• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

P. Camillo Libardi (1863-1943) dhe dokumente për historinë e Shqipërisë

August 25, 2023 by s p

Shqipëria, veçanërisht pjesa veriore e vendit, ka qenë vijimësisht një tokë misionare dhe posaçërisht këtë veprimtari e kanë mbajtur gjallë në krye të herës përgjatë mesjetës murgjit benediktinë, që u pasuan mandej nga etërit domenikanë dhe ata françeskanë e që ishin kryesisht italianë. Me pushtimin osman, benediktinët dhe domenikanët e lëshuan vendin dhe veprimtaria misionare mbeti në duart e françeskanëve, të cilët deri me mbërritjen e jezuitëve në fund të gjysmës së parë të shekullit XIX, ishin pothuajse të vetmit që mbajtën mbi shpatulla barrën e vështirë të veprimtarisë misionare. Pikërisht për këtë fakt, një histori misioneve françeskane këndej Adriatikut, do të kishte qenë tejet interesante në shumë apekte, qoftë në pikëpamje historike, sociale, fetare por edhe ndërkulturore.

Një ndër misionarët françeskanë i cili jetoi për 45 vjet radhazi në Shqipëri, ishte edhe P. Camillo Libardi O.F.M. Ai lindi në Levico (Trento), më 7 dhjetor të vitit 1863. Veshi petkun françeskan më 5 mars 1880 dhe u shugurua meshtar më 2 janar të vitit 1887. Më 5 prill 1888 u paraqit në Romë nën thirrjen e Kongregatës së Propagandës Fide, e cila e dërgoi misionar në Shqipëri. Shërbeu gjatë gjithë kohës në dioqezën e Pultit deri në vitin 1932. Kjo veprimtari misionare baritore ka qenë për të e për shumë kënd si ai, një jetë e vështirë për shkak se i duheshin orë të tëra për të mbërritur tek familjet të cilat jetonin pothuajse në një gjendje primitive e të shpërndara anë e kënd grykave të humbura të luginës së Drinit poshtë kreshtave të Bjeshkëve të Nemuna, mes izolimit total prej qytetërimit dhe për më tepër nën persekutimin e ashpër të sundimit osman. Njëzetë e tetë katunde me rreth 400 shtëpi e rreth 3500 shpirtra, të Dioqezës së Pultit, të gjithë katolikë, jetonin në pavarësinë e ruajtur përmes institucionit juridik dokësor vendor të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Personaliteti i tij i fortë, inteligjenca e spikatur dhe mbi të gjitha energjia dhe vullneti i tij i jashtëzakonshëm për t’iu gjendur pranë besimtarëve të grigjës që i ishte besuar, qe mbi të gjitha shtysa e jashtëzakoshme e karizmës françeskane që përcolli frati françeskan përgjatë gjithë misionit të tij. Libardi do të vërente se natyra e egër e shqiptarit të këtyre anëve ishte e tillë jo aq prej karakterit të tij, sa prej mungesës së thuajse të plotë të institucioneve të qeverimit. Shala, Shoshi, Thethi e Nikaj ishin zhytur në gjakmarrje. Vetëm në vitin e parë të apostullimit të P. Libardi-t, pati 43 vrasje. Bash për këtë arsye ai mori nismën për të mbledhur e bërë bashkë krerët e fiseve për tre ditë radhazi dhe me 5 qershor u 1890 u arrit një marrëveshje mes tyre që të kishte besë mes sosh, së paku për të mbajtur të sigurt rrugëkalimin mes këtyre zonave që shkonte për në Fushë Kosovë, marrëveshje e cila mbeti në fuqi deri në vitin 1894. Shpërthimi i kryengritjes në Veri të vendit gjatë vitit 1911 dhe sidomos ofensiva e Shefqet Turgut Pashës mbi Malësinë e Madhe, Dukagjinin dhe Mirditën si dhe sjellja e dyfishtë e Kral Nikollës, bëri që me nismën e P. Libardi-t më 17 korrik 1911 të arrihej një marrëveshtje tjetër mes krerëve të dy besimeve në kështjellën e Drishtit, marrëveshje e cila iu konfirmua edhe Valiut të Shkodrës, i cili madje i ofroi P. Camillo-s, Zyrën e Mydyrrit të Dukagjinit si dhe dekorimin prej qeverisë osmane, zyrë dhe nderim të cilat frati i përvujtë i refuzoi. Shfaqja e një personaliteti të tillë do të ishte edhe një arsye e fortë që ai të propozohej edhe si një ndër tre kandidatët e mundshëm për fronin ipeshkvor të dioqezës së Pultit, detyrë të cilën ai e refuzoi duke gjetur si shkak moshën e tij të re. Në vitin 1907 Shenjtëria e tij Papa Piu X e dekoroi me medaljen e mirënjohjes për veprën e tij misionare. Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ai qe zgjedhur drejtor i Kryqit të Kuq Shqiptar në nënprekefturën e Dukagjinit ku pat hapur në vitin 1926 edhe një qendër ambulante misionare në famullinë e Shoshit. Pas kryengritjes së Dukagjinit dhe përgjakjes që i bëri Ahmet Zogu kësaj krahine, me këshillimin e dikasterit roman për veprimtarinë misionare: Propagandës Fide, P. Libardi në vitin 1932 e lëshoi misionin e tij aq shumë të dashur në Shqipëri, mbas plot 45 vjetësh dhe u rikthye në vendlindjen e tij në Trento në Itali.

Duhet thënë se P. Libardi përjetoi konkretish ngjarjet e rëndësishme që rrodhën në Shqipëri në kapërcyll të shekujve XIX-XX, duke i ndjekur me kujdes e vëmendje ato, si dhe duke mbështetur me të gjitha format dhe mënyrat patriotët shqiptarë gjatë dhe pas Shpalljes së Pavarësisë. Në atë kontekst historik ai njohu nga afër Luigj Gurakuqin, At Gjergj Fishtën O.F.M., Ernest Koliqin, Bajram Currin, Muharrem Bajraktarin, Gjon Marka Gjonin, Dom Lazër Shantojën, Rexhep Shalën, Imzot Luigj Bumçin, At Bernardin Shllakun O.F.M., Imzot Lazër Mjedën, Musa Juka, Gjon Gazullin etj. Dëshmia më e mirë e kësaj pamjeje do të ishte libri i tij në dy pjesë I primi moti patriottici albanesi nel 1910 – 1911 – 1912: specie nei Dukagini (1935), vepër të cilën Albanisches Institut e ka përgatitur në gjuhën shqipe dhe pret ta botojë së shpejti. Në vitet e fundit të jetës Libardi qe emëruar “Cavalliere della Corona d’Italia” si dhe anëtar i Komisionit Adriatik për Studimet Shqiptare [Commissione Adriatica per gli Studi Albanesi]. Më 22 dhjetor 1942 u shtrua në infermieri në Trento ku edhe ndërroi jetë më 26 shkurt 1943.

P. Camillo Libardi botoi tri vepra: I primi moti patriottici albanesi nel 1910-1911-1912: specie nei Dukagini. (1935); Il missionario Albanese sul campo di battaglia, ovvero ricordi della vita di p. Alberto Cracchi O. M. vescovo di Pulati in Albania. (1935); Come si è fatto re d’Albania Ahmet Zogu (1940); Si u bë mbret u Shqipërisë Ahmet Zogu. Tiranë, 2012. Pikërisht në kohën e pushtimit italian (1939-1943), studiuesi dalmato-italian Giuseppe Praga, kishte ideuar dhe përshkruar “projektin” e mundshëm të botimit të serisë “Monumenta Albaniae Historica”, pjesë e së cilës me sa shihet do të ishte edhe vepra e Libardi-t e lënë dorëshkrim Sylva documentorum et Albaniam pertinentium. I-III, frut i një punë të madhe e të lodhshme e plot durim në arkivat dhe bibliotekat e ndryshme italiane si në Arkivin e Shtetit në Venezia, bibliotekën “Lucca” të Napolit etj. Njoftimin e parë tërthorazi lidhur me këtë vepër e marrim në vitin 1942 nga revista “Hylli i dritës”, në një artikull të At Bernardin Palaj dhe të At Rrok Gurashit, të cilët theksojnë se “…po paraqesim gjygjin e koleksionistit mà të madhit t’akteve të këtij Djoçezi (Pultit, shënimi ynë), P. Kamil Libardit i cili pështetë në dorëshkrime të pabotuem qi aj e quen Sylva documentorum spectantium.” Në vitin 1942, në një artikull me titull: “L’Albania e le missioni italiane nella prima metà del secolo XVII in base a documenti ineditti”, të botuar në; Rivista d’Albania, Anno 3. Fasc. IV. XXI, Roma, Dicembre 1942, f. 226 – 248., studiuesja italiane Ferdinanda Granata theksonte se për misionet italiane në Shqipëri në gjysmën e parë të shekullit të XVII, ajo ishte bazuar në pjesën më të madhe mbi burimet e mbledhura nga P. Libardi, vepër të cilën e citon vazhdimisht përgjatë studimit të saj, nga dy vëllimet përkatëse dorëshkrim. Periudha e Luftës së Dytë Botërore solli peripeci të shumta që njihen tashmë, të cilat sikurse dihet patën pasojat e veta dhe dorëshkrimi i P. Camillo-s humbi gjurmët dhe për pasojë mbeti i panjohur, përkatësisht i pabotuar. Prej vitit të largët 1942, çështjen në fjalë e rimerr kalimthi edhe studiuesi diplomatisti i mirënjohur i dokumenteve për Shqipërinë Injac Zamputti, i cili u mjaftua vetëm me citimet dhe përkthimin e një dokumenti të transkriptuar, bazuar në artikullin e Granata-s, ngaqë atij për fat të keq nuk i jepej e drejta e kërkimeve jashtë vendit (shih: Relacione e dokumente për historinë e Shqipërisë 1610- 1650, St. Gallen-Prishtinë 2018. f. 12. Mbas tij Dom Gjergj Gjergji-Gashi në bibliografinë që i paraprin hyrjes së librit të tij (Vatikani dhe Arbëria: (Acta Albaniae vaticana) 1700-1922. Tiranë, Onufri, 1998. f. 44), dhe disa autorë të tjerë të parëndësishëm. Është interesant të cekim se citimi i Gjergj Gjergj-Gashit është i ndryshëm nga ai që citon Granata, Zamputti: Sylva Documentorum I-III (Storia della Mirdita Catolia e l`attività dei misionari italiani in questa Provincia albanese, martiri…). Arsyen e citimit të ndryshëm ende nuk dimë. Një gjë që duhet cekur është se ky është citimi i fundit nga aspekti kohor që u bë për dorëshkrimin e Sylva-s të Camillo Libardi-t. Edhe Hans Krahe e përmend këtë dorëshkrim në “Bibliographie der Jahre 1947 und 1948“, duke iu referuar Fernanda Granata-s, por me këtë emër: L`Albania e la Missioni italiani nella prima meta des secole XVII in base a documenti inediti, RivAlb 1942, Dokumentation des P. Camillo Libardi da Levico in drei Bänden, por sipas nesh duhet gjurmuar më gjërësisht lidhur me argumentin në fjalë. Por duke qenë këtu nuk do të mund të anashkalonim një tjetër argument shtesë i cili mendojmë se nuk duhet anashkaluar. Bëhet fjalë për veprën Orbis Seraphicus, përgatitur nga Dominicus de Gubernatis e cila është një vepër tejet interesante për historinë shqiptare, vëllimit i parë i së cilës u botua në vitin 1682 në Romë, e që i kushtohet gjërësisht historinë së misioneve françeskane dhe veçmas natyrisht edhe atyre në trojet shqiptare. Këtë vepër tashmë Albanisches Institut e ka gati për shtyp, ngjizur që në krye të herës si një projekt editorial i përzgjedhur me pjesë nga ato vëllime që kanë të bëjnë me historinë shqiptare. Nga ky botim i Orbis, do të shihet shumë qartë se shumë gjëra aty janë tejet të rëndësishme për historinë shqiptare por që janë publikuara më parë në Itali, e që për fat të keq vetëm një pjesë tejet e vogël e botës shqiptare i ka njohur ato. Disa prej këtyre publikimeve pretendohen si risi të “zbuluara”, sikurse kjo ka ndodhur tash së fundmi me një botim të Giancinto da Sospello, ndërkohë që relacioni i sipërpërmendur është botuar prej më shumë se një shekulli, madje pjesërisht e kishte publikuar atë edhe studiuesi ynë i vyer Injac Zamputti.

Do të rikthehemi sërish tek P. Camillo Libardi dhe vepra Orbis Seraphicus, që deri më tani nuk ishin të njohur, me rastin e botimit të pritshëm sikurse e përmendëm. Vëllimi i fundit i Orbis Seraphicus ishte bërë gati për shtyp nga P. Antonio Maria De Turre, por mbeti në dorëshkrim i pabotuar. Këtë dorëshkrim e gjeti P. Aniceto Chiappini më 1941, i cili mbasi e përgatiti vyeshëm për shtyp e botoi në vitin 1945. Është pikërisht ky vëllim i Orbis Seraphicus, i cili të dhëna mjaft interesante për Camillo Libardi-n dhe Sylva-n. Sylva, sikurse dihet, ishte dorëzuar për shtyp në vitin 1939 në “Centro di Studi per l’Albania”, ndërkohë Orbis (vëllimi i fundit), u zbulua në vitin 1941 dhe u deshën katër vjet deri sa u botua më 1945. Përgatitësi i tekstit të faqeve që i kushtohen misioneve françeskane në Shqipëri duhet ta ketë pasur në dorë dorëshkrimin e Libardi-t, për arsye sepse e citon plot pesë herë veprën në fjalë të Libardi-t Sylva. Mënyra se si bëhet citimi në Orbis na bind në mënyrë të padyshimtë se Chiappini i kishte në dorë së paku dy vëllimet e Sylva-s të Libardi-t edhe pas vdekjes së Libardi-t. Marrim si shembull faqen 40, citimin me numer 3 të Orbis, citim në të cilin shkruhet kështu: Camillus Libardi O.F.M., Sylva documentorum spectantium ad Albaniam, Burgi Ausurgi 1939, Vol. I, fol. 623. Pra, vëllimi i parë dhe folja apo dokumenti 623 nga dorëshkrimi i Libardit. Burgi Aussurgi është Borgo Valsugana në Trento dhe më këtë na bën me dije se prej Trento-s Libardi i dërgoi këto dorëshkrime për shtyp më 1939. Në citimin e sipërpërmendur flitet edhe për dorëshkrimet e marra nga kuvendi i Shën Mëhillit (St. Michaelis) në Venedik sikurse ai i P. Angeli de Bergamo (fol. 3-55), Secunda relatio, usque ad an. 1646 est anonyma, i treti P. Cherubini de Vallebona (fol. 87-209) i katërti P. Leonis a Cittadella, ku flitet gjërësisht për meshtarin D. Georgio Jurich (fol. 211-349). Sequitur (fol. 35 etj., e që janë marrë po ashtu nga Sylva. Në faqen 40 gjejmë po ashtu të dhëna interesante për P. Josephum Ubeveteri, ku shkruhet kështu sikurse shihet nga shënimi në fudfaqe me numër 6 në këtë faqe e që janë të dhëna të marra nga Sylva documentorum I. Kur shkruhet për P. Francesco Mª. da Lecce në faqet 42-43, sidomos fusnota numër 5 është interesante se këtu është shënuar vëllimi II i Sylva-s: Ex C. Libardi, Sylva documentorum, II, fol. 630 et 651-651. Janë këto fakte të sjella drejpërdrejt e që i bje se Chiappini kishte në dorë të dy vëllimet dorëshkrim të veprës, madje ky është edhe vendi ku shënohen për herë të parë dhe në mënyrë shumë të saktë dokumentet e Sylva-s së Libardit.

Donato Martucci në artikullin: «Il sogno di un’opera monumentale: Fonti per la storia d’Albania”, ka provuar që të gjejë veprat e Libardi-t dhe ka hulumtuar në arkivin në “Centro di Studi per l’Albania”, ku edhe ka hasur vetëm në letërkëmbimin shumë interesant mes p. Camillo Libardi-Benini-Pellati, pa mundur dot të gjejë edhe ai dorëshkrimet e vëllimeve të shumëpërfolura. Nga letërkëmbimin mes Camillo Libardi me Cancelliere Francesco Pellati dhe Zenone Benini nga “Centro di Studi per l`Albania” të cilin më parë e kishte publikuar Donato Martucci, vërehet shumë qartë se Libardi kishte dërguar për botim tri vepra voluminoze më datën 1.09.1939 në “Centro di Studi per l’Albania” dhe nga kjo ditë, kanë humbur të gjitha gjurmët e këtyre dorëshkrimeve. Dëshminë e mbërritjes së veprave në këtë adresë e pohon vetë Pellati më 23.11.1939. Ndonjëherë është menduar se vëllimet e “Sylva documentorum” të Libardi-t mund të jenë botuar pjesërisht me shkurtime edhe në veprën e tij “Il missionario Albanese sul campo di battaglia”, por ky hamendësim nuk qëndron, sepse letërkëmbimi Libardi-Pellati dëshmon se këto vepra volumonize me dokumente arkivore ishin krejt tjetër punë, sepse është fjala për një periudhë kohore prej pesë vitesh më vonë nga botimit të këtij libri.

Kishim dijeni se këtë dorëshkrim e kishte kërkuar shumë edhe P. Daniel Gjeçaj O.F.M., dhe P. Zef Pllumi O.F.M. Kërkimet në ish-Centri Studi per l’Albania në Romë qenë edhe ato pa rezultat. Kërkimeve tona të shumta të bëra në Shqipëri; në Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Institutit të Historisë dhe Bibliotekën Kombëtare në Tiranë; Bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër dhe Bibliotekën Françeskane po në Shkodër nuk dhanë rezultat. Në vitin 2016, në Milano në një takim mes Albert Ramajt e Kastriot Markut, gjatë bisedës ra fjala edhe për Camillo Libardi-n dhe odisenë e dorëshkrimeve të e tij, përçka ishim të mirëinformuar. Duhej bërë diçka. Këtë hap mori Albert Ramaj dhe me sukses gjeti në Trento manuskriptin e panjohur deri më tani. Më në fund u drejtuam në Trento, vendlindja dhe njëkohësisht vendpushimi në amshim i fratit françeskan. Pas konsultimit të “Catalogo dei manoscritti della Fondazione “Biblioteca San Bernardino” dei Padri Francescani di Trento” përgatitur nga P. Remo Stenico O.F.M, në të cilin në mes 1389 dorëshkimeve u gjetën edhe tre dorëshkrimet e P. Libardi-t (nr. 386-389), prej të cilave vëllimi i dytë i I primi moti patriottici albanesi nel 1910-1911-1912 dhe Il missionario Albanese sul campo di battaglia, ovvero ricordi della vita di p. Alberto Cracchi O. M. vescovo di Pulati in Albania. Mbas komunikimit me p. Gian Carlo Colombo O.F.M. dhe Italo Franceschini-n, drejtorin e arkivit trentin të Fondazione della “Biblioteca San Bernardino”, në muajin korrik 2016, pasi u verifikua në arkivin e bibliotekës na u konfirmua prania e tre dorëshkrimeve të P. Libardi-t, dy prej të cilave tashmë ishin botuar në të gjallë të P. Camillo-s dhe një vëllim i Sylva documentorum spectantium ad missionem Pulatensem [Albania] me numër vendi MS 386. Vëllimi i mësipërm përmban 257 faqe gjithsej, në format të madh shkruar me shkrim dore të lexueshëm qartë. Vëllimi i kushtohet Zojës Rruzare dhe Shën Antonit të Padovës. Më pas autori ia kushton sërish vëllimin si mirënjohje P. Lovro Mihačević, asokohe Provincial i Provincës Françeskane të Shqipërisë, kushtim i cili shënohet në Shosh më 8. 1. 1908. Pra me gjasë ky është caku i kufirit kohor kur duhet të ketë përfunduar trankriptimi i dokumenteve të këtij vëllimi. Përmbajtja e lëndës së vëllimit është e ndarë në 6 kapituj. Punën e transkriptimit të mundimshëm të dorëshkrimit e bëri me shumë përkushtim dhe kompetencë Cezarin Toma, ndërsa fazën e redaktimit përfundimtar e realizoi Donato Martucci. Në këtë libër lexuesit dhe studiuesit do të gjejnë shkrimin bashkangjitur të përgatitur nga Donato Martucci i cili na paraqet edhe letërkëmbimin e C. Libardi-t. Këto letra sjellin të dhëna tejet domethënëse, të cilat përplotësojnë mjaft mirë kuadrin e përgjithët të punës së bërë prej p. Libardi-t.

Nisur nga përmbajtja e vëllimit si dhe nga historiku i veprës së dorëshkruar që përshkruam më sipër, çështja që shtrohet tani është nëse ky vëllim ka qenë vëllim i vetëm, apo kanë qenë edhe 2 vëllime të tjera sikurse na thotë vetë Libardi përmes korespondencës së tij, e mbas tij Ferdinada Granata dhe Gjergj Gashi? Nga ana tjetër a mos është ngatërruar qënia e dy dorëshkrimeve të botuara në të njëjtin fond dhe ato janë marrë si tre vëllime me dokumente? Fakti që ajo (Granata) citon edhe një vëllim tjetër, do të thotë se duhet të kenë ekzistuar 3 vëllime. Pse janë ndarë dy vëllimet e tjera nga ky të cilin e gjetëm? Mos përfaqëson ky vëllim një fazë fillestare të punës apo mos është një vëllim krejt tjetër i ndryshëm nga 3-vëllimshi tjetër? Nga të dhëna të tjera, krejt të reja që së fundmi na kanë rënë në duar përgjatë kërkimeve sistematike lidhur me argumentin në fjalë, jemi entuziastë se do e njoftojmë së shpejti lexuesin me lajme të mira. Bazuar në përmbajtjen e këtij vëllimi mendojmë se çështja mbetet ende e hapur për kërkime të metejshme, deri në gjetjen e tre vëllimeve të tjera tashmë të konfirmuara si të tilla. Gjetja e tyre është në udhë të mbarë, gjë që do të përbënte pa dyshim një ngjarje e cila do të duhej të pasohej me botimin sa më parë të tyre, me të gjithë elementët e duhur diplomatikë dhe filologjikë të tekstit sikurse e meriton një botim i tillë.

Me shpresën se edhe vëllimet e tjera të (pjesa I dhe II e “Sylva-s”), punë jetësore kjo e p. Libardi-t, e cila urojmë të mos ketë humbur, ftojmë studiuesit dhe lexuesit specialistë dhe jo vetëm, që ta bëjnë pjesë të fondit të tyre kulturor këtë vepër të çmuar, duke u premtuar se me të shtënë në dorë vëllimet e munguara do i nxjerrim në dritë pa humbur kohë. Ndërkohë menjëherë pas botimit të traskribimit të këtij dorëshkrimi, do të vijohet puna me botimin e përkthimi të tij në gjuhën shqipe, i cili tanimë është pothuajse i gatshëm në fazën redaktoriale. Në fund po shtojmë se financimin e këtij projekti e botimi e ka bërë Albert Ramaj.

Kastriot Marku, Albert Ramaj dhe Cezarin Toma

May be an illustration of book and text

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

11

Filed Under: Politike

Birthday Wishes to President Clinton from Vatra

August 24, 2023 by s p

On August 19th a birthday wish was electronically sent to President Clinton by VATRA’s Chairman Elmi Berisha as follows:

Dear President Clinton,

On behalf of the Vatra members, I wish you a very happy birthday!

