Majlinda Laçaj, drejtuese dhe eksperte e trashëgimisë kulturore kombëtare, në një rrëfim për gazetën Dielli të Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, rrëfen për publikun përfshirjen e instrumenteve muzikore të Ciftelisë, Sharkisë, Lahutës dhe Llautës në një kërkim shkencor për teknologjinë dhe inovacionin në Universitetin e Rochesterit. Ajo flet edhe për “TEC Awards 2023” si mundësi për të ekspozuar instrumentet folklorike kombëtare krahas instrumenteve më të njohura muzikore në botë, për herë të parë në historinë e folklorit shqiptar.
ALBSMARTFOLK, IMPLEMENTIMI I TEKNOLOGJISË NË TRASHËGIMINË KULTURORE
Unë kam një eksperiencë shumëvjeçare me trashëgiminë kulturore kombëtare dhe projektet në këtë fushë duke shërbyer si drejtuese e lartë e kulturës kombëtare në administratën shtetërore për shtatë vite dhe po aq edhe në organizatat jo-qeveritare dhe projektet e ndryshme në këtë fushë të financuar nga partnerët tanë. Njëkohësisht jam eksperte e lartë (Senior Expert) në trashëgiminë kulturore kombëtare, në edukim, në fushën e teknologjisë dhe implementimit të saj në trashëgiminë kulturore.
Si drejtuese dhe eksperte e lartë e trashëgimisë kulturore shqiptare, kam marrë shumë e shumë kërkesa nga artistë dhe interpretues të folklorit muzikor shqiptar, të cilët më kanë kërkuar ndihmë për të shpëtuar këtë gjini shumë të rëndësishme të kulturës kombëtare. Thirrjet e tyre të vazhdueshme kishin të bënin kryesisht me gjendjen e mjerueshme të instrumenteve të folkut muzikor shqiptar, që për hir të së vërtetës, kurrë nuk është investuar në përmirësimin e tyre nga institucionet përgjegjëse të kulturës. Duke qënë se isha Drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare për qarqet e Veriut Shqiptar, këto ankesa si dhe projektin për përmirësimin rrënjësor të këtij folku ia paraqita Ministrisë së Kulturës, kjo edhe për faktin se asnjëherë më parë nuk ishte ndërmarrë një projekt i tillë kombëtar në fushën e përmirësimit rrënjësor teknik dhe tekonolgjik por fatkeqësisht, deri më sot asnjë përgjigje. Duke parë nga njëra anë kërkesat e vazhdueshme të komunitetit të artistëve dhe instrumentistëve të këtij folku, gjithashtu duke parë edhe indiferencën e Ministrisë së Kulturës, bashkë me një grup artistësh, e nisa vetë këtë projekt duke u mbështetur në financat e familjes time si dhe njohjet që kishin familjarët e mi në Shtetet e Bashkuara dhe në Gjermani. Për të realizuar këtë projekt inovatit për përmirësimin rrënjësor të instrumenteve të folklorit muzikor shqiptar, na duhej patjetër që fillimisht, të realizonim një projekt research & development për këto instrumente dhe duke pasur parasysh se kishim fonde të limituara, iu drejtova fillimisht kompanive teknologjike Kineze, më e lira prej të cilave më kërkoi nga 250 mijë USD për secilin instrument, dmth 1 milion USD për të katërta instrumentet kryesore folklorike kombetare (Çifteli, Sharki, Lahutë dhe Llautë) të cilat së bashku mbulojnë të gjitha trojet shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Çameri dhe deri tek Arbëreshët e Italisë). Nisur nga kjo situatë për të cilën duheshin të paktën 1 milion USD, para të cilat ne nuk i kishim, me ndihmën e familjarëve të mi, u lidha me kompaninë teknologjike SHADOW Electronic (Gjermani) dhe FISHMAN (Shtetet e Bashkuara) të cilët më asistuan shumë, por për ti hyrë me themel këtij projekti, ata më kërkuan projektin kërkimor-shkencor R&D si një bazë themelore për mënyrat më të mira të përmirësimit të këtyre instrumenteve. Center for Emerging and Innovative Sciences (CEIS) pranë University of Rochester dhe personalisht prof. Mark Bocko kanë realizuar falas për ne të gjithë projektin R&D mbi bazën e të cilit do realizoheshin përmirësimet tekniko-akustike dhe pastaj do implementohej edhe teknologjia më e përparuar muzikore e amplifikimit elektro-akustik, e dizenjuar posaçërisht për instrumentet e folkut tonë muzikor. Falë këtij projekti, instrumentet e para të dizenjuara dhe prodhuara nga implementimi i këtij projekti janë të cilësisë më të lartë në aspektin tekniko-akustik dhe të pajisura me teknologjinë më të përparuar muzikore që sot ekziston.
PROJEKTI ALBSMARTFOLK, VLERËSIME KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE
Projekti AlbSmartFolk ka marrë shumë vlerësime kombëtare dhe ndërkombëtare, duke filluar që nga Unioni Artistik i Popullit Shqiptar e deri tek Aleanca Botërore e Folklorit e cila e ka konsideruar këtë projekt si “Ri-Lindja e Folklorit Muzikor Shqiptar”.
Harrisburg University of Science and Technology e ka konsideruar si njërin prej projekteve më të arrirë në fushën e inovacionit, shkencës dhe teknologjisë, duke e përfshirë atë si një histori suksesi në samitin e grave të suksesshme në shkencë dhe teknologji per vitin 2022 (Success in STEM Women’s Leadership Summit 2022) ku isha edhe paneliste.
Center for Emerging and Innovative Science pranë Rochester University, i cili është edhe njeri prej partnerëve të mi zyrtar në këtë projekt dhe që ka realizuar gjithë punën kërkimore e shkencore falas për të gjitha instrumentet e këtij folku, më ka ftuar në muajin Nëntor për të marrë pjesë në ceremoninë përmbyllëse të këtij projekti dhe publikimit të rezultateve përfundimtare, për të ofruar gjithë përvojën dhe punën kërkimore shkencore të këtij projekti inovativ tre-vjeçar përpara studentëve të doktoraturës pranë këtij universiteti, gjithashtu edhe për të ligjëruar atje mbi folklorin shqiptar dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.
Në lidhje me konkurimet dhe çmimet, AlbSmartFolk është projekt i ri i sapo realizuar dhe kemi konkuruar deri më tani në dy kompeticione, kompeticioni i parë në të cilin ne kemi marrë pjesë është ai që organizon rrjeti më i madh në botë i grave të përfshira në fushën e teknologjisë dhe inovacionit Women Tech Newtowrk dhe aty kemi kaluar fazën e parë ku edhe jemi shpallur finalistë për çmimin e projektit teknologjik e inovativ më të mire të vitit në rang global të udhëhequr nga gratë “Global Awards 2022”, gjithashtu edhe unë si drejtuese e këtij projekti jam shpallur njëra prej 10 finalisteve për çmimin Women Tech Global Award.
Kompeticioni i dytë ndërkombëtar ku ne sapo jemi regjistruar është “TEC Awards 2023” i cili është kompeticioni më i njohur në botë në fushën e teknologjisë muzikore, për më tepër që organizatorët na kanë ofruar mundësinë për të ekspozuar atje instrumentet tona folklorike kombëtare krahas instrumenteve më të njohura muzikore në botë, për herë të parë në historinë e folklorit shqiptar. Në fakt, këtë event kemi menduar që ta realizojmë në bashkëpunim me VATREN pasi kjo ndodh për herë të parë në historinë e folklorit muzikor shqiptar,duke bërë që instrumentet e tij të përmirësuara rrënjësisht në aspektin tekniko-akustik të ekspozohen në aktivitetin më të madh muzikor në të gjithë botën, krahas instrumenteve muzikore më të njohura që sot ekzistojnë.
FOLKU MUZIKOR SHQIPTAR, PASURI KOMBËTARE
Folku muzikor shqiptar është një pasuri e çmuar për kulturën shqiptare, për karakteristikën dhe llojshmërinë e tij. Ai përbëhet nga një sërë ngjyrimesh dhe elementësh që dallojnë nga një rajon në tjetrin dhe nga një fshat në tjetrin. Gjurmët e lashtësisë së muzikës folklorike shqiptare janë provuar që prej shekujve XIV-XIII p.e.s. Në objekte të ndryshme arkeologjike – skulptura, basoreliefe, terrakota, etj. – janë konfiguruar qartë vegla popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume karakteristike, etj. Folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur, çka dhe shprehet në ekzistencën e muzikës vokale që nga forma njëzërëshe e deri tek shumëzërëshi, në muzikën me vegla popullore, muzikën me zë e vegla, muzikën për shoqërimin e valleve popullore, etj. Siç edhe jeni në dijeni, rreth tre vite më parë, Serbia regjistroi Lahutën në UNESCO si pjesë të trashëgimisë kulturore serbe. Pavarësisht të gjitha interpretimeve, kjo ngjarje e ka faktorizuar Serbinë në aspektin e trashëgimisë kulturore botërore duke prezantuar lahutën, botërisht, si instrument të vetin identitar, por në gjykimin tim, institucionet përgjegjëse të kulturës, duhej të ngrinin urgjent grup pune me ekspertët më të mirë të etnomuzikologjisë dhe njohësit më në zë të folklorit shqiptar, (të cilët në Shqipëri nuk mungojnë por janë lënë mënjanë nga paaftësia dhe makutëria e drejtuesve të institucioneve të kulturës) për të bërë mbrojtjen e këtij instrumenti dhe të vlerave tona kombëtare. Shpeshherë, atë që nuk e arrin diplomacia e arrin muzika folklorike(arti dhe trashëgimia) dhe rasti i mësipërm i Serbisë është shembulli më i mire. Vlerësimet dhe çmimet ndërkombëtare për projektin AlbSmartFolk janë njëkohësisht një vlerësim për trashëgiminë kulturore kombëtare në përgjithësi dhe për folklorin muzikor shqiptar në veçanti. Është nder për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe sidomos për folklorin muzikor shqiptar që njëra prej qendrave kërkimore-shkencore më të njohura në botë, në fushën e kërkimit shkencor dhe teknologjik për inxhinierinë akustike si Center for Emerging and Innovative Sciences (CEIS) pranë University of Rochester, të testojë dhe përmirësojë shkencërisht instrumentet e folklorit tonë, është nder i madh për ne, që ai universitet, i cili është njëri prej më të njohurve në botë për kërkimin shkencor, të përfshijë në kurrikulat e tij, folklorin shqiptar. Është më se evidente që gjithçka që nuk evoluon (dmth që nuk përshtatet me kohën) është e destinuar që të vdesë dhe të mbyllet përjetësisht në muzeum. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me instrumentet e folklorit muzikor shqiptar. Fatkeqësisht, çfarë kanë bërë qeveritë shqiptare gjatë 32 viteve demokraci për kulturën dhe folklorin në veçanti, asgjë. Së shpejti, instrumentet e reja folklorike kombëtare të përmirësuara nga AlbSmartFolk do të ri-lindin folklorin muzikor shqiptar, duke e transformuar këtë gjini tepër të veçantë të trashëgimisë kulturore shqiptare në një platformë të bashkimit kulturor mbarëkombëtar shqiptar nga të gjitha trojet shqiptare, një risi kjo për shqiptarinë.
VËMENDJA E MUNGUAR E INSTITUCIONEVE KULTURORE NDAJ PROJEKTEVE TË KULTURËS KOMBËTARE
Institucioneve shqiptare nuk u interesojnë aspak projektet të cilat sjellin zhvillim, sidomos në komunitetet e harruara të artistëve dhe instrumentistëve të folklorit shqiptar, ajo çfarë atyre iu intereson, për fatin e keq, janë vetëm përfitimet personale monetare që mund të iu vijnë nga nisma apo projekte të tilla dhe asgjë tjetër. Po të shikosh me vëmendje buxhetin e Ministrisë së Kulturës, nuk ka asnjë fond për përmirësimin (ri-jetëzimin) e folklorit muzikor shqiptar, asnjë qeveri në këto 32 vite demokraci nuk e ka bërë. Ministria përgjegjëse për kulturën shpenzon miliona Euro në projekte pa vlerë por jo për folklorin. Fatkeqësisht, që në vitin 2015 as Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës i cili ka dekada në traditën e tij, nuk është organizuar. Institucione në varësi të Ministrisë së kulturës promovojnë folkun e vendeve fqinje,(publikimi i buzukut Grek) ndërkohë që folkun tonë e ka mbuluar harresa…..
KULTURA, MUZIKA, VULGU, BANALJA…
Tranzicioni i stërzgjatur shqiptar jo vetëm që po e shkombëtarizon por ka pasur pasoja të parikuperueshme për Shqipërinë. Njëra prej fushave më të godituara është edhe arti, kultura dhe veçanërisht folklori. Kur Serbia regjistroi Lahutën në UNESCO si pjesë e trashëgimisë kombëtare serbe, përveç kritikave të ashpra nga ana e komunitetit të artistëve dhe insterpretuesve të folklorit, askush nga institucionet kulturore të Shqipërisë nuk bëri asnjë hap përpara për këtë instrument shekullor shqiptar. Fatkeqësisht në Shqipëri po imponohet një muzikë tallava e cila nuk është në traditën tonë popullore e aq më pak folklorike. Instrumenti bazë në Shqipëri, duke filluar që nga gëzimet familjare si dasmat është bërë tastiera e cila në çdo vend të botës dhe në çdo traditë muzikore, ajo është një instrument që mban harmoninë në orkestër por kurrë instrument solistik. Përveç tastierës si instrument folklorik, po hyn fuqishëm edhe Sazi turk i cili po reklamohet si “Sharki elektrike”. Ne nuk kemi asnjë kundërshtim që instrumentet e reja të hyjnë në muzikën shqiptare, por kur një instrument folklorik i një vendi tjetër reklamohet si instrument folklorik kombëtar atëherë këtu kemi të bëjmë me asimilim të folklorit muzikor shqiptar dhe zëvëndësim të tij me atë të vendeve të tjera, një “pushtim” folklorik modern. Sipas mendimit të shumë artistëve të folklorit shqitar, por edhe timin si eksperte e trashëgimisë kulturore, kjo situatë ka ardhur si pasojë e faktit se instrumentet folklorike shqiptare janë totalisht të papërmirësuara dhe rrjedhimisht, konsiderohen demode nga komuniteti art-dashës. Normalisht që një instrument Buzuku grek apo një Saz turk të cilët janë të përmirësuara me kohë sipas standarteve më të mira akustike dhe të amplifikuar, do jetë shumë më konkurues se sa një Çifteli, Sharki, Lahutë apo Llautë e jona e cila nuk ka pësuar asnjë përmirësim që prej një shekulli. Është e trishtueshme të shohësh heshtjen e dhimbshme të instrumentistëve të folklorit shqiptar, të cilët i janë “nënshtruar” kësaj situate papërgjegjshmërie nga Ministria e Kulturës gjatë tre dekadave të fundit, dhe qasjen që kanë filluar të kenë me instrumentet dhe ata vetë,instrumentistët, brezi i ri i cili jo vetëm që nuk është i interesuar,(jo për fajin e tyre, por për shkak të politikave të munguara për kulturën dhe trashëgiminë) por e kanë edhe për turp ti shohin apo tu bien këtyre instrumenteve muzikore, ka përjashtime por janë të paktë në numër. Me instrumentet tona folklorike nuk mund të luash normalisht jashtë një dhome shtëpie e aq më pak në një sallë të madhe, sepse ashtu siç e parashtrova më lart nuk i janë nënshtruar asnjëherë një përmirësimi research and development, pavarësisht përpjekjeve sporadike, individuale dhe amatore.
SHTETI DHE PËRKRAHJA E MUNGUAR NDAJ ARTISTËVE E TALENTEVE TË ARTIT
“Pasuria kryesore e Shqipërisë është folklori muzikor, por ka edhe krom edhe naftë”, kjo ishte përshtypja e studiuesve të huaj që shkelën në Shqipëri gjatë shekullit të XVIII-XIX. Pra siç edhe shihet, folklori muzikor shqiptar vlerësohej gjatë asaj periudhe më shumë se edhe vetë pasuritë natyrore aq të mëdha që kishte Shqipëria.
Gjatë regjimit komunist 45-vjeçar, folklori shqiptar në tërësi dhe ai muzikor në veçanti u izolua nga përmirësimet e ndryshme të tij, gjithnjë në emër të “ruajtjes nga ndikimet e kulturës imperialiste dhe borgjezo-revizioniste”, madje edhe duke burgosur çdo zë në favor të përmirësimit cilësor. Duhet të theksohet fakti se me gjithë atë represion, artistët, instrumentistët dhe ekspertët e folklorit ishin të gjithë profesionistë dhe të punësuar në këtë fushë, të cilët ishin edhe baza e kësaj gjinie tepër të rëndësishme të trashëgimisë kulturore kombëtare. Por, si është gjëndja e foklorit muzikor shqiptar sot.
Përkundër vlerësimeve të jashtëzakonshme të studiuesve vendas dhe të huaj për folklorin muzikor shqiptar, sot ai gjendet në një situatë tejet të degraduar. Gjatë viteve të fundit kam marrë shumë ankesa dhe apele nga ana e komunitetit të instrumentistëve dhe ekspertëve të foklorit shpiptar për ndihmë dhe reflektim. Psh, njëri prej ekspertëve më të njohur në Shqipëri për Çiftelinë dhe Sharkinë më rrëfente se kur iki nga shtëpia për të kënduar me porosi, të cilat janë me pikatore sidomos tre dekadat e fundit, detyrohem që ti mbështjell dhe maskoj instrumentet sepse gjëndja ka degraduar deri në atë pikë sa më vjen turp të mi shikojë dikush në dorë. Instrumentisti i mirënjohur i Lahutës Pretash Nilaj, më rrëfen me shqetësim se situata e folklorit muzikor shqiptar ka degraduar deri në atë masë saqë popullsia ka nisur ta përdori emrin e Lahutës së Eposit të Kreshnikëve si formë tallëse si psh: “ik ore Lahutë” (dmth ik ore budalla) dhe të mendosh se Lahuta, instrumenti legjendar shqiptar me të cilin janë kënduar për breza me radhë që nga lashtësia cikli “Kangë Kreshnikësh” të degradojë në turp, kjo në të vërtetë është një humbje e pakrahasueshme e vlerave të trashëgimisë kombëtare.
Dy prej instrumentistëve më të njohur në botën shqiptare për Çiftelinë si vëllezërit Kodra, njëri prej tyre punon si hidraulik dhe tjetri marangoz në emigracion. Në qytetin e Lezhës, një tjetër instrumentist i folklorit muzikor i vlerësuar me çmime kombëtare, punon si roje në një institucion…. Shembuj të tillë ka sa të duash, të cilat pasqyrojnë degradimin e rëndë të folklorit muzikor, pasi për fatin e keq, pothuajse të gjithë instrumentistët e folklorit kanë përfunduar në situatë të tilla “dështimi” të cilët për të mbijetuar, u është dashur të braktisin folklorin dhe të marrin profesione të reja të cilat asnjëherë nuk i kanë eksperimentuar. Muzika folklorike shqiptare ka degraduar deri në atë pikë sa edhe Festivali Folklorik Kombëtar i cili është eventi më i madh mbarkombëtarë, i cili zhvillohet çdo katër vjet që prej vitit 1946, të paktën shtatë vitet e fundit është ndërprerë duke mos u zhvilluar fare vitin e kaluar. Me përjashtim të një grupi të vogël emigrantësh nga Shtetet e Bashkuara, të cilët organizuan një shfaqje të vogël me instrumentet folklorike në një shesh të fshatit Kelmend, nuk mbahet mend që të jenë organizuar aktivitete të mirëfillta foklorike. Në traditën tonë shekullore, Lahuta ka qënë instrumenti bazë i cili ka hapur çdo dasëm në Shqipërinë e Veriut, në Kosovë apo viset shqiptare në Mal të Zi, kjo traditë tashmë është zhdukur totalisht, sidomos tre dekadat e fundit. Po me lahutë janë realizuar edhe vajtimet për të vdekurit, fatkeqësisht traditë e vdekur. Është mëse e natyrshme që gjithçka që nuk evoluon (dmth që nuk përshtatet me kohën) është e destinuar që të vdesë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me instrumentet e folklorit muzikor shqiptar. Fatkeqësisht, çfarë kanë bërë qeveritë shqiptare gjatë 32 viteve demokraci për kulturën dhe folklorin në veçanti, asgjë. Eshtë e trishtueshme kur shikon se lahutari më i njohur i botës shqiptare, Jonuz Delaj, mgjs pensionit, mbijeton duke punuar si saldator, është turpi më i madh për institucionet përgjegjëse të kulturës. Është e trishtueshme të shikosh instrumentistin më të njohur shqiptar, i dekoruar me titullin Mjeshtër i Madh i cili është unikal në gjithë rajonin e Ballkanit, për stilin e tij të luajtjes në fyell, sot punon në ndërmarrjen e pastrimit të qytetit. Puna është gjithmonë nder, por këto shembuj i solla sepse fatkeqësisht, pothuajse të gjithë artistët e këtij folku janë në të tillë gjëndje, të braktisur e të lënë në mëshirë të fatit nga institucionet përgjegjëse të kulturës. Më ka prekur shumë një rast kur njërit prej instrumentistëve më të njohur në botën shqiptare i ofrova Lahutën e re AlbSmartFolk dhe kur e testoi me lotë në sy më tha: “bravo, ky është instrument folklorik i përsosur me të cilin mund të luash edhe në stadiume, salla të mëdha e kudo, me këtë që ke arritur të bësh me këto instrumente na ke bërë të lindim për së dyti ne dhe instrumentet tona muzikore.