• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vizitë e Presidentit të Vatrës në Ambasadën Shqiptare në Uashington DC

August 31, 2015 by dgreca

Nga Merita McCormack- Uashington DC/*
Ditën e enjte më 27 Gusht 2015, në mesditë, Dr. Gjon Buçaj , presidenti i Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “ Vatra” dhe zonja e tij Nikoleta dhe autorja e ketij shkrimi,  vizituan Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë në Uashngton DC, Znj. Floreta Luli-Faber.
Dr. Buçaj në momentin e parë të takimit i dha dorën zonjës Ambasadore duke i uruar kështu mirëseardhje dhe punë të mbarë dhe suksese në detyrën e re. Dr. Buçaj dhe Znj. Luli-Faber ishin takuar më përpara , kur Znj. Ambasadore merrte pjesë në funksione të tjera profesionale në një nga aktivitetet e Vatrës në Nju Jork, vitin e kaluar.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Nikoleta, Dr. Buçaj shprehu kënaqësinë të ndodhej në mjediset e rinovuara të Ambasadës shqiptare ne Uashington DC.
Ambasadorja Luli-Faber i mirëpriti mysafirët Vatranë në hollin e pritjeve të Ambasadës ku shihen qartë monumentet e Gjergj Kastriotit, Heroit Kombëtar Shqiptar dhe një statujë e shenjtores shqiptare, Nënë Tereza. Flamuri Kombëtar shqiptar dhe flamuri amerikan dekorojne bukur qendrën e hollit.
Nga diplomatët e Ambasadës, ndodheshin në takim edhe Konsullja shqiptare ne DC znj. Daniela Kristo-Nesho dhe Sekretarja e Dyte Ambasadës zonjusha Eni Jucja. Çifti Buçaj shoqërohej nga autorja e këtij shkrimi.
Dr. Buçaj dhe Ambasadorja Luli-Faber biseduan për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me shqiptarizmin në përgjithësi, për organizatat e ndryshme të diasporës, strukturat dhe rolin e tyre. Ambasadorja shqiptare shprehu kënaqësinë për takimin, falenderim për informacionin lidhur me VATRËN dhe për diasporën shqiptaro-amerikane në përgjithësi, rolin dhe aktivitetet e tyre. Ajo shprehu besimin se ajo vetë dhe stafi i ambasadës do të jetë gjithnjë pranë komunitetit shqiptar në SHBA dhe se konsullatat janë në shërbim të shqiptarëve në mërgim. Ambasadorja lavdëroi arritjet me të cilat ajo është njohur deri më tash nga diaspora shqiptaro- amerikane, veçanërisht nga ajo e Uashington DC, e cila punon e bashkuar dhe koordinuar. Ambasadorja Faber shprehu dëshirën të njihet edhe më gjerë, në shtetet e tjera, ku ka komunitet shqiptarë.
Dr. Buçaj dhe Ambasadorja Faber shprehën dëshirën e një takimi të afërt në NY dhe Dr. Buçaj e siguroi ambasadoren se gjithkush është i mirëpritur në shtëpinë e Vatrës, në aktivitetet dhe në funksionet e saj dhe se Vatra ka gjithnjë dyert e zemrat e hapura.
Dr. Buçaj theksoi rëndësinë e rolit të diasporës në çështjen shqiptare, apolitizimin e saj, punën e përbashkët të organizatave në Diasporë si dhe rolin që qeveria shqiptare duhet të luajë në rajon lidhur me të drejtat e shqiptarëve në shtetet fqinje por edhe në mbështetje të diasporës në botë, e veçanërisht në Amerikë ku ai jeton e vepron si president I VATRES.
Dr. Buçaj , I cili ka lindur në fshatin Arst të Pukës, ka kaluar vitet e para largimit nga Shqipëria në qytetin e Shkodrës dhe është larguar në vitin 1951, shprehu mallin dhe dashurinë për vendlindjen.
Në fund të takimit Dr. Buçaj i dhuroi Bibilotekës Shqip të Ambasadës rreth njëzet libra, disa prej tyre edhe volume të rralla.
Ambasadorja Luli-Faber dhe Dr. Buçaj biseduan për më shumë se një orë dhe pritja kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore dhe gjithë biseda u mbajt në gjuhën shqipe.
*Merita McCormack është presidente e degës së Vatrës për Uashington DC

Filed Under: Vatra

KRYETARI I VATRES PRITI SEKRETARIN SHKENCOR TË INSTITUTIT TE HISTORISË TË KOSOVËS

August 21, 2015 by dgreca

Të Premten me 21 Gusht 2015, Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Bucaj, priti në Selinë e Vatrës, sekretarin Shkencor të Institutit të Historisë të Kosovës, Mr. sc. Arben Arifi. Në takim ndodheshin edhe anëtarët e kryesisë së Vatrës, Marjan Cubi dhe Dalip Greca.
Kryetari i Vatrës i uroi mirëseardhjen mysafirit dhe e informoi për veprimtaritë dhe qëndrimet e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Ai shfaqi qëndrimet e Vatrës për rishkrimin e Historisë pa ndikime ideologjike dhe vlerësimin e figurave kombëtare, duke hequr dorë nga trashëgimia e historisë komuniste, që i trajton nacionalistët si bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit an block, pa sjellë në fokus kontributin kombëtar, ndërkohë që bashkëpunëtorët për 50 vjet me armiqtë sllavë, trajtohen si patriotë! Ka ardhur koha, tha dr. Bucaj, që historianët dhe institucionet që merren me historinë tonë kombëtare të jenë të pavarur nga politika dhe të zhveshur nga ideologjia komuniste. Edhe Shqipëria, edhe Kosova, kanë nevojë për bashkëpunim të ngushtë dhe ndërtimin e një platforme kombëtare dhe shkrimin e plotë të Historisë.
Mysafiri nga Kosova, falenderoi për mikpritjen dhe informoi për punën që po bën Instituti i Historisë në Kosovë. Ai shfaqi pikëpamje të përbashkët me kryetarin e Vatrës në drejtim të pavarësisë së Institucioneve, vecanërisht të atyre që merren me hartimin e Historisë.Në vendet me demokraci të zhvilluar, politika dhe shteti kërkojnë këshilla nga historianët dhe institucionet, ndërsa në mentalitetin shqiptar, këto institucione vetëm emërohen apo urdhërohen nga politika. Z. Arifi tha se Instituti po punon me projekte të detajuara për shkrimin e Historisë.
Instituti i Historise ka organizuar tryeza shkencore, konferenca, dhe simpoziume për ngjarje dhe personalitete të rendësishme të historisë kombëtare. Në këto organizime kanë marrë dhe marrin pjesë studiues jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj. Instituti i Historisë në kuadër të veprimtarisë së vet shkencore ka vënë bazat e bashkëpunimit nderkombëtar me institucione simotra në rajon dhe më gjërë.
Instituti i Historisë aktualisht është i fokusuar në: Historia e Kosovës, Historia e Luftes, dhe Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve 1877-1999. Nuk kemi ende, tha ai, një Histori të plotë të Kosovës.
Sekretari i Institutit të Historisë së Kosovës z. Arifi dhe kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj ranë dakort për një plan konkret bashkëpunimi mes Vatrës dhe Institutit.
Z. Arifi i dhuroi bibliotekës së Vatrës librat:
1- ARBËRORËT- NDËRMJET KISHËS PERËNDIMORE DHE ASAJ LINDORE GJATË SHEKUJVE XI-XV të autorit GJON BERISHA
2-Librin e iNstitutit të Historisë-Prishtinë”KOSOVA” 39
3- Dokumente Diplomatike të Qeverisë Shqiptare Për Demonstratat e Vitit 1981 Në Kosovë-Përgatitur nga Sabit Syla
4- Ali Hadri, Jeta dhe Vepra
Editori i Diellit, Dalip Greca,i percolli mysafirit nga Kosova dokumente e fotografi, qe pershkojne rrugen 103 vjecare te Vatres dhe rrugen 106 vjecare te Gazetes Dielli.
***
KUSH ËSHTË ARBEN ARIFI?
Arben Arifi, u lind më 06. 04. 1973 në Grabanicë-Klin, Shkollën fillore “Azem Bejat” e përfundoi në Grabanicë, ndërsa gjimnazin e përfundoi më 1987në Klinë. Në vitin akademik 1999/2000 filloi stundimet per Master në Fakultetin Filozofik-Dega e Historisë në Universitetin e Prishtinës. Në këtë fakultet magjistroi më 22.03.2004, me temën: “Nekropolët në Kosovë ne shek. V- XV”.
Në vitin akademik 2004/2005 në Universitetin Piérre Mèndes France- Grenoble II, fillon studimet Master në periudhën e Antikës, ku edhe mbron temën e masterit më 25. 03. 2007, me temën: “ Sistemi i fortifikimeve ne Kosovën Veri-Perëndimore”.
Vazhdon studimet e doktoraturës ne Universitetin Paris IV– Sorbonne me temën «Kosova (Dardania) gjatë kalimit nga Antika e vonë në Mesjetën e hershme».

PËRVOJA E PUNËS :

• Gjurmime arkeologjike, Salzkogől të Austrisë gusht-shtator 2001, Universiteti i Prishtinës në Vlashnjė (2002).
• Butrint me Institute of World Archaeology (Britani e Madhe) dhe Institutit Arkeologjik të Shqipërisë (2002, 2003, 2004).
• Apolloni, Misioni Arkeologjik Francez 2005.
• Ulpiana 2006, 2007.2008, 2009, 2010.
• Kryetar i OJQ-se Shoqatës se Historianëve të rinj në Fakultetin Filozofik dega e Historisë në Prishtinë (2001- 2003), Ruajtja e trashëgimisë kulturore (Departamenti i Kulturës – UNMIK, 2002)
• Që nga 01.09.2007, punon në Instituti e Historisë-Prishtinë.

FUSHA DHE PERIUDHA E INETERESIMEVE SHKENCORE:
Arben Arifi, merret me Historinë e Antikës se vonë dhe e mesjetës se hershme.

KUMTESA DHE PJESMARRJE NË KONFERENCA, SIMPOZIUME, SESIONE DHE TRIBUNA SHKENCORE NË KOSOVË :
• Sistemi fortifikues mbrojtës në Dardani në kohën e Justinianit. Në simpoziumin shkencor “Gjurmëve të perandorit Justininan“ Prishtinë 2008.
• Kalaja e Radacit, në simpoziumin shkencor “Kalatë e Kosovës” , Pejë 2008
• Arben Arifi &Luan Tetaj, Deklarata Kushtetuese dhe Kushtetuta e Kaçanikut në shtypin e kohës. Kumtesë me rastin e 20-vjetorit të shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, mbajtur më 2 korrik 2010 në lokalet e Fakultetit Filologjik në Prishtinë.

PUNIME SHKENCORE TË BOTUARA :

• Fortifikime të antikës së vonë e mesjetës së hershme në Kosovën veriperëndimore. Revista “Kosova” nr. 29/30, Prishtinë 2008
• Shkrimet e Ali Hadrit për iliret., “ Ali Hadri jeta dhe vepra“, Prishtinë 2009.

Filed Under: Vatra Tagged With: Arben Arifi, dalip greca, Dr. Gon Bucaj, Marjan Cubi, sekretari i Institutit

KRYETARI I VATRES NGUSHELLOI AKADEMINE E SHKENCAVE TE KOSOVES

August 17, 2015 by dgreca

New York/ 16 gusht 2015
Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës/
Prishtinë/
Me pikëllim të thellë morëm lajmin e idhtë të vdekjes së Akademikut, juristit të shquem, pedagogut të përkushtuem dhe atdhetarit të kulluet,Esat Stavileci.
Në emën të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA dhe t’imin përsonal, ju sjell përdhimtimet ma të sinqerta për ketë humbje të randë që len nji zbraztësi të thellë në Familjen e nderueme Stavileci dhe në botën kulturore të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Ju lutemi t’ia përcjellni ngushëllimet tona edhe Familjes së të Ndjemit, me deshirën që të kenë gëzime mbas sodit.

Me nderime,
Dr. Gjon Buçaj, Kryetar

Filed Under: Vatra Tagged With: Akademia e Kosoves, Esat Stavileci, Gjon Bucaj, Kryetari i Vatres

HISTORIA E VATRES- VEPRIMTARIA DIPLOMATIKE E NJË AMBASADORI PA KREDENCIALE

August 14, 2015 by dgreca

NGA IDRIZ LAMAJ*/
Me 15 janar 1943, një muaj pas vdekjes së Faik Konicës, Udhë- heqësi i Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë, i cili ishte edhe Kryetar nderi i Federatës “Vatra”, dërgoi në Washington ambasadorin e ri; Këtë ambasador të pa shtet dhe të pa qeveri, ish Kryeministri i Shqipërisë, Peshkop Noli, e paisi me këtë kredencial historik:
Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë
Boston, Massachusette
“Mbajtësi i kësaj shkrese, z. Petro Kolonja, 37 Marland Road, Worcester, Mass., dhe 1530 Sixteenth Street, Washington, D.C., është emruar prej Madhërisë së Tij Mbretit Zog i Shqipërisë si përfaqësues i Tij në Washington për të zëvëndësuar të ndjerin Faik Konica, ish Ministër i Plotëfuqishëm i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i besuar me mision të veçantë për të siguruar njohjen zyrtare të qeverisë shqiptare në mërgim nga Organizata e Kombeve të Bashkara. Çdo përkrahje që t’i jepet z. Kolonja do të vlerësohet lartë nga mbar populli shqiptar.
Peshkop F. S. Noli, 26 Blagden Str. Boston, Mass.

Përfaqësuesi i Mbretit Zog u vendos në Washington dhe vazhdoi menjëherë fushatën e tij diplomatike sipas planit të hartuar nga Konica e Noli.Në fillim, ai gjeti mbështetjen e plotë të Sekretares së ish Ministrit të Legatës Shqiptare, zonjës Charlotte Graham. Petro Kolonja shkruan në disa shënime kujtimesh të pabotuara:
“Zonja Graham më ndihmoi shumë, më siguroi apartamentin, më dorëzoi librin e Konicës me telefona e adresa dhe makinën e tij të shkrimit. Ajo më solli edhe disa orendi shtëpiake të cilat më hynë në përdorim edhe pasi solla në Washington time shoqe me fëmij”.
Një javë pas arritjes në Washington, Kolonja njoftoi 24 ambasada të huaja me këtë shkresë:
“ Shkelqesi,kam nderin t’ju njoftoj se jamë emruar Përfaqësues i Mbretit Zog të Shqipërisë në Washington, për të zëvendësuar të ndjerin Faik Konica, ish Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Në këtë kapacitet do t’ju isha shumë mirënjohës nëse me jepni një intervistë në kohën tuaj më të përshtatshme. Në këtë mënyrë do t’ju shprehja falenderimet dhe respektin tim në person.”
Me nderime, Petro Kolonja, Përfaqësues i
Mbretit Zog në Washington.
Shtëpisë së Bardhë, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Luftës dhe zyrave të tjera kompetente amerikane, Kolonja u dërgoi letra me përmbajtje të ndryshme. Në secilën letër vuri në dukje deklaratën e ministrit Hull të 10 dhjetorit 1942, kërkoi njohjen e tërsisë territoriale të Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare në mërgim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ambasadorit turk, Kolonja i dërgoi një letër të veçantë falende- rimi për denoncimin që shteti turk i bëri Italisë me rastin pushtimit të Shqipërisë. Një letër të till i dërgoi edhe ambasadorit egjiptian në Washington.
Ndërkaq, ambasadorit britanik i shkroi një letër të përzemërt, në të cilën thekson miqësinë e vjetër anglo-shqiptare dhe përkrahjen e Britanisë së Madhe dhënë Shqipërisë në kohët të vështira. Në letër shpreh shqetësimin rreth deklaratës së ministrit Eden, dhe kerkon që qeveria britanike të njoh sa më parë integritetin tokësor të Shqipërisë. Ai shkruan:
“ Shqiptarët janë tepër të shqetësuar nga deklarata e ministrit të Jashtëm britanik i cili le hapur diskutimin e kufinjëve të Shqipërisë të cilët janë vendosur nga një komision ndërkombëtar ”.
Hapat e parë diplomatik Kolonja i bëri në bazë të udhëzimeve të Nolit dhe të reagimit të tij ndaj deklaratës të ministrit britanik. Një muaj më parë Noli i kishte dërguar ministrit të Jashtëm amerikan këtë letër:
“Është tepër poshtërim për një Peshkop të besimit në fenë e Krishtit kur mendon se vendet tona të mëdha të krishtera demokratike luajnë çdo lloj dredhie politike për të kënaqur agresorin italian, ndërsa ato dy shtete të guximshme muhamedane (është fjala për Turqinë dhe Egjiptin, il.) nuk përfillen Musolinin në kulmin e fuqisë së tij, ndaj të drejtave të shkelura të popullit të vogël shqiptar. Me vjen keq që vendet tona të mdha të krishtera nuk tregojnë guximin e duhur moral të krishterimit. Besonj se nuk ka garanci më të mirë që mund t’u jepet shqiptarëve se sa njohja zyrtare e një qeverie shqiptare në mërgim nën drejtimin e Mbretit Zog dhe siguria e tërsisë tokësore të Shqipërisë brënda lidhjes së Kombeve të Bashkuara. Një garantim i till është i domosdoshëm për të eleminuar dyshimet e ngritura nga z. Eden në deklaratën e tij në Dhomën e Komunave në të cilën thuhet qartë se në Konferencën e Paqes duhet diskutuar çështja e coptimit të Shqipërisë midis fqinjëve të saj, grekëve dhe jugosllavëve.”
28 Nëntori 1943 shënon një demonstrim serioz amerikan në mbrojtjen e tërsisë territoriale të Shqipërisë. Shoqata “Miqtë Ameri-kanë të Shqipërisë” shtroi një darkë përkujtimore për 31 Vjetorin e Shpalljes të Pavarësisë Shqiptare në të cilën merrnin pjesë afër 120 veta. Në darkë ishin disa ish diplomatë, katër-pesë senatorë e deputetë dhe dy zyrtarë të ministrisë së Jashtme dhe të ushtrisë amerikane. Megjithëse këta të fundit ‘nuk merrnin pjesë në emër të qeverisë’ lenin të kuptohej se mbrojtja e tërsisë territoriale të Shqipërisë nuk ishte temë tabu në diplomacinë amerikane. Kryetari i Shoqatës, ish ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Charls C. Hart, hapi mbledhjen me këto fjalë:
“ Jemi mbledhur këtu për të demonstruar publikisht miqësinë tonë ndaj Shqipërisë dhe popullit të shumëvuajtur shqiptar. Mbretin e Shqiptarëve dhe ish Kryeministrin e Shqipërisë (është fjala për Nolin, il.), me të cilët fola në telefon, i urova në emrin tonë për 28 Nëntorin, duke shprehur bindjen e plotë se së shpejti, populli shqiptar do të kremtoj Festën e Flamurit të vet në një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe me kufijtë shtetëror të paprekur nga askush ”.
Të nesërmen, Kolonja i shkroi Nolit me entusiazëm rreth fjalimeve të mbajtura në darkën e shtruar nga “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë”. Ai citoi në letër edhe disa folës të tjerë të cilët përkitën në vaçanti mbrojtjen e tërsisë territoriale të Shqipërisë.
Më 1943 thellohen intrigat politike midis organizatës “Shqipëria e Lirë” dhe Federatës “Vatra”. Grupi shqiptar në Londër dhe Kostë Çekrezi kërkojnë heqjen dorë nga formimi i qeverisë nën drejtimin e Mbretit Zog. Në vend të qeverisë, ata propozojnë krijimin e një Komiteti. Sipas mendimit të tyre, vetëm rreth një Komiteti mund të realizohej Fronti i Përbashkët dhe bashkimi i shqiptarëve në mërgim. Ky propozim i kundërshtuar nga “Vatra”, vë Çekrezin në lëvizje. Ai zhvillon një mbledhje të organizatës së tij në Detroit dhe menjëherë deklaron në gazetën “Liria” se “protokolli i bashkimit u nënshkrua në Detroit”, pasi në mbledhje merrnin pjesë edhe dy degë të “Vatrës”. Përfaqësuesi i një dege të “Vatrës” në atë mbledhje, Refat Gurrazezi, pendohet dhe i telefonon Nolit në Boston.
Gurrazezi shkruan për reagimin e Nolit:
“ Nga zëri i tij m’u duk mjaft i dëshpruar dhe kish të drejtë. Më mbajti lartë nga një gjysëm ore në telefon, dhe para se të me thosh ‘natën e mirë’ më tha këtë:“Thuaju atyre shokëve të Detroitit se sido që të bëhet, qoftë monarki, qoftë republikë ose komunizëm, s’ka vent për Çekrezin në Shqipëri.” ( R . Gurrazezi “ Atdheu ”, 3 gusht , 1968 ).
“Vatra” mbajti qendrim të pa lëkundur politik deri në shtator të vitit 1944, kur themelohet në Shqipëri qeveria e dalë nga i ashtuquajturi Fronti Nacionalçlirimtar. Kolonja vazhdoi veprimtarinë e tij intensive gjithnjë në kontakt me Nolin dhe me ministrin e Oborrit Mbretëror në Londër.Ai, shkroi, përktheu, ndoqi me vëmendje dredhitë politike greke e jugosllave dhe raportoi e regoi menjëherë ndaj tyre. Ambasadori atdhetar, i pakredenciale, i ngarkuar me mision të veçantë nga “Vatra”, Noli dhe Mbreti, shkarkohet nga detyra me këtë telegram: “Siç është njoftuar me kohë çlirimi i atdheut sjell në përfundim misionin tuaj”. Ju falem nderit, Sotir Martini, Londër 22 shkurt 1945, ora një e mengjesit.
Ish përfaqësuesi i Mbretit, i tërhequr në heshtje nga “Varta”, për vite me radhë vazhdoi fushatën politike kundër regjimit komunist në Shqipëri. Ai banoi në Washington deri në fund të vitit 1956.
Përfundimisht:
Qeveria shqiptare në mërgim,bashkimi shqiptarëve të Amerikës rreth Federatës “Vatra” dhe Fronti i Përbashkët, për të cilat u bë aq shumë fjalë, nuk u realizuan kurrë. Konica dhe Noli gjatë pushtimit të Shqipërisë bënë përpjekje të gjithanëshme për sigurimin e tërsisë territoriale të Shqipërisë dhe përfshirjen e saj në aleancën e luftës antifashiste.Ata ndikuan thellë në diplomacinë amerikane për realizimin e qëllimeve të tyre kombëtare. Përfaqësuesi i Mbretit Zog në Washington, Petro Kolonja, gjatë atyre viteve të mjegullta, u tregua diplomat i shkathtë. Me ndërgjegjen e tij atdhetare, ruajti balancat politike shqiptare në mërgim, përcolli me vemendje çdo veprimtari politike ndërkombëtare dhe njoftoi menjëherë Mbretin Zog në Londër dhe Peshkop Nolin në Boston. Udhëzimet e atyre që e vunë në krye të detyrës i zbatoi me përpikmëri dhe ndershmëri të pashoqe.
Analistë jugosllav pohojnë se deklarata e Ministrisë së Jashtme britanike (1942), në të cilën lihej hapur diskutimi për coptimin e Shqipërisë në jug, ndikoi thellë në forcimin e ndikimit të komunistëve jugosllavë te komunistët shqiptarë. Për këtë nuk duhet të çuditemi po të shikojmë me vëmendje përkrahjen politike dhe ushtarake që i dha qeveria britanike Partisë Komuniste të Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ndikimin që patën jugosllavët te komunistët shqiptar.
Qëndrimi i qeverisë amerikane ndaj tërsisë tokësore të Shqipërisë, ndryshoi rrënjësisht nga qendrimi britanik. Megjithëse për shqiptarët nuk ishte një qëndrim i qartë, sjellja e urtë e qeverisë amerikane me grekët dhe vënja në heshtje e pretendimeve të tyre ekspansioniste linte të kutohej drejtëpërsëdrejti se politika zyrtare e Washingtonit ishte kundër coptimit të Shqipërisë. Shoqata “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë” i bëri sfidë të shkëlqyeshme lobizmit grek. Kryetari i Shoqatës, Charls. Hart, ishte mik dhe mbrojtës i vendosur i interesave të larta kombëtare të popullit shqiptar. Qeveria amerikane vazhdimisht këshillohej me të për çështje shqiptare. Z. Hart mbajti lidhje të ngushta me “Vatrën”.
“ Nuk është aspak ekzagjerim, po të nxjerrim përfundimin se gjatë Luftës së Dytë Botërore“Vatra”qe e vetmja organizatë shqiptare, i vetmi grupim shqiptar që u oreintua drejtë politikisht”. ( Prof. Beqir Meta: Kontributi i “Vatrës” për çështjen shqiptare, “Dielli”, Janar-Mars, 2003 ).
Merita për këtë orientim të drejtë politik iu takon, Faik Konicës, Fan Nolit, Petro Kolonjes dhe miqëve amerikanë të Shqipërisë.

* * *
Shënim.
Konica dhe Noli denoncojnë ashpër pushtimin e Shqipërisë dhe ndërhyjnë me të gjitha mundësitë e tyre pranë qarqeve amerikane dhe aleatët, përpiqen për krijimin e një qeverie në mërgim. Në anën tjetër, Konica dhe Noli, në heshtje shpresonin dhe deshironin që Greqia të merrte nga Italia një ndëshikm të merituar historik dhe të bashkoheshin territore shqiptare të pushtuara nga Greqia, fjala është Çamëria. Kjo shihet qartë në pamfletin e Konicës, Sfondi i Konfliktit Italo-Grek (The Background of The Italian-Greek Conflict), botuar në Washington në tetor të vitit 1940. Themi, ky ishte dhe qëndrimi në heshtje i Nolit, duke u mbështetur në letrat e tij, ai rikthen Konicën në politikë, dhe e mbeshtet derisa Konca vdes dhe veniten të gjitha shpresat për krijimin e një qeverie në mërgim. Natyrisht më pastaj ai mbështet qeverinë e re komuniste, sepse nuk i mbetej rrugë tjetër. Frika e mosnjohjes dhe shkatërrimit të shtetit shqiptar, kërcënimet serioze greke ndaj territoreve të Shqipërisë jugore, bënë përpjekjet e tij të fundit për të tërhequr atë qeveri dhe Shqipërinë në anën e ndikimit të influencës amerikane. Në letrën e Nolit dërguar Enver Hoxhës thuhet qartë “…ju përkrah në në teori por jo në praktikë…”, etj.
*Marre nga Libri i autorit Idriz Lamaj”Per Vatren dhe Vatranet”,New York 2014

Filed Under: Vatra Tagged With: Idriz Lamaj, nga Historia e Vatres, Petro Kolonja

Nga Historia e VATRES -KRISTO FLOQI, BASHKËTHEMELUES I “VATRËS” DHE EDITOR I “DIELLIT”

August 11, 2015 by dgreca

Nga Dalip Greca/
(Ne Foto:Komisioni Themelues i Vatres, Kristo Floqi, i dyti nga e majta, i akterti Noli, i shtati Faik Konica/
Dr. Kristo Floqi është jo vetëm ndër themeltarët e Vatrës, por dhe inisiatori dhe drejtuesi i mbledhjes së parë për bashkimin e shoqërive shqiptare të Amerikës. Vërtetë se ishin Faik Konica dhe Fan Noli, ata që hodhën farën e bashkimit, por thirrjen për takimin e parë bashkues e kishte bërë ai me 11 dhjetor më 1911, përmes gazetës Dielli,që ai e drejtonte. Si editor i Diellit Floqi i parapriu procesit të krijimit të Federatës, duke treguar dobitë e bashkimit e duke fshikulluar përçarësit. Edhe thirrja për takimin bashkues u hartua dhe u nënshkrua nga ai. Çuditërisht ai është përmendur pak ose aspak në faqet e Diellit, pasi e pat lënë Amerikën, dhe ishte i ndaluar rreptësisht të përmendej në literaturën e para ’90-tës. Nuk u shkrua fare për fatin e tij në burgjet e diktaturës, ashtu si dhe për fatin e shumë të tjerëve, mbi të cilët ra pa mëshirë gijotina e antiligjit, edhe pse kishin qenë shpirti i Vatrës dhe kishin luftuar aq shumë për Kombin. Paradoksi qëndron se me rastin e vdekjes së tij në Shqipëri, Dielli, që ai editoi, nuk shkroi asnjë rresht!Të jetë kjo mungesë informimi apo një harresë siç kishte ndodhë me ish editorin e Diellit, Bahri Omari të pushkatuar, me komandantin e vullnetarëve shqiptarë të Amerikës, Aqif Përmeti, pushkatuar, me ish themeluesin tjetër të Vatrës, Kristo Kirkën-vdekë në burgun e Burrelit, me Kolë Tromarën e të tjerë vatranë që dhanë shpirtin për çështjen Kombëtare?!

KUSH ISHTE KRISTO FLOQI?

Pati lindur më 1976 në Korçë (është shkruar se ai ka lindur në fshatin Floq, por kjo nuk i përgjigjet së vërtetës sepse vetë ai në shënimet autobiografike pohon se ka lindur në Korçë.) I ati, Vasili, kishte lindur në Floq.Informacion japin për Floqin edhe studiuesit Robert Elsie dhe Hasan Hasani, ndërsa gazetari Fiqri Shahinllari në librin e tij’Lis në Shkëmb” sjell të dhëna interesante rreth Floqit, pasi ka shfletuar arkivin. Ndërsa Prof. Dr. Stilian Adhami, krahas studimit të kësaj figure sjell të dhëna e dëshmi të rralla.
Kristo Floqi ishte i biri i Vasil Floqit, i cili pati katër djem dhe një vajzë; Dhimitrin, Kriston, Nikollaqin, Thanasin dhe Katerinën. Mbetën gjallë vetëm Kristo me Thanasin. Të dy studiuan për drejtësi.Mësimet e para Kristo Floqi i mori në Korçë, ndëkohë që studimet e mesme dhe të larta i kreu në Greqi. Diplomoi për drejtësi në Athinë, po aty e ushtroi profesionin e avokatit deri në vitin 1900. Më pas shkon në Korçë, ku hap zyrë avokature, më pas kaloi në Vlorë.Zotëronte disa gjuhë të huaja dhe shquhej që në rini për prirje letrare dhe publicistike.Veprimtaria politike, juridike, letrare dhe publicistike e Kristo Floqit përfshinë Shqipërinë dhe SHBA-në. Në kohën e para Luftës shkëlqeu, pas lufte kaloi një kalvar vuajtjesh e harrimi, ndërsa pasvdekja ishte injorim për këtë figurë kombëtare, mbuluar me pluhur harrese e terr.

NGA VLORA NË SHBA

Është shkruar se Kristo Floqi erdhi në SHBA nga Turqia, ku kishte shkuar për të përvetësuar Turqishten, është shkruar edhe një variant tjetër, se ai kishte mbërritur në SHBA për arsye ekonomike dhe nevoja të Lëvizjes Kombëtare siç kishin shkuar Petro Nini Luarasi,Sotir Peci, Fan Noli, Faik Konica, Mihal Grameno, Kristo Dako e të tjerë. Asnjëra, as tjetra nuk qëndrojnë. Variantin e vërtetë e tregon vetë ai, në “Kujtime Historike- Formimi i Federatës Panshqiptare”Vatra”- botuar në nëntor 1937 në revistën “LEKA”.
Kristo Floqi në vitin 1009 ishte avokat në Vlorë. Është koha kur ai e ka afirmuar veten në radhën e nacionalistëve që kërkojnë një Shqipëri më vete.Ishte ky shkaku i një përleshje mes një grupi nacionalistësh shqiptarë, ku kryesor ishte kristo Floqi dhe një grupi turkoshakësh, që bënin pjesë në Shoqërinë nacionaliste Turke me emrin”Itihat Ve Tereki”, që propagandonte një Turqi të re. Dy grupimet u përleshën paq, dhe autoritetet e pushtetit lokal “ua suallën shpirtin majë fytit”, siç kujton Kristo Floqi në shënimet historike të botuara më 1937 në Revistën “Leka”. Në këto rrethana grupimi i nacionalistëve shqiptarë menduan se kishte mbrritë rasti t’u tregonin vendin turkoshakëve dhe si hap të parë ndërmorën sulmin mbi zyrën e Post-Telegrafës së Vlorës. Aso kohe, Ismail Qemali ndodhej në Selanik. Grupi i nacionalistëve hyri në kontakt me Ismail Bej Qemalin dhe me të gjithë ata që ishin për inisiativën Kombëtare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe u prezantuan situatën ku ndodhej Vlora dhe veprimet e tyre.Duke qenë zotër të postë-telegrafës, nisën shifërkëmbimin, duke përcjellë situatën e acaruar dhe ç’mund të bënin në atë situatë.I ndalën të gjitha telegrafet që zyrtarët lokal përpiqeshin të nisnin drejt eprorëve. Autoritet ushatarake u zemruan së tepërmi dhe rrethuan Postën, duke kërkuar dorëzimin e Postës, por nacionalistët shqiptarë kundërshtuan dhe nuk ua dorëzuan as shifrën.Situata u përkeqësua dhe forcat ushtarake u shtuan. Në këto rrethana rebelusit shqiptarë e lanë Postën dhe një pjesë kapërcyen detin dhe u hodhën matanë Adriatikut, ndërsa një pjesë tjetër u ngjitën maleve. Kristo shkoi në Cakran të Fierit nën kujdesin e Bektash Cakranit. Mirëpo edhe aty ishte vështitrë të qëndronin gjatë pa rënë në sy.Vendosën që ta linin Shqipërinë dhe të kalonin në Brindizi e që aty morën anijen drejt SHBA-ve.

NGA BOSTONI NË SALT-LAKE, UTAH

Pas disa ditësh Kristo Floqi arrinë në Boston. Nuk bëhej fjalë për të ushtruar zanatin e avokatit sapo vuri këmbë në Amerikë. Vendosën që të hapnin një restorant në Boston duke shfrytëzuar klientelën shqiptare, që përbëhej kryesisht prej punëtorëve të fabrikave të Natick në Mass. Kur dukej se gjithçka po shkonte mirë, restoranti dha shenja falimentimi. Pas katër muajësh u detyruan që ta linin atë punë. Ç’të bënin? Nuk e dimë se ç’punë tjetër mund të ketë bërë Kristo me shokët me të cilët pat marrë rrugën përkëndej Atlantikut, por ai vetë shkruan në kujtimet e veta se”nevoja na shtërngojë të çajmë barakzi Shteteve të Bashkaura të Amerikës e të zemë vend në qytetin e bukur të Salt-Lake City të shtetit të Utah, pranë Kalifornias.”
Në Salt-Lake, Kristo kishte kunatin e tij, Kristo Poçi, i cili merrej me tregëti dhe punët i shkonin mirë. Aty punoi deri më 20 shtator 1911, pasi i erdhi një Ftesë nga Shoqëria Besa-Besën për të marrë detyrën e editorit të gazetës”Dielli”, post i cili ishte vakant pasi e kishte lëshuar Eftim Natse, para të cilit në atë post kishte qenë Konica.

EDITOR I DIELLIT

Shoqëria Besa-Besën,po kërkonte një editor të ri për gazetën e saj “Dielli”. Me propozimin e Kolë Rodhes dhe të Llambi Çikozit, ky post iu propozua pikërisht Kristo Floqit, i cili në atë kohë i kishte rregulluar problemet financiare dhe fitimet po i shkonin mbarë.Edhe pse pagesa që iu propozua nuk ishte kushedi çfarë, 50 dollarë në muaj, ai e pranoi detyrën për hir të çështjes kombëtare dhe bashkimit të kolonive shqiptare në SHBA.Përmes gazetës Floqi u bënte thirrje shqiptarëve që të bëheshin bashkë sepse kështu do t’i shërbenin më mirë kombit dhe do të ndikonin në krijimin e shtetit shqiptar.
Mbresat e asaj dite, kur Kristo Floqi mori detyrën, na e përshkruan me nota mallëngjenjëse gazeta Dielli e Vjeshtës 1911 :”Të dielën që shkoi, më 17 të Vjeshtës, u mbajt meshë në Kishën e Shën Gjergjit në Boston prej të Përnd. At Naum Çere dhe At Damianit.Ishin mjaft shqiptarë prej Bostonit dhe fshatrave përreth. At Naumi meshoi fort bukur me me zën’ e tij të plotë e të begatshëm.Si tha Unigjillë, At Damiani mbajti një fjalë të shkurtër, por të bukur, duke përkthyer Ungjillë e duke prurë fjalën mbi çështjen Kombëtare.
Pas priftit, nënkryetari i Shoqërisë Besa-Besën z. Vangjo Mille u ngrit dhe me një fjalë të mirë rekomandoi drejtorin e ri, z. Kristaq Floqin, i cili u prit gëzimërisht me një përpjekje duarësh të paprerë nga ana e dëgjonjësve.
Pasandaj, z. Kristo Floqi u ngrit,duke marrë në duar kurorën e shoqërisë Besa-Besën si dhe dy kurorët e tjera të shoqërisë Arsimi dhe të Shqiptarëve të Cochituate-it, kaq të bukura të tria, mbajti një fjalë të gjatë, më tepër se një orë, ku çmoi vleftën e trimave djelmoshë, të cilët njëri pas tjetrit, ranë dëshmorë për nderin dhe famën e Atdheut. Fjala e drejtorit qe kaq e bukur, e lartër dhe pëllore në ndjenjë e në fantazi, sa e mallëngjevi të tërë popullin dhe ngjethi zemrat gjersa qanë me lot.
Pas z. Kristo Floqi, u ngrit i njohuri atdhetar z. Kristo Kirka, i cili foli me një nxehtësirë të madhe për therorët e Përlindjes, duke përvëluar zemrat e djegura. Një përpjekje duarësh e fortë vërtetonte gëzimin që ndjenin dëgjonjësit. Më së fundi, me fjalë fort të hijshme e të pëlqyera, rekomandoi drejtorin tonë në popull, duke thënë se nga burra si Kristaq Floqi duhet të presë shumë kombi.Shqiptarët e Amerikës duhet t’i ndihin pa kursim në udhën e re në të cilën dëshiron të sjellë Shqiptarët dhe Kombin. Kësisoj mesha u krye duke lënë një përkujtim të pa harruar.”
Detyrën e editorit ai nuk e bënte vetëm duke qëndruar në zyrë, por shkonte atje ku ishin shqiptarët,konak më konak; katund më katund e qytezë më qytezë. Ai mbante konferenca dhe inkurajonte shqiptarët për patriotizëm. Qëllimi i konferencave ishte bashkimi i të gjitha kolonive shqiptare, me qëllim që shqiptarët e Amerikës të kishin një zë të bashkuar për Kombin e tyre.Në atë kohë në Amerikë egzistonin disa shoqëri shqiptare si: Më e madhja ishte Shoqëria Besa-Besën, më pas vinte Arsimi e Korçarëve, Dallëndyshe e New York-ut, Shoqëria Kombëtare e Worcesterit, Shoqëria Malli i Mëmëdheut dhe Përlindja e Jamestownit, Shoqëria Lidhja, Shoqëria Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Shoqëria Hylli Afërdita, Shoqëria Bashkimi, Shoqëria Mirëbërëse, Shoqëria Përparimi dhe Komiteti i z. Faik Konitza”Flamuri i Krujës”.
Në konferencat që zhvillonte nëpër kolonitë shqiptare, Kristo Floqi shtronte idenë e një programi të përbashkët të shoqërive të bashkuara dhe dhënien fund të grindjeve dhe lokalizmave krahinore. Ai argumentonte se vetëm të bashkuar, do të arrinin që të forconin frymën kombëtare në SHBA. Floqi, arriti që për tre muaj t’i binte kryq e tërthor kolonive shqiptare dhe realizonte më shumë se 100 konferenca. Kur e pa se fara e bashkimit ishte hedhur, dhe se disa nga shoqëritë ishin të bindura se ishte koha për bashkim, dërgoi thirrjen për një takim të përbashkët.

TAKIMI HISTORIK I 11 DHJETORIT NË BOSTON, MUNGESA E KONICËS

Në mirëkuptim me shoqëritë u la që takimi i parë të bëhej me 11 dhjetor 1911 në Boston. Atë ditë me qindra shqiptarë mbërritën në Boston dhe është pikërisht kjo ditë që çeli një epokë të re për Lëvizjen Kombëtare shqiptare në SHBA. Në kujtimet e tij, Kristo Floqi shkruan se “ Dita historike 11 Dhjetorit 1911 shënoi një periudhë të re për shqiptarët e Amerikës. Atë ditë arritën në Boston me qindra shqiptarë, si delegatë të shoqërive, por edhe individë. Salla e gjërë e hollit Rathbonne u mbush plot, sa shumë veta u shtërnguan të qëndrojnë më këmbë dhe qindar të tjerë mbetën jashtë.”
Në mbledhje mori pjesë edhe Peshkop Noli. Ra në sy mungesa e “dekanit” të çështjes Kombëtare, Faik Konicës, i cili ishte padyshim figura më elitare e asaj kohe dhe një prej promotorëve të Lëvizjes Kombëtare. Artikujt e tij në Dielli i kishin bërë për vete shqiptarët e Amerikës, ndaj përfaqësuesit e shoqërive të ndryshme që kishin ardhë në atë takim historik, po habiteshin që mungonte aty shtylla e bashkimit. Kureshtjen e delegatëve e shoi Kristo Floqi, i cili u tregoi atyre letrën që kishte marrë nga Faik Konica dhe ua lexoi fjalë për fjalë.
Çfarë shkruante Konica në atë letër? E sjellim të plotë:
I dashur z. Floqi
E mora letërn tuaj sot pasdreke dhe ju kthej përhirime për fjalët miqësije dhe nderimi që më thoni. Për fat të zi jam fare i penguar të Djelën, se s’e dinja se kishit mbledhje dhe se do t’më ftojit dhe kështu u lidha gjetkë për pasnesër.
Ato që më thoni për bashkimin janë të pëlqyera dhe pa dyshim duhet të bëhet në gjetshim një formulë të drejtë që ta mbarojmë pa prishur punët që kemi trajtuar gjer tani me shumë mundime.Kemi komitetin tonë këtu(Flamurin e Krujës) dhe nuk shohim ndonjë arsye që ta prishim.Është e udhës të prishen punëra pa rregull e pa program, por jo punëra të ndërtuara me kujdes.Besoj këto t’i peshoni dhe të më jepni të drejtë.”
Mbetem Juaji me besë,
FAIK KONITZA d.v

Letra duket se la një shije mosbesimi tek të pranishmit. Vetë Kristo Floqi shkruan se kjo letër ishte një justifikim për të mos ardhur, pasi njoftimi për mbledhjen bashkuse botohej në çdo numër të Diellit dhe Faikut i dërgohej gazeta. Mirëpo tashmë që ai nuk ishte më editor i Diellit, kur e pyesnin për gazetën, thoshte jo pa shpoti se nuk e lexonte më Diellin nga frika se mos harronte shqipen!
Sipas interpretimit që i bën letrës, Kristo Floqi, dyshon se Konica e dërgoi letërn dhe s’shkoi vetë në takim nga që nuk ishte ai inisatori dhe s’e nuk donte të sakrifikonte Komitetin e tij “Flamuri i Krujës”, që sipas Floqit kishte vetëm 10-12 anëtarë. Floqi e shkruan të zezë mbi të bardhë”Konica nuk donte që ta merrja unë bajrakun e bashkimit. Si ky, ashtu dhe Noli, qitnin gjithënjë pengime.Këto i kishin kuptuar shqiptarët e Amerikës dhe unë veçanërisht ua diktonja herë pas here me anë të Diellit, organit tonë.”
Në fakt Fan Noli, i ktheu përgjigje Kristo Floqit, se ai dhe miku i tij Konica, nuk ishin kundër bashkimit, përkundrazi, kishin punuar gjatë për bashkimin, por ata kërkonin një punë të pëlqyer dhe serioze, jo qesharake.(Dielli 18 janar 1912).
Nga ana e tij, ish editori i Diellit, Refat Xh Gurazezi, në ciklin e artikujve rreth historisë së Vatrës, të përmbledhur në librin “Historia e Federatës “Vatra”, e kundërshton Floqin, për të cilin shkruan:”Editori i fundit (sa Dielli ishte gazetë e shoq Besa-Besën), e gjeti të shtruar tryezën e bisedimit, idenë dhe planin për bashkimin e gjithë shoqërive shqiptare të Amerikës rreth një shoqërie të madhe kombëtare.”

FLOQI, KRYETAR I MBLEDHJES HISTORIKE

Në kujtimet e veta, Kristo Floqi pohon se për të respektuar Imzot Nolin, e propozoi atë për kryetar të mbledhjes, por Noli e refuzoi me argumentin se i takonte Floqit ai post sepse qe ai që inisiatori dhe organizatori. Propozimi i Nolit u hodh në votë dhe Kristo Floqi u zgjodh kryetar, ndërsa Llambi Kreshpani, sekretar.
Pas fjalimeve, Marko Adams propozoi Komisionin historik për themelimin e Vatrës, ku renditi katër emra: Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konica dhe Paskal Aleks. Sipas propozuesit ky komision do të merrte përsipër organizimin e një Federate të madhe Panshqiptare në marrëveshje me të gjitha shoqëritë. Propozimi u gjet i pëlqyer.
Barra i mbeti Komisionit, i cili në mbledhjen e parë zgjodhi Fan S Nolin si sekretar. U njoftua çdo shoqatë që të dërgonte në qendër emrin e delegatit të vet.
Floqi kujton se rekordi i parë që shpalli komisioni ishte: Të katër të nënshkruarit, të zgjedhur prej Asamblesë si Komision për të gjetur udhën e bashkimit të të gjitha shoqërive Shqiptare të SHBA, u mblodhën dhe vendosën: 1-Të pyeten të gjitha shoqëritë e kolonitë e tjera, ku nuk egzistojnë shoqëri, nëse u pëlqen një bashkim i përgjithshëm.
2- Si e dëshirojnë bashkimin, në formë qendrore, apo si një federatë?
3-Me çfarë soj qëllimit e dëshirojnë, me qëllim politik, letrar, apo me qëllim propagandë popullore?
4-Në rast se u pëlqen ky bashkim, kur mund të kenë zgjedhë delegatët e tyre për të ardhur në Boston e për të themeluar bashkimin.
Njëkohësisht u njoftuan se Komisioni i të katërve, zgjodhi për sekretar rev. At Fan Nolin me adresë P.O Box 2445, Boston, Mass, me të cilin do të mbahej korerspondenca. Mbledhja e afërme do të bëhej me 3 mars 1912.
Poshtë njoftimit ishin vendosur katër emrat, që kanë hyrë tashmë në histori: F. Konitza, Kr. Floqi, At Fan Noli, P. Aleks.
Më pas, ai kujton se ishin zgjedhur edhe delegatët, përfaqësues fuqiplotë: Për Shoqërinë Besa-Besën Llambi Çikozi, për Shoqërinë Mirëbërse At Naum Çerja, për Shoqërinë Kombëtare të Worcesterit Kostika Treska, i cili u zëvendësua prej Kosta Vasilit, për Shqoqërinë Përlindja dhe Malli i Mëmëdheut të Jamestown Kostaq Kota, për Shoqërinë Dallëndyshja të New Yokut dhe Arësimi Kristo Kirka dhe për Komitetin Flamuri i Krujës Kolë Tromara.
Në mbledhjen e 24 marsit 1912, Floqi kujton se u mor vendimi që të hartohej Kanunorja.
Pas gjithë këtyre veprimeve duhej një emër për të pagëzuar Federatën. Floqi kujton:” Gjithësecili prej nesh organizatorë e delegatë, propozoi nga një emër, kush Plugu, kush Parmenda, një tjetër Kastrioti, një tjetër Skënderbeu, dikush Përlindja, por asnjë prej tyre nuk gjeti pëlqimin e të gjithëve. Më pas Fan Noli, hodhi mes pjesmarrësve emrin”Vatra”. U pamë sy më sy më njëri-tjetrin; jo se emri ishte i keq, por sikur nuk na goditi mirë në vesh, por Fan Noli me elokuencën e tij na dha disa sqarime e shpjegime të tjera sinjifikative e kështu na bindi të gjithëve dhe e pranuam me brohori e duartrokitje.”
Konica në artikull të botuar në Diellin e 31 marsit 1922, e kundërshton këtë paraqitje të Floqit, kur shkruan:” Për emrin, formën federale, kanunoren, rregulloren, dhe shpirtin e parë të VATRËS, jam responsibël unë. Por e drejta është që Vatra, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajësh, u rrit, u madhua, u bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, më 1915-1919, dhe në atë zhvillim unë s’kam patur asnjë pjesë.”
Më pas u hartu edhe Kanunorja, e cila u nënshkrua nga të gjithë.

28 PRILL, DITA HISTORIKE

Floqi kujton se 28 prilli 1912 ishte një ditë historike. Ai shkruan:” Dita e 28 prillit 1912 ka qenë dita e fundit e bisedimeve për VATRËN dhe kjo ditë mund të quhet “dita historike e krijimit të Vatrës” e cila kaq shumë i shërbeu Atdheut në kohërat e rrezikshme që pasuan më vonë, shërbime me të vërtetë patriotike që nuk mund të harrohen kurrë.”
Kjo ditë është e fiksuar në Rekordin XI, që përmban zgjedhjen e Pleqësisë së Vatrës. U zgjodhën si pleq; Fan Noli, Llambi Çikozi, dhe Kristo Kirka. Si organizatorë për formimin e degëve u zgjodhën Faik Konitza, dhe Kristo Floqi, si kontrollorë Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili. Puan më e vështirë u takoi dy organizatorëve të cilët duhej të shkonin koloni më koloni dhe të formonin degët e Vatrës.
Floqi, duket se nuk ka qenë i kënaqur nga përzgjedhja që bëri Faik Konica, i cili sipas tij, zgjodhi ato koloni ose shoqëri, ku prania numerike e shqiptarëve ishte e madhe, ndërsa fshatrat ia la atij, Kristo Floqit. Ndoshta me subjektivizëm, ai ankohet edhe për rolin ndërmjetës të Nolit, i cili favorizoi Konicën. Floqi kujton se Konica zgjodhi krijimin e degëve në ” Lynn, Worcester, Manchester, Southbridge dhe të Central Falls. Fan Noli, si mik i Konicës, ofroi ndihëmn e vet, dhe mori përsipër që të organizonte degët në Boston, Natichk dhe të Cochituatetit. Kristo Floqit i mbetën degët; Milford So, Framingham, Marlboro, Hudson, Taunton, New Bedford, Bideford Me, Saco Me, Lewiston, Sanford, Augusta, NH, Concoder N. H, Franklin, Penacook dhe disa të tjera më të vogla. Refat Gurazezi edhe në këtë pikë e kundërshton Floqin.

LARGIMI
Komisioni i përkohshëm i Vatrës e bëri mbledhjen e parë pas themelimit më 2 korrik 1912 në Simonds Hall dhe aty u mor vendimi që të organizohej Kuvendi i Parë të dielën e 14 korrikut 1912. Mbledhja vendosi që të mernin pjesë në Kuvend edhe anëtarë të cilët do të përcaktoheshin nga sekretarët e degëve, por ata do të ishin vetëm dëgjues. Po kjo mbledhje i caktoi për detyrë Faik Konicës që të përgatiste vulën e Federatës, Llambi Çikozi, kishte marrë përsipër që të porosiste kopsat me monogramet F. S. V, dhe Kristo Kirka kishte marrë përsipër botimin e Kanunores në gjuhën shqipe.
Kuvendi i parë u bë brenda ditës, edhe pse filloi në orën 1.00 të pasditës. Aty u zgjodhën; Faik Konitza sekretar i përgjithshëm dhe Editor i Diellit, Llambi Çikozi arkëtar i përgjithshëm, Kristo Kirka Menager i Diellit, Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Vangjel Gjika dhe Josif Pani kontrollorë. Pa kaluar muaji nisën mosmarrveshjet mes zyrtarëve të Vatrës. Për të kthyer normalitetin, u hoqën tre kontrollorët, Kristo Floqi, Paskal Aleksi dhe Vasil Gjika. Më 11 gusht në vend të tyre u zgjodhën, Fan Noli, Andrea Kristo dhe Koli Caknaqi. Kristo Floqi u zemrua dhe shkoi në New York, ku nisi botimine gazetës “Zëri i Popullit”.

FLOQI SHKRIMTAR, JURIST, POLITIKAN

Pas kthimit në Atdhe Kristo Floqi iu kushtua avokaturës, letërsisë dhe politikës. Më 1919 ai drejtonte të përmujshmen”Agimi” në Shkodër, ku kishte hapur dhe zyrën e vet avokatore. Më 19 shtator 1920, për pak muaj ai është Ministër i Arsimit në Kabinetin e Iliaz Vrionit. Në legjislaturën e parë, 21 prill 1921 ishte deputet në Parlament. Ushtroi edhe detyrën e gjyqtarit të Diktimit.
Floqi u shqua edhe në fushën e krijimtarisë letrare dhe publicistike. Poezitë e tij ishin plot tharm dhe i këndonin atdheut, dëshmorëve, natyrës së bukur, evokonin trimërinë dhe traditat shqiptare. Madje në vitet 1920-30 poezitë e tij ishin në pjesë të teksteve të Këndimit. Vëllimi i tij “Shkëndija ose Antologji shkollore” përmblidhte 105 vjersha, elegji, fabula. Elegjitë kushtuar Naim e Sami Frashërit, Themistokli Gërmenjit, Gani Butkës, Spiro Bellkamenit, Papa Kristo Negovanit, Ceno Sharrës, Meleq Frashërit, Mustafa Qullit, Çerçiz Topullit, Babë Dudë Karbunarës, Kolonelit hollandez Tomson, etj, ishin ndër më të pëlqyerat dhe recitoheshin nëpër festa a përkujtime.
Floqi ishte ndër dramaturgët e zëshëm të kohës së vet dhe radhitet në historinë e lëvrimit të dramës shqiptare krahas Sami Frashërit, Mihal Gramenos, Nolit, Foqon Postolit etj. Drama më e pëlqyer e Floqit ishte “Fe e Kombësi”, që u shfaq nga shumë trupa teatrore në vitet ’30. Atij i përkasin edhe dramat “Pirro i Neoptolemit”, “Karl Topia”,”Skënderbeu n’Itali”, “Qypërllinjtë” etj. Ai ishte edhe një komedian jo pak i suksesshëm.
Kristo Floqi është dalluar edhe në fushën e studimeve. Ai ka botuar një sërë tekstesh me karakter politik dhe juridik, historik e etnografik. Përmendim:” E drejta themelore”, “Elementë të Ekonomisë politike”, “Një predikim mbi patriotizmë dhe nacionalizmë”,”Kosovë-Serbi e Vjetër”-Studim etnografik, ku ai kundërshton mr fakte se Kosova nuk është Serbi e Vjetër.

DËNIMI DHE HARRESA

Kristo Floqi pat një fund tragjik. Pasi u burgos nga vitet 1945-1950, ai vdiq në mjerim, i braktisur në vitin 1951.Asgjëkundi nuk u fol për vdekjen e tij, madje as në gazetën që kishte drejtuar vetë. Po përse u dënua Floqi? I vetmi faj i tij ishte akuza se ksihte shkruar vargjet e Hymnit të MBretërisë Shqiptare! Për këtë arsye emri i tij u fut në rreth të zi dhe u damkos si “Armik i Popullit”! Ka ardhur koha që historia jonë kombëtare të shkruhet sipas fakteve dhe jo opinioneve.(Dielli-Arkiv)

Literatura e përdorur;
1- Revista “Leka” 1937-Dr. Kristo Floqi:”Kujtime Historike-Formimi i Federatës Panshqiptare të Amerikës”Vatra”
2- Robert Elsie: “Historia e letërsisë Shqiptare”, 1977
3-Refat Xhe Gurazezi”Historia e Federatës”Vatra”
4- Gazeta Republika, 14 korrik 2009- Fiqri Shahinllari”Kristo Floqi, politikan I shquar, shkrimtar e Jurist me emër”
5- Prof. Dr. Stilian Adhami”I anatemuari Kristo Floqi”.
6- Hasan Hasani “Leksikon I Shkrimtarëve Shqiptarë” 1501-1990
7- Prof. Ismet Elezi” Shkenca juridike shqiptare në procesin e zhvillimit të saj
8- Gazeta Dielli, 24 tetor 2011
9- Gazeta Dielli 18 Janar 1912
10-Dielli, 31 mars 1922
11- “Shejzat” nëntor 1969

Filed Under: Vatra Tagged With: bashkethemelusi, dalip greca, editori, Historia e Vatres, Kristo Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • …
  • 148
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova’s Fight For Justice And Healing Starts In Albanian Homes
  • FILARMONIA E KOSOVËS  KONCERT FESTIV NË VJENË
  • Refat Gurrazezi, djaloshi nga Skrapari që drejtoi në SHBA për 11 vjet gazetën “Dielli” dhe për 14 vjet ishte sekretar i “Vatrës”
  • JAKUP KRASNIQI, MISIONARI I MADH LËVIZJES KOMBËTARE
  • Kush e bleu kokën e Ali Pashë Tepelenës: Fundi i luanit të Janinës
  • PËR LIBRIN E SHPENDI TOPOLLAJT “KADAREJA I PAVDEKSHËM”
  • HAFIZ SABRI KOÇI – NJË KUJTESË QË SFIDOI DIKTATURËN, NJË TEST PËR NDËRGJEGJEN MORALE E POLITIKE TË SHQIPTARËVE SOT
  • NJË JETË ME PËRPJEKJE DHE ARRITJE, Inxhinier Mërgim Korça iku…
  • Broshura “Albania” e Athanas Gegajt dhe Rexhep Krasniqit
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Marin Becikemi – Shkodrani
  • THE AUCKLAND STAR (1938) / “NE BESOJMË NË TË QENIT VAJZA MODERNE…” — INTERVISTA ME MYZEJEN, RUHIJE DHE MAXHIDE ZOGU NË LONDËR
  • Albanian American Gastrointestinal Association and Albanians Fighting Cancer join forces on April 4th, in Boston, MA, to empower our community and to raise funds for our fight against cancer
  • Hidai Bregu, in memoriam…
  • Një mbrëmje e ndjerë dhe domethënëse në shërbim të drejtësisë dhe dinjitetit
  • 18 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në Florida

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT