• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JO, JO, NUK HARROHET ÇAMËRIA!

July 15, 2020 by dgreca

SALI BOLLATI — ÇAM SHQIPTARO-AMERIKAN, I MBIJETUAR I GJENOCIDIT GREK TË 1944-  JO, JO, NUK HARROHET ÇAMËRIA!/

                                                 Nga Frank Shkreli/ Lexoje-https://gazetadielli.com/jo-jo-nuk-harrohet-cameria/

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpgÇdo vit në Qershor, Çamët kudo që gjënden në botë, përfshirë komunitetin çam në Shtetet e Bashkuara, kujtojnë viktimat e masakrës së vitit 1944, kur forcat e gjeneralit famëkeq grek, Zervës kanë ekzekutuar barbarisht mijëra shqiptarë përfshirë gra, pleq e fëmijë nga qyteti i Paramithisë në Çamëri. Kjo masakër njihet si njëra prej masakrave më të mëdha dhe më çnjerëzore të Luftës së dytë Botërore, kur forcat terroriste greke të gjeneralit Zerva, brenda një nate, vranë e prenë një numër të madh shqiptarësh çam të atij qyteti.  Shifrat, në të vërtetë, janë tronditëse!  Sipas burimeve, brenda dy ditësh, janë masakruar dhe vrarë qindra njerëz të pafajshëm, kryesisht, gra, fëmijë e pleq.  Pas këtyre vrasjeve në qytetin e Paramithisë çame, shovinistët grekë vazhduan spastrimin etnik nepër fshatra dhe qytete të tjera të krahinës së Çamërisë shqiptare.  Sipas burimeve të besueshme, deri në mars të vitit 1945 janë vrarë rreth 2900 çamë, vetem e vetëm, se ishin shqiptarë.  Ndërsa të dëbuar nga shtëpitë e tyre, rrugëve, nga uria dhe sëmundjet mund të kenë vdekur rreth 4000 çamë dhe afër 40.000 të tjerë janë përzenë me një dhunë të egër, të paparë etnik-spastruese duke i dëbuar çamët nga shtëpitë dhe trojet e tyre mijëra vjecare.  Të uritur e të rraskapitur ata kanë arritur, më në fund, të hynin në Shqiperi.  Përfundimi tragjik ishte se për afërsisht 1/5 e popullësisë shqiptare e besimit mysliman çam u çfaros, ndërsa shqiptarëve çamë të besimit të krishter, ju ndalua kategorikisht përdorimi i gjuhës amtare. 

Nëse historia do ta cilësojë këtë tragjedi si një masakër të çamëve të pafajshëm, si një gjenocid, masakër a po diçka tjetër, kjo mbetet në duart e historianëve të vërtetë dhe të paanshëm evropianë dhe shqiptarë.  Por ajo që vihet re, nga viti në vit, përsa i përket kësaj tragjedie të vërtetë njerëzore të çamëve nga forcat greke, është vazhdimësia e hipokrizisë dhe mohimit nga ana e shtetit grek  se asgjë e veçant nuk ka ndodhur, se gjoja një masakër e tillë nuk ka ndodhur në Çamëri.  Por të çuditë edhe heshtja konveniente dhe vazhdueshme e autoriteteve shqiptare, nga viti në vit, për të kujtuar zyrtarisht këtë tragjedi, në një mënyrë ose në një tjetër — duke vazhduar në kështu politikën mohuese të regjimit komunist të Enver Hoxhës që nuk e përmendi tragjedinë çame për 45 vjet ashtu siç nuk përmendej as masakra e Tivarit, e mijëra shqiptarëve nga Kosova nga UDB-ja jugosllave me dijeninë dhe me ndihmën e Sigurimit të Shtetit shqiptar . Ndërkohë, autoritetet shqiptare këto 30-vjet post-komunizëm kanë mundësuar dhe lejuar ndërtimin e monumenteve në tokën shqiptare, kushtuar, “heronjve turq” të rënë në vendin e tyre, në mbrojtje të diktatorit Erdogan, ose varrezat greke dhe monumente të tjera në jug, ndërkohë që në veri të Shqipërisë gjithashtu vihet re prania e simboleve të ndryshme serbo-malazeze,ndërkohë që anë e mbanë trojeve shqiptare po fshihen gjurmët iliro-arbërore.  Tragjedia çame, si dhe i masakrat e tjera, siç është ajo e Tivarit, ndonëse janë larg vëmendjes së autoriteteve zyrtare shqiptare në  –Tiranë dhe në Prishtinë –dhe të “zbuluesve” të rinjë të të pazbulurave — ato mbahen mend dhe kujtohen në mendjen e popullit dhe të dëshmitarëve të gjallë, si krime kundër njerëzimit, sepse të tilla janë.  Prandaj, si krime kundër njerëzimit, ato nuk mund të harrohen dhe të konsiderohen, thjeshtë, vetëm si “padrejtësi historike”, kundër shqiptarëve. 

Fatkeqësisht, edhe sivjet kaloi edhe një përvjetor tjetër i masakrës së Çamërisë, pa u kujtuar siç duhet dhe pa u dënuar si një masakër dhe krim kundër njerëzimit.  Kjo tragjedi nuk harrohet kurrë nga një i mbijetuar i asaj masakre, miku im i shtrenjtë, mbijetuesi i asaj tragjedie, Z. Sali Bollati, ose “Sali Bollati-Çam Shqiptaro Amerikan, i Mbijetuar i Genocidit grek të 1944”, siç preferon të nënshkruaj mesazhet elektronike që më dërgon nga hera në herë.  Çdo vit, në një mënyrë ose në një tjetër, komuniteti çam në Shtetet e Bashkuara shënon, modestësisht, këtë përvjetor tragjik duke kujtuar viktimat e asaj tragjedie.  Unë jam shpesh në kontakt me Z. Sali, pasi kemi mjaft përputhje mendimesh mbi shumë gjëra që lidhen me historinë dhe fatin e Kombit tonë.  Para disa ditësh prej tij mora një letër që, Z. Sali i kishte dërguar Hirësisë së Tij Aleksandër, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Shqiptarëve të Diasporës në Amerikën Latine, Kishë e cila është pasuese e Kishës së Fan Nolit, për pjesën jugore të kontinentit amerikan –me komunitete kishtare të veta në Argjentinë, Brazil, Kili dhe Uruguaj.

Si një i mbijetuar dhe dëshmitar i gjenocidit grek të 1944, në letrën e tij Z. Bollati falënderon Hirësinë e Tij Aleksandër, për Meshën dhe ceremoninë fetare me të cilën Hirësia eTij kujtoi më 27 Qershor, 2020, Martirët e Çamërisë Shqiptare të masakruar e vrarë me 1944 në Paramithi e të cilët kanë mbetur pa varre në Trojet Etnike Shqiptare.  Në mesazhin e tij falënderues drejtuar udhëheqsit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikën Latine, Z. Bollati kujton ato ditë të vështira për shqiptarët e Çamërisë nga një përspektivë personale duke kujtuar emërat e më të afërmve të tij që janë masakruar nga forcat greke: “Në Ditën e fillimit të masakrave dhe vrasjeve të Shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët bizantinë grekë -27 Qershor 1944”, shkruan Bollati, “isha vetëm 7 vjecar, në vendlindjen time në Paramithinë Shqiptare.  Mbas masakrave dhe vrasjeve të gjyshit tim 82 vjecar, Imam Muharem Bollatit, gjyshes 72 vjeçare Ruhije Bollati, Babait 52 vjeç, Ibrahim Bollati, Nenës 36-vjeçare Betula Bollati, vëllait 13 vjeçar Ferhat Bollatit.  Vëllai tjetër 5 vjeçar Faruk Bollati vdiq në burgun kamp-përqendrimi së bashku me motrën 2- vjeçare Makbule Bollati.  Unë së bashku me motrën tjetër 9 vjeçare, Qerime Bollati;falë Zotit mbijetuam mbas 6 muajve në burgun e Paramithisë.  Ushtarët anglezë na transportuan tek Nëna Shqipëri.  Po ju rrëfej se të njëjtat masakrime e vrasje i vuajtëm bashkë me mbi 600 shqiptarë të pafajshëm çamë Paramithiotë dhe me mbi 2900 çamë shqiptarë të tjerë.  Ndërsa mbi 40.000 të tjerë u pritëm nga vëllezërit tanë në Shqiperinë Nanë”, i shkruan Sali Bollati, Hirësisë së tij Aleksandrit, udhëheqësit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikën Latine, ndërkohë që e falkënderon, përzemërsisht, Kryepeshkopin për ceremoninë fetare që zhvilloi më 27 të qershorit 2020, në kujtim të viktimave të pafajshme të masakrës së Çamërisë të vitit 1944, në kujtim të atyre që ai cilëson si, “Tmerret që nuk harrohen” ka shkruar Z. Bollati.

Megjithëse ishte fëmij 7-vjeçar dhe ndonëse kanë kaluar 76 vjetë, Sali Bollati nuk e harron kurrë masakrën e Çamërisë, atë akt mizor, antinjerëzor shovinist ndaj njerëzëve, krejtësisht, të pafajshëm, kryesisht pleq e femijë”, kujton ai, duke nënvijuar falënderimet e tij më të thella për Peshkopin Aleksandër — të cilin e quan një “Pishtar të Shqiptarizmës së vërtetë” dhe “Përfaqsues i denjë i të nderuarit të madh Fan Nolit” — “Për veprën e tij të mishërimit të shpirtërave shqiptarë të Çamërisë Martire”, në ceremoninë e organizuar prej peshkopit, në kujtim të përvjetorit të masakrës së Çamërisë më 27 të qershorit që kaloi.

Fatkeqësisht, përvjetori i masakrës së shqiptarëve në Çamëri, përkoi sivjet me një fushatë denigruese që për pothuaj dy javë tani ka pre-okupuar opinionin publik shqiptar ndaj dy shkrimtarëve të mëdhej të Kombit Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, si rezultat i një studimi, që shumë analistë dhe komentues, brenda dhe jashtë Shqipërisë, e konsiderojnë si shpifës.  Në vend që historianët dhe studiuesit dhe pretenduesit tanë shqiptarë që gërmojnë nga një arkiv ndërkombëtar në tjetrin për të “zbuluar” të bëmat dhe të pa bëmat –gjoja “tradhëtitë” dhe “bashkpunimin” e këtyre burrave të dalluar për kontributet shumë të çmueshme kombëtare, – do të kryenin një detyrë më të ndershme dhe më patriotikte po të angazhoheshin për zbardhjen e këtyre historive tragjike të Kombit shqiptar, siç janë, ndër të tjera, masakra e Çamërisë dhe masakra e Tivarit.  A nuk do të ishte më mirë që në përvjetorin e masakrës së Çamërisë – në vend që të këthehet kujtesa e regjimit të Enver Hoxhës dhe metodave të tija të zbulimit, me këto gjueti shtrigash ndaj ish-kundërshtarëve të tij politikë –studiuesit tanë të nderuar të ndërmerrnin studime apo punime– të jepnin një kontribut të vërtetë në historinë e Kombit duke realizuar, vërtetë, punime shkencore mbi këto masakra.  Si për shembull, të dilnin me një studim serioz, bazuar në burime të besueshme historike, vendase, rajonale dhe ndërkombëtare, mbi faktet historike të masakrës të shtatorit 1944, në Çamëri, në vend që të denigrojnë Martin Camajn dhe Ernest Koliqin, apostullit të përhapjes së mësimit të gjuhës shqipe në trojet shqiptare. 

Ka qenë shtatori i vitit 1941, kur — me një vendim të Ministrisë së Arsimit, në atë kohë, kur ministër i saj ishte Ernest Koliqi, mbi 400 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, u dërguan në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare ku flitej shqip, në Maqedoni e në Mal të Zi,  si dhe në Çamëri.  Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frutet e tija në hapjen e shkollave shqipe dhe në realizimin e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjithë trojet shqiptare, që deri atëherë shtypej egërsisht nga okupatorët e trojeve arbërore.  

Frutat e atij akti, pothuaj 80-vjet më parë, janë sot të qarta, për të gjithë ata që duan të shohin: Kosova e lirë, shtet i pavarur i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 120 shtete dhe shpresojmë siç thonte dikur Dr. Ibrahim Rugova, në miqësi të përherëshme me Shtetet e Bashkuara.  Janë dëshirat e shfaqura të qindra mijëra shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Çamërisë për shqiptarizmin e tyre, një ringjallje e një krenarie kombëtare dhe të identitetit kombëtar, shpresojmë për shekuj të shekujve.  Pasi jemi duke kujtuar Çamërinë martire, nga ato që dimë, konstatohet se me urdhër të Ernest Koliqit në Çamëri janë hapur në atë kohë, shkollat shqipe në rrethin e Filatit, Gumenicës, Margëlliqit e Paramithisë.  Por do të donim të dinim edhe më shumë për këto shkolla dhe sidomos edhe për kontributin e misionarëve të parë të përhapjes së kulturës dhe të gjuhës arbërore, të cilët u dërguan në Çamëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, nga ky “poliagjenti” dhe “kolaboracionisti” Ernest Koliqi.  

Unë jam i sigurt se, me këtë rast, edhe miku i imi nderuar, Z. Sali Bollati-Çam Shqiptaro-Amerikan, i Mbijetuar i Gjenocidit grek të 1944, do të ishte shumë më i kënaqur nëqoftse dikush do të jepte një një kontribut të tillë historik dhe kombëtar, pikërisht, në këtë përvjetor të masakrës së Çamërisë, në vend që të denigrojnë, me metoda enveriste, dy nga personalitet e njohura të Kombit.  Kjo do të ishte mënyra më e ndershme dhe më njerëzore për të kujtuar viktimat e pafajshme të krimeve greke në Çamëri, në këtë përvjetor të masakrimit të shqiptarëve çamë, por dhe në çdo përvjetor tjetër në të ardhmen. 

Sali Bollati i mbijetuari i masakrës çame në paradën vjetore të shqiptaro-amerikanëve në Manhatan të Nju Njorkut

Sali Bollati nga Çamëria me Frank Shkrelin nga Malësia, në Kuvendin e qytetit të Nju Jorkut, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, Nëntor, 2019.  Kështu i duam të gjithë shqiptarët, kudo dhe pa dallim:Të bashkuar, në gëzime dhe në hidhërime, për një të ardhme të përbashkët kombëtare, më të ndritur!

Më poshtë një urim dhe mesazh tepër domethënës i Kryepeshkopit Aleksandër i Shqiptarëve, udhëheqsit shpirtëror të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikën Latine, me rastin e Ditës së Pashkëve drejtuar të gjithë shqiptarëve anë e mbanë botës dhe pa dallim feje a krahine: 

Krishti u Ngjall!  Me zemër ju uroj Gëzuar Pashkët, Vllëzër dhe Motra dhe Miqtë  e mi Shqiptarë Ortodoksë dhe të gjithë atyre që e festojnë ketë ditë, kudo që gjindën, e për shumë vjet! Urime e paqë bekim dhe dashuri në familjet tuaja.

Përfitoj nga rasti për të përshëndetur me dashuri të gjithë Myslimanët, Bektashianët, Agnostikët, Ateistët dhe të Krishterët, Vëllezërit e mi të gjakut: Urimet më të mira për të gjithë ju! Paqë, lumturi e begati gjithmonë! Rofshin të gjithë Shqiptarët në të gjithë botën, pa dallim Feje! ️Në Lavdinë e Kombit tonë Shqiptar, përgjithmonë! ️Rroftë Shqipëria Etnike! I Lirisë se Ilirisë. Autoktonus!  Zoti e Bekoftë Shqipërinë dhe Shqiptarët!

Kryepeshkop +Aleksander i Shqiptarëve, Bir i Shqiponjës! (Marrë nga portali i Kryepeshkopit)

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Jo Jo, nuk harrohet Cameria, Sali bollati

Të pagjeturit e luftës të përfshihen në bisedimet Kosovë-Serbi

July 14, 2020 by dgreca

By David L. Phillips*/

Javën e kaluar u shënua 25 vjetori i Gjenocidit në Srebrenicë. Nga Bosnja, ne e dimë se identifikimi i viktimave është thelbësor për shërimin shoqëror. Një llogari e personave të pagjetur nga lufta në Kosovë duhet të jetë pjesë e negociatave për të normalizuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Paqja e qëndrueshme kërkon zbulim, drejtësi dhe përgjegjësi.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare (HLC) në Beograd, rreth 1,500 persona u zhdukën gjatë konfliktit të Kosovës. Sipas HLC-së, rreth 4,000-5,000 persona ishin viktima të krimeve të luftës. Ky total përfaqëson rreth një të tretën e shqiptarëve të Kosovës që vdiqën gjatë luftës.

Më 1999, në Serbi u zbuluan varreza masive. Sikurse në rastin e Bosnjës, Serbia shkatërroi dëshmitë forenzike dhe mbetjet mortore në një përpjekje sistematike për t’i mbuluar krimet e veta. 

Deklarata përfundimtare e samitit të Triestes e procesit të Berlinit bëri thirrje për një Komision Rajonal (KOMRA) për të zbuluar faktet (24 mars 2017). Procesi i Berlinit është një proces ndërqeveritar që ka për qëllim rikthimin e raporteve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe disa vendeve të BE-së. Megjithatë identifikimi i personave të pagjetur është zbehur. E intervistova një nënë në Gjakovë e cila më tregoi fotografi të djalit të saj të pagjetur. Derisa ajo nuk e di se çfarë ka ndodhur, plagën do ta ketë të hapur. 

Njëzetenjë vjet pas luftës së Kosovës, vështirë se ndonjë prej të pagjeturve është i gjallë. Megjithatë, është esenciale që të dihet statusi i tyre. Kosova si shoqëri nuk mund të shërohet derisa të ketë zbulim të plotë dhe familjet të mund të mbajnë zi për fëmijët e tyre në pajtim me zakonet lokale. 

E rivitalizuar me financim nga vendet donatore, KOMRA duhet t’i identifikojë viktimat; identifikojë varret masive; dhe të zbulojë fatin e atyre që humbën. Personat e pagjetur duhet të qëndrojnë në agjendën e procesit të Berlinit, i cili po vazhdon.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur (ICMP) luajti rol të rëndësishëm pas Srebrenicës. Ai ka bërë punë të rëndësishme edhe në Kosovë. Në fillim të vitit 2003, ICMP asistoi Kosovën përmes identifikimit forenzik të viktimave përmes ADN-së, duke punuar në bashkëpunim me Misionin e OKB-së në Kosovë dhe me Misionin e atëhershme të BE-së për Sundim të Ligjit. 

Përpjekjet e ICMP-së po vazhdojnë. Detyra e tij nuk është thjeshtë teknike. Fati i personave të pagjetur duhet të jetë në agjendën e dialogut Kosovë-Serbi.

E kuptoj se shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Kosovës janë prekur nga lufta. Shoqata e Viktimave Serbe mbajti një ekspozitë para parlamentit me fotot e personave të pagjetur për vite me radhë. Megjithatë, ka një dallim në kuantitet. Shumica absolute e të pagjeturve dhe viktimave ishin shqiptarë të Kosovës. Është edhe një dallim kualitativ. Shqiptarët e Kosovës u vranë si pjesë e ndërmarrjes kriminale të drejtuar nga shteti, ndërsa shumë më pak serbë të Kosovës u viktimizuan përmes veprimeve ad hoc të individëve. 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, udhëheq delegacionin e Serbisë në dialogun me Kosovën. Moralisht, ai është i papërshtatshëm si bashkëbisedues. 

Vuçiqi ishte gazetar në Pale (Bosnje e Hercegovinë) më 1992-1993, duke punuar përkrah kriminelëve serbë të luftës. Ai ishte partner i lojës së shahut i Gjeneralit Ratko Mladiq, kasapi i Srebrenicës, i cili udhëhoqi forcat serbe të Bosnjës dhe organizoi masakrimin e myslimanëve. 

Veç kësaj, Vuçiqi shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe, parti nacionaliste serbe e ekstremit të djathtë e themeluar më 1991 nga lideri paramilitar Vojisllav Sheshel. Kur Gjykata Ndërkombëtare Penale dënoi Sheshelin për krimet kundër kroatëve në Vojvodinë, Shesheli u përgjigj: “[Jam] krenar për të gjitha krimet e mia të luftës” dhe “jam i gatshëm t’i përsëris sërish ato. 

Vuçiqi ishte edhe palë e nxitjes së urrejtjes, duke deklaruar më 10 korrik, 1995: “Nëse vritet një serb, do të vrasim njëqind myslimanë”. Vuçiqi ka një reputacion të ndyrë pasi shërbeu si ministër i Informacionit për Sllobodan Millosheviqin gjatë luftës së Kosovës. Me atë rol, ai drejtoi një mision për mbulimin e krimeve duke ndaluar ekipet e huaja televizive nga Beogradi. Si propagandist kryesor, ai me zell punoi për të nxitur urrejtje të serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovës. Gjatë një paraqitjeje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vuçiqi deklaroi: “Dikush duhet t’i zbusë e disiplinojë ata”. 

Nëse Gjykata Speciale i bën fajtorë shqiptarët e Kosovës për shkelje të Ligjit Ndërkombëtar Humanitar (IHL), duhet të ketë një proces që do t’i mbante përgjegjës edhe Vuçiqin e bashkëluftëtarët e tij për krimet e tyre. 
Kosova s’e ka luksin t’i zgjedhë bashkëbiseduesit e vet në negociata. Megjithatë, Qeveria e Kosovës mund të kërkojë drejtësi. Krimet mund të ekspozohen duke i identifikuar të pagjeturit. 

Nevoja për t’i zbuluar të pagjeturit në konflikt është e mishëruar në IHL. Konventa e Katërt e Gjenevës kërkon që palët në konflikt lehtësojnë hetimet për individë të pagjetur si rezultat i armiqësive. Protokolli shtesë 1 në mënyrë eksplicite “kërkon nga të gjitha palët e konfliktit të kërkojnë për personat që janë raportuar të pagjetur nga pala kundërshtare”. 
Normalizimi dhe pajtimi nuk mund të arrihen derisa personat e pagjetur të identifikohen dhe që kryerësit e krimeve të luftës të dalin para drejtësisë. Kurrë nuk është vonë për të vërtetën dhe kërkimfaljen. Nëna që e takova në Gjakovë, si shumë të tjera sikurse ajo, kërkojnë drejtësi dhe meritojnë kompensimin. 

Adresimi i çështjes së personave të pagjetur do të përmirësonte shumë perspektivën e negociatave të suksesshme për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi. Një marrëveshje në të cilën Serbia e njeh Kosovën brenda kufijve të vet nuk mund të neglizhojë fatin e personave të pagjetur dhe viktimave të krimeve të luftës. 

*Përktheu dhe përshtati: Zeri.info*

David L. Phillips është drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në Nju Jork. Ka shërbyer si Këshilltar i Lartë i Departamentit të Shtetit duke punuar mbi ish-Jugosllavinë gjatë Administratës Clinton. Ai është autor i librit “Liberating Kosovo: Coercive Diplomacy and US Intervention” (Harvard’s Kennedy School). Libri i tij i ri është “Front Line Syria: From Revolution to Proxy War”

SQARIM: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit.

*(Dergoi per Diellin autori)…

Filed Under: Politike Tagged With: David L. Phillips, Të pagjeturit e luftës

KOSOVA, DJEPI I sHQIPTARIZMIT

July 14, 2020 by dgreca

Nga Hamit Kokolari
Përmbledhja e artikullit nga Gjon Kadeli/
Propaganda serbe, sidomos, betejën e Kosovës (1389), të cilën e ka paraqitur si një mit të pavdekshëm të idealit kombëtar Jugosllav, dhe një kohsisht si argument për të justifikuar rivendikimet serbe në Kosovë. Fakti është se beteja e Kosovës, nuk ka qenë vepër e serbëve, por e një kualicioni të krishterë të përbërë prej Serbëve,Shqiptarëve, Bullgarëve, Boshnjakëve e Ungarëve. Komanda e përgjithëshme iu besua mbretit Lazar të Serbisë.Lufta filloi dhe gjatë saj u vra mbreti Lazar i Serbisë dhe Sulltan Murati e shumë të tjerë nga të dy palët, por luftën e fituan Turqit.Vetëm fati dhe rasti i solli Serbët të zgjedhin Kosovën si fushë betejë; sepse, në të vërtetë, nuk ka qenë ndonjë herë tokë serbe e vërtetë.Sa për shprehjen “Stara Serbija” domethënë “Serbija e Vjetër,” që Serbët e përdorin zakonisht për të quajtur kështu Kosovën,duhet theksuar se ajo shprehje nuk ka asnjë bazë historike, dhe se Serbët e kanë shpikur vet nga mesi i shekullit XIX, për t’i shërbye ma mirë qëllimeve të tyre ekspansioniste në dëm të Shqipërisë.Pasi Turqit pushtuan Ballkanin dhe sundimi i tyre zgjati afër pesë shekuj, megjithë këtë, Shqiptarët, jo vetëm që nuk u asimiluan prej sunduesit të ri, por e forcuan pozitën dhe racën e tyre.Në fillim të pushtimit të Ballkanit, turqit, rezitencën ma të madhe e gjetën në popullin Shqiptar, i cili e vazhdoi luftën afro një shekull.Sidomos rezistenca e vazhdueshme dhe e pathyeshme e Skënderbeut.Shqiptarët e Kosovës, që ishin si paraorjë e racës, zhvilluan një luftë të dyfishtë dhe shekullore, kundër sundimit turk që përpiqesh t’i mposhtë sa më shumë dhe kundër infiltracionit dhe veprës së asimilimit që zhvilluan sllavët me anën e fesë dhe të propagandës.Kundër Tuqëve, që përpiqeshin t’i mposhtnin, edhe ma tepër, Shqiptarë ngrinin krye herë mbas here, gjë që provohet nga të 54 lëvizjet kryengritëse shqiptare që regjistron historia turke, nga të cilat ajo e vitit 1668 që plasi në Mitrovicë,dallohet, sidomos, sepse në atë morën pjesë të gjithë Kosovarët.Prape në Kosovë, ndodhën më vonë ndërmarrje për ringjalljen e Atdheut Shqiptar.Fakti historik që e filloi rilindjen shqipetare, ndodhi në gjirin e vilajetit të Kosovës në Prizren, ku u themelua lidhja e famëshme, e njohur me emni Lidhja e Prizrenit.(1878). Nga Kosova filluan të zhvilloheshin degët e kësaj organizate madhështore, që si një shkëndi u përhap nën shtyrjen e ndjenjës kombëtare, në të gjitha anët eShqipërisë. Kosovarët ishin elementi kryesor i Lidhjes që e vunë në zbatim programin e mbrojtjes së interesave shqipetare duke luftuar kundër Malazezëve,Serbëve dhe Grekëve.Rezistenca e organizueme e Lidhjes së Prizrenit, u solli për dy vjet me radhë, shumë pengime fuqive të mëdha dhe Turqisë vetë, dhepërgnjështroi mendimin e atyre që pretendonin se Lidhja e Prizrenit ishte një krijesë dhe një lodër e qeverisë së Stambollit.Përpjekjet e Shqiptrare dhe luftrat heroike të tyre, në kohën e Lidhjes së Prizrenit përbëjnë epopenë shqiptare,që poeti kombëtar At Gjergj Fishta, e bëri të pavdekshme në poemin e tij Lahuta e Malcisë.Veprimtaria e Lidhjes nuk mbaroi me kaq: episodi më i shquar i asaj periudhe ndodh në fund, me rastin që u morën masat e duhura, për t’i sigurar Shqipërisë autonominë e saj. Ngjarjet u zhvilluan, sidomos në Kosovë; dhe megjithse përpjekjet e Shqiptarëve dështuan dhe u shtypën prej fuqive turke, vlejnë të vehen në dukje ma shumë se ngjarjet tjera të asaj kohe, sepse formojnë një dokument historik të vlefshëm, që provon vullnetin e popullit të Kosovës për liri dhe për pavarsinë e Shqipërisë.Lidhja kishte përgaditur me kohë planin për të bërë një mbledhje të përgjithshme në të cilën do të merrnin pjesë përfaqsues nga të gjitha krahinat ë Shqipërisë, për të kërkuar zyrtarisht nga Sulltani autonominë e Shqipërisë.Në Tetor 1880 pesë mijë përfaqsues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë u mblodhën në Dibër dhe midis të tjerave vendosën t’i kërkonin zyrtarisht nga Sulltani autonominë e Shqipërisë etnike. Kërkesat e mbledhjes iu paraqiten Sulltanit, por mbasi nuk moren pergjegje, Lidhja mori inisiativen dhe filloi te vinte ne zbatim, programin e vet, duke debuar prefektet e emeruar nga Sulltani dhe duke I zevendesuar kete me nepunes te tjere, njerez te tyre. Keshtu u detyruan Prefekti i Shkupit dhe i Dibres dhe valiu i Prishtines i kercnua nga friga e Shqipetareve u arratis. Mbasi shperdane disa nga garnizonet turke dhe moren edhe disa municione, fuqite shqietare e shtrijten autoritetin e Lidhjes ne Shkup,Prishtine, Mitrovice, Prizren e Diber, ndersa Gjakova, Luma dhe krahina te tjera, i bashkuan fuqite e tyre me ato te Lidhjes. Ne Shkup dhe ne Prizren garnizoni turk u mbyll ne fortrese dhe populli shqiptar lidhi besen te bashkpunoje me Lidhjen. Perpara kesaj gjendjeje Sulltani u ndodh ngusht dhe nuk dinte cfar vendimi te merrte, te zbatonte premtimin per autonomi, te bere me pare Shqipetareve, apo t’a cdukte Lidhjen me force.. Me ne fund, me 25 Mars 1881, nje ushtri turke e komanduar nga Dervish Pasha arrtiten nga Selaniku ne Shkup ku u arrestuan shume antare te deges se Lidhjes ne ate qytet. Mbi kete Lidhja i dha kushtrimin Kosoves dhe fuqite shqiptare u mblodhen ne krahinen e Shtimles, Ne perpjekjen qe ndodhi forcat shqiptare u terhoqen duke lene treqind te vrare e te plagosur..Pas pake kohe ushria turke shkoi ne drejtim te Prizrenit, Gjakoves dhe Pejes ku mori masa kundra udheheqsve te fuqive shqipetare dhe kundra drejtuesve te Lidhjes, prej te cileve nje pjese u arrestuan e disa u interrnuan dhe disa te tjere u mbajten si peng, me qellim qe t’i prisnin hovin ndonjë sulmi nga malsite.Duhen permendur me ne fund lufterat e shqipetare kunder turqeve, gjateperiudhes 1908-1912 nga te cilat beteja e Kacanikut 1910 dhe fitorjaqe i shpuri kryengritjes shqipetare nen udheheqjen e krereve te tyreIsa Boletini, Hasan Prishtina dhe Azem Bejta ne qytetin e Shkupit dhegjer ne Veles 1912 deshmon vullnetin e pathyer te shqipetareve qe te realizojne pavaresine e Atdheut te tyre dhe integritetin toksor teShqiperise.
Vej ne dukje ketu se Hamit Kokolari vjen nga një familje e njohun Gjinokastrite dhe se ajo familje,sic kam ndigjue asht persekutue rande nga ish rregjimi komunit….

Filed Under: Politike Tagged With: Hamit Kokolari, kosova

DOSJE E HAPUR

July 12, 2020 by dgreca

SHKRUAN: EGLANTINA MANDIA/

Kemi afro 50 vjet që jetojmë me makthin e dosjeve.Nuk shpëtojmë dot nga dënimi i ynë. Sapo zuri një farë cipe sëmundja e llahtarisur e përgjimit, na zunë ethet

e dosjeve: të hapen, apo të mos hapen, u hapën, s’u hapën, do të hapen apo nuk do të hapen.

Përse këto dilema? Të gjithë e dimë se cilët ishin persekutorët e spiunët e vegjël (fatkeqët e mjerë) të rrethit familjar a shoqëror ku jetonim. Kjo sillte tjetërsimin, makthin,fjalën e shtirur, mashtrimin, vdekjen e ngadaltë shpirtërore.

I shohim edhe sot fytyrat e tyre me sytë e stërzgjatur,lakmitarë me komplekset e gjuhën gjarpërore që hedh helm e jargë mbi çdo shpirt të pastër. Ndoshta, ky është dhe ngushëllimi i fundit. Pështy e helmo gjithçka. Dosje të hapura.

Dosje të mbyllura. Furtuna në gota uji. E megjithatë ka dosje gjysmëshekullore, që kanë sfiduar sytë tanë, siç është një vrasje e pashpjeguar e dy vetëvrasje të tre tragjikëve, tejet të njohur të L. N. Çl.

Dosja 1

RAMIZE GJEBREA, bijë e një familje me disa breza patriotësh, me nënën nga Kaçaniku. Babai, luftëtar i lirisë, sjell nusen kosovare në shtëpi që në ditët e para të shpalljes së pavarësisë. Viti 1913, (vit i mbrapshtë i fatit tonë) e ndan nusen nga trojet e veta. A thua prapësia do t’i ndjekë denbabaden?

Ramizeja, e bukur, e kulturuar, e talentuar, heroinë e aksioneve më të guximshme kundër fashistëve në kryeqytet, një nga firmat më të njohura të shtypit të L. N. Çl.

Me pseudonimin “Zala”, u vra nga shokët e saj pa I mbushur të 21 vjetët.

E kudogjendshmja, e palodhura, fjalëzjarrta Ramize, i dha bukurinë, rininë, dashurinë dhe jetën, idealit të saj, LIRISË.

E megjithatë, u arrestua në Ramicë nga shokët e saj të luftës me disa denoncime absurd të spiunëve vrasës. Dënimi me procesverbale të humbura (Sa shumë i kam kërkuar nëpër arkiva, krejtësisht kot, për shumë vite).

Të dy fajtorët, Ramize Gjebrea dhe Zaho Koka në arrest. Gjyq me dënim të pashpallur. Korrierë që vrapojnë e nuk arrijnë kurrë në destinacion. Ramizeja e gdhin natën me një pallto ushtarake të hedhur krahëve. Lexon librin “Ditët e fundit të një të dënuari me vdekje”, por nuk e merr dot kurrë me mend, se kjo e dënuar është ajo vetë.

Batalioni i rreshtuar në formë rrethi. Heshtje. Ankth. Mars i ngrirë i vitit 1944. Në një cep çelet rrethimi dhe sjellin Ramizenë. Askush nuk e di se ç’po ndodh.

Ramizeja ecën e menduar, me pardesynë që ja merr era. Kurrë, kurrë zemra e saj e dëlirë s’e afron pabesinë e vrasjes pas shpine, pa paralajmërim. Po vendimi tashmë, ishte marrë. Moralistët (terroristët më të pamoralshëm) në emër të moralit, urdhërojnë skuadrën e pushkatimit të vajzave të shtien mbi shoqen e tyre. Një partizane e kësaj skuadre, me duar të dridhura, shtie mbi veten nga tronditja. Plumbi që i ka shënjuar fytyrën, është dëshmitar i asaj dite tragjike edhe

sot e kësaj dite.

Ramizeja krejt e befasuar nga plumbat në trupin e saj, ktheu kokën e klithi: “Përse kështu o shokë?!!”

Përse? Përse? Përse?…

Klithma rrufe u ngjit drejt qiellit të ngrirë të atij marsi.

Breshëria rrëzoi të bukurën e dheut, Ramize, mbi tokën që ajo e deshi aq shumë. Iu dha dhe plumbi i fundit… LAMTUMIRË! Partizanët mbetën të ngrirë, me shpirt të gjymtuar,gjysmë të varrosur nga ankthi i pyetjes: “PËRSE? PËRSE…KËSHTU O SHOKË?!”

***

Dosje të hapura. Dosje të mbyllura. Sa herë kam dhënë një mendim për këtë çështje, ka filluar përndjekja e Ramizesë dhe shumë e shumë vite, pas vrasjes.

Cerberët e kryeqytetit e heqin shkrimin nga shtypshkronja. Gazetarucët me sy të zbardhur nga tmerri i trimërisë së tyre, klithin: “Kush të ka dhënë ty të drejtën ta

rehabilitosh?”

KRIMI përplaset me sinqeritetin e lotëve të shokëve të luftës.

Ramizeja zgjon revoltën e shpirtrave të bukur, që pyesin: “Deri kur? Deri kur? Cerberët do të vrasin e rivrasin idealin njerëzor, ëndrrën e aq e aq brezave për liri e drejtësi?

Dosja 2

Zaho Koka, heroi popullor i Bregut, i tronditur, tre muaj pas vrasjes së Ramizesë e kërkoi vdekjen vetë. Zaho nuk e dëgjoi pyetjen e Ramizesë. Ai mbahej i burgosur dhe nuk e pa poshtërimin e saj. Po “ligji i luftës” veproi vetëm për Ramizenë. A nuk ishin që të dy “fajtorë pa faj?”… Kush pra, e kish të drejtën të shpersonifikonte njeriun dhe për ndjenjën më fluide, për atë që quhet LIRIA e gjithsecilit? Zahoja e parandjeu të vërtetën e hidhur në burgun e tij, në Ramicë.

LIRI të madhe nuk do të ketë më në këtë tokë, derisa të vritet qenërisht LIRIA e secilit.

Zaho Koka shkoi vetë në mes të ditës me diell, drejt një mitralozi, që e bëri shoshë e për këtë i dhanë “bujarisht” titullin HERO. Po populli? Ai mori një plagë për dhimbjen e pashprehur për birin e tij, të vetëvrarin, të bukurin, të pastrin,

të thjeshtin, personazhin e tragjedisë që në prologun e saj.

Kështu iku djali i fyer. Shkoi vullnetarisht drejt mitralozit, në qershor të po atij viti, dy muaj pas vrasjes së Ramizesë. As “mjeshtrit e mëdhenj” as “qatipët e vegjël”, s’krijuan dot alibi tjetër veç titullit: HERO.

Dikush thotë që në Ramicë Ramizenë e veshën nuse dhe e qanë me ligje. Është e vërtetë, apo legjendë? S’ka rëndësi.

Rëndësi ka që populli, (të cilin kujtojnë se e kanë në dorë mendjeshkurtrit), nuk u pajtua me këto VRASJE.

KJO ISHTE DISIDENCA E SHPIRTIT TË TIJ, AJO SHQISË E GJASHTË QË MAT TË VËRTETËN E GËNJESHTRËN E FJALËS, KUR KA DHIMBJE TË

THELLA. POPULLI HESHT, POR NUK HARRON KURRË…

Zaho Koka vrau veten para dhjetëra dëshmitarëve…“PËRSE? PËRSE KËSHTU O SHOKË?!!”

Dosja 3

Nako Spiru , i fejuari i së bukurës Ramize Gjebrea.Braktis klasën e tij të pasur si idealist i kulluar dhe vë veten në ballë të luftës për liri e përparim shoqëror. Kur moralistët perversë i vranë të fejuarën si “shkelëse të besës”, Nakoja e tha

burrërisht se i takonte atij ta gjykonte të fejuarën, për jetën e saj intime. (Alibia e moralit të shkelur s’ishte gjë tjetër veçse një gur që do të vriste zogjtë, një e nga një.

FAJI I NAKOS: inteligjenca e jashtëzakonshme dhe intuita për të parë, si po rrëshqisnin në LIMERIN E PAZARLLËQEVE Të BEOGRADIT.I llahtarisur guxon e thotë se “Po e shesim Shqipërinë”.Kështu, i paracaktoi fatin

vetes. I varrosur si tradhtar. I zhvarrosur si HERO.Gjithnjë në pritje të një gjëme të re mbi varrin, bustin, emrin. Gjithnjë në lojën e persekutimit të hijeve, kockave e familjeve.

Një makth i pafund

E kam njohur nënën dhe motrën e Nako Spirut, të vetësakrifikuarën Leonorë. Kam qënë fëmijë dhe nuk e dija se ç’ndjente e ç’mendonte ajo zonjë e zbehtë, me vështrim të thellë, nën sharpin e zisë së përjetshme. Nuk e di se përse

fytyra e saj dhe e së bijës, më sjellin ndër mend vargjet: “Në një prag e në një derë / plasën si dy qelqe me verë!”

Nako Spiru shkruan një karakteristikë (në italisht) për Enver Hoxhën, në vitin 1944:“Me ndihmën e Miladinit e të Dushanit, u fut në formacionet e partisë. U bë anëtar i K. Q.Provizor, duke ndjekur symbyllur, Miladinin. Kështu, krijoi pak e nga pak mundësinë, për ta mbajtur me duart e veta. Në Konferencën e Partisë zgjidhet sekretar i rekomanduar, si njeri i shquar në luftën kundër fraksioneve.Në fakt, është një parti gratis e një kompensim për këto punë. Nuk ka bërë asgjë, pa

pyetur ekzekutorët e vet e pa ia hapur Miladini, perspektivën.

Me një inteligjencë mediokre edhe në shkollë edhe jashtë shtetit edhe gjatë punës si profesor, krejt mediokër. Gjatë gjithë kësaj kohe, (para krijimit të partisë), me një jetë private aspak të rregullt.U ngjit kështu në parti dhe tani dëshiron të jetë i

adhuruar, dëshiron t’i ketë të gjithë nën vete e t’i marrë të gjithë nën thundër, dëshiron t’i shohë të tjerët të veckël, të veckël. Është i shquar për kompleksin e inferioritetit S’ka asnjë cilësi udhëheqësi.

Të gjithëve ua frenon iniciativën. Në popull, nuk është fare i njohur. Edhe aty ku është i njohur, nuk gëzon respekt. Në parti po popullarizohet me të gjitha forcat. E për këtë ka filluar të njihet, por populli nuk është shumë i sigurt, për kapacitetin e tij”.

Kjo karakteristikë e shkruar që në vitin 1944 ishte “krimi “ i Nakos. Pra ishte i destinuar të vritej e të rivritej pambarimisht, së bashku me ekipin e tij tragjik (Ramize e Zaho).

Dosje të hapura. Dosje të mbyllura. Lojtare e dëshmitare të tragjedisë së jetës sonë.

Le t’i lëmë shpirtrat e dënuar të ferrit, të enden e të përplasen të terrin e tyre, derisa të gjejnë sadopak paqe e qetësi, derisa gjuha gjarpërore (dikur e paguar aq lirë), të mbarojë helmin e vet, derisa puset e qelbit shpirtëror, të shterin, derisa kufomat e gjalla, të marrin më në fund fytyrën e njeriut.

Të gjithë e dimë fare mirë, se cilët janë ata. Dosjet s’janë thjesht ca letra të fëlliqura, të varrosura nëpër limere e katakombe.

Fatkeqësisht, janë krejt të gjalla, para syve tanë…

*Marrë nga Libri” Fytyrë e Dashurisë”.Botuar në gazetën “Rilindja Demokratike”, më 14 maj 1994.Falenderojmë shkrimtaren Eglantina Mandia që e dërgoi për gazetën DIELLI.

Filed Under: Politike Tagged With: Dosje e Hapur, Eglantina Mandia

KOSOVA DHE SERBIA RIFILLOJNË DIALOGUN NË BRUKSEL

July 12, 2020 by dgreca

SPECIALE E GAZETES”DIELLI”: KOSOVA DHE SERBIA RIFILLOJNË DIALOGUN NË BRUKSEL/

-Dialogu rifilloi sot, në 12 korrik, përmes një videokonference dhe të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian/

Beograd, 12. jula 2020. – Predsednik Republike Srbije Aleksandar Vucic ucestvuje na video-konferenciji Dijalog Beograda i Pristine pod pokroviteljstvom Evropske unije, kojom predsedava visoki predstavnik Evropske unije za spoljne poslove i bezbednosnu politiku Zozep Borel. FOTO TANJUG/ INSTAGRAM “BUDUCNOSTSRBIJEAV”/ an, fotografija niske rezolucije

-Takimi i fundit-i kaluar Prishtinë-Beograd në Bruksel, është zhvilluar në 8 nëntor  2018/

-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel/

-Kosova ka tre parime për dialogun me Serbinë dhe nën një është Integriteti territorial i panegociueshëm, si dhe pesë objektiva – i pari: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 12 Korrik 2020/ Kosova dhe Serbia rifillojnë dialogun në Bruksel, sot përmes njëvideokonference dhe të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimit virtual sotka bërë të ditur se palët janë pajtuar edhe për axhendën e takimit të radhës të enjten e javës së ardhëshme në Bruksel.

 “Ne sapo përfunduam takimin virtual mes presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Hoti. Kam kënaqësinë të them se pas Samitit të Parisit dhe takimit të sotëm dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës është kthyer në binarë pas 20 muajsh”, ka thënë Lajçak.

Ai ka shtuar se, “si rezultat i takimi të sotëm jemi pajtuar për elementet kryesore të procesit”.

“Jemi pajtuar poashtu për axhendën e takimit të radhës i cili do të zhvillohet në Bruksel të enjten që vjen me pjesëmarrjen personale. Dua të falënderoj të dyja palët për angazhimin e tyre konstruktiv sot”, ka thënë Lajçak, citon Koha në raportimin e korrespondentit në Bruksel.

Korrespondenti i Gazetës DIELLI në Kosovë në vazhdimësi ka raportuar për procesin e dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel, nga raundi në raund, që nga fillimi:

Takimi i fundit-i kaluar Prishtinë-Beograd në Bruksel, është zhvilluar në 8 nëntor  2018, i cili, siç u deklarua atëherë  ishte i treti presidencial i fazës finale në dialogun Kosovë- Serbi, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian – Shefja e  Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

I pari takim presidencial Thaçi-Vuçiç në Bruksel i fazës finale të dialogut  është mbajtur në 24 qershor, ndërsa i dyti në 18 korrik 2018. I treti takim ishte paralajmëruar për të premtën e 7 shtatorit 2018, por  sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, presidenti i Serbisë, Vuçiç nuk ka pranuar të takojë presidentin e Kosovës, Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini  ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vijuar dialogun.

Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur në 17 shkurt 2008.

Takimi i 8 nëntorit  2018 ishte i teti  i presidentëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel.  Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i 8 nëntorit  2018 ishte i gjashti, pas të pestit në 18 korrik e të katërtit në 24 qershor, të tretë të fazës finale, të vitit 2018.

Ndërsa takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

 Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.

Para më shumë se shtatë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. 

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011, poashtu në Bruksel.

DATAT E TË GJITHA TAKIMEVE TË NIVELIT TË LARTË KOSOVË-SERBI NË BRUKSEL:

30 RAUNDET KRYEMINISTRORE

Thaçi-Daçiç:

Viti 2012:

Raundi 1 – në 19 tetor
Raundi 2 – në 7 nëntor
Raundi 3 – në 4 dhjetor

Viti 2013:

Raundi 4 – në 17 janar
Raundi 5 – në 19-20 shkurt
Raundi 6 – në 4 mars
Raundi 7 – në 20 mars
Raundi 8 – në 2 prill
Raundi 9 – në 17 prill
Raundi 10 – në 19 prill
Raundi 11 – në 21 maj
Raundi 12 – në 20-21 qershor
Raundi 13 – në 8 korrik
Raundi 14 – në 24 korrik
Raundi 15 – në 27 gusht
Raundi 16 – në 8 shtator
Raundi 17 – në 7 tetor
Raundi 18 – në 6 nëntor
Raundi 19 – në 5 dhjetor

Raundi 20 – në 13 dhjetor

Viti 2014:

Raundi 21 – në 27 janar
Raundi 22 – në 12 shkurt
Raundi 23 – në 31 mars

Mustafa-Vuçiç:

Viti 2015:

Raundi 24 – në 9-10 shkurt

Raundi 25 – në 21 prill

Raundi 26 – në 23 qershor

Raundi 27 – në 29 qershor

Raundi 28 –  në 25 gusht

Raundi 29 – në 13 tetor

Viti 2016:

Raundi 30 – në 27 janar

TAKIMET E PRESIDENTËVE

Viti 2017:

Thaçi – Nikoliç -2 takime

-1 shkurt

-24 janar

Thaçi – Vuçiç

-3 korrik

-31 gusht

Viti 2018:

-23 mars

-24 qershor

-18 korrik 

-7 shtator  (vetëm takime të ndara me Mogherinin)

-8 nëntor 

Viti 2020:

Hoti -Vuçiç

12 korrik (takim virtual)

16 korrik (pritet takimi në Bruksel)

KOSOVA, NË DIALOG PËR NNJOHJE NGA SERBIA – TRE PARIME E PESË OBJEKTIVA

Kosova ka tre parime për dialogun me Serbinë dhe nën një është Integriteti territorial i panegociueshëm, si dhe pesë objektiva – i pari: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë.

Këto theksoshen në fjalimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti të mbajtur në10 korrik 2020 në konferencën virtuale të Samitit të Parisit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në10 korrik nga ora 10:30, të organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

 Kryeministri i Kosovës, Hoti  në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 korrik takoi edhe presidentin e Serbisë Vuçiç.

 Ishte paralajmëruar që të dielën në 12 korrik në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në rifillimin e dialogut midis dy vendeve drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, ky takim është shtyrë për të enjten javës së  ardhshme – 16 korrik, ndërsa sot takimi ishte virtual.

“Për ne njohja reciproke është i vetmi qëllim i dialogut me Serbinë, normalisht edhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve që duhet të jetë derivat i njohjes reciproke”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hoti në një konferencë shtypi këtë javë në Prishtinë.

PRESIDENTI THAÇI TË HËNËN DO TË UDHËTOJË PËR NË HAGË I FTUAR NGA SPECIALJA PËR INTERVISTIM

 Në 8 korrik 2020 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se të hënën e 13 Korrikut 2020 do të udhëtojë për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Duke njoftuar këtë Presidenti Thaçi shkruante:

“Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,

Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.

Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.

Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!

Zoti e bekoftë Kosovën!”.

Presidenti Thaçi ndodhej në Vjenë kur në 24 Qershor 2020 Presidenca  kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 Qershor në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në mbrëmjen e 29 Qershorit 2020 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar mundësinë e dorëheqjes derisa nga Zyra e tij mbajti një fjalim – adresim për qytetarë, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar njoftimin se u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës  një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku  përfshihen edhe presidenti Hashim Thaçi dhe lideri i PDK-së,  Kadri Veseli.

 “Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, deklaroi mes tjerash Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Filed Under: Politike Tagged With: dialogu ne Bruksel, Hoti, Kosove-Serbi, Lajcek

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 332
  • 333
  • 334
  • 335
  • 336
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT