• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga Nju Jorku në Frasnitë, atje ku rron ende gjaku i Arbrit

September 16, 2014 by dgreca

Nga Sergio Sejdi Bitiçi/
Në mëngjesin e bukur të 26 nëntorit 2011, shoferi na solli nga Cosenza (Kozenca) në Frascineto, për një orë, duke kaluar nëpër fushat, luginat dhe malet piktoreske, të zbukuruara me shtëpi të arkitekturës mesjetare, me vreshta të gjëra përreth autostradës Cosenza- Sorrento dhe kodra të tëra të veshura me gështenja ose ullishte, të mbjellura me estetikë, si dhe fusha me limona e portokaj. Eshtë hera e parë që ndodhem mysafir në Calabrinë panoramike, që i përngjan aq shumë viseve të Shqipërisë.
Frascineto është një qytezë e hijshme, me një popullsi prej 30000 banorësh, rrëzë mali, matanë të cilit shtrihet krahina e Campanjës (La regione di Campagna), ku më 1430 janë dyndë kolonitë më të para të shqiptarëve. Nga maja e malit shihet Vlora, ndërsa shqiptarët në Frasnitë kanë ardhur më 1480, ku gjenden deri sot.
Po sa taksia hyri në qytet, dalluam shenjën e parë, tabelën, ku shkruhej: Frascineto (Frasnitë), më vonë pamë emrat e tjerë të shesheve (piazza) dhe rrugëve, të shkruara në gjuhën shqipe, apo arbëreshe, siç i thonë vendasit, madje edhe website i bashkisë është në dy gjuhë, italisht dhe shqip. Në hyrje të kishës treqindvjeçare arbëreshe, Shën Maria e Butë, grupi i madh muzikor, Banda di Doria, priste mysafirët me muzikë tradicionale.
Kisha ishte mbushur plot atë mëngjes, për ta celebruar 50 vjetorin e priftërimit të Papas Antonio Bellusci. Ishte një festë e përgatitur me kujdes në këtë kishë madhështore, që dukej se posa ishte restauruar për rastin në fjalë, me program të pasur, që zgjati tre orë. Mikpritësit na prijnë drejtë karrigeve të rezervuara dhe na ulën në dy vendet e para. Nuk vonoi shumë dhe Papas Antonio Bellusci erdhi plot mirësi, na përshëndeti duke na përqafuar me ngrohtësi, e duke na uruar mirëseardhjen. Mikëpritja bujare arbëreshe prekej gjithkund. Pas pak një burrë elegant i moshës mesatare, m’u afrua dhe me buzeqeshje m’u drejtua, me një theks të kulluar arbëresh:
– Bitiçi?
– Po, – i them.
– Tommaso Bellusci jam, u prezantua ai. Nuk jemi takuar ndonjëherë, por unë ju njoha menjëherë, sapo ju pashë, ju njoh nga fotografitë që na ka treguar Papas Bellusci.
U përqafuam si të njohur të vjetër.Na dëshiroi mirëseardhje.Ceremonia e festimit kishte një program të pasur fetar dhe kombëtar. Skena e mbushur plot, ofronte një spektakël me petkat klerikale dhe tradicionale, që gjithë kësaj ia shtonte bukurinë grupi i të rinjve dhe të rejave, veshur me kostume kombëtare të mbarë krahinave shqiptare. Kostumet kombëtare të femrave ishin të qendisura me flori.Më ra në sy bukuria fort e rrallë e kostumeve arbëreshe. Aty mësova se arbëreshët i paskan kostumet më të bukura në mbarë Italinë! Po ashtu këta janë i vetmi grup etnik, që kanë ruajtur doket, zakonet, ritet dhe traditat e origjinës shqiptare.
U njoha me Ipeshkvin Ercole Lupinacci, i cili sapo me takoi thirri hareshëm:
– Oh Vatra! Vatra ka bërë aktivitet të madh kombëtar me 1969, kur ishte 60 vjetori i gazetës “Dielli”.Kam qenë në Boston, shtoi më tutje.
Kryetari i Bashkisë së Frasnitës Francesco Pellicano më foli rrjedhshëm në gjuhën arbëreshe. Ndërsa ish-kryetari i Bashkisë Tommaso Ferrari, me profesion inxhinier, na shoqëroi deri në mbrëmje vonë, fliste kthjellët gjuhën arbëreshe. Duke ndjekur bisedat, vërejta se me Papas Antonio-n, të rinj e të vjetër flisnin vetëm në të folmen arbëreshe, si duket ishte standardi, që kishte vendosur vetë Bellusci. Tek Liturgjia solemne e Shenjtit Jani Krizostomit që u mbajt në Frasnitë të shtunën 26 nëntor 2011 morën pjesë episkopi arbëresh, Monsinjor Ercole Lupinacci, arbëresh nga katundi i Jul Varibobës (Mbuzati-S.Giorgio Albanese) bashkë me 35 priftërinj arbëreshë, të cilët kishin ardhur për të nderuar 50-vjetorin e priftërisë së Antonio Belluscin. Liturgjia e shenjtë u mbajt në ritin bizantin-grek dhe me këngët në gjuhën greqishte, sipas zakonit, dhe disa pjesë në gjuhën arbëreshe.Kori i kishës u drejtua nga prifti arbëresh Arcangelo Capparelli nga katundi Firmoza.Ishin të pranishëm gjithë banorët e katundit me kryetarin Francesco Pellicano. Kishin ardhur dhe nga Roma dhe nga Reggio Calabria shumë miq për të nderuar dy priftërinjtë A. Bellusci, famullitari i kishës së Shën Mërisë së Fjetjes në Frasnitë, dhe ish-famullitarin Vincenzo Scarvaglione. Episkopi E.Lupinacci, kryetari i Bashkisë Ngjisk Pellicani dhe të tjeret, krahas dhuratave, vunë në dukje rolin e madh të A.Belluscit, famullitar në Frasnitë, dhe priftit V.Scarvaglione, ish-famullitar, për ruajtjen dhe mbatjen gjallë të kulturës arbëreshe dhe të traditës kombëtare. Antonio Bellusci, famullitar i Frasnitës, duke marrë fjalën në fund të Liturgjisë falenderoi jo vetëm besimtarët e pranishëm, por edhe vëllaun shqiptar Sejdi Bitiçin, vëllezërit e tij, dhe gjithë shqiptarët në Amerikë dhe në Canada, të cilët, siç u shpreh ai, gjatë udhëtimëvet të shumta të Papas A. Belluscit për çështjen e Kosovës dhe për studime etnografike, e kanë ndihmuar dhe i kanë dhënë mikpritje të madhe në vatrat e tyre. Falenderoi edhe anëtarët e Vatrës historike në Boston dhe në New York.
Pas ceremonisë u shtrua një drekë për më shumë se njëqind mysafirë, në lokalin më të mirë të vendit.Moment emocional ishte surpriza që më ofroi Papas Antonio Bellusci, i cili solli priftërinjtë tek tavolina ime dhe ata kënduan në kor këngën e Vektores.Para se të largohemi nga salla, më sollën nga një tavolinë në tjetrën, ku këndoheshin këngë arbëreshe.Kush e ka provuar aromën e këngëve arbëreshe, e ka të lehtë të kuptojë emocionet e fuqishme që përjetuam ato çaste.Zonja Rina, motra e Antonios, i dinte tekstet e të gjitha këngëve dhe u printe në shumicën e rasteve. Në grup dallohej çifti i ri; Vincenzo Frascina dhe Silvana La Rocca, që kishin zëra të bukur dhe këndonin me ngazëllim. I dëgjoja me radhë të gjitha këngët dhe zemra më flladitej nga aroma arbëreshe. Me vete thashë: Gjaku i arbërit rron dhe nuk shprishet. E lashta, gjuhë e ëmbël arbërore, rron mes vëllezërve dhe motrave të gjakut tonë! Në bllokun tim të shënimeve shkrova titujt e këngëve që u kënduan: Skënderbeg; Lule,lule; Kopile, moj kopile; Vajzë, moj vajzë. Nga fundi për të ma plotësuar dëshirën kënduan këngën “Moj e bukura More”, për të cilën, dikush që kisha afër më tha, se i pëlqente më fort versioni modern, që e transmeton Radio Tirana. Unë duke menduar se e njohin i prina këngës “Moj Korçare sa e bukur je”, ku më përcollën bukur. Në pasditen e vonë vajtëm tek lagja e vjetër e Frasnitë, ku familja Bellusci jeton me breza të tërë, për të vizituar Bibliotekën Internacionale A. Bellusci, themeluar nga vetë ai.Kjo bibliotekë është një muze, monument i vërtetë i historisë dhe kulturës shqiptare, që gjindet në shtëpinë ku ka lindur i ati. Shtëpinë e ka rindërtuar me duart e tij i vëllai, Tommaso, me material tradicional, gurë e beton, duke i ruajtur trarët dhe dërrasat origjinale të shtëpisë. Biblioteka ka më se 10000 libra në dy tre katet e shtëpisë, që mbetet gjithmonë e hapur dhe është e vetmja bibliotekë që funksionon. Në njërën nga odat e shtëpisë janë të instaluar vegje antike, ku motra e tij Rina thur basma e pëlhura artizanale të cilësisë së lartë. Papas Antonio bashkoi gjithë familjen e tij duke përfshirë edhe nipat Danile, avokat në Romë dhe Alessandro, ekonomist në Milano, të cilët janë të përgatitur ta trashëgojnë këtë thesar. Papas Antonio filloi ceremoninë duke valëvitur flamurin kuq e zi, me fjalime të matura për rastin, të gjitha të vëna në dukje me video dhe foto. Si surprizë, në shenjë mirënjohje, për pritjen që i kemi bërë Sabit Bitiçi dhe unë me vëllezër e familje, disa herë qysh më 1989, për përkrahjen e ndihmën materiale në restorantet tona, në Manhattan: Minetta, Grand Ticino, Toscana dhe Chelsea Trattoria Italiana, ku unë isha bashkë pronar me Mustafën dhe Sabitin. Përmendi gjithë antarët e AACL (Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane të formacionit të vitit 1989, në krye me Joseph Dioguardin.) Zoti Antonio Bellusci, i rrethuar nga i vëllai Tommaso, nga e motra Rina dhe nga nipërit Alessandro e Daniele si edhe bashkëshortet e tyre Benedetta e Francesca, më nderoi me: “Urdhërin nderi Kulturor “Lidhja/L’Unione” për kontribut të shquar në zhvillimin të bashkëpunimit dhe të vëllazërimit të Diasporës shqiptare në SHBA me arbëreshët në Calabri, me këtë Bibliotekë Shqiptare dhe me revisten time “Lidhja”, për pavarësinë e Kosovës dhe për “Përparimin e Shqipërisë”, Frasnita më 26.XI.2011. Presidenti dhe themelluesi Antonio Bellusci, prift arbëresh me shtetësi shqiptare, gazetar shkrimtar etnolog”. Kjo ceremoni përfundoi me nënshkrimin tim të Librit të Biblotekës, ku pata nderin edhe unë të kem pjesëmarrje dhe pjesënë libër, që kanë nënshkruar intelektualët më të njohur të kombit, nga mbarë bota. Nënshkrimi im u shndërrua në koment e dedikim me hapsirë një faqe, ku shfaqa vetëm një pjesë të ndjenjave që kam për Belluscin si patriot dhe punëtor i zellshëm për kombin.Ndoshta ka qenë De Rada, por në jetën time kam njohur vetëm Tahir Kërrnajën, i cili po ashtu ka punuar vetëm për interes të kombit.Bellusci me dedikimet e veprat tij ka pasuruar kulturën e historisë tonë kombëtare. Ai më tregon me pasionin e studiuesit: arbëreshët që jetojnë në Calabri kanë ardhur nga gadishulli ballkanik në Calabri që në fund të shekullit XV pas vdekjes së Skënderbeut. Veçanërisht janë larguar nga jugu i Shqipërisë së sotme: Epiri, Himara, Dibra, dhe nga krahina të Helladhes, veçanerisht nga Peloponezi. Ne arbëreshët në Calabri, tha ai, nga e folmja, kostumi dhe mbiemrat, kemi prejardhje nga toskëria.Siç dihet toskëria, nga pikëpamja fetare, ishte ortodokse me ritin bizantin-grek dhe nën juridiksionin e Mitropolitit të Ohrit, i cili ishte nën juridiksionin e Patriarkut në Kostandinopojë. Papas Bellusci përdor të folmen arbëreshe, që i tingëllon bukur: “Kur Atrat tanë kanë emigruar këtu në Itali, – shton ai-, kishën priftrat si udhë-heqës e si kapedanë, të cilët i kanë mbajtur gjithmonë të bashkuar dhe kanë mbrojtur grupet e emigrantëve prej pushtetëve të vendit. Atrat tanë kanë gjetur strehë në vende të humbura dhe të shkatërruara, afër maleve, dhe atje ata për shekuj e shekuj kanë punuar dhe ripopulluar vendin. Dhe si besimtarë ata kanë mbajtur dhe ruajtur gjithmonë ritin bizantin-grek të Atravet të tyre si edhe gjuhën dhe zakonet e prindërve.Italianët të vendit ishin fetarë katolikë me ritin roman-latin, dhe ne arbëreshët ishëm fetarë katolikë me ritin bizantin-grek.Dhe kështu, duke luftuar shumë për ruajtje të identitetit tonë lindor, kemi mbajtur ritin bizantin, gjuhen dhe zakonet deri në ditën e sotme”, shpjegon ai.
Më pas ai më tregoi se “Papa Benedikti XV, në vitin 1919, ka themeluar dioqezën arbëreshe me ritin bizantin-grek në katundin Unger, italisht Lungro (Cosenza), dhe ka emëruar një episkop arbëresh, i cili sot ka juridiksion në disa katunde arbëreshe në Calabri dhe në Basilikata.Frasnita (Frascineto-Cosenza) është një nder ata katunde arbëreshë që ka mbajtur që nga viti 1490 (viti i themelimit) deri sot ritin bizantin-grek e Atravet tanë, gjuhën dhe zakonet arbëreshe. Afër Frasnites janë edhe këta katunde arbëreshë: Ejanina, Cifti, Shën Vasili, Ferma, Ungra, Firmoza.”
U larguam nga Biblioteka A. Bellusci me kujtimet më të prekshme dhe ai bashkë me vëllain Tommaso dhe tjetrin Tommaso Ferrari na përcollën me makinë, natën vonë. Tek Arbëreshët, në Calabria, përveç traditës, gjuhës e zakoneve ekziston edhe bujaria shqiptare, për të cilën jemi kryelartë.(Dielli-arkiv)

Filed Under: Reportazh Tagged With: atje ku, gjaku i Arbrit, Nga Nju Jorku në Frasnitë, Papas Antonio Bellusci, rron ende, sergio bitici

Mbyllet me sukses faza e parë e stërvitjes “Albanian-Lion-2014”

September 16, 2014 by dgreca

Forcat shqiptare të Rojes Bregdetare, Trupave Speciale dhe të Forcës së Sigurisë në Kosovë treguan bashkëpunim e profesionalizëm në këtë stërvitje/
Nga Shefqet KERCELLI/
Më datën 13 shtator u zhvillua në bazën e Kepit të Palit, ceremonia përmbyllëse e fazës së parë të stërvitjes “Albanian-Lion-2014”.{DVD, dita e vizitorëve}. Në këtë ceremoni morrën pjesë Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura zoti Bujar Nishani, Ministrja e Mbrojtjes e RSH, zonja Mimi Kodheli, Shefi i Shtabit të FA, Gjeneral-major Jeronim Bazo, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë Zoti Canon, Kryetar i Komisionit të Sigurisë në Kuvendin e RSH, zoti Spartak Braho, ushtarakë të lartë britanikë, drejtues të stërvitjes, ushtarakë të lartë të FA, Komandantë Forcash, atasheu ushtarak i SHBA, n/kolonel Ralf Shield dhe atashe të vendeve aleate, përfaqësues të medias si dhe trupat pjesmarrësë në këtë stërvitje, ato britanike, shqiptare dhe FSK. Mbas ekzekutimit të Hymneve Kombëtare të Britanisë dhe Shqipërisë, Nën/Admiral R.K.Tarrant, Komandant i Forcave të Marinës Mbretërore dhe operacioneve në kuadër të BE, prezantoi rezultatet e arritura nga trupat britanike dhe ato shqiptare, në fazën e parë të stërvitjes “Albanian-Lion-2014”. Ai vlerësoi bashkëpunimin dhe profesionalizmin e treguar në cdo skenar të stërvitjes në det, tokë dhe ajër mes ushtarakëve të dy vendeve. Në fjalimet e mbajtura, Presidenti i Republikës zoti Nishani dhe Ministrja Kodheli shprehën gatishmërinë e shtetit shqiptar për zhvillimin e këtyre stërvitjeve, si një tregues i bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve dhe në kuadër të NATO-s, sidomos mbas detyrave të Samitit të Uellsit dhe situatave të krijuara në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Këto stërvitje i shërbejnë më së miri trajnimit dhe ndërveprueshmërisë së trupave e mjeteve ushtarake të dy vendeve, por dhe shtimit të kapaciteteve operacionale në raste krizash, theksoi Ministrja Kodheli. Në vijim trupat britanike dhe shqiptare duke shfrytëzuar terrenin dhe objektet e bazës së Kepit të Palit demonstruan fazën finale të zbarkimit të trupave nga mjetet detare në tokë, kapjen e kryeurës nëpërmjet mjeteve të blinduara dhe forcave speciale, kapjen dhe asgjesimin e grupeve terroriste në godina, evakuimin e të plagosurve dhe popullsisë civile nga rajoni i luftimeve, etj. Për mëse dy orë trupat britanike, shqiptare dhe FSK demostruan ekselencë e veprime praktike të ngjashme me një situatë luftarake të vërtetë. Ata merituan përgëzimet dhe urimet më të mira nga të gjithë pjesmarrësit. Në fund ushtarakët britanikë i dhuruan personaliteteve të larta shqiptare {VIP}, librin “Historia e Marinës Mbretërore Britanike”. Ndërkohë dhe ne i dhuruam ambasadorit Canon librin “Antologji e Detarisë Shqiptare”, i cili na falenderoi përzemrësisht për këtë dhuratë të cmuar, por patëm rastin ti tërheqim dhe dy mendime për stërvitjen. Ambasadori vlerësoi mikpritjen shqiptare dhe frymën e bashkëpunimit që po karakterizon cdo etapë të saj. Është dicka e vecantë kur ushtarakë britanikë e shqiptarë ndajnë vlera të vecanta gjatë kësaj stërvitje e cila sjell elementë të rinj dhe zhvillohet në terren tjetër nga ai i vitit të kaluar, nënvizoi ambasadori. Kështu nën këtë spektakël të munguar prej shumë vitesh, në bazën e Kepit të Palit u mbyll faza e parë e stërvitjes “Albanian-Lion-2014” për t’ja lënë vendin fazës tjetër “Dragon Hamer”, e cila do përqëndrohet kryesisht në rajonin e Bizës. Tematika e strvitjes do vazhdoj të fokusohet në kryerjen e operacioneve të evakuimit të civilëve, “Non-Combatant Evacuation Operations”, nëpërmjet operacioneve detare, tokësore dhe ajrore. Theksojmë se gjatë kësaj faze të “Albanian -Lion-2014”, nga data 30 gusht deri më 16 shtator 2014, Forca Detare mori pjesë aktive me personel dhe mjete detare. Fillimisht një oficer yni i degës operacionale të FD, KapitenLt Emrush Bejdo, u imbarkua më datën 3 shtator në bordin e anijes “HMS Bulwark”. Në zbatim të urdhërit të Komanadantit të FD, gjeneral-brigade Qemal Shkurti, Dega Operacionale e FD, drejtuar nga Kapiten i Rangut të II-të Engjëll Sinanaj, në bashkëpunim me komandën e Flotiljes Pashaliman dhe vendbazimet Shëngjin, kepi i Palit dhe Palermo, hartuan një program të vecantë për mjetet dhe personelin pjesmarrës si dhe veprimet taktike që do kryenin në bashkëpunim me palën britanike. Veprimet që kryen anijet tona dhe ato britanike përfshinë gjithë bregdetin shqiptar, por vecanërisht rajonin Kepi i Rodonit, Kepi i Palit, pra gjirin e Lalzit. Paraprakisht specialistët tanë të Degës Operacionale, Kapiten i Rangut të II-të Qazim Hoxha, Kapiten i Rangut të III-të Gjergji Koco dhe KapitenLt Alfred Velaj në bashkëpunim me Komandantin e Task Forcës britanike N/kolonelin Kanadez, Perry Jacques, detajuan me saktësi cdo veprim e aksion të mjeteve tona në teatrin detar. Kështu, sic na shpjegon Kapiten Gjergji Koco, në këtë stërvitje morrën pjesë 4 mjete të Forcës Detare, anija “Oriku”, P-132, me komandant KapitenLt Ilir Cobo, “Lissus”, P-133, me KapitenLt Silvan Boni, Arcanghel-04, me Kapitenlt Ervin Mucka dhe skafi i “Lissusit” me komandant tetar Artan Kojtari. Në zbatim të këtyre detyrave anija “Lissus” siguroi lundrimin e konvojit të mjeteve detare britanike dhe transportoi në rajonin Palermo mjete zbarkuese bashkë me personelin marins. “Oriku” siguroi rajonin e zbarkimit të mjeteve britanike në gjirin e Lalëzit, ndërsa “ArchAngel-04” bashkë me skafin e “Lissusit” kishin një rol tepër të vecantë, sepse ato imituan mjetin terrorist që do pengonte zbarkimin e mjeteve britanike. Katër anijet tona kryen veprime të shpejta e të shkathta në teatrin detar si, sulme, bllokim e zmbrapsje të kundërshtarit, lundrim e patrullim të sigurt, ndjekje objektesh detare, zbulim detar, sigurim konvoji, etj. Këto veprime u vlerësuan nga oficerët britanikë të pranishëm në bord por u përshëndetën dhe nga marinarët e anijeve të tjera në det. Nga bordi i “ArchAngel-04” me ekuipazh kapiten Ervin Mucka, n/oficerët Sabri Idrizi, Skënder Elezi dhe Sokol Pjetrushi, bashkë me N/Kolonel Perry Jachues, në një det 4-5 ballë ndoqëm veprimet sinjifikative të anijeve tona. N/koloneli ka marrë pjesë dhe në stërvitjen “Albanian-Lion-2013” në Vlorë. Shoh më tepër cilësi e profesionalizëm tek marinarët tuaj në krahasim me vitin e kaluar, më tha N/koloneli. Faleminderit!- ja kthyem bashkë më kapiten Gjergjin. Kur dëgjon të tilla vlerësime nga ushtarakë të huaj, e sidomos nga marinarë britanikë, respekti dhe krenaria për marinarët tanë të shtohet dhjetë fish. Por detarët tanë më datën 14 shtator realizuan dhe një stërvitje me tematikë tjetër në anijen e transportit “Anvil Point London”. Ata nuk ishin vizitorë të thjeshtë në këtë anije, por nën drejtimin e n/toger Jetnor Ballës, bënë bordimin e saj, kontrollin fizik, kontrollin e dokumentave, kontrolluan ekuipazhin dhe gjetjen e mallit kontrabandë. Mbas këtij kontrolli anija e transportit “Anvil Point London” u lejua të bregëzohej në portin e Durrësit, ndërsa detarët tanë të sigurt, po përgatiten për patrullime e stërvitjen e radhës. Është i treti vit që Forca jonë Detare dhe trupa nga Focat e tjera të Armatosura zhvillojn stërvitjen e koduar “Albanian–Lion” me Marinën Mbretrore Britanike dhe Forcat Speciale të saj. Mbas viteve 1990 stërvitje të tilla janë kryer me Forcat e SHBA, Hollandës e vendeve të tjera të NATO-s.

Filed Under: Reportazh Tagged With: “Albanian-Lion-2014”, e stërvitjes, Mbyllet me sukses faza e parë, Shefqet Kercelli

APES ME PRESIDENTIN E ZVICRËS, Z.DIDIER BURKHALTER ….

September 12, 2014 by dgreca

….KRIZA UKRAINASE & IDENTITETI ZVICERAN I DIALOGUT DHE KOMPROMISIT…/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ/
Këtë vit takimi i gazetarëve të APES – l’Association de la presse étrangère en Suisse, me presidentin e Zvicrës u zhvillua në Gjenevë, në Pallatin e Kombeve. Ky takim është i përvitshëm. Herë zhvillohet në Bernë, e herë në Gjenevë, por për shkak të mandatit një vjeçar, presidenti ndryshon çdo vit. Pra Zvicra nuk ka presidentë me mandat 4,5 ose 7 vjeçar, apo që qëndrojnë në këtë post për dy mandate rresht. Presidenti i Zvicrës zgjidhet nga radhët e Këshillit Federal, që luan rolin e ekzekutivit, i përbërë nga shtatë anëtarë, ministra, të cilët përfaqësojnë pesë partitë kryesore në Parlament mbështetur në konkordancën, pra e kanë në themel marrëveshjen, ku karrikja e presidentit ndërrohet me rotacion çdo vit. Aktualisht Këshilli Federal përbëhet nga tri gra e katër burra. Gruaja e parë presidente e Konfederatës ka qenë zonja Ruth Dreifuss më 1999, pastaj Micheline Calmy-Rey më 2007, Doris Leuthard më 2010, Evelinë Widmer-Schlumpf më 2012 dhe më 2015 presidentja e Zvicrës do të jetë zonja Simonetta Sommaruga, që drejton aktualisht Departamentin Federal të Drejtësisë dhe Policisë.
APES është organizata më e vjetër dhe me emër në Zvicër. Selinë e ka në OKB. Aty janë mbledhur pjesa më e madhe e gazetarëve, si përfaqësues të agjencive, gazetave dhe mediave kryesore botërore. APES dhe institucionet e Zvicrës kanë një komunikim të shkëlqyer reciprok, bilateral, i cili vazhdon pa u ndalur prej 85 viteve. Shprehje e këtij komunikimi permanent janë aktivitetet e ndryshme. Natyrisht takimi i përvitshëm me Presidentin e Zvicrës është ngjarje e rëndësishme për APES.
Z. Didier Burkhalter, presidenti aktual i Konfederatës Helvetike është shefi i Departamentit të Punëve të Jashtëme dhe këtë vit edhe kryesuesi i OSBE-së. Që do të thotë një vit i ngarkuar, nisur edhe nga ngjarjet si brenda dhe jashtë, në lidhje me raportet Zvicër-BE, sidomos pas referendumit të shkurtit, emigracioni apo kriza Izrael-Palestinë, ajo e Ukrainës, ku z.Burkhalter në krye të OSBE-së ka rolin e ndërmjetësuesit.
Pikërisht me këto tema u hap edhe konferenca për shtyp e organizuar në Sallën Lozana të Pallatit të Kombeve,e cila drejtohej nga Presidentja e APES, Emilia Nazarenko, gazetare nga Ukraina, që ndërkohë është duke përgatitur një udhëtim të gazetarëve të organizatës tonë në Odesa.
Në fjalën e hapjes z.Burkhalter nënvizoi rolin e Zvicrës si një vend i hapur, duke e cilësuar me të drejtë Gjenevën si zemrën e botës. Zvicra e ka kulturë dialogun, ndërtimin e urave.
Takimi i APES me z.Burkhalter bëhej menjëherë pas deklaratës së tij për të mos izoluar Rusinë. Zvicra nuk është anëtare e NATO-s, por Burkhalter mori pjesë në samitin e NATO-s në Wales si shefi i rradhës i OSBE-së, ku u diskutua edhe për armëpushimin e nënshkruar më 5 shtator midis Kievit dhe seperatistëve. Një nga temat e konferencës me gazetarë ishte pikërisht armëpushimi, për të cilin ai nuk është optimist dhe nuk e konsideron të mjaftueshëm, duke nënvizuar si të domosdoshëm rolin e dialogut. Kirsi Hyytiäinen, një kolege finlandeze shkruante se OSBE e drejtuar nga presidenti i Zvicrës kërkon t’i vendosë në tryezë negociatash Putinin dhe Poroshenkon. Ndërkaq Ukraina ka bërë kërkesë anëtarësimi në NATO dhe presidenti i saj pritet të fluturojë në Washington D.C. për t‘iu drejtuar Kongresit dhe kërkuar ndihmën Amerikane.
A nuk duket sikur bota po i ngjan një topi futbolli gati për të plasur diku. A nuk tha kështu Papa Francesco gjatë vizitës së tij në Azi, se jemi në prag të një Lufte të Tretë Botërore, 100 vite pas asaj të parës dhe 75 vite pas paktit Paktit Molotov-Ribbentrop. Nisur nga konflikti Ukrainë-Rusi, a nuk jemi në prag të luftës pyeti një nga gazetarët veteranë të APES, Gordon Martin, nga The Daily Telegraph dhe Radio Vatikani.
«Duhet të jemi realistë», tha shefi i Departamentit Federal të Punëve të Jashtëme. «Nuk dua ta ushqej këtë psikozë, 100 vjet pas shpërthimit të Luftës të Parë Botërore. Ka probleme të vjetra, të rrënjosura thellë, që përbëjnë vështirësi në arkitekturën e sigurisë europiane. Por kjo nuk do të thotë se unë ndaj idenë e një lufte të re botërore. Mendoj se mund të gjendet një zgjidhje, duke diskutuar me Rusinë. » Pastaj duke iu rikthyer sanksioneve ai theksoi idenë e shprehur disa ditë më parë se “problemet nuk zgjidhen vetëm me sanksione, të cilat mund të jenë të dobishme për t’i sjellë të gjitha palët në tryezë për negociata».
NATO, nga ana e saj mban qëndrim të prerë, duke i bërë thirrje Rusisë që të largojë trupat nga kufiri ukrainas, por disa vende anëtare të NATO-s i kanë të lidhura interesat ekonomike me Ariun rus. Ekonomia zvicerane me statusin e shtetit neutral, që i është bashkuar OKB-së më 2002, është e shëndetëshme. Kjo ekonomi është konfirmuar për të gjashtën herë radhas si ekonomia më konkuruese në botë. Në klasifikimin e bërë nga Forumi Ekonomik Botëror, Zvicra paraprin, e ndjekur nga Singapori, SHBA që zë vendin e tretë, Finlanda të katërtin, e pesta vjen Gjermania, e gjashta Japonia e me rradhë.
«Kultura e konsensusit dhe kompromisit i jep shans paqes», e citon Tribune de Geneve shefin e diplomacisë zvicerane, njëkohësisht President i Zvicrës. Alain Jourden, për Tribune de Geneve, do të shkruante: «se Burkhalter i hodhi kartat në tavolinë“.
Zakonisht, shkruan Jourden, takimi i përvitshëm midis presidentit të Konfederatës Helvetike dhe shtypit të huaj është një shkëmbim diplomatik qytetërimesh, që do të thotë se nuk përbën lajm. Paçka se nuk përbën lajm, si APES, ashtu edhe Zvicra i jep rëndësi këtij takimi. Presidenti shoqërohet me zyrtarët më të lartë të Departamentit nga vjen, nga Ambasadorë dhe drejtues të institucioneve kryesore.
Por takimi i sivjetshëm bëhej në kohën e krizës në Ukrainë, ku z.Burkhalter kryeson misionin e OSBE-së. Pavarësisht kësaj, Zvicra është një vend që merr vazhdimisht inisiativa të tryezave ndërkombëtare. Gjeneva është një Metropol ku dialogohet gjithmonë për Paqe.
Ndërsa Olivier Grivat,gazetar dhe esseist zviceran për l’AGEFI që në titull e cilësonte qendrimin e z.Burkhalter si « Një ekuilibrizëm me dy këmbë në tokë ». Grivat shkruan se « kriza ukraine dhe kultura politike zvicerane ishte edhe menyja » e drekës të pasur e cila u servir në sallën me emrin Gjeneva aty ngjitur ku u zhvillua konferenca për shtyp, në katin e tetë të Pallatit të Kombeve, buzë me një taracë fantastike nga ku shihej liqeni, i cili shfaqej i madhërishëm nën rrezet e një dielli vere, i qetë, i patrazuar dhe me kontraste tamam si shkruan për të tek Childe Haroldi – Lake of Geneva – Calm – i madhi Lord Byron.
Në tavolinën e drekës presidenciale ne ishim bashkë me Lisa Schlein, nga ABC News dhe Zëri të Amerikës, me zyrtarë të departalentit federal të punëve të jashtme dhe Tom Miles nga Reuters, kolegun e mikut tonë Bob Evans. Ne gazetarët a nuk flasim vetëm për politikë. Kështu edhe kësaj here, pak a shumë. Folëm pak nga të gjitha: për luftën në Siri, për ISIS, për mercenarët nga Ballkani, shqiptarët, flm Zotit një numër i pakët, i krijuar jo për arsye ideologjike, për shkak të varfërisë dhe papunësisë, por prapë assesi nuk duhet ta tolerojmë. Pastaj folëm për referendumin në Skoci. Kush e ka lexuar Sir Walter Scott, monumenti i të cilit, më i madhi në botë i një shkrimtari, që ndodhet në zemrën e Edinburgut apo kush ka lexuar poezitë e Robert Burns, My Heart’s In The Highlands, e di se skocezët mezi e kanë pritur këtë ditë, për të votuar. Për Skocinë e pavarur ka qenë gjithmonë Sir Sean Connery, pavarësisht titullit të Kalorësit dhënë nga Mbretëresha Elisabeth II. Ish-agjenti 007 tani është 84 vjeç dhe thonë se vuan nga Alzheimer, por presupozohet se do të ishte i pari që do të shkonte në kutitë e votimit. Ndërkohë një lajm tjetër ka përfshirë botën, ku rreth 2 milionë kanë zbritur në Barcelonë, duke kërkuar mbajtjen e një referendumi për t’i thënë « Good bye Spain » dhe kërkuar shkëputjen e Katalonës.
Jo takimi nuk ishte i elektrizuar, ishte më i gjallë se zakonisht. Nuk ishte aspak monoton.
Olivier Grivat në shkrimin e tij më tutje shkruan se “presidente e Asosacionit të gazetarëve të huaj në Zvicër është gazetarja ukrainase Emilia Nazarenko, por shoqata ka edhe gazetarë rus. » Mëse e vërtetë ky fakt. Në tavolinën kryesore, bashkë me z.Burkhalter ishte Emilia nga Ukraina dhe një gazetar rus nga agjensia ITAR-TASS. Por ky është stili zviceran në fund të fundit.
Për krizën në Ukrainë, z.Burkhalter foli edhe gjatë drekës. Ai iu referua edhe Ballkanit. Ndofta nisur nga prania jonë, e dy gazetarëve që kanë rrënjët prej andej. Janë kriza, nënvizoi shefi i Departamentit Federal të Punëve të Jashtme që janë krijuar me kohë, jo sot, sepse një grusht njerëzish grumbullojnë në duart e tyre gjithë pushtetin politik. Pastaj ai iu referua temës së tij të preferuar, të rinisë, që e ka përcaktuar si prioritet të mandatit të tij.
Pas drekës me APES, po në pallatin e Kombeve presidenti i Konfederatës dhe shefi i diplomacisë zvicerane do të takohej me një grup prej 150 të rinjsh, pjestarë të konkursit «1914-2014» në kujtim të Luftë të Parë Botërore,konkurs ky i lançuar pikërisht nga z.Burkhalter në fillim të vitit të tij presidencial. Po në Pallatin e Kombeve dhe në të njëjtën ditë, ai do të nderohej me një çmim nga Fondacioni për Gjenevën, një nder që i bëhej për herë të parë në historinë e fondacionit një zyrtari të lartë në detyrë.
Rinia, e ardhmja e saj është refren i z. Burkhalter. Promovimi i paqes dhe demokracisë, mbrojtja e të drejtave të njeriut, lufta kundër varfërisë, mbrojtja e ambientit gjithçka është në funksion të ardhmërisë dhe rinisë. Këto tema i hapin edhe tek ne politikanët shqiptarë, por vetëm gjatë fushatave elektorale, si sloganë hipokrizie, shplarje trush, sepse i harrojnë menjëherë posa marrin pushtetin. Në Zvicër demokracia është realitet, kujdesi për rininë është realitet. Natyrisht nuk është parajsë, por një model për t’u ndjekur.
Dreka bashkë me desertin dhe kafenë espresso kërkonte një mbyllje shpenguese, nonchalante, informale. Burkhalter foli pak për foton e tij publikuar këtyre ditëve në Twitter duke pritur trenin si qytetar i zakonshëm në stacionin e Neuchatelit, qytetit të tij të lindjes. Pastaj si kryediplomat dhe shef i OSBE-së nuk kishte si të mos fliste prapë për krizën, duke evokuar kësaj here fjalët e presidentit Amerikan Barack Obama, se « në një marrëveshje apo akord nuk ka as fitues dhe as të humbur ». Tamam në stilin zviceran. «Barak Obama duhet të vijë në Zvicër e ta shpallë me zë të lartë : Ich bin ein Schweizer, je suis un Suisse, jam një zviceran»

Filed Under: Reportazh Tagged With: ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ, identiteti zviceran

Me mësuesit e diasporës në Beratin historik

September 11, 2014 by dgreca

Berati qytet i fisit ilir dasaret që nga shekulli i shtatë para KrishtitN.Mustafa: “Pa dyshim kurora e shenjtërisë së shkollës shqipe është shkolla shqipe në diasporë…”F.Nasufi:” “…është shumë privilegje për ne që t’u kemi në Berat.” E.Koleci:”Të lexuarit është një nga detyrat parësore të arsimit…”
Reportazh nga Hazir MEHMETI, Vjenë/
Qytetimbamendë shekullor ishte nikoqir i seminarit të dhjetë shënues të mësuesve/ve mërgimtarë/e nga e gjithë globi. Këtu kudo që shkel këmba e njeriut ke diçka përkujtuese epokash e kohësh të jetës qytetëruese të shtresuara në mure e themele. U ngrit, u rrënua, dhe mbi te ngritje kohe me gjurmë nga pushtimet herë nga lindje, herë nga perëndimi.
Seminarin u organizua nga të dy ministritë e arsimit të dy vendeve, Shqipërisë e Kosovës. Përfaqësuesit e tyre znj.RozalbaMerdani dhe z.NuhiGashiishin bartësit e realizimit të konceptit dhe programit të punës. Morën pjesë mësues nga shumë vende ku zhvillohet mësimi i gjuhës shqipe. Kishte përfaqësues nga të dy ministritë e arsimit dhe M e D, mes tyre ishte z.NehatMustafa, Zv.ministër i Arsimit të Kosovës, Bexhet Arbana, nga MA e Shqipërisë. Z.YmerAvdiu, Drejtor në Ministrinë e Diasporës; SelmanHodaj, Drejtor i Arsimit të Beratit etj.
Në Pallatin e Kulturës seminari u hap me programin artistik të organizuar enkas për seminaristët nga Liceu Artistik “Ajet Gjindole” i qytetit të Beratit në kujdesjen e drejtorit Prof.AdrianHoxhaj. Orkestra e Liceut nën dirigjimin e Fatbardh Dervishit përcolli me mjeshtri disa këngë beratase dhe këngën simbolike e të dashur “Mësuesi im i parë” i kënduar nga Dhimitër Dushi me zërin e tij të mrekullueshëm.Zamira Gjini, drejtore në Ministria e Arsimit dhe Sporteve të Shqipërisë mes tjerash tha:”Ky vit për Shqipërinë është vit vendimtar në reformat arsimore duke përfshirë atë para universitar… Të vendet tona realizuan në qershor një marrëveshje historike- unifikimin e kurrikulave mes dy vendeve tona… Faleminderit që kontribuoni në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe vetëdijes kombëtare. Tani më është krijuar një traditë që pasurohet vit pas viti në saje të punës tuaj me profesionalizëm”
Azem Guri, përfaqësues i MASHT së Kosovës në përshëndetjen e seminaristëvenë emër të Ministrit z.Ramë Buja, mes tjerash tha:”Diaspora e jonë me punën e saj po përpiqet të mbaj gjallë edukimin e brezave në frymën kombëtare, prandaj të dy ministritë tona po koordinojnë punët e tyre në hartimin e planeve dhe programeve të përafërta karshi vendeve të Bashkimit Evropian… Seminari i mësuesve në diasporë i organizuar në Beratin e bukur e historik është një thesar i kombit tonë dhe ka një rëndësi për mbajtjen e qenies kombëtar si dhe për lehtësimin e punës suaj që po bënë në vende të ndryshme…Ne si qeveri e ministri duhet të bëjmë më shumë për fëmijët tanë në diasporë. Të dashur mësues! Takimi me ju na kujton rrugëtimin dhe fatin e shkollës shqipe që nga shkolla e parë shqipe e Korçës dhe rritja e saj deri në ditët tona…Ju të dashur vëllezër e motra na keni mbështetur në ditët më të vështira materialisht e moralisht për ta përballur shtypjen e gjenocidin e paparë serbosllav dhe për ta mbajtur gjallë frymën e shkollës shqipe.Ju jeni ata që gjithandej Evropës po i përhapni shkëndijat e gjuhës shqipe dhe çdo herë do të jemi krah e dorë si ministri dhe si qeveri në përkrahje të kërkesave të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë..”
Z.FadilNasufi, kryetari i Bashkisë së Beratit duke përshëndetur të pranishmit në emër të nikoqirit mes tjerash shtoi: ” Pa dyshim është shumë privilegje për ne që t’u kemi në Berat dhe veç vlerës programore të seminarit ju do njiheni me Beratin dhe do jeni promotor të turizmit, njohjes së qyteteve të vendlindjes. Berati daton si vendbanim shtatë shekuj para lindjes së Krishtit si qytet ilir i fisit dasaret. Berati u pushtua nga disa pushtues duke i dhënë secili emra të veçantë deri tek pushtimi bullgar të cilit i jepet që mban edhe sot. Në shekullin e pesëmbëdhjetë Berati u shndërrua në Principatë e udhëhequr prej muzakajve.
Në seancën e kryesuar nga z,Bexhet Arbana dhe z.NuhiGashi mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në një ambient përvëlues u paraqitën me kumtesat e tyre disa ligjërues nga fushat e ndryshme socio-gjuhësore. EridaKoleci (IZHA): “Zhvillimi i të lexuarit në gjuhën shqipe” Citat: “Fëmijët që lexojnë janë të shoqërueshëm, ndihen të sigurt dhe marrin pjesë në diskutime. Është e kundërta me fëmijët që nuk lexojnë. Të lexuarit është një nga detyrat parësore të arsimit dhe i shoqëron fëmijët gjatë gjithë arsimit dhe do thosha gjatë gjithë jetës”.Liri Qoshi (IZHA): Ndërtimi i këndit historik të familjes” Një temë interesante rreth origjinës farefisnore, por me “një gjuhë të nivelit të lartë dhe jo adekuate për nivelin e auditorit” siç u cilësua nga moderatori i seancës. Blerat Avdiu (Tr): “Njohja e trashëgimisë përmes lojërave”Arian Melonashi, Abdurrahim Ashiku: Film nga mësimi i zhvilluar në dy ishuj të Greqisë në kushte specifike nga mësuesja “Vera – mësuesja e dy ishujve”.Dr.GertiJanaqi, drejtor IZHA: “Unifikimi i kurrikulave të arsimit parauniversitar mes Shqipërisë dhe Kosovës”.RagipGjoshi (Prishtinë) “Gjuha shqipe në plan programet shkollore në Kosovë”. Arian Melonshi me kamerën e tij tani është bërë syri i shumë aktiviteteve kulturore dhe tëmësuesve në disa shtete. Kemajl Çollaku: “Dokumentar-Ekskursioni mësimor”. RifatHamiti:”Mësimi si lojë-loja me zare”; “Efektet e lojës janë të gjithanshme dhe mund të zbatohet në përforcim, shtjellim dhe në të gjitha nivelet mësimore”. Flutura Tafilaku,, mësuese nga Greqia paraqiti temën “Mësimdhënia…”; Driton Kajtazi , bashkëthemelues dhe drejtor i ISEAL-it në Lozanë, mbajti kumtesën: “Përkthimi dhe komunikimet… Me kumtesë u paraqitë Ina Arapi nga Vjena, Fatmira Xhemajli (Tiranë), Yllka Spahiu (Tiranë), Albana Tahiri (Tiranë), KristinaGjokaj (Tiranë). U promovuan tri monografi: “Shkolla Shqipe e Selanikut” nga Abdurrahim Ashiku, “Shqiptarët e Zvicrës 1001 pamje” nga gazetari i njohur Rexhep Rifati dhe “Mësimi shqip në Austri” nga HazirMehmetiNehatMustafa, zv.minister në MASHT të Kosovës mbajti fjalën përmbyllëse të seminarit.”Ne do jemi të gatshëm të ndihmojmë mësuesit në diasporë me ato materiale që kemi. Ky seminar do të ndryshon nga ritmi i njëjte dhjetëvjeçar dhe kjo varet nga mendimi juaj në debatin e hapët që herët përmes postës elektronike…Pa dyshim kurora e shenjtërisë së shkollës shqipe është shkolla shqipe në diasporë…Ju përgëzoj për punën e juaj që bëni”.
Vizitat – Seminaristët vizituan ekspozitën e pikturave në qendrën kulturore, qytetin e vjetër dhe kalanë e lashtë me ndërtesat e saj shekullore, objekte kulti, muzeun etnografik i pasur me shumë materiale që nga shekulli i katër Para Krishtit.
Berati- Qytet i fisit ilir dasaret që nga shekulli i shtatë para Krishtit.. Përjetoj pushtime duke lënë gjurmë shekullore tri perandori: romake, bizantine dhe otomane. U pushtua kohë pas kohe edhe nga sllavet dhe grekët. Në Berat janë të shprehura disa religjione: islame, bektashi, katolike, ortodokse dhe sekti rufai. Veprat e kultit fetar, ndërtesat e banimit dhe vepra tjera të artit e bëjnë Beratin një margaritar kulture me vlera botërore. Janë ruajtur dy ungjijtë më të vjetër të krishterimit, Ungjilli Mateo dhe Ungjilli i Shën Palit, që janë vetëm pesë të tilla në gjithë botën. Epitafi i Gllavenicës i vitit 1373, një vepër e famshme e artit mesjetar. SabataiZevi hebre i cili në Stamboll mes vjetëve 1640-50 e shpall veten Messi me ndikim tek gjithë hebrenjtë besohet se ka qëndruar në Berat. Gjatë Luftës së Dytë Botërore familjet beratase strehuan hebrenj në mbrojtje nga nazizmi.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Berat, Hazir Mehmeti, mesuesit e diaspores, Seminar

Muzikë dhe verë në qytetin 2400 vjeçar

September 8, 2014 by dgreca

Nga Sulo Gozhina/ Berat/
BERAT – Pikat e shiut që kanë lajmruar se vjeshta ka startuar tek portat e shtwpive nuk kanë mundur të ndalojn një festë brenda të cilës ka dhe shijen e verës. Artistë nga vendi dhe të huaj kanë performuar në ambjetet e muzeut “Eetnografik“ për dy ditë rresht muzikë “jazz and ëine” me një publik të zgjedhur si dhe janë banorët e qytetit të lashtësisë. Ndjesija e muzikës e gërshetuar me shijen e verës të servirur nga prodhuesit vendas dhe freskia e dy netve të këtij shtatori kanë mbajtur të mberthyer deri pas mesnate banorët të qytetit, pushtetar, politkan dhe admirues të kësaj muzike të ardhur nga qytetet e tjera të vendit.
Fillimin e eventi të vaçant për nga performanca e kanë lajmruar tingujt e një kitare, ndërsa organizatorja Eda Zari ka bërë prezent për publikun arsyet e zhvillimit të këtij aktiviteti. Organizatorja mes të tjerash citoj: “E nisëm këtë edicion internacional kulturor në Berat, jo vetëm për të sesibilizuar qytetarët ndaj vlerave të rralla historike e muzeale që ky qytet trashgon ndër breza, por dhe se vetë qyteti lashtësisë është i pasur në artë, muzikë, kulturë, kuzhinë tradicionale, kulinarinë e verës, pra qyteti i miteve dhe legjendave ka përfunduar E. Zari fjalën e hapjes për tja lënë vendin muzikës Jazz – dhe Iso Polifonisë.
Kryetari i bashkisë Fadil Nasufi tha se kalendari kulturor duhet të ketë çdo ditë evente të tilla, ndaj dua të falnderoj organizatorët e tij, ndërsa citoj : “Jemi sonte këtu për promovimin e vlerave të qytetit të Beratit, në këtë event shumë të rëndësishëm, mua më ngelet që të falenderoj përzemërsishtë Eda Zaharin, për këtë shanc që i jep qytetit. Ndwrsa dua të falenderoj gjithashtu grupet që janë bashkangjitur aktivietetit, ardhur nga Berlini, Hamburgu, Berna, Nju Jorku, Tirana, Durrësi e Prishtina, pohoi ai. Nuk ka skenografi më të mirë se sa ansambli i kësaj shtëpie që besoj se sfidon çdo skenograf dhe çdo regjizor, pasi janë të gatëshme si vlera të trashëguara në breza, vijoj Nasufi. Nuk ka ansambël kulturor se sa “Mangalemi” që sfidon gjithë arkitektët me atë pamje madhështore dhe panoramike. Ky është Berati, qytet i cili, meriton të ketë të mbushur çdo ditë me evente të tjera. Aktiviteti është një shembull dhe një model se si promovohen vlerat, si vitalizohen ato, që krahas restaurimeve, krahas investimeve, jeta kulturore artistike dhe eventeve të tjera, duhet të jenë në kalendar të përjavshëm”, përfundoi ai.
Muhamrem Çobo, president i Kantinës Çobo, në emër të prodhuesve falenderoi organizatorët për këtë event promovues.
Ndjesinë e muzikës të gërshetuar me shijen e verës e lëshuar në këto dy mbrëmje feste e ka bërë të mundur mbështetja e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Beratit dhe një sërë përkrahësish të tjerë, eventi që synoi ngjizjen e elementëve të dy botëve magjike muzikës Jazz – dhe Iso Polifonisë, u bënë realitet mbrëmjen, 5 e 6 shtatorit. Kantinat verës janë vlerë e shtuar viteve të fundit në këtë qytet, por dhe shumë të tjera të ardhur të rrethet, Kavaja etj, prezantuan në hapje të ditës së parë të festës, produktet e tyre.
Prodhuesit e verës: Rilindja, Skënderbeu, Çobo, Luani, Bardha, Arberi, Sara, Vintage, Nurellari, Kardinal, Kokomani, Koto Balaj, Belba, Malinati, bashkuan produktet e tyre, për të krijuar një atmosferë festive e shkrirë në muret e moçme që mbajnë mbi supe mijra vite histori e që shkojn në harmoni me rrugët e rrugicat e kalldrëmta ku tingëllojn si në legjenda tehjet e shpatave, trokëllimat e kujave, krismat e armëve, muzika dhe këngët qytetare, dasma dhe belbëzimat e bebeve në një qytet të pa ndërpren në jetes për më shumë se 2400 vjet.
Atmosferën e kësaj feste të vaçant për nga performanca dhe për të mbetur në kujtesën e ndjesisë për të gjithë admiruesit e muzikës jazz dhe shijes të verës me shpresën që eventi në fjalë të kthehet në një ritual të përvitshëm në qytetin e lashtësisë e bënë të mundur artistë dhe grupe muzikore nga Shqipëria, Kosova, Gjermania, Zvicra, që performuan në mjediset e muzeut “Etnografik” deri në pas mesnatë dhe që mbajti të mbërthyer pas tingujve qindra admirues të saj.

Filed Under: Reportazh Tagged With: 2400 vjeçar, Muzikë dhe verë, në qytetin, Sulo Gozhina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 149
  • 150
  • 151
  • 152
  • 153
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT