• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rrena e Vuçiçit sikur e ka në dorë të fusë Kosovën në OKB

October 10, 2022 by s p

Shaban Murati/

Presidenti serb Vuçiç deklaroi në 8 tetor rrenën e rradhës sikur Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar atij që Serbia të lejojë Kosovën të hyjë në OKB dhe ata si shpërblim do ta fusin Serbinë në BE. (I mjerueshëm servilizmi i mediave shqiptare, që nuk lenë rrenë dhe p. të Vuçiçit pa i bërë jehonë sapo dalin).

Vuçiçi ka disa vite, që tallet dhe shet ajër sikur nga Serbia varet të hyjë Kosova në OKB. Këtë ajër serb e hengri edhe qeveria e mëparshme e Kosovës si analfabete diplomatike. Çdo fillorist e din që anëtarësimi i Kosovës në OKB varet nga Rusia. Po nuk desh Rusia, as Franca, që është anëtare e përhershme e KS të OKB, dhe as Gjermania, që nuk është anëtare e përhershme e KS të OKB, nuk e fusin dot Kosovën në OKB. Serbia, që është thjesht një votë ndër 193 shtete anëtare të OKB, nuk hyn fare në refene për anëtarësimet e reja në OKB.

Por Vuçiçi vazhdon të vetëfryhet, sikur ai e ka në dorë të hyjë Kosova në OKB. E rren mendja se ndoshta dikush në Prishtinë mund të përsërisë gabimin trashanik të paraardhësve dhe të blejë ajrin diplomatik serb të anëtarësimit në OKB.

Filed Under: Politike

FILONID DURRËSAKU – DIJETAR DHE MJEK ILIR -EMËR I NDERUAR NË ANTIKË

October 9, 2022 by s p

Duke bërë kërkime dhe hulumtime shkencore nëpër burime dhe literaturë të shumtë, në arkiva e biblioteka të ndryshme, ndeshëm edhe emrin e Filonid Durrësakut.-Filondidi ishte dijetar ilir i shquar në antikitet, që jetoi aty nga fundi i shekullit të dytë dhe fillimi i shekullit të parë të erës sonë.-Shquhej dhe nderohej nga bashkëkohanikët, si njëri ndër mjekët më të zotët të kohës.-Të dhënat dhe faktet e reja, të njohura e të panjohura, për këtë dijetar, shtrojnë para nesh një obligim dhe detyrë mjaft delikate, që të trajtojmë me paanësi, nderim e respekt, këtë pararendës të mjekësisë iliro-shqiptare.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Studimi dhe njohja e traditës, përcaktimi i saj, nuk ka vetëm vlerë historike; nuk bëhet për treguar ndejnjën dhe krenarinë kombëtare, si qëllim në vete, por ngaqë e reja në shkencë, nuk lindë në hapsirë dhe kohë të zbrazët, por në vazhdimësi, aty ku nuk ka ndërprerje, ku çdo gjë është e trashëguar bez pas brezi duke sfiduar kohën dhe gjithçka që është munduar ta e shkatërroj apo shlyej atë. Kjo gjë, nuk e ngushton sferën e hulumtimeve dhe krijimeve shkencore në ditët e sotme; përkundrazi e zgjeron atë, duke i dhënë asaj një ngjyrim më të theksuar të autoktonisë dhe vazhdimësisë iliro-shqiptare në këto troje.

Shfrytëzimi dhe mbështetja në dëshmitë e burimeve të shkruara antike, bëri që shkencëtarët, pa hamendje të pranojnë në përgjithësi se, qytetet ilire, në kuptimin e vërtet të kësaj fjale, u themeluan aty kah fundi i shekullit të shtatë dhe fillimi i shekullit të gjashtë, para erës sonë. Qytetet më të njohura të kohës ishin: Durrësi [Durrahu], Ulqini, Shkodra [Scodra], Apollonia, Bylisi, Dimali, Antipatrea, Zgërdheshi [Albanapolisi], Lisi, Rizoni, etj, të cilat në periudhën e parë të ekzistencës së tyre, nuk ishin vetëm qendra të njohura tergtare, por, edhe si qendra të njohura kulturore dhe ushtarake. Pozicioni i tyre gjeografik, ishte shkaks, për një zhvillim të hovshëm të mardhënjëve ekonomike, bujëqsisë, tregtisë, kulturës dhe veprimtarive të tjera shoqërore. Kjo gjë mundësoi, një rritje të shpejtë të popullsisë, kështuqë u formuan qytete të pasuara dhe ndikim të madh në bregdetin e Adriatikut, por edhe në brendësi.

Trajtimi thelbësor i këtij problemi shkencor përbëhet nga momente të tilla të rëndësishme si ajo e shkencës dhe kulturës më të lashtë të Ilirisë dhe bartësëve të saj, porblemi i origjinës së Ilirëve dhe i gjuhës; organizimi ekonomik, shoqëror dhe politk i tyre, vendi dhe roli i tyre në botën antike dhe më në fund studimi i premisave që ata krijuan për shkenca të ndryshme, shoqërore, teknike dhe natyrore, në këtë rast, veçanërisht për mjekësinë, në Gadishullin Ballkanik, Mesdheun dhe Evropën në përgjithësi. Ekziston një arsye e veçantë që e bën ilirologjinë në përgjithësi dhe shkencat teknike e mjekësore ilire, në veçanti, të zënë një vend të rëndësishëm, në kuadrin e studimeve albanologjike, ngase shqiptarët jetuan e krijuan gjatë shekujve në një vazhdimësi të pandërprerë, që nga antika e lashtë, si trashëgimtarë e vazhdues të tyre në një rrafsh të ri më të lartë dhe më të zhvilluar. Është kultura e tyre, element shumë i rëndësishëm, i cili përcakton trashëgiminë e tyre historike, kulturore dhe shkencore, të shqiptarëve të sotëm, në trojet e tyre etnike.

Ilirët, si një ndër popujt më të vjetër të Ballkanit, kishin njohuri të thella shkencore në lidhje me natyrën, artin, ndërtimin dhe mjekësinë. Për pasojë, ata kishin mundësi të krijonin njohuri empirike shumëshekullore, në të gjitha sferat e jetës dhe veprimtarisë njerzore. Tashmë na janë të njohura zotësitë e Ilirëve, si mjeshtër të zotët dhe shumë të talentuar për ndërtimin e e veprave hidraulike prej guri; poashtu dalloheshin në përpunimin e pijeve alkoholike, nxjerrjen, përgaditjen dhe përpunimin e mineraleve; në teknikën e aplikimit dhe ndërtimit të bojrave, etj. 

Në këtë kohë shumë shpesh u zbatuan edhe komponimet organike, që u përfituan nga proçese të ndryshme të përpunimit të bimëve, që u ndodhën në viset e Ilirikut. Këto njohur, që të parardhësit tanë i kishin formuar, u përphapn edhe te popujt tjerë fqinjë dhe më largë. Dëshmi e fortë për këtë është etimologjia e shumë bimëve dhe emërtimet e tyre. Pikërisht, në këtë periudhë të antikitetit, jetuan dhe vepruan shumë djetar të shquar ilirë. Është mertië e dijetarëve ilirë, të antikiteti që arritën të tejkalojnë konceptet tradicionale të kohës, duke arritur rrezultate dhe zhvillime të reja shekncore, që ishte një përparim gjithsesi porgresiv në kulturën ilire.

Në fushën e mjekësisë antike, nga burime të kohës, përmenden dy emra të shquar. I pari është mbreti ilir Genti dhe i dyti Filonidi nga Durrësi! Derisa  Genti, është shumë i njohur si burrështetas ilir dhe strateg ushtarak, si mjek i shquar, ai shumë rrallë përmendet. Në brigjet e lumit Drini i Bardhë, rritet një bimë shumë e lashtë e qujatur Iris, e cila përdorej shumë në mjekësinë popullore! [Irisi, është emri mitologjik i Perëndisë së Ylberit]. Plini plaku, që ka jetuar në shekullin e parë të erës sonë, në veprën e tij: “Historia e natyrës” shkruan: “Irisi që vlerësohet shumë për cilësit shëruese … është ai i Ilirëve, që rritet në brigjet e Drinit të Bardhë”. Kjo bimë, është një simbol kuptimplotë i traditës së lashtë që përdroret në mjekësinë popullore; pra më tepër se sa për bukurinë e saj si lule, Irisi, përmendet burimet e shkruara antike! Genti, kishte njohuri të thella për bimët dhe mjekësinë popullore. Një bimë shëruese, e zbuluar nga ai, edhe sot e kësaj dite, mban emrin e tij, Gentiana. Kjo bimë që te populli shqiptar quhet edhe si sanëz ose barë zemre mban emrin e plotë në latinishte: Gentiana lutea, dëshrom se që në shekullin e dytë para erës sonë, shkenca mjekësore, jo vetëm ajo popullore, ishte mjaft e zhvilluar. Sikur Irisi ashtu edhe Gentiana janë elemente të një tradite të pashkruar, që është trashëguar brez pas brezi nga të parët tanë, ilirët, të cilët ishin njohës të mrekullueshëm, të natyrës dhe asaj që i rrehtonte.

Pas Gentit, historia antike, si emër të nderuar përmend edhe mjekun e njohur, Filonid Durrësakun [ose Filonidin nga Durrësi]. Të dhënat e para i hasim tek Stefan Bizantini, që ka jetuar në shekullin e katërt të erës sonë, në veprën e tij të njohur, të shkruar në greqishte: Mbi qytetet e popujve, i cili, thirret në një burim edhe më të vjetër, të marrë nga: Heren Filoni nga Jatrika, ku përmend, mjekur e njohur ilir, Filond Durrësakun.

Stefan Bizantini shkruan për mjekun ilir: “Filonid Durrësaku, mësimet e para i mori te Asklepiadi … ndërsa më vonë, në atdheun e tij, në Iliri, ai shkroi 45 libra, ku përshkroi përvojen e tij të suksesëshme në mjekimet e shumta”. Nga ky citat, ne nxjerrim përfundimin se, Filonidi mjeshtrinë e mjekut e mësoi pranë kryemjekut të famshëm, të kohës së antikitetit, Asklepiadi, i cili jetoi në vitet 128-65 para erës sonë, në Romë, ku zhvilloi veprimtarinë e tij dhe u bë shumë i njohur. Ndërsa burimi më i vjetër, Heren Filoni, të cilin e përmend, Stefan Bizantini, për Filondi Durrësakun shkruan: “Asklepiadi kishte si nxënës [student] Filonid Durrësakun nga Durrësi, Tit Aufidin nga Siçilia dhe Niko Akragantinin nga Athina”. Është me rëndësi të cekët, se burimet antike të shkruara, me saktësi përcaktojnë origjinën dhe qytetin e lindjes së Filonidit, si dhe pohojnë se ai, kryesisht shkroi studime mbi farmakologjinë dhe shumë sëmundje të ndryshme që ishin aktuale për kohën antike.

Filonid Durrësaku ka jetuar dhe punuar në Durrës, në qytetin e lindjes së tij, pra në atdheun e tij, duke ushtruar profesionin e mjekut, ku përvojen e tij shumëvjeqare në fushën e mjekësisë, ai e shkroi në veprat dhe librat tij, në pergamenë, të cilat janë zhdukur, sipas të gjitha gjasëve, me rastin e djegjes së bibliotekës së famëshme të Durrësit, gjatë pushtimit të këtij qyteti, nga gotët, të cilët shkatërruan çdo gjë që gjeten para vetës. 

Përpos Filonid Durrësakut, në burimet antike, përmenden edhe mjektë durrësak: Krotusi, i cili ishte skllav i liruar, dhe ka jetuar rreth shekullit të dytë të erës sonë; pastaj mjeku tjetër: Filologu, që merrej me okulistikë dhe ishte shumë i nderuar në kohën kur ushtronte profesionin e mjekut, poashtu rreth shekullit të dytë të erës sonë. Këta emra që ne cekëm më lartë, të nxjerrë nga burimet antike, janë vetëm disa nga ata qindra intelektual e shkencëtar të antikitetit që jetuan dhe verpruan në qytetin e Durrësit, të cilët me punën e tyre, dëshmuan kulturën dhe traditën e pandërprerë e cila në vazhdimësi ruhet edhe në ditët e sotme.

Filed Under: Politike

ALBSMARTFOLK, IMPLEMENTIMI I TEKNOLOGJISË NË TRASHËGIMINË KULTURORE KOMBËTARE

October 8, 2022 by s p

Majlinda Laçaj, drejtuese dhe eksperte e trashëgimisë kulturore kombëtare, në një rrëfim për gazetën Dielli të Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, rrëfen për publikun përfshirjen e instrumenteve muzikore të Ciftelisë, Sharkisë, Lahutës dhe Llautës në një kërkim shkencor për teknologjinë dhe inovacionin në Universitetin e Rochesterit. Ajo flet edhe për “TEC Awards 2023” si mundësi për të ekspozuar instrumentet folklorike kombëtare krahas instrumenteve më të njohura muzikore në botë, për herë të parë në historinë e folklorit shqiptar.

ALBSMARTFOLK, IMPLEMENTIMI I TEKNOLOGJISË NË TRASHËGIMINË KULTURORE

Unë kam një eksperiencë shumëvjeçare me trashëgiminë kulturore kombëtare dhe projektet në këtë fushë duke shërbyer si drejtuese e lartë e kulturës kombëtare në administratën shtetërore për shtatë vite dhe po aq edhe në organizatat jo-qeveritare dhe projektet e ndryshme në këtë fushë të financuar nga partnerët tanë. Njëkohësisht jam eksperte e lartë (Senior Expert) në trashëgiminë kulturore kombëtare, në edukim, në fushën e teknologjisë dhe implementimit të saj në trashëgiminë kulturore.

Si drejtuese dhe eksperte e lartë e trashëgimisë kulturore shqiptare, kam marrë shumë e shumë kërkesa nga artistë dhe interpretues të folklorit muzikor shqiptar, të cilët më kanë kërkuar ndihmë për të shpëtuar këtë gjini shumë të rëndësishme të kulturës kombëtare. Thirrjet e tyre të vazhdueshme kishin të bënin kryesisht me gjendjen e mjerueshme të instrumenteve të folkut muzikor shqiptar, që për hir të së vërtetës, kurrë nuk është investuar në përmirësimin e tyre nga institucionet përgjegjëse të kulturës. Duke qënë se isha Drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare për qarqet e Veriut Shqiptar, këto ankesa si dhe projektin për përmirësimin rrënjësor të këtij folku ia paraqita Ministrisë së Kulturës, kjo edhe për faktin se asnjëherë më parë nuk ishte ndërmarrë një projekt i tillë kombëtar në fushën e përmirësimit rrënjësor teknik dhe tekonolgjik por fatkeqësisht, deri më sot asnjë përgjigje. Duke parë nga njëra anë kërkesat e vazhdueshme të komunitetit të artistëve dhe instrumentistëve të këtij folku, gjithashtu duke parë edhe indiferencën e Ministrisë së Kulturës, bashkë me një grup artistësh, e nisa vetë këtë projekt duke u mbështetur në financat e familjes time si dhe njohjet që kishin familjarët e mi në Shtetet e Bashkuara dhe në Gjermani. Për të realizuar këtë projekt inovatit për përmirësimin rrënjësor të instrumenteve të folklorit muzikor shqiptar, na duhej patjetër që fillimisht, të realizonim një projekt research & development për këto instrumente dhe duke pasur parasysh se kishim fonde të limituara, iu drejtova fillimisht kompanive teknologjike Kineze, më e lira prej të cilave më kërkoi nga 250 mijë USD për secilin instrument, dmth 1 milion USD për të katërta instrumentet kryesore folklorike kombetare (Çifteli, Sharki, Lahutë dhe Llautë) të cilat së bashku mbulojnë të gjitha trojet shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Çameri dhe deri tek Arbëreshët e Italisë). Nisur nga kjo situatë për të cilën duheshin të paktën 1 milion USD, para të cilat ne nuk i kishim, me ndihmën e familjarëve të mi, u lidha me kompaninë teknologjike SHADOW Electronic (Gjermani) dhe FISHMAN (Shtetet e Bashkuara) të cilët më asistuan shumë, por për ti hyrë me themel këtij projekti, ata më kërkuan projektin kërkimor-shkencor R&D si një bazë themelore për mënyrat më të mira të përmirësimit të këtyre instrumenteve. Center for Emerging and Innovative Sciences (CEIS) pranë University of Rochester dhe personalisht prof. Mark Bocko kanë realizuar falas për ne të gjithë projektin R&D mbi bazën e të cilit do realizoheshin përmirësimet tekniko-akustike dhe pastaj do implementohej edhe teknologjia më e përparuar muzikore e amplifikimit elektro-akustik, e dizenjuar posaçërisht për instrumentet e folkut tonë muzikor. Falë këtij projekti, instrumentet e para të dizenjuara dhe prodhuara nga implementimi i këtij projekti janë të cilësisë më të lartë në aspektin tekniko-akustik dhe të pajisura me teknologjinë më të përparuar muzikore që sot ekziston.

PROJEKTI ALBSMARTFOLK, VLERËSIME KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Projekti AlbSmartFolk ka marrë shumë vlerësime kombëtare dhe ndërkombëtare, duke filluar që nga Unioni Artistik i Popullit Shqiptar e deri tek Aleanca Botërore e Folklorit e cila e ka konsideruar këtë projekt si “Ri-Lindja e Folklorit Muzikor Shqiptar”.

Harrisburg University of Science and Technology e ka konsideruar si njërin prej projekteve më të arrirë në fushën e inovacionit, shkencës dhe teknologjisë, duke e përfshirë atë si një histori suksesi në samitin e grave të suksesshme në shkencë dhe teknologji per vitin 2022 (Success in STEM Women’s Leadership Summit 2022) ku isha edhe paneliste.

Center for Emerging and Innovative Science pranë Rochester University, i cili është edhe njeri prej partnerëve të mi zyrtar në këtë projekt dhe që ka realizuar gjithë punën kërkimore e shkencore falas për të gjitha instrumentet e këtij folku, më ka ftuar në muajin Nëntor për të marrë pjesë në ceremoninë përmbyllëse të këtij projekti dhe publikimit të rezultateve përfundimtare, për të ofruar gjithë përvojën dhe punën kërkimore shkencore të këtij projekti inovativ tre-vjeçar përpara studentëve të doktoraturës pranë këtij universiteti, gjithashtu edhe për të ligjëruar atje mbi folklorin shqiptar dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

Në lidhje me konkurimet dhe çmimet, AlbSmartFolk është projekt i ri i sapo realizuar dhe kemi konkuruar deri më tani në dy kompeticione, kompeticioni i parë në të cilin ne kemi marrë pjesë është ai që organizon rrjeti më i madh në botë i grave të përfshira në fushën e teknologjisë dhe inovacionit Women Tech Newtowrk dhe aty kemi kaluar fazën e parë ku edhe jemi shpallur finalistë për çmimin e projektit teknologjik e inovativ më të mire të vitit në rang global të udhëhequr nga gratë “Global Awards 2022”, gjithashtu edhe unë si drejtuese e këtij projekti jam shpallur njëra prej 10 finalisteve për çmimin Women Tech Global Award.

Kompeticioni i dytë ndërkombëtar ku ne sapo jemi regjistruar është “TEC Awards 2023” i cili është kompeticioni më i njohur në botë në fushën e teknologjisë muzikore, për më tepër që organizatorët na kanë ofruar mundësinë për të ekspozuar atje instrumentet tona folklorike kombëtare krahas instrumenteve më të njohura muzikore në botë, për herë të parë në historinë e folklorit shqiptar. Në fakt, këtë event kemi menduar që ta realizojmë në bashkëpunim me VATREN pasi kjo ndodh për herë të parë në historinë e folklorit muzikor shqiptar,duke bërë që instrumentet e tij të përmirësuara rrënjësisht në aspektin tekniko-akustik të ekspozohen në aktivitetin më të madh muzikor në të gjithë botën, krahas instrumenteve muzikore më të njohura që sot ekzistojnë.

FOLKU MUZIKOR SHQIPTAR, PASURI KOMBËTARE

Folku muzikor shqiptar është një pasuri e çmuar për kulturën shqiptare, për karakteristikën dhe llojshmërinë e tij. Ai përbëhet nga një sërë ngjyrimesh dhe elementësh që dallojnë nga një rajon në tjetrin dhe nga një fshat në tjetrin. Gjurmët e lashtësisë së muzikës folklorike shqiptare janë provuar që prej shekujve XIV-XIII p.e.s. Në objekte të ndryshme arkeologjike – skulptura, basoreliefe, terrakota, etj. – janë konfiguruar qartë vegla popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume karakteristike, etj. Folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur, çka dhe shprehet në ekzistencën e muzikës vokale që nga forma njëzërëshe e deri tek shumëzërëshi, në muzikën me vegla popullore, muzikën me zë e vegla, muzikën për shoqërimin e valleve popullore, etj. Siç edhe jeni në dijeni, rreth tre vite më parë, Serbia regjistroi Lahutën në UNESCO si pjesë të trashëgimisë kulturore serbe. Pavarësisht të gjitha interpretimeve, kjo ngjarje e ka faktorizuar Serbinë në aspektin e trashëgimisë kulturore botërore duke prezantuar lahutën, botërisht, si instrument të vetin identitar, por në gjykimin tim, institucionet përgjegjëse të kulturës, duhej të ngrinin urgjent grup pune me ekspertët më të mirë të etnomuzikologjisë dhe njohësit më në zë të folklorit shqiptar, (të cilët në Shqipëri nuk mungojnë por janë lënë mënjanë nga paaftësia dhe makutëria e drejtuesve të institucioneve të kulturës) për të bërë mbrojtjen e këtij instrumenti dhe të vlerave tona kombëtare. Shpeshherë, atë që nuk e arrin diplomacia e arrin muzika folklorike(arti dhe trashëgimia) dhe rasti i mësipërm i Serbisë është shembulli më i mire. Vlerësimet dhe çmimet ndërkombëtare për projektin AlbSmartFolk janë njëkohësisht një vlerësim për trashëgiminë kulturore kombëtare në përgjithësi dhe për folklorin muzikor shqiptar në veçanti. Është nder për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe sidomos për folklorin muzikor shqiptar që njëra prej qendrave kërkimore-shkencore më të njohura në botë, në fushën e kërkimit shkencor dhe teknologjik për inxhinierinë akustike si Center for Emerging and Innovative Sciences (CEIS) pranë University of Rochester, të testojë dhe përmirësojë shkencërisht instrumentet e folklorit tonë, është nder i madh për ne, që ai universitet, i cili është njëri prej më të njohurve në botë për kërkimin shkencor, të përfshijë në kurrikulat e tij, folklorin shqiptar. Është më se evidente që gjithçka që nuk evoluon (dmth që nuk përshtatet me kohën) është e destinuar që të vdesë dhe të mbyllet përjetësisht në muzeum. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me instrumentet e folklorit muzikor shqiptar. Fatkeqësisht, çfarë kanë bërë qeveritë shqiptare gjatë 32 viteve demokraci për kulturën dhe folklorin në veçanti, asgjë. Së shpejti, instrumentet e reja folklorike kombëtare të përmirësuara nga AlbSmartFolk do të ri-lindin folklorin muzikor shqiptar, duke e transformuar këtë gjini tepër të veçantë të trashëgimisë kulturore shqiptare në një platformë të bashkimit kulturor mbarëkombëtar shqiptar nga të gjitha trojet shqiptare, një risi kjo për shqiptarinë.

VËMENDJA E MUNGUAR E INSTITUCIONEVE KULTURORE NDAJ PROJEKTEVE TË KULTURËS KOMBËTARE

Institucioneve shqiptare nuk u interesojnë aspak projektet të cilat sjellin zhvillim, sidomos në komunitetet e harruara të artistëve dhe instrumentistëve të folklorit shqiptar, ajo çfarë atyre iu intereson, për fatin e keq, janë vetëm përfitimet personale monetare që mund të iu vijnë nga nisma apo projekte të tilla dhe asgjë tjetër. Po të shikosh me vëmendje buxhetin e Ministrisë së Kulturës, nuk ka asnjë fond për përmirësimin (ri-jetëzimin) e folklorit muzikor shqiptar, asnjë qeveri në këto 32 vite demokraci nuk e ka bërë. Ministria përgjegjëse për kulturën shpenzon miliona Euro në projekte pa vlerë por jo për folklorin. Fatkeqësisht, që në vitin 2015 as Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës i cili ka dekada në traditën e tij, nuk është organizuar. Institucione në varësi të Ministrisë së kulturës promovojnë folkun e vendeve fqinje,(publikimi i buzukut Grek) ndërkohë që folkun tonë e ka mbuluar harresa…..

KULTURA, MUZIKA, VULGU, BANALJA…

Tranzicioni i stërzgjatur shqiptar jo vetëm që po e shkombëtarizon por ka pasur pasoja të parikuperueshme për Shqipërinë. Njëra prej fushave më të godituara është edhe arti, kultura dhe veçanërisht folklori. Kur Serbia regjistroi Lahutën në UNESCO si pjesë e trashëgimisë kombëtare serbe, përveç kritikave të ashpra nga ana e komunitetit të artistëve dhe insterpretuesve të folklorit, askush nga institucionet kulturore të Shqipërisë nuk bëri asnjë hap përpara për këtë instrument shekullor shqiptar. Fatkeqësisht në Shqipëri po imponohet një muzikë tallava e cila nuk është në traditën tonë popullore e aq më pak folklorike. Instrumenti bazë në Shqipëri, duke filluar që nga gëzimet familjare si dasmat është bërë tastiera e cila në çdo vend të botës dhe në çdo traditë muzikore, ajo është një instrument që mban harmoninë në orkestër por kurrë instrument solistik. Përveç tastierës si instrument folklorik, po hyn fuqishëm edhe Sazi turk i cili po reklamohet si “Sharki elektrike”. Ne nuk kemi asnjë kundërshtim që instrumentet e reja të hyjnë në muzikën shqiptare, por kur një instrument folklorik i një vendi tjetër reklamohet si instrument folklorik kombëtar atëherë këtu kemi të bëjmë me asimilim të folklorit muzikor shqiptar dhe zëvëndësim të tij me atë të vendeve të tjera, një “pushtim” folklorik modern. Sipas mendimit të shumë artistëve të folklorit shqitar, por edhe timin si eksperte e trashëgimisë kulturore, kjo situatë ka ardhur si pasojë e faktit se instrumentet folklorike shqiptare janë totalisht të papërmirësuara dhe rrjedhimisht, konsiderohen demode nga komuniteti art-dashës. Normalisht që një instrument Buzuku grek apo një Saz turk të cilët janë të përmirësuara me kohë sipas standarteve më të mira akustike dhe të amplifikuar, do jetë shumë më konkurues se sa një Çifteli, Sharki, Lahutë apo Llautë e jona e cila nuk ka pësuar asnjë përmirësim që prej një shekulli. Është e trishtueshme të shohësh heshtjen e dhimbshme të instrumentistëve të folklorit shqiptar, të cilët i janë “nënshtruar” kësaj situate papërgjegjshmërie nga Ministria e Kulturës gjatë tre dekadave të fundit, dhe qasjen që kanë filluar të kenë me instrumentet dhe ata vetë,instrumentistët, brezi i ri i cili jo vetëm që nuk është i interesuar,(jo për fajin e tyre, por për shkak të politikave të munguara për kulturën dhe trashëgiminë) por e kanë edhe për turp ti shohin apo tu bien këtyre instrumenteve muzikore, ka përjashtime por janë të paktë në numër. Me instrumentet tona folklorike nuk mund të luash normalisht jashtë një dhome shtëpie e aq më pak në një sallë të madhe, sepse ashtu siç e parashtrova më lart nuk i janë nënshtruar asnjëherë një përmirësimi research and development, pavarësisht përpjekjeve sporadike, individuale dhe amatore.

SHTETI DHE PËRKRAHJA E MUNGUAR NDAJ ARTISTËVE E TALENTEVE TË ARTIT

“Pasuria kryesore e Shqipërisë është folklori muzikor, por ka edhe krom edhe naftë”, kjo ishte përshtypja e studiuesve të huaj që shkelën në Shqipëri gjatë shekullit të XVIII-XIX. Pra siç edhe shihet, folklori muzikor shqiptar vlerësohej gjatë asaj periudhe më shumë se edhe vetë pasuritë natyrore aq të mëdha që kishte Shqipëria.

Gjatë regjimit komunist 45-vjeçar, folklori shqiptar në tërësi dhe ai muzikor në veçanti u izolua nga përmirësimet e ndryshme të tij, gjithnjë në emër të “ruajtjes nga ndikimet e kulturës imperialiste dhe borgjezo-revizioniste”, madje edhe duke burgosur çdo zë në favor të përmirësimit cilësor. Duhet të theksohet fakti se me gjithë atë represion, artistët, instrumentistët dhe ekspertët e folklorit ishin të gjithë profesionistë dhe të punësuar në këtë fushë, të cilët ishin edhe baza e kësaj gjinie tepër të rëndësishme të trashëgimisë kulturore kombëtare. Por, si është gjëndja e foklorit muzikor shqiptar sot.

Përkundër vlerësimeve të jashtëzakonshme të studiuesve vendas dhe të huaj për folklorin muzikor shqiptar, sot ai gjendet në një situatë tejet të degraduar. Gjatë viteve të fundit kam marrë shumë ankesa dhe apele nga ana e komunitetit të instrumentistëve dhe ekspertëve të foklorit shpiptar për ndihmë dhe reflektim. Psh, njëri prej ekspertëve më të njohur në Shqipëri për Çiftelinë dhe Sharkinë më rrëfente se kur iki nga shtëpia për të kënduar me porosi, të cilat janë me pikatore sidomos tre dekadat e fundit, detyrohem që ti mbështjell dhe maskoj instrumentet sepse gjëndja ka degraduar deri në atë pikë sa më vjen turp të mi shikojë dikush në dorë. Instrumentisti i mirënjohur i Lahutës Pretash Nilaj, më rrëfen me shqetësim se situata e folklorit muzikor shqiptar ka degraduar deri në atë masë saqë popullsia ka nisur ta përdori emrin e Lahutës së Eposit të Kreshnikëve si formë tallëse si psh: “ik ore Lahutë” (dmth ik ore budalla) dhe të mendosh se Lahuta, instrumenti legjendar shqiptar me të cilin janë kënduar për breza me radhë që nga lashtësia cikli “Kangë Kreshnikësh” të degradojë në turp, kjo në të vërtetë është një humbje e pakrahasueshme e vlerave të trashëgimisë kombëtare.

Dy prej instrumentistëve më të njohur në botën shqiptare për Çiftelinë si vëllezërit Kodra, njëri prej tyre punon si hidraulik dhe tjetri marangoz në emigracion. Në qytetin e Lezhës, një tjetër instrumentist i folklorit muzikor i vlerësuar me çmime kombëtare, punon si roje në një institucion…. Shembuj të tillë ka sa të duash, të cilat pasqyrojnë degradimin e rëndë të folklorit muzikor, pasi për fatin e keq, pothuajse të gjithë instrumentistët e folklorit kanë përfunduar në situatë të tilla “dështimi” të cilët për të mbijetuar, u është dashur të braktisin folklorin dhe të marrin profesione të reja të cilat asnjëherë nuk i kanë eksperimentuar. Muzika folklorike shqiptare ka degraduar deri në atë pikë sa edhe Festivali Folklorik Kombëtar i cili është eventi më i madh mbarkombëtarë, i cili zhvillohet çdo katër vjet që prej vitit 1946, të paktën shtatë vitet e fundit është ndërprerë duke mos u zhvilluar fare vitin e kaluar. Me përjashtim të një grupi të vogël emigrantësh nga Shtetet e Bashkuara, të cilët organizuan një shfaqje të vogël me instrumentet folklorike në një shesh të fshatit Kelmend, nuk mbahet mend që të jenë organizuar aktivitete të mirëfillta foklorike. Në traditën tonë shekullore, Lahuta ka qënë instrumenti bazë i cili ka hapur çdo dasëm në Shqipërinë e Veriut, në Kosovë apo viset shqiptare në Mal të Zi, kjo traditë tashmë është zhdukur totalisht, sidomos tre dekadat e fundit. Po me lahutë janë realizuar edhe vajtimet për të vdekurit, fatkeqësisht traditë e vdekur. Është mëse e natyrshme që gjithçka që nuk evoluon (dmth që nuk përshtatet me kohën) është e destinuar që të vdesë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me instrumentet e folklorit muzikor shqiptar. Fatkeqësisht, çfarë kanë bërë qeveritë shqiptare gjatë 32 viteve demokraci për kulturën dhe folklorin në veçanti, asgjë. Eshtë e trishtueshme kur shikon se lahutari më i njohur i botës shqiptare, Jonuz Delaj, mgjs pensionit, mbijeton duke punuar si saldator, është turpi më i madh për institucionet përgjegjëse të kulturës. Është e trishtueshme të shikosh instrumentistin më të njohur shqiptar, i dekoruar me titullin Mjeshtër i Madh i cili është unikal në gjithë rajonin e Ballkanit, për stilin e tij të luajtjes në fyell, sot punon në ndërmarrjen e pastrimit të qytetit. Puna është gjithmonë nder, por këto shembuj i solla sepse fatkeqësisht, pothuajse të gjithë artistët e këtij folku janë në të tillë gjëndje, të braktisur e të lënë në mëshirë të fatit nga institucionet përgjegjëse të kulturës. Më ka prekur shumë një rast kur njërit prej instrumentistëve më të njohur në botën shqiptare i ofrova Lahutën e re AlbSmartFolk dhe kur e testoi me lotë në sy më tha: “bravo, ky është instrument folklorik i përsosur me të cilin mund të luash edhe në stadiume, salla të mëdha e kudo, me këtë që ke arritur të bësh me këto instrumente na ke bërë të lindim për së dyti ne dhe instrumentet tona muzikore.

Filed Under: Politike Tagged With: majlinda laçaj, Sokol Paja

“Ballkani i Hapur”, apo mini Jugosllavia

October 7, 2022 by s p

Skënder Mulliqi/

Kryeministri i Shqipërisë, po krijon “terren” gjithnjë e më shumë marrdhënjeve të mira më Serbinë, e  presidentit, Aleksander Vuqiqit. Ky i dyti është duke e shfrytëzuar mundësinë e idesë të Ballkanit të Hapur, të  formojë një mini Jugosllavi. Duhet thënë së këtë ide të Open Ballkanit për çudi bukur shumë janë duke e përkrahë BE-ja dhe Amerika. Serbia, Ballkanin e Hapur po e shikon si mundësi që përmes dialogut më Kosovën, t’ia arrinë qëllimit të implementimit të Asociacionit më kompetenca ekzekutive. Ky është hapi i parë.Hapi i dytë i menduar nga Serbia është që edhe pse ka rënë qeveria proserbe e Dritan Abazoviqit, të sjellë në vjeshtë në pushtet një regjim proserb të ri në Mal të Zi. Serbët bukur shumë përmes Republika Serpska, kanë arritur shkallë të lartë të vetëvendosjës në Bosnje. Sigurisht që po vendosët një rend i ri botëror, më luftën e cila po zhvillohet në Ukrainë, ku Rusia bëri invazion ushtarak atje. Duke e shfrytëzuar mirë përkrahjen e Edi Ramës më Ballkan të Hapur, serbët po përdorin gjeostrategji nën mengë për ti arritur qëllimet strategjike në rajon. Serbia po bënë përpjekje për të gjetur një formulë politike, më metoda te vjetra të veprimit për krijimin e një Unioni të Shteteve Ballkanike, këtu nuk hynë Kroacia dhe Sllovenia. Ky union e këtyre shteteve do të vendoste një regjim autoritar, më Serbinë në krye. Këto synime të Serbisë nuk është vështirë të kuptohen nga bashkësia ndërkombëtare, duke për ta hudhur poshtë idenë për Ballkan të Hapur, ku po fshihen  mirë edhe bota serbe dhe bota ruse. Mini shengeni siq po e quajnë disa nuk fsheh idenë prap sipas disave për Shqipëri të Madhe, dhe Serbi të Madhe, po fsheh idenë e një Jugosallavie të re.Vuqiq ka shprehur haptazi apetitet për të qenë lider i Ballkanit. Kjo është  nisma e Serbisë dhe të Shqipërisë, të Edi Ramës. Këto ide shoviniste serbe, nuk janë të tolerueshme për rajonin e veqmas për Kosovën. Nuk jemi pavarësuar më luftë, për të rënë në kushte të paqës, në një okupim të ri përmës idesë kamufluese të Ballkanit të Hapur. Me ide të tilla shoviniste dhe më kërcënime më luftë nga Serbia dhe Rusia, nuk arrihet paqja në Ballkan…

Filed Under: Politike

Memorandumi mbetet referencë për statusin e shqiptarëve në Mal të Zi

October 6, 2022 by s p

Nail  Draga/

Miratimi i  Memorandumit për status special të shqiptarëve në Mal të Zi, tridhjetë vite më parë(1992-2022) paraqet dokumentin me të rëndësishëm të shqiptarëve në këtë mjedis për avancimin e të drejtave të tyre qytetare e kombëtare. Por, nëse analizojmë kërkesat e shënuara në këtë dokument  shqiptarët janë të zhgënjyer sepse përveç arritjës  së  statusit të komunës së pavarur për Malësinë(Tuz) kërkesat tjera kanë mbet të pa realizuara, në mungesë të vullnetit politik të pushtetit, ku pa  përgjegjësi nuk janë as  partitë  politike të shqiptarëve  të cilat duke qenë  pjesë e pushtetit qendror(1998-2020), kanë dështuar në avancimin e barazisë qytetare e nacionale të shqiptarëve  në këtë mjedis – Diskursi  politik. 

Viti 1990 paraqet datë të veçantë sepse në këtë vit u zyrtarizua rënia e sistemit monist, përkatësisht miratimi i pluralizmit, ku edhe për shqiptarët u paraqit rasti  për vetorganizim politik. Filimisht falë angazhimit të një grupi intelektualësh dhe aktivistësh të ndryshëm, në Ulqin u themelua Forumi Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi(26.8.1990). Formimi i këtij subjekti jopolitik  i papapriu themelimit të Këshillit inicues të subjektit të parë politik të shqiptarëve në Mal të Zi, që u mbajt në një shtëpi private në Kodra të Ulqinit po atë ditë(26.8.1990), që më pas u zyrtarizua me kuvendin themelues në Tuz, më 09.9.1990, me emrin Lidhja Demokratike në Mal të Zi(LDMZ).

Votimi plebishitar i shqiptarëve

Në zgjedhjet e para pluraliste në Mal të Zi(9.12.1990), shqiptarët përkrahen në mënyrë plebishitare LDMZ-në, sepse ajo më tepër kishte karakterin e një Lëvizjeje kombëtare se sa të një subjekti politik. Së bashku në koalicion me partinë e boshnjakëve(SDA), nga gjithsej 12 deputetë, shqiptarët fituan 4 deputetë, të cilët ishin përfaqësuesit e parë autentikë në Kuvendin e Malit të Zi. Këta deputetë për të parën herë në foltoren e Kuvendit prezantuan kërkesat e shqiptarëve, duke njoftuar opinionin e gjerë se shqiptarët nuk pranojnë pabarazinë por do të angazhohen për barazi qytetare e nacionale sipas standardeve ndërkombëtare.

Dokumenti i parë për statusin e shqiptarëve

Ngjarje e veçantë për shqiptarët në Mal të Zi  u shënua në vitin 1992, sepse përmes Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi u organizua mbledhja e cila u mbajt më 22 gusht dhe vazhdoi më 12 shtator 1992, ku u miratua teksti i Memorandumit për Statusin Special të Shqiptarëve në Mal të Zi, të cilin e kanë nënshkruar 39 pjesëmarrës me kryetar z.Gjergj Gjokaj. Ashtu siç pritej, një akt i tillë u mirëprit nga subjektet shqiptare anekënd hapësirës etnogjeografike shqiptare, ndërsa u sulmua nga subjektet politike në Mal të Zi, qofshin ato nga pozita apo opozita, ku përjashtim bënte vetëm  partia e boshnjakëve (SDA). 

Memorandumi kishte vlerë të veçantë jo vetëm për momentin por edhe më pas, sepse ky ishte dokumenti i parë për shqiptarët në pluralizëm, i miratuar në mënyrë publike, nga një subjekt jopolitik. Në të janë paraqitur në mënyrë taksative kërkesat e shqiptarëve në lidhje me pozitën dhe statusin e tyre në kuadër të Malit të Zi. Një veprim i tillë ishte logjik, sepse në hapësirën e ish-Jugosllavisë popujt e ndryshëm kishin dalë në opinion me kërkesat e tyre politike, madje disa për statusin e tyre kanë organizuar edhe referendume. Andaj, edhe deklarimi i shqiptarëve përmes Forumit nuk ishte risi, por realitet i situatës politike në vend.

Memorandumi është paraqitur në formë të amandamentit edhe në Kuvendin e Malit të Zi nga deputetet shqiptarë, por ai u majorizua nga shumica parlamentare e pushtetit. Ndërsa me rastin e miratimit të Kushtetutës së Malit të Zi(1992), deputetet shqiptarë e cilësuan atë  të papranueshme dhe e lëshuan mbledhjen e Kuvendit.

Pasi për ish-Jugosllavinë kishin filluar takimet ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje optimale, në ato konferenca tash mund të merrnin pjesë edhe shqiptarët nga Mali i Zi me dokumentin përkatës, që paraqiste kërkesat optimale për zgjidhjen e statusit të tyre e ky ishte Memorandumi i 12 shtatorit të vitit 1992. Me këtë dokument shqiptarët ishin palë  dhe partner në bisedime, sikurse ishin në Konferencën  e Gjenevës për ish-Jugosllavinë, të ftuar nga organizatorët, që fatkeqësisht ishte  takimi i parë dhe i fundit. 

Statusi special apo autonomia bashkëkohore

Statusi special ishte një modifikim terminologjik për autonominë bashkëkohore që e ka burimin nga faktori ndërkombëtar(anglezët), i cili ishte kyçur për të zgjidhur statusin e serbëve në Kroaci. Të nxitur nga një situatë e tillë, autonomia u bë kërkesë për pjesëtarë të shumë popujve në ish-Jugosllavi, ku as shqiptarët në Mal të Zi nuk ishin përjashtim, sepse ajo është forma më optimale  praktike e barazisë nacionale dhe qytetare në mjedise të caktuara.

Ndërsa, disa ditë pas miratimit të Memorandumit, për shkak të efikasitetit praktik, Forumi në një mbledhje të veçantë formoi Këshillin për realizimin e Memorandumit, me kryetar avokatin Mustafa Çapuni, i cili do të merrej enkas me organizimin e takimeve dhe formimin  e komisioneve të ndryshme për elaborimin e çështjeve përkatëse që ishin pjesë e kërkesave të prezantuara. Por, punët nuk shkuan ashtu siç ishin paraparë, sepse që nga fillimi  ekzistonte animozitet dhe refuzim nga ana e LDMZ(!). Andaj, për të mos krijuar paralelizëm dhe për të mos dalë qesharak para opinionit, pas pesë takimeve, Këshilli i sapoformuar e ndërpreu veprimin e vet. Dhe nga një gjendje e tillë plot animozitet dhe atavizëm politik, Forumi nga një aktivitet dinamik kaloi në pasivitet të plotë, duke e ndërprerë aktivitetin tërësisht më pas.

Referendumi pa kërkesa të shkruara

Se shqiptarët ishin e janë të pakoordinuar dhe pa ide për kërkesa të përbashkëta për avancimin e pozitës dhe statusit të tyre u dëshmu me rastin e mbajtjës së Referendumit për Pavarësi të Malit të Zi(21 maj 2006). Dhe nuk ka si të jetë ndryshe  sepse dominoi qasja  ataviste  përmes subjekteve nacionale politike  duke e mbështetur  pavarësinë e Malit të Zi, pa asnjë kërkesë të shkruar për barazi nacionale dhe qytetare. Ishte ky lëshim i pafalshëm i subjekteve politike, duke anashkaluar kërkesat e Memorandumit, ku  pasojat janë të pranishme edhe në ditët tona. 

Partitokracia në punësim

Sepse sot, në Malin e Zi të pavarur me konceptin e ashtuquajtur qytetar, hasim në  padrejtësi praktike, sepse kemi të bëjmë jo me shtetin qytetar, por tipik nacional-partiak, ku kemi  institucionet dhe kuadrot janë partiake. Nëse analizojmë vetëm fushën e arsimit, del se përveç drejtorëve partiakë, kemi edhe këshillat e shkollave partiake, të punësuarit partiakë, qofshin me kohë të kufizuar apo praktikantë, të gjithë nga partia në pushtet, nga del qartë se jemi të diskriminuar në aspektin qytetar sepse ata që nuk i takojnë partisë apo koalicionit në pushtet nuk kanë asnjë  mundësi për të udhëhequr shkollat apo për t’u punësuar. Një veprim i tillë është më keq se në kohën e monizmit.

Nga ana tjetër, mospërfaqësimi proporcional në punësim vazhdon gjithnjë, nga del se kemi pabarazi nacionale, ku institucionet qeveritare e ato lokale janë shembull praktik i kësaj dukurie.

Arsimi mbetet diskriminues

Sa iu përket planprogrameve mësimore dhe teksteve shkollore, në lëndët e identitetit kombëtar (histori, kulturë muzikore, dituri natyre, art figurativ etj.) gjendja është skandaloze,  sepse ato janë diskriminuese për shqiptarët, që të kujton kohën pas vitit 1981, kur u zyrtarizua fushata antishqiptare.

Ndërsa eliminimi i të drejtave të realizuara, sikurse është ligji zgjedhor për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve, që u miratua në Parlament me shumicë votash(2011), pa votat e deputetëve të partive nacionale shqiptare, dëshmon majorizimin  e shumicës ndaj pakicës.

Komuna e Malësisë në Tuz, arritje e veçantë 

Ne këtë periudhë kohore tridhjetëvjeçare përjashtim bën formimi i Komunës së Malësisë me qendër në Tuz(2018) e cila u dëshmu e suksesshme ne funksionimin e saj që nga formimi i pushtetit lokal i dalë nga zgjedhjet lokale(3 mars 2019), duke qenë model edhe për komunat tjera në Mal të Zi.

Ndërsa mosinvestimi në viset shqiptare si dhe privatizimi i dështuar ka ndikuar në keqësimin e gjendjes sociale të shqiptarëve, andaj kemi dukurinë e  emigrimit  të shqiptarëve e për pasojë zvoglimin e tyre demografik nga një regjistrim në tjetrin, nga del se këtu ndodh në praktikë  pastrimi i heshtur etnik.

Kërkesat  mbesin aktuale  

Kërkesat e Memorandumit janë aktuale edhe sot pas 30 viteve dhe ato presin realizim praktik për të eliminuar pabarazinë qytetare dhe nacionale në Mal të Zi. Pavarësisht se kërkesat e shqiptarëve nuk janë kundër të tjerëve, pushteti i Malit të Zi deri më tash nuk ka shprehur gatishmëri për zhvillimin e një dialogu me shqiptarët, sepse iu  mungon vullneti politik. Andaj është koha e fundit që të fillojë një dialog i tillë në mes Qeverisë së Malit të Zi dhe shqiptarëve, përmes partive politike nacionale, si përfaqësues autentik të tyre, në këtë mjedis. Vetëm përmes një dialogu konstruktiv duhet të krijohen raporte të partneritetit për të gjetur zgjidhje të pranueshme sipas standardeve ndërkombëtare.

Në këtë aspekt duhet  të kontaktohet dhe informohet vazhdimisht  faktori ndërkombëtar, duke iu ofruar argumente në lidhje me çështjet përkatëse. Sepse çështjet e barazisë nacionale në një mjedis multinacional, nuk janë më çështje të shtetit përkatës, por kanë karakter ndërkombëtar.

Përfundimisht, nuk ka dilemë së kur trajtohet  pozita dhe statusi i shqiptarëve në Mal të Zi, Memorandumi mbetet  referencë e domosdoshme për çdo qasje apo analizë në këtë drejtim, sepse ai paraqet bazën e kërkesave për barazi qytetare dhe nacionale në këtë mjedis multinacional dhe multikulturor. Andaj, si i tillë është bërë pjesë përbërëse e platformave politike të subjekteve politike nacionale të shqiptarëve në Malin e Zi.

Dhe në fund, e themi pa hezitim  se derisa nuk do të realizohen ende  në praktikë kërkesat për barazi qytetare dhe nacionale sipas standardeve ndërkombëtare, çështja shqiptare në Mal të Zi  mbetet e hapur. 

                                                                                            (Shtator  2022)

Filed Under: Politike Tagged With: Nail Draga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 199
  • 200
  • 201
  • 202
  • 203
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT