Intervistë e fundvitit me Z. Alfons Grishaj, Kryetar i Degës së Vatrës Michigan*/
Pyetje-Po lemë pas një vit të mbushur me plot ngjarje, çfarë do veçonte kryetari i Degës së Vatrës Michigan nga veprimtaria e kësaj dege?
Z. Alfons Grishaj: Çdo vit ka ngjarjet dhe ngarkesën e vet në kohë dhe hapësirë, si tek individët e angazhuar, organizatat,partitë apo edhe tek njerëzit e thjeshtë.
Tek Institucioni i Vatrës, çdo anëtar i saj,ndiheti privilegjuar që ka një vend ku të shprehë përgjegjësitë personale në funksion të një veprimtarie që i ka rrënjët në histori dhe që shtylla kryesore ka avancimin e çështjes kombëtare dhe kultivimin e identitetit nacional në diasporë. Ky mision e bën çdo vatran të ndihet i obliguar që krahas vëmendjes së nevojshme për jetën e përditshme familjare e profesionale, të jetë po aq i përditësuar me çështjen kombëtare dhe raportet e saj ndërkombëtare, ç’ka sigurisht vjen nga vetë historia e shkëlqyer që ka Vatra, nga një traditë që është përcjellur në breza. Kësaj tradite përpiqet t’i qendrojë rigorozisht dhe dega jonë.
Pas takimit vjetor në Michigan, aktiviteti më i rëndësishëm ka qenë ai në NY, ku dega jonë erdhi me piksynime të qarta për ndryshimin e disa neneve në Programin dhe Statutin e Vatrës. Sigurisht qendra dhe Z.Buçaj, na vlerësoi duke na dhënë mundësinë që një nga anetarët tonë të respektuar,Nevruz Nazarko, të drejtonte punimet e kuvendit.
Pyetje -Sa e pranishme është dega e Vatrës së Michiganit në jetën e komunitetit shqiptar në Michigan?
Z. Grishaj: Ne si degë jemi munduar të jemi sa më pranë komunitetit shqiptar,halleve dhe problemeve të tyre.Vatra është i vetmi organizëm që merret me përkrahjen e bashkatdhetarëve që kanë mangësi me emigracionin. Kemi ndihmuar dhe ndjekur me dhimbje problemet e tyre. Për këtë falenderojmë Konsullin e Nderit, Z.Bardha, i cili përmes zyrës juridike të Kongresmenit Peters,tani Senator i USA,mik i shqiptarëve, ka punuar me përkushtim në këtë drejtim.Sigurisht, Vatra tani, ka sekretarin e saj Mond Rakaj, që është përfaqësuesi jonë pranë kësaj zyre. Pothuajse në të gjitha evenimentet që zhvillohen në këtë komunitet, dega jonë është e pranishme. Më të rëndësishmet e këtyre evenimenteve janë dy:Mbrëmja e Letërsisë Shqipe që udhëhiqet nga Revista “Kuvendi” dhe botuesi i saj Pjetër Jaku, dhe festa e Pavarësisë, që udhëhiqet nga Kisha e Shën Palit, me Don Fran Kola në krye. Këtu Vatra është e tërësisht pranishme.
Pyetje-Po në politikën dhe institucionet amerikane, a është faktor dega e Vatrës? Çfarë do veçoni këtë vit që po lëmë pas? Takime,suporte?
Z. Grishaj: Ne i jemi mirënjohës Amerikës dy herë, së pari për moscoptimin e Shqipërisë dhe mëvetësisë së saj, dhe së dyti, për luftën në përkrahje të shqiptarëve për mëvetësinë e Dardanisë. Pa harruar mbështetjen e vazhdueshme që U.S.A. jep në dobi të zhvillimeve demokratike në dy shtetet shqiptare. Mirënjohja, tek ne shqiptarët është një virtyt obligues, që nuk mjaftohet vetëm me ndjeshmëri. Duke u ndjerë në borxh para Amerikës,ne si qytetarë të saj, duhet të punojmë pa kursim, që në momente të caktuara, të mbështesim ata personalitete të ndershme amerikane që punojnë sigurisht për interesat madhore të U.S.A. por që mbrojnë edhe interesat e popullit tonë dhe jo të bëjmë të kundërtën. Konkretisht është fjala për garën elektorale këtu në Michigan mes Senatorit vizionar Peters, mik i shquar i shqiptarëve, përballë kandidates Terry Lind Land,e cila nuk ishte kantidati i duhur për ne, fakt që u bë i njohur publikisht Av.Jozef Dedvukaj. Por në anën tjetër Vatra,Konsulli Bardha, Instititucionet fetare me liderët e tyre shpirtërore,Don Fran Kolaj e Dom Ndue Gjergji,shoqata Malësi e Madhe, e drejtuan komunitetin në kahun pozitiv, duke kontribuar në fitoren e Senatorit Peters, përfaqësues i popullit amerikan,por dhe përfaqësues i popullit shqiptar. Në vlerësim të kësaj, Senatori Peters, i kërkoi Z.Ekrem Bardha,ta festonim sëbashku fitoren, por dhe ditëlindjen e tij. Ishte një vlerësim i madh për ne.Për nder të Senatorit, Z. Bardha, shtroi një darkë në shtëpinë e Tij, me datën 14 Dhjetor 2014. Në këtë takim festiv të ngushtë merrnin pjesë nga Vatra, Alfons Grishaj,Kujtim Qafa, Mond Rakaj,Petrit Doda, i cili në mungesë të Don Fran Kolës, do të përfaqësonte dhe Kishën e Shën Palit, Donika Bardha,e cila do të ishte dhe zonja e këtij takimi, vëllezërit Gani dhe Ilir Bardha, Jozef Dedvukaj. Nga Kisha Zoja Pajtore, merrte pjesë Dom Ndue Gjergji si dhe biznesmeni Agim Lumani.
Dega e Vatrës Michigan, ka mbështetur kandidatë për pozicione të ndryshme në shtetine Michiganit, dhe do të ndihmojë edhe në të ardhmen me donacione të kosiderueshme, sa herë që kantidatët të jenë miq të shqiptarëve. Ne punojmë, dhe puna ështe ai barometër që tregon kohën.
Pyetje-Pse e anashkalove emrin Kosovë, dhe përmende Dardani ?
Z. Grishaj: Dardani është emër shqip. Kosovë është emër serb, më i vonë dhe i bie ndesh parimit të autoktonisë të shqiptarëve. Këtu, të gjithë duhet të bëjmë kujdes. Të parët politikanët e Prishtinës. Jo vetëm per emrin,por dhe për flamurin.Ne kemi një flamur, çdo shpikje tjetër, është djallëzore dhe e papranueshme.
Pyetje: -Si janë marrëdheniet e degës se Vatrës me komunitetet fetare?
Z. Grishaj: Me Teqen Bektashiane dhe Kishat, të shkëlqyera. Me Xhaminë e Imam Vehbisë, patriotit dhe besimtarit të madh, kanë qenë të shkëlqyera, por hë për hë, është një ngërç që na shqetëson dhe që shpresojmë se do të kapërcehet. Ne si Vatër, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Uashington,jemi munduar me mish e me shpirt, që Institucionet fetare t’i afrojmë pas ftohjes së krijuar si rezultat i keqinterpretimit të një deklarimi, i cili në thelb shprehte një dhimbje atërore. Kur e thashë më lart se ne i jemi borxhlinj Amerikës, ne duhet ta ndjejmë detyrimin, dhe nuk do të sillemi si hipokritë, e aq më keq të mos distancohemi nga aktet terroriste që disa shqipfolës kanë tentuar kundër këtij vendi mik. Amerikanët nuk janë pushtuesit tanë siç ishin turqit, por janë çlirimtarët tanë. Fishta,prej dhimbjes, duke parë laramanet dhe sahanlëpirësit shqipfolës, u shpreh: “Le ta marrë vesh gjithë bota mbarë/ se prej sodit unë nuk jam ma shqiptar!” E kush ishte shqiptar më i madh se ai? Gjërat duhet të shikohen me qetësi e maturi dhe jo me ngut! Çdo të ndodhte sikur njerëzit besimtarët e krishterë,t’i merrnin në të njëjtën mënyrë sharjet që i bëhen nënës të përbotshme,Nënë Tereza, e cila i shërbeu botës së dhimbjes? Nëse do të prireshim nga një sjellje e tillë, kohezioni ynë vëllazëror do të merrte fund e pasojat do të ishin tragjike. Gjëra të tilla duhet t’i kalojmë me mençuri dhe dashuri. Në fund të fundit, shqiptar meriton të quhet ai që di të sillet vëllazërisht me shqiptarin pikërisht në çastet e gjërave delikate.
Pyetje: -Sa familjare është Vatra me antarët e saj?
Z. Grishaj: Siç theksova dhe më lart,ne jemi munduar t’u qendrojmë pranë të gjithë bashkatdhetarëve sa herëu është dashur këshilla dhe ndihma. Se sa ia kemi arritur?
Ka dhe hatër mbetje,por duhet të jetë e qartë për këdo, se ky është një bashkim vullnetar për t’i shërbyer shoqërisë në emigracion dhe kombit në tërësi. Nëse dikush e shikon autoritetin tone si çështje posti,atëherë ai është dritëshkurtër dhe dashakeq.Veprimtarinë tonë si degë e mbajmëme financat që ua heqim familjeve tona. Sikur pranë nesh të mos ishin disa persona me vullnet të mirë si Ekrem Bardha,Don Fran Kola,Mond Rakaj,Petrit Doda,Kujtim Qafa a ndonjë tjetër, ne do ta kishim më të vështirë punën tonë. Ka dhe kritika.Ato janë normale dhe i pranojmë,kur kanë në thelb propozime konkrete në dobi të veprimtarisë sonë, por nuk mund të pranojmë asgjë kur vijnë nga dashakeqësia e segmenteve të caktuara,apo ngandonjë lajthitje e rastit. Të fundit, i injorojmë.
Pyetje-Jeni i kënaqur me antarësinë dhe ç’projekte keni për të ardhmen?
Z. Grishaj: Të them të drejtën dhe pse kemi mbi 70 anëtarë nuk jemi të kënaqur. Objektivi ynë është dyfishimi i anëtarësisë çka besojmë se do ta realizojmë,por nga ana tjetër jam i kënaqur me disa antarë të rinj, me mjaft emër në jetën amerikane, kudo të veçoja, Z. Paul Berisha, një nga kampionët e Amerikës në karate.Kujdes duhet të bëjmë me kuotizacionin, të cilin duhet ta kolektojmë në masën 100%.
Gjithashtu, kemi projekte për ngritjen e tri degëve të reja në Viskonsin,Atlanta dhe Teksas. Janari do na gjejë me më shumë energji, por me një kujdes, siç thonë mirditorët: “Ma mirë djepin bosh se dreqin mrenë!”Sigurisht, Vatra është dhe duhet të jetë e të gjithëve,por duke zbatuar Statutin dhe Programin. Maratona për të bërë sa më tepër degë dhe antarë kundër normave statutore do ta dëmtonte Vatrën, e cila në thelb është një organizim elitar. Dega e Vatrës Michigan do të zbatojë vetëm Statutin dhe Programin. Ne do t’i realizojmë objektivat e mësipërm,duke pasur dhe mirëkuptimin e qendres.
Pyetje -Jeni marrë aktivisht me politikë: Çfarë komentesh keni për gjendjen në Shqipëri nën qeverisjen e së majtës, ku portretet e Enver Hoxhës shfaqen në publik? Koment për fushatat e shembjeve të ndërtimeve pa leje, fushatës së vjeljes së dhunshme të faturave të energjisë, për taksat, për moszbatimin e vendimeve të gjykatave etj…
Z. Grishaj: Politika është një shkencë që merret me të gjitha problemet jetësore të shoqërisë. Politikë do të thotë sistemimi i vlerave në një konfiguracion të gjerë dhe zbatimi i tyre me një efikasitet largpamës. A ka politikanë Shqipëria dhe a bëjnë politikë ata? E kam thënë dhe më parë, ne nuk kemi pasur kurrë klasë politike apo traditë politike. E vetmja shkollë politike ka qenë“Shkolla e Partise!” Nga kjo shkollë kanë dalë njerëzit që udhëhoqën Shqipërinë në diktaturë. Politikanët e pas viteve 90 ishin njerëz të profesioneve të ndryshme që nuk e kishin haberin se çdo të thoshte politikë. Prandaj dhe është ky tranzicion i tejzgjatur.Vlerat e bashkëpunimit dhe respektit reciprok nuk ekzistojnë. Ato ekzistojnë vetëm në afera korruptive. Egoizmi është i pranishëm kudo. Shumica e pushtetmbajtësve mendojnë për vete dhe kurrë për interesat e shoqërisë. Aderencat e kohës së shkuar ende nuk janë shkulur. Partitë nuk kanë një vizion të qartë për të ardhmen, sepse, në rradhë të parë ato vetëm parti nuk janë. Kleptokracia po ja zë frymën shtetit dhe pauperizmi shpirtëror i tyre nuk përkon me luksin fallso që kanë ndërtuar për një kohë të shkurtër.
Diferenca e pagave është e tmerrshme,dhe faturat e pandershme vrasin qytetarët e ndershëm dhe puntorë. Papunësia është e lartë dhe kostoja e jetesës në rritje do ta shtojë edhe më tej varfërinë dhe diferencën mes shtresave. Vjelja me dhunë e faturave të energjisë pa asnjë masë zbutjeje është si taksa e gjakut, që turqit aplikonin mbi të krishterët. Nuk mbushen arkat e shtetit me taksa gjaku. Sigurisht,qytetarët duhet të mësojnë të zbatojnë ligjet, por qeveria duhet t’u krijojë kushtet e nevojshme për zhvillimin e një jete normale. Qeveria duhet që urgjentisht të hartojë politika konkrete për nxitjen e punësimit kryesisht në ata sektorë ku mund të operojnë investorë të fuqishëm të huaj.Mjerisht shoh që populli shqiptar do të kalojë një dimër të vështirë…shumë të vështirë.
Është e dhimbshme që në shekullin 21 të ringjallet kulti i Djallit dhe kjo i bën parashikimet akoma më të zymta. Le të kujtojmë pak kontekstin e këshillës që dha ambasadori Arvizu: “Mos e humbni Gjelin e artë”!
Korrupsioni politik ka nxjerrë jashtë funksionit të gjitha institucionet e pavarura të vendit. Politika ka nënshtruar drejtësinë dhe mosndëshkueshmëria e krimeve të zyrtarëve të lartë shihet tashmë pothuajse si një fenomen i përligjshëm, edhe pse disa çështje kanë qenë flagrante dhe të turpshme para syve të opinionit ndërkombëtar, për më tepër kur “specialistët”shqiptarë shpërfillnin edhe rezultatet e ekspertëve të FBI në gjykimin shkencor të provave. Këlyshët e korrupsionit kanë kohë që janë bërë ujq dhe ata që i shpëtuan ndëshkimit, pasi gëlltitën një të katërtën e koalicionit të shkuar, nuk po ngopen as me gjysmën e tryezëssë sotme.Çka ka mbetur pa u shqyer është vetëm njëri-tjetri. E kjo të kujton vargjet lapidare të Sadiut: “Këlyshët e ujkut dikush i ushqeu/ dhe kur u rritën, e hëngrën atë”!
Shpata e qeverisë pret nga e djathta,duke harruar që të djathtët nesër në emër të precedentit do të sillen njësoj ashpër, të nxitur aq më tepër nga përvoja e hidhur për shkak të shartesave kontaminuese.
Lojën e pandershme të politikës dhe paaftësinë e saj i paguan gjithnjë elektorati,i cili vuan për nevojat minimale të jetesës, shpesh herë i pavullnetshëm në votë dhe tashmë edhe i friksuaredhe pse liria e shprehjes është e sanksionuar në kushtetutë. Në fakt liritë në Shqipëri janë të kushtëzuara me heshtje dhe ky është një problem i madh për demokracinë.Mjafton vetëm kaq për të kuptuar se në ç’ gjendje është demokracia në Shqipëri.
Sot është koha për të korrigjuar të gjithë sistemin në Shqipëri. Republika parlamentare ka dështuar. Shteti shqiptar në të vërtetë është një shtet kryeministror i tipit musolinian. Ka ardhur koha që zgjidhja të shihet tek një republikë presidenciale, sipas modelit amerikan që do të garantonte ndarjen e pushteteve, funksionimin e drejtësisë dhe përparimin gjithanshëm të shoqërisë.
Pyetje: -Po për opozitën, ç’ mendim keni për zhvillimet e këtij viti?
Z. Grishaj: Opozita nuk është duke bërë oponencë. Opozitarizmi nuk bëhet nëpër zyrate selisë së partisë, por atje në parlament.
PD dhe politika në përgjithësi duhet të përshtatet me rregullat e lojës dhe filozofinë e politikëbërjes jo vetem si shkencë, por dhe si praktikë. Pluralizmi ka lindur nga filozofia, me sens të qartë si rrugë dialogu.Lëvizja e fundit në PD, për freskimin e kryesisë, duhet vlerësuar. Promovimi i një elite të re ka qenë diçka e kërkuar me kohë si garanci për mos përsëritjen e gabimeve të së shkuarës. Por nuk duhet të mungojë respekti ndaj figurave historike. Ata gëzojnë përvojën që brezi i ri nuk e ka, dhe një pjesë e mirë e tyre mund të kontribuojnë ende me energjitë që disponojnë.
Çfarë është më e rëndësishme, PD duhet të dalë në terren derë më derë për të spjeguar alternativën e vet, veçse në rradhë të parë duhet tëidentifikojë një për një gabimet e qeverisjes së vet dhe të kërkojë ndjesë për to. Veçanërisht ndjesëduhet t’u kërkojë antarëve të vet të lënduar më parë nga mospërfillja dhe injorimi. PD duhet të ngjeshë gjithashtu raportet me aleatet e vet tëdjathtë. Me antarësinë që ka dhe duke rritur moralin e rënë, PD mund të ketë në zgjedhjet e ardhshme një fitore të ngushtë,por të sigurte.Nëse nuk punohet në këtë mënyrë shanset janë të pakta. Megalomania dhe vetkënaqesia nuk është virtyt i të zgjuarve por i atyreve që mëngjezin e hanë në darkë, dhe darkën në të gdhirë.
Pyetje- Keni një koment për Ligjin e Lustracionit dhe hapjen e dosjeve,që janë rishfaqur si inisiativa të përsëritura në politikën shqiptare?
Z. Grishaj: Ligjin për hapjen e dosjeve e ka kërkuar me insistim PD e Shkodrës,që në momentet e para të demokracisë, dhe nuk është meritë e të vonuarve që kërcejnë si pupagjela tani. Ta dijë mirë i gjithë populli shqiptar kjo është një lojë e turpshme. E gjithë kjo zhurmë bëhet, për të larguar vëmendjen prej më të rëndësishmes, dënimin e komunizmit në Shqipëri. Kush i bëri dosjet në Shqipëri? Përgjigja do të jetë: “O, nuk e di ti,oficerat famëkeq të sigurimit!” Deri këtu jam dakord, po kush i komandonte këta mjeranë, që sot do t’i bëjnë mish për top?A ishte aparati i Komitetit Qendror projektuesi dhe inicuesi i këtij turpi? Po! Atëherë pse nuk dënohen arkitektet e krimit dhe jo dosjepunuesit?Kur u dogj Komiteti i PP-së, në Shkodër,me 2 Prill 1991, një miku im MB më solli rreth treqind faqe dosje të përpiluara dhe të dirigjuara nga ai Komitet. Sot e kësaj dite kam disa dosje dhe një dosje interesante ku shkruhet Top Sekret. Veç t’i lexoje se çfarë trillimesh të turpshme. Ju mendoni se të kujt janë ato dosje? Ato dosje janë të njerëzve të thjeshtë dhe intelektualëve të rinj, disa prej të cilëve jetojnë në Michigan e New York. Duhen hapur më pare ato dosje të Byrosë Politike apo e Komitetit Qendror, prej nga kanë dalë urdhrat për të përndjekur, internuar, burgosur e pushkatuar të gjithë ata njerëz të pafajshëm që konsideroheshin si armiq nga pushteti komunist. Tek dosjet e bashkëpuntorëve, do të gjesh zanatçinj që nga berberët tek fotografët, nga shoferët tek magazinierët, nga puntorët e krahut tek brigadierët, nga mësuesit tek doktorët, nga civilët tek ushtarakët. Nëna që padisnin fëmijën, vëllau vëllanë, si në rastin e mikut tim FSH, që vëllau e futi në burg (Sikur F do të arratisej)për t’i kapur gruan etj., etj. Berisha ka lexuar shumë dosje me vëmendje, dhe njëherë i tronditur më pat thënë: “sikur të hapen këto dosje, do të prishen me qindra familje dhe do të ketë hakmarrje të përgjakshme”. A kishte të drejtë Berisha?Po! Ai kishte dhe ka të drejtë për dosjet e bashkëpuntorëve, por ai do të kishte mbetur përjetësisht në historinë e Shqipërisë nëse gjatë dy dekadave e gjysëm do të kishte realizuar procesin e ndëshkimit ligjor të autorëve të krimeve të komunizmit.Unë mendoj që hapja e dosjeve pa ndëshkim të krimit është një proces që kërkon të mbyllë me turp një kapitull të turpshëm të histories sonë.Lustracioni duhet të përfshijë sigurisht politikanët dhe njerëzit që kërkojnë pushtet, por edhe të gjithë ata që bëjnë dhe kanë bërë jetë publike në këto njëzet e pesë vjet pluralizëm, qofshin këta të zgjedhur apo të emëruar, gazetarë apo historianë, aktivistë të shoqërisë civile apo drejtues subjektesh elektorale deri në rang lokal.Lustracioni duhet t’i shërbejë kryekëput katarsës së shoqërisë.
Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë të gjinden dosjet e pushtetarëve të kuq,sepse ata kanë pasur në dispozicion gjithë kohën e nevojshme për t’i zhdukur gjurmët e provave inkriminuese.Do dalin disa dosje fatkeqësh,si për shembull: “Pelikani”, “Karramanja”, “Doku”, “Dezinjatorja”, “Plepi” apo këtu në emigracion si: “Bilbili”, “Fotografi”, “Korrieri”, “Studenti”, etj., etj. Ndonjëri që fshihet ende pas këtyre pseudenimeve nuk rri rehat edhe këtu në emigracion, edhe pse sipas ligjeve të shtetit amerikan, njerëzit që kanë kryer krime politike në vendet e tyre nuk mund të jenë shtetas të U.S.A. Por, unë nuk dua të merrem me të përdorurit, por me manipulatorët. Kërkoj një gjë që deri më sot nuk po e përmend askush: Të denoncohen hartuesit e Listave të Vdekjes, të cilatnë rast lufte do të ekzekutoheshin nga skuadrat e pushkatimit. Këto lista u botuan tek Gazeta “Pishtari”, dhe në to ishin dhe emrat e nënës time të dashur dhe vëllait tim Eduard Grishaj.
Qindra priftërinj, hoxhallarë, intelektualë,fëmijë, gra e nëna nacionaliste,puntorë u burgosen ,u pushkatuan dhe u internuan në kampet e shfarosjes. A mund ta marrë përsipër drejtësinë historike Rilindja e Kuqe me portretet e Enver Hoxhës në tubime? Ata t’u bien baballarëve të tyre? Mos o Zot! Ambasdori i OSCE,Gert Ahrens, më pat pyetur nëse do tëmund të kishte ndonjë ditë reaksion nga të persekutuarit, me një fjalë, hakmarrje.Unë iu pergjigja se nëse dikush merr një plagë dhe nuk luhet me atë plagë, ajo shërohet. Nëse e ngacmon atë përsëri ajo pikon gjak! Nuk përjashtohet ajo mundësi! Në Bibël shkruhet, “sy për sy e dhemb për dhemb!
-“E kuptoj !”,m’u përgjigj ai.
Po e mbyll me thënien e Albert Camus: “In the midst of winter,I finally learned that there was in me an invincible summer.”
– Mesazhi juaj në pragun e Krishtlindjeve dhe ndërrimit të viteve…
Z. Grishaj: Me shëndet Krishtlindjet dhe vit të mbarë për gjithë popullin shqiptar!
-Ju faleminderit për intervistën!
Z. Grishaj: Edhe ju falenderoj!(Intervistoi:Dalip Greca. U publikua ne Diellin e Printuar, Dhjetor 2014)
* Ne Foto: Kryetari i deges se Vatres ne michigan, z. Alfons Grishaj me Senatorin Gary Peters
Agim Rexhaj: NË VATËR U RUAJTËN FATET E KOMBIT SHQIPTAR
….Një jetë me përpjekje, sakrifica, ëndrra, zhgënjime, suksese, e kaluar për të arritur çlirmin e Kosovës ku kam lindur dhe demokratizimin e Shqipërisë time Nënë, nuk mund të kishte një ditë më të bukur sesa kjo e sotmja.
Qindra mijëra kilometra udhëtime, netë e ditë në dispozicion të çështjes tonë kombëtare, përpjekje të paepura të bëra në një jetë që ndodhej midis dy botëve: Atë të dashurisë dhe dhimbjes për atdheun, për Shqipërinë në njërën anë dhe për Kosovën në anën tjetër.Te dyja të ndara prej një kufiri të vendosur në mes të një populli, të një kombi, të një gjaku, të një dheu – dhe një jete me të gjitha të mirat në vendin më të bukur në botë, Ameriken, por…gjithesesi,në mërgim.
Një jetë me shqetësimin e pandarë për fatet e njerëzve të gjakut tim, të vëllezërve, të të afërmve të bashkëkombasve tanë deri në ditën e lirisë;
Dhe të gjitha këto në një vend, në një Vatër, ku u ruajtën fatet e atdheut tonë këtej kufirit e ku u mbrojtën ato matanë kufirit në Kosovën tonë të dashur.
Ishte VATRA ajo që me ngrohtësinë e saj, me idealet e saj, me frymëzimin e saj në një vend të madh ku u vendosen fatet tona më mori pranë vetes për të bërë një udhëtim jo të shkurtër, por plot tridhjetë vjeçar që nga ajo ditë kur si emigrant i ri në Shtetet e Bashkuara iu bashkangjita për të mos u ndarë kurrë më prej saj.
Sot është një ditë e madhe për VATRËN.
JU zoti President si një drejtues vizionar i Shtetit tonë Amë keni nderuar vatranët, jo thjesht Ing. Agim Karagjozin, Dr Gjon Buçajn dhe mua, por tërë ata burra që e filluan këtë udhëtim të gjatë që nga çelja e tokave të Ulsterit, nga fabrikat e Bostonit, nga dera e Kishës së Nolit, nga zgjuarsia e Konicës, nga përpjekjet e Panaritit deri tek figura eminente e inteligjences shqiptare,Prof. Arshi Pipa, dinjiteti i Ing. Agim Karagjozit e urtësia e Dr Gjon Buçajt.
Unë ndjehem I lumtur, i nderuar, i prekur, i detyruar deri në pikën e fundi të qenjes time për kombin tim.
Zoti President!
Nuk ka fjalë që ta përshkruajë mirënjohjen time për Juve, për Institucionin që Ju Përfaqësoni, për nderin që na keni bërë.
Por ka një mënyrë për tua shpërblyer këtë:
Ta çojmë më përpara punën e Vatrës për të mirën e Shqipërisë, Kosovës dhe tërë shqiptarëve në botë.
Zoti e bekoftë këtë vend, Shqipërinë tonë, Kosovën tonë , trojet tona shqiptare popullin shqiptar!
Zoti i bekoftë Shtete e Bashkuara të Amerikes!
Zoti ju bekofte juve!
Faleminderit!
* Pershendetja e zv/kryetarit te Vatres, Agim Rexhaj me 24 Nentor 2014, ne Presidencen e Republikes, me rastin e dekorimit me titullin “Nderi i Kombit”
***
AGIM REXHAJ: “NDERI I KOMBIT”, VLERËSIM PËR VATRËN
Zv/kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj, ndjehet i gëzuar dhe tepër i vlerësuar për nderimin që i bëri Presidenti i shqipërisë me Urdhërin e lartë “Nderi i Kombit”. Ai i tha editorit të Diellit se këtë dekoratë të lartë e sheh jo thjesht si dekorim vetiak, por si një vlerësim për vetë Vatrën. E thashë edhe para presidentit, tregon z. Rexhaj pas kthimit nga Tirana:” Ju zoti President si një drejtues vizionar i Shtetit tonë Amë keni nderuar vatranët, jo thjesht Ing. Agim Karagjozin, Dr Gjon Buçajn dhe mua, por tërë ata burra që e filluan këtë udhëtim të gjatë që nga çelja e tokave të Ulsterit, nga fabrikat e Bostonit, nga dera e Kishës së Nolit, nga zgjuarsia e Konicës, nga përpjekjet e Panaritit deri tek figura eminente e inteligjences shqiptare,Prof. Arshi Pipa, dinjiteti i Ing. Agim Karagjozit e urtësia e Dr Gjon Buçajt.”
Agim Rexhaj është zv/ kryetar i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”Vatra” prej më shumë se dy dekadash, dhe në Kuvendin e prillit të vitit 2013, kryetari i tanishëm, dr. Buçaj, e propozoi sërish për ta pasur në krah në drejtimin e Vatrës.
Z. Rexhaj tregon se e lëshoi vendlindjen, Kosovën e tij të dashur, në dhjetor 1983. Veprimtaria e tij kishte rënë në sy të okupatorëve serbë pas dmeonstratave të ’81-shit, ku familaj ishte e rrezikuar në egzistencën e saj. Persekucioni nis me nxjerrjen nga puna të familjarëve Rexhaj. Dy vëllezërit, Agimi së bashku me Bashkimin, duhej të gjenin shtegun e shpresës.Nuk mbeti rrugë tjetër,thotë ai, veç ikja në mërgim dhe vënia në shërbim të Kosovës. Marrin rrugën e dhimbshme të mërgimit dhe përmes vështirësish të panumërta arrijnë në kampin e refugjatëve në Austri dhe prej andej në SHBA, në tokën e bekuar, që do të ushqente me shpresa dhe ëndrrën për Kosovën e lirë.
Z. Rexhaj që në fillim u përfshi në organizimin e lëvizjes në ndihmë të Kosovës. Ai ishte bashkëthemelues i Shoqatës “Kosova Demokratike” 1990 ne New York, e cila zhvilloi një veprimtari Kombëtare të rëndësishme në drejtim të njohjes së represionit serb në Kosovën e pushtuar nga okupatori serb, që ushtronte gjenocid mbi popullsinë e pafajshme dhe mohonte të drejtat njerëzore.
Zoti Rexhaj me bashkëpunëtorët e vet u bënë bashkepuntorë të ngushte të Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.
Themelimi i LDK-së në Kosovë, krijojë lëvizjen e shpresës tek shqiptarët e Amerikës. Në ato procese formuse të LDK, shqiptarët e Amerikës kanë pjesën e tyre madhore, ndërkohë që z. Rexhaj,tregon për Diellin se udhëtoi nga Amerika në Kosovë, në fund të Shkurtit 1990 dhe dha kontributin e tij. Ai u takua me presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij dhe mori udhëzime për krijimin e strukturave të LDK-së në SHBA.Pas kthimit në SHBA, ia nisi punës.
Ai kujton se ishte data 21- Mars 1990,kur nisën anëtarësimet në LDK, në Restorantin që ishte pronë e vëllezërve Bashkim dhe Agim Rexhaj.
Pas këtij momenti veprimtaria e LDK-së në SHBA nis të japë frytet e veta, të sensibilizojë politikën amerikane, përmes demonstratave dhe vizitave në Washington. Era e Lirisë për Kosovën po frynte nga brigjet e Atlantikut, ku bijtë e saj u organizuan.
Z. Rexhaj është pjesmarrës dhe organizator i demonstratave për Kosovën në New York, Washington, Dejton dhe etj. Ai e ka udhëhequr për disa vite LDK në SHBA, ku kontributi për mbledhjen e ndihmave financiare për Kosovën ka qenë i konsiderushëm.
Z.Rexhaj, tregon se ai kontribuoi edhe ne mbledhjen e fondeve per UÇK. Së bashku me Vatrën, ai mblodhi ndihma për Luftën dhe ndërmorën nëj udhëtim të vështirë deri në spitalin e Bajram Currit, ku kuroheshin të plagosurit e luftës dhe dërguan atje ndihma. Po ashtu mijëra dollarë u dorëzuan nga Vatra në zyrën e Kosovës në Tiranë. Z. Rexhaj dhe bashkëpunëtorët e tij kanë dhënë kontribut të madh në afrimin e politikanëve dhe zyrtarëve amerikanë në mbështetje të çështjes së Kosovës. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij ishin mbështetës të fuqishëm në Rambuje, ku shkuan dhe shumë vatranë.Në komunitetin shqiptar, zv/kryetari i Vatrës ëshët i njohur edhe për kontribut të veçantë në pajtimin e gjaqeve, të mbartuar edhe këtu në SHBA. Ai ka realizuar 38 pajtime.Ndjehet me fat që në vitin 1986 mori kontakt me vatranët dhe u bë pjesë aktive. Në vitin 1991 ishte sekretar i Vatrës, ndërkohë që ajo kishte për kryetar një ndër figurat eminente të inteligjencës shqiptare, Prof. Arshi Pipën.
Një vit më vonë do të zgjidhej zv/Kryetar i Vatrës, detyrë që e mban edhe sot.
Nuk ka veprimtari të Vatrës ku të mos jetë edhe kontributi i z. Rexha; ai ishte pjesë aktive e komisionit të përcjelljes së eshtrave të themeluesit të Vatrës, Faik Konica, po ashtu ishte nëTiranë në qershor 1998, kur një delegacion i shoqatës Vatra shkoi nga SHBA, qëndroi në Shqipëri në kuadrin e një misioni vëzhgues dhe ndihme për shqiptarët e Kosovës pas fillimit të agresionit ushtarak serb.
Vatra dorëzoi me atë rast në Zyrën e Kosovës në Tiranë, disa dhjetëra mijë dollarë për Luftën në Kosovë.
Po ashtu z. Rexhaj dhe një pjesë e delegacionit shkoi në Tetovë për t’u takuar me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Shqiptarëve,dhe per ta vizituar Kryetarin e Gostivarit z. Rufi Osmani, aso kohe i burgosur nga regjimi Maqedonas për shkak të përdorimit të flamurit shqiptar.
Bashkë me Vatranët, menjëherë pas luftës në Kosovë, Rexhaj ishte pjesë e delegacionit shqiptaro-amerikan qw vizituan Kosovwn.
Z. Agim Rexhaj ka qenë mbështetës i vendosur i proceseve demokratike në Shqipëri që në fillimet e Lëvizjes Demokratike e deri sot. Ai është aktiv edhe sot, si nënkryetar i Vatrës, por edhe si individ,është pjesmarrës i takimeve me kongresistë e senatorë amerikanë, merr pjesë në fushatat e tyre, në mbledhejn e fondeve etj.
Po ashtu z. Rexhaj, thotë se është në korent të zhvillimeve në politikën amerikane dhe kontribues në dhënien e opinioneve, prej vitit 2004 është anetar i Komitetit Kombëtar mbi Politikën e Jashtme Amerikane (NCAFP) National Committee on American Foreing Policy.Ai shton se ishte anëtar i Bordit per shume vite ne Ligen Qytetare Shqiptaro Amerikane nga 1990-1996.
Z.Rexhaj ne vitin 2004 me delegacionin e Vatrese dhe LDK-se ne Vatikan mori pjese ne ceremonin e Lumturimit te Nene Terezes.Ishte ne komisionin per ngritjen e shtatoreve te Nene Terezes ne Prishtine,Mitrovice dhe Struge.Ai tregon se ishte pjesë në komisionin per ngritjen e Memorialit te Shaban Polluzhes ne Fshatin Polluzhe-Kosove ne Gushte te vitit 2004 dhe se kanë pasur shumë probleme nga grupimet e majta që përpiqeshin ta pengonin, madje 9 here ka udhëtuar nga Peja ne Polluzh me kembengujle qe inagurimi i ketij memoriali, te sponzoruar nga shqipetaret e New Yorkut, të realizohej me çdo kusht. Kryetar i atij komisioni ishte vatrani Sejdi Hysenaj. Inaugurimi u bë në muajin gusht, por fatkeqsisht majtisët e Drenasit e bënë pa praninë e komisionit.
Z. Rexhaj, po ashtu ishte anëtar i komisionit per ngritjen e Katedrales Nena Tereze ne Prishtine.
Nënkryetari i Vatrës ndjehet tepër i nderuar që vlerësimi i tij u bë së bashku me nderimin e martirëve të Vatrës. Ia tahshë dhe Presidentit Nishai dhe të gjithë pjesmarërsve në ceremoni, thotë z. Rexhaj: “Unë ndjehem i lumtur, i nderuar, i prekur, i detyruar deri në pikën e fundi të qenjes time për kombin tim.Nuk ka fjalë që ta përshkruaj mirënjohjen time për Juve, për Institucionin që Ju Përfaqësoni, për nderin që na keni bërë.Por ka një mënyrë për tua shpërblyer këtë:
Ta çojmë më përpara punën e Vatrës për të mirën e Shqipërisë, Kosovës dhe tërë shqiptarëve në botë.”(Botoi Dielli ne Print, Dhjetor 2014)
DIELLI I FUNDVITIT
Dielli I fundvitit 2014 sot eshte nise drejt vatraneve dhe abonenteve jo vatrane neper shtetet e ndryshme te Amerikes, qe nga Alaska, Florida, Chikago, Michigan, NY, NJ, CT e deri ne Toronto, Canada, ndersa neser niset drejt Europes. I falenderojme te gjithe vatranet dhe te gjithe abonentet tane per mbeshtetjen qe kane dhene per Diellin, I cili ne Shkurtin e 2015 festoon ditelindjen e 106 vjetorit… dhe u urojme:GEZUAR VITIN E RI 2015!
Ne kete numer jane intervistuar kryetari i Vatres, dr. Gjon Bucaj, zv/kryetari Agim Rexhaj, kryetari i deges se Vatres ne Michigan Alfons Grishaj,Kryetari i deges se Vatres ne Queens NY, dr. Skender Murtezani, kryetarja e deges se Vatres ne Washington D.C Merita B McCormack, kryetari i deges se Vatres ne Jacksonville Adriatik Spahiu, eshte publikuar materialiali special per dekorimin e martireve te Vatres, opinione nag anetari i keshillit te Vatres Lek Mirakaj, nje shkrim i derguar nga Kryetari i Shoqates se te Perndjekurve Politik ne Shkoder Filip Guraziu, nje shkrim special nga veprimtaria kushtuar Herman Bernstein-Ligjerate nga ambasadori Mal Berisha ne Instititutin YIVO, veprimtari te Vatres ne qender, dhe te degeve ne Michigan dhe ne Florida,shkrim-kronike per degen e re te krijuar ne Tampa, botohet specialja nga Dr. Elez Biberaj”Kosova, Beteja per njohje”, nje speciale nag Ulqini qe ka per autor studiuesin Dr. Nail Draga, nje shkrim special nga Don Lush Gjergji per Nene Terezen, nje artikull perkujtimor te gazetarit Frank Shkreli,shkrim percjelles per shkrimtaren Rozi Theohari, perkujtimore e nekrologji nga komuniteti, nje cikel poetik nga poetja Bajame Hoxha(Celiku) e etj…
TAKIM ME SHKRIMTARIN NAUM PRIFTI
Lajm i mirë: Shëndeti i shkrimtarit Naum Prifti është përmirësuar ndjeshëm. Këtë e konstatuam gjatë një takimi që ne, disa nga miq të tij, e bëmë sot, e hënë, 29 Dhjetor, në mesditë. E vizituam shkrimtarin në Qendrën e Rehabilitimit në Flushing, New York(Long Island Care Center Flushing,) ne adresen:2014 Long Island Care Center 144-61 38th Avenue Flushing, NY 11354 …
Në takim ishin regjisrori i njohur Kristaq Dhamo, regjisori Kristaq Papa, Lul Demi, Sili dhe editori i Diellit, Dalip Greca.
Qëndruam rreth një orë me të dhe biseduam lirshëm me të. Me kujtesë mjaft të mirë, me shëndet të përmirësuar, shkrimtari solli ndërmend ngjarje, takime të përbashkëta, ngjarje letrare, recitoi poezi,madje ai tha se sot kishte bërë një sprovë letrare për të shkruar një përsiatje rreth malin të Dhembelit.
I urojmë shkrimtarit Naum Prifti shërim të plotë!
SHKRIMTARI NAUM PRIFTI MUND TË DALË NGA SPITALI PËR KËRSHËNDELLA
Shkrimtari i njohur shqiptar dhe ish sekretari i VATRËS, Naum Prifti ndodhet i shtruar në Mount Sinai Hospital, Queens New York/
Prej dhjetë ditësh shkrimtari i njohur shqiptar Naum Prifti, ish sekretar i Vatrës për më shumë se një dekadë, ndodhet i shtruar në një nga spitalet më të mira të Nju Jorkut, Mount Sinai- Queens. Njoftimin ia përcollën editorit të Diellit, miqtë e shkrimtarit Kristaq Dhamo, Illo Foto, Kristaq Papa dhe dr. Skënder Murtezani.
Shkrimtari kaloi caste të vështira pas një humbje kontrolli, por mjekimi intensiv po ia përmirëson gjendjen dhe sipas burimeve familjare, ai mund të dalë nga spitali me rastin e Kërshëndellave.Le të lutemi dhe të shpresojmë!
Shkrimtari po mjekohet në mënyrë intensive dhe duket se shëndeti është në përmirësim e sipër. Ai ndodhet i shtruar në dhomën nr. 604. Është vështirë për t’u lidhur me telefon,por gjithësesi numri i telefonit nga mund të kërkohen të dhëna për shëndetin e tij, është 718-939-7500.
Deri para pak kohesh se të shtrohej në spital shkrimtari gëzonte shëndet të mirë, takohej rregullisht me miqtë në kafe “Milan” në Queens. Madje ai ishte aktiv edhe në veprimtaritë që organizoheshin në komunitet. Dy pjesmarrjet e tij aktive në veprimtaritë në komunitet ishte pjesmarrja në takimin përkujtimor me rastin e 65 vjetorit të vdekjes së Mithat Frashërit, organizuar me 3 tetor 2014 nga dega e Vatrës në Queens, ku mbajti kumtesën e duartrokitur”MID’HAT FRASHËRI – BIBLIOGRAFI MË I PËRKUSHTUAR SHQIPTAR”, si dhe mori opjesë aktive në veprimtarinë e organizuar nga Revista Kuvendi dhe dega e Vatrës në Michigan”DITET E LETERSISE NE MICHIGAN”.
Kontributi i shkrimtarit Naum Prifti në veprimtaritë e komunitetit ka qenë me shumë vlerë.
Vatra dhe Dielli i urojnë shërim të plotë dhe kthim të shpejtë në familje shkrimtarit tonë të dashur.
(dg)
- « Previous Page
- 1
- …
- 104
- 105
- 106
- 107
- 108
- …
- 133
- Next Page »