• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Agim Sulaj, mjeshtri që shndërron artin në thirrje universale, shqiptari me mbi 250 çmime ndërkombëtare

September 6, 2025 by s p

Albert Vataj/

Në horizontin e arteve pamore bashkëkohore, Agim Sulaj ngrihet si një figurë e pakrahasueshme, një penel që ka kapërcyer kufijtë e vendlindjes për të hyrë në panteonin e artistëve me famë botërore. Ai është njëkohësisht piktor dhe karikaturist, një krijues që ka ditur të ndërthurë estetikën me ironinë, bukurinë me mesazhin, shprehjen e shpirtit me kumtin e ndërgjegjes.

Sulaj është artisti shqiptar me më shumë çmime ndërkombëtare të fituara në fushën e arteve pamore. Me mbi 250 çmime të dokumentuara në konkurse, bienale dhe ekspozita ndërkombëtare, ai ka vendosur një rekord të papërsëritshëm për artin shqiptar. Çmimi i Parë në Festivalin Ndërkombëtar të Karikaturës në Porto (Portugali), Çmimi i Parë në “World Press Cartoon”, një nga garat më prestigjioze të karikaturës editoriale, si dhe dhjetëra çmime të tjera në Kinë, SHBA, Kore të Jugut, Turqi, Itali, Belgjikë, Francë, Greqi, Kosovë, Serbi, Rumani, Poloni, Angli, dëshmojnë shtrirjen e gjerë të suksesit të tij. Italia është bërë shtëpia e tij krijuese, ku jo vetëm ka fituar konkurrime të shumta, por është edhe pjesë e jurive prestigjioze dhe një figurë e respektuar në ekspozitat elitare.

Piktura e Agim Sulajt është e ngarkuar me një realizëm poetik e hiperrealist, ku drita, ngjyra dhe detaji flasin për një mjeshtëri të rrënjosur në traditën klasike, por të ripërtërirë me një sensibilitet modern. Karikatura e tij, nga ana tjetër, është shndërruar në një gjuhë universale të ironisë së ndritur: një metaforë që shpërthen plagët e kohës, një pasqyrë që nxjerr në pah absurditetin, një thirrje që kërkon reagim. Ndryshe nga karikatura e zakonshme që mjaftohet me të qeshurën, Sulaj ndërton një gjuhë simbolike e cila mbart peshën e një ligjërimi të plotë estetik.

I lindur në Vlorë, Sulaj fitoi çmimin e tij të parë që në moshën 19-vjeçare, në konkursin e revistës “Hosteni”. Pas studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë (1978–1985), ai nisi të shfaqej në skenën ndërkombëtare. Në vitin 1990, me veprën “Valixhja e emigrantit”, fitoi çmimin special në “Aydin Doğan International Cartoon Competition” në Ankara, një metaforë e fuqishme për fatin e emigrantit, temë që do ta shoqëronte gjatë gjithë krijimtarisë së tij. Në vitet ’90 u vendos në Itali, ku ekspozitat në Rimini (1992), Brindisi (1993) dhe më tej në Europë e botë, i hapën dyert e suksesit. Sot, krijimtaria e tij udhëton nga kontinenti në kontinent, duke mbetur një urë që lidh Shqipërinë me botën.

Veprat e Sulajt nuk janë kurrë të heshtura. Ato pushtojnë emocionalisht, rrëzojnë përgjumjen dhe thërrasin ndërgjegjen. Ai trajton plagët e njeriut modern: mërgimin, dhimbjen, ikjet, lotët, fyerjet, poshtërimet, por edhe nostalgjinë e fëmijërisë, mallin e vendlindjes, kujtimet që fisnikërojnë, sikurse është edhe një zë çështjeve globale të ambientalizmit, migrimit, por edhe thirrje për rizgjim të historisë kombëtare shqiptare përmes krijimit të veprave me tematika të kulmimeve të ngjarjeve dhe personazheve që përbëjnë rrugëtimin tonë në histori. Në pikturat dhe karikaturat e tij, çdo element, qoftë një valixhe e braktisur, një fëmijë që loz, një fytyrë e rrudhur, një simbol universal, bëhet gjuhë që përkthehet nga këdo, kudo.

Karikaturat e tij nuk janë thjesht vizatime satirike: ato janë një “ligjërim i heshtur” më i fuqishëm se çdo fjalim. Ai përdor ironinë për të nxitur ndërgjegjen, jo për ta mpirë atë. Sulaj i bën thirrje shpirtit njerëzor që të reagojë, të marrë përgjegjësi, të mos pajtohet me padrejtësinë. Arti i tij është një “kambanë estetike” që kumbon njëkohësisht me bukuri dhe revoltë.

Galeria e tij është ndër më të pasurat në artin grafik shqiptar dhe ndërkombëtar. Prej figurave historike te fëmijëria e risjellë me hollësi, prej plagës së refugjatit te ironia e groteskut politik, krijimtaria e tij është e gjerë dhe e gjithanshme.

Vepra e Agim Sulajt është një enciklopedi vizuale e njeriut dhe kohës sonë, ku secili gjen veten: qoftë si dëshmitar, qoftë si pjesëmarrës. Agim Sulaj nuk është thjesht një artist i dekoruar me çmime. Ai është një ambasador i shpirtit krijues shqiptar, një dëshmi se arti ynë mund të jetë konkurrues, përfaqësues dhe dinjitoz në arenën globale. Më shumë se talenti i tij personal, ai ka sjellë në sytë e botës një pasuri shpirtërore kombëtare, duke i dhënë artit shqiptar një emër të pathyeshëm dhe të lavdëruar.

Në fund, Sulaj mbetet një krijues që nuk pushon së ngrituri zërin. Me laps, penel, akuarel apo akrilik, mbi letër, kanavacë apo në vetëdijen tonë, ai vazhdon të na thërrasë: që të mos harrojmë, që të mos pajtohemi, që të mos ndalemi. Ai është dëshmi e gjallë se arti, kur është i vërtetë, bëhet jo vetëm pasqyrë e botës, por edhe forcë që e ndryshon atë.

Filed Under: Sofra Poetike

Prof. Shefkije Islamaj, metafora e gjallë e shpirtit të gjuhës dhe poezisë

August 22, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Për profesore Shefkije Islamaj kisha dëgjuar të flitej nga profesori im i stilistikës në fakultet, Xhevat Lloshi, qysh nga mesi i viteve ’80. Prof. Xhevati thoshte shpesh gjatë leksioneve: “Shefkije Islamaj ka një numër aq të pasur ndihmesash në fushën e stilistikës së shqipes; ajo është sot studiuesja më e shquar e kësaj disipline. Mjafton për këtë të shihen vetëm librat, artikujt dhe recensionet që ka botuar, të cilat qoftë nga numri, janë më shumë sesa të çdo autori tjetër.”

Ky vlerësim i profesorit tonë të shquar për një profesore tjetër të shquar të Kosovës, duhet të evokohet sot, në kontekstin e moskomunikimit të kënaqshëm kulturor, shkencor dhe albanologjik, të të dy pjesëve të të njëjtit komb, dhe kur intelektualofobia është në rendin e ditës. Profesorë të tillë, janë ndërgjegjia e shqiptarëve, alter egoja e popullit tonë, që dinë të konstruktojnë optimizmin etik dhe shkencor, të besojnë te fuqia e talenteve kombëtare. Dihet që intelektualët e mëdhenj nuk bëhen me dekrete dhe as me gradime oborri. Ata janë të tillë, sepse u bënë të tillë, ata janë të veçantë sepse u shquan, u vunë në reliev, me anë të një pune dhe një vullneti të pazakontë, me anë të talentit të tyre të jashtëzakonshëm. Ndaj duhet t’i nderojmë pa fund intelektualët dhe studiuesit tanë të mëdhenj. Një popull që nuk nderon intelektualët, ka vetëvrarë të ardhmen e vet.

Tash vonë jam njohur me biografinë e plotë studimore shkencore, hulumtuese dhe krijuese të Prof. Shefkije Islamajt, kryeredaktore e revistès shkencore tè Institutit Albanologjik “Gjurmime Albanologjike”, jo vetëm gjuhëtare e mirënjohur dhe studiuese në fushën e stilistikës, estetikès sè gjuhès dhe ligjèrimit, por edhe një studiuese par excellence e letërsisë, me dhjetra tituj studimorë në lëmë të gjuhës e stilit të shkrimtarëve, si:

1. Çështje të sinonimeve në gjuhën shqip. Monografi, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1985, 145 faqe.

2. Fjalor i fjalëve të huaja (bashkautore), Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1987, 667 faqe.

3. Gjuha dhe stili i Jakov Xoxës. Monografi, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2000, 420 faqe.

4. Kultura gjuhësore dhe përdorimi estetik i gjuhës. Përmbledhje studimesh e trajtesash, ”Toena”, Tiranë, 2002, 440 faqe.

5. Gjuha, ligjërimi dhe fjala. Përmbledhje studimesh e trajtesash, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2004, 300 faqe.

6. Gjuha dhe identiteti. Përmbledhje studimesh e trajtesash, ”Toena”, Tiranë, 2008, 333 faqe. Libri ka fituar më 2008 Çmimin ”Pjetër Bogdani” të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës si vepra më e mirë e vitit në të gjitha zhanret.

7. Gjergj Fishta, Gjuha dhe stili. Monografi, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2012, 528 faqe.

8. Gjuha – teksti dhe konteksti, Përmbledhje studimesh e trajtesash, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2015, 370 faqe.

9. Studimi për stilistikën e veprave të Rexhep Qosjes, me titull “Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtainë letare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qoses”.

Intelektualët nuk janë mbinjerëz, ata identifikohen pikërisht si njerëz të vërtetë , synojnë të arrijnë në brendësinë e njeriut dhe jo të dalin jashtë tij.

Në veprimtarinë e gjerë studimore të prof. Shefkijes ndërhyn papritur arti. Nè vitin 2004 profesore Islamaj ka botuar nje roman me titull “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr”, (Shtepia Botuese Toena), por jam befasur, sinqerisht, kur kohët e fundit më ranë në dorë disa krijime poetike të saj, të botuara te “ExLibris” dhe organe tè tjera.

Thuhet që fjalët janë metafora të mendimeve, që gjuhët fonetike janë metafora të veçanta të shpirtit të popujve. Por prof. Shefkija, në këtë rast, mund të cilësohet metafora e gjallë e vetëvetes dhe e të tjerëve. E shpirtit të gjuhës dhe e poezisë.

Ajo vjen me vargje plot sinqeritet dhe spontanitet, si pranim i të thjeshtës dhe njerëzores, që shprehin qëndrime dhe gjendje ekzistenciale, me prirje të theksuar drejt meditimit dhe larg patetizmit.

“Sot më janë reshur kujtimet e s’më zë vendi vend/ pa kusht dorëzohem me zemër, me fjalë e kuvend”, thotë autorja në poezinë “Valë kujtimesh”.

Prof. Islamaj shfaq një frymë romantizmi dhe në disa poezi të kujton lirikën e Naimit:

“Drita e nurit tënd zgjon smirën e shtojzovalleve/

Zemra jote zbut rrëke lumi që derdhen maleve”.

(Rinës sime)

Poezi të tilla mund të quhen pa frikë edhe poezi të imazhit, sepse të përcjellin menjëherë në përfytyrim një pamje. Elementët e natyrës që përzgjidhen nga autorja jepen për t’iu përshtatur gjendjes shpirtërore të përshkuar nga ekzaltimi e admirimi. Kjo shkrirje veprimesh e elementësh krijon harmoninë e përgjithshme të pamjes, të cilën duket sikur lexuesi dhe poetja e kundrojnë duke qëndruar diku palëvizshëm:

“Sot kujtimet më shtegtuan te sofra e nanës në një të diel,

te djathi i njomë, qepa e re e qumështi i deles i sapomjel‘.

Në dhomën dritëpakë ndjeva erën e mokthit varur n’mur,

pashë edhe kullën e gjyshit, nga ai endur e gdhendur, me gur’.

Sot iu dorëzova dhembjes, mallit e kujtimeve plot jetë e mirësi,

dhe “fajin” ia lashë lotëve që m’rrodhën dhe ditës me re e shi.

Ktheva dhe kokën kah shpati majë fshati me shumë shpirtësi,

ku mes qetësisë e flladit pushojnë e dritësohen prindërit e mi”.

(Mall)

E veçanta e poezisë së Islamajt është se, edhe pse elementët natyrorë me të cilët mbushet janë konsumuar në përdorim të shumtë nga poetja, ato ruajnë vlerën e një përdorimi të natyrshëm.

Në disa poezi të tjera elemente natyrorë si retë, ngjyrat, lulet, etj. përdoren dendur në funksion të metaforës, ndonjëherë dhe të shpirtëzimit:

“Ballë meje, tej mbi pullazet harkore e të kuqe

retë ngjyrë koralesh luajnë me naze e huqe

E bardha dhe e hirta këmbehen lehtë e shpejt

ndërrojnë ngjyrë e përndahen sikur mbi det”.

(Duke pritur shiun)

Në shumë poezi të tjera autorja thuajse shkëputet prej elementeve natyrorë e kozmikë , prej natyrës së saj romantike, duke bërë një hap cilësor stilistik, duke transmetuar ndjesi që janë larg ngazëllimt dhe duke medituar përmes vargjeve, që autorja i quan “aforistikë ”.

“Vjen një kohë kur e kupton

Se heshtja e të vdekurit godet

Më fort se fjala e të gjallit kur flet”

(Vjen një kohë )

“Kanë thë në se

Fjala ka zjarrin e vet, ruaje mos fiket

Po u shua një herë vështirë rilind e ndizet.

Mbetet përherë veç fjala që nuk thuhet

Për t’treguar se është e jona e në ne ruhet”

(Fjala)

Gjith poezia e Shefkije Islamajt mund të lexohet si një energji pozitive, si një vetperceptim ekzistencial, që vjen prej dëshirës dhe përjetimeve personale, për të sjellë ngjyra të kthjellëta gë zimi dhe ndryshimi.

“Më thuaj

nanë, kur më solle në këtë jetë, a hoqe shumë,

a shtere kroje e puse pikë më pikë deri në fund?

A çave mure, a grithe tokë kur dola n’dritë unë,

apo shembe kodra, shkëmbinj e trande katund?”

(Çast malli)

Vargje e saj të rregullta dhe rimat, shpesh herë të puthura, por edhe strukturat polistrofike të poezisë dhe renditjet enumerative, duhen parë në funksion të kuptimit, dhe mendoj se janë përdorur për të rritur emocionalitetin. Në hijeshinë e natyrshme të një leksiku të zakonshëm, por të pasur dhe të zgjedhur me sqimë, poetja ka shfrytëzuar bukur mirë edhe mjetet e fonetikës poetike, për t’i dhënë emocion përfytyrimit, duke përcjellë te lexuesi mahnitjen për vlerën e të thjeshtave, paganizmin modern, njerëzit, pemët, lulet, yjet, qiellin, retë, me një prapavijë të mendimit filozofik.

Filed Under: Sofra Poetike

REVISTA AMERIKANE (1928) / SHQIPTARËT LYEJNË JELEKËT E BARDHË ME TË ZEZË QË NGA VDEKJA E GJERGJ KASTRIOTIT — TREGIM NGA ANNA MILO UPJOHN

August 4, 2025 by s p


Burimi : American Junior Red Cross News, shtator 1928, faqe n°4
Burimi : American Junior Red Cross News, shtator 1928, faqe n°4

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 4 Gusht 2025

“American Junior Red Cross News” ka botuar, në shtator të 1928, në faqet n°3 – 4, tregimin asokohe të Anna Milo Upjohn (artiste, ilustruese dhe autore amerikane) rreth historisë së “Jelekut të Skënderbeut”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Jeleku i Skënderbeut

Nga Anna Milo Upjohn

Vizatimet nga autorja 

Burimi : American Junior Red Cross News, shtator 1928, faqe n°3
Burimi : American Junior Red Cross News, shtator 1928, faqe n°3

Pesëqind vjet më parë, një djalë i quajtur Gjergj Kastrioti u përkul mbi murin e kështjellës së të atit dhe shikoi në thellësitë e grykës poshtë. Ai mund të shihte një dhi të vogël të bardhë larg, pak mbi vijën e mjegullës që fshihte fundin e humnerës. Ajo po hante gjethet e freskëta të një kaçubeje që kishte lëshuar rrënjë në një shkëmb të çarë. Gjergji e shikoi i magjepsur. A do të përpiqej të ngjitej më lart ? Po, e bëri. Të paktën ngriti kokën. Por kur pa murin e pjerrët me gurë që ngrihej mbi të, ajo tundi bishtin dhe u hodh poshtë. Atje, shpejt u humb nga sytë. Gjergji qeshi dhe u bërtiti vëllezërve të tij që luanin në oborr se as një dhi nuk mund të ngjitej në murin e kështjellës.

Në kështjellë kishte një grup fëmijësh. Sa të sigurt ndiheshin atje lart nën qiell ! Babai i tyre ishte një Princ i fiseve malore shqiptare që e quajnë veten “Burrat e Shqiponjave”. Fortesa e tij ndodhej mbi Shkëmbin e Krujës, me malet që zbrisnin pjerrët prej tij. Vetëm nga njëra anë një shteg i thyer të çonte deri te porta. Përgjatë saj, një tufë kuajsh malorë nervozë dhe kalorësit e tyre u çonin furnizime, armë dhe mesazhe banorëve të kështjellës.

Shumica e burrave vishnin jelekë të shkurtër prej leshi të bardhë, me mëngë që shtriheshin deri në bërryla, të zbukuruar me xhufka të mëdha të bardha në shpatulla dhe jaka katrore me thekë që u arrinin deri në bel. Nëse binte shi i madh, siç ndodhte shpesh në Shkëmb, ata i tërhiqnin jakat e rënda lart mbi kokë, duke i kaluar thekët dhe duke i mbajtur fort midis dhëmbëve. Kjo ua linte duart e lira për të përdorur armët. Dhe armët ishin thelbësore në ato ditë. Princi Kastriot ishte shpesh në betejë, dhe me të edhe Burrat Shqiponja, duke u përpjekur të sprapsnin turqit që po pushtonin gjithnjë e më shumë vendin.

Në një cep të kështjellës, një kullë e madhe prej guri të bardhë shquhej në sfondin e shkëmbit gri. Kjo ishte kulla e vrojtimit. Nga ajo, mund të shihje Shqipërinë, malet e pjerrëta, fushën përvëluese dhe kënetat me avull, deri në det, i cili dukej i lagur nga rrezet e diellit përgjithmonë, pavarësisht se sa i errët ishte Shkëmbi.

Çdo rrugë dhe shteg ishte i dukshëm nga kulla, sepse malet ishin prej shkëmbinjve të zhveshur, përveç vendeve ku ishin mbjellë ullishte pak poshtë kështjellës. Për kilometra përreth asnjë armik nuk mund të afrohej pa u parë. Kështu që njerëzit në kështjellë ndiheshin të sigurt, megjithëse e dinin se kishte armiq në vend.

Gjergji, vëllezërit dhe motrat e tij luanin në oborrin e madh dhe hidhnin gurë mbi mur, duke i dëgjuar të tingëllonin në thellësi. Shpesh ata ngjiteshin në kullë dhe shikonin nga lart fshatarët që mblidheshin rreth “Krujës” së madhe, ose Burimit, me enët e tyre të ujit, duke ndaluar për të folur për ushtrinë e turqve që po pushtonin ultësirën.

Kështu gjërat vazhduan me vite. Por një ditë, kur Gjergji ishte nëntë vjeç, ndodhi diçka e tmerrshme. Më në fund, kështjella e fortë u mor dhe Princi me familjen e tij u zunë robër. Sulltani turk e la Kastriotin të vazhdonte të jetonte në kështjellën e tij në Krujë, por i mori katër djemtë e Princit me vete në shtëpi, me mirëkuptimin se për sa kohë që Kastrioti nuk do të rebelohej kundër Sulltanit, djemtë do të ishin të sigurt, por nëse do të kishte një kryengritje në Shqipëri, ata do të vriteshin.

Sulltani dhe robërit e tij të rinj udhëtuan nëpër Maqedoni, e cila tani është pjesë e Jugosllavisë, deri në Adrianopojë, atëherë kryeqyteti turk. Do ta gjeni në hartë në jug të Bullgarisë.

Gjergji ishte një djalë i sjellshëm dhe trim, i shpejtë në mësim. Ai fitoi zemrën e Sulltanit, i cili ishte i mirë me të dhe e rriti me fëmijët e tij. Pallati në Adrianopojë ishte shumë i ndryshëm nga kështjella në Krujë. Fillimisht, ai ndodhej në fushën e nxehtë në vend të malit të freskët. Dhe ishte i mbushur me një luks të butë që nuk ekzistonte në shtëpinë mbi Shkëmb. Ishte e bukur me mermere dhe mozaikë, me kopshte dhe shatërvanë. Kishte qilima dhe perde, mëndafsh dhe parfume që Gjergji nuk i kishte njohur kurrë. Ai nuk i harroi kurrë prindërit e tij në Shkëmbin e dashur, por që kur ishte vetëm nëntë vjeç, shpejt e humbi mallin për shtëpinë dhe filloi të bënte miq rreth tij. Sulltani i dha një emër të ri, Skënderbej – “Skënder”, që do të thotë Aleksandër, sepse nëna e Aleksandrit të Madh kishte qenë shqiptare, dhe “beg” ose princ, sepse ai ishte me rang të lartë.

Kështu që Skënderbeu e filloi jetën e tij të re me gëzim. Ai mësoi të kalëronte, të gjuante dhe të luftonte. Kur ishte tetëmbëdhjetë vjeç, Sulltani e vuri në krye të një ushtrie dhe e dërgoi në Azinë e Vogël, të cilën do ta shihni se nuk është larg.

Ndoshta Skënderbeu do të kishte mbetur gjithmonë miku i Sulltanit nëse vëllezërit e tij do të ishin trajtuar me mirësi. Por kur babai i tij, Gjon Kastrioti, vdiq, Sulltani i helmoi të tre dhe aneksoi Shqipërinë në perandorinë e tij. Pas kësaj, Skënderbeu ecte me zemër të zemëruar nën armaturë. Dhe kur Sulltani kishte një luftë të re në duar dhe dërgoi kapitenin e ri për të luftuar hungarezët, ai kërkoi një shans për t’u arratisur.

Skënderbeu marshoi në veri deri në Nish, tani një qytet i Jugosllavisë ; por me hungarezët nuk pati asnjë grindje. Zemra e tij nuk ishte në këtë çështje. E tëra çfarë ai donte ishte të ishte i lirë, i lirë të kthehej te populli i tij, të cilin tani e dinte se ishte i palumtur dhe i shtypur. Ai donte të shpëtonte nga jeta e butë e Adrianopojës dhe të kthehej në Shqipëri midis shkëmbinjve dhe Burrave të Shqiponjave me jelekët e tyre të bardhë, duke i ndihmuar ata të rifitonin lirinë e tyre. Në ushtrinë e tij kishte shumë shqiptarë që, ashtu si ai, ishin marrë në Turqi si robër dhe ishin detyruar të luftonin për Sulltanin. Këta burra iu bashkuan Skënderbeut dhe së bashku ikën përmes Serbisë dhe përmes kalimeve të rrezikshme malore në Shqipëri.

Populli zbriti nga malet dhe u dynd drejt Skënderbeut. Turqit u dëbuan nga vendi dhe për njëzet e pesë vjet, aq sa jetoi Skënderbeu, Shqipëria ishte e lirë.

Kështu që Gjergj Kastrioti u kthye në Krujë për të qenë ndihmësi dhe heroi i popullit të tij. Kur ai vdiq, hidhërimi i fiseve të Shqipërisë së Veriut ishte aq i madh saqë i lyen jelekët e tyre të bardhë me të zezë, dhe kështu i veshin ato edhe sot e kësaj dite. 

Do ta shihni jelekun e Skënderbeut kudo në Shqipërinë Veriore : te barinjtë e kodrave ; te burrat e shumë fiseve që vijnë në treg mbi kuajt e tyre të fuqishëm, me jakat e thella të varura mbi kokat e tyre për t’i mbrojtur nga shiu ose dielli ; dhe te metalpunuesit dhe fermerët e Krujës që rrinë pranë burimit të madh që ende rrjedh nga shkëmbi poshtë kështjellës së rrënuar.

Burimi : American Junior Red Cross News, shtator 1928, faqe n°2
Burimi : American Junior Red Cross News, shtator 1928, faqe n°2

Filed Under: Sofra Poetike

Roza Eshkenazi, mbretëresha e “rebetikos” dhe lidhja e saj me shqiptarët

July 26, 2025 by s p

Akademik Vasil S. Tole/

“Këngët çame” (tsamiko), të kënduara nga Roza Eshkenazi dhe disqet e saj të publikuara nga BALKAN PHONOGRAPH RECORD-USA të drejtuara nga Ajdin Leskoviku, janë dokumente unike të historisë sonë muzikore

I. Këngëtarja greke me origjinë hebreje Roza Eshkenazi (1895-1980) është tashmë një fenomen muzikor botërisht i njohur, emri i së cilës lidhet me interpretimin e muzikës urbane të qyteteve greke e turke, që kulmon me stilin muzikor të quajtur “rebetiko”, i cili prej vitit 2017 është edhe pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s.

Shih https://ich.unesco.org/en/RL/rebetiko-01291

Rebetikoja është një dukuri muzikore dhe kulturore e lidhur drejtpërdrejt me këngën dhe vallen e përhapur fillimisht ndër shtresat urbane të qyteteve. Këngët rebetiko sot përbëjnë referenca të paçmueshme për zakonet dhe traditat e një mënyre të caktuar jetese.

Roza ka interpretuar rreth 350 këngë, (ndër to 300 këngë në disqe për COLUMBIA dhe HMV), disa thonë më shumë, e disa më pak, por ajo që është e rëndësishme është fakti që ajo i ka vënë vulën stilit “rebetiko”, ashtu si e madhja Ella Fitzgerald stilit Jazz në muzikë. Sipas Charles King, këngët e Rozës ishin kolona zanore e një bote në të cilën njerëzit kishin lindur e jetuar në mjerim, ishte një version egjenian i bluzit, i kënduar në greqisht dhe turqisht.

Repertori i saj përfshinte këngë popullore, sidomos nga Greqia, Smirna (Izmir), Armenia, Izraeli, dhe të traditës sefardike në Spanjë etj. Në repertorin e saj janë edhe disa këngë të trashëgimisë muzikore epirote dhe çame. Biles një ndër dy këngët e para që ka regjistruar në disk, njera ishte kalamatiano dhe tjetra tsamiko. Në autobiografinë e saj, ajo kujton kohën kur ka regjistruar dy këngët e para në disk: … sapo e dëgjova këtë, më mori malli… po hidhja valle nga gëzimi… do të bëja një disk! Ia tregova menjëherë ku banoja. Të nesërmen erdhi bashkë me Salonikiós-in, sepse atëherë punonin bashkë, dhe sollën një mandolinë të vogël, sepse Toúntas luante në mandolinë, për një provë. Të thoshin: “Do të këndosh një këngë kalamatiano.” “Çfarë është kalamatiano?” pyeta. Nuk dija fare çfarë ishte, ishte hera e parë që e dëgjoja. Salonikiós më tha: “S’ka rëndësi nëse nuk e di çfarë është… do ta mësosh, dhe do ta këndosh bashkë me një tsamiko.” “Tsamiko…?” thashë, “as atë nuk e di çfarë është. Për Zotin, nuk e di çfarë është një tsamiko…” Dhe fillova të qaj! “Do ta mësosh,” më thanë, “do ta mësosh, dhe do t’i këndosh shumë bukur, sepse ke një zë të mrekullueshëm.” Dhe në fakt e mësova, shumë shpejt, dhe pas pak kohe, në kompani, në Columbia, në fabrikë, këndova “Mantili kalamatiano” dhe “Koftin Eleni tin elia” – zoti Toumbakáris e mban mend mirë, ishte aty në atë kohë. Ajo ishte disku im i parë, me një këngë në një anë dhe tjetrën në anën tjetër.

Një tjetër këngë çame është “U mbush Parnasi plot me re”, siç shkruhet në kopertinën e diskut. Edhe pse kënga nuk është kënduar në shqip, promovimi prej Roza Eshkenazit i traditës çame është jo vetëm një shkollë interpretimi e kësaj muzike, por dhe një nderim që i bëhet kësas trashëgimie brenda korpusit të këngëve që ajo ka kënduar. Në këtë mënyrë, kontributi i saj i bashkohet atij të kompozitorit Nikos Skalkotas (1904- 1948), që ka shkruar vallen “Tsamiko”, nr. 21 nga vepra “36 valle greke” për orkestër, apo “Tsamiko” të Christos Leontis (1940-2023) etj.

Teksti më poshtë:

U mbush Parnasi plot me re

Në fshatra bën shtrëngatë.

Ti, moj Dhjamandë, ku po shkon

vetëm në këtë natë?

Po shkoj të gjej ujët që s’vdes

ilaç pavdekësi

T’ia jap atij që kam sevda,

që vdekja mos t’i vijë

Συννέφιασε ο Παρνασσός

Βρέχει στα καμποχώρια

Και σύ Διαμάντω νύχτωσες

Που πάς αυτή την ώρα

Πάω γι’ αθάνατο νερό

Γι’ αθάνατο βοτάνι

Να δώσω της αγάπης μου

Ποτέ να μην πεθάνει

Tipike për melodinë e kësaj kënge që vjen nga tradita çame në muzikë është thjeshtësia melodike modale e ndërtuar mbi 5-6 nota, me një tingull nëntonik, marrëdhënia mes solistes dhe korrit, kjo një formë antifonike arkaike, e ngjashme me vallet shkodrane të shtregullave etj.

•Këngën e dëgjoni falë koleksionistit Ilia Piperi, falenderoj për përkthimin prof. Aristotel Spiro.

II. Referuar biografisë zyrtare të Roza Eshkenazit, në vitin 1955 regjistroi rreth 40 këngë në Stamboll me shqiptarin Ayden (Ajdin) Leskovikun.

Shih: https://www.gazeteduvar.com.tr/…/bir-istanbul…

Asllani, vëllai i Selim Leskovikut, klarinetistit të shquar të sazeve të Shqipërisë së Jugut, në USA, përgjatë viteve 1940-1950 me shtëpitë e tij diakografike MI RE RECORD dhe BALKAN PHONOGRAPH RECORDS punoi me një rrjet të gjerë muziktarësh shqiptarë, greke, armenë, bullgarë e turqishtfolës në Nju Jork dhe promovoi regjistrime të bëra si në vend dhe jashtë, veçanërisht në Stamboll, duke përfshirë këtu një shfaqje të shkëlqyer të Rosa Eskenazi dhe Udi Hrant. Edhe pse tregu i muzikës shqiptare ishte një treg i vogël, Ajdini promovoi disqe me muzikë popullore të regjistruara në Nju Jork dhe Tiranë, për bashkatdhetarët e tij.

Shih https://www.discogs.com/label/239867-Balkan…

Siç shohim në foton e diskut me titull “Këngë dhe valle greke” të interpretuara nga Roza Eskenazi, ajo qendron në qendër të orkestrës. Në të majtë të fotos, më këmbë është Ajdin Leskoviku dhe personi me violinë është Sabri Fehimi, vëllai i kryekëngëtares Hafize Leskoviku. Është një foto historike me plot kuptimin e fjalës, ku gjenden së bashku mjeshtrat e muzikës ballkanike ng Shqipëria, Greqia, Turqia, Armenia etje. Ky disk i financuar dhe promovuar nga Ajdin Leskoviku përmban këto këngë e valle:

Krahu A

1. EJA QË TË RRIMË BASHKË – çifteteli

2. AMANE ÇIFTETELI ALLA / STIL STAMBOLLI

3. KALOI MESI I NATËS – Kalamatiano

4. SA HERË MË KE GËNJYER – Kalamatiano

5. BAM BUM MITRUA – Kalamatiano

6. MINORE IZMIRI

Krahu B

1. THUAJA S’KE Ç’HUMBET – Çifteteli e shtruar

2. ATHINUSHE – E shtruar

3. HANËMKAT E BUKURA – Çifteteli

4. MARIKA NË ATHINË – Karsilama

5. S’DUA TË MË MARRËSH NUSE – LËRMË – Zejbeke

6. SADO TË RËNDA QOFSHIN PRANGAT – Zejbeke

Këto sa shkruam, janë vetëm një hyrje e thjeshtë në kuptimin e larmisë kulturore të muzikës ballkanike pas hyrjes së veglave të temperuara evropiane në muzikën popullore të vendeve të caktuara. Mbetet akoma shumë për të hulumtuar në repertorin e gjerë të Roza Eshkenazit për të parë të tjera përkitje mes kulturave tona.

E them këtë pasi flitet se Roza ka bërë turne koncertesh edhe në Shqipëri në vitet 1930,, gjë që mbetet për tu parë më tej. Shih https://www.thenationalherald.com/born-to-sing-the…/

Akoma më tepër hulumtime kërkon veprimtaria unike e Ajdin Asllan Leskovikut dhe e kompanisë së tij Balkan Phonograph Records.

Veprimtaria e Roza Eshkenazit vijon të ngjall kureshtje në çdo kohë. Në vitin 2008, regjisori Roy Sher realizoi dokumentarin My Sweet Canary, një bashkëprodhim ndërkombëtar që ndjek tre muzikantë nga Greqia, Turqia dhe Izraeli në kërkim të historisë së Rozës. Filmi doli në pranverën e vitit 2011.

Historia shqiptare e Rozës është më e reja syresh!

Filed Under: Sofra Poetike

Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945

July 3, 2025 by s p

Sotir Kolea ishte leksikograf, folklorist, publicist, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare në vitin 1928. Një nga organizatorët e Kongresit të Triestes dhe pjesëmarrës në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1928-1945 kontribuon në zhvillimin e vlerave kulturore kombëtare. Eshtë meritë e tij ngritja e Muzeut Kombëtar, vënia në baza shkencore dhe pasurimit të fondit të librave dhe dokumenteve me vlera të veçanta të Bibliotekës Kombëtare. Kolea shtoi fondin e bibliotekës me 14.000 tituj te rinj, zbuloi dhe mblodhi dokumente për Skënderbeun dhe një sërë personalitetesh të tjera kombëtare. Ishte një nga anëtarët e Institutit të Studimeve Shqiptare. Kolea ka lënë një trashëgimi gjuhësore të madhe me 5 fjalorët të hartuar prej tij por, edhe shumë shënime të tjera të cilat ruhen në fondin personal të tij në AQSH.

Lozanë, 24 dhjetor 1915

Për Z. Midhat Bej Frashëri

6, Ulitza Tsar Siméon

Sofia

I dashur Midhat Bej,

Zotëroj letrën tuaj të datës 6 të këtij muaji; mora gjithashtu gazetat, që përmendeshin në të, të cilat i dorëzova tek Z. Gode, i vogli, që të kujdeset për dërgimin e tyre së bashku me numrin e ardhshëm të [gazetës] Albanie. Ia komunikova letrën tuaj Doktorit , që më ngarkoi t’ju falënderoj për adresat; përsa i përket çështjes Cilka, premtoi se do të bënte gjithçka të mundur deri në fund. Që këtej, asnjë lajm për t’ju përcjellë; mblidhemi vazhdimisht po të njëjtët në kafe dhe presim ngjarjet; e për të shtyrë orët e pritjes, hartojmë plane strategjike nën vështrimin atëror e qesëndisës të Tahsin Pashës, një palë tek eklipson palën tjetër për pushtimin e kurdëve dhe fitoren ndaj Egjyptit!

Prej disa kohësh kemi mes nesh ImZot Kaçorrin. Veç Hysniut, ndodhen Z. Ali Bej, Sherif Frashëri dhe Mehdi Bej Zavalani, të cilët, me sa di unë, janë disi të afërm me ju apo të lidhur me krushqi. Ali Bej ka ardhur për të vizituar zonjën e tij (çupën e Eshref Beut nga Pogradeci) dhe Habdi Bej për të marrë veten nga ana shëndetësore. Prej 2-3 ditësh ndodhet në Lozanë Surja Bej Vlora. Ajet Bej, megjithse premtoi, nuk u kthye më në Lozanë dhe me siguri ka shkuar në Korfuz pranë familjes.

I shkruajnë Abdi Beut nga Durrësi se misri shitet tetë piastra oka; ishte çmimi para zbarkimit të pjesës më të madhe të serbëve të dëbuar nga Maqedonia; tani, veç uri duhet të ketë atje. Po ashtu, i shkruajnë Abdi Beut se në postin e guvernatorit të Durrësit është emëruar Xhemil Bej Vlora dhe në kryesinë e bashkisë Qemal Bej Vrioni. Në Berat është Sami Bej Vrioni, që mban prej mjaft kohësh postin e guvernatorit. Kurse Teki Bej Frashëri mundi t’u shpëtojë thonjve të Esatit falë punës së kryer me devotshmëri.

Ja tërë bagazhi i lajmeve të mia; por më fal, se desh harrova më kryesoren: që prej disa kohësh, jam shkëputur nga ata zotërinj, ose më mirë të them nga ajo zonjë – gazeta; s’kish si të ndodhte ndryshe, kur ju, nga ana juaj, e kishit parashikuar një gjë të tillë në kohën e duhur. Ju pata shkruar më 15 nëntorin e shkuar dhe disa ditë më pas ju dërgova edhe një kartëpostale nga ana e Abdi Beut.

U takova dje në darkë me Hivziun; i ka mbaruar provimet tremujore dhe tani s’i mbetet veç të përfitojë gjithë gëzim nja dhjetë ditë pushime.

Përshëndetje shumë të çiltëra,

SKl [Sotir Kolea]

Instituti “Lumo Skendo”

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 133
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT