• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THACI- MITCHELL: SHBA MBESHTET KOSOVEN

September 26, 2018 by dgreca

-Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Wess Mitchell: Kosova do ta ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe më tutje/

1 delg Mitchell

-Presidenti Thaçi: SHBA-ja është aleati ynë i përjetshëm. Të gjitha proceset i kemi projektuar dhe finalizuar së bashku/

 -Kryeministri Haradinaj: ShBA-të kanë rol të pazëvendësueshëm në rrugën euro-atlantike të vendit/

 NEW YORK-WASHINGTON, 26 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/ Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, tha se Kosova do ta ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe më tutje, në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, në arsim dhe në rrugën e saj euroatlantike. Njoftimi i plote:

Presidenti Thaçi takoi ndihmës-sekretarin Mitchell, merr mbështetjen e SHBA-së

 New York – Presidenti i Republikës së Kosovës, së bashku me kryeministrin, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacollin, zhvilluan një takim me ndihmës-sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell.

 Në këtë takim është biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, avancimin e agjendës euroatlantike të Kosovës, procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës si dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Presidenti Thaçi ka falënderuar ndihmës-sekretarin Mitchell për mbështetjen e palëkundur të SHBA-së që ka dhënë për shtetin dhe popullin e Kosovës në të gjitha periudhat, nga liria, te shtetndërtimi dhe tani forcimi i perspektivës euroatlantike.

 “SHBA-ja është aleati ynë i përjetshëm. Të gjitha proceset i kemi projektuar dhe finalizuar së bashku. Prandaj, ne asnjëherë nuk do të largohemi nga kjo rrugë. Do të ecim së bashku drejt sfidave të reja që na presin”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Duke folur për fazën e fundit të dialogut, presidenti Thaçi ka theksuar se mbështetja amerikane në këtë proces është jetik, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme.

Nga ana tjetër, ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell ka siguruar presidentin e Kosovës se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e gjithmbarshme për Kosovën.

Filed Under: Politike Tagged With: Presidenti Thaçi, takon ndihmes sek Mitchell

Përtej një replike

September 25, 2018 by dgreca

1-Alma-Lico-300x165Nga Alma LIÇO/

Herë pas here kam publikuar pjesë nga kujtimet që sjell në librin tim “Krahë të keputur”, me mbresat fëminore të viteve të tmerrshme të jetuara në diktaturë. Duke lundruar në internet, rastësisht konstatova se një gazetë e përditshme kishte botuar disa prej tyre. Por ajo që më befasoi, ishin disa komente cinike rreth atyre vuajtjeve dhe genocidi të pashembullt, të shkaktuara nga rregjimi çnjerëzor komunist, bëma tashmë të njohura botërisht. Ndjeva shtysën t’i përgjigjem një komentuesi me nofkën “Lugati”…

 I nderuar  “Lugat”,

1-alma-Lico2-250x290Paraprakisht, dëshiroj të të komplimentoj për nofkën, që është përshtatje perfekte e asaj çfarë përfaqëson. Ti nuk ke as minimumin e burrërisë të prezantohesh me emrin tënd të vërtetë.
Si komunist që je, të kuptoj për pandjeshmërinë dhe instiktet çnjerëzore. ……ditaret e jetës tuaj kullojnë gjak, nga ai i burrave, grave, pleqve, plakave , madje dhe ai i fëmijëve të djepit që u masakruan në emër të ideologjisë suaj të çmendur dhe pushtetit të dalë nga gryka e pushkës.
Të kuptoj për arrogancën imponuese me të cilën trajton historinë e deformuar, të shkruar nga të ngjashmit e tu .
Të kuptoj për intolerancën ndaj personave që mendojnë ndryshe nga ti, të cilët dhe sot e kësaj dite, ashtu si etërit e tu, i konsideron armiq.
Madje të kuptoj dhe për fjalorin vulgar dhe fyes që përdor rëndom në ligjeratat e tua.
Të kuptoj për urrejtjen që çfaq në mënyrë të pamotivuar ndaj qënieve njerëzore që nuk i ke njohur kurrë.
Të kuptoj edhe kur ndeshesh për opinione dhe këndvështrime lidhur me ngjarje të caktuara, pasi në kontekste të veçanta, ato edhe mund të ndryshojnë.
Por, ajo që nuk arrij të kuptoj është se ku e gjen të drejtën të më kundërvihesh mua. Unë kam shkruar një libër të thjeshtë me përjetimet e mia fëminore në diktaturë, të cilat nisin me internimin familjar, ditën kur unë mbusha dhjetë vjeç, kalvar persekucioni i cili vazhdoi mizorisht deri në vitin 1991.
I nderuar “Lugat”, unë nuk ndaj opinione për ngjarje të cilat nuk i kam jetuar, nuk bëj konkluzione, ato ja kam lënë me modesti lexuesve të mi. Unë shkruaj për ngjarje të vërteta, të jetuara nga vetë unë, të cilat për fat të keq nuk mund të ndryshojnë kurrë, me gjithë shtysën tënde dashakeqe për t’i keqinterpretuar ato. Në librin tim, unë tregoj se na hodhën familjarisht si dengje para një kasolleje të mbuluar me kashtë, diku në një fshat të largët, e cila do të trembte dhe bagëtitë. Pa dashur të përsëris ato realitete të tmerrshme që kam sjellë në atë libër, unë dëshmoj për të gjitha vuajtjet e atyre viteve të pafundme, në atë terror të pashembullt. Dhe zëri im nuk është i vetmuar. Gjatë viteve të tranzicionit janë paraqitur ngjarje dhe fakte të tmerrshme për terrorin e papërsëritshëm të komunistëve, ndaj asaj pjese të pambrojtur të popullsisë që nuk ishte bashkuar me ideologjinë e tyre vrastare. Ky ishte një krim që, sipas etërvë të tu komunistë, duhej të paguhej brez pas brezi, që nga fëmijët e sapolindur, e deri te pleqtë e plakat.
Dy vite më parë, në bulevardin kryesor të Tiranës, u vendosën fotot e tridhjetë e tetë martirëve të fesë katolike, të masakruar në mënyrën më mizore që ka njohur ndonjëhere historia e terrorit botëror…
Historia e zezë e komunizmit përmban mijëra të ekzekutuar të pafajshëm…të burgosur…familjarë e të afërm përjetësisht të internuar…
Asnjeri prej ketyre fakteve makabre, që do të ngjethnin çdo qenie njerëzore, nuk të bën përshtypje. Si skllav i lindur dhe i pandryshueshëm i ideologjisë vrastare, madje rrekesh të më sfidosh, se fajtor ka qenë gjyshi im, i cili nuk ndejti urtë të pranonte rregjimin, pasi çdo shtet ka ligjet e veta që duhen zbatuar…
Ti “Lugat” je veçse një mjeran i verbër, një skllav që i bindesh përulësisht etërve të tu kriminelë, që ul kokën dhe pranon me devotshmëri të plotë fshikullimet e lavazhin e trurit… si të mos mjaftonte asgjësimi i kundërshtarëve, kuçedra komuniste asgjësoi njeri pas tjetrit dhe pjellën e saj…dhe rezultat…një popull në arrati për të shpëtuar nga varfëria dhe terrori i baballarëve të tu, dhe vendi i bunkerizuar dhe i izoluar që ata ndërtuan.
… Koha i dha të drejtë gjyshit tim që e kundërshtoi ideologjinë komuniste që në vitin 1944…
…Nuk po zgjatem më shumë me ty…madje shumë kohë të kushtova…po të le në pellgun e mjerimit tënd…dhe kujto…ndonëse kalova fëmijërinë dhe rininë në internim…unë jam më e lirë se ti…

Filed Under: Politike Tagged With: Alma LIÇO, Përtej një replike

Kosova falënderuese për gjithë kontributin që ka dhënë Amerika

September 25, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj gjatë vizitës zyrtare që është duke e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vizitoi Akademinë Ushtarake “West Point”/

1 Thaci nderimi

Washington, 25 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare që është duke e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pritur në Akademinë Ushtarake “West Point” nga Gjeneral Lejtnant Darryl A. Williams me bashkëpunëtorë.
Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj, falënderoi Gjeneralin Williams për pritjen dhe për ndihmën që është duke e dhënë kjo Akademi për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përmes ofrimit të studimeve për kadetët kosovarë, e që aktualisht këtë Akademi janë duke u shkolluar dy kadetë të FSK-së, Arnela Shala dhe Ylli Dalladaku.

“Vendi ynë është falënderues për gjithë kontributin që ka dhënë Amerika, si në kohë lufte poashtu edhe paqeje. Jemi përherë mirënjohës që i kemi aleat të fuqishëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Kryeministri Haradinaj.

Ndër të tjerash, Kryeministri Haradinaj, duke folur para përfaqësuesve të “West Point Academy”, për transformimin e FSK-së në ushtri, tha se Kosova është e gatshme që ta ketë ushtrinë, e cila do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në vend dhe më gjerë.

Gjeneral Lejtnant Darryl A. Williams, pasi falënderoi Kryeministrin Haradinaj për vizitën, tha se Kosova do ta ketë mbështetjen e parezervë të këtij institucioni përmes ofrimit të trajnimeve dhe studimeve ushtarake për pjesëtarët e FSK-së.
Nga Gjenerali Williams, Kryeministri Haradinaj ka pranuar një dhuratë me simbolet e Akademisë Ushtarake “West Point”, ndërsa kryeministri Haradinaj e ka nderuar Gjeneralin Williams me medaljen e Skënderbeut.

 Në Akademinë Ushtarake “West Point” ishte e pranishme edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku. /b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Falenderime, Haradinaj, SHBA- KOSOVE:

SHBA-të vlerësojnë sukseset e Kosovës

September 24, 2018 by dgreca

-Kryeministri Ramush Haradinaj në takim me Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Pete Marocco: Kosova e gatshme të kontribuojë për paqen në rajon dhe botë/

1 Hashimi ndihmes sek

NJU JORK, 24 Shtator 2018-Gazeta DELLI/ Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco, në një takim sot në Nju Jork me kryeministrin kosovar Ramush Haradinaj tha se SHBA-të vlerësojnë sukseset që ka shënuar Kosova dhe do të jenë mbështetëse në rrugën e saj euroatlantike.

Njoftimi i dërguar thekson se, në takimin e zhvilluar në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është biseduar për angazhimin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit dhe për veprimet e ndërmarra në funksion të konsolidimit të brendshëm të vendit, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe të gjitha mekanizmave të sigurisë dhe për angazhimin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

“Kosova është e gatshme që të kontribuojë për paqen në rajon dhe botë”, citon komunikata kreun e qeverisë kosovare.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco për të arriturat në Kosovë në përmbushjen e reformave, zhvillimin ekonomik, dhe në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit.

“Qeveria është duke punuar në fuqizimin e rendit dhe ligjit. Ne kemi institucione kredibile që mund të kontribuojnë në ruajtjen e paqes në vend dhe rajon”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar gjithashtu se fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të vendit duke u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, do t’i mundësojë Kosovës që të jap kontributin e saj në sigurimin e paqes së qëndrueshme./b.j/

Kryeministri Haradinaj takoi në Nju Jork, shefin e MCC-së

Nju Jork, 24 shtator 2018- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në ShBA, ka takuar Kryeshefin Ekzekutiv të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Brock Bierman.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, e ka falënderuar kryeshefin e MCC-së, për kontributin e gjithanshëm që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për popullin dhe shtetin e Kosovës.

“Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për ndihmën që SHBA-të kanë dhënë për Kosovën”, tha kryeministri Haradinaj, i cili njëkohësisht e njoftoi kryeshefin Bierman për të arriturat e konsolidimit të shtetit.
Ndërkaq, Bierman gjatë bisedës me kryeministrin Haradinaj, vlerësoi përkushtimin e Qeverisë së tij në përmbushjen e agjendës shtetërore.
Programi i MCC-së për Kosovën, përkrahë përpjekjet e Qeverisë për të ulur shpenzimet e energjisë në ekonomi familjare dhe biznese, dhe për të përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien me përqendrim në reformat institucionale dhe të politikaveAmerika, partnere  e Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit.

1 Takimi 2

-Kryeministri Haradinaj: ShBA-të, partner i vendit në të gjitha fazat e shtetndërtimit/

Nju Jork, 24 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një takim me senatorin amerikan, Ronald Johnson, anëtar i Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Njoftimi dërguar nga qeveria e Kosovës thekson se,  në këtë takim Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Senatorin Johnson për progresin e arritur në vend, veçmas në fushën e rendit dhe ligjit dhe përkushtimin e Qeverisë në fuqizimin ndërkombëtar të vendit, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, punën drejt transformimit të FSK-së në Ushtri dhe tema të tjera me interes për vendin.
Kryeministri Haradinaj ka theksuar se Kosova është e përkushtuar që të forcojë partneritetin bilateral me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo fushë me interes për të dyja vendet, duke ritheksuar qëndrimin e Qeverisë për miqësinë e përjetshme me ShBA-të dhe orientimin e pakthyeshëm euro-atlantik.
“ShBA-të ishin krah nesh në secilën etapë të shtetndërtimit tonë dhe orientimi ynë si vend është krah politikave të miqve tanë”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.
Nga ana tjetër, Senatori Johnson ka përshëndetur angazhimin e Qeverisë së vendit në tema të ndjeshme për sigurinë dhe ka shprehur gatishmërinë për ta përkrahur vendin në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Pjesë e takimit ishin edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, Zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm Behgjet Pacolli dhe Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Vlora Çitaku.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kryeministri Haradinaj, Pete Marocco, zv-ndihmes sek

Mbi historitë me kufij të lëvizshëm

September 23, 2018 by dgreca

1-akri-Cipa-299x300  Nga Akri Çipa/

Në parantezë duhet theksuar edhe njëherë se ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk është e re. Në fakt, ajo është një ide që Presidenti Vuçiçe ka përkëdhelur prej kohësh. Edhe në Kosovë ka pasur aktorë politikë që e kanë përqafuar këtë opsion përpara se të fillonin ethet e tanishme. Gjithsesi, në anën shqiptare të kufirit këta mbështetës kanë qënë të izoluar dhe kjo ide publikisht konsiderohej tabu.

Sot gjendemi në qendër të një historie ku kufijtë e lëvizshëm fandaksen si një realitet i prekshëm në Ballkan. Ishte ambasadori amerikan në Prishtinë i cili la i pari hapur mundësinë e ndarjes duke mos e refuzuar si zgjidhje potenciale të çështjes së Kosovës, ndërkohë që duke nisur nga përpara shpalljes së pavarësisë, SHBA gjithmonë e kishte përjashtuar cënimin e integritetit territorial. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton u tregua po aq i vagullt dhe e la hapur portën e shkëmbimit të territoreve duke thënë që përgjegjësia e arritjes së një marrëveshjeje ishte vetëm mbi aktorët protagonistë. Komisioneri Hahn dhe Përfaqësuesja e Lartë Mogherini ndoqën të njëjtën vijë duke lënë Gjermaninë, si të vetmin vend të interesuar për rajonin që e refuzon kategorikisht ndryshimin e hartës dhe pasojat që rrjedhojnë.

Në të gjithë këtë skenar ka një ngutje nga pala zyrtare serbe dhe kosovare, sipas të gjitha gjasave për të shfrytëzuar momentin e tanishëm në të cilin ka një ndryshim retorike nga përfaqësuesit diplomatikë dhe vendim-marrësit në Europë dhe përtej Atlantikut. Te europianët kjo ndodh për shkak të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2019, sikurse edhe prej mbarimit të mandatit të Komisionit Europian, duke përfshirë dhe zonjën Mogherini. Është pikërisht kjo e fundit që ka ndërmjetësuar dhe drejtuar dialogun Kosovë-Serbi deri më tani dhe padyshim që synon ta mbyllë mandatin me një marrëveshje përfundimtare në këtë drejtim.

Por, edhe përfaqësuesit amerikanë kanë treguar një lloj padurimi dhe ngutje që në pamje të parë duket si një ndryshim qasjeje. Nga pikëpamja amerikane, vlejnë të konsiderohen disa elemente të tjera politike dhe gjeopolitike që mund ta ushqejnë këtë nxitim, si për shembull mbetja në vend e procesit të paqes në Lindjen e Mesme.

David Friedman, ambasadori amerikan në Izrael e pohoi rishtazi në mënyrë jozyrtare se gjasat që administrata amerikane të shpalosë një plan paqeje së shpejti janë minimale. Pesha e kësaj ngrirjeje rëndon mbi Jared Kushner, këshilltarin dhe dhëndrin e Presidentit Trump, mbi shpatullat e të cilit rëndon detyra e arritjes së marrëvëshjes së shekullit. Në këto kondita, burime jozyrtare pohojnë se Kushner po përfshihet gjithmonë e më shumë në çështjen e Kosovës dhe ka nga ata që pohojnë se konflikti Kosovë-Serbi mund të bëhet zyrtarisht pjesë e portofolit të tij të gjerë. Brenda këtij kuadri, mund të lexohet edhe takimi i disa muajve më parë ndërmjet Kushner dhe Ivica Daçiç në Shtëpinë e Bardhë. Nësë zërat konfirmohen dhe zyrtarizohet roli parësor i Kushner, logjika thotë që administrata aktuale po synon dhe beson në arritjen e një suksesi të shpejtë në arenën ndërkombëtare dhe një zgjidhje përfundimtare të konfliktit për të mbyllur një nga çështjet më me interes strategjik dhe investimet më të mëdha amerikane në Europë pas rënies së komunizmit.

Dëshira amerikane dhe europiane për të arritur në një zgjidhje përfundimtare dhe për ta mbyllur kapitullin Kosovë-Serbi në mënyrë të shpejtë, nuk do të thotë domosdoshmërisht që faktori ndërkombëtar mbështet ndarjen e Kosovës. Ndarja e Kosovës, shkëmbimi i territoreve, ose qoftë edhe korrektimi i kufijve, që trumbetohet publikisht nga Presidenti Thaçi janë nisma tejet komplekse dhe problematike. Edhe nëse arrihet një marrëveshje për një kufi të ri (mundësitë janë shumë të vogla), implementimi i saj do të kërkonte mjaft kohë dhe kushte specifike për t’u materializuar. Fjala vjen, do të nevojitej amendimi i kushtetutave të të dyja vendeve, potencialisht zhvendosja e një pjese të minoritetit serb nga Kosova në Serbi dhe një pjese minoriteti shqiptar nga Serbia në Kosovë. Këto elemente e bëjnë ndërrimin e territoreve një proces strukturalisht të gjatë, të komplikuar dhe që rrezikon të destabilizojë të gjitha rajonin.

Po atëherë, vërtet faktori ndërkombëtar ka dhënë bekimin për këtë nismë të vështirë dhe të rrezikshme, me pasoja në të gjithë rajonin dhe ndoshta më gjerë? Nëse jo, ku qëndron synimi i fushatës aktuale publike për propagandimin e ndryshimit të kufijve?

Djalli gjendet te detajet, ose më saktësisht te konteksti. Objektivi kryesor i kaosit që këto deklarata të vagullta kanë krijuar është, sipas të gjitha gjasave, ndryshimi i elementeve bazë të qëndrimeve aktuale. Në sistemet komplekse dhe konfliktet e tejzgjatura, status quondryshohet duke injektuar energji në sistem. Administrata amerikane aktuale e ka ndjekur këtë strategji gjerësisht, duke filluar nga dialogu aspak i zakonshëm me Korenë e Veriut, te zhvendosja e ambasadës amerikane në Jeruzalem dhe deri te tërheqja nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Qasja aktuale ndaj konfliktit Kosovë-Serbi mund të jetë aplikimi i të njëjtit manual loje.

Të gjithë besoj pajtohen me faktin që sistemi dhe aktorët kryesorë tashmë janë energjizuar. Deklaratat e Presidentit Thaçi kanë shtyrë opozitën në Kosovë dhe kryesisht Vetvendosjen të shfaqë një angazhim të panjohur më parë për integritetin territorial të Kosovës. Njëlloj ka ndodhur edhe me një pjesë të madhe të komunitetit serb në Kosovë, duke përfshirë edhe përfaqësues të kishës serbe, të cilët janë mjaft influentë. Ndërkohë që flitet për ndryshime kufijsh, aktorët lokalë po ripozicionohen dhe po shfaqin prioritete të cilat nuk i kanë paraqitur më parë. Ndoshta ky ripozicionim i përgjithshëm ndaj Kosovës mund të sjellë edhe de facto zgjidhjen e ngërçit në zemër të Ballkanit. Dhe zgjidhja mund të jetë e njohur.

Asociacioni i Komunave Serbe mbetet një pikë kyçe e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe, sipas përfaqësuesve të saj, thembra e Akilit në normalizimin e marrëdhënieve. E dakordësuar në parim ndërmjet të dyja palëve, por e refuzuar nga konteksti kosovar për arsye politike, juridike dhe strukturore, shikohet ende nga palët e dialogut si zgjidhja më e shpejtë dhe më e pranueshme. Një marrëveshje që ndërtohet mbi të, është një zgjidhje që Presidentit Vuçiç i lejon të kënaqë Europën (dhe mundësisht të marrë një premtim jozyrtar për përshpejtimin e anëtarësimit të Serbisë në BE), të shpëtojë fytyrën përpara popullit të tij, si dhe të ruajë një influencë domethënëse mbi Kosovën. Presidenti Thaçi merr bekimin e amerikanëve dhe europianëve (të cilët mund t’i garantojnë edhe liberalizimin e aq shumëpritur të vizave), krenarinë e të hyrit në histori si komandanti ushtarak që çoi paqen, si dhe siguron vazhdimësinë e tij politike. Asgje e re nën diell, paçka se tashmë aktorët lokalë politikë do e shikonin me një sy tjetër një njohje të Kosovës nga Serbia që bazohej tek krijimi i Asociacionit me fuqi të pjesshme legjislative dhe që mund të ketë disa shtojca të tjera, si për shembull limitimi i ushtrisë së Kosovës.

Treguesit aktualë tregojnë që një zgjidhje e tillë do ishte e pranueshme. Por, përtej pranueshmërisë, problemet strukturore do mbeteshin. Kosova mund të marrë njohjen në këtë mënyrë, por humbet shumë nga funksionaliteti i saj shteteror. Një njohje e ngadaltë, një integrim në organizatat ndërkombëtare që potencialisht mund të bllokohet ende nga Rusia, Kina dhe pesë vendet e BE-së, sikurse dhe rreziku i një Serbie në BE që mund ta bllokojë përjetësisht rrugën e saj europiane janë elemente të këtij skenari. Por, teksa fantazma e kufijve të lëvizshëm qëndron në ajri, shumë pak veta do e vënë kujën për këtë zgjidhje nëse e shikojnë si të keqen më të vogël. Dhe tabloja e tanishme, ashtu e paraqet.

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Çipa, Mbi historitë, me kufij, të lëvizshëm

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 442
  • 443
  • 444
  • 445
  • 446
  • …
  • 653
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT