• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Trump takon në Poloni “Europën e re”

July 6, 2017 by dgreca

Nga Gerhard Gnauk/

Në prag të samitit të G20-ës, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, viziton Varshavën dhe takohet me dymbëdhjetë kryetarë shtetesh e qeverishë nga nisma rajonale e tre detrave: Detit Baltik, Adriatikut dhe Detit të Zi.1 Trump

Tensioni në Varshavë është në rritje: po vjen Trumpi. Nuk është hera e parë, që një president amerikan viziton Poloninë. Që nga koha e Richard Nixonit (1972) deri më sot ka pasur dhjetë vizita të këtij lloji. Edhe samite rajonale me Poloninë si vend organizator ka pasur mjaft. Por këtë të mërkurë dhe të enjte (05.07 – 06.07) mblidhen të gjitha menjëherë: Donald Trump, i cili është në një farë mënyre presidneti krejt ndryshe i SHBA-së, takohet në Varshave me dymbëdhjetë kryetarë shtetesh dhe qeverishë nga vendet lindore të BE-së që nga Estonia deri tek Bullgaria si dhe Austria.

Qeveria Trump, siç njofton Shtëpia e Bardhë, do që të “ritheksojë detyrimin e palëkundur të Amerikës ndaj njërit prej aleatëve më të ngushtë europianë si dhe që për administratën e SHBA-së ka prioritet forcimi i mbrojtjes kolektive të NATO-s”. Bëhet fjalë edhe për “vlera dhe interesa të përbashkëta dhe një lidhje të ngushtë me Europën Qendrore. Gjatë këtij prezantimi të parë në Europpë Trump do të mbajë një fjalim të rëndësishëm para një mase njerëzish në monumentin përkujtimor të kryengritjes së Varshavës.

Presidenti Duda: Nisma e tre detrave është prioriteti im

Një vizitë në Varshavë është për kreun amerikan të shtetit pothuajse gjithmonë si të ardhurit në shtëpi. Asnjëherë ndonjë vizitë në Varshavë nuk është pritur me deonstrata, përkundrazi ka pasur gjithmonë demonstrim të aleancës së kuptueshme historike amerikano-polake. Gjatë kësaj vizitë Polonia jo vetëm do të prezantohet si “vendi i lirisë”, siç preferojnë ta lëvdojnë atë gjithmonë preesidentët amerikanë. Por këtë herë shtohet dhe fakti që Varshava prezantohet si organizatorja e takimit të nismës së tre detrave (“Three Seas Initiative”). Presidenti Andrzhej Duda e prezantoi këtë koncept në një fjalim programatik në konferencën GlobSec në Bratislavë.

Duda tha atje, se kjo nismë do të jetë një “ndër prioritetet” e presidencës së tij. “Polonia do të bashkëkontribuojë në një bashkësi rajonale në bashkësinë euroatlantike”, tha ai duke sqaruar, se Europa Qendrore “në mënyrë të vetëkuptueshme është mjedisi politik i Polonisë”. “Ndaj ne synojmë, që Europa Qendrore të jetë e sigurtë dhe koherente dhe ajo të zhvillohet ekonimikisht në mënyrë dinamike.”

Nisma nuk drejtohet kundër BE-së

Ashtu si bashkëpunimi i anëtarëve lindorë të NATO-s (Duda përmendi në këtë kontekst grupin e “nëntë vndeve të Bukureshtit”), duhet të funksionojë edhe ky grup brenda strukturave ekzistuese, pra brenda BE-së. Grupi ndërdetar nuk synon krijimin e ndonjë blloku apo të ndonjë politike të jashtme të veçantë, sigurojnë ekspertët e vendeve pjesëmarrëse.

Koncepti ndërtar dhe “Europa e re”

Megjithatë kjo nismë të kujton edhe disa të tjera nisma më të hershme. Njëri ndër më të vjetrit është koncepti “ndërdetar” , kur para luftës Polonia përpiqej të farkëtonte aleanca me vendet më të vogla duke u ndodhur vet në situatën delikate mes Gjermanisë revizioniste dhe Bashkimit Sovjetik agresiv. Ndërdetare asokohe nënkuptonte hapësirën me influencë polake mes Detit Baltik dhe Detit të Zi. Ndërsa tani kjo hapësirë është zgjeruar deri në Adriatik, duke u bërë kështu nisma e tre detrave. Takimi i parë rajonal i këtij formacioni u zhvillua më 2016 në Kroaci.

Vizita e Trumpit zgjon edhe një kujtim tjetër: Kur më 2003 në luftën e Irakut SHBA-ja nisi me rrëzimin e Saddam Husseinit dhe kërkonte partnerë për “koalicionin e të vullnetshmëve”, në të krahas Britanisë së Madhe, Italisë e Spanjës morën pjesë edhe Polonia, Hungaria dhe Çekia. Anëtarët e rinj të NATO-s asokohe u pagëzuan si “Europa e re”.

Me ndjenja të përziera ndaj Trumpit

Sot në kushtet e ndryshuara, Trump has sërish tek “Europa e re”. Të paktën në Hungari e Poloni ai gjen qeveri, të cilat janë mjaft skeptike ndaj demokracisë liberale dhe “establishmentit”. Ndonëse sot shumë vende janë të shqetësuara për shkak të qendrimit të Trumpit deri tani të paqartë kundrejt Rusisë dhe NATO-s, qeveria polake tregohet pozitive ndaj lojës së çuditshme të Trumpit.

Kësisoj ditët e ardhëshme mund të konturohet një afrim mes SHBA-së nga njëra anë dhe “Europës së re” nga ana tjetër. Kësaj radhe kjo e përforcuar edhe nga dy faktorë: nga njëra anë furnizimet e para me gaz të lëngshëm nga Amerika në Poloni, që e lehëtësojnë këtë të fundit nga varësia riskante politke prej gazit rus. Dhe nga ana tjetër nga prania për herë të parë e dukshme e trupave të aleancës në Poloni dhe në hapësirën e Baltikut.

Udhëtimi i Trumpit në Varshavë një ditë para samitit të G20-ës do të jetë një shprehje e qartë e mirënjohjes ndaj partnerit besnik të SHBA-së, Polonisë dhe vlerësohet si një simbol politik. Por rreziku, që pas kësaj Europa mund të duket edhe më e përçarë se tani, nuk është i dukshëm. Ndërsa për Trumpin vizita është një shans për të shijuar ndoshta një pritje me brohoritje në Europë – pikërisht atë që ai nuk mund ta marë në Hamburg dhe në Europën Perëndimore.

Filed Under: Politike Tagged With: : Po vjen Trumpi!, Tensioni në Varshavë

BLERJA E VOTAVE – TUMORI I DEMOKRACISË SHQIPTARE

July 5, 2017 by dgreca

1 eugjen merlika

NGA EUGJEN MERLIKA/Në çdo sërë votimesh që zhvillohen në Shqipëri, që nga viti 1991 e deri më 25 qershor 2017, në përfundimet e tyre gjithmonë është thënë se “këta votime kanë qenë më të mira se paraardhëset e tyre, por megjithatë kanë mangësi që duhen ndrequr”. Këta të fundit quhen si “më të mirat” e zhvilluara deri tani. Na duhet të presim dy muaj për të patur raportin e plotë të OSBE – ODIHRIT mbi zhvillimin e tyre, por zëra nga burime të ndryshme vërtetojnë se ato janë krejt tjetër nga një sukses i plotë. Edhe sikur të kishin qenë teza filozofike për t’u zbërthyer në 26 vjet provimesh, çdo dy vjet, do të kishin përfunduar me sukses. Ndërsa votimet tona paraqesin gjithmonë të njëjtën pamje të zymtë, të një dukurie të paarrirë, që duhet përmirësuar vazhdimisht.

Kryetari i vëzhguesve të Odihrit, duke folur për votimet e 25 qershorit, këshilloi përsëri ndërrimin e praktikës së mbarështimit të zgjedhjeve, nëpërmjet komisioneve zgjedhore, të emëruara nga partitë politike, duke patur si kriter forcën e tyre të kaluar zgjedhore. Është një sistem që nuk zbatohet n’asnjë Vënd të zhvilluar të Perëndimit, në të cilin ai i besohet qytetarëve të painteresuar për politikën aktive. Mendoj se në këtë praktikë partitokratike duhet kërkuar një pjesë e së keqes  së “tjetërsimit të votave”, e cila simbas disa pohimeve, nuk mungoi të shfaqej edhe në votimet e fundit. Kjo praktikë është kthyer në një “tabu” të paprekëshme, mbasi të tilla janë dhe interesat e partive politike, edhe sikur të bien ndesh me ligjëshmërinë apo parimet e Shtetit bashkëkohor.

Mendoj se nuk është ky i vetmi mjet për të shëruar këtë tumor të demokracisë shqiptare, e për të sjellë në normalitet këtë dukuri, me të cilën po ballafaqohemi që prej më shumë se një të katërt qindvjeti që kemi dalë nga gjysma e shekullit, në të cilin votimet ishin gjëja më e pakuptimtë që mund të merrej me mënd. Pasojat e atij gjysmë shekulli, t’asaj shoqërie hibride mes njeriut e kafshës së punës, si në shumë fusha të tjera, po i ndjejmë edhe në psikologjinë e zgjedhjeve. Ideja e  votimit për partinë, që dikur ishte zotëruesja e padiskutueshme e fatit të njerëzve, “kisha” apo “teqja” ku faleshin shqiptarët për të patur të drejtën për të marrë frymë, për të studjuar, për të punuar aty ku dëshironin, për të krijuar familje e për të menduar mbi t’ardhmen e saj, duket se është përcjellë edhe tek brezi që ka lindur mbas vitit 1990.

Edhe se partitë janë shtuar në pafundësi, edhe se qytetari nuk duhet të jetë më objekt i sprovës së Shtetit, por një njeri i lirë që zgjedh në mënyrë të pavarur rrugën e jetës së tij e, si i tillë, i prirur që të ketë pavarësi mendimi e gjykimi, ai mbetet i lidhur psikologjikisht me partinë së cilës i beson. Por kjo nuk do të kishte asgjë të keqe, nëse lidhja me partinë, me cilëndo parti, nuk do të kthehej në sinonim të vetë të qënit, një vartësi dramatike për kërkesat më parake të të jetuarit.

Shoqëria që kemi ndërtuar në këta vite, për shumë arsye objektive ekonomike, por edhe subjektive të klasës drejtuese, nuk e ka çliruar plotësisht qytetarin nga vartësia e pushtetit. Në një pjesë të madhe ai nuk arrin të plotësojë kërkesat themelore të jetesës vetëm me fuqitë e veta. Atëherë kthen sytë nga Shteti, që nuk është tjetër veçse partia në pushtet. Me anë të punësimeve shtetërore, që janë levat më të fuqishme për të tërhequr njerëzit mbas karros së pushtetit, politika në këta vite ka krijuar kastat e reja, të lidhura me emrat e partive më të mëdha. Këto kasta, të lidhura për bukën e gojës me punëdhënësin partiak, janë të gatëshme të veprojnë me të gjitha mjetet për të siguruar fitoren zgjedhore të partisë që i mbështet. E mjetet që përdoren për të arritur synimin, jo gjithmonë janë të tejdukëshme, ligjore e, për më tepër, morale.

Kësaj tablloje i duhet shtuar një tjetër përbërës, i cili bëhet edhe më përcaktuesi në katrahurën e parregullsive zgjedhore e që është ai i pasurimit të paligjshëm të partive, nëpërmjet krijimit të fondeve të zeza për të blerë votat, për të korruptuar qytetarët edhe në ushtrimin e të drejtave e detyrave të tyre më themelore, siç është ai i votës. Kjo maqinë e stërmadhe korrupsioni arrin të tjetërsojë vullnetin e vërtetë të zgjedhësve. I ngjan një kuçedre që vepron haptas e fshehtas, që përvëlon me frymën helmuese të zjarrit çdo shfaqje ndershmërie e çdo përpjekje njerëzish vullnetmirë për të mbrojtur vlerat e parimet.

Në këtë periudhë, që shënon perëndimin e ideologjive klasike, frymëzuese të platformave politike, ajo pushton mëndje e ndërgjegje e, si cunami, merr përpara këdo që mundohet t’i kundërvihet, ideale, programe, vlera, parime…..

Të gjithë këta mendime m’erdhën në tru, kur lexova një shkrim të z. Fitim Zekthi, kandidat i PD për qarkun e Elbasanit. Ai shkrim i thjeshtë ishte rrënqethës për cilindo që ka në zemër Shqipërinë. Me fakte të gjalla e bindëse, me pak penelata, autori i shkrimit na paraqet një tabllo t’errët të zgjedhjeve të fundit, që përmbysën disa barazpesha të jetës politike dhe administrative shqiptare.

“Njerëz që i njoh me vite më thoshin : Fitim, ti e di, ne jemi djathtas, por ata po marrin lekë, do na jepni gjë? ” Mjafton vetëm kjo dëshmi për të kuptuar, në të gjithë lakuriqësinë e tij, realitetin shqiptar. Ajo sjell ndërmënd legjendën e misrit të kujtesës migjeniane e na ve para një pyetjeje, e cila duhet të shpaloset para ndërgjegjes së secilit prej nesh : a ka një mallkim historik që rëndon mbi kryet e shqiptarëve që, edhe mbasi hoqën qafe zgjedhën e komunizmit që qe sinonim varfërie e prapambetjeje, nuk janë të zotët të ndërtojnë një jetë më të mirë ? Sepse arsyetimi, çfarëdo rruge të rrihet, të çon në të njëjtën pikë : varfëria shekullore vazhdon të rëndojë mbi shpatullat e shqiptarëve, sa që i ka marrë gjithshka, jo vetëm idealet e vlerat, por edhe personalitetin që shitet për një thes miell, për një dorë parash, për ….

Për pak gjë shet votën e tij, edhe sepse vota për të nuk ka më asnjë vlerë, sepse, sido që të votojë, atje në krye, ata që do të vihen do të mendojnë më shumë për  kuletën apo thesin e tyre se sa për kafshatën e tij. Kjo është e vërteta ngjethëse që të merr  frymën e të errëson pamjen, sepse në këtë të vërtetë kemi secili pjesën tonë, sepse secilin, simbas mundësive, mund t’a cimbisë apo vrasë ndërgjegja se nuk bëri aq sa duhej, si pjesë integrale e së njëjtës bashkësi, për të mos arritur në këtë gjëndje…..

“Nuk kam prova të shit-blerjes së votës, por nëse ka prova për këtë, ato duhen të paraqiten para Gjykatës. Për mua shit-blerja e votës është një çështje nderi.

            Ata që blejnë votën dhe që e shesin atë, nuk kanë nder dhe shkatërrojnë vendin e tyre. Dhe nëse kjo vazhdon, atëherë mirupafshim.”

Kështu u shpreh mbas zgjedhjeve raportuesi për Shqipërinë në komisionin evropian, Knut Fleckenstein. Është opinioni i një njeriu që e shikon nga lart dukurinë, një të tillë që përbën sensacion në Vendin e tij, një veprim që duhet të ketë të bëjë vetëm me gjykatën, mbasi është i huaj për shumicën dërmuese. Këtu qëndron ndryshimi i ynë me botën e qytetëruar, sepse tek ne kjo dukuri e kobëshme është masive në shumicën e saj. Fjalët e parlamentarit gjerman janë si një pasqyrë që vihet para ndërgjegjes sonë kombëtare, por edhe si një paralajmërim i gjithanshëm, se Evropa nuk do të pranonte në gjirin e saj Vende me sisteme të tilla në të cilët “Vëzhguesit e OSBE raportuan blerje masive të votave në ditën e zgjedhjeve”, siç shkruante Dimitar Becher, një komentator i Al Jazeeras.

Por pavarësisht faktit se si na shohin e gjykojnë të huajtë, rruga pa kthim në të cilën jemi futur, si pasojë e lakmisë për pushtet të klasës sonë politike, është një si shkëmb i madh në ecjen tonë përpara. Përballja me të fillon me vetëdijësimin e plotë të gjëndjes, me pranimin e ndërgjegjshëm pa justifikime të së vërtetës, me përpjekjen e të gjithëve, popull, intelektualë, shoqëri civile e, mbi të gjithë, pjesa e shëndoshë e politikës dhe e drejtësisë për t’u zotuar në një ndërmarrje të stërmadhe, n’atë të shkuljes nga trupi i ynë të atij tumori të rrezikshëm për të sotmen e për t’ardhmen tonë të përbashkët.

Duhet të kemi guximin, jo vetëm me fjalë, të vemë në bangën e akuzës së fenomeneve shoqërore të historisë sonë dukurinë e shit-blerjes së votave, me të gjitha pasojat e saj të dëmshme. Duhet të kemi vendosmërinë për të vënë në bangat e llogaridhënies së Drejtësisë, përgjegjësit kryesorë të kësaj dukurie të shëmtuar, që bie ndesh me vetitë tradicionale të karakterit shqiptar si besa e ndershmëria. Së bashku me ngritjen e nivelit të mirëqënies së pjesës më të varfër të Vendit e sigurimin e mundësive të secilit për të fituar jetën me punë të ndershme, shrrënjosja e korrupsionit në të gjitha nivelet, mbetet misioni më i madh që duhet të kemi si shoqëri e si Shtet.

Nëse dështojmë në sendërtimin e këtij misioni, do të shkojmë kokulur në gjyqin e pashmanshëm të historisë sonë, e do të kemi vënë në rrezik t’ardhmen e një tjetër brezi të pasardhësve tanë, të cilët nuk do të na falin kurrë për dëmin që po u shkaktojmë me sjelljen tonë të papërgjegjëshme, madje deri edhe kriminale.

Korrik 2017

Filed Under: Politike Tagged With: – TUMORI I, blerja e votave, DEMOKRACISË SHQIPTARE, Eugjen Merlika

TAKTIKË E LEXUESHME DJALLËZORE E KUNDËRSHTARËVE TË BASHËS !

July 3, 2017 by dgreca

1 ok Albina
Nga Dr. Albina DEDA – deputete e PD/
 Opinioni e përktheu pa vështirësi taktiken malinje të një grupi kaherë të indinjuar dhe haptazi prej vitesh rrjeshtuar kundër lidershipit Basha në PD. Ky kor që ngazëllimin u munduan ta kolorizojnë me trishtim për rezultatin tonë në zgjedhje çuditërisht haptazi u suportua në unison nga zëra mediatikë “të fuqishëm” të njohur për mbi dy dekada si njerëz të allashverisheve të pista politiko ekonomike.
Ata akoma pa u numëruar minimumi i votave nuk nguruan dhunshëm të kërkojnë dorëheqje të Bashës si dhe korrektësi në zgjedhje brenda datës 22 korrik, kur ishte dhe mbarimi i mandatit të kryetarit. Mirëpo luajaliteti moral i Bashës duke ngrirë gjithë funksionet e tij dhe korrektësia e drejtuesve të PD-së për të hapur garën me përpikmëri statutore “moralistët” i vuri në situatë të papritur.
Kështu ata ilegalisht sajuan një kombinacion, sipas të cilit nuk ishte aspak pjesmarrja në konkurim, por prodhimi i dokrrave teorike sofiste për të bërë pis proçesin duke synuar haptazi të rëndojnë akoma më shumë shokimin elektoral që ne demokratët morëm në zgjedhje.
Gjithsesi mund të lexohen këto veprime të klanit idhnak anti-Basha, por kurrë si kontribut maturiteti bashkimi e uniteti. Të vazhdosh të elaborosh e të materializosh teza e doktrina malinje të tipit Mero Baze jo vetëm që je kundërshtar i PD-së, por tejkalon dhe histerinë e armiqësinë që në fillimvitin ’91 demonstronin kundër nesh vullnetarët e Enverit. Asnjë manovër mediatiko-politike sponsorizuar djallëzisht në emër të demokracisë e konkurimit nuk ka maskë. Idhnakët e shtirur si demokratë, viktima të kahershme të karrierizmit e narcizmit të pa fre tani janë të lexueshëm. Nuk kërkojnë konkurim, por uzurpim. Një përgjigje kisha si demokrate e si deputete e PD-së “Ngadalë beg se ka hendek”. Nuk besoj se veprime të tilla meritojnë vëmendje. Ata ngjallin veçse neveri.

Filed Under: Politike Tagged With: Albina Dedo, kundershtaret e Bashes, Taktika djallezoe

ASNJË SUBJEKT I VETËM S’MUND TA FORMOJË QEVERINË NË KOSOVË

June 30, 2017 by dgreca

-KQZ shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë/
1 KQZ
 
-Në Kuvendin e Kosovës, koalicioni i PDK me 33,74% të votave do t’i ketë 39 deputetë,  Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme me 27,49% të votave – 32 deputetë, ndërsa koalicioni i LDK me 25,53% të votave – 29 deputetë/
3 votime
 -Kosova votoi në 11 qershor 2017 në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të gjashtat në 18 vjet liri, të tretat në 9 vjet pavarësi, tre vjet pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit/
2 Jashari Behlul
 
 -SPECIALE- E akredituar për zgjedhjet nga KQZ, Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 29 Qershor 2017/ Në Kuvendin e Kosovës të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit, sipas rezultateve përfundimtare, të saposhpallura sot pasdite zyrtarisht nga KQZ, koalicioni i PDK me 33,74% të votave do t’i ketë 39 deputetë,  Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme me 27,49% të votave – 32 deputetë, ndërsa koalicioni i LDK me 25,53% të votave – 29 deputetë.
Rezultati nuk i mundëson asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme edhe nëse do të kenë mbështetjen e të 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, 10 të serbëve e 10 të tjerëve, të Kuvendit të Kosovës me gjithësej 120 deputetë.
Nga subjektet e komuniteteve pakicë, më së shumti deputetë – 9, me 6,12% të votave, ka Iniciativa Qytetare Lista Serbe (Građanska Inicijativa Srpska Lista).
Kryetarja e Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Valdete Daka, derisa shpalli sot Rezultatet Përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, fillimisht falënderoi të gjithë qytetarët që morën pjesë në këto zgjedhje, duke treguar para botës shembullin për zgjedhje të lira, demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
 Po ashtu, falënderoi edhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës dhe ato ndërkombëtare për ndihmën që kanë dhënë gjatë këtij procesi zgjedhor.
 Në fund të konferencës, u bë e ditur se duke filluar nga tani fillon të rrjedhë afati 24 orësh për subjektet politike dhe kandidatët për të bërë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. 
 Në zgjedhjet e 11 qershorit për Kuvendin e Kosovës, sipas të dhënave të KQZ,  votuan  41.30%  e 1,888,059 votuesve të regjistruar.
Zgjedhjet u monitoruan nga gjithësej 29.264 vëzhguesë vendorë e ndërkombëtarë të akreditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës. Vëzhguesit ishin 160  nga 8 ambasada, 301 nga 7 organizata ndërkombëtare, 8.830 nga organizata joqeveritare vendore, 3.657 nga partitë politike e 15.78 nga koalicionet pjesëmarrëse në zgjedhje, 27 nga institucione ndërkombëtare (trupa të menaxhimit të zgjedhjeve nga vende të ndryshme të botës), 1 nga 1 institucion vendor, 468 që përfaqësojnë media vendore dhe 36 nga media ndërkombëtare, mes të cilave organi i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA – Gazeta DIELLI me korrespondentin në Kosovë.
Një muaj para zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, në 10 maj,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.
 Prandaj, Kosova votoi në 11 qershor 2017 në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të gjashtat në 18 vjet liri, të tretat në 9 vjet pavarësi, tre vjet pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në pranverë, Kosova këtë vit, në vjeshtë, në 22 tetor, mban edhe zgjedhje lokale, në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.
 Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, të njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB.

Filed Under: Politike Tagged With: ASNJË SUBJEKT I VETËM, Behlul Jashari, ne Kosove, S’MUND TA FORMOJË QEVERINË

Koha e atyre që gjuajnë me gurë

June 28, 2017 by dgreca

1-ilir-levonja-2-288x300-1-1-1

Nga Ilir Levonja/Florida/USA/

 1) Aty nga mesnata, që kaloi, Lulzim Basha dha i pari njoftimin e fitores së kandidatit të PD-së, për kryetar bashkie në Kavajë, Isa Sakja. Kavaja mbante paralelisht edhe zgjedhjet lokale. Për shkak se më 8 mars 2017, Gjykata Kushtetuese shkarkoi kryetarin e atëhershëm Elvis Roshin. Fal një kontributi me denoncim shkresor në organet përkatëse, të partisë demokratike. Kishte nisur kështu një lloj reforme në ruajtjen e laicitetit të shtetit nga feja e krimit. Ndërkohë që ca orë më përpara, ai kish ngrirë vetveten me një ndjenjë faji nga të gjitha funksionet e tia. Shkak humbja në zgjedhjet e përgjithshme. Nga ana tjetër një marri sharjesh e fyerjesh vërshonin nga ”elita” e të të ashtuquajturve demokratë rrace. Nga ai soji, që siç thotë një myzeqari im…, shkuan në PD me pantallona të grisura dhe u larguan me vila. Poshtë kësaj kësule, ai i gëzohej fitores. Ndofta më e domosdoshmja ato çaste njerëzore. E një burri familjar. Në fakt edhe për Shqipërinë e lodhur nga lufta e ashpër politike. Nga një lloj korace nervash, të standarteve që kemi vendosur këto njëzetë e shtatë vite pluralizëm. Si të thuash ai lajm nga Kavaja, duhet të ketë qënë një zgjim nga koma. Fillimi i një misioni të madh për individin.

2) Në fakt, minutat e fundit para heshtjes zgjedhore, në një studio televizive Basha, ndofta edhe pa dashje, ndofta edhe me dashje. Tha se, dua të falenderoj atë Shqipëri me këmbët në baltë. Atje ku shkela e më pritën. Pashë popullin…, pak a shumë këto. Mirëpo ne, nga që i presim shkurt drutë. Asnjëherë nuk analizojmë përmbajtjen tekstore, si tregues të njeriut. Jashtë të gjitha indicjeve nga ai, por brenda vemedjes sonë. Çfarë shohim tek ai, nga gjestet, veprimet dhe mbresat. Kësisoj, që aty u pa se, si do që të venin punët, Basha vetëm dorëheqje nuk kishte për të dhënë. Madje nga aty, dëshmoi se sapo kishte filluar misionin e politikanit. Ndaj është ajo frymë përtëritje që i dha Kavaja. Dhe emri i atij demokrati, Isa Sakja. Pse për ‘të Kavaja të rikonsiderohet si kryeqyteti i lirisë dhe demokracisë.

3) Gjatë orëve të fundit është folur shumë për mungesën institucionit të dorëheqjes tek ne. Shumë fare. Ne jemi të përkryer ta shohim këtë mungesë tek tjetri, por asesi tek vetja.

Shumë demokrat, shumë analistë studiosh… shumë militantë me sy të kuq. Përmendnin Berishën pas zgjedhjeve të 2013-ës. Po, Berisha dha dorëheqjen, por pas njezetë e katër vite pushtet. Kjo është absurditet politik shqiptar. Dhe jo model demokracie perëndimore. E dha dorëheqjen dhe nuk iku. Eshtë akoma aty. Po nuk është vetëm Berisha, kujtoni Edi Ramën me kastën e tij pas humbjes së zgjedhjeve të 2009-ës. Po kaq absurde, në këto rrethana, është edhe të presësh aplikimin e standartit të dorëheqjes në kulturën tone demokratike. Kemi mbjellur shi, erë, bubullima…, dryne me çelsa të humbur do të korrim. Kështu që, Lulzim Basha sapo ka nisur misionin. Sapo ka filluar të ndjejë domethënien dhe ekzistencën e liderit të një force të madhe. Sapo ka filluar një rrugë përplasjesh. E cila në mendësinë shqiptare, është e domosdoshme. Lulzim Basha nuk e bëri. Një rrugë përplasjesh të ashpra brenda llojit. Ndofta është në ato ujra. Kastash dhe emrash. Dhe në PD, këta emra që erdhën aty me pantallona të grisura. Që sot zgjasin dhe firmosin lista. Që u pllasin militantëve, të shkojnë e të nxjerrin me shqelma Lulzim Bashën. Nuk janë vetëm bejler të pushtetit. Por edhe të sundimit unik. Që është një antivlerë. Vlera ka vdekur, ose vdes, edhe të vdes, qysh sa nismat ndërrmerren me klithma. Me gishtin tregues. Me linçime. Jo me përbashkësinë e fajit.

4) Megjithatë, zgjedhjet e fundit në Shqipëri dëshmuan shumë. Më shumë nga pritshmëria. Një vargan gërmor arritjesh:

  1. a) Një parti mund të fitoj e vetme.

Nuk është i domosdoshëm koalicioni fiktiv me parti, emra. Dhe kryetarë deputetë të përhershëm. Për shkak të aleancave fallco. Duke stopuar karrierën breznore në partitë e mëdha. Duke u zënë rrugën të rinjëve që militojnë me një ëndërr në sy. Dëshmi që asnjë tjetër, si partia demokratike nuk po e vuan. I duhet dhënë prioritet sfidave dhe jo rehatllëkut të individëve.

  1. b) Një individ në pluralizëm mund të bëj vërtet reforma.

Pavarsisht mendjes sonë, shijes a preferences. Eshtë shumica ajo që orienton.

  1. c) Një politikë e tipit qytetari dixhital denoncon, është demode.

Madje shkak kryesor për disfatë me bythë përpjetë.

ç) Mënyra se si e zgjedhim presidentin, presidenti është krejt hallkë e pavlefshme. Shpiku presidentin fushatist. Antikushtetues. Dhe për rrjedhojë.., domosdoshmërinë e formës a mënyrës së zgjedhjes së tij, që, të largojmë iformalizmin e hirearkisë shtetërore.

  1. d) Populli nuk mallkohet pse nuk pëlqen mëndjen tënde.

Kjo është mendësi e vjetër. Kërkesa e llogarisë e të tjera, fillon gjithmonë nga vetja.

  1. dh) Populli është frymë. Një domosdoshmëri brenda selive. Një dominim.
  2. h) Dhe se në drejtimin e një shteti vjen përmes kësaj fryme. Jo frymës së meritave nga e kaluara partiake.

5) Aktualisht partia demokratike i ngjan asaj shtëpie ku të gjithë kanë qejf të hedhin gurë në çatinë e saj. Më shumë ata që kanë qeverisur. Ata i kanë pretendimet më të mëdha. Të drejtën. Ata flasin për moral. Por e drejta është gjetkë. Eshtë tek ata që, as kanë qeverisur, as kanë plotformuar, as kanë vjedhur tenderash. As kanë pështyrë. Por thjesht kanë qënë dhe janë, simpatizantë. E kundërta ndodh tek ne. Tek ne bota e paradoksit social. Hedhin gurë ata, ishët me pantallona. Dikur i jepnin deklaratat nga ca dhoma apartamentesh me punë vullnetare. Një dhomë e guzhinë. Nga ca divanë shtatë mijë lekësh…, me cigare në dorë. Me ca letra të shkruara me shkrim dore. Sot nga studio e vilave bregdetare. Me mure librash të palexuar. Por që janë dekor hirearkik. I mutërve dhe kohës së tyre. Japin deklarata me mendjen se janë stofi i shoqërisë. Kur në fakt janë haleja e saj. Ata që për inat të njëri-tjetrit, çuan një vend të tërë në luftë civile. Por ne shkojmë në varreza vetëm në rast vakish. Edhe atëhere. I shikojmë të vdekurit përciptas. Kemi frikë. Por kemi edhe turp. Atë turpin e shejtanit a dreqit. Jo turpin e njeriut normal. Njeriu normal skuqet. Skuthi, shtyhet të dali. Aty në varreza është memoria jonë e vdekur. Po sa prej nesh kanë humbur shokun, mikun të njohurin. Sa soje shtëpish shqiptarësh janë në hasmëri e të larguar nga vendi. Kurse ata japin deklarata. Qëllojnë me gura. Dhe njerëzia, dëgjo po flet filani. Kur duhet të thonë, shiko, hapi sytë, po flet m….i.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Koha e atyre, që gjuajnë me gurë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 524
  • 525
  • 526
  • 527
  • 528
  • …
  • 653
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT