• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PORTRET PAK MË NDRYSHE PËR VASO PASHËN SI GOVERNATIR I LIBANIT: Ç’OFRON HISTORIANI LIBANEZ IBRAHIM AL-ASWAD PËR RILANDASIN TONË

August 29, 2023 by s p

Prof.Muhamed Mufaku/

Për rilindasin Vasa pashë Shkodranin kemi tanimë mjaft shkrime për jetën e veprimtarinë e tij patriotike e letrare, duke përfshirë periudhën e pasur sa ishte guvernator i Libanit (1882-1892) kur shkroi ato vepra të tij gjuhësore dhe letrare si “Gramatika e gjuhës shqipe” dhe romanin “Bardha e Temalit” e të tjera. Në këtë kontekst vlen të përmendet se shkrimet e Nehat Islamit, kur ishte korrespondent i “Rilindjes” në Bejrut në vitet ‘70 të shekullit XX zbuluan shumë risi për Vasa pashë Shkodranin, që u bënë bazë për iniciativën për transferimin e eshtrave të tij në Shkodër më 1978, si dhe për veprën e Vehbi Balës, “Pashko Vasa” (Tiranë 1979).
Megjithatë, kemi të bëjmë tani me një rrëfim origjinal të një historiani të njohur libanez që kishte punuar në administratën e Libanit autonom, në krye të të cilit ishte Vasa pasha, pra që e ka njohur atë prej së afërmi, ndaj në këtë rrëfim ai flet për ato shumë reforma dhe ndërtime që i ka bërë Vasa pasha gjatë mandatit të tij, duke zbuluar edhe ca risi.
Në këtë rrëfim, historiani libanez, Ibrahim al-Aswad, (1865-1940) paraqitet mjaft objektiv në portretin që ia rrëfen një studenti shqiptar në Universitetin Amerikan në Bejrut (Xhemal Farka) që shkoi atje me bursë nga rilindësi Sotir Kolea (1872-1945) për ta studiuar koloninë shqiptare në atë rajon, i cila këtë rrëfim në katër faqe të shkruar me dorën e tij ia dërgoi rilindësit Lef Nosi (1877-1946) në Tiranë.
Ky rrëfim autentik nga goja e historianit libanez Ibrahim al-Aswad shpëtoi dhe u zbulua vetëm vonë nga Xhafer Sadiku që e gjeti në dosjen e Lef Nosit në AQSH, pasi që ai dhe shkruesi i rrëfimit u arrestuan nga regjimi komunist më 1945 dhe u dënuan me vdekje më 1946 për të parin dhe më 1948 për të dytin.
Më fjalë të tjera për të arritur deri ky rrëfim kemi dy rilindës (Sotir Kolea dhe Lef Nosi) dhe dy viktima të regjimit monist që filloi sundimin me gjykime e pushkatime të intelektualëve të kohës.
Sotir Kolea ishte një prej figurave të njohura të kolonisë shqiptare të Egjiptit, që luftoi për Pavarësinë e Shqipërisë dhe për Shqipërinë si anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencës e Paqes në Paris 1919-1920. Ai u vendos më vonë në Tiranë dhe u shqua për kontributin e tij në pasurimin e Bibliotekës Kombëtare si drejtor i saj gjatë 1928-1937. Siç duket në atë kohë u njoftua me shkrimtarin e ri, Xhelal Farka, i cili me bursën e ofruar nga ai shkoi në Bejrut për të studiuar historinë në Universitetin Amerikan (i themeluar më 1866), me qëllim që të merret me gjurmime për koloninë shqiptare në atë rajon.
Xhelal Farka (1913-1948) u lind në Tiranë dhe u paraqit në fillim të viteve ‘30 me shkrimet e tij satirike që i botonte në gazetën “Arbëria” me pseudonimin Sula i Fajes. Ai më vonë bëri emër kur kaloi me punë në Radio Bari dhe më vonë në Radion Zëri i Amerikës me seli në Aleksandri, në kohën kur ishte qendër kryesore e kolonisë shqiptare në Egjipt. Në saje të autoritetit që kishte, rilindasi Lef Nosi si historian që merret me dokumente të Rilindjes kombëtare Xhelal Farkës iu duk se do të ishte më se miri t’ia dërgoi këtë rrëfim origjinal për Vaso pashën. Në saje të lidhjes që kishte me Lef Nosin ai u arrestua dhe hetua siç tregojnë tani dokumentet e kohës, si dhe me Musine Kokalarin, më në fund u pushkatua më 1948.
Ky rrëfim për Vasa pashën u gjet në mesin e arkivit të Lefi Nosit kur u arrestua më 1945. Ndonëse ishte nga firmëtarët e Pavarësisë më 1912 dhe Ministri postë-Telegrafës në qeverinë e parë shqiptare (1912-1914), si dhe në shumë funksione deri në kryetar të Asamblesë Kombëtare më 1943 dhe anëtar i Regjencës gjatë 1943-1944, ai nuk shpëtoi prej dënimit me vdekje që u ekzekutua më 1946. Mirëpo, shpëtoi arkivi i tij i pasur, e në mesin e tij u gjet edhe ky rrëfim i historianit libanez, Ibrahim al-Aswad, për Vasa pashën.
“Wassa Pasha Shkodrani”
[Rrëfye nga zotëri Ibrahim Asswad Bey, plak nandëdhjetësh, ish-funksionar i naltë në kohë të qeverimit të Wassa Pashës dhe mâ vonë, shkronjës i “Historia dulike” dhe i kursa veprave të tjera, gazetar etj.]
Wassa leu në Shkodër më 1824. Përpara se t’emnohesh prej Sulltanit si guvernor i Libanit, ka qenë funksionar i naltë në Ministrinë e Jashtme në Stamboll dhe për disa kohë guvernor i Edirnes. Në të gjitha punët tregoi squetsi dhe zotni të rrallë.
Në vjetin 1883 u emnue Guvernor i Libanit, simbas ligjit për dhjetë vjet, por për fat të keq pas tetë vitesh e gjysmë ndërroi jetë. Kur erdhi në Beirut kishte për grua nji greke të quajtur Katerina, me të cilën kishte një vajzë të rritun, Rozën Kopelian, e martuar me armenin Kapelian. Dy vjet mbasi erdhi në Liban, i vdiq e shoqja, dhe, dy vjet mbas kësaj u martua prapë me frëngen Mlle Lauriche, të cilën e kishte pasë njoftë në Stamboll. Me Lauriche-n pati dy djem, Selimin dhe Lionin. Vdiq më 1892. Mbas vdekjes e shoqja dhe djemtë vajtën në Stamboll, dhe, kur mbas pesë vjetësh u kthye me Selimin për me vizitue varrin e Wassas, qeveria bâni një ceremoni përkujtimi ku u mbajtën fjalë të rastit.
Wassa Pasha dhe Rustem Pasha, kanë qenë guvernorët mâ të mirë dhe mâ të zotët që ka pasë Libani. Wassa u bâ shkak që të bâheshin shumë ndërtime dhe punë botore. Qe ai që ndreqi sarajet e qeverisë në Xhunieh, sarajet e Zahlës dhe ato të Baalbak. Gjatë qeverimit të tij u ndreqën edhe rrugët Beirut-Zahle dhe Beirut-Braumana, në nji kohë kur ishte pun’ e madhe të kishte të tilla rrugësh. Vetë Wassa inauguronte çdo ndërtim. Emni i Wassas nuk do të harrohet në Liban edhe për nji vepër kulturale me randësi: ai qe shkaktari i themelimit të së parës shtypshkronjë në Liban, dhe i botimit të së parës gazetë. Wassa ngarkoi Ibrahim Bey Aswad për këtë qëllim. Kështu ndodhi që qysh prej asaj dite edhe sot, zotnia e tij âsht pronar i gazetës “Libani”, e para gazetë e këtij vendi.
Wassa ishte shumë burrë i pashëm dhe i gjatë, gojë-ambël me të gjithë. Zotnonte shtatë gjuhë të huaja, ishte edhe poet. Vargëzonte shqip edhe italisht. Ka bâ nji gramatike shqipe. Zoti Aswad nuk e ka pá gramatikën, porse Wassa vetë i paska pasë thënë. Të huejët bëjshin kokën për Wassan. Kishte miqësi të madhe me konsujt e huaj e sidomos me konsullin frëng. Me këtë të fundit, sado që e kishte mik, i prish kur ky filloi me futë hundët në punët e brendshme të shtetit. Libani ka pasë n’atë kohë një asamble kombëtare. Kur po baheshin zgjedhjet, konsulli frëng bashkë me Patriarkun Maronit (Iddibis) sajuen nji mënyrë dhe zgjodhën nji njeri të tyre, i cili do t’i mbante pajë Francës. Wassa me të marrë vesht shkaktoi që ai njeri të hiqesh dhe në vend të tij të vihej nji tjetër, i cili do të shikonte të mirën e vendit. Konsulli frëng u zemrue dhe iku nga Libani. Frëngët, qysh në kohë të Napoleonit III kanë sajue ngatrresa në Liban me anën e Maronitëvet (të krishterë që njohin Papën). Por Wassa punonte me ndërgjegje dhe nuk duronte gjana të këtilla. Ai i ka sjellë shërbime të mëdha qeverisë osmane.
Wassa ishte shumë mikpritës dhe libanezët thojshin se Wassa âsht si arabët e vjetër sepse arabët e vjetër janë të famshëm për mikpritjen e tyre. Porta e Wassas ishte gjithmonë hapët. I madh e i vogël hanin tek ai. Shtëpia e tij ishte plot me musafirë.
Ka edhe njerëz q’e shajnë Wassa Pashën. Thonë se Wassa e donte paren pa mâsë. Asht e vërtetë, por Wassa nuk ishte dorë-shtrënguatë. Përkundra, ai ishte fort dorë-dhânë. Nji poet popullor i quejtur “Mallot” i cili rron edhe sot, e kishte inat Wassan dhe kur vdiq i bâni këtë vjershë arabisht:

Thonë se vdiq q’ai Wassa Pasha!
bâni që mbi varr të tij
të tringëllojnë do para t’trasha…
e tash ju ngjallet për bukuri!

Mirëpo, Ibrahim Aswad Beu thotë se Mallot-i ishte hajdut. Ai kishte vjedhë një regjistër në qeveri dhe Wassa e kishte futë në burg. Prandaj, për hakmarrje grinte këso dokrrash. Wassa ka punue për të mirë të Libanit, i deshi libanezët dhe ata që e kanë dashtë me gjithë zemër. Ata q’e shajnë janë njerëz të këqij. Shkurt, Wassa ka qenë njeri i madh.
Rroga e Wassës ka qenë dyqind (200) lira turku flori në muejt. Ndër deklaratat të shumta që i zbukurojshin krahnorin ishin këto:
Premiere Mekhidie Ottoman
Liakat Dor
Legire d’honour dhe të tjera nga shtete të huaja.
Në varrimin e Wassas mori pjesë i madh e i vogël sepse ishte i dashtun prej të gjithëvet.

Filed Under: Politike Tagged With: Prof. Muhamed Mufaku

#SiSot, më 29 gusht 1839, në Frashër të Përmetit lindi Abdyl Frashëri biri i Halid beut

August 29, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Emrin e vërtetë e ka Abdullah Hysni. Është një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare. Është shquar si personalitet politik gjatë Krizës Lindore, në shek. XIX. Në Parlamentin e Parë Osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës; u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës (1877) dhe në dhjetor të po këtij viti u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Perandorinë Osmane. Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë të Kuvendit të Prizrenit që u formua për të mbrojtur copëtimin e trevave shqiptare, si pasojë e firmosjes së Traktatit të Shën Stefanit (1878) dhe mbrojti idenë e bashkimit të trevave shqiptare në një vilajet, në kuadër të Perandorisë Osmane. Gjatë Kongresit të Berlinit, në emër të Lidhjes, së bashku me Mehmet Ali Vrionin, kreu takime me përfaqësues të Fuqive të Mëdha për të mbrojtur të drejtën e shqiptarëve. Në qeverinë e drejtuar nga Ymer Prizreni (1881), Abdyl Frashëri mori përgjegjësinë e ministrit të Punëve të Jashtme. Në prill të këtij viti u arrestua. Në gjyqin që u bë në Prizren u dënua me vdekje, por më pas ky vendim u kthye në burgim të përjtetshëm. Pasi kreu tre vjet dënim në burgun e kalasë së Prizrenit, u dërgua me qëndrim të detyruar në Ballëkesir dhe në Bandërma. Në vitin 1886 lihet i lirë me kushtin që të mos merret me politikë dhe u caktua anëtar i këshillit të qytetit të Stambollit. Më 11 tetor 1892 ndërroi jetë në Stamboll.

Në fotografinë e parë është portreti i Abdyl Frashërit, fotografuar nga Vëllezërit Romaidhi (fotografë të njohur në Athinë) ndërsa materiali pasues është vendimi i Këshillit të Ministrave i vitit 1978, për kthimin e eshtrave të Abdyl Frashërit në atdhe me rastin e 100- vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#FototekaAQSH

#DPA

Filed Under: Politike

NËNA TEREZE MËSUESE, PROFESORESHË DHE DREJTORESHË E SHKOLLËS SHËN MARIA NË KALKUTË

August 28, 2023 by s p

Don Lush GJERGJI

Kontributi i Nënë Terezës në shkollim, arsimim dhe qytetërim

Gonxhe Bojaxhiu, edhe më mirë Gonxhja jonë, më vonë Shën Nëna Tereze, si çdo fëmijë dhe e re, kishte shumë dëshira, kërkeësa, plane dhe ëndërrime për jetën e mëvonshme. Ajo ishte shumë e talentuar për muzikë, këndim, mandolinë, recitim, vallëzim, organizim, mësim – lexim, poezi, uratë…  Mbi të gjitha e donte lutjen – uratën dhe librin – leximin. Pas 6 viteve të këshilimeve, uratës, kërkimit, me 14 gusht 1928, në Letnicë kishte vendosur kështu: “Dua të bëhem motër misionare për t’i ndihmuar të varfërit e botës!”

Për të arritur këtë qëllim sublim, sipas udhëzimeve dhe këshillave të etërve jezuitë në Shkup, ajo kishte kërkuar që të pranohej në rendin e “Motrave të Loretos”, të cilat bashkëpunonin me misionarët jezuitë në Kalkutë dhe në rrethinë,  sidomos në dy drejtime, në shkollim dhe në shëndetësi.

Motrat nga Loreto i përkasin Institutit të Shën Marisë, të themeluar në vitin 1609 nga njëzet e katër vjeçarja Meri Vond. Ajo dhe shoqëruesit e saj të parë e themeluan shkollën e parë në Shën Omer (tani në Francë), në një shtëpi që ende ekziston, por është një vendbanim privat.

Sot, Motrat e Loretos janë të angazhuara në një gamë të gjerë të aktiviteteve: programeve të mësimit të shkrim-leximit, udhëheqje shpirtërore, këshillimit, qeverisja me strehimoret për gratë e pastreha dhe në shumë aspekte në lëvizjen për drejtësi më të madhe dhe paqe në botë. Ato janë aktive në çdo kontinent dhe punojnë në rreth 150 shkolla dhe janë përgjegjëse për edukimin e mbi 70. 000 nxënësve.

Gonxhja në moshën 18-vjeçare, e veshur me dëshirën e saj për t’u bërë misionare, e lë shtëpinë  dhe Shkupin e saj të lindjes, për t’u bashkuar me Motrat e Loretos, duke filluar në Ratferharm të Irlandës. Atje, ajo zgjedh emrin Tereze, për nder të shenjtores së saj Shën Thereza e Krishtit Fëmijë nga Lizie. Ajo mësoi anglishten, sepse Motrat e Loretos e përdorin atë gjuhë kur ligjëronin në shkollat në Indi. Edhe pse qëndrimi i saj në Dublin ishte i shkurtër, motrat e kujtojnë si “shumë të vogël, të tërhequr dhe të qetë”.

Më 1 dhjetor 1928, nga Irlanda u nis me anije për në Indi dhe arriti në Kalkutë më 6 janar 1929. Më 25 maj 1931 në Darxhiling jep kushtet e para rregulltare si motër Tereza. Ajo punon si profesoreshë e gjeografisë dhe historisë dhe edukimit fetar në shkollën Shën Maria në Kalkutë. Më 10 shtator 1946 duke udhëtuar me tren nga Kalkuta në Darxhiling përjeton “thirrjen në thirrjeje” – frymëzim për të lënë kuvendin  e motrave të Loretos në Kalkutë dhe për t’u angazhuar për të sëmurët dhe të varfrit ndër më të varfër.

Ja si e përshkruan daljen e saj prej Shkupit revista e njohur katolike kroate “Katoličke Misije“e  (Misionet Katolike): „Gonxhe Bojaxhiu është shqiptare, e lindur në Shkup. Thirrja e Zotit e ka befasuar atë kur ende ishte në lice… Ajo ishte shpirti i veprimtarive të femrave katolike dhe të korit të kishës.”

Dëshmia e kohës vazhdon kështu: “Vajza e njohur tetëmbëdhjetë vjeçare nga Shkupi, me emër shqiptar Gonxhe, është bërë murgeshë duke marrë emrin e Terezes së Jezusit Fëmijë. Ajo ka ndihmuar korin e kishës në Shkup deri në vjeshtën e kaluar, ka ndezur entuziazmin e shokëve të saj në Kongregatën e Marisë  për të ndihmuar misionet, i ka mësuar vajzat më të reja  dhe ka qenë po ashtu nxënëse shembullore në liceun e vajzave në Shkup…”        

Pas rishtarisë për pak kohë kishte punuar si infermiere. Ja përshkrimi i saj në këtë përvojë: “Shumë kanë ardhur nga larg: ata kishin ecur këmbë orë të tëra. Në ç’gjendje që janë! Veshët dhe këmbët i kanë plot varrë… Lypset aq shumë kohë për t’u ofruar të gjithëve shërbim dhe këshilla…”

Motra Tereze ishte  tejet e angazhuar në studime, në punë, në shkollën e Shën Marisë në Kalkutë, në jetën shpirtërore. Mbi të gjitha hetohej entuziazmi dhe lumturia e saj në rendin e Motrave të Loretos. 

Ajo kështu dëshmonte në vitin 1934: “Përpos mbajtjes së mësimit, unë po ashtu duhet të përkujdesem për të sëmurët dhe t’u ndihmoj dhjetë motrave të tjera në studime. Të mos i përmendi provimet e mia universitare…”        

Në vitin 1935 ajo mori detyrën e re në shkollën e Shën Terezes. “Shkolla është pak sa larg nga kuvendi … Unë iu përvesha me një herë punës: zbraza korridorin, mora pak ujë dhe fshesat  dhe zura ta pastroja  dyshemenë… Në Indi pastrimi zakonisht bëhet  nga kastet më të ulëta. Kur më panë të lumtur e të gëzuar, vajzat erdhën të më ndihmonin, kurse djemtë filluan të sjellin ujin. Për dy orë, ai korridor i ndyrë, apo të paktën një pjesë e tij, u shndërrua në një klasë të pastër…Kur mbërrita aty kishte 32 fëmijë, tani janë 300. Unë jap mësim edhe në një shkollë tjetër, por kjo shkollë i ngjanë  më shumë një stalle se sa një shkolle. Jap mësim edhe në një vend tjetër, njëfarë oborri. Kur pashë ku flenin fëmijët dhe çka hanin ata, ndjeva dhembje  të madhe për ta, se është e pamundur të gjesh mjerim më të madh! Po, ata janë të lumtur! Fëmijëri e bekuar!… Që nga ajo ditë, ata më quajnë “MA”, që do të thotë “Nënë”,”     

Tregimi vazhdon kështu: “Tani më nuk befasohem pse nxënësit e mi e duan shkollën aq shumë dhe pse shumë prej tyre janë të sëmurë na TBC-ja.”

Angazhimi i saj në tri shkolla, studimet universitare në degën histori dhe gjeografi në Universitetin e Kalkutës, jeta dhe puna në kuvend, vërtet ishte e tepërt, por ajo ishte shumë e gjallë, dinamike dhe tejet aktive. Asaj i pëlqente mësuesia dhe këtë mision e kishte pranuar me gjithë shpirt. Ja dëshmia e saj: “Po, është e vërtetë, më pëlqen shumë të jap mësim, ndonëse kjo punë kërkonte shumë mund, por e bëja me ngazëllim, me gjithë zemër.”

Puna me fëmijë dhe në shkollë ia kishte mundësuar asaj njohjen reale të gjendjes së tyre si dhe të familjeve, mjerimin e skajshëm në Kalkutë, sidomos në dy lagje, Tigil dhe Monotigjill. Mirëpo nga njerëzit e varfër dhe të mjerë ajo kishte mësuar shumë, ata vuanin qetë, punonin, mbi të gjitha shpresonin dhe ishin me plot vullnet dhe gjallëri.

Pas një vizite familjare të dy vajzave – nxënëse të motrës Tereze, ajo shkruan kështu: “Shtëpiza, kasolla  e mjerë dhe e varfër … ajri aq i rëndë sa që s’më ra të fikët dhe s’rashë në dysheme… Oh, Ma, tha ai (babai i këtyre nxënëseve, vr. ime), po vdes. Ti je nëna ime. Nëna e bijave të mia! Duhet të përkujdesesh për to, t’u bëhesh Nënë kur unë të kam vdekur…”

Nga kjo që shtrova dhe zhvillova kuptohet që Nëna Tereze suksesin në shkollim, arsimim dhe qytetërim e gjente në dy burime: në njohuri profesionale, pra, në edukim të mendjes dhe të zemrës, por edhe më shumë në dashuri.

Pas kushteve të përjetshme rregulltarë (24 maj 1937), ditën e Zojës Ndihmëtare, titulli i katedrales në Prizren, ajo qe emëruar drejtoreshë e shkollës Shën Maria në Kalkutë.

Në vitin 1942 ajo punonte me 400 vajza në shkollën e Shën Marisë, në të cilën ajo ishte edhe përgjegjëse.

Ja një dëshmi e fuqishme e kohës: “Një ditë prej ditësh një anglez vizitoi shkollën dhe u befasua nga numri i madh i fëmijëve. Kishim 375 në dy në dy dhoma të mëdha të mësimit. Gjatë vizitës së tij mbante një qetësi e jashtëzakonshme, gati s’e s’besonte dhe më pyeti se ç’dënim u kisha dhënë që ta mbanin kaq qetësinë. “Dënimi i tyre më i madh  është kur i injoroj dhe kështu ata e dinë se më kanë zhgënjyer me diçka. Përse t’ rrah? Ata i rrahin mjaft në shtëpi, pastaj ata janë të ndëshkuar nga vetë jeta, nga varfëria, mjerimi, nga sëmundjet…”

Atë Ante Gabrić, misionar i njohur kroat në Bengali, njohës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Nënës Tereze, ndër të tjera shkruante kështu: „Motra e nderuar, Tereze Bojaxhiu, ishte aq e sëmurë, sa që të gjithë mendonim se nuk do të ngritet më në këmbë, por për fat ajo është shëruar. Ështl ngritur dhe po bën punë sa dhjetë persona, motra…“

Ja një letër e bukur dhe domethënëse e Nënës Tereze drejtuar „Nënës Loke“ – Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu, diku midis viteve 1937 – 1938: „Më vjen keq që nuk mund të jem pranë jush, por qëndro e lumtur, Nënë e dashur, nga që Gonxhja jote e dashur është e lumtur. Kjo është një jetë e re. Qendra jonë është shumë e bukur. Po jap mësim dhe e dua këtë punë shumë. Unë jam edhe drejtoreshë e tërë shkollës edhe të gjithë me duan shumë.“

Përfundimi i mrekullueshëm që rrumbullakëson misionin e saj të jetës së kushtuar: „Kurrë nuk kam pasur dyshim sa i përket thirrjes sime rregulltare. E ndieja thellë në zemrën time  se Zoti më thërret për një mision, jetë, punë tjetër, por unë nuk e dija dhe nuk e kuptoja pse dhe si.“

Cila është fshehtësia e jetës së ofruar dhe të kushtuar të motrës Tereze, më vonë Nënës Tereze, tash Shën Nënës Tereze? 

Sipas mendimit dhe vlerësimit tim, janë tri pika apo shkallë të këtij përkushtimi, flijimi dhe dhurime të rrallë dhe unik, të jetës dhe veprimtarisë shembullore në anën e shkollimit dhe të edukimit të shumë brezave:

  • Njohja e mirë e nxënësve dhe e rrethit të tyre familjar dhe shoqëror;
  • Njohuria e lëndëve – mësimit që lypset ofruar dhe dhuruar me mësimdhënie, pra, përgatitja  njerëzore dhe profesionale;
  • Motivim dhe frymëzimi, që  gjithnjë zbërthente në dashuri flijuese dhe vepruese në çdo vend, hap dhe veprimtari, pra, edhe në shkollim, arsimim dhe qytetërim të fëmijëve dhe të rinisë që kishin kaluar “nëpër duar” të mësueses, profesoreshës, drejtoreshës, edukatores, mbi të gjithë të Nënës së Dashurisë – Shën Nënës Tereze. 
  • Dashuria në veprim dëshmohet edhe nëpërmjet veprimtarisë së saj në arsim, sidomos me një fotografi dhe dëshmi, ku ndër të tjera thuhet: “Nxënësit e shkollës së Motrave të Loretos, ku ka dhënë mësim për shumë vjet Nëna Tereze. Asaj i pëlqente të thoshte: “Këta janë fëmijët e mi.”

Filed Under: Politike

Nënë Tereza apo lideri që duhet imituar

August 26, 2023 by s p

Dr. Iris Halili/

“Funksioni i lidershipit është të prodhojë më shumë liderë, jo më shumë ndjekës.” Ralf Nader

Autorja e këtyre radhëve ka pasur fatin të jetë më 19 tetor të vitit 2004 në Sheshin e Shën Pjetrit, në Romë, së bashku me delegacionin e shtetit shqiptar që merrte pjesë në Ceremoninë madhështore të organizuar nga Papa Gjon Pali II, për fillimin e lumturimit të Nënë Terezës. Për të qenë e sinqertë, asnjë moment i asaj ngjarjeje nuk më ka lënë më shumë mbresa sesa njohuritë që mora disa vite më vonë, e që e rreshtonin Nënë Terezën si një ndër katër liderët më të mëdhenj të njerëzimit, përkrah Gandit, Martin Luter Kingut dhe Mandelës, duke e konsideruar atë gjithashtu edhe gruan lider më të respektuar të të gjitha kohërave. Fakti që modeli i saj i drejtimit, frymëzimit dhe realizimit të misionit është kthyer në një model tipik në shkollat amerikane të lidershipit, më lumturoi shumë më tepër se procesi i përcaktimit të saj si Shenjt. Kjo pasi, për studiuesit amerikanë, roli fetar i Nënë Terezës bëhet shumë i papërfillshëm përballë misionit human dhe modelit shpirtëror që na përcjell ajo. Shumë njerëz mendojnë gabimisht se ajo ishte thjesht një murgeshë që kishte si mision të ndihmonte të varfrit dhe për këtë në vitin 1990 ndërtoi një organizatë me 4 000 misionare që operonin në qindra vende të botës, pikërisht Misionaret e Karitasit. Kjo organizatë filloi në Kalkuta dhe më pas u përhap në 450 qendra të botës. E vërteta është se përtej qëllimit kryesor praktik që ajo kishte për të ndihmuar më të varfrit, duke ju ofruar atyre shërbim total, misioni i saj kishte një qëllim akoma më vizionar dhe universal, edukimin e njerëzve me dashurinë për njëri-tjetrin, si e vetmja arsye që e bën jetën më të bukur.

Nënë Tereza është shënuar në literaturën e lidershipit perëndimor si lideri që ndërtoi modelin e dashurisë pa kushte dhe transformoi mendimin botëror të gjysmës së dytë të shekullit të 20, duke e cilësuar dashurinë njerëzore si të vetmen armë që sjell paqe dhe prosperitet. I gjithë misioni i saj ishte dhe mbeti i suksesshëm pasi ajo zgjodhi të drejtojë mes shembullit personal dhe u kthye në një shërbëtore të devotshme të më të varfërve. Modeli i saj i drejtimit më shumë se fetar mbeti human, më shumë se katolik mbeti universal, dhe më shumë se doktrinor mbeti ai i lirisë, ndihmës dhe dashurisë që falet sinqerisht pikërisht atje ku nuk pret asgjë si shpërblim. Në përcaktimin e Nënë Terezës si lider, të gjitha shkollat e lidershipit bien dakord se ideologjia që ka ndikuar më shumë në formimin dhe praktikën e saj ka qenë ajo e Jezu Krishtit. Nënë Tereza ishte një ndër dy bilion njerëzit që e identifikojnë veten si kristianë dhe e konsiderojnë Jezusin si liderin më të madh mes tyre. Jezusi mbahet jo vetëm si një model i liderit frymëzues, por edhe si lideri i parë i njerëzimit që tha dhe veproi sipas parimit: “Në fillim shërbe e pastaj lider”. Shkollarët e lidershipit mendojnë se modeli i liderit shërbëtor ka qenë kurora më e madhe dhe e merituar që i është vendosur Nënë Terezës.

Pavarësisht se lidershipi në shërbim, si teori, fillimisht u zhvillua në SHBA rreth viteve ’70 nga Greenleaf, të gjithë studiuesit bien dakord që i pari që ka folur për modelin e liderit shërbëtor ka qenë Jezu Krishti. Në librin e Mathew, Testamenti i Ri, Jezusi bën në fakt për herë të parë edhe përcaktimin e liderit: “kushdo që dëshiron të bëhet një lider duhet pikë së pari të bëhet një shërbëtor”. Në Bibël gjejmë gjithashtu shprehjen “kush dëshiron të bëhet më i shquari mes jush, së pari duhet të jetë një shërbëtor” (NIV Bibël, Mark 10:43). Nën këtë shembull, Jezusi përdor termin ‘shërbëtor’ si një sinonim të të qenit i shkëlqyer. Vetë Jezusi për të demonstruar fjalët e tij lau këmbët e dishepujve, në një ritual të vështirë për kohën, po të kihet parasysh ndotja e rrugëve dhe që njerëzit ecnin përgjithësisht zbathur. Duke aplikuar këtë shërbim, Jezusi pati shtuar: “Unë jam njeri mes jush që po shërbej’ (NIV Bible, Ungjilli sipas Lukës 22:27). Kur flasim për lider në shërbim apo shërbëtor, do të thotë pikë së pari për liderë që kanë qenë apo janë në gjendje të ndërtojnë apo drejtojnë institucione në shërbim, ku shpirti human, raportet njerëzore, dhe pozicionimi në shërbim të ndjekësve vihen në plan të parë. Greenleaf që në fillim të teorive të tij theksonte se tipari kryesor i liderit shërbëtor është morali i tij. Ai shprehet se autoriteti moral është një ndër tiparet kryesore që përcakton liderin shërbëtor, pasi ky autoritet prezanton edhe raportin reciprok mes liderit dhe ndjekësit. Në bërthamë të liderit shërbëtor, të dyja palët, si liderët dhe ndjekësit janë ndjekës, pasi ato së bashku ndjekin të vërtetën, ndjekin vlerat dhe vullnetarisht i besojnë njëri- tjetrit.

Në rastin e Nënë Terezës kjo është njëlloj sikur e kemi parë te Gandi, Martin Luter Kingu apo Mandela. Ata të katërt drejtuan dhe u imponuan mes autoritetit moral, pasi ata, në fakt, nuk patën kurrë pushtet. Sipas Pollard (1997), lideri i vërtetë nuk është ai që ka postin më të lartë, shpërblimet monetare më të larta apo ka qëndruar më gjatë në pushtet, por ai që ka shërbyer gjithmonë si model, ai që ka qenë gjithmonë gati të sakrifikojë apo të shërbejë, dhe që të gjithë aktivitetin e tij nuk e ka ushtruar që të promovojë veten, por të tjerët. Sot imazhi i Nënë Terezës është për të gjithë imazhi i një gruaje të përkulur mbi lebrosin, si dhe ai i një shenjtoreje që ka lënë kaq e kaq urtësi të shkruara. Ky imazh nuk përbën çudi për shkollat e lidershipit perëndimor që njohin afrinë e lidershipit shërbëtor me lidershipin moral, ndonëse sipas tyre, lideri shërbëtor është diçka më tej, pasi ai jo vetëm që shpreh moral të lartë, por gjithashtu imponon me shembullin personal. Sipas Greenleaf, baza e suksesit të liderit shërbëtor është aftësia për të demonstruar afërsi për këdo përreth. Liderin shërbëtor nuk e refuzon askush, por gjithkush e pranon dhe e ndjek. Nënë Tereza ka pasur dhe ka edhe sot një ndikim empatik shumë të rrënjosur. Njerëz të të gjitha besimeve e citojnë apo e sjellin atë si një model të përkryer, ndërsa skeptikët kanë mbetur historikisht pakicë dhe pa forcë argumenti. Ajo ka arritur të vendosë një portret krejt të sajin dhe të padiskutueshëm në vlera. Sa herë flitet për bamirësi, përkushtim apo dedikim ndaj nevojtarëve, portreti i saj është i pari që të vjen ndër mend dhe kjo falë aftësisë që ajo mbartte për të përcjellë mesazhin filozofik që dëshironte të shpërndante dhe që kishte të bënte me edukimin e vlerave të larta humane në çdo qenie njerëzore.

Si çdo lider shërbëtor, ajo besonte se e keqja më e madhe nuk ishte te sistemi, pasi për të çdo sistem ndërtohet nga qeniet njerëzore, por e keqja qëndron te mungesa e edukimit të njerëzve me ndjenjat humane. Sipas Greenleaf dhe gjithë studiuesve të tjerë të lidershipit shërbëtor, i gjithë suksesi i këtij tipi lidershipi mbështetet te kënaqësia e tyre për t’u shërbyer të tjerëve. Nënë Tereza ishte e lumtur kur dhuronte ndihmë. Më shumë se çdo profet apo udhëheqës në kohët moderne ajo rrëfeu thjeshtësisht çdo të thotë dashuri për të tjerët. Pikërisht, i gjithë pushteti i djeshëm dhe i sotëm i Nënë Terezës ishte mbështetur te fuqia që ajo u dha fjalëve dhembshuri, dashuri dhe përkushtim pa kushte. Ajo që të bën përshtypje edhe sot është fakti që Nënë Tereza vazhdon të përcjellë mesazhe që mbeten jo vetëm frymëzuese, por edhe universale. Kjo ka të bëjë me aftësinë e saj të shkëlqyer komunikuese. Ajo dinte të shprehte mendimet e saj, të bindte ndjekësit e saj apo dhe më tej. Ajo jetonte në Indi, punonte në gjithë botën, posedonte një pasaportë indiane, një amerikane, por edhe një shqiptare dhe ndërkohë ishte në gjendje t’u drejtohej të gjithë kulturave dhe të kuptohej e kuptohet nga të gjitha kulturat, pavarësisht bindjeve fetare apo politike. James Humes shprehej se arti i komunikimit është gjuha e vërtetë e drejtimit, Nënë Tereza nga ana e saj artin e komunikimit e mbështeste te një thjeshtësi spikatëse dhe një mesazh ngulitës, te vullneti për të dashur pa kushte. E në fakt, nëse sot ajo citohet, kujtohet apo është model, kjo nuk vjen vetëm se ajo ka kryer veprime apo sjellje të shenjta, të fiksuara në regjistrat kishtarë, por më shumë, se ka kryer akte njerëzore, tokësore, të thjeshta por me një dashuri të madhe, kaq të rralla për njeriun e botës postmoderne. Ndoshta për këtë ajo shpesh të duket sikur është më e shenjtë se njerëzore, kur në fakt ajo që edhe mbetet më tokësore se çdo krijesë tjetër e shekullit kur jetoi, apo dhe më tej.

Sot kur flitet për Nënë Terezën gjithkush e di që të jesh ndjekës i saj apo të përkrahësh modelin e saj do të thotë para së gjithash të duash apo të ndihmosh gjithkënd e pa pritur shpërblim. Ky transformim që ajo i bëri mendimit materialist dhe egoist të kohës, është padyshim një shembull i shkëlqyer i modelit të liderit transformues, që ka misionin të ndryshojë një realitet, të përballet me sfidat e këtij ndryshimi dhe të arrijë të organizojë e frymëzojë ndjekësit përmes forcës së argumentit dhe modelit personal. Nënë Tereza, së bashku me tre liderët e tjerë, Gandi, Luter King dhe Mandela, që krijojnë edhe katërshen e famshme të liderëve më të shquar të epokës moderne, janë padyshim lider të transformimit, në thelb të së cilit është shpirti human dhe respekti maksimal për të. Nënë Tereza ka qenë gjithashtu edhe një lider shumë afër asaj që quhet shkolla shpirtërore e lidershipit, konceptuar si lidershipi shpirtëror. Shumë e keqkuptojnë këtë dhe mendojnë se kjo shkollë ka të bëjë me pjesën religjioze apo indoktrinuese në formimin e liderit. Në fakt, kjo ka të bëjë totalisht me pjesën njerëzore të liderit, sa ai apo ajo kujdeset për njerëzit që udhëheq; sa është në gjendje të depërtojë në zemrat dhe mendjet e tyre, emocionet e tyre apo të veprojë sipas interesave të tyre. Një ndër cilësitë thelbësore që bashkon Nënë Terezën, Gandin, Luter Kingun apo Mandelën ka qenë pikërisht inteligjenca e tyre shpirtërore. Kjo inteligjencë ka aftësinë të ndërtojë lider vizionar, me një jetë më të pasur dhe më krijuese, si dhe t’u dhurojë atyre aftësinë e pakrahasueshme për të frymëzuar ndjekësit, duke përdorur logjikën e fortë dhe bindëse se përse ja vlen të përpiqen apo sakrifikojnë. Momenti më vlerësues dhe impresionues kur studion figurën e Nënë Terezës është cilësimi i saj si modeli klasik i liderit që duhet imituar. Përveç gjithë vlerave të saj unikale, të qenit lider autentik e bëjnë imazhin e saj edhe më tërheqës. Edhe veshja e saj apo paraqitja në përgjithësi, ishin përcjellës më se të qartë të autenticitetit të saj. Jo shumë liderë, kanë pasur kurajën apo aftësinë të formësojnë modelin e tyre të lidershipit duke eksperimentuar edhe në veshje. Për shembull, pak afrikano- amerikanë qenë veshur në formë aq elegante deri atëherë kur i tillë ju shfaq shoqërisë amerikane Dr. Martin Luter Kingu. Veshja e Gandit qe përsëri autentike dhe ishte përcjellëse e vete mesazhit të tij sa modest aq edhe autokton. Veshja e Nënë Terezës dhe e të gjithë misionareve të saj, ishte një sari, veshje tipike e femrës hindu.

Nënë Tereza kishte vendosur qendrën e misionit të saj në Kalkutë, ndaj veshja duhet t’i përshtatej me atë të femrës indiane. Shumë vite më parë ajo kishte kuptuar thelbin e lidershipit global. Që të operoje me sukses në një kulturë tjetër, pikë së pari duhet të përshtateshe me këtë kulturë, duke e pranuar, dashur dhe bërë atë krejt tënden. Përtej kësaj, veshja e Nënë Terezës dhe të gjitha misionareve të Karitasit ishte tërësisht modeste, gjë që i përshtatej tërësisht qëllimit të punës së tyre. Të gjitha misionaret e Karitasit duhet të kishin vetëm tri sari, një për t’u veshur, një për t’u larë dhe një rezervë. Saria duhet të ishte pambuk i bardhë ku tri vijat blu simbolizonin Virgjëreshën Mari. Motrat e Karitasit, ashtu si dhe vetë Nënë Tereza kishin vetëm një palë sandale, një çantë bezeje, një libër lutjeje, një pjatë e një lugë. Në vendet e ftohta atyre iu lejohet të veshin një triko. E gjithë kjo thjeshtësi, përtej së imagjinueshmes, shërben për të drejtuar nëpërmjet shembullit. Të duash dhe ndihmosh të varfrit duhet pikë së pari të kuptosh ndjenjat e tyre dhe gjendjen e tyre dhe duhet t’u tregosh atyre që ti je në gjendje ta bësh këtë. Studiuesit mendojnë gjithashtu se në përgjithësi liderët autentikë kanë disa cilësi kryesore që i bashkojnë. Kështu sipas George (2004), liderët autentikë kanë aftësinë që të kuptojnë thellësisht qëllimin e misionit të tyre; kanë aftësinë të praktikojnë vlera të konsoliduara për moralin shoqëror; ata drejtojnë gjithmonë me zemër, por pa harruar të demonstrojnë vetëdisiplinë si dhe të krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme. Autenticiteti i Nënë Terezës qëndronte mbi të gjitha te qëndrimi kritik që ajo mbajti jo vetëm ndaj varfërisë ekonomike, por më së shumti ndaj varfërisë shpirtërore me të cilën ajo kuptonte para së gjithash mungesën e dëshirës për të ndihmuar dhe për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë. Ajo mbeti një kritike e vendosur e shpirtrave të pandjeshëm, të pangopur dhe egoistë. Në këtë mision e ka ndihmuar edhe shumë fakti që ajo kishte profilin e një lideri altruist. Altruizmi, si një shfaqje shumë e lartë e parimeve morale, është vullneti për të ushtruar sakrificën për njerëzit në nevojë. Jo më kot, Avolio, një ndër studiuesit dhe teoricienët më të shquar të lidershipit, e ka sjellë gjithmonë Nënë Terezën si një shembull ideal të liderit altruist. Sipas Avolios, kur ndjekësit shohin që lideri i tyre është altruist dhe ka një shpirt human që kujdeset deri për gjërat më të vogla, ata ndihen shumë më tepër të frymëzuar prej tij. Sipas ndjekësve, një lider i tillë mund të sakrifikojë edhe vetveten për të ndihmuar të tjerët dhe ky lider vetvetiu shndërrohet në një hero. Për të konkretizuar këtë te figura e Nënë Terezës mjafton të kujtojmë sa herë e kemi parë atë mbi kokën e një të droguari, të përkulur mbi trupin e një të dobësuari skeletik, apo të infektuari nga sida. Fjalët nga goja e saj kanë pasur gjithmonë peshën e veprimeve të saj dhe falë këtyre akteve, mesazhi që ajo ka përcjellë është pritur si më se i vërtetë. Nënë Tereza është njohur gjithashtu si një lider tribal. Sipas studiuesve të teorisë tribale të lidershipit, asnjë lider nuk mund të jetë i suksesshëm nëse ai vepron i vetëm (Hall, 2009). Miqësia e Nënë Terezës me njerëzit më të fuqishëm të botës demonstroi qartazi aftësinë e saj për të krijuar partnership dhe për ta vendosur këtë partnership në funksion të misionit të saj. Në fund duhet thënë se Nënë Tereza, ndryshe nga çka shënojnë skeptikët, nuk e përdori religjionin apo katolicizmin që të bashkojë njerëzit rreth misionit të saj, por nëpërmjet modelit të jetës së saj ia doli të bindë njerëzit se dashuria për Zotin shfaqet kur ne shfaqim dashuri për njëri-tjetrin. Dhe ajo arriti ta bëjë këtë duke u kthyer në një lider universal, që i deshi të gjitha kulturat, që u shërbeu të gjitha vendeve dhe ndaj meritoi emrin qytetare e botës. Cilësimi i Nënë Terezës si një ndër liderët më të mëdhenj të të gjitha kohëve sa herë flitet e kërkohet për shfaqjet më të suksesshme të lidershipit, është një vlerësim që i kalon kufijtë e një kulture, populli, feje, vendi apo gjuhe, është vlerësim universal sikundër ishte dhe vetë modeli që ajo përcolli dhe na la gjallë dhe për të cilin ne duhet të jemi krenarë.

Filed Under: Politike Tagged With: Iris Halili

THANK YOU AND FAREWELL TO AMBASSADOR FLORETA FABER

August 26, 2023 by s p

Upon the completion of Ambassador Floreta Faber’s term of service at the Embassy of Albania in Washington DC, the Pan Albanian Federation of America Vatra expresses its gratitude for her valuable work and remarkable commitment aimed at consolidating the bilateral ties between Albania and the United States of America.

Since taking on the posting in DC in January 2015 and throughout her years in the diplomatic service, Ambassador Faber has been an engaged envoy with informed insights and deep consideration on issues who was ready-at-a-moments-notice to travel at every corner of the US at commemorative ceremonies, celebrations, meetings and inaugurational events with members of the Albanian community.

What’s more Ambassador Faber made it a point to relate and be a voice for the members of the Albanian diaspora. Whether from Albania, Kosova, Montenegro, North Macedonia, Cameria, Albanian-Americans value her dedication and her efforts aimed at unifying the Albanian community in the US.

I firmly believe that her presence here was full of accomplishments. I am grateful for the collaboration in joint projects and numerous events with Vatra over the years.

There is no doubt that Ambassador Faber will be missed by the community that expresses its sincerest consideration for the work she carried in the United States. Certainly, Ambassador Faber will carry on her valuable experience and legacy of service to Albania to advance the country towards reaching the goals for its future in the European family of nations.

Respectfully yours,

Elmi Berisha

President of the Pan-Albanian Federation of America VATRA

Filed Under: Politike Tagged With: Elmi Berisha, Floreta Faber

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 144
  • 145
  • 146
  • 147
  • 148
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT