• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETER PUBLIKE E DEPUTETIT SHPETIM IDRIZI

December 23, 2012 by dgreca

Rezoluta nuk është betejë e dy individëve, e një partie, e një komuniteti, por betejë për dinjitet dhe barazi e mbarë kombit shqiptar/

 Letër e hapur e kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi drejtuar mediave shqiptare /

 Siç është bërë e ditur, unë së bashku me kolegun tim deputet, Dashamir Tahiri kemi depozituar në parlament, Rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame. Ky tekst i cili na ra ne fati historik t’ja përcillnim institucionit më përfaqësues të sovranit popull, nuk është tekst i një partie, i një koalicioni partish, i të gjithë partive. Ai është teksti i të gjithë popullit dhe kombit shqiptar ashtu siç dua t’jua shpjegoj më poshtë./

PSE REZOLUTA NUK ESHTE TEKSTI I DY VETEVE, I NJE PARTIE, POR I GJITHE KOMBIT

Së pari, ai është teksti i shoqatës Çamëria, i komunitetit çam, i cili prej afro 100 vjetësh jeton brenda Shqipërisë londineze, të copëtuar me Konferencën e Ambasadorëve në 1913. Në fillim prej trojeve të tyre etnike u spastrua e konsideruar si turke gjysma e popullsisë çame muslimane, dhe pastaj në Luftën e dytë botërore u dëbua egërsisht dhe gjysma tjetër. Gjatë këtyre viteve, çamët janë shkrirë me pjesën tjetër të popullit dhe kombit, duke u bërë një me të, duke ruajtur identitetin e vet kulturor, por ama këngët e vallet e tyre, janë bërë më të dashurat e të gjithë shqiptarëve. Në këtë kuptim, ky tekst, kjo Rezolutë që propozohet prej përfaqësuesve të komunitetit çam, për të zgjidhur plagën e tij, dramën e tij, brenda të drejtës ndërkombëtare dhe europiane, madje brenda ligjeve greke, i takon të gjithë kombit. A nuk e kemi ne traditën që t’ gjendemi pranë mikut, vëllait, fqinjit, në gëzim dhe në hidhërim, në vuajtje dhe në lumturi ? Pse pjesa tjetër e kombit duhet të rrijë indiferente përballë kësaj beteje ?

Së dyti, ky tekst për nga kompleksiteti i marrëdhënieve që ndërthur, implikon shtetin shqiptar, politikën shqiptare, kombin shqiptar në marrëdhënie me fqinjin jugor, Greqinë.  Gjatë historisë, popujt tanë përgjithësisht janë marrë vesh me njeri tjetrin, megjithëse shteti grek në  fund të shekullit të 19-të dhe një pjesë të madhe të shekullit të 20-të, ka bërë gjithçka për të zhdukur esencën tonë kombëtare. Gjatë këtyre viteve të fundit, pikërisht për shkak të sjelljes së shtetit grek në atë periudhë, Greqia na ka një borxh të madh, i cili gjendet në sirtar, siç pohonte një studiues grek, por « ne s’kemi ditur t’ja kërkojmë ». Për të mos na dhënë borxhin, Greqia gjatë këtyre viteve është sjellë sikur t’ja kemi borxh. Na ka kërkuar shumëçka dhe ka marrë thuajse gjithçka ka kërkuar. Duke i kujtuar Greqisë borxhin që na ka, shqiptarëve të Çamërisë, shqiptarëve të Greqisë në përgjithësi, kombit tonë, ne i rrisim dinjitetin shoqërisë, shtetit, kombit shqiptar.  Rezoluta kërkon marrëdhënie fqinjësie të mirë, në frymën e barazisë dhe respektit reciprok dhe nuk i shpall luftë askujt, madje i kërkon Greqisë të heqë ligjin e luftës. Kjo ngjan arsyeja e dytë, pse kjo Rezolutë nuk është e imja, e mikut tim, e komunitetit tim, por teksti i dinjitetit dhe i krenarisë sonë kombëtare përballë fqinjit.

Me këtë qasje, kjo Rezolutë nuk mund të shihet në mënyrë indiferente nga shoqëria dhe media shqiptare. Kjo është arsyeja pse me Rezolutën janë rreshtuar intelektualë dhe burra të shquar të këtij vendi dhe kombi, si Sami Repishti, apo Alfred Moisiu, shumë shoqata brenda dhe jashtë vendit.

Ju lutem shumë atyre që i ndjekin me vëmendje zhvillimet rreth Rezolutës, të mos na lartësojnë kaq shumë sa ta shohin Rezolutën si veprën tonë. Jo thjesht pse ajo është produkt i konsultimeve të gjata me shumë ekspertë dhe miq, vendas dhe të huaj. Ajo është dokumenti më programatik i kombit shqiptar përballë kombit grek vitet e fundit. Ne i themi fqinjit : boll u solle si i madh me ne, sepse në jetën e kombeve, ka ulje dhe ngritje, por borxhet duhen shlyer.

 

MEDIAT S’MUND TA TRAJTOJNE REZOLUTEN ME MINUTAZHET DHE HAPESIREN KUSHTUAR PARTIVE, ALEANCAVE POLITIKE, ETJ.

I ftoj në mënyrë të veçantë njerëzit e medias që përpunojnë opinionin publik dhe i prijnë atij :

Mos u merrni me elementë sipërfaqësorë, me detaje të kontekstit tonë të brendshëm politik, por merruni me tekstin e Rezolutës dhe shiheni në kontekstin e marrëdhënieve dypalëshe.

Mos e trajtoni Rezolutën në dritën e teknikave mediatike të hapësirës së faqeve, minutazhit sipas përqindjes së partive, apo matur me ndonjë metër tjetër. Rezoluta nuk është e dy individëve, e një partie, e një shoqate, e një komuniteti, por e mbarë kombit. E dimë që ajo nuk do jetë gjithmonë kryelajmi, por ajo meriton vëmendje të posaçme jashtë klisheve profesionale.

Na harroni ne propozuesit formalë që patëm fatin e saj, derisa ajo të miratohet !

Nëse doni, mos e përmendni fare emrin e partisë propozuese !

Por ju lutem flisni për Rezolutën. Ka boll për të folur !

Aty brenda ka histori, dhe e di se sot historia është aktualitet.

Aty brenda ka diplomaci, dhe e dimë se diplomacia është tërheqëse mediatikisht.

Aty brenda ka ligj, ka politikë, ka marrëdhënie ndërkombëtare, ka ekonomi, pra ka shumëçka, që kapërcen atë çka jemi ne propozuesit e saj.

Ndaj ju lutem për këtë temë, veçanërisht ju drejtuesve të mediave, ta lini mënjanë peshoren farmaceutike të hapësirave për partitë politike, dhe merruni me kauzën që përfaqëson Rezoluta. Ajo është dokumenti i dinjitetit tonë. Do i drejtohemi fqinjit me dinjitet, apo gjithmonë të nënshtruar siç kemi bërë përgjithësisht? Rezoluta na fton të jemi dinjitozë përballë fqinjit.

Ju lutem mos e shihni këtë dokument as dhe në optikën e aleancave politike, parazgjedhore apo të kurdohershme. Ne nuk e shohim ashtu, ndaj ju drejtuam deputetëve, në individualitetin e tyre, dhe jo partive politike. Kjo Rezolutë nuk është dokument presioni ndaj askujt, aq më tepër ndaj ndonjë partie politike. Kjo Rezolutë nëse është dokument presioni, është dokument i presionit të ndërgjegjes kombëtare, mbi interesat e ngushtë të një partie, të një koalicioni, të një konteksti politik. Ndërgjegja kombëtare është e fortë dhe do triumfojë. A nuk e pamë këtë në festimet e 100 vjetorit ?

Një tekst si ky, nuk mund të shikohet jashtë kohës. Por kur shikohet e lidhur me kohën, kjo kohë nuk mund të jetë koha politike apo partiake. Çdo moment që ne do ta sillnim Rezolutën do paragjykohej : zgjedhjet parlamentare, lokale, zgjedhjet e krerëve të institucioneve, etj. Ne zgjodhëm kohën më të mirë : kur ndërgjegja kombëtare ishte në apogjeun e vet.

 

FQINJI YNE DUHET TA KUPTOJE SE REZOLUTA ESHTE AKSIONI YNE KOMBETAR PER DINJITET PERBALLE TIJ. DHE DUHET TE MENDOJE : DO TA CENOJME TE SOTMEN DHE TE NESERMEN E MARREDHENIEVE TONA, PER NJE KRIM TE SE SHKUARES ?

Ky tekst, ky dokument politik, diplomatik dhe juridik, miratimi i tij është aksioni më i madh kombëtar jo thjesht i një partie, i një shoqate, por i gjithë kombit. Ne duam që përballë fqinjit të jemi të qartë në atë që duam dhe që ata na detyrohen. Ne po kërkojmë  diçka që të tjerët  na e kanë kërkuar dhe na e kanë marrë. Po kërkojmë monumente, nderim për të vdekurit, lëvizje vërtet të lirë, respektim të të drejtës së pronësisë, së shtetësisë, respekt ndaj komunitetit tonë në tekstet e tyre shkollore. A nuk na i kanë kërkuar grekët të njëjtat gjëra dhe na i kanë marrë ? Po kërkojmë pra, atë që na takon.

Siç e kemi thënë dhe publikisht në një rast tjetër, ky dokument është dokument i bashkimit dhe jo i ndarjes.  Nëse ne krijojmë rreth tij një front unik, konsensual, tërësor të kombit, atëherë ai do miratohet. Ai mund të miratohet me mazhoranca të lodhura gjithfarëshe, por nëse krijohet ky front, atëherë deputetët s’mund të rrijnë indiferentë përpara këtij presioni të frontit kombëtar. Do kemi kështu votim thuajse unanim të Rezolutës. Por ka dhe diçka tjetër jashtë nesh. Nëse ky front kombëtar, ku mediat janë shumë të rëndësishme, është shumë i zëshëm dhe fqinji do fillojë të mendojë. A ja vlen të cënojë të sotmen dhe të nesërmen e marrëdhënieve me këtë komb, për shkak të një plage të së shkuarës ?

Pse e them këtë ?

Para disa vjetësh shumica e majtë që qeveriste Greqinë, dhe që synonte të dominonte Shqipërinë nëpërmjet depërtimit ekonomik ;

Planit Ekonomik grek për Ballkanin ;

që qetësonte mediat nëpërmjet vizave dhuratë ; udhëtimeve studimore dhuratë, listave të vizave për tu botuar,

shpallte një objektiv : në asnjë mënyrë në Shqipëri nuk duhet të krijohet klimë antigreke. Besoj se ky duhet të jetë objektivi i çdo qeverie greke, pra dhe i së sotmes. Janë më të rëndësishme investimet për të sotmen dhe të ardhmen e marrëdhënieve tona, apo mbrojtja kokëfortë e një krimi të së shkuarës, që do të thoshte njëlloj bashkëfajësie ?

Sot kur në skenë ka dalë Rezoluta,

nëse kundër saj do vazhdojnë të zhurmojnë ata që s’duhet ta bëjnë- përfaqësuesit e minoritetit grek, që kurrë s’kanë parë asnjë të keqe prej shqiptarëve çamë, ose jo çamë ;

nëse Greqia bën presion me pretekst miratimin e Rezolutës ;

nëse Greqia e bllokon integrimin europian të Shqipërisë, me këtë pretekst ;

çfarë duhet të ndodhë në Shqipëri ? A do vazhdojmë të heshtim ?

Prandaj i bëj thirrje kujtdo, mediave veçanërisht që të bashkohemi rreth Rezolutës.

Kështu edhe fqinjët tanë do ta kuptojnë se Rezoluta nuk është e imja, e dy vetëve, e një partie, e një komuniteti, por e gjithë kombit. Sepse ajo është mbi ne, mbi gjithseicilin, sepse kombi është mbi gjithçka dhe mbi të gjithë. Dhe atëherë mund të reagojnë pozitivisht.

Filed Under: Opinion Tagged With: leter publike, mediave, Shpetim Idrizi

THELLIMI I TRAGJEDISË ÇAME NË VITET 1915-1917

December 23, 2012 by dgreca

Shkruan Eugen SHEHU/

  Viti 1915 do të hynte në Çamëri,së bashku me dhunën e pashembullt të qeverisë greke.Dy divizione të armatosura deri në dhëmbë,do t’u vërsuleshin fshatrave çame duke nëpërkëmbur çdo të drejtë elementare të tyre,ndërsa divizioni i tretë,i mbështetur prej çetave të andartëve grekë,vazhdonte inkursionet dhunuese dhe plaçkitës në Gjirokastër,Tepelenë,Korçë si dhe në trevat brenda kufijve politike të shtetit amë.Duke ndjekur me vëmendje situatat në Çamëri si edhe në trojet jugore të shtetit amë,sheh dukshëm rrezikun e shpërbërjes së krejt kombit shqiptar.Sikur të mos mjaftonte pazari i ndyrë i coptimit të Shqipërisë në Londër të vitit 1913,në Konferencën e  Ambasadorëve,Fuqitë e Mëdha patën nisur të tjera pazare.Kështu,po në Londër,në prillin e vitit 1915,me kërkesë të drejtpërdrejtë të qeverisë italine,Franca,Anglia,Rusia dhe Italia patën nënshkruar një marrveshje të fshehtë,e  cila definonte coptimin e plotë të Shqipërisë.Sipas kësaj marrveshjeje,Shqipëria ndahej në tri pjesë.Saranda,Delvina,Gjirokastra,Tepelena,Kolonja,Korça dhe Pogradeci i jepeshin Greqisë.Bregdeti shqiptar kalonte në duar të Italisë ose thënë ndryshe,i lihej Italisë në pazaret e mundshme të saj me Serbinë.Merret lehtë me mend,se në këto situata,kur Fuqitë e Mëdha po përgaditesh të fshinin fare nga harta e Evropës,kombin shiptar,problemi i çamërisë sa vinte dhe bëhej më i ndërlikueshëm.Të njohur me qëllimet e mbrapshta të Fuqive të Mëdha,atdhetarët shqiptarë,kundërshtuan me forcë këto traktate të fshehta.Ndonëse turbullirat në tokat shqiptare ishin të mëdha,ata mundën të parashihnin ngjarjet dhe iu drejtuan për këtë opinjonit të gjërë duke ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare.Mendoj se një vlerë e kësaj lufte në rrafsh diplomatik e politik,është fakti se atdhetarët shqiptarë,në krejt parashtresat e tyre në këto vite,e konceptuan Shqipërinë e jugut si pjesë të tërë,pa u pajtuar asnjëherë me faktin e coptimit të saj në mënyrë të padrejtë nga Konferenca e Ambasadorëve.E shoh të udhës t’i sjell lexuesit tim,përkitazi me këtë çështje,një letër të cilën patriotët shqiptarë i dërgonin z.Zimmerman,n/sekretar i shtetit në ministrinë e Punëve të Jashtme në Berlin.Duke  e bërë me dije,mbi zhvillimet e fundit të çështjes shqiptare,këta atdhetarë,theksonin në këtë letër se Shqipëria e jugut ka qenë kurdoherë qendra e nacionalizmit shqiptarNga kjo vatër,shpreheshin ata,kanë dalë luftëtarët e lirisë dhe pavarsisë kombëtare shqiptare dhe kjo ashtë arsyeja që,nëse kjo gjymtyrë e çmuar do t’i shkëputej trupit shqiptar,plaga do të jetë shumë e thellë dhe asnjëherë e shërueshme.Duke qenë se populli shqiptar nuk ishte i shumtë në numër,shkëputjet prej tij, e kësaj pjese jetike,do të përbënte një dobësim prej të cilit kombi do ta kishte të vështirë të merrte veten.Më tej,në mënyrë tejet të saktë,kjo parashtresë theksonte se shkëputja e pjesës jugore të vendit do të krijonte një irredentizëm me keqardhjen më të madhe,duke ngjallur mëri të përjetshme midis dy shteteve.Popullit grek dhe shqiptarë duke mos qenë sllavë,lipset të merren vesh me njëri tjetrin dhe jo të urehen e të grinden.Jashtë Shqipërisë kanë mbetur mbi 100 mijë shqiptarë me preardhje nga Jugu,të gjithë nacionalistë të zjarrtë,të cilët nuk do të rreshtin së thirruri kundër një cungimi,të cilën sigurisht e vlersonin të padrejtë.Këta shqiptarë,u dërgojnë çdo vit të afërmve të tyre (brenda kufijve politik) 5-7 miljon franga ndihmë.Ata kudo ku ndodhen kanë, veçanërisht në Amerikë,gazeta e shoqëri të fuqishme ku patriotizmi shqiptar ngrihet çdo ditë e më lartë.Po nga kjo Shqipëri e Jugut,vazhdon parashtresa,grekët kanë dëbuar me forcë 100 mijë shqiptarë myslimanë,prej të cilëve pjesa më e madhe kish vdekur nga mungesa e ushqimeve dhe sëmundjet,ndërsa pjesa tjetër endej andej-këndej duke mos patur asnjë shpresë për të ardhmen.Por sido që ta qeverisnin grekët Shqipërinë e Jugut,ata kurrë nuk do të arrijnë ta bajnë të pranishëm sundimin e tyre.Greqia do të jetë e detyruar të nxjerrë ligje përjashtuese dhe të marrë masa shtërnguese,të cilat do bëjnë në kundërshtim me përparimin dhe qytetërimin.Parashtresa në fjalë,mbyllej me përfundimin e saktë ; “Nën sundimin grek të 250-300 mijë shqiptarëve të jugut do të jenë të dënuar të jetojnë fatkeqe,të paditur,jashtë shoqërisë ; ata kurë nuk do të munden të fitojnë një kulturë greke,sepse kjo e fundit kërkon të paktën dymbëdhjetë vite studimesh të pandërprera.Ndërsa 3-4 vite pune në gjuhën e tyre kombëtare,e cila shkruhet ashtu siç flitet,do t’u lejonin shqiptarëvet të merrnin një arsimim të vazhdueshëm.Nga ana tjetër,myslimanët nuk do të dëshironin kurrë t’i dërgonin fëmijët e tyre në shkollat greke.Gjendja e të gjithë aneksuarve me forcë ose me bindje do të jetë gjithmonë e brishtë,pamvarsisht nga raportimet e kundërta të cilat nuk mbështeten mbi realitetin… Të gjitha insinuatat lidhur me gjoja paaftësinë e shqiptarëve për t’u qeverisur,nuk janë veç thënie të rrema shteti embrionar i krijuar në Konferencën e Londrës nga disa të plotfuqishëm,disa prej të cilëve ushqenin prapamendime të pasinqerta,përfundoi në një shkatërim,si rezulltat edhe i shpërthimit të luftës së përgjithshme.Ne jemi të sigurtë se Shqipëria e Re,ashtu siç duan të gjithë patriotët do të japë rezulltate  që do të kënaqin plotësisht mbrojtësit tanë dhe do tu tregojnë vendin të gjithë armiqve”.  

( Arkivi  Qendror  i  shtetit – Tiranë, fondi 848 , dosja 6 , fleta 28-30 ).

  Por ndërsa ankimet dhe protestat e shqiptarëve binin në vesh të shurdhët,qeveria greke,duke patur si pararojë të saj repartet e kriminelëve andartë,kishte filluar shkombëtarizimin e trevës së Çamërisë.Në vitet 1915-1916,në vargun e masave me karakter terrorist e dhunues,ishte i ashtuquajturi “çarmatim” i shqiptarëve,kinse këta i sillnin zullume shtetit grek të asaj kohe.Andartët famëkeq si S.Kremidha,Papa Qesari,V.Kollovoi,S.Camnadoi etj,në krye të dhjetra ushtarëve-kriminelë u përhapën në krejt Çamërinë duke synuar nën nismën e çarmatimit,të varfëronin më tej popullin dhe ta detyronin ate të linte trojet  stërgjyshërore.

Në Janinë e Paramithi në Filat e Voshtinë,derinë në Prevezë,u hap lajmi që çdo shtëpi do të dorëzonte dyfekun “ e fshehur” përnryshe ata do të paguanin kaq e aq napoleona flori dhe kush nuk paguante do t’i konfiskohej krej pasuria.Janë me qindra raste kur fshatarët e keputur të Çamërisë nuk patën as armë dhe sigurisht asnjë napoleon flori për të paguar.Këta mjeranë u muarrën të lidhur dhe duke i rrahur në sy të njerëzve të tjerë,publikisht,u dërguan në xhamitë  e fshatrave.Këtu sërisht nisën torturat ku sipas të dhënave burimore,jo rrallë pati shqiptarë të vdekur nga plagët e marra.Ndërsa ushtarët grek rrihnin kryefamiljarin në xhami apo në postën e xhandarmërisë,dikush prej andartëve shkonte në shtëpinë e varfër çame dhe merrte inventarin sipas shijes së vet.Kur llogaritë shkonin taman sa vlera e një pushke,atëherë ai urdhëronte pjestarët e familjes që t’i çonin krejt orenditë,gjënë e gjallë e deri tek veshjet tradicionale të grave,në postkomandë,me ç’rast do të lirohej pjestari i tyre i familjes.Andartët grek nuk mungonin të bëjnë edhe lojëra të tilla qesharake duke i detyruar banorët e Çamërisë të blinin ndonjë armë dhe ta dorëzonin gjoja e paskësh mbajtur diku fshehur.Praktikë kjo e përdorur edhe tek ne në Maqedoninë shqiptare dhe në Kosovë,nga forcat ushtarke e policore të pushtuesve serbo-sllav,gjatë gjithë atyre  decenieve pushtimi.Në rast kur vetë banorët,nuk ishin të aftë të gjenin armë për të blerë,në “ndihmë” të tyre vinte kryeandarti i cili vetëm me një pushkë të ushtarëve-kriminel të tij,mund të fitonte jo vetëm florinj,por edhe bahçe,ullinj,toka pjellore pa përmendur këtu edhe thesin e fundit të miellit e të misrit. “Kjo paudhësi  e përsëritur fshat më fshat për kushedi sa herë,bëri që pasuria e çamëve myslimanë,ca nga ca të kalonte në duart e pushtetarëve dhe të shqiptarëve të krishterë vendas apo grekë të ardhur,bashkëpuntorë të pushtetarëve në fjalë.Ndërsa çamëria myslimane më pasanike,u lanë në varfëri e mjerim të plotë” ( I.Hoxha “Viset Kombëtare Shqiptare në Shtetin Grek”Tiranë 2000 faqe 164 ).

Dhelpëritë greke në dëbimin e dhimbshëm të banorëve të Çamërisë,sa vinin dhe bëheshin më të stërholluara.Veneziello,lidhur me tokat që u mereshin çamëve në këto vite,nuk harroi të mashtrojë duke paracaktuar edhe një çmim,me të cilin qeveria greke do të paguante shqiptarët.Absurdi grek qëndron në faktin se për qindra apo mijërat e metarve katrorë tokë pjellore,të marra prej qeverisë  greke,asnjë çam,në asnjë vit,nuk u pagu askurrë qoftë edhe ndonjë napoleon flori të vetëm.Llafologjia e Veneziellos me këtë rast,vetëm sa kish krijuar një tymnajë për të mashtruar opinionin publik evropian dhe ate botëror,lidhur me tragjedinë e madhe të Çamërisë.Për më tej,në dhjetor të vitit 1917,qeveria greke nxori ligjin numër 924,datë 14-XI-1917,me anë të të cilit porositnin të gjithë banorët e Çamërisë (sidomos ata myslimane) se nuk kishin të drejtë të shisnin,blinin apo të kalonin pasurinë e vet tek njëri tjetri.Ky ligj do të thoshte që shteti grek përfundimisht të bëhej zot në pronë të shqiptarëve të çamërisë dhe njëherazi të punonte që këto pasuri dalëngadalë t’i kalonte në duart e veta.Madje,atdhetarët çamë të cilët guxuan të kundërshtojnë këtë ligj deri në Athinë,u përndoqën nga andartët grek deri në djegjen e shtëpive të tyre.Si rrjedhojë e kësaj politike agrare kaq të dhunshme,shteti grek,në vise shqiptare të Çamërisë, mundi të vjedhë e përvetsojë duke patur përpara ligjin dhe xhandarët,me dhjetra mijëra hektarë toke buke,nga tokat pjellore të Çamërisë.Por edhe dhjetra mijëra hektarë të tjerë,kullota ( nga kullotat e famshme të Çamërisë) brenda atyre viteve u shëndruan në mënyrë të paskrupullt në toka në dispozicion për qeverinë dhe shtetin grek.Ndaj shqiptarëve të Çamërisë,të cilët zotëronin pasuri por ishin edhe të vendosur për të mos u larguar prej trojeve të veta amtare,me asnjë lloj çmimi,qeveria greke vuri në përdorim ligjin mbi shtetësinë.Dihet tanimë se në kohën e sundimit osman,deri në nëndorin e vitit 1912,shiqptarët quheshin shtetas osman,përkundër grekërve të cilët e patën fituar pavarsinë në vitin 1821,duke patur përkrahjen  e sinqertë të shqiptarëve.Në këtë kontest,qeveria greke ndërmori nismën për të ndryshuar fenë myslimane të shqiptarëve të Çamërisë.Ata banorë që pranonin ndërrimin e fesë ( sigurisht për hirë të egzistencës së tyre) merrnin shtetësinë greke dhe emra të krishterë.Të tjerët,të cilët nuk pranonin këtë ofertë,ngase kishin të shënuar në dokumentet e tyre nënshtetësinë osmane,u detyruan nga qeveria greke që “brenda tri muajve të largohen menjëherë prej tokave të tyre në Çamëri,në drejtim të Turqisë”(Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi 251 , dosja 14 , fleta 46 ).

  Në pamundësi të jetonin në këto kushte,por duke dashur të ruajnë si të shnjtë fenë e tyre,ishin me mijëra familjet shqiptare të çamërisë,të cilat iu drejtuan tokës së shtetit amë,së paku për të mbijetuar me djersën  e ballit.Mendoj se për askend nga këta shqiptarë nuk ka qenë e lehtë të linte vatrat stërgjyshërore,pasurinë,kujtimet e disa gjeneratave,por dhuna e andartëve grekë nuk kishte të sosur.Në mënyrë të llogaritur mirë,e ftohje cinike,kjo dhunë godiste pafundësisht genin trimëror të shiqptarëve të Çamërisë duke synuar mosegzistimin e tyre si rracë dhe komb.Tokat e kullotat e çamërisë mesa duket nuk u mjaftonin qeveritarëve grekë,të cilët stretegjinë e tyre për zhdukjen e banorëve të çamërisë,kishin paraparë edhe rrëmbimin apo vjedhjen e mijëra bagëtive. Janina, Voshtina,Konica,Follorina dhe Gumenica,ishin trevat që nëpër vite kishin trashëguar tufa  të begata të bagëtive,fallë kullotave të famshme që zotëronin.Ndër këto treva,qeveritarët grekë udhëzuan bukuritë e andartëve-ujqër,që të derdhen duke kos kursyer asnjë kokë bagëtie apo njeriu.Ligji famëkeq i konfiskimit të bagëtive,i cili askurrë nuk u shpall,në asnjë komunikatë zyrtare të qeverisë së Athinës,por që çuditërisht funksionoi në mënyrë “perfekte” në viset shqiptare të Çamërisë, në vitet 1915-1917, u rrëmbyen pa asnjë shpërblim çamërve,mijëra kokë bagëti.Edhe në këtë rast,pushtetarët vendorë grek,nuk haruan të mashtrojnë se çdo kokë bagëtie,do të paguhej prej shtetit helen në të ardhmen.Por sërish askush prej banorëve të këtyre trevave,nuk mori asnjë dhrami greke,për mijëra bagëti të rrëmbyera me forcë.Se sa e madhe ka qenë kjo vjedhje,mjafton të sjellim këtu një fakt të përmendur  prej shtypit shqiptar,i cili rrëfen se vetëm në rrethinat e Gumenicës “me anë të veprimet të padrejta zyrtare u rrëmbyen mbi 60 mijë krerë bagëti”(Gazeta “Kosova” nr.3 – Tiranë maj 1941).Mendo se çfar ndodhi pas kësaj katrahure greke me familjet shiqptare çame,të varura nga blektoria.

Një tjetër farsë e ndyrë që u luajt në kuriz të banorëve të Çamërisë është padyshim loja me proceset gjyqësore.Sipas ligjeve “demokratike” të shtetit grek të atyre viteve,nëse dikush të grabiste tokë, sende shtëpiake apo bagëti,kishte të drejtë t’u drejtoheshe organeve kompetente në gjykata.E vërteta është se ishin me mijëra shqiptarë të Çamërisë,të cilët iu drejtuan gjykatyve vendore dhe deri atyre të larta në Athinë po askush prej tyre nuk morri askurrë,të drejtën që e meritonte.Gjykatat greke për banorët e Çamërisë,u shëndruan në ,institucione të hajnive,që edhe ata pak para të mbledhura me aq mundim  të shqiptarëv etë çamërisë,të shkonin në xhepat e gjykatësve grekë.Është ndoshta për të qeshur por gjyqet e çamërve në tokat shqiptare nën Greqi,kanë shkuar deri në 20 vjet duke u kthyer kësisoj në farsë të ndyrë për të dhunuar pos të tjerave edhe vet dinjitetin e banorëve të Çamërisë.

Ndonëse në shtetin amë,në vitet 1915-1917,mbizotëronte kaosi politik,ekonomik  e social,atdhetarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve politik të vitit 1913,nuk u pajtuan me fatin e mbrapshtë të bashkëatdhetarëve të tyre,të mbetur padrejtësisht nën sundimin serb,malazez,bullgarë apo grekë.Një varg bisedash,memorandumesh,parashtresash etj,kanë shoqëruar përpjekjet e këtyre atdhetarëve,me ç’rast është kërkuar respektimi i lirisë së shqiptarëve së pari,e mandej rishikimi i padrejtësive të Konferencës së Ambasadorëve në Londrën  e vitit 1913.

Një prej këtyre parashtresave,që mban datën 27 shkurt 1916,i takon Komitetit Shqiptar të Lozanës,i cili i është drejtuar presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,Uillsonit.Duke protestuar ndaj deklaratës së kryeministrit britanik,z.Asquith,në 22 shkurt 1916 në dhomën e Komunave,në Londër,atdhetarët shqiptarë bëjnë me dije presidentin amerikan për krimet që u janë bërë shqiptarëve përtej kufijve të tyre politik ; “Ne dridhemi nga terri,thoshin ata në parashtresën në fjalë,kur mendojmë se vëllezërit tanë mund të bien dhe të ribien nën zgjedhen e tiranëve që nuk kanë asnjë mëshirë dhe që janë betuar se do ta zhdukin racën shqiptare”.Më poshtë,atdhetarët shqiptarë në Lozanë të Zvicrës,i drejtoheshin presidentit Uillson në fjalët ;”Qeveria greke, e cila sipas deklaratave të vetë asaj,ka pushtuar përkohësisht Shqipërinë e Jugut,duket së kërkon të vendoste atje përgjithmonë dhe t’ia bashkojë territoret tona Mbretërisë së Greqisë… Ju e dini z.President që Shqipëria e Jugut,e cila asnjëherë në histori nuk i ka takuar Greqisë,është banuar tërësisht dhe vetëm nga shqiptarët nacionalistë.Nga ana tjetër Komisioni Ndërkombëtar për caktimin  e, kufirit shiqptaro-grek e ka parnuar këtë fakt në mënyrë të prerë dhe  e ka shënuar në procesverbalet që u ratifikuan prej të gjitha fuqive evropiane të përfaqsuara nga delegatët e tyre në Konferencën e Londrës.Z.President ! Ora e larjes përfundimtare të llogarive midis ndërluftuesve,që ne e lusim me gjithë zemër,nuk do të vonojë”.( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë,Fondi 848, dosja 7, fleta 2-3 ).

Në fund të kësaj parashtrese të firmosur prej atdhetarëve shqiptarë në Lozanë,përcaktoehj me saktësi se Shqipëria dhe shiqptarët nuk kanë asnjë pretendim apo mabicie.Këta kërkojnë lirinë dhe pavarsinë e tyre dhe nga Veriu në Lindje dhe në Jug,të kenë kufijtë historike dhe kombëtare.Duke iu dhënë kjo mundësi,shqiptarët do të ishin ndershmërisht të organizuar për të hyrë me vendosmëri në rrugën  eprogresit të tyre kombëtar,duke u zhvilluar paralel me fqinjët  etyre në paqë,kështu që do të kishte marrë fubd martirizimi i kombit të tyre.Është e njohur tanimë qëndrimi tejet parimor i Uillsonit,i cili u rrëfye një mik i sinqertë i shqiptarëve.Por fakti është se ai mundi të ndalojë coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë,pa qenë në kondita të favorshme të ndalë dhunën serbe apo greke në territoret shqiptare jashtë kufijve historike dhe natyrale të Shqipërisë.Kjo spjegohet me faktin që Fuqitë e M¨dha evropiane,mund të merrnin në konsideratë pikpamjet amerikane,deri aty ku interesat e tyre nuk cenoheshin,më tej,vijojnë dhelpëritë diplomatike për të përligjur coptmin e trojeve amtare.Një tjetër politikë diskriminuese ndaj banorëve myslimanë të viseve shqiptarë të Çamërisë,ishte ligji i taksave.Mizoria greke arrinte deri aty sa të vendoste të tjera taksa për shqiptarët e krishterë dhe të tjera për shqiptarët myslimanë.Kjo politikë u vinte për shtat helenëve të Athinës,sipas të cilave,po të mos ishe ortodoks,patjetër do të ishte armiku i tyre.Në këtë pikpamje,edhe protestat e shumta të shqiptarëve mysliman,për t’u taksuar një lloj me ata të krishterë,si kurdoherë ranë në vesh të shurdhër.Mandej ky disjutim fetar u shtri edhe në drejtim të pronave të vakëfeve apo teqeve në Çamëri.Mjaft prej këtyre pronave,u rrëmbyen për arsye “shtetërore” nuk u kthyen shqiptarëve asnjë metelik prej mijëra metrave katrorë që besimtarët e patën blerë me djersën dhe gjakun e tyre dhe ja patën dhuruar pikërisht xhamisë apo teqesë që ato të rriteshin,lulëzonin dhe të shumoheshin.Kjo pasuri e vakëfeve,shërbente gjithashtu për të mbajtur edhe punonjës të ndryshëm,të cilët i shndrruan objektet e kultit në vende vërtet ku shpirtërat e lodhur të banorëve të Çamërisë,preheshin dhe rrinin besim e forcë.Helenët,nuk u mjaftuan vetëm me rrëmbimin e pasurive të objekteve fetare.Ata e dinin prej kohësh se këta objekte ishin shëndruar në vatra të fuqishme të shqiptarizmit.Në teqetë,përpara vitit 1913,ishte mësuar të shkruhej gjuha shqipe me grema latine dhe baballarët apo dervishlerët,patën çuar aty abetaret nga Sofja e Stambolli.Edhe në vitet 1915-1917,po ashtu fshehurazi mësohej gjuha,nga frika e masakrave të andartëve grek,të cilët nuk vonuan t’u vënë zjerrin të gjithëve,duke dëshmuar kësisoj intolerancën fetare dhe instiktin e verbër të dhunës së besimit.

 Bern-Zvicër

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Eugjen Shehu, i tragjedise Came, thellimi

ÇFARË PËRFAQËSON PLANI MË I RI SERB PËR KOSOVËN?

December 23, 2012 by dgreca

Shkruan Dr. Enver Bytyçi /

Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore, Tiranë./

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, parlamenti serb dhe kryeministri i këtij vendi, Ivica Daçiç, kanë publikuar prej ditësh një “plan të ri” për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Ky dokument erdhi në piskamë pasi të dy kryeministrat loajalë, Thaçi dhe Daçiç, nënshkruan në Bruksel marrëveshjen që rregullon administrimin kufitar midis të dy vendeve në konflikt. Ndërkohë plani serb është konsideruar si “një model” për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Me qëllim që të mos përceptohet si një herezi, ky platforma më e re e Serbisë është krahasuar herë me zgjidhjen në Katalonjë të Spanjës e herë me statusin e serbëve në Bosnjë-Hercegovinë. Eshtë sponsorizuar një elaborim i gjerë dhe i thellë i idesë së modeleve, vetëm e vetëm që në Bruksel askush të mos trembet nga kërkesa e Serbisë për të krijuar një entitet shtetëror brenda shtetit të Kosovës.

Gazeta Blic e Beogradit njoftonte se Brukseli dhe ë….ashingtoni e kanë kritikuar këtë projekt, por asnjëri prej këtyre kryeqyteteve nuk e ka shpallur publikisht qëndrimin e tij kritik. Thjesht kanë sjellë në vëmendje se “Nikoliç dhe Daçiç e përdorin planin aktual për konsum të brendshëm” dhe madje disa thonë se edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi “po e përdor retorikën e tij kundërshtuese për përdorim të brendshëm”. Që të dy palët kanë si objektiv manipulimin politik të opinionit. Kjo dukuri ka qenë, është dhe do të jetë e dukshme në gjithë spektrin politik ballkanik. Kështu ndodh në Shqipëri, në Maqedoni, në Greqi, Mal të Zi, Bosnjë e nuk ka pse të mos ndodhë edhe në Kosovë e në Serbi.

 

Modelet e dështuara si “argument” i planit të ri serb.

 

Por në të gjithë këtë ballafaqim politik për t´i dhënë zgjidhje përfundimtare konfliktit në Kosovë e për Kosovën dalin disa hamendje, ose siç quhen në fjalorin filozofik, abstraksione. Më së pari ka nevojë të shpjegohet çfarë përfaqëson platforma serbe e krahasuar me rastin i Katalonjës dhe atë të Republikës Srpska të Bosnjë-Hercegovinës?

Sipas modelit katalonjas do të duhej që serbët e Kosovës në veri të saj e në komunat ku ata përbëjnë shumicën të merrnin të gjitha të drejtat e administrimit në fushën e arsimit, shëndetësisë, drejtësisë, policisë, të ekonomisë, energjisë, telekomunikacionit, si dhe në atë të medies. Shkurt, gjithë procesi i administrimit në këto komuna do të zhvillohej jashtë programeve politike e ligjore të qeverisjes qendrore të Prishtinës, çka nënkupton nën mbikëqyrjen dhe autoritetin de facto të Beogradit. Ndërkohë duhet vënë në dukje fakti se Katalonja ka planifikuar një referendum për pavarësinë e saj për vitin 2014, proces i cili nënkuptohet edhe në rastin e sërbëve të Kosovës, së paku të pjesës veriore të saj.

Ndërsa sa i përket modelit të Republikës Srpska të Bosnjës dhe krahasimeve me këtë model, platforma e Beogradit për Kosovën parashikon krijimin e dy dhomave të pushtetit legjislativ. Sipas projektit dhoma e komunave serbe do të bllokojë ligjet dhe formimin e institucioneve të Kosovës përmes parlamentit. Pra parlamenti do të funksionojë, nëse atë e jejojnë disa komuna me shumicë serbe, edhe pse këto komuna përbëhen prej një ose dy fshatrave. Tashmë eksperienca e Bosnjë-Hercegovinës është e njohur dhe Bosnja është shndërruar përfundimisht në peng i udhëheqësit serb të Bosnjës, Dodik, shkurt Sarajeva është de facto peng në duart e Beogradit. Në rastin e Kosovës edhe Prishtina parashikohet të vihet nën pretektoratin e Beogradit.

Më shumë sesa për Bosnjë-Hercegovinën Nikoliç dhe Daçiç kanë parashikuar që Kosova të jetë e demilitarizuar, të mos ketë ushtrinë e saj, ndërkohë që çeshtjet e sigurisë t´i administrojë një forcë mbrojtëse e Bashkimit Europian. Ky është thelbi i planit të Serbisë për Kosovën, përveç kërkesës së pranuar nga Prishtina për një status special të objekteve fetare e historike serbë në territorin e Kosovës.

Ndonëse plani më i ri është kundërshtuar në Prishtinë, vetë serbët në veri të Mitrovicës e shohin me skepticizëm. Blerim Shala, një nga politikanët dhe analistët më të formuar të Kosovës, i thoshte gazetës Koha Ditore se, nëse Daçiç do të këmbngulë në autonominë e veriut të Kosovës, atëherë delegacioni shqiptar do të tërhiqet nga bisedimet. Shala është njëkohësisht koordinator i “përhershëm” i këtyre bisedimeve. Dikur (1995) e kishte ngarkuar me këtë detyrë presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, së fundmi e ka emëruar si koordinator kryeministri aktual, Hashim Thaçi. Thaçi, nga ana e tij, e ka quajtur ëndërr të pareailzuar planin e fundit serb për Kosovën. Ndërsa për deputetin kosovar të parlamentit të Serbisë dhe liderin e serbëve të Kosovës, Marko Jakshiq, platforma e Serbisë për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në Kosovë është e vonuar, pasi ajo është shpallur pas nënshkrimit të marrëveshjes për kufijtë. Ndërkaq Jakshiq e kritikon përmbajtjen e saj, pasi, siç thotë ai, kjo platformë nuk i përmbahet bindshëm rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

 

Çfarë përfaqëson platforma e Beogradit?

 

Nga kjo paraqitje lind detyrimi të shpjegohet se çfarë pëfaqëson platforma e Serbisë për Kosovën? Historikisht Serbia, përfaqësuesit e saj shtetërorë, politikë, akademikët, autoritetet kryesore të Kishës, madje dhe shtabet ushtarake e policore të saj, kanë hartuar memorandume, platforma, projekte dhe plane të pafundme për Kosovën. Të gjitha, pa përjashtim, përfshirë dhe dokumentin e fundit të Daçiçit dhe Nikoliçit, kanë pasur dhe kanë synim shtrirjen e sundimit të Serbisë në Kosovë dhe në territore të tjera të banuara nga shqiptarët. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë viktimat e terrorit të projektuar në plane e projekte të panumërta e të njëpasnjëshme prej vitit 1844 e deri në vitin 1999. I pari plan për asgjësimin e shqiptarëve daton aty nga mesi i shekullit XIX, me Naçertanien e kryeministrit dhe ministrit të Serbisë, Ilia Garashanin. Pas tij janë formuluar dhe zbatuar disa projekte të tjera nga Cvijiç, Gjorgjeviç, Pashiç… Por kulmin e ka shënuar memorandumi i akademikut Vasa Çubrilloviç i 7 marsit 1937, me të cilin shqiptarët përfundimisht u klasifikuan si “mish i huaj në trupin e Serbisë”. Jo më pak racist ishte gjithashtu memorandumi i kryterait të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Dobrica Qosiç, i viti 1986.

Ndërsa plani i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë i janarit 1999 projektoi vrasjen dhe asgjësimin fizik të të gjithë shqiptarëve, duke e konsideruar si një aksion të papërfunduar më parë nga paardhësit e Milosheviçit. Ky i fundit u bë publik para disa muajsh, përmes një deklarimi të ish-ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, e cila pranonte se kopjen e këtij dokumenti të zbuluar nga shërbimi i fshehtë e vendit të saj, ia kishte dorëzuar aso kohe ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Joschka Fischer. Se çfarë kishin në platformë këto projekte shqiptarët tashmë i kanë përjetuar në kurriz. Nëse ne harrojnë kaq shpejt mizoritë serbe në shpinën tonë, nëse harrojmë dhjetra mijë viktimat e qindramijë të shpërngulurit në bazë të këtyre platformave, atëherë ne duhet të pranojmë se kemi probleme me kujtesën historike, me vetëdijen e subkoshiencën tonë, duhet të pranojmë se meritojmë të ndëshkohemi nga çdo lloj pushtuesi, jo vetëm nga pushtues barbarë të tipit çfarë janë dëshmuar serbët në Kosovë.

Sepse në gjykimin tim plani i ri i Serbisë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim nga të gjitha planet dhe platformat e mëparshme. Dikush mund të thotë se kjo nuk është e vërtetë, pasi gjuha dhe modelet duken si atraktive dhe jo asgjësuese për Kosovën. Mund të arësyetohet se kohët kanë ndryshuar dhe se bashkësia ndërkombëtare është garante e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Përvoja negative e Bosnjës është e mjaftueshme për të njohur faktin se bashkësia ndërkombëtare i përmbahet parimit të legalitetit dhe nëse palët bien dakort, çdo krizë, çdo ngërç, të gjitha pengesat për Kosovën bëhen dhe vlerësohen si legjitime.

Por nëse dikush niset nga forma e shfaqjes, atëherë do të duhet të pranojë se jo pak platforma të tjera antishqiptare të formuluara në Beograd nuk ishin marrë seriozisht në Perendim, pasi ata i kishin lexuar me nota melankolie planet serbe për asgjësimin fizik të shqiptarëve, Do të përmend vetëm një shembull. Askush nuk e mori shumë seriozisht memorandumin e vitit 1986 të Akademisë së Shkencave të Serbisë (Jugosllavisë). Por ai dokument nxiti dhe solli urrejtjen dhe konfliktin më të egër midis popujve, parasëgjithash midis shqiptarëve dhe serbëve. Kombi serb vuan edhe sot indoktrinimin që solli ai memorandum, sipas të cilit “shqiptarët përbëjnë kërcënim për Serbinë”. Dhe mbi të gjitha, nëse analizojmë përmbajtjen e referendumeve asgjësuese për shqiptarët të hartuara në Beograd, dokumenti i fundit nuk bën përjashtim në këto synime. Madje fryma e tij është po aq antishqiptare, raciste dhe motivuese, sa plani i Çubrilloviçit. Platforma e re serbe nuk niset nga parimi i mbrojtjes së të drejtave të serbëve në Kosovë, sepse ato të drejta janë projektuar në planin Ahtisaari dhe janë reflektuar gjatë këtyre gati pesë viteve në pavarësi. Asnjë pakicë tjetër në botë nuk i ka të zhvilluara të drejtat e tij siç i kanë serbët në Kosovë.

 

Pasojat e politikës “së re” serbe në Kosovë

 

Platforma e re serbe, njësoj si ato të mëparshmet niset nga parimi i armiqësisë dhe qëndrimit racist kundër shqiptarëve. Në të gjitha programet serbe kundër Kosovës ka qenë projektuar prezenca e Serbisë në këtë vend. Të njëjtën gjë bën edhe platforma e shpallur së fundmi. Të gjitha projektet kishin në objektiv fillimisht asgjësimin e lirive politike, kombëtare e sociale të shqiptarëve dhe të njëjtin objektiv ka projekti i fundit i Beogradit. Me këtë projekt shqiptarët, të cilët përbëjnë 90 përqind të popullsisë, vihen në mëshirën e një komuniteti që përbën vetëm 6 përqind të kësaj popullsie. Sipas të gjitha projekteve të dikurshme, më parë se t´u merrej shpirti, shqiptarëve u grabitej liria politike, fetare, kulturore, gjuhësore dhe ekonomike. Kështu ndodh dhe me projektin e fundit të Nikoliçit dhe të Daçiçit. Ajo ngjason plotësisht me ligjet e Milosheviçit pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989, ligje me të cilat jeta e shqiptarëve në Kosovë u kushtëzua nga dhuna e pakicës serbe në këtë vend e mbështetur prej Beogradit. Pra çeshtja se çfarë përfaqëson platforma e fundit serbe nuk ka dritëhije, është krejt e qartë, e lexueshme dhe pasojat e saj janë gjithashtu tragjike.

Nëse analizojmë pasojat, atëherë do të duhet të kuptojmë se me këtë plan Kosova bëhet de jure vasale e Serbisë. Vasalizimi vjen nga të gjitha pikat e planit, nga autonomia substanciale, nga vetoja e serbëve, nga mosfunksionimi i shtetit si një tërësi territoriale, nga bllokimi i ligjeve të zhvillimit e të integrimit dhe nga shumë aspekte të tjera. Beogradi merr përgjegjësitë dhe kompetencat e plota për ta administruar dhe kontrolluar jo vetëm komunitetin serb, por gjithë jetën politike, ekonomike e sociale në Kosovë, deri te telekomunikacioni. Ai dokument i zhvleftëson të gjitha marrëveshjet e derisotme, të cilat janë nënshkruar nën mbikëqyrjen e Brukselit dhe ndërkohë ende nuk janë implementuar. Përmes serbëve Serbia do të jetë e pranishme njësoj si në kohën e Milosheviçit në të gjithë territorin e Kosovës, do të kontrollojë të gjitha institucionet e saj. Dhe nëse nuk i kontrollon, do t´i bllokojë ato deri në asgjësimin përfundimtar të pavarësisë e të lirisë së shqiptarëve. Pasi të asgjësojë pavarësinë dhe lirinë e shqiptarëve, ajo do të përdor politikat që përdor sot në Luginën e Preshevës për t´i degdisur në Perendim e për ta boshatisur vendin prej tyre. Madje, nëse i vjen rasti, do të përdor ushtrinë dhe gjithë potencialin luftarak për t´i masakruar, asgjësuar dhe dëbuar shqiptarët. Dhe shpesh herë thuhet se rasti është mbreti i botës. Kush mendon se bota në një të ardhme të largët nuk ndryshon, ai gabon. Ndërkohë ndryshimet nuk vijnë gjithmonë në favorin e shqiptarëve. U dasht që të presim një shekull për të ardhur te koha jonë. Por kohën tonë do të duhet ta mirëpërdorim.

 

Përulja dhe përgjumja e Prishtinës

 

Nga kjo arësyetoj se në të gjitha rastet kur Serbia dhe Beogradi kanë hartuar plane e programe për asgjësimin e shqiptarëve, ne shqiptarët kemi pritur në derën e thertores “si cjapi te kasapi”. Nuk kemi mundur të bëjmë as rolin e viktimës, me qëllim që dikush në Europë me shpirt njerëzor së paku të na mëshironte. Kjo ka ndodhur se kemi bërë “cubin” pa qenë thuajse asnjëherë të tillë. Më ngjan se historia po na përsëritet edhe në këto kohë të vështira, kur Serbia kërkon me çdo kusht rikthimin e saj në Kosovë. Kur presidenti kroat ironizoi para disa ditësh përuljen e udhëheqësve politikë të Prishtinës ndaj faktorit ndërkombëtar, ai nuk e bëri këtë se i urren shqiptarët. Përkundrazi, Josipeviç paralajmëroi se përulja do ta rikthejë de fakto Kosovën nën sovranitetin e Serbisë.

Mësimet që na jep Bosnja janë shumë të qarta. Ky vend është bllokuar dhe nuk mund të marrë asnjë vendim pa miratimin e Republikës Srpska. Në Marrëveshjen e Dayton-it parashikohet përdorimi i vetos dhe tashmë serbët bëjnë lojën e tillë, që ta lodhin komunitetin ndërkombëtar deri në atë masë sa të pranojë vullnetin e serbëve të Bosnjës për t´u shkëputur nga Bosnjë-Hercegovina dhe për t´u bashkuar me Serbinë. E njëjta gjë po ndodh me Kosovën. Beogradi e ka lodhur komunitetin ndërkombëtar me krizën e stërzgjatur. Asgjë më shumë të mos kenë bërë, udhëheqësit politikë dhe diplomatët serbë ia kanë arritur ta imponojnë te shumë protagonistë të diplomacisë dhe politikës perendimore idenë se “Mjaft më me Kosovën, tashmë duhet imponuar një zgjidhje, qoftë kjo edhe një zgjidhje e keqe për shqiptarët”.

Ndërkaq në Prishtinë, që prej kohës kur ndërroi jetë Ibrahim Rugova, askush nuk qe në gjendje të shfrytëzojë epërsinë morale të shqiptarëve në dobi të aspiratës dhe kërkesës për pavarësi të plotë e të pakontestueshme të Kosovës. Gjithçka mund të themi, por kontestimi për një kohë kaq të gjatë i pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës nga ana e Serbisë ka ndodhur kryesisht për fajin e udhëheqësve politikë të Prishtinës. Unë i kam kontestuar publikisht të gjitha veprimet e dhunëshme të Lëvizjes Vetëvendosja. Por kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë të drejtë kur thonë se “Udhëheqësit e korruptuar nuk mund t´i realizojnë aspiratat e shqiptarëve për liri e pavarësi”. Nëse një vend si Kosova udhëhiqet nga hajdutët dhe të korruptuarit, atëherë ai vend ve në pikëpyetje ekzistencën e shtetit, gjë që nuk ndodh me vendet njëmendësisht të pavarura. Korrupsioni dhe implikimi i politikës në trafiqe i ka shtuar asetet serbe kundër Kosovës, por edhe e ka lehtësuar palën serbe në dialog me Prishtinën. Ky është fakt dhe kjo duhet të marrë fund. Sa më shpejt, aq më mirë.

 

Llogaritë dhe hilet e politikanëve të Beogradit

 

Në Beograd mund të llogarisin se jo të gjitha pikat e planit asgjësues të lirisë së shqiptarëve mund të pranohen. Por Nikoliç dhe Daçiç do të ishin të kënaqur, nëse realizojnë qoftë dhe një pjesë të pikave të planit të tyre antishqiptar. Mjafton të ngulin “gozhdën e Nastradinit” në trupin e Kosovës. Ata mund ta dijnë p.sh se nuk mund ta ndalojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës, por çfarë roli do të kishte ushtria në një vend ku politikisht sundon Serbia?!

Nëse vemë re qëndrimet e Daçiçit, shohim pelegrinazhin politik të tij. Aty ka cinizëm, hile, hipokrizi, mashtrim të klasit të parë. Sapo u evidentua çeshtja e zhdoganimit dhe doganimit në kufi, ai paralajmëroi se do të tërhiqej nga bisedimet, nëse nuk gjendej një zgjidhje. Dhe zgjidhja u gjet. Kamionët me mallra mund të hyjnë në veri të Kosovës, por nje thes miell nuk lejohet të kalojë pa doganë nga Vërmica në drejtim të Kukësit dhe anasjelltas. Kjo do të thotë se qeveria e Kosovës qeveris me dy palë ligje, me dy modele, me dy masa. Që këtu fillon shkatërrimi i shtetit dhe i shtetbërjes. Dhe nuk janë domethënëse 100 milionë euro dëme që shkakton moszhdoganimi në Jarinjë, sa është domethënëse vënia në pikëpyetje e ekzistencës së shtetit të pavarur e sovran të Kosovës. Duke lëshuar këtu, duke lëshuar aty, qeveria e Kosovës po e lëshon përditë e më shumë sovranitetin e saj në duart e Nikoliçit dhe Daçiçit. Atë që këta dy udhëheqës të Serbisë nuk mundën ta fitojnë me luftë, megjithëse masakruan dhjetra mijë shqiptarë, duket se kanë ndërmend ta arrijnë “me paqe”.

Para dy ditësh Daçiç bëri dhe një lojë tjetër. Ai gjoja iu hakërrye disa kritikëve në partinë e tij milosheviçiane për vërejtjet që ata i bënë udhëheqësit të tyre rreth politikës për Kosovën. Për të qetësonte partnerët ndërkombëtarë të mërzitur me planin e ri për Kosovën, Daçiç u tha atyre “Mjaft më “Kosova është Serbi”, të shpëtohet çka mund të shpëtohet”. Brenda një fjalie ai tribloloi në kuptimësinë e saj. Në një anë qetësoi perendimin, nga ana tjetër dha mesazhin se plani i ri serb është në tavolinë.

Nga e gjithë kjo analizë më duhet të vij në përfundimin se planet serbe hartohen në Beograd e zbatohen në Kosovë. Dikur ato i zbatonin serbët pa pyetur shqiptarët. Ndaj dhe shqiptarët mundën të bindin botën se janë viktimat e terrorit serb. Ndërsa në kohët e sotme, nëse bëhet qoftë dhe lëshimi më i vogël, plani më i ri serb do të mund të zbatohet në Kosovë vetëm me lejen e shqiptarëve. Kjo e ndërlikon shumë situatën ndër ne, sepse bota “nuk do të na lejojë as të qahemi”. Do na thonë “Ju jeni problemi”, “Ju jeni e keqja”, “Me ju nuk bëhet” dhe më në fund do të humbasim çdo mundësi që miqtë tanë ndërkombëtarë të na mbështesin në udhën e lirisë, të zhvillimit e të integrimit. Mundet që dikush të bëjë thirrje “për luftë” kundër Serbisë!!! Po çfarë vlere do të ketë kjo?! A mund ta risjellë lufta paqen?! Më duhet të them se kemi një histori humbjesh në luftra dhe ndërkohë shoh se kam ndjesinë e dhimbshme se do të humbasim jo pak edhe në paqe, pa dashur të luaj rolin e pesimistit të pandreqshëm.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Enver Bytyci, per Kosoven, plani serb

500 VJET NËN TURQI E 50 VJET KOMUNIZEM…

December 22, 2012 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Viti 2012 po mbyllet! Sejcili në mënyren e vet e festoi festen e 100 vjetorit të Pavarsisë! Çdo Shqiptar atë ditë me 28 Nandor, e ngriti goten dhe uroj “per shumë mot festen e Flamurit”! Atë ditë mu kujtue një ngjarje e ngjame në Shkoder rreth 80 vjet perpara në një darsem, ku ishin thirrë rreth 120 vetë në një nga shtëpijat e njohuna e në za të atij qyteti. Çifti i rij i jepte një knaqësi me pashinë e tyne të gjithë darsmorëve. Kohë e bukur me diell nën hijen e pemëve, me rreshtat e tavolinave të shtrueme me sofrabeza të bukur të punueme nga duertë e arta të grave të njohuna të Shkodres per këte mjeshtri. Sejcili i veshun ma bukur se tjetri. Nuk mungonte muzika që ndigjohej prej larg me tingujt e vet të muzikantave të njohun aso kohe. Porsa hynte njeriu tek dera e oborrit, djelmë të rij të shoqnonin simbas zakonit. Nuk diskutohet fare pija apo bolleku i mezeve dhe frutave mbi tavolina. Sejcili shoqnon japrakun apo pilafin me kangen e vet… Dikund në ndonjë grup ndigjohet e qeshuna me za të naltë nga komikët e shperndamë, që mbajnë me kujdes gzimin dhe harenë nder kater anët e asaj darsme aq të kandshme për të gjithë. Nuk ka ma mundësi as Pjeter Gjini me qendrue në vendin e vet, po me kitarrë fillon bejtat e Tij… Qeshen të gjithë darsmorët e besa edhe disa kalimtarë, që ndalojnë me ndigjue humorin e Tij… Pihen edhe kafet e dyta dhe ndokush fillon me u çue, mbasi edhe koha ka ecë, afrohet mesnata. Kanë ardhë me diell e po çohen me hanë… Tek dera para se me dalë asht një burrë që mbasi i pershndetë të gjithë darsmorët, u len në dorë me porosi të plakut të shtëpisë sejcilit nga 1 napolon ar. Nuk ishte zakon po ngjau edhe kjo që nuk pritej nga asnjeni! Mbas pak ditësh plakut që ua dha edhe nga 1 naplon darsmorëve, filluen me i ardhë lajme pakënaqësije… “Pse mue që më ka mik tash 100 vjet më dha 1 napolon, sa atij që nuk ka as dhjetë vjetë që i ka shkelë prakun e derës?!”…

Kështu, ne Shqiptarëve, na ngjet në darsem po edhe në raste vdekje edhe pse sot askush nuk të jep “1 napolonin ar”…tek dera e oborrit. Pa marrë këthesen e rrugicës fillon me u diskutue “edhe ke kishte vue në krye të vendit!?”, e sa e sa vrejtje rreth veshjeve e buzqeshjeve…

Kanë kalue 100 vjet që asht shpallë Pavarsia e Shqipnisë! Jam i sigurtë se edhe në diten e Festes së Madhe të 28 Nandorit 2012, ka pasë kënaqësi e sa të duesh pakënaqësi! Shkodranët e vjeter edhe në kjoftë se heshtin në zemer kanë të ndryem një “mulla” të mbushun me pakënaqësi.

Mund të pyesin dikush, po nga kush janë të zemruem? – Kryesisht, nga mosardhja e Erdogan që pritej me kenë në Tiranë! Ai me siguri asht zemrue se festa nuk duhej festue me një tortë, po aty duhej t’ ishte një kazan i madh me hallvë të ngrohët dhe mandej, shih apo afrohej njeri me u perlue me te… Sillen armët e Perkrenaria e Gjergj Kastriotit prej Vjene, dhe as nuk vehet të pakten një heshtë apo gjyle turke, me të cilat u perdhosen sa kështjella njenambastjetres. Vehet mu në qender të Tiranës libri i Mesharit, dhe as nuk i bije nder mend kujt me vue aty afer të pakten “një hû”, në shenjë kujtimi per të gjithë Ata Klerikë Katolik Shqiptar që turqit i ngulen nder ta, kur nuk pranuene me mohue Fenë e të Parëve! Në fund të fundit “hûni” nuk simbolizon terrorin turk, mbasi ai “hû” nuk iu nda asnjëherë Klerikëve tanë, as mbas 1912 e deri në 1989.

Prap, njëfarë njerzije u tregue jo vetem nga qeveritarët e Tiranës, por edhe nder disa prej ligjeratave të “thata” (per mos me perdorë gjuhen e shkodranëve), ku me një pafëtyrësi që nuk mund të merret me mend, e papame deri sot në asnjë tubim pervjetori, “nuk zehet me gojë fare Gjenocidi 50 vjeçar i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, kunder Atdhetarëve dhe Klerit Katolik Shqiptar, i pashembullt në të gjitha vendet komuniste të Europës Lindore!”. Mohohet haptas dhe paturpësisht Gjaku i derdhun i 66 Klerikëve dhe vuejtjet e pakrahasueshme nder hetuesitë dhe  kampet e shfarosjes të 132 Klerikëve Katolik Shqiptar, që u vranë e vujten per Atdheun e Tyne!

“Harrohet” Dedë Gjo’ Luli! Ikë i kercnuem per vrasje Don Nikollë Kaçorri dhe këthehet me sharabajkë, vritet At Shtjefen Gjeçovi, varet Don Gjon Gazulli, vitet ndjekin njenitjetrin që nga 1913…Fillojnë vrasjet me Prekë Calin e 118 Burra të Kelmendit në 1945, zhduken nga anadollaku Enver Hoxha të gjithë Klerikët Katolik Shqiptarë, që menduen e punuen gjithë jeten per Shqipninë Europjane, e bashkë me Ta, dhe të gjithë Ata Atdhetarë Muslimanë Shqiptar tue fillue nga Muzafer Pipa, Fahri Rusi etj…Me urdhën të agjentit Bosjes e të Moskës Ramiz Alisë, shkatrrohen të gjitha Kishat Katolike bashkë me Kishen e Vaut të Dejes, ku asht kunorzue Gjergj Kastrioti, të gjitha deri në vitin 1967 dhe askush nuk i zenë me gojë…

E vrasësit shkatrrimtarë t’ Atdheut janë sot “Heronjë”…të 100 vjetorit Pavarsisë…

***

“Populli Shqiptar festoi me madhështi festen e 28 Nentorit 2012..” njoftojnë TVSH, dhe gazetat e mbarë Shqiptarëve të Globit… – Per cilin “Popull Shqiptar” bahet fjalë ?

Si bahen “100 vjetë” Pavarsi Kombtare ?! Po Shqiptarët tjerë ku janë ?

E shitësit e Trojeve Shqiptare vazhdojnë me u nderue në shtreten topash…

Ua ka thanë 70 vjet ma perpara At Anton Harapi: “Nuk asht numri as pasunia që e ban superioritetin kulturor e kombëtar, por personalitetet që me cilësitë e nalta morale e me zotësi ditunore janë ata, që bajnë pikën e gravitetit në një popull…

A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé! Ja, ky asht besimi, e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer… Nuk shpeton jo sot, as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë.” (“Nderim per bindjet e të tjerëve”, Korrik 1944).

E fjalët e Tij të daltueme në fletët e Historisë së Shqipnisë mos harroni se i di Europa, Anglia, Amerika, Turqia, Rusia, Serbia, Greqia; i di edhe Franca e Italia; e para të gjithë këtyne i di Austria e Gjermania; po, i dijnë edhe të gjithë armiqtë e tradhëtarët e Popullit Shqiptar, per të cilët Historia e Shqipnisë: “një ditë” do të thotë edhe ajo Fjalen e vet!

 

Melbourne, Dhjetor 2012.

Filed Under: Opinion Tagged With: 50 vjet ne Komunizem, 500 vjet ne Turqi

SHKRUAR MË 21 DHJETOR 2012, NË DITËN E PARË TË EGOS GLOBALE

December 21, 2012 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

I shkruaj këto radhë në këtë ditë, duke qenë absolutisht i bindur se forumet përkatëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, herët a vonë, ndoshta shumë shpejt, do ta shpallin 21 dhjetorin Ditën Ndërkombëtare të Dalldisë, me një fjalë, Ditën e Egos Globale, pra të unit global.

Është kjo dita e parë kur ne ndihemi të kërcënuar globalisht, të rrezikuar globalisht, të dalldisur globalisht, të prekur globalisht nga e njëjta mandatë. Është dita e parë kur ndihemi globalisht të njëjtë, të barabartë përballë së panjohurës. Dhe e pranojmë globalisht se ajo, e panjohura, do të ekzistojë gjithmonë.

Egoja globale, sot më shumë se kurrë, ndihet e individualizuar në shkallë kolektiviteti planetar. Falë internetit, materializmi konsumist i shndërruar në fanatizëm dogmatik përjeton kulmin e tij të parë.

Pikënyja e delirit global është kalendari i fisit meksikan Maya, përfundimi i të cilit është përkthyer si fundi i botës nga logjika arbitrare e trurit tonë kolektiv.

Autorja amerikane Anya Schiffrin ka shkuar dje në provincën e Jukatanit, Meksikë, dikur pjesë e perandorisë Mayane. “Ndonëse rusët dhe kinezët po dridhen nga fundi i botës i nesërm, këtu në Jukatan nuk ia vërshëllen njeri” interpretimit fatalist të kalendarit Maya.” As në kryeqytetin meksikan ku njerëzit mendojnë vetëm se çfarë do të bëjë qeveria e re e Partisë Institucionale Revolucionare, e kthyer në pushtet pas 12 vjetësh, çfarë do të bëjë presidenti i ri Nieto, i betuar në detyrë më 1 dhjetor 2012.

Presidenti i ri është i njohur në Meksikë për dy gjëra – se është martuar me një aktore yll të filmave soap opera dhe se nuk mban mend tre tituj librash që t’i ketë lexuar në jetën e tij. I pyetur për Biblën ai gjithashtu nuk mban mend asnjë fjalë, asnjë fjali. Megjithatë, shkruan Schiffrin, ai ka sjellë nga bota e zhvilluar grupe elitash meksikane, të ngarkuar për të kryer reforma shndërruese në gjithë jetën e vendit. Pra, shkruan ajo, qeveria është në ditët e saj më të ëmbëla të muajit të mjaltit, ndërsa përkrahësit e saj e kanë mendjen tek kapitulli i ri në jetën politike dhe aspak tek keqinterpretimet e kalendarit.

Në formë gazmoreje, vendasit tregojnë se investuesit italianë, duke pritur një fund bote si në kohën e Nuhut, kanë ndërtuar vila në majat më të larta të maleve më të larta. Vetë meksikanët i shikojnë veçoritë e vendit të tyre si mundësi zhvillimi, si mundësi të lulëzimit të turizmit, si mundësi të rritjes së investimeve të huaja.

Për të shmangur panikun, sipas gazetës, La Verdad (E vërteta), qeveria po ndërmerr patrullime në pesë zonat Mayane. Duke përfituar nga fama e kësaj zone, e kulmuar nga thashethemi për fundin e botës, kërkesat e turistëve të huaj këto ditë janë marramendëse, saqë vetë qeveria po merret me organizimin e spektakleve me kërcime karakteristike vendëse, me leksione, ceremoni të mbjelljes së pemëve, panaire, ku janë në qenë astrofizikanët, improvizimet e ritualeve Mayane etj..

Aktivistja kontraverse guatemalase, shkrimtare dhe laureate e çmimit Nobel Rigoberta Menchu, shkruan Schiffrin, zbarkoi këtu këto dotë dhe i bëri thirrje botës të kuptojë potencialet e kulturës Maya për të ndihmuar ndërtimin e harmonisë globale.
Në fakt, atmosfera që krijoi keqinterpretimi i kalendarit Maya, së paku shënoi shkallën e lartë të globalizimit të arritur në kohën tonë. Ku çdo thashethem përshkon planetin brenda sekondës. Tregoi edhe për një egoizëm të globalizuar dhe të shfrenuar në trajtën, siç përmenda, të materializmit konsumist të skajshëm. Le të kujtojmë se pothuaj të gjithë të intervistuarit nga mediat këto ditë nëpër rrugë, nëpër shtëpi, nëpër lokale, nëpër vendet e punës, thonë se do ta kalojnë sa më çakërqejf ndërkohën ku përfshihet 21 dhjetori 2012.

Atmosfera që rrethoi 21 dhjetorin 2012 ishte ndërkaq një provë për besimtarët e vërtetë. Librat e shenjtë e thonë qartë dhe shkoqur se Apokalipsi (Kijameti), Fundi i Botës do të vijë pa pritur e pa kujtuar, nuk do të jetë gradual, do të jetë i menjëhershëm, ndërsa kohën se kur ndodh nuk e di askush tjetër përveç Zotit.

Në provë u vu edhe shkalla e dijës njerëzore. Ata që janë të përditësuar me arritjet e shkencës, e dinë se, duke gjetur edhe në rrethana të tilla në shërbim të njerëzimit, do të gjente mënyrën dhe nuk do t’ia fshihte njerëzimit shenjat e zbuluara prej saj, çfarëdo të ishin ato.

U vërtetua, mendoj, se Njerëzimi ende është foshnjë. Një foshnjë që e llaston vetveten, në pritje për ta llastuar dikush tjetër. Një kërkim që e çon drejt kureshtjeve fatale

Për të qenë pjesë e globalitetit, edhe unë kam pranuar, në mënyrën time, që të identifikohem me përjetimet e bashkëplanetësve të mi. Kam kërkuar dhe gjetur strehë tek një koleg. Kam përkthyer kështu poezinë “Një këngë për fundin e botës” të nobelistit polakoamerikan Ceslav Milosh.
–
NJË KËNGË PËR FUNDIN E BOTËS
Nga CZESLAW MILOSZ (1911-2004)

Në ditën kur bota mbaron
Një bletë i vjen rrotull një tërfili,
Një peshkatar hedh një rrjetë të ndritshme.
Delfinë të lumtur hidhen në det,
Me ajrin e shiut harabelët e rinj po luajnë
Dhe gjarpëri ka lëkurë të artë si gjithmonë.

Në ditën kur bota mbaron
Gratë ecin nëpër fushat nën çadrat e tyre,
Një pijanec e merr gjumi buzë një lëndine,
Shitësit e perimeve bërtasin në rrugë
Dhe një varkë të verdhë vjen afër ishullit,
Zëri i një violinë zgjatet në ajër
Dhe na çon në një natë xixëlluese.

Dhe ata që pritën rrufe dhe bubullima
Janë të zhgënjyer.
Dhe ata që pritën shenja dhe trumpeta kryeengjëjsh
Nuk besojnë se po ndodh tani.
Për sa kohë që dielli dhe hëna janë lart,
Për aq kohë sa bletët punëtore vizitojnë një trëndafil,
Për aq kohë sa foshnjat lindin të trëndafilta
Askush nuk beson se kjo po ndodh tani.

Vetëm një plak i moçëm flokëbardhë, i cili duket të jetë një profet
E prapë nuk është një profet, sepse ai është shumë shumë i zënë,
Tek po përsërit ndërsa lidh domatet e tij në kopsht:
Nuk do të ketë tjetër fund të botës,
Nuk do të ketë fund tjetër të botës.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: me 21 dhjetor, shkruar, Skender Bucpapaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 847
  • 848
  • 849
  • 850
  • 851
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT