Sokol Paja/
New York, 9 shtator 2024- Në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York u përkujtua kontributi i madh i Fan Nolit për kombin shqiptar në një simpozium përkujtimor dhe historik kushtuar 100-vjetorit të misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Ky organizim historik u realizua me iniciativë të Bibliotekës së Fan Nolit në Boston, Federatës VATRA, gazetës “Dielli,” dhe pjesëmarrjen e akademikëve, studiuesve dhe autorëve e kërkuesve shkencor që vlerësuan trashëgiminë shumë dimensionale të Imzot Fan Nolit. Një organizim i shkëlqyer nga Neka Doko, Rafaela Prifti, Ilir Ikonomi dhe Mentor Maksutaj. Në fjalën e hapjes së simpoziumit, Suela Janina, Ambasadore e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, në fjalën e mirëseardhjes e quajti Imzot Nolin një personalitet të shquar të kombit shqiptar dhe u ndal te suksesi i Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve. Peshkopi Nikodhim nga Kisha e Shën Gjergjit në Boston nëpërmjet video mesazhit bekoi të pranishmit në sallë. Ambasadori i Shqipërisë në Uashington Ervin Bushati e krahasoi personalitetin, peshën dhe rolin e Imzot Nolit për kombin shqiptar e kulturën kombëtare në nivel të Skënderbeut dhe Nënë Terezës. Ambasadori Blerim Reka veçoi Nolin si prijës fetar, politikan e diplomat, duke e cilësuar diplomatin e parë shqiptar që punoi në diplomacinë ndërkombëtare.
Neka Doko drejtoresha e Bibliotekës Noliane shpjegoi për të pranishmit rrugëtimin dhe përgatitjen 4 vjeçare të evenimentit në bashkëpunim me Arkivin e Gjenevës. Nancy Kajo lexoi kumtesën e Prof. Nick Pano ku u fokusua te roli dhe kontributi i Fan Nolit në Kishën Ortodokse të Shën Gjergjit, gazetën Dielli dhe Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Dr. Elmi Berisha, kryetari i Federatës Vatra në fjalën e tij u shpreh se Noli është ndër figurat më të shquara kombëtare të shekullit të kaluar, Noli ishte bekim nga Zoti për popullin, kombin, shtetin dhe emigracionin kombëtar shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas z.Berisha Imzot Noli ishte intelektual, përkthyes dhe shkrimtar i kalibrit botëror. Më tej foli rreth kontributit të Imzot Nolit për kombin shqiptar. Editori i Diellit u shpreh se Imzot Noli me veprimtarinë politike, fetare, diplomatike e komunitare, letërkëmbimet e shumta me personalitete botërore si politikanë, diplomatë e shkrimtarë, Imzot Noli themeloi diplomacinë shumëplanëshe të shtetit shqiptar. Imzot Noli krijoi një shkollë të mendimit politik e oratorisë shqiptare në skenën politike të Shqipërisë së viteve 20-30-të. Editori përpara fjalës së tij ftoi të gjithë të pranishmit për 1 minutë heshtje në nderim të gazetarit Astrit Lulushi ndarë nga jeta pak ditë më parë. Studiuesi Ilir Ikonomi shpjegoi rrugëtimin e Imzot Nolit nga përpjekja për tu bërë deputet shqiptar në Shqipëri, për themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare, te mos lejimi për të zbritur në Durrës e deri te dërgimi si përfaques i shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, ardhjen më 8 prill 1921 të Nolit si hero në Shqipëri pas suksesit në Lidhjen e Kombeve. Evans Liolin në fjalën e tij paraqiti aspekte rreth fjalimit të Atë Arthur Liolin për trashëgiminë e Metropolit Fan Noli, “Fan S. Noli dhe ndërgjegjja shqiptare”, ndërsa kryetari i Vatrës në Boston z.Mentor Maksutaj shpjegoi për të pranishmit arritjet e degës së Vatrës në Boston dhe projektet për të ardhmen për të ndihmuar digjitalizimin e Bibliotekës së Fan Nolit në Boston. Enriketa Kalldremxhiu- Barbey nga Gjeneva solli me video dokumente arkivore dhe mediatike autentike rreth veprimtarisë së Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve. Programi ka vazhduar si më poshtë:
Entela Komnino- Fan Noli’s Perorate for Albania– Ligjerimi per Shqiperine- at the League of Nations, Ph.D., Dr.Afrim Shabani – The Musicological Process of Fan S. Noli: Beethoven and the French Revolution, Dr.Ines Murzaku- Unity in Diversity: Noli’s Ecumenical Legacy, Dr.Gazmend Kapllani – Noli’s Academic & Historic Legacy from Beethoven and the French Revolution to George Castrioti Scanderbeg, Neka Doko- Fan S. Noli, Heart- Mind- Soul- all Aligned for the Albanian Nation, Multilateral Enlightenment and Spiritual Realization, Faton Limani- Department Administrator; Albanian Language Lecturer. Eva Stathi – Misho- Student Coordinator, Harvard University. Cambridge. MA, Dr. Yllka Filipi- Fan Noli Between Albania and America: The Symbol of Self Sacrifice for the Sake of National Interests, Dr. Arjeta F. Kotrri- Research Perspectives on Fan Noli’s Creative Writing. From the Experience of the Poetic Classic Book Albumi, New Publication, Elona Lopari- Noli’s Inspiring Mission Driven Leadership Ahead of Time and Generations.
Gazeta “Dielli” do të publikojë të gjitha kumtesat e Simpoziumit dhe në formatin Print do të sjellë një reportazh më të gjatë rreth këtij aktiviteti historik kushtuar shqiptarit të madh Imzot Fan Noli.
Gazeta Dielli – Owned and published by the Pan-Albanian Federation of America -VATRA
2437 Southern Blvd, Bronx, NY, 10458