
Nder mija trajta ideja: fytyra të gjarprit e të gruas.
Viola Isufaj
Universiteti i Tiranës
Pjesa 1
Poezia Gjarpni e Gruaja e Martin Camajt, me strukturën e saj enigmatike që ngjan me një rebus, përmban një shumësi elementesh të hapura ndaj interpretimeve të ndryshme. Ajo ndërthur simbole, botë emocionale dhe pasqyra të përthyera të realiteteve që shpërbëhen e rindërtohen pafundësisht, duke krijuar një tekst ku kuptimet lëvizin e transformohen vazhdimisht.Studiuesit shpesh kanë ngurruar t’i qasen interpretimit të kësaj poezie, për shkak të kompleksitetit të madh që ajo ngërthen. Pikërisht kjo vështirësi shndërrohet, megjithatë, në një grishje të veçantë: një ftesë e pandalshme për lexim dhe përpjekje interpretimi.
Gjarpni e grueja
Ajo mbramë harroi trupin e vet
zbuluet
e në mëngjes e gjeti pikturë të varun
në murin e gjanë dhetë pashë:
e kqyri e e kqyri dhe u zhduk.
Petkat e saj teren buzë detit
me këmishën e gjarpnit mbi gur.
Shtërpia tha se vjen prap, ajo,
deri mbasdite.
Mbasdite vonë, gjarpni i rrejtun
doli prej nëngurit
e iu zgerdhesh vetmisë ndër sy,
veshi këmishën e vjeter e shkoi
me fjetë.
Ky studim synon të depërtojë në kompleksitetin semantik dhe strukturor të poezisë së Martin Camajt, duke u përqendruar te mënyrat se si ideja poetike shfaqet dhe transformohet “ndër mijëra trajta” përmes figurave, simboleve dhe shtresave kuptimore. Poezia e Camajt, përtej dimensionit tekstual, paraqitet si një hapësirë intertekstuale ku vetëdija poetike ndërvepron me lexuesin në një proces të vazhdueshëm të prodhimit të kuptimit.
Poezia hap horizonte të reja kuptimore, duke u bërë provë e hapësirës së pakufishme të kuptimeve. Në këtë pikë, mund të kujtojmë idenë e Benedetto Croce-s në Estetica come scienza dell’espressione e linguistica generale (1902) për artin si shprehje të lirë, ku çdo akt interpretimi është një krijim i ri, si dhe konceptin e Umberto Eco-s për “tekstin e hapur” (Opera aperta, 1962), ku kuptimet nuk janë të fiksuara, por lëvizin e transformohen në marrëdhënie me lexuesin. Po ashtu, Roland Barthes me esenë La mort de l’auteur (1967) e zhvendos qendrën e kuptimit nga autori tek lexuesi, ndërsa Hans-Georg Gadamer në Wahrheit und Methode (1960) e sheh interpretimin si një dialog të vazhdueshëm mes lexuesit dhe traditës. Paul Ricoeur, nga ana e tij, e përshkruan tekstin si një hapësirë të lirë ku kuptimet shumëfishohen sapo ai ndahet nga autori.
Në qendër të analizës vendoset polisemantizmi i strukturës poetike: fjalët dhe imazhet nuk reduktohen në një interpretim të vetëm, por krijojnë një diskurs poetik të hapur, i cili lejon lëvizjen e kuptimeve në një rrjet të gjerë referencash kulturore e filozofike. Ky dimension polisemantik e vendos poezinë e Camajt në një kontekst ku njëri pol i kuptimit mund të jetë i fiksuar, por domëthëniet të lëvizshme, duke u prodhuar vazhdimisht në marrëdhënien mes tekstit dhe lexuesit.
Analiza e tekstit Gjarpni e Grueja do të shpalosë një hapësirë semiotike ku shenjat poetike ndërveprojnë në nivele të ndryshme: fenomenologjike, hermeneutike, psikologjike, antropologjike, filozofike, erotike dhe ekzistenciale. Ky ndërthurim i perspektivave do ta vendosë poezinë në një rrjet intertekstor ku çdo shenjë poetike del e hapur ndaj rikodifikimeve të pafundme.
Në përfundim, argumentohet se poezia e Camajt është një akt i vetëdijshëm i ndërtimit të kuptimit, një diskurs poetik që operon mbi bazën e polisemantizmit dhe intertekstualitetit, duke reflektuar parimet e semiotikës dhe strukturalizmit. Ky akt meditativ e shndërron lexuesin në bashkëkrijues të ideve që lëvizin “ndër mijëra trajta”, duke e vendosur tekstin në dialog me tradita të ndryshme letrare, filozofike dhe kulturore.
Fytyra e parë: tensioni seksual. Humbja e vetëdijes dhe e moralit
Poezia Gjarpni e grueja e Martin Camajt mund të lexohet për së pari si dramë e tensionit seksual dhe e humbjes së vetëdijes morale. Kur Camaj thotë për gruan “harroi trupin e vet,” mund të na nxisë të nënkuptojmë se gruaja ka kaluar në një gjendje larg nga vetëkontrolli moral dhe nga vetëdija deri në një dorëzim ndaj instiktit. Ky moment mund të interpretohet si një lloj lëshimi nga norma të caktuara që i janë imponuar gruas si individ. Thënë ndoshta më qartë: gruaja mund të jetë përballur me një situatë ku dëshirat dhe instinktet e saj kanë dalë më të forta se norma shoqërore a fetare, instikte, të cilat për t’u ndrydhur do të kishin nevojë për ndihmën e një vetëdijeje të kontrolluar dhe të pasur me parime.
Në traditën biblike, gjarpri është i lidhur me mëkatin e parë, ndërsa te Camaj merr një përmasë më intime: ai është shenja e instinktit të papërmbajtur, e dëshirës që shpërthen përtej kufijve të disiplinës së brendshme. Kjo mund të paraqesë një dinamikë ku gruaja ka kaluar përmes një akti të papritur, të panginjur dhe të paorganizuar, duke pranuar pasojat e mundshme pa menduar gjatë.
Gjarpri mund të nënkuptojë ndjeshmëri, ndjenja të thella që mund të ngrenë tallaze pasigurie, tërheqjeje dhe frike. Në këtë kuptim, mund të jetë simboli i një akti që ka lidhur trupat në një gjendje të paqartë, të pasigurt, dhe të mbushur me konflikte të brendshme. Gjarpni, si simbol i rrezikut dhe mundësisë për shndërrim, mund të jetë kështu, një shenjë e instinkteve të papërmbajtura që i ka ndjellë dhe të cilat kanë shpërthyer.
Ky këndvështrim e shton kompleksitetin e poezisë, duke dhënë një përmasë të brendshme të përjetimeve të gruas, ku morali, trupi dhe intimiteti janë në një vibrim të trazuar të vazhdueshëm. Camaj ka përdorur një qasje shumë të hollë për të dhënë këtë krizë të brendshme, duke e shprehur me anë të simboleve natyrore dhe konflikteve ndërmjet individit dhe normës sociale.
Ajo që po përthyen Camaj, pra, mund të jetë një moment i tensionuar pas aktit seksual, ku gruaja, e cila ka kaluar përtej kontrollit të saj moral dhe trupor, tani përballet me pasojat e këtij akti, që janë të përjetuara dhe të dukshme në realitetin e saj të brendshëm, të përditshëm. Kjo përballje mund të shfaqet si një reflektim i ndjeshmërisë dhe kuptimit të thellë të asaj që ka ndodhur.
Pikturë të varun në murin e gjanë dhetë pashë- Ky varg i pashlyeshëm mund të ketë një kuptim të thellë në lidhje me përballjen e gruas me pasojat e veprimeve të saj dhe përballjen me turpin dhe ndërgjegjen; mund të simbolizojë një imazh të papritur dhe të papëlqyer për gruan, ku ajo, pas natës që kaloi, tashmë, në mëngjes, gjendet para një pasqyre të përjetuar që e ndihmon të kuptojë më mirë atë që ka ndodhur. Piktura që është “e varur” mund të jetë vetë përballja me një imazh të ngulitur tashmë në mendjen e saj, një shenjë të veprimit që ajo e ka kryer, dhe tani po e përjeton me ndjenja të ftohta, me ndjenja të papërmbushjes, pothuajse si një përfundim të hidhur. Është përballja me turpin dhe ndërgjegjen: Gruaja është tashmë e ndodhur në atë moment të pakthyeshëm, kur natyra e veprimit të saj është bërë e dukshme.
Piktura shfaqet si shenjë e imazhit të vetvetes që gruaja tashmë e sheh në një këndvështrim që ia cakton ndërgjegjia. Piktura e varur funksionon, pra, si pasqyrë e veprimit të kryer, një kujtim i fiksuar që mbetet i pashmangshëm. Vargu “dhe dhjete pashe” mund të sugjerojë që gruaja po e shikon veprimin e saj me një ndjesi të thellë fajësie, një ndjenjë që ka rritur intensitetin dhe përmasat e asaj që ka ndodhur. Vargu mund të lexohet si metaforë e turpit dhe ndërgjegjes. Dhjetë pashët e përmendura e zmadhojnë ndjesinë e fajit, duke e bërë më të rëndë dhe më të pranishme në ndërgjegjien e subjektit.
Kalimi nga nata në mëngjes, nga pasioni në reflektimin e ftohtë, përfaqëson një moment kthjellimi ku gruaja e sheh realitetin me sy tjetër dhe ku përballja me ndërgjegjen bëhet e pashmangshme. Mëngjesi nuk është vetëm shenjë e ndërrimit të kohës, por një transformim cilësor që pason çdo akt të papritur e të thellë. Ky kontrast mes natës dhe mëngjesit është një motiv i përsëritur në poezinë e Camajt: te Pas kryqëzimit të zogjve, loja e dashurisë dhe pasojat e saj projektohen në një mëngjes të ftohtë e të zbrazët; ndërsa te Mosha e qenit apo ditëlindja, kalimi i kohës shfaqet si përballje e individit me pasojat e veprimeve që të tjerë kanë kryer mbi të. Në këtë kuptim, mëngjesi te Gjarpni e grueja shfaqet si instancë reflektimi, një hapësirë ku gruaja e sheh veten në pasqyrën e fajit, duke u shndërruar në një meditim të rëndë mbi ndërgjegjen. Ky moment mund të nënkuptojë kthimin e saj në shtëpi, si një përpjekje për të rivendosur ekuilibrin dhe për të rikthyer rendin e prishur.
Po ashtu, pjesa ku gjarpri zgjedh të veshë këmishën e vjetër dhe të shkojë për të fjetur mund të lexohet si simbol i një përpjekjeje për rikthim në vetvete, pas një përvoje tronditëse që e ka ndikuar. Në këtë mënyrë, edhe gjarpri vendos një marrëdhënie me kujtimin e afërt të ngjarjes, por ndryshe nga gruaja, në përputhje me natyrën e tij, ai bën një akt ironik dhe të distancuar ndaj përvojës së kaluar. Ky gjest shndërrohet në simbol të një rikthimi në rutinën e zakonshme, një mënyrë për të neutralizuar tronditjen e natës dhe për ta vendosur ngjarjen në kufijtë e kujtesës së afërt. Në këtë mënyrë, gjarpri nuk e kthen mëngjesin në hapësirë reflektimi, por e përdor si moment të mbylljes së përvojës, duke e zhvendosur peshën e saj nga aktualiteti drejt një kujtese që tashmë është e konsumuar.
Poezia merr kështu një dimension psikologjik të thellë, ku pasioni dhe turpi bashkëjetojnë, duke e shndërruar aktin seksual në një reflektim mbi mëkatin, fajin dhe ndërgjegjen. Por, nga ana tjetër, imazhi me të cilin përballet gruaja, krijuar nga vetë ajo, mund të jetë gjithashtu një figurë që nënkupton “përmbysjen” e ndjeshmërisë së saj të zakoshme dhe një hapje ndaj diçkaje të re, një kalim nga një gjendje e ndrojtur dhe e pasigurt në një të ardhme që është e ndikuar nga veprimi i kaluar – e cila na përgatit për leximin tjetër.
Foto: memorie.al