• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryetari i “Vatrës”, takim me vatranët në Toronto

April 19, 2015 by dgreca

Nga Qamil S. Llashtica-Toronto/
Me datën 11 dhe 12 prill të vitit 2015 kryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra” me seli në Nju Jork, – dr. Gjon Buçaj vizitoi degën e “Vatrës” në Toronto të Kanadës. Kjo degë në këtë qytet u themelue para afër dy vjetësh si themelatë e parë e këtillë në shtetin kanadez, pas viteve ’90, pasi me pare Vatar ka pase dy dege ne Kanada. Me këtë rast i informojme lexuesit se formimin e degës së Torontos e ndihmoi drejtpërdrejti dega e Detroidit. Asokohe në Kuvendin Themelues të degës sonë mori pjesë kryetari i saj z.Alfons Grishaj me vatranët – bashkëpunëtorë e tij.
Me kryetarin z.Buçaj kishte ardhun edhe i biri i tij, z. Lekë Buçaj. Ky djalosh i gjatë dhe mjaft simpatik, le e rritë në Amerikë, e flet shqipen për mrekulli; prania e tij në këtë mbledhje i entuziazmoi sidomos vatranët kosovarë. Ishte Leka i cili mori pjesë në fushatën ajrore të pranverës së vitit 1999 mbi Kosovë, prandaj unë u detyrova ta përqafoj tri herë këtë djalosh guximtar. Ndërsa ai vetë thotë se “ato ishin ditët ma të lumtuna të jetës sime – ditët e bombardimit”, Leka insiston të sqarojë se ishte pjesë e nji ekipi që fluturonte mbi Kosovë në kohën e bombardimevet, në mbështetje të bombarderavet, jo si pilot dhe aeroplani i këtij ekipi nuk lëshonte bomba, megjithëse kryente nji shërbim të randësishëm, të natyrës informative.
Me rastin e ardhjes së kryetarit të “Vatrës” në këtë qytet, mikpritësit e këtushëm organizuen nji takim pune të dielën me 12 prill. Në mbledhje merrte pjesë kryesia e degës së “Vatrës”, shumë nga anëtarët e saj si dhe mjaft simpatizues, disa nga të cilët në këtë rast u antarsuen në “Vatër”. Në mesin e të antarsuemëve ishte edhe atdhetari dhe veprimtari i njoftun i këtij qyteti, z.Faik Shabani, i lindun në Tërnovcin e madh të Kosovës. Ishte këtu edhe televizioni shqiptar i Kanadës “Pasqyra Shqiptare”, me këtë rast dr. Buçaj dha nji intervistë të shkurtë për shikuesit e këtij televizoni në Kanadë, ku spjegoi qellimin e kësaj vizite dhe se çka pritej me u realizue mbas kësaj vizite. Kryetari i Degës së “Vatrës” në Torontos, z.Tony Sufaj, e falenderoi ngrohtësisht z.Buçajn që kishte marrë mundimin me na vizitue neve këtu në Toronto. Ai foli për përpjekjet e vatranëve, punën dhe organizimin e tyne mbrenda këtyne dy vjetëve, për synimet, masovizimin e popullarizimin e “Vatrës”, në rajonin e gjanë të Torontos në të cilin llogaritet se jetojnë rreth 30-40 mijë shqiptarë. Sekretari i degës z. Roland Isai – nji veprimtar i shquem ndër shqiptarët e këtushëm, e hapi mbledhjen dhe i uroi mirëseardhje mysafirit të nderuem. Ai ma shumë foli për nevojën e organizimit në drejtimin politik e diplomatik, si këshilltar i kryeministrit kanadez që asht ai ka raporte të mira dhe vajtje-ardhje me shumë deputetë provincial, federal dhe lidhje të ndieshme në ministrinë e jashtme kanadeze. Z. Isai ka nji përvojë dhe aftësi të madhe oratorike, politike e diplomatike; ai kërkoi që edhe shqiptarët e Amerikës të punojnë ma shumë me politikanët, diplomatët, kongresistët e senatorët dhe në përgjithësi me gjithë popullin mik amerikan, krejt kjo për mbarvajtjën e çashtjes shqiptare.
Autori i këtij shkrimi, që asht nënkryetar i kësaj dege, ma shumë foli për shtrirjen e “Vatrës”, aktivitetet, veprimtarinë dhe punën patriotike me shqiptarët e Sanxhakut, Bosnës, Hercegovinës, Dalmacisë, etj. Këta shqiptarë të hapsinave shumë të mëdha janë gjysmë ose bukur shumë të asimiluem. Sa i përket Sanxhakut këtu ndjenja e përkatësisë shqiptare asht mjaft e dukshme ndërsa te ata të Bosnjës, etj po forcohet ndjenja se i përkasin gjakut ilir dhe kjo në këtë stad asht e mjaftueshme. Të punohet me ta si në emigracion ashtu edhe në vend, atje duhet të depërtojnë sa ma thellë shkencëtarët, studiuesit, gazetarët, kronistat, sidomos televizionet e Prishtinës, dhe të vërrshojnë drejt veriut e veriperëndimit, të gjejnë njerëz, informatorë, pleq, fakte, t’i fotografojnë dhe shënojnë vendet e ngjarjeve tragjike, të gjinden vendet dhe fushëbetejat ku luftuen vullnetarët shqiptarë për mbrojtjen e kufive dhe të kësaj popullate prej kohës së krizës lindore 1876-78 e deri në ditët e sotme. Këta janë njerëzit tanë, ata kanë humbun vetëm gjuhën. Akademitë dhe instuticionët shkencore shqiptare duhet të jenë shumë ma aktiv në këtë drejtim, për mos me thanë shumë ma agresiv.
Dr. Buçaj në ekspozenë e tij gjithpërfshirëse kapi shkurtimisht nji epokë mjaft të gjatë, që nga koha e Rilindjes Kombëtare madje edhe ma heret, me të cilën krenohet kombi i jonë, e deri më sot. Ai dhe të gjithë folësit e maparëm nuk e lanë pa e përmendun, pa u falun e pa u përkulun para figurave madhore të kombit tonë F.Konica e F.Noli. Gjatë kësaj kohe ma shumë se 100 vjeçare janë formue me dhjetëra ndoshta edhe me qindra organizata shqiptare patriotike që janë quejtun me emna të ndryshëm, si: grupe, klube, bashkësi, bashkime, shoqëri, shoqata, komitete, komunitete, gazeta, parti, etj. Mjerisht nji pjesë e madhe e tyne kanë pasun jetë jo aq të gjatë, janë krijue e mbas disa muejsh apo vjetësh janë shue dhe kanë pushue veprimtarinë e tyne për arsyena të ndryshme, ndërsa “Vatra” dhe gazeta “Dielli” i qëndruen fortunave dhe stuhive mbi njishekullore dhe sot janë dhe veprojnë pashkëputshëm, prandaj duhet t’i bashkohemi “Vatrës” se ajo ka tregue vitalitet dhe u ka ba ballë dallgëve të kohës. Ajo ka ba shumë për Shqipninë por na ka mbetun edhe shumë punë me ba. Ma vonë dr. Buçaj na e tërhoqi vërejtjen seriozisht tue e thanë se “jetojmë në nji kohë të mbarsun me rreziqe, nuk dihet çka sjell e nesërmja, gjendja në Ballkan, në Europë ashtë relativisht në paqë, por duhet qyshë tash të mendojmë dhe të jemi të bashkuem dhe të përgaditun për çdo të papritun.
Fjalën e morën edhe mjaft të pranishëm të cilët, në rradhë të parë, e falenderuen dr. Gjonin dhe dhanë fjalën se për atdhe janë të gatshëm të bajnë çdo gja që asht e mundshme.
Në fund, kryetari i “Vatrës” së këtushme z.Tony Sufaj, këtë takim e vlerësoi mjaft të suksesshëm dhe të frytshëm, e falenderoj përzemërsisht kryetarin e “Vatrës” qendrore dr. Gjon Buçajn për vizitën që ia bani kësaj dege dhe i uroi atij jetë të gjatë dhe rrugë të mbarë.

Filed Under: Vatra Tagged With: Gjon Bucaj, Kryetari i Vatres, Qamil S. Llashtica, takim, Toronto

KUVENDI I VATRES ORGANIZOHET ME 2 MAJ NE JACKSONVILLE, FLORIDA

April 16, 2015 by dgreca

Kryetari i VATRES Dr. Gjon Bucaj, njofton se sic ka vendosur Këshilli i Federates Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, Kuvendi i radhës do të zhvillojë punimet me 2 Maj 2015 në Jacksonville, Florida. Kuvendi i fillon punimet në orën 9.00 të mëngjesit.
Mikpritësit, Vatranët e Degës Jacksonville, kanë marrë masat e duhura. Për delegatët që udhëtojnë nga shtete e qytete të largët do të mund të bëjnë rezervimet në Hotelin, ku organizohet Kuvendi.:Ramada Inn Jacksonville/Baymeadows hotel & Conference Center, 9150 Baymeadoëws Road, Jacksonville, FL 32256 Tel. (904) 737-1700 – Fax: (904) 737-0207
Delegatët paguajnë shpenzimet e udhëtimit dhe të hotelit. Rezervimet duhet të bëhen sa më parë. Edhe darka do të organizohet në të njëjtin hotel.

Filed Under: Vatra Tagged With: 2 Maj, florida, Jacksonville, Kuvendi i Vatres

Komunitet- Ndërroi jetë vatrani Nazmi Derti

April 14, 2015 by dgreca

Tërë jetën në shërbim të familjes traditës dhe të kombit!/
Nga Beqir SINA/
PASAIC NEW JERSEY : Familja Derti, miq dhe dashamirë të saj – qindra njerëz, me të gjitha nderimet e përcollën të dielën – për në jetën e amnueshme, njeriun më të dashur të tyre, Nazmi Derti. I cili, lindi në katundin Blliqe – Peshkopi në 15 Maj 1933 dhe vdiq të premten (10 prill 2015) në një spital në kantonin Allentown – Pennsylvania – SHBA, i rrethuar nga bashkëshortja, fëmijët, nipat e mbesat e tij.
Ngushllimet, dhe shërbimet fetare, për dy ditë me radhë u mbajtën në Xhaminë “Qendrës islame Shqiptare” në Garfield, nga Imam Rifat Halili . Kurse, ceremonia mortore dhe varrimi u krye në Laurel Grove Memorial Cemetery Totowa NJ, në të cilën morën pjesë mbi 300 vetë. (vlen për t’u permendur me këtë rast – ndihma e policisë “Passaic County Sheriff'” në shoqërimin e kortezhit – në rrugën për në varreza me makinat e policisë, nga oficeri i policisë, Lirim Kaba)
Nazmiu, u nda nga jeta duke u bërë i njohur, si një veprimtar dhe intelektuali i shquar, sidomos për punën e tij të palodhshme, në ruajtjen e familjes, traditës kombëtare, dhe sedrës dibrane, arsimimit dhe intelektualitetit të tij shqiptar, në Diasporë.
Ai, shkollën katërvjeçare e kreu në fshatin Blliqe, tetëvjeçaren në Kastriot, kurse të mesmen në Normalen në Prishtinë, e cila, më vonë u bë sic dihet edhe djepi i diturisë pra Universiteti i Prishtinës.
Ndërkohë, që mbasi përfundojë shkollën Normale në Prishtinë, për disa vjet deri sa qendronte me familjen e tij në Maqedoni – punoi si mësues i gjuhës shqipe në rrethinat e Shkupit, dhe në veçanti në fshatrat e Tetovës, ku dha një kontribut të madh në arsimimin e brezave të rinj dhe mësmin e gjuhës shqipe në mesin e shqiptarëve.
Shkollimin e lartë, Nazmiu, e mori duke filluar me studimet e tij, në Universitetin e Brukselit, dhe Parisit, dhe duke i përfundur ato në Filozofi në Universitetin “State University of New York at Geneseo”, ku Nazmi Derti, diplomua, aty duke qenë një student i dalluar në mësime.
Nazmiu, së bashku me familjen, e tij, axhallarët, dhe shumë anëtar të familjes në vitin 1949, u arratisën fillimisht, dhe dolën e qendruan për disa vjet në Maqedoni, më pas emigruan në kampet e refugjatve në Itali, deri sa u vendosën në Belgjikë, Francë, dhe, më vonë emigruan në SHBA, ku ai edhe e mbylli jetën e tij, në kantonin Allentown – Pennsylvania.
Gjatë, gjithë jetës së tij, Nazmiu u dallua si një njeri me të gjitha vyrtytet, bile ng ato më të vyera burrërore, kombëtare, dhe krahinore.
Duke u shquar si një prindër shembullor, i dashur , fjalë ëmbël dhe human i madh. Veprimtar dhe intelektual, i palodhshëm në punën e tij, burr i traditës dhe sedrës dibrane, arsimimit dhe intelektualitetit shqiptar në Diasporë. Ai ishte një patriot i flakët, i cili e donte shumë, Shqipërinë, Kosovën, dhe viset shqiptare, ashtu si donte edhe këtë vend të bekuar SHBA. Gjithashtu, donte dhe e kujtonte me mall gjithmon Dibrën, vendlindjen e tij, “Dibrën e lashtë, Dibrën e mençurisë , trimërisë, Dibrën e bëmave historike”, që thoshte shpesh her, ai.
Duke qenë i lidhur familjerisht me familjet më të mira në Dibër (parinë e Dibrës), Kaloshi, Ndreu, Kaziu, Spata, Lita, e për rreth saj, Kukës, e tjer, ndërsa, për sa qendroi në Maqedoni, me shumë familje të njohura nga Kosova dhe Maqedonia, qe gjithmon i afruar rreth patrioteve të njohur, dhe figurave më eminente të diasporës edhe në emigrim, në Itali, Francë, Beligjikë dhe SHBA. Nazmiu, u bashkua gjithmonë me ta, në të gjitha veprimtaritë e përpjekjet e tyre, për demokratizimin e Shqipërisë, lirinë, çlrimin dhe pavarësinë e Kosovës, për Çamërinë dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Ku në këtë aspekt një kontribut të paçmuar, ka dhënë ai dhe vëllai i tij, një veprimtar mjaft i njohur në diasporë, Dinë Derti.
Në kujtesën e tërë atyre, që e njohën të ndjerin Nazmi Derti, natyrisht që ai do të mbetet një prindër shëmbullor, një familijar i mirë, mik dhe shok i fortë me të gjithë shqiptarët. Ai ishte një intelektual, dhe studiues i shkencës së Filozifisë, njeri i ndershëm, patriot dhe publicist i dalluar në shtypin shqiptar në, diasporë, Maqedoni dhe Shqipëri. Zotronte dhe fliste shumë mirë, shqip, anglisht, frengjisht, italisht, serbo-koratisht, maqedonisht.
Në fjalën e lamtumirës, para arkivolit me trupin e tij – Faik Lita, do ta quante atë mentorin e tij .
Lita, duke e portretizuar atë në mes emocionesh të mëdha, tha se :”Nazmiu, mbi të gjitha ka qenë një burrë i ndershëm, i zgjuar, punëtor, dhe serioz njeri me tiparet më të larta njerëzore dhe shqiptare; njeri i fjalës, dhe i besës, mik i përjetëshëm i dashur dhe i respektuar me të gjithë”, tha ai.
Për, Nazmiun, duket se gjithçka në këtë botë fillonte, qysh nga familja, të cilën në çdo aspekt të saj, të cilën ai e ndërtojë si një familje të shëndosh në mënyrën më shëmbullore, tha Lita. Ndërsa, shtoi se “Nazmiu, ishte besnik deri në vdekje ndaj bashkëshortes fisnike Lies, ishte një babë i mrekullueshem i tre djemëve ; Bashkimit, Gëzimit dhe Petritit, dhe një vëlla i dashur dhe i respektuar i motrës – Majunes, dhe i vëllait të tij Dinës” që e kishte edhe si një shok të pandarë gjatë gjithë jetës së tij.
Mirëpo, gjatë fjalës së lamtumirës, Lita, “zbuloi” atë se përveç familjes Nazmiu, kishte edhe disa pasione të tjera të veçanta për jetën e tij: siç ishin u shpreh ai :”Çështja kombëtare, Filozofia për të cilën ai studioi dhe u diplomua, librat që ai i donte aq shumë dhe sporti i Golfit, që e luante me shumë pasion”
Nazmiun , Faik Lita, e quajti “njeriun e dashuruar me librat”, dhe sidomos me ato të veprave të shkrimtarëve të mëdhenjë, qofshin ata shqiptarë apo të rangut botërorë. Duke marr si shembull disa prej tyre si: Fan Noli, Faik Konica, Patër Gjergj Fishta, Tajar Zavalanin, e të tjerë. “Ai, kishte lexuar më shumë se 1000 vepra të shkrimtarëve më të mëdhenjë botëror, ku Lita veçojë, Spinotin, Montanin, Hygoin, Servatesin, Shekspirin dhe Volterin, e të tjerë. Ndërsa,, ai kishte studiuar mirë Aristotelin dhe Platonin, shpesh her thoshte se ata janë shqiptarë” tha Lita në fjalën e lamtumirës.
Duke u ndarë me lot në sy dhe me mirënjohjen e thellë shpirtërore për tërë atë që ai ka bëre, çdo njeri në lamtumirën e fundit përcjelljen për në botën e amnueshme përshpëriti :”Të qoftë e lehtë toka këtij vendi të bekuar, që ti e adhuroje për tërë jetën”.
I ndjeri u varrosë me të gjitha nderimet, duke i hedhur një dorë dhe, dhënë lamtumirën e fundit, dhe lutur për shpirtin e tij – nga bashkëshortja fisnike Lija, fëmijët me emrat e bukur Gëzimi, Bashkimi dhe Petriti,( fëmijë të cilët ai i edukojë dhe shkollojë, në universitet më larta amerikane), vëllau dhe shoku i jetës, veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare Dinë Derti, motra e dashur Majunia. Por, edhe në praninë e të gjithë familjarëve, nipave e mbesave, farefisit dhe shokëve e miqve të shumtë nga Dibra, Kosova, Shqipëria dhe shumë qytete të Maqedonisë, Malit të Zi, e viseve të tjera.
* PS: I ndjeri Din Derti ishte vatran i regjistruar ne degen e Queeinsit,NY, duke qene se ne Pennsylvania nuk ka dege te Vatres.

Filed Under: Vatra Tagged With: Din Derti, nderroi jete, vatrani

LETRA DHE SHËNIME TË FAIK KONICËS

April 10, 2015 by dgreca

RRETH PËRPJEKJEVE PËR BOTIMIN E LIBRIT TË TIJ- “Një histori e Shkurtër e Shqipërisë”/
Nga Idriz Lamaj/
Libri i Faik Konicës – “Shqipëria Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore”, botuar pas vdekjes së autorit nën kujdesjen e Qerim Panaritit, mbështetur në letrat e Konicës dhe të shtëpisë botuese “Robert Mc. Bride & Company” mban titullin “Një histori e Shkurtër e Shqipërisë”.
Në parathënien e kësaj vepre, Panariti thotë: “titulli i librit nuk është i Konicës”, por është i veti. Ai citon edhe dy letra midis Konicës dhe shtëpisë botuese “Robert Mc. Bride &Company” të New York-ut, ku bëhet fjalë për prejardhjen e librit dhe vështirësitë që ka ndeshur në përgatitjen e tij.
Për të shkruar pak më gjerësisht se Panariti lidhur me zanafillën e këtij libri dhe planet për botimin e tij, shfletojmë një dosje me letra e shënime të Faik Konicës, të cilën ma pati dhuruar Petro Kolonja, këtu e një çerek shekulli më parë. Këto letra e shënime të pabotuara deri tani vënë në dukje përpjekjet e Konicës për botimin e librit dhe ofrojnë mundësi për analizimin e shkaqeve të mosbotimit të tij.
Në vazhdim sjell korrespondencën, ato pak letra që kam në dorë, midis pronarit të shtëpisë botuese që përmendëm më lart dhe të Konicës.
Robert Mc. Bride i shkruan Konicës letrën e pare, më 19 nëntor 1935.
I dashur zotëri,
Me rekomandimin e z. Hito Sadik, sekretari i konsullatës në Boston, po ju shkruaj këtë letër lidhur me projektin e një botimi që do të ndërmarrim.
Jemi shumë të interesuar për të siguruar dhe botuar një histori të sotme me karakter popullor për Shqipërinë, që në veçanti do të vërë në dukje përparimin e bërë nga vendi në situatën e re, me të cilën ballafaqohet si pasojë e luftës.
E dimë se vendi juaj asnjëherë nuk është treguar në literaturën angleze siç i takon dhe ato botime që janë për të anglisht janë kryesisht të vjetëruara.
Natyrisht, gjetja e një historiani është shumë e vështirë dhe sigurimi i shitjes së librit, pasi të shkruhet dhe të botohet, është një çështje me rëndësi të madhe për ne. Duke shpresuar se Ju jeni të interesuar të shihni botimin e një libri serioz, ju kërkoj me anë të kësaj letre, të na rekomandoni një person të përshtatshëm për këtë punë dhe të na jepni mbështetjen tuaj për shitjen e librit, gjë e domosdoshme për sigurimin e e shpenzimeve dhe nxjerrjen e fitimit ekonomik.
Përfitojmë nga çdo këshillë e juaja për këtë çështje.
Me nderime, Robert Mc. Bride
Konica i përgjigjet z. Mc. Bride, më 21 nëntor 1935:
Zotëri,
Kam nderin t’ju njoftoj se mora letrën tuaj të datës 19 nëntor 1935.
Projekti juaj për botimin e një “Historie Moderne Popullore të Shqipërisë” më intereson jashtëzakonisht dhe shpresoj të realizohet sa më parë. Jam i një mendimi me ju për nevojën e një libri të tillë.
Kur z. Hito Sadik ju rekomandoi mua, ndoshta ai ka pasur në mend se unë, për më tepër se gjysmë shekulli, kam mbledhur material për një histori të Shqipërisë dhe tani kam arritur në shkallën e klasifikimit të lëndës së mbledhur dhe paraqitjen e formës së librit. Sidoqoftë, libri im do të jetë një libër shkencor i cili kryesisht u shërbën studiuesve të historisë si një studim udhëzimi e reference për gjurmin të mëtejshëm. Natyrisht, këtë mund ta kthej shumë lehtë edhe në një botim të lezeçëm për rrethe më të gjera lexuesish, duke lënë jashtë të gjitha shqyrtimet dhe pikat që mund t’i interesojnë një specialisti. Por, për të shkruar një libër të formës gazetare, i cili pak a shumë do të përfshinte paraqitjen e sotme të përparimit mekanik të Shqipërisë, mua nuk më intereson aspak. Nëse ju kuptoj mirë, ju keni në plan pak a shumë një vepër të tillë, për shkrimin e së cilës unë ju rekomandoj z. Nelo Drizari, instruktor i shqipes në Universitetin Columbia, person i përgatitur në gazetari dhe i aftë për të shkruar një vepër të thjeshtë dhe të lehtë për t’u lexuar. Adresa e tij është: z. Nelo Drizare-Philosophy Hall, Columbia Universitu, New York City.
Këtu vë në dukje, ju do të keni përkrahjen time për inkurajimin e shitjes së librit të z. Drizai dhe shpresoj se një vepër e tillë do të gjejë blerës midis turistëve dhe njerëzve kuriozë.
Nëse, nga ana tjetër, ju preferoni që unë ta shkruaj librin, asht siç theksova në paragrafin e mësipërm, jam i bindur se libri do të gjejë blerës në kolegje, biblioteka dhe studiues të historisë dhe pastaj me një ritëm më të ngadalshëm besoj se do të shiten një numër i konsideruar kopjesh. Tërë çështja është nëse ju dëshironi një vepër serioze që përmban lëndë origjinale apo dëshironi një libër të mbështetur në shkrime të përsëritura dhe të botuara nëpër gazeta e revista. Nëse më dërgoni dy-tre libra mbi vendet tjera, si një shembull ose model që ju keni në mend, do të jem në gjendje më të mirë për t’ju këshilluar si duhet.
I juaj me nderime, Faik Konitza
Më 26 nëntor 1935, z. Mc. Bride i shkruan Konicës përsëri:
I dashur zotëri,
Ju falënderoj përzemërsisht për mirësinë që patët të na shkruani gjerë e gjatë.
Ne nuk dëshirojmë një libër gazetaresk, të përciptë, por një studim origjinal dhe serioz mbi të kaluaren dhe të tashmen e Shqipërisë, të shkruar me sa më shumë dramë njerëzore, me sa më pak të dhëna të parëndësishme, me detaje të specifikuara traktatesh, me fakte politike të brendshme dhe me një theks të veçantë në vetë historinë e popullit; pra, një studim të vërtetë historik që trajton shumica e historianëve. Thjesht, ne dëshirojmë një vepër origjinale historike të shkruar për shtresën e lexuesve të përgatitur dhe jo një libër të formës gazetareske.
Për të mos diskutuar më rreth kësaj çështjeje, ne dëshirojmë që librin ta shkruani Ju dhe dhe mos të kërkojmë gjetkë.
Këtu shtrohet një pyetje, së cilës duhet t’i gjejmë përgjigjen para se të fillojmë punën. Duket se fillimisht libri do të ketë një numër të vogël shitjeje, që nuk i mbulon shpenzimet e botimit. A do të ishte praktike për qeverinë shqiptare të siguronte kopje të mjaftueshme për konsullatat e veta në vendet që flitet anglishtja, për të na ndihmuar kalimin e vështirësive të botimit?
Unë do të thoja se një libër relativisht i përmbledhët në vëllim mund të shitet dy dollarë kopja. Sikur qeveria të blente tre-katërqind kopje, me çmim tregu $ 1.20 cent, do të na garantonte mundësinë e fillimit të punës. Ju e dini mirë se ana ekonomike është vendimtare për sigurimin e shpenzimeve të botimit.
Sinqerisht i juaji, Robert Mc. Bride
Konica i përgjigjet z. Bride më 30 nëntor 1935:
Zotëri, ju njoftoj se mora letrën tuaj të 26 nëntorit 1935, për të cilën ju falënderoj.
Jam i sigurt se qeveria shqiptare do të blejë dy-treqind kopje të një libri të shkruar nga unë, e, në qoftë se jo, nja dy organizata shqiptare do të realizojnë atë që nuk realizon qeveria. Unë mendoj ashtu, sidoqoftë, kjo nuk bëhet para botimit të librit, por dy-tri javë pasi libri të dali në qarkullim.
Libri, ashtu si e përfytyroj unë, do të shtrohet në këtë mënyrë: do të jetë një parathënie e shkurtër, një ose dy faqe. Pastaj, një kapitull hyrës në të cilin gjuha, raca, kombi, kostumet dhe veçoritë e popullit shqiptar, si dhe klima e karakteristikat fizike të vendit do të përshkruhen shkurtimisht; ky kapitull zë 20 faqe. Mbas kësaj do të jenë nja 200 faqe mbi historinë, ngjarjet, përpjekjet dhe luftat e popullit shqiptar nga kohët më të lashta deri më sot. Një kapitull i shkurtër i fundit do të përmbledhë gjendjen e sotme. Në fund të librit,- në njëfarë mënyre të shkëputur prej tij, që do t’u shërbejë vetëm studiuesve seriozë, janë nja 20 faqe shënime, të cilat shpjegojnë me referenca të sakta disa pika kontestuese historike, për të cilat bëhet fjalë në zemrën e librit. Në vazhdim do të jenë dy faqe bibliografi dhe 10 faqe treguesi sipas rendit alfabetik.
Ju do të shihni nga parashtrimi se libri, ashtu si e mendoj unë, do t’ju përgjigjet mirë kërkesave tuaja. I vetmi lëshim që kërkoj është të më jepet vend për shënimet dhe treguesit, përndryshe vepra do të ketë pamjen e një pune amatori, gjë së cilës dua t’i shmangem vendosmërisht.
Nëse më dërgoni vërejtjet tuaja lidhur me pikat e mësipërme, do të shikoj për ndonjë modifikim të mundshëm të planit tim.
Sinqerisht i juaji, Faik Konitza
Më 18 dhjetor 1935, z. Mc. Bride i shkruan Konicës:
I dashur z. Konitza,
Kërkoj ndjesë për vonimin e përgjigjes sime letrës suaj të 30 nëntorit. E kam shikuar si të domosdoshme nga ana financiare shitjen e një tirazhi sado të vogël të librit te kolegët tanë në Angli para se t’ju bëj ofertën e sigurt.
Sa të marr përgjigje nga ata, do t’ju shkruaj me hollësi.
Sinqerisht i juaji, Mc. Bride
Më 6 shkurt 1936, z. Mc. Bride i dërgon Konicës marrëveshjen (kontratën) e nënshkruar nga ana e tij. Kontrata e shtëpisë botuese, dy faqe të formatit të madh, përmban detaje si çdo kontratë e zakoshme e firmave amerikane. Nga 11 pikat e marrëveshjes dhe 7 shtojca, z. Mc. Bride vë në dukje vetëm dy pika të cilave duhet t’u përmbahej Konica: titullit të librit “Një histori e Shkurtër e Shqipërisë” dhe të ardhurave nga shitja e librit. Sipas marrëveshjes, Konica do të paguhej 10% nga të ardhurat e librit, nëse shtëpia botuese do të shiste një tirazh prej 2000 kopjesh. Në dy shtojca të marrëveshjes, z. Mc. Bride shënon edhe disa detaje të së drejtës rreth shitjes së librave nga ana e autorit.
Konica e nënshkruan marrëveshjen dhe e poston pas dy ditësh.
Më 17 shkurt 1936, z. Mc. Bride i shkruan Konicës:
I dashur Konitza,
Më duket se kontrata jonë është pak e pshtjelluar në një shtojcë të rregullores së vet. Ajo që shënoni Ju në pikën 3, thjesht nuk përfshin të drejtat e shitjes së librave jashtë shtetit. E drejta e shitjes së librave jashtë shtetit përfshihet në paragrafet e pikave 4 dhe 5; në gjysmën e faqes së dytë të kontratës. Shpresoj se ajo sqarom shumë mirë pozitën e autorit.
I juaji sinqerisht, Robert Mc. Bride
Më 18 shkurt 1936, Konica i përgjigjet edhe kësaj letre;
Zotëri,
Ju njoftoj se mora letrën tuaj të datës 17 shkurt 1936. Ju falënderoj për shpjegimet; këtu ju dërgoj kontratën e nënshkruar prej meje.
Lidhur me referimin për botimin e librit, besoj se dorëshkrimin do ta përfundoj deri nga fundi i korrikut, pasi tërë lëndën e kam mbledhur me kohë dhe tani më mbetet vetëm t’i jap formën.
I juaji, Faik Konitza
Më 27 maj 1936, Konicës i shkruan z. Tom Davin, editor i shtëpisë botuese “Robert Mc. Bride & Company”:
I dashur z. Konitza,
A mund të na dërgosh brenda dy-tri ditësh kapitullin e parë të librit? Shitësit e botimeve tona fillojnë udhëtimet brenda dy javësh. Ata duhet të kenë me vete listat e botimeve të vjeshtës, ku përfshihet edhe libri juaj. Ne duhet të kemi një pjesë të materialit për të përgatitur reklamën e librit, të cilën ata duhet ta kenë me vete.
U jemi mirënjohës gjithashtu po na treguat se kur mund të na dërgoni dorëshkrimin e plotë.
Me nderime, juaji Tom Davin, Editori
Konica i përgjigjet z. Davin, më 28 maj 1936;
Zotëri,
Këtu po ju dërgoj parathënien dhe kapitullin e parë të librit, sipas kërkesës suaj në letrën e 27 majit 1936. Ju di për nder nëse më dërgoni bocat e korrektuara.
Dorëshkrimin e plotë të librit shpresoj se mund t’jua dërgoj nga fundi i korrikut.
I juaji, me nderime, Faik Konitza
Më 5 qershor 1936, z. Davin i shkruan Konicës:
I dashur zotëri,
Ju falënderoj për dërgimin e parathënies dhe kapitullit të parë të librit. Titulli i librit është “Një Histori e Shkurtër e Shqipërisë”, vazhdim i serisë së historive të shkurtëra që po botojmë. Na nevojiten edhe dy informata nga zotëria juaj: 1). A mund të na dërgoni sa më shpejt titujt e kapitujve të librit, kështu që shitësit tanë mund të kenë një ide të përgjithshme mbi përmbajtjen e librit? Me këtë do t’jua dija për nder sikur të na dërgoni një përshkrim nja 200 fjalësh mbi përmbajtjen e librit, në të cilin do të bazohet përpilimi i katalogut tonë. 2). Ju lutem, a mund të na këshilloni se cila do të ishte harta më e përshtatshme e Shqipërisë për botim në librin tuaj. A duhet t’i vëmë emrat e qyteteve sipas shqiptimit të gjuhës shqipe, italisht, apo ka ndonjë traditë të shqiptimit në gjuhën anglishte? Kjo varet plotësisht në dëshirin tuaj.
Këto të dhëna na nevojiten sa më parë. Besoj se do të na i dërgoni deri të hënën, më 8 qershor.
I juaji sinqerisht, Tom Davin, Editori
Konica i përgjigjet z. Davin më 9 qershor 1936:
Zotëri,
Letra juaj e 5 qershorit më erdhi të nesërmen, më datën 6. Kërkoj ndjesë që nuk munda t’ju përgjigjesha menjëhërë, të hënën, për arsye se në funksionin tim si diplomat kisha një angazhim që nuk mund t’i shmangesha lehtë.
Një fjali në parathënien time nuk i përgjigjet titullit të librit. Po ju dërgoj faqen e parë të korrektuar të parathënies. Ju lutem, grisnje faqen e parë që e keni dhe përdorni këtë që po ju dërgoj. Titulli është në rregull dhe i pëlqyeshëm nga ana ime.
Brenda dy ditësh do t’ju përgjigjem lidhur me pjesën tjetër të letrës sua.j
I juaji sinqerisht, Faik Konitza
Po më datën 9 qershor, Konica merr këtë telegram nga shtëpia botuese: “Urgjentisht na nevojitet materiali i kërkuar në letrën e 5 qershorit. Ju lutem na dërgoni ç’keni të gatshme. Ju falemi nderit-Robert Mc. Bride & Company”
Konica i përgjigjet telegramit më 12 qershor 1936:
Zotëri,
Në zarf keni hartën e Shqipërisë me një shënim rreth shkrimit të emrave të qyteteve, pak më shumë se gjysmën e lëndës së librit dhe përshkrimin 200 fjalësh të përmbajtjes. Së shpejti do t’ju dërgoj pjesën tjetër. Ju lutem m’i ktheni bocat për shikim të fundit.
Me nderime, Faik Konitza
* * *
Për mua, këtu zhdukën gjurmët e korrespondencës Mc. Bride & Konica rreth botimit të librit “Një Histori e Shkurtër e Shqipërisë”. Sipas Qerim Panaritit, Konica i shkruan z. Mc. Bride edhe, më 18 prill 1939:
“Meqë Shqipëria, për shkak të rrethanave të sotme tragjike ka dalë në qendër të vëmendjes, dëshiroj të di nëse do të miratoni një sugjerim nga ana ime” domethënë botimin e librit, por “botuesi hodhi poshtë me mirësjellje sugjerimin e tij dhe dorëshkrimi mbeti mënjanë”.(“Shqipëria –kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, Boston, Mas., 1957).
Tani, para se të themi diçka për disa shënime të Konicës, të cilat besoj se kanë të bëjnë me çështjen e librit, kthehemi edhe një herë te letra e parë e tij dërguar z. Mc. Bride. Këtë letër, Konica e shkroi në dy versione: versioni i parë i letrës, që më vonë shndërrohet në pika mbështetëse për versionin e dytë, është tri paragrafe më i gjatë. Në një paragraf të shkurtër, Konica nuk pranon asnjë përgjegjësi financiare për shtyp, duke i shpjeguar qartë arsyet e veta: “Librin e kam shkruar pa pretendim fitimi, por duhet të keni parasysh, nuk marr asnjë përgjegjësi të hollë ekonomike. Unë rroj me një rrogë të vogël të qeverisë sime me të cilën mëmzi përballoj jetësën e përditshme.”
Siç duket, Konica nuk e dërgoi këtë letër për arsye se ishte e gjatë, kishte bërë në të disa korrigjime me dorë dhe mund ta shkurajonte pronarin e shtëpisë botuese, duke u shmangur që në fillim nga përgjegjësitë financiare. Versioni i dytë i letrës, dërguar z. Mc. Bride, mbështetet në versionin e letrës së parë.
Thuhet se shumë njerëz të penës kur janë në tavolinë të punës të zhytur në mendime të thella rreth projekteve krijuese dhe halleve të jetës, “zhgarravitin, shënojnë e vizatojnë” në ndonjë letër që kanë aty pranë. Kur ato letra i shpëtojnë shportës është vështirë të konstatohet se ç’ kishin ndër mend të thonin ata në raste te veçanta.
Ky fenomen sigurisht duhet të ketë ndodhur edhe me Faik Konicën. Në dy fletë shkrimi të pastra, gjinden tri zhgarravitje të vogla me laps, një lule e vizatuar dhe disa shënime anglisht. Pas mendimit tim bazuar në në qartësinë e fjalive, Konica kishte në plan t’u shkruante për çështjen e librit dy miqve të tij. Ai shkruan në një fjali: “”Bëj mirë të folësh me Vasilin dhe Kriston, ndoshta mund të më ndihmojnë përkohësisht”. Në qoftë se qëndron ky mendim, atëherë ai kishte në plan t’i shkruante z. Hito Sadiku, sekretar i konsullatës së Shqipërisë në Boston. Vasili dhe Kristo duhet të jenë Vasil Pani e Kristo Thanas, të dy në gjendje të mirë ekonomike dhe miq të tij. Edhe fjala tjetër Lëre këtë punë, kur të vi atje shohim e bëjmë,…duhet të mendosh mirë,… më shkruaj…” ka mundësi të bëjë me këtë çështje. Po aty, në ato fletë, plani për t’i shkruar Nelo Drizarit, profesor në universitetin Columbia në New York, është i qartë: “Të kam shkruar materialin e ardhur nga Shqipëria. Na gjej katalogun me emrat e kolegëve amerikanë, të interesuar, sipas mendimit tënd. Me datën? (pikëpyetja është e Konicës; I. L.) do jem në New York, duhet të shoh vetë ç’bëhet atje. Nevojiten dy ditë pushim pune”. Dihet se Drizari ishte në dijeni të projektit për botimin e veprës së Konicës; ai i kishte shkruar Petro Kolonjës për këtë çështje.
Tani bëhet pyetja, pse nuk u botua libri? Megjithese mbetën vetëm spekulime, kam përshtypjen se z. Mc. Bride, pas analizave financiare, duhet të ketë ardhur në përfundimin se libri jo vetëm që nuk ishte fitimprurës për firmën e tij, por nuk i nxirte as shpenzmet e shtypit. Nga ana tjetër, atë e brente edhe ndërgjegjja morale ndaj Konicës, sepse vetë i kishte propozuar shkrimin dhe botimin e librit.
Po të lexohen me vëmendje dy pika të kontratës së nënshkruar midis z. Mc. Bride dhe Konicës, shihen hollësitë e përgjegjësisë së autorit për mbulimin e shpenzimeve të shtypit nëse shtëpia botuese nuk siguronte në parapagim shitjen e një tirazhi 500 kopjesh për një libër 200 faqesh. Megjithëse z. Mc. Bride dhe Konica nuk bëjnë fjalë në letrat e tyrre për ato dy pika të kontratës, ato vetëvetiu lënë të kuptohet se botimi i librit mund të pezullohej, për arsye se nuk ishte mbledhur asnjë parapagim.
Ndërkaq, edhe zotimi i Konicës për sigurimin e një pjese të shpenzimeve me blerjen e librit nga ana e qeverisë shqiptare, duket i pashpresë.. Mjafton të veçojmë fjalinë e letrës së tij “Jam i sigurt se qeveria shqiptare do të blejë dy-treqind kopje të një libri të shkruar nga unë, e, në qoftë se jo, nja dy organizata shqiptare do ta realizojnë atë që nuk realizon qeveria.”. Zotit Mc. Bride, fjalia e thjeshtë midis pargrafit të mësipërm, “në qoftë se jo”duhet t’i ketë tërhequr vërejtjen që në fillim. As mbështetja e autorit në “nja dy organizata shqiptare” nuk duhet të ketë mjaftuar për të.
Largimi i Konicës ndaj përgjegjësisë së financimit lë të kuptohet se ai s’kishte kuj t’i derjtohej për ndihmë. Me qeverinë i kishte ftohur marrëdhëniet si pasojë e kritikave që i bënte mbretit Zog me letra private. Me shokët më benikë të “Vatrës”, grupin e Refat Gurrazezit, ishte prishur për arsye të afrimit të tij me Nolin dhe me vatranët e moderuar. Organizimi i një fushate për mbledhjen e të hollave ndoshta i dukej iluzion për arsye të krizës së thellë ekonomike që kishte përfshirë Amerikën. Megjithë këtë, nuk kemi të dhëna nëse Konica mori ndonjë hap konkret për sigurimin e shpenzimeve të botimit.
Shpesh është thënë: “Konica ishte dembël, nuk i shkonte punës në fund, nuk i përfundonte shkrimet e veta”. Në këtë rast, pohimet e tilla nuk qëndrojnë.. Vëllimi i librit për të cilin bëhet fjalë, sipas kontratës, nuk duhej të kalonte 230 faqe. Ai i dërgoi shtëpisë botuee të paktën 120 faqe të gatshme për shtyp.
Ndërsa puna e rëndë dhe vështirësitë e Panaritit për plotësimin e zbrazëtive dhe për përgatitjen e librit të Konicës, botuar 15 vjet pas vdekjes së tij, duhet të jenë reale. Jam i mendimit se pjesët e gatshme të librit, të cilat Konica ia kishte dërguar shtëpisë botuese, kanë ngelur në shtypshkronjë dhe më në fund janë hedhur në shportë. Konica herë pas here i kërkon shtypshkronjës bocat, pjesët e përgatitura, për shikim të fundit, por nuk insistonte në kthimin e tyre, me shpresë se libri mund të botohej një ditë.

Filed Under: Vatra Tagged With: Idriz Lamaj, LETRA DHE SHËNIME, TË FAIK KONICËS

NGA POLEMIKAT E KOLOSEVE – NOLI: LUFTEN NUK E HAPA UNE, POR FAIKU

April 9, 2015 by dgreca

NGA IDRIZ LAMAJ*/
Kush e hapi luftën?/
Faik Konitza bën një shaka pa kripë kur thotë që unë e paskam provokuar dhe ia paskam hapur luftën.. Ja faktet: Ay nisi me anën e Diellit një fushatë diskriminimi që në Janar të motit 1925 kundër shokëve të mi e kundër meje. Unë u-përgjegja në Shtator të motit 1925, domethënë tetë muaj pastaj.
Qellimi i Faik Konitzës
Lufta për diskriminimin e nacionalëve kishte një qellim të çkoqur: Të gatitë udhën për një fushatë të hapur në favor të tradhëtorëve. Tani Faik Konitza lot me kartëra të hapura: Çpifje dhe sharje kundër Nacionalëve të mundur, lëvdata të paturpëshme për tradhëtorët mundës.
Shakaja m’e bukur
Pas mendjes së Faik Konitzës, e paskemi tradhëtuar Shqipërinë aq sa dhe Ahmet Zogu, dhe Vatra s’kishte veç të zgjidhte midis dy grupesh prej tradhëtorësh. Natyrisht pra Vatra zgjodhi grupin e tradhëtorëve mundës S”kishte tjetër udhë! Mezallah! Cili ësht ai budalla që munt të thotë se Vatra munt të lëftonte që të dy grupet e tradhëtorëve, ose të hiqej me një anë dhe të mos kishte punë as me njërin grup as me tjetrin.
Katilë !
“Katilë këtej, katilë andej” bërtet Faiku, dhe konkludon që duhen përkrahur katilët mundës, që kanë fuqinë në dorë. S’ka udhë tjatër për Vatrën! Mëzallah! Cili ësht ai budalla që munt të thotë që Vatra s’ka asnjë punë me asnjë grup katilësh?
Një çap më tutje
Po Faik Konitza vete edhe një çap më tutje: I gjen të drejta të gjitha vrasjet që kanë bërë gjer die dhe që kanë për të bërë nesër tradhëtorët bashibuzukë. Të shkretët! Kanë të drejtë të mprojnë vetëveten pastaj kanë detyrë të mprojnë memëdhenë nga gjakderdhësit dhe prishësit e shtetit. Kështu, nesër kur të bëhet ndonjë vrasje e re, Faik Konitza do të na thotë që Ahmet Zogu kish të drejtë.
Rroftë Ahmet Zogu !
Pse jo? Ahmet Zogu pas mendjes së Faik Konitzës, ësht i zoti të na vrasë, na ka në dorë të na spastronjë kur t’ia dojë qefi, dhe me gjithë këtë na falë jetën nga shpirtma- dhësia. Pra, rroftë katili që s’na vret!
Ndofta për ekonomi
Po ndofta Ahmet Zogu bën ekonomi nga shkaku i krizës dhe nga që s’i teprojnë plumba për hiçër dhe për dordolecë. Faik Konitza vetë qan me lot për tre plumba të çmuar u-harxhuan më kot për një Ballkanik të humbur si Gurakuqi!
Një mënyrë që s’kushtonte
Puna munt t’ishte mbaruar pa harxhe pas mënyrës së Lynchit, ndjesë pastë kur ishim në Vlorë. Ah! sa do t’ish gëzuar zëmra e ëmbël dhe ëngjëllore e Faik Konitzës, sikur të kishin përfituar nga kjo rasje Vlonjatët! Po këta kanë qenë dhe janë të poshtër që nga kaikçiu m’i vogël gjer të Syreja be Vlora, sikundër ua ka thënë Faiku, dhe s’kanë zotësi për gjera, të cilat janë edhe të larta, edhe të bukura, edhe krejt të lira! Jazëk u qoftë, dhe më qafë e patshin mëmëdhen!
Ja një provë!
Puna e Vlonjatëve më kujton Gurakuqin, të cilin s’do kalorësi fisnik Faik Konitza t’a lërë të qetë as në varr, se s’ka gjë më bujare se sa të lëftosh kundër një kufome. Në një artikull të mëparëshëm kam thënë që Gurakuqi ka qenë më pak Italofil se Faik Konitza. Dhe ja një provë midis tjerash: Në kohën e Luftës së Vlorës, Faik Konitza s’ka lënë gjë pa thënë kundër Vlonjatëve në gazetat Italiane, kur Gurakuqi heshti dhe as u-dëgjua fare. Cili nga të dy kanë qenë më Italofil?
Gjakderdhës dhe tradhëtorë!
Më që erdhi fjala, duhet të shtojmë këtu që Faik Konitza ahere i shante dhe i fëlliqte botërisht luftëtarët Vlonjatë si gjakderdhës, si tradhëtorë dhe si prishës të mëmdheut, pikërisht ashtu si shan e fëlliq sot kumandarin e tyre me famë Qazim Kocullin!
Hiç e hiç
Po Qazim Koculli, sot i mundur, s’është hiç, pas standardeve të vendosura prej Zullulandit dhe të imponuara mi botën e qytetëruar. Gjithashtu s’është hiç, e hiç gjësendi dhe ay kolegu im, që i paska shkruar një letër të zemëruar Faik Konitzës. Natyrisht, njerës me vlerë, njerës të mëdhenj janë dallkaukët, rajenjët, larot dhe zaptitë. Dhe po t’i shtudiojmë punët me kritere historiani t’Afrikës, do të shohim që Faik Konitza ka plotërisht të drejtë.
Karamanjolla
Ky kolegu im, që s’dimë cili është, sikur t’a kish fuqinë në dorë, do t’i dërgonte në Karamanjollë të gjithë Shqiptarët! Pa fjalë, pa dyshim!. S’munt të ketë në Shqipëri njeri më të egër dhe më gjakpirës se ay, i cili goditë në një letër më të bukurin e më të bardhin ëngjëll të mirësisë dhe të butësisë, qe ka dërguar Qielli në këtë botë, – Faik Konitzën.
Hiç e gjakdherës!
Faik Konitza s’munt të më përjashtonte shumë kohë nga lista e hiçërve dhe gjakderdhësve. Po ky mjerimë nukë më ka mallëngjyer shumë. Përkundër, është një lumëri, se kështu s’ndodhem në rezik të identifikohem me ata që quan sot Faik Konitza, zemërmirë dhe shpërtimtarë të mëmëdheut!
Mosmirënjohës?
Qenkam jo vetëm hiç e gjakderdhës, po dhe mosmirënjohës. S’ia paskam njohur të mirat Ahmet Zogut! Për ca të mira që më paska bërë, kam patur rasjen të flas më parë dhe të tregonjë kujtve ua detyronj me të vërtetë. Më poshtë po flas për ato që më nëmëron tani Faik Konitza.
Deputet
S’ia detyronj aspak Ahmet Zogut që jam qasur si deputet i Vatrës në Parlament më 1921! Ja faktet e thata që munt t’i kontrollonjë cilido në rekordet e Parlamentit: U-qasa si deputet i Vatrës në Parlament me një zë, kur shumica e deputetëve ishin kundërshtarë t’Ahmet Zogut, dhe në mos lajthitëm, nj’a dy a tre deputetë vetëm abstenuan nga votimi.
Pension?
Pensionin m’a votuan shumica e deputetëve të shoqëruar me të quajturën “klikë” dhe disa nga kundë- rshtarët e Ahmed Zogut, kur një pjesë e madhe e Ahmedi-stëve votuan kundër. Pensioni nukë do të kishte fituar shumicën, sikur të mos kishin votuar në favor disa nga kundërshtarët e aherëshëm. Kjo gjë ngjau kur Ahmed Zogu kishte një shumicë Parlamentare shtypëse. Tani të shohim ç’është ky pension. Pas rekordeve të Parlamentit, këtë pension munt t’a mar kur të mos jem as në shërbim të shtetit as në shërbim të Kishës, domethënë pasi të vdes!
Ministër
S’kam patur, as kam, ambicje për fushën politike, në të cilën jam zvarnisur gjithnjë me pahir a me gjysmë zemër i shtërnguar prej Vatrës, prej shokëve dhe nga ndjenja e detyrës. Në Lidhjen e Kombeve kam vajtur gjithnjë, i shtyrë pothua me një zë prej shokëve dhe kundërshtarëve. Kam akseptuar keyeministrinë, se s’muntnja të hiqesha nga vallja me nderë e pa dezertuar shokët. Kam refuzuar: 1) Kryesin’ e përfaqësisë në Paris, që m’a proponoj Mehmet Konitza më 1920; 2) Përfaqësin’ e Londrës dhe të Parisit, që m’i proponoj Ilias Vrioni me 1921; 3) Ministrin’ e Punëve të Jashtme, që m’a proponoj prap Ilias Vrioni më 1921; 4) Gjith atë Ministri kur m’a proponoj Hasan Prishtina me 1921.
Kam qenë në shërbim të Vatrës, si delegat, tre vjet e nj’a dy muaj, që në prill 1921, gjer në Korrik 1924, dhe dy vjet si kryetar i saj me 1915-1916 dhe më 1917-1918. Si kryetar i Federatës s’munt të thuhet që mernja rogë, se kjo rogë s’ishte veç një indemnitet për rogën që humbisja nga Kisha. Kam marë pra rogë vetëm si delegat, sa nuk munt të numërohen si rogë parat që na vuri në dispozitë Vatra për fushatën elektorale, a për fushatën e Kishës Prishtina më1921. – Refuzova prapë gjith’ atë Ministri, kur m’a proponoj Xhafer Ypi në emër të Klikës, jo të Ahmed Zogut; e akseptova vetëm pas më ranë në qafë shokët, veçanërisht Mehmet Konitza, dhe pasi e mbajta nj’a dyzet ditë, dhash dorëheqjen. Tani kam vetëm një ambici të gjallë, ambicien të shërbenj në fushën letrare.
Vatra dhe unë
Pas mëndjes së Faik Konitzës, i paskam qenë mos-mirënjohës dhe Vatrës, e cila më përkrahu me fonde, makar me “pasurira të vërteta”, të vëna në dispozitën t’ime. Nga ana tjatër, qenkam tallur me Vatrën, se s’kam realizuar asnjë nga idealet e saj dhe s’i kam dërguar letra veç për të kërkuar para dhe para. Do t’i mar me radhë këto të gjitha. Do të bënj një përqasje midis Faik Konitzës dhe meje, me qenë se kemi qenë në shërbim të federatës po thua me një cilësi, po thua me ato mjete, dhe do të shohim a ka të drejtë, të paktën Faik Konitza, të më kritikonjë sa për këto pika.
“Pasurit’ e vërteta” kombëtare. Faik Konica ka qenë delegat i Vatrës përpara dhe pas luftës për një kohë pothua më të gjatë se unë me rogë, dhe katër pesë vjet; kryetar i saj me rogë. Le t’a bëjnë pakëz hesapin dhe letë shoh cili prej të dyve ka marrë më tepër rogë nga Vatra. Në qoftë se Faik Konica insiston të nëmëronjë në hesapin tim dhe subve -ncionet e Vatrës për fushatën elektorale dhe për Kishën kombëtare, ahere jamë i shtërnguar t’a ftonj të bëhet deputet dhe Myfti, të marrë nga Vatra ato subvencione që kam marrë unë, të vejë në Shqipëri të lëftonjë në Parlament e në zgjedhjet, të dërsinjë për të themeluar një Xhami kombëtare dhe pastaj të më thotë a i pëlqen ky sport dhe a është punë qefi të marësh një subvencion për të hyrë në dy fole prej grerzash të ndryshëm.
Ç’kemi bërë ?
Me paratë që më ka vënë në dispozitën Vatra – dhe këto do të bënte mirë t’i nëmëronte Faiku – nukë mburrem aspak që diç kam bërë. E vërteta është që s’kam bërë hiç, ose më mirë kam bërë një vërë në ujë. Po nukë besonj që Faik Konitza të mburret që ka bërë më tepër se unë në shërbim të Vatrës. Mburrem ve vetëm që jam përpjekur diç të bënj dhe ketë s’munt t’a mohonjë askush, se përpjekjet e mia janë tani kaptina të historisë kombëtare dhe s’munt t’i nxjerë s’andejmi as poshtërsia, as çpifja, as mosmirënjohja, as lehjet e zbrazëta të larove. Nukë besonj që Faik Konitza të mburret që përpjekjet e tij si delegat e kryetar i Vatrës, kapërcejnë të miat. Këtu pra jemi barabar.
Raporte
E vetëma punë që kemi bërë, si Faiku si unë, kur ishim delegatë, ishte të shkruarit e raporteve. Këto ndodhen në arshivat e Vatrës. Le t’i nëmëronjë Faik Konitza, lë t’i peshonjë raportet e tija nga njëra anë dhe të mijat nga ana tjetër, dhe pastaj lë të më thotë cili prej nesh e ka mbajtur Vatrën të informuar më rregullisht e më hollësisht.
Jo Faik Konitza
Ka ca patriotë, të gjallë a të vdekur, që kanë punuar dhe janë përpjekur, pa subvencion të veçantë nga Vatra, brënda, në Shqipëri shumë më gjatë se unë, në kondita më të zorshime. Ata që janë të gjallë munt të kenë të drejtë të më kritikojnë që s’kam lëftuar tamam, aqë sa duhej pas xhepaneve që më dha Vatra. Po jo Faik Konitza, i cili ka patur gjithato xhepanera dhe i cili s’munt të më provonjë fairly që ka çpuar një vërë në ujë më të madhe se timen.
Çkatërrimi i Vatrës
Vatra një herë ka qenë me tre mijë gjer katër mijë anëtarë; po nën administratën e Faik Konitzës ka zbritur në ca qindëra të paka, dhe puna s’ka për të qëndruar as këtu. Nga këto të paka qindëra anëtarësh Faik Konitza tani paska ndër mënt të nxjerë jashtë, të pakën gjysmët dhe t’a qëronj Federatën nga të gjithë gjëmbat. Kështu të mbeten vetëm të saktët dhe besnikët! Sa për buxhetin dhe të ardhurat, për këto s’e ha mëllefi fare dhe ka të drejtë. Posa Vatra u bë një agjenci e hyqymetit dhe Dielli një organ dallkauk i Mydyrit të Pashiqit, e do e drejta që harxhet t’i heq të gjitha hyqymeti, i cili s’kursen para për zyrat e propagandës, për spiunët e për larot. Po aherë Vatra është e vdekur si një shoqëri independente, dhe çudia është që paska në Amerikë ca vatranë të lumtur që s’e kanë kuptuar akoma. Jazëk, jazëk!.
Lufta fetare
Fanatizëm fetare të vërtetë në Shqipëri s’ka. Këtë gjë e kanë dëshmuar të gjithë të huajtë që na njohin mirë. Këtë gjë e kemi parë dhe vetë me sy. Po të huajtë që s’na njohin mirë nukë mundin të kuptojnë qysh munt të bashkohet kombi shqiptar, i ndar në fe të ndryshme dhe këtë argument e përdorin armiqtë tanë për të mprojtur thezën e copëtimit të Shqipërisë. Lufta fetare pra që ka hapur Faik Konitza me anën e “Diellit” munt të sherbenjë vetëm për këtë qellim: Të provonjë me gojën e Shqipëtarëve që armiqtë tanë kanë të drejtë.
Gogoli bolshevik
Në Shqipëri s’ka asnjë lëvizje bolshevike a probolshevike, se s’ka asnjë komunist a bolshevik për dërman. Po armiqëve të Shqipërisë u jep dorë të thonë që ka, dhe kështu me ndihmën e gogolit bolshevik të arrijnë qëllimin e tyre satanik për të copëtuar Shqipërinë, gjoja për të shiguruar paqën në Ballkan. Faik Konitza, dyke çpifur që ka Shqipëtarë bolshevikë e pro-bolshevikë, i bënë Pashiqit sherbimin më të çmuar dhe forcon thezën e armiqëve tanë për copëtimin e Shqipërisë.
Triumfi i Legalitetit
Pas mëndjes së Faik Konitzës tani, çdo tradhësi e zezë munt të zbardhet me robën e pseudo-legalitetit. Në këtë mënyrë psudo-legale u-shit Shën Naumi; me këtë mënyrë psudo-legale u-shitnë pasurit’ e Shtetit për dhjamë qeni; me këtë mënyrë psudo-legale plaçkitet arka e shtetit dhe populli; me këtë mënyrë psudo-legale një mydir i Pashiqit bëhet sot president i Republikës arnaute, dhe më këtë mënyrë pseudo-legale copëtohet nesër Shqipëria. Çudia është që Faik Konitza, në protestën e Vatrës për çështjen e Shën Naumit çfaqte një pikëpamje krejt të ndryshme.
Sulltan Hamidi
Faik Konitza na thotë që Ahmed Zogu është m’i mirë se Sulltan Hamidi, se qenka Shqiptar, sikur Myfid Libohova nuk është shqiptar nga raca. Po ç’ka të bënjë gjaku shqiptar, kur mungon ndjenja kombëtare e patriotike? Pashiqi, kur bërtisnin disa deputetë serbë kundër krijimit të një shteti shqiptar independent, u-përgjeq fare bukur: “Mos u-mërzini, se Shqipërinë independente do t’a prishin vetë Shqiptarët”. Die Esadi, Sot Ahmed Zogu! Sa për gjuhën shqipe, që përdoret si gjuhë zyrtare, gëzohemi, po jemi të shtërnguar t’i vëmë fre enthusiazmës sonë, se fryma e asaj gjuhe ësht’ e huaj. Dhe “Dielli” botohet shqip, dhe në një shqipe më të mirë, po fryma ësht’ e Belgradit.
Gazetës “Imigranti”, 27 Shkurt, 1926.

Shenim: Në gazetën “Imigranti” u botua në vazhdime një shkrim i gjatë i Nolit me titull: Përgjegje “Diellit”; Nga ai shkrim sollëm vetëm disa fragmente të zgjedhura.
* * *

Gazeta “Imigranti”
Numri i parë i gazetës “Imigranti” doli në qarkullim me 26 shtator të vitit 1926 dhe përfundoi me 31 korrik 1926. Gjithëseit u botuan 41 numra. Kryeredaktor ishte Petro Kolonja dhe editor Qerim Panariti. Programi i gazetës ishte ky:
“Do të përpiqet që të jetë, për së pari, një gazetë e lirë e Shqipëtarëve të Amerikës dhe prej Shqipëtarëve të Amerikës”. Kjo gazetë kishte edhe një Pleqësi që kryesohej nga Kristaq Polena, arkëtar Ilo Pano, sekretar Rexhep Koburi, dhe disa zyrtarë të tjerë. Që në fillim kuptohet se pas kësaj gazete ishte një grup i fortë vatranësh pronolist, i cili me anë e këtij organi filloi fushatën e ashpër kundër Faik Konicës dhe pasuesëve të tij në gjirin e “Vatrës”. “Imigranti” e mbrojti Nolin dhe kauzën e tij politike deri në fund. Aty, redaktorët botuan shkrime të ashpra kundër Konicës dhe qeverisë së Zogut. Në mars të vitit 1926, Panariti, kritik i rrebtë kundër Konicës, kthehet me “Vatrën” dhe fillon të shkruaj për gazetën “Dielli”. Në atë rast, Konica shkruan për Panaritin:
“Z. Qerim Panariti është një student që ka shkrojtur shumë herë kundër meje; po sikur dy herë më tepër të kishte shkrojtur, unë i quaj gjëra për të harruar, nga shkaku i sherbimit që po i bën publikut shqipëtar duke zbuluar qellimet e vërteta të asaj flete. Kundërshtar imi, po jo kundërshtar i Shtetit, z. Qerim Panariti u-hoq nga ay grup posa kuptoj se mendimi i fshehtë i lëvizjes ish për dëm të Shqipërisë… ”. ( “ Dielli ” , 23 mars, 1926 ).
Kryetari i “Vatrës”, Konica, kërcnon përkrahsit e Nolit dhe këshillon Konsullatën e Shqipërisë në Boston të njoftoj autoritetet policore shqiptare mbi rrezikëshmërinë e tyre. Sipas themeluesit të “Imigrantit”, z. Kolonja, gazeta u mbyll “për arsye të lëkundjes politike të shokëve që financonin gazetën”.
Polemikat e ashpra të kësaj gazete me “Vatrën” e Konicën u shfrytëzuan me mjeshtri nga propaganda e rregjimit komunist pas ardhejs në pushtet. Nga ato polemika fillon ç’përfytyrimi i realitetit historik, krijohet figura e “antikombëtare” e Faik Konicës dhe figura “revolucionare” e tipit bolesheviko-komunist e Nolit.
50 vjet më vonë, drejtusi i gazetës “Imigranti”, që drejtoi polemikat më të ashpra kundër Konicës shkruan: “…Na u duk se Faiku na tradhëtoj’ Peshkop Nolin e i u bëmë kundërshtar. Po duke vazhduar punët, mua mu mbush mendja se ishim në gabime. Faiku shkrojti në Diellin shpjegimet bujare dhe të larta për Nolin dhe veprimet e tij në Shqipëri dhe fajet ja u-ngrakoj shokëvet e jo Peshkpoit – dhe i foli haptazi demokratikisht kur tha:”…Zogu na mundi… dhe tani le të vërejmë për të ardhmen”. – Me vijin nër- mënt kablogramet urimesh që i dërgoj Zogut që shpetoj nga ate- ntatet që iu bënë me gjithqë ishte kundërshtari më i rreptë i tij. Këto e të tjera vërejtje me bintnë një herë e përgjithmonë që Faiku i rreptë lëftonte me kalem e jo me pushkë, provonte që ishte me të vërtetë demokrati më i shquar që pat Shqipëria…”. (Faik Konica 1876-1976, Seminar studimesh, New York, 1997, fq. 54 ). Kolonja shkruan gjithashtu: “ Faiku na bëri qesharak për dallaveret që i bëmë ”.
*Marrë nga Libri i Idriz Lamajt” Për Vatrën dhe Vatranët”, New York, 2014. Nuk lejohet kpojimi pa lejen e autorit.

Filed Under: Vatra Tagged With: Idriz Lamaj, Noli dhe Konica, Polemikat e te emdhejve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • …
  • 148
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Marin Becikemi – Shkodrani
  • THE AUCKLAND STAR (1938) / “NE BESOJMË NË TË QENIT VAJZA MODERNE…” — INTERVISTA ME MYZEJEN, RUHIJE DHE MAXHIDE ZOGU NË LONDËR
  • Albanian American Gastrointestinal Association and Albanians Fighting Cancer join forces on April 4th, in Boston, MA, to empower our community and to raise funds for our fight against cancer
  • Hidai Bregu, in memoriam…
  • Një mbrëmje e ndjerë dhe domethënëse në shërbim të drejtësisë dhe dinjitetit
  • 18 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në Florida
  • Festivali “Këndo Shqip” – New York, Qershor 2026
  • Viktor Hygo, pena tragjike që predikoi humanizmin si besim
  • Lëvizja revolucionare-kombëtare shqiptare dhe maqedonase në rrjetën e diplomacisë sovjetike (1922-1928)
  • Garancia Amerikane si doktrina e re që mbyll epokën e Status Quo-së dhe rishkruan dialogun Kosovë–Serbi
  • Recitali AMA 2026
  • Marrëdhëniet Shqipëri – USA në universin filatelik shqiptar
  • Një takim ku mikpriten të gjithë…
  • Honoring the memory of Ambassador Frank Wisner
  • “LUCI DI VERITÀ – ÇMIMI NDËRKOMBËTAR I GAZETARISË ETIKE NË MINISTRINË E KULTURËS (ROMË)

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT