• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CILA ËSHTË DITA E ÇLIRIMIT?

December 5, 2012 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

Në këto ditë festive të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare dëgjojmë edhe disa zëra korbash të zinj që, për ta errësuar këtë ditë të shënuar të kombit shqiptar, nxjerrin në plan të parë një datë tjetër, një datë të turpshme për t’u përmendur, atë të 29 nëntorit, njëlloj si në vitet e errëta të sundimit të diktaturës komuniste. E di që ky shkrim do të ngjallë protestën e disa individëve të indoktrinuar nga propaganda jashtë kohe e atyre që i shërbyen me servilizëm diktaturës së kuqe. Për këta individë as që do të denjoja të bëja një shkrim apo t’u ktheja një përgjigje. Qëllimi i shkrimit tim janë ata individë apo, më mirë, personalitete të politikës dhe jetës shoqërore në vendin tonë që ende i bëjnë elozhe kësaj date. Por të mos zgjatemi me llafe dhe le të shtrohemi në rrugën e argumentave.

Çfarë është 29 nëntori? Për idhujt e kësaj date është çlirimi i Shqipërisë. Por a është e vërtetë kjo? Personalisht mendoj se çlirim quhet shkëputje e prangave të një pushtuesi të huaj apo një diktatori të urryer, qoftë ky edhe një individ i kombit tënd. A ndodhi kjo pas këaj date? Absolutisht jo. Shqipëria kaloi nga një pushtim i huaj në një tirani të pësuar nga vetë shqiptarët. Në këto çaste më kujtohet një kënga popullore që e këndonim dikur, kur ishim në burg, së bashku me disa luftëtar të tjerë të lirisë dhe demokracisë:

 

Shqipëri e vogël, plot një milion,

                                                Buzë Adriatikut edhe detit Jon,

                                                Seç hoqi e ç’vuan mjaft nga të huajt,

                                                Por dhe vetja jonë!

 

            Po, ne nuk vuanim nga të huajt se ata, me të vërtetë, ishin shporur nga vendi ynë por në vendin tonë ishte instaluar një regjim që ia kalonte  disa herë atij të pushtuesit. E pra ishin këta shqiptarë të atij shteti që na rrëmbyen mua dhe qindra fëmijë të tjerë,  të moshës 14-16, vjeç për të na përplasur në qelitë e errëta të ish sigurimit famëzi të shtetit apo kampet e tmerrshme të punës së detyruar duke na mohuar të drejtën e studimit dhe të jetuarit. Ju mund të thoni se këto janë mllefe personale. Jo, zotërinj! Ju e keni harruar atë kohë, apo bëni sikur e keni harruar, kur thërrisnit “kriminelët në litar” për ne, vetëm e vetëm pse luftonim “Për Liri, Për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”

            Para se të hyja në burg historinë e Shqipërisë e njihja siç ma kishin mësuar në shkollën komuniste ku çdo komunist apo partizan ishe një “supermen” dhe çdo ballist apo zogist si Sali Protopapa i filmit tuaj “I teti në bronx”, apo ballistët e filmit tjetër “Kur zbardhte një ditë”. Por, fatmirësisht, hyra në burg. Them fatmirësisht sepse atje mësova kush ishte historia e vërtetë e këtij kombi. Këtë histori e mësova nga ata burra të rrallë që zor se do t’i vijnë më këtij vendi. E mësova nga ata burra që kishin studiuar në universitetet më në zë të botës perëndimore. E mësova nga të paharruarit Patër Mëshkalla, Gjon Shllaku, Kol Kurti, Xhevdet Kapshtica, Sami Bitincka, Isuf Hysenbegasi, Fatosh e Kudret Kokoshi, Abdurrahman Kreshpa, Meçan Hoxha, Haki Karapici e plot të tjerë. Këta burra më mësuan, ndërmjet të tjerave, se 29 nëntori 1944 është dita e zisë për kombin shqiptar.

Po, ajo nuk mund të jetë dita e çlirimit. Ajo është një ditë zije. Është e tillë pasi personifikon mbi 6.000 martirët e rënë në luftën për demokraci. Simbolizon mbi 17.000 të dënuarit politik nga regjimi i urryer. Simbolizon mbi 22.000 familjet e internuara nëpër kampet e tmerrshme, ku një pjesë e tyre gjetën  edhe  vdekjen. Nje datë  e  tillë  nuk  mund  të  jetë  data  e çlirimit të  Shqipërisë. Ajo është  data  e  një  robërimi  të  ri  të  saj dhe, për fat të keq, kësaj radhe, nga vetë shqiptarët.

Çfarë solli ky “çlirim”? Gjyqe pa fund kundër ajkës së kombit shqiptar. Ekzekutime burrash të shquar. Internime nëpër kampe të tmerrshme ku vdekja ishte shpëtimi prej tyre. Ndarje të popullatës në përkrahës dhe armiq të regjimit, gjë që bëri që të parët të ishin kundërshtare të tërbuar të palës tjetër që, po të kishin mundësi, t’i hanin të gjallë. Kjo ishte Shqipëria që solli “çlirimi” i 29 nëntorit. Në këto kushte a mund të quhet çlirim? Gjykojeni vetë të nderuar lexues.

Para disa ditësh dëgjuam një lider të një partie që thoshte se duheshin vlerësuar meritat e diktatorit Hoxha. Dua ta pyes zotninë:

–          A ka ndonjë meritë diktatori Hoxha?

Nuk e di se për çfarë merite flet zotnia në fjalë, por unë diktatorit i njoh vetëm vrasjet prapa shpine deri edhe të shokëve të tij më të ngushtë. Përmend këtu Qemal Stafën që flitet se e çoi pikërisht ai në atë pritë. Përmend Mustafa Gjinishin, Hysni Xhindin, Fejzo Gjomemën, Ramize Gjebrenë dhe plot të tjerë të vrarë me urdhër të tij kur luftonin gjoja për liri. Këto vrasje dhe burgosje do të vazhdonin me një ritëm më të lartë pas marrjes së pushtetit. Le të përmendim Koçi Xoxen, Pandi Kriston, Bedri Spahiun, Liri Belishovën, Tuk Jakovën, Fadil Paçramin, Todi Lubonjën, Beqir Ballukun, Hito Çakon, Petrit Dumen dhe deri te Kadri Hazbiun dhe të tjerë me të cilët kishte qenë “shok armësh”.

Kjo është vetëm njera anë e medaljes. Po për izolimin totalitar të vendit tonë nga e gjithë bota, qoftë ajo perëndimore apo ajo lindore? Po për rënien deri në pragun e katastrofës të gjendjes ekonomike të vendit? Mos vallë të gjitha këto janë merita që duhet t’i vishen diktatorit? Një gazetë e këtyre ditëve shkruante se një gjë e tillë ishte thënë për të fituar votat e spektrit të majtë. Unë do ta quaja një gjë të tillë flirtim me djallin. Në rast se një veprim do të gjykohej me “moralin e lartë” të një lideri, atëherë edhe unë do ta pranoja një “lajthitje” timen një veprim të tillë.

Përse ndodhën fenomene të tilla pikërisht në këto ditë historike të kombit tonë? Mendoj se shkaku kryesor ëshër shpërthimi i një ndjenje nacionaliste të popullit shqiptar në këtë përvjetor të madhërishëm, ndjenjë që kishte munguar për vite të tëra. Është pikërisht kjo ndjenjë që i tërboi idhujt i diktaturës komuniste dhe ndaj shpërthyen si një kor i çakërdisur në mbrojtje të idealeve të tyre të përmbysura nga mbarë populli shqiptar. Këtë e vërtetoi qysh njëzetetre vjet më parë përmbysja e përmendores së diktatorit dhe nuk mund ta ngjallë më askush sado të mundohet. Kjo është edhe një kërkesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që i kërkoi Shqipërisë qysh në vitin 2010 të dënojë krimet e komunizmit. Dhe një gjë e tillë duhet, detyrimisht, të realizohet, në rast se duam, me të vërtetë të rreshtohemi në anën e kombeve demokratike të botës.

Si përfundim dua të them se kombi shqiptar ka vetëm një datë të shënuar të historisë së tij. Kjo datë është 28 nëntori 1912. Ajo është data e pavarësisë, është data e çlirimit kombëtar, është data që do të bashkojë kombin shqiptar në një të vetëm.

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: dita e Clirimit, reshat kripa

IBRAHIM RUGOVA

December 5, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Kohët e fundit, politikanë, akademikë dhe disa nga ata që konsiderohen si ”mendjet më të ndritura”  të kombit shqiptar debatojnë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare mbi ”meritat” e Enver Hoxhës dhe të Ahmet Zogut, si dhe mbi rolin e tyre në historinë kombëtare, duke ngulur  këmbë se nëqoftse flitet për meritat e njërit duhet të flasim edhe meritat e të tjetrit. Vazhdim ndasishë e përçarjesh!  Seriozisht, nëqoftse  me ketë diskurs politik e shoqëror fillohet shekulli i ri  ishqiptarëve, , atëherë  Zot na ruaj prej së keqës, si individ dhe si komb!

Unë si njeri i thjeshtë — preferoj që në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij, të kujtoj dhe të flas për një njeri që me të vërtetë ka merita,   Presidentin e parë historik të Dardanisë antike, Dr. Ibrahim Rugovën, prijësin e madh të kombit shqiptar — për kontributet e tija dhe rolin që ai ka luajtur në historinë moderne kombëtare.   Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, dhe themeluesi i diplomacisë së Kosovës, filloi veprimtarinë e tij diplomatike në Shtetet e Bashkuara  të  Amerikës që në vitin 1989, me qëllim që të siguronte përkrahje nga ky vend për shqiptarët e shumëvuajtur të Kosovës dardane.   Ai nuk mburrej me retorikë boshe, siç thotë më poshtë edhe  ish-kryeministri britanik Toni Blerpor, por kishte vizione të qarta për një të ardhëme më të mirë për kombin e vet.  Që në fillim, ai u vu në krye të lëvizjes për pavarësi duke thënë se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë nën një administrim civil ndërkombëtar, si fazë kalimtare”.  Ashtu edhe ndodhi.  Ai gjithashtu ç’prej fillimit, kishte deklaruar ”miqësinë e përhershme midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan’’, pasi ishte i betuar që të bënte aq sa kishte mundësi  për  rrugën që duhej të ndjekin shqiptarët e Kosovës dhe kombi shqiptar në përgjithësi, për të zënë vendin ku i takon dhe ku e ka caktuar vet i Madhi Zot, dmth, në radhën e kombeve të përparuara përendimore.

Ai besonte në miqësinë e fortë me Shtetet e Bashkuara, si një mjet që do të çonte kombin shqiptar drejtë integrimit me botën perëndimore.  Sa ishte gjallë, ai udhëhoqi popullin e vet gjatë një periudhe jashtzakonisht të vështirë, gjë që e bëri atë simbol krenarie në radhët e bashkatdhetarëve të tij — mbrenda dhe jashtë trojeve  shqiptare — për veprimtarinë patriotike si edhe të njohur anë e mbanë botës për diplomacinë e tij shumë vjeçare, vajtje-ardhje, ndërkohë që vizitonte Washingtonin dhe kryeqytetet evropiane për të takuar udhëheqsit më të lartë të botës përendimore.   Këjo në përpjekje për të çliruar popullin e vet nga zgjedha serbe dhe për të realizuar ëndrrën e përbashkët  të  të gjithë shqiptarëve: Pavarësinë e Kosovës.   Këjo ndërmarrje ose aktivitet diplomatik nga ana e tij, nuk ishte aspak më i vogël se sa përpjekjet e rilindasve të cilët shpallën Pavarësinë Kombëtare me 28 Nëntor, 1912 në Vlorë.
Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare me të drejtë u theksua nga udhëheqsit shqiptarë dhe të tjerë, se gjatë gjithë historisë së tij, kombi shqiptar i ka dhënë botës figura të mëdha me të cilat krenohet  i mbarë kombi.   Në këtë 100-vjetor dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij, shqiptarët kudo duhet të jenë krenarë për meritat e Presidentit Rugova dhe veprimtarinë e tij drejtë çlirimit dhe pavarësisë, pasi pa Pavarësinë e Kosovës,  për realizimin e së cilës ai dha një kontribut historik, pavarësia e Shqipërisë do të ishte gjysmake.  Si  figura kyçe e pavarësisë së Kosovës dhe si njëri ndër figurat më të shquara dhe më të njohura botërisht të kombit shqiptar, ai kishte fituar besimin dhe admirimin e botës,  përfshirë edhe  figurat më të dalluara të politikës amerikane.

Kur ndërroi jetë Presidenti Ibrahim Rugova, presidenti amerikan në detyrë, republikani Xhorxh Bush e kujtoi udhëheqsin shqiptar duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara, me vdekjen e Presidentit Rugova, humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës për qëndrimet e tija kundër dhunës.”   Presidenti  tjetër amerikan, demokrati Bill Klinton, statuja e të cilit hijeshon sot e përgjithmonë Prishtinën, dhe  i cili kishte takuar shpesh  ish-udhëheqsin e Kosovës,  ka thënë  se ”nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte më mirë hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tija”, se sa Presidenti  Ibrahim Rugova.

Ndërsa ish-kryeminsitri britanik, Toni Bler, duke kujtuar  takimin e tij me Presidentin Rugova në fund të vititit 1998, i tha parlamentit të Kosovës në Korrik të 2010-ës se Presidenti Rugova “ishte i qetë, një njeri shumë modest….Ai më tha të vërtetën për Kosovën.  Për vuajtjet e popullit të vet, për nevojën që bota të dëgjonte (për fatin e shqiptarëve të Kosovës) si  dhe për obligimin e botës për të ndërhyrë.  Ai nuk bërtiste dhe nuk u përpoq të më bindë  me sllogane ose me gjeste ekstravagante.  Ai foli me një zë të ulët por me sinqeritetin më të madh… duke më kërkuar ndihmë për popullin e vet….Unë i thashë Britania e Madhe do  të ndihmojë. Unë ia dhashë atij ‘’Besën’’, dhe besën ia mbajta’’ tha Zoti Bler.

Ibrahim Rugova ishte një përfaqsues ndryshe, i cili i bindur dhe i vendosur për rrugën që duhej ndjekur dhe për objektivin që duhej të realizonin shqiptarët e Kosovës, si pjesë e pa ndarë e kombit shqiptar, me personalitetin e tij të urtë dhe plot durim, i shpjegoi një bote skeptike përdhunimet dhe padrejtësitë historike ndaj kombit shqiptar.   Ai e tregoi veten si një avokat i palodhëshëm i forcimit të lidhjeve natyrale të kombit shqiptar me Perëndimin, e sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë festimeve me rastin e 100-vjetorit, me të drejtë u fol për rolin që Amerika ka luajtur në konsolidimin e pavarësisë  si edhe për miqësinë  që ekziston midis popullit amerikan dhe shqiptarëve.  Udhëheqsit shqiptarë  shprehën mirënjohjen ndaj përkrahjes amerikane për Pavarësinë e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar dhe për çlirimin e Kosovës, që  më në fund çoi në  pavarësinë  që gëzon sot Kosova, por edhe për  rolin në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë, këto 20 vitet e fundit.   Ibrahim Rugova ishte njëri ndër arkitektët, e pse të mos themi krye-arkitekti modern i këtyre marrëdhënjeve.  Atëherë,  nëqoftse në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, marrëdhënjet amerikano-shqiptare janë të rëndësishme, ashtu siç mendojnë shumë vërejtës të mbrendshëm dhe të jashtëm, një pjesë e kredisë për zhvillimin e mirë të këtyre marrëdhënjeve gjatë njëzet e sa vjetëve të fundit, duhet t’i shkojë Presidentit Rugova. Kur Ibrahim Rugova bënte thirrje për ”Miqësi të përherëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” dhe kur ai përfundonte çdo fjalim me thënjen ”God Bless America”, ”Zoti e Bekoftë Amerikën”,  shumë nga kritikët e tij atëherë dhe sot nuk e kishin kuptuar rëndësinë afat  gjatë të mesazhit të Ibrahim Rugovës, për marrëdhënjet e ngushta amerikano-shqiptare.

Merita tjetër që  i duhet njohur Ibrahim Rugovës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare është se ai besonte se kombi shqiptar duhet të ndërtojë bazën e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të cilët 100-vjetë më parë, shpallën pavarësinë kombëtare,  dhe jo mbi një trashëgimi  regjimesh e përfaqsuesish të idelogjive të huaja, sllavo-aziatike.   Ai ishte udhëheqsi i parë shqiptar ç’prej rilindasve, që më në fund i këtheu sytë e mendjen nga Perendimi – dhe jo drejtë Moskës, Beogradit, Athinës ose Pekinit – nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre perëndimorë.

Me një kulturë dhe qytetërim njerëzor plotë urtësi, të bazuar në traditat dhe vlerat më të mira të fisit të Arbërit, si dhe në vlerat humane të njerëzimit,  Ibrahim Rugova ishte i palëkundur në qëndrimin e tij, siç ishte dhe shumica e rilindasve, se e ardhmja e shqiptarëve duhet të jetë në integrimin e tyre në radhët e kombeve të përparuara të Perëndimit.   Për këto dhe shumë merita të tjera pra, duhet që me krenari të përkujtojmë Presidentin e parë të Kosovës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij.

 

 

 

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Frank shkreli, Ibrahim Rugova

POPULLI, POR DHE POLITIKA

December 5, 2012 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/

Po të vëmë re, është bërë zakon, se në çdo çrregullim apo ngjarje negative që ndonjëherë tek ne na paraqiten, fajin do t’ia vëmë gjithmonë popullit dhe natyrës së tij për të krijuar  turbullira dhe nuk marrim mundimin të analizojmë se ku është shkaku i këtij fenomeni dhe pse të ndodhë. Është provuar se ngjarjet e ndryshme historike ndikojnë mjaft në formimin e karakterit të një shoqërie apo të një kombi dhe si vënd i vogël që kemi qënë, njëkohësisht dhe pa përkrahje të ndonjë shteti të madh, siç ndodh përshëmbull me fqinjët tanë Greqinë dhe Sërbinë, të cilët kurdoherë janë mbështetur; e para nga Britania e Madhe dhe e dyta nga Rusia, jo vetëm që u kemi dalë të vetëm përpara çdo fatkeqësie që na ka dalë, por edhe historia shpesh s’ka qëne me neve, bile mund të thuash se na ka dënuar. Fakti që nga Perandoria Osmane u shkëputëm të fundit, vërteton atë që thamë, por edhe kur arritëm të mëvehtësohemi e të shpallim pavarësinë, u përballëm me pasojat e dy luftërave të mëdha, siç qe ajo Ballkanike dhe e Parë Botërore, ku jo vetëm që u dogjëm dhe u shkelëm me këmbë nga mjaft ushtëri të huaja, por në përfundim, për të kënaqur orekset e disa shteteve të quajtura fituese, na shkëputën edhe mjaft territore, siç qe rasti i Kosovës, Çamërisë e i mjaft tokave të tjera.Vetëm gjatë periudhës së Mbretërisë, mund të thuhet se morëm pak a shumë formën e një shteti me kufij tashmë të përgjysmuar, por ligjorë dhe me një orientim të sigurtë për nga perëndimi, por ky shtet shpresëdhënës, për fat të keq, nuk funksionoi gjatë, sepse një tjetër pushtim na erdhi më tridhjet e nëntën, pra ai fashist, që shënoi edhe fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe bashkë me të dhe të mjaft turbullirave të tjera, që ndoqën njëra tjetrën dhe përfunduan duke na prurë si peshqesh kolerën e kuqe komuniste, e cila nuk na u shqit për gati pesë dekada me radhë.

Por në të gjitha këto ngjarje të vështira që shkurtimisht thamë, nuk mund të lesh pa përmëndur shpirtin patriotik të këtij populli dhe sidomos të asaj elitë drejtuese të ndershme e përfaqësuar nga shtresa fisnike shqiptare, e cila bëri të mundur mos asimilimin tonë, siç historia e ka provuar në mjaft raste dhe vlerësimi që me rastin e këtij “100 Vjetori të Pavarësisë” iu bë mjaft figurave, të cilët në këtë periudhë kohore, kanë luajtur një rol aq të rëndësishëm, shënon edhe fillimin e një kapitulli të ri të historisë sonë, i cili deri më dje ka qënë i manipuluar me gënjeshtra dhe fallsifikime, ku të bardhën e kemi quajtur të zezë dhe të zezën të bardhë. Prandaj mendoj, se është po aq e rëndësishme dhe e domosdoshme njëkohësisht edhe zbardhja sa më parë e periudhës së egër dhe barbare pesëdhjet vjeçare komuniste, nga dyzet e katra e këtej, e cila i shkaktoi vëndit tonë një katastrofë të pallogaritëshme, bile më të madhe edhe nga vetë pushtuesit, sepse nëqoftëse fashizmi apo nazizmi na okupuan vëndin, komunizmi okupoi shpirtin e njeriut dhe e transformoi atë në robot; Nëqoftëse ata, për qëllimet e tyre u munduan si e si që t’i afronin sa më afër intelektualët, komunizmi bëri të kundërtën, pra i azgjësoi ata. dhe duke hunbur inteligjencën, e cila është edhe koka e një kombi, u zhbë edhe kultura, edukata, personaliteti, besa e deri besimi fetar. Quhej ofenduese, po të na kujtohet, të përdoreshin në atë kohë shprehjet; Zotni, Zonjë, Të lutem, apo Më fal, sepse “Fituesit” e zbritur me flamurin e bolshevizmit në dorë, nuk e duronin dot atë fjalor të trashëguar dhe klasik, i cili sipas tyre, i përkiste vetëm borgjezisë. Dhe ky fenomen vazhdoi deri në krijimin e “Njeriut të Ri”, i xhveshur nga çdo normë  dhe me dimensionet e projektuara prej atyre vetë. Duke e përdorur më pas këtë kontigjent edhe si instruktorë, për “të edukuar” gjeneratat e reja, shënoi edhe degradimin përfundimisht të shoqërisë sonë.

Të gjitha këto dhe shumë të tjera nuk ikin aq kollaj dhe pa lënë gjurrmë në natyrën dhe karakterin e popullit ne tonë dhe kjo dukuri, vihet re edhe në politikë, ku ende deputeti e shikon kolegun e vet jo si bashkëpuntor, por si rival dhe nëqoftëse atëhere aplikohej eleminimi fizik, sot dëgjon aq sharje dhe akuza ndaj njëri tjetrit, sa bindesh se ajo lloj kulture dhe ai mentalitet i trashëguar, është akoma egzistues.

Ndoqëm para pak ditësh direkt, në ekranet televizive apo edhe në interrnet zhvillimin e ceremonive me rastin e festës së  madhe të pavarësisë, por për çudi opinioni si në Shqipëri, ashtu edhe këtu në diasporë, u përqëndrua më tepër tek momenti i shpërndarjes së asaj torte të bukur dhe gjigande, e cila natyrisht, për mos organizim dhe aq të mirë, krijoi një skenë jo dhe aq  të këndëshme, por jo ama për t’u tallur, sepse jo shumë larg, por vetëm dy dekada më parë, ne kemi qënë ata, që shtyheshim përpara dyqanit të bulmetit për të marë një kilogram gjizë dhe fjalori që përdornim ndaj njëri tjetrit në ato çaste, të vjen  turp sot që t’i kujtosh. Pra, e përsëris që këto çfaqje negative që ne shohim, e kanë një zanafillë, të cilat janë ngulur mjaft thellë, sa do kohë që të pastrohen, por kjo nuk do të thotë që ne të tolerojmë apo të qëndrojmë ndaj tyre indiferent, sepse kështu ne nuk e ndihmojmë asnjëherë demokracinë. Nuk duhet qëndruar indiferent gjithashtu edhe ndaj procesit për marrjen e kandidaturës për t’u futur në Europë, i cili është kthyer në një legjendë, që nuk shpresohet të ketë ndonjëherë fund. dhe për këtë përsëri nuk fajësohet populli, por vetëm politika. Shkaqet gjithashtu që nxirren, janë aq qesharake, sa të vjen turp që t’i përmëndësh, por mos ndofta kjo është lojë dhe ne vazhdohet që të manipulohemi, apo realisht egziston vërtet një forcë negative, e cila qëllimisht  na e pengon këtë rrugë. Sido që të jetë, viktima mbetet gjithmonë populli dhe po interesat e tij njëkohësisht dëmtohen.

Filed Under: Opinion, Politike Tagged With: Hasan Kostreci

NJË POST FESTUM?

December 3, 2012 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Duke e shkarravitur këtë shkrim, në mbrëmje, më mori motra në telefon, ajo heroina fatkeqe e gjeneratës së saj, ajo që u çatdhesua për t’u degdisur në Dardanele, gjegjësisht në pjesën e Trakisë turke. Biseda ishte përplot nota nostalgjike e emocionale. Qortimet e saj, ishin me vend…, sepse ka kohë që nuk jam dukur atypari, në Stamboll. Ajo, pos të tjerash, si me një urdhëresë më tha: ti im vëllaçko, më dëgjo me vëmendje, shko e gjeje atë gocën e bukur, atë çapkënen e mëhallës sime, ajo që ndoshta vazhdon të quhet me emrin Shqipe, atë lazdraken që besoj se, hallet dhe vuajtjet e saj nuk e kanë plakur. Dhe, në do e takosh, të lus puthe në ballë…, sepse ka shumë kohë që nuk e kam parë, që s’ia kam dëgjuar zërin, që nuk ia kam nuhatur erën… U solla poshtë e lart, në kërkim të “Shqipes” dhe, për fat, e “gjeta” diku në një cep të mëhallës së vjetër të kasabasë sonë. Nuk e kisha ditur se jetonte vetëm. Nuk ishte, as çapkëne e as lazdrake, ndërkaq prej bukurisë së saj, s’kishte mbetur dot gjë! Pas ca ditësh, iu paraqita motrës duke e pyetur: ti, moj motër, pa më thuaj se për cilën “Shqipe”e kishe fjalën. Ma ktheu, si me inat, se nëna jonë, Nazë, dikur kishte plot të drejtë kur më thoshte se këtë djalë e kemi paksa “mendjetrashë”(!?)… Andaj këtij “sugari të nënës”, gjatë rrugëtimit, do t’i duhet një përcjellës…, por njashtu edhe gjatë meditimit gjithsesi i duhet një njeri me mendje femër. Eh, le t’i lutet Zotit, se e kam motër dhe është njëmijë e një herë më e mençur se unë, se do t’ia ktheja atë “hazërxhevap”: Po pse nuk më the që në fillim se e ke mendjen te flamuri i Ismail Qemal Bej Vlorës e jo tek ajo “Shqipja” që, kur unë ashtu fshehurazi dua t’i përcjell një “gjysmë përshëndetje”, ma mban kokën dhe shikimin mënjanë e me inat!? Pikërisht kjo telefonatë ma ndryshoi kryekëput subjektin e shkrimit në fjalë e në vijim.

Ç’është e vërteta, subjekti i kësaj shkarravinës do të jetë historia e flamurit si dhe manifestimet e fundit që u organizuan gjithandej trevave shqiptare dhe që iu dedikuan 104-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 100-vjetorit të mëvetësimit të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlorës, po, në do të kem të drejtë, do të them edhe 99-vjetorit të Shqipërisë londineze. Sot ia vlen ta shkruajmë këtë vështrim gazete, kur më nuk na udhëheqin emocionet, patetizmat dhe kur uji ka rënë në vend të vet. Nuk do të gabojmë nëse do të themi se në këtë 100-vjetor, shqiptarët “pollën” gjithfarë datash të “paqena, gjithfarë figurash patriotike nga mëhallët provinciale”.

Se këto manifestime ishin thjeshtë një “hallakamë”, këtë më së miri i filozofoi, Edmond Tupja (autori i fjalorit erotik shqip), i cili në një shkrim të tij të fundit, pos të tjerash, thotë: “A do t’ia arrijmë asaj dite kur të vizitojmë më në fund panairin e pavarësisë pa u trembur se mos (larg qoftë!) i vetmi panair festiv që do të na mbetet të vizitojmë do të jetë ai i kotësisë”!? Unë, do të vazhdoj të them e të pyes se: a mos vallë këto manifestime, kështu siç u organizuan, nuk “prodhuan” një mal euforish e patetizmash…, a mos vallë nuk “ndërtuam një zabel” ngazëllimesh të pakontrolluara, jo natyrale dhe jo karakteristike për një komb të vjetër…, a mos vallë ky 100-vjetor të gjithë shqiptarëve u dha mundësi të eksponohen pavarësisht se dikur ishin kolaboracionistë, pavarësisht se ishin fukarenj, pasanikë, katundarë, shehërlinj, sherxhinjë e tjerë…, a mos vallë, këtë 100-vjetor e ngarkuam me folkpatriotizëm të skajshëm dhe me kiç (shund)…, a mos vallë nga këto manifestime, me a pa hiri, përjashtuam atdhetarët, gjegjësisht, njerëzit të cilët kishin kryer misionin e tyre patriotik.

Disa prej këtyre manifestimeve iu kushtuan edhe vetvetes, por ama me lekët e popullit, ca u bënë sa për të treguar se edhe ata ishin pjesë e këtij shekulli që na iku…, ca të tjerë i bënë sepse e kishin detyrim moral, ca pse e kishin “detyrim të rremë patriotik” e tjerë.

Të nderuar lexues, më lejoni të shpjegohem edhe pak (me kusht të mos ju bezdis). A mos vallë, manifestimet (të ndara), karshi 100-vjetorit të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlorës, (sa herë dhe sa më shumë i referohem historisë së Flamurit të Ismail Qemal Bej Vlorës, aq më shumë ndihem i vockël) (nuk) ishin, toptan manifestime që padyshim (edhe kësaj radhe)…, “shprehën atë fytyrën e absurdit” të shqiptarëve të përçarë, gjithandej Kosovës, Maqedonisë, Republikës politike të Shqipërisë, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi…, të atyre shqiptarëve, me inteligjencë qytetare, oksidentale, orientale e rurale…, a mos vallë, edhe në këtë 100-vjetor, gjithfarë “protagonistë patriotë shqiptarë” mëtuan ta (ri) shpalosin e ta (ri) ngritin flamurin kombëtar, vend e pa vend, në rrugë, në stadiume, në sheshe qytetesh, në tezga pazaresh, në ura autostradash e jo ku tjetër, dhe kështu duke u mundësuar “personave të panjohur” ta djegin atë. Lëre që nuk i dolën zot flamurit, por edhe as që i vunë vetes (pa) përgjegjësinë foshnjarake e qesharake!

A mos vallë, njerëzit që ishin trashëgimtarë të rrugëtimit të flamurit të Ismail Qemal Bej Vlorës, nuk i privuam nga e drejta e tyre (Rexhep Qosja, e shumë të tjerë) për të qenë të pranishëm në manifestimin qendror në Sheshin Skenderbej!??.., a mos vallë, kështu siç e festuam NDARAS këtë 100-vjetor (që ditë më parë na “iku ashtu kokulur”), meritoi një “kostumografi dhe skenografi politike tejet të ngarkuar”…, a mos vallë, skenës së Sheshit Skenderbej në Tiranë, i munguan akademikët dhe studiuesit e mirëfilltë të historisë së Flamurit dhe shtetit të plakut vlonjat…, a mos vallë nuk kishte një vend, së paku për Kristo Frashërin, në jo për diçka tjetër, atëherë së paku për moshën e tij…, në jo për diçka tjetër, atëherë së paku për pendën e tij. Ndoshta, profesori i nderuar Frashëri, nuk deshi të duket atypari, ndoshta ishte i frikësuar se Historinë do t’ia përflisnin e do t’ia lexonin bythaprapthi, njashtu siç nuk u duk atypari edhe i madhi ynë, Ismail Kadare!??

Ti, i nderuar lexues, “vërtet beson” se vallë, në Sheshin Skenderbej, nuk u gjet një cep për njerëz, të cilët një pjesë të kësaj historie e shkruan me gjakun e bijve dhe bijave të tyre…, a mos vallë, këtij manifestimi, i nevojitej një gjuhë popullore dhe një filozofi krejt tjetër, pse vallë i duhej e gjithë kjo arrogancë, ky egoizëm, ky duf patologjik, që i duhej e gjithë kjo paradë nihilizmi, bajraktarizmi…, gjithë ky folklor i stërngarkuar a kjo çmirësi e NDASI, qoftë ajo të ishte gjeografike, politike, urbane, rurale e të tjera ndasish! A mos vallë, edhe pas 100 vjet mëvetësie të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlorës, shqiptarët anembanë trevave të tyre autoktone, nuk e mësuan leksionin që llafos urtësinë e rilindësve shqiptarë si dhe atë leksionin që shpjegon bashkimin e mendimit politik ndërshqiptar…, një bashkim që s’ka hiç takat të lëvizë nga udhëkryqi!??…, apo  në do të vrasësh flamurin, gjunjëzoja memorien a mbamendjen.

Kështu, siç shqiptarët i organizuan dhe i festuan këto data të shenjta (ndaras), atyre u mbetej vetëm ta “NGRITNIN E TA SHPALOSNIN FLAMURIN KOMBËTAR NË GJYSMËSHTIZË”, siç do të thotë, Mesila Doda, në një shkrim të saj të paradokohshëm.

At Gjergj Fishta, dikur tha: FLAMURI KOMBËTAR S’KA ÇKA LYP NDËR NE, PO QE SE DASHNI S’KEMI PËR ATDHE”!.., dhe për njëri-tjetrin.

E shtrenjta ime Motër, të fala nga vatani dhe urime Ditëlindja e Shqipes sate.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, pasfesta

LIRIMI I RAMUSH HARADINAJ, SHQIPTARET FESTOJNE, SERBET ZEMROHEN

November 29, 2012 by dgreca

Ramush Haradinaj shpallet i pafajshëm/

 Gjykata për krime lufte në Hagë, shpalli të pafajshëm Ramush Haradinajn dhe dy ish bashkëluftëtarët e tij për të gjitha akuzat për krime lufte/

 Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte. Gjykata ndërkombëtarë për krime lufte shpalli të pafajshëm edhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.
Shpallja e vendimi u ndoq nga shumë qytetarë në qendër të Prishtinës e cila u përfshi nga fishekzjarrët pasi që kryetari i trupit gjykues, Bakone Justice Moloto shpalli se tre te akuzuarit janë të lirë. 

Ish kryeministri Haradinaj, i cili qe shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, u nxor sërish në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzoheshin për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte. Akuzat lidheshin me veprimtarinë e zotit Haradinaj gjatë luftës kur ai ishte një nga komandantet e lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij dhe Idriz Balajt.  I pandehuri tjetër Lahi Brahimaj, u dënua me gjashtë vjet heqje lirie nën akuzat, për siç thuhet, trajtim mizor dhe torturë.
Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim në korrik të vitit 2010. Vendimi për rigjykim të pjesshëm ishte i pari i këtij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Kosova mirëpret lirimin e Ramush Haradinajt

Vendimi i Gjykatës së Hagës është mirëpritur nga udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpërmjet një komunikate thekson se vendimi i sotëm “është edhe një dëshmi se lufta jonë e drejtë dhe prijësit e luftës tonë çlirimtare nuk janë fajtorë për krimet që u janë veshur“.
Ajo ka përgëzuar gjithashtu qytetarët e Kosovës “për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës në përpjekje për të kërkuar drejtësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë dhe durimin e tyre gjatë kësaj periudhe“.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke uruar qytetarët e Kosovës thekson se “lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e shenjtë. Kjo u vërtetua nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës sot, dhe do të dëshmohet përsëri me rastin e Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij”.
Në komunikatë thuhet se “ky proces i stërzgjatur kundër zotit  Ramush Haradinaj, zotit Idriz Balaj dhe zotit Lahi Brahimaj ka qenë shumë i dhimbshëm për t’u përballuar jo vetëm për ata dhe për familjet e tyre, por ka qenë shumë i vështirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shtetin tonë. Fatmirësisht, durimi ynë dhe besimi që kishim në drejtësinë ndërkombëtare sot u shpërblye me vendimin e drejtë dhe të merituar”.

Serbia e zemëruar më lirimin e Ramush Haradinajt

Autoritetet në Serbi reaguan me zemërim ndaj vendimit të Gjykatës së Hagës për lirimin e zotit Haradinaj. Në një komunikatë të zyrës së presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, thuhet se ky vendim “nuk është i bazuar në të drejtën dhe drejtësinë” dhe kjo i vështirëson përpjekjet për vendosjen e paqes në rajon.
“Për krime të tmerrshme ndaj serbëve të Kosovës nuk do të dënohet askush”, thuhet në reagim, në të cilin nënvizohet se “vendimet e këtilla nxisin separatizëm, i vështirësojnë përpjekjet për vendosjen e paqes në rajon, i dëmtojnë përpjekjet e deritashme për normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit me Prishtinën, dhe e rrisin euro skepticizmin tek populli i Serbisë”.
Ndërsa qeveria e Serbisë, e ka cilësuar siç thuhet, “të turpshëm” vendimin e Gjykatës së Hagës.
Nëpërmjet zëdhënësit të saj ajo vlerëson se “kjo është një goditje e rëndë për drejtësinë dhe një pengesë serioze për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
Pakënaqësi është shprehur edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Një nga udhëheqësit e Këshillit Kombëtar serb Nebojsha Joviç, tha se zhvillimet në Gjykatën e Hagës kanë dëshmuar se asnjë krim ndaj serbëve nuk do të dënohet.
“Populli serb qoftë në Kroaci apo në Kosovë është shpallur shënjestër e ligjshme“, tha ai.
Ndërkaq ndaj vendimit reagoi edhe organizata Amnesty International, sipas së cilës kjo ngre pyetjen se “nëse të tre ish pjesëtarët e lartë të UÇK-së nuk janë fajtor, atëherë kush i ka kryer këto krime?”
Në reagimin e kësaj organizate thuhet se 800 pjesëtarë të komuniteteve pakicë në Kosovë, ka dyshime se janë rrëmbyer dhe vrarë nga UÇK-ja. Vetëm një numër i vogël i trupave të tyre është gjetur, zhvarrosur dhe kthyer te familjet e tyre për varrim.

 Tirana reagon për lirimin e zotit Haradinaj

Tirana zyrtare dhe politike mirëpriti sot shpalljen të pafajshëm dhe lirimin nga Gjykata e Hagës të kryetarit Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani deklaroi se vendimi i Gjykatës së Hagës për të çliruar nga të gjitha akuzat Ramush Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn është një fitore e rëndësishme e drejtësisë dhe shprehje e shkëlqyer e paanësisë së kësaj Gjykate.
Ky vendim ka një dimension human për familjarët dhe të afërmit, është i një dimensioni kombëtar për shqiptarët që mbështetën me përpjekje të pandërprera çlirimin e Kosovës, për të rënët që bënë sakrificën sublime, për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për rolin dhe imazhin e saj në betejat për të mbrojtur qenien shqiptare nga një makineri shfarosëse dhe për të fituar lirinë” – thuhet në deklaratën e presidentit, të shpërndarë enkas për këtë ngjarje. Presidenti Nishani thekson se popujt e rajonit duhet të shikojnë nga e ardhmja e përbashkët duke lënë pas të shkuarën, por pa e harruar atë. 

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se “ky ishte lajmi më i gëzueshëm që më erdhi mua e të gjithë shqiptarëve”. Zoti Berisha tha se pafajësia e Ramush Haradinajt është triumf i drejtësisë ndërkombëtare e i ligjit ndërkombëtar, dhe se përpjekjet për të simetrizuar gjërat josimetrike kanë marrë përgjigjen e merituar nga Gjykata Ndërkombëtare.
 “Nuk kam pasur kurrë asnjë dyshim tek drejtësia dhe tek pafajësia e zotit Haradinaj” – tha zoti Berisha, duke vlerësuar zotin Haradinaj si ish kryeministër i Kosovës e “komandant legjendar i njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që mbrojtën me qindra e qindra civilë nga barbaritë”.  Kryeministri Berisha e ftoi zotin Haradinaj në Shqipëri, të festojnë së bashku këtë ditë të madhe dhe 100 vjetorin e pavarësisë, duke theksuar se një ditë më parë uroi gjeneralit Gotovina, “hero kombëtar i popullit mik kroat”, për pafajësinë që mori nga Gjykata Ndërkombëtare.
 Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se Ramush Haradinaj është “heroi i gjallë i UÇK-së”. Ai ka fituar për herë të dytë pafajësinë dhe “lirimi i tij nga Tribunali i Hagës i ka dhënë edhe një herë të gjithë legjitimitetin dhe krenarinë kësaj lufte të drejtë që bëri populli shqiptar në Kosovë” – tha zoti Meta

 Qytetarët përshëndesin vendimin e Hagës

 Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, i cili të enjten e liroi nga akuzatRamush Haradinajn dhe dy bashkëluftëtarët e tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, nga qytetarët në Prishtinë është vlerësuar i drejtë dhe si një vendim, i cili jo vetëm se i shpall të pafajshëm të akuzuarit, por që nxjerr në pah edhe vlerësimin për një luftë të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qytetarët e mbledhur pranë ekraneve të mëdha në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, e kanë përcjellë me mjaft emocione, vendimin për lirimin e Ramush Haradinajt.

Shaip Jusufi nga Podujeva, i përlotur, tha se vendimi i Gjykatës në Hagë, lidhur me Haradinajn dhe bashkëluftëtarët e tij, e çoi në vend drejtësinë, ndonëse, sipas tij, pak me vonesë:

“Vendim shumë me vend. Ramushi ka qenë luftëtarë i lirisë… si i tillë nuk është dashur të burgoset. Sot është dita më e bukur në këto 100 vitet e fundit, përveç pavarësisë”.

Zheraldina Çeku theksoi se drejtësia për luftëtarët kosovarë ishte vënë në vend nga Gjykata e Hagës:

“Drejtësi e vonuar apo e pa vonuar… por, kurrë nuk është vonë. Vendim me vend. Normalisht, sepse është vetëmbrojtja dhe mbrojtja e popullit. Mirëpo, këtë moment e përjetuam të gjithë, shumë të gëzuar dhe të lumtur. Ka qenë moment i shumëpritur dhe shpresojmë dhe besojmë se do të ecim përpara”.

Lirimin e Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Mahmut Raxhepie  quajti moment shumë të rëndësishëm për Kosovën:

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën. Është momenti i lirimit të Ramush Haradinajt. Me këtë verdikt, Gjykata e Hagës vërtetoi pafajësinë e Ramushit, si dhe luftën e pastër të UÇK-së për lirim”.

Sadete Vitia tha se lirimi i Haradinajt është një lajm shumë i mirë për Kosovën:

“Nuk po kam shumë fjalë për të komentuar, për arsye se jemi shumë të emocionuar edhe unë, por edhe në përgjithësi qytetarët që po i shoh. Por, me një fjalë, u bë shumë mirë. Më në fund, drejtësia doli në shesh dhe u bë shumë mirë. Dashtë Zoti e kthehen mirë ata”.

Për Idriz Gashin është fitore të drejtësisë lirimi i Haradinajt, Brahimajt dhe Balajt nga akuzat, me të cilat u përballën në Gjykatën e Hagës:

“Mendoj se drejtësia ka fituar. Tribunali i Hagës e ka dhënë atë verdikt që e ka merituar Kosova, çfarë e ka merituar prijësi i luftës. U vërtetua se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë luftë e drejtë, ka qenë luftë mbrojtëse dhe kjo rezultoi me lirimin e sotëm të zotit Haradinaj dhe dy të tjerëve të akuzuar. Është fitore e madhe për popullin e Kosovës, sepse ai do t’i kthehet Kosovës me atë vrullin dhe elanin që e ka lënë në vitin 2005”.

Halit Shabani nga Gjakova, lirimin e Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, e quajti  moment të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët:

“Megjithatë, thonë se e vërteta gjithsesi del në shesh dhe kjo korrespondon me atë që edhe vetë Ramushi me shokët e tij u lirua dhe bota e ka parë se ne kemi zhvilluar një luftë të drejtë dhe të pastër. Kështu që, kjo korrespondon me atë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për çlirimin e vendit. Ky është një moment jashtëzakonisht i mirë, jo vetëm për këta luftëtarë, por për krejt kombin shqiptar”.

Arritja e Ramush Haradinajt në Prishtinë, u prit me kremte nga qytetarët. Ata ishin dyndur drejt sheshit “Nëna Terezë” duke ardhur nga rajone të ndryshme të Kosovës.

Demush Mehmeti tha se lirimi i Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, është shkak për të festuar në gjithë Kosovën:

“Kjo për mua dhe besoj se për të gjithë qytetarët e Kosovës është një kënaqësi e madhe, sepse më në fund fitoi drejtësia. U lirua njeriu i pafajshëm, u arsyetua lufta e drejtë e UÇK-së, u vlerësua lufta çlirimtare e popullit të Kosovës me në krye komandant Ramush  Haradinaj dhe të gjithë komandantët e tjerë. Populli shqiptar, së paku në aspektin shpirtëror, ndjen një liri dhe kënaqësi”.

Edona Jusufi theksoi se vendimi i Gjykatës së Hagës ka qenë mjaft domethënës për figurën e Haradinajt dhe bashkëluftëtarët e tij:

“Kjo do të thotë shumë. Pas 7 vitesh u pa që përnjëmend ka qenë e drejtë krejt ajo që ka folur ai (Haradinaj) dhe ajo çfarë ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Miftar Brahimaj, nga Jabllanica e Gjakovës tha se Gjykata e Hagës e vërtetoi atë që, sipas tij, kosovarët e kanë ditur që moti:

“Vlerësojmë që lufta jonë ka qenë e drejtë dhe kjo u vërtetua nga drejtësia e Tribunalit”.

Halit Rexhepi nga Gjilani, vlerësoi se kthimi i Ramush Haradinajt nga Haga do të bëjë kthesë edhe në skenën politike në Kosovë:

“Sigurisht do të jetë një promotor në politikën kosovare, i cili shumë gjëra do t’i shtyjë përpara, sepse ai e ka dëshmuar me aktivitetin dhe punën e tij edhe në periudhën sa ka qenë 100 ditë kryeministër i Kosovës. Prandaj, shpresat e kësaj popullate janë që do të bëhet një kthesë në politikën kosovare”.

(Kortezi Zeri i Amerikes)

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Haradinajt, Kosova feston, Lirimi i Ramush, Serbet inatosen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 854
  • 855
  • 856
  • 857
  • 858
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall
  • Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj
  • Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global
  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT