Aleksandër Çipa/
Debati malinj për ndarjet, xhelozitë dhe sidomos, diferencat mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, edhe nëse nuk ka indicie nga jashtë, është një interes jashtë nesh, pra shqiptarisë.
Inkurajimi i konkurencës së brendshme është përherë shërbim i shëndetshëm. Shoqëritë e mençura e përdorin diversitetin plural për qëllim inkurajimi dhe si lëvizje që nuk dëmton unifikimin e aq kërkuar në historinë e një shekulli në ndarje. Mendjet e shëndetshme nuk merren me zhvleftësime të simboleve identitare, por ushqejnë një kritikë publike për të demaskuar patriotizmin e korruptuar apo nacionalizmin e shtirur dhe infektues kombëtar, duke i mëshuar kuptimësisë dhe vlerës formuese të tyre ndër brezni.
Shqipëria dhe Kosova janë në një proces ( pse jo edhe tronditës) të dobësimit demografik të tyre. Ky proces, nëse mbushet me debate malinje si ky i xhelozisë së njerës ndaj tjetrës, nuk është tjetër gjë, veçse një formë dasuese ndër shqiptarë dhe sidomos bakter i keq për breza të ardhëm.
Nga jugu i Shqipërisë dhe deri në Mitrovicë e Luginë të Preshevës, shqiptarët kanë detyrim të ndiejnë nevojën e njohjes së vetvetes, e kësaj vetveteje që pas një shekull ndarjeje, po pason nga një kohë e paemër me infektime dhe toksikime interesash fqinjore dhe deformime të rënda ndërgjegjësore.
Kauza e përbashkimit fitohet si veprim dhe proces i thellë përafrues.
Ringritjet apo përparimet, (sikundër e thonin rilindësit naimjanë të shekullit XIX), mbrothësitë kombëtare, nuk mund të mbërrihen kurrë nëse perceptohen dhe ndahen mes pjesësh dhe protagonistësh që duan vetëm pjesë, në pamundësi për të dashur të tërën. E kemi nevojë ekzistenciale të duam të tërën.(!) Dhe e tëra, për ne, është dhe do të jetë pamvarësisht; matanë Shqipërisë, matanë Kosovës-( së bashku të dyja), dhe në çdo skaj natyral të Atdheut shqiptar.