• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PS GABOI ME MBRETIN ZOG I

November 20, 2012 by dgreca

NGA MENTOR NAZARKO/

Mund të ketë shumë diskutime për Komisionin që administroi festimet e 100-vjetorit, për përbërjen e tij – a duhet të kishte brenda tij dhe nga opozita -, për vendimet që ai mori, mes të cilave përkujtimin e Ahmet Zogut, Mbretit të shqiptarëve, por vendimet ishin shtetërore. Domethënë, edhe vendimet për këtë përkujtim, mes të cilave ndërtimi i mauzoleut, riatdhesimi i eshtrave etj., kishin karakter institucional dhe jo partiak. Ndaj duket e çuditshme se pse në ceremonitë e organizuara lidhur me këtë figurë mungoi thuajse tërësisht opozita.
A ishte e drejtë qasja e opozitës?
Mbreti Zog, pa hyrë shumë në analizën e veprës së tij historike, duket se ka krijuar një simpati mjaft të fortë në popull, trashëgimi të pashlyeshme, e cila u duk qoftë në rezultatin zyrtar të referendumit pro monarkisë (diku te 36%), qoftë dhe në homazhet e organizuara ditët e fundit. A është inteligjencë prej forcës më të madhe të opozitës të injorojë ndjeshmërinë e kësaj pjese të popullsisë? Deputeti i PS për zonën e Matit, zoti Minxhozi, në respekt të kësaj ndjeshmërie, mori pjesë në ceremoni, por nuk kuptohet se pse drejtues të lartë të PS-së zgjodhën të theksonin qasjen e refuzimit në bllok, të thellimit të ndarjes ideologjike apo politike që ekziston në popullsi.
Mbërritëm këtu te një moment i rëndësishëm – qasja pajtuese. Nuk ka moment më të rëndësishëm pajtues për një komb, për një klasë politike, sesa një jubile i rrallë si 100-vjetori i pavarësisë, ngjarje për të cilën gjithë populli ka mendim të njëjtë. Mbreti Zog mund të gjykohet në tri mënyra kryesore. Ose si politikan që ka 100% kontribute të mëdha në ndërtimin e shtetit shqiptar, ose 50/50, ose më pak se 50%. Natyrisht, jo sipas shkollës kineze së cilës iu referua një historian dhe politikan i së majtës, që foli për dy të këqija dhe 100 të mira të Zogut. Jashtë kësaj shkolle, madje për të thyer pak skrupujt elektoralë të drejtuesve të opozitës, bashkëshortja e Enver Hoxhës, Nexhmija, në një intervistë të fundit fliste për nevojën e vlerësimit të disa veprave të mira të Mbretit. Por edhe sikur ta konsideronim Zogun si njeri që ka bërë më shumë dëme sesa të mira, 100-vjetori është rasti më i mirë për pajtim mes asaj pjese të popullsisë që e do Zogun dhe asaj që nuk e do, që nuk dihet se sa është. Nuk mund t’i marrim për referencë ata që votojnë për Legalitetin, sepse me siguri ndjeshmëria pro-monarkiste në Shqipëri është më e madhe sesa numri i votave zyrtare që merr kjo parti. Zogu ishte antifashist, edhe vetë Enver Hoxha e ka pranuar këtë, ndërsa në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë thirri Abaz Kupin apo oficerë të tjerë të lartë, përfshi Spiro Moisiun, komandantin e Shtabit, dikur oficer i Ushtrisë Mbretërore. Dikur, në fund të viteve ‘80, duke dëgjuar Radio Beogradin në gjuhën shqipe, mësova për një aktivitet që organizohej në mënyrë të përvitshme, një lloj tubimi pajtues midis veteranëve partizanë dhe veteranëve çetnikë. Duke iu referuar Jugosllavisë së atëhershme, lëvizja partizane e saj ishte shumë e fortë, ashtu si dhe përbërësja e kolaboracionistëve. Por, me sa duket, pajtimi ishte bërë, dhe flasim për dhjetëra vite më parë. Pse nuk duhet të ndodhte te ne ky pajtim mes pjesëve të popullsisë shqiptare që ndahen për një figurë historike si Zogu? Në fund të fundit, ky nuk iku prej Shqipërisë si fashist, sepse nëse do të ishte i tillë si Metaksai për shembull, do të rrinte në fron, pavarësisht si do të shkonin punët në fund të luftës.
Në një këndvështrim pragmatik, ky akt pajtimi do të kishte dhe vlerë elektorale. Nëse PS-ja, në emër të këtij interesi elektoral, përveçse për ndjenjë drejtësie, ka përfaqësuar kauzën e ish-të persekutuarve, pse vallë duhet të mbajë këtë qëndrim refuzues ndaj një figure historike si ajo e Mbretit Zog? Një pjesë e mirë e ish-të persekutuarve kanë vuajtur pikërisht për shkak të simpative monarkiste. A e vret mendjen dikush në PS për një inkoherencë si kjo?
Me një veprim të tillë kah pajtimi, apo thjesht respekti institucional për një kryetar shteti të dikurshëm, PS-ja do të tregonte respekt dhe ndaj Fatos Nanos, paraardhësit të kryetarit aktual. Jo thjesht për ekstravagancë, Fatos Nano si Kryeministër në 2003-shin jo vetëm toleroi votimin në Parlament të PS-së pro kthimit të familjes mbretërore në atdhe, por dhe foli për nevojën e rishkrimit të historisë. Madje kultivoi marrëdhënie miqësore familjare me Mbretëreshën Geraldinë derisa ajo vdiq, jo thjesht nga nevoja për vanitet aristokratik. Ç’kuptim ka që një parti të ecë mbrapsht në gjykimin e historisë, për më shumë ndaj një figure si ajo e Mbretit?
Partia Socialiste, në fakt, ngjan si një parti me shumë shpirtra, por që mjerisht në gjykimin e historisë dominohet nga shpirti i pjesës më të vjetër, jo thjesht të shoqërisë shqiptare. Është kjo pjesë që realisht provokon dhe mediat e shkruara, sidomos t’u kushtojnë hapësira të mëdha historive të figurave të diktaturës, ku ka brenda shumë nostalgji. Nuk janë domosdoshmërisht veteranë të luftës, të cilët koha biologjike i ka rralluar, por pjesë e administratës së dikurshme komuniste, individët që peshuakan në këtë shikim inert të PS-së, ndaj historisë së afërt të shekullit të 20-të. Kjo inerci në gjykime e ka frenuar PS-në të shikojë në mënyrë analoge me partitë e majta perëndimore dhe themeluesit e vet, që s’janë domosdoshmërisht Enver Hoxha dhe grupi i tij, i spastruar pa mëshirë deri në 1985-n, por Sejfulla Malëshova, Zef Mala, Nako Spiru, Zai Fundo apo të tjerë, të cilët kishin dhe kapacitete të larta ideologjike të njohura madje jashtë Shqipërisë. Kur një parti e madhe e majtë, me trashëgimi historike kaq të larmishme, nuk nderon rrënjët e veta, atëherë është e shpjegueshme pse nuk shkon të bëjë një nderim minimal institucional ndaj një figure si Zogu.
Dikush brenda kampit të majtë, me pretendime akademike, e frymëzon këtë qasje duke thënë se Berisha, me nderimin ndaj Zogut, don të vendosë paralele midis tij dhe Mbretit. Kjo është tërësisht e gabuar për shkak të diferencës shumë të madhe mes këtyre figurave, por kjo është një temë tjetër.(Kortezi Panorama)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Mbreti Zog I, Mentor Nazarko, PS gaboi

FALJE PUUBLIKE PER ISH TE BURGOSURIT POLITIK

November 19, 2012 by dgreca

IKEA – kërkoi falje publike për shfrytëzimin e punës së të burgosurve politikë në ish Gjermaninë Lindore/

 NGA BEQIR SINA, New York/

Ndërmarrja suedeze e mobiljeve IKEA kërkoi falje publike për shfrytëzimin e punës së të ish burgosurve politik në ish Gjermanin Lindore dhe se do të dëmëshpërblejë dhe se IKEA duhet të kompensojë “qindarkë për qindarkë ” ata – në bazët të vlerës së atëherëshme në pagesë ” kundrejt pagësë për çdo ditë pune për punën e bërë vetëm për supergjigantin e prodhimeve të moblijeve IKEA nga Suedia , shton gazeta e Suedisë Aftonbladet..

STOCKHOLM – SWEDEN :  Media Gjermane dhe ato nga Suedia kanë raportuar për një skandal – i cili ka ndodhur në kohën e monizimit me disa nga prodhimet e bëra në tre dekadat e fundit për gjigantin e moblijeve në botë superkompaninë suedeze IKEA.

  Sipas, një investigimi të bërë disa muaj më parë rezulton se mobiljet e këtij gjiganti  të cilat u prodhuan 25-27 vjet më parë në Gjermaninë Lindore janë bërë në kampet e të burgosurve politik – burgjet politike nga të burgosurit politikë( me djersën e mundin e tyre të pa paguar dhe të pa shpërblyer) në ish Gjermaninë Lindore dhe që i përkasin epokës së Luftës së Ftohtë .
Sot, mbas afro tre dekadash IKEA e pranoi se raportet janë të vërteta dhe se disa prej “përfaqësuesve” të saj ishin në dijeni të asaj që po ndodhte, por në saj të “marrveshjeve sekrete” të asaj kohe – nuk ishin në gjendje të flisnin se nga po vinin këto mobilje – mjafton që etiketa e tyre të shkruante “Made in Sweden”.

   Megjithatë, sot pas 27 vjetëve që gjiganti mobilier suedez IKEA, e cila edhe sot njihet si prodhuesi numër 1 në botë për mobiljet në të gjithë botën – kërkoi falje për shfrytëzimin e punës së të burgosurve politikë në Gjermaninë Lindore, dhe mos vlesrimin e punës së tyre – gjë të cilën u detyrua të bëjë më shumë se dy dekada më parë, thuhet në një raport të kompanisë të lëshuar ditën e premte.

   Sipas të dhënave të raportit, në prodhimin e mobiljeve të IKEA-s, në kampet e të burgoserve politik në ish -GDR – Deutsche Demokratische Republik – ata merreshin të detyruar, dhe me “forcë” prej rojeve të burgut – pavarësisht se cila ishte gjendja e tyre, në disa raste edhe shëndetësore apo mosha në mesin e të cilëve kishte shumë disidentë dhe të burgosur për bindjet e tyre politike dhe kundërshtar të regjimit komunist.

  Ajo që po trondit nga themelet këtë skandal është se nga dokumentet e gjetura dëshmohet gjithashtu se bordi drejtues i kompanisë, ka qenë në dijeni të përfshirjes së të burgosurve politikë me forcë policore në prodhimin e mobiljeve, por nuk e parandaloi atë dhe e fshehu megjithatë këtë gjë, jo vetëm para 27 vjetëve por deri tani.

“Ne jemi sot jemi të njderë thellësisht keq që kjo mund të ndodhë”, ka thënë Jeanette Skjelmose, kreu iqëndrueshmërisë në IKEA duke folur për gazetën e Suedisë, për Aftonbladet, e cila botohet edhe në gjuhën anglezelokale.
  Pas raporteve të lajmeve, IKEA pyeti të rinjët suedes në një sondazh kombëtarë se “A është IKEA për të hetuar nga ky skandal !?. Thuhet se më shumë se 85 përqind e tyre janë që të hetohet dhe të zbardhet mirë ky skandal të cilin disa prej tyre e kan quajtur dhe  “turpi” i epokës së sundimit komunistë në Gjermaninë Lindore dhe pjesmarrjes së superkompanisë Suedese në këtë marrveshje të asaj kohe. Si dhe mbajtjen fshehur deri tani të kësaj gjëje.

Mbas kësaj, kompania IKEA  tha se:

    “Hetimi tregon se burgosurit politike dhe një pjesë e atyre për veprime kriminale janë të përfshirë në disa pjesë tënjësive përbërëse të këtyre prodhimeve të saj të cilat janë orendi mobilerie dhe që furnizonte në atë kohë shitoret e supermarketet e IKEA-së nëpër më shumë se 25-30 vende të botës tre dekada  më parë.

     Ajo që po trondit nga “themelet” skandalin e IKEA-s, mbas nxjerrjes së këtij lajmi thonë ata është se hetimi tregon gjithashtu se ka pasur edhe përfaqësues të Grupit të IKEA-së, të cilët në atë kohë ishin të vetëdijshëm për përdorimin e mundshëm e të burgosurve politikë në prodhimin e këtyre moblijeve në ish – Republikën Demokratike Gjermane.Edhe pse Grupi i zyrtarve të IKEA-së, në atë kohë mori hapa për të siguruar që të burgosurit nuk duheshin përdorur në prodhimin, mirëpo ajo tani është e qartë se këto masa nuk ishin mjaft të efektshme, për të mbrojtur të drejtat e të borugusurve politik në atë kohë në Gjermaninë Lindore. ”
IKEA shton se ajo ka depozituar një ndjesi dhe është duke përgatitur një dekleratë publike për të kërkuar falje të gjithë atyre të burgosurve politik dhe familjeve të tyre – në konsultim me Bashkimin Organizative dhe të Shoqatës Mbarëkombëtare së Viktimave të Despotizmit Komunist, ‘UOKG’ në Gjermani.

    Gjtihashtu IKEA vendosi të bëjë një kontribut financiar për projektin e tyre kërkimore shkencore për punë të detyruarnë RDGJ  në gjithë  ish – Republikën Demokratike Gjermane dhe të dëmëshpërblejë të gjithë ata të burgosur politik që me forcën e gardianëve u shfrytëzuan për prodhimin e moblijeve të IKEA-s, prodhim që vinte nga Gjermania Lindore. 

    Gazeta më e madhe e Suedisë Aftonbladet raporton se të burgosurit politik u paguan tre dekada më parë me rreth40 marka gjermane në muaj ( gjithmonë me vlerën e markës së atëhershme në Gjermaninë Lindore) për punën e tyre,dhe që në atë kohë një “rrogë mujore normale” në Gjermaninë Lindore ishte rreth 1.000 marka gjermane të quajtura Markat e Lindjes.

     “Sot shumë nga të burgosurit të cilët kan mbetur gjallë dhe por dhe familjet e tyre, mendojnë se IKEA duhet të kompensojë “qindarkë për qindarkë ” ata –  në bazët të vlerës së atëherëshme në pagesë ” kundrejt pagësë për çdo ditë pune për punën e bërë vetëm për supergjigantin e prodhimeve të moblijeve IKEA nga Suedia , shton gazeta e Suedisë Aftonbladet.

Rainer Wagner, kryetar i UOKG  e cila përfaqëson viktimat e komunizmit, dhe Federal Komisionerë i Institutit të Përndjekurve Politik – ish anëtari i gazetës së kontrolluar prej qeverisë dhe intiligjencës(Sigurimit të Shtetit)  në ish-Gjermaninë Lindore, Roland Jahn, dhe Peter Betzel,  kreu i IKEA-s, në Gjermani, nga e majta, duke folur për fillimin enjë ndërmarrje të përbashkët në “skandalin” e tre dekadave më parë, dje në konferencë për shtyp në Berlin, Gjermani,e premte, nëntor 16, 2012. Gjigandi suedez i mobiljeve IKEA shprehur keqardhjen të premten se ajo përfituar nga përdorimi i punës së detyruar e burgjeve politike nga disa prej furnizuesve të saj në ish Gjermaninë Lindore, gjermaninë komuniste në më shumë se dy dekada më parë Rainer Wagner, kryetar i UOKG e cila përfaqëson viktimat e komunizmit, dhe Federal Komisionerë i Institutit të Përndjekurve Politik – ish anëtari i gazetës së kontrolluar prej qeverisë dhe intiligjencës(Sigurimit të Shtetit) në ish-Gjermaninë Lindore, Roland Jahn, dhe Peter Betzel, kreu i IKEA-s, në Gjermani, nga e majta, duke folur për fillimin enjë ndërmarrje të përbashkët në “skandalin” e tre dekadave më parë, dje në konferencë për shtyp në Berlin, Gjermani,e premte, nëntor 16, 2012. Gjigandi suedez i mobiljeve IKEA shprehur keqardhjen të premten se ajo përfituar nga përdorimi i punës së detyruar e burgjeve politike nga disa prej furnizuesve të saj në ish Gjermaninë Lindore, gjermaninëkomuniste në më shumë se dy dekada më parë

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Sina, burgosurit politik, falje, per ish te

FUNDNËNTORI 2012, TIRANA E DAFINAVE DHE E GJEMBAVE

November 19, 2012 by dgreca

Nga SKËNDER BUҪPAPAJ/

Dafina, kjo bimë mesdhetare me gjethe gjithmonë të gjelbra e me erë të këndshme, për çka është dhe simbol i fitores, triumfit e lavdisë, por edhe, bash për shkak të ngjyrës tunduese dhe erës gjumëndjellëse, simbol i vetëshkujdesjes, vetëdehjes dhe vetëkënaqësisë, në fakt nuk ka si të mos jetë edhe shoqëruesja metaforike e atmosferës që përjeton dhe përcjell Tirana e këtyre ditëve të fundit të nëntorit 2012.Kryeqyteti i Shqipërisë dhe i shqiptarëve është kryeqendër e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, të shpallur në Vlorë më 28 Nëntor 1912, nga Plaku i Vlorës Ismail Qemali dhe të thirrurit e tij të asaj dite nga anë të ndryshme të vendit. Ishte e natyrshme që viti i 100të i shtetit tonë të qe vit i bilancit shekullor në të gjitha fushat, vit i rishikimit dhe i ripasurimit të historisë sonë në një dritë të re të munguar më herët për faje subjektive dhe objektive. Është e natyrshme që fundi i këtij viti të jetë edhe vit i konfirmimit dhe rikonfirmimit, kritik e vetëkritik të heriarkisë së ngjarjeve, personaliteteve, zhvillimeve të kombit.

Ruajtja e integritetit territorial të Shqipërisë së dalë nga 28 Nëntori 2012, pavarësia e Kosovës e shpallur zyrtarisht para katër-pesë vjetësh, integrimi i Shqipërisë në NATO dhe statusi i kandidatit për në BE janë disa nga arritjet, triumfet, fitoret që meritojnë të jenë pjesë e bilancit tonë shekullor. Lavdia e tyre relativizohet nga kthimet e shumta prapa gjatë kësaj historie dhe nga prirjet e fuqishme sot e kësaj dite për kthime prapa, madje për kthime fatale mbrapa. Edhe meritat tona të përgjithshme e ato të veçanta relativizohen, për shkak të rolit dhe pjesëmarrjes sonë – mbarë apo mbrapsht – në këto dukuri. 

Kundërthëniet e përjetshme të ndërthurura me ato koniunkturore e karakterizojnë edhe jetën e kombit tonë numerikisht të vogël, ashtu si e karakterizojnë jo pak edhe jetën e kombeve të tjera numerikisht të mëdhenj apo shumë të mëdhenj. Tek i përmendim dafinat, triumfet, fitoret, lavditë është e pamundur të mos e kujtojmë Trojën atë natë kur mikpriste dhuratën e Odisesë, ndonëse Tiranës së sotme i mungojnë Priamët sikurse dhe Laookontët. Tirana e sotme karakterizohet nga sharlatanë që i rrëmbejnë për vete kurorat e dafinave dhe ua përplasin të tjerëve kurorat e gjembave. Kështu ndodh që e njëjta kokë që vetëstoliset me dafina, njëkohësisht përdhoset me gjemba nga pala tjetër. 

Nëse kjo dukuri do të kufizohej në studiot, në konferencat, në botimet dhe publikimet, pa dyshim do të ishte normale dhe do të ishte e natyrshme si në çdo vend tjetër të hapur, me dëshirë apo pa dëshirë, ndaj botës. Në Shqipëri ndodh ajo që nuk ndodh as në kulturat më retrograde, nuk ndodh as në kontekstet më ballkanike, ku Shqipëria jonë përfaqëson tashmë, e vetme, kampionen. Vetëm në Shqipëri, edhe gati një çerek shekulli pas hapjes ndaj botës, ndodh që festimet bëhen me dy protokolle paralele, vetëm në Shqipëri ndodh që e njëjta figurë lartohet në qiell prej një pale, ndërsa fundoset në fund të baltës nga pala tjetër.

E keqja më e madhe e më e zezë është se kjo nuk bëhet për llogari të figurave historike as për llogarit të historisë kombëtare, as për llogari të 100 vjetorit të shtetit, por bëhet për llogari të sharlatanëve që janë sot në krye të Tiranës, të cilët e rrezatojnë sharlatanërinë e tyre anembanë vendit dhe anembanë shqiptarëve, tashmë jo të izoluar, por në praninë e syve të botës, në praninë e syve të hapur të botës. E keqja është se sulmohen apo mbrohen figurat e mëdha, absolutizohen anët e tyre negative nga sulmuesit dhe ato pozitive nga mbrojtësit, vetëm për të madhështuar të tjerët dhe për t’i ulur të tjerët. Kjo bëhet vetëm ngaqë duan të identifikojnë veten e tyre si Zogu i sotëm, si Enveri i sotëm, pse jo edhe si Skënderbeu i sotëm. 

Rradaket e tyre boshe e të thata nuk mund të kuptojnë se figurat sa më të mëdha të jenë, aq më mbresëlënëse dhe aq më të pashpërfillshme bëhen të metat e tyre. Dhe harrojnë se figurat sado të mëdha, aq sa të pajisura me lartësi njerëzore janë edhe të pajisura me dobësi njerëzore. Harrojnë se edhe profetët kanë pasur lartësitë dhe dobësitë njerëzore, edhe gjenitë, edhe heronjtë nuk i kanë shpëtuar dhe nuk kanë për t’i shpëtuar dot këtij rregulli. Kush i ka lexuar librat e shenjtë, kush i ka lexuar thëniet e profetëve, kush e ka njohur jetën e përditshme të figurave më të larta të njerëzimit, të interpretuar e të dëshmuar prej vetë atyre, e pranon me gjakftohtësi se edhe figurat e larta shqiptare kanë pasur lartësitë dhe madhështitë, ultësitë dhe dobësitë.

Sharlatanët në krye të Tiranës nuk ua pranojnë këto gjoja të adhuruarve të tyre, gjoja shembelltyrave të tyre, gjoja udhërrëfyesve të tyre jo se druajnë errësimin e realitetit, por druajnë se mos vihet në diskutim edhe madhështia e lartësia e mbretëruesve të sotëm, druajnë se mos ultësitë dhe dobësitë i mbulojnë dhe i fundosin. Kjo vjen ngaqë janë të paemancipuar, janë mediokër, janë politikanucë, janë enverucë, janë diplomatucë, por nuk kanë lidhje as me Gjergj Kastriot Skënderbeun, as me Ismail Qemalin, as me Ahmet Zogun. Këta tre do të trupëroheshin nga ata që përpiqen sot të fitojnë votat duke i monopolizuar figurat e tyre. 

Populli shqiptar i njeh krerët e Tiranës dhe, ngaqë, në gjendjen ku ndodhet, prapë është shumë herë më i lartë se sharlatanët që e drejtojnë, i pranon. Ngaqë këta i kanë mbetur në derë, i pranon ashtu si janë, me të metat e shumëta dhe ligësitë e shumëta. I pranon, sepse bën relativizime mes dëmit dhe dobisë së tyre, bën relativizime në kuadrin e një historie mbijetese, çka është edhe kjo e 100 viteteve të fundit.

As Pavarësia e Shqipërisë, aq më tepër në këtë 100 vjetor, nuk do t’iu shpëtojë kornizave krahinore dhe ideologjike, ashtu si nuk iu ka shpëtuar as Ҫlirimi i Shqipërisë. As Pavarësia nuk do t’iu shpëtojë gjembave të një pale, as Ҫlirimit nuk do t’iu shpëtojë gjembave të palës tjetër. Në vend që të forconte unitetin kombëtar, edhe Festa e Pavarësisë po e thellon anarshinë. Në fakt as njëra palë, as pala tjetër nuk e pranojnë e nuk e përfytyrojnë dot shqiponjën me dy krerë në fushën e kuqe, sepse në vend të saj përfytyrojnë drapërin dhe çekanin. Ngaqë sharlatanëria e sotme i ka rrënjët jo tek data të tjera, por thjesht e vetëm tek 8 nëntori 1941 i dushanianëve dhe miladinianëve. Janë pikërisht dushanianët dhe miladinianët, dikur në krye të të njëjtës parti dhe, prej gati një çerekshekulli, tashmë në krye të dy partive.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe gjembave, Skender Bucpapaj, Tirana e dafinave

Fashistët e rinj të Evropës

November 19, 2012 by dgreca

Një mbrëmje shtatori të vitit 2011, Ali Rahimi, një azilkërkues 27-vjeçar afgan, po rrinte me miqtë e tij, jashtë banesës së tij në qendër të Athinës, kur dhjetëra grekë iu afruan.
Disa nga ta e sulmuan me thikë. I frikësuar, ai iku në banesën e tij dhe luftoi përsëri, për t’i larguar njerëzit nga dera. Gjaku shpërtheu në gjoksin e tij, nga pesë plagë që mori me thikë në shpinë dhe gjoks, nis artikullin “International Herald Tribune”.
Rahimi mbijetoi dhe është duke qëndruar në Greqi. Por, shoku i tij, Reza Muhamedi, i cili u plagos gjithashtu në sulm, është duke marrë parasysh atë që dikur do të ishte e paimagjinueshme: të kthehet prapë në Afganistan. Ai ndjen se tash atje do të jetë më sigurt sesa në Greqi.
Greqia, shkruan IHT, është pika kryesore e hyrjes për emigrantët aziatikë dhe afrikanë dhe azilkërkuesit që synojnë Evropën; sot në këtë vend ka rreth 1 milionë nga ta. Kjo, si pasojë e dështimit të qeverive të njëpasnjëshme greke për të krijuar një politikë funksionale të emigrimit apo azilit si dhe një rregulloreje të BE-së, e cila i lejon vendet anëtare që t’i kthejnë azilkërkuesit në vendin e parë ku kanë hyrë në Evropë, që shpesh është Greqia.
IHT përshkruan se disa pjesë të Athinës duken si zona lufte.
“Bandat raciste lundrojnë natën rrugëve në kërkim të viktimave”, thuhet në artikull.
Themis Skordeli, një anëtar i grupit që është akuzuar për therjen e zotit Rahimi, konkurroi pa sukses për Parlament në kuadër të “Agimit të Artë”, një grup fashist që aktualisht është subjekti i tretë politik më i popullarizuar në Greqi.
Agimi i Artë, u themelua në vitin 1985 me urdhrin e liderit të burgosur të juntës greke. Partia u vu në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, pasi disa prej anëtarëve të saj thuhet se morën pjesë në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995 kundër myslimanëve boshnjakë.
Grupi në publikimet e tij, lavdëron Rajhun e Tretë dhe shpesh paraqet fotografi të Hitlerit dhe nazistëve të tjerë.
Duke shfrytëzuar boshllëkun e sigurisë dhe ksenofobinë në rritje, partia fitoi një ulëse në Këshillin e Qytetit të Athinës në vitin 2010.
Në zgjedhjet e Greqisë në fillim të këtij viti, partia kapitalizoi ndjenjën anti-emigrante duke e përbuzur establishmentin politik që solli vendin në prag të kolapsit ekonomik. Ajo fitoi pothuajse 7 për qind të votave kombëtare dhe 18 vende në parlament, thuhet në IHT.
Sondazhet e fundit tregojnë se forca e saj vazhdon të rritet, dhe mbështetja e saj është deri në 50 për qind në mesin e punonjësve të policisë, të cilët vazhdimisht dështojnë të hetojnë një numër në rritje të krimeve të urrejtjes.
“Grupet ultranacionaliste të ekstremit të djathtë janë duke shfrytëzuar armiqësitë e vjetra dhe frikën e re në të gjithë kontinentin”, thuhet në artikull.
Edhe pse kjo nuk është Evropa e vitit 1930, qytetarët e zhgënjyer në vendet si Greqia dhe Hungaria po kërkojnë gjithnjë e më shumë përgjigje të thjeshta, duke zgjedhur partitë që fajësojnë dashin e kurbanit – hebrenjtë, romët, homoseksualët dhe të huajt- për të këqijat e tyre.
IHT tërheq vërejtjen se në rrezik, “është shëndeti i demokracisë evropiane, si dhe vlerat dhe institucionet, mbi të cilat qëndron unioni”.
Të zënë me krizën e euros, liderët evropianë nuk kanë bërë pothuajse asgjë për të ndalur, apo kthyer kahjen e tendencave të rrezikshme politike të unionit.
Ndryshe nga Greqia, Hungaria ka një histori të grupeve fashiste, përfshirë Frontin Kombëtar Hungarez, një grup anti-semit, anti-rom, që ka themeluar një ngjarje vjetore ndërkombëtare neo-naziste dhe rregullisht mban stërvitje paramilitare ne një bazë ushtarake sovjetike. Që nga kriza ekonomike e Hungarisë, grupet ekstremiste të reja kanë dalë në pah, ndërsa, Fronti Kombëtar Hungarez ka fituar rëndësi në nivel kombëtar, vë në pah gazeta.
Në vitin 2009, Jobbik, një parti e vetëquajtur “partia radikale patriotike e krishterë” me lidhje me një milici, hyri në Parlamentin e Hungarisë. Për të mbledhur njerëz në tubime, partia shpesh është mbështetur në marshimet e urrejtjes dhe fushatave të kërcënimit që shërbejnë si ushqim për racistët, thekson ndër të tjera IHT.
Udhëheqësit evropianë nuk duhet të heqin dorë nga beteja në luftën e ideve. Ata duhet të denoncojnë publikisht partitë që përqafojnë doktrina raciste dhe vjellin urrejtjen e mbushur me retorikë dhe në mënyrë të qartë të përcaktohen në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta të një Evrope gjithnjë e më të integruar, vë në pah gazeta.
Për ta bërë këtë, thuhet në artikull, ata duhet të zhvillojnë një qasje pan-evropiane për monitorimin dhe hetimin e krimeve të urrejtjes të rrjeteve ekstremiste të krahut të djathtë, që veprojnë përtej kufijve.
“Bashkimi Evropian duhet të sigurojë që të gjitha shtetet anëtare, të vjetra dhe të reja, duhet të respektojnë të njëjtat kritere, që aktualisht janë vënë si kushte për vendet që aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian, sidomos ruajtjen e stabilitetit të institucioneve, që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e pakicave”.
Përndryshe, shkruan IHT, Evropa përballet me një spektër më të gjerë të dhunës ksenofobe dhe prishjen e rendit liberal demokratik, që i ka tërhequr kaq shumë njerëz të persekutuar të kërkojnë azil dhe mundësi në brigjet evropiane.

Përgatiti: Albana Isufi

Filed Under: Opinion Tagged With: albana Isufi, e rinje, fashistet, te europes

FESTA QE NA PERCANE

November 17, 2012 by dgreca

Pse është e pavend festa e çlirimit?/

NGA SAIMIR LOLJA  /

 Po bëhen mbi 20 vjet që vazhdon një ndarje midis njerëzve nëse dita e festës së ç/lirimit duhet të jetë 28 apo 29 Nëntori. Përçarja shtrihet që nga dy shqiptarë të kudondodhur në botë që diskutojnë për këtë “datë” e deri tek majat politike të shtetit zyrtar shqiptar. Vetëm fakti që kjo festë qeveritare (jo kombëtare, jo e përbashkët, jo e të gjithëve) sjell vetëm perçarje e grindje dhe aspak bashkim e respekt njerëzor, nënkupton që ajo “datë” nuk duhet të festohet; arësye të tjera renditen më poshtë.

            Fjalë për fjalë, nacional-çlirimtare domethënë se një komb, me këtë rast i yni, lirohet rrënjësisht (çlirohet) nga pushtuesit. Që këtu ky emërtim ngec, sepse kombi shqiptar nuk mbaron tek Ura e Shirokës, në Veri, apo në Kakavijë, në Jug, dhe të pranosh një ditë të tillë do të thotë të pranosh Shqipërinë e coptuar. Edhe në kohën e tanishme, regjizura dhe rolet e teatrit politik shqiptar s’kanë ndryshuar përveçse artistëve të rinj që i luajnë këto role. Njëra palë nga këta artistë thotë se ushtria gjermane kaloi Urën e Shirokës më 29 Nëndor 1944 në orën 00:15 të natës/mëngjez; pala tjetër e artistëve thotë se ushtria gjermane kaloi Urën e Shirokës në Shkodër më 28 Nëndor 1944 në orën 23:45, natën! Dokumenta të ardhura nga Gjermania në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë zyrtare tregojnë se forcat ushtarake gjermane të Luftës II Botëore ishin në Shqipëri edhe më tej se 29 Nëndori 1944 dhe kur u larguan [pa luftë] në Dhjetor 1944 ikën sipas planit të tyre të tërheqjes nga vendet e Europës Juglindore.

            Ç’do të thotë pushtues? Përgjigjen e jep vetë historia shqiptare që nga fundi i Nëntorit 1944: zbatimin mizor të “luftës së klasave”, përndjekjet masive të njerëzve, humbjen e të drejtave të tyre, internimet, burgosjet e pushkatimet, sidomos të ajkës së kombit, të shkollarëve, atdhetarëve e klerikëve të besimit të lirë fetar; grabitja e pasurive të tundshme dhe të patundshme: fabrika, dyqane, mjete prodhimi, sipërfaqe toke, mallra, sende me vlerë, vepra arti, monedha ari e bizhuteri, të tëra sipas një plani të paramenduar me etapa për zhdukjen e pronësisë private biles edhe në mendjet e njerëzve, dërgimi jashtë Shqipërisë i pasurive kombëtare; prishja e raporteve shoqërore dhe traditave qytetare; rrethimi me tela me gjemba i Shqipërisë (në bashkëpunim me të huajt); humbjen e plotë të lirisë së fjalës, shtypit, përfaqsimit politik dhe mendimit.

            Nëse Shqipërisë do t’i kishte ardhur liria pas Nëndorit 1944, atëhere luftimet dhe armiqësitë e lindura nga Lufta II Botërore në Shqipëri duhej të kishin mbaruar menjëherë pas Nëndorit 1944 dhe amnistia e përgjithshme duhej të ishte shpallur [ndonjëherë]. Nëse Shqipëria zyrtare do ishte e çliruar pas Nëndorit 1944, atëhere menjëherë pas Nëndorit 1944 do kishte parti politike që do përfaqsoheshin nëpërmjet zgjedhjeve të lira në Kuvend dhe shtypi do të përcillte fjalën dhe mendimin e lirë.

            Lufta II Botërore në Europë filloi më 7 Prill 1939 kur Italia fashiste, me pëlqimin nga qeveria britanike, sulmoi Shqipërinë. Si rrjedhim, Shqipëria u bë pjesë e teatrit luftarak botëror, donin apo nuk donin njerëzit e saj. Nëse hidhet vështrimi mbi shtetet e tjera që u përfshinë në Luftën II Botërore, mësohet menjëherë se nuk ka shtet që të festojë ndonjë ditë “të çlirimit”. Bie fjala, Bashkimi Sovjetik humbi mbi 26 milion njerëz në Luftën e Dytë Botërore dhe do i takonte atij në rradhë të parë të festonte një festë të tillë; por ai nuk ka patur ndonjëherë festë të tillë! Ajo që egziston dhe përkujtohet nga të gjithë në Europë është 8 Maji (9 Maji, me orën e Moskës), si dita e mbarimit të Luftës II Botërore dhe fitores kundër fashizmit. Shumë e thjeshtë dhe shumë thjesht, sepse më 8 Maj 1944 krye-komandanti i ushtrisë gjermane nënshkroi për palën gjermane kapitullimin e ushtrisë gjermane. Për sa i përket Shqipërisë, një dokument i ngjashëm kapitullimi nuk egziston dhe as kishte kushte të krijohej. Meqenësë Shqipëria zyrtare ishte pjesë e aleancës kundrafashiste gjatë Luftës II Botërore, po me ato aleatë dhe me të njëjtën mënyre duhej të festonte fundin e luftës botërore.

            Heqja e e “ditës së ç/lirimit” nuk do të thotë se mohohen luftimet apo shkatërrimet që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore. Heqja e “ditës së ç/lirimit” nuk do të thotë që të mos respektohen të gjithë luftëtarët që humbën jetën apo u plagosën në betejat ku shqiptarët morën pjesë, përfshirë edhe qindra partizanët shqiptarë që humbën jetën, si edhe të plagosurit, në luftimët matanë Hanit të Hotit e deri në Vishegrad të Bosnjes gjatë Luftës II Botërore. Heqja e e “ditës së ç/lirimit” nuk kërkon të harrohen të gjithë ato luftëtarë ose jo që u masakruan qëllimisht nga palët ndërluftuese të Luftës II Botërore. Si kudo, për një respekt madhor e të qytetëruar ndaj të Rënëve në luftra nevojitet dhe egziston një ditë përkujtimore e quajtur Dita e të Rënëve në Luftë. Për t’u kujtuar është 11 Nëntori që përkujtohet në Europën Qëndrore e Perëndimore si dhe në Amerikën e Veriut. 11 Nëntori përkujton dhe nderon humbjet e jetës të ushtarakëve dhe qytetarëve në kohë luftash. Kjo ditë e ka origjinën tek çasti i nënshkrimit të mbarimit të Luftës I Botërore prej ushtrisë gjermane në orën 11 të datës 11 të muajit të 11të (Nëntorit) të vitit 1918. Një gjë e tillë akoma po mungon në Shqipërinë zyrtare. Pjesmarrësit dhe të rënët ndër luftëra, ato që e përballuan luftën më forma e pasoja të ndryshme, pavarësisht se në cilën “anë” kanë qenë, pavarësisht se si ngjyrosen nga fituesit e luftës, i kanë pas marrë me vete dallgat e luftës të cilat nuk përcaktohen nga njeriu i veçantë. Të rënët dhe të plagosurit në luftra, ushtarakë dhe qytetarë, kanë qenë njerëz me të drejtën natyrore për të jetuar e për të mos u dëmtuar, prandaj është e domosdoshme me i përkujtuar pa dallim. Prandaj:

            Nuk mund të jetë festë mbarëkombëtare dhe e përbashkët një festim qeveritar që mbart në vetvete luftën dhe përçarjen midis shqiptarëve. Kjo nuk është për mburrje, por veçse për keqësi. Bashkimi, mirëqënia, bashkëjetesa, ripërtëritja, bashkëpunimi dhe përparimi kërkojnë mirënjohje e respket midis njerëzve, brezave e grupeve shoqërore. Që nga 1944, një “festë” e tillë nuk ka përcjellur nga brezat më të vjetër një mision të tillë për brezat e rinj. Një “festë” e tillë nuk e kryen një mision të tillë, në fakt e minon dhe e helmon një gjë të tillë. Një “festë” e tillë nuk ka patur patur ndonjëherë qëllim që të sillte armëpushim midis shqiptarëve dhe as të hamonizonte emocionet e njeriut të veçantë me respektin ndaj të gjithëve. Për më shumë, emërtimet (të mirët apo të këqinjtë) që rrjedhin nga kjo “festë” janë fare pa kuptim në kohën tonë.

            Nuk mund të festohet një ditë që i përket një “festë” e cila qëkur u montua vetëm Shqipërisë e kombit shqiptar nuk i ka shërbyer. Ajo “festë” i ka shërbyer dhe vazhdon t’iu shërbejë armiqve të Shqipërisë dhe në rradhë të parë të shteteve fqinje që akoma vazhdojnë t’i mbajë të pushtuara tokat shqiptare.

            Nuk mund të festohet një ditë që pranon një Shqipëri të coptuar dhe nga e cila rrodhën tradhëtitë ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, çarmatimi i shqiptarëve të Kosovës gjatë kthimit nga Vishegradi të dy Divizioneve shqiptare më 1945, lënia kështu e shqiptarëve të Kosovës të tradhëtuar dhe të pa armatosur përballë sulmit dhe masakrave të ushtrisë komuniste jugosllave, bashkëpunimi në masakrën e Tivarit, fashitja e çeshtjes çame duke i bëri qytetarë të Shqipërisë zyrtare çamët e përzënë nga grekërit, etj.

            Nuk mund të festohet një ditë e cila zanafillën e ka në tradhëtinë e madhe të PKSH duke prishur Marrëveshjen e Mukjes (Gusht 1943) dhe mosnjohjen e Kuvendit të Bujanit (fillim Janari 1944) nën udhëzimin e drejtpërdrejtë të emisarëve jugosllavë që themeluan e udhëhoqën PKSH dhe oficerëve britanikë që krijuan e mbajtën në këmbë ushtrinë partizane shqiptare. Marrëveshja e Mukjes bashkonte grupimet luftarake shqiptare duke patur në themel boshtin kombëtar shqiptar dhe Kuvendi i Bujanit vendosi që Kosova kishte të drejtën e vetvendosjes dhe të shkëputjes nga ish-Jugosllavia. Data 29 Nëntor u bë festë e Shqipërisë zyrtare që të përkonte në të njëjtën ditë me festën e Republikës së Jugosllavisë, festë e cila e përkujtonte 29 Nëntorin e vitit 1943. Në atë datë u mbajt në Jajcë të Bosnjes Mbledhja II e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ) dhe u shpall organizimi i shtetit jugosllav të pas luftës. Vendimet dhe organizimet e AVNOJ-it u kopjuan tërësisht në Shqipëri pas disa muajsh në Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944.

            Nuk mund të festohet një ditë e cila qëllimisht, sidomos gjatë viteve 1945-1991, u propagandua aq më fort se dita e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë së Vërtetë më 28 Nëntor 1912, sa që historia para 8 Nëndorit 1941 (data zyrtare e krijimit të PKSH) u venit fare dhe u quajt e keqe.

            Nuk mund të festohet një ditë që shënon fillimin e diktaturës absolute, mbylljen e Shqipërisë ose lidhjen e saj me Lindjen, e më e keqja me ish-Jugosllavinë; rrënimin e deri në mbylljen e qendrave të besimit të lirë fetar; futjen e njerëzve për të banuar nëpër kapanone me kate, prishjen e qyteteve dhe trashëgimisë qytetare, ngritjen pa të ardhme të ndërtimeve të reja; fillimin e gënjeshtrës me lugën e florinjtë më 1945, pasuar me pesëvjeçarët e punës që ishin një hap drejt [fantazmës së] parajsës së barazisë; dhe që vazhdoi me çekun e bardhë më 1991 kur në pushtet erdhën të rinjtë.

            Nuk mund të festohet një ditë e cila shënon fillimin e plotësimit të dëshirës së akademikut serb Çubriloviç të shprehur në Memorandumin tij famëkeq “Përzënia e Shqiptarëve” të botuar më 1937: “…por më e keqja akoma është të mësuarit e Shqiptarëve me idetë Europiane perëndimore të pronës private….”. Shqiptarëve të Greqisë dhe atyre të Shqipërisë zyrtare iu ndodhi e njëjta gjë, kurse në ish-Jugosllavi kjo nuk qe e mundur të arrihej plotësisht.

            Nuk mund të quhet festë një ditë që shënon fillimin e shkatërrimit sistematik të trashëgimisë krijuese, shkollore dhe profesionale shqiptare; dhe njëkohesisht thellimin e turmëzimit mendor të njerëzve, pasojat e së cilës vazhdojnë ta dëmtojnë shoqërinë shqiptare edhe pse kanë kaluar mbi 20 vite nga “kthesa”.

            Nuk mund të festohet një ditë e cila ligjërisht është e paligjshme, sepse në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Neni 14, Pika 5, shkruhet se “Festa e kombëtarë e Republikës së Shqipërisë është Dita e Flamurit, 28 Nëntori”.

Filed Under: Opinion Tagged With: festa e clirimit, festa qe na percane, Saimir Lolja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 857
  • 858
  • 859
  • 860
  • 861
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT