• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FESTA E MADHE DHE INSTITUTI I SHPRESËS

November 26, 2012 by dgreca

NGA BAJAME HOXHA-ÇELIKU-BRUKSEL/

Erdhi dhe festa e shumë pritur nga të gjithë shqiptarët që jetojnë në  trojet Shqiptare por  edhe për ata që jetojnë larg atdheut, në të gjitha vendet e botës.100vjet pavarësi! GEZUAR!

Tirana kryeqyteti i Shqipërisë është veshur kuq e zi duke shpërndarë  kudo atmosferërën festive. Sa bukur! Shpirti të thotë: Ndal e shiko! Shijoje  o shqiptar shekullin e pavarësisë! Dhe me mend ndërmjet flamurit lexon gjithë historinë e vërtetë, të trimave të vërtetë, të një shekulli të tërë mbushur me trimëri, me heroizma, me luftra, me heronj të vërtetë e të sajuar,  me liri të cunguar nga vet shqiptarët, dhe së fundi një Shqipëri me të vërtetë dinjitoze, të lirë demokratike me të gjitha dimensionet e saj. Përpara parlamentit të zë syri edhe institutin e integrimit të përndjekurve politik, dhe papritur përpara të hapet një dritë jeshile, një shpresë e madhe,  ku të duket se ky institut do të mbyll përfundimisht plagët që ende  rrjedhin gjak burgjesh, intërnimesh, të çdo lloji moshe. Sa të futesh në këtë oborr,  shikon gra, burra, të rinj e të reja që hynë e dalin në këtë derë me letra nëpër duar, por me shpresën e madhe  në zemër. Po, dihet, secili i burgosur  që nuk është më, plagët e pambyllura i mori me vete në banësën e tij të fundit, sepse s’ka kohë e s’ka  mjek që mundet të shëroj ato zemra aq të vrara, aq shumë të lënduara, aq shumë të fyera nga një rrebesh marramendës që sundoi për gjysëm shekulli. Pra, brenda këtij shekulli që ne po festojmë sot, ka sunduar  një diktaturë  sa shumë e gjatë, po aq e egër dhe e tmerrshme.  Ah, ndjehet psherëtima për atë dhimbje, për atë fëmijëri, për atë rini, për ata njerëz që s’guxuan të ishin të lirë për të shikuar përpara lirinë e për të mbrojtur dinjitetin e tyre njerëzor.Ndoshta jo rrallë hasim lotin e tyre që ju rrjedh nga një pikëllim, nga një brengë apo bulëzim i pafat, nga një padrejtësi e bërë dikur, e atyre u dhemb shpirti edhe sot  ndërmjet kujtimeve të hidhura, ndërmjet një humbje, apo ëndrre të parealizuar. Që në rinin e tyre të hershme  nuk ditën ç’është gëzimi dhe aq më tepër ç’është liria personale e ndërgjegjes, e fjalës së lirë në një pjese të konsiderueshme të popullit që trajtohej skllavë brenda vendit të tij. Në tërësinë e atyre viteve të nemura vjen e kaluara dhe të troket në çdo çast në zemër e të duket se të thotë : hej, mos më harro ! 100 vjet pavarësi! 50 vjet dhimbje!. Nis edhe mendoj krejt pa dashje apo ndonjë qëllim të caktuar e mendja më shkon te ajo plagë, te ai kamp në të cilin bëra dhe unë pjesë si viktima më e vogël e vitit 59,në kampin e savrës.Por më kujtohet: Rinia e asaj kohe brenda telave ku unë i ndiqja pas dhe i imitoja madhështitë, bukuritë e tyre brenda telave të shpirtit, brenda bukurive të shpirtit të tyre, brenda edukatës së tyre dhe gjithsesi edhe brenda kulturës së tyre të gjerë.Ata ishin të gjithë të bukur !Por ja, përsëri në këto çaste psherëtij dhe sytë më mbushen me lot, e dhimbja ka bërë një fole në zemrën time ku janë strukur brenda saj qindra fëmijë, burra, gra, e ajo rinia dinamike e asa kohe, që s’kërkoi kurrë lëmoshë apo mëshirë në ato vite të zeza fare të pashpresa. Por shpresa e vetme tek këta fisnikë në gjysëm shekulli,ishte dashuria për njeriun,respekti reciprok dhe mirënjohja e përshëndetjeve të tyre shoqëruar nga një buzëqeshje drite e dëlirësie.Tani ajo rini është e plakur fizikisht por e fortë si karakter, dhe me guxim e me fjalën e saj të lirë dhe me shpirtin e gjërë shikon dritën jeshile shoqëruar me shpresën e madhe të jetës, dhe të shoqërisë së re, e cila u ndërtua 20vjetët e fundit në demokraci. Po,është e vërtetë, vdiqën shumë prej tyre. Por ata vdiqën të lirë pa polici mbi buzën e lidhur, ku t’i pengonte edhe për të shkuar në banesën e fundit. Më kujtohet kur vdiq i nderuari Bajram Hoxha, ishte 27, dhjetori. Balta në kamp, të shkonte deri në gjunj dhe të ndjerin e zuri muzgu i ditës tjetër dhe nuk i jepni makinë apo karrocë e leje për ta varrosur në banesën e fundit. Dhe më e tmerrshmja ndodhi: kur ai kishte 5vjet që po prehej në parajsë,i komunikuan një mëngjes tek po bënin apelin te polici, një dënim tjetër shtesë, plus 5 vjet internim pas vdekjes për Bajram Tahir hoxhën I cili nuk kishte hypur asnjëherë në tren gjatë gjithë jetës së tij 53vjeçare, sepse pas vitit 1945,ishte i burgosur pastaj i internuar.

Ali Dema ndjesë pastë, me të birin e të nderuarit Bajram Hoxha, Ganiun, që bënin apelin atë mëngjes të ftohtë te polici, kuptuan mirë mes atij shqetësimi se kishin të bënin akoma me demonë e jo njerëz. Mjerisht, aty ishte ferri i Dantes, ku kishte vetëm një portë për të hyrë, dhe tjetër portë për të dalë, nuk kishin projektuar xhelatët.

Ëndrrat e tyre të pa arritura, të pa realizuara, të ndrydhura  dikur ndër pranga, tani janë zgjuar te fëmijët e tyre ; dhe janë ata që që po shpien përpara aspiratat e tyre.

Prandaj sot kur kaloj  përpara këtij instituti shpresëdhëns, vetvetiu të lind pyetja brenda trurit : A punohet aty brenda për t’i integruar plotësisht këto familje? A është integruar plotësisht në shoqërinë demokratike kjo pjesë e shumëvojtur ? Dhe brenda vetes përsëri e gjen përgjigjen tek pritja e ngrohtë e çdo dikasteri si dhe te ky institucion reabilitimi.Sa hynë në këtë portë duhet harruar porta e ferrit se tashmë, janë hapur faqe të reja në historine demokratike të Shqipërisë. Përshëndetjet e ngrohta i has që sa hynë në katin e parë, e pastaj,  kur shkel në shkallët e katit të dytë, ndjen lehtë një kërcitje të tyre ku mund të merren si një rënkim i thellë, i atyre që po përmenden ende pas vdekjes, për të çuar deri në fund amanetin, atë që ata fatkeqësisht, nuk arritën dot në  ditët e bukura të lirisë dhe në 100vjetorin e pavarësisë.

Në zyrë të pret gjithnjë me respekt Drejtori i përgjithshëm, djali i internimeve të gjata, Simon Miraka.Urtësia e tij, edukata e thellë të bënë instiktivisht të ulësh zërin kur pa dashur e ke ngritur shumë.Dua të shpreh : Këtij njeriu që në vitet e hershme të fëmijërisë së tij në kampin ugurzi të Tepelenës, e pastaj të rinisë së tij të vrarë së tepërmi nga diktatura, kishin formuar një djalë xhevahir ku në familjen e tyre vihej re një edukatë e gjërë, shprëndarëse, ku ata përcillnin te të tjerët një respekt dhe e mbështillnin atë respekt me një dashuri të madhe për njeriun në përgjithësi. Simoni të dëgjon me vëmëndje dhe shkruan çdo hall e breng të tyre, çdo kërkesë, dhe i nis ato këkesa e propozime, drejt në instancat përkatëse. Pra, duhet të themi :Faleminderit  Zotit, që erdhi kjo ditë dhe zëri ynë dëgjohet , po këtë herë dëgjohet për mirë, e jo si një zë armiku ku do të sabotojë, por si një krenari lashtësie për brezat që do të vijnë. Më mirë vonë se kurrë. Pak vonë, po erdhi. Erdhi me të gjitha të mirat e saj, duke u mbushur universitetet edhe me fëmijët e kësaj shtrese të shumë vuajtur, por të vlerësur  e nderuar në ditët e demokracisë.

Polikseni Argjendari, sekretare e drejtorit, është e përkushtuar në dhënien e plotësimin e bursave për fëmijët e kësaj shtrese.Në sytë e kësaj zonje, shkëlqen një buzëqeshje drite ku të gjithë që vijnë e ndjejnë këtë, dhe largohen të qetë duke i kryer punët e tyre nga Polikseni me qetësi.

Fatbardha Dosti ka vite që punon në këtë institut dhe ajo është e para që përballet me dhënien e statusit, dhe s’e dëgjon një herë që të ankohet nga lodhja,apo nga njerëzit.  Ajo është e fortë, e gatshme për  t’u shërbyer me devotshmëri ish klasës së saj të persekutuar. Fatbardha i ndihmon edhe moralisht dhe ndjehet e gëzuar që më në fund tregoi veten, familjen nga ku vjen, dhe cilësitë e saja fisnike.

Elma Ndreu, kjo punonjëse e denjë për detyrën e saj, e sheh gjithnje me pritjen e ëmbël që e karakterizon vetëm atë në zgjidhjen halleve e problemeve, në pregatitjen e dekumentave që u mungojnë.

Mimoza Çela,Kjo zonjë e pa lodhur, pritjet dhe përcielljen e çdo njërit nga të persekutuarit e bën me buzëqeshjen e saj afruese duke i dhënë çdokujt një pjesë nga dashuria njerëzore dhe forca e saj qëndron tek takti që ajo i përciell të gjithë të kënaqur.

Manjola Rakipaj,është nënpunëse, e gjen gjithnjë me krye mbi letra e ordinator duke punuar.Kjo vajzë e re, e bukur, që në pamjen e parë të lë të kuptosh se aty ndodhet për punë  të madhe, dhe për të, orari i punës  është i respektuar maksimalisht.

Myzejen Lulo, Arshiviste e pa lodhur në përsëritjen e dekumentave. Atë e gjen duke çfletuar dosje, shumë herë të përsëritura nga hallexhinjtë e ish-përndjekurve politik.

Sabrie Vladi, e pa lodhur, inspektore në këtë institut, Eva Bllaci, shefe e burimeve njerëzore, Esmerina Mustafaj, Specialiste statusi, Eriona Kulla, Shefki Çupi, Mark Lekgega, specalistë , janë model i punës së plodhur në ndihmë për të kryer në kohë detyrat e tyre. Pra ky institut i nderuar punon pa pushim e të gjithë të persekutuarit shpresojnë se vetem në atë derë duhet trokitur për hallet që nuk kanë të mbaruar. Qeveria ka premtuar e premton pë të bërë të pamundurën ,vetëm e vetëm për t’i ardhur në ndihmë e në kohë sa më të shkurtër të zgjidhet problemi i tyre, po jo vetëm qeveria po edhe presidenti i repuplikës ështe i interesuar dhe i preukupuar për shtresën e ish-perndjekur politik. Jo vëtëm kaq, po presidenti di t’i pres e t’u kryej  punë. Është mburrje, ndoshta dhe e pabesueshme : Dikur nuk e ktheje dot as kokën për të vështruar nga presidenca,sepse bëheshe i dyshimtë  dhe të shtynte ushtari që rrinte të porta me kallash, kurse sot, mund të ngjisë shkallët e saj çdo gazetar e hallexhi që kërkon të takohet me Presidentin. Punonjësit ,nënpunësit, janë të predisponueshëm në pritjen e popullit që te dera, dhe të sqarojnë si, Alfred Grabocka shërbimi i kontrollit të jashtëm, Djana Metaj, shërbimi i kontrollit të brendshëm,Kastriot Jahja, oficer i shërbimit  të iformacionit  pranë presidentit,Sefer Gjyriqi,Asistent pranë Presidentit, Amik Kasoruho, Shaqir Hasani,Këshilltarë juridik të presidentit, etj. Të gjithë këta titullarë të presin e të përciellin me ngrohtësi duke të kryer të gjitha ato mundësi që të lejon ligji. Kjo është një mburrje, një arritje  e madhe e demokracisë në Shqipëri dhe kjo arritje, bënë pjesë brenda këtij shekulli që po festojmë ne sot.

GEZUAR 100VJETORI I PAVARËSISË!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, Festa dhe, i Shpreses, Instituti

LIRIBERSIT NUK KANE NEVOJE PER FALJE, AS PER MESHIRE, DUAN DREJTESI

November 25, 2012 by dgreca

Serbia e dominuar nga kriminelë lufte, e pa penduar dhe e pandëshkuar për krimet e gjenocidin dhjetëvjeçar trazon të tashmen dhe tenton të mbajë peng të ardhmen e rajonit/

Nga Fetnete Ramosaj/

Sivjet kur po shënojmë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar jemi të vetëdijshëm se gjenocidi serb, krimet dhe terrori i ushtruar mbi popullin shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare ka përmasa shumë më të mëdha sesa që e tregojnë të dhënat dhe hulumtimet e deritanishme. Vetëm në periudhën tetor 1912 – mars 1913, kur filloi pushtimi serb i Kosovës, sipas dëshmive autentike të Leo Friendrich te “Golgota Shqiptare”, në Kosovë u ekzekutuan dhe u masakruan mbi 25 mijë shqiptarë. Ndërkaq, sipas një raporti të fshehtë të përfaqësisë austriake në Shkup, dalin të dhëna edhe më tronditëse: vetëm gjatë vjeshtës së vitit 1912, nga ushtria serbe janë vrarë 47 mijë shqiptarë. “Masakrat që i bënë serbët në Kosovë, kapërcejnë çdo instinkt gjakpirës”, do të shkruante gazetari i “New York Times”-it, Pickthal, dëshmitar okular i këtyre ngjarjeve të llahtarshme. Tërësisht identike janë krimet dhe gjenocidi serb që e kryen gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Pikërisht, pas 100 vjetësh, presidenti serb, vojvoda çetnik Tomisllav Nikoliq, kalon në shtetet fqinje (siç është rasti me pjesëmarrjen dhe deklarimet serbomëdha në ceremoninë e përkujtimit të 100-vjetorit të Luftës së Parë Ballkanike në Zebërnjak të Kumanovës), për t’u thurur lavde krimeve e masakrave makabre mbi popullin shqiptar. Njëkohësisht vojvoda çetnik Nikoliq, mohoi edhe gjenocidin serb në Bosnjë e në Kroaci e të mos flasim për rastin e Kosovës. Për këto veprime serbomëdha e luftënxitëse të të parit të Serbisë dhe të tjerëve nuk kishte ndonjë reagim adekuat nga Brukseli zyrtar.

Zgjedhjet e sivjetme në Serbi pas dhjetë vjetësh ia çjerrën maskën“demokratizimit” aq të trumbetuar të Serbisë. Ardhja në pushtet e komplet garniturës së Millosheviqit, e cila në fillim të viteve ’90-të i shkaktoi dhe i zhvilloi katër luftëra gjenocidiale në ish-Jugosllavi, është tregues i qartë se mentaliteti në Serbi për asnjë milimetër nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj luftënxitës e serbomadh. Aparatura pushtetare e dominuar nga kriminelët e luftës, e udhëhequr nga tandemi Nikoliq-Daçiq, vërtetoi sërish atë që është dukuri historike në Serbi, e cila tradicionalisht i shpërblen kriminelët.

Si dikur kryekrimineli i Ballkanit, Millosheviq, edhe sivjet, “Slloba i Vogël” – Ivica Daçiq, zëdhënësi i luftës i Millosheviqit, i fitoi zgjedhjet në Serbi, në saje të arrestimeve dhe keqtrajtimeve kundër shqiptarëve. Veç tjerash, në vend se të ndëshkoheshin nga drejtësia ndërkombëtare për krimet dhjetëvjeçare që i kryen në fundshekullin XX, ardhja në pushtet në Serbi e nomenklaturës kriminale të Millosheviqit, që ishte shkaktare e katër luftërave, në të cilat i kryen krimet e gjenocidin më të tmerrshëm në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, është edhe një tregues i qartë për dështimin e politikës ndërkombëtare në raport me Serbinë, e cila gjatë gjithë kohës u përkëdhel dhe u tentua të amnistohet për krimet e gjenocidin e shkaktuar.

Veç kësaj, kontrollimi i shërbimeve të sigurisë dhe i mekanizmave të tjerë shtetërorë serbë nga kuadrot e vjetra të Millosheviqit, i kuadrove “të dëshmuara” në Kosovë, madje i kuadrove të komprometuara publikisht për përfshirje në krimet e luftës në Kosovë, që pa asnjë dyshim do të duhej të përgjigjeshin për krime lufte para Tribunalit Ndërkombëtar, është tepër i rrezikshëm dhe me pasoja. Mjafton të përmendim se kryeministri serb, Ivica Daçiq – “Slloba i Vogël”, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, e ka kontrollin mbi Policinë dhe Xhandarmërinë por edhe mbi Shërbimin Sekret Serb – BIA. (Shërbimi sekret BIA deri në këtë mandat ishte nën kontrollin e presidentit serb, ndërsa tani i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit të Serbisë). Aleksandar Vuçiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, zëvendës i Tomisllav Nikoliqit, të cilin e pasoi në krye të partisë, në kohën e Millosheviqit ishte ministër i Informatave, i njohur për qëndrimet e tij ekstreme gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) por edhe para saj. Qysh në vitin 1995, Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Radikale Serbe (SRS), së bashku kryetarin e partisë, Vojisllav Sheshelin, Tomisllav Nikoliqin, dr. Nikolla Poplashenin, Maja Gojkoviqin, Ranko Dujiqin e Aqim Vishnjiqin e hartuan dhe e nënshkruan platformën antishqiptare – programin e “Drejtoratit Qendror Atdhetar të Partisë Radikale Serbe” (SRS), me titull “Si do ta zgjidhin serbët problemin e Kosovës”,  i cili në detaje parashihte spastrimin etnik të Kosovës nga popullsia shqiptare dhe kolonizimin me gjysmë milioni serbë, parashihte që Prishtina të ishte kryeqyteti i Serbisë, që këtu të vendoseshin qendrat e forcave ushtarake e policore të Serbisë, që përqindja etnike e popullsisë me të gjitha mjetet të ndryshohej dhe sillej në shkallën 50:50, etj. Po ashtu, gjenerali serb Lubisha Dikoviq, i cili në vend që të jepte llogari për krimet e luftës, masakrat, dhunimet e qindra femrave shqiptare dhe spastrimin etnik që kreu ushtria serbe gjatë luftës në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Drenicës, ku Dikoviq e komandonte Brigadën e 37 të Motorizuar të UJ-së, ai sot gjendet në krye të Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë (i emëruar nga presidenti i mëhershëm serb Boris Tadiq). Gjenerali i komprometuar Momir Stojanoviq, ish-kryeshef i Agjencisë Ushtarake të Sigurisë (VBA), i cili preokupim kryesor del t’i ketë Kosovën dhe Sanxhakun, në vend se të përgjigjej për masakrën e Mejës (masakrën më të madhe në Kosovë) dhe për dhjetëra ekzekutime të tjera në masë gjatë luftës në Kosovë, është emëruar në Këshillin për mbrojtjen dhe sigurinë e Serbisë. Anëtar i këtij këshilli është edhe gazetari i dikurshëm i Radio Televizionit të Serbisë (RTS), Millovan Drecun, i njohur për veprimtarinë antishqiptare që nga fundi i viteve ’80-të. Ministër i Jashtëm i Serbisë, është Ivan Mrkiq, ish-shef shumëvjeçar i kabinetit të akademikut serbomadh Dobrica Qosiq, njëherësh njëri ndër figurat më të besueshme të Millosheviqit. I njohur si rojtari i “arkës së Sllobodan Millosheviqit”, emri i Mrkiqit lidhet me transferin e miliona dollarëve nëpërmjet postës diplomatike nga Beogradi në bankat qipriote. Zoran Stankoviq, njeri i afërt i Millosheviqit, i cili për një kohë të gjatë ka qenë në krye të VMA-së (Akademisë Mjekësore Ushtarake), në vend që të jepte llogari për mbi 5 mijë obduksione të dyshimta mjeko-ligjore të kryera të VMA dhe të zbardhte dyshimet e bazuara për eksperimentimet që janë bërë me shqiptarët në vend të minjve në bodrumet nëntokësore të VMA-së dhe të Institutit për Siguri të ish-RSFJ-së, pas posteve të ministrit të Shëndetësisë në qeverisjen e kaluar dhe të ministrit të Mbrojtjes në periudhën 2005-2007, tani jorastësisht gjendet në krye të Trupit Koordinues të qeverisë së Serbisë për komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.

Pa i përmendur me radhë të tjerët, duhet të ndalemi edhe te një fakt. Të paktën dy anëtarë të një njësiti sekret për likuidime, sot kanë pozita të larta në Qeverinë Daçiq (të tjerët në xhandarmëri e në polici).

Bëhet fjalë për anëtarët e të ashtuquajturës Drejtoria e Gjashtë (Šesto odeljenje Centra DB-Beograd) e njohur si“Drejtoria për Vrasje” (Odeljenje DB za ubistva), e formuar zyrtarisht por në mënyrë të jashtëligjshme në vitin 1999 në kuadër të Qendrës së Sigurimit Shtetëror serb në Beograd. Për ekzistencën e saj dhe veprimtarinë kriminale shtetërore u bë e ditur fare pak dhe atë pas 12-vjetësh, pra vetëm në vitin 2011.

Nën përkujdesin e kësaj “drejtorie për vrasje” rezulton të jenë kryer krime të shumta monstruoze dhe ekzekutime enigmatike në Serbi dhe jashtë saj. Sipas kryeshefit të “Drejtorisë së Gjashtë”, Ratko Romiq, kjo drejtori sekrete ishte formuar“për kryerjen e shërbimeve të fshehta dhe aktiviteteve operative jashtë vendit”(“za vođenje obaveštajno-operativnih aktivnosti u inostranstvu”).

Ndonëse “Drejtoria e Gjashtë – Drejtoria për Vrasje”, për shkaqe konspirative përbëhej vetëm nga pesëmbëdhjetë persona, kishte fuqi të jashtëzakonshme dhe të drejtë që të angazhonte në operacionet e saj çdo pjesëtar aktiv të Shërbimit Shtetëror serb, e në veçanti pjesëtarët e Njësisë për Operacione Speciale (JSO). Krahas likuidimeve misterioze, ekipet e kësaj drejtorie njëkohësisht mësohet se janë marrë me zhdukjen e dëshmive dhe të dëshmitarëve të krimeve të luftës në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, pra edhe në Kosovë. Prandaj, vrasjet politike të pasluftës në Kosovë dhe tendencat për nxitjen e një lufte vëllavrasëse, por edhe rastet e vrasjeve të banorëve serbë, duke filluar që nga aksioni i parë i vrasjes së banorëve serbë në grunajat e fshatit Grackë e Vjetër të Lypjanit, në korrik të vitit 1999, duhet parë në prizmin e veprimtarisë së “Drejtorisë së Vrasjeve” të Serbisë. Serbia duhet të japë llogari për veprimtarinë e kësaj drejtorie.

Në anën tjetër, dihet botërisht se gjatë tërë kohës së pasluftës në Kosovë, administrata ndërkombëtare ka imponuar “një ligj të pashkruar”, për minimizimin dhe mohimin e krimeve serbe mbi shqiptarët. Madje ajo ka shkuar edhe më larg, me të gjitha mjetet është përpjekur të shkatërrojë dëshmitë që do të argumentonin krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë. Edhe proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me krime lufte në Kosovë, të organizuara nga UNMIK-u dhe EULEX-i, rezultojnë të jenë tepër të njëanshme. Raporti i të gjykuarve dhe i të dënuarve për krime lufte në Kosovë është 5:1. Pra pesëfish më shumë janë gjykuar e dënuar shqiptarë, edhe pse në asnjë rast nuk kanë mundur t’i argumentojnë akuzat kundër tyre. Krahas 12 mijë shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga forcat serbe, eshtrat e më shumë se 5 mijë civilëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve, u gjetën në varrezat masive në Serbi. Ka raste që për vrasjen e disave është akuzuar UÇK-ja, edhe pse eshtrat e tyre janë gjetur në varreza masive në Serbi (në Batajnicë, Peruçac, Petrovo Sello etj.) pikërisht në vendqëndrimet e mekanizmave qendorë të sigurisë së Serbisë.

Përderisa pas Luftës së Dytë Botërore, në Gjykatën e Nurembergut, njerëzimi pa të ndëshkohen shkaktarët e luftërave dhe mori frymë më lirshëm, gjashtëdhjetë vjet më vonë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës ndodhi e kundërta. Në këtë gjykatë nuk u trajtuan vetëm përgjegjësit dhe shkaktarët e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, por mbizotëruan tendencat e padenja të drejtësisë ndërkombëtare për barazimin e krimeve dhe trajtimin e njëjtë të xhelatëve e viktimave!

Tani kur po pritet për së dyti vendimi për lirimin e ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, gjeneralit Ramush Haradinaj me bashkëluftëtarët Lahi Brahimaj e Idriz Balaj, në rastin e rigjykimit të pjesshëm (gjë që nuk ka ndodhur me asnjë rast tjetër në gjithë historikun 20-vjeçar të Tribunalit të Hagës), Serbia është hedhur në ofensivë për të penguar lirimin e pashmangshëm të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Në përpjekjet për të ndikuar në epilogun e këtij gjykimi të stërzgjatur, Serbisë i është bashkuar si zakonisht edhe ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, të cilës shumë më shumë do t’i shkonte përshtati të ishte në krye të Prokurorisë për Krime Lufte të Serbisë.

Duhet kujtuar se derisa ishte në krye të Prokurorisë së Hagës, siç dëshmojnë ish-bashkëpunëtorët e afërt të saj, Del Ponte krye në vete i ka ngritur dy aktakuzat kundër shqiptarëve. Këtë nuk e ka bërë pse ka pasur fakte, por për të tërhequr paralele për barazimin e krimeve, për t’ia bërë qejfin Serbisë apo “për të mos iu hidhëruar Millosheviqi”. Asnjëherë ajo nuk u shërbye me dëshmi e argumente (sepse natyrisht nuk i kishte) siç ia kërkonte profesioni, por me fyerje, thashetheme, pohime absurde dhe me shpifje ekstremisht të paqëndrueshme kundër shqiptarëve të akuzuar padrejtësisht dhe kundër popullit shqiptar përgjithësisht. Në saje të zvarritjeve të paarsyeshme që ish-kryeprokurorja Del Ponte i bëri në gjykimin pesëvjeçar të kryekasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, ai nuk u dënua fare nga Tribunali i Hagës. As Serbia nuk u gjykua për gjenocid, sepse ish-kryeprokurorja Del Ponte i fshehu dhe i shkatërroi dëshmitë e krimeve serbe të luftës në Bosnjë e në Kosovë. Del Ponte me çdo kusht tentoi të ndikonte edhe në epilogun e pritur të aktgjykimit lirues ndaj Haradinajt e të tjerëve në vitin 2008, kur nuk ishte më në krye të Prokurorisë së Hagës, me përrallën shesheliane për “trafikim organesh” nga shqiptarët.

Në dy shkallët e gjykimit në Tribunalin e Hagës ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj dhe të tjerëve, kemi parë se si u dekompozuan shpifjet dhe fabrikimet e Serbisë. Kemi parë se siç nuk ka ndodhur në asnjë rast tjetër, mbrojtja e Haradinajt dhe të tjerëve nuk pati nevojë të thërriste asnjë dëshmitar të mbrojtjes për të dëshmuar pafajësinë.

Më 29 nëntor, populli i Kosovës pret nga Tribunali i Hagës vendim të drejtë e jo të ndikuar politikisht nga Serbia, e cila as nuk është penduar as nuk është ndëshkuar për krimet dhe gjenocidin dhjetëvjeçar. Pret fitoren e domosdoshme të drejtësisë mbi padrejtësinë. Pas tetë vjetësh pret lirimin jashtëzakonisht të arsyeshëm të gjeneralit Ramush Haradinaj, i cili është personi që gjatë kësaj kohe i janë bërë më së shumti padrejtësi. Haradinaj, Brahimaj e Balaj, nuk kanë nevojë as për falje, as për mëshirë. Kanë nevojë vetëm për drejtësi, e cila nuk guxon të mungojë!

(Autorja është msc. e Shkencave të Sigurisë, autore e dy vëllimeve të librave “Krimet serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve”).

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fetnete, liribersit, Ramosaj

SHQIPNIA:100 VJET SHTET DHIMBJESH

November 24, 2012 by dgreca

Nga Jozef Radi/

Tashma me orë pritet festa e 100 Vjetorit i Shtetit Shqiptar.

Nji festë e cila e ka ba flamurin dyngjyrësh të nji kombi të shpaloset gjithkund ndër shqiptarë, (si gjeografi pak e trishtë) e të dëshmojë se lidhja jonë me kuqezinë asht diçka e shkrueme në gjakun tonë, në shpirtin tonë, në vuejtjet tona, në krenarinë tonë ballkanase…

Ky flamur si kurrë ma parë e si kurrë ma hijshëm se sot asht jo vetëm në duart e çdonjenit prej nesh, po shpaloset edhe brenda nesh…

Fati gjithnji ban të vetën. Kët Kryefestë të Flamurit, fati ia ngarkoi ta organizojë Sali Berishës. Nji rastësi historike?! Sigurisht, po mund të mos jetë edhe aq e tillë…! Megjithatë organizimi asht diçka protokollare, e arsyetueme, e diskutueme, buxhetore, kurse festa asht tjetër gja, festa asht shpirt, asht frymë, asht gjendje që nis prej çdonjenit nga ne, ashtu si nji pikë shiu vjeshte dhe merr teposhtë bahet rrëke, përrua, lumë derisa shfaqet ashtu e plotë si nji det i ndezun, me gjithë madhështinë e vet; nji det kuqezi i dalë prej nji dhimbje të madhe historike, po si duket sa ma e madhe dhimbja e lindjes aq ma i madh shpirti i kësaj feste të ndjeme…

Nëse bajmë nji kthim mbrapa në histori ka me na rezultue se në ditë të Mëvetsisë dhe shpalosjes së Flamurit, ngrihet figura urtake e Ismail Qemalit; në të njizetepestin vit shfaqet figura mbretnore e Ahmet Zogut; në të pesëdhjetin vit peshon randë hija e Sekretarit të Parë: Enver Hoxhës dhe bash në mbyllje të shekullit Shtet Shqiptar, rri e përndezun lavdie figura e Kryeministrit Sali Berisha, duke na e ba fakt “volendo nolendo”, se nëpër kto katër simbole, ende të vuejtshme, kalon nji rreth, vetëm nji rreth dhe asnji tjetër: rrethi i Njiqind Viteve Shtet Shqiptar… pa shmangë këtu edhe at figurë që duket si jashtë këtij rrethi, po që historia shqiptare s’ka me e pasë kurrë të lehtë me e anashkalue: ajo e Ibrahim Rugovës!

Po Shqipnia e vërtetë, ajo që jeton në shpirtin e çdonjenit prej nesh s’asht vetëm Shqipnia e Prijsave Politikë, e këtyne “Duerve të Hekurta” të Pushtetit, po Shqipnia e Prijsave Shpirtnorë, nji Shqipni që vërtet ende s’po mundet me folë ashtu si duhet, por që askush s’do mundet me ia ndalë ma fjalën: e kjo asht Shqipnia e Fishtës dhe Konicës, e Mjedës dhe e Nolit, e Koliqit dhe Kutelit, e Lasgushit dhe Migjenit, e Mit’hat Frashërit dhe e Lef Nosit, e Merlikës dhe Merxhanit,  e Eqerem Vlorës dhe Krist Malokut, e Ali Asllanit dhe Anton Harapit, e Martin Gjokës dhe Vangjel Koçës, e Çabejt dhe e Rizës, e Kasem Trebeshinës dhe at Zef Pllumbit, e  Petro Markos dhe e Vilson Blloshmit, e Trifon Xhagjikës dhe e Havzi Nelës, e Qoses dhe e Kadaresë, e Musine Kokalarit dhe Drita Çomos, e Pipës dhe Malëshovës, e Tefta Tashkos dhe Vaçe Zelës, e Martin Camajt dhe Bilal Xhaferrit, e Padër Meshkallës dhe Arbën Xhaferrit dhe e shumë e shumë të tjerëve, të cilët Panteoni Shqiptar ende i pret dhimbshëm…

Historiografia shqiptare edhe pse ka mbi shpinë shekullin e trazuem të nji shteti, ende s’u ka dhanë qytetarëve të vet nji tekst si duhet, ku të lexohet pak ma qartë e të kuptohen pak ma mirë përpjekja dhe dhimbja e gjithë atyne që e deshën kët vend, secili në mënyrën e vet, e secili me kontributin e vet, nëpër kontekste historike e rrethana politike jo fort fatlume…

Gjithë figurat e sipërpërmenduna të Kryeshtetarëve kanë shfaqë konflikte të hapta interesash me paraardhësit e tyne, e ku gjithsecili asht përpjekë me ngritë lavdinë e vet mbi poshtnimin e tjetrit… secili prej tyne ka kërkue me e u ngjitë sa ma nalt në majën e quejtun shtet shqiptar, vetëm si pjesë e lavdisë së vet dhe pak kush asht shqetsue se gjithçka realizohej ishte sakrifica ma sublime e nji populli të vuejtun, i cili ende e ka qëndresën cilësinë ma primordiale të genit të vet…

28 nantori, asht ditë e kremte dhe secili prej nesh duhet me harrue diçka nga historia e derisotshkrueme! Ajo çka s’duhet harrue asht vendosja në vend e krejt atyne që luftuen me shpirt për kët vend dhe i dhanë gjithçka mundën, shpesh duke marrë mbi fytyrat e tyne të ndrituna edhe shumë baltë të pameritueme…

Asht e vërtetë se krejt figurat e këtyne Kryeshtetarëve qendruen gjatë në pushtet, bile edhe Plaku i Vlorës, edhe pse njeriu ma pushtetpakët i të katërtve, vinte nga pushteti në perandorinë osmane, prej ku zvarritesh edhe fati i trishtë i Shqipnisë… Dy të tjerët kanë pasë nga nji çerek shekulli, kurse ai ma jetgjati pothuaj gjysëm shekull Pushtet…

Sot, në çdo tavolinë shqiptare ku mund të ulesh me festue, asht e vështirë me i bashkue të Katërt këta Prijës dhe të ngresh nji dolli përbashkuese,  prej asaj fryme që ata kanë mbjellë në histori! Harrohet edhe ma i randomti fakt se ata mbeten historia jonë; janë e mira dhe e keqja jonë e përbashkët, e bukura dhe e shëmtuemja jonë, heroikja dhe tragjikja jonë…!! Do të mbetesh nji akt i madh paqtues, për secilin prej nesh, prej frymës së kësaj feste të kishim nji përcaktim ma pak randues në dam tyne, ose e thanë pak ma ndryshe, me u ndalë te secili te ajo çka asht ma pozitivja e thelbit të tyne udhëheqës… A nuk do të ishte ma e denjë fjala vjen që Ismail Qemali të përcaktohesh fjala vjen si Dipllomati, Andrrimtari, i Sakrifikuemi; a s’do të ishte denjsisht rigoroze që Ahmet Zogu, të quhej Reformatori, I Paepuni, Autoritari; a s’do të ndjeheshin ma mirë jo vetëm idhtarët e diktaturës nëse Enver Hoxha do të konsiderohej Qëndrestari, Kundërshtuesi, Komandanti; apo Sali Berishës a s’do t’i bahej nder nëse do të quhesh Shpresësjellësi, Ekuilibristi, Kuqebluja…

Këto janë ende andrra… ndaj mbetet e vështirë ndër ne me i respektue si duhet ata që e kanë drejtue Shqipninë e këtyne njëqind viteve! Prej sot duhet të na bahet e pamundun me i poshtnue edhe ma, e me vazhdue pafundsisht me urrejtjen… Veç kështu e kërkon  dinjiteti i këtij njiqindvjetori madhështor: me i respektue ata! Le t’i kthejmë me kurajo shumë prej këtyne të përbaltunve të mëdhenj në Panteonin e lavdisë sonë të brishtë; ta dimë ne së pari; mandej edhe fëmijët tanë se nga kemi ardhë, për ku po shkojmë dhe ku mund të mbrrijmë; duke e braktisë njiherë e përgjithmonë idenë e skajshme të heronjve dhe tradhëtarëve… sepse në politikë të gjithë janë nga pak heronj dhe nga pak tradhëtarë… mjaft që të mos jetë në shënjester vetëm e keqja e tyne, sepse vërtet ata qeverisin popullin e tyne po harrohet se ata vërtitën edhe rreth nji harte të madhe, ku koha dhe ngjarjet kanë provue shpesh se asht e vështirë të mos jesh edhe thjesht nji sferë bilardoje…

A s’është mirë që edhe Stoikut Rugova, t’i kujtohet fryma që solli në qëndresën shqiptare dhe jo t’i ciklohen egërsisht çastet e tija të vështira në histori, që shpesh të kujtojnë cejtnotet e shahut…

Po ne ende jemi larg kësaj fryme…

Përballë gjitha këtyne kundërshtive, ndryshe prej herëve të tjera, ky njiqind vjetor po flet si askurrë ma parë me nji gjuhë të pabesueshme bashkuese…!! S’ka as ma të voglin dyshim se sot shqiptarët e gjithë botës kanë vetëm nji kryefestë përbashkuese, gjithë të tjerat janë thjesht festa, Ajo asht Kryefesta Jonë, së cilës duhet t’i biem të gjithë në gjunjë dhe ai Flamur Kuqezi që vërvisim gjithë krenari në qiell ma shumë se ndër duer tona duhet t’na valvitet prej shpirti…

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 100 vjet shtet, dhimbjesh, Jozef Radi, shqipnia

TRASHËGIMIA E GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBE/ DEL EDHE NJËHERË E MBLIDHE KUVENDIN

November 24, 2012 by dgreca

Me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë/

Nga Frank Shkreli/

Të  Mërkurën më 28 Nëntor i mbarë kombi shqiptar feston me krenari 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë të shpallur në Vlorë më 28 Nëntor 1912, kur Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi me atdhetarë të tjerë ngritën Flamurin e Gjergj Kastriotit – Skenderbe — Fatosit të Kombit — duke bërë kështu realitet  ëndrrën e të parëvet, megjitëse fati i zi dhe armiqtë e kombit bënë që liria dhe pavarësia e shpallur në Vlorë të mos përfshinte të gjithë kombin.
Është pra, Flamuri i Gjergj Kastriotit, Flamuri i lirisë, i nderit, i burrënisë, dhe i besës, i asaj Besëlidhjeje që shënon historia në Lezhën e Gjergj Kastriotit dhe në Lidhjen e Prizrenit.   Me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit në Romë me 25 Prill 1968, duke u folur shqiptarëve që ishin mbledhur atje për të festuar këtë përvjetor në Vatikan, por drejtuar gjithashtu edhe shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre, Papa Pali i VI tha:  ”Ne ju shohim me kënaqësi, pse e dimë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i Gjithëmonshmi i fisit tuaj,  i cili gjithëherë mbi çdo interes ka venë vlerat e trashëguara të besës, të nderit, e të burrënisë.   Fatosi Skënderbeu ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive.   Ai ua ka lënë trashëgim, bashkë me miqësinë e miqëve të vjetër të Atdheut tuaj, ndër të cilët këjo Seli Apostolike gëzohet se bën pjesë, pasi e konsideron veten ndër ata që kurr s’i dolën fjale. Këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në rojë e trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim”, përfundoi Papa Pali i VI.

Gjergj Kastrioti  ishte i madh sepse për një çerek shekulli udhëhoqi luftën duke korrur fitore pas fitoreje kundër osmanlijve turq, fuqisë më të madhe ushtarake që njihte atëherë bota.  Me të drejtë, armët e Skendërbeut po ekspozohen në Tiranë me rastin e 100-vjetorit, për t’u kujtuar vizitorëve aktet heroike dhe luftën e tij për liri e pavarësi të fisit ilir.   Por ai ishte dhe mbetet  më i madh për nga aftësitë e tij udhëheqëse si dhe për nga karakteri dhe morali i tij, cilësi këto që i njiheshin nga më të mëdhejtë e asaj kohe.   Kur botës shqiptare i mungojnë herojtë e vërtetë, Skenderbeu është heroi i të gjitha stinëve dhe i të gjitha kohërave.    Kombi shqiptar në këtë 100-vjetor ka nevojë për heroj kombëtar si Gjergj Kastrioti, por në mungesë të tij, atëherë ajo që mund të bëhet është, që kombi në përgjithësi, duke përfshirë klasën politike në veçanti, por dhe çdo shqiptar kudo qoftë, secili sipas mundësisë, përgjegjësisë dhe vendit që zë në shoqëri — të gjithë si pasardhës të Illyrisë së vjetër — të betohen në këtë 100-vjetor se mbi të gjitha do të punojnë për një Arbëri të lirë, për një bashkim etnik dhe për një angazhim historik për të zgjuar njëherë e mirë  cilësitë dhe virtytet e lashta mijëvjeçare të racës ilire.   Ky përvjetor është gjithashtu një rast për të forcuar konceptin e idesë  të interesave kombëtare – dhe jo atyre personale — duke marrë si shembull  trashëgiminë e Gjergj Kastriotit –Skenderbe, i cili si asnjë udhëheqës tjetër në historinë e kombit shqiptar, mundi të bashkonte të gjithë princat e asaj kohe nën një udhëheqje të vetme, duke forcuar kështu unitetin kombëtar moral e shpirtëror, por edhe atë gjeografik, duke i bërë ashtu të gjithë krenarë dhe të denjë të jenë pjesë e një trungu të përbashkët.   Ai adhurohej nga shqiptarët e çdo krahine, të çdo klase shoqërore dhe çdo besimi.  Skendërbeu i mblodhi të gjithë nën hijen e Flamurit Kombëtar.  Ishte këjo fuqi morale dhe kombëtare që i dha Gjergj Kastriotit dhe shqiptarëve të tij pothuaj fuqi mbi-natyrore për të përballuar dhe për të fituar kundër fuqisë më të madhe ushtarake të kohës së tij.

Ngritja e Flamurit në Vlorë 100-vjetë më parë dhe energjia ringjallëse që po tregohet anë e mbanë trojeve shqiptare në festimet e këtij 100 vjetori sot, më bindin se gjaku shqiptar ka ende fuqi përtritëse në shpirtin e vet dhe se edhe i Madhi  Zot nuk e ka harruar kombin shqiptar.  Lufta dhe fitoret e Skënderbeut kundër osmanlijve kan lënë, ndër shqiptarë, një trashëgimi lirie dhe shprese për një Shqipëri të pavarur dhe të bashkuar, ashtu siç do ta dëshironte vet Gjergj Kastrioti.   Në krahasim me sfidat me të cilat përballej  kombi në kohën e Skenderbeut, a janë më të mëdha sfidat dhe problemet me të cilat përballet sot kombi shqiptar?

Shpresoj që këjo brezni e 100-vjetorit të pavarësisë kombëtare të mos jetë një brezni e nemur, e papërcaktuar për qëllimet dhe interesat madhore të kombit shqiptar, por të jetë një brezni burim shpresash për liri dhe bashkim kombëtar,  bazuar në trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare të Gjergj Kastriotit — Skendërbe.  Gjithmonë sipas Skënderbeu,  ”Pra, ngrehni Flamurin përpara dhe tregohuni burra si gjithënjë.  Perëndia, si gjithnjë edhe pasketaj do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë.”

Në këtë 100-vjetor të pavarësisë kombëtare, të falemi  dhe të falenderojmë për trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare përfshirë edhe  karakteristikat më të çmueshme të trungut tonë arbëror: nder, besë e burrëni — Ty Gjergj Kastrioti –Skënderbe, Princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i Osmanlijve, Mbret i Epirit.

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: del dhe nje here, Frank shkreli, Gjergj Kastrioti, Skenderbe

100 VJETORI I PAVARESISE- A MUND TA RINGREMË PËR PËRVJETORËT E TJERË SHTËPINË KU U NGRIT FLAMURI?

November 24, 2012 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA*

1 .Ndërtesa e karantinës muzeu kombëtar i selisë së qeverisë

Strehë karantine dhe një karakoll me dy kate dhe stoike një ndërtesë historike e bërë në Skelë të Vlorës,profili i saj nga deti nga erërat s’kishte frikë,muzgje që ndërkaq thinjnin vite dhe as thinjej vet. E bërë për karantinë njerëzore në buzë të sqelës për të mbyllur fakirët,atë vit të pavarësisë mbajti qeverinë e Vlorës.Ku dergjej qeveria ,sa në konakët e Xhemilit, por hidhej tek Sharrajt,një ndërtesë të madhe tre kate zotëronin,tek telegrafi ishte Lefi dhe përmes nxënësve vlonjak të shkollës Nr 1 shkonte por dhe vinte çdo ditë,ministri i Arsimit një burrë i ditur energjik,me mustak ai ishte Gurakuqi :Për të gjithë an’ jemi rrethue/Anmiqt kqyrin me u avitë:/Don’ tok’t tona me i zaptue,/Don’krejt fare me na qitë….

Në vitin 1939,fashistët ndërsa hynin në sqelë thuhet se e qëlluan me top , që e shkrumbëzuar s’bëhet më llaf,si çdo pushtues. Për ti shuar krejt memorien historike,për ti prerë krejt gjuhën,për të djegur krejt trupin,zhuritur deri në hi.Kështu u dëmtuan përpjekjet qw kishte kryer” Shoqëria kulturore sportive Ismail Qemal”i pranë Bashkise për një muzeu arkeologjik,qëlloi që kryetari i bashkisë ishte poeti dhe liriku i madh Ali Asllani,që atë vit zuri bisedimet me dy arkeolog të ekspeditave italiane dhe franceze Rein dhe Malcone.”Përpjekja’ thekson se me përpjekjet e zotit Ali Asllani dhe atdhetareve te këtij qyteti, vendosen qe te ngrenë muze arkeologjik, pranë portit te Vlorës, ne ndërtesën ku ka kryer veprimtarinë Qeveria e Ismail Qemalit më 1912.Muzeu arkeologjik i Vlorës u inaugurua me 8 tetor 1937, ku i pranishëm dhe ministri francez z. Louis Mercier. Mirëpo edhe shqiptarët në një mëndje diku aty nga viti 1925 shkatërruan një dëshmi tjetër të pavarësisë, shtëpinë e flamurit.. Edhe regjimi paslufte mendoi se duhej ngritur ndërgjegjja kombëtare dhe vlerat e saj,ndërsa shokonin firmëtarët me ligje,dhe burgje etj,rindërtuan në vitin 1962 me atë stil dhe me atë pamje banesën,selinë e qeverisë,por shtëpinë e flamurit nuk është hedhur asnjë ide. Përse të mos ribëhej,shtëpia ku u ngrit flamuri?

2. Çfarë na mungojnë nga shenjat, që shpallën Pavarësinë?

Akti i origjinal shpalljes së Pavarësisë. Flamuri po cili ishte nga të tre. Shtëpia e flamurit duhet ribërë për përvjetorët e tjerë. a. Akti i origjinal shpalljes së Pavarësisë. Në vitin 1937 Lef Nosi për 25-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë ka sjellë një riprodhim të dokumentit të pavarësisë.

Për dokumentin kryesor të firmosur në Vlorë në ditën e ngritjes së flamurit mbetet mister se ku mund të ketë përfunduar ky akt madhor,ndërsa disponohet ende kopja e tij.Fotokopje e dokumentit të Shpalljes se Pavarësisë Kombëtare nga Kuvendi i Vlorës me 28 Mentor 1912, qe gjendej ne sendugin e librave të Aristidh Rucit .Firma A. Rruci lexohet qarte (kthimi rrlr, i rr-se se forte ne r të bute, është veçori e të folmes qytetare).Në dokumentin që u botua dhe që njihej në 50 vitet shkuara mbeti enigmë se përse u hoqën firmëtarët dhe u vendosën fotografit. E.Dilo na sjell këtë të dhënë interesante “Me 28 Nëntor 1912, pas Shpalljes se Pavaresise, I. Qemali me shoke dhe populli mbrapa, shkuan ne xhami dhe në kishën kryesore to qytetit të dëgjonin lutjet fetare, udhëhequr nga klerikë shqiptare. Edhe ne xhami e kishe u duken të ngrihen dhe të valojnë dy Flamure të Shqipërisë. Gjithnjë sipas dokumenteve të elbasanasit Lef Nosi, këta të dy flamure u gjenden ne shtëpitë e Zotrinjve Aristidh Ruci e Eqrem Vlore” (Adem Hodo, Rev. “Koha e Jone”, f. 9, Nr.10-11-12, vjeti XII, tetor-dhjetor 1973)

Do të ishte angazhuar MTKRS specialistë të mirëfilltë për të gjurmuar madje për të rënë në tragën e tij sepse ka gojë që thonë se ky akt ekziston ndodhet në duart e dikujt madje K. Frashëri thotë se në vitin 1962 dikush e ka pasur këtë akt. Gjurmimi në shtetin fqinjë ku ka jetuar djali i I.Qemalit dhe nëpër burime të tjera.Na duhet jo për të rrahur gjokset por sepse pjesë nga gjaku i shqiptarëve.I urti nga do të kthehet, fytyrë e tij rrëfehet i ligu ngado të shkojë ferrin ka si shtroje.MTKRS do ti duhet të hedhin në terren studiues jo për informata por për të lokalizuar këqyrur dhe për të sjellë në muzeun kombëtar të Pavarësisë ,origjinalin.

b. Flamuri, që u ngrit në orën tre pasdite në shtëpinë e Xhemil beut. Kemi disa variante për këtë rast dhe disa flamujë. Flamuri i Spiridon T. Ilo .Me datë 27 nëntor 1912, ai qëndroi në shtëpinë e tezes së tij Marigo Posio. Marigo Posio i qepi këtij flamuri një radhë thekësh dhe bëri disa ndryshime tek s Flamuri i komunitetit shqiptarë që jeton në SHBA..Referimi i gazetës „Dielli“ mbi një shkrim të Qerim Panaritit :“Ne e dërguam flamurin nga Bostoni në Korfuz një vit më parë se të ngrihej në Vlorë nga z. Ismail Qemali (në vitin 1911). Të gjitha shpenzimet për qëndisjen, paketimin dhe dërgimin e flamurit u bënë nga shoqëria jonë Besa-Besë.“ Në vijim z.Panariti thotë se: “Detyra e mbajtësit të flamurit ju ngarkua z. Naçi Nuçi, ish mësues i gjuhës sonë shqipe në Korçë. Flamuri Eqrem bej Vlora, në kujtimet e tij, flamuri që u ngrit më 28 Nëntor 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, ishte një flamur personal, pronë private e tij, që e mbante në shtëpi si kujtim, të dhuruar në vitin 1909 në Paris, nga një pinjoll i familjes Kastrioti, don Aladro Kastrioti.Ky flamur u ngrit në Vlorë në 28 nëntor 1912. A gjendet brenda këtij muzeu ky flamur?As këtu dhe as gjëkundi. Aty gjenden flamuj të tjerë të çetave patriotike. Studiuesi J.Brahaj punonjës i QIPK ka sjell një botim për flamurin shqiptar. Kristo Floqi shkruan kështu:Me z.Poga jam dakord sa për flamurin,që ishte një pluhur e kuqe tri metro e gjatë dhe dy metro e gjerë dhe që mbi atë u damkos shkaba dykrenore me ngjyrë të zezë, gjithashtu jam dakord se atë ditë u gatitën edhe 4-5 flamurë të tjerë që valuan në disa zyra zyrtare të ndryshme,si edhe vetë kam bërë fjalë si këto por tjetër herë. Pluhura u ble prej tregtarit Diamand dakord, po cili e hartoi flamurin e Indipendecës dhe kush e kishte gatitur shkabën dy krenore, këto nuk na i tregon z Poga .Është e vertëtë se një terezi s’ja mban mentë emrin kishte qepur disa flamurë po atë,po atë ditë s’u qepën këta flamurë por edhe të tjerë si e dinjë gjithë vlonjatet . Prej ay flamur që nguli atë ditë mbi ballkonin e shtëpisë së Xhemil Bej Vlorës, plaku Ismail Qemali nuk ish prej atyre që qepi ai tereziu që thotë zoti Poga, po ish ay që qepi dora e së ndierës Margo Pozio dhe shqiponja dy krenore ish modeli që me mjeshtëri përgatiti patrioti shkodran i ndjeri Dom Mark Vassa. Këtë e dinë të gjithë vlonjatet e sidomos z .Seid Qemali, Qazim Kokoshi, Hamza Isai, Ymer Radhima, Faik Kreshpani, Ibrahim Shyti etj, që ishin në shtëpinë e Marigosë kur përgatitej ajy flamur bashkë me disa të tjerë që e prisnin me padurim. Këtë dijnë edhe vet Xhemil bej Vlora që ish atje në shtëpi të vetë kur u suall ajy flamur e dijnë edhe zoti major Bilal Nivica, adjutanti ahere i Ismail Qemalit si dhe bijtë e Ismail Qemalit z. Ethem dhe Qazim bej Vlora dhe sa e sa vlonjatë e delegatë të krahinave të ndryshme,që ishin prezent atë ditë të shënuar

c.Shtëpia ku u ngrit flamuri u shkatërrua

Ndërtesa e flamurit është prishur sipas të dhënave në vitin ‘25 dhe u kthye në lulishte. Banesat e familjes Vlora aso kohe emërtoheshin saraje.Këto banesa ,pra sarajet e familjes Vlora ishin të përbëra nga dy godina të mëdha. Godina ku u ngrit flamuri quhej Selamllëku dhe këtë emërtim siç do ta shohim na e sjell në kujtesë,kujtimet e E.Vlorës. Godina e flamurit siç paraqitet nga një foto e cila qarkullon kudo në botime ka gjithashtu një skicë që është ruajtur deri në ditët sotme tregon një godinë të madhe për nga lartësia dhe gjerësia e saj. Në fotografin e cila është origjinale ku shfaqen tre katet e banesës nga katër siç shqipton më tej E.Vlora .Janë tre katet e banesë historike që u rrafshua diku nga vitit 1925. Edhe këtë vit- shuarje të saj e sjell po ky dëshmitar. Pozicionimi i kësaj banese historike:gjendej në vendin ku është monumenti i flamurit ,inauguruar në vitin ’72, ai kap pikën e 17 m lartësi dhe i gjithi në bronz dhe pjesa tjetër cek lulishten e flamurit ku gjendet varri i kryetarit të Qeverisë së Vlorës, Ismail Qemali, vendosur edhe një skulpturë e titulluar“Flamurtari” e skulptorit Odise Paskali.Eqrem bej Vlora thotë se :Në hyrjen juglindore të qytetit të Vlorës, në kryqëzimin e shumë rrugëve, që duke zënë fill nga Rruga e Skelës, të çonin në qendër të qytetit, në mes të një parku të madh prej 40.000 metrash katrorë, rrethuar me mure të larta tetë-metërshe dhe me dy porta në të, ka qenë deri në vitin 1925 një ndërtesë e stërmadhe me një tjetër më të vogël përpara. Ai ishte konaku i Vlorajve, përfshi haremin (banesën e grave) dhe selamllëkun (banesën e burrave).Shqyrtojmë selamllëkun ose të njohur si banesën e burrave. Ndërtesa ka pasur tre kate lartësi një numër të madh dhomash korridore dhe ambiente të tjera. Zhbirimi në pamja e parë majtas tregon pozicionin e dritareve të çdo kati .Dritaret e katit të parë janë të gjitha me hark dhe duken rreth 6 copë ndërsa në fakt kanë qenë më tepër por kaq kanë hyrë në fokusin e fotos.Janë dritare të njohura për kohën të vogla të larta por të ngushta duke përfunduar me hark .Në dritaret e katit të dytë majtas janë rreth 7 copë të cilat na shfaqen në disa forma të çrregullta .E para dhe kryesore ku u shpalos flamuri është më madhe se të tjerat është edhe derë .Duke treguar se portën hyrëse për në saraje. Përpara saj shquhen qartazi shkallët,nga lartësia e banesë zbresin duke cekur tokën.

Kati më sipërm duken dritare me forma drejtkëndësh pa hark ,ku shquhen rreth 8 të tilla majtas . Kurse ne krahun e djathtë shquhen tre të tilla të vogla një e madhe po kaq gjenden edhe një kat më poshtë. Kjo është banesa Xhemil BeJ Vlorës. Të gjithë autorët që përshkruajnë ngjarjen madhore të 28 nëntorit mbështesin qëndrimin se delegatët janë mbledhur në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, kushëriri i Ismail Qemalit. Godina tre kate e Xhemil bej Vlorës gjendej aty ku është sot monument kushtuar pavarësisë .Shtiza e Flamurit është e ndërtuar ka vendin e lartësimit të flamurit kombëtar .Mendohet se kjo shtizë përkon me dritaren e katit të dytë të selamllëkut ku u ngrit Flamuri, pasditen e 28 nëntorit. F.Paskali, bija e skulptorit Odise ka shkruar : Që shtiza që ngrihet flamuri kombëtar çdo 28 nëntor në qytetin e Vlorës, është krijuar nga babai im Odhise Paskali në vitin 1932? Që memoriali i varrit të Ismail Qemalit me figurën e Flamurtarit është vepër e babait tim .Odhise Paskali, vepër e vitit 1932? Që këto 2 vepra janë inauguruar më 28 Nëntor 1932?? Duke ju referuar sërish E. Vlora,.me dëshmi autentike nxjerrim gjysmë fraze ” ku ai shprehet U mblodhëm të gjithë në selamllëk ….Pra te sarajet e Xhemil beut.Kati i tretë paraqitet me 17 dritare të cilat sipas ideatorit përfundon secila me hark.. Kati i dytë,ka 11 dritare dhe vendëhyrjen, në foton origjinale ato shfaqen në formë të çrregullt disa më të mëdha dhe disa më të vogla. Disa përfundojnë me hark dhe disa përfundojnë në formë trekëndëshi.Ndërtesa u shemb në vitin 1925 .A mund të rindërtohet ajo duke ruajtur origjinalitetin,elementët strukturor por në madhësi dhe më e vogël se ekzistuesja?

3. Brendia e muzeut të Pavarësisë

Muzeu i Pavarësisë Kombëtare është ndërtesa ndodhet në Vlorë,qyteti ku flamuri kuq e zi, rreth 100 vite më parë,në ditët e fundit të vjeshtës të vitit 1912,u ngrit ky flamur duke shpallur independencën e shtetit shqiptar. Në korridorin hyrës brenda janë disa tablo me foto në përmasa të mëdha të luftëtarëve të pavarësisë kombëtare si dhe nga kryengritjet shqiptare për pavarësi. Kjo është ndërtesa e selisë Qeverisë së Ismail Qemalit. I vetmi në llojin e vetë. Në origjinalitete ka pajise dhe disa sende personale . Gjenden flamuj origjinal. Një flamur të patriotit Sali Butka, ngritur në Kolonjë. Një portret dhe një pikturë e Marigos. Dhoma e parë e godinës së muzeut është “parathënia e pavarësisë”, ku është pasqyruar rrugë nisja drejt Rilindjes Kombëtare,me fakte dhe dorëshkrime të pakta. Të pasqyruara janë edhe 3 vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881.Fotot e Abdyl Frashërit, Ymer Prizërenit,Sulejman Vokëshit,Iliaz Dibrës. Libra origjinale shqipe si gramatika të gjuhës shqipe në toskërisht,abetarja e S. Frashërit, libri”Vdekja e Pirros”,”Bageti dhe bujqësi” e Naimit, gazetat e kohës ’Koha”,”Shkupi’,”Drita”.”Liri e Shqiptarëve”.Deri në rrugë-mbritjen e vitit ’12 është përshkruar një vargan ngjarjesh. Lexohen pas shkollave shqipe në Korçë,normalja në Elbasan,në Kosovë,kongresi i alfabetit me kryetar Gj.Fishtën .Ardhja e librave shqip, që ndiqte tre drejtime drejt Manastirit në itinerarin Stamboll, Sofie, Bukuresht . Memorandumi i Gërçes,Lufta e Pejës. Mbledhja e Bukureshtit. Itinerarin e ardhjes së diellit,Ismail Qemali në rrugëtimin Stamboll-Bukuresht-Vjenë-Trieste-Durrës,i shoqëruar nga l.Gurakuqi, S.Ilo, Dh.Berati.. Në 28 nëntor,pasdite .U nënshkrua akti i Pavarësisë rreth 1.5 faqe dhe ju dërgua fuqive të mëdha. Me këtë punë dokumentet citojnë se është marrë Lef Nosi,duke dërguar qeverive njoftimin .Edhe shqiptarëve e patriotëve në krahina të vendit është dërguar mesazhi me thënien”Independenca e Atdheut u shpall”.Luftëtarë shqiptarë të Idriz Seferit në një foto me ngjyrat e kohës Tavolina e kryeministrit të parë ka në origjinal shkrimin e tij në shqip. Fermani i sulltanit për I.Qemalin është i vulosur dhe i shkruar në origjinal. Salla e mbledhjeve të qeverisë Vlorës,në krye kryeministri dhe anash ministrat shqiptarë përpara janë flete apo vendimet e qeverisë,përmbi karrigen e kryeministrit është flamuri kombëtar .Në mur portretet e ministrave të qeverisë Vlorës,sipas pozicionit të tyre,fillon me kryeministrin dhe ndiqen nga zv/kryeminsitri dhe ministrat. Nuk është ndonjë godinë me arkitekturë modern. Ka 6 dhoma.8 pavijone dhe 2 sallone. Ka qenë selia e parë e qeverisë së I.Qemalit. Në 1962 shpallet muze kombëtar i pavarësisë.

Dokumente që duhen arkivuar

Në SHBA ka pasur gazeta shqiptarësh deri vitet e fundi, që kanë sjellë dokumente historike e foto të ruajtur nga kjo ngjarje historike, fotografi të cilat u marrën me vete nga mërgimtarët të cilat i botuan ose i arkivuan nëpër vendet që mërguan. Ne kemi nevojë të njihemi dhe ti kemi të përhershme nëpër memurë,arkiva të gjitha fotot apo dokumentet shqiptare,që kanë gjezdisur botën. Shqiptarët e diasporës e shkruanin ndryshe historinë e kësaj dite pa retushime nëpër gazetat apo media që kishin ku hedhin lajmet e ndryshme. Dokumente të tjera gjenden nëpër arkiva të shqiptarëve të cilët i ruajnë si sytë e ballit, por nuk ekspozojnë sepse askush nuk ua kërkon duke i lënë këto dokumente të mbeten të harruar të groposura dhe të pa-ekspozuara . Shumë studiues dhe të tjerë të interesuar në këtë fushë shprehen se disponojnë ose kanë parë materiale, që gjenden nëpër arkiva të ndryshme personale. Këto dokumente mund të thithen nga institucionet të cilat kanë këtë mision. Nuk mund të presim dhe gjithë kohën të shpresojmë se një ditë këto do të bëhen. Duhet të mblidhen të gjurmohen dhe të bëhen publike .Por misioni këtu nuk përmbyllet gjithsesi. Le të arkivohen nëpër muzeumet tona kombëtare të mos i lëmë të varrosura në ndonjë qoshe apo arkiv të mbytur nga pluhuri. Nesër do të na quajnë vdekatarë të tretur nga vjeshtat. Mirësia është një dritë/që nuk shuhet kurrë. Kjo është historia jonë prandaj kërkohet që ajo të ketë vendin e saj. Vetëm F.SH në Vlorë ka të trashëguar një arkiv të madh me dokumente dhe gazeta, që do të mund të plotësonin dhjetëra hapësira boshe të këtij apo muzeve të tjera të vendit tonë që janë kaq të varfër në dokumente .Krahas kësaj këto dokumentet kërkohen të studiohen dhe të shikojnë dritëzën e botimit. Ndër rrugët më të thjeshta është që këto dokumente duhen të ruhen dhe ti krijojnë mundësi studiuesve të saj të shprehen për të marrë informata që do tu duhen në punën e tyre kërkimore studimore. Ndër rrugët më të vështira është të bësh këtë punë si gjeologu kërkon diademën e skërkave. Sepse ditët e këtij muzgu ne i kemi parë herët. Sepse jemi më të përvëluarit për arkivat sepse ato ose i gjetëm të djegura ose të grisura, ose të zhdukura nëpër mjegulla historie. Në këtë pikë mendimi që duhet rrahur është që edhe shtëpia e selisë së qeverisë së Vlorës ë duhet të ketë dokumentet origjinale në stendat e saj.Për një risistemim foto,dokumente,armë,vepra arti, të personaliteteve shqiptarë të periudhës së rilindjes dhe pavarësisë kombëtare madje me kënde të veçanta të jenë firmëtarët ,sendet dhe pajisjet e tyre,sikurse edhe dhomat e ministrave të qeverisë. Sikurse në shkollën Nr 1 që ka qenë dhoma e punës e ministrit L.Gurakuqi një muze i këtillë, atje duhej bërë për arsimin një muze jo nga këta këndet që kanë bërë shkollat që su hedh dot një sy. Të njëjtat fotografi dhe ca fjalë për pavarësinë. Një ridimesionim i tillë duhet të fillojë pas kësaj feste në ditët e fund vjeshtës për 101 vjetorin,102.. duke filluar me arredimin e brendshëm duke sjell e përgatitur pajisje ne origjinalitetin e tyre duke e pasuruar me dokumente që do të mund të blihen nga arkivat personale që janë duke i ruajtur,por që askush nuk ka tagër ti vizitojë arkivat personale,në digitalizmin në vendosjen e sisteme për ruajtjen e ajrimit të sistemit të alarmit.Madje ajo dysheme me pllaka të kuqe një ditë duhet të ndryshojë. Aktualisht sfidat edhe në këtë fushë janë akoma të mëdha. Shtëpia e selisë së qeverisë së Vlorës nuk mund të jetë njësoj si muzeumet e dikurshëm,që sot gjenden rëndom e të shpërndarë qyteteve tona, nga një në çdo qytet me të njëjtën fytyrë. Shqiptarët në diasporë, që disponojnë të dhëna dhe objekte që dot jenë të mirëpritur t’ja lënë historisë dhe të ruhen në këtë muze kombëtar. Tre grupe pune mund të sjellin ndryshimin e tij nëse ata punojnë për një qëllim në tre drejtime: historianët, arreduesit dhe gjurmuesit , nga ku këta të fundit do tu duhen ditë dhe ditë për të rënë në gjurmë të dokumenteve që do të duhen të rikthehen në shtëpinë e pavarësisë për ti parë historianët për ti vlerësuar studiuesit dhe specialistët dhe për ti vendosur në mënyrë bashkëkohore, por duke ruajtur gjurmët e kohës .Është një fakt që këtë muze aktualisht e gjen të mirëmbajtur me ato orendi personale të lyer të hapur në çdo kohë ,mirëpo kohët sjellin sfida që edhe në këtë fushë kërkojnë fonde të veçantë deri në disa mijëra euro për të kthyer në një muzeum bashkëkohor, pas kësaj shteti duhet të ridimesionojë dhjetëra muze të tjerë të llojit të veçantë , që gjenden në shumë qytete të vendit por që vuajnë nga mungesa e dokumentacionit,nga lagështira,nga mos-pasurimi nga mbyllja dyerve,nga mungesa e ideve nga mungesa e personelit,nga rrogat e ulta etj ,etj, etj.

Msc*Studiues

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Flamuri, Gezim Llojdia, ku u ngrit, Shtepia, Vlorajt

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 859
  • 860
  • 861
  • 862
  • 863
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 200 mijë viza nën tehun e Trumpit: luftë kundër abuzimit apo goditje ndaj së drejtës për azil?
  • Nënë Tereza, 116 vjet nga lindja e një gruaje që e bëri dashurinë mision
  • Republika përballë krizës së funksionalitetit institucional
  • SHKRIMTARË TË MËDHENJ QË NUK U VLERËSUAN ME ÇMIMIN “NOBEL”
  • Deti po ngrihet, Shqipëria ende po betonon bregun!
  • Qazim Mulleti i gënjeshtër dhe i vërtetë (70 vjet pas vdekjes)
  • NË KUJTIM TË 116 VJETORIT TË LINDJES SHËN NËNË TEREZA
  • Parimet e qeverisjes demokratike, të përgjegjësisë dhe llogaridhënies…
  • MIGJENI, ZËRI QË U KËPUT NE NJE KOHË TË THYER
  • Manuali i qytetarit që duhet të zemërohet…
  • Dy frontet e shqiptarëve të Kosovës: Mbijetesa përballë terrorit dhe drejtësia përballë BE-së
  • NATO-ja dhe zhvillimi i shtetit
  • NGA PUSTECI NË ULQIN – KUR SULMOHEN SIMBOLET, GJUHA DHE IDENTITETI SHQIPTAR
  • Prof. Agim GJAKOVA – Mjeshtri i Rrëfimit dhe Vjershëtorit të Paepur, midis të Mundshmes dhe të Pamundshmes!
  • Ç`po ndodh me bektashinjtë? Dhe ç`qëndrim duhet të mbajmë?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT