim të kryer më 28 prill 2012 publikuar tek “Diaspora shqiptare, ndër të tjera shkruhet: “Ndoshta dikush do të hapë e të pasurojë në të ardhmen një bibliotekë, galeri apo muze, që do ta ketë zili edhe simotrat e trojeve shqiptare! Pale, kur të bashkëngjiten arkivat e bibliotekat e Vatrës, të dijetarëve Fan S. Noli e Faik Konica me shokë, të nobelistëve Nanë Tereza e Ferid Murati, të shkencëtarit e artistit fotograf me famë botërore Gjon Mili, kineastit Sten Dragoti, të studiuesit dhe autorëve të disa librave me vlera të veçanta, Prof. Petër Prifti e Xhevat Kallajxhi, Prof. Nikolla Cako, Prof. Isuf Luzaj, Prof. Rexhep Krasniqi, studiuesit e arkivistit të pasionuar Idriz Lamaj, koleksionistit Bekim Lajci e Sait Kryeziu, Nexhat Peshkopia, Hasan Dosti, Qerim Panariti, Gaqo Goga, Halim Begeja,Shaqir Gjoka, Dr. Nuci Kota, Tonon Mirakaj dhe nga shumë patriotë të tjerë, të bisnesmenëve bujarë të Atdheut të kahershëm e gjer te më i riu Richard Lukaj, vëllezërit Bitici, studio “Iliria”, të Shoqatave, institucioneve e individëve të shumtë. Gjithçka do të jetë e vlefshme dhe në përkushtim të rritjes shpirtërore, krenarisë e identitetit të gjithë popullit e Kombit Shqiptar”.

Siç e shohim, Isuf Luzaj nuk ka nevojë për vlerësimin që i bëj unë, apo dikush tjetër, ai është i vlerësuar dhe i vendosur në radhën e ndritur të kokave që i kanë dhënë këtij vendi mundin dhe mendjen, që i kanë falur Kombit shpirtin, si të vetmen pasuri të pavdekshme që ka njeriu e këtë shpirt ai e ka shpalosur mes rreshtave të librave dhe të bëmave në dobi të çështjes kombëtare. Ne na mbetet për detyrë ta njohim veprën dhe të frymëzohemi prej saj për të nxitur brenda vetes ide përparimtare që na zgjojnë dëshirën për veprim në dobi të çështjes kombëtare, për të cilën jetoi, punoi, luftoi dhe shkroi Prof. Dr. Isuf Luzaj. Kush nuk ka në gji mirësinë dhe dëlirësinë, se  siç thotë vetë Isuf Luzaj “Të fluturojmë lart, përtej të mirës dhe të ligës dhe të hyjmë në një sferë mbinjerëzore ideale në të cilën njeriu jeton i zhveshur nga të gjitha pasionet, veset dhe ethet e mishit dhe të gjakut…” (Përtej të mirës dhe të ligës),  nuk besoj se ka dritë të mjaftueshme për të dalluar veprën e Isuf Luzajt e aq më pak për ta bërë pronë të tij.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Isuf Luzaj, Zyba Hysa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 835
  • 836
  • 837
  • 838
  • 839
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT