• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kushtetuta e Kaçanikut është guri themeltar i rendit juridik të shtetit të Kosovës

September 7, 2021 by s p

Nga Vjosa Osmani

Në këtë ditë historike, jemi falënderues ndaj grave e burrave të Kosovës, të cilët 31-vjet më parë patën dijen, vizionin e guximin që ta miratojnë Kushtetutën e Kaçanikut, dokumentin përmbajtësor, me të cilin nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës. Të frymëzuar nga idealet e lirisë dhe demokracisë, delegatët e Kuvendit të Kaçanikut sfiduan guximshëm veprimet represive dhe kërcënimet brutale të regjimit të Serbisë, duke u bërë udhërrëfyes në rrugëtimin tonë për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.Tri dekada më parë, ëndrra e brezave për shtetin e Kosovës mori formë. Së pari Deklarata e 2 korrikut 1990 e pas saj Kushtetuta e Kaçanikut e bënë Kosovën Republikë, i dhanë kuptim thirrjes së hershme, kauzës sonë për liri, demokraci e shtet.Urime Dita e Kushtetutës së Kaçanikut, e bëfshim Kosovën çdo ditë e më të mirë!

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Kushtetuta e Kacanikut, Vjosa Osmani

20 VJET PA LUKË KAÇAJN

September 6, 2021 by s p

20 VJET  PA  LUKË  KAÇAJ

Lukë Kaçaj (1924-2001)

Nga Fritz RADOVANI

7 Shtator 2001…

O syshqiponjë! A me të vertetë Je pranë Krijuesit Tand !?..

E pra, tash plot 20 vjetë Rinia Shqiptare këndon.., por, këndon pa Ty, o Luk Kaçaj, e ndoshta, sa vite të tjera do të shkojnë, tue kerkue tingujt e zanit tand !.. Po, po, atje nalt nder Yjet e Pashuem të Asaj Botë pafund !

O i Madhi e i pavdekshmi Lukë Kaçaj, Ti ishe shkam i Alpeve tona!..

Ti ishe Prijs i kangës me Lahutë e që dijte me at za si pushka, me na lanë n’ Atdheun e Shqipeve Dykrenare gjurmët e qytetnimit Europjan…

E bash ajo Europë, të priti e të percolli si Birin e vet të pashoq atëherë, kur pak kush i dinte majet e pashkeluna t’ atij arti të pavdekshem, që Ata mësues me zhguna të murrmë, dijtne me të mësue ty o zheniu i Maleve!

E oxhaku i gurt’ i Atyne Maleve lajmonte per Ty, se u shtue një pushkë!

Stajanicat plaka, vazhdonin me shtrue sofrat: Hajde bujruem, urdhnoni “Mirse Ju ka prue Zoti, urdhnoni Buk’ e krypë e Zemer!”… E shkrepeshin gotat e Atyne Burrave, që nder shekuj të pafund nderuen Atdheun e Gjergjit të Madh Trimit të Gjon Kastriotit tonë… Atij Plakut vuejtun, e që mbas Tij kje Bij’ e Atyne Maleve kreshnike edhe Nana Tereze e Shkupit…

Edhe në vitin 1924, me 24 Shkurt, në Bajzë të Kastratit të Malsisë së Madhe, kur u le Lukë Kaçaj. Luka porsa mori mend ju kushtue Urdhnit Fretenve të Vegjel, dhe shkoi me vazhdue shkollen e Tyne në Gjuhadol të Shkodres, ku spikati zani i Tij… I pakrahasueshem per bukuri e forcë.

Ishte i pari At Martin Gjoka që dalloi talentin e rij dhe i tregoi rrugen e artistit të madh. Atje në Liceun “Illyricum” Luka, kur Mjeshtri i Madh i muzikës At Martini, i vuni në ballë djaloshit Bajzës së Alpeve shenjen e perjetshme t’ artistit t’ panjoftun e t’ pashoq… Nder Trojet tona.

Luka më ka tregue me gojen e Tij, sesi kur po permbytej Shqipnia nga komunizmi, në vitin 1946: “At Mati Prennushi thrret në Kuvend të Gjuhadolit baben e Lukës dhe i thotë: “Koha sa vjen e po bahet ma e rrezikshme per xhakoj ashtu si per ne, prandej, merre Luken në shtëpi, sikur ai nuk do me ndejë ma këtu dhe mundou me i dhanë rrugen e muzikës, mbasi ka mundsi që Liceu i ynë, të mbyllet nga komunistët dhe të mos hapet ma…Kjo këshillë e At Matisë dhanë babës sim, më shpetoi nga arrestimi i sigurtë që në 1946… Gjithmonë e kam kujtue At Matinë me mirnjohje… ” (Dëshmi gojore e të Ndjerit Lukë Kaçaj, Shkoder 1996).

U ndihmue prej kompozitorit Kristo Kona, tue e angazhue Luken me korin e Filarmonisë. Luka fillon punen në Filarmoni. Sjellja e Lukës prej qytetari me njohuni si pak kush të disa gjuhëve të hueja, italisht, latinisht, greqisht dhe në mënyrë të persosun gjuhen Shqipe. Në 1951 i hapë rrugen per studime jashta shteti në Moskë, në konservatorin “P.I.Çajkovski” në B.S., Luka paraqitet në konkurs dhe porsa perfundon së kënduemi, Drejtori i Konservatorit u çue në kambë tue thirrë: “Otliçno! (shkelqyeshem)”…E nuk do të vonojë kur Shaporin deklaron: “Ky bas asht një Shaljapin i ri, Shaljapini Shqiptar!” Luka i befasoi si artist i madh të gjithë. Ai ishte interpretues në disa gjuhë, tue mësue atje edhe rusishten, frengjishten dhe gjermanishten. Në një turne në shtetet “demokratike” të Europës Lindore, Luka kishte një repertor të gjanë mbi 100 pjesë në 5 gjuhë të hueja. I duertrokitun nga gjithë Europa…

Në 1966 emnohet pedagog i kantos në Institutin e Naltë të Arteve dhe jep kontributin e tij me vlerë në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve. Po, nuk shkon gjatë… Po në 1966…Ramiz Alia, në kuadrin e “Revolucionit Kultural” e largon nga skena!“Mos vallë… ky asht fundi im…!?” Ju ngul në kokë Lukës…Parandjente até që do të ngjiste me 28 Maji 1973..,kur sigurimi i shtetit do ti vinte hekrat Lukës në prani të studentave dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura, me etiketen e njohun të “rrezikshmërisë shoqërore, dhe në emër të popullit arrestohet si armik i tij…” Lukë Kaçaj, djali Fisnik i Bajzës së Kastratit, asht para xhelatëve shpifës e terroristë, kur Nana Tone me lot perfaqe i lutej “trupit gjykues” per djalin e pafajshem të vetin, por dënimi i tij asht i pashmangshem. Luka u dënue me 5 vjet heqje lirie…

“Revolucioni Kultural” antinjerzor e burgosi artistin LUKË KAÇAJ…

Luka ishte “armik i popullit” se kishte recitue vargjet e At Gjergj Fishtes, mësuesit të vet, dhe nuk kishte “harrue endè” me i ra në gjuhen e Tij “Lahutës së Malësisë”, të cilen e adhuroi deri në vdekje. Ana, zonja e Tij e nderueme nuk mungoi as nder telat rrethues me gjema të kampeve.

Luka u lirue nga burgu i “vogel” në vitin 1978. Vazhdoi disa vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë… Në vitin 1988, e bukra Ana, që nuk kishte kursye me shitë edhe “gjakun” per me mbajtë gjallë burrin besnik të saj në burg, mbylli vuejtjet e jetes e mbeshtetun per gjoksin e basit të njohun në Botë, me sy të ngulun tek Luka! Gjendja shndetsore e Lukës nuk u kuptue. Ai e mbante veten! Me 7 Shtator 2001, Luka nuk këndoi kurrma! Komunizmi kerkoi me e varrosë “hamall” të Madhin Lukë Kaçaj, basin e njohun nga të gjitha skenat botnore që e dishruen praninë e Tij.

Ne njohem një brilant të muzikës Shqiptare që nuk i vjen kurrma Asaj…

Ai ishte i madhi Lukë Kaçaj!..

            Melbourne, 6 Shtator 2021.                       

Filed Under: Politike Tagged With: Fritz radovani, Liriku Kacaj, Luke Kacaj

Shqipëria e dosjeve

September 4, 2021 by s p


Nga Agron Gjekmarkaj/


Shqipëria gëlon nga dosjet. Gjithëndoresh janë ato. Pirgu i tyre, tash 30 vjet e para kësaj kohe, është më i lartë se kulla te stadiumi i ri në Tiranë. Por ajo me numër “184”, si emërtim avioni apo luftanijeje, u bë e famshme në Europë nga tabloidi gjerman “Bild” për korrupsionin zgjedhor në vendin tonë. Habiti e ngrata për mënyrën sesi e gjithë qeveria e “Rilindjes” zhytej në të deri nën sqetulla për të frikësuar qytetarët e marrë vota nën siglën e të fortëve, “çunave problematikë” dhe vetë shtetit me policë, xhandarë e zaptije që rrinë zyrave të administratës. Premtoi “drejtësia e re” që do merrej me të, po u dorëzua para saj duke kompromentuar rëndë imazhin e saj si e “pavarur”.Aty brenda ishte Kryeministri më i kujdesshëm në fjalë, por lëvdonjës e përgëzues për trimoshët e tij gjithsesi, por shkëlqimin më të madh në aktivitet e patën ministrat Tahiri e Gjiknuri e ai që dje mori frenat e drejtësisë, punëtori i palodhur i partisë, zoti Ulsi e ca të tjerë me rang më të ulët.Te tre në biseda të shpenguara plot zell e hare, premtonin, kërcënonin e jepnin sihariqe, duke dënuar me vdekje zgjedhjet e lira e të ndershme.Përbetohej Rama se do e shqyrtonte drejtësia këtë shëmti (edhe ky një paradoks tautologjik më vete se ai ishte regjisori dhe fjala i duhej sa për të kaluar radhën), premtonin ndërkombëtarët, e kërkonte opozita me protesta, por ja jemi në piken e metamorfozës si dëshmi që krimi zgjedhor të siguron karrierë.Dje, dosja “184” u promovua me shumë krenari, mburrje dhe sfidë nga Edi Rama. Të gjithë dhunuesit e votës u ndien të nderuar e të respektuar dhe të nxitur për të ardhmen. Lajmi u ra si melhem mbi plagë. Damian Gjiknuri u bë Sekretar i Përgjithshëm dhe drejtues politik i Elbasanit, duke i zënë vendin Taulant Ballës, i cili i përket brezit të politikanëve socialistë para “Rilindje”, tanimë i zënë në kurth dhe i shtyrë në marxhine, nuk duroi pa ia përmendur “tërmetin” e dosjes “184” Gjiknurit. Sot, PS mund të konsiderohet një parti lokaliste e “bregut”. Po kaq u gradua Ulsi Manja si ministër Drejtësie, i cili në tekstet e dosjes shfaqej mjaft aktiv e sokolan, shto këtu edhe drejtimin e komisioneve komike e antikushtetuese.Që kjo do ishte një qeveri shegertësh, shërbëtorësh, byrekblerësish, duke sharruar çdo individualitet politik të mbetur pas sosjes me një fare peshe brenda PS-së si Majko, Braçe, Balla, Klosi, më parë Bushati, edhe ai tani kokulur e plot shpresë, mos e merr Ulsiu si këshilltar kjo merrej me mend, por jo deri aty sa të parashikohej triumfi i dosjes “184”. Dje përdora termin “harem politik”, sigurisht që nuk e kisha atë në kuptimin klasik siç e përdornin sulltanët otomanë apo siç nxituan ta interpretonin sejmenët e agjitpropit, por vetëm si koncept politik pa dallime gjinore, pa pasur aspak qëllim të fyej apo komentoj zonjat e qeverisë në etikën morale. Nuk më mungon ndjesa për to nëse kështu e kanë lexuar.Gjykimi shkon mbi sjelljen politike publike, atë të bindjes dhe nënshtrimit pa kushte, atë të ambicies pa fre, e cila i shndërron në komikë, atë të pjesëmarrjes vullnetare në shkatërrimin e demokracisë, në vjedhjen e zgjedhjeve, në vrasjen e ekonomisë, në shpopullimin e vendit, në votime moniste, në propagandë që themelohet mbi gënjeshtrën e rritet me ritmet e saj, në nxitjen e korrupsionit e tarafit e plot karakteristika shënjuese të këtyre viteve që nuk rilindëm. Kryeministri u shpreh të enjten në “Opinion” për bashkëpunimin me opozitën pa vija të kuqe. E gjitha një retorikë boshe kur sapo ka emëruar në postet më të lartë dy “yjet” e dosjes famëkeqe, kësaj “kryevepre” të Rilindjes, Damian Gjiknurin dhe Ulsi Manjën, të cilët kanë kontribuar më shumë se kushdo për të dhunuar votën dhe proceset e votimit. Ndaj është e vetëkuptueshme që Rama do të bëjë simpatikun pasi ka bërë “hajdutin” me rrenën që bashkon dy skajet e vektorit. Këto dy karriera, ose janë një provokim edhe për ndërkombëtarët, prej të cilëve pritet një reagim, ose, ose, ata përvijohen si miratues dhe palë. Nuk mjafton më gishti që tregon hajdutin. Nuk mjafton më ekspozimi i dosjes “184” si shembull kur më 25 prill gjithë Shqipëria u bë dosje “184” dhe punëtorët e saj bëhen ministra. Ky nuk është më vetëm një problem i opozitës, por edhe i shoqërisë, i elitave dhe i mediave. Të gjithë bashkë, ose duhet ta zgjidhim, ose duhet të bëjmë kinse jetojmë në një vend normal duke e nisur udhëtimin tonë nga hipokrizia për të mbërritur në frikë!!

Filed Under: Politike Tagged With: Agron Gjekmarkaj, politike, Shqipëria e dosjeve

DITA NDËRKOMBËTARE E KRIMEVE TË TOTALITARIZMIT PA RESPEKTIN E MERITUAR

September 3, 2021 by s p

Nga Nail Draga/

Përkujtimi i datave të shënuara paraqet moment të veçantë nderimi dhe respekti qytetar e institucional në çdo vend të botës, por, kur bëhët fjalë për data në nivel ndërkombëtar  sikurse është 23 gushti   qe paraqet Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, ka peshë të veçantë nderimi e përkujtimi ndaj viktimave të regjimeve totalitare.

Por, ndonëse janë bërë tre dekada nga falemintimi i komunizmit si ideologji e socializmit si rënd shoqëror  në vendet e ish kampit socialist ende ka hezitim në përkujtimin e ditës së krimeve të nazizmit dhe të komunizmit, që dëshmon mungesë respekti ndaj viktimave në vendet e tyre. Një qendrim i tillë abuzues u vërejt ditë më parë sepse me 23 gusht si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi mungoj shënimi i kësaj Dite të Kujtesës  që dëshmon  mohimin e heshtur  të institucionëve qeveritare ndaj viktimave të totalitarizmit 

Në sajë të Deklaratës së Parlamentit Europian nga data 23 shtator 2008, Dita e 23 gushtit në Europë është shpallur Dita Europiane e Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Kemi të bëjmë me  një datë simbolike, sepse me 23 gusht të vitit  1939 është nënshkruar Pakti Ribentrop-Molotov, në lidhje me mossulmimin në mes Gjermanisë e Bashkimit Sovjetik.

C:\Users\123456\AppData\Local\Microsoft\Windows\INetCache\Content.Word\FB_IMG_1629738681452.jpg

Një pakt i tillë u pasua nga një traktat për tregtinë, por duhet cekur se palët në mënyrë sekrete nënshkruan shtesa të Paktit  në protokoll, që ishte të ndante Evropën Qendrore sipas interesave, sferave të influencës për palët, nga Finlanda, vendet baltike, Besarabia dhe Polonia lindore të ishin në sferën e ndikimit sovjetik, ndërsa Polonia Perëndimore të ishin nën sferën gjermane, që dëshmohet nga harta.

Se kemi pasur të bëjmë me intrigat politike të këtij pakti në mes dy vendeve të cilat kishin aspiratat pushtuese ndaj vendeve tjera, dëshmon e dhëna se një javë më pas, e pikërisht me 1 shtator 1939, gjermanet sulmuan Poloninë, duke shënuar ditën e parë të hapjës së frontit në Luftën e Dytë Botërore. Po ashtu edhe Bashkimi Sovjetik pushtoi pjesën lindore të Polonisë me 17 shtator 1939, duke dëshmuar në praktikë marëveshjën sekrete në mes dy vendeve, me pasoja të mëdha kombëtare për popullsinë polake por edhe vendet tjera që u pushtuan në emër të ideologjisë komuniste, që u dëshmu me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. 

Por, në rrethana të reja shoqërore pas  falimentimit të ideologjisë komuniste dhe dështimit të sistemit socialist, duke filluar me rënien e Murit të Berlinit(8.11.1989) dhe miratimit të pluralizmit në vendet e ish kampit socialist, filloj rishkrimi i historisë me argumente, duke dëshmuar vuajtjet e përsekutimet e qytetarëve në sistemet totalitare. Dhe është kjo koha e lirisë personale e shoqërore e cila ka eliminuar paragjykimet duke shpalosur të kaluarën e popujve nën pushtetet diktatoriale komuniste me pasoja të mëdha për qytetarët e tyre vendëve, ku as shqiptarët nuk ishin përjashtim, me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare.

Dita e viktimave në Mal të Zi ende e pa përcaktuar

Në lidhje me këtë çështje  Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2006  ka miratuar Rezolutat e Këshillit të Europës: nr. 1096, nga viti 1996, “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe nr. 1481, nga viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, por dita e kujtimit të tyre viktimave deri më tash ënde nuk është përcaktuar. Nga një qendrim i tillë pushteti në Mal të Zi nuk ka respektuar rekomandimin e Parlamentit Europian, duke dëshmuar mungesën e vullnetit politik për tu ballafaquar me të kaluarën.

Po ashtu, Parlamenti europian ka miratuar rekomandimin ku theksohet që çdo vend duhet të përcaktojë kohën dhe mënyrën e shënimit të kujtimit ndaj viktimave të regjimeve totalitare, duke ia përshtatur historisë dhe traditës së tyre. Por, me gjithë obligimet e detyrueshme deri më tash në Mal të Zi kemi një heshtje në këtë drejtim, andaj edhe sot nuk ekziton një datë e cila do të shënohej si Dita e kujtesës së viktimave të komunizmit, sikurse kanë vepruar vendet tjera nga ish kampi socialist.

Qasje të dyfishta të pushtetit


Me këtë rast  duhet cekur se Kuvendi i Malit të Zi në vitin 1992 ka miratuar Deklaratën së shteti obligohet të rehabilitojë viktimat e Goli Otokut(1948), si dhe të  dëmshpërblejë familjet e tyre, çështje e cila ende nuk është përmbyllur nga qeveria.
Nga një qendrim i tillë del qartë  se kemi standarde të dyfishta, duke eliminuar krimet para vitit 1948, ku trajtojnë vetëm ata të Goli Otokut, athu se krimet e komunizmit kanë fillu nga ajo kohë, e jo  më parë nga instalimi i komunistëve në nëntor të vitit 1944. Një qasje e tillë është diskriminuese sepse do të legalizoheshin krimet e më hershme, ndërsa viktimat do të mbeteshin të pa evidentuara ndërsa ekzekutorët të pa ndeshkuar.

Pra, qasja duhet të jetë e pranueshme për të gjithë e jo të ketë diferencime, në aspektin kombëtar, sepse represioni ka pasur  përmasa të mëdha varësisht rrethanave shoqërore. Në këtë aspekt deri më tash  nuk janë cekur fare viktimat e shqiptarëve, sikurse është Masakra e Tivarit(1.4.1945), por edhe të shqiptarëve të tjerë nga Ulqini në jug e Rozhaja në veri,  duke mbetur temë e pa hulumtuar për opinion e gjerë në Mal të Zi.

Krimeve nuk iu skadon afati kohor

Por, në deklaratën e Parlamentit europian  të miratuar në shtator të vitit  2008, në kujtim të viktimave të komunizmit dhe nazizmit thuhet se „në bazë të ligjit ndërkombëtar, nuk skadon kurrë afati për dënimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit“. Andaj, për të trajtuar çështjet e tilla duhet pritur një moment tjetër më të përshtashëm sepse për tash  nuk ekziston vullneti politik i pushtetit, për ballafaqim më të shkuarën e krimeve të komunizmit në Mal të Zi.

Pikërisht duke marrë parasysh së nuk ekziston qasje unike mendoj se duhet  inicuar Ligjin për të rehabilituar qytetarët të cilët kanë përjetuar krime nga koha e komunizmit, nga viti 1944-1990. Madje duhet paraparë dëmshpërblimin ndaj familjeve të viktimizuara, sepse vetëm në këtë mënyrë do të eliminohej një padrejtësi ndaj qytetarëve të pafajshëm në kohen e komunizmit.

Shqipëria vendi me i përsekutuar në ish kampin socialist

Si askush tjetër në Europë, shqiptarët nga Shqipëria kanë arsy ta përkujtojnë këtë ditë, sepse  nga pushteti komunist i instaluar janë ekzekutuar më mijëra me dhe pa gjyq, për liri dhe demokraci për të ndërtuar një shoqëri sipas vlerave demokratike europiane. Të dhënat për periudhën kohore në Shqipëri (1944-1991) janë trishtuese që iu ka tejkaluar nazistëve, e ate nga pushtetarët vendas në emër të ideologjisë komuniste. Deri me tash statistika në Shqipëri ka dhënë këto informacione: 34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike,

59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi, 7.022 prej tyre vdiqën prej trajtimit shatazarak, 984 persona kanë vdekur në burgjet e regjimit, 6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza u ekzekutuan me dhe pa gjyq gjatë diktaturës. Ndërsa nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit.

Krimi komunist shqiptar është krimi më i rëndë komunist në Europë, por akoma më e rëndë se ky krim, është zhdukja e gjurmëve të krimit. Mosgjetja e eshtrave të mbi 4500 të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, dëshmon se pushteti kriminal si qellim kishte për të zhdukur edhe gjurmët e krimit të tyre. 

Mungon memoriali i krimeve të komunizmit

Ndonëse janë bërë  tri dekada nga falemintimi i komunizmit si ideologji e socializmit si rënd shoqëror, ndaj çështjës së krimeve të komunizmit nuk është bërë aq sa ata meritojnë, nderimin e sakrificës për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri. Inicimi dhe inaugurimi  i një memoriali përkujtimor në Tiranë, Prishtinë e Shkup,  është obligim moral dhe kombëtar në nderim të  sakrificës se tyre që kanë kontribuar  për lirinë dhe  demokracinë.   

Përkujtimi i Ditës së Kujtesës është çështje e ndërgjegjës e obligim qytetar e qeveritar  ndaj viktimave të  komunizmit dhe nazizmit, siç ishin  burgosjet, vrasjet, deportimet, internimet, kampet e punës, izolimet etj., me pasoja të mëdha shoqërore e kombëtare, andaj duhet përkujtuar çdo vit, por patjetër të prezantohen  në tekstet shkollore si dëshmi për brezat e sotëm e ato që do të vijnë më pas. 

(1 shtator  2021)

Filed Under: Politike Tagged With: DITA NDËRKOMBËTARE E KRIMEVE TË TOTALITARIZMIT, Nail Draga

Nënkryetari i Vatrës Dr. Pashko Camaj u prit nga kryetari i Komunës Tuz z.Nik Gjeloshaj

September 2, 2021 by s p

Nga Komuna e Tuzit

Kryetari i Komunës së Tuzit, Z. Nik Gjeloshaj, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Z. Fadil Kajoshaj, pritën në takim, nënkryetarin e Federatës “Vatra” – dr. Pashko Camaj. Meqenëse Pashko Camaj, me profesion është doktor i shëndetit publik, në takim u diskutua edhe mbi projektet dhe planet zhvillimore të komunës së Tuzit, por edhe mbi situatën aktuale me pandeminë COVID-19 dhe nevojën e respektimit të masave parandaluese të saj. Takimet e këtilla, jo vetëm se paraqesin nevojë vëllazërore, por ato janë edhe rast i mirë për shkëmbim të përvojave. Lidhur me këtë, dr. Camaj shprehi respekt për mënyrën e menaxhimit të situatës me Covid-19, në komunën tonë, duke apeluar që të vazhdohet në të njëjtën mënyrë. Po ashtu Camaj vlerësoi se me bashkëpunim ndërshqiptarë, çdo gjë mund të arrihet. Nga Komuna e Tuzit

Filed Under: Politike Tagged With: Fadil Kajoshaj, Nik Gjeloshaj, Pashko camaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 262
  • 263
  • 264
  • 265
  • 266
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT