• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DR. VJOSA OSMANI, PJESË E FORUMIT NDËRKOMBËTAR TË LIDERËVE ME FTESË TË NDI

August 19, 2020 by dgreca

Me ftesë të Institutit Nacional për Demokraci (NDI) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani-Sadriu, mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Liderëve, i  cili sivjet u organizua virtualisht për shkak të pandemisë COVID-19. Ky forum ndërkombëtar po organizohet përgjatë javës së Konventës së Partisë Demokratike, nga 17-21 gusht.

Gjatë këtyre ditëve, kur janë ftuar liderë institucionesh e partish politike nga vende të ndryshme të botës, pjesëmarrësve u drejtohen figura të rëndësishme të politikës amerikane, gazetarë, ekspertë e komentatorë, për të diskutuar tema të zhvillimeve politike kombëtare e ndërkombëtare. Sivjet, temat kanë përfshirë rolin e SHBA-ve në politikën e jashtme, avancimin e rolit të gruas në politikë dhe vendimmarrje, mbrojtjen e demokracisë nga dezinformatat etj.

NDI fton liderë ndërkombëtarë për këtë forum që nga viti 1984. Sivjet forumi është hapur nga ish-sekretarja e Shtetit, Madeline Albright, e cila njëkohësisht e udhëheq NDI. 

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani-Sadriu, ka falënderuar Institutin Nacional për Demokraci dhe presidentin e saj, Derek Mitchell, për ftesën, si dhe ka vlerësuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në veçanti rolin kyç që ka luajtur NDI në avancimin e demokracisë në Kosovë.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Vjosa Osmani, lideret, pjese e Forumit Nderkombetar

SI DUHET TË VOTOJNË SHQIPTARËT NË SHBA?

August 18, 2020 by dgreca

Nga Valentin LUMAJ-

(Në vazhdim të një shkrimi të Prof. Sami Repishti, PhD : “Randësia për shqiptarët për zgjedhjet e ardhme në shtetet e bashkueme” në gazetën Dielli:

Randësia për shqiptarët e zgjedhjeve të ardhme në Shtetet e Bashkueme

Si duhet të votojnë shqiptarët në SHBA? Natyrisht sipas idealit të tyre, sipas asaj që besojnë e që u duhet për të ardhmen dhe fëmijët e tyre, që vjen dhe si rezultat i përvojës së tyre dhe realitetit në atdheun e parë dhe të asaj që kanë gjetur dhe arritur, të realitetit në atdheun e dytë, që në fund të fundit i përkasin trajektores së një jete.

Lexova një shkrim të bashkatdhetarit tim, Prof.  Sami Repishti, që m’u duk se na mësonte se si duhet të votojmë. 

Megjithë njohjen e vogël personale me disa shkëmbime telefonatash apo email-esh për çështje të ndryshme të komunitetit, Prof. Repishti ka qenë për mua një ndër ikonat e mia të periudhës post-komuniste, sikurse kanë qenë dhe janë At Zef Pllumbi, Prof. Arshi Pipa, Visar Zhiti etj., shkrimet e të cilëve më kanë dhënë dritë për të qartësuar dhe mbruajtur  ndërgjegjen time në lidhje me veprat makabre dhe egzistencën e komunizmit përpara dhe pas viteve ’90. 

 Veçova shkrimin e fundit të Prof. Repishtit në lidhje me rolin e shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Amerikë. Janë dy momente, të cilat nuk më duket se janë në përputhje me atë çfarë unë kam përceptuar ndër vite nga Prof. Repishti. Në fillim ngurrova të shkruaj, pra të bashkëbisedoj me atë, për këtë çështje, duke menduar se është e drejta e tij, por kur mendoj se cënohet dhe e drejta ime, mendimet e mia, sado të brishta të jenë, nuk arrij që t’i mbaj brenda, por i shpreh me përgjegjësinë e të qënit i ndershëm. 

Shkrimi i Profesorit në përgjithësi është një elozhe e gjatë për kandidatin për president Joe Biden. Bëhet një përshkrim i detajuar i mbështetjes së vazhdueshme dhe i qasjes pro-shqiptare të Biden ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi. Kronologjia dhe informacionet e dhëna janë të sakta dhe unë nuk kam ndonjë kundërshti me çfarë është shkruar në shkrim. Pikërisht është një shënim i autorit mbas shkrimit, po ashtu çfarë nuk është shkruar, të cilat u bënë shkas për këtë reagim.

1-Profesori e mbyll shkrimin me shënimin: “Autori [Sami Repishti] voton demokratët”.

Vuajtja dhe qëndresa e atyre që i mbijetuan burgjeve komuniste si ajo e Prof. Repishti përbën një institucion më vete me të gjitha atributet e një lidershipi ideal e “të heshtur” të masave. Them “të heshtur” në kuptimin se ata si Profesori, kanë zgjedhur penën për të qenë i tillë dhe jo foltoret e rrugëve. Si i tillë, deklarimi: “Autori voton demokratet”, i parë ndryshe është një ftesë e papritur, thirrje jo e duhur apo orientim subjektiv për shqiptarët e Amerikës për të votuar Biden.

-Ashtu siç e njohim ne Prof. Repishtin, ish i burgosur politik, antikomunist dhe kundërshtues i socializmit real, si rrjedhojë dhe i ideve që të çojnë atje dhe përkrahës i ideve konservatore dhe kapitaliste, kjo duhej ta veçonte atë nga Biden, i cili i përket spektrit të majtë politik në Amerikë, që aktualisht duket i ekstremizuar në pandeminë e protestave kaotike tani. Prandaj, deklarimi i tij haptas se voton demokratët, duke u bazuar nga konteksi, qartaz mendoj se vjen jo nga bindjet e tij të real-politikës, por vetem nga fakti se Biden paska bërë kaq shumë për Shqipërinë dhe Kosovën. 

Por, a duhet që shqiptarët të votojnë duke mos u bazuar në bindjet e tyre, majtas apo djathtas? Për sa kohë që unë me formimin tim, të përplotësuar si qytetar amerikan, nuk arrij që t’i jap kuptim dhe dikush të më ndihmojë qe t’a kapërdij këtë, unë mendoj që JO.

-Ne rradhë të parë, gjithçka liderët amerikanë në mbi 100 vjet, Wilson, Regan, Bush-ët, Klinton-ët dhe më së fundi përpjekjet e presidentit Trump për të vendosur paqe të përhershme midis Kosovës dhe Serbisë, të gjitha këto u atribuohen politikës së madhe të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, strategjive dhe interesave të ndërsjellta mes vendeve tona dhe jo individëve të veçantë, duke mos ua mohuar meritat historike këtyre të fundit. 

-Së dyti, presidentët amerikanë dhe amerikanë të tjerë, atë çfarë kanë bërë për shqiptarët e kanë bërë në emër të lirisë dhe të drejtave njerëzorë të popujve dhe kombeve dhe të çdo njeriu, dhe jo për të përfituar kredi politike, aq të rëndomta në rast fushatash elektorale.

-Së treti, vota jepet në bazë parimesh dhe bindjesh politike. Në Amerikë, një qytetar është demokrat, republikan ose i pavarur. Rruge të katërt nuk ka. Dhënia e votës per shkak të favoreve, qofshin këto personale apo kolektive, e tjetërson këtë votë nga e lirë, në të varur. Vota sikurse besimi apo bindje të tjera indivudale, kur ndërrohen për favore, kjo nuk përbën më liri, por biznes dhe në rastin më të keq dezertim dhe nënshtrim.

 Se katërti, shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, ua kanë shpërblyer më së miri me respekt dhe mirënjohje, me alencë shpirtërore dhe jo vetëm, të gdhendur në kujtesë dhe në realitetin e tyre të përditshëm, të gjithë atyre (përfshi edhe Biden) që i kanë përkrahur në rrugën për liri dhe demokraci.

Së pesti, shqiptarët normalisht i ruajnë dhe duhet që t’i ruajnë miqësinë dhe mardhëniet e mira me miqtë e tyre amerikanë. Dhënia apo mos-dhënia e votës atij apo këtij nuk duhet të ndikojë dhe nuk ndikon në nivelin e mardhënieve reciproke dypalëshe, atje ku ka arsye, liri dhe drejtësi.  Siç e kam theksuar edhe më parë, unë mendoj se çështjet e përhershme kombëtare të shqiptarëve nuk duhet të përzihen me fushatat e përkohshme elektorale, qofshin këto dhe amerikane. 

Dhe së fundi, Prof. Repishti si konservator që është, normalisht pritej që të votonte republikanët. Megjithëse është qytetare dhe etike që vota të jetë e fshehtë, deklarimi i tij publik për të votuar demokratët, lë një shije aspak të mirë për republikanët, pasi jo vetëm demokratët kanë kontribuar për shqiptarët. Po sikur presidenti Trump, ashtu siç vendosi paqen me Korenë e Veriut, apo së fundmi paqen mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe,  në takimin dy-palësh në shtator të vëndos paqen edhe në mes Kosovës dhe Serbisë, a do ta ndërrojë votën Prof. Repishti? 

2- Çfarë nuk thuhet në shkrimin e Profesorit është se Biden i përket një partie që aplikon metodat socialiste të zhvillimit, që rrit taksat ndaj klasës së mesme dhe biznesit, që suporton abortin e fëmijve të palindur, që përkrah politikën e kufijve të hapur dhe lëvizjes së lirë ndërshtetërore në kuadër të globalizmit, gjë që shkakton kaosin dhe pandemitë, qofshin dhe vetëm ato ideologjike. Në shkrimin e Prof. Repishti theksohet se Biden e ka filluar karrierën në moshën 28 vjeçare, por nuk thuhet asnjë fjalë se, në historinë e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, Biden është kandidati më i vjetër në moshë. Nuk thuhet asnjë fjalë për shëndetin e tij të lëkundur dhe se sa i aftë është tani për të gjykuar se si duhet udhëhequr Amerika dhe bota për katër vitet e ardhshme. Mjafton të mendojmë se si një presidenti që vuan nga Dementia, mund t’i besohen kodet e armëvë bërthamore që poseodon Amerika! Nuk thuhet asnjë fjalë që Biden ka përqafuar idetë e një grupimi të ekstremit të majtë, një pjesë e mirë e të cilëvë flitet të jenë përfshirë në aktet e pedofilisë apo të trafikut njerëzor. Nuk thuhet për historinë e tij të gënjeshtrave dhe abuzimeve me pushtetin apo sjelljet e tij të pështira me gratë dhe vajzat. Sikur të thuheshin edhe këto, atëherë shkrimi do të quhej i balancuar.

Artikulli i Prof. Repishti, i parapriu një deklaratë të një grupi shqiptaro-amerikanësh nën logon fiktive “Albanian Americans Endorse Biden, Harris”, të përbërë nga anëtarë, funksionarë dhe pjestarë aktivë të fushatës së Biden të cilët vetëm po bëjnë detyrën, si dhe të tjerë anonimë apo të famshëm vetëm për biznesin e tyre. Disa nga këta na kujtojnë emra të njohur të nomenklaturës komuniste dhe programet e tyre se si të manipulojnë Diasporën. Kryesia e këtij grupi, që siç flitet, financohet nga fonde të turbullta të filantropit të ekstremit të majtë Soros, në vazhdimësi kanë ngirë mendjen e tyre me iluzione se përfaqësojnë komunitetin shqiptaro-amerikan. Ne fakt, ata nuk perfaqesojnë as mua e as shqiptaro-amerikanët, përveç vetes së tyre me një votë. Bie në kujtesë letrën denigruese e kohëve të fundit që pjestarë të këtij grupi, gjoja në emër të një million shqiptarëve të Amerikës, i dërguan Presidentit Trump. Ndjehem mire dhe i sigurtë se Trump do ta fitojë edhe një mandat të dytë edhe pa votën e tyre, por e keqja është se këta persona, për interesa të imëta meskine dhe korruptive, po i sjellin dëm të madh çështjve kombëtare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. 

Po ashtu ndiej keqardhje, kur në këtë listë dalloj emrin e Prof. Sami Repishti, i vetmi PhD aty, i cili nuk vjen as nga fusha e biznesit e as nga rruga, por mbi kurrizin e përkulur mban peshën e viteve të persekutimit, të viteve të jetës së gjatë dhe peshën e botës akademike të formimit nga e cila ai vjen. Vuajtja e njeriut Sami Repishti në burgjet e regjimit, ku sundoi e majta, pavarsisht se “të majtat” nuk janë njëlloj nga njëri vend në tjetrin, janë një vuajtje njëlloj për të gjithë ne, e shkruar në lëkurën e gjithë shqiptarëve. Nisur nga kjo, rreshtimi në bllok majtas, përbën surprizë, sigurisht surprizë të keqe për brezin tim dhe ata më të rinj, që prisnim nga Profesori të na drejtonte në kahën e duhur, të kundërt me kahën e së cilës ai i doli një herë e mirë nga kthetrat dhe i mbijetoi. 

Shqiptaro-amerikanët, meqenëse Amerika ua ka dhënë mundësinë që të prosperojnë, të integrohen dhe si askund në botë, të mos ndihen të diskriminuar por të barabartë me vendasit, duhet të votojnë si amerikanë, në përputhje me idealet dhe botëkuptimet e tyre personale, me principet tyre, ku përfshij dhe ato fetare e shpirtërore, në lidhje me familjen, me zhvillimin shoqëror, me zhvillimin ekonomik, me të drejtat njerëzore dhe mbi të gjitha duhet që votën ta japin për të ardhmen e fëmijve të tyre dhe gjeneratave të reja shqiptaro-amerikane që po rrisim këtu. Pa harruar të kaluarën tone. Kush harrontë kaluarën, është i dënuar të durojë përsëritjen. Fëmijët tanë dhe Amerika në rradhë të parë dhe Shqipëria mbas, si aleate e Amerikës. Ky është luajaliteti që i kemi premtuar Amerikës kur u bëmë qytetarë të këtij vendi. Në të njëjtën kohë, si detyrë ndaj atdheut dhe kombit, mbas çdo zgjedhje presidenciale, të punojnë ngusht me çdo President, i cilësdo partie qoftë dhe të lobojnë në Kongres dhe Senat në interes të çështjeve tona kombëtare. 

*(Nuk dua të them që “Autori voton republikanët)

Michigan, 17 Gusht 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Shqiptaret ne SHBA, Si duhet te votojne, Valentin Lumaj

INDIFERENTIZMI I SHQIPTARËVE NDAJ NËNË TEREZËS!?

August 17, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli-

Disa ditë më parë shkrova një artikull për shqiptaro-amerikanin Lekë Gojçaj i cili ndërroi jetë javën që kaloi në Nju Jork, për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë e tij prej bamirësi, përfshir, ndër të tjera, edhe ndërtimin e disa shtatoreve të Nënë Terezës, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Në librin e tij, “Shtatoret e Përjetësisë”, Lekë Gojçaj flet për sponsorizimin (me vëllain e tij Pashkon) të disa shtatoreve kushtuar Shenjëtreshës Nenë Terezës, në trojet shqiptare dhe në Amerikë.  Këtë, vëllëzërit Gojçaj e bënë si pjesë e përpjekjeve të tyre për t’ia bërë të njohur këtë bijë të dalluar të Kombit Shqiptar, një bote të dyshimtë e cila ende nuk e njihte origjinën e saj shqiptare si duhej, ose e njihte bazuar në keq identifikime dhe në informacionin që sot konsiderohet si “fake news”, që përhapej nga sllavët e jugut dhe të armiqëve historikë të Kombit shqiptar.  Nga libri nuk është krejtësisht e qartë se pse ata nuk ndërtuan një shtatore kushtuar Nenë Terezës në Shqipëri.

Megjithkëtë, duhet thenë prej fillimit, se Shqipëria vërtetë e ka nderuar Nenë Terezën me një ditë kushtuar asaj –Dita e Nenë Terezës – e shpallur festë publike.  Aeroporti i Tiranës, mban emrin, Aeroporti Ndërkombëtar Nenë Tereza, sheshi i dytë më i madh në Tiranë, quhet Sheshi Nënë Tereza dhe spitali më i madh civil në Tiranë mban gjithashtu emrin e saj.  Prandaj ka giasë që indiferentizmi ndaj statujës ose statujave të saj në Shqipëri është më shumë një pa kujdesje, ose një braktisje e përgjegjësive nga entet përkatëse qeveritare, që shfaqet edhe ndaj shumë monumenteve historike të personaliteteve të tjera shqiptare (por jo ndaj monumenteve të huajve në Shqipëri).

Sidoqoftë, edhe në Shqipëri ka dy shtatore të Nenë Terezës të sponsorizuara, me sa dijë unë, nga autoritetet shqiptare.  Njëra shtatore e Nënë Terezës ishte vendosur, fillimisht, në një skutë pranë universitetit të Tiranës dhe në sheshin që mban emrin e saj në kryeqytetin shqiptar.  Gjithmonë kur vizitoja Tiranën, gjatë viteve, nuk hezitoja të shkoja andej pranë universitetit për të parë, “gjëndjen e Nënë Terezës në Atdheun e saj”, gjëndje e cila nuk ndryshonte, nga viti në vit, ashtu e “veshur” me shkurret që e rrethonin dhe nuk ndryshonte as për nga indiferentizmi i hapët që tregohej ndaj asaj shtatorjeje, që ishte vendosur në një skutë që mezi shihej nga kalimtarët, por në qendër të Tiranës.  Për t’i ra shkurt bisedës, kishte edhe një përmendore tjetër të Nënë Terezës – ajo që ishte vendosur në hyrje të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës.  OK, busti që ishte tek universiteti, i ç’vendosur prej atje është vendosur në hyrje të aeroportit ndërkombëtar në Tiranë — se dikujt nuk i pëlqente ajo statujë që ishte vendosur aty më parë.  Atëherë, ajo statuja gjigante e Nenë Terezës që dominonte hyrjen tek aeroporti Rinas (më vonë aeroporti Nënë Tereza), është ç’vendosur prej aeroportit, për t’i lëshuar vendin statujës së Nënë Terezës që ishte pranë Universitetit të Tiranës. Në këtë ndërkohë, për një periudhë, duke mos ditur ç’të bënin me të, statuja e aeroportit ishte hedhur në një depo, së bashku me disa statuja të kohës së komunizmit. 

Por saga e kësaj statuje nuk mbaron këtu.  Kërkoj ndjesë nëse e konfuzova lexuesin. Nuk di nëse e shpjegova si duhet deri këtu, po qëndroni gjithnjë me mua, i dashur lexues?  OK. Statuja që ka qenë në Rinas nxirret më në fund nga depoja ku ishte hedhur dhe transportohet nga Tirana në Qafë Thanë, në kryqëzimin e rrugëve mbi liqenin e Pogradecit, ose liqenin e Ohrit, ku qendron edhe sot.  E tani, kemi ardhur, pikërisht, tek subjekti i këtij shkrimi.

Siç duket, të frymëzuar nga dy shkrimet e fundit që kam bërë për Nenë Terezën: nga vlerësimi i librit të Prof. Gëzim Alpion mbi Nenë Terezën, muajin e kaluar https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-nene-tereza-shenjteresha-dhe-kombi-i-saj-e-autorit-dr-gezim-alpion/, dhe nga shkrimi disa ditë më parë mbi librin e Lekë Gojçajt për Shtatoret e Përjetësisë, https://telegraf.al/opinion/nderroi-jete-leke-gojcaj-i-shtatoreve-te-perjetesis — kanë nxitur lexuesit të më dërgojnë komente dhe foto nga vendi ku është vendosur përmendorja e Nenë Terezës, në Qafë Thanë, pasi, thanë ata, shpesh kalojnë nga kjo rrugë ku është vendosur Përemendorja e Shenjtëreshës shqiptare.  Fotot flasin për një braktisje të dukshme dhe mungesë kujdesjeje nga entet qeveritare që janë përgjegjëse për monumente të tilla të kulturës shqiptare, përfshir Kryeministrinë, Ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Prenjasit, e tjera.

Lexuesit, që kalojnë andej shpesh, janë të revoltuar se përemendorja e Nënë Terezes e vendosur në atë kryqësim rrugësh, madje as nuk identifikohet me emrin e saj, as edhe me ndonjë thënje identifikuese të saj. Sugjerim: “Gjithmonë, shpirtërisht, jam e lidhur me uratë dhe dashni me popullin tem Shqiptar, sidomos në kohë të vështira…”, është shprehur Nënë Tereza siç sugjeron edhe titulli i librit, “E kam në zemër popullin tim Shqiptar”, sipas biografit të Nënë Terezës, të Përndershmit Dom Lush Gjergjit.  “Shumë luti Zotin që paqja e Tij të vijë në zemrat tona, në të gjitha familjet tona dhe në të gjithë botën”, ka shkruar me një rast, Nënë Tereza, sipas Librit  “E kam në Zemër Popullin tem Shqiptar—Bisedime me Shën Nenën Tereze”, të Dom Lush Gjergjit. https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-nene-tereza-e-kam-ne-zemer-popullin-tem-shqiptar/  Aty qendron busti i Nënë Terezës, i vendosur ku kryqësohet rruga për në kufi midis Maqedonisë e Shqipërisë – ashtu pa emër dhe pa identitet.  “Aty Nënë Tereza, vazhdon të duket si një punonjëse trafiku.  Dikush që nuk e di kush është, vështirë të besoj se ajo është Nënë Tereza”, më shkruan i zemëruar një lexues nga Shqipëria që kalon andej shpeh dhe vazhdon: “Nuk ka emër, bari është i djegur e shpesh era hedh në këmbet e saj mbeturina e qese.  E trishtë por e vërtetë!  Nuk di, nuk di ta shpjegoj.  Ndërkohë që ruajmë monumente të emrave që nuk njohim apo që kanë dëmtuar Shqipërinë…nuk dimë të respektojmë ato që realisht e lartësojnë këtë vend”, shkruan lexuesi, me të drejtë i acaruar për ato që ka parë.

Sipas rrugëtarve, statuja e Nënë Terezës është vendosur pranë rrugës majtas që të drejton për në kufirin Shqipëri Maqedoni e Veriut, për të shkuar në Pogradec e më tej në kufirin me Greqinë duhet të marësh drejt, shkruajnë lexuesit.  Këtu ngrihet, sipas tyre, busti i Nënë Terezës që duket sikur i jep bekimin e saj kujdo që kalon aty.  Ata e përshkruajnë shtatoren aty, të rrethuar vetëm nga një bar i thatë e disa bimë shkure, mbeturinat janë hedhur sa andej ketej. “E trishtë, por e vërtetë”, shprehet lexuesi, duke shtuar se, “Nuk besoj se kjo gjë ndodh në ndonjë vend tjetër të botës.  Çdo vend tjetër do krenohej me këtë figurë që nuk ka ngurruar kurrë të thotë që ka gjak shqiptari!”

Vërtetë e trishtë gjëndja e shtatores së Nënë Terezës në Qafë Thanë.  Qendron atz, e braktisur nga entet e kulturës shqiptare, pa emër e pa identitet! Si e huaj, megjithëse në vend të vet!  Trishtues është indiferentizmi dhe mos kujdesi për monumente të tilla kombëtare, anë e mbanë Shqipërisë.  Duhet të jemi të sinqert, se megjithëse trishtohemi kur shohim monumentin e Nenë Terezës në këtë gjëndje, për fat të keq edhe monumente të tjera në Shqipëri, nuk trajtohen shumë më mirë se ai i Nënë Terezës në Qafë Thanë.  Për këtë indiferentizëm ndaj personaliteteve shqiptare, siç është Nënë Tereza dhe për mos kujdesje ndaj kulturës dhe personave që përbëjnë identitetin dhe historinë e Kombit Shqiptar, dikush duhet të jetë përgjegjës, qoftë në nivel qendror, qoftë atë vendor.  Të pakën, në këtë rast, por edhe në përgjithësi, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për të pastruar vendin për rreth përmendores, që sipas fotografive bashkangjitur këtij artikulli të marra nga vendi, para 4-5 ditësh, statuja duket krejtësisht e braktisur, pranë një rruge që tërheq turistë vendas dhe të huaj. Nga fotot, nuk më duket një pamje që i jep nder Shqipërisë dhe as nuk nderon shqiptarët kudo që jemi dhe aq më pak Nënë Terezën, këtë figurë të madhe, që siç u shpreh edhe një lexues, që çdo vend tjetër do të ishte krenar ta kishte.

Jeta në të gjallë e Nënë Terezës ishte një jetë sakrificash të mëdha, pa bujë e në ndihmë të njerëzve në nevojë.  Ndaj edhe nëse fondet për lule apo germa bronzi mungojnë për të identifikuar Nënë Terezën në Qafë Thanë(!!!) emri i Nënë Terezës mund të shkruhet edhe me një grusht gurrësh të mbledhur, aty pranë, në zallin e liqenit.  E kjo nuk do kërkonte asnjë shpenzim -veç zemrës së bardhë, dashurisë e një vullneti të mirë.  Në kryqëzim të kufijve, ajo qendron shumë bukur aty, por pakkush nga të huajt apo edhe të tjerë e dinë se kush është. Në minimumin, vendosja e emrit për ta identifikuar Nenë Terezën është detyrim, është respekt për veten por edhe për misionin e Nënë Terezës, një mision fisnik që duhet të vazhdojë.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Indiferentizmi i shqiptareve, Nene Tereza

Shqipëria është “pa kokë, pa shpatulla dhe pa këmbë”

August 16, 2020 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Viti 2020 është viti i përkujtimit të dy përvjetorëve për familjen time. Më 18 shkurt 1970, në moshën 80-vjeçare, ndërroi jetë Babai im i dashur Hasan Ymeri. Kurse më 16 gusht 1980, po në moshën 80-vjeçare, ndërroi jetë nëna ime e shtrenjtë Hanko Ymeri.
Çdokush prindërit i kujton me nderimin dhe respektin më të madh, sepse ata janë njerëzit më të shtrenjtë të jetës së tij. Ata janë busulla orientuese, janë ylli i karvanit për fëmijët e vet, të cilët i rritin dhe i edukojnë me një kujdes të jashtëzakonshëm.
Kur kthej kokën prapa dhe kujtoj rrugën e jetës që kam ndjekur sipas këshillave që më patën dhënë prindërit që në moshë të vogël në fshatin Mesaplik, njëri nga katër fshatrat e Smokthinës së Vlorës, ku jetonte familja jonë, them me plot gojën se ata, ashtu si edhe të gjithë prindërit për fëmijët e tyre, kanë qenë shenjtorë për mua dhe menjëherë më vijnë në kujtesë ca fjalë të arta të disa prej personaliteteve të shquara të lashtësisë, si Menandri (342-291 p.e.r.), komediografi i lashtësisë greke, i cili ka lënë një këshillë fort të vyer për pasardhësit:
“Prindërit nderoji gjithmonë, ashtu si edhe Hyjninë”.
Vlera mjaft të çmuara edukative përcjellin fjalët e Ciceronit (Marcus Tullius Cicero – 106-43 p.e.r.), filozofit, oratorit dhe personalitetit politik të lashtësisë romake, i cili theksonte:
“Dashuria ndaj prindërve është themeli i të gjitha virtyteve”.
Më kujtohet Horaci (Quintus Horatius Flaccus – 65-8 p.e.r.), poeti i “shekullit të artë” të letërsisë romake, i cili thoshte:
“Virtytet e prindërve janë paja më e madhe për fëmijët”.
I ati i Babait, i sëmurë nga pleviti, pati ndërruar jetë në moshë 45-vjeçare, duke i lënë në ngarkim tre vëllezër dhe dy motra më të vegjël. Motrat i martoi, vëllezërit gjithashtu, duke u ndërtuar secilit shtëpi më vete. Vëllai i tij më i vogël, Baxhuli, nuk arriti ta gëzonte jetën pas martesës. Ai qe plagosur në Luftën e Gjormit, në përpjekje me trupat e milicisë fashiste në dhjetor të vitit 1942, kurse në shkurt të vitit 1944, si partizan i Brigadës së Pestë, ra dëshmor në një përpjekje me trupat gjermane në afërsi të fshatit Pilur.
Vëllai im më i madh, Selfoja, në vitin 1948, kur ishte 21 vjeç, si shumë të rinj, pati shkuar vullnetar për gjashtë muaj në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë dhe Peqin-Elbasan. Kur u kthye, Babai dhe Nëna u gëzuan shumë. Në darkë, kur ishim shtruar për të ngrënë, vëllai i tha Babait se në hekurudhë ishte pranuar si kandidat partie. Babai buzëqeshi paksa me ironi dhe i tha: “Po ç’pate, more bir, që i hodhe vetes një zinxhir për gryke?”. Babai nuk kishte pasur simpati për komunistët që gjatë luftës, sepse ata i kishin vrarë padrejtësisht baxhanakun e tij, Murat Hasimin, krejtësisht i pafajshëm. Njëri nga komunistët e fshatit banonte në një kodër, përballë Muratit, matanë një përroi, në shtëpinë e të cilit, që asokohe, ushtonte muzika nga pllakat e gramafonit. Kur dëgjonte tingujt e muzikës, ai komunisti, siç më ka rrëfyer Babai, thoshte me smirë dhe inat: filloi kuja në shtëpinë e Muratit. Që asokohe Murati vishej “allafrënga”, në Vlorë kishte një dyqan të vogël.
Njësiti i Smokthinës, në fshehtësi, kishte hartuar listën se kë duhej të pushkatonte. Në atë listë figuronte edhe emri i Muratit. Një ditë të bukur, kur Murati sapo ishte kthyer nga Vlora, njësiti e arreston dhe vendos ta pushkatojë, paçka se ai s’kishte bërë asnjë krim. Që asokohe Babai pati ruajtur brenda vetes një mëri të heshtur kundër komunistëve.
Nga Babai i ruaj të pashlyera në kujtesë disa këshilla dhe porosi që më pati dhënë, sidomos derisa mbarova shkollën e mesme, dhe një mendim shumë të çmuar, të cilin e kam pasë vlerësuar lart deri tani, kur po i afrohem moshës 82-vjeçare, mendim që më shërbeu edhe si titull i këtij shkrimi.
Më 30 gusht të vitit 1955, në oborrin e shtëpisë sonë, kur po më përcillte për të vazhduar Gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë, për ku do të më shoqëronte i ndjeri vëllai i madh, Babai më dha tri porosi:
E para: “Dëgjo, bir i Babait, ki parasysh se këtu e tutje do të jesh larg nënës e Babait. Prandaj ki mendjen, të jesh i kujdesshëm në jetë se Shqipëria është baltë e mallkuar, e ka mallkuar Zoti se shqiptarët nuk e duan njëri-tjetrin. Kur shqiptarët ta duan njëri-tjetrin, atëherë Zoti do ta bekojë baltën shqiptare”.
Disa dhjetëvjeçarë më vonë, Nënë Tereza, 42 vjet pas porosisë së Babait tim, dhe pikërisht pas katrahurës së vitit 1997, erdhi për vizitë në Shqipëri. Para se të hipte në aeroplan për t’u larguar nga aeroporti i Rinasit, ajo iu drejtua Zotit:
“O Zot, hiqja mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”.
E dyta: “Atje në gjimnaz përpiqu të jesh i pari në mësime, siç ke qenë këtu në shtatëvjeçare. Por po nuk pate mundësi të jesh i pari, mundohu të jesh mes të parëve dhe atë që është i pari, ta duash dhe ta respektosh si veten tënde, se po pate smirë për të, do t’i bësh shumë dëm kokës”.
Falë kësaj këshille aq të çmuar, nuk e kam njohur kurrë smirën në jetën time dhe ata që kanë qenë më të aftë se unë, i kam nderuar dhe respektuar si veten time.
E treta: “Mos vër kurrë dorë në mallin e botës se, siç të kam thënë dikur, do ta kesh dëmin njëqindfish. E kam porosi nga i ndjeri im atë”.
Këtë porosi Babai ma kishte dhënë që kur isha nxënës në klasën e gjashtë të shtatëvjeçares. Përveç porosisë së të atit, ai kishte pasur edhe një përvojë të hidhur nga jeta e vet. Njëherë, diku aty nga fillimi i viteve ’50, ai kishte shkuar për pazar në Vlorë, e cila ndodhet 54 km larg Smokthinës. Kështu që, për të qenë në Vlorë ditën e pazarit, pra, të dielën në mëngjes, ai nisej me kalë nga Smokthina të shtunën, në të perënduar të diellit, dhe udhëtonte gjatë natës. Atë ditë, pasi kishte blerë gjërat që i duheshin, qe nisur për në Smokthinë pa perënduar dielli. Kishte kaluar mesi i shtatorit. Kur kishte edhe dy orë natë, ai pati arritur në anën e djathtë të lumit të Smokthinës, përballë shtëpive tona, që ndodheshin në një gjysmë lartësie të anës së majtë të lumit. Aty, çuditërisht, kishte sjellë ndër mend atë porosinë e të atit për të mos vënë dorë në mallin e botës. Dhe, aty për aty, kishte thënë me vete: do ta provoj një herë për të mos e vënë në zbatim atë porosinë e tim eti dhe do të shikoj nëse do ta kem dëmin njëqindfish ose jo”. Pati zbritur nga kali dhe i qe afruar një are me misër që ndodhej në anë të lumit, pronë e një fshatari nga fshati Ramicë. Kallinjtë e misrit ishin të shëndetshëm. Këputi njërin prej tyre, i hipi kalit dhe u nis për në shtëpi. Kur arriti, lidhi kalin dhe i hodhi haje, kurse vetë shkoi pranë furrës që kishim në oborr. Nëna, zakonisht, që në darkë, thëngjijtë i mbulonte me hi që të mos fikeshin, në mënyrë që të nesërmen ta ndizte zjarrin me lehtësi. Aty ai i zbuloi, u hodhi ca lëmishte përsipër dhe ndezi zjarrin, zhveshi kallirin e misrit, e poqi, e hëngri dhe shkoi të flinte. Njerëzit e shtëpisë të gjithë ishin në gjumë. Natën e nesërme, gjë që nuk kishte bërë vaki kurrë, një tufë derrash të egër, zbresin nga pyjet në lindje të shtëpive tona, hyjnë në arat me misër dhe batërdisën një dynym e gjysmë. Kur njëherë pati qëlluar që t’i kthehej kësaj ndodhie, unë i thashë me shaka: po ndoshta rastisi që derrat e egër atë natë dëmtuan arat tona, jo se shkaktar qe ai kalliri i misrit që ti more nga ara e huaj. Jo, bir i Babait, – ma ktheu ai. – Ishte ndëshkim nga Ai atje lart në qiell, sepse syrit të Tij nuk i shpëton asgjë nga prapësitë që bëjnë njerëzit këtu në Tokë. Po ja, filani, – ndërhyra unë, – dhe i përmenda emrin e dikujt nga fshtarët, i cili njihej si njeri që vinte dorë në mallin e botës dhe s’kishte pësuar gjë. Prit, bir i Babait, – ma ktheu ai, – se të ligën e ka pas veshit, se kështu është taksur nga Ai lart, që shtëpia jonë ta pësojë menjëherë kur vë dorë mbi mallin e tjetrit, kurse ai që më përmend ti, do ta pësojë më vonë të ligën, mbama mend llafin. Dhe me të vërtetë: ai fshatari pati hipur dikur në hardhinë e tjetrit për të marrë rrush, rrëzohet prej andej dhe mbeti i paralizuar gjatë 18 vjetëve, derisa ndërroi jetë.
Në maj të vitit 1956, mbarova klasën e parë të gjimnazit në Vlorë dhe u ktheva pranë familjes. Komunistët kishin filluar fushatën e ethshme për kolektivizimin e bujqësisë. Ishte muaji qershor. Po korrnim grurin. Bënte vapë dhe vendosëm të çlodheshim pak në hijen e një peme. Ndërhyn Babai: “Këta komunistët qenkan bijtë e djallit, kërkojnë të na marrin tokat dhe bagëtitë dhe të na kthejnë në argatë të shtetit”. Ç’t’i thoshja? Po ndoshta e kanë për mirë, o Baba, – ia ktheva unë. Në fund të majit të vitit 1959, mbarova mësimet e klasës së katërt të gjimnazit dhe gjatë qershorit do të kishim provimet e maturës. Shkova pranë familjes dhe çdo javë kthehesha në Vlorë për dhënien e tyre. E mbaj mend si sot. Ishte data 10 qershor. Po hanim drekë nën hijen e shtratit të hardhisë në oborr. Më 25 maj pati ardhur për vizitë Nikita Hrushovi. Qëndroi tetë ditë në vendin tonë dhe u largua më 03 qershor. Babai pyeti: “Po ky Enveri pse nuk bisedoi me Hrushovin që të ndërhynte te Titua për ta kthyer atë Kosovën këtej nga ne, se ajo është truall shqiptar, është toka jonë?”. U zura ngushtë dhe s’dija ç’përgjigje t’ jepja. I thashë se ndoshta i ka ardhur zor, meqenëse e kishte mysafir. Atëherë ai ma kthen: “Dëgjo, more djalë i Babait! Shqipëria, në këtë gjendje që është, duket si një kopaç përdhe, se kështu na e katandisi Evropa për fajin tonë që s’qemë të zotë t’i mbrojmë tokat tona. Në këtë gjendje, kjo e shkretë Shqipëri është pa kokë, pa shpatulla dhe pa këmbë. Po nuk u bashkuan koka, shpatullat dhe këmbët, ky vend jo vetëm që nuk do ta marrë veten kurrë, por edhe bota do të tallet me të. Dëgjomi këto fjalë që po të them se ti je i ri, e ke jetën përpara, kurse unë sot për nesër jam”. Me “kokë” ai kishte parasysh trojet tona në Mal të Zi dhe Kosovën, me “shpatulla” – trojet e sotme në Maqedoninë Veriore dhe me “këmbë” – Çamërinë. Fakti që Shqipëria s’ka qenë në gjendje të ndërtojë shtet ligjor edhe gjatë këtyre tridhjetë vjetëve, vërteton se ajo s’ka për ta ndërtuar kurrë pa ribashkimin e trojeve tona etnike, që nga Arta e Preveza e deri në Tivar, hapësirë kjo, në të cilën jetojnë gati 10 milionë shqiptarë.
Presidiumi i Kuvendit Popullor, me vendim nr. 4040, datë 14 korrik 1965, Babain, si veteran i Luftës së Vlorës, e dekoroi me medaljen “Për veprimtari patriotike’, me motivacionin “Për trimërinë, guximin dhe vetëmohimin që tregoi në luftë kundër pushtuesve imperialistë italianë më 1920 për çlirimin e Vlorës”.
Ky ishte një gëzim i madh për familjen tonë. Babai ishte vazhdues i traditave atdhetare të pararendësve të vet. Gjyshja e tij nga Babai, Kale Hodja, ka qenë e bija e Hodo Ali Nivicës, e njërit nga udhëheqësit e shquar të kryengritjes antiosmane në mesin e shek. XIX kundër Reformave të Tanzimatit, përkrah Tafil Buzit dhe Zenel Gjolekës, stërgjyshërit e tij, Lulo dhe Muk Bajrami, bashkëluftëtarë të Bilbilenjve të famshëm të Progonatit të Kurveleshit, me urdhër të pashait, janë varur në Rrapin e Janinës dhe në një këngë të vjetër të rapsodit smokthinjot Xhevit Zeneli janë dy vargje: Lulua me Muk Bajramë / gji në gji ç’e dhanë xhanë.
Me respekt dhe nderim të madh kujtoj Nënën e shtrenjtë, e cila njihej për zemrën e saj bujare, për ngrohtësinë e jashtëzakonshme të shpirtit human, për natyrën e saj aq mikpritëse, saqë banorët e lagjes sonë Parika thoshnin: “Hankua i pret mysafirët me bukë që në oborr”, sepse ishte mjeshtre e vërtetë në përgatitjen e gatesave nga më të ndryshme. Veç kësaj, ajo ishte e famshme për punë artistike në vegjë, nga e cila nxirrte qylyma shumë të bukur shumëngjyrësh. Ngrohtësia e shpirtit të saj ishte e përmasave mitike në edukatën që na jepte neve, si fëmijë. Fjalët e saj “kujdes në jetë, të keqen Nëna, që as mizën të mos e shkelni me këmbë”, qenë skalitur për jetë në kujtesën time dhe të të dyja motrave dhe vëllait të madh, Selfos, që prehen në atë jetë. Ajo ishte bijë e një familjeje të madhe nga fshati ynë: ishin shtatë motra dhe katër vëllezër. Njëri prej vëllezërve, Selim Tahiri, kishte dalë partizan dhe pati rënë dëshmor në Jugosllavi. Babai i saj, Abedin Tahiri, kishte marrë pjesë në Luftën e Janinës. Ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare. Duke marrë parasysh fëmijët e tezeve, të dajave, të xhaxhallarëve dhe të hallave, ne bëheshim 72 kushërinj të parë.
Unë me time shoqe, Havanë, jemi përpjekur që, të dy fëmijët tanë, djalin dhe vajzën, t’i rritim dhe t’i edukojmë sipas këshillave dhe porosive të prindërve tanë. Dhe ne e ndiejmë veten krenarë me sjelljen e tyre. Të dy erdhën për studime universitare këtu në Shtetet e Bashkuara (djali në vitin 1996, kurse vajza në vitin 1998), ku mbaruan dy fakultete secili dhe tani janë të nderuar në vendet e punës ku japin kontributin e vet.
Me rastin e përkujtimit të datës 18 shkurt dhe 16 gusht, kur Babai dhe Nëna ime patën ndërruar jetë, respektivisht në vitin 1970 dhe 1980, dëshiroj me gjithë zemër që gjithë prindërve dhe fëmijëve të tyre, t’u drejtohem me urimin në vijim:
Qofshin të bekuar prindërit që i edukojnë fëmijët me virtyte të larta! Qofshin të bekuar fëmijët që prindërit i nderojnë po ashtu si edhe Hyjninë!
Kolumbus, Ohajo
16 gusht 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Eshref Ymeri, pa koke, shqiperia

LETRAT E MUSINE KOKALARIT NE KOHEN E LENGIMIT PREJ KANCERIT…ANTIMJEKSIA QE I MORI JETEN…

August 13, 2020 by dgreca

– Me rastin e 13 Gushtit, Ditëlindjes të Shkrimtares disidente Musine Kokalari- Lindi më 10 Shkurt 1917 në Adana, Turqi, vdiq në internim më 13 Gushat 1983, në Rrëshen-
NGA EGLANTINA MANDIA*-
Spitalit Nr.2Klinika OnkologjikeReparti i KirurgjisëTiranë
Në datën 13 tetor bëra kontrollin e fundit në KlinikënOnkologjike. Në përfundim të konsultës, Dr. Naun Theodhosimë tha që pas dy jave të vish. Do të shtrohesh dhe do tëoperohesh. Pra, më takon të shtrohem, sipas fjalës së tij, më28 Tetor.Mirëpo, herën e fundit që erdha në Tiranë, më ështëdashur të kërkoj për vend në shtatë hotele dhe mezi gjeta nëhotelin e ri “Tirana”, vetëm se një odë, ishte e zënë nga njëgrua. Ardhja ime në Tiranë, përputhet me kohën që vijnëdelegatet nga vendet e jashtme veç turistëve, në pragun eKongresit të VIII. Pra, hotelet janë të zëna dhe në rast se dikumund të mbetet një vend, janë shumë të tjerë para meje, qëtë marrin. Kongresi vazhdon çdo ditë, delegacionet rrinë edhemë prapa. Kjo është arsyeja që po shkruaj këtë letër, me anën e së cilës, kërkoj të shtrohem jo në mëngjes, po pasdite, si të arrij në Tiranë me trenin e orës dy e gjysmë. Për këtë shkak, unë do të dërgoj telegramin me përgjigje të paguar. Kur të kem ditën e caktuar dhe orën e pasdites, unë vij. Në rast se shtrimi duhet patjetër në mëngjes, atëherë jam e detyruar të vij një ditë më parë, po ama natën do ta kaloj në korridorin e spitalit, se nuk do të rri në rrugë.Tani zgjidhja e drejtë varet në dorën tuaj.Rrëshen, 16 Tetor 1981Pres përgjigjeMe nderime MusineKokalari
LETRA 2Drejtorisë Spitalit Nr.2Klinika OnkologjikeReparti i KirurgjisëTiranë
Është hera e dytë që po i drejtohem Drejtorisë. Shkaku ështëse ndodhem larg dhe s’kam mundësi të vij, të pyes e të shkoj. Unë kam hyrë në rrugën e mjekësisë për kurim me anën e rekomandimit të kirurgut të Rrëshenit; të cilin s’e kam njohur as atë, as mjekët e onkologjisë. Kjo filloi më 19 janar kur bëra vizitën në këtë klinikë, ku m’u tha të dërgoja telegram me përgjigje të paguar, që të lajmërohesha për shtrim, kur të hapej vendi. Prita një muaj dhe asnjë nuk u interesua, kohë në të cilën tumori u zhvillua më shumë. Atëherë ishkrova letrën e parë Drejtorisë. Më në fund, u shtrova në 27 shkurt.U pa e arsyeshme që të bëja rrezet e para. Dola nga klinika më 14 Prill, me rekomandimin që të kontrollohesha pas dy muajve. Erdha për kontroll herë pas here. Kështu kaluan 7 muaj. Herën e fundit, Dr. Agroni më tha: “Përse nuk je operuar?” Dhe unë pyes veten, pa kuptuar arsyen se përse u zgjat kaq shumë? Konsulta e 13 Tetorit vendosi të bëja operacion pas dy javëve . Ne të sëmurët e tumoreve,na kërcënon një vuajtje e gjatë dhe shpresa të pakta shërimi. Po kush ndodhet larg Tiranës, ka vështirësitë e udhëtimeve, të shpenzimeve dhe gjetja vend nëpër hotele, veçanërisht për gruan, qoftë e re, qoftë e vjetër në moshë. Herën e fundit hoqa shumë për të gjetur vend në hotel . Për këto arsye, dërgova letrën dhe telegramin me përgjigje të paguar, për të lehtësuar ardhjen time për shtrim më 28 tetor, siç më tha mjeku kirurg, duke kërkuar të shtrohesha pasdite, për të mosmbetur udhëve mbasi në këto data, kishin filluar të vinin delegacione nga jashtë, me rastin e Kongresit . Vështirë se do gjeja vend. Unë këtë, nuk e kërkoj si privilegj , po si praktikë që ka ndodhur, sa isha e shtruar në klinikë.Jam ndodhur vetë në sallon poshtë, kur i thanë një tësëmurës e ardhur nga Lushnja , të vish në orën katër pasdite.Megjithëse nuk kishte vend, prunë një krevat në odën tonë. Ubëmë shtatë veta dhe ajo u shtrua në orën katër pasdite.Që nga data 16 tetor, që kam dërguar letrën dhe telegramin,gjer më sot, datë 5 nëntor, unë s›kam asnjë interesim, asnjë përgjigje me telegram. Vendimi që mori konsulta, u la pas dore.Në qoftë se duhet të më operoni, kjo duhet bërë sa më parë,mbasi parashikohet që së shpejti, nga kjo banesë të largohen të gjithë familjet, e pastaj do të prishet. Unë jam vetëm dhe duhet të ndodhem. Në qoftë se shpëtoj gjallë, më janë të domosdoshme ato pak plaçka që kam dhe s›mund të bëhem pengesë për të tjerët, le që kush më pret mua….Prandaj, i kërkoj drejtorisë të zgjidhë këtë çështje. Në qoftëse duhet të më operojnë, të zbatohet vendimi i konsultës së 13 Tetorit. Në qoftë se nuk duan të më kurojnë, duhet ta thonë.Unë po zvarritem.Shpresoj në interesimin e shpejtë të kësaj Drejtorie.Mbetem me nderimeRrëshen, 5 Nëntor 1981 Musine Kokalari
LETRA 3Drejtorisë së Spitalit Nr.2Klinika OnkologjikeReparti i KirurgjisëTiranëËshtë hera e tretë që po shkruaj. Këtë herë, për të thënë,një të vërtetë të papëlqyer po të argumentuar me baza dhe këtë e kuptova kur erdha në Tiranë, më datën 4 Dhjetor. U interesova për shtrimin tim. M›u përgjigjën: “S›ka vend. Telegrami është në kartelë. Kur të vijë radha, të lajmërojmë vetë. «Megjithëse patën katër vende, i plotësuan me të tjerët. Kjo puna a radhës, me habit.Unë kur u shtrova herën e parë më 27 shkurt, do operoheshapas pesë ditësh. Mirëpo u kontrollova prapë edhe nga mjeku irrezeve. Atëherë, u vendos për gjendjen e sëmundjes, që unë të bëja më parë rrezet e pas një muaj e gjysmë, operacionin. Dola nga klinika më 14 Prill. Qëndrova për mungesë vendi në të tre pavijonet dhe mora vesh atje që askush nuk qe vonuar më shumë se unë. Sot mbush tetë muaj që kam dalë nga klinika dhe dy muaj nga dita a konsultës që të operohesha pas dy javëve, vendim që nuk u përfill. Sipas vendimit të parë, kanë kaluar 6 muaj vonesë dhe sipas vendimit të dytë, rreth dy muaj . Bashkëkohëset e mia, me të drejtë janë shtruar një herë e shumë herë. Vetëm unë jam zvarritur. Rrezet ishin fazën preoperatore, që do të pasohej me operacion. Kjo nuk u bë. Jo vetëm nuk u bë, po më thonë të pres radhën. Cilën radhë? Atë që e kanë marrë nëpër këmbë. Për shkaktë vonesës, gjendja e sëmundjes po keqësohet. Përse u bënë rrezet?Që të pasoheshin me operacion. Përse zvarritem? Që nga data 14 pril1, gjer më sot, kanë kaluar 4 pesëmbëdhjetëditësha, që po të shumëzohen me 18 shtretër në shkallë reparti, do të dilte numri 72. Dhe sikur të gjithë këta të sëmurë të ishin para meje, do të kishin mbaruar punë dhe mua do të më kishte ardhur radha. Kjo tregon se nuk duan të më shtrojnë.Reparti i Kirurgjisë në klinikën Onkologjike mban njëqëndrim antimjekësor ndaj sëmundjes sime. Kjo është e vërteta e papëlqyer dhe e argumentuar që unë kam vetëm në dorë t’ia them Drejtorisë së Spitalit Nr .2. Unë po zvarritem për gjashtë muaj me radhë.Rrëshen, 14 dhjetor 1981Me nderimeMusine Kokalari

Filed Under: Politike Tagged With: Eglantina Mandia, kanceri, Letrat e Musine Kokalarit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 325
  • 326
  • 327
  • 328
  • 329
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT