• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qielli tymzi

December 31, 2013 by dgreca

Tregim nga Hazir Mehmeti/

Ai… u ngrit, mori xhaketën ngadalë, që të mos dëgjohej, largoi anash dy krahët e hapjes së çadrës së najlonit dhe doli jashtë. Çdo gjë pikonte ujë, përzier me vesën e mëngjesit të fundmajit. Lugina e rrethuar me kodra në Bjeshkqyqen e lartë ishte bërë strehë e banorëve të fshatrave që grantoheshin papushim. Gurgullima e përroit që vinte nga lart e kishte humbur zërin e tij të vërtetë. Dukej që sillte vetëm vuajtje, frikë e tmerr. Rafalët e mitralozave gjithandej, rënkimet e pleqve dhe të sëmurëve, vajet e fëmijëve, ishte përjetim i përditshëm. Tani e disa ditë nuk ishte parë bukë në luginën e lartë që nga fillimi i ofensivës së fundit. Ushtarët që furnizonin popullatën me ushqime tani ishin vu në pozicionet mbrojtëse, kundër vërsuljeve armike mbi banorët e zhvendosur. Çdo gjë ishte bërë e tepërt dhe e mërzitshme. Bombardimet e fshatrave rrëzëbjeshkore e kishte rënduar më shumë gjendjen.

Largimi i territ u zëvendësua nga hijet e zeza të ushtarëve sojzinj të armikut shekullor. Rrethi ngushtohej. Ecja e atyre hijeve drejt tyre ishte e frikshme. Fëmijët strukeshin në trupa e nënave dhe mbulimi i syve të përlotur ishte i vetmi ngushëllim i mundshëm.

Nuk vonoj dhe erdhi urdhri i tyre i prerë: Të prishen të gjitha çadrat dhe të gjithë të niseshin luginës drejt fshatrave poshtë bjeshkës ! Rruga nuk ishte e gjatë, por mundimet ishin të mëdha. Bartja e të sëmurëve, pleqve, fëmijëve ishte një mundim i madh. Të rrallë ishin ata që mund të ndihmonin dhe të shumtë ata që kërkonin ndihmë.

Në fushën mbi fshatra e ndaluan turmën. Pleqtë e plakat të dërmuar kishin drojën e mbesave e nipave dhe mallkonin fatin që kishin pasur jetë aq të gjatë

që të provonin edhe një herë luftën me një armik të lig e të pashpirt. Djegien e fshatit të tij, J…, më i vjetri në atë mes, e përjetonte për të dytën herë. I mbështetur dhe i dërmuar me pak frymë varej mbi patericat mes dy krahëve. Gjysmëkëmba i rrinte varur me gjysmëpantollonat, të cilat zgjatnin leckat e shqyera cangël në valëzimet e erës.

-O, Zot! – u dëgjua rënkimi i tij, deri kur ky pushtues do luaj me ne?!

Tanket ishin vendosur me gryka topash e mitralozash drejt tyre. Snajperët, në muret e kështjellës dhe shtëpive në kodër, vëzhgonin çdo lëvizje. Ushtaraku që drejtonte ekspeditën dha urdhër që të gjithë të qëndronin në shpatin e gjerë, nën kështjellë, prej nga si në pëllëmbë dore dukeshin fshatrat përreth. Ushtarët e maskuar ishin të gatshëm aty për aty të vrisnin secilin që nuk zbatonte urdhrat. Nga turma u nxorën burrat nga të cilët ata me plisa e pastaj me radhë.

-Si e ke emrin ti matuf? – u çirr komandanti, duke lëmuar grykën e kallashnikovit me dorën e majtë.

-Gjon Gurashi, por nuk jam matuf, jam njeri, jam në oborrin tim,- u gjegj ai gjakftohtë.

-Ah, po e kuptoj, e kuptoj, edhe majmunët nganjëherë duken sikur njerëz. Ku ke parë shqiptari të jetë njeri, të gjithë janë majmunë- ia drodhi ai me ton të ngritur, duke iu dridhur zëri nga inati që dikush guxoi ta kundërshtoi fjalën e tij.

Djersët i shkonin rrëke fytyrës, mustaqet rrinin mbi buzët e glacuara prej thinjave të bardha. Dy ushtarë e rrëmbyen plakun për të dy krahësh dhe ashtu zvarrë e tërhoqën, u dëgjuan britma grash e fëmijësh. Njëra nga gratë, aty afër, vrapoi drejt plakut, por një e goditur nga polici e la pa zë të shtrirë përdhe, kërcyen të tjera në ndihmë. Krisma e automatikut ndaloi turmën.

-Majmunë janë ata që sillen keq, nuk e respektojnë njeriun, djegun shtëpi, vrasin fëmijë, dhunojnë gra e burra, ata janë maj…

Rrëmbimi për gjoksi nga dora e kryepolicit ia ndërpreu fjalën. Zinxhiri me kryqin u shkëput përdhe. Shkëlqimi i arit nga dielli i lodhur i pasditës, ia rrëmbeu sytë kryepolicit. E shtyu plakun anash, e rrëmbeu me forcë përbindëshi zinxhirin e florinjtë.

-Ç ‘është ky, është, flori apo…E futi në xhep me shpejtësinë e hajdutit, ndërsa pjesa e kryqit të mbetur jashtë varej mbi uniformën në të cilën njolla balte krijonin një pamje të të zotit.

-Deshe të na hedhesh me kryqin, matuf, ne nuk mashtrohemi lehtë. Nga e more këtë, kujt ia ke plaçkitur matuf? – u shfryu me inat dhe ngriti dorën ta godas plakun, të cilin e mbanin për krahësh dy policë.

-Kryqin e kam nga nëna, që nga shugurimi kur isha shtatë vjeç, unë nuk jam plaçkitës e as matuf.

-Ha…ha…ha, qeshi kryepolici me fytyrë nga qielli, duke i rrjedhur jargë mjekrës së parruar e gjysmë të thinjur.

-Kush tjetër ka gjëra ari, zinxhir, vathë, rrathë, unaza le të ndahen anash, përndryshe atij që i gjendet do i pritën gishtërinjtë, duart, veshët, qafa…Dhe me një ashpërsi iu kthye plakut:

-Hë matuf, nëna, nëna, jebemti nanu i babu i sve zivo, ku e ke xhaminë që ta…

-Ja, atje matanë, tej luginës.

-Kënd e rren ti matuf, ajo është kishë serbe e jo xhami!

Nuk jam matuf, ajo është kisha ime, aty u shugurova e vura kryqin që ju ma plaçkitet. Mua më vrisni por, kryqin ma ktheni, e kam nga nëna dhe kurrë nuk e kam hequr.

Në atë moment, sikur ta kishte kurdisur dikush, kambanorja lëshoj një jehonë mbytëse…

Gjoni deshi të kthehej andej dhe të bënte kryq për të fundit herë, por duart nuk i punuan. Në zvarritje u pa vetëm xhaketa e tij gjysmë e zhveshur, derisa pas kulumrijave të dendura u dëgjua breshëri automatiku dhe fluturim i pëllumbave të frikësuar në qiellin tymzi.

-Ti matuf plak, ku e ke zinxhirin e arit dhe kryqin e plaçkitur? – i zemëruar iu drejtua plakut Amrush me shallin e bardhë e të trashë rreth kokës, ku i vezullonte vetëm maja e bardhë e plisit.

-Unë nuk kam zinxhirë ari e as kryq, ju jeni plaçkitës e vrasës të …

Një e goditur e fortë ia ndërpreu fjalën përgjysmë. Gjaku filloi t’i rridhte anash gojës dhe buzëve të çara.

-Fol matuf, fol ose shko edhe ti atje në pleh dhe bëri me dorë drejtimin e rrugës së Gjonit.

Një ringjallje nga goditja bashkë me zemërimin ia përshkuan shpirtin në trupin nëntëdhjetë e tre vjeçarit. Hapi sytë dhe pa në mjegullim mjekrën e pikur të kryepolicit nga thinjat ku shkëlqenin jargët mjekrës së larmë. Trupin ia përshkuan mornica të ftohëta, mori frymë thellë dhe kur të gjithë e pritnin fjalën e tij, ai nxori një gllomkë pështymë dhe phu… phu… ia hodhi surratit të kryepolicit.

I trishtuar nga poshtërimi, kimineli, u mundua të fshinte me bërrylin e majtë, kurse me të djathtë grushtoj pa mëshirë plakun. Kapeni, briti dhe me revole në dorë i përcolli dy policët që bartnin plakun e alivanosur disa hapa dhe me një rafal e qëlloj duke bërtitur:

-Svi ovako, svi qemo ubiti, govno. Ova zemla qe da bude çista od govno i majmune. (Të gjithëve, të gjithëve do ju mbysim, mu.., Kjo tokë do pastrohet nga mu… dhe majmunët…)

Shpatmali lindor, në gjirin e të cilit frymonin katër fshatrat, kurrë nuk kishte pasur njerëz më shumë, kurrë nuk kishte dëgjuar kaq shumë vaje fëmijësh e nënash, kurrë nuk kishte përjetuar një tmerr të tillë, një poshtërim të tillë.

Me hapa ushtaraku e duar papa kryepolici i inatosur bëri një marshim, duke përplasur çizmet e tij fuqishëm për barin e përzier me ferra gomari, i përcjell nga dy policë me maska dhe automatikë të gatshëm për gjuajtje pa ngurrim. Ai ngadalësoi hapin dhe filloi shikimin e secilit nga afër. Si të ngrirë qëndronin fshatarët me fytyra të mërrolura, mjekra të parruara, të kërrusur nga jeta maleve nën tendat e najlonit. Ata nuk reagonin ndaj provokuesve, të gjithë e kishin drojën e fëmijëve, caku i preferuar i gjakësorit.

-Po ti mistrec, pse nuk i ke shkurtuar pak këto mustaqe, pse i bartë kot? T’i shkurtojmë ne, e kupton!!

Plaku lëshoi një shikim mospërfillës, por nuk bëri zë. “Mua aq më bënë, por

ç’t’ju bëjë fëmijëve, ata le të shpëtojnë. O, Zot! Po shpëtuan ata do ringjallet kulla”.

I hutuar nga shikimi aq injorant, kryepolici, gati sa nuk fshiu fytyrën me mëngën e tij.

-Të gjithë tre hapa mbrapa, duart pas koke, me fytyrë nga gardhi!- urdhëroi ai tani disi më i qetësuar.

Nga turma u dëgjuan rënkime, vaje fëmijësh. Fillimmbrëmja i dha shkëlqim dritës nga flaka që kishte përfshi çatitë e shtëpive, stalla, hambarëve, gjerdheve, stoqeve të sanës e tallës dhe gjithçka që brenda ruante energji kohe e mundi. Kërcitjet nga zjarri dëgjoheshin tani gjithnjë e më të fuqishme, toka dridhej nën këmbë. Tymi i zi bashkë me erën dërmuese përdridhej furishëm, duke krijuar lart shtëllunga që përdridheshin në qiellin e asaj fillimmbrëmjeje. Flaka e unëve shkrihej në prushorën e kuçedrës gllabëruese të çdo gjëje që i del para.

Lëvizjet e dy tankeve krijuan një zhurmë, e cila tani në fillimmuzgun hijerëndë do mund të dëgjohet që larg. Ata sikur nuk guxonin t’iu largoheshin njerëzve të rrethuar para syve të cilëve zjarri gëlltiste shtëpitë e çdo gjë tjetër. Lëvizja e ushtarëve dhe makinerisë së tyre ishte bërë e varur nga turma e fshatarëve dhe çdo shkëputje nga ajo nuk ishte e sigurt se nuk do goditej nga aeroplanët e NATO-s. Sikur edhe t’u thoshe të shtinin mbi turmë, zor që do ta zbatonin një urdhër të tillë, pasi kjo do thoshte goditje e vetvetes. Dhe ku, në një luftë që nuk guxonin ta humbnin. “Kjo do ishte tradhtia më e madhe ndaj Lazarit, shpirtit të tij lart në qiell, pa të cilin nuk do mund të jetoj asnjë prej tyre, do thoshte mbarimi i turpshëm i saj. Vetëm ky kujtim të bën të çmendesh në pikë të ditës”.

Kjo porosi e kryetarit të tyre i bënte të fortë kryepolicin dhe ushtarët e tij të vazhdonin me misionin e papërfunduar shekujve. Kryeneçësia nuk lejonte të kuptonin realitetit e humbjes. Ata nuk e kishin pritur që jeta e tyre të ishte bërë e varur nga jeta e viktimës së tyre. Po vdiq njëri, vdiste edhe tjetri, apo më mirë të themi, po vdiq preja vdes edhe grabitësi, kështu ishte thjeshtësuar tani raporti i forcave të luftës. Kërcënimi nga vdekja i bënte të barabartë, pasi që të dy mund të vdisnin së bashku e këtë nuk e do asnjëherë egoja e grabitësit.

A vdiset njëkohësisht me prenë, për të cilën ishin lindur ta gjakosnin. Kështu ishin rritur me gjakun e tyre, kishin ngritur dolli me kupat e mbushura me gjak të tyre në vend të shlivovicës që nga ardhja e tyre në të djathtën e Danubit. Kafkat e presë i kishin ruajtur me kujdes si trofe të çmuara për lavde e grada. Jo rrallë ato i kishin ngulur lart në hyrje të rrethojës që të dukeshin sa më larg, ashtu e donte karakteri kanibal. Pllana, Nisusi, Toplica, Vranja, Uglari, Medvegja kështu ishin fituar. E sot të vdiset me ta, apo kushedi, para tyre, nuk do kishte as kuptim as logjikë. Kjo do ishte kundër ligjeve të natyrës zemërgjerë me adhurimin e saj ndaj gjakësorit, viktimës, lindjes e vdekjes në mënyrë absolute të barabartë. Çdo gjë është natyrë dhe ndodh sipas ligjeve të saj.

Tani nuk kishte kohë për rikujtime, as për ankime, ishte momenti i fundit i të gjithëve, por askush nuk e kishte menduar kështu kaq vandal e poshtërues. E kishin përjetuar kullat djegien disa herë vetëm ato dinin të rrëfenin mizori shekullore të shkruara në gurët e tyre sikurse në faqe libri. Dhe askush tjetër.

Shpend Gurxixa që ishte brenda turmës, i mbështetur për një cungu i kishte mbushur të nëntëdhjetat. Për të kjo ishte kallja e dytë e fshatit bashkë me kullën e tij, secila më mizore se tjetra. Asnjë shtëpi nuk i kishte shpëtuar zjarrit, vetëm zoti e di se si dhe kur u ndërtuan përsëri ato. Shumica e burrave të fshatit ishin pushkatuar, gratë e fëmijët ishin dhunuar e poshtëruar. Fshati kishte qenë afër zhdukjes dhe vetëm fati e kishte shpëtuar. Po sot, si do bëhet, do shpëton apo do vdesin të gjithë, një zot e di. “Si nuk u lodh ky zjarr duke kallur shtëpitë tona, shpresat tona. A kallen shpresat, o i panjeri? Dora jote është e shkurtër, e ligë dhe e dobët të arrijë deri atje tek çerdhja maje lisi. Ju armiq mbetët gjithmonë të rrënjosur në pakuptueshmërinë dhe fatalitetin e juaj.”

Kështu mërmërite plaku mjekërbardhë me sy të përlotur. Djersët i shkëlqenin fytyrës së zbehtë që krijonin një portret madhështor pranë trungut të vjetër. “Nga ajo që kishim na metën lëkura e gjallë dhe varret. U ringjallem nga dheu shumë herë dhe kullat i ngritëm. Kurrë nuk kemi dyshuar se nuk do t’i kallin, kurrë nuk kemi dyshuar se do t’i ngrehim prapë edhe më të forta. Përballë shpresës së ringjalljes çdo zjarr ishte vetëm një xixë në Detin Jon. Ku ka varre ka edhe ringjallje. Ruani varret! Po u zhduken varret, mbaruat! Njeriu për së vdekuri flet më shumë. Unë po nisem rrugës që flet”.

Fjalët e plakut mbetën në kujtesë nën ankthin e plumbave. A… ia mbylli sytë në heshtjen e frikshme.

Një fishkëllimë në ajër u dëgjua nga perëndimi dhe u përcoll me shikimin nga lart turmës. Shpresa se Forcat Aleate do vepronin para se të bëhej kasaphane, ashtu siç dinin gjakësorët serbë, me zjarrin dhe bajonetat e tyre, po jetësohet. Shikimi u ndal në përroin e Shpatit të Kullës i shoqëruar me një eksplodim të fuqishëm, i cili lëkundi tokën nën këmbë. Lugina u ndriçua me vetëtima verbuese nga eksplodime që pasuan me radhë bashkë me flakën e tymin që mbuloi luginën. Raketa goditi cakun saktësisht. Përroi shpatë bjeshke, në një pozitë strategjike, kishte qenë vend frike e tmerri që prej kohesh. Reflektorët e fuqishëm kujdeseshin natë e ditë për ruajtjen e tankeve e municionit luftarak që ishte vendosur aty kushedi kur.

Zverdhja e fytyrës së kryepolicit erdhi nga Përroi i Kullës nga vinin eksplodime e kërcitje të vazhdueshme. Kur dukej se pushoi dhe nuk do ketë më eksplodim, dëgjohej një tjetër më i madh i përcjellë me disa tjerë të vegjël. S’ka dyshim depoja bashkë me shokët e tij kishin pësuar fatin e zi të luftës dhe tani ishin pjesë e hirit të pavlerë. Ndërsa mendonte kështu, ai e qetësonte vetën si njeri me fat që nuk ishte bashkë në hirin e zi. I mllefosur dha urdhrin që të lidhen të gjithë burrat. Vetë zuri pozitë mbi rimorkion e ndryshkur gjysmëdisqet e rrotave të së cilës i kishte mbuluar dheu.

-Dëgjoni! Kush nga ju kupton serbisht, le të lajmërohet menjëherë? – bërtiti me të madhe kryepolici i tërbuar nga ajo çka polli pas goditjes nga raketa.

Fshatarët shikuan njëri- tjetrin të habitur. Cili do ketë guxim të dalë e të ketë punë me këtë mizerabel njeri.

-Flisni, ose ju korra automatik, keni kohë dy minuta!

Heshtje, frikë, rënkime nënash e vaje fëmijësh. Nga mesi i turmës lëvizi N … fshatari, me trup të gjatë, kapelë të leckosur me një shall rreth qafe. Të gjithë e dinin se ai kishte punuar hamall një kohë të gjatë në një qytet afër Danubit. Ngadalë iu afrua kryepolicit dhe me një gjysmë zëri tha:

-Unë kuptoj dhe flas serbisht, mund t’iu ndihmoj.

Turma sikur u lirua nga ankthi.

-Ti do të përkthesh saktësisht atë që them, a kuptove ose do mbarosh…dhe bëri me dorë kah trupi i pajetë i xha Amrushit disa metra larg.

“Dëgjoni mirë” e filloi fjalimin duke u dridhur. “Ata nga lart që godasin vendin tonë, vrasin njerëz pa faj, bombardojnë qytete, ata miqtë tuaj po ua shkaktojnë krejt këtë vuajtje. Ne jemi shpëtimtarët tuaj, ne nuk ju vrasim, ne vrasim vetëm armiqtë tanë e ata janë edhe armiqtë tuaj. Ata ju shkaktojnë gjithë këto vuajtje, ata ju vrasin”. – dhe bëri me dorë nga qielli që errësohej në çdo minutë. “Ja, shihni oborret tuaja, nga një stallë ua kemi lënë të padjegur që të mund të strehoheni aty bashkërisht çdo lagje. Aty do ta kuptoni njëri- tjetrin, do ta njihni, do ta doni ose do ta vrisni, ashtu siç dini”- bëri një hap mbrapa dhe kërceu nga rimorkio e ndryshkur.

Turma sikur filloi të merr frymë me një druajtje akoma më të madhe. Nuk ishte hera e parë kur shkau paraqitej i butë nga fjalët, por menjëherë e tregonte gjenin e egërsisë duke u derdhur me tërë arsenalin mbi njerëz.

“Ne do fitojmë, do kthehem këtu përsëri”- vazhdoi me një zë akoma më të fuqishëm. “Deri atëherë ju do na kujtoni gjithkund, në ara, oda, në festa e dhembje. Ne jemi të qiellit. Atje lart jemi ne.- dhe bëri me dorë kah qielli. Atje Lazari ynë jeton pa kokë, ne jemi fara e tij, ne jetojmë edhe pa kokë, por me zemër këtu”- dhe tregoi me dorë tokën nën këmbë.

N…i lodhur nga përkthimi i shpejtë dhe frika iu shter zëri duke iu ngatërruar fjalët deri në belbëzim. Kjo e bëri të dyshimtë në përkthimin e tij.

“Çka po belbëzon ti muti i mutit, përkthe…”!

N…, gjakftohtë vazhdoj përkthimin e fjalimit të kryepolicit para automatikëve nga të cilët sapo u vra Gjoni.

Dy policë po lëshoheshin me shpejtësi shpatit në drejtim të turmës. Kryepolicit i ngelën fjalët në grykë, bëri me dorë nga policët që e shoqëronin, duke u kthyer bashkë me ta në drejtim të tyre. Sapo u afruan, ai u nda nga shoqëruesit e tij, u përshëndet me policët me rrobat e tyre të nxira nga thëngjilli, plehu, pluhuri e pisllëqet e gjësendeve tjera dhe pak iu dallohej ngjyra e tyre e kaltër me shqiponjën me katër stilizimet e tyre të njohura për gjakësi. Pëshpëritën disa minuta dhe në fund u ndanë me një dëshpërim që dukej në fytyrat dhe ecjen e tyre.

Rrugës së Shpatit u panë dritat e dy autoblindave që lëviznin shpejt në kthesat poshtë rrugës malore, e cila lëshohej në luginën e padukshme e pastaj drejt Kodrës Rrëzëbjeshke ku kishin themelet e tyre disa fshatra. Xhamia e ndërtuar së fundi, ishte me gjysmë minare dhe përplot vrima nga gjithfarë granatash. Sapo autoblindat u drejtuan rrugës së drejtë për në fshat, dritat e tyre u reflektuan në muret dhe oxhaqet sipër të cilave rridhte tymi i hollë i unëve që akoma digjeshin.

Kryepolicit iu pre fjala në grykë sapo u ndal njëra nga autoblindat me gjethet maskuese, njohu nga larg ushtarakët, u nis drejt tyre duke ua bërë me dorë përcjellësve që ta ndjekin. Kobi i tyre po thellohej. Kjo dukej në ecjet e tyre jo të rëndomta. Dy kamionë të mbushur me burra zhurmuan poshtë rrugës pa drita edhe pse muzgu tani kishte prekur tokën. Vargut të tankeve që lëshoheshin nga shpatiet e bjeshkës shtohej me të tjerat që dilnin nga plevicat, shtëpitë e shkatërruara, shkolla e fshatit ku kishin qenë të fshehura. Kush nuk do besonte se kishte pasur kaq shumë tanke, autoblinda, kamionë rreth tyre të gatshëm për të vrarë.

A… u befasua me ditarin e saj, i dukej sikur nuk e kishte shkruar vetë. ”Do ta botoj” -mendoj dhe dy pika loti rrëshqitën faqeve, duke lagur pllakën e mermertë në rreshtin e njëqind e shtatëdhjetetre të regjistrit mortor të ditës.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Hazir Mehmeti, Qielli tymzi, Tregim

Dy festat që e bënë kurioze Sofian

December 30, 2013 by dgreca

Nga Arjan Kallço/

Babagjyshi i vitit të ri, qysh këtu të lindin pikëpyetjet e para për këdo fëmijë të rritur, kur fjalën e ndan në dy togfjalësha, babagjysh dhe viti i ri, një konrast fjalësh që duket sikur nuk shkon, ecte nëpër rrugë i shoqëruar nga një grup fëmijësh edhe ata të veshur me të njëjtin kostum bardhë e kuq, por për çudi dhe me mjekër. Në duar mbanin disa instrumenta me dimensione disi të ndryshme që, kur u binin me një shkop të shkurtër prej metali, lëshonte një tingull shurdhues. I shoqëruar nga zëri i fëmijëve muzika përzihej me të dhe melodia kthehej në një ëmbëlsi që në periudhën e Krishtlindjes, është gjithmonë një kënaqësi e këndshme për veshin dhe syrin që, mesa duket, atmosfera sikur ia heq ato imazhe të përzjerra të ditëve  të zakonshme në formën e një grafiku të valëzuar, duke e bërë me mendje ndarjen e ditëve që na kanë pëlqyer dhe atyre, kur miku më i ngushtë ishte trishtimi. Fëmijët shkonin pas babagjyshit të madh në rresht, të gëzuar dhe të qeshur dhe bashkë këndonin këngën që nuk mbaronte kurrë. Ishte një maratonë e vërtetë që, edhe pse vazhdonte pambarim, vazhdoje ta dëgjoje me një farë lumturie të pashpjegueshme që të kap në ditë festash. Edhe sikur të kesh halle të mëdha, ndjenja e lumturisë sikur ia shkul shpirtin tënd prej problemeve që të asfiksojnë me ditë të pafundme. Bashkëjetesa e disa ndjenjave të kundërta shfaqet në disa rrethana që herë t’i sjell rastësia, herë sikur edhe i kërkon vetë, pasi shpirti nuk mund të qëndrojë gjithmonë i lidhur ngushtë me trishtimin, problemet, fatkeqësitë.  Gënjejnë ata që thonë se nuk na qesh buza kurrë, ose e thonë në mënyrë të tillë që të kuptosh se në jetë kanë më shumë ditë të errëta sesa të kthjellta. Por përsëri është një gënjeshtër kokë e këmbë. Edhe në raste kur humb njeriun e afërt, e gjithë koha nuk kalon vetëm në zi. Dikush apo edhe gjatë bisedës do të përmendet diçka që do e thyejë atë fytyrë të vrarë nga dhimbja dhe menjëherë një fije e lehtë buzëqeshje, që lind e brishtë, një erë e lehtë apo fllad i freskët, që ta përshon qënien, sikur ta lehtëson shpirtin. Nuk është ndonjë tradhëti ndaj dhimbjes që të hyn papritur edhe kur nuk e pret, mund edhe ta sforcosh dhimbjen, duke mosdashur ta humbësh atë çast dramatik, por një shenjë jete që të thotë se nuk mund t’i shkëputesh dot këtij fati, që hidhërimin ta afron me gëzimin, apo me disa çaste edhe pse kalimtare buzëqeshjesh. Është antikorpi që asnjë shkencë në botë nuk mund të prodhojë dot  dhe që nuk e lë jetën të mpaket dhe të fishket.

E ndërsa karvani ecte para mes zileve dhe këngëve, mbesa ime Sofija, edhe pse e vogël në moshë, me një padurim prej fëmije që i pretendon të gjitha gjërat më drejtohet :

Lali Arjani, Lali, a mund të të them diçka? Këto fjalë të thëna me aq sinqeritet dhe pafajësi më shtangën. Një fëmijë që të kërkon nëse mund të thotë diçka. Pra një lutje apo kërkesë që kërkon detyrimisht vëmendjen tënde, por e bërë në një menyrë tepër të sjellëshme. Disa të rritur shpesh janë më të paduruar se fëmijët dhe e humbin fillin fare kur të kërkojnë diçka, bile shpesh e trashin zërin apo e përsëritin pyetjen me idenë se nuk po i respekton. E di for mirë se nuk është e vërtetë, por ec e u mbush mendjen! Duhet të mësojnë pikërisht nga këta fëmijë që të rritur në një mjedis tjetër nga ky i yni, sikur bëhen më të qytetëruar.

Po, po mund të ma thuash – iu përgjigja shpejt. U detyrova që edhe unë ta përdorja atë fjalë, për të mos ia thyer apo prishur imazhin e asaj kërkesë kaq të thjeshtë, por tepër të sjellëshme.

Prit, prit, mos ec se kështu nuk mund ta them dot – vazhdoi. U ndala dhe gjithë sy e veshë po prisja pyetjen e saj që mesa duket po ia përfshinte të gjithë mendimin tek shikonte ata fëmijë që ecnin para nesh, këndonin dhe gëzoheshin. Gëzimi është jeta e tyre në atë moshë dhe duken kaq të qetë në egërsinë e një bote që do ta njohin vite më vonë. E tek ecja bashkë me mbesën, për dreq m’u kujtua një këngë me disa vargje tepër të ndjera: Mos ua prishni lumturinë…as kërkush të mos guxojë se nënat s’u lejojnë…Po e këndoja me zë të ulët përballë Sofijes që e habitur më pyeste : Çfarë kënge është, çfarë kënge është kjo, Lali? Je e vogël ta kuptosh Sofija, kur të rritesh edhe pak do ta kuptosh më mirë. Tani mësoje kështu, sepse është poli orea.

A mund ta bëj pyetjen tani? A mund ta bëj pyetjen tani? Të lutem Lali.

Ah, po më fal, ti kishe një pyetje xhaxh’ dhe unë ende nuk e kam dëgjuar – i thashë aty për aty.

I shikon ata fëmijët që po këndojnë të gjithë këngën : Zila tring, zilja tring, zilja tringëllon?

Po, i shikoj. Dëshiron të bëjmë një fotografi me ta?

Jo, jo se do e bëj me mamin dhe babin, kur të shkojmë tek lojrat sot pasdite. Më tha mami që sapo të kthehet nga puna, do të shkojmë të gjithë bashkë aty.

Do të vish edhe ti, Lali? Eja, të lutem eja, që ta shohësh babagjyshin e vitit të ri.

Do të vij edhe unë – iu përgjigja.

Sa mirë, sa mirë – filloi të gëzohej mbesa ime duke thirrur : Do të shkojmë tek lojrat…do të shkojmë tek lodrat.

Këtë deshe të më thoshe? – vazhdova unë.

Jo, Lali, jo. Diçka tjetër që nuk po e kuptoj – mori një pamje tepër serioze. Kush e di se çfarë mendonte në atë mendjen e saj prej fëmije. Ndonjë lutje tjetër për ta çuar diku apo për t’i blerë ndonjë lodër në dyqanet që kalonin para nesh dhe të zbukuruara për festa.

Epo një dhuratë edhe do t’ia blej – mendova pa hezitim. Zbraze kuletën, o Lali – thashë pa zë, se viti i ri një herë në 365 ditë vjen.

Babagjyshi i vitit të vjetër vërtet mund ta mbajë mjekrën se u plak gjithë këtë kohë,  por babagjyshi i vitit të ri, ata fëmijët, a nuk duhet të jetëi ri, si dhe viti?

Pyetja do ta kishte lënë pafjalë çdo njeri që në ato momente po mendonte për një dhuratë apo ndonjë kënd lojrash. Ishte një gjë pakuptim në pamje të parë, por që përmbante një të vërtetë së cilës i duhej dhënë një përgjigje.

Po Sofija, ai plaku duhet ta ketë të bardhë dhe të gjatë, sepse kaloi shumë ditë bashke me ne. Fëmijët nuk e kanë mjekër, atë që shikon, por borë të bardhë që t’I ngjajnë babagjyshit.

Po pse borë Lali? – u ngut të merrte përgjigjen.

Nuk është borë e vërtetë, në Athinë nuk bie kurrë borë, por pambuk që zëvendëson borën.

Po ai xhaxhi pambuk e ka?

Jo, jo e ka mjekër prej vërteti, se është shumë plak. Mjekra e bardhë e një plaku tregon se jo vetëm ka jetuar gjatë, por edhe ka qënë njeri i mirë, i ndershëm, që e mban fjalën e dhënë. Fëmijët çdo vit mezi e presin që ai të vijë dhe të sjellë dhurata për të gjithë fëmijët që kanë qënë të urtë dhe të sjellshëm.

Ti, Sofia, ke qënë vajzë e mirë gjithë vitin? E ke dëgjuar mamin dhe babin?- iu drejtova me një zë të butë dhe dashamirës. Vetëm fëmijët e mirë do të marin dhurata, të tjerët si dënim nuk do t’u japin.

Po, po – u përgjigj shpejt që ta siguronte se do ta merrte dhuratën. Nuk të gënjej, nuk të gënjej. Pyete dhe mamin ose babin – tha me një ton zëri që ta mbushte mendjen.

Gjithmonë apo ndonjëherë e ke shkelur? – ia prita befasisht.

Edhe të mëdhenjtë bëjnë gabime, Lali, jo vetëm ne të vegjëlit. Kam bërë edhe unë disa gabime të vogla, por shpresoj që babagjyshi të m’i falë ato. E dua një dhuratë edhe unë,  e dua! Mezi po e pres!

Sofia, e di ti që ka edhe një festë tjetër në ditët e para të janarit dhe që përsëri fëmijëve u ndajnë dhurata? – vazhdova unë ngadalë – që nëse dhurata e parë nuk do të binte në duart e saj, të paktën të kishte të dytën.

Çfarë festë është kjo? – pyeti si me mëdyshje. Këtë festë unë nuk e di. Sa shumë festa që ka për fëmijët! Pse vetëm për fëmijët dhe jo për të gjithë?

Sepse ata që gëzojnë më shumë dhe kanë nevojë për dhurata janë pikërisht fëmijët – u përgjigja shpejt e shpejt.

Sa qef, sa qef! Një tjetër dhuratë është gati për të gjithë fëmijët në janar! – gëzonte Sofia e motivuar edhe më shumë që këto ditë të dukej edhe më e mirë se ç’kishte qënë. Para një stimuli edhe të rriturit shfaqin të njëjtin karakter si të një fëmije. Si një ftesë e dashur që të vjen papritur e pakujtuar dhe të kap të gjithin të papërgatitur, por I sigurtë se diçka e mirë po të ofrohet.

Po kush i sjell dhuratat në janar, Lali? Kaq shpejt i bëjnë gati? – pyeste me insitim që të mësonte më shumë rreth saj.

Është një teta që është gruaja e babagjyshit dhe që do të vijë më datën 6 janar – i thashë me zë të sigurtë që t’i përcillja siguri.

Më datën 6janar? Ta shënoj në kalendarin e ri sa të mbërrijmë në shtëpi – nxitoi të përgjigjej. Po si është kjo teta?

Kjo teta – fillova të shpjegoja unë – është një grua plakë, e shëmtuar që fluturon me fshesë dhe atë ditë zbret nga qielli me thesin me dhurata. U afrohet fëmijëve dhe u bën pyetjen që të thashë pak më parë: ke qënë vjazë e mirë gjithë vitin? Po të kesh qënë, nxjerr nga thesi dhuratën dhe ta jep, nëse jo, nxjerr një fëngjill të zi që i merr nga zjarri dhe ta jep.

Unë nuk e dua thëngjillin, nuk e dua! – e ngriti zërin gati sa nuk ia plasi të qarit.

Epo kështu thotë ajo gruaja me fshesë. Ti mos e gënje, se ajo e di sesi je sjellë me shokët, me shoqet, me nënën, gjyshin, kushërinjtë, mamin dhe babin. Tek dëgjonte gjithë këto fjalë, u mbështoll duke shtrënguar shpatullat e saj të vogla dhe duke i dhënë fytyrës një shprehje çudie.

Gjithë vitin është kohë e gjatë, o Lali! Ku ta mbaj mend unë!

Në mendjen e saj filluan të kalonin ditët kur është grindur dhe zënë me shokët dhe shoqet, apo edhe ditët e tëra kur nuk flisnin mes tyre. Nuk do ta deshte një ballafqim të tillë me plakën që fluturonte me fshesë.

Po si e di ajo që unë nuk kam qënë e mirë? – vazhdoi Sofia.

Unë nuk thashë se ti nuk ke qënë e mirë. Ajo ka një libër të mëdh ku shkruhen të gjitha gabimet që secili fëmijë bën gjithë vitin – i thashë përsëri me një seriozitet që ta kuptonte se gabimet nuk duhen fshehur.

Të gjitha, të gjitha? – pyeti përsëri.

Po, të gjitha dhe nëse ti e pyet atë, ajo të përgjigjet menjëherë për gabimet që ke bërë.

Po ti mos e ki mendjen tek ajo teta tani, kemi festën e Vitit të ri përpara. Të shohim se çfarë dhurate të ka sjellë ai, pastaj ta presim atë tetën me fshesën fluturuese – iu drejtova me të njëjtat tone si më parë.

Babagjyshi me slitë dhe me renat, plaka me fshesë që fluturon: kush e di se ku janë tani ata – pohoi me zë të dorëzuar Sofia.

Po shpërndajnë dhurata në vende të ndryshme për fëmijët e të gjithë botës – vazhdova – dhe më pas do të vijnë edhe këtu. Ëndrrat në mendjen e Sofia u bënë edhe më të bukura. Fëmijët nuk mund të jetojnë dot pa to, pasi është ligji i jetës. Pa ëndrra nuk do të rriteshin kurrë. Pa ëndrra nuk do ta kuptonin kurrë ndarjen e tyre nga mosha e fëmijërisë. Vetë Njeriu pa ëndrra seç më ngjan me një tren të shpejtë që vetëm ecën, pa e varër mendjen se ku shkon. I mjafton kaq gjë që për diku po shkon.

Arjan Kallço

Athinë në një prag të Vitit të ri

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Arjan Kallco, Dy festat, që e bënë kurioze, Sofian

PROVINCIALI

December 29, 2013 by dgreca

tregim nga Teodor Keko/

Ferit Ferra lindi një ditë të acartë dhjetori pranë oxhakut me një lopë te koka, gjithashtu mbarsur rëndë, në vend të mamisë. E para, që e lëpiu, ishte lopa, e cila e vështronte pa nxjerrë tingull me sytë e saj të mëdhej gjysmë të fikur, duke menduar ndoshta mundimet, që do të hiqte ajo vetë pak më vonë. Nuk kishte telefon në fshatin e thellë të ngritur kush e di pse rrëzë shpateve të thikta të Tomorrit, siç nuk ka ende as sot, e as bëhet fjalë të merrje rrugën deri në qendrën e kooperativës, ku ndodhej e vetmja mami e zonës: dëbora pat mbuluar edhe dritaret e kateve të dyta të shtëpive me gurë e rrasa.

Me të mbaruar punë me foshnjën e porsalerë, nëna e tij u detyrua të ngrihej prapë, sepse i erdhi rradha lopës për të lindur. Ajo polli viç të bukur mashkull, të cilin e therën pas një viti plot dhe e varën në çengel në bodrumin e ftohtë.

Feriti u rrit si gjithë fëmijët e tjerë të zonës, duke vrapuar pas kafshëve të shtëpisë e zogjve të pyllit, deri sa u bë për shkollë. Në fillim në fshat, pastaj në qendër të zonës, dy orë larg më këmbë, ai mbaroi klasën e tetë shkëlqyeshëm. Pak nga kjo arsye e shumë, sepse familja e tij i kishte nja dy miq në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, atij i dhanë një bursë për të vazhduar politeknikumin në Tiranë për elektronikë dhe kështu fëmija, që kishte filluar të hidhte shtat e të bëhej një djalë balash, u nis me një boçe plaçka për në kasaba, siç shpreheshin pleqtë e fshatit.

Pa kapërcyer mirë qafën mbi fshat, ai u betua me vete, se nuk do të kthehej më në humbëtirën që po linte pas, ndërsa puna e dytë, që bëri, ishte gënjeshtra e thënë shokëve të rinj të konviktit, se ai vërtetë e kishte emrin Ferit, por nga koha e fëmijërisë e patën thirrur të gjithë Riti. Kështu e ndërroi emrin shpejt e shpejt.

Në shkollë ai mësoi ditë e natë dhe, pa mbaruar ende vitin e parë, u bë një teknik i shkëlqyer për riparime radiosh e televizorësh. Shkathtësia dhe talenti i tij i ra në sy profesorit të Ritit, një mjeshtër në këtë fushë, që kishte aq shumë kërkesë për njerëzit, sa nuk ia dilte dot vetëm, dhe ai, pasi njohu dëshirën e djalit për të mos u kthyer në fshat gjatë pushimeve verore, e pajtoi në punë në dyqanin e tij me një rrogë të mirë. Kaq i zellshëm u tregua Riti, sa profesori vendosi t’ia japë rrogën në vazhdimësi, pasi me këtë ndihmës ilegal ai jo vetëm kishte tani shumë më pak punë, por edhe fitonte shumë më tepër lek.

Kjo histori vazhdoi gjatë të katër viteve në shkollën teknike dhe Riti ia doli të pranohet në Universitet për elektronikë, sigurisht i ndihmuar nga rezultatet e shkëlqyera dhe klientët e tij të profesorit. Atë vit, kur filloi studimet e larta, i vdiq babai, por ai nuk shkoi as në varrim e as për ngushëllim. I mbushi mendjen vetes, se rrugët qenë të zëna nga dëbora, ndërkohë që lajmin e kobshëm nuk ia tregoi askujt.

Pa hequr dorë nga riparimi i televizorëve, ai ia mori dorën shpejt edhe kompjuterave dhe, pa mbaruar vitin e parë të studimeve, siguroi një punë me kontratë në PTT-në qëndrore të asaj kohe. Lekë kishte pa hesap e shoqet nuk i mungonin, se ai nuk kishte turp e shtinte me çifte, duke ia kërkuar kujdo që i dilte përpara, e duke mos u fyer asnjëherë nga refuzimet, por Riti sërisht nuk ndjehej i kënaqur. E kuptonte se vajzat e Tiranës, pavarësisht se ai i kishte futur në shtrat e i pat trajtuar në mënyrë të shkëlqyer, i largoheshin, sapo merrnin vesh nga ç’fshat i humbur vinte. Pikërisht, kur ai po vriste mendjen, se si mund ta fshihte origjinën e tij, siç kishte fshehur emrin e vërtetë dikur, plasi revolta e studentëve dhe Riti e preu me mendje, se nuk duhej ta humbte këtë shans, pavarësisht se ai e kishte pasur gjithmonë xhepin plot dhe i lutej përnatë Allahut ta trajtonte në këtë mënyrë gjithë jetën. Ai punonte mirë me bërryla, deri sa doli në ballë të lëvizjes studentore, firmosi me ngut anëtarësinë e 300 themeluesve të një parite opozitare dhe, sa shihte ndonjë kamera televizive përreth, do bënte çmos t’i dilte portreti në ekran.

Ai donte të bëhej deputet dhe bëri maksimumin, që partia ta vlerësonte, mirëpo kjo përçarje e madhe nuk i eci. Për këto lodra ai ishte akoma amator. Atëherë ai bëri sikur u ofendua, bërtiti koridoreve të partisë e tavolinave të kafeneve, se atë nuk e donin, nga që ishte antikomunist i vërtetë, dhe dha dorëheqjen nga partia.

Një vit më pas Riti përfundoi studimet e larta dhe menjëherë, me të gjitha lekët e mbledhura nga puna gati tetëvjeçare, jo pak për atë kohë, themeloi një firmë private me destinancon import kompjuterash e riparim të këtyre pajisjeve. Ai mblodhi disa lekë borxh me përqindje dhe puna filloi t’i ecë mirë, se kërkesa kishte boll e ai dinte t’i gllabëronte fondet shtetërore për këtë punë, duke ua mbushur mirë xhepat nëpunësve të shtetit, por, megjithëse kontua e tij bankare ishte majmur tamam, ai prapë ndihej i pakënaqur: e nuhaste se qytetarët nuk ia hapnin derën e nuk e afronin, sapo merrnin vesh origjinën e tij. Atëherë ai vendosi të ndryshonte kurs! U afrua te një parti e majtë, shumë e dobësuar me elektorat atë kohë, financoi pa kursim disa aktivitete të tyre dhe, kur ata i afruan teserën e partisë së tyre, ai e pranoi, por me një kusht: në zgjedhjet e ardhshme donte ta seleksionin si kandidat për deputet. Funksionarët e partisë, që ai i mbante me bukë e me lek, e ndihmuan dhe kontrata u firmos! Riti zgjodhi si zonë, ku do të kandidonte, një krahinë në Jug të Shqipërisë dhe, pasi seleksionoi një staf të mirë me njerëz të njohur të asaj treve, ia nisi ca investimeve të vogla, por që po i jepnin emër e po e bënin figurë popullore. Ai çoi në krahinë një makinë funeralesh e një autobuz në dispozicion të komunës dhe kaq mjaftoi, që atë ta uronin të gjithë vendasit. Ishte i bindur se mjaftonin dy ndere, ta bëje fshatarin mik me kokë: ta çosh si njeri në kasaba e në varr! Të tjerat, filozofonte ai, ia jep toka dhe lopa….

Atë ditë, që ai mbushi 25 vjeç, organizoi një darkë madhështore në Plazhin e Durrësit me miqtë e tij. Atje njohu një vajzë zeshkane, me një trup të bukur e sy ekspresivë, studente në juridik, me një emër të çuditshëm për shqiptarët: Sindi! Pasi e ngrohu disi bisedën me tjetrën, ai mori vesh se edhe ajo kishte lindur në një fshat në këmbët e Tomorrit, jo shumë larg fshatit të tij. Atëherë Ritit diçka iu kujtua dhe e pyeti tjetrën menjëherë fare hapur, se si e kishte emrin e vërtetë. Tjetra u skuq, hezitoi një hop, pastaj mërmëriti: Sindikata!…Por shoqet nuk e dinë, shtoi.

Riti e ngushëlloi, duke i treguar, se edhe ai kishte të njëjtën histori me emrin. Kjo koiçidencë i afroi çuditërisht menjëherë! Pa u mbushur java nga njohja e tyre, ata u bashkuan në shtrat dhe zjarri i asaj vajze të ardhur nga provinca e habiti Ritin. Ajo e bënte me një pasion artisti atë punë dhe, pasi ta kishe provuar një herë seksin e saj, edhe sikur ta urreje, mbeteshe skllav i asaj femre! Riti iu fut thjesht një aventure me Sindin, pasi ai e kishte ndarë mendjen të martohej me ndonjë vajzë nga familjet e njohura të kryeqytetit, por shumë shpejt e ndjeu se nuk ndahej dot nga tjetra. Veç kënaqësisë, që Sindi i afronte në shtrat, ai e kuptoi, se sa herë shfaqej në publik me atë femër, ndodhej menjëherë, si me magji, në qendër të vëmendjes të të pranishmëve. Tani edhe lobi i dashamirësve të tij në parti po zgjerohej dhe Sindi kishte shumë dorë në këtë punë, pasi partiakët e lartë, sapo e shihnin figurën e saj, fillonin të lëngëzoheshin. Riti nuk e kuptoi kurrë, se deri në çfarë mase i afroi ajo figurat e partisë, por fakti, që disa patriakë të kuq filluan të bëjnë be për kokën e Ritit dhe ta paraqisin figurën e tij, si figurën model të të majtit evropian, linte shumë për të dyshuar.

Një mbrëmje vonë, pasi kishin bërë një seks të harbuar, meqë të dy ishin euforikë nga pija, ai mori guximin dhe e pyeti Sindin për marrëdhëniet e saj me disa emra të njohur të majtësh.

Tjetra e pa gjatë, pastaj ia ktheu e bezdisur:

-E ç’të duhet ty?! Këto janë probleme të mijat! Ti, sa kohë të jesh me mua, ata do të të mbështesin dhe fjala jote do të jetë ligj!…

-Po sikur unë të dua të martohem me ty? – e pyeti befas Riti.

Atëherë ai mori përgjigjen më të papritur për të:

-Ah, këtë gjë duhet ta mendoj njëherë! – ia ktheu ajo pa as më të voglin emocion, në një kohë, që femrat e tjera provinciale, me të cilat ai kishte pasur të bënte, do të hanin çarçafët me dhëmbë nga gëzimi e do t’i kthenin sakaq ata tabakë pëlhurë gjashtë metra katrorë në fasho për pacientët e kirurgjive!

Riti u ndje për herë të parë, pas shumë e shumë vitesh, i nënshtruar. Nuk bënte dot pa këtë femër dhe largimi i saj do të ishte i barabartë me falimentimin total!

-Po mirë, mendohu, të lutem! – i ra nën këmbë ai dhe Sindi ia ktheu se do të mendohej, por nuk donte t’’a vinte litarin në fyt. Për atë, marrja e këtij vendimi, duhej menduar mirë, pasi këtu nuk bëhej fjalë për një aventurë kalimtare.

Pavarësisht se ata vazhdonin të bashkëpunonin rregullisht, Sindi e mbajti në hava tjetrin nja gjashtë muaj. Ajo tani e bënte edhe më mirë e më pacipërisht atë punë në shtrat dhe ai e lëshoi dorën e nisi ta mbushë me dhurata të shtrenjta e lekë, deri sa një ditë nuk duroi dot, me gjithë betimin e marrë me vete, dhe ia kujtoi propozimin e asaj nate.

-Mirë jemi edhe kështu, – ia ktheu qetësisht ajo, – martesa mund të na krijojë probleme, sepse, ti, je xheloz…

Riti ndihej krejtësisht i robëruar nga ajo femër e çuditshme me një vështrim manjetik e pamje joshëse.

-Unë nuk jam fshatar, – belbëzoi, – unë jam për martesë të lirë, ku partneri ka prioritete të jetojë jetën e tij dhe jo të respektojë në mënyrë fanatike besnikërinë…

Zoti ia futi menjëherë në kokë këto fjalë, të cilat ai nuk i kishte menduar kurrë! Ajo e kundroi një herë gjatë, me një vështrim mosbesues e zhbirues, pastaj shqiptoi thatë:

-Po të jenë të vërteta fjalët, që the, pranoj, por, përpara se të celebrohemi, këto fjalë duhet t’i shkruajmë në një kontratë ligjore. Nuk kam ndërmend ta lidh jetën me ty sot dhe nesër të ngelem me gisht në gojë e kalamaj nëpër këmbë rrugëve!

-Dakort! -pranoi Riti dhe tjetra ia nisi hartimit të kontratës.

Pasuria dhe firma tregtare e Ritit do të regjistrohej menjëherë në dy emra dhe, nëse ata do të shkonin në divorc, gjithçka do të ndahej në mënyrë të barbartë mes tyre dhe fëmijëve të tyre, të cilët, gjithmonë në rast divorci, do t’i kalonin nën kujdestari asaj.

Megjithëse të dy ishin myslimanë e të dy me emra të ndryshuar në Gjendjen Civile, ata u martuan një të dielë korriku në Kishën e madhe Katolike dhe pasi morën bekimin e priftit e të të majtëve, u nisën për muajin e mjaltit në Sejshellin e largët.

Ishin shqiptarët e parë, që shkelnin në atë vend të bekuar nga Zoti në fund të botës, dhe Sindi menjëherë u vendos edhe në atë parajsë në qendër të vëmendjes. Natën i dhuronte lumturi Ritit e ditën, kur ai bridhte ishujve të vendosur në oqean, çmendtte një xhentëlmen anglez, që pa e zgjatur shumë, i futi një goxha çek në xhep, duke iu lutur ta lajmëronte menjëherë, nëse do t’i mërzitej ndonjë ditë Riti.

Sindit i pëlqeu anglezi fisnik dhe, për t’ia kthyer me të njëjtën monedhë respektin tjetrit, fëmijën e zuri me anglezin xhentil një paradite të kaltër-të kaltër, duke i lënë të kuptonte diçka partnerit të saj të ri. Më pas, ajo do ta sillte mikun e saj dy – tre herë në Tiranë e po ashtu do të shkonte një dy herë në Londër, derisa të dilte në dritë një djalë i bukur i shëndetshëm, që Sindi do të këmbëngulte ta pagëzonte Roi, në kujtim të babait të vërtetë të foshnjës.

Lindja e djalit solli fatmbarësi në familje, pasi atë vit edhe Riti ia doli të zgjidhej deputet dhe tani familjes Ferra nuk i mungonte asgjë: kishin lekë, fëmijë, pozitë e miq. Por përsëri Riti ndihej i pakënaqur!

-Kur të sistemohesh, ti, e unë të bëhem ministër, janë kopsitur problemet tona! – i tha ai një mbrëmje Sindit, duke përdorur një fjalë të hershme të gjyshes së tij, të zgjuar kush e di se si nga kujtesa.

-Të dyja do të bëhen realitet shumë shpejt! – ia ktheu ajo dhe, meqë e dinte më mirë se kushdo se me cilin flinte ato kohë, ishte fare e sigurtë për fjalinë, që tha.

Edhe Riti e dinte me cilin duhej të qe lidhur ato kohë Sindi, sepse me të dalë ai nga vila e tyre e madhe buzë liqenit, shtëpia rrethohej nga ca truproja, që njiheshin se cilin mbronin. Por Riti nuk bëhej i gjallë. Po ta hapte gojën tani, vetëm do të humbiste dhe as Zoti vetë nuk do t’i bënte derman!

Në pritje, deri sa të bëhej ministër, Riti iu fut derrçe punës së tij private. Tani ai kontrollonte nga lart çdo tender shtetëror dhe nuk kishte më nevojë t’ua lyente qerren të tjerëve, si dikur. Sillej mirë e sponsorizonte, apo ndihmonte jo pak njerëzit, të cilit i duheshin për të përmbushur objektivat e tij, kokën e mbante ulur e kishte fituar namin e modestit, të cilin nuk e prish kamja, por thellë – thellë qëndronte i ulur në një karrige krejt tjetër: ai tani depozitonte fare pak lekë në bankat shqiptare dhe duke shfrytëzuar imunitetin e tij diplomatik, shumicën e parave i fuste në një konto të tij bankare sekrete diku andej nga Luksemburgu. Me shkresa ligjore firma e tij figuronte për vit me humbje…

Sindi vazhdonte ta lumturonte natën Ritin e ditën të tjerët, duke filluar namin e një kurve klasi, që të bënte ta shijoje parajsën për së gjalli, deri sa erdhi momenti i lumur, kur borxhet e ngri – këmbëve të saj e rrotëlyerjes së tij u lanë e ai u zgjodh ministër.

Riti mblodhi të gjithë ndihmuesit e tij në një darkë madhështore dhe ua shprehu mirënjohjen e thellë hapur, aq sa i bëri të gjithë me turp, por ndërkohë emrat e tyre i kishte ngulitur thellë në kokë dhe i shihte, duke u pjekur të gjallë në hell, si Ali Pashai përdhunuesit e së jëmës dhe të së motrës. Planin e hakmarrjes e kishte hartuar deri në detaje dhe këto gjëra ai dinte t’i bënte tamam, se vetëm hakmarrjen e njihte me dhëmbmë e dhëmballë.

Riti duroi edhe nja një vit, deri sa i realizoi me duart e të tjerëve goditjet e mëdha financiare, dhe, atëherë kur nuk e priste akush e ai qe pagëzuar si “leshko”, e kapi Sindin lakuriq në shtrat pikërisht me peshkun e madh, me atë që dëshironte ta kapte! Ai i përzuri të dy gjysmë të xhveshur nga vila me tesha përpara organeve intime, duke realizuar një spektakël unikal publik; ia doli, që të pranishëm të ishin edhe disa gazetarë naivë, të cilët as e morën vesh ndonjëherë përse u ndodhën atë çast atje, dhe shpalli luftën! Pa i lënë asnjë sekondë kohë krahut tjetër të mobilizohej, ai iu dërgoi nga një kasetë televizive për dhuratë, ku ata mund të kundronin qetësisht veten e tyre, duke u shkrirë në krahët e Sindit e duke kryer gjithfarë perversitetesh me të.

Kishte vetëm dy rrugë për t’u ndjekur me këtë njeri: ose ta zhdukje nga faqja e dheut, ose ta pyesje se çfarë donte për ta mbyllur gojën! E para ishte punë, që nuk bëhej: jo vetëm sepse ai ishte ministër, por nuk dihej ku i kishte depozituar kasetat, që të tmerronin më shumë se një armë atomike! Atëherë brirëvënësit e tij naivë dërguan përfaqësues te Riti. Ky biznesmen i suksesshëm, që ia kishte futur të gjithëve, nuk kërkonte shumë. Ai do ta mbyllte gojën, nëse do ta zgjidhnin në drejtimin e lartë të partisë!

-Paska qenë i pangopur! – psherëtiu Sindi, kur ia treguan ç’kërkonte Riti.

Pavarësisht se duart i mbante mbi tryezë e i shihte të dhjetë gishtrinjtë e saj, ajo e ndjeu se tani një gisht, atë të mesit, e kishte në gojë! Ia pati futur sa krahu fshatari i poshtër, që dukej si letër për të fshirë prapanicën, dhe tani as bëhej fjalë për t’i xhvatur gjë!

Ditën, kur Riti kapi një nga postet më të larta në parti, ajo kërkoi të takohej me të. Riti e priti pa bërë as edhe një fjalë! E priti në zyrë. Ai e kundroi qetësisht figurën magjepëse të Sindit dhe ajo e kuptoi se e pati gënjyer mendja, kur kujtoi se ky njeri do të ishte përjetësisht robi i saj. I kishte pasionet shumë më të mëdha, me të cilat nuk vinte në peshore asgjë, as shtatë mrekullitë e botës!

-Ne nuk mund të jetojmë dot bashkë, besoj, – ia nisi ajo.

-Kjo gjë është e qartë! – ia kthue thatë tjetri.

-A mund t’i ndajmë atëherë disa gjëra? – pyeti me zë të mekur Sindi. Ne… sikur kishim bërë një…

-Kontratë…

-Po…

 

Tjetri vazhdoi ta kundronte qetësisht. Rrotullonte një stilograf vezullues në gishtrinj, pastaj ia nis, duke zhgarravitur në një letër të bardhë:

-Unë kontratat i respektoj! Djalin mbaje, ti, meqë është i yti! Pensioni, besoj, do t’ia pagojë i jati i tij… Nga unë do të marrësh edhe 50 000 dollarë amerikanë, me kusht mos më dalësh më përpara dhe mos dëgjoj pallavra në gjyq!…Dakort?

-Përse pyet formalisht? – shqiptoi ngadalë Sindi. – Si erdhën punët, unë nuk kam të drejtë fjale..

-Vetë e kape këtë pozicion! – ia ktheu tjetri. – U bëre mbretëreshë dhe nuk dite të lexosh realitetet… Tjetri nuk të ka asnjë faj, kur, ti, e merr për budalla edhe ai është tjetër gjë fare!… Mbase të ec me atë anglezin, Roin e madh, – bëri sikur e uroi ai.

Sindi u ngrit me një pamje të rraskapitur dhe mori për nga dera, por papritur ndaloi dhe, duke u kthyer për herë të fundit nga njeriu i vetëm, që e kishte shkelur me këmbë, e pyeti me një zë të akullt:

-Rit, kur do të ngopesh?

Tjetri buzëqeshi lehtë.

-Kur kjo turmë pordhacësh ta kuptojë se fshati ka më shumë resurse se qyteti dhe prandaj duhet t’i tespektojë fshatarët! Nuk ka ardhur akoma koha, që të këndohet kënga “Janinës, ç’i panë stë!” Ik, tani!

Jashtë binte shi, një shi me baltë dhe njerëzit shihnin gjithë habi nga qielli, pa e ditur se nga vinte kjo baltë pa hesap…

Tetor, 2000

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: provinciali, Teodor keko, Tregim

ROJË PSHERËTIMASH

December 27, 2013 by dgreca

POETI QAZIM SHEHU NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT/

ÇUÇURITJE/

Siç çuçurit kroi me rrjedhën e paktë,/

Eja të rrimë bashkë këtë natë./

Ta ndiejmë si rrjedha ikën e zhduket në bar,/

Ashtu të rrjedhë te ne freskia e natës së parë./

Dhe duke çuçuritur të gazmuar/

Veten ta ndjejmë të rrëzuar,/

Në barin e jeshiltë të kujtesës,/

Në honet e ngrira të mbijetesës,/

Dhe të rrjedhim gjersa të shkojmë,

Tek deti i madh , mos harrojmë,

Atë rrjedhën e hollë mbi bar,

Fshikullin e ujit lozonjar,

Në thellësitë e errta ku do zbresim,

Marrëzitë trallisëse mos na përqeshin.

Ne s`jemi njerëz të mëdhenj,

Le të ngrihen ngjarjet si shkëmbej,

Na mjafton veç një çuçurimë ,

Të na flladisë dashurinë….

ATDHEU

Çdo ditë e ndërtojmë nga pak,

Për ta prishur dyfish kur duam,

Si të ngrinim një statujë në park,

Në një tokë që luan.

Dhe e sajojmë Itakë të shpikur,

Dhe mall e dhembje e dashuri,

Kozmopiltin më të çmeritur,

E bindim me rëndësinë etij.

Kur të joshur  jemi gjer në skaj,

Pa një dyshim ,pa hamendje,

Dhe pse e duam ,pse prandaj,

E mbajmë si diell nëpër mendje.

Dhe nuk e dimë kur do e sjellim,

Portretin e tij më të plotë,

Por e ndjejmë  se sado bredhim

Vetëm nga ikjet e mësojmë…

TIRANI E BUKURISË

Kjo botë ka shumë tirani,

Tirania më e madhe je ti, bukuri,

Se shkon pa aresye dhe shijohesh,

Në prehër të arrogantëve ngrohesh,

Dhe kur të kapim bëhesh më e madhe,

Më e mistershme ,më lozonjare.

Duke kujtuar se të kemi ,na ik,

Dhe duke na ikur na tërheq,

Si një mirazh me vesë për dreq.

Dhe ne s`ngopemi me ty kurrë,

Grua qoftë apo burrë.

Dhe ti faj s`ke aspak,

Për dobësinë tonë merr hak.

Në botë ka shumë tirani,

Veç tirania jote meriton lavdi…

DEGË E THYER

Një vijë e drejtë ku fillon me të qara,

Segmentet e jetës ngjiten me pikëza rrufeje.

Si vijat e horizontit i vizatojnë malet

Me një kryeneçësi me brerore reje.

Nëse kjo jetë do vazhdonte drejt pa segmente

Shpesh thyerlarguar nga dorë e fatit,

Atëhere jeta s`dihej ku do na gjente,

Braktisur prej nesh nga monotonia e flashkët…

PSHERËTIMA

Një psherëtimë me një ndjesi falje midis,

I ngjan një hapësire ku një filiz buis.

Një psherëtimë pa keqardhje të thellë,

I ngjan tronditjes së kokrrës së mbjellë.

Dhe sa lule do çelin pastaj, sa fruta e bukuri,

Kaq të mundura pa psherëtimën ku falja si brilant i rri

KJO PEMË

Kjo pemë dhe pema tjetër,

Dhe tjetrën që shkuli stuhia,

Na kujtojnë një trini të vjetër,

Një herioglif shpirti sa dashuria.

Dy të parat në këmbë,

Njëra tjetrën dot s`ndihmojnë,

E nga kjo qajnë rëndë,

Lotët e gjetheve lëshojnë.

Mbi trotuarin pllakashkulur,

Dhe mbi asfaltin e vjedhur,

E mbi rrëkezat ku loti i pemëve,

Të tjera, është derdhur…

MJALTI I BUZËVE

Ti mjalt i mjaltit ,ëmbëlsirë,

Që turbullon, ofshan e shkon,

Një pikë helm me plot dëshirë,

E derdh në fjalë plot pasion.

Dhe kur kujtohesh të gjesh fjalën

Ajo diku është marrosur

Dhe gjithë imazhet që u ngjallën,

Në shtrate ikjesh për t`u sosur.

Në shtrate ikjesh plot me gjemba.

Ti mjaltë i mjaltit me mjaltë brenda,

E thua fjalën edhe shkon,

Po mjalti i buzëve s`të mjafton…

 

I FLAS ERËS

I flas erës fjalë dhembshurie,

Kështu duhet të ketë folur edhe Lasgushi.

Ai i kërkonte fjalë dashurie,

Në cep të gjolit si gushkuqi.

Dhe era sillet kapedane

Pa ndjerë keqardhje për askënd,

I sheh kufijtë si burg, hapsane

E ngaqë si shemb veten çmend…

MASKA

Gjithnjë më pëlqen të vë një maskë,

Duke kujtuar se shëmtisë ia hodha,

Pa u kujtuar se në prehër të saj rashë,

Kur veten se njoha e tradhtova.

Pataj kujtohem e maskën hedh,

Gjithë neveri, i penduar,

Si në një kanal mbuluar me gjeth,

E hedh një hap bie i rrëzuar

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Ne sofren poetike et Diellit, Qazim Shheu, Roje psheretimash

NJERËZIT E EGËR

December 24, 2013 by dgreca

Vullnet Mato/

 NJERËZIT E EGËR/

 Njerëzit e egër/

s’ishin aq të egër,/

sa modernët e sotëm./

Bukuroshet epshndjellëse,/

pas shfrimit, nuk i vrisnin./

Rivalit egërshan,/

nuk ia hiqnin nga trupi kokën/  

dhe nuk përdhunonin/

vogëlushët e egër të fisit./

 

Nuk u vinin zjarr shpellave,

as kasolleve të tjetrit.

Grave u linin punët e lehta

përqark lëkurëve. 

Nuk i linin pa fruta

dhe pa mish gjahu të vjetrit.

Nënat nuk hidhnin

foshnjat e gjirit shkurreve.

 

Femrat e reja linin ç’kishin,

në sytë e lakuriqësisë, 

por nuk i tërbonin meshkujt

me kureshtje formale,

me dy gisht reçipeta

te sumbullat mbi sisë

dhe me një rrip të hollë

mbi foletë gjenitale.

 

Njerëzit e egër

nuk i shkatërronin

sendet e bashkësisë,

për të pohuar tek i pari 

besnikërinë e verbër.

Ata u faleshin kafshëve

vizatuar mbi shkëmbinj,

por nuk figuronin prijësin

në çdo perimetër.

 

Ata kishin në tru botëkuptimin

primitiv të një turme.

Por nuk lakmonin të kishin

shumë shpella me dritë.

Nuk laheshin e lyheshin,

me kremra e parfume,

trupin e linin si kafshët, pis,

por binin erë njeriu në shpirt…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Fofra e Diellit, Njerzit e eger, Vullnet Mato

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 106
  • 107
  • 108
  • 109
  • 110
  • …
  • 133
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT