
Agim Aliçkaj/
Zgjedhja e znj. Justina Shiroka-Pula Presidente e Republikës së Kosovës dhe miratimi i Projektligjit për Gjykatën Speciale nga Kuvendi i Kosovës, pas një periudhe të gjatë bllokadash të panevojshme institucionale, përbëjnë zhvillime madhore për shtetin dhe popullin e Kosovës. Ishte ky një moment vendimtar për daljen nga kriza, përpara se vendi të rrëshqiste drejt një kaosi politik dhe institucional me pasoja të rënda. Zhvillimet e fundit, veçanërisht vendimi i kontestuar i Dhomave të Specializuara në Hagë lidhur me katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, duket se ndikuan në vetëdijesimin e faktorëve politikë për seriozitetin e situatës.
Më në fund, mbizotëruan zërat e arsyes dhe përgjegjësia shtetërore. Përpjekjeve të Serbisë dhe faktorëve të tjerë për destabilizimin dhe dobësimin e Kosovës iu dha një goditje e rëndësishme. Meritë të veçantë për tejkalimin e krizës kanë Kryeministri Albin Kurti, Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe të gjithë ata që kontribuuan në arritjen e kompromisit. Ata dëshmuan se bashkëpunimi është i mundur kur interesi shtetëror vendoset mbi interesat personale dhe partiake.
Zhbllokimi i institucioneve përbën një hap të rëndësishëm drejt respektimit të vullnetit demokratik të popullit, të shprehur në tri procese zgjedhore, përmes të cilave qytetarët i dhanë besimin Kryeministrit Kurti dhe koalicionit të tij për një mandat të ri qeverisës. Tani, populli pret me të drejtë rezultate konkrete: rritjen e mirëqenies, zhvillimin ekonomik, forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe konsolidimin e shtetit. Populli e dha besimin me votë. Tani është radha e Qeverisë ta arsyetojë atë besim me punë dhe rezultate!
PRESIDENTJA E RE – MUNDËSI PËR NJË FRYMË TË RE
Përvoja akademike, profesionale dhe institucionale e Presidentes Justina Shiroka-Pula krijon mundësi për një qasje të re, më bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse në udhëheqjen e institucionit të Presidentit. Prioritetet e saj duhet të jenë forcimi i unitetit institucional, bashkëpunimi ndërmjet forcave politike dhe përfaqësimi dinjitoz ndërkombëtar i Kosovës. Rëndësi të veçantë duhet t’i kushtojë forcimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin tonë kryesor strategjik, si dhe integrimit euroatlantik, anëtarësimit në NATO dhe sigurimit të njohjeve të reja ndërkombëtare.
Presidentja duhet të jetë Presidente e të gjithë qytetarëve, jo përfaqësuese e një partie politike. Ajo duhet të bashkëpunojë ngushtë me Qeverinë dhe Kuvendin, duke ruajtur pavarësinë kushtetuese dhe dinjitetin e institucionit. Roli i saj në nxitjen e dialogut ndërmjet pozitës dhe opozitës mund të jetë shumë i rëndësishëm për parandalimin e krizave të ardhshme. Mospajtimet politike janë pjesë e demokracisë, por nuk duhet të shndërrohen në bllokada që paralizojnë shtetin.
KOSOVA DUHET TA NDRYSHOJË MËNYRËN E ZGJEDHJES SË PRESIDENTIT
Nga kjo krizë duhet të nxjerrim një mësim jetik: Kosova ka nevojë për ndryshime kushtetuese dhe ligjore që do ta pamundësonin keqpërdorimin e zgjedhjes së Presidentit për bllokimin e institucioneve. Sipas mendimit tim, zgjidhja më demokratike dhe më e qëndrueshme është zgjedhja e Presidentit drejtpërdrejt nga populli. Nëse kjo nuk mund të realizohet së shpejti, duhet të shqyrtohet ndryshimi i rregullave dhe interpretimit kushtetues për kuorumin në zgjedhjen e Presidentit.
Interpretimin sipas të cilit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve edhe në raundin përfundimtar, kur për zgjedhjen e Presidentit kërkohen 61 vota, e konsideroj problematik. Ai krijon mundësi që mungesa e deputetëve të përdoret për bllokimin e shtetit.
Këtë dukuri nuk do ta quaja demokratike, por “bllokadokratike”. Sigurimi i shumicës prej 61 deputetësh në Kuvend nuk është aspak i lehtë. Një forcë politike apo koalicion që e arrin këtë shumicë ka legjitimitetin për të qeverisur dhe duhet të ketë mundësi reale t’i ushtrojë përgjegjësitë kushtetuese.
Natyrisht, të drejtat e opozitës dhe komuniteteve joshumicë duhet të respektohen plotësisht, por ato nuk duhet të keqpërdoren për paralizimin e institucioneve. Çdo reformë duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe përmes procedurave demokratike.
INTERESI SHTETËROR MBI INTERESAT PARTIAKE
Nga përvoja ime shumëvjeçare në veprimtarinë kombëtare shqiptaro-amerikane, përkrah Joe dhe Shirley DioGuardit, jam bindur se Kosova është më e fortë kur udhëheqësit e saj bashkëpunojnë dhe ruajnë marrëdhëniet e fuqishme me Amerikën. Liria, pavarësia dhe shtetndërtimi i Kosovës kanë kërkuar sakrifica të jashtëzakonshme të popullit tonë dhe mbështetje vendimtare të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë. Askush nuk ka të drejtë ta rrezikojë të ardhmen e këtij shteti për interesa të ngushta politike.
Shpresoj që zgjedhja e Presidentes Shiroka-Pula dhe marrëveshja që mundësoi daljen nga kriza të shënojnë fillimin e një periudhe të re stabiliteti, bashkëpunimi dhe përparimi.
Kosova është më e rëndësishme se çdo individ dhe çdo parti politike. Interesi shtetëror dhe kombëtar duhet të mbizotërojë gjithmonë mbi interesat personale dhe partiake! E lumtur dhe e lavdishme qoftë rruga jote, Kosova jonë Dardane!