• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY “DEKLARATA NACIONALISTE”, NJËRA, PA LAJTMOTIV?

December 27, 2012 by dgreca

Të nderuar lexues, bëj be për kokë të 100-vjetorit të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlorës se vërtet nuk ju gënjeva me këtë shkrim. Qofshi të nderuar për mot e zaman. Në doni, uroni 100-vjetorin e Shqipërisë Londineze (1913-2013)./

Nga Fadil LUSHI/

Kohë më parë, Vetoni, që zonja e shtëpisë e ka shumë për zemër, më sugjeroi që shkrimin tim të radhës dhe të fundit për këtë mot, ta qëndis me më shumë optimizëm. Ndoshta kishte të drejtë! Edhe sikur këtë shkarravinë ta bëja sipas dëshirës së tij, gjegjësisht me “porosi”, me siguri se nuk do më dilte natyrale, sepse shkrimet e tilla, lëre që nuk më shkojnë, por mbase edhe nuk janë në hisen time. Nejse, unë do shkruaj (aq sa do më lejojë takati im mental) për nocionin e patriotizmit shqiptar, për atë nocion që, sa herë shqiptarit i bëhen padrejtësi, ai aq herë edhe do t’i referohet. Do të shkruaj për patriotizmin 100-vjeçar të shqiptarëve që e gëzuan lirinë, do të shkruaj edhe për atdhetarinë e atyre që nuk e lumturuan Shqipërinë politike…, do të shkarravis toptan për shqiptarët ku jetojnë e ku veprojnë, gjithandej Shqipërisë Londineze.

Duke qenë se mua në vijim më duhet ta dërdëllis këtë vështrim gazete, le të më lejohet të bëj paksa plagjiaturë të ca mendimeve që para disa ditësh dolën nga një emision debatues që u organizua në hapësirat e një televizioni prestigjioz të Tiranës, ku ekspertë fushash të ndryshme, në veçanti nga ajo e politikëbërjes, diskutuan për patriotizmin patetik të shqiptarëve. U parashtruan shumë ide dhe pyetje lidhur me këtë nocion. U ra dakord se jo akëcili njeri (qoftë ai të jetë politikan, blegtor, tyxhar, mësues, mjek, shehërli a katundar) mund të merret me të, pavarësisht ngjyrës, kombit dhe religjionit e tjerë, me kusht nëse “patriotizmin nuk do ta makijavelizojë a edhe nuk do ta konceptojë si strehë të fundit të horrave”!? Ca prej të pranishmëve thanë se sot, kushedi pas sa dekadash, nuk mund të mohosh patriotizmin e Hasan Prishtinës, Faik Konicës…, atë të Fan Nolit, të Mit’hat Bej Frashërit dhe shumë të tjerëve të tillë si ata, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme dhe të thella në ndërgjegjen dhe në ndërtimin e kështjellës së filozofisë së politikëbërjes shqiptare, në kuadër të shekullit të fundit.

Në atë “debat politik” nuk u anashkalua as “hiseja” e monarkut Ahmet Zogolli për ekzistimit e shtetit shqiptar…, nuk u “shtrembërua” as edhe politika e Enver Hoxhës, ai i cili ishte i pari dhe i fundit politikan diktator në historinë më të re shqiptare…, ai që nuk e kishte “zor” të bënte pordhë dhe gojë në çdo institucion, në çdo ndejë a mexhlis, në çdo mëhallë, në çdo katund, në çdo kohë, me rast e pa rast. Ata që pësuan më shumë prej tij, sot, edhe pas kushedi sa kohësh, do të parashtrojnë pyetjen se a mos vallë është e vërtetë se (diktatori që u fut ashtu bythëpraps në gojë të dynjasë shqiptare) kishte pasur kontroll në jetën seksuale të shqiptareve dhe në atë të “dylberëve” të Shkodrës, Kavajës, Korçës, Gjirokastrës e tjerë. Kjo “muhabetbërje provinciale” (që ishte sa vetëreferuese, po aq edhe ipsative)…, përfundoi në momentin kur timoni i saj u bllokua ashtu keqas, sa që nuk shkonte as djathtas e as majtas!?

Nëse Enver Hoxha ishte diktatori i fundit i shqiptarëve, atëherë duhet parashtruar pyetjen se vallë kush është “nacionalisti a patrioti i fundit shqiptar”!?? Njerëzit që nuk kanë për të bërë punë më të mençur, do të thonë se ai duhet të jetë kryeministri i nderuar dhe i respektuar i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, ai i cili më 4 dhjetor të vitit që po ikën gjeti “guximin” për ta ndryshuar protokollin e agjendës së qeverisë, me çka  mbledhjen e radhës e organizoi në Vlorën e Ismail Qemalit. Sipas meje, këtu nuk ka kurrgjë anormale a të keqe, pavarësisht se dikush e “kërkon” këtë të keqe! Në atë mbledhje, ai e dha atë deklaratë, sa “historike, humane, nacionaliste, patriotike (po aq edhe të papritur) rreth “krijimit të Shqipërisë së Madhe a Natyrale”!??  (atë fjalë, natyrale, veshët e mi nuk e dëgjuan). Kjo deklaratë e tij “nacionaliste” për krijimin e Shqipërisë së Madhe, lëre që trazoi mendjen politike të fqinjëve, por njëkohësisht rebeloi dhe mbamendjen e kundërshtarëve të tij politikë, duke i detyruar të parashtrojnë pyetjen se a mos vallë kjo deklaratë e tij ishte e ngjyrosur me bajraktarizëm, amatorizëm politik, makijavelizëm, diletantizëm, me patriotizëm të vakët, të shtirë dhe të rremë, me nihilizëm, eufori, folkpatriotizëm, subjektivizëm, provincializëm katundaresk apo edhe… Në instancë të fundit ishte një denigrim i radhës së teorisë dhe praktikës së rregullave të politikëbërjes institucionale!?? Tekefundit, kjo deklaratë e tij “vështirë” se do të ndryshojë a do të korrigjojë diç nga gabimet e Konferencës së ambasadorëve (të Londrës), të motit 1913! (sikur kjo deklaratë e z. Sali Berisha, nuk do të interpretohet ndryshe dhe nëse nuk do t’i jepet konotacion krejt tjetërfare, atëherë është njësoj sikur të “pyesësh të verbrin a do sy”!)

A mos vallë, kjo deklaratë e tij ishte edhe rezultat i një ngazëllimi a i një euforie të tepruar dhe të pakontrolluar mbarëshqiptare, që u hetua më 28 Nëntor të motit që është duke perënduar…, a mos vallë ishte një deklaratë – shaka e radhës…, apo ndoshta ishte  një zhargon i tij (i ri) profesional. Nëse ishte zyrtare (në emër të qeverisë), atëherë sehirxhinjtë do të parashtrojnë pyetjen se “…, pse pas 23 vjet bërje politikë u shpreh pikërisht në këtë kohë dhe jo më herët, në do ishte private (në emër të Partisë Demokratike ai do mëtojë ta përdorë kartelën e nacionalizmit dhe patriotizmit të rremë) atëherë inatçinjtë e politikës së kryeministrit, lëre që nuk do t’i përsërisin pyetjet e sehirxhinjve, po përkundrazi, do të thonë se ky “prononcim i tij nacionalist nuk është kurrgjë tjetër, përveç rezultat i një krize morale që e ka kapluar politikëbërjen e kryeministrit…, një lajtmotiv i gabuar si dhe një lajthitje e rastit në kuadër të fushëveprimit të dobët politik ”!??

Kur jemi te “pasaportat e ashtuquajtura gjithëkombëtare” (që kohë më parë i përmendi kryeministri), do të duhet të parashtrojmë pyetjen – çka nëse shqiptarët nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi e trevat e tjera do të pajiseshin me të tilla “dokumente udhëtimi gjegjësisht me nënshtetësi të dyfishtë”…, a mos vallë do t’u jepej “mundësia që t’i braktisnin trojet e tyre autoktone”…, a mos vallë kjo do t’i shkonte në hesap shtetit serb dhe shteteve të tjera përreth. Unë këtë nuk e di.

Të nderuar lexues, bëj be për kokë të 100-vjetorit të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlorës se vërtet nuk ju gënjeva me këtë shkrim. Qofshi të nderuar për mot e zaman. Në doni, uroni 100-vjetorin e Shqipërisë Londineze (1913-2013).

Filed Under: Opinion Tagged With: dy deklarata, Fadil Lushi

PERSE DUHET TE VRITET NJE FEMER?

December 27, 2012 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/

Nëse një vëlla, një baba, një bashkëshort apo i dashur vret një motër, një vajzë, një grua apo të dashurën e tij, pse nuk e shikon situatën paraprake me gjakftotësi, por me vrullin e parë i vë lakun në fyt. Ligji, policia e gjykata meren me dënimin e fajit, e jo dikush që nuk është as ligji e as gjykata. Çfarë do lloj gabimi apo faji ajo të ketë kryer, ata mund ti drejtohen drejtësisë e jo pushkës e sopatës sikur therrin një bagëti.

Shumë tronditëse janë faktet e shifrat e fundit për vrasjet mbi vajzat e gratë në Shqipëri. 118 viktima vetëm për vitin 2012. Një tmerr i vërtetë, si në kohën e inkuzicionit. Organizata Mbarëkombëtare Pajtimit të Gjaqeve ngre zërin, organizon takime, konsulta, biseda mes familjarëve, por përsëri shifrat rriten pa asnjë efekt. 1208 familje të ngujuara për këtë vit. Mijra fëmijë të izoluar, e pa shpresë për jetën. Edhe pleq po vriten për hakmarrje kohëve të fundit. Ku po shkon kështu vendi ynë, ç’është kjo kasaphanë në njerëz, e kur do ti vijë fundi.

Përsse duhet të vritet një femër? Nëse nuk e do, ndaje. Nëse të tradhëton përsëri ndaje, por mos e vrit e mos e masakro. Ti zotni x apo y që i mer jetën asaj kushdo qoftë, nuk je as ligji as drejtësia, por një kriminel që ke lyer duart me gjak, e duhet të marësh dënimin që meriton. Por edhe nëse krimineli mer dënimin, viktima përsëri nuk kthehet më, nuk vjen më në jetë. Vrasësi vret e largohet në drejtim të pa ditur. Shpëton. Po pse i trembet dënimit kur kryen një vrasje, pse nuk dorëzohet. Atij i dhimbset jeta, po për atë që vret pse nuk mendon, po i pret kokën si një pulë e përpiqet ta fshehë ku të mundet.

Një mashkulli me formim të ulët edukativ, i pëlqen të kalojë disa orë me një femër, por përfolja ndaj saj tek te tjeret përbën “argëtimin” më të madh të tij, veprim ky ofendues për femrën, por një prezantim i ulët i karakterit të  mashkullit. Gruaja nuk eshtë vetëm për të lindur e rritur fëmijë, por një bashkëudhëtare e mirë e jetës  së një bashkëshorti, prandaj ajo duhet trajtuar me respekt e dashuri njerëzore.

Këto janë ngjarje që duhet të trondisin jo vetëm familjarët e viktimave, por mbarë shoqërinë tonë, e duhet të meren masat më ekstreme për një vrasje të kryer me ose  pa paramendim. Akte të tilla dhune ose vrasje kemi patur jo vetëm në veri të vendit, por edhe në qendër të Kryeqyetit të Tiranës. “Shqipëria është anëtare e NATO-s me të drejta të plota –  më tha një ditë një grua e mbijetuar nga dhuna e te shoqit – e përderisa këto shifra po rriten dita ditës – vijoi ajo – ti kërkohet ndihmë NATO-s që të ndalohen vrasjet e dhunimet tek vajzat e gratë”

Kishte të drejtë, kërkonte shpëtim për vete, e fëmijët e saj, si dhe për mbarë shoqërinë tonë. Eshtë një femër inteligjente, por fati  e lidhi me një burrë që abuzon ndaj saj, e rrihte, ishte edhe alkolist. Si pasojë e këtij mentaliteti të trashëguar edhe në Amerikë nëpër familjet shqiptare kemi patur akte e fenomene të tilla, ku burri ka vrarë gruan për motive të dobta, ose pa motiv fare, vetëm sepse ai është sipas tij “ligji” e ajo duhet ti bindet atij deri në vdekje. Marrëzi e sëmurë, e injorancë pa fund. Në një rast burri pasi ishte grindur me të shoqen në sy të fëmijëve e urdhëron atë që të dalë në rrugë në mes të dimrit e dëborës, e të qëndronte atje deri në mëngjes. Ç’janë këto dënime, ç’janë këto masa ndëshkuese për një grua, për një bashkëshorte, nënë e fëmijëve të tij? E më pas kur ai mer vesh se një i afërm i familjes e kishte strehuar kërkon ta vrasë, vetëm e vetëm se nuk kishte qëndruar gjithë natën jashtë në acarin e ftohtë, në mes të rrugës, poshtë godinës ku jetonin edhe fëmijët e tyre. Kjo është një ngjarje e jetuar, e njohur, e vërtetë. Po sa të tilla kemi, e të panjohura akoma….

Femra është vërtetë nga natyra si seks – më e dobët se mashkulli, por ai nuk duhet të masë forcat e tij me femrën. Le të përballet me drejtësinë për krimin e fajin që kryen. The Women’s Organizatin Hope & Peace, një organizatë jo qeveritare që meret me të drejtat e grave, po i shikon me kujdes këto raste e është duke dhënë ndihmesën e duhur për familjet me probleme të tilla.

New York, Dhjetor 2012

Filed Under: Opinion Tagged With: Mimoza Dajci, perse, vriten femrat

Hane Sina (1928-2012) – Ikonë e kalvarit të vuajtjes të familjes Sina

December 27, 2012 by dgreca

Klajd Kapinova/
 
Vuajtja, ka mbetur pa shërim. Ajo ishte pjesë e jetës në familjen Sina, gjatë 5 dekadave të sistemit komunist.
Refreni i zakonshëm dhe monoton ishte: dhimbje pakufi, keqtrajtime shtazarake, përbuzje e fyerje ekstreme, varfëri me bukë mjerimi, nënçmime sistematike, dhunë psiqike e fizike të vijueshme, internime dhe mallkime proletare, privim nga çdo e drejtë elementare njerëzore, nëpërkëmbje deri në disa breza,…
Këto dhe shumë të tjera, kanë qenë emëruesi i përbashkët, që e ka shoqëruar kalvarin e vuajtjeve dhe stërmundimeve, familjen e moçme etnike shqiptare Sina, e shquar historikisht gjithnjë, për ruajtjen dhe respektimin e traditave me vlera tipike autoktone dibrane.
Këto ditë të ftohta dhjetori, në qytetin Brooklyn, në shtetin e New York-ut, mbylli sytë, një prej grave më stoike të kampeve të komunizmit, një nga nënat më fjalë ëmbël, më e thjeshta, modestja deri në përvuajturi shembullore, mbas gjithë historisë plot dhimbje dhe plagë të thella, që e ka shoqëruar pambarim ndër dekada, të pavdekshmen dhe të paharruaren, për të gjithë në vendlindje dhe Amerikë, nënën e vuajtjeve Hane Sina!
Por historia e familjes së njohur të Dibrës së Madhe, zë fill tek drama, që përfshiu nënë Hanën, kur ajo ishte ende fëmijë i brishtë.
Kështu nga burimet historike dhe dokumentet e familjes Sina, mësojmë se në moshën 11-vjecare u vra Haxhi Dishi, babai i vogëlushes (sikurse thuhet në Dibër për një “vijë uji”) nga njeriu më i afërm i familjes (djali i axhës) babai i të cilit asokohe, punonte si qarkkomandant xhandarmarie në Dibër të Madhe…
Vrasjen e babait të Hanës, Beqir Sina e përjetoj rëndë, nga që e donte aq shumë, sa nuk ia falte kërkujt gjakun e Haxhi Dishit. Por dhimbja e madhe kthehet në forcë, për burrat shqiptarë të vërtetë, që dijnë të falin gjakun, mbi dhimbjen e thellë. Si besnik që e kishte, më vonë e bëri mik shtëpie. Ky është një rast i rrallë, që ka ndodhur deri më sot në krahinën e Dibrës së Madhe dhe botën shqiptare.
Një jetë mes vuajtjes dhe mjerimit komunist
Hana, lindi më 18 maj të vitit 1928, në katundin Rreth Kale-Muhurr Peshkopi.
Sikurse kujton sot i biri, gazetari pasionant e i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikanë Beqir Sina (nënën Hana), në moshën 12-vjecare propoganda fashiste e dërgoi sëbashku me një grup fëmijësh nga Dibra në Itali. Atyre, iu bashkuan edhe disa fëmijë të tjerë, të familjeve të mëdha nga e gjithë Shqipëria. Këtë mirësi asokohe fëmijës së zgjuar, ia bëri qarkkomandanti Beqir Sina, për të harruar ndoshta edhe vrasjen e babait të saj…
Ngjarjet në vendlindje precipitojnë me shpëjtësi. Atje, komunistët, përmes propagandës së gënjështrës, kishin arritur të trudhosin me bolshevizëm të rinjtë dhe njerëz naiv, që nuk e njihnin fytyrën e zezë të proletarëve, që ndryshe fliste dhe ndryshe vepronte.
Kjo u duk shumë qartë në Rusi, me triumfin e luftës civile ose sikurse njihet si “revolucioni bolshevik”, ku, pushtetin e mori ideologu marksist Lenini dhe siamezi diktatori famkeq gjeorgjian Stalinin. Ai sot për nga krimet në kohën e tij (sipas burimeve historike bashkëkohore), është i pari në botë dhe i dyti nazisti gjerman Hitleri.
Si shumë të rinj idealist, me ëndrra dhe qëllime përparimtare, mbushur plot ndjenja të ngrohta atdhedashurie, rikthimin në vendlindje e shihnin si shpresë, për një jetë dhe liri të vërtetë demokratike, sikurse ishte Italia dhe shumë shtete të tjera të Europës Perendimore.
Por shpejt, ëndërra e adolishentes errësohet dhe vendin e saj e zë mjerimi dhe vuajtjet e njëpasnjëshme, që nuk kanë të sosur në familjen Sina, për shumë dekada, gjatë kohës së sundimit të kuqalashëve me hu, litar dhe mashtrim propagandist të Tiranës së kuqe prej 1944-1990.
Në fakt, kthimi saj në Shqipëri, ishte një kthim në një udhëtim të ngadalshëm drejt varrezave, pa e kuptuar vdekjen e ngadalshme, që po u vinte të gjithë nacionalistëve dhe familjeve të tyre, të cilët e donin Atdheun si shtëpinë e tyre… Nisi kështu përjetimi i udhës së vështirë të kalvarit të vuajtjeve të njëpasnjëshme…
E reja fisnike dhe zemërbujare Hana, një ditë të bukur pranvere, në moshën 19-vjecare, martohet me djalin e Beqir Sinës, të riun Rasim Sina, që vinte nga një derë e fortë e nacionalizmit shqiptar.
Nga burimet historike mësojmë, burrat e dy kunatave të veja (Dijen e Biden), i kishte pushkatur regjimi sllavo-komunist në Maqedoni, ndërsa dy motrat: Mihanen e Remen dhe tre vëllëzërit e tij: Musën, Hashimin dhe Besimin dhe gruan fisnike Kafile Kaloshen, janë kthyer më 1949 nga Kampi i Uznovës, mbas një amnestie të përkohshme në katundin e tyre në Rreth Kale.
Kthim ishte pa shpresë dhe të ardhme. Ata e gjetën kullën e djegur nga komunistët. Jevxhitët e hoxhistit të Gjirokastrës më pare e kishin vjedhur gjithcka që ndodhej brenda,… e shkatërruan dhe më pas e kthyen në kazermë mallrash për ushtrinë e tyre.
Është me interest të thuhet, se shpesh bujaria e shqiptarit mes varfërisë, ka treguar vlera fisnikërie e mirësie, në momentet më dramatike të bashkëvendasve.
Kështu, mësohet se kur vendasit morën vesht, se kulla e famshme e familjes Sina ishte djegur, menjëherë shprehen humanizmin konkret, që buronte nga shpirti flori i tyre, duke e ndihmuar, që të ngrinte strehën e varfër për të hapur familjen e tij te re. Pa dallim, i gjithë katundi dhe nga trevat e tjera u ngritë në këmbë. Aty u mblodhën fshatarët dhe brenda natës i ngritën një kasolle familjes së Beqir Sinës.
Duke shfrytëzuar mjetet rrethanore dhe teknikën e ndërtimit asokohe, ata e  rrethuan me qepa (një lloj materiali i përdorur gjerësisht asokohe) e veshën me thupra dhe më pas e suvatuan me baltë e harasan.
Kjo ishte gjendja e mjeruar asokohe e Dibrës dhe në tërësi e Shqipërisë, që askohe po përpiqej të luftonte mjerimin dhe prapambetjen, që u thellua me ardhjen në pushtet të proletarëve pa fe, atdhe e ide. Tashmë varfëria ekstreme u ul këmbkryq ne familjet shqiptare në qytet e katund…
Por nga ana e tjetër, gjesti bujar, për t’iu gjendur në nevoj kësaj familje fisnike nuk mungoi, sepse të gjithë i donin dhe respektonin Sinajt…
Mjerimin si bashkëudhëtare, që pllakosi këtë familje, një mik me banim sot në New York, e rikujton kështu: “Sina, që dikur kishte qënë e para e këtij vëndi “Kulla e Sinëve”, i thoshin tani, ishte edhe pa bukë, pa drita, pa tasa e lug, pa tenexhere, pa jorgan e dyshek…”
Fshatarët e të afërmit e tyre, menjëherë filluan kush e kush të ofronte diçka nga bujaria mes varfërisë që si sëmundje ngjitëse i kishte prekur të gjithë. Ditët iknin me shpëjtësi dhe po afrohej koha, kur Rasimi do të martohej me Hanen, nga fjala e dhënë, sipas traditës dhe zakonit.
Ishte vërtetë një dasëm e thjeshtë shqiptare, pa zhurmë e krisma armësh, që ndodhnin shpesh në gëzimet shqiptare dje dhe sot…
“Dhe kështu u bë dasma. Në atë shtëpi, nuk u dëgjuan daullet e festës, por u bë një dasëm me ceremoni simbolike dhe gëzim të thjeshtë, pa mish,… dhe vetëm disa të afërm i ranë çiftelisë dhe kënduan pak atë natë…”, kujtonte shumë vite më parë nusja e re asokohe Hana 19-vjeçe dhe dhëndrri Rasimi 16-vjeç.
Në atë kasolle të thjeshtë, çiftit të ri, Zoti u dha tre fëmijë. Fëmija e parë ishte vajzë Zenepja, i dyti Dika dhe i treti gazetari i mirënjohur Beqir Sina, u nis në atë kasolle…dhe lindi në barakat e kampit të internimit famkeq të shfarosjes së ngadalshme në Savër të Lushnjës…
Me arratisjen e Rasimit, falë ndihmës bujare të një besniku të familjes Sina, nëna e tyre si i thërrisnin malësorët në kamp (oj) Sojnike ose sikurse e kishin zakon familjet e mëdha, për të respektuar njëra-tjetrën thirreshin vetëm në mbiemër.
Një ditë Kaloshia, i mblodhi të gjithë fëmijët saj rreth vetes, e i pyeti se kur do të arratiseshin?! Por aty ndodhej edhe nusja e re shtatëzanë shtatë muajsh me fëmijën Beqir në bark, që thoshte, se vetëm dëgjoja dhe sipas zakonit nuk mund t’a hapja gojën…
Sojnikja, u tha djemëve: “Djemtë e mi, Zoti ua bëftë dritë nga të shkoni, se nëna me tesha në krah e nisi dhe po e bitis po me tesha në krah, por shyqyr Zoti, kësaj rradhe kam edhe nusen e re dhe do t’a kalojmë me gjithë nanat e tjera, se jemi mësuar në kampet e internimit, mbasi na presin shoqet atje…”
Dhe kështu nusja e re Hana, me fëmijë në bark (sic e kishin zakon gratë e Dibrës), e lidhi shamin dhe me Kaloshën nga dera e madhe e Kaloshëve të Kandrit, (Musa, që vuante mjerimin në burg), morën rrugën drej kënetave të Myzeqesë.
Të gjithë ata që e kanë njohur në kohën e rregjimit komunist dhe më pas, kur e kanë takuar dhe folur shtruar me fisniken në shtëpinë e Beqir Sinës (sikurse autori i këtij shkrimi), në Brooklyn, New York, flasin me shumë respekt, për mbresat e mira, që u kanë lënë takimet më Sojniken dibrane, sikurse e thërrisnin të gjithë deri sa u nda nga kjo jetë…
Ajo ishte shumë e drejtë dhe ndershme, zemërbujare, trimëreshë, e zgjuar, me një humor të hollë dhe djegës (thumb), për komunistët (njësoj sikurse barcoletat shkodrane antikomuniste në kohën e rregjimit komunist).
Janë pikërisht këto cilësi, si: ndershmëria (i pakorruptueshëm), besnikëria deri në vdekje, burrëria dhe zgjuarësia, bujaria e mikpritja, përkushtimi për t’i cuar gjërat me vendosmëri deri në fund, mbajtja e fjalës,  positive, që i sheh dukshëm tek i biri gazetari Beqir Sina, të cilin, të gjithë e duan dhe e respektojnë në komunitetin tonë në Amerikë. Ai ishte i dashur edhe nga bashkëvuajtësit në Saver të Lushnjës…
Bujaria e shpirtit të saj, vinte nga geni i trashëguar i familjes, sepse ishte një Derë e madhe fisnike, përkrah dyerve të parisë së Shqipnisë asokohe, të cilët, për cudi të historisë të gjithë ishin surgjenosur në skëterrën vdekjeprurëse famkeqe të kampit në Savër të Lushnjës.
Me qindra dhe mijëra djem e vajza, burra dhe gra, vejusha e jetimë, që vinin nga familje intelektuale e patriotike, të shkolluar në Europën Perëndimore, kishin hyrë në dyer e ferrit të këtij kampi nazist (me emrin proletar) dhe dolën prej aty, të shkatërruar fizikisht, por të fortë mendërisht në vitin 1990, tek mbijetuan pragun e vdekjes, ku, shumë ndërruan jetë nga koleksioni i sëmundjeve dhe pakujdesi mjekësor, gjatë 5 dekadave të rregjimit komunist.
Kushdo, që ka qenë i interesuar dhe ka lexuar ose mësuar, për historinë kobndjellëse të Savrës, e di fare mire, se aty jetonin vitet e burgimit kolektiv paria e Shqipërisë, sikurse ishin familjet më të zëshme asokohe, si: Markagjonit, Mirakajt, Bajraktarit, Dinëve, Dugagjinit, Mulosmanëve, Hoxhës, Nezajve, Kolgjinit, Sinës etj.
Si shumë nuse të reja, që u vendosën rishtas me familje në kampin e internimit, u ndihmuan me bujari nga të gjithë banorët e hershëm aty të ardhur me kohë nga qytetet dhe zonat e ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës.
Një detaj interesant, ka mbetur i ngulitur thellë në kujtesën e familjes Sina dhe më shumë djalit (kolegut tim Beqir Sina), i cili, ndër të tjera tregon, për bujarinë e familjes Markagjoni, që i është gjendur qysh në ditët e para familjes së porsaardhur në kampin e internimit.
Kështu, vajzat zemërbujare tw Kapidanit të Mirditës Gjon Markagjonit, i blenë tesha të reja dhe e bënë Hanen ti vinte sado pak buzëqeshja, në një mjedis të ri, rrethuar nga njerëz të mirë dhe jo sikurse shkruante media komuniste, përmes propagandës së saj shpifëse…
Gratë, nënat, motrat, vëllezërit, fëmijët, të afërmit e atyre burrave patriot, baballarëve të mirë dhe përkushtuar, që nën breshërinë e plumbave të mitrolozave në kufi, ishin arratisur nga ferri komunist, për një jetë të lirë në demokraci, vuanin edhe më shumë, për shkak të aktivitetit të tyre kundërkomunist, në vendet e Europës Perendimore dhe ShBA.
Kështu sa më shumë, që ata ngrinin zërin para Departamentit të Shtetit, kongresistëve dhe senatorëve miq dhe dashamirë të shqiptarëve, aq më shumë mprehej shpata e luftës së klasave në Shqipëri, ndaj pjesëtarëve të familjes të tyre tashmë në burgje apo kampet e përqëndrimit ose shfarosjes.
Kështu fjala vjen Rasimi, burri i Hanës, fliste si spikër, për shumë vite me radhë në radion “Zani i Atdheut”, në New York, i cili, një herë në javë emetonte programe në gjuhën shqipe, kundër qeverisë komuniste në Tiranë, aq më shumë rritej zemërimi i partisë-shtet të diktaturës, kundër familjes Sina, që vuante kalvarin e gjatë të përsekutimit të përjetshëm, me të cilën ishte dënuar ajo…
Hena Sina, ishte një prej tre nuseve të Sinëve, që sëbashku me vjehrrën e tyre fisnike Kafile (Kaloshi) Sina, pësuan shkatërrime, rrënime dhe vuajtje nga ma të pabesueshmet.
Ajo, e nis jetën si gruaja e Rasim Sinës, po me arratisjen e tij, humb sa hap e mbyll sytë gjithçka! Për ate e shumë të tjerave si ajo nis ferri i tmerrshëm e i pafund i kampeve të diktaturës…
Vitet kalojnë dhe demokracia me mundime shkelmon gjumin letargjik të shqiptarëve, që me ose padëshirë kujtohen se janë pjesë e kësaj bote, se duhet të jëtojnë të lirë dhe në demokraci…
Mbas rënies së komunizmit në Shqipëri Hane Sina, u vendos në ShBA sëbashku me familjen e të birit, gazetarit të palëkundur kundërkomunist Beqir Sina.
Gjatë rinisë së saj, ajo kishte marrë shumë sëmundje, të cilat, i rënduan së tepërmi shëndetin dhe vitet e fundit të jetës i kaloi nën shërbimin e drejtpërdrejtë të gruas fisnike të Beqirit…
Në çastet e fundit, Hena Sina ndodhej në shtëpi e rrethuar ngrohtësisht nga të gjithë njërëzit e saj të dashur, sikurse edhe kunta e saj Myrvetja.
Me lot ndër sy dhe me një pikëllim të thellë, Henës sokolesh, ia mbylli sytë djali i saj Beqir Sina, që e deshti aq shumë dhe ndau gjithnjë vuajtjet me fisniken e pamposhtur dibrane.
Familja, thotë se dashuria dhe malli për nënën Hanën, do të jenë gjithmonë pjesë e pandashme e jetës sonë, sikurse të  gjitha nënat shqiptare, që na rritën dhe edukuan me sakrifica të mëdha…
Këtë fisnike tipike shqiptare, do t’a kujtojë komuniteti shqiptarë në ShBA, të gjithë ata miq e dashamirë, që patën rastin t’a njohin nga afër…
Pushoftë në paqe!

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Hane Sina, Ikone e Kalvarit, Klajd Kapinova

Simfoni për nji nënë: Hane Sinën, po jo vetëm për atë!

December 24, 2012 by dgreca

Nga Jozef Radi/

Dy ditë më parë, mbylli përgjithmonë sytë, nji prej grave më stoike të kampeve të komunizmit, nji nga ma të thjeshtat, ma të përvuajturat, ma të pambështeturat, nji ikonë e njerzores: Hane Sina!

Kish kohë që kish nisurë ai kalvar pafund për vajzat, gratë e nënat shqiptare, ku Hanja do të ishte nji prej tyre, që e kapërceu me dinjitet të papërshkrueshëm at tmerr pafund të pësuar padrejtësisht… dhe mbrriti deri te dita e ikjes së saj e plotë, e patjetërsuar në gjithë vlerat e veta!

Hane Sina ishte nji prej tri nuseve të Sinëve, që së bashku me vjehrrën e tyre fisnike, Kafile Kaloshi-Sina, pësuan shkatërrime, rrënime dhe vuajtje nga ma të pabesueshmet. Ajo, e nis jetën si gruaja e Rasim Sinës, po me arratisjen e tij, ajo humb sa hap e mbyll sytë gjithçka! Për të e shumë të tjera si ajo nis tmerri i pafund e kampeve të diktaturës! Me tre fëmijë njëri mbas tjetrit, e para sa kish nisur të ecte, i dyti në krahë dhe i treti në bark, ajo i dorëzohet fatit përbindësh, ku më shumë se rrugë, do të ishte skëterrë që zgjati nji jetë, e ku ajo me at thjeshtësinë e saj prej malsoreje e përballoi jo veç me dinjitet, po edhe me at humorin e hollë e shpërfillës, që ishte në natyrën e saj, ndaj atyre që po i shkaktonin të keqen kësaj gruaje, kësaj nëne, kësaj gjysheje të dhimbsur, që përtypte në heshtje privimet nga çdo gëzime sado i vogël i jetës! Qysh herët ajo pëson humbjen djalit, Dikës trembëdhjet vjeçar, që shpresonte t’i bëhesh krah e që nga thellsia e shpirtit e quajti gjithnji “lofka e nanës!”

Ajo përjetoi përbuzjen, varfërinë, urinë, dhimbjen, mungesat, humbjet, po qëndroi në këmbë si pakkush… Shpesh kujtoj se çdo fetë buke në mungesë të gjithçkaje, ajo i shtronte ca pika loti dhe i jepte shije bukës thatë me dashurinë prej nëne! Sepse shpirti i saj s’kishte asgjë veç dhimbjes po i shtonte asaj mirësinë dhe dinjitetin… Dhe ajo shija e bukës sw duarve të saj s’ka për t’i ikur kurrë shpirtit tim, po edhe gjithë atyre që patën rast ta njohin kët grua të thjeshtë, e stoike…

Sot, në ikjen e saj në qiell, ajo çka vlen të kujtohet është buzqeshja, humori, ironia e saj ashtu e qetë, e pafajme, spontane… kur punonte në brigadën e nji kryetari të famshëm këshilli, të cilit me nji deformim simpatik të emrit të tij, kinse s’arrinte ta shqiptonte drejt i drejtohesh: “Or Mi-hale, po pse më po çon aq larg me punue…” Ose u bë batutë e kohës shprehja e saj, kur u prishën mardhëniet me Kinën. Si gjithnji Kryetari i këshillit e ngre Hanen dhe e pyet se si e mendonte ajo kët prishje! “Po mirë ban që u prishën, or Mi-hale-shka na dojshin ata ne… po ne s’i duhemi kërkujt!” Ajo rrëshqitja e gjuhës or Mi-halesh… mbeti nofka qe Hanja i vuri atij njeriu! Kështu u mbyll diskutimi dhe Hanja la nji nga batutat më pikante, nënteksti i së cilës s’kishte nevojë për koment!

Hane Sina i iku kësaj bote dhimbjesh në paqe… e rrethuar nga shumë njerëz dhe e respektuar prej të gjithëve, jo thjesht për vuajtjen e saj, por për at mirësi që shpirti i saj kishte të pashterrur, e që kurrë ajo s’e shfaqi të përgjysmët, po gjithnji të plotë… Ikja e saj prej Ferrit tokësor ngjan me ikjen e nji Hane të Plotë, që e dhuron gjithë dritën e vet, që terri kurrë të mos ndjehet i gjithpushtetshëm i kësaj bote!!!

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Jozef rada, per nene hanen, simfoni

Vërejtje për “Kosovën…” e Schmit-it

December 23, 2012 by dgreca

Nga Shkëlzen Gashi/

“Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” e historianit Oliver Jens Schmitt vjen më në fund edhe në shqip. Libri, siç e thotë autori në hyrje, ndahet në dy pjesë: e para shtrihet deri në përfundimin e sundimit osman më 1912, e dyta vijon deri në shpallje të pavarësisë më 2008, vit kur ky libër botohet në gjermanisht. Ky artikull shqyrton veç pjesën e dytë të këtij libri.

Krejt në fillim duhet thënë se habit mungesa në libër e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së Kosovës përgjatë shekullit 20. Fjala vjen, nuk përmendet kryengritja shqiptare e vitit 1912, e prandaj as ndarjet mes politikanëve shqiptarë të Kosovës gjatë kësaj kryengritje: bejlerëve e agallarëve, që kundërshtonin autonominë dhe udhëheqësve të kryengritjes, që e synonin autonominë territoriale. Nuk theksohen as përçarjet mes vetë kryengritësve të vitit 1912,mbasi një pjesë e tyre pëlqenin me mbetë të lidhur fort me Perandorinë Osmane, për çka edhe kërkesat u degradojnë në autonomi jo-territoriale.

Ndër komponentet më interesante dhe më së miri të realizuara në libër është spiralja e dhunës dhe e kundërdhunës, e ushtruar nga serbët por dhe shqiptarët gjatë tërë shekullit 20. Megjithëkëtë, kur trajton krimet e forcave sërbe më 1912, Schmitt pohon se “llogaritet të jenë vrarë 20-25.000 shqiptarë myslimanë”. Nuk sqarohet se të vrarët janë civilë të pafajshëm dhe këta papërjashtimisht paraqiten si muslimanë, ndonëse nga kujtimet e botuara të priftërinjve katolikë të kohës, Zef Mark Harapi dhe Lazër Mjeda, mësojmë për vrasjet e shumë shqiptarëve katolikë në vjeshtë të vitit 1912 nga forcat sërbo-malazeze.

Schmitt e trajton me korrektësi periudhën gjatë Luftës së Parë Botërore, si dhe atë mes dy luftërave botërore, duke përfshirë krimet dhe kolonizimin, rrymat politike të shqiptarëve – kaçakët dhe xhemijetin – qëllimet e tyre, por edhe bashkëpunimet me përfaqësuesit politikë e ushtarakë të Sërbisë. Mbase e vetmja vërejtje këtu mund të bëhet për trajtimin e krimeve të kryera kundër sërbëve nga grupe të armatosura shqiptarësh gjatë qëndrimit të trupave autro-hungareze në Kosovë më 1915-18, sepse Schmitt jep veç versionin sërb.

Te periudha e Luftës së Dytë Botërore autori nuk adreson ngjarje të rëndësisë së veçantë, si Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943- 1 e 2 janar 1944) dhe pastaj Kuvendi i Prizrenit (10 korrik 1945), të dyja organizime të komunistëve të Kosovës, madje me përbërje të ngjashme pjesëmarrësish, por me qëllime diematralisht të ndryshme. Ndërsa Rezoluta e Konferencës së Bujanit thotë se Kosova e Rrafshi i Dukagjinit dëshiron të bashkohet me Shqipërinë, ajo e Kuvendit të Prizrenit shpreh dëshirën që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohen Sërbisë federale, si pjesë përbërëse e saj. Autori nuk sqaron as se gjatë kësaj periudhe në një anë vepronte rryma “nacionaliste” me Lidhjen e Dytë të Prizrenit, e mbështetur nga nazistët gjermanë,e në tjetrën ajo “komuniste” me Këshillin Nacional-Çlirimtar për Kosovë e Metohi, e mbështetur nga komunistët jugosllavë. Nuksqarohet as se partizanët komunistë të Kosovës ndahen brendapërbrenda: Fadil Hoxha në njërën anë, Shaban Polluzha në tjetrën. Ky i fundit madje s’përmendet fare në libër.

Autori nuk saktëson se edhe pas LDB në njërën anë vepronte rryma “legale”, si pjesë e institucioneve të sistemit jugosllav, e në tjetrën “ilegalja”, që e kundërshtonte sistemin jugosllav. Te periudha e Ranković-it, autori do të bënte mirë sikur të pahtësonte se gjendja e tmerrshme e shqiptarëve kundërshtohej nga Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSh), e themeluar më 1963 dhe e udhëhequr nga Adem Demaçi,  më i rëndësishmi organizim i shqiptarëve të Kosovës në dekadat e para pas LDB. Grupi i studentëve me orientim kombëtar që organizon demonstratat e vitit 1968, nuk krijohet pas rënies së Ranković -it, siç thotë Schmitt, por më përpara, sepse bash të rinjtë e LRBSh-së i organizojnë demonstratat e vitit 1968, të cilat, pohon edhe vetë Schmitt, e ndryshojnë kursin politik të Kosovës.

Segment interesant dhe i trajtuar mirë është mungesa e mbështetjes për Kosovën nga Shqipëria gjatë kohës së Zogut dhe Hoxhës, por do të ishte më i plotë sikur të trajtohej mungesa e mbëshetjes edhe para ardhjes së Zogut dhe pas mbarimit të pushtetit komunist të Hoxhës.

Schmitt nuk shfrytëzon fakte të bollshme për ta demaskuar propagandën e Sërbisë kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1980, e cila synonte me përgatitë terrenin për ta suprimuar autonominë e Kosovës. Ndonëse në parathënien për botimin në shqip, Schmitt sqaron se ka bërë saktësime të rëndësishme lidhur me disa shifra të diskutueshme, prapëseprapë mjaft nga shifrat e ngjarjet mbeten të pasakta. Në shumë pjesë të librit Schmitt bie pre e propagandës shqiptare, konkretisht te shifrat e dhëna për të vrarët gjatë demonstratave të vitit ‘81, ‘89 dhe ‘90. Mandej, proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve të akuzuar në vitet ’93 dhe ‘95 për rezistencë kundër Sërbisë, Schmitt i cilëson sikurse edhe propaganda shqiptare e kohës: procese të montuara.

Ngjarje të rëndësishme të viteve 90-91 prezentohen me pasaktësi, që në shikim të parë mund të mos duken fort relevante: mospërfshirja e Deklaratës Kushtetuese për Republikën e Kosovës (2 korrik 1990), pastaj, jo veç huqja e datës, por edhe e qëllimit të referendumit për Kosovën shtet sovran e të pavarur me të drejtë lidhjeje me Jugosllavinë (26-30 shtator 1991), e kështu me radhë. Duhet thënë se te periudha e viteve 90, Schmitt arrin t’i prezentojë në nivel deri diku të kënaqshëm rrymat politike në Kosovë, por jo aq edhe qëllimet e tyre.

Vërejtje mund të bëhen edhe për pasqyrimin e Marrëveshjes së Rambujesë e të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, por edhe për prezentimin e misioneve ndërkombëtare të vendosura në Kosovë. Këto ngjarje prezentohen me gabime, shpejt e shpejt dhe mjaft sipërfaqësisht. Po ashtu, ta zëmë, trazirat e marsit 2004 pasqyrohen disi njëanshëm dhe s’përmendet kund p.sh. se kishat dhe manastiret ortodokse të shkatërruara në këto trazira, rregullohen më vonë nga taksat e qytetarëve të Kosovës. Te kjo periudhë, pjesa më e mirë e librit janë kritikat ndaj UÇK-së.

Shifrat për vrasjet e kryera nga forcat sërbe kundër shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, mund të saktësohen në ndonjë ribotim eventual, meqë ka disa vite që për këto vrasje kemi regjistrimet e kryera nga dy OJQ, një Beograd e një në Prishtinë. Nga ana tjetër, autori shënon vetëm krimet e kryera pas luftës nga pjesëtarë të UÇK-së kundër sërbëve, jo edhe ato gjatë luftës.

Autori thekson se “…shumica e shqiptarëve të cilët jetonin në veri të lumit Ibër, u detyruan të largoheshin nga ky rajon, përkatësisht nuk patën mundësi të ktheheshin më, pasiqë atje sërbët edhe më tutje e mbanin kontrollin politik”. Por, kishte me qenë më korrekte të saktësonte edhe se në pjesën veriore të Mitrovicës në natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000 vriten 11 dhe dëbohen 11.364 shqiptarë nga sërbë të armatosur, madje në praninë e forcave të KFOR-it. Po ashtu, kishte me qenë mirë të shtohej se këto vrasje dhe dëbime i shtyjnë rreth 100 mijë shqiptarë nga gjithë Kosova të marshojnë paqësisht drejt Mitrovicës në shenjë solidarizimi me qytetarët shqiptarë të Mitrovicës.

Për fund, “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” e Oliver Jens Schmitt-it, jo veç për shkak të mungesës së fusnotave dhe pasaktësive e lëshimeve, disa prej të cilave u parashtruan në këtë shkrim, por edhe për shkak të mosprezentimit të disa ngjarjeve të rëndësishme dhe prezentimit të njëanshëm e të shpejt e shpejt të disa ngjarjeve tjera, nuk e tejkalon assesi librin “Kosova – një histori e shkurtë” të Noel Malcolm-it. Megjithëkëtë, ma merr mendja se, përkundër këtyre mangësive që u përmendën – është e pamundshme të evidentohen të gjitha mangësitë në një shkrim si ky – do të ishte e dobishme të zhvillohet kritikë e matur ndaj këtij libri e me sugjerime për përmirësime eventuale, e jo denigrime ad hominem, siç patëm kohëve të fundit kundër autorit të librit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Libri i Schmitit, per Kosoven

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 846
  • 847
  • 848
  • 849
  • 850
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT