New York, 10 Gusht 2023 – Kryetari i Dhomës së Avokatisë Lezhë av.Elton Laska vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Ai u prit nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, Shefi i Kabinetit Dr.Pashko Camaj, Arkëtari z.Besim Malota, veprimtari i çështjes kombëtare z.Anton Raja dhe Editori i Diellit. Në fjalën përshëndetëse av. Laska falenderoi Vatrën për kontributin në ndërtimin e shtëpisë së shkatërruar të familjes Doçi në Mamurras dhe bëri një ekspoze të situatës së rimëkëmbjes sociale dhe ekonomike të familjeve të prekura nga tërmeti i vitit 2019 në Shqipëri. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e mirëseardhjes falenderoi av.Laskën për punën e shkëlqyer me ekipin e të rinjve për t’iu gjendur afër familjeve të prekura nga tërmeti në Kurbin dhe garantoi se Vatra do të vazhdojë të ndihmojë familjet e prekura nga tërmeti shkatërrimtar. Më pas z.Berisha shpjegoi për miqtë rolin e Vatrës në historinë e kombit shqiptar dhe marrëdhëniet institucionale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë e Kosovën. Kryetari z.Berisha u ndal gjatë bisedës gjithashtu te përpjekjet për të kthyer Vatrën në zërin më të fuqishëm përbashkues të çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.