Prof.Dr. Muharrem Qafleshi/
Dr. Lulzim Nika, historian, studiues dhe njohës i shquar i sferës së historisë bashkëkohore e në veçanti për ngjarjet e Kosovës në fund të viteve të ’90 të shekullit të XX-të, ku për punimet e tija shkencore rreth ngjarjeve para dhe gjatë luftës në Kosovë, hulumtoi arkivat dhe bibliotekat presidenciale të Shtëpisë së Bardh dhe raportet e Kongresit Amerikan etj.
Për këtë, Lulzim Nika do të behët ndër emrat e elitës së studiuesve të mirëfilltë të fillim-shekullit të XXI, në rrafshin e shkrimeve dhe studimeve historike, e sidomos të luftës së fundit për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
Është autor i shumë botimeve shkencore historike në revistat kombëtare dhe ndërkombëtare, po ashtu është hartuesi i dy librave të karakterit shkencor, në vitin 2019, botoi librin të titulluar “Zhvillimet politike në Kosovë gjatë viteve 1966-1974” dhe në viti 2021 botoi librin e tij, “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999” .
Në librin, të cilin sot po e promovojmë “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999” autori trajton mjeshtërisht dhe profesionalisht Veprimtarinë Diplomatike Ndërkombëtare për çështjen e Kosovës para dhe gjatë luftës së Kosovës, duke shtjelluar përpjekjet diplomatike të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, për parandalimin e luftës që kishte shkaktuar një krizë humanitare gjatë depërtimit të popullatës shqiptare të Kosovës për në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe në shtetet tjera evropiane, njëherit edhe spastrimin etnik të Kosovës.
Pas Konferencës së Dayton, shumica e shqiptarëve të Kosovës synonin pavarësinë e plotë. Për të dyja palët si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët, radikalizmi i qëndrimeve dhe përjashtimi reciprok i zgjidhjeve paqësore, e bënë të qartë se palët duhet të shkonin në luftë për të mbrojtur qëndrimet e tyre. Meqenëse kartat e irredentizmit dhe terrorizmit të përdorura nga Slobodan Milosheviq, si një maskim për të vazhduar fushatën e dhunës në Kosovë për botën e civilizuar ishte më e pabesueshme, por autoritetet serbe gjetën pretekstin tjetër atë të veprimtarisë së UÇK-së, për të ndërmarrë masa brutale të paligjshme ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.
Lufta e Kosovës ishte vazhdimësi e luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet ’90-të, ku serbet hegjemon ishin gjenerues të konflikteve politike dhe ndëretnike. Ku regjimi autoritar dhe nacionalist i satrapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviqit, bëri përpjekje që përmes ushtrisë jugosllave të krijonte Serbinë e Madhe. Në këtë fazë, për herë të parë ndërhyrja e diplomacisë ndërkombëtare ishte specifike pasi ajo u mor në mënyrë të drejtpërdrejtë me palët në konflikt. Etapa e parë e Diplomacisë ndërkombëtare ishte parandaluese ose e përpjekjeve diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për çështjen e Kosovës, duke organizuar edhe një Konferencë ndërkombëtare në Rambuje, përpara ndërhyrjes ushtarake të trupave të NATO-s me 24 prill 1999.
Pra, ngjarjet që ndodhen në Kosovë, gjatë vitit 1997-1999, kanë pasur pasoja të rënda për popullin shqiptar të Kosovës dhe rajonin në përgjithësi, këtyre ngjarjeve të zhvilluara në këtë periudhë kohore, studiuesi dhe hulumtuesi Lulzim Nika i kishte kushtuar një vëmendje të veçantë, duke u bazua në dëshmitë e dokumentet-eve të de-klasifikuara për publikun, të Departamentit të shtetit të SHBA-së, Raporteve të Kongresit Amerikanë dokumenteve nga Biblioteka Presidenciale, gjatë qeverisjes se presidenteve Bill Klinton, Xhorxh Bush dhe dokumentet e Fred Uillams-it, i ngarkuari i SHBA-së gjatë vitit 1914 në Greqi, Mal të Zi dhe si vëzhgues i Komisionit ndërkombëtar në Durrës, si dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA-së), si fakte që ka zhvilluar diplomacia e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në një anë, hezitimit diplomatik të Evropës Perëndimor dhe diplomacisë kundërshtuese ruse, për zgjidhjen e Çështjes së Kosovës për parandalimin e Krizës Humanitare dhe spastrimit etnik të Kosovës.
Autori me të drejtë konstaton se përkrahja amerikanë për Kosovën ishte në suaza të globalizmit të demokracisë dhe respektimit të identitetit individual e kolektiv dhe përpjekjet për parandalimin e tiranisë dhe autokracisë në vendet jo demokratike, siç ishte Serbia, e cila udhëhiqte një politikë dhe diplomaci me plot paradokse e djallëzi për të ushtruar dhunë brutale ndaj popullatës kosovare, andaj edhe kontributi diplomatik e ushtarak amerikan nuk mungojë për ta parandaluar eksodin e popullsisë kosovare.
Politikë të ngjashme diplomatike ka udhëhequr edhe Mbretëria e Bashkuar nën drejtimin e kryeministrit të asaj kohë Toni Bler dhe ministrit të Punëve të Jashtë Robin Kuk! Ndërsa, për diplomacinë evropiane luftërat ballkanike ishte një kthjelle për ta, sepse po goditej rëndë projekti i tyre, ku vlerat themelore nga ana e Serbisë u shkelën në mënyrën më drastike dhe Evropa nuk ia doli që ta pengoj ngase proceset vendimmarrëse në BE ishin të gjata, andaj ishte e qartë se pa angazhimin amerikan vështirë së do t’ia dilnin. Prandaj, autori i këtij libri diplomacinë evropiane e quan me të drejtë si hezituese. Diplomacia ruse, kundrejt ngjarjeve në Kosovë ishte mbështese e Serbisë ortodokse dhe kundërshtuese e çështjes kombëtare të Kosovës!
Ngase dihet botërisht se Serbia është vendi me një angazhim të tejskajshëm në aleancën e vet strategjike ushtarake me Federatën Ruse. Serbia, e cila kishte dhe ka traktat bashkëpunimi strategjik e ushtarak me Rusinë, bën trageti armësh më të, organizon stërvitje ushtarake të përbashkëta pra, gjithçka e lidh Serbinë me Rusinë duke e mbështetur njëra tjetrën në arenën ndërkombëtare. Në fund mund të themi se studiuesi dr. Lulzim Nika, i ka shqyrtuar dhe analizuar mjeshtërisht 179 dokumente arkivore, që gjenden në shtojcën e librit nga faqja 319 deri në faqen 498, në të cilat paraqiten përpjekjet diplomatike të botës demokratike për periudhën më të rëndësishme që po kalonte populli shqiptar i Kosovës gjatë viteve 1997-1999, duke ia sjell një risi të mirëfilltë shkencor historiografisë sonë Kombëtare.