Presidentë amerikanë dhe marrdhëniet shqiptare, një retrospektivë nëpërmjet lentes së Xhorxh Tejmzit, fotoreporterit shqiptaro-amerikan të Nju Jork Tajms/
Nga Shefqet Kërcelli/Nga data 8 deri më 21 nëntor 2016, në hollin e katit të dytë të Muzeut Historik Kombëtar është hapur një ekspozitë me fotografi të disa presidentëve amerikanë që kanë bërë historinë e shekullit të XX, në momentet e tyre zyrtare, gjatë bisedave, takimeve apo jetës e kohës së tyre të lirë e intime. “Presidentë amerikanë dhe marrëdhëniet shqiptare” është ekspozita e parë në Shqipëri e Tejmzit, që bën bashkë presidentët, që nga Ruzvelti e deri te Bushi, shoqëruar me përshkrimet e gazetave shqiptare për secilën presidencë amerikane. Xhorxh Tejmz, fotograf për Shtëpinë e Bardhë i New York Times në vitet 1945-1985, ishte një nga fotoreporterët më të shquar të epokës së tij. Ndërkohë që fotografitë e tij janë të njohura në mbarë botën, të paktë janë ata që e dinë se Tejmzi ka rrënjë shqiptare. Natyrisht për vetë afeksionin që ka populli shqiptar ndaj SHBA dhe presidentëve të saj, kjo ekspozitë tepër e vecantë ngjalli kërshërinë e vizitorëve të shumtë që nga dita e parë. Zoti Tejmz zhvilloi një stil të kundërt me “instiktin e tufës” së fotografëve të shtypit, duke shpërfillur syrin e tij artistik, sensin e tij të hapësirës dhe intimitetin e vecantë me subjektet e tij. “Mendova se është shumë e rëndësishme që të bëhej një lidhje ndërmjet asaj se, çfarë ka qenë jeta e tij, duke u rritur si një emigrant shqiptaro-grek, e deri te fotografimi i presidentëve amerikanë, që i kemi sjellë këtu”, tha Stephanie Tejmz, shkrimtare, vajza e George Tamez, gjatë hapjes së ekspozitës. Dhjetë presidentët e paraqitur në këtë ekspozitë-nga Frenklin D.Ruzvelt deri tek Xhorxh H.W.Bush, dhanë ndihmesën e tyre në formësimin e shekullit të 20-të. Eskpozita vë përballë imazhet e këtyre presidentëve me raportime lajmesh lidhur me ngjarjet ndërkombëtare që kanë qenë të rëndësishme për secilën presidencë. Dhjetra fotografi në celuloidin e Tejmzit, Nikson duke tërhequr çorapet, Karter duke notuar në “vaskën” natyrale të tij, apo imazhi i paharrueshëm i varrezës kombëtare “Arlington”. Fotot e Xh.Tejmz, krijuan një histori pamore të banorëve më të shquar të Washingtonit, në caste triumfi dhe tragjedie, caste të shpengura dhe të ciltra reflektimi e shlodhje. Ndërsa Tejmz fiksonte pamje me aparat, ndarja ndërmjet vendeve kapitaliste dhe komuniste thellohej. Ashtu si edhe me vendin tonë, Shqipërinë. Nëpërmjet kësaj pune identifikohen sesi këto identitete historike u përthyen nën shtypin komunist tonin. “Fotografitë e Tejmz, janë vetëm një pjesë e kësaj ekspozite. Ne kemi një grup të tërë studentësh, të cilët përgjatë verës kanë kërkuar në arkivat e Bibliotekës Kombëtare, gazeta të ndryshme, që nga “Bashkimi”, “Zëri i Popullit”, “Luftëtari”, etj. Pyetja kryesore e kësaj ekspozite është se, si janë formëzuar mendjet tona në vite?”, tha Dr.Lori E.Amy, Drejtore akademike dhe koordinatore e të drejtave të njeriut “OTTOnomy”. Në një farë mënyre ekspozita shtron një dialog që përfshin vështrimin e të shkuarës për të kuptuar më mirë të ardhmen. Ky kontakt me ngjarje historike që brezi i ri nuk i ka njohur, kërkon prej nesh të kuptojmë se si këto histori kanë formësuar identitete të cilat duhen sendërtuar sërish, kësaj here së bashku për të mbajtur në këmbë komunitetet tona. Ne shpresojmë thellësisht që kjo ekspozitë do hapë një bashkëbisedim që do na lejojë të gjithëve të kapërcejmë kufijtë në mendjet tona, për të folur haptazi dhe me integritet me njëri-tjetrin. Ky është misioni i OTTOnomy, të gjallërojë pëlhurën sociale të grisur nga lufta dhe diktatura, të gjejmë hapësirën tonë të përbashkët për rivendosjen e hallkave që na bashkojnë. Natyrisht cdo ekspozite ka vlerat e veta artistike, ideore dhe kohore. Mund të ishte bërë në vitet ‘90, ‘2000, por dhe tani nuk është vonë. Një vlerësim që unë e shkrova tek libri i përshtypjeve për vizitorët e saj.
Por cfarë nënkuptojmë përtej përmasave të saj?
Kjo ekspozite interesante është një dallëndyshe e parë, që pasuron larminë e fushave të bashkëpunimit e miqësisë tradicionale midis popullit shqiptar e atij amerikan, përfshi liderët e tij. Është fakt, që pamvarësisht qëndrimeve që ka mbajtur shteti shqiptar në vite, klaneve, fiseve apo grupimeve të ndryshme mes shqiptarëve, përfshi demagogjinë e propogandën komuniste, presidentët amerikanë kanë mbajtur një qëndrim paqësor ndaj popullit shqiptar. Në një farë mënyre na i kanë qarë hallin ose në segmente kohore na kanë lënë në hallet tona, për të mos imponuar zgjidhje të vështira për popullin. Nuk kemi dëgjuar që nga goja e tyre të dalë një fjalë e keqe për shqiptarët, sepse kundërshtarët tanë do e kishin reklamuar e shfrytëzuar me të madhe, qoftë dhe një fjalë të vetme. Ndërsa historia na tregon se disa presidentë në fillim të shekullit të XX-të dhe në mbyllje të tij, kanë pasur rol determinant në ekzistencën e shtetit shqiptar. Ka pasur një investim mbi shekullor që llogaritet në miliarda dollarë. Nuk dua të zgjatem në këto, sepse opinioni ynë mbarëkombëtar është njohur në një farë mase me kontributin e Washingtonit, Wilsonit, Bushit, Klintonit, e gjithë presidentëve të tjerë amerikanë në dobi të cështjes shqiptare. Në këtë gjeohapësirë lirie që po gëzojnë shqiptarët këtë fillim shekulli, ndihma e këtyre burrave është e pazvëndësueshme. Historikisht, për kushtet e tyre gjeografike fqinjësore, shqiptarët kanë parapëlqyer miqtë larg, kryesisht ata përtej oqeanit. Ëndrra për amerikën i ka shoqëruar bijtë e shqipes, gjithë kohës, pamvarësisht zhvillimeve politiko-ekonomiko-shoqërore. Midis të tjerave cdo shqiptar ka krijuar një vizion, imagjinatë, lidhje, këndvështrim, përshtypje, raport ose kontakt real ose virtual me presidentët e SHBA. Psh. Unë në vitin 1986, duke shërbyer në një repart që mbronte Gjirin e Durrësit, për një fjalë goje desh hëngra burgun, pasi thashë një fjalë që ulte vigjilencën ushtarake gjatë kalimit tranzit të një kryqëzori amerikan për në Split, në bordin e të cilit ndodhej vetë Presidenti Regan.{Ma shpjeguan ushtarakët amerikanë gjatë stërvitjeve të para në rajonin Durrës-Kavajë, 1992.}. Kuptohet që shqiptaro-amerikanët janë më konkretë në këto lidhje, pasi janë ata që përjetojnë më mirë se kushdo realitetin amerikan, mbi të gjitha janë dhe votues të liderve ose subjekteve partiakë atje. Janë me mijëra shqiptaro-amerikanë që kanë pasur kontakte, biseda, ose kanë mbështetur “x” ose “y’”president me votë ose dollarë. Në shtëpitë ose lokalet e tyre krahas flamujve shqiptarë dhe amerikanë gjen foto apo kujtime nga këto kontakte të paharuara, të cilat ata ja tregojnë me krenari cdo miku. Po të shtojmë këtu dhe dokumetacionin e arkivat e Shtëpisë së Bardhë se si e trajtonin ose vlerësonin popullin shqiptar presidentët e SHBA, libri del një nga studimet më të vyer për kombin shqiptar. Ndaj hapja e kësaj ekspozite më nxiti të hedh një ide më të gjerë, do ishte me fat cdo studjues apo historian shqiptar ose amerikan që do sillte një libër të vecantë: “Shqiptarët në syrin e presidentëve amerikanë”. Kjo kërkon një punë të mirëfilltë shkencore në arkivat amerikane, Librarinë e Kongresit, shqyrtimin e dokumenteve, memo, shkresa zyrtare, opinione, kujtime dhe intervista me shqiptaro-amerikanët, etj. Libri do sillte një tablo të plotë të këtij kujdesi shekullor të liderve e politikës zyrtare të Shëpisë së Bardhë ndaj popullatës shqiptare, përpjekjeve të tyre për liri e prosperitet. Pra, do i kalonte përmasat kohore e përmbajtsore të ekspozitës brilante të Xhorxh Tejmzit.
Nga Roma tek Zoti Trump
Ajo që doja të shtoja dhe që më ngacmoi mendimet ishte koincidenca e hapjes së ekspozitës në ditën e zgjedhjes së presidentit të 45-të të SHBA, zotit Donald Trump. Por, si studjues i historisë ushtarake mëndja shkon më larg. Kam studjuar historitë e gjithë perandorive që kanë sunduar territorin Iliro-arbëror-shqiptar. Natyrisht historia e Romës është më e gjerë, sepse ngërthen një mori zhvillimesh shtetërore, ushtarake, zhvillimesh e dështimesh aktuale për cdo shtet të sotëm. Nuk kam të ngopur me historinë e Romës së lashtë dhe për një fakt tjetër, Iliro-shqiptarët në atë perandori ishin të barabartë me kombet e tjerë, madje nxorrën dhe tre perandorë. Gjatë kontakteve të mija me ushtarakët amerikanë këtyre 25 viteve, krahas detyrave tona, prezantimit të historisë e turizmit të vendit tim, në mënyrë konfidenciale midis të tjerave, i pyesja ushtarakët miq: a e keni studjuar historinë e Romës, me të mirat dhe të këqijat e veta?! Yes! ma kthenin. Sigurisht që në shkollat ushtarake amerikane, Roma studjohet me imtësi. Këto diskutime dhe studimet e disa liderve ushtarakë zgjeruan njohuritë e mija për strategjinë ushtarake. Roma dështoi për shumë arësye, midis të tjerave një elitë politike e shkëputur nga populli, korrupsioni, shtrirja e legjioneve larg, në pamundësi për të mbrojtur kufijtë e tij, e plot arësye të tjera, të cilat strategët amerikanë i kanë analizuar në të gjitha planet. Pra, Hallet e Amerikës i dinë më mirë ata dhe qytetarët amerikanë. Më qëlloi që të jem në SHBA në kulmin e fushatës zgjedhore. Për shkak të afërsisë së vendin ku qëndroja, ndoqa të dy konventat, atë të republikanëve dhe demokratëve. Njëra më e mirë se tjetra, elokuencë, argumenta, tolerancw, festë. Rezervat e mija ishin kryesisht për cështjet e racizmit dhe lirisë fetare. Duke dëgjuar diskutantët e këtyre konventave bëja dhe krahasimin me atë cfarë ndodh në Shqipëri. I filmova të dy konventat dhe mund t’ja jap falas cdo subjekti politik në Shqipëri. Njëkohësisht takova dhe mjaft shqiptaro-amerikanë. Natyrisht për shkak të situatës dhe afërsisë së zgjedhjeve, biseda i tejkalonte hallet familjare dhe dilte tek kandidati i preferuar, Hillary ose Trump. Thjesht, duke ndenjur me njerzit e mi në NYC ose Konekticat pashë këndvështime të ndryshme. Disa pëlqenin Hillaryn për qëndrimin e Klintonëve ndaj cështjes shqiptare, disa të tjerë donin ndryshim, punonin ditë e natë në ndërtim, madje vëllai im i madh dhe një nga dhëndrat e tij mbanin bluzë me logon e firmës së zotit Trump, “Atlantic”. Ata punonin për kompaninë e zotit Trump, ishin nënkontraktorë të tij. Kështuqë gjatë bisedës kalonin në heshtje cdo argument plus për zonjën Hillary. Me një llogari të thjeshtë matematikore thashë me vete se, votat e miqve të mi shqiptaro-amerikanë janë të ndara gjysëm për gjysëm. I dyzuar sic isha, republikan në bindje, por me një respekt të vecantë për zonjë Klinton, nuk ju imponova askujt për votën. E dinë më mirë ata që jetojnë këtu për kë do votojnë. Pra, jam i sigurt që votat e shqiptarëve janë ndarë 50 me 50 %, në këto zgjedhje. Populli amerikan donte ndryshimin e situatës, të cilën e realizoi nëpërmjet votës. Në këtë zgjidhje vendimtare u bashkua mendimi intelektual, strategjik me votën popullore. Kjo e garanton suksesin dhe jetëgjatësinë e SHBA, si promotor i ekonomisë dhe demokracisë në botë. Në këndvështrimin tim, nëqoftëse Zoti Obama parandaloi rënien e SHBA, zoti Trump do realizojë ringritjen e saj dhe fuqizimin e saj përballë fuqive të tjera botërore. Ndërkohë nëse diskutojmë se a i njeh zoti Trump shqiptarët, as që bëhet fjalë. Jo vetëm prej erudicionit të tij, por dhe prej faktit se shumica e shqiptarëve në NYC dhe rrethina punojnë ose kanë punuar në kompanitë e tij. E njëjta situatë ishte fillimisht dhe me zotin Obama, por më vonë pamë se në sajë të vijimësisë së politikave të Shtëpisë së Bardhë dhe lobimit të shqiptarëve, cdo gjë ndryshoi. Kështu do ndodhë dhe me zotin Trump. Mos harrojmë se fqinjët tanë kanë lobingje më të forta se ne. Gjithashtu mos kujtojmë se rrethi vërtitet rreth ne shqiptarëve ose të presim që uji të rrjedhë vetëm në kanalin tonë. Duhet të shfrytëzojmë të gjitha njohjet, mundësitë, talentin, profesionalizmin dhe aftësitë tona për tju imponuar administratës së zotit Trump. Pra, duhet një strategji e jona që të përfshijë gjithë fushat e bashkëpunimit. Dhe këtë, në radhë të parë e bëjnë shqiptarët dhe shqiptaro-amerikanët e thjeshtë, me integritet moral e profesional, e jo politikanët. Tabani i miqësisë shqiptaro-amerikane i ka rrënjët në popull, në lidhjet e miqësitë e shumta që kanë krijuar shqiptarët përgjatë një shekulli në cdo cep të SHBA, në sajë të punës, intelektit, qytetarisë e ndershmërisë së tyre.