A new birthday for you means a whole new year for the Albanian community to show the gratitude and appreciation for your commitment to defend the freedom and liberties against the oppression and tyranny.

As the Albanian expression goes “Edhe 100!” (One hundred more years!)

Elmi Berisha

President

Pan-Albanian Federation of America Vatra

In response, President Clinton sent a kind message to Mr. Elmi Berisha.

Filed Under: Politike Tagged With: Elmi Berisha

SHKOLLA SHQIPE “HASAN PRISHTINA”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË CONNECTICUT TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

August 23, 2023 by s p

Malbora Toci Zuncja mësuese e shkollës shqipe “Hasan Prishtina” te Qendra Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane, “Hasan Prishtina” në Waterbury, Connecticut, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Waterbury, Connecticut, USA, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Malbora Toci Zuncja bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE TE QENDRA KULTURORE DHE ISLAMIKE SHQIPTARO-AMERIKANE, “HASAN PRISHTINA”

Qendra Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane, “Hasan Prishtina”, është themeluar në vitin 1983 dhe ndodhet në 106 Columbia Blvd. Waterbury, CT. AACIC shërben si xhami për anëtarët e komunitetit shqiptar dhe është shtëpia e një shkolle në gjuhën shqipe. Qendra gjithashtu pret ngjarje muzikore dhe vallëzime, festivale kulturore dhe mbështet eventet qytetare në Waterbury. Shkolla është hapur për herë të parë në Shtator të vitit 2010. Programi shkollor ka si qëllim stimulimin dhe pasurimin e ekselencës në edukimin e të rinjve shqiptaro-amerikanë, duke ndërtuar një ndjenjë të fortë të aktivizmit të komunitetit në brezin tonë më të ri. Ky program është i hapur për të gjitha grupmoshat nga 6-18 vjec, pavarësisht besimit dhe anëtarësimit në komunitet.

ORGANIZIMI I MËSIMIT DHE MBËSHTETJA E PRINDËRVE

Në shkollën “Hasan Prishtina”, çdo të shtunë përdorim libra të ndryshëm jashtëshkollorë të përkthyer në të dy gjuhët, shqip dhe anglisht. Kurrikula që përdorim është: Gjuhe Shqipe ( lexim, shkrim), Folklorin Shqiptar (muzikë, kërcim, poezi), Moral & Etike, Sport dhe Krijimtari të ndryshme. Gjithashtu nxënësit marrin fjalë të reja në fjalor dhe i përdorin ato në dialogje dhe fjali të ndryshme. Gjuha shqipe, gramatika, poezi të ndryshme janë një pjesë e rëndësishme e të shtunave tona mësimore. Sigurisht që muzika dhe këngët tradicionale shqiptare nuk mund të ngelen pas. Vallet popullore janë një emocion i veçantë në shkollën “Hasan Prishtina”. Prindërit janë një mbështetje shumë e madhe për fëmijet e tyre. Gjithmonë janë treguar të gatshëm për ti ndihmuar fëmijët si në mësimin e poezive, të këngëve dhe në ndërtimin e fjalive në shkollë.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË CONNECTICUT

Jam shumë e lumtur kur shikoj nxënësit e mi duke folur shqip si dhe ata nxënës që  mundohen ta mësojnë dhe ta flasin me zell të madh gjuhën shqipe. Të lindësh dhe të jetosh në mërgim është një sfidë e madhe në raport me ruajtjen e identitetit shqiptar. Prindërit janë shtysa më e madhe për fëmijët e tyre, më pas jemi ne mësuesit që me mundin, sakrificat dhe dëshirën e madhe arrijmë rezultate të shkëlqyera. Ashtu si në çdo shtet të Amerikës edhe në Connecticut ka familje me origjina, kultura dhe tradita të ndryshme. Është e rëndësishme që prindërit të ngulisin traditat dhe kulturat e gjuhës shqipe në kokën e fëmijëve të tyre. T’ju tregojnë sesa krenar është të jesh Shqiptar.

SHQIPTARËT NË CONNECTICUT SPONSORIZOJNË SHKOLLËN SHQIPE

Shkolla ‘Hasan Prishtina’ sponsorizohet kryesisht nga shqiptarët që jetojnë në Connecticut dhe nga kryetari i xhamisë. Falenderojmë prindërit dhe anëtarët e xhamisë që janë gjithmonë të gatshëm të kontribuojnë në mirëmbajtjen e shkollës. Edhe shoqëria Amerikane e mbështet shkollën dhe aktivitetet e saj.

TEKNOLOGJIA NË MËSIMDHËNIE NË INVESTIMET E ARDHSHME

Në ditet e sotme, teknologjia është një mjet shumë i rëndësishëm për zhvillimin e mësimit dhe jo vetëm. Në shkollen shqipe “Hasan Prishtina” është një mangësi që shpresojmë ta zgjidhim sa më shpejt. Në këtë mënyrë çdo gjë do të ishte më e thjeshtë për nxënësit. Por, mungesa e teknologjisë, nxënësve të shkollës sonë nuk jua ka hequr dëshirën për të mësuar dhe praktikuar gjuhën shqipe. Ne kemi përdorur dialogje të ndryshme, fjali dhe tregime të shkurtra, kemi vizatuar, kemi luajtur, kemi kënduar se bashku duke mos i lënë hapësirë mungesës së teknologjisë.

KUSH ËSHTË MËSUESE MALBORA TOCI ZUNCJA?

Une quhem Malbora Toci Zuncja dhe kam lindur në një qytet të vogël të Shqipërisë. Studimet e larta i kam kryer në Universitetin ”Aleksander Moisiu”, Durrës, Bachelor dhe Master Profesional në degën Anglisht. Pasi përfundova studimet Master, punova për dy vite mësusese e gjuhës Angleze në qytetin e lindjes. Në vitin 2018, u zhvendosa në Amerikë me të fejuarin, ku bëmë dhe martesën. Zoti na ka bekuar me dy fëmijë të mrekullueshëm, Resul  dhe Haris. Në vitin 2022, vendosëm që ta dërgojmë djalin e madh Resulin në shkollën “Hasan Prishtina”. Sapo pashë që shkolla po kërkonte mësuese, menjëherë ofrova ndihmën time vullnetare. Të punoj si mësuese, ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë ëndrra ime. Është puna që e bej me vullnet, pasion dhe kënaqësi. Unë dua që gjithmonë nxënësit të arrijnë majat në rrugën e dijes dhe të ndihen komodë në të folurit e gjuhës shqipe. Aktualisht punoj si mësuese ndihmëse në një shkollë elementare në Ct. Kjo e thekson akoma më shumë dëshirën për të punuar si mësuese.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

“AMERICAN DREAM – HISTORIA E JASHTËZAKONSHME E BEQIR POTKËS NGA FERRI KOMUNIST DREJT TOKËS SË PREMTUAR”

August 22, 2023 by s p

Sokol Paja/

Çdo rrëfim mbi ferrin komunist dhe vuajtjet që përjetuan shqiptarët për gjysmë shekull nën terrorin komunist, është një nevojë, përgjegjshmëri, lehtësim dhe paqe për shpirtrat e lënduar, për zemrat e thyera e jetët e humbara padrejtësisht. Çdo rrëfim është rikthim dinjitoz në kohë dhe hapsirë, është ritakim me të shkuarën, me kohën, me vetveten, me ferrin, me vdekjen, me dëshpërimin, me vuajtjen, me frikën, me përndjekjen, me ankthim, me historinë, me qëndresën, me lirinë. Mbi të gjitha rrëfimet mbi ferrin komunist shqiptar, janë rrëfime guximi, shprese dhe lirie. Profesor Eris Rusi dhe shqiptaro-amerikani Beqir Potka kanë sjellë para lexuesit shqiptar një kryevepër letrare në rrafshin historik, analitik, letrar, psikologjik dhe shkencor.

“AMERICAN DREAM” përfshin jetën e një të riu shqiptar nga skëterra komuniste e Shqipërisë totalitariste drejtë majave të biznesit në tokën e premtuar në Amerikë. Nëpërmjet rrëfimeve autentike, libri përveç se rrëfen Shqipërinë komuniste që sipas Beqir Potkës ishte e zymtë, e trishtë, e lodhur, e uritur, e pangrënë, politike, komuniste, hakmarrëse, përshkruan detaje rrënqethëse të arratisjes nga ferri komunist, qëndrimi në kampin e refugjatëve në Greqi dhe fluturimi për në tokën e ëndrrave në Amerikë.

Libri ka vlera të mëdha historike, letrare e sociale.

Libri vë në epiqendër të hyrjes panoramën sociale të një familjeve në Lavdar të Korçës dhe marrëdhënia e re që pushteti komunist vendosi me shqiptarët: grabitje dhe shtetëzim, përndjekje, pranga dhe burgim. Arratisja e Beqir Potkës vjen si pasojë e një zemërimi të heshtur, gjithnjë e në rritje, si kundërshti ndaj barbarizmës bolshevike e qeverisjes komuniste mbi shqiptarët sidomos mbi familjet e pasura e patriotike. Gjëma e pakuptitë e grabitjes së pronës e pasurisë familjare prej komunistëve, ishte kryefjalë e bandës shtetërore që grabiti e masakroi shqiptarët për afro 50 vjet. Teksa rrëfehet mister Potka në libër, kupton me detaje mllefin e mbrujtur brenda shpirtit të njerëzve, shtypjen prej regjimit, padrejtësitë, pakënaqësitë, dëshpërimin e papërmbajtshëm të njerëzve që donin dhe ëndërronin lirinë.

Në regjimin diktatorial shqiptar që siç thotë mister Potka “qeniet njerëzore, nuk kishin asnjë vlerë në sytë e regjimit komunist”, sistemi Stalinist duke u mohuar çdo liri e të drejtë thelbësore njerëzve, tentoi që nëpërmjet heqjes së lirisë së besimit të dehumanizonte njerëzit, ti shndërronte në kavie pa besim, pa pronë, pa liri , pa të drejta. Libri paraqet të dhëna historike për Korçën e pas luftës ku “Organet e Mbrojtjes së Popullit” u kishin rrëmbyer 400 kg flori dhe 48 mijë napolona ari familjeve të pasura korçare. Mizoria komuniste e një epoke të dhunshme u kthye në sistem qeverisës. Zemërata ndaj regjimit kriminal të Enver Hoxhës për Beqir Potkën filloi me arrestimin e babait Ymerli Potka.

Libri përshkruan me detaje dhe ndjenjë të fortë ankthin e humbjes, klithmat, pasigurinë, brengat, dhimbjen, lotët, trishtimin, mjerimin, qendresën, vuajtjet, mërzinë, urinë, mllefin, revoltën shpirtërore dhe mizerjet komuniste.

Depersonalizmi i qënies njerëzore në regjimin diktatorial shqiptar, prangosja, dhuna, burgosja dhe shkatërrimi fizik e mendor që shumë shqiptarë si Ymerli Potka kaluan mbi trupin e shpirtin e tyre e kthyen Shqipërinë në shtetin burg, ferrin për të gjallët e burgosur, e burgator për të gjallët e “lirë”.

Në bashkëbisedim me profesor Rusin, mister Potka rrrëfen me detaje jetën e tij aktive dhe profesionale si përkthyes për emigracionin amerikan, burgjet, spitalet, Kryqin e Kuq etj. Libri është i mbushur me rrëfime shumë të ndjera poetiko-estetike e melankolike për jetën, lirine, ëndrrat, suksesin dhe dashurinë. Libri ka shumë ndjenjë, shumë ngjyra, shumë shpirt brënda çdo vargu të rrëfyer imtësisht. Libri gjithashtu përshkruan vuajtjet dhe sakrificat e Nënës së tij Feruze për të rritur familjen pa baba në shtëpi, sakrificat familjare dhe gjëndjen sociale e politoko-shoqërore të shqiptarëve në diktaturë.

Libri është një kombinim magjik; gërshëtim i së shkuarës në rrëfimin e të tashmes dhe i të tashmes që kalon menjëherë në sfondin e së shkuarës e bëjnë rrëfimin unik, një udhëtim të shpejtë dhe të shpeshtë në kohë, hapsirë dhe histori. Libri të rrëmben me ankth në çdo paragraph. Paraqet dilema dhe ankth ekzistencial, frika e arratisjes dhe fluturimi drejtë botës së lirë, arratisja si fakt i pakthyeshëm, frika e vdekjes në horizont, vëgimi i Perëndisë në situata dramatike, dialogu dhe monologu me veten janë një rrëfim kryevepër i dilemës mes jetës dhe vdekjes, lirisë dhe prangave. Është shumë e veçantë sesi Potka nuk fuk flet kurrë me urrejtje për egërsinë e shëmtitë e komunizmit, por mëshirues dhe falenderues ndaj njerëzve që e kanë ndihmuar dhe ndryshuar jetën në rrugëtimin e gjatë të jetës së tij. Rikthimi në atdhe është një rrëfim i veçantë që “heroi i pavdekur” sjell për lexuesit panoramën në fund të komunizmit shqiptar. Libri paraqet gjithashtu çaste të dhimbshme të vdekjes së vëllait Jetnorit ku shpirti i përpëlitet dhe zemra i mer flakë prej humbjes së pakthyeshme.

Në Amerikë Mister Potka shprehet se “Parimet e imzot Fan S. Nolit më kanë frymëzuar dhe më kanë drejtuar që të bëhem ky që jam. Sikurse Remzi Barolli, njerëz të mëdhenj, me shpirt të madh”. Mister Potka rrëfen në libër detaje sesi me parimin “Vriti me mirësi- Kill them with kindness” arriti të bëhej një biznesmen i suksesshëm në tregtinë e qilimave të shtrenjtë.

Një kapitull të veçantë në libër Mister Potka ia dedikon bashkimit me Federatën Panshqiptare të Amerikës “Vatra” që është një strehë e shkëlqyer e kulturës, traditës dhe historisë shqiptare dhe pjesëmarrja aktive në riatdhesimin e eshtrave të Faik Konicës. Libri i kushton një rëndësi të veçantë edhe mikpritjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vëllëzërve shqiptarë nga Kosova pas luftës së përgjakshme të regjimit gjenocidal të Millosheviçit. Detaje të jetës së bukur familjare e suksesit personal, përmbyllin rrëfimin e gjatë e brilant, të sjellë mjeshtërisht për lexuesin e gjerë.

Në bisedën me profesor Eris Rusin, mister Potka tregon me zemër sesa i ka munguar Shqipëria gjithë këto vite e sa fort e ka dashur atë nga larg, e kombinuar kjo me dëshirën e përjetshme për të kontribuar për tokën dhe plotësinë e shpirtit të tij, atdheun, pasi sipas mister Potkës, madhështia e njeriut është kur ai lidhet me tokën e tij. Shqiptaro-amerikani Beqir Potka na ka sjellë në mënyrë shumë të veçantë një rrëfim për jetën e tij ku siç thotë profesor Rusi: “jeta e njeriut është një mister i magjishëm, ku dallgët e fatit përkunden gjithë shkumë nga era që fryn prej Perëndisë”.

Filed Under: Politike Tagged With: Beqir Potka, Sokol Paja

POETI JAKUP CERAJA PËR NËNË TEREZËN

August 21, 2023 by s p

Poezia e parë ndër shqiptarë kushtuar Nënë Terezës/

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Sari bardheblu i Nënë Terezës, petku i Nënë Terezës dhe i Motrave Misionare të Dashurisë, është simbol i paqës, i bamirësisë, i thjeshtësisë në të gjithë botën. Kryqi, i qepur në shpatullën e majtë, simbolizon Jezusin në kryq si çelsi i zemrës së Misionareve të Dashurisë. Ngjyra e bardhë e sarit është simbol i së vërtetës dhe i pastërtisë, tre shiritat blu simbolizojnë tre kushtet e jetës rregulltare: varfërinë, bindjen dhe çiltërsinë e shërbimit të sinqertë, falas, për më të varfërit, kështu shpjegon faqja e internetit të Kongregatës së Motrave Misionare të Bamirësisë origjinën e veshjes rregulltare të Nënë Terezës dhe motrave të saja, thuhet në një njoftim të Radio Vatikanit, ndërsa thekson se ishte 17 gushti i vitit 1948 — 75-vjet më parë — kur Nënë Tereza veshi, për herë të parë, sarin e bardheblu me vijën e blu anash petkut të dallueshëm të njё jete tё re rregulltare, për të hyrë në botën e të varfërve.

Arsyen se pse Nënë Tereza kishte zgjedhur të veshte pikërisht këtë uniformë,e shpjegon motra Gertrude e “Misionarëve të Bamirësisë” të urdhërit të nenë Terezës:  “Nëna jonë Tereze”, kujton motra Getrude – “zgjodhi veshjen e saj dhe të motrave të saj ngjyrat bardhë e blu, sepse ngjyra e bardhë është simbol i pastrisë dhe i së vërtetës, ndërsa tre shiritat blu, simbolizojnë tre kushtet, që bëjnë rregulltaret: kushtin e varfërisë, të pastrisë, të dëgjesës”.  Për më tepër, ka shspjeguar ajo, Nenë tereza e zgjodhi këtë veshje 75-vite më parë, për t’u ngjarë grave që fshinin rrugët e që mbanin sari të ngjashme dhe përshtatshme edhe për klimën dhe atmosferën e varfërisë në Kalkutë.

Siç dihet tanimë, Shën Nënë Tereza është bërë një simbol universal, një figurë e dashur jo vetëm për besimtarët, por edhe për jobesimtarët dhe besimtarët e feve të ndryshme, anë e mbanë botës, sidomos në radhët e shqiptarëve, pa dallim feje a krahine. Është vështirë të thuhet numri i saktë, por dihet se për Nenë Terezën — fituesën e Çmimit Nobel dhe dekoratave të tjera ndërkombëtare, anë e mbanë botës — janë shkruar qindra libra, mijëra artikuj, filma dhe dokumentarë të llojllojshëm, në gjuhët kryesore të botës.

Unë nuk isha në dijeni të ndonjë poezie kushtuar Nenë Terezës, as në nivel kombëtar as ndërkombëtar, megjithse mund të ketë të tilla poezi në gjuhë të ndryshme – por ndërkohë, rastësisht ndesha në një poezi të poetit, shkrimtarit dhe atdhetarit nga Kosova, të ndjerit Jakup Ceraja – Poeti i sfidave të përherëshme dhe i atdhedashurisë — botuar me 18 gusht të vitit 1984, në revistën Drita, organ i Ipeshkvisë së Kosovës, dedikuar Nënë Terezës. Siç duket, i emocionuar dhe i frymëzuar shumë nga jeta e murgeshës shqiptare, poeti Jakup Ceraja ka përpiluar vjershën, e rrallë edhe për nga subjekti, me titull, thjeshtë: Nënë Tereza. Po e sjell për lexuesin e interesuar në këtë 75-vjetor të 17 gushtit të vitit 1948 — kur Nënë Tereza veshi, për herë të parë, sarin e bardheblu – petkun identifikues të saj dhe të motrave të Urdhrit fetar, themeluar prej saj.

                                          “Nënë Tereza”

                                       Nga Jakup Ceraja

Është një kengë e re shqiptare

që peshohet në një fjalë të madhe

e kënga quhet Nënë me germa të mëdha,

është një fjalë e vjetër shqiptare

që peshohet vetëm me këngë të madhe

e fjala quhet Nënë me germa të arta.

Nënë Terezë, o bijë e këtij trolli dëshmorësh

a matet largësia mes meje e Teje

nga këtu e në Indi

me kilometra e mile

kur me dashurinë e zemrës sate

thuret vargu im i ri

e me hirësinë e asaj fytyre

vargun vërtetë e bëj poezi

për njeriun, jo vetëm me emër

që beson në të vërtetën,

e kush beson në të vërtetën

beson në Dritë të patjetërsuashme

beson në ardhmëri të amshuashme,

ndaj dhe vargu për ty rrodhi vetë,

ndaj dhe kënga për ty s’mban ofshamë.

Ti Nëna jonë e madhe me dafinë në dorë,

vërtetë s’ke pushtet me polici e ushtri,

s’ke as banka me dollarë as arka me ar,

por atë që ke Ti në të gjakut damarë,

në gjuhën paqëtore e në sytë ngushëllues

nuk e ka asnjë pushtet i botës moderne

me ushtri e polici e teknollogji

se forca jote ushqehet prej Hyut

dhe i shërben njeriut që edhe buka i mungon.

Nënë Terezë, o Gonxhe e këtij populli të lashtë,

Ti motër me nënën time të ndjerë,

e cila kurrë nuk vuajti nga fanatizmi

pse e kuptoi me kohë ndasinë tragjike të njerëzve,

kishte dashuri më shumë se qumësht në gjinj

dhe me qumësht e dashuri më rriti mua

e u bëra njeri, më parë se poet,

-sa mirë,

dashurisë së saj sot i dhe krah Ti –

Ti që hyre e devotshme në çdo shtëpi!  — 

Nga Jakup Ceraja (18 gusht 1984)

e_bekuara_nene_tereza_shenjeto – Turismo Albania

Shën Nenë Tereza

No photo description available.

Poeti e shkrimtari Jakup Ceraja

Në një tubim para disa viteve, me rastin e 80-vjetorit të lindjes dhe 13-vjetorit të kalimit në amshim të poetit Jakup Ceraja kishin marrë pjesë edhe një numër personalitetetesh kulturore e politike të Kosovës, si veprimtarët e çeshtjes kombëtare,  Adem Demaçi dhe Dom Lush Gjergji, në përurimin e një pllake përkujtimore kushtuara poetit Jakup Cernaja në fshatin e tij të lindjes, Cerajë, të komunës së Mitrovicës, aty ku poeti ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij.  Dom Lushi, siç dihet është biografi zyrtar i jetës dhe veprimtarisë së Shën Nënë Terezës – me dhjetra libra e qindra artikuj – me atë rast, shpjegoi historinë e kësaj poezie të Jakup Cerajës, kushtuar Nënë Terezës.  Duke vlerësuar shumë punën, veprat dhe figurën e poetit Jakup Ceraja, veprimtari i çeshtjes kombëtare dhe kleriku i lartë i Kosovës, në atë tubim, ka shprehur respektin e madh që ai ruante për Jakup Cerajën. Duke thenë se vjersha e poetit Jakup Ceraja ishte e para poezi shkruar në Kosovë, kushtuar Nënë Terezës dhe shpjegoi pak histori në lidhje me këtë: “Dikur moti më erdhi një zarf nga Mitrovica dhe kur e hapa, vërejta një vjershë kushtuar Nënës Tereze, shkruar nga poeti Jakup Ceraja. Ishte poeti i parë këtu ndër ne në Kosovë që kishte shkruar një poezi për Nënën Tereze. Ai ka shkruar me përkushtim dhe në shkrimet e tija ka vetëm vlera të mirëfillta. Tani kur erdha për herë të parë këtu në fshatin e Jakupit, kuptova pse shkrimet dhe poezitë e tij ishin me aq domethënie e kuptim dhe kishin kaq shumë vlerë”, ka thënë, ndër të tjera, Dom Lush Gjegji, në lidhje me poezinë e parë ndër shqiptarë, kushtuar Nënë Terezës, të  poetit Jakup Ceraja nga Mitrovica e Dardanisë.

Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 145
  • 146
  • 147
  • 148
  • 149
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT