• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Oriental apo Oksidental? Mentaliteti i udhëheqësve tanë politikë sipas Fan Nolit dhe Krist Malokit 

August 14, 2023 by s p

Melsen Kafilaj/ Studiues             

C:\Users\Admin\Desktop\Fan-S.-Noli rouge.jpg
C:\Users\Admin\Desktop\Kmaloki.jpg

Në një prej artikujve të saj më kuptimplotë, të botuar në “The Washington Post” historjania dhe gazetarja penëhollë Anne Applebaum shkruan: “Jetojmë në një kohë dhe kulturë të atillë ku ngjarjet dhe idetë e rëndësishme injorohen”.Një e vërtetë e dhimbshme për të cilën në fakt s’ke sesi të mos reflektosh. Por të reflektosh, për një popull i cili nuk e ka parë ende me sy diellin e Intelektit, siç do shprehej diku Branko Merxhani është “një punë fillozofësh” për ne shqiptarët, me pak fjalë një vërë në ujë, një përpjekje e kotë teorike e pa kurrëfarë dobie e cila nuk sjell asgjë të mirë në jetë.(Çuditërisht, një përkufizim të tillë “për atë që fillozofon” e ruan ende në ditët tona edhe Fjalori i Akademisë së Shkencave).Por një komb i cili nuk beson tek fuqia e Ideve për të transformuar realitetin e tij kolektiv dhe që nuk përfiton prej nektarit të mendimit të mentarëve të vet më brilantë e meriton plotësisht që të sundohet prej demagogëve, autokratëve dhe diktatorëve (siç ka ndodhur dhe do të vazhdoj të ndodhë).

Porosinë dy shekullore të Hajnes “Kushtojuni rëndësi fuqisë së ideve dhe mendimtarëve tuaj” nuk ke sesi të mos e zbatosh kur ke në mesin tënd një plejadë mendimtarësh të cilët në kohë e hapësira të ndryshme kanë bërë një anatomi të shkëlqyer të Psyche-s, Botëkuptimit dhe Problematikave shqetësuese të Kombit, problematika të cilat vazhdojnë të na përndjekin si Stihi Mitike edhe në kohën tonë.Sot për të analizuar njërën prej këtyre problematikave do të ndalem tek dy prej tyre, Fan Noli dhe Krist Maloki. 

Të shqetësuar nga problematika e Mentalitetit të Shqiptarëve dhe drejtimi i vizionit të tyre, të dy mendimtarët në fjalë e rimarrin këtë çështje të shpalosur më parë nga Ideologët e Rilindjes Kombëtare dhe e shtrojnë më tej për diskutim.Për Ideologët e Rilindjes, mentaliteti i shqiptarëve dhe Krerëve të tyre është padyshim Oriental ndaj duhet punuar fort për ta drejtuar dhe ekspozuar Kombin ndaj dritës së Perëndimit.Këtu është me vënd që ti kujtojmë Lexuesit tonë vargjet e Naimit:          

                                                   Jak’o dit’e uruar

                                                   që lind nga perëndon,

                                                   At’ anë e ke ndrituar

                                                   e ne pse na harron.

Si dishepull i kësaj Fryme, Ismail Qemali “Babai i Shtetit të Parë Modern Shqiptar” do ta drejtonte vendin kah Vizioni Perëndimor, e më specifikisht nga Britania e Madhe, një vend ky me traditë demokratike 800 vjeçare dhe një prej demokracive më të vjetra evropiane.Por teksa vizioni është diçka e cila mund të çohet lehtësisht si pikësynim dhe të shtypet në letër me 5 minuta pune në makinë shkrimi, mentaliteti është diçka e cila nuk mund të ndryshohet me një të rënë të lapsit dhe “Et voila!” Flakja tej e fesit të kuq, shallvareve “alla turka” apo xhybesë dhe zëvëndësimi i tyre me kapelën “alla frënga”, kravatën-kryq dhe redingotat e Inglezit nuk e bënë Shqiptarin automatikisht “Oksidental”.5 shekuj sundimi Osman dhe gati 7 shekuj sundimi Bizantin kishte shtresëzuar në botëkuptimin e tij mëndësinë, karakteristikat dhe veset më të këqija të Perandorive respektive.Një prej tyre do të ishte padyshim Mentaliteti Oriental i Arhondit (Zotit të Madh) dhe Bejlerbeut. 

Ismail Qemali, i cili ishte edhe vet pjesë e Parisë së Bejlerbejve, do ta vuante mbi kurrizin e tij këtë mentalitet gjatë kohës në krye të qeverisë jetëshkurtër të Vlorës.Mentaliteti i mësipërm nuk e njeh nocionin e Publikes por vetëm atë të Domenit Vetiak dhe të pushtetit personal apo familjar të Beut dhe të Oxhakut të tij.Shteti, nqs ka një të tillë funksional përfytyrohet si një ngastër e madhe toke në të cilën Beu ka pjesën, rolin dhe autoritetin e tij si I Pari i Vendit.Një prej shkaqeve për dështimin e Qeverisë së Vidit dhe më vonë asaj të Fan Nolit për moskryerjen e një sërë reformash do të ishte pikërisht ky mentalitet; mentalitet i trashëguar edhe nga I Pari i Zogollëve, nga “Shoqëria e të Trembëdhjetëve” të Byrosë Politike të PPSH-së apo edhe nga liderët politikë të pas 90-tës dhe Parvenu-ja e tyre. Neo-Bejlerët e kohës tonë jo vetëm që janë si një pikë e vetme uji në mëndësi me paraardhësit e tyre por i imitojnë gjithashtu edhe në dukje (Vishen me salltanete të larta, duan ndërtesa dhe maja kullash të larta për të banuar, punuar apo rrufitur kafenë e ditës, poltrona të larta për të ulur menderet e tyre të rënda apo edhe makina të larta për të udhëtuar apo për tu englendisur).

Një tjetër derivat i mentalitetit të Arhondit dhe Bejlerbeut është edhe ai i Kolltukofagisë. E cekur fillimisht si fenomen tek revista “Albania” e Faik Konicës, me termin në fjalë ajo do të shfaqej për herë të parë në librin “Krimet e Politikës” të Terenc Toçit të botuar në vitin 1922, për të cilën dhe kemi shkruar më parë (Shih: https://gazetadielli.com/anatomia-e-destruktivitetit-te-politikes-shqiptare-1922-2022-sipas-terenc-tocit/ ) dhe do të vijonte më pas me fjalimin parlamentar brilant të Fan Nolit “Shakaxhiu i Përparimit dhe Pesë Anarkitë” në vitin 1923 dhe në artikullin “Oriental apo Okcidental” të Krist Malokit të botuar në “Hyllin e Dritës” në vitin 1937.Po ku konsiston ky mentalitet, lind pyetja?!

Imzot Noli, i cili me “Shakaxhinj Përparimi” na e lëviz në tru me shpejtësinë e neutronit këtë “Erë Reformatorësh Perëndimorë” nga Zogu tek Rama (1922-2023), kujdeset që të na i përcjell me tone Manikeiste dhe Biologjiste fenomenin në fjalë. Ja sesi shprehet Ai: “Këtu idealet e errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharasë përfyten e përleshen për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit.Këtu kemi Idealin e Kolltukofagëve; krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, por jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.” 

Kolltukofagia, e cila ka të bëj në vetvete me uzurpimin dhe moslëshimin e pozicioneve kyçe në shtet, administratën publike, sektorët strategjikë, parti, etj është e ndërlidhur edhe me një mëndësi tjetër tipike orientale; Akraballëkun, dmth “Përkrahja që u jepet miqve e farefisit, në dëm të interesave të përgjithshme” (Shih: Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe i Akademisë së Shkencave).Kjo e fundit, e ulur këmbëkryq jo vetëm në Pushtetin Qëndror dhe atë Lokal por në çdo Institucion tjetër të Republikës së Shqipërisë, përfshirë këtu edhe ato të Edukimit.

 Për kolltukofagun, ideal jete është deviza: “Amaç, araçları meşru kılar” (Qëllimi justifikon mjetin).Profesor Krist Maloki, një fenomenolog i stërvitur dhe njohës i mirë i këtij mentaliteti e përshkruan atë si më poshtë: “Idealet e orientalit shqiptar janë kolltuku dhe llokma; për t’i sigurue vetes këto të mira ai përdor çdo mjet; bâhet, kur e don nevoja, edhe Patriot e Tradhëtar, Monarkist e Bolshevik, Përparimtar e Reaksionar…e bile edhe shok i fortë me të tjerë.Vendi ku majmet orientali shqiptar asht Atdhe, asht vatan për të.Jo sepse e don por sepse e shfrytëzon.Dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbjeje dhe skrupulli.”

Për Kolltukofaginë, të cilës në politikë k/analistët i kanë vënë së fundmi edhe termin përkëdhelës “Kryetarokraci” (Shih: Mentaliteti i Arhondit dhe Bejlerbeut), Bejlerët e Mëdhenj fron-uzurpues të Shek.XXI janë të gatshëm që të marrin madje edhe hunjtë si në Mesjetë për mbrojtjen e saj, të të kërcënojnë me jetë apo edhe të blejnë duke ta vuvosur gojën me një shuk dollarësh (nëse janë gdhirë me humor të mirë në ditën e shënuar).Ligji nuk është çfarë thotë Kushtetuta, Statuti, Neni apo Pika në fjalë por çfarë do I Madhi.Dhe çfarë do I Madhi, bëhet! Diçka e cila na kujton paksa Thrasimakun e “Republikës” 2500 vjet më parë, i cili pohon se “Drejtësia dhe Ligjet janë gjithmonë në avantazhin e më të Fortit.”

Një pikë tjetër tek e cila do të ndalem në këtë artikull dhe që Profesor Maloki e cek edhe më sipër është Mentaliteti i Llokmës dhe Ryshfetit. Orientali, për aq kohë sa është në krye të karriges e sheh pozicionin e tij politik dhe administrativ “si një lopë të majme Egjipti, të cilën “ta mjelë” në maksimum sa here që ja kërkon interesi vetiak. Dhe në fakt ai që bëhet kurban prej këtij mentaliteti është gjithmonë Atdheu.Sa më lart në krye të kolltukut Orientali, aq më e madhe edhe llokma e ryshfeti që ai ha.Kështu psh, nuk është e rastësisshme që sipas kësaj logjike të kemi raste të njohura e të panjohura abuzimi Kryebashkiakësh 20 përqindsh, Ministrash-Mamuthë tenderash e madje edhe Zv.Kryeministrash e Kryeministrash; të gjithë flamurtarë pretendues të Liberalizmit dhe Oksidentalizmit në dukje por në thelb zemërushqyer me idealet më të errëta të Orientit.Të ndodhur përballë faktit dhe të ekspozuar gjatë këtyre 30 e kusur vitesh demokraci ndaj kësaj mëndësie piramidale, në Popull është rikthyer sërish në qarkullim pikëpyetja e vjetër Osmane: “Sa është haraçi i të Madhit?!”

Pra, a janë Oriental apo Oksidental liderët tanë?!

Kushdo që i ka shquar karakteristikat e mësipërme në persona konkretë përtej së Majtës e së Djathtës e ka marr tashmë një përgjigje.

                                                                                                                             © Melsen Kafilaj

Filed Under: Politike Tagged With: Melsen Kafilaj

Dom Ndue Gjergji, njeriu i Zotit dhe i popullit

August 12, 2023 by s p

Dr. Elmi Berisha/

Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA dhe të gazetës Dielli, Dom Ndue Gjergjit i shpreh nderimin më të thellë e respektin më të veçantë për punën pastorale, angazhimin patriotik, aktivizimin qytetar e kontributin e çmuar për komunitetin shqiptar në Detroit të Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E vlerësoj dhe njoh nga afër vlerat e kontributin e njeriut të bekuar të Zotit e të popullit, Dom Ndue Gjergjin që 3 dekada më parë. Përgjatë gjithë jetës së tij Dom Ndoja ka qenë model i thjeshtësisë, urtësisë, modestisë, mençurisë e mbi të gjitha paqes. Kontributi i tij do të respektohet gjithmonë prej komunitetit shqiptar. Ai ka meritë të veçantë në organizimin e shqiptarëve në Detroit, në ruajtjen e kulturës kombëtare, gjuhës shqipe, historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës. Dom Ndue Gjergji ishte shumë afër komunitetit, rritjes dhe zhvillimit të tij. Roli e kontributi i tij i gjithanshëm do të mbeten përgjithmonë në memorien e komunitetit tonë. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta DIELLI do ti jenë falënderues bashkëpunimit të ngushtë e të sinqertë.

Dom Ndue Gjergji në gjithë veprimtarinë e tij ishte model i njeriut, model i shërbëtorit të Zotit e grigjës së Perëndisë. Me propozim të Vatrës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta e dekoroi Dom Ndue Gjergjin me Urdhërin e Lartë “Nënë Tereza” për shërbimin, përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të shquar. Pesë dekada në shërbim të komunitetit shqiptar dhe Zotit të shenjtë, është nder, krenari dhe lavdi për secilin nga ne.

Nderim dhe mirënjohje për veprën, trashëgiminë dhe shërbimin që Dom Ndue Gjergji bëri për pesë dekada për të gjithë ne.

Filed Under: Politike

Kryeministri Kurti në përfundim të vizitës në Tetovë: “Ta ndihmojmë e përkrahim njëri-tjetrin, për hir të njëri-tjetrit jo kundër ndokujt tjetër”

August 12, 2023 by s p

Gjatë vizitës zyrtare që i ka bërë sot dy komunave të Maqedonisë së Veriut, Komunës së Çairit dhe Komunës së Tetovës, kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka marrë pjesë në manifestimin mirëseardhës që u organizua për nder të tij, në sheshin “Iliria”.

Pasi ka falënderuar nga zemra për pritjen dashamirëse që i është bërë, kryeministri Kurti, tha se është e vështirë të gjendet një tjetër popull të paktën në Evropë, për të cilin gjeografia ka qenë kaq përcaktuese dhe e rëndësishme për historinë e tij, siç është për ne shqiptarët.

Duke përshkruar distancën ajrore mes Prishtinës dhe Tetovës, e që është vetëm 74 kilometra, por si distancë rrugore, Prishtina dhe Tetova janë larg njëra tjetrës 122 kilometra, kryeministri Kurti tha se përtej këtyre dy shifrave, ku rrugorja është gati sa dyfishja e ajrores, ka edhe një dimension të tretë, që është ai kohor.

“Duke shkurtuar rrugët, ne fitojmë kohën. Ashtu siç e përjetova unë sot, si një rrugë të shkurtër dhe që mund të shkurtohet edhe më shumë, sepse me ngazëllim dhe dëshirë erdha t’ju takoj juve sot e sonte këtu. E tash, në këtë pikë, nuk e kam fjalën për rrugët automobilistike dhe autostradat, por për rrugët më të rëndësishme që janë rrugët e bashkëpunimit dhe të bashkërendimit mes neve, mes Prishtinës dhe Shkupit dhe Tiranës, Tetovës e Gostivarit, Kumanovës e Preshevës, Shkodrës dhe Ulqinit që të jetojmë më mirë e të zhvillohemi më shumë pa dallim e pa diskriminim”, tha kryeministri.

Para shumë të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se aleanca veri atlantike NATO-ja, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar janë platforma vlerore e cila na sjellë mbrojtje e siguri sidomos në këtë kohë kur imperializimi rus e riktheu luftën në kontinentin tonë evropian. “Maqedonia e Veriut, sa ma afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, e sa ma larg Serbisë e cila nuk po distancohet as nga Millosheviqi dhe as nga Putini, aq ma afër ajo, pra aq ma afër Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë e do ta përkrahim Maqedoninë e Veriut”, tha kryeministri.

Më tej, ai tha se është aty si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në një vizitë vëllazërore me shqiptarët e trevave të Maqedonisë së Veriut, fqinjit tonë të mirë dhe vendit mik që na ka njohur si shtet neve Republikën e pavarur të Kosovës që në krye të herës dhe me të cilin kemi aq shumë shkëmbime në të gjitha fushat dhe marrëdhënie të mira ndërshtetërore.

“Ne shqiptarët kudo që jetojmë, në Ballkan apo nëpër mërgatë, duhet të punojmë për më shumë demokraci e liri, drejtësi e mirëqenie. Ta ndihmojmë e përkrahim njëri-tjetrin, për hir të njëri-tjetrit jo kundër ndokujt tjetër. Dhe ne ia kemi dëshmuar edhe vetës edhe të tjerëve këtë, si gjatë gjithë historisë ashtu edhe para dy dekadash, kur mijëra shqiptarë nga Kosova të dëbuar gjatë luftës më 1999 nga gjenocidi, u strehuan nga vëllezërit e motrat e tyre shqiptarë të të gjitha këtyre anëve”, tha ai, duke shtuar se gjuha që e flasim, pra shqipja jonë, e kaluara e përbashkët, pra historia jonë, dhe, ndjesitë e përfytyrimet kolektive, pra identiteti jonë, duhen gjallëruar bashkërisht. Ajo çfarë ndodhë në Kosovë, ndjehet njësoj edhe në Tetovë, ashtu siç ajo çfarë ju brengos juve këtu, është shqetësimi edhe i neve atje.

Filed Under: Politike

KRYETARI I DHOMËS SË AVOKATISË LEZHË AV.ELTON LASKA VIZITOI VATRËN

August 11, 2023 by s p

New York, 10 Gusht 2023 – Kryetari i Dhomës së Avokatisë Lezhë av.Elton Laska vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Ai u prit nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, Shefi i Kabinetit Dr.Pashko Camaj, Arkëtari z.Besim Malota, veprimtari i çështjes kombëtare z.Anton Raja dhe Editori i Diellit. Në fjalën përshëndetëse av. Laska falenderoi Vatrën për kontributin në ndërtimin e shtëpisë së shkatërruar të familjes Doçi në Mamurras dhe bëri një ekspoze të situatës së rimëkëmbjes sociale dhe ekonomike të familjeve të prekura nga tërmeti i vitit 2019 në Shqipëri. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e mirëseardhjes falenderoi av.Laskën për punën e shkëlqyer me ekipin e të rinjve për t’iu gjendur afër familjeve të prekura nga tërmeti në Kurbin dhe garantoi se Vatra do të vazhdojë të ndihmojë familjet e prekura nga tërmeti shkatërrimtar. Më pas z.Berisha shpjegoi për miqtë rolin e Vatrës në historinë e kombit shqiptar dhe marrëdhëniet institucionale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë e Kosovën. Kryetari z.Berisha u ndal gjatë bisedës gjithashtu te përpjekjet për të kthyer Vatrën në zërin më të fuqishëm përbashkues të çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Politike

Poeti disident, tmerr i diktaturës komuniste, martiri Havzi Nela

August 10, 2023 by s p

Shpëtim Axhami/

Me 10 Gusht 1988, 35 vjet më parë, u ekzekutua me varje në litar poeti disident Havzi Nela. Data 10 Gusht fare mirë e me të drejtë mund të quhet si DITA E POETËVE DISIDENT NË SHQIPËRI🇦🇱. Ishte poeti që çdo varg të tij e kishte mllëf për komunizmin dhe poeti i fundit vrarë ku diktatura komunizmi shumë shpejt do binte në të gjithë Europën Lindore.

“Deri kur durim, deri kur me shpresë?

Jo, jo mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due,

Me durim dhe shpresë nuk dua të vdesë,

Se jeta dhe vdekja duhen meritue”.

Havzi Nela lindi më 20 Shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit të Kukesit, fshat ky i gjendur në një prej zonave më patriotike, antikomuniste dhe besimtare në Zot të krahinës së Lumës.

Gjithë jeta e Tij ishte një kalvar vuatjesh, por himn e këmbanë shprese kundër regjimit komunist.

Në 26 Prill 1967, pasi u lexoi nxënësve të tij poezinë “Shko dallëndyshe” ( poezi nga Filip Shiroka)

“Udha e mbarë, se erdh prendvera,

shko dallendyshe tue fluturue….”

Havzi Nela, bashkë me bashkëshorten e Tij, duke rrezikuar jetët e tyre morën rrugën për të kaluar kufirin dhe arratisur për nē Prizeren.

Ndërsa kalonte vijën kufitare, ai shkroi në një copë letre.

“Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun …”

Më 6 maj 1967 jugosllavët, me marrveshje ogurzezë me qeverinë shqiptare, e sjellin në doganën e Morinës, bashkë me disa të arratisur të tjerë, në këmbim të disa atdhetarëve kosovarë që qeveria komuniste e Enver Hoxhës i’a dorëzoj policisë sekrete UDB.

Më 22 maj 1967 Havzi Nela u dënua me 15 vjet burg, kurse e shoqja me dhjetë vjet burgim.

Më 8 gusht 1975 e ridënojnë duke i shtuar edhe 8 vjet të tjera dhe Qëndroi në qeli deri në 19 dhjetor 1986 kur lirohet.

Më 19 dhjetor 1986 Havzi Nela lirohet nga burgu, i cili kishte filluar për të më 22 maj 1967, plot 21 vjet burg politik.

Më 12 tetor 1987 e interrnojnë në Arrën, në kushte c’njerëzore, ndërsa në 3 gusht të po këtij viti e arrestojnë.

Diktatura komuniste, në vitet e fundit të saj, në agoni e duke dhënë shpirt u hakmorr brutalisht mbi poetin që kurrë nuk e deshi dhe u pajtua me të, duke e dënuar me vendim kapital, varje në litar.

Mëngjesin e 10 gushtit 1988 Havzi Nela u gdhi i varur në mes të qytetit të Kukësit, me litar në qafë, duar të lëshuara e këmbë të bashkuara e një fllad i lehtë përkëdhelte trupin e tij lehtësisht.

Tmerri makabër vazhdon edhe me kufomën!

Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës, më 10 gusht 1988, në mesnatë terroristët komunistët e morën trupin e tij dhe e futën atë vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtyllë druri.

Ai u privuar edhe nga detyrimi më njerëzor për tu shtrirë në banesën e fundit si të gjithë të tjerët kur ndërrojnë jetë.

Xhelatët, që tashmë dihem e as falje nuk kërkuan asnjëherë, kishin përfunduar aktin më ç’njerëzorë mbi atë që donte vec liri e liri nuk pa asnjeherë.

Ky krim, kryer vetëm për të për të mbjell tmerr e frikë e për të zgjatur edhe sado pak egzistencën në pushtet të tyre, u kthye përkundrazi hyjnisht, në fillimin e shkërrmoqjes së diktaturës ma të egër komuniste që ishte vendosur në Shqipëri, jeta e poetit shpejt do kthehej në liri.

Ai qëndroi në këmbë për pesë vjet dhe dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993, ku pas përpjekjeve të shumta u bë e mundur që të gjendej, në një vend mbuluar me gurë dhe shkurre pranë fshatit Kolsh, dy kilometra larg nga Kukësi.

Sot ajo liri dhe ato të drejta akoma nuk kanë ardhë ashtu si i donte poeti dhe ne të gjithë nuk kemi bërë aq sa duhet për të vlerësuar si duhet dhe sa duhet figura të tilla si Havzi Nela e shumë të tjerë që u sakrifikuan në emër të lirisë.

Qoftë i qetë në parajsë poeti disident Havzi Nela.🇦🇱

Filed Under: Politike Tagged With: Shpetim Axhami

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 143
  • 144
  • 145
  • 146
  • 147
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026
  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT