-Takim me ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Harjit Sajjan në Forumin Nderkombëtarë të Sigurisë në Halifaks/
PRISHTINË, 20 Nëntor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli po qëndron në vizitë zyrtare në Kanada, me ftesë të posaçme nga ministri i Mbrojtjes së Kanadasë dhe Forumi prestigjioz i Halifaxit, një prej konferencave kryesore në botë për siguri, sidomos në Amerikën e Veriut.
Njoftimi i dërguar sot thekson se, me këtë rast ministri Demolli pati një takim shumë të ngrohtë bilateral me ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Harjit Sajjan, të cilin e falenderoi përzemërsisht për kontributin kanadez për Kosovën në të gjitha etapat nëpër të cilat ka kaluar.
Ministri Demolli, në takim me ministrin Sajjan, theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit në mes të Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Kanadasë, si dhe domosdoshmërinë e mbështetjes në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, që do mbahet në dhjetor të këtij viti, ku pritet të vendoset për etapën e re të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe NATO-s. Gjithashtu, ministri Demolli bëri ftesë për vizitë në Kosovë, për të parë nga afër progreset e FSK-së. Ftesa u mirëprit nga ministri i Mbrojtjes së Kanadasë , Sajjan.
Më herët gjatë ditës, para hapjes zyrtare të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, me ftesë të ministrit të Mbrojtjes së Kanadasë, Harjit Sajjan, ministri i FSK-së, Haki Demolli, mori pjesë në Mëngjesin Ministerial të kryesuar nga mikpritësi, me temën: “Formësimi i axhendës së re, Inovacioni në Misionet Paqeruajtëse Bashkëkohore”. Ky aktivitet u organizua me qëllim që të analizohen praktikat e ndryshme të misioneve paqeruajtëse si dhe të bëhen përgatitjet adekuate për Forumin e Kombeve të Bashkuara mbi Paqeruajtjen, që pritet të mbahet në vitin e ardhshëm në Kanada.
Ministri Demolli, ndau me të pranishmit disa prej të gjeturave lidhur me misionet paqeruajtëse në Kosovë. Ai bëri thirrje që të mbështetet FSK-ja në rrugëtimin e saj drejt transformimit në Forcë të Armatosur dhe theksoi gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të qenë në krahë të aleatëve perëndimorë në misionet paqeruajtëse në të ardhmen.
Krahas ministrit Sajjan, ishin të pranishëm nën-Sekretarët e Përgjithshëm të OKB-së për Misionet Paqeruajtëse respektivisht për mbështetje në terren, Herve Ladsous dhe Atul Khare, ministrat e mbrojtjes ose zëvendësit e tyre nga ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Polonia dhe shtete tjera anëtare të NATO-së, ndërsa nga vendet e rajonit të pranishëm ishin ministrat nga Bosnja e Hercegovina, Maqedonia dhe Kroacia.