• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DËSHMI FISNIKËRIE SHQIPTARE

March 3, 2020 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

            Këto ditë në gazetën “Dielli” on line dhe në portalin Voal.ch u botua një shkrim i shkurtër me titullin: “E pyeta Kol Bibën nji herë”. Autori i atij shkrimi është Dr. Gjon Buçaj, ish kryetari i organizatës “Vatra” në SHBA. Shkrimi bën fjalë për një bisedë që, shumë vite më parë, autori kishte zhvilluar me z. Kol Bib Mirakaj, një personalitet i njohur politik i Shqipërisë para komuniste dhe autor i një vëllimi kujtimesh historike me titull “Vetvrasja e një kombi”, një nga veprat më të mira, në mos më e mira e publicistikës shqiptare që i referohet periudhës e ngjarjeve të zhvilluara në Shqipëri gjatë luftës së Dytë botërore.

            Shkrimi sjell për lexuesin një episod të thjeshtë por shumë kuptimplotë, që lidhet me një nga ngjarjet më të rëndësishme të periudhës së pushtimit italian, atë të shpëtimit të hebrenjve. Është një ngjarje e mbajtur në frigorifer nga historia zyrtare e periudhës së komunizmit, e zbuluar aty këtu nga dëshmitë e ndryshme dhe nga studimet e kryera mbi atë temë mbas rënies së regjimit. Ajo hyri në historiografinë e këtyre viteve të kalesës, e trajtuar nga studjues të ndryshëm, kryesisht Shaban Sinani, Mergim Korça etj.

 U përvehtësua nga politika që u bë e vetëdijshme nga njohja dhe vlerësimi i dukurisë nga vetë shteti i Izraelit, se shpëtimi i hebrenjve ishte një faqe e ndritur e historisë shqiptare. Por megjithatë, në gjithë këta vite, studimet për atë dukuri historike nuk janë të thelluara, mbasi ka munguar vullneti i plotë për të bërë të njohura e botuar tërësinë e vëllimit të dokumentave arkivore që pohojnë të vërtetën historike. Është kalëruar teza se dukuria ishte diçka spontane e shpirtit bujar të shqiptarëve, që u shfaq fuqishëm në vitet e luftës në të cilën në gjithë Evropën u dërguan në kampet e vdekjes rreth 6 milion hebrenj, me pak përjashtime, ndoshta ajo më e rëndësishmja ishte pikërisht Shqipëria.

            Dr. Gjon Buçaj tregon në shkrimin e tij se si, në verën e vitit 1943, ministri i Brendshëm i qeverisë shqiptare, Z. Kol Bib Mirakaj, kishte ndërhyrë në vetë të parë, me një përfundim të arritjes së qëllimit, për të shpëtuar nga vdekja, një tregtar hebre nga Vlora, njërin prej vëllezërve Levi, që ishte arrestuar nga SIMI italian. Ministri ishte vënë në dijeni nga  përfaqësuesi i Komunitetit hebraik pranë Qeverisë, (një institucion për të cilin nuk kemi dëgjuar asnjëherë të flitet nga historiografia komuniste) Leo Thür, dhe vëllai i të arrestuarit për veprimin e SIMI-t italian. Arrestimi ishte bërë nën njoftimin që i kishte ardhur organit se Levi i kishte dhënë një shumë të mirë parash komunistëve, të cilët i kishin djegur njërin nga dyqanet që ai kishte familjarisht në Vlorë. Koloneli italian kishte kërkuar nga familja 12.000 napolona flori.

            “Ata mund t’i jepshin paret, por kush mund të besonte se megjithate nuk do t’a ekzekutojshin.

            Kol Biba u spiegoi se, tue qenë nën okupimin ushtarak italian , qeveria nuk ka fuqi veprimi mbi ushtrinë, por megjithate premtoi se do të merrte masat e mundëshme dhe u kishte thanë të vijshin përsëri të nesërmen, në orën 6 të mbramjes. Mbas takimit, ministri kishte dërgue dy kabllograme në Vlorë, njenin prefektit e tjetrin federalit, të cilët  kishin konfirmue se faktet ishin ashtu si ia kishin përshkrue Thürr dhe Levi. Të nesërmen, Kol Biba thërret kolonelin italian në zyrë i thotë se “Ju mbani t’arrestuem nji qytetar shqiptar dhe unë kërkoj që t’i dorëzohet menjiherë qeverisë shqiptare.” “Kush asht i arrestuemi?”, kishte pyetë koloneli dhe kur ndigjon emnin e Levit, ai përgjigjet me arrogancë, më kambë gati me dalë përdere: “Ai asht arrestue sepse ka dhanë pare komunistave dhe nesër n’ora 6 të mëngjesit do të ekzekutohet!” Ministri shqiptar ia kishte këthye me ton të fortë: “Ti e pushkaton nesër n’orën 6, por unë do të hypi në aeroplan në orën 9 për Romë dhe do t’i referoj Musolinit se e ke ekzekutue pse nuk të kanë dhanë 12.000 napolona ar!” Kjo e ftofi kolonelin, i cili e ndryshoi tonin: “Shkëlqesë, por për dobinë e të dy palëvet……”. Kol Biba i kishte thanë se për dobinë e të dy palëvet ai e donte qytetarin shqiptar të dorëzuem në zyrën e tij mbrenda ditës! Ashtu edhe u ba.

            Kur Leo Thürr dhe vëllau i të burgosunit erdhën në orën 6 të mbramjes, befasia me gëzim ishte e kuptueshme, kur u takuen me të burgosunin që tashma ishte në dorën e qeverisë shqiptare, që do të thoshte edhe se jeta e tij ishte e shpëtueme. Por befasia edhe ma e madhe, ngarkue me emocion të thellë, ishte kur Kol Biba u tha se ai tash ishte i lirë dhe mund të shkonte me ta në shtëpi.

            Të nesërmen të dy vizitorët i vijnë Kol Bibës në zyre për të tretën herë, por kësaj rradhë për t’a falënderue. Ai u kishte thanë se kishte ba vetëm detyrën dhe mbas nji bisede të shkurtë, i kishte përcjellë te dera me premtimin se hebrejt në Shqipni do të kishin mbrojtjen nga qeveria si të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë. Kur asht këthye te tavolina e punës, ka vërejtë se kishin harrue nji valixhe dore. I ka thanë rojes me i thirrë të vijnë me e marrë, por kur janë këthye i kanë spjegue se nuk e kishin harrue valixhen dhe se aty ishte nji “falënderim” për shpëtimin e jetës së Levit. “Po çka asht ai falënderim?” i kishte pyetë dhe kur i kishin spjegue për shumën në franga ar që ishte në valixhe, ai e kishte marrë si ofendim. “E kuptoj gjendjen tuej shpirtnore, se përndryshe do t’u akuzojshim për tentativë korrupsioni”. Kot u munduen me u arsyetue se ai e kishte shpëtue jetën e njeriut të tyne pa kurrfarë premtimi paraprak, dhe se ata, si hebrej, e kishin obligim shpërblimin dhe mirënjohjen dhe se kjo ishte e vetmja mënyrë e mundun për ta me e nderue obligimin e tyne moral, e tjera. Mbas zemrimit në fillim, ministri asht zbutë dhe i ka ftue të ulen, ka porositë kafe dhe ka zhvillue nji bisedë të qetë me ta, u ka spjegue se për ate ishte shpërblim i madh dhe i mjaftueshëm shpëtimi i jetës së Levit.”

            Ky është tregimi i z. Gjon Buçaj, që sjell fjalë për fjalë atë që i kishte treguar Z. Kol Bib Mirakaj. Episodi vlen të komentohet e të diskutohet sepse paraqet disa këndvështrime të trajtimit të dukurisë e, së bashku me dokumenta zyrtarë, të botuara në ndonjë organ të shtypit të këtyre viteve, dëshmon se cili ka qënë vërtetë roli i ish Ministrit Mirakaj në këtë rast, por edhe i gjithë administratave shqiptare të kohës së luftës, në shpëtimin e hebrenjve. Sjellja e ish Ministrit dëshmon karakter të fortë shqiptari malësor, burrëri, zgjuarsi, guxim, dinjitet, ndershmëri vetiake e profesionale, një integritet moral shëmbullor, që na përkëdhel ndjenjën e krenarisë kombëtare, kur mendojmë se dikur Shqipëria kishte të tillë burra në drejtimin e saj. Vlen të theksohet edhe një tjetër fakt, se këtë episod të lëvdueshëm për cilindo shtetar, të cilitdo Vend të botës, Kol Bib Mirakaj nuk e përmend fare në kujtimet e tij. E hedh mbas krahëve, duke e quajtur si një kryerje detyre të thjeshtë, e gjen shpërblimin moral vetëm në faktin se ka shpëtuar një jetë njeriu.

            Madje për të plotësuar kuadrin e kësaj familjeje të nderuar të Malësive shqiptare, autori i shkrimit pohon se simbas monografisë “Halim Spahia” të prof.dr. Nuri Bashotës, vërtetohet se edhe Pashuk Bib Mirakaj, i vëllai i ish Ministrit, përmendet për ndihmesën e tij për “trasferimin e shumë familjeve hebreje, në mënyrë të organizuar dhe tejet sekrete dhe me emra krejt të tjerë, me automjetet e firmës “Vllaznit Spahija”, prej Kosove e në Shqipni e përtej…”. Por si shpërblim të kësaj vepre madhore që do të mbetetpërjetë një kurorë e ndritëshme mbi kryet e Shqipërisë, në kujtesën demokratike të njerëzimit, Shqipëria komuniste i quajti “tradhëtarë” ata atdhetarë, i degdisi për një jetë të tërë familjet e tyre në kampet e internimit e në burgjet e  errta të diktaturës.

            Krahas admirimit që mund të ndjehet nga kushdo që beson në vlerat tradicionale të popullit shqiptar, kur mëson këto shfaqje fisnikërie të së shkuarës, nuk mund të ndihet keq kur sheh se sot shtati moral i politikanëve është bërë një nga problemet kryesore të shoqërisë shqiptare, që ka një të katërt shekulli që përballohet me një korrupsion gjithënjë në rritje e me lindjen e një klase të re pasanikësh që përbëjnë pjesën më të madhe t’atyre që kanë si profesion politikën dhe mbarështimin e shtetit e te institucioneve të tij.

            Shëmbuj të tillë fisnikërie shqiptare, që na vijnë nga e kaluara, duhet të shërbejnë jo vetëm për t’a njohur më mirë të vërtetën historike, të tjetërsuar plotësisht nga historiografia e 80 viteve të fundit, por edhe për t’i dhënë vëndin e duhur në kujtesën historike të kombit, atyre që i shërbyen atij me të gjithë fuqinë e personalitetit të tyre, që buronte nga respektimi i thellë i vlerave më fisnike të trashëguara të popullit të tyre, në çaste tepër të vështira epokash të hershme pa asnjë përfitim vetiak.

                                                                                                Mars 2020       

Filed Under: Politike Tagged With: deshmi fisnikerie, Eugjen Merlika

Thaçi dhe Vuçiç u takuan në Shtëpinë e Bardhë

March 2, 2020 by dgreca

Washington 2 Mars 2020- Siç kishte raportuar më herët Zeri i Amerikës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan të hënën në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadoritRichard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë Serbi dhe këshilltarit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.

Presidenti Thaçi shkroi në facebook se “Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump. Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm. Duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë. SHBA është shpresa dhe besimi ynë. Jemi mirënjohës përjetë!”, shkroi ai.

Në një bisedë të shkurtër me Zërin e Amerikës, presidenti Thaçi tha se takimi u mbajt “duke dëshmuar vullnetin e mirë, pa ndonjë të veçantë nga takimi, vullnetin dhe simbolikën e fqinjësisë së mirë dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare që nënkupton paqen dhe stabilitetin për Kosovën, Serbinë por edhe tërë Ballkanin Perëndimor. Është jashtëzakonisht inkurajues roli udhëheqës që po dëshmon ambasadori Grenell dhe lidershipi i presidenti Trump në këtë drejtim”.

Presidenti Thaçi tha se takimi e ka mesazhin e veçantë sepse Shtetet e Bashkuara “po rikthehen në pozicionin që e ka pasur atë të përcaktimit të agjendave paqësore dhe të perspektivës euro – atlantike për tërë Ballkanin Perëndimor”.

Ai tha se rëndësia e takimit të sontëm është e pakrahasueshme me të gjitha takimet që kanë ndodhur kudo në botë mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për vet faktin se është zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë dhe me ndërmjetësimin amerikan.

Të dy presidentët ndodheshin në Shtetet e Bashkuara në vizita të ndara gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin verime që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zyrtarët amerikanë po i kërkojnë Kosovës që të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, ndërsa Beogradit i kanë kërkuar t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi tha se Kosova duhet të krijojë rrethana lehtësuese për komunitetin ndërkombëtar dhe për vetveten dhe shfaqi besimin se institucionet e Kosovës do të marrin vendime të përgjegjshme.

“Kokëfortësia e çon Kosovën vetëm prapa dhe e stagnon zhvillimin e Kosovës, ndërsa vendimet e mençura, kohezive e të koordinuara me Shtetet e Bashkuara janë ato që e çojmë vendin përpara”.

Brenda më pak se një muaji Shtetet e Bashkuara siguruan dy marrëveshje ndërmjet palëve për vendosjen e linjës ajrore, asaj hekurudhore dhe ndërtimin e autostradave ndërmjet të dyja vendeve.(kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: takimi ne Washington, Thaci, Vucic

VATRA ËSHTË ME TË ARDHMEN E SHQIPËRISË, PA KRIMINELË DHE DROGË

March 1, 2020 by dgreca

– Deklaratë e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA për Protestën e 2 Marsit, 2020- /

Federata Pan-shqiptare e Amerikës VATRA, po ndjek me shumë shqetësim situatën e rëndë të krijuar në Shqiperi si rezultat i ozurpumit tërësor të çdo pushteti nga nga Kryeministri Edi Rama.

Për analogji,Kushtetuta Amerikane mbrohet me çdo mjet nga Presidenti i SHBA.

Ndaj i kërkojmë dhe mbështesim Presidentin e Shqiperis në çdo veprim që do të merret për rikthimin kushtetues të institucioneve shqiptare.

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA e konsideron daljen në rrugë të Presidentit dhe bashkimin e tij me popullin si mjeti i fundit për të kthyer pushtetin atje ku ai buron, tek Populli.

Manifestimi i 2 Marsit është fillimi i fundit i një qeverisjeje e cila shpopulloi, varfëroi dhe vrau shpresën e shqiptarëve.

Shqiptaro-Amerikanët janë me të ardhmen e Shqipërisë pa kriminelë dhe drogë, por me dinjitetet dhe prosperitet.

Përshëndetjet më të përzemërta nga Amerika!

Zoti e bekofte Shqipërinë!

Filed Under: Politike Tagged With: Protesta

As drejtësi, as përgjegjësi historike

February 28, 2020 by dgreca

… Nexhmije Hoxha jetoi gati një shekull, po nuk gjeti asnjë minutë kohë për të kërkuar ndjesë për krimet e diktaturës që ndihmoi që të vinte në fuqi e të mbahej me dhunë mbi popullin.

Nga Harry Bajraktari/

Një shprehje e thotë se ata që nuk mësojnë nga historia janë të dënuar që ta përsërisin.

Asnjë vend në Evropën Lindore nuk pati një regjim komunist më të egër se Shqipëria, mirëpo, po sa kanë mësuar vërtet nga kjo tragjedi shqiptarët?

Vdekja e gruas së diktatorit Enver Hoxha na kujtoi të gjithëve se gati 50 vjet krime e padrejtësi nuk u pasuan nga asnjë dhënie llogarie e mbajtje përgjegjësie.

Nexhmije Hoxha jetoi gati një shekull, po nuk gjeti asnjë minutë kohë për të kërkuar ndjesë për krimet e diktaturës që ndihmoi që të vinte në fuqi e të mbahej me dhunë mbi popullin.

Kush u përgjigj përpara drejtësisë për elitën kombëtare që u shkatërrua, për njerëzit e nderuar të shoqërisë që u pushkatuan, vdiqën në burgje nën tortura çnjerëzore, u dergjën në qeli të zhveshur nga dinjiteti, u internuan, u izoluan, u detyruan të fajësojnë veten publikisht etj.

Kush mban përgjegjësi për fëmijët e lindur në kampet e punës, të dënuar që foshnje me një jetë “të deklasuari”.

Një prej tyre, që u ka mbijetuar kampeve në Shqipëri, gazetari Beqir Sina, është larguar nga Shqipëria në SHBA. Ky është fati i shumë pasardhësve të të persekutuarve. Kurse nipërit e mbesat e kryekomunistëve po gëzojnë edhe Shqipërinë e re.

Askush nuk do që të shohë hakmarrje dhe gjakderdhje që do të çonte në luftë civile. Po një gjyq për krimet më të rënda dhe për diktaturën duhej bërë. Ku është një gjyq si ai i Nyrembergut, për komunizmin shqiptar?

Jo vetëm që askush nuk u dënua për krime, po askush nuk mori përgjegjësi. Askush nuk dha llogari. Askush nuk kërkoi ndjesë. As sa për sy e faqe.

Vetë gruaja e diktatorit që jetoi 30 vjet pas rënies së komunizmit, nuk tregoi kurrë pendim. Përkundrazi, deri në fund, përsëriti propagandën komuniste. Ashtu si Ramiz Alia, u tallën me popullin dhe me historinë.

Komunizmi shqiptar nuk doli kurrë në gjyq.

Për t’u kthyer te fjalia e parë e shkrimit. Pse duhet të kenë frikë sot politikanët e korruptuar? Ata që abuzojnë në krye të vendit? Ata që kanë bërë krime apo janë të lidhur me krimin, me drogën, ata që shkelin ligjin dhe vjedhin popullin? Në fund të fundit, kur pas 50 vjet krimesh të tmerrshme të komunizmit u pa që askush nuk u dënua, pse duhet të kenë frikë këta të sotmit për krime më ordinere?

Tre dekada në liri e demokraci, Shqipëria nuk e ka realizuar potencialin e saj të madh. Sigurisht jeta është më e mirë e nuk krahasohet me vitin 1990, po vendi mbeti jashtë BE-së, kur ajo u zgjerua disa herë, nga 12 në 28 anëtarë.

Demokracia nuk ka përparuar. Përkundrazi, sot, 30 vjet më vonë, vendi po shkon drejt një diktature. Vetëm një parti është në të gjitha nivelet e pushtetit. Ish-ministri i fundit i Brendshëm në kohën e komunizmit është sot kryetar i Parlamentit. Korrupsioni është kudo kurse drejtësia nuk ka forcë. Institucionet kanë humbur besimin e popullit.

Shumë nga këto probleme janë të kohës, po një faktor i madh për gjendjen e sotme është se u mbyll një kapitull i historisë pa nxjerrë mësime. Nuk pati një tribunal të madh për kriminelët dhe fajtorët kryesorë. Nuk pati gjyq historik për sistemin. Nuk pati as përgjegjësi e as drejtësi. Edhe shkrimet për vdekjen e Nexhmije Hoxhës nuk kishin reflektimin e duhur. Ikja e saj më kujtoi shanset që u humbën në këto 30 vjet dhe që nuk do vijnë më.

**Harry Bajraktari është themelues dhe botues i gazetës Illyria (1991-1998), një drejtues i komunitetit shqiptaro-amerikan, filantrop dhe përfitues i shumë çmimeve, duke përfshirë Nderin e Urdhrit të Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medaljen Presidenciale të Kosovës për Meritat & Bardhë Thirrja Presidenciale e Shtëpisë për Amimin e Shërbimit.

Nexhmije Hoxha vdiq ne moshen 99 vjecare pa u penduar per krimet e diktatures.
Diktatura shqiptare pushkatoi pa gjyqe apo me gjyqe fallso kundershtaret e regjimit.
5, 577 burra dhe 450 gra u ekzekutuan

Më shumë se 26 mijë njerëz u burgosën dhe 77 mijë u dërguan në kampe të punës.

Filed Under: Politike Tagged With: Diktatura shqiptare, drejtesi, harry bajraktari

69 VITE NGA MASAKRA E REGJIMIT KOMUNIST -BOMBA NE AMBASADEN RUSE,22 INTELEKTUALET E PUSHKATUAR

February 26, 2020 by dgreca

– Cilës epoke tiranësh u përkasin…këto eshtra shpupurisur në pluhur, lidhur tok?!

– Vrastarët nuk janë prej fisesh leshtorë,/por komisarë të kuq, me yll të kuq gjëmbor!/

Komisarë qelish, pa gjyqe, pa firmë e vulë./Komisarë pa shpirt, pa besë, pa mend e pa turp./

 Komisarë që japin me hakërrime mandatën,/me ngjirje, plotonë, krisma e plumba natën./…

Shkruan: Nga Agim Xh. Dëshnica/Dielli-arkiv/

Pas pyetjeve e kërkimeve të shumta, aty nga viti 1993, buzë lumit Erzen, nën një kodrinë afër Urës së Beshirit, u zbulua një gropë me eshtra njerëzish. Ç’qe ajo gropë!? Prania e grave të përzishme dhe e burrave të tronditur, tregonte se nuk ishte gjetur një tumë ilire, por një varr i përbashkët, varr makabër i motit 1951. Nga shenja të ndryshme ata njohën mbetjet nga trupat e 22 njerëzve të dashur, të pushkatuar në mesnatën e 26 shkurtit 1951, të lidhur tok me tela me gjemba, midis tyre dhe një vajzë. Oh, tmerr! Përse i vranë ata?

Nuk do të mjaftonin vrasjet e shumë patriotëve, pa gjyq e me gjyq, që nisën qysh nga nëntori i vitit 1944, kur sadisti Mehmet Shehu, i njohur për epitetet “terror i bardhë”, “terror i kuq”, në vitin 1949 do të shprehej: “Ne duhet ta ashpërsojmë luftën kundër armiqve të pushtetit tonë, të vrasim njerëz, që të mundemi ta përballojmë situatën.”

Viti 1951 ishte një kohë, kur shumë qytetarë të zhgënjyer shpresonin, se pas prishjes me jugosllavët, do të ndodhnin ndryshime të thella. Ata që kishin radio, dëgjonin Radio Londrën, me sinjalin e njohur “Ju flet Londra!”, apo Ankaranë, me “Burasi Ankara!” Shpresonin më kot! Ndërkohë natën, aktivistët e Frontit Demokratik, kërkonin nëpër rrugët e tarracat e Tiranës fletushkat e hedhura, ndoshta nga qielli, kurse ditën nëpër trotuare, civilë të paguar gjurmonin kalimtarë të dyshimtë. Në mure u dukën pankarta me fjalën e rreptë “Vigjilencë!” Në Durrës, kur qytetarët ktheheshin në shtëpi, gjenin mbi radio letra me shënimin tronditës: ”Mos e hapni në kanalet italiane!” Në bregdet pushuesit porositeshin të ndërprisnin lojën me domino e të hynin ndër fjetore. Nga dritaret dukej në muzg patrulla e rojeve bregdetare me armë në duar. Banorët e majmur të Bllokut, natën shihnin ëndrra të frikshme me sulme të befasishme nga deti e ajri dhe nga malet. Ndaj zgjoheshin të trembur dhe në mbledhje të fshehta, hartonin lista arrestimesh me emra të diktuara nga krerët kryesorë të partisë, disa të njoftuara edhe nga agjentët e sigurimit.

Befas, në krahun e shkretë të oborrit të Ambasadës Sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë, shpërtheu një sasi e pakët dinamiti, nga e cila u thyen vetëm disa xhama. Dhe ja, brenda një nate, sipas listave të përgatitura qysh më parë, u shoqëruan të lidhur mbi treqind vetë, midis tyre, Sabiha Kasimati, dijetare e Institutit të Shkencave, Jonuz Kaceli, nga familja e madhe e Kacelëve, Fejzi Dika, i lauruar në Montepelier për filozofi dhe pedagogji, poet e mendimtar patriot, Ing. Vasil Noçka, një prej yjeve të Universitetit të Shtutgardit, Prof. Ibrahim Babamusta, personalitet i njohur i kulturës perëndimore, Gaqo Qano, doktor i kirurgjisë dentare, i kthyer nga studimet në SHBA, Gani Strazimiri, inxhinier i shquar i ndërtimit, Rrok Radovani, profesor i kimisë, Tefik Gabrani, ekonomist, zotërues i disa gjuhëve, patriot i kthyer nga Selaniku në atdhe për Kosovën e shumë të tjerë. Nga listat e zeza nën diktatin e E. Hoxhës dhe të M. Shehut, u përzgjodhën për pushkatim 22 vetë,të gjithë banues në Tiranë.Shumë njerëz qenë të bindur se atentati dhe arrestimet u kryen me urdhër nga lart, me anën e shërbimit të fshehtë, me emrin Sigurimi i Shtetit, duke fashitur kështu ëndrrat e shpresat e qytetarëve për shembjen e diktaturës. Asnjë nuk u pyet për ngjarjen e bujëshme me dinamit, por veç për ndodhi e biografi të paraluftës. Madje, pati zyrtarë rusë, që ndërhynë për lirimin e disave prej tyre. Ishte koha, kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, po bënin hapat e para. Viktitimat e terrorit komunist, të pushkatuar pa faj e pa gjyq, më 26  shkurt 1951 pranë Urës së Beshirit. Të  lidhur tok me tela u varrosën  në një gropë  të përnbashkët- një krim barbarar i padëgjuar në histori.

Ata 22 fatkeqë, pasi lindën, u rritën dhe u shkolluan, ecën nëpër udhën e jetës, herë me gëzime të pakta, herë të tronditur nga zhgënjime, apo nga dramat familjare, së fundi do t’i priste një mbarim tragjik, nga dora gjakatare e tiranit komunist E.Hoxha dhe e xhelatit M. Shehu. Pas arrestimit, u pushkatuan në mbarim të pesë ditëve, pa prokuror, pa gjyq e pa asnjë shpjegim zyrtar,në mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, pranë Urës së Beshirit.Ky veprim u quajt i përligjur, sipas një dekreti mizor me gjashtë nene, për “veprimtari terroriste“, që u hartua me vonesë nga kreu i Ministrisë së Brendshme M. Shehu dhe u miratua rrufeshëm nga Presidumi i Kuvendit Popullor dhe Byroja e PPSH, më 26 shkurt 1951, kur gjithçka, pa gjyq, kishte marrë fund. Ministri i Drejtësisë u përjashtua nga kjo orgji juridike e pështirë. 26 shkurti shënon një datë të zezë të drejtësisë shqiptare që ngjeth jo vetëm çdo jurist në botë, por edhe njeriun më të thjeshtë.Një oficer i lartë i asaj kohe të mbrapshtë dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk u bë gjyq! Ata u çuan direkt në vendin e pushkatimit dhe nuk u la kohë për gjykimin e çështjes.“Pra, asnjë seancë gjyqësore nuk u zhvillua. Nuk u dëgjua as prokurori, as gjyqtari. Mungonin dëshmitarët dhe avokati. Viktimat, të lidhur me tela me gjemba të kohës së luftës, i hipën në një kamion. Jonuz Kacelin të vdekur nga torturat e hodhën nga dritarja. Askush prej tyre nuk u njoh me vendimin. Në mes të natës, kur era e maleve ulërinte si mallkim, i pushkatuan barbarisht të gjithë ashtu siç qenë, të lidhur tok.Kur krismat e armëve pushuan, u dëgjua britma e dhimbshme e një gruaje: “Ç’i paskam bërë perëndisë!“ Ishte Sabihaja! Plumbi nuk e kishte kapur! Atëherë iu sulën dhe ia shuan jetën, duke e qëlluar egërsisht me kondakët e pushkëve. Pas disa çasteve, britmat e saj pushuan. Ndihej vetëm ulërima e erës dhe rrjedha e tërbuar e Erzenit. Një vetull hëne e pikëlluar rrezëllinte midis reve. Të vrarët, ashtu siç qenë, i mbuluan shkel e shko, në një gropë të përbashkët. Gjithçka kishte marrë fund. U dëgjua një motor që u ndez. Xhelatët, pasi mbaruan detyrën me sukses, u zhdukën si hajna nëpër natë. Të nesërmen nëpër shtëpitë e Tiranës, fshatarët e fshatit pranë, trokitën të tronditur dhe rrëfyen ç’kishte ndodhur në mesnatë.Vite më vonë, ndërsa punohej për shpyllëzimin e asaj zone, një traktoristi i ra të fikët, kur pa që traktori nxori papritur një kufomë gruaje dhe po e hiqte zvarrë. Qe trupi i patretur i martires Sabiha Kasimati…

Pas ekzekutimit të viktimave, që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan të mangëta. Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, merret vesh një vandalizëm i paparë, se më datën 27 shkurt 1951, një trup gjyqtarësh fantazmë i përbërë nga tre vetë, pa praninë e prokurorit, kishte dhënë vendimin e dënimit me vdekje për 22 të vdekur! Në atë dokument të turpshëm mungon sërish një nënshkrim.

Pra, bllokmenët, uzurpatorët e Shqipërisë, me atë vrasje, kërcënuan gjithë popullin liridashës, kërcënuan drejtësinë, kërcënuan edhe Zotin. Me këtë rast, E. Hoxha u rek të tregonte dashurinë e madhe për miqtë e rinj sovjetikë, e mbi të gjitha të qetësonte jetën e tij të mbrapsht. As Shekspiri i tragjedive, s’do të mund të gjente fjalë për të treguar, sesi brenda një nate u krye ajo masakër e llahtarshme.

Pas atij akti kriminal, diktatori E. Hoxha do të hakërrehej me grushtin lart: “Reaksioni i brendshëm është strukur si miu dhe po lëvizi, e piu e zeza!”

Ja, cilët ishin ata, shumica në moshë të re, që humbën jetën, pa asnjë faj, nga pushkatimi mizor në natën e ftohtë të 26 shkurtit 1951:

Sabiha Kasimati,

38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë,e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo vajzë patriote e ditur, nga fisi njohur i Kasimatëve. dëshiroi vendin e saj, Shqipërinë, ndaj më 1945, u kthye në atdhe dhe punoi në Institutin e Shkencave, krahas shkencëtarëve të shquar në histori. Si ishte  e mundur të dënohej pa faj e të masakrohej egërsisht një engjëllushe e atillë?  Për atë krim barbar ndaj asaj vajze të rrallë dijetare, fajtor ishte vetë dora e përbindëshit ziliqar E. Hoxha. Kumti i saj njërzor jeton edhe sot:“evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci; shkohet drejt shkatërrimit.”

Manush Peshkëpia,

39 vjeç, poet patriot, lindur në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën, Poradecin, Koliqin, Kutelin etj. Ja, si është shprehur intelektuali i shquar Vedat Kokona:“Shumë nga shokët e mivdiqën zemërplasur pas dekadash me vuajtje dhe mjerime. Një nga këta fatzinj ishe edhe ti, Manush. Askush në këtë sallë dhe jashtë saj nuk të ka njohur si të kam njohur unë, si vëllai, gjashtëdhjetë vjet më parë… Shumë njerëz kam njohur në jetën time, pak kam çmuar, shumë pak kam dashur siç të kam dashur ty. Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet, të mos jesh poet në vargje, nuk është faj. Faj është të mos jesh njeri. Ti, Manush, ishe poet njeri!” Edhe pas pushkatimit nga terrori i kuq në mesnatën e 26 shkurtit, ky poet njeri mbeti i gjallë në vargje e në dritë.

Tefik Shehu,

39 vjeç, lindi në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për ekonomi, financë dhe drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë. Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945 u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, askush nuk mundi ta mbronte nga kriminelët.

Pjerin Guraziu,

45 vjeç, lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me arritje të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946. Për këto aftësi meritoi pushkatimin.

Jonuz Kaceli,

43 vjeç, lindi në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulturë, art etj. Më vonë, sipas një dëshmitari, për këto vlera, sadisti ministër i Ministrisë së Brendshme M. Shehu e vrau me tortura dhe e hodhi nga dritarja.

Anton Delhysa,

47 vjeç, lindur në Prizren. Specialist ndërtimi, kishte kryer me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulzit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të rikonstruksionit të Shkollës Teknike të Fulzit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës drejtoi punimet për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për spitalin e Gjirokastrës, për fabrikën e tullave në Vorë, etj. Për punën e tij, u dekorua edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Së fundi, u shpërblye me pushkatim!…

Haki Kodra,

30 vjeç. Lindi në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik. Në vitin e zi 1951 u pushkatua pa mëshirë e pafaj nga terroristët e kuq shqiptarë.

Gafur Jegeni,

41 vjeç. Lindi në Dibër. Ishte një nga përfaqësuesit e shquar të Jegenëve të Dibrës. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935 më 1937, komandant i kufirit bregdetar të Shqipërisë. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria. Në shkurt të vitit 1951, në vend të plotonit ushtarak italian të ekzekutimit, u ndodh përballë skuadrës së pushkatimit barbar me ushtarë shqiptarë, që mbanin yll të kuq në ballë.

Myftar Jegeni,

36 vjeç. Lindi në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët, pasi e arrestuan, e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë, deri në vitin 1951. Nuk mundi të punonte më, sepse në atë mesnatë të zezë e pushkatuan pabesisht.

Reiz Selfo,

lindur në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregëti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera, janë tregues të qartë të ndihmës së tij për lulëzimin e Shqipërisë. Si njeri bamirës dikur i dha ndihmë financiare edhe vetë E. Hoxhës, por dora e atij diktatori gjaktar, më 26 shkurt 1951, ia rrëmbeu jetën pa mëshirë biznesmenit të madh patriot.

Qemal Kacaruho,

49 vjeç. Lindi në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja. Në vitet 20-40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave. Ndërkohë, mori pjesë në luftën kundër pushtueve italo-gjermanë. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut. Së fundi, e lanë jashtë edhe nga jeta, por nuk mundën ta fshinin nga kujtesa e kombit.

Zyhdi Herri,

30 vjeç. Lindi në Tiranë. Mësoi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Çl. Pas luftës, ishte kryeredaktor i gazetës Bashkmi në Tiranë. Më pas e priti nata e ftohtë e pushkatimit pa gjyq e pa faj.

Gjon Temali,

47 vjeç. Shkodran. Në vitet 40 studioi për farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës. Ky njeri, i përkushtuar në shërbimin human të mjeksisë, u desh të vritej si “terrorist”, pa gjyq e pa faj!

Petro Konomi,

30 vjeç. Lindur në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi, në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Çl. Pas luftës u emërua në ATSH. Edhe ky punonjës korrekt, duhej lidhur me tela, për t’u vrarë barbarisht!

Niko Lezo,

50 vjeç. Lindur në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Kreu Universitetin e Tuluzës në vitin 1921. Dy vjet më pas, ngriti të parin laborator kimik në Tiranë. Po atë vit zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940 arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës, punon sërish kimist në laboratorin, që tashmë ishte nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ky themelues i paharruar i laboratorit të parë shqiptar, u pushkatua pa mëshirë për kurrfarë faji!

Pandeli Nova,

59 vjeç. Lindur në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944 u mor me tregëti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N.Çl. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare. Prind i një djali partizan. Në mesatën e 26 shkurtit 1951, dëgjoni për herë fundit, zërin e ashpër të komandantit komunist: Zjarr!

Thoma Katundi,

më i “vjetri” në moshë, 64 vjeç! Lindur në Katund të Korçës. Ish Vatran në SHBA. I djegur nga malli, u kthye në atdhe dhe punoi me ndershmëri. I edukuar nga idetë demokratike amerikane, duke përbuzur çdo tirani, humbi jetën më 26 shkurt 1951. Faji i tij nuk ishte vetëm dashuria për lirinë, por edhe malli për atdheun!

Mehmet Shkupi,

58 vjeç. Lindi në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish pronar me arsim të mesëm dhe me profesion mjeshtër kaloriferi. Dyshohej si “agjent” i Legatës Franceze dhe se, gjoja, zhvillonte veprimtari terroriste. Pra, u dënua me vdekje pa asnjë provë e pa gjyq konkrete e pa gjyq!

Ali Qorraliu,

61 vjeç, tiranas i pasur, jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës përkrahu Ballin Kombëtar, ndaj edhe u burgos nga regjimi komunist. Si u lirua, e arrestuan së dyti herë si “terrorist“ dhe e pushkatuan pa mëshirë, pa gjyq! Kur u zbulua ai varr i kobshëm masiv, u vu re se para pushkatimit ia kishin shkulur dhëmbët e florinjtë!

Fadil Dizdari,

me origjinë nga Shkodra, lindur në Kavajë. Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. I dashuruar pas librave, mbante hapur një librari në qendër të Tiranës. U arrestua dhe u pushktua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, e “armik i pushtetit popullor.” Në të vërtetë, faji i tij ishte bujaria. Shiste pothuajse falas kryeveprat botërore, të ashtuquajtuar libra “të verdha” të autorëve me famë, si Viktor Hygo, Aleksandër Dyma, Frederik Shiler, etj. Nga ai shpëtoi vetëm unaza e fejesës, që u gjet në gropë, për të dëshmuar krimin e fshehtë e barbar në atë mesnatë të paharruar.

Hekuran Troka,

32 vjeç. Lindi në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë për atë djalë të hijshëm, ishte shënuar: “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “ terrorist.” U pushkatua i dyshuar, pa gjyq. Familja iu internua dhe punoi në punë të rënda për bukën e gojës!

Lluka Rashkoviç,

51 vjeç. Lindur në Mal të Zi. Ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Merrej me transport udhëtarësh. Ishte jashtë çdo rryme politike. Për jetën e pastër dhe punën e ndershme në shërbim të qytetarëve, e arrestuan dhe e pushkatuan pa gjyq!

Për atë gropë të braktisur në errësirën e ftohtë 60 vjet më parë nga xhelatët e nga fajtorët e shekullit, folën eshtrat, folën edhe gurët, folën arkivat e zbuluara edhe ato si gropa e të vrarëve. Foli kujtesa e njerëzve të ndershëm, e motrave, vëllezërive e nipave, foli kujtesa e një populli të tërë. Ishte një e folur me zë të lartë, që ta dëgjonte bota. për të marrë vesh, se ç’ishte në të vërtetë Republika Popullore Socialiste, ose Komuniste, e E. Hoxhës dhe e M. Shehut, “fanari ndriçues”, burgu e varri i përbashkët i shqiptarëve….

***  

RRJEDHA E LUMIT NËN URË

Kushtuar 22 shqiptarëve të vrarë,

pa gjyq e pa faj, në vitin 1951,

pranë Urës sëBeshirit.

Erzeni trishtueshëm te Urë e Beshirit rrjedh,

e sillet e shtillet  vorbulla te bregu nën gjeth.

Me zhaurimë në zall, mbi bar hedh lot-stërkala

sado krim  në terr, me pëshpërimë përhapet fjala!

Dritaret e hijet, dushqet e shkurret, tregojnë,

për gropë martirësh në heshtje dhe gurët vajtojnë.

Dhe toka e zezë për njerëz të mirë pa faj,

ndër tela me gjemba thurur gjallë, skaj më skaj.

Cilës epoke tiranësh u përkasin, o antropolog,

këto eshtra shpupurisur në pluhur, lidhur tok?!

Mos janë ilire, në errësira kohësh vrarë

nga sëpata, shigjeta e ushta hordhish barbarë?

Jo, jo! Vrastarët nuk janë prej fisesh leshtorë,

por komisarë të kuq, me yll të kuq gjëmbor!

Komisarë qelish, pa gjyqe, pa firmë e vulë.

Komisarë pa shpirt, pa besë, pa mend e pa turp.

Komisarë që japin me hakërrime mandatën,

me ngjirje, plotonë, krisma e plumba natën.

Dhe bisha fle, kur ngryset në pyll a në shpellë!

Dhe ujët fle, drurët prehen në gjumë të thellë!

Më kot fërkojnë duart me gjak komisarët,

më kot mundohen të harrohen gjithë të vrarët!

Nga gropa, nga gropa shpirtrat fluturuan lart,

me fllad Perëndie u qetua çdo lëngatë!

Një poet qiejsh ndër muza, libra diturie,

një bir Kosove e burrë i urtë malsie!

Njeri fisnik nga derë artistësh lulëzimi!

Ekonomist një tjetër me ëndrra përparimi!

Tjetri vatran, zhuritur nga mall mërgimi!

Një ëngjëllore, nimfa e gjallërisë ujore,

Sabi, Sabihaja, puhiza mëngjezore!

Në lumej, det, oqean dëgjohet thirrja e saj,

shpirti fëminor endet livadhesh në parajsë.

Mërmërojnë valët: Sabiha! Sabiha!

Buçasin dallgët: Sabi! Sabiha! Sabiha!

Erzeni u zgjua, te urë e Beshirit rrjedh,

e sillet e shtillet nën lule e gjeth,

me zhaurimë në zall e mbi bar hedh lot-stërkala,

për krime terri me oshëtimë përhapet fjala!

Filed Under: Politike Tagged With: 69 vjet, Agim Xh Deshnica, ambasada ruse, bomba

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 375
  • 376
  • 377
  • 378
  • 379
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT